Festivali ‘SITFY Polonia’ nderon aktorin Mirsad Ferati dhe dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez


Festivali ‘SITFY Polonia’, i kryesuar nga artisti dhe regjisori Mazen El-Gharabawy, do të nderojë dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez dhe aktorin dhe regjisorin Mirsad Ferati (Kosovë), në edicionin e tij të parë, i planifikuar të zhvillohet midis prillit (20-23). 2024. Të dy të nderuarit janë figura ikonike teatrale dhe karriera e tyre është plot me vepra të larmishme.


Dramaturgu dhe dramaturgu Jean-Pierre Martinez është shumë-talent. Ai është një akademik i diplomuar në ekonomi dhe marketing. Martinez studioi letërsi spanjolle dhe angleze në Universitetin e Sorbonës, së bashku me gjuhësinë, semiologjinë dhe skenarin. Ai gjithashtu luan bateri në shumë grupe rock. Për më tepër, ai punoi si specialist reklamash në kompani të mëdha konsulence dhe shkroi skenare televizive. Martinez dha mësim frëngjisht në një universitet në Teksas dhe dha mësime shkrimi në Paris. Aktualisht, ai është një dramaturg, dramat e të cilit prodhohen në të gjitha kontinentet e botës. Martinez shkroi mbi 100 drama dhe dramat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë anglishten. Ai është një nga dramaturgët më të suksesshëm evropianë. Dramat e tij interpretohen në të gjithë globin dhe mësohen në shkollat përgatitore, të mesme dhe të mesme, si dhe në universitete në Francë dhe jashtë saj.

Mirsad Ferati është aktor dhe regjisor nga Mitrovica e Kosovës. Është themelues dhe drejtor artistik i “Mittrix Fest” prej 14 vitesh. Ferati ka magjistruar për aktrim në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ai luajti role të shumta në shfaqje teatrale, filma, seriale, programe radiotelevizive dhe stand-up komedi. Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka punuar si drejtor i Qendrës kulturore “Rexhep Mitrovica”, pastaj drejtor i teatrit profesional në Mitrovicë. Në vitin 2011, Ferati u bë aktor, shkrimtar dhe producent në Mitrix Culture. Ai është anëtar i AITA/IATA. Për më tepër, ai është themelues dhe producent i Festivalit “Të rinjtë në skenë”, dhe anëtar i rrjetit global të universiteteve teatrore, RITU.

Ferati mori çmime të shumta në festivale teatrore në mbarë botën, duke përfshirë: Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Apollo” (2012), dhe “Ditët e Komedisë Shqiptare”, Preshevë (2017). Ferati luajti mbi 50 role në skenë në “Sekretet e dashurisë”, “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, “Mbretëresha pa kurora”.

Shfaqjet pjesëmarrëse, që do të garojnë për çmimet e edicionit të parë, janë si më poshtë: shfaqja e nderit, “Një vrasje e vogël e pafajshme” (Kosovë), “Twór” (Poloni), “Mos na hakmerre” (Rumani), ” Burrnesha – Virgjëresha e betuar” (Itali), “Maxima Star” (Spanjë), “Diçka po gërryen në kokën time” (Oman), “një grua në telashe” (KSA) dhe “Siemprevivas” (Spanjë)./SiftyPoland/KultPlus.com

Getta Beqa ndeohet me medaljen ‘Mirënjohja e Qytetit’, Veliaj: Krenar për vajzat dhe gratë shqiptare që kanë suksese në botë

Kampionia botërore në sportin e Bodybuilding, Getta Beqa, u nderua me Medaljen e “Mirënjohja e Qytetit” nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në pritjen e organizuar për sportisten e njohur, Veliaj e falenderoi për suksesin e arritur dhe shtoi se është krenar për suksesin e të gjitha vajzave në sport.

“Getta është ambasadorja më e mirë e të gjithë shqiptarëve në bodybuilding. Fakti se sot je jo vetëm kampione e vendit, kampione e Ballkanit, por edhe kampione e Europës dhe e Botës, tregon se vajzat tona mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ne jemi shumë krenarë për ty, edhe për modelin që përçon! Ka shumë sportistë të mirë që nuk janë doemos modele të mira. Ndaj, të jam vërtet mirënjohës, se na ke nderuar kaq shumë dhe në shenjë të kësaj mirënjohje, dua të të dhuroj medaljen e Mirënjohjes, që u jepet personaliteteve që na kanë ngritur kokën lart. Mezi pres datën 29 janar, kur ne do të kemi ceremoninë përmbyllëse të Tiranës si “Qyteti Evropian i Sportit”, titull që tani, këtë vit do ta vazhdojë Vlora dhe Prishtina, dhe me shpresë do frymëzohen shumë qytete të tjera shqiptare, të inkurajojnë sportistët elitarë, por edhe sportin në komunitet”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, Getta Beqa, kampionia me origjinë shqiptare e kampionatit botëror të Bodybuilding, falenderoi bashkinë e Tiranës për gjithë mbështetjen që i jep sportit shqiptar. “Kryetari tha fjalë të cilat më emocionuan vërtet. Ishin fjalë që lartësuan edhe më shumë të gjitha sukseset që kam arritur. Shpresoj të jem model i të gjitha vajzave që munden të krijojnë familje, që munden të arrijnë gjithçka duan, munden t’i bëjnë të gjitha. Vetëm me kokën lart dhe duke punuar shumë!”, u shpreh ajo.

Getta Beqa ka shënuar një sukses të madh në kampionatin Botëror të Bodybuilding, që është mbajtur në Spanjë, duke u vlerësuar me medalje të artë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani nderohet me titullin ‘Patroni i Kalasë’

Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.

Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

TIFF nderon Viktor Gjikën në 80 vjetor, në Arkivin e Filmit shfaqen katër filma të viteve ’70-’80

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizon Fokus: Viktor Gjika – një program i kuruar në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival.

Filmi “Rrugë të bardha” prodhim i viti 1974 me regji nga Viktor Gjika u shfaq mbrëmë për publikun për t’ia lënë pas vendin dhe tre filmave të tjerë. Në vijim për publikun do të jenë filmat “I teti në bronz” i viti 1970, “Në çdo stinë” i vitit 1980 si dhe i fundit do të jetë filmi “Njeriu me top” i vitit 1977. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i cili nuk ka munguar me role në filmat e Viktor Gjikës pohon se regjisori Gjika në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme në kinemanë shqiptare.

“Viktor Gjika ka krijuar historinë e shekullit 20 të shqiptarëve përmes ekranit. Në ekranin e madh skaliti karaktere të fuqishme, të cilët me anë të veprimeve artistike kanë bërë përgjithësime të pashlyeshme të shqiptarëve”, u shpreh regjisori i njohur Mevlan Shanaj.

Sipas tij para kamerës së Viktor Gjikës u shpalon mjeshtëria e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare ndër vite.

“Viktor Gjika foli përmes heronjve dhe njeriut të thjeshtë gjuhën e përpjekjes për rezistencë. Para kamerës së regjisorit Gjika u shpalosën mjeshtria e Sandër Prosit, Rikard Ljarjes, Bujar Lakos, Timo Fllokos, Pandi Raidhit, Robert Ndrenikës, e dhjetëra-dhjetëra të tjerë”, vijon në reagimin e tij regjisori Shanaj, i cili e vlerëson jo pak dhe shfaqjen e filmave në kinemanë e AQSHF. Edhe vetë Arkivi i Filmit fton publikun që deri më datë 9 nëntor të ndjekë filmat e regjisorit të njohur.

“Me kënaqësi ju njoftojmë se rikthehen në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit projeksionet në 35mm, me risinë e subtitrimeve në anglisht, për të gjithë dashamirësit e kinematografisë shqiptare. Ju mirëpresim, ju dhe miqtë e huaj, në kinemanë e AQSHF-së nga data 6 -9 Nëntor 2017, ora 17:30 në Fokus: Viktor Gjika në kuadër të TIFF. Katër filma nga mjeshtri ynë”, thuhet në njoftimin e arkivit.

Vepra filmike e Viktor Gjikës

Viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar Viktor Gjika (1937-2009). Me këtë rast, TIFF paraqet katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekran të madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit). Këto katër tituj; “Rrugë të bardha” “I teti në bronz”. “Në çdo stinë” dhe “Njeriu me top” sipas AQSHF përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”. “Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës”, vijon njoftimi i arkivit. I lindur në qytetin jugor të Korçës, “Parisit të Vogël” të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë. Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit “Debatik” (1961) dhe Detyrë e posaçme” të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin “Komisari i dritës” (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si “Horizonte të hairta” (1968), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Gjeneral gramafoni” (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma. Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit “Nëntori i dytë” (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com