E turpshme, Skënderbeu në Tiranë mbulohet për Kurban Bajram

Ceremonia e festës së Bajramit të Vogël është organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Besimtarët janë falur në orët e para të mëngjesit për herë të parë në sheshin e ri. Prej vitesh kryerja e riteve fetare të komunitetit mysliman ka qenë problem për besimtarët, pasi mungonin hapësirat e mjaftueshme.

Këtë herë besimtarët kanë pasur mundësi të jenë në sheshin kryesor të kryeqytetit. Por, siç transmeton Koha Jonë, ajo që ra në sy ka qenë mbulimi me pankarta i monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Një pankartë e madhe, e vendosur në një skelë disa metra të lartë,uronte besimtarët për Kurban Bajramin mbulonte gjithë fasadën e monumentit të heroit tonë kombëtar.

Ky mbulim i Heroit Kombëtar ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale. Duke respektuar të drejtën e gjithë besimeve fetare për të organizuar ceremoninë, qytetarët shprehen të indinjuar për mbulimin e një simboli kombëtar.

Pavarësisht besimeve fetare, Skënderbeu është i gjithëpranuar si heroi i gjithë kombit.

Pavarësisht besimeve fetare, Skënderbeu është i gjithëpranuar si heroi i gjithë kombit. Një gjest i tillë behet në kohën kur edhe qeveria e re e Kryeministrit Edi Rama, vitin 2018 e ka shpallur “Vitin e Skënderbeu”.

Interesant është fakti se teksa qeveria e vlerëson si figurë kombëtare, sot përballë një gjesti të tillë, ku simboli i shqiptarëve fshihet nuk ka asnjë reagim institucional.

Pa dashur të prekim asnjë ndjeshmëri në këtë ditë të shenjtë të myslimanëve, të gjithë kanë të drejtë të festojnë sipas besimeve fetare, por po ashtu të gjithë duhet të respektojnë simbolet kombëtare. Është jo vetëm çështje morale, por edhe detyrim ligjor. / KultPlus.com

Apolonia hynë në agjendën evropiane të turizmit

Qindra të huaj vizitojnë çdo ditë Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier. Gjatë muajve korrik dhe gusht në park janë regjistruar mbi 13 mijë turistë të huaj.

Numrin më të lartë e kanë shënuar turistët nga Gjermania, Austria, Zvicra, Franca dhe Polonia, të cilët ndajnë përshtypjet më të mira për vizitën në Shqipëri.

“Vijmë nga Gjeneva. Jemi me të vërtetë të habitur me Shqipërinë. Ka shumë monumente arkeologjike. Jemi të surprizuar, nuk e prisnim. Vizituam dhe Beratin, qytetin e “një mbi e një dritareve”. Çdo gjë që kemi parë me të vërtetë na ka surprizuar dhe shpresoj të rikthehemi. Jemi shumë të kënaqur dhe nga pritja që kemi gjetur kudo, ndaj kur të kthehemi në vendin tonë, do flasim për këtë e besoj së përshtypjet tona, do të bëjnë që të vijnë edhe më shumë turistë”, thotë një vizitor i huaj.

Marin Haxhimihali, drejtor i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, thotë për rtsh se shtimi i vizitave është një konfirmim se Aplonia sivjet ka hyrë në agjendën evropiane të vizitueshmërisë. Por ç’ka konsiderohet e rëndësishme në këtë moment për Parkun Arkeologjik të Apolonisë është rikthimi i ekspeditës kërkimore studimore franko-shqiptare. Sipas zotit Haxhimihali ekspedita po përdor metodat më të fundit të fotogrametrisë dhe atyre informatike në arkeologji në lidhje me Parkun Arkeologjik të Apolonisë.
“Finalja është plotësimi i muzeut me disa elementë që janë zbuluar nga ekspedita, por që nuk janë respektuar më parë”, tha ai.

Ekspedita francezo- shqiptare vepron në Apoloni që në vitin 1993 me ndërprerje e rikthime, ndërsa këtë herë do të bëjë të mundur ndërtimin për herë të parë të hartës digjitale të Parkut. Apolonia është ndër qytetet më të mëdhenj në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike. / KultPlus.com

Leonita Asllani, zyrtarisht pjesë e korit ‘Xung & Fun’ në Zvicër (FOTO)

Jeta Zymberi

Artistja e re nga Gjakova, Leonita Asllani e cila karrierën e saj si artiste jashtë trojeve shqiptare e filloi në Francë, atje ku fillimisht ajo shkoi për të marrë pjesë në një talent show ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë ka kontaktuar edhe me artistë francez të cilëve ju ka pëlqyer dhe kanë vendosur që talentin e saj ta prezantojnë para njerëzve të shtetit të tyre duke ja organizuar kështu një koncert sofistik, koncert ky i cili Leonitës i hapi dyer të reja, shkruan KultPlus.

Pas prezantimit të saj në këtë koncert, Leonita mirëpriti ftesa të tjera shumë të rëndësishme për karrierën e saj. Artistja kosovare është ftuar që të këndojë edhe për presidentin Doris Kirmess.

“Koncerti që e kam mbajtur në Francë mi hapi dyert edhe në Zvicër. Kam qenë e ftuar speciale në Zvicër që të këndoj për presidentin Doris Kirmess dhe ndjehem shumë e kënaqur që isha pjesëmarrëse në këtë ngjarje të rëndësishme atje, kjo ftesë erdhi si rezultat i vokalit tim dhe mos frikës në skenë”, është shprehur Leonita për KultPlus.

Përveç këngëve në gjuhë të huaja, Leonita ka treguar se asnjëherë nuk e ndanë as këngën shqipe në prezantimet e saj.

“Momentin që këndova shqip para presidentit, ai u ngrit në këmbë dhe më duartrokiti”, ka treguar e emocionuar ajo.

Por, jo vetëm kaq, pas këtij prezantimi, ajo u ftua të bëhet zyrtarisht pjesë e korit zviceran ‘Xung & Fun’.

“Ftesa për tu bërë pjesë e korit zviceran ‘Xung & Fun’ ishte nder për mua. Ky është një kor profesionist dhe drejtohet nga artistja më famë Manu Hartmann. Manu është ndarë shumë e kënaqur me mua dhe vokalin tim, poashtu ka thënë që do punojmë shumë gjatë bashkë. Nuk mund t’ju përshkruaj se sa e emocionuar jam dhe një ngjarje e tillë është diçka shumë e mirë”, ka treguar Leonita për KultPlus.

Ndërsa, më datë 21 tetor, Leonitën e pret edhe një koncert atje.

“Më datë 21 tetor do këndoj me korin, poashtu edhe disa pjesë si soliste. Pastaj më datë 28 tetor do kem koncert solistik në Zvicër”, ka treguar krejt për fund Leonita, e cila premton që do ta vazhdoj suksesshëm rrugën që ka nisur. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës, me premierë e monografi në 45 vjetorin e themelimit

Jeta Zymberi

45 vite punë, 45 vite të përballur me peripeci nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke ja dalë falë vullnetit të madh për të mbijetuar. Kjo është Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët këtë vit shënojnë 45 vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

E për të gjitha këto vështirësi, sfidat dhe mos realizimit të kushteve për ata që dëshirojnë të merren me balet, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj ka folur për KultPlus.

“Ky 45-vjetor nuk ka ardhur edhe lehtë, kemi pasur jashtëzakonisht shumë peripeci. Ne kemi jetuar në një kohë të vështirë. Baletin e kanë themeluar disa njerëz largpamës. Qysh në vitin 68, por sigurisht edhe më herët, ata janë organizuar ta shkollojnë një gjeneratë dhe të krijojnë trupën e baletit në Kosovë. Në vitin 1972 e kemi filluar punën dhe menjëherë pas kësaj, drejtori i baletit të asaj kohe, Azem Shkreli, e ka bërë kërkesën për hapjen e Shkollës së Baletit në Kosovë, por një gjë e tillë nuk u lejua nga shteti jugosllav. Ka pasur shumë peripeci deri kemi arritur të formohemi si institucion. Në vitin 2000 kemi bërë kërkesë dhe kështu na është lejuar që ta hapim degën e baletit në Prishtinë”, ka thënë fillimisht drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj për KultPlus. Ai tutje ka treguar që problemet ende nuk kanë përfunduar për ta.

“Ne ende nuk e kemi një objekt shkollorë ku do të zhvillohej kjo degë. Kërkesa për ndërtimin e objektit ka kohë që është bërë dhe po presim që këtë vit, në këtë 45 vjetor të bëhet diçka në këtë aspekt”, është shprehur tutje Ahmeti.

Por, përkundër sfidave, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka vazhduar të punoj fuqishëm duke sjellë kështu shfaqje nga më të bukurat e ku nuk kanë munguar edhe bashkëpunimet me koreografë të huaj.
Por, në këtë 45-vjetor, gjithçka do të frymojë shqip. Ashtu si shfaqja që është përgatitur të vijë premierë në këtë përvjetor.

“Një legjendë për dashurinë” do të shpalos për publikun prishtinas një histori dashurie. Një çift që dashurohen por hasin në vështirësi, duke u përballur kështu me tradhti, xhelozi por në fund duke triumfuar dashuria. Përmes lojës së Trupës së Baletit të Kosovës, kjo shfaqje sjellë mesazhin e fshehur i cili shpaloset krejt në fund. Shfaqja ka të bëjë me lindjen e kombit shqiptar, vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar, dhe ekzistenca e tij që tash e sa shekuj.

Gjithë kjo histori e cila do të shpaloset në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më datë 21 shtator, vjen nën koreografinë e Pullumb Agalliut, i cili nuk është zgjedhur rastësisht për këtë premierë, por kjo ka ardhur falë bashkëpunimeve të mëparshme të Agalliut me Trupën e Baletit dhe njohjeve të tij.

“Kjo është premiera e katërt që do ta japim për këtë vit. Shfaqja i është besuar koreografit Pullumb Agalliut. Pullumbi është një koreograf me vlera të mëdha dhe e njeh jashtëzakonisht mirë baletin klasik por edhe vlerat tona kombëtare. Tema e shfaqjes është e jona, muzika poashtu e kompozitorëve tanë dhe ngjarja është e jona. Jemi përpjekur që me një shfaqje tonën kombëtare, me motivet tona, të prezantohemi në këtë 45-vjetor”, ka treguar rreth idesë së shfaqjes Ahmeti.

Por jo gjithçka do të përfundojë me prezantimin e shfaqjes. Mbrëmja e 21 shtatorit do të sjellë para të pranishmëve edhe një monografi. Përgatitja e monografisë që i dedikohet tërësisht historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës që nga fillimet e tij, vitit 1968 e deri më sot, i është besuar regjisorit Naser Shatrolli. Për këtë monografi janë mbledhur detaje të shumta, duke përfshirë këtu njerëzit që kanë punuar dhe kanë bashkëpunuar me baletin e Kosovës, për koreografët që kanë përgatitur shfaqjet e baletit, për balerinët e rinj, për festivalet e gjithçka tjetër. Monografia tashmë gjendet në shtyp dhe shumë shpejt pritet të jetë gati.

“Sa i përket Monografisë, nga ajo që kam vërejtur deri më tani, Naseri ka bërë një punë të shkëlqyer. Monografia do të quhet “Këmbët”. Naseri ka disa shprehje të veçanta dhe artistike dhe pikërisht kjo është arsyeja pse e kemi përzgjedhur për ta përgatitur këtë monografi, kemi dashur të jetë më artistike e jo e mbushur vetëm me data”, ka treguar tutje Ahmeti.

Sipas Ahmetit për këtë mbrëmje gala që është përgatitur për 45 vjetorin e themelimit të Trupës së Baletit, do të ketë shumë të ftuar, deri tani kanë njoftuar për ardhjen e tyre shumë njerëz nga Amerika, Azia e të gjitha vendet e Evropës.

Data 21 shtator do ta gjejë Tetarin Kombëtar të Kosovës me një organizim të mrekullueshëm dhe një shfaqje të veçantë përgatitur nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Swift, për tre ditë 100 milionë klikime (VIDEO)

Taylor Swift ka bërë një rikthim të fuqishëm në skenë me publikimin e këngës dhe videoklipit të titulluar “Look what you made me do” (Shiko se çfarë më detyrove të bëj).

Ky projekt muzikor premierën e kishte gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në VMA, që u mbajt para pak ditësh në SHBA. Por, e veçanta e kësaj kënge është se për vetëm 3 ditë, në Youtube ka grumbulluar mbi 100 milionë klikime.

Këtë këngë edhe më interesante e ka bërë videoklipi, ku thuhet se ka të fshehura disa mesazhe, si ai për Kanye West, Kim Kardashian, Katy Perry, ish të dashurin Calvin Harris, etj. / KultPlus.com

Nuk ka festë sot

Poezi e shkruar nga Entela Tabaku Sorman.

nuk ka festë sot
nuk ka flijim që e fal gjakun e grues
nuk ka gjak që e lan humbjen e nanës
nuk ka humbje që e tregon jetën e dhunueme
ka vetëm zi
zi sot
lëshojeni dheun t’i mbulojnë rrugët
nuk paska asfalt që e shtron
mjerimin tonë
lëshojeni Drinin të na përmbytin
nuk paska digë që e përmban
mjerimin tonë
nuk ka festë sot
vdekja shkon veshë me fustan
të qëndisun me dorë

Foto të rralla: Tirana në vitin 1921

Foto të Tiranës në vite të ndryshme para luftës.

Një gazetar zviceran që vizitoi Tiranën në vjeshtën e vitit 1921, u largua me përshtypjet më të mira nga ajo që pa dhe dëgjoi. Ai shkruan kështu në gazetën “Journal de Genève” të 14 nëntorit 1921:

“Në këtë kryeqytet politik u desh të improvizohej e gjithë administrata, sepse nuk mund të pritej për të ngritur ndërtesa të mëdha qeveritare. Me një ndjenjë demokratike vërtet për t’u lavdëruar, autoritetet i përdorën me nikoqirllëk mjetet tepër të pakta që kishte qyteti. Një shtëpi e vetme (sot Teatri i Kukullave) u bë selia e parlamentit dhe e shumicës së ministrive. Të tjerat u shpërndanë nëpër qytet.”

“Me një thjeshtësi që i ka lezet, tamam siç është zakon edhe në Zvicër, ministri të pret në një dhomë ku muret janë të lyera me gëlqere dhe ku shikon pak gjëra: një tryezë pune, disa karrige e ndonjë divan. Të nxjerr një cigare dhe biseda rrjedh lirshëm. Të krijon një ndjenjë besimi, së cilës ne ia dimë mjaft vlerën.”

“Krah për krah, me veshje të ngjashme, myslimanët dhe të krishterët mendojnë për të ardhmen e vendit me të njëjtin shpirt shqiptari. Çfarë qetësie në qytet! Çfarë dinjiteti nëpër rrugë dhe në dyqane! Nuk shikon asnjë të dehur, askënd që t’i merren këmbët nga pija. Asnjë e bërtitur, asnjë gjest i papërmbajtur. Sjellja fisnike që i bën përshtypje çdo vizitori në një vend mysliman, këtu është e pranishme kudo.”
Marrë nga Ilir Ikonomi


Projekti i Kanioneve të Nivicës, publikim edhe në Kinë

Projekti për një model të ri të turizmit të qëndrueshëm në zonat rurale ka marrë jehonë jo pak. Mediat shqiptare dhe ato të huaja po vijojnë publikimin për Nivicën.

Së fundmi edhe në Kinë është shkruar për këtë projekt pilot. Kjo bëhet me dije nga vetë drejtori i AKB Auron Tare, i cili ka postuar në Facebook materialin e publikuar nga www.jiemian.comnë Kinë. Sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit u zgjodhën kanionet e Nivicës për një model të shtrirjes së turizmit nga zonat bregdetare në ato malore.

“Zgjodhëm kanionet e Nivicës si një zonë totalisht e panjohur, e paprekur, e cila është një ilustrim shumë i mirë i këtij koncepti që ne po krijojmë. Po krijojmë për herë të parë në Shqipëri, një model të tillë të shtrirjes së turizmit nga zona bregdetare në zonat malore”, ka pohuar Auron Tare.

Më herët ishte “The Associated Press” e më pas duke iu referuar kësaj edhe “Washington Post” që botuan një shkrim kushtuar fshatit Nivicë në Tepelenë. “Projekti që synon të tërheqë turistë në fshatrat e thella të Shqipërisë”, është titulli i shkrimit të gazetares Elena Becatoros. Por që nga koha kur u publikua ky shkrim media të huaja i kanë dhënë shumë rëndësi këtij projekti duke e pasqyruar gjerësisht. / KultPlus.com