“Top Girls” premierë në ‘Dodonë’, shfaqja që theu barrierat e kohës nëpërmjet gjashtë personazheve

Era Berisha

Aktoret e mrekullueshme si Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, kanë jetësuar mbrëmë shfaqjen “Top Girls”, dramë e Caryl Churchill që e pati premierën në teatrin ‘Royal Court’ në Londër më 28 gusht të vitit 1982. Kjo është hera e parë që ka ardhur në gjuhën shqipe, me ç’rast shfaqja ka shpalosur një hulumtim të thellë të ndjenjës së të qenurit përbrenda një shoqërie patriarkale, shkruan KultPlus.

E krijuar në mënyrë më moderne, me regji të Shkurtë Aliut, konsiderohet se shfaqja ka shpërfaqur mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë. Kontrollimi i jetës së gruas, ka qenë pika thelbësore nëpërmjet së cilës kanë rrjedhur situatat tinëzare nga më të ndryshmet. Gjashtë personazhet e portretizuara kanë sjell në jetë histori që qartazi tregojnë për rolin e gruas në shoqëri, çmimet që paguajnë ato për të arritur sukses në jetën profesionale por edhe atë personale.

“Top Girls” përqendrohet rreth Marlenes, një grua e cila është e investuar shumë në suksesin e grave në biznes. Ajo është një grua që ftohtësinë e konsideron si pikën më të fortë të saj. Në anën tjetër, të gjitha personazhet janë historikë dhe mjaft komplekse, ndërsa dialogët që mbulojnë njëra-tjetrën, shpalosin jetët e tyre në këndvështrime të llojllojshme. Karriera e suksesshme dhe jeta familjare e rregullt, janë dy pikëtakime që përplasen me njëra-tjetrën dhe personazhet “mund” ta arrijnë veç njërën.

Struktura e shfaqjes që nisi nën muzikë drithëruese, fiks në orën 19:49, është jolineare. Në të tria pjesët, historitë e grave kanë ngjashmëri në mënyrë paralele mes modernes dhe të vjetrës. Dehja, luajtja në bilardo, kërcimi, imitimi i burrave e këndimi, janë ato nëpërmjet së cilave shpalosen vuajtjet, brengat, dhimbjet dhe sekretet e tyre. Të gjitha historitë e pesë personazheve, e bëjnë Marlenen që pa ndalur, ta mendojë zgjedhjen e të hequrit dorë nga fëmija e saj, për të qenë e suksesshme në jetë.

Secili personazh është një grua imagjinare që është përballur në një mënyrë apo tjetër, me fatkeqësi të rënda. Disa nga to janë edhe përdhunimi, ndalimi i gruas në bibliotekë, presioni për të lindur djem, ndalimi i martesës me dikë nga fshati, largimi nga skllavëria e haremit, dëshmia e besnikërisë ndaj burrit, mangësitë e të drejtave të gruas mbi fëmijën, ekzistenca e festës së ‘hënës së plotë’ e shumë të tjera që në një mënyrë apo tjetër, ende janë ekzistenciale përbrenda shoqërisë, ndonëse jo aq të hasura si dikur.

Kjo premierë ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve të cilët mbushën Teatrin Dodona në numër maksimal. Shqipërimi nga Arturo Lena, skenografia nga Bekim Korça, kostumet e mahnitshme që i përkisnin epokave të ndryshme nga Arbnor Brahimi, muzika nga Trimor Dhomi, koreografia nga Robert Nuha dhe dizajni i dritave nga Skender Latifi, kanë qenë ato që i kanë dhënë një veçanti krejtësisht të rrallë kësaj premiere.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisorja Shkurtë Aliu.

“Ky tekst më është ofruar nga ArtPolis-i, si kooproduksion me teatrin Dodona. E kam lexuar dy herë meqë ka qenë një tekst shumë voluminoz. Kjo që e keni parë ju, është ndoshta gjashtëdhjetë përqindje e tekstit, sepse është reduktuar shumë, ngaqë me tekstin origjinal do të zgjaste tri apo katër orë me pauza. Jam munduar t’i prek të tri skenat nga pak dhe jam munduar të krijoj një lidhje skenike në aspektin dramaturgjik, për arsye se të gjitha janë ndryshe dhe nuk kanë lidhshmëri më njëra-tjetrën”, thotë Aliu.

Sipas saj, gjashtë personazhet i shpjegojnë sfidat e tyre gjatë jetës, për t’i arritur synimet dhe në fund është ai emëruesi i përbashkët ‘sistemi patriarkal’ që tregon për pengesat e sakrificat që i kanë bërë të gjitha, secila në mënyrën e vetë, pavarësisht rrugës që e kanë zgjedhur.

“Shfaqja për mesazh ka që gratë pavarësisht sakrificave të tyre, asnjëherë nuk duhet të ndalen, e sidomos për të drejtat e tyre dhe normalisht që gjinia tjetër duhet të jetë më tolerante”, përfundon ajo.

Ndërsa, aktorja Donikë Ahmeti për KultPlus shpalosi vështirësitë për të portretizuar rolin e Marlenes.

“Unë e shoh Marlenën sikur një grua që e ka parë mënyrën e vetme drejt suksesit, që duhet me e mohu vetën e vetë personale dhe me vazhdu me vetën e saj në karrierë, gjë që ndoshta nuk është edhe aq feministe. Unë si nënë e dy fëmijëve, jam e rrethuar prej një rrethi feminist dhe e kam një sistem mbështetës të mrekullueshëm, që më mundësohet mua të bëj një karrierë, gjë që personazhi i Marlenes nuk e ka pasur këtë rehati. Të gjitha karakteret janë gra revolucionare që në kohën kur kanë jetuar, kanë bërë diçka që gruaja nuk ka guxuar të bëjë hiç”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, secili personazh ka thyer barrierat e kohës dhe tabutë në atë kohë. Por në anën tjetër, jeta e tyre ka qenë e mbushur me plot sakrifica e mundime.

Repriza e parë e “Top Girls” vjen më 26 tetor në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase 2022”.

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. / KultPlus.com

Shfaqja “Top Girls” sonte premierë në Teatrin Dodona

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

“Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen sonte, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com

“Top Girls” vjen premierë në Prishtinë, shpërfaq mendësinë e sistemit patriarkal në Kosovë

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

Teatri Dodona në bashkëpunim me Artpolis – Art and Community po sjellin premierën e shfaqjes “Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 18 tetor, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com



Publikohet orari i shfaqjeve për muajin maj në Teatrin Dodona

Teatrot vendorë kanë publikuar oraret e shfaqjeve për muajin maj.

Kështu, Teatri Dodona për këtë muaj është kujdesur që të sjellë shfaqje të ndryshme, të veçanta për publikun.

Në mesin e shfaqjeve që do të jepen për këtë muaj janë: “Lira dhe Titi”, “Top Girls”, “Gjyshi dhe rrepa”, “Eli” dhe “Kësulëkuqja”.

Edhe muajin që lamë pas, Teatri Dodona i ofroi shfaqje nga më të ndryshmet audiencës shqiptare. / KultPlus.com