Ava Max: Jam me fat që vij nga një vend me femra të forta

Ka nisur të bëjë emër në skenën muzikore edhe një tjetër këngëtare që ngre lart emrin e shqiptarëve në botë, Ava Max, e cila dha një intervistë për revistën “Phoenix”.

E lindur nga prindër emigrantë në Amerikë, Amanda Koçi tregon se pseudonimin Ava Max e ka bërë emër arti kur ishte vetëm 14 vjeçe, si një përfaqësim i dy anëve të personalitetit të saj, femërore dhe mashkullore, dhe ky sens dualiteti u bë shenja e suksesit të saj, duke u vënë re dhe te modeli i flokëve.

Gjatë intervistës për “Phoenix”, foli edhe për origjinën e saj, ku tha se ndihet me fat që është shqiptare.

“Ndihem vërtet shqiptare! Jam me fat dhe krenare që vij nga një vend me femra shumë të forta. Nëna ime, tezja ime, gjyshja ime, ato gjithmonë ua kanë thënë atë që kanë menduar burrave të tyre. Kam qenë e bekuar, por përmes muzikës, shpresoj që ta ndaj këtë me dikë që ndoshta nuk ka pasur diçka të tillë në jetën e vet”, tha Ava Max.

Por duke qenë se kishte origjinë shqiptare, Ava Max tregon se jo gjithçka ka qenë e lehtë për të, në hapat e parë të karrierës.

“Jam ndier si e refuzuar për faktin që isha shqiptare. Ndihesha paksa jashtë kornizave kur jetoja në South Carolina. Por, mamaja më ka mësuar të luftoj për atë që dua. Kanë bërë shumë sakrifica prindërit e mi, si çdo emigrant, por, më kanë mësuar mos të dorëzohem dhe të këmbëngul për të ecur përpara”, deklaroi Ava Max./TopChannel

Zbulohet anija më e vjetër në ujërat holandeze

Anija e mbytur në fillim të shekullit XVI u zbulua rastësisht në Holandë gjatë një operacioni për të gjetur kontenierët e humbur në janar në Detin e Veriut, njoftoi të mërkurën Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës.

“Kjo është anija e mbytur me e vjetër e zbuluar ndonjëherë në ujërat holandeze”, theksoi Ministria në një komunikatë.

Anija e mbytur u gjet gjatë kërkimeve për të gjetur kontenierët e humbur nga anija “MSC Zoe”, një prej anijeve më të mëdha në botë të transportit të mallrave, gjatë mbrëmjes së 1 janarit, në brigjet e ishullit Uaden (veri). Rreth 650 kontenierë kishin rënë nga anija.

“Gjatë kërkimeve në ujërat e Detit të Veriut, u zbuluan pllaka prej bakri dhe trarë prej druri, që solli menjëherë hapjen e një hetimi arkeologjik”, shpjegon Ministria.

“Hulumtuesit dolën në përfundimin që trarët vinin nga një anije që skafin e kishte të harkuar me shumë mundësi 30 metra e gjatë dhe që transportonte pllaka prej bakri”, thuet në këtë komunikatë.

Sipas studiuesve druri është prerë në vitin 1536 ndërsa anija është ndërtuar rreth vitit 1540 në territorin e Holandës së sotme, që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake. Pllakat e bakrit janë të datuara me të njëjtën periudhë. /ata

Poezi nga Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja

***
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet.

Folk grupi amerikan performon sonte në Prishtinë

Ka disa ditë që interpretuesit amerikanë të folk muzikës, “Kyle Dillingham & Horseshoe Road”, po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një programi të mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë në partneritet me Zërat e Amerikës – Muzika Amerikane Jashtë Vendit.

Programi i këtij grupi nga Oklahoma prej 3 deri me 8 prill përfshin koncerte publike dhe punëtori për nxënës në tërë Kosovën.

Dy ditë më parë kënduan në Prizren ndërsa sonte do të performojnë në Hollin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë nga ora 20:30.

Ndërsa të hënën, me 8 prill në shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë nga ora 19:00 – 20:30./ KultPlus.com

Treni që dikur barti shqiptarët shndërrohet në Muze të Gjenocidit Serb në Bllacë

Më 10 prill 2019 në fshatin Bllacë të Hanit të Elezit do të shënohet 20-vjetori i gjenocidit serb dhe spastrimit etnik “Bllaca 99”, ku po në atë ditë do të vendoset gurthemeli i Muzeut të Gjenocidit Serb. Për këtë rast, nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, treni i cili kishte bartur mbi 400 shqiptarë do të bëhet Muze i cili do të qëndroj në kampin e refugjatëve.

Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtës i Dosjes për Çështjen e Personave të Zhdukur, Jahja Lluka, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se për të kujtuar këtë akt të gjenocidit do të krijohet memoriali apo Muzeu i Gjenocidit Serb në Bllacë.

“Më 10 prill në ora 14 vihet gurthemeli i Qendrës Memoriale të Gjenocidit Serb “Bllaca 99″, meqenëse në Bllacë në vitin 99 kanë kaluar mbi 440 mijë shqiptarë në portën e daljes për Maqedoni e kemi pa të arsyeshme dhe qeveria ka marrë vendim qe të krijohet memoriali apo Muzeu i Gjenocidit Serb në Bllacë”, tha Lluka.

“…Me këtë rast do të kemi mundësi të dërgojmë trenin i cili ka bartë refugjatë dhe i cili do të jetë muze, do të qëndroj në vendin e kampit të refugjatëve, do vëmë gurthemelin dhe më pas do shpallim një konkurs për Muzeun për arsye se nuk po dëshirojmë të jetë një Muze i improvizuar, por do ta kemi një mundësi të gjenocidit dhe dëshmimit të gjithë këtij gjenocidi serb i cili ka ndodh gjatë viteve”, shtoi Lluka.

Ai tha se kjo është mënyra më e mirë për të shpërfaqur gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ku sipas tij Serbia spastrimin etnik ndaj shqiptarëve e kishte filluar kohë më parë.

“Nëse duam me padit Serbinë për gjenocid, arsyeja dhe ngjarja e spastrimit etnik është baza kryesore për një akuzë të tillë në gjitha instancat ndërkombëtare, duhet thënë se nuk është kjo fillimi, spastrim etnik ka pas shumë më herët, janë me dhjetëra programe të Serbisë për pastrimin etnik të Kosovës duke filluar nga Neçertania e deri tek Akademia e Shkencave të Serbisë, mirëpo kjo ka qenë përpjekja e fundit dhe falë Zotit ne kemi mbijetuar dhe tani do të dëshmojmë dhe do ta argumentojmë në Muzeun në Bllacë”, tha Lluka për Ekonomia Online.

Lluka njoftoi se për shënimin e kësaj dite do të prezantohen artefakte, ekspozitë etj.

“Do ketë artefakte të mbledhura nga gjithë shqiptarët që kanë kaluar andej dhe po bëjmë apel të jemi në Bllacë më 10 prill në ora 14, ku do jenë liderët e Kosovës, do të kemi edhe një program të veçantë dhe do hapet një ekspozitë me fotografi nga kampet e refugjatëve të shqiptarëve dhe gjithashtu do të kemi një miting të poezisë ku do marrin pjesë rreth 100 poetë nga gjitha trojet shqiptare”, tha ai.

Lluka tha se gjitha përgatitjet kanë përfunduar, ku është hapur edhe një rrugë për të shkruar tek vendi ku kishte qenë kampi në atë kohë.

“Përgatitjet i kemi kryer, kemi hap një rrugë deri tek vendi ku ka qenë kampi, e kemi në përfundim e sipër hekurudhën ku do qëndroj treni dhe po shpresojmë se më në fund edhe Kosova do ketë një muze i cili ka munguar për dëshminë e gjenocidit serb në Kosovë”, shtoi ai.

“Sirens” suksesi i radhës nga Eleni Foureira dhe Snoop Dogg

Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Eleni Foureira duket se do shënojë suksesin e radhës. Ajo ka ardhur me një bashkëpunim me reperin me famë botërore Snoop Dogg dhe para pak orësh kanë publikuar këngën “Sirens”.

“Sirens” është një rikthim i këngës legjendare të Eurythmics Sweet Dreams (Are Made of This).

Ajo arriti kulmin e suksesit në nivel ndërkombëtar me pjesëmarrjen në Eurovision 2018, ku u rendit në vendin e dytë me këngën e saj “Fuego”.

Ndërsa kënga e re ka marrë mijëra shikime megjithëse ka vetëm pak orë që është publikuar.

Fotografitë e kosovarit marrin vëmendje në SHBA

Fotografitë e nje kosovari, kanë marrë vëmendje të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Agron Jashari nga fshati Prekaz, që tash e disa vite jeton në Amerikë, ka hapur tashmë edhe ekspozitën e tij personale me fotografi, në njërën nga galeritë më të vizituara të SHBA-së.

Vetmia titullohet ekspozita e parë e kosovarit, fotografitë e të cilit janë shkrepur në pjesë të ndryshme të Nju Jorkut. Sigurisht, aty nuk munguan edhe disa foto të bëra pikërisht në fshatin Prekaz.

“Fotografite e Agronit jane shumë të bukura. Këto kënde janë të njohura për banorët e Nju Jorkut. Unë vij nga Queens. Por ai i kap ato në momentin e duhur, teper bukur” – ishte komento i njërit prej vizitorëve të kësaj ekspozite.

Me shume per permbajtjen e ekspozites foli vet autori, Agron Jashari. Ai tregoi se disa prej fotove kerkuan kohe, por disa të tjera u shkrepën me nxitim. Por, sipas tij, asgjw nuk wshtw e vwshtirw kur fotografitw bwhen nw qytetin e Nju Jorkut.

“Ketu jane 18 fotografi qe e prezantojne Njju Jorkun. I kam edhe disa fotografi te vogla qe e kam ba nje trip ne Evrope, Zvicerr Gjermani dhe Kosove. Secila fotografi eshte shkrepe ne momentin si me than te caktum ka qene nashta moment kur e kam prite nashta me ore per me kap me shkrepe ate fotografi ka disa prej tyne ka qene e qastit edhe ka dal fantastike. sepse drita eshte ajo qe mas shumti ndikon ne fotografi”

Komente pati edhe për dy fotografi të vecanta që ishin pjesë e kësaj ekspozite. Jashari prezantoi edhe dy pamje te mahnitshme të vendlindjes se tij, fshatin e Prekazit, per te cilat autori thote se jane te preferuarat e tij.

Ones: Shqiptarët kanë një reputacion të merituar për mikpritjen

“Shqiptarët kanë një reputacion shumë të merituar për mikpritjen – bukë, kripë dhe zemër – dhe dashamirësinë”, deklaroi sot e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ndërsa u drejtohej familjeve mikpritëse dhe vullnetarëve të trajnuar, gjatë ceremonisë së betimit të Vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Moses-Ones theksoi se “së shpejti, këta të trajnuar do të bëjnë një betim ku do të premtojnë të ndajnë kulturën amerikane me zemër të hapur dhe me mendje të hapur, por tashmë ju keni ndarë me ta kulturën shqiptare duke iu hapur atyre shtëpitë, jetët dhe zemrat tuaja”.

“Ne amerikanët ndjekim vizionet tona, pavarësisht se sa të çmendura ose të marra mund të duken. Aspiratat tona kombëtare përmblidhen në frazën e njohur – ëndrra amerikane – për një arsye. Ne jemi ëndërrimtarë. Nuk jemi të interesuar të dëgjojmë se diçka nuk mund të bëhet. Jemi shumë të interesuar të kuptojmë se si ta bëjmë atë. Ky është shpirti i Amerikës. Ky është shpirti i Korpusit të Paqes. Nuk keni nevojë të zgjidhni çdo problem të Shqipërisë”, tha ajo.

Po ashtu Leyla Moses-Ones shtoi se shqiptarët që takoni nuk do t’ju harrojnë kurrë. Pasi t’ju kenë parë një herë, nuk do të jenë në gjendje të mos ju shohin më, sidomos të rinjtë.

“Brezi më i ri i Shqipërisë është i zgjuar, i talentuar dhe i paduruar për ndryshim. Kur shohin shoqërinë e tyre, ata duan diçka më të mirë. Që kjo të ndodhë, ata mbështeten tek ëndërrimtarët. Mbështeten te njerëz si ju, njerëz me guxim për të ndjekur fantazitë e tyre dhe për t’u përpjekur për to. Pra, ju do të jeni amerikanët e tyre. Ju do të keni rëndësi për ta. Shumë prej tyre do të angazhohen për një Shqipëri më të mirë për shkakun tuaj”, tha ajo.

Në fund, Ones tha: “Ruajeni çdo çast dhe mësoni gjithçka mundeni në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në mënyrë që të mund të ndani atë që keni bërë me ëndrrën tuaj. Ne kemi nevojë për ëndërrimtarë edhe atje në vendlindje”.

Nënë Tereza dhe gratë e tjera të fuqishme, në videoklipin e këngëtares Anouk

Këngëtarja holandeze Anouk e ka bërë rikthimin e saj në muzikë me një videoklip të mahnitshëm.

“It’s a new day” titullohet kënga e re e Anouk, ku ajo ka potretizuar gratë e fuqishme të botës të cilat po e hapin dhe e kanë hapur rrugën për fuqizimin e grave gjithandej në planet.

Anouk është grimuar sikur plot personazhe, përfshirë këtu shqiptaren Nënë Tereza, më pas Oprah Winfrey, Nefertiti, Rosa Parks, Michelle Obama, Malala, Margaret Thatcher, Marie Curie, Mona Lisa, Frida Kahlo dhe gra të tjera që në histori kanë shënuar revolucion.

“Këto janë gra që kanë luftuar me intelektin e tyre dhe kanë qenë inspirim për gratë dhe vajzat nëpër botë. Këto janë gra që kanë ngritur zërin për barazi gjinore” ka shkruar Anouk në videon e saj në Youtube, shkruan KultPlus.

Anouk është ndër këngëtaret më të mira holandeze, e njohur sidomos për hitin e saj “Nobodys Wife”, vite më parë. / KultPlus.com

Njihuni me Romain Veillon, fotografin francez të ndërtesave të braktisura

Vetëm pak ditë më parë, një ndër faqet më të mëdha arkitekturore ArchDaily, publikoi një artikull i cili paraqiste punën fantastike të fotografit Romain Veillon, me seli në Paris.

Ndryshe nga fotografë të tjerë, dashuria për arkitekturën e vendeve të braktisura bëri që Veillon të marrë rrugë në shumë vende të botës, për të kapur arkitekturën e pluhurosur e të vjetëruar, duke vënë në pah bukurinë e saj.

Për Ndërtimi.info, Veillon ka rrëfyer vështirësitë e tij dhe pasionin për fotografinë e objekteve të vjetra.

“Duhet leje për t’i fotografuar, por unë zakonisht vetëm hyj brenda. Përderisa janë ndërtesa të braktisura, është e vështirë të gjesh personin e duhur. Jam kapur disa herë nga policët por nuk më kanë paraqitur ndonjë problem. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pronarët, zakonisht janë qenë të mirë dhe tolerant në qoftë se ju shpjegoni qasjen tuaj: Jam aty vetëm aty për të bërë fotografi dhe i respektoj vendet që eksploroj. Edhe nëse një shtëpi është e braktisur, gjithmonë ka një pronar, një histori, kështu që është e kuptueshme që njerëzit mund të shqetësohen”, shpejgon Veillon.

Image may contain: outdoor and indoor

Ndonëse si një 15 vjeçar Veillon e kishte nisur fotografinë si një mënyrë për të mbajtur kujtimet e udhëtimeve të tij si raport, me kohë ishte larguar nga mënyra e raportimit për t’u përqëndruar në një qasje më estetike.

Kjo nuk kishte lindur krejt rastësisht. Në fakt, qysh si fëmijë ai kishte qenë mjaft kurioz për vendet e braktisura, duke eksplorurar të kaluarën e tyre dhe duke imagjinuar jetesën e historinë e ndërtesave. 

“Kur isha fëmijë, endesha nëpër ndërtesën e vjetër të fabrikës së kamionëve të gjyshit tim. Ishte plotë me vegla e objekte të mbetura të shoferëve dhe jetës së punëtorëve. Më pëlqente të kaloja gjithë pasditen në përpjekje për të zbuluar se si ishte jeta e këtyre njerëzve dhe se si ishte vendi atëbotë. Të imagjinoj këto histori është ajo që e dua më së shumti për këto ndërtesa”, thotë ai. 

E ndër rreshta potencon edhe diçka mjaft interesante.

“GJITHASHTU, TË JEM DËSHMITAR I FUQISË SË NATYRËS TEK MERR MBRAPSHT ATË QË ËSHTË ‘E SAJ’”.
shprehet Veillon.

Ai nuk preferon të udhëtojë i vetëm, ngase këto ndërtesa mund edhe të jenë të rrezikshme, dhe në rast të ndonjë urgjence i duhet dikush që t’i dal në ndihmë. Gjithashtu, ai beson se është më mirë që të ndash aventurat me miq për të krijuar kujtime që do zgjasin.

Kolmanskop, shkretëtira Namib, Namibi.

Ndër të gjitha vendet që ka vizituar, përfshirë  Francën, Gjermaninë, Italinë, Irlandën, Portugalinë, Namibinë, Guianën dhe Myanmarin, ndërtesat e braktisura në qytetin e minierave Kolmansklop në mes të shkretëtirës në Namib të Namibisë, i ka lënë përshytpjet më të mësha fotografit.

“I pasur nga një sasi e madhe e diamanteve, njerëzit e krijuan atë nga ‘asgjëja’ duke e kthyer në një qytet të begatë. Në vitin 2954, sasia e diamanteve filloi të bie dhe popullsia u zhvendos në jug, ku u gjet një ‘venë’ e re. Qyteti i shndërrua në një ‘qytet fantazmë’ dhe  tani është i gjithi i mbuluar me rërë. Unë shkova atje dhe qëndrova për një javë, atmosfera ishte disi joreale dhe e magjishme, sikur koha të kishte ndaluar atje vite më parë”, tregon ai. 

E qëllimi i tij për të dokumentuar gjendjen e këtyre ndërtesave është mjaft i dëlirë. Në syrin e tij gjithçka është e bukur, edhe nëse ajo është një ndërtesë e shkatërruar dhe e lënë pas dore, dhe të jemi falënderues për ato që kemi tani, përfshirë kohën.

“T’i njoftoj njerëzit me vendet e braktisura përreth botës, ku nga shkatërrimi del bukuria. Vendet që i kemi lënë pas e ku duket se koha ka ndaluar dhe vegjetacioni ngadalë përbin atë që është e tij. Secili kapitull tregon një vend ndryshe: Vendin ku kemi jetuar, punuar, jemi kënaqur, ku e menduam vdekjen. Fotografitë e mija na bëjnë të pyesim se si do dukej bota nëse njerëzimi do të zhdukej nga toka. Ne të gjithë jemi të fascionuar nga ky vizion pas-apokaliptik. Ndoshta kjo na duhet që të jemi dëshmitarë të kësaj për të shijuar atë që kemi dhe kohën para nesh. Siç thashë më parë, gjëja kryesore për mua është që njerëzit të krijojnë historitë e tyre kur ata shohin fotografitë e mia. Të gjithë imagjinojnë diçka të ndryshme sipas mendimit tim, në varësi të historisë dhe asaj se çfarë dëshironi të shihni në to. Nga ana tjetër, disa fotografi kanë qartazi një mesazh për mjedisin”, thotë fotografi francez Veillon.

Padyshim, mesazhi i cili është “i shkruar në ballë” të secilës fotografi, tërthorazi mundohet të ngrejë vetëdijen e asaj që njerëzimi është në gjendje t’i kushtojë natyrës.

“Kur shihni se si njerëzit kanë krijuar mbeturina gjigante në një shpellë nëntokësore ose se si natyra mund të jetë aq e fortë dhe e bukur edhe kur Njeriu nuk është rrotull, kjo është një mënyrë për të na treguar se çfarë mund të ndodhë”, përfundon ai. 

Fotografitë e Veillon kanë bërë gjiro në botën e internetit për estetikën e bukru dhe mesazhet që paraqesin ato, teknika të cilat ai i ka përvetësuar tash e sa kohë. 

Shikoni disa fotografi të shkrepura nga Romain Veillon./ ndertimi.info/ KultPlus.com

Përfundojnë restaurimet në dy kisha të Fierit

Trashëgimit janë një ndër pasurit më me vlerë të zhvillimeve kulturore dhe gjithmonë duhet të përpiqemi ti mbrojmë ato duke i mirëmbajtur apo restauruar.

Kështu është bërë edhe në Libofshë të Fier-it, ku kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në Kishat e Shën Gjergjit dhe Shën Kollit.

Këto dy kisha janë monumente kulture të kategorisë së parë dhe përbëjnë një pasuri të vyer për zonën e Libofshës dhe të gjithë Myzeqesë, për vlerat e rralla historike dhe shpirtërore që ato mbartin.

Projektet e restaurimit u hartuan nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës dhe u financuan nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë./ KultPlus.com

‘Kam gjetur paradoksin’

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë është lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.

Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë. Nëna Terezë ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjt në Vatikan u shpall Shën Tereza. Një nga shprehjet e saj, është edhe kjo të cilën po ua sjellim sot.

“Kam gjetur paradoksin, se nëse dashuria arrin deri në dhimbje, pas kësaj pike nuk ka më dhimbje, por vetëm dashuri”./ KultPlus.com

Pse kolliteshin malësorët, kur ecnin natën vetëm?

Zyhdi Dervishi – “Lente të ndërveprimit simbolik”.

Studiuesit, sidomos ata të angazhuar me përparësi në analizat krahasimore ndërmjet sistemeve kulturore, kanë vërejtur se në shumë kultura e kollitura e stimuluar përcjell kuptime simbolike të caktuara.

Umberto Eco ka shkruar se anëtarët e kulturave të ndryshme dallojnë disa lloje të ndryshme të kollës abuzive, se e kollitura e stimuluar është një model sjelljeje e institucionalizuar.

Kështu, shoqërinë shqiptare paramoderne, veçanërisht në krahinat fshatare, kur burrat rrugëtonin natën stimulonin të kolliturën herë pas here para se të kryqëzoheshin me burra të tjerë që ecnin në kah të kundërt, para se t’i afroheshin një burri ose një grupi burrash që ecnin më ngadalë në kahun e tyre, kur kalonin pranë shtëpive ose staneve të bagëtive të të tjerëve.

Të kollitura të tilla përcillnin mesazhin se burrat që i stimulonin nuk rrugëtonin natën për qëllime të liga dhe jo rrallë i identifikonin udhëtarët në terrin e natës.

Mjaft malësorë, sidomos ata më me emër në krahinë, kishin diçka të veçantë, vetëidentifikuese në të kolliturën e tyre të stimuluar.

Edhe në ditët tona e kollitura përcjell simbolikisht mesazhe të caktuara, veçse shumë më rrallë në errësirën e natës.

Përgjithësisht burrat kolliten kur futen në një njësi shërbimi ose shitjeje, nëse personi që duhet të shërbejë aty nuk gjendet në banak, por në ndonjë kthinë ku nuk duhet. Një e kollitur e tillë njëherazi dëshmon praninë e një klienti në mjediset e njësisë së shitjes ose të shërbimit dhe e thërret zanatçiun ose shitësin të vihet në rolin që duhet të kryejë.

Gjithashtu, ndër shqiptarët, njerëzit me autoritet kolliten enkas për t’i kumtuar një personi tjetër, përgjithësisht me status më të ulët, mesazhin se po flet ose po vepron gabim, se duhet të ndryshojë linjën e arsyetimit ose modelin e sjelljes./27.al/ KultPlus.com

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës reagon për gjendjen e rëndë të teatrove

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës ka publikuar një deklaratë përmes së cilës ka reaguar ndaj gjendjes se rëndë të teatrove të qyteteve dhe neglizhencës së institucioneve karshi tyre, shkruan KultPlus.

Deklarata e plotë:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë të teatrove të qyteteve, dhe neglizhencën e institucioneve relevante për zgjidhjen e këtij problemi, pas kërkesave të shumta nga komuniteti artistik dhe punëtorët e teatrove, reagimeve të tyre për mospagesën e rrogave dhe borxheve të grumbulluara, dolëm me këtë deklaratë, ku kërkojmë nga institucionet relevante që sa më shpejtë që të jetë e mundur, ta rregullojnë statusin juridik e financiar të këtyre teatrove.

Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës (ATQK), po e përcjell rregullisht gjendjen e teatrove të qyteteve dhe konstaton se problemet e teatrove kanë mbetur të njëjta, për të mos thënë se janë vështirësuar edhe më shumë.

Ne si ATQK., kemi iniciuar ndryshimin e ligjit aktual për teatrot, i cili ligj nuk është aspak i favorshëm për funksionalizimin e teatrove të qyteteve dhe përkitazi me këtë gjendje, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Koncept Dokumentin për Teatrot, dokument ky që i hapi rrugën plotësim-ndryshimit te ligjit për teatrot, ligj ky që do ta bëjë rregullimin juridik dhe financiar të teatrove të qyteteve.

Duke e pasur parasysh që ndryshimet ligjore marrin kohë deri në miratimin e tyre, dhe duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të teatrove, ne si ATQK kemi kërkuar nga komunat tona përkatëse, që të bëjnë kërkesë në Komisionin e Grandeve në Ministrinë e Financave, që të planifikohet dhe ndahet buxheti për futjen në kontrata të rregullta të aktorëve të trupave rezidente dhe punëtorëve tjerë të teatrove, si dhe të ndahet buxheti për prodhimin e shfaqjeve, gjë që nuk ndalohet as nga ligji aktual, një bazë ligjore kjo që ne e konsiderojmë se duhet të vendoset në mënyrë urgjente, prandaj u bëjmë thirrje institucioneve relevante që në mënyrë urgjente ta mundësojnë krijimin e kësaj baze ligjore. Në të kundërtën teatrot e qyteteve rrezikohen të mbyllen, përkatësisht të mos mund t’i realizojnë aktivitetet e tyre, gjë që rrjedhimisht do të sjellë veprime radikale nga komuniteti i artistëve të teatrit./ KultPlus.com

“Në mes” nga Samir Karahoda triumfon në Vilnius

Filmi “Në mes” nga Samir Karahoda është zgjedhur filmi më i mirë në konkurrencë e filmave të shkurtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius, shkruan KultPlus.

“Ky film është si një përrallë, ishim të gjithë të dhënë pas tij nga shkëlqimi që sjellë dhe aftësia për të ndërtuar vet historinë tënde dhe festa e fuqishme e kinematografike”, thuhet në vlerësimin e jurisë së festivalit.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

Regjia dhe Drejtor i Fotografisë: Samir Karahoda, Producent: Eroll Bilibani, Montazhi: Enis Saraçi, Dizajner Zëri: Memli Kelmendi, Xhirues Zëri: Gëzim Rama dhe Dizajnere Grafike: Nita Salihu Hoxha./KultPlus.com

Në një kamp në Siri shihen dhe dëgjohen fëmijë të ngujuar shqiptarë

“Haxhi”, “Oj Sarë” , “ku o Sara”, janë fjalët shqip që dëgjohen trishtueshëm në një kamp të izoluar në Siri.  Aty janë strehuar të afërm të luftëtarëve të ISIS’it, e një video e publikuar nga The New York Times kapen fëmijë teksa flasin shqip. Nuk dihet se cili është fati i fëmijëve i kampeve të zeza, e as nëse institucionet kanë plan t’i kthejnë.

Albioneta Ademi

Në një kamp në veri të Sirisë po strehon të afërmit e luftëtarëve famëkeq të ISIS’it, pas humbjes që pësoi para disa javësh i ashtuquajturi kalifat, i njohur për krime dhe terror.

Ky është një vend i izoluar i quajtur Al Hol, i rrethuar me rojtarë të armatosur.  Aty strehohen gratë, fëmijët dhe jetimët e luftëtarëve të ISIS’it.

Brenda këtij kampit, në një video të publikuar nga mediat perëndimore, dëgjohen dy fëmijë që flasin shqip, që sipas të gjitha gjasave i takojnë luftëtarëve të trojeve shqiptare që kishin marrë pjesë në ato luftime. Njëri prej tyre shihet në pamjet e publikuara nga prestigjiozja amerikane The New York Times, shkruan Gazeta Express.

Fëmija që flet shqip në kampin Al Hol

Fëmija i parë, në këtë video, thërret emra si Haxhi e Sara, ndërsa një zë tjetër i një fëmije të dytë dëgjohet në sfond duke pyetur se “ku është Sara”.

Në institucionet e Kosovës askush nuk përgjigjet se a kanë ndonjë plan për të kthyer fëmijët dhe gratë kosovare të ngujuara në kampe të Sirisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, thotë se kjo ministri është e informuar se ka kosovarë, por nuk ka treguar nëse MPJ planifikon t’i kthejë ata.

As në Zyrën e Kryeministrit nuk dëshiron të komentojnë asgjë rreth kësaj teme.

Në këtë zonë deri në dhjetor kanë qëndruar rreth 9 mijë persona, mirëpo me thellimin e humbjeve të ISIS’it dhe me ngushtimin e zonave të tyre, aty numri ka shkruar në 72 mijë javën e kaluar. Mirëpo nëntë mijë prej tyre janë qytetarë të vendeve jashtë Sirisë.

Të dhënat e fundit të publikuara në media tregojnë se më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës, por që asnjë shtet nuk dëshiron t’i mbajë.

Ndërsa janë edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.

Të kthehemi sërish te “kampi i Sarës dhe Haxhisë”: NYT raportoi se aty nuk kanë mjaftueshëm ujë e ushqim, ndërsa disa prej shteteve si Franca, Rusia e Çeçenia i kanë nxjerrë qytetarët e vet nga ky kamp. Të tjerat vende nuk duan t’i rikthejnë këto gratë, fëmijët, e jetimet.

Aty gjenden vetëm gratë e fëmijët që nuk i pranojnë shtetet e tyre dhe më nuk kanë më vend të tyre për të jetuar.

Zyra e Kryeministrit nuk jep detaje se çka specifikisht planifikohet të bëhet me fëmijët dhe gratë që tashmë janë në Siri dhe a do të kthehen ata. Megjithatë përmenden hartimi i dokumentëve për rehabilitim të të gjithë atyre që në një mënyrë ose tjetrën u përfshinë në luftën e Sirisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë hartuar dokumente dhe kanë ngritur mekanizma për rehabilitimin e personave të radikalizuar, luftëtarëve të huaj dhe familjet e tyre”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express.

“Si pjesë e koalicionit global kundër ISIS-it, Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë partner i besueshëm, duke dhënë kontribut të çmuar në arritjen e objektivave të këtij koalicioni”.

Siria po hyn në vitin e nëntë të luftës civile, ndërsa Shtet Islamik (ISIS) po e shënon fundin e tij. Lufta nisi dhe po përfundon me Bashar Al-Assadin që nuk u dorëzoi asnjëherë kreun e shtetit tashmë të shkatërruar. /Express/KultPlus.com

Disa fotografi të veçanta të mbretit Zog të botuara në shtypin francezë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Prill 2019

Me rastin e ditëlindjes (5 prill 1939) së N.M.T. Leka Zogut, mbretit të shqiptarëve, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar pesë fotografi të veçanta, të botuara në shtypin francez të 1939 :

LEKA ZOGU NË STOKHOLM (PARIS-SOIR, 20 KORRIK 1939)

LEKA ZOGU NË STOKHOLM (PARIS-SOIR, 26 KORRIK 1939)

LEKA ZOGU NË STOKHOLM (CE SOIR, 26 KORRIK 1939)

LEKA ZOGU NË ANVERS (CE SOIR, 9 GUSHT 1939)

LEKA ZOGU NË VERSAILLES (LE FIGARO, 11 GUSHT 1939)

https://www.darsiani.com/la-gazette/ditelindja-e-leka-zogut-fotografite-e-vecanta-te-botuara-ne-shtypin-francez-te-1939/. / KultPlus.com

Dodona sjell të shtunën shfaqjen për fëmijë “Prehëri i Gjyshit”

“Prehëri i gjyshit” titullohet shfaqja me regji nga Melihate Qena e me tekst të Vesa Qenës që do të ju dhurojë emocione fëmijëve, shkruan KultPlus.

Përmes kësaj shfaqje autorja do të sjellë ngrohtësinë e një familje. Shfaqje me kukulla për fëmijë ka për tematikën barazinë gjinore në kuptimin e barazisë në familje.

Kjo shfaqje do të sjellë një familje tipike ku jetojnë një vëlla e një motër. Ata e duan njëri tjetrin dhe luajnë bashkë por nganjëherë ka ca mosmarrëveshje të vogla por ato tejkalohen me lehtësi.

Në këtë shfaqje luajnë: Avni hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Valdet Rama.

“Prehëri i gjyshit” do të shfaqet më 6 prill në teatrin Dodona duke filluar nga ora 12:00 në mesditë. Kjo shfaqje është për moshën 3+  dhe është financuar nga USAID./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/2289533411267860/

Orkestra e Operës së Maqedonisë saboton koncertin e Ramë Lahajt

I planifikuar të mbahej me Orkestrën e Operës së Maqedonisë, koncerti i tenorit kosovar Ramë Lahaj të enjten në Shkup ka qenë në prag të dështimit. Tenori me nam botëror nuk është shoqëruar nga Orkestra.

Të mërkurën është kontaktuar pianisti Genc Tukiqi në mënyrë që të shpëtojë koncerti “Ramë Lahaj and friends”, raporton “Koha Ditore”.

Tenori Ramë Lahaj ka thënë se me orkestër kanë bërë tri prova por ka qenë e pamundur të mblidhen të gjithë dhe të mobilizohen për ta mbajtur koncertin.

“I kam dëgjuar thashethemet e koncerteve paraprake që nganjëherë orkestrat në Maqedoni dinë të mos jenë korrektë kur janë në pyetje aktivitetet shqiptare. Por kësaj radhe unë veç e vërtetova derisa erdhëm me një pikë ku unë e anuloj koncertin me orkestër”, ka thënë Lahaj.

Në koncertin që ka hapur festivalin “Skena e muzikës serioze shqiptare”, pos, Lahajt kanë interpretuar edhe sopranoja Venera Gimadieva, bartoni Bogdan Baciu e mezzo-soprano, Irena Kavkalevska. Festivali në edicionin e tij të shtatë do të ketë gjithsej shtatë koncerte në Shkup./ KultPlus.com

Vjedhet kambana e kishës, u dhurua nga Vatikani në vitin 1925

Kambana e Kishës së Shën Mëhillit në fshatin Sukaxhi të Njësisë Administrative Ungrej në Lezhë, është grabitur nga persona të paidentifikuar.

Ngjarja ka ndodhur  disa ditë më parë, ndërsa sipas të dhënave vjedhja është realizuar gjatë orëve të natës. Kambana ishte prej bronzi me peshë 370 kg. Ajo ju dhurua Kishës së Shën Mëhillit nga Vatikani në vitin 1925 me mbishkrimin “Fisit Kreshnik të Kashnjetit”, dhe ishte një relike fetare ndër më simboliket për trevën.

Kisha u ndërtua në shek. e XVII dhe në të përqendrohet edhe drejtimi i klerit katolik për trevën. Në kohën kur në fshat shërbente si misionar katolik dom Prend Suli, hapi dhe shkollën e parë në zonë, në vitin 1901 në Kashnjet. Në lidhje me ngjarjen policia ka nisur hetimet.

Ndërsa ende nuk është rënë në gjurmët e autoreve të cilët kanë kryer vjedhjen, kjo duke ju referuar faktit se kisha ndodhet në një zonë të thellë malore e cila është shumë pak e banuar.

Në polici janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje rreth ngjarjes dhe më pas janë lënë të lirë./ Insajderi/ KultPlus.com

Ndërpritet fjalimi i përfaqësuesit të ICK-së në Beograd (VIDEO)

Një incident ka ndodhur sot në Samitin Dixhital të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Beograd.

Gjatë prezantimit të përfaqësuesit nga ICK (Inovation Center Kosovo) Shpend Lila, ka reaguar një femër nga publiku duke ndërprerë dy herë fjalimin e Lilës.

Sipas Telegrafit, ndërprerja e fjalimit ka ardhur në momentin kur është përmendur emri, Kosovë.

“Sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244, është absolutisht e papranueshme që të keqpërdoret ky takim dhe afirmohet pavarësia e njëanshme e të ashtuquajturës shtet i Kosovës, me ç’rast po shkelet marrëveshje për përfaqësimin dhe bashkëpunim rajonal të arritur në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, dëgjohet të ketë thënë një femër në gjuhën serbe.

Ndryshe për incidentin në Beograd ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se Serbia, loboi sërish kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Ministri i MPJ-së, Pacolli ftoi Bashkimin Evropian që ta disiplinoj Serbinë, përndryshe Kosova në të ardhmen nuk do të marr pjesë në konferenca të këtij lloji. / KultPlus.com

Zbulohet data e lansimit të këngës së re të motrave Istrefi

Këngëtarja nga Kosova tashmë me renome botërore, Era Istrefi, qe një kohë ka paralajmëruar se do të sjellë një këngë të re në bashkëpunim me motrën e saj, po ashtu këngëtare e njohur, Nora Istrefi.

Përmes një postimi në Instagram, Era ka zbuluar datën e lansimit të këngës së re.

Kënga e re, e cila titullohet “Nuk e di”, do të lansohet më 19 prill.

“Nuk e di 19 Prill!!! A jeni gati???”, ka shkruar Era në postim.

Edhe muzeu “Madame Tussaud” në Amsterdam me figurën prej dylli të Dua Lipës

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Këngëtarja shqiptare tashmë ka nisur punën për albumin e ri, i cili do të jetë krejtësisht ndryshe prej të parit.

Por, fama e saj ka bërë që shumë muze të ndryshëm të kërkojnë të bëjnë figurën e saj prej dylli.

Pas muzeut të Londrës, edhe ai i kryeqytetit holandez, Amsterdam, do ta ketë nderin që në gjirin e vetë ta ketë figurën e 23-vjeçares.

“Së shpejti do të jeni në gjendje të më gjeni në muzeun Madame Tussaud të Amsterdamit”, ka shkruar ajo në llogarinë personale të Twitterit.

Dua tashmë ka anuluar të gjitha turnetë muzikore duke u përqendruar në albumin e ri muzikor.View image on Twitter

View image on Twitter

DUA LIPA@DUALIPA

👀

You will soon be able to find me at Madame Tussaud’s Amsterdam 3,9799:46 AM – Apr 5, 2019