Shfaqja ‘Departamenti i Ëndrrave’ vjen premierë në Teatrin Dodona

Shfaqja ‘Departamenti i Ëndrrave’ e autorit Jeton Neziraj me regji të Besim Ugzmajlit vjen premierë në Teatrin Dodona, si bashkëpunim me Organizatën Miza n’skenë, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët marrin pjesë në shfaqje janë: Afrim Muçaj, Ermal Sadiku, Kushtrim Qerimi dhe Molikë Maxhuni.

Pjesa tjetër e stafit të cilët kontribuan për realizimin e shfaqjes janë: Skenograf: Mentor Berisha, Koreograf: Nik Musolli, Kostumlgrafe: Njomëza Luci, Kompozitor: Liburn Jupolli

Kjo shfaqje është realizuar nga Miza n’Skenë dhe FTF.

Shfaqja jepet premierë më 24 mars në ora 20:00/KultPlus.com

“Venus” premierë në ‘Dodonë’, një komedi e zezë që shpërfaq fantazinë, dëshirën e dashurinë në aspektin psiko-social

Era Berisha

Një komedi e zezë rreth dëshirës, fantazisë dhe dashurisë sonte ka vu këmbë në skenën e teatrit ‘Dodona’. Premiera e shfaqjes së ardhur nën emërtimin “Venus” ka shpalosur historinë e aktores Vanda Xhordan dhe regjisorit-dramaturgut Tomas Novaçek, një histori kjo që nëpërmjet situatave dhe relacioneve të ndryshme që në thelb trajtojnë aspektin psiko-social, flet shumë për emblemën e të mos ndaluarit së kërkuari atë për të cilën njeriu ka nevojë thellë në brendësinë e tij, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi fiks në orën 19:41 me zbehjen e dritave deri në errësirë. I kthyer me shpinë nga publiku që pothuajse ka mbushur sallën plot, qe aktori Besart Zeneli i cili me një cigare në dorë, hedh hapin e parë drejt një shfaqjeje që zgjati gjithsej një orë e gjysmë. Me meloditë që shpeshherë vijnë në momentin dhe kohën e duhur, nis loja e tij e personazhit të Tomas Novaçek.

Novaçek me një telefon në dorë nis e ankohet për numrin e pamjaftueshëm të aktoreve që ishin paraqitur tek ai në audicion për të interpretuar rolin kryesor, Vanda (Valmira Hoti). Asgjë nuk ishte në favorin e tij atë natë dhe dukej se gjithçka po shkonte si mos mëkeq. Por, në minutën e fundit, personazhi i aktores Vanda (Wanda) shfaqet si një shpresë që pothuajse po fikej nga çasti në çast.

Është një shfaqje e rrallë e regjisorit dhe dramaturgut Novaçek i cili fillimisht nuk e vë në dyshim që Vanda është thjesht një tjetër aktore që nuk e njeh tekstin, nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe ashtu si në përditshmëri, është po aq vulgare edhe në interpretim. Nën aktrimin e mrekullueshëm të Hotit, personazhi i Vandës arrin të na befasojë tej mase.

Në jetën reale ajo është thjesht një grua që e thotë çka do që i bie në mend, por shumë shpejt shpërfaq talentin e saj në interpretimin e rolit kryesor. Me një qëndrim ndryshe, zë sensual, veprime që i shkojnë për shtat rolit kryesor që po e kërkon vetë regjisori, Vanda arrin të bind regjisorin që ta pranojë si aktore për rolin kryesor në shfaqjen e tij. Por, nuk mjafton thjesht me kaq.

Bazuar në romanin e vitit 1870, “Venus in Furs” të autorit austriak Leopold Ritter von Sacher-Masoch, shfaqja “Venus”  nën përkthimin e Qerim Ondozit, tregon për anët e errëta të mazokizmit si një nga ndjenjat që prek thellë psikikën e njeriut, asisoj që të dëshirojë të përjetojë ndjenjën e poshtërimit dhe dhunës apo torturave fizike në mënyra të ndryshme.

Në anën tjetër është vetë personazhi i Tomasit ai që ngadalë joshet nga Vanda, e cila nëpërmjet mënyrave të fshehta të saja të cilat vetëm ajo i di, e bind atë që të luajë rolin tjetër përkrah Vandës. Pra, ai lexon pjesën e personazhit të Severin von Kushemskit përkrah Vandës dhe kësisoj radhazi ndodhin shumë dinamika përbrenda çdo leximi të tekstit. Teksa rrufetë e bubullimat gjejnë vendin e tyre jashtë dritares, Vanda dhe Tomasi interpretojnë rolet e tyre karshi njëri-tjetrit. Tanimë, është vetëm një fije e perit ajo që e ndan realitetin nga loja aktoreske mes tyre.

Reflektorët në ngjyra diversive në skenë janë një sinjal i dukshëm për ndodhitë serioze të nënshtrimit dhe dominimit që rolet e tyre ia bëjnë njëri-tjetrit, por që vetëm njëri nga ta arrin ta fitojë atë ndjesi që pothuajse i përket brendësisë së tyre shpirtërore. “Venus” është një komedi misterioze, qesharake dhe erotike që vjen si një mbizotërim mbi bilancin e fuqisë që posedon një qenie njerëzore.

Regjisori i shfaqjes “Venus”, Bashkim Ramadani ka arritur që nëpërmjet skenografisë të mrekullueshme e tejet të veçantë nga Burim Arifi dhe kostumografisë nga Blendina Xhema, të sjell një histori që kalon përtej një teatri brenda teatrit.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisori Bashkim Ramadani.

“Shfaqja nuk flet vetëm për aspektin e fitimit të një roli në skenë apo teatër apo vetëm për një vend të punës por edhe më gjerë, ngaqë këto raporte mes njerëzve janë prezente në gjithë shoqërinë tonë. Si në çdo vend të punës, ballafaqohet një ekonomiste, një infermiere e të tjerë. Koncepti regjisorial nuk ka ik shumë prej konceptit të cilin e prodhon teksti. Mënyra e vendosjes zhvillohet në një hapësirë teatrore, domosdoshmërisht apo një studio teatri. Me vullnetin tim, nuk kam dashur t’i ik atij aspekti. Me punën e aktorëve jam shumë i kënaqur dhe aq sa jemi marr vesh për të bërë, është arritur”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktorja Valmira Hoti është shprehur tejet e lumtur me rezultatin e shfaqjes, teksa ka thënë se është dashuruar menjëherë pasi që e ka parë tekstin.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të luajtur këtë rol. Fillimisht kur e kam lexuar tekstin, menjëherë jam dashuruar në të dhe çdo gjë ka ec shumë këndshëm. Besoj që edhe sot, duke u bazuar në mënyrën se si publiku e priti, gjithçka ka qenë bukur. Është shumë interesant, sepse nganjëherë tekstet nuk të tërheqin menjëherë por ky tekst nuk doli ashtu, ngaqë u thellova shumë në të. Besoj që e kam arritur atë që e ka paraqitur autori. Në anën tjetër, bashkëpunimi ka qenë tejet i mirë. Teksti në këtë gjuhë është krijuar asisoj që të paraqitet një përditshmëri e jona më reale, dhe kjo ka qenë përzgjedhje e regjisorit”, thotë Hoti.

Po ashtu, aktori Besart Zeneli e ka cilësuar bashkëpunimin me partneren dhe regjisorin, si shumë të bukur, por ai që i ka bërë bashkë ata, ka qenë teksti i mrekullueshëm.

“Bashkëpunimi me partneren është shumë i rëndësishëm, sidomos kur duhet ta ndash skenën me të, për një orë e gjysmë, pa hyrje dhe dalje. Kam kaluar shumë mirë me kolegen si dhe regjisorin, pastaj ajo që na ka bashkuar ka qenë teksti. Teksti është shumë i mirë dhe tejet interesant, herë psikologjik e herë sipërfaqësor por ka shumë domethënie e tematika të ndryshme. Në fakt, vetë teksti si tekst ka shumë guxim. Provat dhe përkushtimi e kanë bërë të vetën, dhe më e mira është ajo energjia në ekip që na ka ndihmuar shumë”, ka thënë Zeneli.

Gjithashtu, sipas regjisorit Kushtrim Mehmeti, kjo shfaqje pati gjithçka nga pak, kësisoj edhe gjithçka ka qenë në vendin e duhur në mënyrë të duhur.

“Më ka bërë shumë përshtypje mënyra e vendosjes së aktorëve në skenë, përveç shfrytëzimit të skenografisë. Pati pamje tejet të bukura dhe u trajtua në një formë regjisoriale ku pati gjithçka nga pak. Shfaqja na dhuroi një vizion të mirë, formë të mirë dhe studio që fillimisht ke një studio e një regjisori e pastaj u shndërrua edhe në kopsht dhe gjithçka tjetër që mundet me pas një zonë e zotërave të antikës. Më pëlqeu shumë mënyra se si regjisori i ka shfrytëzuar elementet që ishin në skenë si shtrati, tavolina. Një teatër minimalist në dukje por në anën tjetër pati shumë gjëra totale. Gjithashtu pati edhe raport, relacion e emocion. Mënyra e lojës së aktorëve po ashtu më la mbresa të mëdha. Gjithçka ke e vendosur në mënyrë të duhur”, thotë ai. / KultPlus.com

“Top Girls” premierë në ‘Dodonë’, shfaqja që theu barrierat e kohës nëpërmjet gjashtë personazheve

Era Berisha

Aktoret e mrekullueshme si Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, kanë jetësuar mbrëmë shfaqjen “Top Girls”, dramë e Caryl Churchill që e pati premierën në teatrin ‘Royal Court’ në Londër më 28 gusht të vitit 1982. Kjo është hera e parë që ka ardhur në gjuhën shqipe, me ç’rast shfaqja ka shpalosur një hulumtim të thellë të ndjenjës së të qenurit përbrenda një shoqërie patriarkale, shkruan KultPlus.

E krijuar në mënyrë më moderne, me regji të Shkurtë Aliut, konsiderohet se shfaqja ka shpërfaqur mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë. Kontrollimi i jetës së gruas, ka qenë pika thelbësore nëpërmjet së cilës kanë rrjedhur situatat tinëzare nga më të ndryshmet. Gjashtë personazhet e portretizuara kanë sjell në jetë histori që qartazi tregojnë për rolin e gruas në shoqëri, çmimet që paguajnë ato për të arritur sukses në jetën profesionale por edhe atë personale.

“Top Girls” përqendrohet rreth Marlenes, një grua e cila është e investuar shumë në suksesin e grave në biznes. Ajo është një grua që ftohtësinë e konsideron si pikën më të fortë të saj. Në anën tjetër, të gjitha personazhet janë historikë dhe mjaft komplekse, ndërsa dialogët që mbulojnë njëra-tjetrën, shpalosin jetët e tyre në këndvështrime të llojllojshme. Karriera e suksesshme dhe jeta familjare e rregullt, janë dy pikëtakime që përplasen me njëra-tjetrën dhe personazhet “mund” ta arrijnë veç njërën.

Struktura e shfaqjes që nisi nën muzikë drithëruese, fiks në orën 19:49, është jolineare. Në të tria pjesët, historitë e grave kanë ngjashmëri në mënyrë paralele mes modernes dhe të vjetrës. Dehja, luajtja në bilardo, kërcimi, imitimi i burrave e këndimi, janë ato nëpërmjet së cilave shpalosen vuajtjet, brengat, dhimbjet dhe sekretet e tyre. Të gjitha historitë e pesë personazheve, e bëjnë Marlenen që pa ndalur, ta mendojë zgjedhjen e të hequrit dorë nga fëmija e saj, për të qenë e suksesshme në jetë.

Secili personazh është një grua imagjinare që është përballur në një mënyrë apo tjetër, me fatkeqësi të rënda. Disa nga to janë edhe përdhunimi, ndalimi i gruas në bibliotekë, presioni për të lindur djem, ndalimi i martesës me dikë nga fshati, largimi nga skllavëria e haremit, dëshmia e besnikërisë ndaj burrit, mangësitë e të drejtave të gruas mbi fëmijën, ekzistenca e festës së ‘hënës së plotë’ e shumë të tjera që në një mënyrë apo tjetër, ende janë ekzistenciale përbrenda shoqërisë, ndonëse jo aq të hasura si dikur.

Kjo premierë ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve të cilët mbushën Teatrin Dodona në numër maksimal. Shqipërimi nga Arturo Lena, skenografia nga Bekim Korça, kostumet e mahnitshme që i përkisnin epokave të ndryshme nga Arbnor Brahimi, muzika nga Trimor Dhomi, koreografia nga Robert Nuha dhe dizajni i dritave nga Skender Latifi, kanë qenë ato që i kanë dhënë një veçanti krejtësisht të rrallë kësaj premiere.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisorja Shkurtë Aliu.

“Ky tekst më është ofruar nga ArtPolis-i, si kooproduksion me teatrin Dodona. E kam lexuar dy herë meqë ka qenë një tekst shumë voluminoz. Kjo që e keni parë ju, është ndoshta gjashtëdhjetë përqindje e tekstit, sepse është reduktuar shumë, ngaqë me tekstin origjinal do të zgjaste tri apo katër orë me pauza. Jam munduar t’i prek të tri skenat nga pak dhe jam munduar të krijoj një lidhje skenike në aspektin dramaturgjik, për arsye se të gjitha janë ndryshe dhe nuk kanë lidhshmëri më njëra-tjetrën”, thotë Aliu.

Sipas saj, gjashtë personazhet i shpjegojnë sfidat e tyre gjatë jetës, për t’i arritur synimet dhe në fund është ai emëruesi i përbashkët ‘sistemi patriarkal’ që tregon për pengesat e sakrificat që i kanë bërë të gjitha, secila në mënyrën e vetë, pavarësisht rrugës që e kanë zgjedhur.

“Shfaqja për mesazh ka që gratë pavarësisht sakrificave të tyre, asnjëherë nuk duhet të ndalen, e sidomos për të drejtat e tyre dhe normalisht që gjinia tjetër duhet të jetë më tolerante”, përfundon ajo.

Ndërsa, aktorja Donikë Ahmeti për KultPlus shpalosi vështirësitë për të portretizuar rolin e Marlenes.

“Unë e shoh Marlenën sikur një grua që e ka parë mënyrën e vetme drejt suksesit, që duhet me e mohu vetën e vetë personale dhe me vazhdu me vetën e saj në karrierë, gjë që ndoshta nuk është edhe aq feministe. Unë si nënë e dy fëmijëve, jam e rrethuar prej një rrethi feminist dhe e kam një sistem mbështetës të mrekullueshëm, që më mundësohet mua të bëj një karrierë, gjë që personazhi i Marlenes nuk e ka pasur këtë rehati. Të gjitha karakteret janë gra revolucionare që në kohën kur kanë jetuar, kanë bërë diçka që gruaja nuk ka guxuar të bëjë hiç”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, secili personazh ka thyer barrierat e kohës dhe tabutë në atë kohë. Por në anën tjetër, jeta e tyre ka qenë e mbushur me plot sakrifica e mundime.

Repriza e parë e “Top Girls” vjen më 26 tetor në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase 2022”.

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. / KultPlus.com

Shfaqja “Top Girls” sonte premierë në Teatrin Dodona

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

“Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen sonte, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com

GKK “rifreskohet” nga Manifesta 14, derisa përmes arkivit rikthen thesaret e saj të paçmuara

Uranik Emini

Arti pamor, kultura dhe edukimi paraqiten në një vijë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila si thesar për kombin, shërben si një institucion ku njerëzit mund të vijnë për të parë nga afër ekspozita speciale dhe programe të tjera publike, të gjitha pa pagesë. Galeria Kombëtare e Kosovës, e themeluar në vitin 1979 më 2 shkurt, si institucioni më i shquar në vend ka mision, vizion dhe vlera të rimenduara që synojnë të nderojnë të kaluarën e vendit, t’i përgjigjen të tashmes dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm me një gjuhë të përbashkët, shkruan KultPlus.

Për herë të parë në historinë e saj disa vjeçare, GKK ka hapur një ekspozitë ku paraqet edhe arkivin e saj, me materiale që datojnë nga viti 1960 e tutje, duke rikujtuar e vënë në pah vlerat e pakrahasueshme që kanë sjellë ndër vite artistët nga vendi më i ri në Evropë.

Si në shumë hapësira të tjera publike, edhe GKK është “pushtuar” me vepra të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, në kuadër të “Manifesta 14”, e cila synim ka që të rikthejë hapësirat publike te qytetarët, por edhe përmes institucioneve sikurse Galeria, të arrijë që të futet në zemrën e mendjen e secilit, për të rikujtuar se arti është diçka që të bën të marrësh frymë me një lloj tjetër lumturie.

Duke filluar nga artistja e huaj, Selma Selman me veprën e saj “You have no idea”, GKK hap këtë ekspozitë, duke përcjellur mesazhin e artistes, e cila ka të bëjë me atë se njerëzit nuk e dinë se kush është ajo, nuk e dinë për praninë ose mungesën e dhimbjes në jetën e saj dhe tutje zbulon edhe fuqinë e dinamikën e empatisë, duke hedhur dyshime mbi përshtatshmërinë e saj si bazë për takimin politik.

Diversitet i veprave

Grupi artistik “HAVEIT” kishte performuar para disa ditëve performancën e tyre me gota, që në thelb tentojnë të paraqesin gratë dhe menyrën se si ato nuk janë të “denja” për të bërë pazarin e mëngjesit me shportën plot gota.

Duke vazhduar tutje në sallën tjetër, kukulla gjigante paraqiten në sytë e vizitorëve, të cilat sipas artistit Dardan Zhegrova, janë një formë e lashtë e rrefimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Zhegrova, i cili si fëmijë është rritur në frymën e teatrit “Dodona”, teatri i kukullave në Prishtinës, tenton të mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra.

Në mesin e disa veprave në GKK, është edhe pjesa e artistes së huaj Alevtina Kakhidze, me veprën “Pushtimi”, e cila vjen nga Kieve dhe jeton në Muziçi. Ajo e përshkruan veten si artiste dhe kopshtare, derisa si pjesë e ekspozitës janë “bimët”, dhe gjatë dekadës së fundit një pjesë e madhe e hulumtimit të saj është fokusar në vëzhgimin e botës bimore. Ajo thekson se “bimët” në habitatet e veta dhe të huaja, duke trajtuar tema si pushtimi, dominimi dhe përkatësia.

Valentina Bonizzi, nga Milani, e cila jeton në Tiranë, ka prezantuar veprën e saj “Homazhe Kafkës”, vepër që tregon një video të inçizuar në një vend dhe paraqitet rrëfimi i një personi, që mbetet, pambarisht në portat e ligjit, duke pritur t’i jepet qasje, por pa ardhur në një përfundim të tillë. Ashtu si Kafka, Bonizzi reflekton po aq mbi zërin që njerëzit kanë përpara ligjit sa mbi shkallën në të cilën ata e përdorin atë.

Mes shumë ekspozitave, veprave të ndryshme, diversitetit të artistëve, si pjesë e padiskuteshme e artit, Galeria e hapi edhe arkivin e saj. Arkivi mbledh, ruan dhe vë në dispozicion dokumentacione në lidhje me të kaluarën, duke përfshirë veprat e disa prej artistëve më të mëdhenj në histori të Kosovës.

“Thesaret e fshehura” të Galerisë

Një rezervuar i jashtëzakonshëm i krijuesve shqiptarë, dalin nga arkivi sikurse “thesare të fshehura”. Koleksioni i veprave të Galerisë Kombëtare të Kosovës, padyshim paraqet vetëm majën e një ajsbergu.

Vëzhguesi i ekspozitave, Xhevat Rrahimi, njoftoj për KultPlus se “Manifesta 14” është një vlerë e shtuar për Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe jo vetëm, duke njoftuar se kanë qenë më shumë se 1 mijë vizitorë që nga hapja e ekspozitave.

Arkivi si thesar i paçmueshëm

“Është hera e parë që arkivi ka dalë si ekspozitë. Në arkivin që e kem na është një thesar i paçmuar që e ruajmë me vite të tëra. Por, nuk mund të them se mund t’i ruajmë si duhet, për shkak të kushteve si janë. Edhe pse niveli i kushteve nga Ministria nuk është në gjendje të mirë, ne shpresojmë që në të ardhmën të bëjmë kushte edhe më të mira”.

Pjesë e (pa)ndashme e Galerisë – arkivi

“Ideja e Ministrisë për një Muze Bashkëkohor daton që nga paslufta, si ide, por ende nuk është e realizueshme. Edhe ne e mirëpresim realizimin e muzeut të artit bashkëkohor, por thesarin e Galerisë, mendoj se më së miri e ruan vetë Galeria dhe njerëzit kompetentë këtu”.

Vizitorët besnik – pjesë e përhershme e Galerisë

“Mund të them që “Manifesta 14″ ia ka shtuar një vlerë Galerisë, por ne i kemi vizitorët e tillë që nuk na braktisin asnjëherë. Kemi vizitorë edhe të nivelit ndërkombëtarë edhe vendorë”.

Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë se veprat e artit shpesh zgjasin përgjithmonë, ose thuajse shumë gjatë. Por vetë ekspozitat, veçanërisht ekspozitat e galerive, janë si lulet; ato lulëzojnë dhe më pas vdesin, pastaj ekzistojnë vetëm si kujtime, ose të shtypura në revista dhe libra, njësoj sikurse në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku vepra të ndryshme të Lirije Bulliqit, Nusret Salihamixhiqit, Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës, Gjelosh Gjokajt e shumë artistëve të tjerë, jetojnë brenda mureve të objektit dhe si të tilla, gjithnjë e lënë “aromën” e tyre magjike e të paharrueshme, njësoj si veprat që kanë lënë pas vetes. /KultPlus.com

Plagët tona si popull dalin në pah nga brendësia e artistit Mentor Zymberaj, monodrama “Arka” i sjell në një dimension tjetër

Era Berisha

Një sakrificë e personazhit i cili për vëllaun e tij të vogël bënë pothuajse çdo gjë të mundur vetëm që ai të shërohet ose të paktën që të jetë pranë tij në momentet më të dhimbshme, shumë shpejtë merr një kahje krejt tjetër. Kjo sakrificë del të jetë asgjë tjetër pos një “rebelim i kotë”, me ç’rast është krijuar edhe thelbi kryesor mbi të cilin mbrëmë premiera e monodramës “Arka” nga Mentor Zymberaj ka gjetur shtëpinë pikërisht në skenën e Teatrit Dodona, shkruan KultPlus.

Në momentin kur ora shënoi fiks 19:42, dritat e ngrohta të vendosura anash në hapësirë po zbeheshin dalëngadalë derisa terri kaploi gjithë të pranishmit. Salla e mbushur me prezencën e audiencës fillimisht u përplas me një imazh që lehtazi ka zgjuar kujtime të shumta. Një arkë e mbuluar me një çarçaf të bardhë mu në mes të skenës, përcolli një ndjenjë të familjaritetit. Pa asnjë zhurmë të vetme, qetësia absolute ishte elementi që ka rrethuar daljen në skenë të aktorit Mentor Zymberaj, shprehjet e së cilit vinin këndshëm në pah nga drita verbuese që i binte mbi fytyrë.

Një emocion i dhimbshëm në sytë e tij paralajmëroi për një histori të vështirë por mjaft të njohur për popullin tonë. Fjalët: ‘E di nanë, që t’ka marrë malli‘, ishin ato që thyen heshtjen në skenë. Nën dritën e llambës të vendosur lartë mu mbi pozitën e arkës, personazhi që erdhi nën aktrimin e veçantë të Mentor Zymberaj, ka rrëfyer brengat e shumta, pra ato të cilat kanë rënduar fort shpirtin, zemrën dhe mendjen e tij deri në një pikë të papërballueshme.

Qysh në fillim, kujtime nga më të ndryshmet të këtij personazhi zunë vendin e tyre preciz. “Ora e shtëpisë“,“Fotografitë“,“biçikleta“,“Hajmalia“,“këmisha e babës“, “Kravata e maturës“, janë vetëm disa nga faktorët që luajtën rolin e rëndësishëm dhe tejet të saktë në rrjedhën e shfaqjes. Ndërsa, përpos elementeve të lartpërmendura, atëherë kur ‘fyelli i gjyshit‘ nxirret nga arka dhe aktori Zymberaj nis interpretimin mbresëlënës, shumë shpejt na shfaqet një dimension befasues që në fakt kjo monodramë përmban.

Nëse dhimbja, vuajtja dhe dëshpërimi do të shndërroheshin në formën e njeriut, atëherë roli i Zymberajt, do të kishte marrë lehtësisht vendin e tyre. Personazhi të cilin ai e portretizon dhe e mban gjallë për gjatë gjithë kohës, shpalos pamundësinë për të mbajtur në jetë të vëllain gjashtë vjeçar që i ka vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai si një student i shkëlqyer i arteve, e kaloi gjithë rininë në dheun e huaj, duke kaluar Evropën ilegalisht por që për të kjo mbetet thjesht një “rebelim i kotë“.

Dalëngadalë, ai ulet mbi arkë, vendos duart dhe kokën mbi të, teksa një dritë e kuqe rrethon gjithë skenën, duke sinjalizuar për një tjetër rrëfim, por kësaj radhe të nënës së tij, e cila po ashtu nuk ishte më gjallë. Nga një copë letre, ai merr vesh për gjithë situatat që ka humbur derisa ai ishte larg shtëpisë. Babai i tij kishte vdekur menjëherë pas të vëllait, duke mos mundur të përballonte vdekjen e të birit, motra e tij ishte zhdukur diku larg për të sjellë në jetë veprat e pabotuara të babait të saj në mënyrë që vepra gjeniale e tij të respektohej, ndërkohë që nëna e tij e sëmurë nuk mundi t’i bëjë ballë sëmundjes që e kishte gjymtuar pa prezencën e asnjërit nga familja e saj.

Kështu krejt në fund, një vijë melodike muzikore fut rrënjët në mbylljen e kësaj shfaqjeje. Personazhi ka qenë shumë specifik e po ashtu ka pasur shumë ndryshime nga pësimet e njëpasnjëshme. Duke marrë parasysh kontaktin me arkën dhe gjithë çka ka përjetuar familja e tij, krejt në fund ai shndërrohet në palaçon e vëllaut të vet. Andaj, kjo është ajo simbioza që e ndërlidh fillimin, zhvillimin dhe fundin e kësaj shfaqje.

“Arka“ solli përjetimet që flenë nëpër qoshet e kujtimeve të shumicës nga ne. Kjo monodramë përpos frymës origjinale që mban dhe një skenari brilant që zhvillohet nëpër tri segmente, me pjesëmarrjen e qëlluar të Igballe Qenës në vokal dhe solistes Yllka Kuqi si dhe precizitetin e udhëheqësve teknik si Bedri Maloku dhe Fadil Bekteshi, ka përthekuar një publik të tërë, duke i dërguar ata nëpër vazhdën e emocioneve të ndryshme që ndonjëherë edhe binin ndesh me njëra-tjetrën.

Autor, regjisor dhe aktor i monodramës “Arka“ është vetë Mentor Zymberaj. Asistent regjie është Mirak Zymberaj, kostumografia vjen e punuar nga Mrikë Zymberaj si dhe realizimi i muzikës nga kompozitori Astrit Pallaska. Po ashtu, regjistrimi i vokalit është bërë nga dirigjenti Memli Kelmendi.

Kjo monodramë është shkruar që disa vite. Ideja për ta realizuar ka qenë shumë më herët. Është botuar në mesin e katër monodramave më të suksesshme të Mentor Zymberajt, që s’ka qenë e inskenuar. Tash është inskenuar dhe është barazuar me të tjerat. Koncepti i regjisë ka zgjatur rreth katër apo pesë muaj, në bashkëpunim me idenë se si të plasohet dhe që dy muaj janë mbajtur ditët e provave derisa është realizuar.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli aktori Mentor Zymberaj.

“Pasi që jam edhe autor, gjithmonë ideja si artist është se çfarë duhet të thuhet dhe se cila temë është më aktuale. Besoj që këto shkrimet tona nganjëherë kanë qenë të imponuara për shkak të nevojave që i kemi në familjet tona, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, andaj më është dukur që kjo temë është mjaft e afërt, e ndjeshme por edhe e nevojshme për popullin tonë, duke marrë parasysh dhe pasojat që na ndodhin neve si familje. Mendoj që kjo temë është mjaft e nevojshme që të konsumohet, të shihet prej popullit tonë së pari e pastaj në vende të tjera të botës“, thotë ai.

Sipas tij, si autor ai beson se në njëfarë forme ia ka arritur qëllimit, pastaj koncepti regjisorial si regjisor, për të ka qenë shumë më i lehtë për shkak të idesë autoriale.

“Kur je në treshen autoriale, nuk është e lehtë sepse lufta është në tri segmente. Plasohet ideja si autor, pastaj gjetja e një koncept të bukur dhe atraktiv regjisorial dhe në anën tjetër ndërtohet karakteri për të cilin dhe jam i thirrur. Kështu që, forma ime e punës është pak më specifike sepse punoj kryesisht vetëm. Tema është krejtësisht origjinale dhe idetë më kanë rrjedh gjithmonë nga brendësia, pra prej plagëve tona, prej temave tona që ka nevojë populli ynë. Kështu që jam shumë i kënaqur sepse ekziston një origjinalitet në realizim“, shpalos Zymberaj.

“Është gjetë një ritëm i bukur i shfaqjes që të dëgjohet, të thuhet por edhe të luhet”, përfundon Zymberaj.

/ KultPlus.com

Kosova përfshin në listë të mbrojtjes një thesar të pasur shumëstresor historik e kulturor

Nga vendbanimet parahistorike, në monumente mesjetare e ndërtime vernakulare, e ato të periudhës më të vonshme që ndërlidhen ngushtë me kujtesën kolektive, deri te pasuria unike e krijimtarisë së instrumenteve frymore të artistit të ndjerë Shaqir Hoti.

Në mesin e tyre Burgu i Gurrakocit në Istog, Kino Rinia dhe Teatri Dodona në Prishtinë, Shtëpia e vjetër (ish stacioni Policor) në Podujevë, Shkolla Emin Duraku në Prizren, Shkolla Gjon Serreçi në Ferizaj.

Lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme pasurohet me 17 asete shtesë. Ky proces kompleks e dinamik, në vijim do të plotësohet me aprovim të legjislacionit sekondar përkates, i cili do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtare.

Ky proces në fund, përmes një koordinimi dhe bashkëpunimi të ngushtë me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, do të finalizohet përmes rregullimit të statusit të mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës. / KultPlus.com

Eskpozohen kukullat e të gjitha shfaqjeve të Teatrit ‘Dodona’ (FOTO)

Artistët e Teatrit ‘Dodona’ kanë përfunduar punimet në arkivin e kukullave, ku janë ekspozuar të gjitha shfaqjet e prodhuara në këtë Teatër, shkruan KultPlus.

“Këto ditë i kemi përfunduar punimet në arkivin e kukullave të Dodonës, ku janë ekspozuar kukullat e të gjitha shfaqjeve që janë prodhuar në Dodonë që nga themelimi i saj, gjithmonë të gatshme për t’u animuar në magjinë e teatrit të kukullave”, shkruhet në faqen e Teatrit, ku dhe prezantohen fotografitë. /KultPlus.com

Teatri “Dodona” me shfaqjen “Prehëri i gjyshit” do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Kukullave në Tiranë

Shfaqja “Prehëri i gjyshes” nga Vesa Qena me regji të Melihate Qenës do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Kukullave në Tiranë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje në këtë festival do të prezantohet nën ombrellën e teatrit “Dodona”, ku në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi e Valdet Rama.

Kjo shfaqje do të prezantohet më 7 maj, prej orës 18:00 në Teatrin e Kukullave në Tiranë. /KultPlus.com

“Tango” në Teatrin Dodona

Me tekst të Albana Muja dhe regji të Ekrem Sopit është duke u përgatitur shfaqja “Tango”, e cila së shpejti do të vjen me premierë, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje që nuk ka një kastë të madhe të aktorëve por që përbëhet vetëm prej Anisa Ismajlit e Rabije Kryeziut, Teatri “Dodona”, tashmë edhe ka rezervuar datën e premierës.

KultPlus mëson se kjo shfaqje me premierë do të vjen më 21 maj, për të vazhduar më pas me repriza të tjera./KultPlus.com

“Hollyshit” , të enjten në “Dodona” për Bekim Lumin

Në vazhdën e muajit artistik për ta ndihmuar regjisorin Bekim Lumi, këtë të enjte në Teatrin Dodona shfaqet “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, shkruan KultPlus.

Ngjarja e kësaj shfaqje jetësohet nga aktorët e njohur: Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.

Shfaqja është një tragjikomedi për një qytezë-provincë e cila “pushtohet” nga një produksion hollivudian të cilët vijnë për të xhiruar një film. Në qendër të storjes janë Çarlli Konllon dhe Xhejk Kuin, të cilët sikurse shumica e banorëve të qytezës, janë punësuar si statistë filmi. Komedia rrjedhë nga përpjekjet e produksionit që të krijojnë një “ndjesi provinciale” -një nocion romantik, i cili shpesh bie ndesh me realitetin jetësor.
Ekipi i shfaqjes: dramaturg-Shkëlzen Berisha, asistent regjie-Butrint Pasha, muzika-Art Lokaj, kostumografe-Albulena Borovci e producente Lena Kryeziu Bokshi./ KultPlus.com

“Dodona” nesër sjellë premierën për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”

Nesër më 22 dhjetor në teatrin Dodona, vjen premiera e shfaqjes për fëmijë “Përgjithmonë Ujku”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen bazuar ne tekstin e përrallës së autores Matter, ndërsa është përpunuar dhe përshtatur për skenë nga G.Pigor dhe I.Dragovoja.

Shfaqja vjen me regji të Ilir Dragovoja, skenografia dhe kostumet nga Theranda Sertollaj dhe I.Dragovoja ndërsa luajnë: Avni Hoti, Roza Berisha dhe Advi Azemi.

Shfaqja vjen nesër në teatrin Dodona me fillim nga ora 12:00 në sallën TQP Dodona./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës përgjigjet ndaj kritikave për renovimin e Teatrit Dodona

Renovimi i këtij teatri ka kushtuar gjithsej 60 mijë euro, por sipas reagimeve të artistëve nëpër rrjeteve sociale, ky renovim nuk është adekuat për këtë institucion.

Sarandë Selimi

Ka plotë katër muaj që Teatri Dodona në kryeqytet është në renovim. Ky teatër, tashmë duket se është në fazën e fundit të këtij renovimi madje sipas drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Besart Vllahinja, Dodona, do të nis punën javën e ardhshme.

Renovimi i këtij teatri ka kushtuar gjithsej 60 mijë euro, por sipas reagimeve të artistëve nëpër rrjeteve sociale, ky renovim nuk është adekuat për këtë institucion.

Reagimet kanë ardhur edhe para disa ditësh kur Dodona ende nuk kishte përfunduar e tëra, ndërsa sot në rrjetin social Facebook, me një fotografi dhe një mbishkrim ka reaguar edhe dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj. Neziraj, ndër të tjera ka thënë se mandatet shkojnë e vijnë por këto pllaka druri do të ngelen si kumbona në këtë institucion.

“Diletantizmi ‘renovues’ në Teatrin Dodona në Prishtinë. Këto ‘iverica’ të skenës në këtë teatër janë dëshmi e improvizimeve e diletantizmit kulturor n’Prishtinë e përtej… Mandatet shkojnë e vijnë por këto pllaka druni kan me ngele si kumbona (ta përdori nje shprehje të Naser Shatrollit) me jau rikujtu secilit prej tyre marrëzitë e masakrat mbi institucionet e kulturës”, ka shkruar dramaturgu Neziraj.

KultPlus, ka kontaktuar sot me drejtorin Besart Vllahinja, për të marrë një përgjigje rreth këtyre reagimeve dhe rreth asaj se kur Dodona do të hapë dyert.

Vllahinja, sa i përket reagimeve ka thënë se nëse flasim për persona të veçantë në relacion me Dodonën, së pari do duhej të shohim edhe konfliktin e interesit në raport me misionin e teatrit. Ndërsa ka shtuar se materiali i përdorur është dizajnuar dhe projektuar nga njerëzit kompetent.

“Nëse flasim për persona të veçantë dhe për relacionin me Dodonën së pari do duhej ta shohim edhe konfliktin e interesit në raport me misionin e teatrit. Nëse merret si shqetësim i përgjithshëm për materialin e përdorur, të them të drejtën ai është dizajnuar dhe i projektuar nga njerëzit kompetent, këtu përfshihet i gjithë procesi i renovimit dhe materialet që janë përdorur. Nëse kjo është shqetësuese ashtu edhe si po pretendohet, ne mund të marrim masa për ta zgjidhur. E them me plot përgjegjësi që të gjitha këto tentative për me e relativizu punën që është bërë lidhur me renovimin e Dodonës, janë të zbehura në krahasim me rezultatin që ne po e presim në procesin e hapjes së teatrit. Hapja e këtij teatri besoj që do të jetë javën e ardhshme nëse marrim edhe raportin pozitiv nga ekspertët, të cilët e pranojnë punën teknike”, ka thënë për KultPlus, Vllahinja.

Kompania e cila ka bërë renovimin e Teatrit Dodona në kryeqytet është “ Ero Project” SH.P.K./ KultPlus.com

Agjencia e Statistikave të Kosovës del me raport, Teatri Dodona me më shumë publik se Teatri Kombëtar i Kosovës

Agjencia e Statistikave të Kosovës sapo ka publikuar raportin për vitin 2016, dhe në bazë të këtyre statistikave, sa i përket teatrove në Prishtinë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri ODA dhe ai Dodona, e fundit del të ketë pasur më shumë vizitorë, shkruan KultPlus.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 137 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 15 320; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 253 shfaqje premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 540; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 80 premierë dhe reprizë, ndërsa numri i shikuesve ishte 25 461”, thuhet në këtë raport, i cili përfshinë të dhëna statistikore, lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filharmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë.

Kurse po sipas këtij raporti, numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC ishte 62, prej tyre 6 filma vendorë dhe 56 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 38 300; numri i filmave të shfaqur në kinematë Doku-Kino dhe DOKUFEST ishte 307, prej tyre 39 filma vendorë dhe 268 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 23 258. /KultPlus.com