Për kë shkruajmë?

Ali Podrimja (Kumtesë e lexuar në Simpoziumin ndërkombëtar “Shkrimtarët dhe nacionalizmi”, mbajtur në Vjenë më 30 dhe 31 janar 93. Botuar, po ashtu, në librin “Zwischen Feder und Fahne”, Picus, Vjenë 1993)

Iracionalja

Në një qytet të Bavarisë, rastësisht më ra në dorë një gazetë e Zagrebit. Duke e shfletuar, hasë një tekst të mikut tim Mirko Kovaç. Me kënaqësi fillova ta lexoj. Vazhdimi ishte dramatik. Plotë gërçe. Ajo që e thoshte shkrimtari i nderuar serb, nuk dëshiroja të ishte e vërtetë. Ishte diçka monstruoze. Diku në Bosnje, në qytetin Foça, kryesisht i banuar me myslimanë, jeta kishte marrë tatëpjetën. Iracionalja mbisundonte arsyen. E kuptoja revoltën e mikut tim. Por nuk mund ta merrja me mend se njeriu ishte shndërruar në një gjësend pa vlerë; se në mbarim të shekullit XX urrejtja ndërnacionale ishte thjesht instinkt dhe Evropa spektatore në një teatër të absurdit. Sipas shkrimtarit të nderuar, një farë Vojisllav Maksimoviq, profesor serb i Universitetit të Sarajevës, rrugëve të përgjakura të Foçës qenka parë duke luajtur futboll me koka të myslimanëve të masakruar.
Nga ato viktima disa, ndoshta, kanë mundur të jenë edhe studentë të tij, të cilët atje buzë Milackës piktoreske, kanë përcjellë ligjëratat e tij mbi të bukurën në art. Por Vojisllavi kishte harruar se ishte profesor i Universiteti, që merrej herë pas here edhe me mjeshtërinë e shkrimit. Ai ishte shndërruar në një fantom dhe me gradën e majorit ushtarak kishte marrë pjesë në vrasje të shumta dhe pastrime etnike. Rrënimi i Vukovarit, i Mostarit, i Dubrovnikut, i Sarajevës dhe i shumë fshatrave e qyteteve të tjera më pak të njohura flitnin bindshëm se nuk ishte fjala për psikoetikën e individit. Paranoja, pra, nga dita më ditë zbulonte fytyrën e vet të shëmtuar jo vetëm në shkrime bulevardeske, por edhe në etnosin, ideologjinë dhe filozofinë e një populli që i afrohej katastrofës. Në krye të asaj të keqeje qëndronin shkrimtarë, gjysmëshkrimtarë, intelektualë, kuaziintelektualë, politikanë të dyshimtë e kriminelë në zë, që i gjurmonte policia ndërkombëtare. Me programe nacionaliste dhe elaborate fashistoide mbusheshin bibliotekat, ose krijoheshin të reja, – sipas skenarëve.

Eklipsi

E kë nuk e shqetëson kjo? Në vetëdijen e krijuesit kishte ndodhur një eklips i tmerrshëm, humaniteti as dinjiteti nuk ekzistonte më. Sipas kokave nacionaliste një “popull qiellor” nuk mund të gabojë. Atij i lejohet çdo gjë. Edhe krimi. Toka serbe shpalleshin brenda nate edhe ato vende ku një qorr apo topall i sojit të tyre kishte kaluar ndonjëherë. Ose, ekspeditat ndëshkuese shpejtonin të shlyenin çdo gjurmë nga trashëgimia kulturore e identitetit të të tjerëve në trojet e pushtuara me dhunë. Nga një filozofi primitive nuk mund të lindte diçka njerëzore, pos një krijesë kiç, pikëlluese, pa vlerë – me një mjerim të thellë shpirtëror. Sepse, dihet, nacionalizmi është kiç. Kështu thoshte dhe Danilo Kishi. Por mu nacionalizmi na u bë ushqim kryesor për mediokër, që shtoheshin rreth tryezës nacionale. Ata krijues të paktë, të cilët kishin guxim intelektuali t’i kundërvihen kësaj paranoje kolektive, shpalleshin tradhtarë të interesave kombëtare; botuesit ua mbyllnin dyert, ose detyroheshin ta marrin udhën e ekzilit. Guximi i Mirko Kovaçit ma kujtonte fatin edhe të një poeti serb i cili, duke parë në ekranin TV se ç’po ndodhte me fëmijët shqiptarë, në demonstrata paqësore dhe masakra të policisë serbe kishte qarë për shkak të turpit dhe mjerimit të popullit të vet. Dorë pas dore, pas sa ditësh, më kishte arritur një poezi e tij për fëmijët, që kishin rënë nga breshëri i plumbave dumdum. E kishte shkruar atë natë të kobshme. “Ti mund ta botosh. Unë do të të jem mirënjohës tërë jetën se më ndihmon ta pështyj në fytyrë nacionalizmin e popullit tim”, kaq më kishte thënë në telefon, por edhe në një letër që kisha marrë pas një gjysmë viti udhe. Poeti që e thoshte këtë, e kishte kundërshtuar regjimin totalitar një gjysmë jete dhe poezia për fëmijët shqiptarë, as mllefi i tij nuk ishte një gjest. Ai besonte në vlerën dhe lirinë e njeriut, para se gjithash, ai mbronte etikën e shkrimtarit në një kohë të ligë kur euforia nacionaliste u bë metaforë e së keqës, eklips, më e fortë se fjala e tij prej humanisti.

Në mes nacionalizmit e kombëtares: udha e krimeve

Devavlimin shpirtëror të krijuesit, që e mundonte jo vetëm Mirko Kovaçin, e theksonte edhe më rëndë disidenti dhe bardi malazias, Jevrem Bërkoviq, në një tubim ndërkombëtar të shkrimtarëve të mbajtur në Bled. Por tmerri e agresiviteti i një diktature nacionaliste-staliniste ishte diçka e rëndomtë për ne shqiptarët. Vrasjet e eksodet, ndjekjet dhe tmerrin e bardhë ne e kishim përjetuar me dhjetra herë gjatë historisë sonë mijëvjeçare. Nëse Evropës nuk i kujtohet tragjedia e Çamërisë, pastaj ajo e Toplicës; nëse Evropa u mbyll në hipokriziminë e vet edhe pas vrasjeve e eksodeve të mëdha të viteve ’50, ’60, ’80 dhe ’90, duke konstatuar vetëm se atje në Ballkan po ndodh diçka e tmerrshme, kujtesa jonë nuk mund t’i shlyejë vajet e britmat mbi të vrarët e fëmijët e masakruar. Mjafton ta lexoni librin “Luftëtarat e Toplicës” të Dimitrije Petroviqit e të bindeni nëpër çfarë golgote kaloi populli shqiptar, të shikoni deri ku ishin trojet e tij, apo të shfletoni dokumentet e fshehta të ortodoksizmit ekstrem në relacion Beograd – Athinë… T’i kthehemi më mirë të tashmes, që na është bërë shqetësimi ynë i përbashkët. Para katër vjetësh në Beograd u mbajt takimi i parë dhe i fundit i shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë. Midis fqinjëve shekullorë kërkoheshin shtigje për një mirëkuptim e dinjitet. Por ç’ndodhi? Shkrimtarët serbë, në vend që të përkrahnin kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve rreth thellimit të bashkëjetesës në këtë pjesë të Ballkanit të shqetësuar, ata i shpallën luftë, dhe për çudi, nxitonin këtë ta bënin para Sheshelit, Arkanit, policisë dhe ushtrisë serbe. Gjeniun krijues të popullit serb nuk dua ta fyej, por atë nuk mund ta shoh si kreator të një ideologjie nacionaliste e antihumane. Emrat që i përmendte Bërkoviq në tekstin e vet fatkeqësisht i njihja. Ata ishin shkrimtarë të cilët zjarri i brendshëm demonian i kishte mundur. Tashti ata gjendeshin në krye të ekspeditave të vdekjes, në krye të pastrimeve etnike. Udha e krimeve është përgatitur me vite, në kontinuitet: nga poetika e viktimës si popull i shtypur, i persekutuar, i keqtrajtuar dhe i vrarë nga të tjerët deri te mistifikimi i një patosi e folklorike të çoroditur. Nëse një novelist, siç ishte Ivo Andriq, ose një akademik, siç ishte Vasa Çubriloviq, njëri nga atentatorët e Sarajevës të vitit 1914, pas të cilit shpërtheu Lufta e Parë Botërore – patën guxim që, sy e faqe Evropës, të shkruanin elaboratet fashistoide të viteve 1937, ’39 në stilin e Gebelsit për zhdukjen e qenies kombëtare të popullit dhe të shtetit shqiptar nga faqja e dheut, pse të mos vepronin kështu pasardhësit e tyre mediokër që për virtyt e pranojnë rrenën dhe filozofinë e tyre nacionale e ngrisin mbi të. Apo, siç thotë kryearkitekti i ideologjisë nacionaliste serbe, Dobrica Qosiq: “Rrejmë në mënyrë kreative… të paramenduar!”. E kjo nuk bëhet për shkak të ekzistencës, siç mendon Qosiq, por për të fshehur dhunën, krimet dhe frikën e fajësisë. Ndërkaq, për një popull dinjitoz, civilizues – vrasjet, rrënimet e plaçkitjet nuk janë cilësi krenuese. Shkaktar për një rënie kaq të madhe, para se gjithash, është euforia nacionaliste e cila ka krah të fortë pseudoshkencën dhe propagandën e saj shoviniste e cila, brenda e jashtë trevës gjuhësore sllave bën çmos ta mohojë autoktoninë e të tjerëve, pra edhe të shqiptarëve. E kjo të shtyn të besosh se popullin serb ka zënë ta kaplojë ndjenja e inferioritetit ndaj vlerave e të vërtetave të tjerëve. Bota e ka të qartë se kush nga ka ardhur, po ashtu për popull autokton askund në botë nuk mund të shpallën ardhacakët. E vërteta për shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe popull autokton në etninë e tyre, nga dita më ditë vjen e forcohet me dëshmi e vepra jo vetëm të shkencës shqiptare. Pjesëmarrjen e shkrimtarëve në euforinë nacionaliste, e kuptoj edhe si një fatkeqësi për artin e lirinë e njeriut. Nëpër veprat e shkrimtarëve, që i përmendte Bërkoviq me një shqetësim të thellë, nëpër fjalët e simbolet e tyre bridhte e keqja, e akumuluar me vjet dhe e mbështjellë me një gjak të zi. Ishin ato imazhe të errëta e përmbajtje të vdekura. Në to dorë e artistit më së pakti hetohej. Theksimi i tepërt e arrogant i krenarisë dhe i ndjenjës nacionale kishte arritur të zhdukë çdo dallim të mundshëm në mes nacionalizmit dhe kombëtares.

Miti mbi Kosovën

Duke lexuar librin “Mbretëria e Osmanlinjve” të turkologut të mirënjohur austriak Joseph von Hamerit, nga kapitulli në kapitull, zbuloja mistifikime të mëdha në shumë vepra që i kisha lexuar më parë, në vërtetësinë dhe vlerat e të cilave kisha dyshuar. Koha e humbur më dhimbsej dhe më mundonte mjerimi shpirtëror i autorëve që kishin helmuar breza lexuesish e përçarë popuj. Me këtë rast duhet zënë ngojë, para se gjithash Mitin për Kosovën (Dardaninë), shfaqjen e tij, që ishte ngritur mbi gërmadhat shpirtërore e për të cilin bëhet fjalë aq shumë në historiografinë dhe letërsinë e dy fqinjve shekullorë – serbëve dhe shqiptarëve. Përderisa serbët Betejën e Kosovës e pranojnë vetëm si luftë të drejtë të tyre, shqiptarët e konsiderojnë si luftë të koalicionit ku ballkanasit për herë të parë i kishte bashkuar një e keqe e madhe. Derisa serbët Mitin e Kosovës e ngritin si çështje ekzistenciale të serbizimit dhe me zjarmi duan të dëshmojnë autoktoninë në një tokë të huaj, shqiptarët nuk vuajnë nga ky kompleks; përmes Mitit të Kosovës ata përkujtojnë sa herë i kanoset Ballkanit ndonjë fatkeqësi, popujt e këtij rajoni i kanë harruar hasmëritë. Pra, Miti i Kosovës tek shqiptarët shpie nga mirëkuptimi, bashkëjetesa e paqja. Për qëllime hegjemoniste këtë nuk e pranon pala serbe. “Mbretëria e Osmanlijve”, një çelës i artë, ma hapte derën e rëndë të vilajetit të errët dhe më nxiste të rilexojë shumë vepra, që i kisha hedhur në një qoshk të bibliotekës familjare. Mallkoja shumëçka. Krijuesit ballkanas kishin lëshuar një shans jetik. Përmes Mitit të Kosovës ta madhëronin dhe ta forconin bashkëjetesën në rajon. Këtë, si duket, bëri përpjekje ta korrigjojë shkrimtari me famë botërore, Ismail Kadare; duke iu qasur të kaluarës me një sensibilitet të ri e vërtetësi historie dhe duke respektuar e çmuar edhe përpjekjet e të tjerëve në shtegtimin nga drita e largët e vilajetit të errët. Kështu kishte vepruar edhe historiani i nderuar austriak Joseph von Hamer, i cili njëzet vjet kishte kaluar nëpër arkivat e osmanlinjve, për të kërkuar të vërtetën për atë se ç’kishte ndodhur në Ballkan në kohë të shkuara. Sepse nuk ka gjë më të tmerrshme se kur krijuesi rren lexuesin. Mistifikimi është shkalla e parë e nacionalizmit, ndoshta edhe më e pasigurta.

Bizariteti. Qetësia falso e Evropës

Përkundër përpjekjeve të krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë për të vënë një dialog paqësor me palën serbe, gjenocidi kulturor e fizik në hapësirën shqiptare brenda Jugosllavisë së mbeturinave vazhdon të marrë përmasa katastrofike edhe për vetë rajonin. Se deri ku ka arritur paranoja dhe radikalizmi i një politike mesjetare serbe, e ilustron mjaft mirë një barcoletë e cila ka kohë që qarkullon: Ç’bën serbi kur nuk ka para? Shkon në Kosovë, vret ndonjë shqiptar dhe pret Sheshelin t’ia dërgoj 50 markat gjermane të marra nga shqiptari i vrarë! Kjo e vërtetë e hidhur, më tepër tragjike për vetë politikën shtetërore serbe, ta kujton edhe një këshillë bizare të kohës së Pashiqit: Të lindni fëmijë sa vritni shqiptarë! Unë nuk kam kurrfarë komenti për këtë marrëzi njerëzore. Dhuna e krimi u zhvilluan në kontinuitet, në mënyrë të paramenduar. Siç thashë diku më lartë, shkaktarë të një gjendjeje të tensionuar jo vetëm në hapësirën shqiptare, para së gjithash, janë pjesa dërrmuese e shkrimtarëve serbë, të cilët me energjinë e tyre krijuese ushqyen dhunën. Kjo është e tmerrshme, posaçërisht në momentin e pikërishëm kur qetësia e Evropës është një qetësi falso. Ta duash popullin dhe kulturën tënde është gjë e shenjtë. Nuk jam as kundër atyre që bëjnë programe nacionale dhe merren me historicizëm. Jam kundër atyre që rrënojnë qetësinë e të tjerëve. Populli im nuk e pranon dhunën si mjet për zgjidhjen e konflikteve jo vetëm në rajonin tonë të shqetësuar. Fqinjtë e mi shekullorë, po qe se i urrej, para etikës së popullit tim do të turpërohesha. Brengos fati i popullit serb, nëse vazhdon të identifikohet me një ideologji neofashiste. E ardhmja e tij mund të jetë më e zymtë. Shtrohet pyetja: A mund t’i ikim një katastrofe të mundshme dhe të na kthehet paqja në trojet tona? Besoj se po. Vetëm kokat e fjalët tona t’i shkundim nga demonët. Atdheu ynë i vetëm e më i sigurt mbetet Njeriu.

Aktorja shqiptare zhduket pa gjurmë në Los Angeles

Një aktore e re shqiptare është zhdukur pa gjurmë në Los Angeles dhe policia e këtij qyteti ka kërkuar ndihmë për gjetjen e saj.

Adea Shabani nuk është lajmëruar që prej të premtes së javës së kaluar. Familja dhe miqtë e saj kanë thënë se kjo gjë është e pazakontë për 25-vjeçaren.

Miqtë kanë thënë për ABC7 se shqiptarja nga Maqedonia kishte lënë derën e banesës të hapur, sikur e kishte ndërmend të kthehej pas pak.

Për 25-vjeçaren që tash e dy vjet është në Los Angeles për studime në aktrim, kishin filluar të dyshonin për zhdukje në momentin kur mungoi në një ligjëratë të rëndësishme në “Stella Adler Academy of Acting” dhe kur ajo nuk postoi asgjë nëpër rrjetet sociale.

Mesazhin e fundit që e kishte shkruar Shabani ishte për disa qirinj të kuq, por nuk kishte dhënë ndonjë detaj për vendndodhjen e saj, kanë thënë të afërmit e saj.

Shoqëria ka filluar të shpërndajë njoftime për shqiptaren e zhdukur, për të cilën LAPD ka thënë se për herë të fundit është parë në 1700 block of Wilcox Avenue në Hollywood më 23 shkurt rreth orës 11.

“Trajtojeni sikur të ishte pjesë e familjes tuaj, sikur pjesë të shoqërisë tuaj sepse më besoni, nëse e njoftoni këtë vajzë, ajo do të ishte mike e mirë për këdo që e njeh atë”, ka thënë Lisjen Jovanovski.

“Nuk më kthente mesazhet. Mungonte, prandaj jam shqetësuar”, ka thënë miku i saj Antonio Escovar.

“Kjo nuk është zakon i saj. Nuk është ajo. Diçka ka ndodhur me të dhe nuk e dimë ku është. Është e tmerrshme, shpresojmë se është gjallë”, ka thënë Emma Joe, shoqe e Shabanit.

Nëna e Adeas ka angazhuar një hetues privat për të kërkuar vajzën dhe ka udhëtuar nga Maqedonia. / KultPlus.com

Shqiptarët nga Kosova, të vendosur në Sinop, Adapazar e Stamboll

Shqiptarët e shpërngulur në vitin 1921 nga fshati Truçec i Podujevës së Kosovës në foto në vitin 1925 para Prefekturës në Ayancık të Sinop’it (690 kilometra larg Stambollit).

Këta me tren kanë ardhur deri në Stamboll pastaj me anije nga Stambolli kanë shkuar në Sinop dhe janë vendosur në fshatin Gaziler të qytezës Ayancık.

Vëllezërit Fetahu, Sinani, Hasani me gratë e me fëmijët e tyre dhe gruaja (nga fshati Obrançë) e të ndjerit Hyseni-vëllai tjetër (i cili ka vdekur në Kosovë) fëmijët e tyre vijnë në Sinop.

Pas qëndrimit rreth një muaj në një fushë në Sinop vendosen në fshatin Gaziler Türkeli-Ayancık.

Në atë kohë në fshat kishte edhe familje tjera shqiptare.

Disa nga këto familje më vonë shpërngulen në Adapazar, Konya dhe në Stamboll. Tani në fshat është duke jetuar Şerif Horozi.

Në foto gjendet edhe Şerif Doçi (babai i Cem Güçit)

Burimi: Kamil Bitiş

Dashuria e munguar

Poezi e shkruar nga Kastriot Berisha.

Brigjeve shtigjeve nëpër erë
Fillikat e kam kërkuar
Ngrirë në dimër pjekur n’verë
Dashurinë e munguar

Kam kërkuar nëpër det
Dallgësh vetëm e pa njeri
Thyer tretur nëpër botë
Të munguarën dashuri

E kam gjetur ndër vegime
Dhe në shpirtëra trazuar
E n’furtuna t’jetës sime
Dashurinë e munguar

Dashuria po më fliste
Ndër stuhi të mendjes sime
Erë e valë trupin griste
Griste dhembje e rënkime

Brigjeve shtigjeve nëpër erë
Fillikat e kam kërkuar
Ngrirë në dimër pjekur n’verë
Dashurinë e munguar

Prizreni, kryeqendra e projektit ‘Muzika: Një urë në mes popujve’

Në kuadër të projektit “Muzika: Një urë në mes popujve”, është realizuar një dokumentar i cili sjellë së bashku mbi 100 muzikantë të rinj nga 10 vende të ndryshme nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, shkruan KultPlus.

Qyteti i Prizrenit shndërrohet në kryeqendër kulturore përgjatë kohëzgjatjes së projektit “Muzika: Një urë në mes popujve”, me nikoqir shkollën më të vjetër të muzikës në Kosovë – ShMM “Lorenc Antoni”.

Përveç organizimit të Master Kurseve, projekti parasheh organizimin e një sërë koncerteve të përbashkëta të nxënësve pjesëmarrës si dhe koncerte të performuara nga profesorët nga Italia.

Merita Koqi, koordinatore e projektit “Muzika: Një urë në mes popujve” ka treguar për KultPlus se këto koncerte, të cilat janë edhe pjesë e dokumentarit janë realizuar në qytete të ndryshme të Kosovës.

“Në ditën e fundit të fazës së parë të projektit organizohet audicioni, ku përzgjidhen nxënësit më të mirë për të vazhduar në fazën e dytë të projektit në Itali. Nxënësit e përzgjedhur për të marrë pjesë në Itali kanë mundësi të ndjekin Master Kurse të një niveli më të avancuar për instrumentet e tyre, të formojnë një orkestër muzikantësh të rinj nga gjithë këto 10 vende, të performojnë në koncerte të ndryshme me bashkëmoshatarët e tyre si dhe të përgatiten për Festivalin e muzikantëve të Rinj të Mesdheut”, ka sqaruar ajo tutje.

Kurse këtë vit e gjithë kjo përvojë e nxënësve të përfshirë në këtë projekt është përmbledhur në një dokumentar të shkurtër që është përgatitur nga një ekip profesionistësh italianë, të cilët e kanë ndjekur këtë projekt ndër vite, premiera e të cilit do të shfaqet më 30 mars në kinon Lumbardhi në Prizren.

Projekti “Muzika: Një urë në mes popujve” ka filluar qysh nga viti 2013, ku organizata italiane IPSIA ka mundësuar organizimin e Master Kurseve në instrumente të ndryshme muzikore, të udhëhequra nga profesorë italianë, si dhe koncerte të përbashkëta.

Duke parë nevojën e nxënësve kosovar për mësimin e teknikave më të reja, performimin si dhe shkëmbimin e përvojave evropiane, organizata në fjalë ka mundësuar edhe binjakëzimin e shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, nga qyteti i Prizrenit me Institutin Muzikor “Angelo Masini”, nga qyteti i Forlisë, Itali.

Në vitin 2014, OJQ IPSIA, ka marrë iniciativë që të zgjerojë këtë mundësi duke i përfshirë edhe nxënësit e shkollave të tjera të cilët vijnë nga e tërë Kosova, duke përfshirë edhe shkollën e muzikës “Stevan Hristić” nga fshati Stanishor, në komunën e Artanës (Novobërdës).

“Viteve të kaluara ky rrjet i shkollave të muzikës është zgjeruar duke përfshirë shkollat nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse në këtë projekt, shkollat e muzikës nga regjioni i Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri si dhe shkollat nga shtetet e Bashkimit Evropian: Itali, Rumani, Slloveni dhe Spanjë”, tregoi Koqi. / KultPlus.com

Lidhja e Tretë e Prizrenit, organizata të cilën Jugosllavia e shpalli terroriste

Kjo foto u shkrep në vitin 1966 në New York, në sallën e madhe të Hotelit Hilton.

Këta burra e gra shqiptarë mbajtën kuvendin themeltar të Lidhjes së Tretë të Prizrenit, e cila nga Jugosllavia u shpall organizatë terroriste.

Destan Berisha, nga Billusha e Prizrenit, i ulur në fund të sallës, si njëri nga themeluesit, u dënua me disa vite burg tri vite më vonë në Prizren nga një gjykim i shpejt i udhëhequr prej UDB-së.

Mes dëshmive kundër tij, u përdor edhe kjo foto të cilën arrita ta zbuloj në arkivin e Lidhjes!

BASHMIR XHEMAJ

Artan Balaj ekspozoi vizatimet e tij në Galerinë ‘Kult’ në Gostivar

Piktori kosovar që jeton dhe vepron në Antwerp të Belgjikës, Artan Balaj, mbrëmë para publikut gostivaras u prezantua me 33 vizatime artistike.

Galeria private e fotografit të njohur artistik Osman Demiri , ishte vendi që tuboi artistët dhe studentët e artit figurativ, por edhe artdashës të shumtë nga Gostivari.

“Falënderoj piktorin Artan Balaj që na nderoi me këtë ekspozitë, me të cilën shënohet edhe fillimi i aktiviteteve të sivjetme të Galerisë Kult. Më gëzon fakti që sonte, edhe krahas motit kaq të çuditshëm, ju keni ardhur në një numër kaq të madh, e sidomos është kënaqësi që sonte kemi edhe kaq shumë studentë të artit figurativ, madje edhe të nacionaliteteve tjera”, theksoi në fjalën e rastit Osman Demiri.

Mbi veprat e Balajt foli profesori i artit figurativ në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, Safet Spahiu, i cili mes tjerash theksoi:

“Një pesë të këtyre veprave Artani i ka vizatuar në gjendje imobile, respektivisht i shtrirë në spital si i palëvizshëm, ndërsa pjesën tjetër e ka punuar duke pirë kafe dhe dallimi ndërmjet tyre mund lehtë të vërehet. Ato vepra që i ka punuar në spital janë më precize në aspektin teknik, ndërsa tek ato që i ka punuar duke pirë kafe, dominon një kolorit më i madh. Artanin do ta quaja Vasarely i kohës sonë, por në një formë ndryshe, në një formë të re, me një freski e cila ndoshta është edhe e inspiruar nga piktori hungarez Victor Vasarely. Punimet e tija, jo vetëm që janë artistike, por në vete përmbajnë edhe teknikë ë shkëlqyer”.

Artan Balaj ka lindur në vitin 1977 dhe Prishtinë. Jeton dhe punon në Antwerp, Bruksel/Belgjikë. Ka diplomuar dhe magjistruar në pikturë në Fakultetin e Arteve – Universiteti i Prishtinës. Ka realizuar 9 ekspozita personale në Belgjikë, Holandë, Itali, Meksikë, Poloni, Rumani dhe Kosovë. / KultPlus.com

Mos u hiq si i pagabueshëm, si gjithë të vdekshmit edhe ti gabon

Çapajev Gjokutaj

Mos u hiq si i pagabueshëm. Si gjithë të vdekshmit edhe ti gabon.

Të këmbëngulësh në tënden nuk është burrëri. Forcë dhe burrëri dëshmon kur pranon hapur gabimin dhe ul kokën.

Natyrisht, që të pranosh se ke gabuar, t’i japësh të drejtë tjetrit sy më sy, duhet të kesh një minimum besimi tek vetja.

Kur këmbëngul që të dalë jotja dhe vetëm jotja, dëshmon pasiguri e frikë. Ti bën të fortin, por tjetri sheh veç një mjeran e frikacak.

Mundohu që ta përjetosh bisedën, jo si garë diturie e mënçurie, por si kënaqësi komunikimi, si shkëmbim opinionesh dhe ndjenjash. Sidomos ndjenjash😌

Puna, kariera, tregu fusin në jetën tonë shumë më tepër garë e konkurrencë se sa mund të përballojmë. Pse duhet ta shtojmë këtë barrë, duke kërkuar fitues e të mundur edhe kur bisedojmë me të afërm, miq e shokë?

( Nga cikli ‘ Kioska e këshillave’ )

Filmi i ri ‘Frozen’ trondit rrjetin: Elsa e para princeshë lezbike e Disney (VIDEO)

Frozen 2 pritet të publikohet në vitin 2019, pas suksesit të pjesës së parë, i cili konsiderohet si filmi më fitimprurës i Disney, duke thyer kështu edhe rekordin, përcjellë KultPlus.

Por pjesa e dytë e këtij filmi duket të shënojë një kthesë jo të pranishme në filmat e Disney, ku princeshat martohen me princër. Frozen 2 duket të ketë një martesë të gjinisë së njëjtë.
Jennifer Lee, bashkëregjisore e këtij filmi ka tronditur rrjetin, pasi ka zbuluar për kthesat në Frozen 2.

Për Huffington Post ka deklaruar se ajo është e hapur ndaj idesë që Elsa të jetë lesbike në filmin e dytë.

“Kemi biseduar për këtë, jemi koshientë, por nuk e kemi marrë vendimin”, ka thënë ajo.
“Ne do të prekim ato cështje që ekzistojnë dhe përballen cdo ditë fëmijët, burrat dhe gratë”, tha Chris Buck, bashkëregjisor i “Frozen”.

Nëse do të merret ky vendim, atëherë Elsa do të jetë princesha e parë lesbike në historinë e Disney./KultPlus.com


S’u prish bota, as fukuarallëku s’mori fund

NONDA BULKA

Nëno!…
-Bir!
-Dua bukë!
Mëma hesht.
-Nëno!
-Bir!
-Ngriva!
Mëma psherëtin.
-Nëno!
-Bir!
-Më dhemb koka!
Mëma s’përgjigjet.
S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tik-taket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. S’guxon të qajë; ka frikë mos ta zgjojë djalin që porsa filloi të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.
-Nëno!
-Biri i nënos.
-Dua bukë!
Nëna hesht.
-Nëno!
-Xhani i nënos!
-Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.
Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njezët!
Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndije shprese shkëlqen në sytë e saj.
Shën Maria hesht!
Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
-Nëno!
-Bir!
-S’jam mirë!
-T’u bëftë nëna, fli!
Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë.
Dhe djali fle!
Mëma i ve dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht.
Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje.
S’u prish bota, as fukuarallëku s’mori fund.

| Nonda Bulka |F

Xhevahir Spahiu, 73 vjeç

“Të mbaj në duar, dashuria ime/ Krijesë prej qelqi/ me shkëndijime yjesh/ Kam frikë/Kam frikë se mos më bie dhe/ thyhesh”. I veshur me pardesynë e bardhë, syzet që i dalloheshin në portretin që e jep imtësisht atë lidhjen e tij të thellë me letrat, e shihje gjithnjë me një libër në dorë në barin e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kjo godinë që deri pak muaj më parë ishte shndërruar në Ministrinë e Kulturës, mban një pjesë të mirë të jetës jo vetëm të Xhevahir Spahiut, por të një plejade të tërë shkrimtarësh dhe poetësh që krijimtarinë e tyre nisën ta shkruanin pas viteve ’60.

Pas viteve ’90-të, bari në oborrin e kësaj godine nuk e kishte humbur ende atë ankthin e së shkuarës. Ndërtesa nga jashtë të jepte të njëjtën ndjesi që u kishte thënë për gati gjysmëshekulli shkrimtarëve dhe artistëve, që e shihnin atë si tempullin që do të certifikonte përgjithmonë krijimtarinë e tyre. Në bar, bisedat e së shkuarës vazhdonin të ndiheshin nga një tavolinë në tjetrën, përplasje miqsh, inate të vjetra dhe dëshirë për ta pushtuar atë godinë që dalëngadalë po shuhej përgjithmonë.

Xhevahir Spahiu ngjiti shkallët e ish-Lidhjes për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i saj në vitin 1993, gati 23 vjet pas botimit të librit të tij të parë me poezi “Mëngjes sirenash”. Të qenët i talentuar, dhe një poet lirik do t’i kushtonte jo pak djaloshit të ri nga Skrapari, të cilit do t’i hiqej disa herë e drejta e botimit, për frymë antikonformiste. Pas botimit të vëllimit të dytë me poezi “Ti qytet i dashur” më vitin 1973, ai nuk do të botonte për katër vjet rresht, për t’u rikthyer me një libër metaforik si “Vdekja e perëndive” më 1977.

Të trazuara do të ishin dhe fillimi i viteve ’90-të për Spahiun, që vazhdonte ta shihte poezinë të shkëputur nga sistemi. Ai donte të shkruante atë ndjenjë që endej brenda tij, sa herë vesa e mëngjesit, apo mbrëmja i kujtonte një orë të bukur lumturie. Pas përfundimit të studimeve për letërsi, ai nis punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, por shpirti antikonformist i poetit do ta bënte të jetonte shumë pak në një punë të tillë. Pas ndërtesës së “Zërit të Popullit” atë e pret puna në minierën e Valiasit. E njëjta gjë ndodh dhe me rikthimin sërish në Tiranë për të punuar në revistën “Nëntori”.

Vetëm pak kohë më pas e heqin sërish për ta çuar mësues të thjeshtë në shkollat e natës. Poeti nuk po mundte ta kuptonte fijen e hollë që ndante vargjet e tij nga ideologjia. Dhe kur këtë të fundit përpiqej ta fuste në to, sërish poezitë ishin tepër të ndjera. Ai u kthye në një model të të pabindurit ndaj sistemit, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij gjithnjë në ndryshim. Por kjo nuk e ndali penën e tij. Ndaj kur pas viteve ’90, ai u emërua si sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve e deshi këtë punë po aq sa vargjet. Nga Valiasi ai e kishte parë gjithnjë Lidhjen si tempullin e vërtetë të vargjeve.

Në vitin 2002, Spahiu punoi si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, më vitin 2003-2006 do të ishte këshilltar i jashtëm për kulturën i Presidentit të Republikës. Prej vitit 2005 do të ishte anëtar i Akademisë së Shkencave. Të qenët i ndjeshëm ndaj çështjeve politike shoqërore që po kalonte vendi, Spahiu ofroi kontributin e tij në çështjet e kulturës, çështje që i njihte aq mirë.

Por poezia, ishte ajo që ecte gjithnjë bri tij, për t’u shndërruar në varg sapo merrte stilolapsin dhe shkruante mbi letër. Në vitin 2005 ai botoi përmbledhjen poetike “Udha”. Vargje po aq të ndjera sa vite më parë, duke ruajtur atë kontinuitetin e një poeti të pandryshuar. Me një karrierë gati 40-vjeçare në letrat shqipe, Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që i kanë ardhur vendit në fund të këtij shekulli. Me jetën e thjeshtë që çdo artist ka në këtë vend, ai qëndroi gjithnjë modest përballë asaj çfarë vërtet përfaqësonte.

Dy librat janë quajtur “UDHA I” dhe “UDHA II”, dhe janë botim i plotësuar me krijimtari të re, me shënime të rëndësishme bibliofilike për jetëshkrimin e autorit dhe fatin e veprës së tij, të tilla si ai që lidhet me poezinë “Jetë”, e cila u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”, ku gjejmë këtë shënim: “Më 9 janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit, e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi poetin ta tërheqë dorëshkrimin e librit -“Bota ku eci” – i cili u botua pas pesë vjetësh, i plotësuar pa poezinë në fjalë”. / KultPlus.com / Gazeta Shqip

Në Poloni, koncert klasik për nder të Atifete Jahjagës

“Një përmbyllje fantastike e vizitës në Poloni me një koncert të muzikës klasike të organizuar për nder timin nga Universitieti i Evropës në Varshavë me dy artiste polake shumë të talentuara, Maria Ludwika Gabryś- pianiste dhe Jolanta Ewa Sosnowska – violiniste”

Kësisoj ka shkruar në rrjetin e saj social Facebook, Atifete Jahjaga – ish presidente e vendit, pas një vizite të sajën në Poloni.

Koncerti është realizuar me rastin e vizitës së Jahjagës në këtë shtet. / KultPlus.com

Afrimet, largimet, mërgimet…

Poezi nga Agim Morina

Si andrra t’arratisuna prej çmendinash
Kujtimet qepen me pej shumngjyrash
Qetësisht
Prej gishtash të padukshëm të kohës

Tue u ndryshkë si biçikleta të vetmueme
Buzëqeshjet e degdisuna në qiej malli
Presin
Mbështetë për murin e fëminisë së tretun
Dikur e kisha një vëlla të dhembshun
Tash vetëm dhembjen e kam vëlla

Petkat e ditëve të shkueme
Teren tue derdhë lot-gjylpana
Psherëtimash
Varë në një tel të pafund mallëngjimi

Jorgan i errët dheu na ka hy ndërmjet
Çarshaf-kobshëm dhe i qëndisun prej ngashërimesh
Tue qeshë përvajshëm me durim më pret
Tash që vetëm dhembjen e kam vëlla
E nuk e kam ma një vëlla të dhembshun

Koleksioni artistik i Hotelit Grand do të shitet ose do të vendoset në muze

Koleksioni artistik që gjendet në Hotel Grand në kryeqytet do të vendoset në një muze.

Kjo është vetëm ideja e parë e atij që drejton këtë hotel, në Prishtinë.

Së paku kështu ka thënë Rrahim Fazliu për New York Times, kur ka folur për asetet e Hotel Grand të cilat do të likuidohen, dhe do të gjejnë një përdorim tjetër.

“Hoteli është tani në likuidim ndërsa koleksioni i artit modern do të shitet ose do të shkojë në muze, në mënyrë që të gjendet një pronar i ri” shkruhet në shkrimin e New York Times mbi Grand Hotelin në kryeqytet.

New York Times i ka kushtuar një tekst Hotelit Grand, i cili më nuk mund të radhitet si një hotel me pesë yje. / KultPlus.com

Bebe Rexha vishet me koleksionin e Rita Orës (FOTO)

Rita Ora që nga nesër do të sjellë brendin e saj të ri Roara Republic, shkruan KultPlus.

Këngëtarja tjetër shqiptare Bebe Rexha është veshur me rroba të këtij koleksioni, duke shprehur kështu përkrahjen për këtë hap të ri të Rita Orës.

Ky koleksion do të publikohet në faqen online të Rita Orës dhe tashmë kanë mbetur edhe pak orë drejt mundësisë për tu njoftuar me koleksionin e këngëtares nga Kosova. / KultPlus.com

Publikohet kënga e Qipros në Eurovizion, këndohet nga shqiptarja Eleni (VIDEO)

Është prezantuar kësisoj sonte kënga konkurruese e Qipros në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovision 2018.

Eleni Foureira, një shqiptare e cila tërë jetën e saj ka jetuar në Greqi, do ta këndojë këngën “Fuego” edhe në skenën e Eurovizionit në Lisbonë, në muajin maj në Lisbonë.

Arta Ramadani prezanton romanin e saj në Panairin e Leipzigut

Siç është shkruar tashmë, në mars del nga shtypi romani i saj i parë, “Die Reise zum ersten Kuss. Eine Kosovarin in Kreuzberg” (Udhëtimi deri në puthjen e parë. Një kosovare në Kreuzberg) në botim të shtëpisë botuese “Drava”, i autores shqiptare që jeton në Gjermani, Arta Ramadani.

Prezantimin e parë publik libri do ta ketë brenda kornizave të një aktiviteti të madh të librit në Gjermani. Siç njofton autorja në një postim të saj në facebook, ajo do të ketë rastin që librin e saj ta prezantojë në Panairin e Librit në Leipzig (Lajpcig), më 18 mars. Prezantimet e librit në kuadër të aktiviteteve të panairit organizohen nga “Drava/Wiesener Verlag”, ku Arta bën pjesë në mesin e 8 autorëve. Ajo do të lexojë pjesë nga libri i saj, i cili brumin e merr nga lufta e Kosovës dhe pasojat e saj dhe do të japë intervista, tregon shkrimtarja e re në një prononcim për albinfo.ch.

Panairi i librit i Leipzigut, pas atij të Frankfurtit, është panairi i dytë më i madh në Gjermani dhe ka një traditë shumë të gjatë të ekzistimit, shkruan albinfo.ch. Për ndryshim nga panairi i Frankfurtit, ky i Leipzigut promovon më shumë kontaket e autorëve me lexuesit e tyre dhe kultivon frymën e leximit. Këtë frymë pastaj e shpërndan edhe në gjithë qytetin, ku, gjatë ditëve të panairit, organizohet edhe festivali “Leipzig liest” (Leipzigu lexon), që është festivali më i madh në botë i kësaj natyre.

Në romanin e saj debutues autorja rrëfen për vajzën 15 vjeçe Era, e cila gjatë luftës së Kosovës kërkon një atdhe të ri në botë dhe e gjen atë si fanse e madhe e Madonës në lagjen e njohur multikulturore të Berlinit, në Kreuzberg.

Vajza e zgjuar jetonte në Prishtinë, dhe, me zemër të thyer qe detyruar ta braktiste vendin e përfshirë nga lufta, për të ikur në Gjermani. Atje, pas një fillimi të zymtë në një shtëpi azili, ajo provon të gjejë veten në qarkun e njohur multikulti të Berlinit, në Kreuzberg, shkruan botuesi i librit, “Drava” dhe shpërndarësi “Ex Libris” në prezantimin e tij

“Vetëm tri ditë i kishin mbetur Erës për të braktisur atdheun, njerëzit e dashur dhe shumicën e gjërave të saj. Kosova ndodhej në krizë lufte dhe jeta po bëhej gjithnjë më e rrezikshme. Prindërit e saj ikin nga policia serbe dhe nga perspektiva e errët. Ata e provojnë që në Berlin të gjejnë një strehë të re, transmeton albinfo.ch. Pikërisht në kohën kur Era kupton gjëra të tmershme mbi historinë gjermane, Gjermania po bëhej shtëpi e saj e re.

Era dhe prindërit e saj vihen para një sfide dhe kështu Era mëson shpejt ta dojë vendin e ri, në të cilin ka kaq shumë liri dhe mundësi. Në pjesën e larmishme të Berlinit, në Kreuzberg, ajo kërkon vendin e saj në klasë, në rrugë dhe në shtet.

“Era është njëra nga shumë vajzat të cilat gjatë luftës së Kosovës kërkuan shtëpinë e tyre të re në botën e madhe dhe e gjetën”, transmeton albinfo.ch.

Vetë Arta, që në moshën e saj të adoleshencës kishte moderuar në një radio të rinjsh për të përmirësuar buxhetin e saj të xhepit dhe me atë rast kishte zbuluar pasionin për gazetarinë. E lindur në Prishtinë, e rritur në Mannheim dhe me studime të mbaruara në SHBA, ajo e njeh jetën në mes të kulturave dhe i shijon që të lëvizë mes tyre.

Arta Ramadani ndryshe njihet si një gazetare dhe redaktore disa herë e shpërblyer e televizionit publik gjerman ZDF.

Rrugëtimi 15-të vjeçar i Teatrit ODA dhe shfaqja që shndërroi Kosovën në parajsë

Alberina Haxhijaj

I vendosur në Pallatin e Rinisë, në vitin 2002, shumë njerëz kanë qenë skeptik ndaj Teatrit Oda, në fillimet e tij. Mirëpo teatri i cili u bë shtëpia e dytë e shumë artistëve arriti që shpesh herë të vendoste Kosovën në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtare.

Shënimi i 15-të viteve punë e mund u bë me premierën e shfaqjes “Lufta e tretë botërore – komedi ndoshta, diçka diçka, s’po di s’po di”, tekst ky i shkruar nga Lirak Çelaj dhe Rozafa Çelaj, me regji të Florent Mehmetit.
Themeluar me iniciativën e aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti, Teatri Oda ka mbijetuar falë aktorëve të cilët kanë ndihmuar themeluesit në këtë rrugëtim. Sipas Lirak Çelaj, situata në të cilën gjendet ky teatër është akoma e vështirë edhe pas më shumë se një dekade.

“Një Teatër Kombëtar që e kemi në Prishtinë dhe duke llogaritur edhe Dodonën, e cila fatkeqësisht nuk i përmbushë të gjitha kriteret për një teatër, e kemi parë që artistët kanë nevojë për hapësirë për të realizuar veprat e tyre. Pastaj pas shkarkimit nga pozita si drejtori i TKK-së se bashku me Florentin u angazhuam për gjetje të një hapësirë dhe rastësisht ishte kjo ku jemi edhe sot. Ky rrugëtim 15-të vjeçar ndodhi, një rrugë shumë e vështirë, vet fakti që kemi mbetur akoma një teatër i pavarur në këtë hapësirë tregon sa sfiduese është kjo”, u shpreh Çelaj për KultPlus, duke shtuar se do të ishte në dobi të të gjithëve që të kishte më shumë hapësira të tilla improvizuese.

Premiera “Monologët e Vaginës” është data e cila konsiderohet edhe ditëlindja e teatrit e cila mblodhi rreth vetes artistët të cilët dëshironin të eksperimentonin me shfaqjet e tyre. Madje edhe vetë fillimi i punës mund të konsiderohet i tillë, kjo për arsye se artistët ishin në kërkim të hapësirave improvizuese dhe filluan që të punon në hapësirat e një diskoteke e cila zhvillonte aktivitetet e saj gjatë vikendit. Pesë ditët tjera të javës, kjo hapësirë iu takonte artistëve. Mirëpo këta artistë ishin përgatitur për të sjellë sa më shumë produksione teatrale por jo edhe për t’u përballur me menaxhimin e kësaj hapësire.

Sipas Florent Mehmetit, politikat kulturore nuk kanë ndryshuar as pas 15-të viteve.

“Pas shpalljes së Pavarësisë është menduar se me sektorin kulturor do i tregojmë botës që jemi shtet mirëpo duke e përforcuar kulturën institucionale ajo e pavarura edhe më shumë ka rënë në hije. Unë jam për ngritje të kualitetit të kulturës institucionale mirëpo nuk duhet me e lënë me kaq pak përkrahje një skenë e cila ka dëshmuar veten, ka qenë ambasadori më i mirë i jashtëm, ka mbajt gjallë flakën kulturore të këtij vendi”, u shpreh Mehmeti.

Ai për KultPlus ka kujtuar momentin kur pas shfaqjes “Muret e Padukshme” që për rrëfim ka izolimin, Robert McDowel i cili është pronar i “Summerhall”, një prej qendrave më të mëdha kulturore të Edinburg në shenjë respekti ka ngritur flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar në kulmin e “Summerhall”, të arriturat e Festivalit të Artit në Hapësira Publike “Hapu”, shfaqja “Doruntina” në New York dhe sukseset tjera. Pastaj vjen edhe shfaqja “Tre gjermanët e trashë”, për të cilin kishin edhe dyshimet më të mëdha se si do të pritej si komedi nga publiku. Në anën tjetër pikërisht 15- vite erdhën me një komedi në të cilën “Kosova” është shteti i ëndërruar nga të gjithë.

Komedia e vendosur në një shtab të KFOR-it ku ndërkombëtarët vendosin për fatin e Kosovës, merr një kthesë drastike. Për shkak të Luftës së Tretë Botërore, të gjitha vendet shkatërrohen, përveç Kosovës, e cila kthehet pastaj në një parajsë për vendet e tjera, dhe pritjet për të hyrë në Kosovë janë të gjata. Kështu Kosova për herë të parë fillon pushtimet e vendeve të tjera pas urdhrave të dhëna nga Mbretëresha e vetëshpallur, e cila ishte përkthyese për KFOR-in para luftës.

“Komeditë e kanë një mision shumë të mirë, mundesh me u fsheh pas maskës së lolos dhe me thënë jo, jo, po boj hajgare. Komedia e ka këtë mision dhe një strukturë të duhur. Shfaqja është një komedi fiktive e cila përkon me realitetin por është dërguar në një nivel shumë fiktiv për me e kthye komplet në të kundërt situatën Një shtet super të izoluar e vendos në një situatë ku të gjithë dojnë me shku në të, pasi që është e vetmja parajsë”, u shpreh regjisorit Florent Mehmeti, për shfaqjen e cila lë prapa pyetjen, çfarë nëse ajo që konsiderohet si shaka të ndodhë më të vërtetë?

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë Kushtrim Qerimi, Rina Krasniqi, Gojart Kqiku, Daniela Markaj, Kaltrinë Zeneli, Flamur Ahmeti. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja, asistente regjie Rozafa Çelaj ndërsa projekti është përkrahur nga : MKRS dhe Melodia PX. / KultPlus.com

New York Times propozon për lexim edhe librin e Ismail Kadaresë

New York Times propozon që të lexohet edhe libri i Kadaresë, në mesin e propozimeve tjera këtë javë.

Prestigjiozja NYT sjellë listën e shtatë librave që propozohen të lexohen gjatë kësaj jave.
“A girl in Exile: Requiem for Linda B”, ose në gjuhën shqipe “E penguara – Requiem për Linda B” është libri tjetër që propozohet nga NYT, shkruan KultPlus.

Kryedramaturgu Rudian Stafa , është bartësi kryesor i kësaj ngjarjeje, i cili padjallëzish i nënshkruan një libër një vajze të panjohur. Shkas për nënshkrimin e këtij libri bëhet shoqja e Lindës, Migena. Migena krijon një marrëdhënie me dramaturgun , të cilën e mban të fshehur nga shoqja e saj e ngushtë. Në të njëjtën kohë, ky veprim i Migenës i pafalshëm, ishte tradhti ndaj shoqes së saj , por edhe fillimi i problemeve të mëdha për Rudianin. Rudiani thërritet në komitetin e partisë, pa e ditur përse-në. Atje ai përballet me një sprovë të dyfishtë, ku nga njëra anë mundohej të kuptonte vështirësitë ku ndodhej dhe nga ana tjetër përpiqet të kuptojë të vërtetën që ka të bëjë me Linda B.

NYT konsideron se Kadare, një shkrimtar disa herë shumë gati për të fituar Nobelin për Letërsi, përdorë me magji e thumbim faqet e këtij libri. “Kadare lejon personazhet e tij të cenojnë jetën dhe vdekjen, duke i bërë jehonë gjurmëve të Orfeut” – shkruhet në këtë propozim të NYT.

John Hodgson e ka realizuar përkthimin e librit në gjuhën angleze.

Cynthia Haven në kritikën që i ka bërë librit, thotë mes tjerash: Është një përfundim libri që ndriçon faqet e fundit si një flakë që shkëlqen mespërmes alabastrës’.

Pos këtij libri, NYT propozon edhe “The reality life of the Parthenon” me autore Patricia Vigderman dhe “Time pieces: a Dublin Memoir” nga John Banville, mes librave të tjerë.

Zbulohet sekreti 900 vjeçar në kalanë e Rozafës në Shkodër

Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë ditët e fundit në kalanë e Rozafës në Shkodër. Ekspedita arkeologjike polake, e cila po kryen prej ditësh gërmime në këtë kala dhe në pjesën përreth saj që ka gjetur skeletin e një njeriu që mendohet se është 900 vjeçar.

Ai është nxjerrë në sipërfaqe me mjaft kujdes me qëllim që mos të dëmtohej. Arkeologët polakë mendojnë se ky zbulim i përket shekullit të 12-të, pra i kohës së pushtimit turk, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Por për të vërtetuar këtë gjë, skeleti do të dërgohet për ekspertizë në një laborator në shtetin francez, ndërsa përgjigja do të vijë vetëm pas një viti.

Përgjegjësi i arkeologjisë në Shkodër, Helidon Sokoli shprehet se këto kërkime synojnë të zbardhin lashtësinë e kështjellës së Rozafatit, konkretisht gjetjen e gjurmëve helenistike.Ai deklaroi se:

Kemi vazhduar me disa kërkime në tre oborret e kalasë për të parë shtresëzimin e strukturave duke filluar që nga ato më të vonat otomane mesjetare, veneciane për të vazhduar më thellë me të antikitetit. Kemi disa ditë që kemi filluar dhe jemi akoma në shtresat e periudhës otomane mesjetare.

Ne jemi të interesuar për të parë antikitetin, si është e zhvilluar kalaja në fazat më të hershme nga antikiteti i vonë deri në fazat helenistike, por që duhet që të shkojmë shumë më thellë për të kapur këto shtresa të hershme”.

Detit

Poezi nga SÜKRÜ ERBAS / Përktheu Rozana Belli

Ti ishe Deti. Shtati ynë i gjatë.
Shtëpitë tona qenë veçse shkronja të rrëzuara.
Sipër nesh, një jetë që s’ish e jona.
Ishim përralla përmbi pellgje. Nata jonë, kohë harresash ditësh të pavlera.
Ti ishe ëndrra jonë që shihte botën.

Ti ishe Deti. Zëri ynë i zgjimit.
Sytë tanë përfundonin në duart tona. Përsëri ishim ne largësia. Të tejmbushura fjalët e tua.
Fjalët e tua qenë lagje të zbritura buzë qytetit.
Mirësia jote, kujtesa jonë e kaltër e mëngjesit.
Ti ishe Deti. Nderi ynë i tërhequr nga yjet, jo nga litari. E hidhur prej frikës buka jonë.
Askënd tjetër s’njihnim. Mendja jonë, një e shkuar e mpirë.
Ti rrëzove mbi trupat tanë ditët që do vinin.
Ti, liria jonë prej milingone.

Ti je Deti. Ai që na mësoi pafundësinë.
Sa mijëra gra, sa mijëra burra, sa mijëra fëmijë ty prej fatit të lindën?
Të dhamë jetën, të morëm vdekjen.
Gishtat tanë janë qirinjtë e tu të guximit.
Të kuptuam, të shumuam, të shndrritëm…

Të hënën, ora e parë e mësimit i kushtohet historikut të Epopesë së UÇK-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim që të hënën (5 mars 2018), në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet historikut të Epopesë së UÇK-së.

“Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë në nderim të 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MASHT-it.

Ndue Ukaj: Luigj Gurakuqi mbetet një rrëfim i pakryer, një rrëfim që duhet ta kallëzojmë shpesh

Ndue Ukaj

Më 2 mars 1925, u vra Luigj Gurakuqi, një nga figurat më shembullore të historisë politike e kulturore shqiptare. Pa dyshim, Luigj Gurakuqi është personalitet shembullore në kuptimin e plotë të fjalës. Një intelektual dhe politikan i papërsëritshëm, i ndërgjegjshëm deri në pikën e fundit, “ndera e djelmnisë shkodrane”, siç shkruante Fishta.

Luigji mbetet njëri nga politikanët ma të përkorë dhe më të ditur shqiptar, dhe si i tillë, një shembull prej të cilit mund të frymëzohet secili prej shqiptarëve që e do vendin e vet.
Luigji mbetet një rrëfim i pakryer, një rrëfim të cilin duhet ta kallëzojmë shumë shpesh, dhe të cilin, e kemi detyrim moral t’iu përcjellim brezave që vijnë. Sepse, figura e tij, shndrit mirësi, urtësi, dashuri vepruese për kombin, kulturë dhe ndershmëri. Kësisoj, figura e tij rri fuqishëm karshi politikanëve me ndërgjegje të vrarë- aty këtu edhe dijetarëve të verbuar pas posteve dhe famës boshe.
Pa dyshim, “shtatlartësia e tij vazhdon t’i tregojë më të vegjël se kurrë xhuxhët e politikës së sotme”- shkruan Rudolf Marku.

Është e ditur se, figura madhore e Luigj Gurakuqit, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në lëvizjen për pavarësi kombëtare, dhe në aktin e shpalljes, më 1912. Mirëpo, ai u shqua edhe në fushën e kulturës, ku la shenja të dallueshme dhe origjinale.

Lazër Shantoja, shkruan kështu për figurën e tij: “Ka njerëz të cilët përmes forcës së sharmit të tyre, përfshijnë në vetvete një komb të tanë dhe kësisoj mund të drejtojnë aktivitetin e racës njerëzore…Luigj Gurakuqi kjé Ura e Artë e Bashkimit Kombëtar.. Ai dijti me ju dhanë shpirtë natyrave ma të ngathëta dhe me u ndalë hovin ekstremistëve ma të shtyemun. Aj kje si një fjaluer i domosdoshëm që do t’u konsultonte pa prà. Tash nga një ministër, mandej nga një malëcuer, ma vonë nga një dokushdo, nga- njëherë nga një përfaqësues i huej, një herë tjeter nga një gazetar…”

Figurat madhore, si ajo e Luigj Gurakuqi trazojnë ndërgjegjet e vrara, dhe ai shpeshherë tentohet të heshtet. Po, sepse shpërfillja është armik i përhershëm për njerëz me peshë, sidomos kur kjo vjen nga autoritet e rreme, nga xhuxhët e shumtë që di t’i prodhojë bota shqiptare. Puna dhe vepra e tij shembullore na detyrojnë që ta nderojmë atë dhe veprën e tij. Po, sepse Luigji mbetet pjesa ma sublime e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe politike.

Luigji përfaqëson një model, për të cilin kemi nevojë, sot, më shumë se kurrë. Por, edhe nesër, sepse ai është oksigjen që ndihmon pastrimin e mushkërive të ndotura të politikës dhe kulturës shqiptare./KultPlus.com