Greva e vitit 1989 e minatorëve në Trepçë, me anë të fotografive

Këtë muaj u shënua 30 vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës.

Para 30 viteve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

E marrë nga Shenida Bilalli / Facebook

Hapet ekspozita e artistes Agata Çetta në Mynih

Hapet ekspozita “Rijetësimi Ilir” në ambientin e konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Mynih.

Në ambinetin e konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Mynih, është hapur ekspozita personale e artistes Agata Çetta “Rijetësimi Ilir” me rastin e kremtimit të 11 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Artistja u paraqit me 13 grafika të teknikës akuatintë dhe 11 pjatave nga argjila në kombinim me filigran, që është një ndër artizanatet më të dalluara shqiptare.

“Agata Çetta, sot në ekspozitën e saj “Rijetësimi Ilir” na vjen me një opus të begatshëm ku zgjon interesimin e secilit artdashës”, tha konsulli Afrim Nura, gjatë mbajtjes së fjalimit të tij.

Ai përmendi edhe rëndësinë e trashigimisë tonë shumë të pasur kulturore, si një ndër elementet thelbësore për dëshmimin e rrënjëve tona. Sipas kuratorit të kësaj ekspozite, Adem Dermaku- artist, këto dy teknika të ndryshme, këtu kanë të përbashkët temën dhe tonalitetin e ngjyrave, e cila është urë lidhëse në mes të kaluarës dhe të sotmes si një dëshmi për identitetin e një populli.

“Në pjatat e argjilës, Agata tregon një pedantizëm të sofistikuar për të paraqitur bukurinë e lashtë ilire qysh prej periudhës parahistorike, të inspiruar nga disa artefakte më unike në territorin e Kosovës. Ndërsa në grafika paraqet një shprehje ekspresive të natyrës, ku ka një liri të vijës dhe formës abstrakte, si reflektim i harmonisë në univers dhe mesazh për prezervimin e saj nga elementet dëmtuese” vazhdon kuratori. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu, princi i popullit të përçmuar

Në Beograd, të martën e datës 15 qershor 2010, me të shtëna revolveri, në symbyllje, u vetëvra aktori Bekim Fehmiu. Ai ishte shtatëdhjetë e katër vjeç, vite të cilat nuk janë tipike për vetëvrasje. Ishte i pari aktor i Jugosllavisë së atëhershme me reputacion ndërkombëtar.

Me bukuri apoloniane dhe i talentuar si Orfeu. Ka regjistruar mbi pesëdhjetë filma, në të cilët ka luajtur rolet kryesore. Ka aktruar te “Odisea”, bashkë me Irenë Papas, tek “Dezertori” me John Huston, te Leja për të vrarë me Ava Gardner dhe Dik Bogart, te “E dashura ime Libera” me Claudia Cardinale-n, te Salon Kitty me Helmut Berger…

Por gjithsesi, publiku ynë më së shumti e mban mend në rolin e Belog Bore në filmin e Aleksander Petroviçit, “Mbledhësi i puplave”, me atë skenën kur i përgjak duart e veta duke shkatërruar shishet në tryezën e kafenesë. Bekim Fehmiu ishte aktori i parë kosovar që u shkollua në gjuhën shqipe, nga shkolla fillore deri në provimin e maturës. Pas gjimnazit ai u pranua si anëtar i dramës shqipe në Prishtinë, dhe më pas shkon në Beograd, ku përfundoi edhe Akademinë e Teatrit. Nëse për aktorin gjuha është instrumenti, Bekimi pak ka luajtur në Harfën e tij – ka luajtur kryesisht në serbisht, anglisht ose italisht. Pasardhës i një familjeje të pasur nga Gjakova, Fehmiu lindi në Sarajevë, në Vratnik, ku babai i tij ishte mësues. Pas kësaj u vendos me prindërit në Shkodër, dhe pastaj përsëri në Kosovë, në Prizren. Ishte fëmijë tipik i Jugosllavisë, i rritur në frymën e bashkim-vëllazërimit. Më pas u martua me aktoren beogradase Branka Petri?, me të cilën ka dy djem. Megjithatë, aktori kryesor i dramës asnjëherë deri në fund të jetës nuk ka qenë i pranuar, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ishte shqiptar. Jugosllavia në të cilën jemi rritur ka qenë gënjeshtër dhe paragënjeshtër në vëllazërim-bashkim, dhe sot njerëzit më tragjikë janë ata njerëz që këtë gënjeshtër e kanë jetuar si të vërtetë.

Gjendja e popullit shqiptar, deri në të ashtuquajturin Plenum i Brijoneve, i vitit 1966, ka qenë e tillë sa qindra janë zhdukur brenda natës, por që nga koha kur Titon e zëvendësoi Aleksandar Rankovi?, shqiptarët e Kosovës fituan statusin e “popullsisë”, por atëherë për ta filloi të flitej zëshëm me përçmim. Punën që Dobrica Cosi? e filloi me Rankovi?-in, megjithatë, pas disa dhjetëvjeçarësh do e vazhdonte me Miloshevi?-in, i cili në fakt u hoqi atyre të gjitha të drejtat politike duke i quajtur “Šipcima” (shqiptarë, me përçmim).
Golgota shqiptare do të vazhdonte edhe gjatë viteve ’90, me ndjekjen e mbi një milion shqiptarëve jashtë vendit, gjë që do të përfundonte me bombardimet e Aleancës Atlantike mbi Serbinë dhe pastaj me pranimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Por çdo gjë ka filluar, siç e thamë, shumë më herët.

Atë gënjeshtër Fehmiu e kishte ndier shumë kohë më parë. “Në shenjë proteste ndaj propagandës antishqiptare dhe të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, në vitin 1987, e la demonstratvisht shfaqjen “Madame Collontein” (Agnette Pleyal), në të cilën luante Leninin dhe Stalinin, dhe ndahet përfundimisht e publikisht nga aktiviteti artistik në ish-Jugosllavi”, shkruan i biri i tij Uliksi, sot aktor në Amerikë, në hyrjen e librit me kujtime të Bekimit, Blistavo i strašno (E shkëlqyer dhe e tmerrshme), publikuar nga shtëpia botuese “Samizd” në Beograd, në vitin 2002. Atë libër tronditës, Bekimi e fillon me vargjet e Carl Goldonj-it për Dalmacinë: “Në tokë Ilire kam lindur, këtë nuk e mohoj, në dejet e mia qarkullon i njohuri gjaku im famëlartë, gjaku i heronjve të shquar, vend i lavdisë së përjetshme, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta, që shkëlqimin e sojit të vet e dëshiron mbi të gjitha”.
Në atë libër ai flet mbi jetën e vet, janë fjalët e njeriut të talentuar, mbi thyerjet e tij shpirtërore dhe mbi odisenë e tij vetjake, nga megaylli beogradas deri te i dëbuar si shqiptar.

Duke kujtuar ngrohtësinë e Sarajevës, Prizrenit dhe Shkodrës, ai kujtohet edhe për çastet në to, dehjen e kotësisë dhe famën, jetën e kurorëzuar me dafina, por çdo herë i përballur me mallkimin e identitetit dhe përkatësisë.
Saga e tij familjare, brohoritjet në arenat e tejmbushura dhe vetëpërndjekjen e tij, solidariteti i tij me popullin e vet dhe pamundësia për t’i ndihmuar dhe ndalur të keqen dhe vrasjet, e çoi t’i jepte fund jetës duke qëlluar mbi kokën e vet.

Në lajmin e vdekjes së tij m’u kujtua një rrëfenjë, të cilën kohë më parë ma ka treguar poeti kroat, Petar Gudelj. Duke shëtitur lartësive te Biokovës, poeti kishte dëgjuar një herë një këngë të trishtuar dhe kënduar në gjuhë të pakuptueshme, e cila vinte nga maja lart. Duke shkuar pas këngës, ai ndeshi një grup punëtorësh ndërtimi. Ishin shqiptarë që po ndërtonin një farë shtëpie bjeshkatarësh. “Ishte kohë pasdreke, ata kishin pirë pak verë dhe këndonin”, tregonte Gudelj. “Disa këngë shqiptare, shumë të bukura dhe të trishtueshme. Unë po mendoja, asgjë s’po kuptoj, por ky bar dhe kjo tokë e kupton shumë mirë këtë gjuhë”.

Vetëm ai bar i Biukovës e kupton dorën pse dhe për çfarë e tërhoqi këmbëzën dhe ndërpreu jetën e aktorit më të madhit shqiptar dhe jugosllav të shekullit të njëzetë. Pjesëtar i atij populli, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta.

Albert Vataj

Burimi: https://albertvataj.blogspot.com/2018/05/bekim-fehmiu-princi-i-popullit-te.html

Danilo Kish, pena delikate serbo-kroate

Danilo Kish ka qenë një shkrimtar shumë i njohur në ish-Jugosllavi dhe tejet saj, tregimtar dhe poet që shkroi në dialektin serbo-kroat.

Kritika sot është e një mendje, që ndikimet e tij kryesore në letërsi kanë qenë kryesisht nga Bruno Schulz, Vladimir Nabukov dhe Jorge Luis Borges, mes edhe shumë autorëve të tjerë bashkëkohorë. Vepra e tij më e famshme është “Një varr për Boris Davidoviq” (përkthyer dhe në shqip) dhe “Enciklopedia e të vdekurve” (e përkthyer në shqip). I ati i Danilos (Eduarti), ishte një hebre hungarez, që punonte si inspektor hekurudhe – ndërsa e ëma (Milica), serbe e Malit të Zi nga Cetinja. Lufta e Dytë Botërore e shkatërroi këtë familje, sepse i vdiq i ati dhe anëtarë të tjerë të familjes u dërguan në kampet e përqendrimit. Ai shpëtoi dhe për fat – së bashku me të motrën (Danica), dhe të ëmën – e kaluan një pjesë të luftës në Hungari. U kthyen në Federatë dhe Kish mbaroi shkollën e lartë më 1954 në Mal të Zi. Më ’58 ishte studenti i parë që mbaroi në Beograd për Letërsi të Krahasuar. Punoi atje në një revistë të njohur të Kohës, “Vidici” deri më 1960 dhe më 1962 botoi dy librat e parë të tij “Mansarda” dhe “Psalm 44”. Shkrimtari arriti të marrë më 1973 – çmimin prestigjioz vendas NIN për veprën e tij Peščanik (“Ora e rërës”), një çmim që e riktheu fill më pas, për bindjet e tij politike. Gjatë jetës së tij të shkurtër krijuese mori shumë çmime ndërkombëtare dhe u zhvendos në Francë për pjesën më të madhe të mbetur të jetës së tij. Vdiq më 1989 nga kanceri, duke lënë shumë hamendësime se do të ishte Nobeli i atij viti. Është një nga autorët, për të cilët ka shprehur tepër konsiderata dhe ka pasur njohje edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare.

Serenatë për Anën*

Dëgjova një si fëshfërimë nën dritare dhe më shkoi ndërmend se ndoshta kishin ardhur të ma vrisnin tim atë. Dhe bash atëherë, violina- m’i vuri të gjitha në mëdyshje dhe ma shtendosi tmerrin. Ai që po luante nën dritaren tonë, vërtetë s’dukej ndonjë virtuoz, por ishte natyrisht i kllaposur në dashurinë për time motër, Anën. Violina kishte gati tingullin e njeriut. Ishte dikush që me veshët e ngrehur nga yjet, i këndonte druajtur, time motër Anës, duke u munduar që me zërin e tij – t’i dukej sa më mashkullor, por edhe i thellë. Megjithatë, kjo këngë më ngjante sërish me një si pëshpërimë:

Përse Zoti e krijoi dashurinë..
Përse netët…

At’ dekik, Ana, përfundimisht e gjeti shkrepësen dhe tash e këqyra nga shkëlqimi i dritëzës së saj, humbur në një si mugull, teksa qëndronte pas perdeve, veshur krejt me të bardha. Dhe kur është kthyer për t’u shtrirë sërish – dëgjova sesi ime më, duke u dridhur – po e këshillonte me fjalë të kujdesshme:“Ana duhet ta kujtosh gjithmonë këtë. Kur dikush të kushtohet kështu, atëherë duhet ta ndezësh shkrepësen. Kjo ishte shenja e një qasje të fisme”.I qetësuar prej zërit të nënës, sërish jam zhytur në ëndërr, ku më dukej se ndjeja kundërmimin e pyllit, apo një si livadh të gjelbër. Në mëngjes kemi gjetur në dritare një degëz me lule molle, që i ngjante një kurore të argjendtë dhe dy-tre trëndafila flak’ të kuq. Dhe, sërish- përpara të gjitha atyre që do mësonim (ditën e nesërme në shkollë) një nxënëse ka pyetur: ”Cili ishte ai gomar, që na erdhi natën në oborr”, kurse unë, në kët’ agim , i drejtuar nga aroma, shquaja lulet nga kopshti i zotit Rigo, sepse ia kisha krasitur vetë trëndafilat, bash ato që’ më kujtonin shpesh jargavanët. Nuk do të doja të shtoja edhe – gjykuar thjesht nga zëri – se ky gomar që shikonte trëndafilat – ishte vetë zoti Fuks, I Riu, këpucari, i dashuruar tinëz me time motër, Anën.Ana, a s‘më thua, a i kam shpikur vallë të gjitha këto?(Lule dhe kundërmim)

*Shqipëroi nga origjinali serbisht Ben Andoni
Burimi: https://albertvataj.blogspot.com/2012/03/danilo-kish-pena-delikate-serbo-kroate.html

Sot, Ilire Vinca vjen si mysafire në ‘KultWoman me…’

27 shkurt
Ora 17:00
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së

KultPlus (www.kultplus.com ) – gazeta e parë shqiptare online që i kushtohet raportimit mbi artin dhe kulturën po e mbyllë muajiin shkurt me ngjarjen e radhës.

‘KultWoman me…’ kësaj radhe do ta ketë në qendër aktoren Ilire Vinca.

Ilire Vinca jo rrallë herë është aktorja më e mirë e festivaleve ku është e pranishme.

Ajo i jep shpirt roleve të saja filmike, ndërsa shfaqjet në të cilat ajo aktron gjithmonë janë të suksessshme. Vinca ka luajtur mes tjerash në ‘Falja e Gjakut’, ‘Martesa’, ‘Gardhi’, e së fundmi edhe në shfaqjen ‘Karnavalet e Korçës’.

Tregimin e Ilires mund ta dëgjoni me 27 shkurt, në ora 17:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

‘KultWoman me…’ është projekt i financuar nga programi ‘Culture for Change’ i Bashkimit Evropian, i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute.

Ku është feja, atje është shpata…

Mehdi FRASHËRI (1872–1963):

KU ËSHTË SHPATA ATJE ËSHTË FEJA

“Në ditët e Skënderbeut pushtimi turk-osmanllinj u kundërshtua rreptësisht prej shqiptarve, saqë këto luftra formojnë me të vërtetë epopenë e kombit, epope të cilën i pavdekuri Naim Frashëri e ka kënduar në vjersha të paimitueshme në veprën e famshme të tij “Skënderbeu”. Kjo vepër, kur u paraqit për herën e parë në kongresin e orientalistëve, albanologu i famshëm Emil Benloew në ligjeratën e vet shqiptoi këto fjalë: Më në fund edhe shqiptarët kanë Iliadën e tyre.

Këto luftra të rrepta të Kastriotit kundër osmanllinjve bëheshin në emrin e krishtërimit, ishin një mbrojtje madhështore edhe heroike e qytetërimit evropian, kundër barbarizmës aziatike, prandaj fytyra e Skënderbeut ka një ngjyrë të përbotshme, sepse u zgjatën 25 vjet pareshtur. Në këto luftëra heroike për shqiptarët, kombi i ynë, nga vrasjet, djegjet, rrënimet, edhe mërgimet në vendet e huaja humbi 1/3 e popullsisë edhe më në fund u bind se Perëndia e pushtonjësit ishte më e fortë edhe sipas një fjale së vjetër shqiptare “Ku është shpata atje është feja”, morën besën e tij.”
(Agim Morina / Facebook)

Gjirokastra po ndërtohet me modelin më të mirë të trashëgimisë kulturore

“Gjirokastra sot ndërtohet dhe rindërtohet me modelin e më të mirëve, veçanërisht në aspektin e trashëgimisë kulturore”, tha Mirela Kumbaro, deputete e Partisë Socialiste në këtë qark, gjatë fjalës së mbajtur sot, në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam” që u zhvillua në Pallatin e Sportit në Gjirokastër.

“Nga Tepelena, deri në Dropull ju bashkë me ne po punojmë për Gjirokastrën. Është një program, nuk është një individ, është një vizion që filloi të marrë jetë në vitin 2013 kur të gjithë bashkë thamë se do t’i besojmë programit të Partisë Socialiste që është mandat për të gjithë shqiptarët”, – tha Kumbaro.

Duke u ndalur në risitë dhe zhvillimin që po merr arsimi, shëndetësia, Kumbaro u shpreh se forca e ndryshimeve edhe më të mëdha do të ndihet pas 4 muajsh që mbyllen zgjedhjet vendore dhe vota për PS-në të triumfojë.

“Gjirokastra po kthehet tashmë në një destinacion turistik falë projekteve dhe investimeve që ka adresuar qeveria, ndërsa rindërtimi i plotë i kalldrëmeve në bashkëpunim me projektin e BB-së do të jetë një vlerë e shtuar për Gjirokastrën turistike”, tha ajo./A.T.SH/ KultPlus.com

Piktorja Teuta Ibriqaj përmes artit prezantoi në New York “Gjeneratat Ilire”

Për nderë të 11 vjetorit të Pavarësisë, piktorja Teuta Ibriqaj hapi një ekspozitë personale në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

Kjo ekspozitë është inspiruar nga arti, kultura dhe historia ilire. Në hapje të saj morën pjesë ambasador, diplomatë të ndryshëm, artist dhe diaspora.

Piktorja Ibriqaj ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar për realizimin e kësaj ekspozite.

Në anën tjetër Teuta Sahatqija e cila është konsulle e Kosovës në New York u shpreh e lumtur që zyret e Misionit të Kosovës janë shndërruar në vend për art dhe kulturë.

“Vend ku shqiptarët nga të gjitha vendet ndihen krenar, në shtëpi të tyre dhe të mirëseardhur. Albana Bylykbashi të lumtë për udhëheqjen shembullore të këtij projekti artistik. Faleminderit gjithashtu të gjithë diplomatëve të Kosovës ne New York për ndihmën dhe angazhimin. Faleminderit Halil Mula, Beqir Sina, Ilir Rizaj dhe gjithë të tjerët”, ka thënë Sahatqija./ KultPlus.com

Burim Berisha sjellë të hënën ekspozitën “Dhe Jemi Ne”

Të gjithë ne, jemi produktet e një milion momenteve, takimeve, përshtypjeve. Krijohemi, formesohëmi nga ata. Dhe të gjithë ne, i kemi individualisht mënyrat tona qysh me komunikue me botën. Disa me gojë, disa me grusht. Disa me mençuri, disa me bukuri. Disa me lapsin e shkrimtarit, disa me shpatullin e skulptorit.

Për Burim Berishën, arti nuk ka qenë asnjë profesion, biznes, ëndërr fantastike apo performancë e dashurisë; arti ka qenë dhe është gjuha e tij shprehëse, mënyra me të cilën ai e kupton botën dhe i shpjegon përshtypjet e tij. Vijat, ngjyrat dhe format skulpturale janë lëvizjet e tij në valle, janë fjalët e tij.

Ekspozita ‘Dhe Jemi Ne’ e cila hapet nga ora 19:00 të Hani i 2 Robertëve, flet për diçka esenciale në veprat e Berishës. Kur mendojmë për ‘estetikën’, nganjëherë i harrojmë rrënjët e kësaj fjale: jemi mësuar që diçka estetike t’i referohet imazhit, sipërfaqes, një koncepti vizual të bukurisë. Përkundrazi, estetika flet për përceptimet e ndjenjave: jo me karakteristikat e asaj që ne shohim, por me realitetin e krijuar derisa jemi duke e parë.

Jo me pamjen e jashtme, por me diçka brenda nesh: çfarë ne ndjejmë, dhe si e ndjejmë. Skulpturat e Burim Berishës edhe janë prodhim i ndjenjave të tij – shprehjet e ndjenjës së tij për realitetin e jetës – dhe në të njejtën kohë janë imazhet e njerëzisë tue ndje. Në këto fytyra ne shohim çdo emocion, çdo ekstrem të dhimbjes apo të pasionit. Ne shohim – ne vetë ndjejmë – nuancat e jetës. Dhe realiteti është ai që ndjehet. Si njerëz, jemi produkt i prekjeve të jetës, siç janë skulpturat. Të krijuar; të përpunuar; të thekur, të shtrembëruar; të formësuar.

Në fund të fundit, bëhet e pamundshme ndarja e imazheve të jetës nga ndjenjat e jetë… nga jeta në vetvete. Këto figura janë prodhime të jetës dhe janë shprehje të jetesës. Skulpturat pasqyrojnë ndjenjat njerëzore, dhe si ne njerëzit reagojmë. Skulpturat na pasqyrojnë. Ne kemi parë dhe ne jemi parë. ‘Dhe ndaj dhe’, thotë riti për varrim, kur kufoma kthehet ne burim. Dhe jemi ne./ KultPlus.com

https://web.facebook.com/events/2062407184056579/

‘Jam Kosova bërtas e përmallur, jam Kosova që ka Alzhaimer’

Redon Elshani

Jam Kosova,
ndalu e m’degjo pak.
Po t’flas me gojen plot vrer,
neper dhembe ngecur bajonetat,
thith gjakun e avulluar,
t’bijve t’mi te lire ne qiell.
afroma veshin tek zemra qe rrah,
qepallat qe mbyllen nga fryme e jotja.
m’i degjo lutjet, bir.
m’degjo mu.
qe me nuk hesht,
sic heshtet fjala nga nje shhhh,
flas me zjarmin qe m’vlon mbi balle,
me plaget permbi gjoks,
e varret e hapuna,
qe akoma presin per nje trup.
a nje kocke qe t’i vnoj emer mbi krye.

Jam Kosova,
qe ne stomak s’kam trete ende mishte,
dua t’i vjell.
edhe njihere t’i shoh t’jetojne,
shpirterat pa trup.
me dhemb barku ende,
tu jetu n’kanibalizem.
e m’fajsojne mua, bir
per perbindesh me marrin.
kur kerkoj drejtesi,
qe se marr as nga ju,
bijte e mi.
nen dege t’lisave ju kam rrit,
me bese e me shprese.
e mallkuar
e nemun jam,
si bjeshket.
por, s’ju mallkoj dot juve, une nena
digjem ne vete me mire,
vec ju t’jeni rehat.

Jam Kosova,
bertas e permallur
per bijte qe kane lshu rrenje n’toke te huaj.
qe rrotat e autobuseve
m’hapin plage ne trupin tim,
sa here ikin.
naten i bie violines
mbi telat elektrik
thur ninullat e tmerrit.
frikem.
dirigjoj shqiponjat n’vend te notave
n pentagram.
qe po m’lajne vet cdo dite.
Flas somnambul,
e dehun ne pritje,
e thyeme ne shpirt.
me vjet pres stinen e luleve
qe vonoi kaq shume gjate.
ngjit shkallet per te pare detin,
hijet e portreteve mbi rere,
harrimet si te mpira rrine ne breg,
ikin me anije e varka,
zhduken pertej gjithckaje.

Jam Kosova,
qe ka Alzhaimer
se i fal gabimet e shputave
qe ecin mbi shpinen time,
mbi thinjat e flokeve,
rrudhat e qafes,
damaret e gjakut.
poret e mbushura me pergjerim.
pergjerim per kthim.
e lodhur jam,
thote.
dhe flet duke pire tymtaret
si duhan.
absorbon e vetme,
fjalet e ikjes
se nuk ka besim tek biletashitesit,
se s’shet me bileta vajtje-ardhje.
e vuan arratijsen vendi im,
do, por nuk beson.
kur i thone se e duan,
do, por nuk beson,
tek kthimi.

Jam Kosova,
Qe e uritur hap gojen,
te ju perpij te gjithve,
se eshte rritur cmimi i bukes,
kur per brum ka mbijetesen,
vec t’ngopem,
edhe nji dite tjeter t’jetoj.
e uritur jam,
e uritur per dashuri.
me duani, bijte e mi,
mos me urreni.
Se s’numeroj dot arioplane,
Ne vend t’yjeve t’pafund.
Sfilitur, une Kosova,
lutem qe te rrini. / KultPlus.com

Eurovizioni këtë vit do të jetë i qasshëm edhe për personat e shurdhër e të verbër

Transmetuesi Kombëtar i Izraelit ka zbuluar se për herë të parë do të ofrojë shërbime për të mundësuar shikuesit e shurdhër dhe të verbër që të ndjekin Eurovizionin, përcjellë KultPlus.

Si pjesë e organizimit të Eurovision Song Contest 2019, KAN do të transmetojë versione të qasshme online të konkursit nga Tel Avivi. Për shikuesit e shurdhër, interpretimi i gjuhës së shenjave do të sigurohet nga ekipi Sign Now, i cili tashmë ka filluar të punojë, transmeton eurvoix.

KAN do të promovojë në mënyrë aktive tre transmetimet te ndryshme në prag të konkursit për të siguruar që sa më shumë njerëz të jenë të përfshirë në Eurovision 2019./ KultPlus.com

Maro Konda, trimja labe që sakrifikoi veten për të mbrojtur popullin

Maro Konda – Trime labe me origjinë fteriote që sakrifikoi veten për të mbrojtur popullin. Lindi në Fterrë. Jetoi në fillim të shekullit XVI. 
U martua në Çorraj. Në vitin 1537, në mbrojtje të luftëtarëve çorrjotë, sakrifikoi veten, duke hedhur në greminë një numër jeniçerësh turq, së bashku me veten e saj.

Ndaj dhe populli i këndoi:

“Bijë Fterre, nuse Çorre,
Djalin më të mirë more,
Po ç’e do, nuk e gëzove,
Nga shkëminjtë u lëshove,
Turqitë prapa ç’i more,
S’more një, po di taborre…”

(Painted by Lazar Taci)./ Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history/ /KultPlus.com

Lule Elezi e Kastriot Tusha u prezantuan me koncert në Berlin, u shënua përvjetori i Pavarësisë së Kosovës

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani ka shënuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Berlin, në mbrëmjen e së enjtës, ku këtë festë e kanë shënuar me një koncert festiv me pianisten Lule Elezi e tenorin Kastriot Tusha, sikurse që është prezantuar edhe Grupi Polifonik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Tiranes dhe Grupi i Valleve ALB Univerzum të Shoqatës së Grave në Berlin, shkruan KultPlus.  

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi dhe tenori i mirënjohur Kastriot Tusha, prezantuan një program të pasur artistik me vepra të përzgjedhura enkas për këtë festë. 

Lule Elezi me William Walker

Fillimisht, para të pranishmëve të shumtë, dy artistët performuan tre himne shtetërore, atë të Kosovës, të Shqipërsië dhe atë të vendit nikoqir, Gjermanisë, dhe më pas të njëjtit performuan në programin e përzgjedhur për festë, me vepra shumë të njohura nga opusi krijues i kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botërorë si: P. Jakova, Ç. Zadeja, A.Mula, R. Falvo, E. de Curtis, F. Shubert, R. Schumann…, ku paraqitja e dy artistëve është mirëpritë me duartrokitje të ngrohta.  

Kjo mbrëmje artistike është përcjellë edhe nga ambasadori William Walker, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, sikurse edhe nga ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë në Gjermani, Beqë Cufaj nga Kosova dhe Artur Kuko nga Shqipëria. /KultPlus.com

Shqipëria turistike dhe magjia e fshatrave të jugut në një film

Shqipëria turistike me bukuritë natyrore të saj vjen në një film. Filmi do sjellë për publikun shqiptar pamje të mahnitshme të bregdetit të jugut si dhe atraksionet kryesore të cilat i ofrojnë vizitorëve pamje dhe ndërthurje të natyrës me vlerat dhe kulturën e vendit tonë.

Gjithashtu në pamjet e para të filmit janë dhe imazhe mjaft interesante të mikpritjes shqiptare si një ndër vlerat tona si dhe kulinaria e shumëllojshme që ne kemi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i cili ka shpërndarë dhe pamjet e para nga filmi shprehet se, “Shqipëria turistike, magjia e fshatrave të jugut dhe bregdetit shqiptar në 1 minutë. Për më shumë, në orën 18.00 sot, tek Kalaja e Tiranës, në një film dedikuar zonave turistike të jugut, ekspozitë e guidave turistike dhe skicave të realizuara nga studentët e fakultetit të Arkitekturës, panair suveniresh të ndryshme”.

Shqipëria tashmë është shndërruar në destinacion gjithëvjetor pasi ofron një sezon turistik të larmishëm ku përveç bregdetit turizmi dimëror po zhvillohet shumë nga turistët e aventurës të cilët eksplorojnë shtigje malore duke bërë hiking, shëtitje me biçikleta dhe ski./A.T.SH/ KultPlus.com

Ki me e ni bubullimën


Poezi e shkruar nga Anna Ahmatova. 
Përktheu: Elife Krasniqi

Ki me ni bubullimë e ki me më kujtu, 
Dhe ki me mendu: ajo i donte stuhitë. Skaji 
I qiellit ka me qenë ngjyra e kuqrremtës,
Dhe zemra jote, ashtu qysh atëherë ishte, 
Në zjarr ka me qenë. 

Atë ditë në Moskë, gjithçka do të bahet, 
Kur, për të fundit herë, udhën në sy e marr
Dhe ka me u nxitu për naltësitë që per to mallë kam pasë
Tue e lanë hijen teme, hala me ty me nejt./ KultPlus.com

Një palë këpucë për ata që e lanë atdheun për një jetë më të mirë

Qytetarët e Shkupit, në formë simbolikë kanë mbushur me këpucë sheshin para godinës së Bashkisë, për të gjithë anëtarët e familjeve të tyre që u larguan nga Maqedonia në kërkim të një jete më të mirë.

Kjo ishte një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë dhe zhgënjimin e tyre me standardin e ulët të jetesës në atdhe./ KultPlus.com

Arben Zharku për Cineuropa: I jemi mirënjohës Qeverisë e cila e sheh kinemanë të rëndësishme

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës prononcohet për magazinën më të rëndësishme të Kinematografisë Europiane.

Në video intervistën e realizuar në shtandin e QKK-së në Berlinale ai e pëshkruan kontekstin aktual kinematografik në Kosovë duke përmendur potencialin e madh të filmbërësve Kosovarë, punën që po bën QKK-ja për të promovuar filmat e Kosovës, bashkëpunimin dhe bashkëprodhimin ndërkombëtar, sukseset e fundit më të mëdha, përkrahjen gjithnjë në rritje të institucioneve kosovare për filmin, si dhe zhvillimet dhe planet për lehtësirat financiare që priten të bëhen pjesë e ligjit të ri për kinematografinë. / KultPlus.com

Vonohet tre minuta në takim, ministri japonez kërkon falje publike

Ministri i Shtetit për Lojërat Olimpike në Japoni, Yoshitaka Sakurada, ka kërkuar falje publike pasi mbërriti tre minuta me vonesë në një takim parlamentar.

Deputetët opozitarë thanë se me vonesën tij, ministri tregoi mos respekt dhe në shenjë proteste bojkotuan për 5 orë takimin e Komitetit për Buxhet.

BBC shkruan se opozita në Japoni ka qenë në vazhdimësi kritike ndaj ministrit i cili është në krye të organizimit të Lojërave Olimpike “Tokio 2020” pas një serie të gafave që Sakurada ka bërë përmes deklaratave në publik.

Javën e kaluar, ministri tha se ishte lënë në baltë nga notarja Rikako Ikee, pasi ajo nuk do të marrë pjesë në lojëra për shkak të diagnostikimit me leukemia, ndërsa tha se pritshmërie që ajo të fitonte medalje ishin të mëdha, transmeton KosovaPress.

Ndërsa vitin e kaluar, Yoshitaka Sakurada, i cili është edhe ministër i për Siguri Kibernetike u shpreh se nuk kishte përdorur asnjëherë kompjuter dhe se punët ia delegonte dikujt tjetër.

Opozita po kërkon me këmbëngulje dorëheqjen e tij./ KultPlus.com

Me 23 shkurt mbahet debati ‘Gratë artiste gjatë rezistencës kosovare të viteve ’90’

Galeria Kombëtare e Kosovës dhe British Council kanë kënaqësinë të prezantojnë projektin më të ri, që vjen si rezultat i një bashkëpunimi dyvjeçar midis pesë kuratorëve dhe institucioneve nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor, ekspozitë e quajtur “Përceptimet:Burrneshat”, e cila në Kosovë u hap me datë 25 janar 2019 e kuruar nga Arta Agani. Me një qasje unike dhe të jashtëzakonshme, ekspozita është inicuar nga British Council dhe politika e saj inovative në botën e artit.

British Council dhe Galeria Kombëtare e Kosovës kanë bashkëpunuar në organizimin e ekspozitave të artistëve të mëdhenj britanikë në Prishtinë si Henry Moore dhe Grayson Perry e kësaj radhe na kanë sjellë në audiencë 14 artiste nga Mbretëria e Bashkuar: Madame Yevonde, Clare Strand, Abigail Lane, Rachel Whiteread, Camilla Løw, Anthea Hamilton, Laura Aldridge, Helen Çadwick, Tracey Emin, Sarah Lucas, Gillian Wearing, Elisabeth Price, Celia Hempton dhe Lubaina Himid; në një “bashkëbisedim” me shtatë artiste kosovare: Alija Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Arbana Hajredinaj, HAVEIT, Rudina Xhaferi, Flaka Haliti dhe Zake Prelvukaj.

Panelet e diskutimit organizohen në partneritet me Qendren për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS, një organizatë për art dhe komunitet e bazuar në Prishtinë.

Panel diskutimi “Gratë artiste gjatë rezistencës kosovare të viteve ’90”

Me 23 shkurt, 2019
Nga: 12:00 – 14:00
Panelistë: Igballe Rogova-aktiviste, Safete Rogova-artiste, Zake Prelvukaj-artiste, Blerta Zeqiri-artiste

Moderatore: Zana Hoxha Krasniqi – Artiste

Vendi: Galeria e Arteve të Kosovës    

‘Karnavalet e Korçës’ goditën maskat e shqiptarëve në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Karnavalet e Korçës“ me regji të Altin Bashës dhe tekst nga Spiro Çomoa.

Në familjen e njohur shqiptare të tregtarit Nikollaq Jorganxhiu (Luan Jaha), ndodhë nami kur vajza e tyre Afroviti (Edona Reshitaj) tashmë 30 vjeçare, mbetet pa martuar. Nikollaqi dhe gruaja e tij Olimbia (Ilire Vinca) ngrisin në këmbë gjithë Korçën në kërkim të dhëndrit të duhur.

Ai duhet të jetë i shkolluar, të ketë zë në fshat dhe një pasuri që të ia mbushë syrin babait lakmues, Nikollaqit, i cili ka kthyer shumë krushq vetëm për këtë arsye. Këtu nisin edhe situatat komike që bëjnë për të qeshur publikun e teatrit.

Mirëpo një maskë e cila është thelbi i skenografisë së shfaqjes në të cilën aktorët luajnë është elementi i parë që tregon se kjo shfaqje shkon përtej komedisë. Ajo thumbon edhe disa elemente negative në shoqëri përmes tekstit të Spiro Çomoasë shkruar gjatë vitit 1936, e që akoma janë të pranishme.  Zgjedhja e këtij teksti nga regjisori Altin Basha është edhe një protestë ndaj paragjykimeve ekzistuese për trashëgiminë kulturore shqiptare në fushën e dramaturgjisë.

“Dëshira e mirë për me gjetë elemente të veçanta brenda një vepre e bën më të lehtë punën e regjisorit për me u kapë në ato elemente, për me i zhvillu dhe me kriju mbi to, për me nxjerr sigurisht një punë që mundet me rezonu edhe në publikun modern. Kjo është një përpjekje që duhet ta bëjmë jo vetëm në fushën e dramaturgjisë por kudo pasi që ky është identiteti jonë dhe në këtë mënyrë mund ta zhvillojmë artin dhe kulturën tonë”, tha ai duke theksuar se ka edhe autorë të tjerë të cilët presin e që kanë nevojë për besim dhe shumë frymëzim për të punuar me veprat e tyre.

Familja Jorganxhi shfaqë disa aristokratë të shtirur, që kanë udhëtuar nga Korça për në Venecia nëpër Detin Mesdhe me tren, njohës të mirë të gjuhës frënge ku zotërisë i thonë “mademoiselle”. Një familje e tërë me artistë ku postet e drejtorit, organizatorit, sopranos, tenorit, brenda një koncerti i mbajnë anëtarët e një familjeje. Familje e cila pushtetin e saj e shfaqë mbi shtresat e margjinalizuara ndërsa ju përkulet udhëheqësve.

“Jam përpjekur që këtyre elementeve të ju mshoj duke mos harruar që kemi të bëjmë me një komedi lirike e cila në thelb ka argëtimin për publikun dhe këtë me së miri e kanë bërë aktorët të cilët kanë ndërtuar karaktere shumë të mira”, u shpreh Basha për KultPlus.

Këngët vijnë nga qyteti i serenatave, Korça, e njohur edhe për karnavalet që ishin po ashtu pjesë e kësaj shfaqjeje. Pikërisht këto pjesë muzikore, dramaturgu Arian Krasniqi i vlerësoi si një freski brenda shfaqjes.

“Është shumë mirë që kthehen tekstet e traditës me një qasje të re regjisoriale, në këtë rast të regjisorit Basha i cili është një regjisor me përvojë. Trupa ka qenë harmonike në komunikim dhe interpretim mes vete. Pjesët muzikore ishin freski brenda shfaqjes. Kostumet nga Iliriana Hoxha Basha duhet t’i veçoj për shkak se i kanë dhënë ngjyrë dhe atmosferë shfaqjes. Sonte në premierë publiku është pak a shumë i zgjedhur mirëpo shpresoj që shfaqja ka me komuniku edhe në reprizat e tjera me një audiencë me të rëndomtë dhe atëherë mund ta vlerësojmë saktësisht jetëgjatësinë e shfaqjes”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja “Karnavalet e Korçës” ka mjaft material e mbrëmë kjo përgjegjësi ra mbi shpatullat e aktorëve.

Olimbia, aristrokatja e cila në fund përfundon me gjestin me të vrazhdë të mundshëm duke larguar maskën e vënë në fillim, erdhi përmes lojës se aktores Ilire Vinca.

“Altini është një regjisor i cili komeditë por edhe dramat i ka shumë të bukura, ka një ndjeshmëri shumë të madhe dhe është shumë konkret në kërkesa. Kjo për aktorin nuk është e lehtë pasi kur je konkret duhet që atë konkretësi që ta jep regjisori me e mbërri ti si aktore që me i lanë përshtypje publikut” , tregoi Vinca për KultPlus.

“Komedia është e tillë që ne bëjmë prova 40 ditë edhe nuk e kemi idenë se a ka me prit publiku mirë apo jo. Altini ia ka marrë dorën kësaj pune edhe ia ka dalë deri në fund së bashku me ne pasi që publiku e priti shumë mirë shfaqjen. Roli është shumë karakteristik prej roleve të tjera dhe e kam pasur fatin që me u veçu pak pasi kam pasur rolin e një femre. Kjo ishte pak fat i imi dhe e falenderoj Altinin që ma ka besuar këtë rol”, tha aktori Ylber Bardhi pas shfaqjes.

Repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Dua Lipa për The Sun: Serbët na kanë dëbuar nga Kosova

Tabloidi i famshëm britanik “The Sun”, i ka kushtuar një hapësirë të madhe fitueses së sivjetme të çmimeve Grammy dhe Brit Awards, këngëtares nga Kosova Dua Lipa, transmeton Zeri.info.

Ky tabloid shkruan se familja Lipa është dashur ta braktisë Kosovën në vitin 1992 për shkak të presionit dhe terrorit që kishte nga pushteti serb atje.

Gjyshi i Duas, Seit Lipa, ishte drejtor i muzeut historik në Prishtinë gjatë periudhës mes viteve 1990-95. Dhe pikërisht atij i ishte kërkuar që të përmirësoj disa libra historikë dhe të fabrikojë fakte historike, çka ai kishte refuzuar, për çka më pas ishte shënjestër e regjimit serb. “Ishte periudhë e tmerrshme për të gjithë. Janë mbyllur të gjitha shkollat dhe mediat.

Secili akademik ka qenë shënjestër. Njerëzit zhdukeshin brenda natës. Familja Lipa ishte në rrezik shkaku i kësaj, prandaj janë detyruar të ikin”, ka rrëfyer kompozitori dhe miku i familjar, Florent Boshnjaku, përcjell albinfo.ch.

Vetë Dua ka deklaruar se familja dhe populli i saj janë dëbuar me dhunë nga Kosova nga regjimi serb. “Serbët na kanë dëbuar nga Kosova. Kemi qenë viktima të terrorit të tmerrshëm”, kishte deklaruar këngëtarja shqiptare.

Dua ka lindur në Londër në vitin 1995.

Dua ka ndjekur shkollën teatrale të Silvia Jong, para se me familje në vitin 2006, të kthehej në Prishtinë, ku babai i saj kishte fituar një vend pune. Në Prishtinë, Dua ka shkuar në shkolla private dhe është rritur duke dëgjuar muzikën e babait të saj, i cili dikur ishte pjesëtarë i grupit “Oda”.

“Tani jam krenare me emrin tim, por kur kam qenë më e re, e tëra që dëshiroja, ishte të quhesha Hana, Sara, Ella… Çfarëdo emri, vetëm të ishte normal. Sepse emrin Dua është dashur ta sqaroj vazhdimisht se çfarë nënkupton, që njerëzve t’u tregoja se isha nga Kosova”, ka rrëfyer Dua.

Si 14-vjeçare kishte filluar që në kanalin Youtube të publikojë këngët e përpunuara të këngëtareve të saj të preferuar, si Pink dhe Nelly Furtado.

Në të njëjtën kohë ka filluar të punoj si modele për një katalog ‘on-line’, por edhe si hostes në restorantin meksikan ‘La Bodega Negra’ në Soho, dhe në klubin e natës “Mayfer”.

Familja e Duas ishte kthyer në Londër në vitin 2012 dhe ajo së bashku me familjen, ishin vendosur në Londrën Perëndimore, ku ka jetuar deri në mars të vitit të kaluar. Në vitin 2015, producentët kishin dëgjuar përpunimin e saj të këngës “Cocoa Butter Kisses” të reverit Chensey dhe i kishin ofruar të nënshkruaj kontratë me shtëpinë diskografike “Warner Music”.

Dy vite më vonë, është paraqitur albumi i saj i parë “Dua Lipa”, ku gjendeshin shumë hite, mes tyre edhe “Be The One” dhe “New Rules”. Qysh në atë kohë ishte bërë e qartë se bota kishte fituar një yll të ri të muzikës, e cila vetëm në vitin 2017, kishte fituar mbi 2 milionë euro, ndërsa nga viti e kaluar e këndej, vazhdon t’i rendis çmimet më të rëndësishme muzikore.

‘Bukuria e asaj që mbetet’, sonte në Prishtinë dhe nesër në Prizren

Program publik : Bukuria e asaj që mbetet

Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë kënaqësinë të ju ftojnë në ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtaş e cila do të mbahet sot, e Premte te Kino Armata në orën 17:00 dhe te Kino Lumbardhi nesër, e Shtunë me 23 Shkurt në orën 17:00. Ligjeratat do të mbahen në gjuhën angleze dhe do të përcillen me një diskutim të hapur.

Në këtë ligjeratë temë kryesore do të jetë struktura urbane dhe mbetjet e kohës, gërshetimi i së kaluarës dhe tashmes dhe çasjet ndaj asaj që ka “mbetur” në kontekstin arkitekturor.  Aslıhan Demirtaş do të flet për rishfrytëzimin adaptiv nga këndvështrimi i ‘mbetjes së kohës’, i përqendruar, por jo i kufizuar në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.

Aslıhan Demirtaş është themeluese e KHORA Office & Aslihan Demirtas Architecture & Research Office dhe Ligjëruese në Departamentin e Arkitekturës të Fakultetit të Arteve dhe Dizjanit në Universitetin Kadir Has në Stamboll. Demirtaş mban titullin MS.ArchS nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) dhe BArch nga Middle East Technical University (METU) në Ankara. Studioja e saj së fundmi përfundoi Kopshtin e Dimrit në SALT Beyoglu, ndërsa aktualisht është e angazhuar si arkitektja kryesore në projektin e rijetësimit të Kinemasë Lumbardhi në Prizren. Para fillimit të praktikës së saj Demirtaş punoi për Laureatin e çmimit Pritzker I.M. Pei si projektantja kryesore e Muzeut të Artit Islamik në Doha, Katar si dhe Kishëzës Miho në Japoni.

Ky event organizohet me mbështetjen e U.S. Speakers Program për Kosovën, nga Fondacioni Lumbardhi në partneritet me Fondacionin Kosovar të Arkitekturës.