Dua Lipa zbulon detaje të albumit të ri

Dua Lipa tashmë ka konfirmuar se është duke punuar në albumin e dytë në karrierë.

Këngëtarja shqiptare ka pohuar ditë më parë se nuk do të nis ndonjë turne muzikor këtë vit, pos koncerteve sporadike pasi që forcat i ka përqendruar te albumi i ri.

Ajo ka njoftuar fansat përmes rrjeteve sociale për procesin rreth albumit të dytë duke dhënë edhe detaje të reja.

Dua Lipa dhe Neil Rodgers (Foto Instagram)

Sipas Duas, meqenëse albumi i kaluar ka qenë i dominuar nga tingujt e muzikës elektronike, këtë herë ajo dëshiron të vijë para publikut më e butë, duke sjellë këngë të incizuara me instrumente ‘live’.

“Unë dua t’ju mbaj të gjithëve të informuar me procesin. Kështu po eci ngadalë dhe kam filluar të përfundoj këngët për albumin tim të ardhshëm. Pas turneut të parë kam kuptuar se në albumin e parë kam pasur më shumë muzikë elektronike ndërsa tanimë më nevojitet shumë më tepër instrumente live”, tha fillimisht zeshkania.

Ajo më tutje ka treguar se ishte për këngët e reja po bashkëpunon me Nile Rodgersin dhe se mezi po pret që të dëgjohen këngët e reja.

Gjersa gjatë ditës së sotme, 23-vjeçarja i është bashkangjitur një numri të madh të artistëve botëror që po bëjnë thirrje për bojkotimin e bizneseve të Sulltanit të Bruneit, i cili ka sjell një ligj që dënon me vdekje personat që tregojnë publikisht se i përkasin komunitetit LGBTI.=

Ndryshe, Dua nuk dihet nëse do të jetë pjesë e festivalit, “Sunny Hill Festival”, i cili do të mbahet për tri ditë rresht – 2,3 dhe 4 gusht. /KultPlus.com

Shkodran Osmanaj, pjesë e Berlin Opera Academy 2019

Alberina Haxhijaj

Kontrabasisti nga Kosova Shkodran Osmanaj, pas audicionit të suksesshëm do të  jetë pjesë e orkestrës kamertale të Operës së Berlinit për 2 produksionet : “Die Zauberflöte” dhe “Le nozze di Figaro” apo siç njihen shqip “Flauti magjik” dhe “Dasma e Figaros”, përcjellë KultPlus.

Këto dy produksione do të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik në Berlin. Gjatë këtyre ditëve, Osmanaj do të ketë mundësi të bashkëpunoj me dirigjent operistik, të bëjë përgatitje për audicione me instrumentist nga orkestrat e mirënjohura të Berlinit, masterklasa për muzikë kamertale etj.

Shkodran Osmanaj është kontrabasist nga Prishtina i cili hapat e parë orkestral i mori në Filharmoninë e Kosovës , të cilën thotë se e falënderon shumë, e në veçanti drejtorin e saj Baki Jasharin për mundësinë e dhënë.

Pas mbarimit të sudimeve Bachelor me profesorin Fraim Gashi, ai është duke i vazhduar studimet master në Bernë të Zvicrës, me profesorin e mirënjohur Ruslan Lutsyk. Së shpejti Shkodrani do të debutoj edhe me “Camerata Bern”, një nga orkestrat më të njohura kamertale ku në të bëjnë pjesë muzikantë me famë botërore si Patricia Kopatchinskaja , Anntje Weithaas etj.

Osmanaj ishte po ashtu fitues i Grant Basses Award, në Pragë të Çekisë,
çmim ky i cili iu dha nga juria e Bass Europe.  / KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi drejt realizimit të ëndrrës falë pasaportës shqiptare

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka konfirmuar se është pajisur me pasaportën e Shqipërisë, gjë që ia mundëson që të udhëtojë për në Kili.

Në një prononcim për Koha Ditore Kajtazi më parë kishte bërë të ditur se sherri i pasaportës mund të humbiste debutimin në rolin e Sophies në operën “Der Rosenkavalier” të Richard Straussit, që është një nga ëndrrat e saj.

E këtë ëndërr tani mund ta realizojë falë pasaportës shqiptare, që i mundëson udhëtimin për në Kili, shtet ky që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Në rrjetin social në Facebook ajo ka shkruar sot se ndjehet e lumtur dhe me shumë krahë pasi nga dje është edhe qytetare e Shqipërisë.

“Dëshiroj të falënderoj me këtë rast të gjithë instancat më të larta të shtetit shqiptar presidentin e Republikës së Shqipërisë shkelqësinë e tij zotërinë, Ilir Meta, ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi. Përfaqësues të të lartë të Ministrisë së Brendshme, Gjendjes Civile dhe Policisë së Shtetit, dy ambasadorët atë të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj si dhe ambasadorin e Shqipërisë , Artur Kuko dhe nga zemra falënderoj Adem Sallauken nga Ambasada e Kosovës në Shqipëri që bën të mundur marrjen e shtetësisë shqiptare në kohë rekord”, ka shkruar Kajtazi.

Image

Valdrin Sahiti sjell koleksionin Pranverë/Verë 2019 (VIDEO)

Eleganca dhe shija për të bukurën janë bërë bashkë në koleksionin e fundit të disenjatorit të njohur kosovar Valdrin Sahiti, shkruan KultPlus.

Më një stil të veçantë që e karakterizon disenjatorin, ai përmes koleksioneve të veta po arrin të tërheqë vëmendje edhe jashtë trojeve shqiptarë, e madje edhe nga artistët më eminent botërorë.

Tashmë ai ka sjellë koleksionin e tij Pranverë/Verë 2019 me të cilin ka mahnitur publikun.

https://www.instagram.com/p/BvwfKWujDlq/

Ky koleksion veçohet nga fustanet tejet elegant të cilët qëllim kryesorë e kanë të vënë në pah anën më të mirë të femrës, duke e bërë atë të duket tejet elegant.

Përshtatja e ngjyrave dhe materialeve e bënë edhe më të kompletuar këtë koleksion.

Kësaj radhe disenjatori Valdrin Sahiti, koleksionin e  tij ka vendosur ta prezantojë përmes disa videove të shkurtra. Secila video prezanton rreth katër fustane.

https://www.instagram.com/p/Bvw3hhljFD1/

Nëse do të kemi edhe ndonjë sfilatë se shpejti nga Valdrini, kjo ende nuk dihet.

Kujtojmë që kreatori më i famshëm shqiptar, Valdrin Sahiti, kohën e fundit po e ndërkombëtarizon markën e tij, duke depërtuar edhe në qendrat tjera të Evropës. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bvr5qF5nBp2/

https://www.instagram.com/p/BvtlbamlcUJ/

Vallja e Osman Takës, një nga më të bukurat e botës shqiptare (VIDEO)

Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë, por të gjithë botës shqiptare dhe e mbarë Ballkanit.

Osman Taka ishte një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë, i cili u kap rob në luftë me osmanllinjtë. Hijeshia, me të cilën e ka luajtur këtë valle përpara se të varej në litar ka bërë që t’i falej jeta e vallja të marrë emrin e tij.

Ne krenohemi me këtë margaritar të folklorit, prandaj shpërndajeni këtë interpretim mbresëlënës të shkëputur nga filmi “Gjeneral Gramafoni”, që sa më shumë të rinj ta njohin e vlerësojnë!

Kjo valle në origjinë ishte e Epirit, por u quajt vallja e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka nga Konispoli, patriot i kohës, u kap dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe dënohet me varje.

E veçanta e kësaj valleje është se sa mjedis më të ngushtë të ketë, aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë.

Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka, në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë dy-tre valltarët e tjerë, pra duhet që me muskujt e barkut të mbahen dy-tre valltarë të kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysëm.

Këtu theksoj anën historike të valles që nuk kemi të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore. / KultPlus.com

Albert Ajnshtajn, urtësia dhe largëpamësia që pasuroi botën me dije


Nga Albert Vataj

Mbamendja e historisë njerëzore nuk ruan në kujtimet e saj një të dytë si ai. Asnjëherë nuk ka gjalluar faqe kësaj toke një krijesë kaq e jashtëzakonshme dhe kaq me të papritura. Një jetë të tillë të stuhishme dhe rrapëllitëse, s’kishte kapluar as marinari më i stërvitur i deteve. Ai u dha vullnetlirë nëpër krejtçka përbën ndryshesat, kapërcyellin dhe kaplimin në kreshtën më të lartë të famës, ku u ngjit, për të mos zbritur sandejmi askurrë. Ç’skutë e errët e mendjes njerëzore, universit dhe kureshtisë ishte, ku ai nuk u kredh si një eksplorator triumfues. Si krejt gjenitë e tjerë edhe Albert Ajnshtajn e gatuan çdo mozaik të jetës së tij në shtjellën e të papriturave dhe befasive, diku-diku cingëritëse, të debatueshme dhe të larë nga shkëlqimi i lavdisë, tjetërkund. Ai erdhi dhe iku si një përjashtim. Mbamendet se kur lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa e ëma kujtonte se mos ishte i deformuar. Nën këtë makth u ngjeshën e gjithë familja, e cila mendonte se mos kishin të bënin me një monstër. Dhe habia vazhdon në familjen ku rritej gjeniu i ardhshëm. Ajnshtajn kur ishte fëmijë fliste rrallë dhe ngeshëm. Ajo që më vonë u quajt “sindroma e Ajnshtajnit” zgjatoi deri në moshën 9-vjeçare. Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe lëngonte i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin e tij për shkencën dhe hamendet se ajo shkëndi i vuri zjarrin një yjësië e tij të gjenialitetit. Ndërsa qëndronte i shtirë, i ati i dha një busull xhepi. Ndryshimi i vendodhjes dhe drejtimi i gjilpërës manjetike që trekonte kahun e orjentimit, u kthye në kureshtinë fillimore të tij. Ndërsa vëzhgonte busullën tek djaloshit 5-vjeçar zuri fill mendimi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Kjo ndodhi e fëmijërisë udhëtoi nëpër shumë rrëfenja dhe tregimtari të fizikantit të ardhshëm.

Kësisoj mori hov në botë e të panjohurave, Albert Ajnshtajn, ai që do të kaplonte dhunshëm vlerësimin si shkencëtari më i rëndësishëm i shekullit XX. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës, ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik. Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Gjithashtu, kontributi i tij bëri një ndryshesë të themeltë pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni. Në asohere, besohej se “koha” në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore.

Nëpër kthinat e jetës

Mundi të strukej deri vonë, por jo të mbetej përgjithmonë një enigmë, një episod i jetës së njeriut që u përpoq të çburgoste nga pikëpyetjet botkuptimin e një shekulli. Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë tronditur themelet e gjeniut. Në to mësohet se Ajnshtajn kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, e cila më vonë lindi një tjetër vajzë me emrin Lieserl, pas vdekjes së  të cilës ata shpallën martesën. Hans Albert dhe Eduard ishin dy djemt e jëts së tyre bashkëshortore.

Ajo që do të ekzekutonte këtë lidhje do të ishte fama. Lindja e fizikantit gjenial të Albërt Ajnshtajn do të zgjonte tek ai mashkullin prepotent, akt i cili u firmos në një kontratë, zbatimin e së cilës njeriu i shkencave ekzakte kërkonte korrektësi në zbatim. Në këtë kontratë bëhej fjalë, sa vijon: “Rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura. Ti çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, e cila duhet të pastrohej me kujdes, përveç tavolinës së punës. Veç këtyre, të pushonte së foluri ishte një tjetër kush i kësaj detyrese bashkëshortore. Ajo mësohet se kishte pranuar në këmbim të besnikërisë. Por kjo skllavëri nuk ndryshoi azgjë deri në momentin kur vargonjt e kësaj zgjedhe bashkëshortësh ti këpuste divorci. Gratë në jetën e fizikantit do të ishin të shumta, të stuhishme dhe përplot të papritura njëra prej së cilave ishte martesa me kushërirën e tij Elsa Loëenthal. Për të mos e mbyllur me kaq këtë zell çmendurie pasioni ai mësohet se kishte shfaqur interes të martohej me të bijën e bashkëshortes, e cila ishte frut i një loidhje të mëparshme të saj Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme. Edhe ajo pati këtë fat me këtë burr besnik, i cili e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann dhe gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse. Kësisoj dëshmojnë korrespondencat e tij.

Pendesë e një pacifisti

Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte SHBA-ve të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan”,  për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore jeta e fizikantit të madh do të gjendej në një rrezik serioz. E pabesueshme por e vërtetë. Do të ishte Shqipëria dhe shtetësia shqiptare ajo që do të shpëtonte Albërt Ajnshtajn. E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak kohë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.

Të pazakontat e  jetës së njeriut të jashtëzakonshëm

Veç pasionit dhe jetës së dendur krevatore, ky mendimtar i madh rrekej në tëzakonshmen e tij edhe në të tjera gjëra të zakonta, jetësimi i të cilave vetëm se e bëjnë më interesante rrugëtimin e një gjeniu. Përveç sportit të preferuar, lundrimit Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje, siç mësohet nga një rrëfenjë prestigjozen amerikane “New York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të “shqiptimit të pabesë”. Një ndër gurët e tjerë të mozaikut është duhani, llulla e tij emblematike. Mësohet se ai ishte pjesë në “Klubit të duhanxhinjve me llullë”, kur jetonte në Montreal. Së këndejmi mbamendet të ketë thënë se “Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore”.

Poza  e tij histori

Ishte ditëlindja e Albert Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh, i lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. Sigurisht që kjo kapriço nuk mori ato pritshmëri që u bënë zanafillë e këtij gjesti joganat. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.

Kësisoj ishte ky njeri, i pazakontë në çdo gjë dhe i jashtëzakonshëm në gjithçka. Vetëm një gjeni dhe mendimtar i përmasave të tilla mund të derdhtë përmendoren e tij në këtë kallep befasishë.

Madonna do të paguhet një milion dollarë për një shfaqje në Eurovizion

Madonna do të performojë për një milion dollarë në “Eurovision Song Contest” që do të mbahet në Izrael.

Kjo pagesë do të paguhet nga miliarderi Silvan Adams, i cili mori këtë hap pas bisedimeve me korporatën televizive izraelite, ku do të jetë një prej sponsorëve të festivalit evropian të muzikës.

Në vitin 2015, mbretëresha e muzikës Pop u shpall këngëtarja më e komercializuar dhe emri i saj është në librin e të dhënave të Guinness.

Madonna (Foto by Mike Coppola/Getty Images/Guliver)“Eurovision 2019” do të mbahet në Tel Aviv nga data 14 deri në 18 maj. Aktualisht, programi është përpiluar dhe pritet që çdo gjë të shkojë në rregull.

Theksojmë se disa shtete duke përfshirë Turqinë do të bojkotojnë këtë ngjarje madhore muzikore evropiane.

Ndryshe, Shqipëria në këtë festival do të përfaqësohet nga këngëtarja Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”. / KultPlus.com

Dua Lipa mbështet iniciativën e yjeve botërore: Bojkotoni bizneset e Sulltanit të Bruneit

Sulltanati i Bruneit ka sjell një ligj që dënon me burgim të përjetshëm dhe vdekje personat që publikisht shfaqin orientimin seksual, përkatësisht nëse deklarohen se janë pjesëtar të komunitetit LGBTI.

Elton John, George Clooney e shumë të tjerë kanë bërë apel që të bojkotohen të gjitha bizneset e sulltanit të këtij vendi.

Së fundi, thirrjeve të yjeve botërore iu është bashkangjitur edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Kjo e fundit, në fakt, ka rishpërndarë një mesazh të Ellen DeGeneresit, e cila ka renditur bizneset që i përkasin sulltanit dhe ka bërë thirrje të që të bojkotohen.

“Vendi i Bruneit do të fillojë të dënojë me vdekje homoseksualët. Ne duhet të bëjmë diçka tani. Ju lutemi bojkotoni këto hotele në pronësi të Sulltanit të Bruneit. Ngrini zërin tani. Përhapni fjalën”, ka shkruar ndër të tjerash moderatorja amerikane, të cilën gjë e ka mbështetur edhe këngëtarja jonë.

Ndryshe, Sulltani Hassanal Bolkiah ka fuqi absolute në Brunei dhe hotelet e përmendura janë pronë e Agjencisë për investime dhe vende në Azinë Juglindore./ KultPlus.com

View image on Twitter

View image on Twitter

Ellen DeGeneres@TheEllenShow

Tomorrow, the country of #Brunei will start stoning gay people to death. We need to do something now. Please boycott these hotels owned by the Sultan of Brunei. Raise your voices now. Spread the word. Rise up.147K10:32 PM – Apr 2, 2019106K people are talking about thisTwitter Ads info and privacy

Meghan dhe Princi Harry hyjnë në Librin Guinnes

Llogaria e re në Instagram e Princit Harry dhe Meghan Markle ka thyer rekordin për kohën më të shpejtë për të fituar një milion ndjekës në  këtë rrjet social.

Guinness World Records tha  se llogaria e re në Instagram e hapur nga Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan është më e shpejta për të fituar 1 milion ndjekës.

Llogaria, e quajtur sussexroyal, u krijua të martën më 2 prill dhe arriti 1 milion ndjekës në vetëm 5 orë dhe 45 minuta, duke shënuar një moment historik .

Që atëherë llogaria ka mbledhur 3.3 milionë ndjekës.

Llogaria deri më tani ka dy postime që kanë fituar mijëra pëlqime, si dhe ka marrë një vëmendje të madhe nga mediat. / KultPlus.com

Trajtat komike të “bordelizimit” të jetës

Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

Nga Emin Azemi

“Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, është filmi më i ri, por edhe i parë i metrazhit të gjatë, i regjisorit tash më të afirmuar dhe mirëpritur në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, Kushtrim Bekteshi, i cili është edhe autor i skenarit. Vendosja e unitetit artistik midis skenarit dhe regjisë së të njëjtit autor, bëri që premiera e këtij filmi të premten në Shkup të përjetohet si një festë artistike dhe ata që e panë patën arsye të largohen të kënaqur nga salla kinemasë Cineplexx .

Një plan i gjerë, me atmosferë mëngjesi në fshat i paraprinë rrëfimit filmik. Njerëzit teksa zgjohen nga gjumi, kurse hoxha i fshatit (në interpretim brilant të Osman Ahmetit) në rrugën gjarpërore me kalldrëm i drejtohet xhamisë për të thirrur ezanin e mëngjesit, ndeshet në një skenë që e bën hoxhën të ndalë hapin, por edhe të merr një pamje të vëngërt në fytyrë. Në një gjendje krejt të shkujdesur, qentë po bënin seks, kurse hoxha pa një pa dy i merr në shenjë me gurë. Qentë largohen duke hingëlluar nga dhimbja e goditjes.

Kjo skenë-uverturë sikur na e imponon në formë sygjestive lajtmotivin dhe atmosferën e mëtutjeshme që do të pasojë në film. Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

DEKANONIZIMI I JETËS SË QETË TË FSHATIT

Një ditë të bukur me diell, të gjithë, gra e fëmijë, pleq e të rinj, e kishin vërejtur se nëpër lagjet dhe shtëpitë e patrazuara të tyre ishte futur një “demon” që po ua gërryente rehatinë.

Një shtëpi e zakonshme fshati brenda natës shndërrohet në kafene-bordel, ku përveç tjerash, myshterinjve nuk iu jepet vetëm kafe e raki. Aty vinë edhe tri femra, të cilat shesin trupin e tyre, kurse si makro i tyre paraqitet Xhinga (Shkumbin Istrefi), një dallaveraxhi i imët i katundit që kishte vendosur të bëhej i pasur duke ua “qethur” xhepat bashkëfshatarët e tij naiv.

Rrëfimin e tij Kushtrim Bekteshi e ka vendosur në një “topografi” rurale, me një vizualitet mjaft dinamik, i imponueshëm për nga kontrastet e forta në mes të njerëzve dhe ngjarjeve, në mes të konvencionit moral dhe aventurave tekanjoze të një grupi meshkujsh që kishin vendosur ta

dekanonizonin jetën e qetë të fshatit. Veset e tranzicionit të stërzgjatur që nuk po mundnin assesi të sillnin në fshat ndonjë mirëqenie dhe mendësi të avancuar, saora bëhen normë sjelljeje për një pjesë të burrave, të cilët në thelb nuk janë karaktere komike, por sillen dhe veprojnë në rrethana e situata që shndërrohen në trajta komike.

Vetëm një burrë me pjekuri të vonuar në provincë (Dauti, i interpretuar mjeshtërisht nga Vebi Qerimi) mund të mburret publikisht me mashkullaritetin e të birit, pasi e ka detyruar me forcë të kryej marrëdhënie intime me njërën nga gratë e kafe-bordelit.

TEKNIKA E NDËRTIMIT TË INTRIGËS

Me tematikën që ka zgjedhur ta trajtojë në film, Kushtrim Bekteshi nuk mëton të inventarizojë për herë të parë ngjarje devijante që tash më ishin të pranishme në mjediset rurale. Sjellja e tri prostitutave në fshat nga ana e Xhingës, nuk paraqet lajm për shikuesin e filmit, sidomos tash pas disa viteve kur filmi është xhiruar, por ajo që e bën këtë fabulë filmike të veçantë është teknika e ndërtimit të intrigës, e cila kalon pahetueshëm nga njëri nivel psikologjik e shpirtëror, në tjetrin, nga një situatë dramatike në një situatë komike, gjithnjë duke e shtuar intensitetin e brendshëm shpirtëror të atyre që ishin të prekur nga këto ngjarje. Tundimet e njerëzve pas aventurave erotike dhe dimensioni komik i paraqitjes së skenave, janë disa nga fshehtësitë e kësaj teknike, me të cilën Kushtrim Bekteshi ka operuar mjeshtërisht.

“Seizmologjia” e ndryshimeve së pari vërehet në familje, xhami, por edhe në çajtoren e fshatit, ndërkohë që “bordelizimi” që kishte prekur disa nga fshatarët kishte ndikuar që ritmi i jetës të ndryshojë, si në jetën private-familjare, ashtu edhe në jetën publike, madje edhe në shkollë. Disa nxënës, duke e shfrytëzuar shpërqendrimin e prindërve të tyre dhe të disa mësuesve bashkë me drejtorin, kishin marrë guximin madje të korrigjojnë notat në ditarin shkollës. Ky skandal nuk kalon pa u vërejtur, por ata që duhej të ndëshkonin e ndjenin veten fajtor për situatën ku kishte degjeneruar shkolla e tyre. Në radhë të parë ishte drejtori ai që ishte i dyzuar si zyrtar dhe si klient femrash të lira, dhe halli i tij nuk ishte vetëm menaxhimi i shkollës, por edhe “mbytja kohës së tepërt” në kafenenë që po ofronte më shumë se kafe e raki.

Xhamia, aty ku bëhet “destilimi” moral kishte mbetur gati pa xhemat, shkolla pa rendin dhe disiplinën e dikurshme, kurse gratë pa burrat e tyre në shtrat. Kafeneja-bordel po konkurronte me ofertat e pazakonta, sepse aty nuk po shitej vetëm mishi i bardhë, por po “farkohej” edhe një klientelë e re që po e prishte imazhin e një mjedisi deri dje të qetë e të moralshëm. Të

vetmit që përfitojnë në këtë rrëmujë janë Agimi dhe Albulena, dy të rinj prej prindërve të hasmuar, të cilët dashurinë e tyre të ndaluar e kurorëzojnë me fejesë, pas katarsisit që ndodhë në fund të rrëfimit filmik, atëherë kur edhe triumfon kodi moral i grave të cilat bashkë me djegien e kafenesë-bordel, arrijnë të shkulin nga jeta e tyre edhe shkaktaret që e kishin sjellë gjithë atë çrregullim në jetën e tyre.

KOMIKJA SI ALEATE E ANTITRAUMËS

Vizualiteti dinamik i filmit na bën të mos hetojmë kapërcimet nga njëra sekuencë në tjetrën dhe kjo e bënë cilësinë e receptivitetit shumëfish të efektshme për vetë komunikimin me ngjarjet dhe njerëzit. Kjo, mbase, ka bërë që filmi të ketë një strukturë të ngjeshur të fotografisë, ku qartësisht vërehet marrëdhënia aktive në mes të ngjyrave, njerëzve, objekteve, linjave dalluese ditë-natë dhe kontrasti i tonalitetit hapësinor, me konotacion komik, që regjisori Bekteshi me gjeturi i ka vendosur disa mikrongjarje, siç është, bie fjala, skena me burrat para kafenesë, që për një moment ndriçohen nga dritat e automobilave teksa po kryenin nevojën pas “recetave” hileqare të grave të përgatitura enkas për të nxitur jashtëqitjen, një prej mjeteve “luftarake” që përdornin ato për të larguar burrat e tyre nga kafeneja-bordel.

Pastaj është edhe një skenë tjetër, e vendosur në oborr të shkollës, ku një pjesë e publikut ende pa pritur të përfundojë fjalimi i drejtorit (Ndriçim Xhepa) dhe prefektit (Luan Jaha), vrapon drejt tryezës së koktejit.

Momente të tilla, ku në prapavijë tonaliteti komik iu jep skenave një gradacion dramatik me emocione të përziera, siç mund të jenë edhe sekuencat e fundit teksa gratë e fshatit po e “pushtonin” kafenenë-bordel dhe po nxirrnin prej andej “bombat” në formë grash të përdala që ua kishin turbulluar mendjen burrave të tyre. Gjithë kjo rrëmujë përcillej edhe me momente komike dhe ky, mbase, do të duhej të ketë qenë një prej objektivave artistike të skenarist dhe regjisorit Kushtrim Bekteshi, që përmes dimensionit komik të fabulës të bëjë amortizimin socio-psikologjik të tematikës dhe dromcimin e specifikave të mentalitetit në “pllakëza” të imta që lehtësisht mund të vendosen edhe në ndonjë mjedis tjetër, me një prejardhje krejt tjetër etno-kulturore. Elementi komik është një aleat i mirë i antitraumës dhe, për rrjedhojë, në situata më konfliktuoze të imponohet nevoja për të qeshur , që ishte edhe prezent gati gjatë gjithë shfaqjes së filmit. Atëherë kur punët shkonin keq, vinte një moment komik që e bënte situatën të ventilohej nga tendosja psikologjike e protagonistëve, sidomos të grave, të cilat kishin zgjedhur hoxhën si aleat për t”iu ndihmuar në rikthimin e burrave, pasi që këtyre të fundit iu kishte ikur truri pas atyre grave të përdala.

Aventurat erotike në një ambient rural përfundojnë pasi bëhen bashkë përpjekjet e grave të fshatit dhe hoxhës për të shporrur “virusat” e ndotjes morale e fizike, kurse gradacioni kompozicional i fabulës filmike ndërtohet mbi një parabolë tematike që nxjerr të fituar,

megjithatë, idenë e ruajtjes së pastërtisë morale nga prirjet dehumanizuese të një shoqërie të konsumit, seksit e drogës.

KASTA E AKTORËVE

Kasta e aktorëve të angazhuar në këtë projekt të kinematografik ka për bazë përzgjedhjen që korrespondon me karakteret e personazheve, kurse heterogjeniteti hapësinor prejardhjes së i aktorëve e bënë këtë projekt edhe më domethënës në pikëpamje të seriozitetit artistik e menaxhues të vetë regjisorit, por edhe të producentëve (Osman Ahmeti, Mumin Jashari, Sasho Pavlovski) si dhe institucioneve që kanë mbështetur filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.

Profili i secilit prej aktorëve (, Ndriçim Xhepa, Osman Ahmeti, Luan Jaha, Muzbajdin Qamili, Adem Karaga,Vjollca Bekteshi, Salaetin Bilall, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Teuta Jegeni, Musa Isufi, Drita Karaga, Adriana Matoshi etj. ) imponoi kureshtjen e publikut, kurse formësimi plastik i karaktereve që ata zhvilluan gjatë aktrimit jep të kuptojmë se kinematografia shqiptare tash më i ka yjet e veta dhe si të tillë ata mund të ndriçojnë pa kurrfarë kompleksi në çdo festival të botës.

Ky projekt kinematografik, përpos vlerave artistike që u shquan në skenar, regji dhe aktrim, do të mbahet mend edhe për nxitjen që ua ka dhënë disa fëmijëve dhe të rinjve, të cilët me talentin dhe përkushtimin e dëshmuar mund të jenë nesër aktorë të formatit të madh, sikundër u dalluan Etnik Ratkoceri në rolin Hekuranit, Muhamed Qamili në rolin e Ermirit dhe Lis Jashari në rolin e Liridonit. / KultPlus.com

Filmi “Kufiri Ballkanik” i propagandës serbo-ruse kundër Kosovës: Britanikët bëjnë thirrje të mos shfaqet në Britani të Madhe

Se shtetit serb po mundohet që me të gjitha forcat të ndryshojë opinionin botëror rreth të vërtetës së Kosovës, tregon edhe një film i realizuar kohët e fundit që bën propagandë kundër historisë së Kosovës.

Në fakt, e përditshmja britanike “The Times” dhe një pjesë e opinionit britanik kanë kritikuar ashpër filmin “Kufiri Ballkanik”, duke deklaruar se përshkrimi i historisë së re të gadishullit minon paqen rajonale.

Filmi, i cili kohët e fundit u shfaq në Rusi dhe Serbi, flet për hyrjen pa leje të forcave ruse në aeroportin e Prishtinës gjatë vitit 1999, e cila gjë ndodhi menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

“The Times” ka bërë thirrje për censurimin apo mos shfaqjen e filmit në kinematë britanike pasi që po cilësohet si një propagandë e “regjimit të Putinit në fushatën që justifikon aktet drastike të dhunës ndaj popujve që nuk kanë mbrojtje”.

Gjithashtu gazeta shkruan se ka “ardhur koha që t’i jepet fund kësaj fushate”, pasi që, sipas saj, “kur gënjeshtra mundohet të mbulojë të vërtetën, atëherë është në rrezik jeta dhe liria e fjalës”.

Më tutje theksohet se  filmi është ndër më të shikuarit në kinematë ruse dhe në disa shtet amerikano-latine, ku ka ndikim të madh Rusia.

Mbetet të shihet nëse do të censurohet apo nuk do të lejohet të shfaqet në kinematë e Britanisë së Madhe. Ndryshe, në rolet e shqiptarëve janë paraqitur disa aktor serb dhe të shtetit të Rusisë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Nuk pranohet në Universitetin e Prishtinës, pranohet në Universitetin e Gjenevës

Edhe me nota të mira dhe përvojën e duhur, Islam Borinca nuk është pranuar në Universitetin e Prishtinës, derisa për fat të mirë është pranuar në atë të Gjenevës

Islam Borinca gjatë studimeve ishte studenti më i mirë në gjeneratën e tij 2013/2014, ai studioi Psikologji shkollore dhe këshillim, studimet i përfundoi me mesataren 9.9, vlen të ceket se përveç se temën e diplomës e punoi me një mentor nga Universiteti i Prishtinës.

Ai gjithashtu për herë të parë bashkëpunoi edhe me një bashkëmentor nga Universiteti i Gjenevës, Itali (diçka e pazakontë në Kosovë për nivelin master).

Mirëpo, mundi i tij nuk u vlerësua nga profesorët e Departamentit të Psikologjisë, shkruan albinfo.ch.

Pavarësisht këtyre pengesave ai vazhdoi rrugën e dijes, në vitin 2016 ai fitoi Bursën e Ekselencës për të filluar studimet doktorale cila do të zgjaste tre vite, njëherësh kjo bursë i jepet vetëm një aplikanti në gjithë Ballkanin. Në vitin 2017 pas fitimit të Bursës së Ekselencës faqja e Universitetit të Prishtinës e shpalli si një ndër studentët më mendje ndritur të këtij Universiteti duke theksuar se ishin tejet krenar për suksesin e tij.

Në kuadër të doktoraturës së tij, ai morri pjesë në shumë Konferenca shkencore si në SHBA, Belgjikë, Francë ndërsa në Universitetin Cyrihut ishte i ftuar special për ta mbajtur një ligjëratë.

Ndërsa tani ai do merr pjesë në një ndër Konferencat më të mëdha të kontaktit-ndërgrupor në Newcastle të Australisë dhe njëkohësisht është Psikologu i parë shqiptar që merr pjesë në një konferencë të tillë, gjithashtu gjatë studimeve doktorale të tij, ai realizoi shumë hulumtime si dhe ka shumë publikime në journale shkencore, gjithashtu ai tani është pjesë në një ndër projektet më të mëdha në Evropë në kuadër të “Qendrës Nacionale për Kompetenca në Hulumtim” si dhe në “Serinë e Migrimeve dhe Lëvizshmërisë”, të cilat ai i bëri publike edhe në rrjetet sociale.

Gjatë doktoraturës së tij në Zvicër, ai deshi të jap kontributin në vendin e tij dhe kishte aplikuar dy herë në Universitetin e Prishtinës si asistent, por aplikimi i tij ishte refuzuar pavarësisht faktit që i plotësonte të gjitha kushtet dhe ishte i njohur nga të gjithë.

Në vitin 2019 ku ai është akoma student i doktoraturës i jepet mundësia të punoj si asistent i Psikologjisë Sociale në Universitetin e Gjenevës.

Si ndodhi rasti

Islam Borinca në një intervistë për albinfo.ch, ka treguar se si ka ndodhi rasti. “E kam fituar bursën e ekselencenës për Kosovë dhe Ballkan dhe në shtator të vitit 2016 nisa studimet doktorale në Zvicër. Pastaj gjatë studimeve ishin dy konkurse dhe mendova te angazhohem dhe të jepi kontributin në Kosovë, mirëpo nuk më përzgjodhën. Edhe pse i kisha të gjitha në aspektin e mesatares dhe përvojës. Gjithashtu jam shpallur si një studentët më të dalluar nga faqja e rektoratit të UP-së në Facebook. Por tani jam pranuar si asistent në Universitetin e Gjenevës, pra përveç studimeve doktorale jam i angazhuar edhe si asistent dhe i përfshirë në disa projekte”, ka thënë Borinca për albinfo.ch.

Ai është injoruar totalisht nga Universiteti i Prishtinës. “Unë nuk figuroja fare në listë. As të pranuarve dhe as të refuzuarve. Kam tentuar të bisedoj, madje e kam kontaktuar me email dekanatin e filozofikut, por s’kanë pasur përgjigje në këtë aspekt. Kam qenë i injoruar. Dekani është treguar i sjellshëm, por nuk ka mundur ta shpjegoj rastin ose të bëj diçka në këtë aspekt”, shtoi tutje Islam Borinca.

Atij i vjen shumë keq për realitetin në Kosovë. “Për momentin, jam shumë i lumtur, pasi që jam në vitin e tretë të studimeve doktorale, punoj nën supervizion e profesorit Falomir Pichastor, dhe se fundi jam pjesë e projektit në lidhje me imigracionin me profesorin Pichastor dhe profesoreshën Eva Green nga Universiteti i Luzanës, por më vjen keq për realitetin tonë në Kosovë dhe për mënyrën si më kanë trajtuar”, përfundoi ai për albinfo.ch. / KultPlus.com

Këngëtarja shqiptare po sjell këngë me Snoop Dog (VIDEO)


Mund të ju duket e pabesueshme por këngëtarja shqiptare do të vijë në një bashkëpunim me reperin e njohur amerikan Snoop Dog.

Bëhet fjalë për Eleni Foureira, për të cilën mediat greke kanë bërë me dije se këta dy artist së shpejti sjellin këngën e re me titull “Sirens”.

“Sirens” është një romake i këngës legjendare të Eurythmics Sweet Dreams (Are Made of This”.;

Ky projekt do të publikohet të premten por para se të dalë i plotë mund të shihni një pjesë të shkurtër të shkëputur nga xhirimet e klipit./Prive.al / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bvyi49-Ikkc/

Egzon Feka me çmim nderi për shndërrimin e fabrikës së vjetër në “çerdhen më të madhe në botë”

Kjo nuk është hera e parë që Egzon Feka nga Vushtrria, sjell në shtëpi një çmim të rëndësishëm nga fusha e arkitekturës.

Si një i ri i talentuar e me mjaft motiv për të punuar drejt një të ardhme të ndritur në një industri që kërkon shumë përkushtim, ai këtë herë u shpërblye me çmimin “Gold Mention”apo “Çmim nderi i artë” nga një juri tejet profesioniste në të cilën bënin pjesë UNStudio, Stefano Boeri Architetti, Bolles + Willson, Mario Cucinella, SAKO Architects e shumë të tjerë, shkruan Ndërtimi.info.

Shoqata YAC e cila ka për qëllim promovimin e konkurseve arkitekturore, kishte promovuar garën e quajtur “Kid’s Factory”, të cilën e kishte hasur Egzon Feka. E duke pasur parasysh nivelin e jurisë, ai vendosi që të hapë dokumentacionin e garës për të analizuar më tej kërkesat dhe qëllimin e saj. 

E kërkesat për pjesëmarrje ishin nga një fushë të cilën Feka e njihte shumë mirë, e e cila ishte “Adaptive Reuse”, që në shqip ka kuptimin e “Ripërdorimit Adaptiv”. Gara kishte për qëllim grumbullimin e ideve për të jetësuar një objekt të braktisur të një fabrike duke e shndërruar në çerdhen më të madhe në botë, gjë për të cilën ishin paraqitur shumë investitorë.

Ekipi JUNO i projektit “7 Journey” pas pranimit të “Gold Mention” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Milano, Itali.

Për Ndërtimi.info, ai ka treguar për projektin për të cilin ishte angazhuar një ekip katër antarësh përfshirë Enes Sever, Ipek Akin dhe Merve Kavas, që të katër student në Politecnico di Milano.

“Projekti jonë ‘7 Journey’ është një projekt shumë racional në raport me objektin ekzistues. Koncepti i projektit buron nga transformimi i shtatë elementeve të cilat i gjejmë në vizatimet e çdo fëmiu, në elemente arkitektonike. Ato janë: Dielli, Ylberi, Lulet, Malet, Shtëpia, Lumturia dhe Shoqëria. Të gjitha këto jemi munduar që t’i shohim si elemente arkitektonike dhe t’i integrojmë ato në objektin ekzistues, në mënyrë që të kontribuojmë në raportin e fëmijëve me natyrën, pasi që në botën teknologjike ky raport çdo ditë e më shumë po zbehet”, tregon Feka. 

Ndër 1255 ekipe nga 90 vende të botës, ekipi i tyre ia doli të nderohet me çmimin “Gold Mention”. Vitin e kaluar Egzon Feka së bashku me dy bashkëpunuesit e tij Ryo Kawamoto dhe Hanif Adi Ramadhan u shpërblyen me çmim nderi me projektin e rimodelimit te muzeut ekzistues Frank Lloyd Wright në garën “Gugenheim Museum Competition” e cila u mbajt në New York.

Fshati magjik në Kinë që humbi betejën nga natyra

Problem tjetër paraqiste vendndodhja e lartë dhe kështu fshatarët filluan të largohen, e në vitin 2002 ky fshat edhe zyrtarisht mbeti pa as edhe një banorë. Atë sot e ka pushtuar natyra. Shtëpitë janë të mbuluara me gjelbërim dhe ndoshta edhe për këtë ka marrë emrin e fshatit më të gjelbër në botë.

Por, kur në vitin 2015 u “rizbulua”, brenda pak muajve rifitoi epitetin e destinacionit të preferuar për turistë nga e mbarë bota. Megjithatë, autoritetet brengoseshin se si do t’ia dalin me numrin e madh të turistëve që do ta “pushtojnë” ishullin.

Shtëpitë janë të ndërtuara nga majat e kodrave e deri në det. Disave u mungojnë muret e ndoshta edhe kulmet, kurse vegjetacioni i ka pushtuar edhe nga brenda. Në këto shtëpi kanë mbetur mobiliet dhe gjësendet e tjera të paprekura, dhe duket sikur magjistari i ka zhdukur njerëzit dhe i ka zëvendësuar me gjelbërim, dhe kështu bari rritet edhe nëpër shtretër dhe dollapë.

“Në fshatrat tjera fqinje ka ende banorë. Vetëm Houtouwan ka mbetur pothuajse i boshatisur dhe i është dorëzuar natyrës”, ka deklaruar fotografi Jian që ka pasur rastin ta vizitojë këtë vend magjik.

Kurse turistët që ia mësyjnë këtij vendi, rrugëtimin deri në këtë fshat mund ta konsiderojnë si ushtrime të përkryera, kurse në afërsi mund të blejnë vetëm shishe me ujë e tashmë disa persona janë rikthyer që të punojnë si ciceronë. E për të mbetur ata pak njerëz gjallë, vizitorët duhet të paguajnë një shumë të caktuar të parave si “biletë” për t’u futur në fshat.REKLAMA

Fotografi nga koha kur ndërtohej lagjja “Ulpiana”

Ka shumë vite prej kur shumë banorë jetojnë, kanë jetuar më pas janë larguar, shumë studentë kanë kaluar vitet e studimeve duke banuar në lagjen “Ulpiana”.

Ajo është projektuar nga arkitekti i parë shqiptar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, i ndjeri profesor Bashkim Fehmiu.

Një fotografi është publikuar nga platforma “Oral History Kosovo”, ku shihet se si ndërtohej ai kompleks banesor. Nëse dikush njeh dikë në këtë fotografi, ose njeh dikë që ka punuar aty, ju lutem të lajmërohet në këtë faqe.

Zvicerani 79-vjeçar, artist i grafiteve gjobitet nga gjykata gjermane

Harald Naegeli, i njohur si “Spërkatësi i Cyrihut”, është gjobitur nga gjykata gjermane për dëmtim të pronës në Dyseldorf.

Ai kishte vizatuar flamingo nëpër ndërtesa, përfshirë këtu Akademinë e Shkencave, Humanistikës dhe Arteve, shkruan swissinfo.ch, përcjell në shqip albinfo.ch.

Naegeli, 79-vjeçar, u urdhërua të paguante 800 euro për të kompensuar pronarët e dritareve si dhe 500 euro për bujtinën e fëmijëve.

“Dua të jap vepra arti, e jo para, por në kapitalizëm njihen vetëm paratë”, tha ai pas vendimit.

Naegeli në fillim kishte refuzuar akuzat. Rasti kishte shkuar në gjykatë, pasi ai nuk kishte pranuar ta paguante një gjobë prej 600 eurosh.

Por kjo nuk është hera e parë që Naegeli pati probleme me ligjin.

Në vitin 1979 ai ishte arrestuar nën akuzat për prishje të pronës publike në Zvicër. Në fillim ai iku në Gjermani, por më pas u kthye, ku u dorëzua dhe kreu dënimin prej nëntë muajsh burgim.

Mbi 200 nxënës largohen nga shkollat në Prizren

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Skender Susuri, pranon se ka nxënës braktisës, megjithatë në krahasim me vitet e tjera, sipas tij ky numër është dukshëm më i ultë

Të renditur, po përshëndesnin shokët e klasës të cilët po largoheshin nga shkolla e tyre, për ta vazhduar atë në një shtet tjetër.

Kjo pamje u xhirua muaj më parë, në fshatin Piranë të Prizrenit.

Megjithatë, nga drejtoria e arsimit në këtë komunë thonë se numri i nxënësve të cilët braktisin e nuk vijojnë mësimin në Prizren s’është edhe aq i lartë.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Skender Susuri, pranon se ka nxënës braktisës, megjithatë në krahasim me vitet e tjera, sipas tij ky numër është dukshëm më i ultë.

Susuri tregon sa nxënës kanë lëvizur për në vende të tjera.

Por në përgjithësi numri i nxënësve është ulur në komunën e Prizrenit.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë treguan se numri i nxënësve në nivel Kosove, që kanë braktisur shkollën në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2018/2019, te të gjitha klasat, është gjithsej 996.

E në të dhënat që MASHT’i posedon, është pikërisht Prizreni një ndër komunat me braktisje më të madhe.

Pozita gjeografike e shkollave, rreziqet gjatë udhëtimit, migrimi, mungesa e kujdesit adekuat prindëror e varfëria, janë disa nga faktorët, që nga Ministria përmendin si arsye për braktisje të shkollave. /

Historia e një shqiptari në CIA vjen përmes librit të parë të Bashmir Xhemaj

Në praninë e shumë adhuruesve të librit, sot në librarinë “Dukagjin” u promovua libri “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i shkruar nga Bashmir Xhemaj. Autori në këtë libër zbardhë jetën e një njeriu të zakonshëm por që jetoi historinë më të jashtëzakonshme të shqiptarëve në shekullin XX, shkruan KultPlus.


Kritiku i artit dhe publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili ishte edhe redaktor i këtij libri, tha se për ta ka qenë surprizë ky libër sepse ai s’ka pasur nevojë fare që të redaktohet.
“Për ne ka qenë surprizë se ky libër ka qenë i gatshëm dhe s’ka pasur nevojë që të redaktohet dhe se ky libër mund të jetë një kthesë për historinë tonë dhe që flet për një shqiptar i cili ishte agjent i CIA-s në kohën e komunizmit në Shqipëri” tha Maliqi.


E gazetari dhe profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, tha se ekziston një shprehje e famshme e cila thotë “më së miri është të shkruani një libër të atillë që dëshironi ta lexoni vetë” dhe se njëjtë ka vepruar Bashmiri që ka zgjedhur një personazh përmes së cilit rrëfen një varg të gjatë historish.


Po ashtu edhe studiuesi dhe historiani Bejtullah Destani tha që është i gëzuar që Bashmiri ka dhënë një libër të mrekullueshëm i cili mund të jetë një doktoraturë në Universitetet e Kosovës e jashtë saj.


E për fund parë të pranishmëve foli edhe vet autori i librit, Bashmir Xhemaj, i cili tregoi arsyet se përse kishte filluar të shkruante këtë libër, e ndër arsyet kryesore ishin që ai dëshironte të përçonte mesazhin tek të tjerët që të shkruajnë për historinë shqiptare dhe se ky personazh ishte një familjar i largët i tij ndërsa tha se me promovimin e këtij libri ai e ka përmbushur amanetin e babait të tij.


“Ky libër sjell diçka të re për historiografinë shqiptare, duke hulumtuar në arkivat shqiptare, italiane e greke, atëherë ky libër sjell argumente e dëshmi të tjera se nuk është vetëm Filbi, shkaktar i dështimit të operacionit, ka një sërë arsyesh të tjera. Amerikanët nuk kishin pranuar të hynin vetëm në Shqipëri madje edhe aeroplanët që i nisen mbi Shqipëri i përzgjodhën pilotët polak në mënyr që ata te pilotojnë. Shqiptarët nuk ishin të përgatitur për këto kushte dhe madje mbi të gjitha u nënvlersua regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri, ai pas luftës së dytë botërore kishte arritur të nderonte një sistem shumë të fortë dhe sigurimi i shtetit i kapte të gjalle pa rënë në tokë shumë agjentë shqiptarë me parashuta”, tha Xhemaj.

Ngjarjet në këtë libër zhvillohen nga krypersonazhi Destan Berisha, i cili pa ndonjë ditë shkollë luftoi përreth Prizrenit kundër italianëve dhe gjermanëve në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai largohet nga Kosova duke u strehuar në Greqi ku bën një jetë të rëndë në kampet e refugjatëve.


Në vitin 1948, ai merr kontakt me amerikanët të cilët kishin filluar përgatitjet së bashku me britanikët për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri përmes dërgimit nga deti dhe me ajri të agjenteve shqiptarë. Gjatë katër viteve sa zgjati operacioni i CIA-s në Shqipëri, Destan Berisha hyri e doli disa herë por la mbrapa të vrarë shumë shokë të tij, kështu jeta e tij merr drejtim të panjohur dhe Destani për një moment shkëput bashkëpunimin me CIA-n.

Në këtë biografi, jeta e Destanit nuk përfundon me kaq. Aty ka edhe histori dashurie me një vajzë më të vogël në moshë se ai, epilogu i të cilës përfundon me dhimbje. E ardhmja nuk rezervon diçka të mirë për Destanin, i cili dekada më vonë, në një udhëtim të çuditshëm, arrestohet dhe burgoset në Jugosllavi duke u akuzuar si spiun i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rast, nga zbulueset e dokumenteve të CIA-s, rezulton një prej “ngjarjeve më të mëdha sekrete mes Jugosllavisë dhe Amerikës”.
Bashmir Xhemaj është një figurë aktive në jetën publike në Kosovë. Gazetar për shumë vjet në televizion, ku ka mbuluar kryesisht politikën. Xhemaj ka studiuar komunikimin politik në Universitetin e Sheffield-it, dega në Selanik. Që nga viti 2014 punon si këshilltar për Qeverinë e Kosovës, fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky është libri i parë i tij./ G.Mujaj/ KultPlus.com

MKRS-ja kërkon nga balerini Kajtazi të kthejë mjetet me të cilat u pagua për “O.Takan”

Balerini Sinan Kajtazi, i cili aktualisht është ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, duhet t’i kthejë mjetet me të cilat është paguar për realizimin e shfaqjes “O.Taka”.

Ky projekt përfundoi në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, për shkak se Kajtazi, sa ishte pjesë e Këshillit drejtues të Baletit Kombëtar, qe i pranishëm kur u votua projekti i tij, transmeton emisioni Express në KTV.

Por, sipas vendimit të Ministrisë, arsyeja pse ai duhet t’i kthejë paratë është shfuqizimi i një rregulloreje.

“Ju duhet t’i ktheni mjetet të cilat i keni pranuar për shfaqjen “Otaka”, sepse sipas rregullores nga e cila ju jeni paguar, e njëjta është shfuqizuar me Rregulloren e Qeverisë nr. 15/2018. Ju lusim që brenda një afati të shkurtër t’i ktheni mjetet në mënyrë që ne, si Ministri, të jemi në respektim të plotë të akteve ligjore”, thuhet në kërkesën e Departamentit të Kulturës që i është adresuar Kajtazit.

Kajtazi, për koreografinë e shfaqjes “O.Taka”, është paguar 1 mijë e 505 euro, derisa në total, realizimi i kësaj shfaqjeje ka kushtuar 4 mijë euro.

Balerini, i cili që nga muaji shkurt i këtij viti është duke menaxhuar Baletin Kombëtar të Kosovës, duke mos dashur ta komentojë kërkesën e Zyrës Ligjore, thotë se Ministria e Kulturës do të duhej ta rishqyrtonte dokumentacionin në të cilin pasqyrohet financimi i shfaqjes “O.Taka”.

Samir Hoxha, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, thotë se, bazuar në opinionin e Departamentit Ligjor të Ministrisë, Kajtazi duhet t’i kthejë paratë, për arsye se rregullorja me të cilën është bërë pagesa në llogarinë e tij, është shfuqizuar me rregulloren e qeverisë Haradinaj për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës.

Ministria e Kulturës, ditë më parë, e kishte dërguar projektin e shfaqjes “O.Taka” në Komisionin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Vendimi që shfaqja koreografike “O.Taka” të jetë pjesë repertorit të rregullt të Baletit Kombëtar, ishte aprovuar në fund të vitit 2017.

“O.Taka” vazhdon të jetë pjesë e repertorit.

Ke harruar

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Ke harruar
çka është lumi
çka është lulja
dielli dhe qielli
ke harruar
çka është fjala
çka është dora e shtrirë dhe 
çka është shkëlqimi i syrit
i ke harruat buzët
çka janë buzët
për buzët

“VITET QË NUK E SOLLËN PRANVERËN”, De Rada, Ferizaj, 2018

“Edhe 4 vite të tjera”, fotoja më e pëlqyer në Facebook

 Edhe pse është postuar përpara disa vitesh në 2012, asnjë foto tjetër nuk ka marrë më shumë Like dhe Share sesa ajo që tregon një moment përqafimi mes Barak Obamës dhe bashkëshortes së tij, Michelle.

Stafi i fushatës së ish-presidentit amerikan e hodhi foton në rrjetet sociale në momentin e shpalljes së fitores së tij në garën për mandatin e dytë presidencial.

Fotoja e shoqëruar me mesazhin ”edhe katër vite të tjera”, u kthye në më populloren e të gjitha kohërave. Brenda një nate të vetme, ajo kishte mbledhur mbi 3,2 milionë ”Like” dhe është shpërndarë 400.000 herë. /a.a/j.p/

Folk grupi nga SHBA-ja ndalet për performancë në Prizren

Interpretuesit amerikanë të folk muzikës, “Kyle Dillingham & Horseshoe Road” janë duke vizituar Kosovën në kuadër të një programi të mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë në partneritet me Zërat e Amerikës – Muzika Amerikane Jashtë Vendit.

Nga 3 deri më 8 prill ky grup nga Oklahoma do të mbajë koncerte publike dhe punëtori për nxënës në tërë Kosovën, njofton Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Aktivitetet e tyre përfshijnë edhe një koncert të caktuar për të enjten, me 4 prill, prej orës 13:30 deri në 14:30, në qendër të Prizrenit, në “Sheshin e Lidhjes”.

Koncerti do të jetë i hapur për publikun.