Këshilli i Prindërve kërkon pezullimin e testeve të arritshmërisë dhe të maturës

Këshilli i Prindërve i Kosovës ka shprehur indinjatë ndaj mbajtjes së Testit të Arritshmërisë, duke e quajtur të “keqprojektuar, keqmenaxhuar dhe ku kopjimi është sinonimi për të”.

Këshilli ka thënë se Testi i Arritshmërisë dhe i maturës duhet të pezullohen dhe ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin e tyre.

“Ndërsa i gjithë sistemi arsimor i Kosovës e çoi dëm edhe një vit për t’i shërbyer mbi 300 mijë fëmijëve, testi i maturës dhe arritshmërisë vazhdojnë bindshëm të jenë aktet më të kota, më të pavlera e më të dëmshme për fëmijët tanë. Ato teste janë shembuj konkret se si nuk duhen bërë projekte të tilla. Janë dëshmia e vendimeve dhe veprimeve pa përdorur rezonin e arsyes shkak-pasojë. Janë ‘paushalli’ i politikbërjes për arsimin që po vazhdon në Kosovë”, thuhet në reagimin e këshillit.

Tutje ka shprehur indinjatë edhe ndaj sistemit arsimor, për të cilin Këshilli i Prindërve ka thënë se po rrënon shpresën e prindërve për të rritur fëmijët në vendin e vet.

“Ky sistem arsimor është edhe i skaduar e edhe i dëmshëm (në tërësinë e tij)! Duhet një plan kombëtar, me pajtim të të gjitha palëve, për ta ringjallur, përditësuar dhe reformuar në palcë sistemin arsimor parauniversitar në Kosovë”./KultPlus.com

MAShTI deklarohet për mbarëvajtjen e Testit të Arritshmërisë, evidenton probleme por edhe avancim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, të mbajtur më 14 qershor 2022.

Megjithatë, MAShTI thekson se edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa qendra të testimit, si pasojë e  mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga ministria.

“Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së  dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e qendrave të testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, thuhet në njoftim.

MAShTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e  parë  të testit. / Gazeta express / KultPlus.com

Nesër mbahet pjesa e dytë e testit të arritshmërisë

Nesër do të mbahet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në 176 qendra të testimit. Të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Siç njofton Ministria e Arsimit, në pjesën e dytë, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga matematika, informatika, shkencat natyrore, fizika dhe kimia.

Ndërsa, sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MASHTI thotë se ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, e të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.

“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MASHTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë. MASHTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndaj gjashtë administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, MASHTI kërkon nga drejtoritë komunale të Arsimit që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të cilat do të sigurojnë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.

“Në mënyrë që pjesa së dytë e testimit të shkojë mirë, MASHTI ka krijuar një Grup Punues i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve”.

MASHTI, gjithashtu kërkon nga DKA-të që në pjesën e dytë të Testit të sigurohen që: administruesit të arrijnë më kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e Testit, të respektojnë rregullat e administrimit të Testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM-MASHTI, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit, të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit, të njoftojnë administruesit se do të përjashtohen nga procesi në rast të mos respektimit të përgjegjësive dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi. / KultPlus.com

“Çfarë kanë të përbashkët lumi Buna dhe Drini i Zi?”, testi i arritshmërisë nëpër rrjete sociale

Sot është duke u mbajtur pjesa e parë e testit të arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar mbi 24 mijë nxënës.

Ky test i arritshmërisë, organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që ka për qëllim orientimin e nxënëseve për regjistrimin në shkollat e mesme të larta.

Por, ajo çfarë po bie më shumë në sy, është një fenomen i cili përfshirë edhe këtë vit, ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Ky fenomen është ai i kopjimit. Ku nxënësit, shumë lirshëm, arrijnë të fotografojnë testet dhe t’i publikojnë ato në rrjetet sociale si në Facebook, duke kërkuar ndihmë në mënyrë që t’i përgjigjen saktë pyetjeve.

Duhet shtuar se këto postime nuk janë të vetmet, dhe në grupet e hapura së fundmi ka dhjetëra të tilla./Express/ KultPlus.com

Mbi 24 mijë nxënës i nënshtrohen sot pjesës së parë të testit të arritshmërisë

Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta sot do t’i nënshtrohen pjesës së parë të testit të arritshmërisë i cili do të mbahet në 176 qendra të testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Pjesa e dytë e testit do të mbahet më 14 qershor dhe nxënësit do të kenë mundësi që gjatë dy ditëve të përgjigjen në 200 pyetje, 4 lëndë në ditën e parë dhe 5 lëndë në ditën e dytë të testimit.

Nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë për t’u përgjigjur në pyetjet e parashtruara, për të cilat MAShTI shpreh bindjen se do të jenë në përputhje me atë çfarë nxënësit kanë mësuar gjatë shkollimit.

Duke qenë se i tërë procesi organizohet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë në proces, si dhe respektim të plotë të rregullave të caktuara.

Sa i përket uljes së përqindjes së pikëve për regjistrim në shkolla të mesme të larta, nga 60 në 40 përqind, Nagavci është shprehur se qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos penalizohen për punën që kanë bërë për nëntë vite, vetëm sepse gjatë ditës së testimit kanë mund të mos japin maksimumin./kp/ KultPlus.com

Shpallen rezultatet e testit të arritshmërisë, rezultati 57.1%

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën.

Nga MAShT kanë njoftuar se rezultatet e tashmë janë shpërndarë në shkolla dhe se këtë vit, rezultati i arritshmërisë në test është 57.1 përqind.

Testi i mbajtur më 28 maj, është organizuar në tri gjuhë: amtare, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 156 qendra të testimit.

Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues. / Gazeta Express / KultPlus.com

ETEA: Kopjimi në testin e arritshmërisë ishte në përmasa masive

Reagim lidhur me testin e arrtishmërisë

Organizata ETEA ka përcjellë me shqetësim zhvillimet përgjatë organizimit të testit të arritshmërisë, përkatësisht shpërputhjet e raportimeve të përsonave përgjegjës mbi mbarëvajtjen e testit dhe deklaratat e nxënësve mbi nivelin e lartë të kopjimit përgjatë testit.

Më 28.05.2021 në Kosovë u organizua testi i arritshmërisë për rreth 26000 nxënës të klasëve të 9-ta në 156 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës.

Por, cila në fakt është besueshmëria e rezultateve të testit të arritshmërisë?

Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive.

Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullësi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim.

Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim (shih fotot e bashkangjitura), me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit.

Gjithsesi, organizata ETEA rezervohet nga qendrimet përkatëse lidhur me deklaratat e nxënësve për administruesit/et e testit, vetëm se i bëhet thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë Drejtorive Komunale të Arsimit, që të zhvillojnë komunikime me nxënësit/et dhe të zbulojnë më shumë informacion. Nuk janë dhe nuk duhet trajtuar vetëm komisionerët dhe administruesit/et e testit si burim informate.

Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjës së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj. Fundja, sistemi e certifikon me të tilla rezultate.

Fenomeni i kopjimit është rrënjosur në shkollat tona. Në raportin hulumtues të organizatës ETEA me titull “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Komunës së Prishtinës”, publikuar në vitin 2019, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se kopjojnë referatet dhe detyrat shkollore.

Dhe kjo pashmangshëm se është e nënkuptueshme. Përderisa, nota mesatare e nxënësve kosovarë shpeshherë shkon në 4.5 dhe testet nacionale iu jepin atyre pikët më të larta, testet ndërkombëtare PISA dhe TIMSS pjesën dërrmuese të tyre i nxjerrin analfabetë funksional.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit duhet urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore. / KultPlus.com

MASHTI: Rreth 26 mijë nxënës iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, nuk u shënuan parregullsi që ndikojnë në rezultate

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, sot i janë nënshtruar Testit të Arritshmërisë, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Testi i Arritshmërisë është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin.

Kështu kanë bërë të ditur nga MASHTI përmes një postimi në rrjeti social në Facebook, duke shkruar se në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues.

“Rreth 26 mijë nxënës të klasave të nënta, i janë nënshtruar sot Testit të Arritshmërisë të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Testi i Arritshmërisë është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2.200 administrues. Procesi ka filluar në orën 10:00 në të gjitha qendrat ku është mbajtur testimi”, bëjnë të ditur nga MASHTI.

Sipas tyre, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit.

“Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit. Organizimi i testit është realizuar sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e Testit të Arritshmërisë, për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre. Testimi i nxënësve të klasave të nënta ka për qëllim që të bëj orientimin e nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta. Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 7 qershor”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com

Sot mbahet Testi i Arritshmërisë

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta sot do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisëTesti do t’i ketë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe pyetje nga shkencat shoqërore dhe ato natyrore.

Këtë herë nuk do të jetë kriter kalimi por që pikët e mbledhura do t’iu shërbejnë nxënësve që të orientohen për në shkollimin e mesëm.

Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, e ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka treguar se rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të shpallen me 7 qershor.

Për shkak të pandemisë COVID-19 , forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë, duhet të realizohet një nxënës në një bankë kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka kërkuar që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit, Fatmir Elezi ditë më parë në një intervistë për KosovaPress ka treguar se përjashtimi nga testimi është ndëshkimi për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit dhe për çka theksoi se do të jenë të pakompromis ndaj atyre që thyejnë rregullat e procesit të testimit.

Testi i arrtishmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi. / Gazeta Express / KultPlus.com

Anulohet testi i arritshmërisë në Kosovë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dalë me vendim për anulimin e testit të arritshmërisë për vitin shkollor 2019/20.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID – 19 është marrë vendimi për anulimin e testit të arritshmërisë për nxënësit e klasave të 9-ta shkollore.

 “Marrë parasysh në gjendjen nëpër të cilën është duke kaluar vendi ynë si pasojë e pandemisë COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve, personelit të institucioneve arsimore dhe gjithë qytetarëve u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetimin.

Vendimi i MASHT-it është publikuar në Facebook nga drejtoresha për arsim në Prishtinë, Shpresa Shala. / KultPlus.com

Testi i Arritshmërisë mbahet më 23 qershor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Testi i Arritshmërisë – për klasët e nënta – është caktuar më 23 qershor 2020.

MAShTI ka njoftuar se ka përgatitur dhe ka dërguar te DKA-të udhëzuesit dhe informacionet e detajizuara për nxënësit, institucionet arsimore dhe për të gjithë akterët e përfshirë në organizimin dhe administrimin e Testit të Arritshmërisë 2020.

“Në këto dokumente janë të përfshira informacione dhe udhëzime të rëndësishme sikurse data dhe afatet me rëndësi, organizimi kohor për ditën e testimit, rolet dhe përgjegjësitë për realizimin e Testit të Arritshmërisë, detyrat e palëve kryesore të përfshira në administrimin e testit, detyrat e DKA-ve dhe shkollave, MAShTI-t, detyrat e komisionit të qendrës së testimit, detyrat e administruesit të testit, informata, udhëzime dhe rregulla për nxënësit, etj”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.