TUBA Fest mbledh të rinjtë në kala, tradita shqiptare e muzikës me prekje moderne

Shkodra mirëpret këtë fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive. Nata e parë e aktivitetit tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve sidomos të rinjve, që iu bashkuan tingujve të muzikës.

Në mjediset e Kalasë, aktiviteti ofroi mbrëmje interesante për dhjetëra qytetarë ndërsa solli performancat e trashëgimisë muzikore të qytetit dhe më gjerë.

Të rinjtë patën mundësi të argëtohen në një mbrëmje speciale shtatori, edhe pse sezoni veror ka mbaruar tashmë.

Bashkia Shkodër e mirëpriti kërkesën e organizatorëve dhe ofroi bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve sjell në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne.

TUBA Fest vijon edhe sot në Kalanë Rozafa të Shkodrës./atsh/KultPlus.com

TUBA fest, festivali që frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës për dy ditë në Kalanë e Shkodrës

Shkodra do të mirëpresë gjatë kësaj fundjave TUBA fest mes shumë aktiviteteve kulturore dhe sportive.

Bashkia Shkodër ka mirëpritur kërkesën e organizatorëve dhe ka ofruar bashkëpunim për realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore që pasuron jetën e qytetit dhe e promovon atë, sidomos te të rinjtë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka zhvilluar një takim me Mersin Gogla dhe Endri Nasufi, përfaqësues të Concept Marketing Albania, të cilët e organizojnë këtë festival në qytetin e tyre të lindjes të cilët kanë ngritur edhe kompaninë e tyre në Tiranë.

Ky festival muzikor përgjatë dy ditëve do të sjellë në Kalanë e Shkodrës performancat live të artistëve dhe grupeve shqiptare më me zë.

Në bashkëpunim me organizatën “New Vision” dhe me mbështetjen e Ministria e Kulturës e të një sërë sipërmarrjesh private, TUBA Fest frymëzohet nga tradita shqiptare e muzikës dhe kohës mes miqve, por tashmë me një prekje moderne dhe që i fton të gjithë në datat 15-16 shtator në Kalanë e Rozafës. / atsh / KultPlus.com

Tradita shqiptare e Mirditës: Njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar

Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i shpërndarë gjithandej ndër mirditorë, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”.

Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët. Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës.

Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe merrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak. Ai gjithë ditën e ditës pas tufave në kullosë gdhendte dhe bishta frashëri për veglat e punës, dhe bilbila, zumare, me të cilat luante melodi baritore.

Bjeshkët tona janë ateliea e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompozitorët që i ulen motivet e bjeshkëve mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit, ku kumbonët që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej shumë vitesh në arenën artistike-folklorike të Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj Ansambli i sipërthënë është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshja, kostumet, ritualet, lojërat popullore, shenjat apo elementet dalluese, nga perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj.

Pjesë nga parathënia e Ndue Dedaj për monografinë e Ansamblit “Mirdita”/KultPlus.com

“Prishtina Gastronomy Festival” për plotë 11 ditë do të bëjë që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit

Vetëm edhe pesë ditë na ndajnë nga festivali më i madh i gastronomisë mbarë shqiptare “Prishtina Gastronomy Festival”.

Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim ju presin në këtë edicion në “Prishtina Gastronomy Festival” që vjen me shumë artistë vendor e ndërkombëtar.

Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” e përmbushur me program, do të bëj që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapët, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia.

Do ta ndjeni bashkimin kombëtar si asnjëherë më parë, me Vlorën që ngrit flamurin në Prishtinë, e Tiranën që i këndon bashkëqytetarëve në zemër të Prishtinës, e nën flladin strugian do të mund të këndoni edhe serenata korçare.

Dhjetë plus një, po fiks njëmbëdhjetë ditë e net, në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, do të ketë bashkim të shqiptarëve nga gjitha trojet tona, do të ketë ndërlidhje të kulturave të pasura shqiptare mes vete, por jo vetëm. Gjatë tërë festivalit do të ketë përveç atyre tradicionale, edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pra secili nga ju e ne do të ketë mundësinë të provojë shumëllojshmëri të kulturave të ushqimit, e t’i shijoj ato me pije.

Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.

Hapja e Festivalit do të bëhet nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Ndërsa biletat dalin në shitje sot nga ora 13:00.

Më poshtë të bashkëngjitur e gjeni programin e muzikës. E së shpejti do të prezantohet edhe programi i ushqimit. / KultPlus.com

Vallja e Osman Takës, një nga më të bukurat e botës shqiptare (VIDEO)

Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë, por të gjithë botës shqiptare dhe e mbarë Ballkanit.

Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë, i cili u kap rob në luftë me osmanllinjtë. Hijeshia, me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Ne krenohemi me këtë margaritar të folklorit, prandaj shpërndajeni këtë interpretim mbresëlënës të shkëputur nga filmi “Gjeneral Gramafoni”, që sa më shumë të rinj ta njohin e vlerësojnë!

Kjo valle në origjinë ishte e Epirit, por u quajt vallja e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka nga Konispoli, patriot i kohës, u kap dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe dënohet me varje.

E veçanta e kësaj valleje është se sa mjedis më të ngushtë të ketë, aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë.

Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka, në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë dy-tre valltarët e tjerë, pra duhet që me muskujt e barkut të mbahen dy-tre valltarë të kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysëm.

Këtu theksoj anën historike të valles që nuk kemi të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore. / KultPlus.com

Bebe Rexha flet për traditat shqiptare: Në shtëpi duhet të kap tabakanë dhe të shërbej

Këngëtarja shqiptare, Bebe Rexha, fama e së cilës ka vërshuar botën, së fundi ka dhënë një intervistë për prestigjiozen ”Los Angeles Times’, ku ndër të tjera ka folur edhe për prejardhjen e saj dhe traditat shqiptare, përcjell KultPlus.

Ajo ka treguar për mediumin botëror se si është muzika tradicionale shqiptare dhe cilat janë ritmet e saj.

“Kur të shkoni në një dasmë atje, do të keni një djalë të madh që godet në daulle bas dhe më pas do të vijë edhe dikush me klarinetë ose një fizarmonikë – kaq. Daullet tingëllojnë si: Boom-Chicka-Boom-Chicka-Boom-Boom-Boom”, ka theksuar Rexha.

Tutje, ajo u pyet edhe për traditata dhe zakonet e vendit, të cilat ajo i praktikon te familja e saj, në shtëpinë e tyre në New York.

“Kur njerëzit vijnë, unë duhet t’u shërbej atyre diçka, edhe nëse ata po punojnë për mua – si për shembull zonja ime pastruese duhet të ketë një vakt të plotë. Në kulturën shqiptare, kur dikush vjen mysafir, ekziston një sistem i hapave se si ju i shërbeni njerëzve. Le të themi se nëse do të kaloni nga shtëpia e mamasë sime, ajo do t’iu mirëpresë, dhe ne duhet të kemi çokollata të vogla, çokollata vërtet të këndshme dhe duhet të shkojmë në sallon për t’ua shpërndarë gjithëve – nga më i vjetri tek më i riu, të gjithë marrin një copë çokollatë. Atëherë më pas unë do të shërbej pije, ujë ose lëngje frutash. Pastaj vendos në tabaka një pjatë të madhe me ëmbëlsira – të gjitha llojet e ëmbëlsirave. Atëherë ndoshta më pas duhet të bëj kafe dhe do të shërbej kafe me tortë. Dhe pastaj e përfundoni me fruta”, ka thënë tutje Bebe Rexha. / KultPlus.com

Rikthim në traditë, me recetat dhe ritet e sofrës së moçme shqiptare: Bukë e kryp e zemër

Rikthimi tek rrënjët është pjesë e pandarë e secilit njeri, të gjithë herë pas here përpiqemi të rikthehemi pas qoftë edhe me kujtimet tona, ndërsa të tjerë përpiqen të shkojnë më tej, të hulumtojnë e të kërkojnë se cilat kanë qenë idetë, kultura, traditat, ritet madje edhe ushqimet që na përfaqësonin dikur e që me kalimin e kohës janë zbehur e deri zhdukur.

Eletra haxhiua ka hulumtuar pikërisht gastronominë shqiptare shkodrane e jo vetëm, për të rikthyer traditën që për shkak të kohës e modernizmit që përqafon çdo popull janë zbehur disi.

Në një intervistë në “Rreze Dielli” Elektra Haxhia Çapaliku rrëfen për një kohë tjetër, ndalet tek elementët tipik shqiptarë të kohës si mbrumja e bukës, harxhet, mullinjtë, sofra e dajlanet e peshkut.

Një libër me receta por jo vetëm, sjell në dimensione të ndryshme Shqipërinë të cilën e ka përmbledhur në një togfjalësh të thjeshtë “ Bukë e kryp e zemër” i cili I ka përfaqsuar gjithmonë shqiptarët.

Ritet e ndryshme që sot janë zbehur e deri zhdukur ajo i ka sjell në këtë libër, si shtrimi i një sofre:

“Unë e kam përshkruar pak a shumë aty, se si ishte kuzhina në shtëpitë e vjetra shkodran,e pa tavanë vinte direkt çatia dhe trarët, aty ishte oxhakum ku ndizej zjarri, dhe gatuhej  përvec se shërbente për ngrohje.  Nëpër trarët e tavanit, vareshin mishrat që ishin për tharje apo vargje qepësh. Dhe sofra që shërbente për të ngrënë shërbente njëkojësisht edhe për të gatuar” rrëfen ajo.

Ajo sjell rrëfime të një tjetër epoke, kohë kur ushqimi konsiderohej gëzimi I më I madh I festës, tregon për ushqimet që shërbeheshin në dasma e ritin e të thururit këngë për pilafin e japarakun:

“Duke ditur se në Shkodër jetojnë tre komunitete fetare, secili  ka ritet e veta dhe ushqimet që janë përdorur, kanë edhe dallimet e veta. Në rastin e dasmës duhet thënë që , varet edhe prej stinëve por duhet thënë që është përdorur mjaft mishi, sallatrat e stinës, dhe ajo që nuk ka munguar asnjëherë ak qenë pilafi me mish.Në pjesën e dasmave katolike i është kënduar edhe kënga në momentin që ka ardhur, që është shërbyer pilafi dhe kënga e japrakut. Të dyja këto kanë pasur këngë specifike” shprehet ajo.

Ëmbëlsira karakteristike e dasmave të asaj periudhë cilësohet Tespixhja:

“Dikur në Shkodër është përdorur tespixhja, është një ëmbëlsirë si tip sheqerpare, por unë nuk mund ta krahasojë, që është mjaft e tendosur, nuk është e fryrë por është e shërbetosur, ka shumë sasi gjalpi brenda dhe vezësh dhe prandaj është shumë e kushtueshme për tu gatuar, prandaj nuk gatuhej gjithmonë. por në Shkodër ishte ëmbëlsirë mjaft e përdoreshme dhe pastaj mbrapa vendin e saj e ka zënë bakllavaja, kadaifi etj” rrfëen ajo për gjetjet e punës kërkimore mbi gastronominë shqiptare. /shqiptarja/ KultPlus.com

Tradita shqiptare pjesë e projektit për ruajtjen e trashëgimisë në Spanjë

Shqipëria është përfshirë në projektin “STITCH” në Spanjë, “Ruajtja dhe Mësimi i Trashëgimisë Kulturore Tekstile Jomateriale”.

Ky projekt kombinon përpjekjet dhe burimet e entiteteve dhe institucioneve nga Italia, Hungaria dhe Shqipëria, të koordinuara nga “Centro Superior de Diseño Make Creativo”, me qendër në Zaragoza të Spanjës.

Për dokumentimin dhe punën e zhvillimit të projektit, ekipi i punës Make Creativo do të ketë bashkëpunimin e Këshillit të Qytetit Ansó (Huesca), Muzeut të Kostumeve Ansotano, Shoqatës Kulturore ‘A Cadiera’ dhe Muzeut të Zaragoza.

Projekti është fitues për financim nga Komisioni Europian në kuadër të programit Erasmus + dhe do të zhvillojë aktivitete trajnuese për projektues dhe studentë të dizajnit, punëtori me artizanë dhe prodhimin e video dokumentarë, një katalog në internet dhe një skanim 3D i kostumeve tradicionale nga katër vende evropiane.

Projekti synon t’i përgjigjet mbrojtjes dhe promovimit shoqëror dhe arsimor të trashëgimisë evropiane të tekstilit, posaçërisht kostumit tradicional, me praktika inovative në epokën dixhitale.

Subjektet që janë pjesë e këtij konsorciumi janë, përveç Make Creativo, Universiteti i Artit dhe Projektimit Moholy-Nagy (Hungari), Universiteti i Tiranës (Shqipëri) dhe Museo del Tessuto di Prato (Itali), një nga muzetë më prestigjozë në Evropë për historinë e modës dhe tekstileve, duke mishëruar një traditë industriale prej më shumë se 800 vjetësh.

Projekti STITCH do të dokumentojë kostume tradicionale hungareze dhe shqiptare, përveç Ansotano. Studimi do të trajtojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë e prekshme dhe jomateriale të veshjeve. /dp/ KultPlus.com

Njihuni me shqiptarët e Ukrainës, kanë ruajtur me shekuj traditat kombëtare

Komuniteti shqiptar ka jetuar në territorin e Ukrainës që nga fundi i shekullit 18 – fillimi i shekullit 19. Shqiptarët Ortodoksë kanë emigruar fillimisht në Bullgari, më pas kanë emigruar  së bashku me gagauzët dhe bullgarët.

Ata  u vendosën në tokën e Besarabisë moderne dhe Detit të Zi, pjesërisht në Odesa dhe në zonat rurale. Gjysmë shekulli më vonë, disa nga kolonistët e Ballkanit migruan në Detin Azov, ku gjithashtu themeluan disa fshatra ku jetojnë pasardhësit e tyre sot raporton The Ukrainer.

Në pjesën më të madhe të fshatrave të Besarabisë jetojnë kombe të ndryshme: bullgarët, shqiptarët, gagauzët, moldavët, rumunët, ukrainasit dhe kombësi të tjera, por e veçanta e tyre është se festojnë së bashku.

Për pesë vite, festivali ndërkombëtar i verës “Bolgrad Wine Fest” zhvillohet në Bolhrad gjatë vjeshtës, duke mbledhur jo vetëm banorët e qyteteve dhe fshatrave përreth, por edhe prodhues të verës nga e gjithë Ukraina, Bullgaria dhe Moldavia.

Çdo vit, më 6 maj, shqiptarët e Besarabisë përkujtojnë ditëlindjen e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeu (Fakti interesant është se në të njëjtën ditë gagauzët  festojnë Shën Gjergjin. Prandaj, të dy shqiptarët dhe gagauzët bëjnë kurban).

Karakurti

Fshati Karakurt ndodhet afër Bolhradit në Besarabia. Fjala “Karakurt” vjen nga Turqia që do të thotë “tokë e zezë “. Ky është emri i një prej merimangave më helmuese. Ndoshta misteri nuk do të zgjidhet kurrë: pse kolonistët shqiptarë, bullgarë dhe gagauzianë e quajtën  me këtë emër fshatin që ata themeluan në vitin 1811.

Në ditët e sotme në Karakurt  fliten pesë gjuhë: shqip, bullgarisht, gjuha gagauze, ukrainase dhe rusisht. Njerëzit vendas thonë se kur tre njerëz me kombësi të ndryshme takohen dhe diskutojnë me njëri-tjetrin dhe njëri prej tyre flet shqip atëherë të tre flasin shqip sepse është gjuha kryesore aty.

Në 2001, në Karakurt jetonin deri në 3,000 njerëz, nga të cilët 1,725 ​​janë shqiptarë. Në vitet 1860, disa shqiptarë nga Besarabia u zhvendosën në pjesën veriore të Pryazovia. Numri i banorëve të këtyre fshatrave është shumë më i vogël se popullsia e Karakurtit.

 Shqiptarët në Ukrainë

Në shekullin e 16-të një pjesë e shqiptarëve ortodoksë – toskët migruan në pjesën e Bullgarisë lindore, e cila në atë kohë i përkiste Perandorisë Osmane. Shqiptarët jetuan për tre shekuj midis bullgarëve dhe gagauzëve.

Shqiptarët migruan në territorin e Ukrainës në mes të shekullit të 18-të, kur këto toka ndodheshin nën pushtimin e perandorinë ruse. Në atë kohë, shumica e tyre përbëhej nga vullnetarë shqiptarë që kishin shërbyer në Marinën Ruse gjatë luftës Ruso-Turke. Pasi lufta mbaroj, u vendosën rreth Odesas. Ka dy rrugë të njohura të lidhura me shqiptarët në qendrën historike të Odesas – Mala Arnautska dhe Velyka Arnautska. Në shekullin e 19-të, shqiptarët ortodoksë u quajtën “Arnautë” nga turqit.

Një nga shkaqet e zhvendosjes së shqiptarëve gjatë viteve 1806 –1812 në Besarabia ishte për shkak të shtypjes kombëtare dhe fetare në Ballkan, i cili atëherë ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Disa mijëra familje ortodokse shqiptare refuzuan konvertimin në fenë islame dhe filluan të kërkonin për një vend të ri për të jetuar. Në atë kohë kishte shumë vende të pabanuara në Besarabia dhe Pryazovia.

Sipas burimeve të ndryshme, komuniteti i shqiptarëve të Ukrainës ka midis 5,000 dhe 10,000 shqiptarë, ndërsa më pak se gjysma e tyre flasin gjuhën shqipe. Përveç fshatrave në Bessarabia dhe Pryazovia, shqiptarët gjithashtu jetojnë në qytete të tilla të mëdha si Odesa, Izmail, Donetsk, Luhansk, Kyiv, Kharkiv, Lviv, etj.

Organizata e parë shqiptare në Ukrainë, e cila u krijua në 1993, sot nuk ekziston më. Disa organizata janë krijuar në Besarabia me kalimin e kohës, të tilla si Shoqata Kulturore dhe Edukative Shqiptare: Rilindja dhe Qendra Karakurt për Kulturën Shqiptare, e cila u hap në vitin 2016. Aktualisht, Shoqëria Kulturore dhe Edukative Shqiptare “Dardania” operon në rajonin e Pryazovia.

Kreu i Shoqatës “Rilindja”, një shqiptar, Rodion Pandar, lindi në Karakurt, u diplomua nga një shkollë lokale, më pas në universitetin e Odesas. Ai ka jetuar dhe punuar në Stamboll dhe Odesa për disa vite, por më pas u kthye në vendlindjen e tij Besarabia.

Sipas traditës shqiptare, djali i vogël duhet të qëndrojë në shtëpinë ku ai lindi. Kjo sepse ai është trashëgimtari. Kështu që pasi punova në Stamboll (nga 1994 në 1996), prindërit e mi më thanë: “Bir, po mendon të kthehesh në atdheun tënd?” Unë i thashë: “Baba, por unë kam një biznes shumë të mirë në Turqi!” Dhe ai u përgjigj, “Nëse je shqiptar, eja në shtëpi”. Dhe u ktheva.

Rodion thotë se kombet e shumta në Karakurt dhe në fshatrat e tjerë të Besarabia janë një fenomen i zakonshëm. Pas vitit 1991 procesi i mësimdhënies në shkollat ​​lokale u zhvillua në rusisht për një kohë të gjatë.

Fshati ynë është më shumë se 200 vjeçar. Sot nuk ka asnjë ndryshim kush je , pavarësisht kombeve të shumta.  Shumica e njerëzve të fshatit flasin tre gjuhë. Unë u detyrova të mësoja gjuhën ukrainase vetë. /abcnews/ KultPlus.com

Qendra e Artit dhe e Kulturës Kombëtare ‘Margarita Xhepa’ në Itali feston 1 vjetorin, promovohen traditat shqiptare (VIDEO)

Natën e mbrëmshme në Asti të Italisë, Qendra e Artit dhe e Kulturës Kombëtare ‘Margarita Xhepa’, festoi 1 vjetorin e themelimit.

Mbrëmja u mbajt me një numër të kufizuar njerëzish duke respektuar kështu masat AntiCovid.

Me këtë rast u prezantua dhe lexua nje skenar i ri për film artistik me metrazh të gjatë kushtuar kësaj Qendre si dhe Valbona Sadikaj recitoi poezinë ‘Atdheu’ e cila u prit mjaft mirë nga publiku i gjerë, përcjellë KultPlus.

Vlen të ceket se qëllimi kryesor i kësaj qendre ka të bëjë me promovimin e vlerave kulturore dhe traditave shqiptare.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë të gëzueshme e festive. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/assoalbania.asti/videos/653020025593135/

Meta: Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte sot në Sinë ku vizitoi Muzeun Historik.

“Sot në Sinë, në truallin e Kastriotëve, vendin e origjinës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, u shpreh Meta.

Meta shprehur kënaqësi që vizitoi Muzeun Historik dhe që u njoh nga afër me të dhëna interesante për betejat heroike të zhvilluara për mbrojtjen e kombësisë, territorit dhe identitetit tonë europian.

“Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e Dibrës të lartësojnë traditat dhe vlerat tona duke na bërë të ndihemi krenarë!”, tha Meta.

“Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare, për të mbrojtur më mirë të ardhmen europiane të Shqipërisë”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Simbolikat e pirjes së kafes tek shqiptarët

Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafes. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafes?

Nëse një malësor shkonte për shembull me kostumin e mikut në shtëpinë e një bashkëfshatari tjetër, qoftë ky i afërm ose thjeshtë i njohur, për të vazhduar një bisedë të nisur më parë, si të thuash, në një seancë të rastësishme ndërrim duhani që kishte të bënte me ndonjë fejesë, zbutjen ose tejkalimin e ndonjë konflikti me pajtim gjaku ose me çështje të tjera të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e dëshironte kafenë.
Nëpërmjet shkallës së ëmbëlsisë ose të idhëtisë së kafesë simbolikisht miku merrte mesazhin e duhur për ecurinë e çështjes që qëndronte në sfondin e një vizite të tillë.

Nëse i servirej kafja fare e ëmbël, miku merrte mesazhin se çështja ishte zgjidhur ose ishte në rrugë të mbarë dhe pa kthim prapa.

Për të përforcuar kuptimin e një mesazhi të tillë pozitiv miku, si rregull, në një formë tjetër vinte në dukje ëmbëlsinë tej mase të kafesë, duke përdorur përgjithësisht shprehje të tipizuara në motërzime të tilla: “E paskeni ngatërruar kafenë me mjaltin”, “kafesë i paskeni hedhur mjaltë, jo sheqer”, “një qyp me mjaltë i paskeni hedhur kafesë” etj.

I zoti i shtëpisë përgjithësisht i miratonte pohime të tilla, domethënë, në thelb tundjes së kokës lart-poshtë ose buzëqeshjes. Pas një miratimi të tillë, miku fliste me frymë optimiste dhe më shpenguar për zgjidhjen e çështjes në shqyrtim.

Nëse i servirej kafe e mesme, merrte mesazhe se çështja për të cilën ishte i interesuar kishte mbetur pezull, pra nuk mund të parashikohej ecuria e zgjidhjes së saj. Për të konfirmuar se kafeja e mesme, që nënkuptonte ngrirje të çështjes, miku gati me tone diplomatike shprehej: “Nuk di nëse ka pasur ose jo sheqer në anët tuaja”, “bora ka zënë rrugët e nuk ka ardhur sheqer nga shehri qysh kur nuk mbahet mend” etj. Në situata të tilla burrat e palës mikpritëse heshtnin.

Miku që kishte një mision në bisedë merrte mesazhin se duhej të ishte shumë i kujdesshëm në arsyetime, se duhej të përdorte me mençuri gjithë arsenalin e argumenteve, për ta lëvizur çështjen në kahun e zgjidhjes më të mirë.

Mikpritësit mund t’i servirnin mikut kafe pa sheqer. Në situata të tilla miku sillej në dy mënyra. Më rrallë e përforconte këtë fakt me shprehje disi diplomatike, si: “Ka qenë mot i keq dhe nuk kanë ardhur mallrat nga qyteti”, “bota ia ka zënë vendin sheqerit” etj.

Si rregull, mikpritësit heshtnin. Në shumicën e rasteve idhësia e kafesë nuk kishte nevojë për konfirmim. Heshtjes së mikpritësve miku i përgjigjej me heshtje, çka nënkuptonte se përgjigja negative për çështjen ishte e padiskutueshme.

Në rrethana të tilla shfaqej më qartë profili prej fermani ose dekreti mbretëror i mesazhit ngjizur nga idhtësia e kafesë. Prandaj miku nuk çelte fare bisedën, për të cilën ishte në rolin e ”nënpunësit” mik.

Përgjithësisht, miku ruante qetësinë shpirtërore ose, të paktën, paraqitej i tillë dhe niste biseda për çështje të tjera që kishin të bënin me ndikimet e motit në ecurinë e punëve të stinës në bujqësi, me mbarështrimin e blegtorisë e deri me problemet e luftës ruso-japoneze etj.

Në të shumtën e rasteve miku bënte kujdes që në biseda të tilla t’i largohej me zgjuarsi dhe sa më shumë çështjes për të cilën ishte i interesuar drejtpërdrejt.

Vlen të theksohet se përdorimi i idhtësisë së kafesë dhe i mjeteve të tjera simbolike për të përcjellë përgjigje negative, sidomos për çështje jetike që kishin të bënin me fatet e individëve, të familjeve ose të anëtarëve të bashkësive më të zgjuara, kishte rëndësi të veçantë në shumë”segmente” të shoqërisë tradicionale shqiptare, ndërkohë që fjala mohuese kishte peshë mjaft të rëndë, deri në nivelin e shpërfilljes ose të fyerjes për palën tjetër, pra jo vetëm për familjen e individin që prekte drejtpërdrejt hija e fjalës së keqe, por edhe për gjithë fisin e tij.

Gjithashtu, edhe shkalla e ëmbëlsisë ose e hidhësisë së kafesë që servirej në ceremoninë mortore në shumë krahina të Shqipërisë, shprehte simbolikisht shkallën e hidhërimit për të ndjerin, shprehte moshën e të ndjerit dhe mprehtësinë e shqetësimeve familjare, fisnore ose më gjerë që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.

Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.

Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.

Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.

Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike kompleke dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.

Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza.

Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?

Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, kraniës etj., pra ishte burrë i shquar.

Servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë. /Marrë nga “Lente të ndërveprimit simbolik” /Zyhdi Dervishi/ KultPlus.com

Kafe nё mёngjes, Krujë 1931.
Foto: Erich Andres

Po njohët rakinë, keni njohur Shqipërinë, ja çfarë shkruan gazetarja gjermane për traditat shqiptare

Foto-reporterja e njohur e “Der Spiegel”, Nele Gulck, i ka kushtuar një artikull vizitës së saj në disa prej fshatrave të Devollit. Gulck ka ndarë me lexuesit edhe disa kujtime të veçanta se si i ka njohur shqiptarët gjatë qëndrimit disa ditor, për të ndjekur nga afër jetën në zona të ndryshme.

Një nga veçoritë e përshkruara me kujdes në shkrimin e saj, është edhe prodhimi i rakisë së manaferrës, nga vjelja deri në zierje, ku ajo thotë se ky proces e ndihmon për të kuptuar kulturën e vendit.

Gazetarja gjermane ka zgjedhur të shoqërojë artikullin edhe me një sërë fotografish të shkrepura në fshatrat Menkulas (vendlindja e Dritëroit), Arrëzë, Sinicë dhe fshatra të tjerë të Devollit.

“Frutat më të ëmbla, kanë farat më të hidhura!”

Rakia është rrënjosur thellë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Kjo pije shërbehet me bollëk, kudo dhe në çdo moment të ditës. Ashtu si edhe pija, zierja e rakisë këtu ka një traditë të madhe dhe të veçantë.

Çdo vjeshtë, tymi ngrihet nga “rakickat”, ndonjëherë ndërtuar në mënyrë aventureske në oborrin e shtëpisë, plevica apo kasolle.

Zierja e rakisë kërkon kohë dhe ndjek ritmin e saj: Një miks frutash mes nxitimit kur kazani i bakrit mbushet me bërsi dhe tubat vulosen me brumë dhe lecka të lagura.

Pastaj përsëri: qetësi. Një proces që ju lejon të njihni kulturën e një vendi të tërë…”, shkruan Nele Gulck në reportazhin e saj./ KultPlus.com