Presidentja Osmani nderohet me titullin ‘Patroni i Kalasë’

Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.

Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Titulli “Mjeshtër i Madh” për piktorin e njohur Helidon Haliti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dekoroi me titullin “Mjeshtër i madh” piktorin Helidon Haliti me motivacionin: “Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur artistike në artin figurativ, i vlerësuar si piktori “Mjeshtër i akuareleve’’ dhe si intelektual i angazhuar në edukimin e shoqërisë me vlera kulturore dhe artistike. Në vlerësim të promovimit të artit shqiptar nëpërmjet ekspozitave brenda dhe jashtë vendit, duke kontribuar në rritjen e imazhit të Shqipërisë”.

“Helidon Haliti është një piktor modern bashkëkohor dhe surrealist në kufijtë e realizmit magjik, siç e përcaktojnë edhe kritikët e artit, por frymëzimi tij nga temat shqiptare e bën atë më të veçantë, gjithashtu e bën vlerësimin që i jepet sot më kuptimplotë”, u shpreh Begaj në fjalën e tij.

Miq nga bota e artit dhe familjarë të mjeshtrit të madh, Haliti, ishin sot të pranishëm për të ndjekur dekorimin e tij, si dhe për të ndarë së bashku emocionet e një vlerësimi të merituar, kushtuar punës së tij si një trashëgimi e lënë për artistët e rinj.

Artisti Helidon Haliti është një ndër artistët tanë më të njohur dhe kontributi i tij është nderuar me çmime të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar për një kontribut të madh kryesisht në 15 vitet e qëndrimit të tij në Greqi, në organizimin e ekspozitave të ndryshme si dhe prezantimin e artit dhe kulturës shqiptare në shtetin helen.

Me kthimin e tij në Shqipëri, vlen të theksohet që artisti Helidon Haliti ka një kontribut të gjerë prej 17 vitesh.

Haliti është ndër emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor shqiptar, një artist shumë i njohur me artin e tij si në Shqipëri dhe jashtë saj, pjesëmarrës në shumë bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, mbi 5 ekspozita personale, i nderuar me çmime të kalibrit të lartë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Një artist mjaft i vlerësuar nga kritikë e studiues arti. Veprat e tij janë pjesë e muzeumeve dhe galerive, si dhe koleksionistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj./KultPlus.com

Shtatë muaj pas vdekjes, Arben Bajo vlerësohet me titullin ‘Mjeshtër i madh’

Shtatë muaj pasi u shua skulptori Arben Bajo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i madh”, me motivacionin:“Në vlerësim të cilësive të mëdha artistike, talentit të spikatur e të vyer në fushën e skulpturës bashkëkohore shqiptare. Skulptori që trajtoi me dashuri të veçantë figurën e njeriut dhe shënjoi ndjeshëm realitetin artistik vendas, me kontributin e tij qytetar, pedagogjik dhe intelektual”.

 “Ne miqtë e tij që ishim përditë me të, na duket akoma sikur nga momenti në moment do të rikthehet sërisht. Është e pabesueshme ende. Të paktën ky çmim, që i dha Presidenti i Republikës është një vlerësim i krijimtarisë së tij dhe pwr dimensionin e tij human edhe pedagogjik. Patjetër që kjo nuk mjafton për kalibrin e Benit, që shënoi kohën e vet si pak skulptorë”, thotë studiuesi i arteve pamore, Ermir Hoxha.

Veprat e artit që ruhen nga familja në studion e tij, sipas studiuesit duhet që të kenë vlerësimin e duhur dhe nga institucionet, të cilat duhet të kenë vullnet për hapjen e një muzeu privat apo shtetëror

 “Familja është treguar shumë e aftë për të ruajtur krijimtarinë e tij, ashtu siç ka qenë. Prandaj unë mendoj se Arben Bajo e meriton një muze privat apo shtetëror, kjo mund të jetë një nisëm e familjarëve apo miqve, por që duhet të gjejë mbështetjen e institucioneve. Qoftë për një lloj investimi apo edhe për zgjidhjen e kuadrit ligjor”, thotë Ermir Hoxha.

Portrete të personaliteteve shqiptarë, figura njerëzore, eleganca e nudove, hulumtim i botës së brendshme njerëzore përmes mitologjisë, instinktet kafshërore të mbështjella plot mjeshtëri me trupat njerëzor janë vetëm disa nga elementët për të cilët Ermir Hoxha vlerëson artistin bashkëkohor.

“Beni është një nga ata artistë që përkufizon më mirë skulpturën, nga ajo skulpturë e ngjizur në kohën e komunizmit me të gjithë parametrat tejet profesionale që ka pas, në përjetimin e kësaj skulpture në një fazë tranzitore për tre dekada”, përfundon Ermir Hoxha.

Vdekja kobzezë edhe e parakohshme, që erdhi nga Covid 19 në moshën 53-vjeçare i la Bajos dhe projekte pezull, të cilat miqtë artistë do t’i finalizojnë në të ardhmen përmes realizimit të një ekspozite personale./shqiptarja/ KultPlus.com

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për dirigjentin Blerim Narazani

Presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” dirigjentin e njohur elbasanas, Blerim Narazani.

Dirigjenti Narazani u dekorua me motivacionin “Me mirënjohjeje për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare. Në vlerësim të kontributeve artistike në identifikimin, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke përhapur dhe lartësuar traditën muzikore dhe kulturore të qytetit të Elbasanit në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi”.

Duke iu drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta tha se “arti, në kuptimin e gjerë, është një formë komunikimi, ku artisti shpreh ndjenjat, mendimet apo vëzhgimet e tij, duke u dhënë kënaqësi ndjekësve.Këtë gjë ka bërë dirigjenti Narazani për gati gjysëm shekulli, me pasionin e përkushtim: Ka komunikuar përmes muzikës dhe iu ka dhënë kënaqësi të gjithë atyre, që e kanë ndjekur”.

“I lindur në një familje qytetare elbasanase, me tradita të njohura arsimore e kulturore, z. Narazani studioi muzikë, që në fëmijëri, për të mos iu ndarë gjithë jetën artit. Debutimi i tij në skenë filloi qysh në vitet e studimit në Universitetin e Arteve, për të vazhduar më tej si dirigjent i Orkestrës Filarmonike të qytetit dhe si pedagog i Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’. Qytetar i Elbasanit të traditave më të shquara arsimore e kulturore, dirigjent e profesionist, që iu përkushtua tërësisht mbajtjes në këmbë dhe promovimit të formacionit orkestror të qytetit, Narazani gjallëroi jo vetëm mjediset e qytetit të tij, por edhe atë mbarë shqiptar”, – nënvizoi Meta.

Sipas tij, në vitet e gjata të karrierës si artist profesionist, Narazani iu përkushtua identifikimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave të artit dhe kulturës, në përgjithësi dhe atyre të qytetit e të qarkut të Elbasanit, në veçanti.

“Dimensioni i tij artistik shfaqet në hartimin dhe realizimin e disa projekteve të rëndësishme artistike lokale dhe kombëtare, për të nderuar personalitete të muzikës popullore qytetare elbasanase. Ashtu siç ka edhe meritën e veçantë në promovimin e vlerave kulturore, jo vetëm të qytetit, por edhe të vendit tonë, në festivale dhe aktivitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, të Folklorit, Bandave Muzikore dhe të Muzikës së Dhomës”, – tha Meta.

Njëkohësisht, shtoi Meta, dirigjenti Narazani ka qenë gjatë gjithë kohës përkrahës i talenteve të reja, duke i edukuar dhe ndihmuar ata në rrugën e artit muzikor dhe të skenave të mëdha dhe duke i nxitur që të sjellin standarde të reja cilësore në skenë.

“Në të gjithë punën dhe aktivitetin e tij si dirigjent, drejtues dhe pedagog ka shpalosur kulturë, profesionalizëm, realizëm në vlerësime, dinjitet dhe integritet të lartë. Për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm për artin, për veprën dhe vlerat e spikatura si dirigjent, pedagog i përkushtuar e drejtues artistik i projekteve muzikore dhe shumë festivale të vlerësuara kombëtare e ndërkombëtare, si dhe për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj në praninë tuaj Blerim Narazani me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese të mëtejshme”, – tha Meta. /atsh/ KultPlus.com

Kadri Veseli nuk e di titullin e librit të fundit që ka lexuar, por vetëm temën (VIDEO)

Kryetari i PDK-së dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, gjatë fushatës nëpër qytetin e Pejës me kandidaten e PDK-së për Pejën, Sabihe Shala, ka takuar qytetarë e sipërmarrës pejanë.

Një ndalesë, ai e ka bërë edhe në një librari. Por kjo ndalesë i ka kushtuar atij me pranimin e pyetjes prej gazetarëve se çfarë librash lexon.

Megjithëse është zënë pak ngushtë, ai ka dhënë një përgjigje dhe ai nuk ka qenë në gjendje që të tregoj se cili është titulli i librit të fundit që ka lexuar. Në vend të saj ka treguar se për çka flasin librat që i ka lexuar.

“Po lexoj libra veç…. qysh me zhvillu ekonominë”, ka thënë Veseli./ KultPlus.com