Tetova, Tirana dhe Prishtina bashkë në manifestimin ‘Ura me tri harqe’

Edicioni i XV-të i manifestimit tradicional artistik “Ura me tri harqe”, do të mbahet më 22-23 maj 2025, i cili këtë vit do të zhvillohet në ambientet e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

“Ura me tri harqe” është një projekt i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë në hapësirën mbarëkombëtare: Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, transmeton klankosova.tv.

Për dy ditë me radhë do të ketë, shfaqje të filmave të metrazhit të shkurtër, ekspozitë, shfaqje teatrale, koncert, dhe bisedë me piktorin dhe profesorin Gazmend Leka.

Në këtë edicion do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes tri Universiteteve.

Më 24-30 dhjetor do të mbahet Panairi i librit Tetova 2021

Më datë 24-30 dhjetor 2021 do të mbahet Panairi i librit “Tetova 2021”, përcjell KultPlus.

Shumë botues të njohur do të mbledhen nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në këtë panair të librit, i cili vitin e kaluar është mbajtur në formën online për shkak të kushteve pandemike.

Rikthimi deri diku në normalitet ka ndikuar që formati i tij të ndryshojë dhe kësisoj ai të kalojë në formën fizike.

Ky event do të mbahet në qendrën tregtare “Remall”, në organizimin e shtëpive botuese “Syth” dhe “Nobel” nga Tetova. /KultPlus.com

Në Tetovë sonte fillon festivali i muzikës së vjetër qytetare shqiptare ‘Teuta’

Festivali i muzikës së vjetër qytetare shqiptare “Teuta” sonte do të mbahet në Qendrën e Kulturës në Tetovë. Ky program muzikor është pjesë e programit vjetor të institucionit.

“Festivali “Teuta” është projekt ekskluziv i cili ka karakter tradicional me pjesëmarrje të vituozëve të muzikës nga pjesa më e madhe ku jetojnë shqiptarët. Këtë vit pjesëmarrës janë përfaqësuesit e Qendrës për Kulturë – Gostivar, Shoqata për trashëgimi kulturore dhe kreativitet “Presheva” kori i femrave “Nexhmije Pagarusha” – Prishtinë, Ansambli “Bajram Shabani” Kumanovë dhe grupi i femrave “Teuta”, informojnë nga Qendra e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” nga Tetova.

Fillimi i festivalit është parashikuar për në orën 19:00.

Elina Duni në JazzFest Tetova

Pas tre vitesh pauzë, rikthehet në Tetovë manifestimi JazzFest Tetova. Këtë herë, ky manifestim është konceptuar në dy net, edhe atë me datë 7 dhe 9 tetor.

Këtë edicion, Tetova do ketë përsëri rastin ta dëgjojë emrin e madh të xhazit shqiptar, Elina Dunin, e cila vjen bashkë me kitaristin kontemporan të xhazit nga Londra Rob Luft.

Organizatorët e këtij manifestimi pohojnë që për shkak të kërkesave të shpeshta të tetovarëve për ta pasur përsëri Elina Dunin në qytetin e tyre, kanë vendosur që t’ua ofrojnë këtë kënaqësi qytetarëve dhe dashamirëve të xhazit. Nata e parë mban titullin, i cili flet gjithçka: “Muzikë shqiptare e ndërthurur në jazz”. Do të jetë një bashkëpunim midis dy muzikantëve të shkëlqyer, të cilët tashmë e kanë vërtetuar veten si të tillë. Ky koncert do të mbahet në Sallën e Madhe të Qendrës për Kulturë, në ora 21.00.

Nata e dytë, më 9 tetor, do të jetë me kuartetin nga Shkupi Kalevala. I përbërë nga muzikantë profesionistë, ky kuartet në repertorin e saj ka këngë të tipit të world music, pra këngë të cilat përfshijnë gati se të katër anët e botës. Koncerti do të mbahet në Sallën Koncertale të Shkollës së muzikës në Tetovë, në ora 20.00, shkruan zhurnal.
Manifestimi JazzFest Tetova mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, kurse sponsor të tjerë janë edhe Qendra për Kulturë dhe Shkolla Shtetërore e Muzikës “Todor Skallovski-Tetoec”./ KultPlus.com