MAShT-i dhe DokuFest nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha ekzekutive e DokuFest, Linda Llulla-Gashi nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes të MAShTI-t dhe DokuFest, në fushën e edukimit mediatik në shkollat e ciklit të mesëm të ulët.  

Në njoftimin e MASHTI-t thuhet se përmes përdorimit të platformës digjitale dedikuar për mësimdhënësit, palët synojnë të nxisin dhe mbështesin mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativ-mësimor.

Ministrja e Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit po i kushton vëmendje edukimit mediatik në shkolla dhe e njëjta tashmë është edhe pjesë e listës propozuese për lëndët me zgjedhje, që është deleguar tek DKA-të, qysh në maj të këtij viti.

Përfaqësuesit e DokuFest bënë të ditur se janë duke e ridizajnuar platformën virtuale Biblioteka Digjitale e Mësimdhënësit, e cila parashihet që të ofrojë filma të shkurtër dokumentar, kryesisht me tema shoqërore dhe të drejtave të njeriut.

Ky memorandum parasheh zhvillimin e programeve alternative dhe moderne të mësimdhënies dhe të nxënit përmes gërshetimit të artit dhe të mediave, duke i aftësuar nxënësit të krijojnë dhe prodhojnë materiale mediatike, prototipe lajmesh dhe të revistave shkollore digjitale.

Mes tjerash ky memorandum do të kontribuojë në zhvillimin e shkathtësive digjitale të nxënësve në shkolla të mesme të ulëta, përmes programeve të edukimit mediatik, që zhvillojnë mendimin kritik dhe atë analitik, nxisin kreativitetin dhe fuqizojnë aftësitë e komunikimit.

Po ashtu marrëveshje parsheh pjesëmarrjen aktive të mësimdhënësve në krijimin e materialeve didaktike për përdorimin e filmit dokumentar dhe mjeteve tjera audiovizive në procesin mësimor, funksionalizimin e forumeve të pavarura të mësimdhënësve dhe nxënësve, në veçanti për rëndësinë e edukimit mediatik, përfshirjen sociale dhe edukative të të gjitha komuniteteve përmes artit vizual, filmit dokumentar dhe animacioneve.

Po ashtu palët u dakorduan që do të mbeten gjithë kohës në komunikim, për të adresuar nevojat ad-hoc për zbatim të memorandumit dhe në pjesën e monitorimit të zbatimit të aktiviteteve./KultPlus.com

MAShTI dhe DokuFest nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi

Një delegacion austriak organizon  takime me  institucionet e MKRS-së dhe MASHT-it

Sot, delegacioni austriak, i përbërë nga përfaqësues të Ambasadës së Austrisë dhe Ministrisë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, së bashku me përfaqësues të MKRS-së dhe MASHTI-të, ka nisur vizitat e sotme në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Përveç në UP, këto vizita janë zhvilluar edhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

“Bashkë me Prorektoren për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, Arta Basha Jakupi, diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre shkencore.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, drejtori Fazli Gajraku i mirëpriti dhe prezantoi një ekspozitë librash me tituj të autorëve të letërsisë austriake dhe gjermane.

Së bashku me drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojanin, vizituan dy ekspozitat e hapura në GKK, “Palimpsestet e Historisë” dhe “Atelieja e Piktorit të Panjohur”.

Këto vizita ofruan një pasqyrë të detajuar të programeve dhe partneritetit të ngushtë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka me institucionet kulturore dhe arsimore në vend”, thuhet në njoftimin e MKRS./KultPlus.com

Rreth 50 mijë prindër ende në pritje të mjeteve për subvencionimin e librave

Ministria e Arsimit ka njoftuar dje se është kryer pagesa për grupin e dytë të prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e librave për fëmijët e tyre.

Kështu në total numri pagesa të kryera ka shkuar në 130 mijë, nga 178.580 aplikime.

“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, njofton MASHT-i.

Javën tjetër pritet që të kryhen pagesat edhe për 48.580 aplikues. / KultPlus.com

Buxheti për vitin 2023, 150 mijë euro ndahen për instalimin e sistemit anti-plagjiat për nevojat e arsimit të lartë

Sot u votua në lexim të parë buxheti për vitin 2023, buxheti më i madh në këto 20 vite, bën të ditur ministrja Arbërie Nagavci, përcjell KultPlus.

Buxheti i MASHTI-it për vitin 2023, është për 12% më i lartë se sivjet, e edhe këtë vit buxheti për arsim ka qenë 12% më i lartë se vitin e kaluar. Qeveria Kurti, për më pak se dy vite qeverisje ka rritur për më shumë se 25% buxhetin për arsimin.

Për vitin 2023 buxheti për arsim parasheh përveç tjerash, gjithpërfshirje, investim në edukimin e hershëm e arsim profesional, digjitalizim të shkollave, integritet akademik e përmirësim të shërbimeve dhe infrastrukturës.

✅ 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja.

✅ 243 pozita të reja për staf, për çerdhet që pritet të funksionalizohen.

✅6.5 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit.

✅2.8 milionë euro nga Granti Specifik për punësimin e:

➡️300 asistentë të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta,

➡️59 këshilltarë të karrierës,

➡️30 specialistë të IT për nevojat e shkollave,

✅150 mijë euro për instalimin e sistemit anti-plagjiat për nevojat e arsimit të lartë.

Vazhdojmë edhe me politikat e filluara sivjet për një arsim cilësor e gjithpërfshirës:

➡️mbështetje për mësimdhënësit me probleme shëndetsore, për studentët e studiuesit, për grupet e margjinalizuara, ofrim të mundësive të barabarta,

➡️ sigurimin për praktikën profesionale,

➡️ miratimi i pozitave për psikologë e pedagogë shkollorë.

Angazhim maksimal për politikat, legjislacionin e strategjinë që qon në përmirësim të cilësisë e avansim të sistemit arsimor. Buxhet më i madh për të implementuar këto politika. / KultPlus.com

Inspektorët në terren, MASHTI thotë se po zbatohet vendimi për zëvendësim të orëve

Kjo e shtunë është ditë mësimi për nxënësit e klasave 1-8, ashtu siç do të jenë edhe disa të shtuna të tjera në mënyrë që të bëhet zëvendësimi i orëve mësimore të humbura gjatë grevës pesëjavëshe në arsim.

Këtë vendim e mori Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila insiston në zbatimin e tij ani se u kundërshtua nga SBAShK-u dhe Këshilli i Prindërve.

Madje, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci bëri të ditur se do të nxjerrë në terren inspektorët për të parë se a po zbatohet vendimi për kompensim të orëve të humbura.

E se ky inspektim ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit për Klankosova.tv e ka konfirmuar Valdrin Dervishaj nga kabineti i ministres Arbërie Nagavci.

Derisa jo të gjitha shkollat e vendit u deklaruan se sot do të mbahet procesi mësimor, Dervishaj thotë se në të gjitha shkollat që janë inspektuar është duke u zhvilluar mësimi.

“Inspektorët janë në terren që rreth orës 07:00 dhe nga informacionet bazë që kemi, shumica e mësimdhënësve kanë dalë në vendin e punës dhe po i zhvillojnë orët mësimore”, tha ai.

Ai tha se i kënaqshëm ishte edhe numri i nxënësve që sot janë paraqitur në shkolla, derisa shton se ata që kanë munguar do të shkruhen në ditar.

“Në disa shkolla mungojnë disa nxënës, mungesa e të cilëve mund të jetë për arsye të ndryshme. Mirëpo, secila mungesë duhet të evidentohet në ditar. Ata mund të kenë munguar edhe si pasojë e mosinformimit me kohë”.

Ai gjithashtu iu bëri thirrje prindërve që të informohen nga organet kompetente në mënyrë që informacionet që i marrin në lidhje me procesin mësimor të jenë të sakta.

E në lidhje me këtë inspektim që po bëhet sot mbrëmë reagoi SBAShK-u që në vazhdimësi e ka kundërshtuar kompensimin e orëve të humbura.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se ministrja Nagavci po i kërcënon me inspektorë ashtu siç kishte bërë pushtuesi serb në kohën e grevës së atëhershme.

“Zonja Nagavci, unë si njëri nga ata që kishim bërë angazhime sublime ta mbrojmë arsimin shqip nga furtunat e pushuesit dhe ishim po ata që u bëmë pjese grevës së 3 shtatorit të asaj kohe të okupimit, përjetuam pastaj vizita të inspektorëve të policisë serbe e të UDB-së me përndjekje e grushta e shkelma. Me inspektorë po na kërcënon edhe tani ti. SBASHK-u as në ato vite nuk u nënshtrua e as në këto ditë të Kanunit të Albin Kurtit nuk do të nënshtrohet. Mendo kush do të jesh ti nesër e në vitet e lavdishme të betejave për mbrojtjen e arsimit shqip ti nuk ishte askund e as edhe të pafytyrët që po më shajnë mua e mësimdhënësit e atyre viteve . Ndalu pak se kolltuku nuk zgjat me vite po jeta zgjat më shumë dhe vështirë të jetosh e turpëruar”.

Jasharaj pretendon se qeveria po do ta zhdukë sindikatën që ai drejton.

“Kurti i trimëruar nga vota e fituar dhe të pafytyrët e me emra të rrejshëm në facebook dhe disa analistë që u mungon edhe elementarja njerëzore e mbrojnë dhe e trimërojnë Kanunin e Albin Kurtit dhe qeverisë që ai përfaqëson. Zonja Nagavci nuk thotë gjë para opinionit se ka shkelur ligjet bashkë me Hekuran Muratin dhe mundohej të ndëshkonte vetëm punëtorët e arsimit për grevën se grevistëve të tjerë ua kishte ndarë pagat. Lufta me SBASHK-un dhe arsimin ka vazhduar e po vazhdon dhe dihet pse, për ta zhdukur këtë sindikatë që është e fortë dhe nuk dorëzohet”.

Kompensimi i orëve të humbura gjatë të shtunave është kundërshtuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës të cilët, përmes një postimi në Facebook, kanë treguar arsyen e qëndrimit të tyre.

“Jemi kundër mësimit të shtunave, sepse mësimi të shtunave është edhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.  LIGJI NR. 06/L-084, Neni 40, Koha e lirë dhe loja 1. Fëmija ka të drejtë të pushojë, të argëtohet, të praktikojë lojëra dhe veprimtari çlodhëse dhe të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore, artistike e sportive, në përshtatje me moshën zhvillimin fizik dhe mendor”, thuhet në postimin e tyre.

Ky këshill kishte thënë paraprakisht se as prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato./ KultPlus.com

MASHT-i dhe DKA kërkojnë të respektohet kalendari shkollor i ndryshuar

MAShTI dhe DKA-të diskutuan për mbarëvajtjen e procesit mësimor pas fillimit të vitit shkollor.

Në mbledhjen e mbajtur sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, zyrtarë të lartë të MAShTI-t kanë kërkuar mobilizim të të gjithë akterëve, në mënyrë që të zbuten pasojat në procesin mësimor për shkak të fillimit të vitit shkollor me vonesë për shkak të grevës.

“Në këtë drejtim, është kërkuar edhe respektimi i Kalendarit shkollor për vitin 2022-2023, i plotësuar dhe ndryshuar nga MAShTI. Në takim është diskutuar edhe çështja e furnizimit me rrymë dhe ajo e ngrohjes në shkolla gjatë secilit dimëror”, thuhet në postimin e MASHTI-t.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka theksuar se është i nevojshëm një bashkëpunim i shtuar mes nivelit qendror dhe atij lokal, për kalimin e vështirësive sa i përket situatës me ngrohjen në shkolla në kohën kur po kërkohet kursimi i energjisë, derisa janë rritur edhe çmimet e lëndëve djegëse.

Me këtë rast, zv.ministri, inkurajoi DKA-të dhe drejtorët e shkollave që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me komentet e tyre në Udhëzimin Administrativ për organizimin dhe menaxhimin e shkollave, i cili është në diskutim publik.

Në këtë takim, u diskutua edhe për adresimin e dhunës në shkolla, me ç’rast u kërkua një mobilizim i përgjithshëm për edukim cilësor dhe identifikim në kohë të problemeve, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj i dhunës dhe në këtë mënyrë të kemi mirëqenie të fëmijëve dhe mbarëvajtje të procesit mësimor. /KultPlus.com

MASHTI nxjerr vendim të ri, njofton për kompensimim e orëve të humbura gjatë grevës (DOKUMENT)

Sot MASHT-i ka nxjerrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, shkruan KultPlus.

Me këtë vendim do të ndryshohet kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Tetë ( 8 ) ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim:

-Në muajin Tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;
-Në muajin Nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;
-Në muajin Dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;
-Në muajin Janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.

MASHTI njofton se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.

Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023. Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim:
-Për klasën e 12-të (maturantë)përfundon më datë 05.06.2023;
-Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023;
-Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023

Institucionet e arsimit parauniversitar të cilat kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 janë të obliguara që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit të përcaktuara më UA-05/2022.

Institucionet e arsimit parauniversitar të cilat kanë filluar mësimin më 1 shtator, vazhdojnë punën sipas UA-05/2022.

Mësimdhënësit të cilët kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 obligohen që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës në mënyrë që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më datën 06.02.2023.

Institucionet e arsimit parauniversitar duhet të njoftojnë DKA-të për planifikimin e ditëve të mësimit.

Zbatimin e këtij vendimi do ta mbikqyrë Inspektorati i arsimit.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e përkushtuar për zbatimin e Ligjit për Grevën, i cili përveç tjerash parasheh edhe pezullimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve nga kontrata e punës, përfshi edhe të drejtën e pagës për ditët e grevës. Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, thuhet nga MASHT.

Në vijim janë të bashkangjitura edhe vendimet për këto ndryshime. /KultPlus.com

Mbahet afati i dytë i provimit të maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, “provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës”.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri me një abetare të përbashkët

Nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri nga shtatori do të mësojnë me një Abetare të përbashkët, një nismë që kishte filluar kohë më parë, më në fund po bëhet realitet, shkruan KultPlus.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me këtë çështje.

Ajo tha se nga 1 shtatori, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi, do të “inaugurojnë” shkollën e përbashkët Fillore.

“Sa i përket Abetares së përbashkët, edhe për këtë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet në shkolla, në mënyre që mësuesit e klasës së parë të përgatiten dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës. Uroj që mos të kemi probleme serioze dhe më 1 shtator, vogëlushët e klasës së parë, të kenë Abetaren në duart e tyre”, tha ajo.

“Kemi planifikuar dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën që të jetë më 1 shtator këtu, në Kosovë që të përurojmë bashkë këtë abetare”, tha Nagavci, duke shtuar “njëjtë të jemi dhe ne në fillimin e vitit të ri shkollor, në Shqipëri duke u siguruar që edhe atje vogëlushët do ta kenë Abetaren e re dhe do të punojnë me të njëjtën tekst që nga klasa e parë”. /KultPlus.com

Admovere: MASHTI miraton tekst shkollor me autorë plagjiatorë

Admovere ka reaguar në lidhje me miratimin e një teksti shkollor me autorë plagjiatorë nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë:

Më 26 maj 2022, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) publikoi vendimin me numër të referencës 01/B 1161, «Lista përfundimtare e teksteve shkollore për klasat 4 dhe 9», në të cilin «prezantohen vlerësimet e dorëshkrimeve sipas recensentëve për secilën klasë dhe lëndë». Sipas këtij vendimi, për lëndën Edukatë Qytetare për klasën e IX komisioni recensues i ka vlerësuar katër (4) tekste, si vijon: tekstin e Shtëpisë Botuese «Dukagjini» me 2.17 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Libri Shkollor» me 2.14 pikë, tekstin e Shtëpisë Botuese «Albas» me 3.57 pikë dhe tekstin e Shtëpisë Botuese «Irisoft» me 3.24 pikë. Në tekstin shkollor «Edukatë Qytetare 9» të Shtëpisë Botuese «Irisoft», autorë të të cilit janë Alba Kreka, Selim Bezeraj dhe Bujar Dugolli, shënohet se teksti është «miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit»

(https://drive.google.com/file/d/1ëy58bsEQh_Ep0Ih8ILpsZGGZ8-2dq5Sl/vieë)

Dy bashkautorët e këtij teksti, Bezeraj dhe Dugolli tanimë janë të njohur për publikun si plagjiatorë të dëshmuar.

Në vitin 2018 ADMOVERE publikoi raportin me titull «Stafi akademik i UP-së: studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë», në të cilin prezentoi 16 plagjiaturat e stafit akademik të UP-së, të prezentuara ndër vite nëpër media. Rasti i Selim Bezerajt, prezentohet në këtë raport si vijon:

«Në korrik 2016, Gazeta «Jeta në Kosovë» raportoi se Shefi i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Filozofisë, Selim Bezeraj, disertacionin e Doktoraturës «Shqiptarët dhe Austro-Hungaria gjatë viteve 1912-1914», të mbrojtur në Universitetin e Tiranës më 2014, si dhe punimin «Gjendja sociale në Shqipëri gjatë sundimit të princit Ëilhelm Ëied sipas udhëtarit gjerman», të dorëzuar për botim më 2015 në revistën akademike gjermane «Zeitschrift für Balkanologie», i ka kopjuar nga tema e magjistraturës e Adam Christian-it në Universitetin e Vjenës. Menjëherë pas këtij raportimi, ish-rektori Ramadan Zejnullahu me një letër zyrtare u kërkoi profesor Bezerajt dhe dekanit të Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugollit, «sqarim të plotë me shkrim». Revista akademike gjermane, pasi e zbuloi hilen, nuk ia publikoi Bezerajt punimin e dorëzuar, të cilin synonte ta shfrytëzonte me rastin e hapjes së konkursit për avancime akademike në UP. Rektorati i Universitetit të Tiranës thotë se «ka filluar hapat e parë procedurialë» për tezën e doktoraturës së Bezerajt. Çështja shkon edhe te Këshilli i Etikës në UP, por Kryesuesja, Myzafere Limani, thotë se nuk ka mundësi të ndërmarrë veprime pa aprovimin e rregulloreve relevante përkatëse nga Senati dhe Këshilli Drejtues» (https://admovere.org/ëp-content/uploads/2022/06/2.-Stafi-akademik-i-UP-se.pdf).

Ndërkaq, sa i takon rastit të Bujar Dugollit, më 1 tetor 2021, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dorëzoi në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës prova përfundimtare mbi plagjiaturën e dy profesorëve: Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati. Pas 6 muajsh, më 10 mars 2022, Këshilli i Etikës, në përgjigjen zyrtare për ORCA-n thotë se ka vendosur që këtë çështje ta administroj përmes ekspertizës profesionale. Pas kësaj përgjigjeje, ORCA ia dërgon të gjitha provat dhe dëshmitë e plagjiaturës revistës botuese të punimit. Në përgjigjen për ORCA-n revista konstaton dhe verifikon plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati dhe menjëherë e largon punimin nga revista, duke shtuar se «politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë». Me të marrë këtë përgjigje nga revista, ORCA i është drejtuar edhe njëherë Këshilli të Etikës të Universitetit të Prishtinës, duke paraqitur prova shtesë për plagjiaturën, me ç’rast e ka plotësuar denoncimin fillestar. Me 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës ka konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore» (http://orca-ks.org/sq/shpallen-plagjiatore-bujar-dugolli-dhe-ardian-kastrati/)

Duke i pasur parasysh faktet e sipërpërmendura, ADMOVERE shpreh indinjatën më të skajshme lidhur me një vendim të tillë të MASHTI-t. Tekstet shkollore nuk duhen parë si mundësi e rehabilitimit të plagjiatorëve, të cilët nuk përfaqësojnë as kredenciale morale e as akademike. Një vendim i tillë, që nxënësve të klasës së IX ua servon librin e Edukatës Qytetare, bashkautorë të të cilit janë dy plagjiatorë, Bezeraj dhe Dugolli, është qartë skandaloz dhe i papranueshëm. ADMOVERE është thellësisht e tronditur dhe e zhgënjyer me këtë vendim të MASHTI-t dhe fton mekanizmat kompetentë ta rishikojnë sa më shpejtë që është e mundshme. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të Edukatës Qytetare, prindërve e nxënësve të klasës së IX, që ta refuzojnë prerazi këtë libër! Ne do të përcjellim nga afër hapat e mëtejmë të MASHTI-it karshi këtij libri, sepse nuk mund të lejojmë që të legjitimohet plagjiatura! / KultPlus.com

MAShTI deklarohet për mbarëvajtjen e Testit të Arritshmërisë, evidenton probleme por edhe avancim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, të mbajtur më 14 qershor 2022.

Megjithatë, MAShTI thekson se edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa qendra të testimit, si pasojë e  mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga ministria.

“Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së  dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e qendrave të testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, thuhet në njoftim.

MAShTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e  parë  të testit. / Gazeta express / KultPlus.com

Nesër mbahet pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë

Mbi 24 mijë nxënës të klasëve të nënta nesër do ti nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, i cili do të mbahet në 176 Qendra të Testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Pjesa e dytë e Testit do të mbahet më 14 qershor dhe nxënësit do të kenë mundësi që gjatë dy ditëve të përgjigjen në 200 pyetje, 4 lëndë në ditën e parë dhe 5 lëndë në ditën e dytë të testimit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, ku ka biseduar rreth organizmit të Testit të Arritshmërisë, me nxënës, mësimdhënës dhe drejtues të kësaj shkolle.

Duke rikujtuar se nxënësit e kësaj gjenerate janë përballuar me vështirësitë e krijuara nga pandemia Covid-19, ministrja Nagavci tha se ata do të kenë në dispozicion 2 orë për tu përgjigjur në pyetjet e parashtruara, për të cilat edhe shprehu bindjen se do të jenë në përputhje me atë çfarë kanë mësuar gjatë shkollimit.

Sa i përket uljes së përqindjes së pikëve për regjistrim në shkolla të mesme të larta, nga 60 në 40 përqind, ministrja Nagavci theksoi se, qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos penalizohen për punën që kanë bërë për nëntë vite, vetëm sepse gjatë ditës së testimit kanë mund të mos japin maksimumin.

Duke qenë se i tërë procesi organizohet në bashkëpunim me DKA-të, ministrja Nagavci ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë në proces, si dhe respektim të plotë të rregullave të caktuara.

Ministrja Nagavci iu uroi nxënësve suksese në Test dhe në shkollimin e tyre të mëtutjeshëm, ndërsa kërkoi nga ata që të jenë të qetë dhe të koncentruar gjatë testimit. /KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton nismën e MAShTI për bashkëfinancim të bursave për Master me Ambasadën e Francës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për lidhjen e marrëveshjes me Ambasadën e Francës në Kosovë për bashkëfinancim të bursave të arsimit të lartë në nivelin Master.

Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke hapur kështu rrugë për financimin e disa bursave për studentët tanë që të ngrisin kapacitetet profesionale në fushat me interes për zhvillimin e vendit. / KultPlus.com

Ministria e Arsimit njofton nxënësit: Nesër fillon periudha e dytë e vitit shkollor 2021/2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër, 10 janar 2022, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Task Forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, të dezinfektojnë hapësirat e shkollave .

“Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja.Video-mësimet do të vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe ato mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/. Orari i transmetimeve: https://masht.rks-gov.net/…/oraret-e-transmetimeve-per…Po ashtu, MAShTI, në bashkëpunim me UNICEF, tashmë ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore https://shkollat.org/, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9″, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Ministria e Arsimit fton të gjithë akterët e përfshirë në shkollë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKShPK, në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik dhe të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Mësimi në shkolla vazhdon përmes skenarit A dhe B

Ministrja Nagavci përmes konferencës prezanton të arriturat e këtij viti

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur sot konferencën e fundit me gazetarë për këtë vit, në të cilën ka prezantuar punën, sfidat dhe të arriturat që e kanë përcjellë Ministrinë që nga koha kur mori detyrën më 23 mars 2021 e deri më sot.

Ministrja Nagavci fillimisht ka falenderuar gazetarët të cilët e kanë përcjellë sektorin e arsimit, duke u bërë kështu partnerë shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset e zhvilluara në arsim.

Ajo theksoi se, janë bërë përpjekje maksimale për të qenë transparent duke u përgjigjur në çështjet për të cilat gazetarët janë interesuar, por edhe duke mbajtur konferenca të rregullta çdo të dytën të premte, ku secili prej tyre ka pasur mundësinë të informohet për të gjitha proceset në sektorin e arsimit.

Duke bërë prezantimin e aktiviteteve të realizuara këtë vit, ministrja Nagavci ka folur për vështirësitë që ka sjellë pandemia COVID-19 në realizimin e procesit mësimor, krijimin e hapësirave të reja shkollore dhe renovimin e atyre ekzistuese, edukimin e fëmijëve nga gupe të margjinalizuara, fuqizimin e Arsimit dhe Aftësimi Profesional, ndarjen e bursave për të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastruktrurës ligjore dhe arsimin e lartë publik falas, duke përmbushur kështu një nga zotimet e Qeverisë.

Nagavci theksoi se, Ministria mbetet e përkushtuar në realizimin e planeve, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në arsim në të gjitha aspektet, ndërsa i ftoi gazetarët që edhe në vitin e ardhshëm të përcjellin punën në këtë dikaster ashtu siç e kanë përcjellë këtë vit.Ministrja po ashtu falënderoi partnerët zhvillimor për mbështetjen e ofruar në realizmin e politikave në arsim që synojnë gjithëpërfshirje dhe cilësi.

Rreth të arriturave dhe projekteve që ka realizuar Nagavci, është shkruar më shumë në postimin e saj të plotë në “Facebook”. /KultPlus.com

Nagavci: Punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është prioritet i Qeverisë Kurti

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është prioritet për Qeverinë Kurti dhe atë si ministre, andaj edhe po realizohet.

Nagavci ka shkruar në Facebook se qenka ngritur si temë punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe sa për t’ua kujtuar, në vitin 2017 si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pata propozuar një amandament për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Amandamenti nuk u miratua pasi nuk kishte marrë përkrahjen e deputetëve të disa partive përfshirë atyre të Partisë Demokratike të Kosovës që tek tani po e ngrisin këtë çështje. Më vjen mirë që tashmë paskan reflektuar dhe kanë kuptuar rëndësinë dhe nevojën për punësimin e asistentëve. Në programin qeverisës ne kemi paraparë që çdo vit të qeverisjes sonë të punësojmë nga 100 asistentë për këta fëmijë, andaj dhe i kemi planifikuar edhe në buxhet. Aktulisht janë të punësuar 86 asistentë në shkolla dhe 5 në Qendrat Burimore. Shumë shpejtë do të punësojmë 3 asistent ë komunitetit që nuk dëgjojnë. Punësimi i asistentëve bëhet krahas kualifikimit të tyre, aktualisht vetëm 70 asistentë janë të diplomuar dhe të papunë, andaj dhe paralelisht me buxhetimin, po pregatisim dhe kuadrot e nevojshme dhe sivjet kemi filluar me përgatitjet e grupeve të reja të kandidatëve. Si Ministri do ta përcjellim me kujdes procesin e punësimit të asistentëve nga komunat dhe do të sigurohemi që deri në fund të mandatit tonë t’i kemi së paku 500 asistentë në shkolla. Përtej kësaj, Qeveria ka marrë vendim që vitin 2022 ta shpallë “Vit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” që tregon përkushtimin tonë në këtë drejtim. Në kuadër të aktiviteteve përveç tjerash, është paraparë ndërtimi i pjerrinave në 10 shkolla të mesme të ulëta dhe 5 shkolla të mesme të larta në 15 komuna. Po ashtu, është paraparë trajnimi i drejtorëve dhe mësimdhënësve të arsimit të mesëm të lartë për qasjen dhe arsimimin e nxënësve me nevoja të veçanta dhe shumë e shumë aktivitete tjera”, ka shkruar ajo duke siguruar se nuk do të ndalen vetëm me asistentë, por do të angazhohen edhe në punësimin e stafit tjetër mbështetës në shkolla.

Përndryshe, dje në seancën plenare ku votohej buxheti i Kosovës, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka propozuar që të rritet buxheti për arsimimin e fëmijëve në nevojë, në mënyrë që të rritet numri i asistentëve për këta fëmijë. /KultPlus.com

Publikohet lista e përfitueseve për mbështetje financiare për vajza/gra në fushat STEM

Është publikuar lista e rishqyrtuar nga Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e përfitueseve për thirrjen për mbështetje financiare për studentet vajza/gra në fushat STEM, përcjell KultPlus.

Njoftimi i plotë i MAShTI-t:

Publikohet lista (pjesërisht) e rishqyrtuar nga Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e përfitueseve për thirrjen për mbështetje financiare për studentet vajza/gra në fushat STEM, bazuar nga vendimi nr. 3203/2-1K, dt. 08.12.2021 i Komisionit për ankesa të nëpunësve publik dhe ankesave tjera në MAShTI.

Sqarim: Në proces të rishqyrtimit janë edhe 156 ankesa, për të cilat do të njoftoheni me kohë, pas përfundimit të procesit.

Listën e përfitueseve mund ta gjeni KËTU.

MASHTI: Pushimi dimëror në shkollat e Kosovës fillon me 31 dhjetor

Pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës do të nis në fund të këtij muaji.

Sipas zëdhënëses së MASHTI, Iliriana Pylla procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi do të nis nga data 31 dhjetor.

“Sipas vendimit të fundit të MASHTI, procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi dimëror do të zgjasë deri më 10 janar në rast se nuk ndryshon ky vendim gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë Pylla.

Kujtojmë se viti shkollor kishte nisur me një muaj vonesë shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.

MASHTI në konsultim me gjithë akterët e tjerë të arsimit kishin marrë vendim për kompensimin e ditëve të humbura për vitin shkollor 2021-2022. Kompensimi i ditëve të humbura është vendosur të mbahet të shtunave, dhe ka nisur që nga data 9 tetor 2021, kur edhe do të përfundoj më 24 qershor 2022.

Më poshtë mund të njoftoheni për oraret e orëve mësimore të cilat do të zëvendësohen:

– Në muajin dhjetor, 2021 me datat: 4.12.2021, 18.12.2021, 28.12.2021, 29.12.2021 dhe 30.12.2021 (ditë të pushimit dimëror);

– Në muajin janar, 2022 zëvendësimi të bëhet me datat: 15.01.2022 dhe 29.01.2022;

– Në muajin shkurt, 2022 me datat: 12.02.2022 dhe 26.02.2022.

– Në fund të periudhës së tretë, për nxënësit të cilët e përfundojnë shkollën e mesme të lartë klasën e 12-të (maturantët), zëvendësimi të bëhet me datat: 16.05.2022, 17.05.2022, 18.05.2022, 19.05.2022, 20.05.2022.

Për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11-të, zëvendësimi bëhet me datat: 06.06.2022, 07.06.2022, 08.06.2022, 09.06.2022, 10.06.2022.Për nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parafillor, zëvendësimi do të bëhet me datat: 20.06.2022, 21.06.2022, 22.06.2022, 23.06.2022 dhe 24.06.2022. / KultPlus.com

Mbyllet gara, pikturat e nxënësve me temë kundër trafikimit me njerëz në ekspozitë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka organizuar sot ceremoninë përmbyllëse të garës nacionale për pikturën më të mirë në nivel të arsimit të mesëm të ulët me temë kundër trafikimit me njerëz.

Me këtë rast, në objektin e MAShT është hapur edhe ekspozita me punime të nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë garë dhe do të jetë e hapur për një muaj.

Nagavci tha se përmes kësaj ekspozite përveç që po promovohet talenti i fëmijëve po jepet edhe një mesazh shumë i rëndësishëm kundër trafikimit me njerëz.

Naim Muja, nga Ministria e Punëve të Brendshme, tha se fitues janë të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në këtë garë, teksa tha se si institucione po i bashkërendojnë aktivitetet në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Ndërsa, Fehmi Gjata, nga Policia e Kosovës, tha se Policia prioritet të angazhimit e ka organizimin e aktiviteteve parandaluese. /KultPlus.com

MASHTI ndalon tubimet zgjedhore në hapësirat e brendshme të shkollave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim të ndalojë mbajtjen e tubimeve për zgjedhje në hapësirat e brendshme të shkollave.

Partive politike me leje nga Kuvendet Komunale të Zgjedhjeve dhe Policisë së Kosovës do t’u lejohet mbajtja e tubimeve në hapësirat e jashtme të objekteve shkollore.

Ndryshe, Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës janë shprehur të shqetësuar pasi parti politike kanë kërkuar të mbajnë tubime elektorale në brendësi të shkollave.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se drejtorët e shkollave kanë pasur presion nga shtabet zgjedhore të partive politike, që të lejohen të mbajnë tubim brenda objekteve shkollore, por një gjë e tillë nuk është lejuar dhe nuk do të lejohet./KultPlus.com

MASHTI njofton se kur do të kompensohen ditët e humbura mësimore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në takimin e realizuar të Task-forcës në nivel MASHTI, ku përfaqësohet nga të gjitha institucionet relevante si: IKSHPK, SBASHK, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit u rekomandua për kompensimin e ditëve të humbura mësimore si pasojë e gjendjes me Pandeminë COVID-19.

Kompensimi i 18 ditëve të mësimit të humbura për vitin shkollor 2021-2022, do të bëhet si në vijim:

 “Dhjetë ditë të mësimit të zëvendësohen-mbahen të shtunave, duke filluar me datat e shënuara më poshtë:

Në muajin tetor, 2021 me datat: 9.10.2021 dhe 23.10.2021;

Në muajin nëntor, 2021 me datat: 06.11.2021 dhe 20.11.2021;

Në muajin dhjetor, 2021 me datat: 4.12.2021, 18.12.2021, 28.12.2021, 29.12.2021 dhe 30.12.2021 (ditë të pushimit dimëror);

Në muajin janar, 2022 zëvëndësimi të bëhet me datat: 15.01.2022 dhe 29.01.2022;

Në muajin shkurt, 2022 me datat: 12.02.2022 dhe 26.02.2022.

Në fund të periudhës së tretë, për nxënësit të cilët e përfundojnë shkollën e mesme të lartë klasën e 12-të (maturantët), zëvëndësimi të bëhet me datat: 16.05.2022, 17.05.2022, 18.05.2022, 19.05.2022, 20.05.2022.

Për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11-të, zëvëndësmimi bëhet me datat: 06.06.2022, 07.06.2022, 08.06.2022, 09.06.2022, 10.06.2022.

Për nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parafillor, zëvëndësimi do të bëhet me datat: 20.06.2022, 21.06.2022, 22.06.2022, 23.06.2022 dhe 24.06.2022”, njofton MAShT./KultPlus.com

MAShTI: Mësimi në distancë nuk do të mbahet për shkak të efektit të ulët

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, tha se mësimi në distancë nuk do të mbahet për shkak të efektit të ulët në mësimnxënie.

“Bazuar nga Organizatat Botërore po konstatojnë që kthimi më së miri duhet të jetë në mënyrë fizike, pasi dëmet nga pandemia janë të mëdha, dhe duhet që rikthimi të jetë i sigurt në mënyrë fizike”, tha zëvendësministrja e Arsimit në konferencë për media.

Maloku-Bërdyna, tha se janë përgatitur të gjitha masat e duhura për fillim vitin shkollor, dhe se 80% e stafit arsimor janë vaksinuar.

“Pjesa më e madhe e mësimdhënësve janë të vaksinuar, ku 80% të personelit arsimor janë vaksinuar, shifër kjo e cila po përditësohet dita-ditës. Aktiviteti mësimor para-universitar e ai parashkollor pezullohet nga data 26 shtator, dhe masa tjera që e përfshijnë ministrinë e Arsimit”, shtoi ajo. / KultPlus.com

MASHTI del me njoftim pas përfundimit të testit të maturës

Gjatë ditës së sotme është mbajtur testi i maturës për mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Pas përfundimit të provimit MAShTI ka publikuar një njoftim rreth këtij procesi dhe se rezultatet pritet të shpallen më 5 korrik.

Mbi 23 mijë maturantë të klasave të 12-ta i janë nënshtruar sot Provimit të Maturës Shtetërore të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Ky provim u mbajt në 177 qendra të testimit në gjithë vendin.

Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikqyrës dhe 200 vëzhgues. Të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Mbajtja e provimit ka filluar në orën 10:00 ashtu siç ka qenë e paraparë. Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa të rrepta si ndaj administrueseve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

Anëtarët e Komisioneve në qendrat e testimit, administruesit, mbikëqyrësit dhe vëzhguesit e Provimit të Maturës që kanë shkelur rregullat e administrimit të testit do të ndëshkohen për kundërvajtje në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ndërkaq, po të njejtit të cilët kanë zbuluar sekretet e testit do të ndëshkohen me gjobë në të holla prej 1000 deri në 3000 euro, si dhe me masa disiplinore dhe penale të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Secilit nxënës që i është zënë telefoni është larguar nga procesi i testimit dhe i është anuluar provimi i maturës shtetërore.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 5 korrik./ KultPlus.com

Vendoset data për provimin e Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka caktuar datën 26 qershor për mbajtjen e Maturës Shtetërore.

MASHTI ka njoftuar se si do të organizohet mbajtja e provimit për maturantët.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim.

Tutje, MASHTI ka kërkuar të raportohen parregullsitë gjatë provimit të maturës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit. Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, bën të ditur MASHTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik. / Gazeta Express / KultPlus.com