Kur EL James lansoi “The Mister”, vazhdimin e serive të “Fifty Shade”, ajo ka qenë e përgatitur për kritika të këqija.
Por, ajo që ndoshta nuk e priste ishte se kritikët e saj do të përfshinin ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka shprehur shqetësimin e tij me portretizimin negativ të bashkëvendësve të tij në roman.
Romanca qendrore në “The Mister” është në mes të një aristokrati anglez, Maxim Trevelyan, dhe pastrueses së tij të varfër shqiptare, Alessia Demachi, raporton “The Telegraph”.
Ndodh që Alessia është viktimë e trafikimit seksual, e trafikuar në Britani nga gangsterë nga vendlindja e saj. Ajo u shpëton atyre, vetëm për t’u kthyer prapa në fshatin e saj nga i fejuari is aj, një bandit tjetër i dhunshëm që kërkon nga ajo t’i bindet si “një grua tradicionale shqiptare”. Alessia po detyrohet të martohet me të nga i ati.
Edukimi i saj portretizohet aq larg nga bota moderne sa që smartfonëve u referohet si “telefona të zgjuar”. Kur ajo sheh Maximin të paguajë diçka me kartë krediti, ajo mahnitet: “Karta juaj është magjike”.
Qirjako Qirko, ambasadori shqiptar, tha se përshkrimet janë “krejtësisht joreale”.
Ai tha për “The Telegraph”: “Më vjen shumë keq se ekziston një roman me këto informata që krijon kaq perceptime negative për vendin tim. Realiteti është krejtësisht ndryshe. Problemi i imazhit është një nga prioritetet e mia”.
“Shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund t’i takoni në jetë, pa dyshim, më miqësorët. Vitin e kaluar numri i turistëve u rrit për 32 për qind në krahasim me një vit më parë”.
Qirko nuk e ka lexuar librin, i cili e përzien gjendjen e Alessias me skena seksi për çka Jamesi është i njohur. Por ai thotë të jetë pikëlluar kur ka mësuar se karakteret shqiptare janë ose kryes krimesh ose viktima të krimit.
“Është një komunitet prej 120,000 shqiptarëve në Britani të Madhe, kryesisht në Londër. Në një komunitet kaq të madh, natyrisht se ka njerëz që kryejnë krime. Por janë thjesht disa individë”, thotë ai.
Një nga kritikat e para të librit, në revistën amerikane “Entertainment Weekly”, kritikon Jamesin për “ritheksimin e klisheve të vjetra për gratë e Evropës Lindore. Për sa u përket burrave shqiptarë në roman: të gjithë janë banditë të Neandertalit që ose e kidnapojnë Alessian (diçka që ndodh disa herë) ose e detyrojnë atë të martohet me një kidnapues tjetër”.
“The Mister” është lansuar disa javë pasi Shqipëria nisi një kampanjë turistike për të përmirësuar imazhin e saj. Slogani “Taken by Albania” nuk e ka kuptimin e tillë – që i referohet filmit holivudian në të cilin vajza e Liam Neesonit kidnapohet nga trafikantët shqiptarë.
“Në kulturën e gjerë, Shqipëria është ngjyer si një parajsë për banditë, kriminelë e gangsterë. Ndonëse ne e kuptojmë se perceptimi mund të jetë i përshtatshëm për filma të mirë, sikurse Taken (2008), është krejtësisht e pavërtetë! Në të vërtetë, Shqipëria është një vend i bukur dhe jashtëzakonisht i sigurt për t’u vizituar e jetuar”, thotë kampanja, duke iu referuar “natyrës së bukur, mikpritjes dhe traditave të përjetshme” të vendit, shkrimin e “The Telegraph”.
Në një intervistë për “New York Times” për të shënuar publikimin e librit, James tha se kishte bërë hulumtim të gjerë për vendin ish-komunist, e ka vizituar dy herë dhe ka blerë një fjalor shqip dhe një libër për krimin e organizuar. Ajo shtoi se bashkëshorti i saj kishte mësuar si të bënte ushqime shqiptare.
Seria “Fifty Shades” e Jamesit është shitur në 150 milionë kopje në mbarë botën. Libri i parë, “Fifty Shades of Grey”, e mposhti “Highway Code” për t’u bërë libri më i shitur në Britani që kur kanë nisur të mbahen shënimet. Ndërsa të hyrat nga filmat kanë mbledhur 1 miliardë dollarë.
Ajo e ka përshkruar librin “The Mister” si “tregimi për të Përhiturën e shekullit të 21-të”. Libri i saj i radhës do të jetë një romancë paranormale.
Gjinari, 22 km larg qytetit të Elbasanit, po shndërrohet në një ndër destinacionet e preferuara turistike gjatë fundjavës nga turistët vendas dhe të huaj.
Kjo perlë e natyrës shqiptare që shtrihet në zonën e Shpatit, Gjinari i ofron turistëve një pyll të dendur me pisha, pllaja të gjelbra dhe pamje ideale për të zhvilluar jo vetëm turizmin e peizazhit, por është një vend ideal edhe për të apasionuarit pas sporteve, ecjeve në shtigje malore dhe ngjitjeve deri në Malin e Bukanikut, nën të cilin shtrihet Gjinari.
Vit pas viti në këtë zonë janë ngritur bujtina, hotele dhe restorante, të cilat vitet e fundit kanë bërë që shumë shqiptarë dhe të huaj të vizitojnë për një ditë apo për disa ditë këtë zonë malore në qarkun Elbasan.
Një nga monumentet e natyrës në këtë zonë është dhe Pisha e Fushkuqes, që është shpallur Monument i Natyrës në vitin 2002, dhe nuk është veçse një peizazh çlodhës por edhe kurativ , bëhet fjalë për një sipërfaqe rreth 2 ha, me drurë të rinj dhe të vjetër.
Veç natyrës, zona e Shpatit është e pasur edhe me objekte të trashëgimisë kulturore, veçmas objekte të kultit të cilat janë ideale për zhvillimin e turizmit fetar.
Kisha e Shën Kollit në Shelcan është e ndërtuar në periudhën e Mesjetës dhe në të gjenden afreske të Onufrit, datojnë në vitin 1554. Disa prej afreskeve i kanë shpëtuar dëmtime dhe aty gjendet figura e Krishtit, e rrethuar nga apostuj.
Kisha e Shën e Premtes në Valësh është një tjetër destinacion. Edhe kjo kishë daton në të njëjtën periudhë dhe afresket janë të realizuara nga Onufri. Pikturat murale në këtë kishë kanë vlera të mëdha dhe ato shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.
Në këtë zonë ndodhet edhe varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës), piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767. /a.a/ KultPlus.com
Maria Polidhuri. Sjellë në shqip ngaMaksim Rakipaj.
Nuk këndoj meqë re në dashuri me mua vitet që shkuan. Edhe gjatë verës, në zagushi edhe në borë, edhe në shi, s’po këndoj meqë u dashuruam.
Por vetëm sepse më mbajte ndër krahë dhe më puthe në buzë atë natë ja përse ndjehem çelur si zambak dhe ky shpirti ende fërgëllon, kur më duket sikur më përqafon.
Vetëm sepse më shikoje me ngulm, qe shpirti yt që vështronte, që shpirtin ma zbukuronte gjithçka ty të dhuronte vetëm sepse më shikoje me ngulm.
Sepse veç më vije re kur shkoja dhe shihja ndër sytë e tu të kalonte si ëndërr e brishtë hija ime që lodronte, që lëngonte, Sepse veç ti më vije re kur shkoja.
Sepse më fole ashtu, me drojtje dhe unë të zgjata duart të pashë të turbulluar i shtrenjti im i paharruar, sepse më fole ashtu, me drojtje.
Sepse, vetëm sepse, ty të pëlqente, prandaj më qe e këndshme ecja më dukej se të kisha pas kudo dhe ndokur pranë do të të ndjeja Sepse, vetëm sepse, ty të pëlqente.
Vetëm sepse më deshe ti jam lindur, ndaj jeta s’m’u dha kot. Mjerim jeta bosh, e palumtur, por imja është plot. Vetëm sepse më deshe ti jam lindur.
Veç për dashurinë tënde të veçantë më zbret agimi nëpër duar. Të të ndrit udhën çdo çast Me yje m’i mbush sytë çdo natë, Veç për dashurinë tënde të veçantë.
Vetëm se më deshe mrekullisht u linda dhe jetova ti mbret, në ëndrrat e tua mbretërova dhe vdekja më vjen kaq ëmbëlsisht vetëm se më deshe mrekullisht./ KultPlus.com
Bletët që jetojnë në çatinë e “Notre Dame”-s, janë gjallë dhe duke gumëzhirë, pasi kanë shpëtuar nga zjarri që depërtoi në katedrale të hënën, e ka konfirmuar bletari Nicolas Geant.
“Mora një telefonatë nga zëdhënësi i ‘Notre Dame’-s, Andre Finor, i cili tha se kishte bletë që fluturonin brenda dhe jashtë koshereve që do të thotë se janë ende gjallë”, tha Geant. “Menjëherë pas zjarrit, i shikova fotografitë nga droni dhe pash që kosheret nuk ishin djegur, por nuk kisha mundësi të dija nëse bletët kanë mbijetuar. Tash e di se aty ka aktivitet dhe është një lehtësim i madh”, ka thënë ai.
“Notre Dame” ka strehuar tri koshere bletësh në katin e parë në një çati, ku çdo koshere ka rreth 60, 000 bletë.
Geant thotë se kosheret nuk janë prekur nga zjarri për shkak se ato janë të vendosura 30 metra nën kulmin ku ka shpërthyer zjarri, raporton CNN, transmeton Koha.net.
“Ato nuk ishin në mes të zjarrit, po të kishin qenë nuk do të mund të shpëtonin”, thotë Geant. “Kosheret janë të bëra nga druri, kështu që ato do të ishin shkatërruar nga zjarri”.
“Dylli shkrihet në 63 gradë, nëse kosherja kishte arritur këtë temperaturë atëherë dylli do të ishte shkrirë duke i ngjitur bletët bashkë”.
Ndonëse ka të ngjarë që kosheret të jenë mbushur me tym, mirëpo kjo nuk ndikon tek bletët ashtu siç do të ndodhte tek njerëzit, shpjegon Geant.
“Bletët nuk kanë mushkëri si ne”, tha ai. “Dhe së dyti, për shekuj me radhë me bletët ne kemi përdorur tymuesit”.
“Isha jashtëzakonisht i mërzitur për ‘Notre Dame’-n, sepse është një ndërtesë shumë e bukur dhe si katolik do të thotë shumë për mua. Por të dëgjoja se bletët kanë jetuar, kjo është e mrekullueshme”, ka shtuar ai.
“Faleminderit Zotit që zjarri nuk i ka prekur ato, është një mrekulli”, ka thënë ai./KultPlus.com
Bienalja e Venedikut ka emëruar pesë anëtarët e jurisë ndërkombëtare për çmimet e vitit 2019 në kuadër të Bienalës e cila do të hapet në maj, shkruan KultPlus.
Stephanie Rosenthal, e cila do të shërbejë si presidente e jurisë, është drejtoreshë e qendrës së artit Gropius Bau në Berlin. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoresh artistike e Bienales së 20-të në Sydney në vitin 2016.
Defne Ayas punon si kuratore për fondacionin V-A-C në Moskë. Nga viti 2012 deri në vitin 2017, ajo drejtoi Witte de With Art- Qendrën për Art Bashkëkohor në Roterdam, si dhe kuroi pavilionin e Turqisë në Bienalen e 56-të të Venecias.
Cristiana Collu është drejtore e përgjithshme e Galerisë Kombëtare të Arte Moderne dhe Bashkëkohore në Romë. Ajo më parë ka punuar si drejtoresh e Muzeut të Artit Modern dhe Bashkëkohor të Trento dhe Rovereto në Itali.
Sunjung Kim, e cila tani është presidente e Fondacionit ”Gwangju Biennale foundatiohn” dhe qe gjithashtu ka udhëhequr qendrën e arti kontemporan në Seoul “Art Sonje Center”.
Hamza Walker, i cili pas më shumë se 20 vjetësh kurator i ekspozitave në “Chicago’s Renaissance Society”, është drejtor i LAXART, një hapësirë artistike jofitimprurëse në Los Angeles.
Kjo juria ndërkombëtare do të ndajë çmimet për “Golden Lion” për pjesëmarrësin më të mirë kombëtar, “Golden Lion” për pjesëmarrësin më të mirë në ekspozitën ndërkombëtare “May you Live in Interesting Times”, çmimin “Silver Lion” për pjesëmarrësin më të ri premtues si dhe gjithashtu do të ndajë një mirënjohje të veçantë për pjesëmarrësit kombëtar dhe maksimumi dy mirënjohje speciale për artistët në ekspozitën ndërkombëtare./ KultPlus.com
Kopshti botanik “Keukenhof” në Holandë, i njohur si kopshti më i madh në botë i tulipanëve dhe i cilësuar si atraksioni kryesor i vendit, këtë vit mirëpret mysafirët e saj me temën “fuqia e lules”.
“Keukenhof”, një nga kopshtet më të mëdha në botë të luleve, që gjendet në qytetin Lisse, këtë vit hap dyert për herë të 70-të.
Kopshti çdo vit organizon spektaklin e luleve me koncepte të ndryshme, ndërsa tema e këtij viti do të jetë “fuqia e lules”. Fuqia e lules, ngjyrat e ndritshme, stili hipi, paqja dhe muzika përfaqëson atmosferën e viteve ‘70.
Përgatitjet për kopshtin, në të cilin gjenden thuajse të gjitha llojet e tulipanëve, kanë vazhduar me muaj.
Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanit, kopshti qëndron i hapur vetëm në muajt prill dhe maj.
Këtë vit, në kopshtin me sipërfaqe prej 32 hektarësh, janë mbjellë shtatë milionë lule, shumica tulipanë.
Në kopsht mund të shihen fotografë të shumtë duke shijuar spektaklin e ngjyrave, ndërsa po ashtu organizohen edhe ekspozita të ndryshme dhe shfaqje, transmeton atsh.
Kopshti siguron mbështetje të mëdha nga familja mbretërore. Deri në mesin e muajit maj, ai pritet të vizitohet nga mbi një milion njerëz nga rreth 100 vende.
Sipas të dhënave zyrtare të Keukenhof, në mesin e vizitorëve të kopshtit, prej të cilëve 80 për qind janë turistë të huaj, të parët radhiten gjermanët, francezët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.
Kopshti u krijua në vitin 1950 dhe atëherë ishte vizituar nga 236 mijë njerëz.
Keukenhof konsiderohet edhe si platformë ku kultivuesit ekspozojnë prodhimet e tyre.
Edhe pse tulipani ka orgjinë nga Turqia, kjo lule përkon me Holandën dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e saj. Holandezët prodhojnë mbi katër miliardë bulbe të tulipanit në vit, ndërsa rreth gjysma e tyre eksportohen jashtë vendit./ KultPlus.com
Maja e katedrales digjej dhe sytë e tërë botës ishin drejtuar nga ajo. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Dukej një flakë mbi rozetën qendrore.Ajo tashmë ishte ngritur ndërmjet dy kambanave. Flaka bëhej edhe më e çrregullt dhe shumë e furishme. Vërehej edhe era që e shpërndante edhe më, e tymi sa vinte e shtohej. Tashmë flakët kishin marrë pothuaj gjithçka. Dy ullukë ishin bërë si dy gryka. Dihej sikur binte rrebesh shiu i zjarrtë dhe currilat tashmë ishin të argjendta dhe arrinin t’i jepnin shkëlqim vetëm pjesës së poshtme të fasadës. Karli i Madh i ka pasur vënë gurin e parë. Filip Augusti, të fundit.
Ditën e parë të gjithë e vuajtën shuarjen e kambanave të “Notre Dame”. Disa shpërndanë fotografi të huazuara nga “Google”. Disa të tjerë çastet “selfie” pranë panoramës në të cilën dominonte fasada e skuqur nga qielli i pasdites që kuqëlonte. Shumë shpejt e vajtuan Zonjën e Parisit të vërshuar nga flaka, tymi dhe errësira. U krijua përshtypja sikur të gjithë e admirojnë. E kuptova krejt natyrshëm këtë plagë.
Tash të gjithëve po na mungon ai zgjimi i Esmeraldës, e cila kishte kohë që nuk flinte. Po më kujtohet në film se si një rreze e diellit e cila sapo lindi “theu dritaren” dhe preku fytyrën e Esmeraldës. Në dritare, tok me diellin u shfaq një imazh i frikshëm, konstrukti i Kazimodos. Shikimi i saj qe i ftohtë dhe i mbylli sytë.
Poetika e paradoksit në këngët lirike
Ajo tentonte të flinte, por më kot përbindëshi tashmë u bë faktor dhe qepallat ngjyrë vjollcë të ciganes shfaqnin fytyrën e shëmtuar me një sy dhe me dhëmbë të prishur. Koka e tij prej monstrumi dhe zëri i tij i vrazhdë tentonin të krijonin një atmosferë dashurie duke u përpjekur ta bind Esmeraldën se Kazimodo është miku i saj më i ngushtë.“Erdha të shihja nëse po flinit”, ishin fjalët e tij. Në një fare forme ai kënaqej vetëm teksa e vështronte e nëse ajo e ka bezdi mund t’i mbyllte sytë. Ai u fsheh prapa murit dhe kërkoj nga ajo t’i hapte sytë. E bukura qëndronte në atë theksimin e fjalive “Cigania e ngashëryer, hapi sytë.” Ai u fsheh pas një qoshe të murit, rrinte shumë i brengosur e unë si shikues i këtij filmi ndjeja dhimbje për të. Edhe Esmeralda ndjente të njëjtën dhimbje andaj e thirri “Ejani”. Ai kujtonte se ajo e dëboi e pranoj këtë si ofendim, ashtu duke çaluar, e mos guxuar t’ia lëshonte shikimin, i dëshpëruar u largua. Thirrjet e saj ishin të njëpasnjëshme, ai nuk kthehej, ajo vrapoj kapi krahun e tij duke tentuar ta fus në hapësirën e saj, por ai nuk hyri, qëndroi vetëm deri te pragu.
Ai shumë e vlerësonte atë sa që kishte frikë ta shikonte drejt në sy. Shikoheshin, heshtja i pushtonte, ajo analizonte çdo detaj të shëmtuar të tij, fillonte nga këmbët e shtrembëta, gunga
në shpin deri te syri. Disi mendonte në vete se kjo është krijesa më e shëmtuar në botë. Në njërën anë ajo kishte mëshirë, butësi sa që mëshirohej me të. Buzëqeshja e tij ishte e pakontrolluar kaloi edhe në hidhërim.
Muze kryeveprash botërore
Ishte i shkretë dhe vetë vajza e trajtonte si të shkretë e kjo kthehej nga ai në hidhërim. Ajo ishte shumë e bukur e ai shumë i shëmtuar. Ajo vërente brengën e thellë të tij dhe vështirë i artikulonte fjalitë, por ai asgjë nuk dëgjonte. Ai tha: “Kurrë s’e kisha ndjerë shëmtimin tim kaq fort sa tani. Kur e krahasoj veten me ju, më vjen keq për veten time, për një përbindësh të mjerë siç jam unë. Pa më thoni: unë ju dukem si ndonjë egërsirë pylli, apo jo? Ju jeni një rreze dielli, një cirkë vese, një këngë bilbili. Kurse unë jam diçka e llahtarshme, as njeri dhe as kafshë; jam një send më i vrazhdë, më i shëmtuar dhe më i përçmuar se një copë gur!”. Mua si shikues ma copëtonte zemrën, por edhe sot kur e shikoj këtë film.
Çdo parisieni, çdo njeriu në botë i rri në kujtesë kjo. Atë natë të gjithë e kujtuan, e qanë, isha shumë dakord disi mu duk se populli ynë është me shpirt plot art, e njeh të bukurën, arkeologjinë, teatrin, pikturën dhe librin. Atë natë m’u duk se të gjithë shtëpitë i kanë të mbushura me piktura origjinale dhe muret i kanë me rafte librash sepse me shpirt e mbronin Notre Dame-n. Sa bukur tingëllonte ky popull mu atë natë, aspak revoltë nuk kishte, mirëpo të nesërmen e kritikuan, sepse kryeministri Ramush Haradinaj ndau një ndihmë simbolike si mbështetje për katedralen. Ky qe një gjest i mirë, sepse ishte edhe muze kryeveprash botërore, aty u inspirua Viktor Hugo. I mbijetoj luftërave dhe shtatë shekuj qëndroi, por u dogj për disa orë. Absurde, por e vërtetë, sepse ky është ligji i poshtër njerëzor dhe tokësor. A e kërkon ndihmën tonë Franca? Natyrisht që jo, por ne i treguam se me ndihmë simbolike si popull e vlerësojmë trashëgiminë kulturore botërore, sepse mos të harrojmë Franca e ndihmoi shumë Kosovën në momente më kritike.
Kritikat vërshuan të ndryshme disa të tjerë pohuan se fondet që ndau qeveria do të ishte mirë t’i destinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Nuk po kuptoj se çka lidhet kjo me Notre Dame-n. Derisa e gjithë bota vuan nga varfëria, krimi, korrupsioni dhe ndihmon një vlerë kulturore e nuk bën këso krahasime banale, përse edhe Kosova të mos veprojë ashtu? Aq është Franca e ndjeshme sa për dy ditë ka grumbulluar një miliard euro donacion për rikonstruktiimin e Notre Dame de Paris. Pse të befasohemi nga kjo kur dihet se populli francez është dorë shlirë për ndihmë ndaj të gjithëve. Franca është shtet solidar human dhe shumë kulturor. Te ne në Kosovë asnjë biznesmen nuk e ndihmon trashëgimin dhe kulturën tonë. Tregomëni sa para janë dhënë për shkencën, mjekësinë, spitalet, të varfrit… Këngëtaret limonada, tmerret e vendit marrin para të majme dhe nuk i paguajnë fare taksa shtetit. Biznesmenët tonë më parë do derdhin shuma të majme në ndonjë koncert të Labit, Medes, dasmave ekstreme sesa kulturës ose eliminimit të varfërisë.
Atë ditë e pashë nje vetëdije si fryma të ndryshueshme të këtij populli të çuditshem i cili as që lexon, e as që ka njohuri për vlerat shekullore. Nuk po them mos ta ndihmojmë varfërinë në vend, por duhet ndarë nga vlera shekullore.
Sa pak jemi mirënjohes më këtë gjest edhe ndaj Evropës, po harrojmë se bota dhe Evropa e ka ndihmuar dhe po ndihmon Kosovën, edhe ne duhet ta ndihmojmë Francën. Shumë pashë mosmirënjohes dhe njerëz egoist. Edhe jemi shumë egoist. Ra kjo tragjedi e u pamë se kush jemi. I bie se Evropa nuk ka varfëri dhe mos ta ndihmoj asnjë shtet për rreth. Duhet të solidarizohemi me Notre Dame-n, mos përdorni logjikë egosite o njerëz të “kulturuar”. Notre Dame nuk është vetëm e Francës, por e tërë botës. Shtrohet pyetja a u dogj qëllimisht dhe a dihet fajtori, apo rastësisht? Sido që të jetë Kosova e tregoj veten me ndihmën simbolike.
Nuk po them se ne nuk duhe të qajmë për katedralet tona, për kujtesën, për arkeologinë, të gjitha ato që i kemi humbur, duhet të jemi human ashtu siç është bota humane me ne. A e duam Parisin si vlerë estetike kulturore sepse në këtë vend jetoj Albert Camus, Viktor Hugo, Zhan Pol Sartre, Claude Monet, Van Goghu, dhe shumë artistë, filozofë francezë e jofrancezë, sepse Franca është e të gjithëve. Parisi është poetikë, pikturë dhe orientim artistik e historik. S’pashë sinqeritet te populli ynë, te një shumicë e tyre që Parisin e duan vetëm për një vizë, ta kalojnë jetën e luksit, për Moulin Rouge e jo për dritat e tij. S’mund të krahasohet me asnjë objekt te ne. Është absurditet veçmas kur këtë e bëjnë njerëzit e shkolluar.Ne nuk dimë t’i çmojmë vlerat tona dhe ato janë zhbërë, Notre Dame si thesar i pakrahasueshëm duhet të shërbej si shembull për vetëdijën e brishtë të popullit tonë të ruajtjes së çdo vlere të vjetër.
Politikanët japin 1000 euro ndihmë për Notre Dame për tërheqje vëmendje mediale
Gjest i mirë dhe për tu lavdëruar. Mirëpo, nëse analizohet si tërësi dhe fuqi, ndihma e këngëtarit dhe deputetit Labinot Tahiri që i dha 1000 euro si ndihmë për katedralen ngjanë më shumë tërheqje vëmendje ndaj mediave dhe popullatës në këtë situatë tashmë të rëndë për Francën. Kjo i bie sikur unë lojtarit Mesi me ja dhënë 10 euro pasi e lëndoi hundën. Ose sikur bubrreci mi dhënë gjak elefantit. Mos shndrrohemi në objekte tallje dhe turp të dhimbshëm.
Kjo zonjë tashmë po qan për të gjithë, por do të shkëlqej shumë shpejt. A u dogj qëllimshëm, apo rastësisht, apo ka rrënë numri i viztorëve e tashmë pas renovimit sytë e botës janë në drejtim të kësaj zonje? Kjo mbetet të diskutohet. Të gjithë ata që e krahasojnë ndërtesën e madhe me varfërinë në botë, nuk e vlersojnë Notre Dame.
Pse ndodhin tragjeditë gjithmonë me 15 prill. Dikund kam lexuar se sipas “gjahtareve te datave”, pergjate historise, me 15 prill kane ndodhur disa nga tragjedite me te medha dhe ngjarje qe kane tronditur boten. Me 15 prill 1865, presidenti Abraham Lincoln u vra pasi ishte qelluar nje nate me pare nga aktori John Ëilkes Booth. Ne 15 prill 1912 anija me e madhe e kohes, “Titaniku” u fundos ne oqeanin Atlantik, duke lene me shume se 1500 viktima.Ne 15 prill te vitit 2013, dy bomba shperthyen gjate maratones se Bostonit ne SHBA, duke vrare tre njerez dhe plagosur 264 te tjere. Me 15 prill te vitit 2014 u shenua masakra me e madhe luftes civile ne Sudanin e Jugut. Te pakten 200 njerez u vrane teksa kerkonin shpetim ne spitale dhe institucionet e kultit.Ndersa 15 prilli i 2019 iu shtua kesaj liste te zeze, si dita kur do kujtohet
pergjithmone djegia fatale e njere prej pasurive me te famshme te trashegimise se kultures boterore, “Nodre Dame”./ KultPlus.com
Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me artdashës të muzikës. Në skenën e ndriçuar kishte zënë vend pianistja nga Shqipëria Ardita Bufaj, për të pritur zërat e njohur shqiptarë që me interpretimin e tyre janë dëshmuar disa herë në Kosovë e shumë herë jashtë saj. Ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e Chopin Piano Fest Prishtina, mbrëmë erdhën zërat lirikë. Flaka Goranci, Armando Likaj e Arta Jashari janë tre solistët e mbrëmjes që sollën veprat e një niveli të lartë artistik. Vepra të cilat publiku i Prishtinës nuk ka rastin ti dëgjojë shpesh.
Baritoni nga Shqipëria, Armando Likaj në Kosovë u kthye pas
disa muajsh, e duartrokitjet që merr këtu ia shtojnë gjithnjë dëshirën që të
kthehet sa më shpejtë. Nën lojën precize të pianistes nga Shqipëria Ardita
Bufaj, Armando Likaj u mirëprit sa herë doli i vetëm i shoqëruar nga mezzo-sopranoja
Flaka Goranci e sopranoja Arta Jashari.
Zëri i thellë i tij depërtoi në gjithë sallë ndërsa përqendrimi
i publikut ishte në nivelin më të lartë. “Unë biri yt Kosovë” e interpretuar në
një mishërim të plotë me veprën bëri që Armando Likaj ta lëvizë publikun nga ulëset,
duke u ngritur në këmbë për ta përcjellur me duartrokitje.
Pasi koncerti u përmbyll me një pritje tejet të mirë, Likaj foli për KultPlus ku tregoi për mbrëmjen se si shkoi si dhe për veprat të cilat i interpretoi.
“Programi ishte shumë impenjativ sepse u nda në dy grupe, në grupin e reportorit të autorve të huaj dhe në fund si për ëmbëlsi lamë autorët shqiptarë, ishte një natë për zëra lirikë, duke sjellur diçka më dinamike ndryshe nga muzika instumentale dhe kësaj radhe kisha kënaqësinë pranë dy kolegeve të mrekullueshme, zëra shumë të bukur , madje e veçanta është se Flaka Goranci vinte nga Austria, ndërsa për Arten sigurisht qe u rikthye pas studimet nga Berlini, e gjeta sërish në Prishtinë ”, tha Armando Lukaj për KultPlus. Ai tutje e vlerësoi lart festivalin Chopin Piano Fest, ku sipas tij organizatorët janë duke e bërë një punë të mirë jashtëzakonisht të shkëlqyer për Prishtinën.
Pas interpretimit të Armondos në skenë u shfaq Arta Jashari ku sopranoja e Kosovës iu dha një emocion publikut me zërin e saj, ku luhatjet e zërit bënë që e gjithë salla të duartrokiste. Ylli operistik Flaka Goranci erdhi në skenë për të sjellë “Un ballo Maschera”, Amela “Morro, ma prima in Grazia”. Ajo e dominoi skenën në interpretim e lëvizje derisa solli para publikut veprën e njohur “Carmen” të Bizet. Një ndjesi akoma më depërtuese te publiku e përcolli me veprën “Agimet shqiptare” e kompozitorit Avni Mula. Goranci u kthye pas disa muajsh në këtë skenë, ku pati dhënë një koncert të fuqishëm në shënimin e pesë vjetorit të gazetës onlinë për kulturë- KultPlus. Goranci tha se kthimi në Prishtinë i ngjanë kthimit në shtëpi, pasi që publikun e Prishtinës e cilëson shtëpi të sajën.
“Para publikut shqipfolës ndihem si në shtëpi. E kemi diskutuar mes vete për veprat që mund ti përshtaten këtij programi dhe ka pasur vepra nga repertori operistik, i operatave shqiptare po ashtu, duete nga operata dhe opera si dhe një trio e përbashkët që përmbylli këtë mbrëmje. Ka qenë kënaqësi të interpretojë më Armandon dhe Arten sepse janë të dy artistë profesionistë dhe edhe pse nuk veprojmë në vend të njëjta dhe kemi qenë në kontakt për gjithçka rreth programit”, tha Goranci për KultPlus.
Pianistja e Shqipërisë Ardita Bufaj, në fjalimin e saj për festival tha se ndihet mirë të shoqërojë në këtë mbrëmje artistët e mrekullueshëm, ndërsa falënderoi organizatoret e festivalit për këtë mbrëmje.
“Dua të falënderojë zonjën Lelja dhe Besa për këtë organizim
të mrekullishëm. Keni një potencial jashtëzakonisht te fortë dhe ju uroj të
keni një sallë më të madhe koncertesh për ti promovuar gjithë këta artistë”,
tha ajo pak para fillimit të mbrëmjes.
Krahas veprave të tjera të kompozitorëve shqiptarë, sopranoja Arta Jashari solli veprën “Lutje” të kompozuar nga Baki Jashari. Jashari tregoi për KultPlus se këtë vepër e ka kompozuar në vitin 1979 gjatë studimeve të tij në Lubjanë ndërsa vepra bazohet në vargjet e poetit Migjeni.
“Vepra ‘Lutje’ e shkruar për piano dhe soprano ka ndodhur në vitin 1979 kur unë kam qenë në studime të akademisë së muzikës në Lubjanë, ka qenë mjaft e çuditshme ku në një shtet tjetër ku studion dhe në një gjuhë tjetër ku është punuar në mënyrë tjetër të shkruhej diçka në gjuhën shqipe. Pas një kohë të gjatë unë u emocionova sepse profesorit tim iu deshtë që t’ia tregojë përmbajtjen e poezisë e cila ka qenë totalisht e panjohur, poezia vet është muzikë ku thuhet në vargje të para: Të lutemi o perëndi për një simfoni me tinguj targjantë dhe akorde të artë” tregoi Baki Jashari .
Gjatë mbrëmjes u luajtën vepra të ndryshme si Figaro e W.A.Mozart
,vepra Conti Di Luna e G.Verdi, kompozitorit U.Giordani me vepër La mamma
morta , kompozitorit G. Bizet me vepër C’est l’extase . Ndërsa veprat të cilat
iu bashkëngjiten duetit të përbashkët ishin kompozitorit P.Mascagni vepra Duett
Santuzz , kompozitorit F. Lehar me vepër
Vejusha gazmore, kompozitorit W.A Mozzart me veprën Cosi fan tutte.
Mbrëmja u përmbyll me veprën e Mozartit “Cosi fan tutte”-“Soave sia il vento” që mblodhi të katër artistët në skenë. Ndryshe nga interpretimet paraprake, mezzo-sopranoja Flaka Goranci, baritoni Armando Likaj dhe sopranoja Arta Jashari qëndruan më pranë publikut në këtë interpretim, duke qëndruar të tre ulur në skenë. Krejt kjo u përcjellë me duartrokitje të forta që zgjatën për disa minuta e rikthyen shpejt artistët në skenë.
Dirigjenti e kompozitori kosovar Hajrullah Syla, e cilësoi interpretimin e artistëve si të përkryer.
“Sonte ishte një natë mjaft interesante, vepra mjaft
atraktive, vepra të cilat janë interpretuar mjaft nëpër botë, besoj që sonte
kemi pasur rastin ti dëgjojmë mjaft mirë nga artistët tanë të cilët me të vërtetë
ishin të shkëlqyer në paraqitjet e tyre ”, tha Syla për KultPlus.
Festivali “Chopin Piano Fest” do të vazhdojë sonte me koncertin e radhës. Në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00, në piano do të luajnë Melos Buza dhe Malk Halçe ./Frosina Byqmeti / KultPlus.com
Dhërmiu, fshati i 30 kishave monument kulture të kategorisë së parë në bashkinë e Himarës, i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta po rilind falë investimeve që po kryhen.
Restaurimet e shtëpive të fshatit bëhen në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur sot se “shtëpitë e lëna pas dore po rehabilitohen në pjesën më të madhe të tyre për t’i shtuar ofertës turistike të detit dhe plazheve edhe trashëgiminë kulturore”.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, bën të ditur për ATSH-në se “sipas të dhënave nga kompanitë përkatëse të zbatimit që implementojnë në terren dhe nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit deri tani janë restauruar 230 shtëpi në Dhërmi”.
Sipas tij, projekti pritet të përfundojë në fund të muajit maj të këtij viti.
Lidhur me ecurinë e punimeve edhe në qendrën historike të këtij fshati, Goro tha se “nga informacionet e marra nga firma e zbatimit dhe supervizori përfaqësues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është në rolin e investitorit dhe bashkia Himarë si përfituese e këtij projekti, punimet po ecin shumë mirë dhe pritet që edhe këto punime të përfundojnë në fund të muajit maj. Punimet e ngelura përfshihen në zonat jashtë qendrës historike dhe janë relativisht te pakta ku pritet te realizohen plotësisht”.
Ky projekt i veçantë në llojin e vet për restaurimin e fshatrave turistikë, ka për qëllim të rikthejë vlerat historike dhe kulturore të Dhërmiut dhe kthimin e tyre në produkt turistik të zonës, krahas plazheve të mrekullueshme.
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit.
Fshati përbëhet nga tre lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit.
Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Kondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës.
Nga ana administrative Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës, rrethi i Vlorës./ATSH/ KultPlus.com
Në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren është hapur ekspozita ”Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut – Korçë” nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Korçë në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Në kuadër të zbatimit të kalendarit të përbashkët kulturor
vjetor të nënshkruar nga ana e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim
Gashit dhe ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti,
qyteti i Prizrenit ishte nikoqir duke mirëpritur ekspozitën me temë ”Grafika
nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut – Korçë”.
Samir Hoxha, shefi i Kabinetit të ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, në fjalën e tij tha se kjo ekspozitë është një nga shumë aktivitetet të cilat pritet të realizohen gjatë këtij viti nga ana e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë nga të dyja anët e kufirit.
“Bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë do të ndikoj në
ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore, realizimin e
vizitave ndërinstitucionale dhe njohje me praktikën e punës së këtyre
institucioneve, do të fuqizohen njohuritë dhe përvojat në menaxhimin, hartimin
dhe zbatimin e politikave kulturore të Trashëgimisë Kulturore. Këmbim i
njohurive, eksperiencave në punë, vizitë të monumenteve të trashëgimisë
kulturore dhe përfitim kulturor” ka theksuar Hoxha.
Kujtojm se në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet. Prej asaj periudhe, 18 Prilli shënon ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj./ KultPlus.com
Sot në Prishtinë u lansua instalacionit #FORHER, iniciator i të cilës ishte mërgimtari Mark Gjonaj nga Batalioni i Atlantikut 40. Instalacioni iu dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht bënë thirrje për drejtësi dhe për bashkim, shkruan KultPlus.
Në secilin karakter (shkronjë) do të ngjiten vathë, dhe me
pastaj nga një shkronjë (karakter) do të bartet dhe vendoset nëpër qytet të
caktuara. #” do të mbetet në Prishtinë, “F” në Mitrovicë, “O” në Pejë, “R” në
Gjakovë, “H” në Prizren, “E” në Ferizaj dhe “R” në Gjilan. Vendosja e vathëve
nga qytetarët është parë si një formë solidarizimi me këto pjesë të shoqërisë.
E pranishme në gjatë vendosjes së këtij instalacioni ishte
edhe Vasfije Krasniqi Godman, e cila u shpreh se shteti duhet të bëjë më shumë për
këto heroina të Kosovës pasi që nëse nuk dënohen kriminelët, nuk do të ketë
paqe.
“Drejtësi në rastin tim ka dështuar edhe pse kam kërkuar drejtësi që prej viti 1999 kur kam qenë vetëm 17 vjeçare por tani do të kërkoj drejtësi prej shtetit tim dhe prej shtetit amerikan. Ne nuk do të kemi paqe shpirtërore pa pasur drejtësi. Kosova nuk do të ketë paqe nëse kriminelët nuk dënohen. Po ashtu nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje me Serbin nëse këto dhunime e vrasje nuk dënohen”, tha Krasniqi
Krasniqi gjithashtu kërkojë mbështetje nga shteti, shoqëria, familjarët dhe institucionet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në anën tjetër Mark Gjonaj, nga Batalioni “Atlantiku”, tha se ky instalacion ju dedikohet heroinave të shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht kërkoi që nga institucionet që të punojnë më shumë në gjetjen e atyre që kanë bërë krime gjatë luftës.
“Dua t’iu them heroinave sot se armiku jonë, barbarët serbë u munduan ta marrin nderin, por e vërteta është se ju jeni nderi jonë, nderi i kombit, jeni heronjtë tanë. Thërras liderët politikë dhe partitë, të dëgjojnë rrëfimet e këtyre heroinave, të ndjejnë ngjarjet e tyre dhe të sjellin këta kriminelë para drejtësisë një herë e përgjithmonë. Motrat tona, vajzat tona, nënat tona po presin që të bëhemi zë për to. Të qëndrojmë në këmbë për to, për veten, popullin tonë dhe shtetin tonë”, tha Gjonaj.
Më pas fjalën e mori Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti e cila tha se këto gra ishin viktima të një dhunë sistematikë të orkestruar për të shkatërruar moralin e kësaj shoqërie.
“Fatkeqësisht rreth 20 mijë
vajza, gra, djem dhe burra ishin burojë e fushëbetejës të luftës duke u
abuzuar pamëshirshëm me trupin e tyre. Një dhunë sistematike e orkestruar dhe e
përdorur si mjet lufte , dhunë e cila nuk kishte për qëllim ta dëmtonte dhe ta
shkatërronte vetëm moralin dhe fizikalitetin e individit por njëkohësish ta
shkatërronte edhe familjen, shoqërinë dhe të linte plagë në tërë Kosovën”, tha
Rushiti.
Gjatë luftës një numër i madh i të rinjve shqiptaro-amerikanë, lanë gjithë çka kishin, duke filluar nga familja, shtëpitë dhe punën në SHBA, për t’iu bashkuar luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Ata në atë kohë kanë vepruar në kuadër të Batalionit “Atlantiku, që u bë pjesë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. \Xhenta Uka/ KultPlus.com
“Le Temps” ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me reagimin e mërgatës shqiptare në SH.B.A ndaj ndërhyrjes së Italisë fashiste në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Zemërimi i mërgatës shqiptare
Nga Uashingtoni për agjensinë Havas :
“Aksioni italian në Shqipëri provokoi një zemërim në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Ajo përbëhet prej rreth 40,000 anëtarësh, shumica prej të cilëve banojnë në Boston, Nju Jork dhe Baltimor.Ata janë, në përgjithësi, tregtarë të vegjël ose zejtarë, të cilët mbeten shumë të lidhur me atdheun e tyre të origjinës.
Lajmet nga Tirana i habitën me shumë dhimbje shqiptarët e Shteteve të Bashkuara, të cilët sapo kishin festuar lindjen e Princit të Kurorës. Fakti që mbretëresha Geraldinë ka lindur nga një nënë amerikane përforcon simpatinë e publikut amerikan për fatin tragjik të këtij kombi të vogël e të guximshëm.”./ KultPlus.com
Ç’ke moj zemër që rënkon! Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer… Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver, Mbushen xhepat me flori, E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!
Shitet vendi për para, me para e për para, Bëhet burri telendi, dy para një maskara, Para hasmit lepe peqe, Para zërit të atdheut hund e tyre shtatë sqepe!
Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner, Kurse shoku pinte uthull, lum zotria pinte verë, Milioneri yn’ i ri, Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!
E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj, Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj, Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë, E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!
Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë, Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes të përzë; Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe, E ç’kërkon në gji të gjëmbit të këndoj’ një dallëndyshe?
Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh, Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë: Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!
Një dirigjent energjik në lëvizje e një kompozitor tashmë i dëshmuar, Memli Kelmendi shpejtë është shndërruar në një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë. Pasioni e angazhimi i tij për muzikën ka nisur në vendin e tij të lindjes, në Pejë ndërsa përgjatë viteve ka bartur misionin që pikërisht Pejës t’i kthejë kulturën profesionale korale, gjithnjë duke u bazuar në trashëgiminë artistike të këtij qyteti. Sot ai udhëheqë korin e shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korin e Fëmijëve “Siparantum Kids”, Korin e Femrave dhe korin miks ‘Siparantum’ me të cilin tashmë është dëshmuar edhe jashtë Kosovës. Duke qenë dirigjent permanent i korit “Siparantum”, loja e tij përballë tyre shpesh është në një interaktivitet të plotë e me energji në skenë që ka bërë që interpretimet e tyre shpesh ta dërgojë publikun në një dimension tjetër artistik. Ndryshe nga shumica e koreve në Kosovë, pozicioni i anëtarëve të tij e ai i dirigjentit ndryshon disa herë brenda koncertit duke u përshtatur me dinamikën e veprave. Kelmendi tashmë ka një opus të pasur edhe sa i përket kompozimit të veprave, të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Atij i është besuar puna në dhjetëra filma e 25 shfaqje teatrale. Muzika për të mbetet ushqimi kryesor i shpirtit, edhe pse thotë se rrugëtimi për të prekur përmes muzikës e artit nuk është dhe aq i lehtë, por për të është puna e përbashkët ajo që e bën cdo ditë e më të lehtë këtë rrugëtim.
Memli
Kelemendi në intervistën për KultPlus fillimisht tregon se përforcimi i lidhjes se tij me tingujt ka qenë i ndikuar
nga fakti se ai është rritur në një familje ku muzika ka qenë jo rrallë
kryefjala e ditës. Prishtina, Praga dhe Maqedonia mbeten tri vendet prej nga ka
marrë shkollimin e tij akademik muzikor.
“Kam lindur në Pejë, qytet që njihet për kulturë. Kam qenë i rethuar me njerëz të artit dhe shijes muzikore. Daja im i ndjerë ka qenë këngëtar në vitet e 70-ta, mund t’them që trashëgiminë muzikore e kam nga babai im Xhevat Kelmendi, kantautor të cilit i jam falenderues që më ka udhëzuar në çdo hap të jetës. Jam rritur me muzikë, sot është profesioni im. Studimet i kam përfunduar në Prishtinë, ndërsa ato Master për Produksion dhe kompozim i kam përfunduar në Maqedoni, për t’ju rikthyer studimeve Master për Dirigjim, përsëri në Prishtinë. Jam Çertifikuar në konzervatoriumin “Jana Deyla” (tre vite) në Pragë për fëmijët me shikim të dobësuar për lëndët teori muzikore, piano dhe komopozim”, tregoi Kelmendi për KultPlus.
Memli
Kelmendi edhe pse shumë aktiv edhe në kryeqytet, sytë i ka mbajtur gjithnjë kah
vendlindja me synimin që qytetit t’ia kthejë kulturën korale. Ishte vitit 2011
kur ai bëri hapin e parë të në paraqitje
me korin e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë që shënon
edhe fillimin e punës së tij me korin, me të cilin tash e tetë vite mbajnë
koncerte dhe programe “a cappella”, ndërsa deri më tani me këtë kor kanë
realizuar 100 vepra korale.
“Ishte një
sfidë shumë e madhe për mua meqë nxënësit në atë kohë nuk kishin përgatitje
korale, mund të them që pikërisht është ky vit kur në Pejë fillon ndërtimi i
kulturës profesionale korale, pra me ardhjen e gjeneratës së parë të shkollës
së mesme të muzikës. Jam shumë i lumtur që ia kemi kthyer qytetit një kulturë
korale”, shprehet Kelmendi për KultPlus.
Kori Siparantum për dy vite me 50 koncerte në Kosovë dhe jashtë saj
Kori
‘Siparantum’, i formuar në fund të vitit 2017, sot numëron gjithsej 50 anëtarë,
por Kelmendi thotë se për të ardhur tek ky rezultat kanë kaluar në mjaft faza
sfiduese të cilat i kanë tejkaluar falë vullnetit të mirë, gjithnjë i shtyrë me
qëllim të ngritjes së kulturës në Pejë që qyteti të ketë një kor të një
dimensioni krejtësisht tjetër e më një nivel të lartë profesional që mbështetet
në përzgjedhjen e veprave. E gjithë kjo punë që filloi para dy vitesh shumë
shpejtë arriti të prezantohet edhe jashtë Kosovës, si në Kroaci, Francë, Itali
e Maqedoni.
“Jam shumë i kënaqur me punën të cilën e kemi arritur gjerë më tani. Përgjatë dy viteve formim, kemi realizuar mbi 50 koncerte, përpos koncerteve në qytete të ndryshme të Kosovës kemi qenë pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy Voix Du Monde” citoj që Kosova në këtë festival është paraqit për herë të parë në këtë festival, pastaj kori ishte tre herë radhazi në Kroaci dhe së fundi ishim në kryeqendrën e Artit botëror, Romë dhe Vatikan ku kemi patur fat të koncertojmë në vendet më të njohura”, tha Kelmendi për KultPlus, ndërsa veçon paraqitjen e tij në Francë para koreve të njohura e me traditë korale atje. Kelmendi thotë se për shumë gjatë do ta mbajnë të ngulitur në kujtesën e tyre emocionet që solli paraqitja atje e cila bëri që duartrokitjet e publikut ta kthejnë korin për tri herë në skenë.
“Më kujtohet
koncerti jonë i parë ku në këtë mbrëmje ishin koret nga Ekuadori, Zvicra dhe
kori i të rinjve të Filharmonisë së Çekisë. Duke e ditur përvojën e këtyre
shteteve dhe traditën korale, nuk ka qenë aspak e lehtë për mua dhe as për
koristët, duke marrë parasysh përvojën tonë korale. Me veprat të cilat ne jemi
paraqitur, sidomos ato atraktive publiku bëri që të na kthej tre herë në skenë”,
kujton Kelmendi.
“Që nga momenti i parë i formimit të
korit kam menduar të sjellë diçka ndryshe”
Qëndrimi i
Kelmendit përballë korit tregon se ai nuk përfaqëson një dirigjent të
zakonshëm, roli i të cilit është të dirigjojë lojën përballë korit vetëm me
lëvizje të duarve. Roli i tij prej dirigjentit identifikohet me një prani të
lartë artistike. Kur kori nis e shpërndahet në lëvizje e vallëzim duke
prezantuar mesazhin e veprës, Kelmendi zhytet në lëvizje bashkë me ta. Kjo ide,
fillimisht për Kelmendin kishte qenë goxha sfiduese por që është mirëpritur në
të gjitha koncertet ku janë prezantuar ata.
“Involvimi i elementeve atraktive me paraqitje të lëvizjeve skenike ka bërë që njerëzit të pelqejnë performancën dhe korin tonë. Çdo herë mendoj ndryshe kur filloj të punoj me korin qoftë në përzgjedhje të repertorit dhe efekteve të reja muzikore për t’involvuar në skenë. Kjo gjë është pëlqyer kudo qe kemi udhëtuar, prandaj mendoj që kjo sot ne na identifikon. Ka qenë një guxim i madh për mua si dirigjent të paraqes këtë ide dhe të sjell një frymë të re. Që nga momenti i parë i formimit të korit kam menduar të sjellë diçka ndryshe. Kam menduar ndryshe. Në fillim kam qenë pakës ndoshta skeptik se mos janë të tepruara meqë kjo nuk ka qenë e pranishme (mendoj) në vendin tonë, sot mendoj ndryshe! Nuk e kam aspak problem të zhytem edhe vet përbrenda lëvizjeve, mbi të gjitha mendoj që dirigjenti duhet të jetë edhe organizator i mirë”, tregon Kelmendi.
Kori
‘Siparantum’ e ka bërë traditë që pasr paraqitjeve në skenat evropiane të
prezantohet para publikut vendor. Kështu ndodhi edhe para nisjes për koncertet
në Itali, ku kori mbushi gjithë hapsirën e Kinemasë “Jusuf Gervalla”. Kelmendi
në një intervistë për KultPlus thekson se puna e tij me korin ‘Siperantum’ ka
ndikuar edhe në qasjen e vetëdijësimit të publikut ndaj muzikës korale,
megjithatë thotë se kjo mbetet akoma një punë jo shumë e lehtë.
“Të mbushësh sallën me publik të muzikës korale në Kosovë nuk është punë e lehtë. Nuk po flas për anën organizative. Në koncertin e fundit të korit Siparantum ne kishim mbi 450 të pranishëm, me dhjetëra të tjerë janë kthyer meqë salla është mbushur plot edhe pse koncerti ka qenë me hyrje, njerzit janë bindur me punën tonë. Nese nisem nga fakti kur unë kam filluar të punoj me kore në Pejë, ka një diferencim dukshëm të madh në të gjitha aspektet. Kjo vërehet”, theksoi dirigjenti dhe kompozitori Memnli Kelmendi në një intervistë për KultPlus.
Opusi kompozicional i Kelmendit,
vepra ‘Agnus Dei’ e interpretuar në më shumë se 30 herë jashtë vendit
Opusi
kompozicional i Kelmendit mbështetet më shumë në muzikën korale,
eksperimentale, elektronike, kamertale ndërsa ka edhe një serë kompozimesh për
film dhe teatër. Veprat e tij tashmë kanë udhëtuar në shumë vende të botës si
Charleston, Neë Jersey, Neë York, Los Angeles California, Kili, Argjentinë,
Çeki, Indonezi, Itali, Francë, Rumani, Filipinë, Kroaci, Bosne, Turqi,
Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Stili të cilën zakonisht ai e aplikon i takon
muzikës NEO, varësisht nga temat të cilat i trajton, jo rallë herë mbështetet
edhe në motive vendore sic janë veprat, “Sa bukur na ka dal nusja”, AlbSonus,
Ex Alpes, Sacrificium. Vepra që e veçon punën e tij prej kompozitori është
“Agnes Dei” e cil deri tani është luajtur më shumë se 30 herë jashtë vendit.
“Interpretimi Premierë i veprës “Agnus Dei” është përformuar nga ansambli vokal “Johann Consort” dhe dirigjinti i mirënjohur Jorge Contreras në kuadër të festivalit prestigjioz “Temporada Coral de Primavera” 2016. Të them të drejtën, nuk e kam pritur një sukses të tillë dhe jam vërtetë i lumtur për këtë. Që nga viti 2016 deri me sot është interpretuar me më shumë se 30 herë jashtë vendit. Një sukses i mirë ka qenë poashtu për veprën “Ater Unbra” e cila është interpretuar në shumë shtete të botës por e veçanta e kësaj vepre është regjistrimi dhe publikimi në CD-në e korit “Evocations” në Francë. Poashtu vepra “Silentium Est Pax” është publikuar në CD-në e ansamblit vokal Sotto Voce Ensemble, Francë, vepër që i dedikohet pikërisht këtij ansambli fantastik. Renuo (për piano) është vepër që vërtetë e kam për zemër. Jam vërtetë i lumtur që është interpretuar nga Lukas Husiman, pianist i përmasave të larta që njihet për interpretimin e veprave moderne”, rrëfen tutje Kelmendi.
‘Imagjnatën për të gjetur rrugë të
reja muzikore më ka dhënë filmi dhe teatri’
Ngjarjet e
shumë filmave kosovarë e shfaqjeve teatrale
janë përcjellë nën tingujt e me tingujt e Memli Kelmendit, ndërsa ai
thotë se është pikërisht kjo fushë që i ngjallë
kreativitetin artistik. Duke qenë se ka magjistruar për Produksion
Muzikor, intensiteti i punës së tij në këtë fushë është shtuar pasi që ka hapur
studion e tijj në Prishtinë “PreDuo Production”.
“Kam punuar
mbi 35 filma të shkurtër, 4 filma të metrazhit të gjatë, mbi 25 shfaqje teatrale,
shumë filma dokumentar dhe seriale vendore. Mund t’them që imagjnatën për të gjetur
rrugë të reja muzikore më ka dhënë filmi dhe teatri. Është një botë tjetër,
krejtësisht ndryshe nga interpretimi, në çdo moment ballafaqohesh me situata
dhe sfida të ndryshme të cilat të bëjnë të mendosh dhe të kërkosh çdoherë e
shumë”, kështu e përshkruan Memli Kelmendi përvojën e tij të përditshme me
kompozimin e muzikës për film e teatër.
“Dua të
përmend një sukses shumë të rëndësishëm, filmin “Në Mes” të Samir Karahodës në
të cilin kam punuar si Sound Designer, filmi ka qenë selektues në festivalin
prestigjoz të filmit në Botë, Berlinale, për këtë jam vërtetë i lumtur meqë
Kosova është paraqit për herë të parë në këtë festival”, shtoi tutje Kelmendi.
Ai përvojën e tij për muzikën e filmit tanimë e paraqet edhe pranë studentëve
në Universitetin AAB, ku ligjëroj pikërisht lëndën Muzikë filmi, teatër dhe
muzikë marketingu në drejtimin e muzikologjisë.
“Ekziston një vullnet i mirë, këtë e shoh tek nxënësit me të cilin punoj në shkollën e muzikës. Kemi një rini të shëndoshë, gjenerata të cilët e duan muzikën korale mbi të gjitha janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes për të kontribuar dhe pasuruar jetën kulturore në vend. E di që ballafaqohemi me sfida të ndryshme, vullneti i mirë nuk guxon të ndalët asesi”, shton me bindje dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi.
Memli
Kelmendi krejt në fund të intervistës tha se e presin edhe shumë projekte në të
cilat është angazhuar, ndërsa jo të gjitha ftesave mund tu përgjigjet
pozitivisht për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballet kori
“Siparantum”.
“Janë shumë
projekte të cilat jam angazhuar si kompozitor i disa filmave të metrazhit të gjatë
dhe të shkurtër, janë edhe shumë projekte dhe ftesa ndërkombëtare të muzikës
korale, disa vetë i kam të konfirmuara për vitin 2019/2020 por fatkeqësisht
disa duhet anuluar për shkak të anës financiare”, thotë Kelmendi.
“E rëndësishme është të punoj dhe të vazhdojë të jap kontributin dhe frymën artistike për vendin tim. Megjithatë, kemi ende shumë punë”, tha krejt në fund të intervistës Kelmendi./ KultPlus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita “Grouping – Moving – Spreading “METAXYUM”” e grupit FILOART. Ekspozita që erdhi mbrëmë në Prishtinë ballafaqon revizionin e një ekspozite të ndaluar, e një ekspozite për të kundërtën e saj.
Grupi
artistik FILOART gjatё njё hulumtimi mbi
fenomenet dhe lëvizjet në artin bashkëhor kanë shfaqur njё ekspozitë me njё jetëgjatësi
shumё tё shkurtër por me njё jehonё tё gjatё, bёhet fjalё pёr prezentimin “Kjo nuk ёshtё ekspozitë por e kundërta e saj”.
Nё fillim tё veprimtarisë sё tyre, grupi ёshtё ballafaquar me periudha tё ndryshme tё historisë sё artit , me ndikimet e tyre nё art, si dhe nё shoqëri. Duke cituar vepra tё ndryshme nga historia e artit, grupi i krahasoi ato me veprat e tyre dhe i shqyrtoi nё formë eklektrike, domethënien e veprave origjinale dhe kopjeve tё tyre , rileximin dhe rishqyrtimi i historisë sё artit. Këto janë disa nga temat kryesore tё cilat e ndërtojnë dhe e mbajnë konstruktin e veprave tё FILOART
Mes vitit
1984 dhe 86 grupi realizoi njё pjesë tё madhe tё veprimeve tё cilat mё vonë u
bёnё thelbi i narrativit tё ekspozitёs. Nё vitin 1986 u përgatit koncepti i prezantimit
tё punimeve dhe u titullua “Kjo nuk ёshtё ekspozitё por e kundёrta e saj”, kjo e kundërta e ekspozitёs ёshtё prezantuar publikisht
nё tё njёjtin vit nё Skiatho ndёrsa njё vit mё vonё nё Prishtinё.
Nё maj tё
vitit 1987 ёshtё bёrё prezantimi i ekspozitёs nё Vjenё atje ndodhi
pёrshkallёzimi i tёrsishёm i situatёs pas hapjesё sё ekspozitёs ajo u sulmua
nga mediat shtetёrore pa asnjё argument duke pёrfshirё kёtu edhe insinuatat dhe
manipulimet verbale me qёllim tё diskreditimit tё veprave tё prezantuara tё vet
autorit.
Menjëherë
pas sulmit mediatik, veprat u kontrolluan nga policia shtetërore dhe mё pas
ekspozita u ndalua , pёr shkak tё rrethanave politike tё asaj kohe kjo
ekspozitё nuk kishte mundësi pёr tu prezantuar dhe shpjeguar me fakte dhe
argumente. Ёshtё dashur tё kalojnë mё shumё sё 30 vite pёr tu krijuar rrethanat
e nevojshme pёr paraqitjen e kёsaj ekspozite misterioze, ky prezantim iu ofron mundësi
analistёve, historianëve tё artit, por nё radhë tё parё publikut tё gjёrё qё tё
kenё rast ta shohin dhe ta vlerësojnë vet kёtё ekspozitë.
Grouping
Moving Spreding nё vitin 2017 u paraqitё mundёsia pёr njё bashkёpunim nё mes tё
shoqatёs anonime botёrore si koleksionistёt mё tё mёdhenjё tё vepravee tё filoart dhe tё aktivistёve si
themeluesit tё arkivit tё FILOART.
Nё shkurt tё
viti 2018 ata e pёrfunduan njё koncept pёr njё prezantim tё veprave tё grupi tё
lëvizjes Filoart, aktivistët dhe shoqata anonime botërore e kanё haruar narrativen
e ekspozitёs dhe tё librit “Koncept nё formё tё njё poliptigoni”.
Ky grup është themeluar nё vitin 1984./ Xheneta Uka/ KultPlus.com
Ai qëndroi pikërisht tek vendi ku ajo e kishte përqafuar ndërsa dilte, me një përqafim që s’ishte as ndarje dhe as premtim për diçka më të mirë. Një përqafim të tillë tek dera e një pasditeje të stuhishme, përfytyrohej, zakonisht në sfond të dënesës të pendimit për fjalët e ashpra dhe me buzë që synojnë drejt njëra-tjetrës për të falur gjithçka. Por asgjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Ai vazhdonte të mbante duart në xhepa dhe i ngrirë si një dru, ndjeu buzët e saj tek qafa e më pas tek cepi i gojës dhe prekjen e furishme të flokëve. Mundimshëm ndjeu nevojën ta përqafonte sipas ritualit mijëvjeçar të mbarimit të grindjeve, por një gips mortor i ikur nga kushedi ç’shtatore e nuk e la të lëvizte. Nuk ishte penduar për asgjë, ishte thjesht i lodhur. Shushurima e shiut vinte nga jashtë zbutëse. Por ai duhet ta harronte me çdo kusht, ta nxirrte nga vetja atë grua. Por së pari duhet të nxirrte atë mbrëmje. Ishte gjëja më e ngutshme…
Silueta e një burri që endet nga një faqe në tjetrën në librin “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” të Ismail Kadaresë, mu feks në kujtesë teksa përpiqesha të gjeja në galerinë e pafund të letërsisë shqipe, një personazh burrë që duhet ta nxirrja nga një libër. Nëse kritika botërore rrëmon shpesh bibliotekave për të shkundur pluhurin nga xhaketa historike e një burri, lodhur në fletët e një libri, ne ende nuk kemi arritur t’i njohim burrat e pafund që enden rrugicave të letërsisë.
Woody Allen i pëlqente gjithnjë të gjente zgjedhjen për miqtë e tij të pakënaqur nga jeta, duke u afruar takime me personazhe femra që prisnin në romane voluminoz. Janë aq shumë faqe, e aq shumë ditë që mund të kalonin me të. “A do të doje që Mr. Dancy të ishte real? Ai është një xhentëlmen i vërtetë”, pyet një koleg francez, teksa vazhdon të flasë, për personazhin tërheqës të Jane Austin. Por nëse do të eksitonte një mundësi e tillë, do doja të takoja Aurturo Bandinin.
Dhjetëra personazhe burra, në letërsinë botërore kanë marrë epitetet nga më të ndryshmet nga kritikët e letërsisë. Ka nga ata që i kanë dashur aq shumë, sa do të donin t’i gjenin në barin e lagjes ku jetojnë, të tjerë janë gjykuar, sulmuar, e shpesh mbuluar me harresë. Ashtu në si jetë, në letërsi asgjë nuk ndryshon. Shpesh janë të njëjtët burra që nuk do të doje t’i takoje kurrë. Por nëse në letërsinë botërore është e lehtë të gjesh gjithë karakteret e kësaj gjinie, letërsia shqipe për vetë kushtet historike në të cilat u krijua, ka ndoshta karakteret më të pazakontë. Shpesh të ftohtë, është e vështirë të shohësh në pjesën më të madhe të tyre, në ata janë vërtet në dashuri. Të përfshirë gjithnjë në ngatërresat e historisë e politikës, ata bëhen përfaqësues të denjë të kohës. Një ditë me siguri do të mund të kemi studime për jetët e tyre, bashkë me keqkuptimet me të cilat shpesh u veshëm, teksa i takuam në lexime.
Por sot do doja të flisja pak për burrin pa emër, i cili vazhdon të ecë në ato pjesë të dhomës, ku ishte zhvendosur me të dashurën gjatë orëve të çmendura, në kërkim të orës së harrimit. Ai kërkon vetëm një gjë: Të harrojë një grua! Ky kërkim sa i pamundur, aq dhe i ndjerë, e përsos letërsinë shqipe, e cila elaboron një nga kërkimet që ka qenë gjithnjë pjesë e letërsive të mëdha. Një burrë që do të shpëtojë nga dashuria, është një personazh i pazakontë për një letërsi që për vite me radhë nuk ka folur për këtë ndjenjë. E tani, në dhomën e mbushur me bishta cigaresh, ai jeton mes dënesës dhe pendesës. Mjaftojnë vetëm 3 faqe për të jetuar gjithë përpjekjet e mendjes njerëzore, në kërkim të një zgjidhjeje.
Fillimisht ai mendon se ndoshta është mirë ta shkruaj atë që i ka ndodhur, pasi, përmes shkrimit, gjithçka do fashitet si era, e ai, do të ndjehet më i lehtë. Por si avioni që e nxjerr trupin e vet nga zona e stuhisë, ajo ide më shpejt nga ce mendoi, e nxori nga gjendja e ankthshme, në një shtresë më të qetë, sipër furtunës. Më pas, pa disa njerëz që po punonin me boshtin e tokës. Ata që mund të ndryshonin ditët dhe muajt do të mund të zhduknin nga kujtesa disa orë, një grua. “Ma hiqni atë grua ulëriu”.
Kjo fjali tregon dhembjen më të madhe që mund të ketë një personazh. Por kjo ishte e pamundur. Ata mund të ndryshonin ditët kalendarike por s’mund të zhbënin nga kujtesa një grua.
Në morinë e tregimeve shkruar nga Kadare, ky është një ndër tregimet më të bukura shkruar për dashurinë. Me një stil, ku intensiteti i mendimeve ndiqet nga një aureolë poetike, Kadare na tregon se dashuria mund të qëndrojë dhe mbi letërsinë.
“Hotel. Dhe jashtë gjethnaja e rënë dhe kufomat e cigareve të masakruara, ku njëra palë mund të dallohej prej tjetrës nga shenja e të kuqit të buzëve…Ajo ishte aty pranë, disa hapa larg dhe, me siguri, ishte e paqetë dhe kishte makth, ngaqë, në një mënyrë ose një tjetër, duhet të ndjente se unë po përpiqesha të varrosja”, e mbyll tregimin Kadare më vitin 1981.
Në një kohë kur dashuria duket se ka mbetur librave, këtë personazh pa emër do doja ta nxirrja nga faqja 193, e “ Bisedë me brilante në pasditen e dhjetorit”. Zhvendosja nga një kohë në tjetrën, ndoshta do t’ia bënte më të lehtë këtë makth dhe i shëndrruar në një personazh, me cilësitë e kohës ku jetojmë, me siguri do e kishte flakur shpejt në harresë atë grua.
Dy kompozimet e Memli Kelmendit “Agnus Dei” dhe “Silentium Est Pax” do të interpretohen për të dytën herë në Francë, më datë 28 prill nga ansambli “Sottovoce Ensemble”, shkruan KultPlus.
Këtë lajm e ka bërë të ditur kompozitori Memli Kelmendi i
cili ka thënë se shprehet i lumtur për këtë lajm dhe ka njoftuar se këto vepra
janë edhe pjesë e CD-ve të ansamblit francez “Sottovoce Ensemble”.
“Rikujtoj që të dy veprat e mia tashmë janë pjesë e repertorit dhe tashmë janë poashtu të publikuara në CD-të e këtij ansambli në Francë, njëherit vepra Silentium Est Pax, pikërisht i dedikohet këtij ansambli vokal që njihet për interpretimin e veprave muzikore që nga periudha e Barokut gjerë tek muzika bashkëkohore”, ka shkruar Kelmendi në postimin e tij në Facebook.
Kelmendi numëron një opus të pasur sa i përket kompozimit të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës./ KultPlus.com
Pse nuk më thua diçka miku im Pse nuk më thua bie fjala se do ta shoh prapë Lumin duke i marrë erë trëndafilit duke m’u kacavarur rreth qafe me qershi në gojë
Pse nuk më thua miku im se do kemi gjithçka edhe ne se për gishtat fort do ta lidhim lirinë Pse nuk më thua miku im qershitë janë syri i pranverës Se do të vrapojmë patjetër pas qengjave pas pëllumbave në qiellin e haptë Hajt miku im i mirë më rrej diçka tekefundit më rrej diçka të lutem Shpirtin ma qetëso Më trimëro para Ujit të Madh.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga do të dëshmojë para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan për luftën në Kosovë dhe mungesën e drejtësisë për të gjitha krimet që kanë ndodhur para 20 vjetësh, transmeton Koha.net
Dëshmia që mbahet më 30 prill, është ftuar nga kongresisti amerikan Eliot Engel me kërkesën e ish-presidentes Jahjaga.
Ish-presidentja do të flasë për krimet e targetuara tek popullata civile e Kosovës dhe mungesën e drejtësisë, si dhe kërkesën për drejtësi si parakusht për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Sërbisë.
Gjatë seancës do të dëgjohen edhe dëshmitë e Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë, dhe Ilir Bytyqi, tre vëllezërit e të cilit janë vrarë gjatë luftës. Për më tepër, Paul Ëilliams, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, do të flas për luftën në Kosovë nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare.
“Është duke u punuar maksimalisht për të siguruar përfaqësim dinjitoz të historisë tonë, për hir të të gjithë atyre që sakrifikuan shumë për lirinë që gëzojmë sot, e që ende nuk kanë drejtësi. Presidentja Jahjaga është tejet mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kanë përkrahur këtë iniciativë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, dhe kanë ndihmuar duke ofruar informata dhe dëshmi. Vetëm kështu do t’i tregojmë botës historinë e vërtetë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së ish-presidentes Jahjaga.
Kosova kërkon nga shtetet mike që të dënojnë krimet serbe të kryera në Kosovë.
Të gjitha parlamentet e shteteve mike së shpejti do ta kenë një letër si kërkesë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Atyre do t’u kërkohet që ta miratojnë nga një rezolutë, përmes së cilës do t’i dënojnë krimet serbe të kryera 20 vjet më parë në Kosovë, raporton KTV, përcjell Albinfo.ch.
Në një deklarim për KTV-në, kreu i Kuvendit është shfaqur i sigurt se këtë mbështetje do ta ketë sepse, sipas tij, historia e dhimbshme e Kosovës është e pamohueshme.
Ai sërish insiston për tribunalin ndërkombëtar për krimet serbe, derisa ata që këto iniciativa i quajnë të vonshme, i konsideron të mjerë e të papjekur.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vërteta e Kosovës nuk mund të mohohet, e këtu ka kërkuar të ketë unitet.
Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës e ka mandatuar një komision të përkohshëm, i cili do ta hartojë një rezolutë përmes së cilës do t’i kërkojë Serbisë që ta pranojë se ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Krahasimi than shpirtin. Vazhdoj të dëgjoj prindër dhe gjyshër, që krahasojnë fëmijët apo nipërit me njëri tjetrin, si edhe me fëmijët dhe nipërit e të tjerëve.: “ky i madhi është indiferent mezi afrohet, ndërsa ky i vogli është i butë dhe të vjen vetë” apo “sikur nuk jane vëllezër apo motër e vëlla”. Gjithashtu, krahasimet: “ djali i shoqes time bën shumë gjëra, ndërsa fëmija im nuk bën asgjë”. Prindër, gjyshër, mos i krahasoni fëmijët as me vëllezrit apo motrat e tyre. E para, janë njerëz të ndryshëm dhe e dyta, krahasimi kultivon te fëmija zilinë dhe inatin për tjetrin dhe çështë më e keqja, mosvlerësimin për veten. Por e keqja nuk mbetet me kaq, për fat të keq, kjo sjellje haste edhe te edukatorët e mësuesit. Edhe ata nuk i shpëtojnë dot kësaj mënyre zhvlehtësuese të trajtimit të fëmijës. Të rritur, kini kujdes se fëmija ende nuk ka shumë mekanizma për të përballuar krahasime të tilla. Fëmija mendon se ai tjetri është më i mirë dhe për këtë arësye e duan më shumë. Edhe ju të rriturit, kur ju krahasojnë me një tjetër, nuk ndiheni mirrë, madje zemëroheni dhe mbani inat. Kjo formë të sjelluri, që për vete nuk e pranoni, dhe e përdorni me fëmijën duhet ndryshuar, nuk duhet të përdoret. Përpiquni prindër, gjyshër, edukatorë dhe mësues, përpiquni.
Ka më shumë se gjashtë muaj që kjo shtatore ndodhet në atelienë e skulptorit Agon Qosa.
Që nga tetori i vitit të kaluar, vepra kushtuar pajtuesit të gjaqeve, Anton Çetta, është gati për t’u vendosur në kryeqytet. Por, Komuna e Prishtinës ende nuk e ka caktuar një lokacion për shtatoren e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Opsione të ndryshme për lokacionin e vendosjes së shtatores, janë përmendur nga krerët komunalë, por një vendim i prerë ende nuk është marrë, transmeton Express në KTV.
Në korrik të vitit që shkoi, Instituti Albanologjik i Prishtinës e refuzoi kërkesën që shtatorja e Çettës të vendoset në oborrin e këtij institucioni me arsyetimin se nuk është vend adekuat.
Shtatorja e shkrirë në bronz, ndodhet në atelienë e skulptorit në Ferizaj dhe Qosa thotë se vepra mund edhe të dëmtohet duke qëndruar në ambient të mbyllur.
Skulptori thotë se nuk e kupton neglizhencën institucionale për gjetjen e një vendi ku do të vendoset shtatorja.
Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit Organizativ për shtatoren e Çettës, thotë se është i zhgënjyer me faktin që nuk po gjendet vendi për vendosjen e veprës.
Këshilli Organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës është duke pritur një takim me të parin e Prishtinës.
Selim Pacolli, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, thotë se janë tri lokacione brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës që aktualisht po shqyrtohen për vendosjen e shtatores.
Shtatorja e Anton Çettës ka kushtuar 60 mijë e 800 euro. Problemet për lokacionin se ku do të vendoset kanë nisur para më shumë se dy vjetësh. Mospajtimet ndërmjet Institutit Albanologjik, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Arsimit, kishin bërë që të skadonte edhe afati për vendosjen e shtatores.
Altea është shpallur zëri më i mirë i The Voice Albania, shkruan KultPlus. Në këtë garë të fortë që ka nisë tash e sa muaj, në mbrëmjen e së premtes ka dalë të jetë fituese Altea, e cila në finale ishte me dy zëra të tjërë: Erza dhe Anisa.
Në The Voice Albania të këtij edicioni është vlerësuar se ka pasë mjaftë zëra të fuqishëm, por sukadra Gjoka arriti të rrëmbejë këtë cmim, kurse trajnerë të tjerë të këtij edicioni sihte Miriam Cani dhe Arilena./KultPlus.com