‘Të lumtur përgjithmonë janë vetëm budallenjtë’

Slavoj Zizek

“Lumturia asnjëherë nuk ka qenë e rëndësishme. Problemi është se ne nuk e dijmë çka në të vërtetë duam. Ajo që na bënë të lumtur nuk është arritja e asaj që e dëshirojmë, por ëndërrimi i asaj që e dëshirojmë.


Lumturia është për oportunista. Prandaj unë mendoj se e vetmja jetë e përmbushjes së thellë është jeta e betejës së vazhdueshme, në veçanti beteja me veten.

Nëse dëshiron të qëndrosh i lumtur, thjeshtë qëndro budalla. Mjeshtërit e vërtetë nuk janë kurrë të lumtur; Lumturia është kategori e skllevërve.”

‘Është një gjë shumë e bukur kur artistët ndihmojnë artistët e tjerë’

Prizreni edhe këtë herë do të jetë mikëpritës për shumë artistë, vendorë e të huaj. Këtë vit po mbahet edicioni i dytë i Autostrada Biennale me moton ‘Revolucioni jemi ne’, shkruan KultPlus.

Festivali ku si pikë kryesore të tij ka ekspozitat, do të jetë i hapur për publikun deri më 21 shtator. Sot, në ditën e parë të hapjes së këtij edicioni, kishte shumë të pranishëm. Përveç artistëve të cilët janë edhe pjesë e këtij festivali ka pasur edhe shumë të tjerë të interesuar për veprat e artit që zënë vend në Prizren në kuadër të këtij festivali.

E pranishme ishte edhe ministrja e kulturës së Shqipërisë, Elvi Margariti, e cila për KultPlus deklaori se: “ Është hera e parë që jam e pranishme në këtë festival dhe po ndjej shumë energji pozitive. Është një gjë shumë e bukur kur artistët ndihmojnë artistët e tjerë. Është si një komunitet që lidh artistët shqiptarë, kroat,serb e artistët nga Shqipëria përmes artit, domethënë nuk ka asnjë lloj kufizimi territorial apo kulturor”.

Ekspozita e parë që u vizitua nga pjesëmarrësit ishte ajo në stacionin e autobusave në Prizren, për të vazhduar më pas deri te muzeu arkeologjik, gjimnazi Gjon Buzuku, te ish-burgu e pastaj për fund edhe në kalanë e qytetit. Veprat e artit të cilat u prezantuan ishin piktura, fotografi, video etj. / KultPlus.com

Të bredhësh çdo cep të botës pa asnjë lek në xhep

Johnny Ward kaloi 10 vjet duke udhëtuar nëpër botë, duke vizituar të 197 shtetet në planet duke arritur në fund të udhëtimit të tij të bënte 1 milion dollarë.

Megjithëse Ward, 33-vjeçar, e filloi me një buxhet të vogël, ai arriti të kthehej në një milioner gjatë rrugës, duke dëshmuar se të udhëtosh dhe të bësh para nuk duhet të jenë reciprokisht ekskluzive. Dhe, sipas tij, çdokush mund të arrijë rezultate të ngjashme.

Kur ai u nis për misionin e tij të ‘rrumbullakët’, Ward nuk kishte para edhe për një biletë avioni. Kështu që ai nënshkroi fillimisht për të bërë kërkime mjekësore në një spital në Irlandë. Mjekët kaluan pesë javë duke realizuar teste ilaçesh mbi të duke bërë kështu që ai të fitonte mjaftueshëm para për të udhëtuar më pas në Tailandë dhe për të dhënë atje mësime të gjuhës angleze.

Prej aty, Ward filloi të blogonte dhe të ndërtonte faqen e tij të web-it kur njerëzit mund ta ndiqnin hap pas hapi në rrugëtimin e tij të cilin ai e dëshmonte me fotografi dhe video përgjatë tërë kohës. Ai e zgjeroi blogun e tij në një markë mediash me 100 faqesh interneti të ndryshme. Kjo bëri që të fitonte akoma dhe më shumë para nga të ardhurat e reklamave që realizoheshin në të gjitha faqet e tija online.

“Duhet të isha mjaft i zellshëm që të merrja laptopin tim dhe të punoja mbrëmjeve kur isha në Mongoli, Kazakistan apo Etiopi”, tha Ward për The Telegraph. “Këto ishin kohët e vështira, duke vënë punën në vijë ndërsa isha duke udhëtuar në mënyrë aktive, dhe mos ditur nëse do të kjo do të paguante apo jo”.

Vendi i 197 që përmbylli rrugëtimin e tij në tërë globin ishte pikërisht Norvegjia. Ai e festoi arritjen me shampanjë dhe me të dashurit e tij në Rrethin Arktik. “Nëse me të vërtetë dëshironi thellë diçka, ju mund ta realizoni atë”, shkruante Ward në Instagram kur arriti në Norvegji. “Kur e vizualizoni rrugën tuaj dhe çdo zgjedhje apo përpjekje juaja ju çon drejt synimit tuaj përfundimtar, atëherë asgjë nuk mund t’ju ndalojë“. (Fortune, scan)

Histori interesante: Kush i mallkoi ‘Bjeshkët e Nemuna’

Bjeshkët e Nemuna, apo Alpet Shqiptare janë bukuria natyrore më e dëshiruara nga turistët, jo vetëm për shqiptarë por edhe nga të huajt, por jashtë madhështisë së tyre, ekziston një legjendë e trishtitë e një nëne me dy fëmijë e saj, shkruan Gazeta Metro.

Bjeshkët e Nemuna sjellin histori të papërfunduar nga askush, e kësaj nëne  me fëmijët, të cilës turqit ia vranë burrin.

Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë), mori rrugën drejt Bjeshkëve sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin.

E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja me dy fëmijët tashmë jetim, kthente vështimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.

E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin, sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç, por ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja akoma më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutëm ni pikë uj”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund një pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë kurse i madhi nuk nxirrte zë, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepte zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte askund dhe u ngjitën në Malit të Thatë.

Kopetë e deleve dhe barinjtë, ishin zhdukur si t’i kishte përpirë toka a ngrënë ujku dhe asnjë këmbanë nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, siç quheshin dikur. S’kishte asnjë njeri të gjallë mbi faqen e dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat iu shteruan e nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, prandaj nisën të përpëliten dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit

Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si fëmijët po i shuheshin para syve. Por, para se fëmijët t’i kapte agonia, para se të ndodhte gjëma, ajo mall.koi në kulm të zemërimit: ” Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqët që përpëliteshin në agoni. Dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkëve.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Bjeshkët e Namuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra.

Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia, kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërxha që shkëlqejnë në diell.

Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot, zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Sipas kësaj legjende, kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, duke ngjitur Bjeshkët,dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht.

Ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar!” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, do me thënë “të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet. Alpet Shqiptare, të quajtuar Bjeshkët e Nemuna, janë vazhdimësi e Maleve Dinarit që  shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në jug-lindje të Malit të Zi.

Princesha që vriste të gjithë që e pyesnin: Kur do të martohesh?

Në Rusinë e lashtë, Princi Igor dhe Princesha Oga, ishin një shembull i një çifti të fuqishëm – Igori i quajtur “I mençuri” ishte djali i Ryuk, themeluesi i Rusisë, dhe Olga ishte e njohur në të gjithë mbretërinë si “E bukura Olga”. Ai nënshtroi fiset e Uglich, Drevlian dhe Pechen. Udhëhoqi dy fushata kundër Bizantit në 941 dhe 944, dhe rrethoi Kostandinopojën.

Lufta e pasuksesshme me Bizantin përfundoi me një marrëveshje tregtare të vitit 944. Procesi i feudalizmit u përshpejtua në kohën e tij në Kijevin e Rusisë, por pati edhe revolta të vazhdueshme për shkak të taksave të larta Rebelimi u udhëhoq nga fisi Drevlian. Në ballafaqim me ta, Igori u kap dhe u vra në vitin 945. Olga u shkatërrua. Trishtimi i saj ishte aq i madh saqë sa herë që dikush i propozonte të martohej përsëri, përfundonte i vdekur, transmeton Reporteri.net

Ajo nuk ishte e vetme, me Igorin kishte një djalë trevjeçar, Svjatoslav.

Ndërsa gjaku i Igorit ishte ende i freskët në duart e tyre, Drevlianët i dërguan një mesazh Olgës në të cilin shkruanin se Igori ishte si një ujk që shkatërronte gjithçka para tij, por se ajo konsiderohej e mirë dhe se më së miri do të ishte të martohej me princin e tyre Mala. Kështu ata u përpoqën të luanin rolin e Cupidit me qëllim të fitimit të kontrollit mbi të gjithë mbretërinë. Olga, megjithatë, kishte plane të tjera me njerëzit që i sugjeronin martesë.

Ajo u tha atyre se oferta martesore ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe për të treguar respekt për popullin e Kievit ajo u tha atyre të hipnin të gjithë në një anije  për t’i parë dhe për t’i përshëndetur. Kur erdhi deri te kjo, njerëzit e saj e fundosën anijen në një hendek dhe i varrosën të gjallë.

Por ky nuk ishte fundi. Hakmarrja e Olgës sapo kishte filluar. Pas kësaj, ajo e dërgoi mesazh te Drevlianët duke shkruar: “Nëse dëshironi me të vërtetë praninë time, më dërgoni njerëzit tuaj më të fuqishëm në përcjellje në mënyrë që tek princi juaj të vijë në mënyrë të përshtatshme”. Pasi morën mesazhin e saj, Drevlianët bënë atë që ajo kërkoi.

Kur burrat arritën në Kiev, Olga i përshëndeti me një buzëqeshje në fytyrën e tyre dhe u një relaksim në banjat termale (siç ishte zakon në atë kohë). Ata pranuan ofertën e saj dhe kur hynë, ajo urdhëroi që dera të mbyllet dhe i gjithë objekti të digjej. Ajo u shkroi sërish Drevlianëve, duke kërkuar prej tyre një sasi të madhe të mjaltit, por gjithashtu edhe të përgatitnin për burrin e saj një varrim të madh për të kërkuar falje për vdekjen e tij. Natyrisht Drevlianët e dëgjuan përsëri, dhe Olga u soll normalisht dhe ngrohtësisht në funeral.

Në festën pas varrimit, ajo priti që të gjithë të dehen dhe pastaj shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe në një moment  urdhëroi të gjithë ushtarët e saj t’i vrisnin të papërgatitur. Në aktin e saj të fundit të revoltës kundër Drevlianëve, ajo u tha atyre se ata janë të detyruar të paguajnë një taksë në formë të zogjve. Ata e dëgjuan dhe mblodhën të gjithë zogjtë dhe ia dërguan ata Olgës.

Ajo mori dhuratën dhe më pas lidhi një copë leckë të zhytur në squfur në këmbën e çdo zogu. Posa nata ra, banorët ndezën pishtarët  e tyre për të bërë dritë. Olga e dinte se zogjtë do të fluturonin përsëri te pronarët e tyre sapo t’i linin të shkonin. Leckat në këmbët e zogjve të zhytura në sulfur dhe pishtarët e ndezur nxitën një zjarr të madh në të cilin tërë qyteti u dogj.

Restaurimi i Notre Dame, ja sa donacione janë mbledhur

Dy miliarderë që u zotuan për të ndihmuar në rindërtimin e “Notre Dame”, kanë dhuruar më në fund 18 milionë £, pasi i turpëruan publikisht.

Më i pasuri i Francës premtoi se do të dhuronte 800 milionë £, për të ndihmuar në rindërtimin e “Notre Dame”, pas zjarrit, por muajin e kaluar një përfaqësues i Fondacionit “Notre Dame”, ka thënë se askush nuk ka dhënë asnjë qindarkë, deri më tani.

Bernard Arnault, i cili është pronar i markave “Fendi” dhe “Louis Vitton”, si dhe Francois Pinault, i cili zotëron markën “Gucci”, dhuruan paratë si një ‘paradhënie’, për të ndihmuar në sigurimin e ndërtesës, në mënyrë që të fillojë puna restauruese.

Zyrtarët shprehen se shumë prej personave që dolën vullnetarë në dhurimin e parave, për të rindërtuar “Notre Dam” kanë pritur për të dëgjuar se çfarë do të përfshijë restaurimi, përpara se ata të vendosin se për cilën pjesë do të paguajnë!

Skuadrat e specializuara po punojnë ende për ta bërë ndërtesën të sigurt, sepse disa pjesë të ndërtesës janë delikate, pasi zjarri e la strukturën e tij të paqëndrueshme.

Fondacioni “Notre Dame”, i cili po menaxhon projektin në emër të shtetit, vlerëson se kjo punë do të zgjasë rreth katër muaj, deri në përfundim të punimeve.

Heroina e Punës Kapitaliste

Nga Shpetim Luku

Tek një kryqëzim në Lushnje, atje ku ndahen rrugët për në Fier e Berat, ndodhet një ndërtesë, në pamje te parë, mjaft e zakonshme. Nga ato ndërtesa që ka me qindra në Shqipëri. Por brenda saj zhvillohet një aktivitet i jashtëzakonshëm.

Ndërtesa, pa ndonjë vlerë të madhe si aset është dhënë me qera nga pronari i saj. Kurse ata që e kanë marrë me qera kanë ndërtuar në të një aktivitet me vlera shumë të mëdha për vete, për mjaft fermerë të zonës e pse jo, edhe për bujqësinë në tërësi të zonës së Myzeqesë.

Bëhet fjalë për kompaninë Elian-Export, një kompani e themeluar rreth 20 vite më parë, nga një grua e thjeshtë me origjinë nga Kucova, por e martuar dhe e vendosur prej kohësh në Lushnje, Neta Arapi. Një kompani e specializuar për eksportin e perimeve dhe frutave, kur vetëm gjatë vitit 2018 realizoi një eksport në nivelin e 5-6 milionë eurove në vende të tilla si Cekia, Kosova, Kroacia, Sllovenia, Lituania etj.

Vlera e eksportit të realizuar në një vit mund të mos jetë aq impresionuese nga ana sasiore sa të të detyrojë të reagosh uauuuu, por ama puna që bëhet për një rezultat të tillë është tejet e madhe dhe e admirueshme. Mjafton të sjellësh ndërmend që ajo vlerë eksporti është realizuar nga rreth 680 rrugë kamionash të vetë kompanisë. Mjafton të imagjinosh e përfytyrosh ciklin e kësaj pune që përfshin kontaktet dhe “kontratat” me fermerë të ndryshëm, grumbullimin prej tyre të produkteve, ambalazhimin e tyre, bërjen gati për eksport, transportin e tyre prej mijëra kilometrash në vende të ndryshme e një sërë procesesh të tjera.

Dikur, para viteve 90, egzistonte një titull nderi, ai i Heroit apo Heroinës së Punës Socialiste, i cili akordohej për rezultate të larta të arritura në fushën e ekonomisë, kulturës, revolucionit tekniko-shkencor etj.

Nuk mund të them e te shprehem nëse ky titull nderi qe aplikohej ne sistemin e dikurshem ishte i mirëadresuar e i mirëpërdorur, kur iu jepej shoferëve, traktoristëve, montatorëve, novatorëve e racionalizatorëve, të cilët punonit që atëhere për vitet aktuale.

Por ajo që mund të thuhet me siguri sot është se Neta Arapi ia ka dhënë vetës titullin e Heroinës së Punës kapitaliste.

Me backgroundin e një gruaje, që shumë vite të saj të para 90-ës i ka jetuar si punëtore, ajo tregon se cfarë mund të arrijë njeriu kur është i përkushtuar pas punës, kur punon ditë e natë, në diell e shi, kur sakrifikon për punën dhe suksesin.

Kanë kaluar 20 vite, por ajo e mban mend sikur të ketë ndodhur dje, momentin që i ndryshoi jetën, duke i dhënë qartësinë e duhur për të bërë këtë aktivitet që bën sot. Merrej me tregti të fruta perimeve në tregun e Lushnjes, kur një biznesmen malazes i kërkon ti sigurojë një kamion me shalqin. Neta e mban frymen në Divjake dhe e realizon me sukses porosinë që mori kundrejt një shpërblimi, i cili e bën të qeshë sot kur e kujton. “E pyeta biznesmenin biznesmenin malazez nëse i pëlqeu malli që i gjeta dhe ai mu përgjigj në mënyrë pohuese, duke më porositur edhe kamionë të tjerë”-tregon Neta.

“Me vjen mirë, megjithëse më ke paguar si grua, ndonëse kam punuar sa dy burra”-i ka thënë më tej ajo.

Por sot, këtyre kujtimeve Neta i kthehet e e iu referohet vetëm me humor, sepse ajo është e vetëdijshme se përfitimi ishte i madh. Aty mori rrugë biznesi i saj i eksportit të frutave e perimeve.

Aty filloi ndryshimi i saj i madh, nga një shitëse e thjeshtë në tregun me shumicë të Lushnjes, në një eksportuese e produkteve bujqësore si domate, lakër, speca, domate,shalqine, pjepra, rrush, etj nëpër tregjet europiane. Në ato momente nisi rrugë shndërrimi i Neta Arapit në një grua biznesi me përmasa e rëndësi për ekonominë e Lushnjes në vecanti.

Aty nisi specializimi i ngushtë i saj si një grua që ushtron biznes në një fushë që ajo e njeh më mirë se cdokush tjetër. Në një aktivitet me kontakte me të huaj, mosnjohja e një gjuhe mbase mund të përbëjë një dizavantash sipërfaqësor, që gjithsesi kompensohet nga femijët e saj, por Neta Arapi ka aftësinë kryesore që duhet për këtë lloj biznesi.

Ajo flet shkëlqyeshëm gjuhën e produkteve bujqësore që grumbullon e shet. Nuk i duhen më shumë se sa disa sekonda që me atësinë e saj, me përvojën që ka grumbulluar e eksperiencën që ka krijuar ajo të marrë vendim për një produkt të caktuar nëse vlen apo jo për eksport. Dhe në fund të fundit, në këtë biznes, ky është edhe celësi i suksesit. Sepse duke qenë një biznes i vështirë, reduktimi i riskut mbi bazën e një aftësie të rrallë seleksionuese është premisa dhe baza kryesore mbështetëse për sukses. Një biznes i tillë që realizohet në bashkëpunim me partnerë të huaj e ka të domosdoshme “shqisën” e dallimit të cilësisë së parë të produkteve. Sepse vetëm kështu mund të zhvillohet në mënyrë afatgjatë e me rritje nga njëri vit në tjetrin ai. Por ndërkohë, ky biznes kërkon edhe korrektesë shembullore me ata që janë furnitorët e tu. Pra fermerët e ndryshëm që dorëzojnë produktet e tyre. Neta Arapi e shpjegon me një gjuhë të thjeshtë filozofinë e kompanisë së saj. “Më shumë mërzitem, po qe se kontratorët e mi jashtë vendit ngelen të pakënaqur nga dy-tre paleta me mall, se sa të mos më nisin lekët për të gjithë sasinë e mallit”.

Kurse sa i takon detyrimeve karshi fermerëve, as që bëhet fjalë të devijojë një ditë nga marrëveshja me ta. Duke vepruar në këtë mënyrë, Neta Arapi është kthyer në një lloj magjistareje shitjesh.

Është krijuar një frymë optimiste tek fermeri lushnjar, beratas apo fierak. Ai duhet të vrasë mendjen vetëm të mbjellë e të vjelë, sepse për të shitur kanë Netën. Nëse dikush ka një prodhim cilësor për të shitur, mendja menjëherë i shkon tek Neta. Nëse Neta i bën porosi që në fillim, atëhere aq më mirë.

Dhe janë jo pak, por rreth 1500 fermerë që kanë kontakte me Netën, që asistohen nga ajo, që komunikojnë në vazhdimësi me të.

Vërtet Elian-Export ka 50 gra të punësuara, por impakti i veprimtarisë së saj është shumë herë më i gjërë. Ajo është shndërruar në një hallkë shumë të rëndësishme mes shitësit dhe blerësit të huaj. Ajo përbën një motiv shtese një arsye më shumë pse fermeri duhet të punojë e kultivojë tokën.

Pse ai duhet të prodhojë produkte cilësore. Ajo përbën një katalizator të zhvillimit të bujqësisë. Ndaj dhe ajo meritoi një grant qeveritar për ndërtimin e një magazine të re moderne, cka do ta cojë në një stad akoma më të lartë veprimtarinë e Elian-Export. Njëkohësisht, edhe kontributin e saj për ekonominë e zonës.

Suksesi i Neta Arapit, por edhe i biznesmenëve të tjerë që ushtrojnë një aktivitet të kësaj natyre certifikon gjithashtu atë që shumë të huaj pranojne: cilësinë e produkteve shqiptare.

Po me viktimat e gjyqtarëve të Vetting, si do bëhet?!

Nga Ben Andoni

Fshesa e VETTING-ut duket e pamëshirshme. Në fakt, ajo po vendos deridiku një standard të munguar të Drejtësisë shqiptare. Vetting ka fshirë disa nga personazhet që mbushnin segmentet kryesore të kinse-funksionalizimit të Drejtësisë së shtetit shqiptar, por edhe një përqindje të madhe të juristëve të gjitha niveleve. Më shumë se kaq, ajo ka trandur dhe vazhdon të tundë një sistem krejtësisht të kalbur dhe që për dëmet të cilat i ka krijuar vendi meriton çdo paralelizëm me të keqen.

Edhe pse strukturat e monitorimit dhe realizimit të VETTING u përfolën kurse konsensusi politik ndodhi vetëm në fillim, kur u përdor presioni i faktorit të huaj, Vetting-u qoftë dhe me filtrat që ka në zotërim tregoi se funksionon deridiku. Megjithë kundërshtitë e një takëmi njerëzish të drejtësisë, mbase edhe me shikimin disi të dyshimtë të një pjese tjetër, janë rrëzuar shumë njerëz. Këto qenie, që jepnin verdikte e shumë njerëzve, kanë bërë batërdi për të cilat do të skuqej çdo lloj regjimi. Për fat të keq dhe strukturat ndihëse të shtetit, që nga SHISH, DSIK dhe ILDKPI jo vetëm nuk kanë funksionuar por ato kanë mundësuar direkt me mungesën e profesionalizmit dhe informacionit, që këta njerëz të mos preken. Vetëm se nëse do të funksionojë si duhet Vetting për Drejtësinë, ai duhet të shtrihet për politikën dhe policinë por edhe në fusha të tjera për të kuptuar realisht rrënjën e të keqes në vend.

***

Po çfarë do ndodhë realisht me njerëzit në kurrizin e të cilëve janë marrë vendime, nga ku këta gjyqtarë kanë përftuar për të ndërtuar parajsat e tyre? Pse vallë Vetting nuk ka zbritur deri te prokuroria për bëmat e tyre? Cili do t’ua kthej pas atë shqetësimin që kanë pasur viktimat e vendimeve të padrejta, kur shihnin këta gjyqtarë të krekosur me njerëz të krimit?

Korrupsioni i Drejtësisë, i cili në Shqipëri është relativizuar dhe kthyer gati në një fjalë boshe, e ka cënuar shumë moralisht vendin tonë. Bisturia e Vetting me gjithë operacionet e mira sigurisht nuk mund ta heqë krejt sëmundjen. Ndërkohë që në Shqipëri mund të themi se ka ende punonjës të Drejtësisë për të cilët duhet të ishim krenarë. Por vallë a është qetësim kjo para kushedi sesa viktimave që kanë vuajtur nga vendimet e gjyqtarëve të korrupsionit? Sa mund t’i konsiderojmë vendimet që kanë marrë këta gjykatës dhe që e drejta ka qenë dukshëm e marrë nëpër këmbë, të vlerësohet si duhet…

Kjo mungon, sepse deri më sot strukturat e Drejtësisë me pak raste kanë zbritur pak më poshtë, kurse ajo që mund të kthejë disi humbjet njerëzve dhe mbi të gjitha dinjitetin e tyre është shuar krejt. Me sa duket vendi ynë ka nevojë dhe për një rishikim tjetër të fajit të këtyre personazheve të errët sa i përket gjykimeve të padrejta. E kjo do të kërkojë një ndërmarrje tjetër po kaq të madhe.

Viktimat e Drejtësisë së munguar janë të shumta në vend dhe ata po vuajnë realisht pasoja që mbase nuk do mund t’i rikuperojnë dot. Ky është shqetësimi më i madh në ditët tona…Drejtësia e re e Vetting është marrë vetëm me vlerësimin e pasurive dhe aspak me procesin sesa kanë ndikuar vendimet e këtyre njerëzve. ILDKP, institucioni më së shumti ku po mbështetet Vetting, nuk ka mundur të shkojë më tej për vite me a-profesionalizmin e tij, përveç relatimit dhe kujtesës së një pune të fjetur përgjatë viteve. Ndërkohë procesin mund ta kenë kaluar dhe shumë personazhe të cilat vërtetë kanë dalë mirë me pasuritë e deklaruara por aman nuk mund të përballin standardet më të thjeshta profesionale. Kjo të vjen ndërmend sot kur besimi i njerëzve te shteti ynë është në pikën më të ulët dhe ku drejtësia e munguar ka luajtur një rol primar. Me pak fjalë, nëse nuk ka një dënim shembullor për këta njerëz me konflikte të deklarimit të pasurive pse nuk duhet të ketë një dëmshpërblim të paktën moral për njerëzit që kanë vuajtur vendimet e njerëzve që dalim me kokë ulur nga procesi i Vetting.

Për këtë s’kemi përgjigje sepse masën e vendimeve të padrejta vërtetë e kanë ekzekutuar këta viktima të Vetting, por bashkëpunëtorët kanë qenë të fortët, politikanët dhe shumë njerëz me pushtet që kanë fërkuar duart me vendimet e tyre.

Sot, njerëzit kërkojnë që këta kokulur të VETTING duhet të përballen dhe me ankimet për vendimet e tyre por edhe ato fatkeqësi që kanë mbjellë tek viktimat e vendimmarrjeve kriminale. Ndryshe Vetting do mbetet thjesht një institucion, që merret me rakordimin e pasurisë dhe do të justifikojë punën e jashtëzakonshme të Shqipërisë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. (Homo Albanicus)/KultPlus.com

Ndahet nga jeta Cesar Pelli ideuesi i Petronas Towers

Arkitekti argjentinas me famë botërore, Cesar Pelli, i njohur sidomos si ”babai” i Petronas Towers në Kuala Lumpur dhe i World Financial Center në Nju Jork, vdiq në SHBA në moshën 92-vjeçare, njoftoi gazeta argjentinase ”La Nacion”.

Pas diplomimit, në vitin 1952 Pelli shkoi në SHBA, ku kishte fituar një bursë në Universitetin e Ilinoisit. Në 1977 formoi kompaninë ”Cesar Pelli and Associates”, që sot njihet me emrin ”Pelli Clarke Pelli Architects”.

Vepra e tij më e famshme është Petronas Towers në Kuala Lumpur në Malajzi, të larta 452 metra.

Në vitin 2012 në Itali u inaugurua Torre Unicredit, e lartë 152 metra, më e larta në vendin apenin./KultPlus.com

Historia e viteve ’80 në film, “Internimi” pritet të shfaqet së shpejti për publikun

Filmi “Internimi” i regjisorit Kast Hasa s’ka pak që pati premierën në Tiranë, ndërsa për publikun e gjerë pritet të shfaqet më vonë. Ngjarjet e filmit janë të bazuara në histori të vërteta përgjatë viteve ‘80 kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist.

Filmi është xhiruar në Divjakë, Lushnje dhe Ferras. Familja Kulla përpiqet të mbijetojë ndërsa janë të internuar nga regjimi komunist. Për (Arturin) djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij (Frida) e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari (Nik Nuri) në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje.

Në role protagoniste vijnë Klodian Hoxha, Krist Baçi dhe Enxhi Cuku.

Ngjarja është e vërtetë, si ju ka rënë në dorë skenari?

Regjisori Kast Hasa: Janë disa ngjarje që i kisha dëgjuar nga gojdhënat dhe në një periudhë të caktuar. Për dy javë kam shkuar në fshatrat ku këto kanë ndoshur dhe kam intervisatuar banorët.

Përveç regjisor edhe interpretoni në skena të konsiderueshme të filmit. Kush është prapa kameras në ato momente?

Ishte asistent regjisori dhe operatori i kameras, që më korrigjonte. Pas çdo dubli që bëja shihja nëse ishte i saktë apo jo.

Sa ju ka kushtuar filmi?

Edhe matët edhe s’matet, sepse kam futur shumë kohë të papaguar. Qendra e filmit më dha diku tek 75 mijë dollarë. Që është një shumë jashtëzakonisht e vogël për të filluar projektin, lere më ta mbarosh. Më ka ndihmuar familja ime dhe aktorët që erdhën me pagesa të vogla për shkak se ju pëlqeu projekti dhe donin ta shihnin të realizuar.

Vlerësuar me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Arizona International Film Festival, SHBA, dhe “Regjia më e mirë” në Riverside International Film Festival, SHBA. Filmi sapo u zgjodh në një festival tjetër, në Catalina Film Festival në Californi ku do të konkurrojë në garën zyrtare në datën 25-29 Shtator.

Spanja rrezikon të shndërrohet në shkretëtirë

Nëse prodhimi i karbonit mbetet i pandryshuar, kryeqyteti i Spanjës, Madridi, do të ketë një klimë të ngjashme me qytetin maroken Marrakesh deri në vitin 2050, thuhet në një studim të publikuar kohët e fundit nga studiuesit zviceranë.

Studimi i bërë nga “ETH Cyrih” dhe nga laboratori “Crowther” tregon se nëse bota nuk bashkëpunon brenda 11 viteve të ardhshme, kur është edhe e mos kthimit pas, për të reduktuar prodhimin e CO2-shit, Toka mund të jetë 2 deri në 2,5 gradë celsius më e nxehtë brenda disa dekadave. Në këtë skenar, temperatura e Madridit ka gjasa të rritet me një mesatare prej 2,1 gradë Celsius, ndërsa temperaturat më të nxehta do të rriten me 6,4 gradë Celcius.

Këtë vit, banorët e Madridit kanë kaluar nëpër temperatura të larta që kanë thyer rekordet, kur më 28 qershor u regjistrua temperatura maksimale më e lartë për muajin qershor 40,7 gradë Celsius, bazuar në të dhënat e shërbimit kombëtar meteorologjik të Spanjës.

Ekspertët nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) thonë se skenarët më ekstremë të klimës gjithashtu parashohin ulje të reshjeve në më shumë se 40% të territorit të Spanjës gjatë muajve të verës deri në fund të shekullit, duke çuar në thatësira më të gjata dhe më të vështira në Gadishulli Iberik.

Me të paktën 74% të Spanjës që është në rrezik të shndërrohet në shkretëtirë, prej të cilave 18% në rrezik të lartë sipas të dhënave zyrtare të vitit 2008, rreziku është që disa pjesë të Spanjës të mund të ngjasojnë më shumë me Saharanë Marokene brenda pakë vitesh.

Aktiviteti njerëzor është shkaku kryesor i shkretëtirëzimit, siç quhet procesi i shndërrimit të tokës në shkretëtirë. Ky proces shkaktohet nga mbi përdorimi i burimeve të kufizuara natyrore të cilat është vështirë të ripërtërihen. Përdorimi i tepërt i ujit është faktori kryesor, ndërsa një faktor tjetër është largimi i vegjetacionit.

“Rritja e shpejtë e temperaturës ka pasoja të mëdha për shkretëtirëzimin. Kur temperatura rritet, ashtu si njerëzit që djersinë më shumë, bimët rriten më shumë, kështu që uji avullon nga dheu dhe bimët. Këto kushte dobësojnë bimët, gjë që i bën ato më të ndjeshme ndaj epidemive”, tha Patricio Garcia Fayos, kreu i Qendrës për Studimin e Desertifikimit (CIDE) në Valencia, duke treguar për epideminë “Xylella” që ka qenë përgjegjëse për shkatërrimin e mijëra pemëve në juglindje të Spanjës në vitet e fundit.

“Edhe nëse bimët nuk goditen nga epidemitë, ato bëhen më të thata dhe më të prekshme nga zjarret. Kjo rrit frekuencën dhe intensitetin e zjarreve në pyje. Pastaj, pas zjarreve, me shumë mundësi, bimët më të thata mund të përhapen, sepse kushtet klimatike janë më të ashpra se normale. Është një rreth vicioz”, tha Fayos.

Për më tepër, ekspertët thonë se Evropa, veçanërisht në jug, ka mundësi të preket nga çrregullimi i reshjeve. Thatësira është një çështje e njohur, por shirat e dendur mund të shkaktojnë përmbytje dhe erozion të tokës, që përshpejtojnë procesin e shkretëtirëzimit.

Një raport i publikuar në fund të vitit 2018 nga auditorët e Bashkimit Europian zbuloi se mes viteve 2008 dhe 2017, madhësia e përgjithshme e territorit në Europë me ndjeshmëri të lartë ndaj shkretëtirëzimit u rrit në 177 mijë kilometra katrorë. Brenda Evropës, shtete si Bullgaria, Greqia, Spanja, Kroacia, Italia, Qiproja, Letonia, Hungaria, Malta, Portugalia, Rumania, Sllovenia dhe Sllovakia kanë deklaruar veten si të prekur nga procesi i shkretëtirëzimin.

I njëjti raport kritikon gjithashtu BE-në për koherencën e saj të kufizuar rreth kësaj teme. Në kundërpërgjigje, Komisioni Europian ka filluar një hetim për degradimin e tokës. /KultPlus.com

Beyoncé publikon albumin e ri

Ditën e djeshme këngëtarja e famshme Beyonce hodhi në treg albumin e saj më të ri, “The Lion King: The Gift”.

Albumin ajo e cilësoi si një dhuratë për Afrikën dhe menjëherë pas publikimit ai po thyen rekorde.

Megjithatë detaji më i veçantë i këngës ishte vajza e këngëtares, Blue Ivy.

Me anë të kësaj kënge Blue Ivy ka marrë një numër të madh komentesh ku e krahasojnë me të ëmën. /KultPlus.com

Për herë të parë në Prishtinë, hapet Festivali i Gastronomisë

Rrona Jaka

Sponzorë privatë dhe shtetërorë janë mbledhur së bashku për ta themeluar festivalin e parë të Gastronomisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Qindar qytetarë e dhjetëra kompani private do të marrin pjesë në këtë manifestim dyditorë që po mbahet afër Konunës së Vjetër të Prishtinës.

Në një intervistë për KultPlus, Koordinatorja për PR dhe Marketing e festivalit, Vanita Zhubi, ka treguar synimet, shkakun dhe ambicjet që ka ky festival në të ardhmen.

“Kjo është hera e parë që në Prishtinë realizohet një festival i tillë, i Gastronomisë ku do të kenë mundësi që t’i prezantojnë produktet e tyre dhe të ketë hapësirë për produktet vendore. Qëllimi i këtij festivali është që të krijohet një platformë ku do të diskutohet për traditën shqiptare dhe lashtësinë e saj.” Ka thënë Zhubi.

Ajo ka treguar që organizimi i këtij festivali ka marrë gati një vit kohë punime që të arrihet në këtë fazë pasi kanë menduar që këtë event të tillë që i ruan dhe i promovon vlerat e traditës shqiptare, që nga mënyra e gatimit e deri te gjellëbërja.

“Siç mund të shihni jemi në parat e fundit të realiziit të këtij festivali. Disa stenda edhe kanë filluar punën, por po realizimi ka qenë me të vërtetë një sfidë më vete dhe na ka marrë gati një vit për ta përmbledhur.” është shprehur Zhubi.

“Gajtë këtyre ditëve do të ketë dhjetëra evente që do të realizohen. Kemi arritur të sjellim disa shefa të kuzhinës që do të tregojnë se si janë gatuar gjellat në atëherë e si bëhen tash, do të ketë forime e diskutime, pa e harruar snjëherë këndin e trashigimisë dhe këndin e restoranteve” ka sqaruar Zhubi.

E pyetur nëse ka pasur ankesa lidhur me realizimin e festivalit ajo ka thënë se është herët të flitet për këtë gjë.

“Ende jemi në fazat e nisjes, mirëpo ankesat eventuale mund të jenë nga pjesëmarrësit, fjala është për kompanitë të cilat prezantojnë produktet e tyre, eventualisht lidhur me shumën që kanë paguar për t’u bërë pjesë e festivalit. Siç mund ta shihni festivali po realizohet në një hapësirë publike falë kontributit të Komunës së Prishtinës dhe të gjitha fondet e marra nga kompanitë kanë shkuar në realizimin efestivalit, te muzika dhe shpenzimet e organizimit” ka sqaruar ajo.

Kurse nga ana e kompanive pjesëmarrëse ka pasur vetëm lëvdata.

Kosovare Maliqi, përfaqësuese e njërës prej kompanive të vajit, ka treguar për ne se “kjo është një mundësi e mirë për produktet vendore dhe për të folur sa më shumë për atë që është e jona, qoftë pjesë e kuzhinës qoftë pjesë e trshëgimisë duhet të qmohet pafundësisht”

Festivali është hapur sot dhe do të vazdojë edhe nesër deri në orët e vona./KultPlus.com              

Ndërron jetë në moshën 90-vjeçare filozofia Agnes Heller

Në moshën 90 vjeçare, ka vdekur filozofia Agnes Heller teksa bënte not në brigjet e Balaton. Lajmin e bëjnë me dije mediat hungareze.

E lindur në Budapest në 12 maj 1929, Heller ishte një intelektuale që i mbijetoi Auschwitzit dhe persekutimit të regjimit komunist.

Nxënëse e filozofit marksist Goerg Lukacs, ajo u bë një nga eksponentet kryesore të ‘shkollës së Budapestit’, një kritikuese e vazhdueshme e socializmit.

Në vitet e fundit ajo kishte hyrë në konflikt të hapur me kryeministrin Viktor Orban, i cili e kishte dëbuar atë nga universiteti.

Sipas asaj që tregojnë dëshmitarët, Heller u fut në liqen për të notuar. Duke mos e parë të kthehej pas disa orësh miqtë e saj dhanë alarmin. /KultPlus.com

Uh Evropë, ti kurva e motit!

Poezi nga Gjergj Fishta

Uh! Evropë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís,

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? /KultPlus

‘Ditët e fundit i jetoj, në dashuri nuk kam besim’

Një prej këngëve që ndihmoi në kampanjën kundër përdorimit të drogës është padyshim “Ditët e fundit”.

Bashkëpunimi mes Gilit dhe Ardit Stafajt, realizuar në vitin 2002, është këngë që dëgjohet edhe sot dhe që përmban një tekst emocionues rreth asaj se çka mund t`i bëjë droga dhe substancat narkotike njeriut nëse ai i përdorë ato.

Në videoklipin që po e kujtojmë, Liberta Spahiu – sot moderatore e njohur dhe aktori Astrit Kabashi, aktruan në mënyrën më të mirë dështimin e një djali të ri i cili konsumon substancë narkotike.

Kënga ka marrë çmimin e dytë në ShowFest, çmimin e parë në Videofest, dhe ishte pjesë e fushatës së UNDP kundër Sidës dhe drogave.

Gili, shpesh me këngë që ndihmuan kauza, edhe këtë këngë e ka brenda pasaportës artistike si një këngë që dha qartë mesazhin e saj. Gili ka vazhduar karrierën e saj ndërsa Arditi është pak më aktiv në muzikë. / KultPlus.com

Xhelil Aliu, folësi fjalëbukur dhe mbrojtësi i shquar i shqipes në Radio

Hera e mbarë e ka prurë që, qysh nga viti 1967 si titullar i lëndës “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” kam pasur njohje e miqësi me shumë aktorë e regjisorë, tashmë flokëzbardhur prej viteve, po edhe faqebardhë e kryelartë për veprat e ndihmesat e vyera që kanë realizuar në skenat e teatrove, në ekranin e kinemasë dhe në valët e Radio-Tiranës. Midis tyre, një zë i veçantë e me ndihmesa jo vetëm të shumta në sasi, po edhe të vlefshme, të mëdha e me rëndësi themelvënëse për artin e fjalës shqipe, është  Xhelil Aliu.

Regjisor me përvojë të gjatë krijuese dhe folës i dalluar në Radio-Tirana, vitet e fundit, ndërsa ka mbushur moshën e pensionit, por pa e lëshuar “llogoren” e mikrofonit, ka botuar edhe një varg librash: “Këtu flasin të mëdhenjtë”(në dy vëllime), “Të mos harrojmë”, Intervista, biseda, refleksione dhe”Radioja që më përfshiu të tërin”, Mbresa nga puna 40-vjeçare në Radio-Tirana,  ku ka përmbledhur frytet e përvojës së tij  të gjatë mbi 40-vjeçare si redaktor, regjisor e folës në Radio-Tirana. I mora me ëndje këta katër libra,  i shfletova dhe pastaj u ula dhe i lexova me nge dhe gjeta aty një përvojë të gjatë e të ngjeshur me rrëfime e faktime jo vetëm tërheqëse e të bukura, po edhe të atilla që të bëjnë të mendosh e të vlerësosh përjetimet, prurjet dhe ndihmesat e këtij artisti, i cili, gati në mënyrë të padukshme, prej studiove të Radio-Tiranës, para mikrofonit ka folur vetë dhe ka bërë të flasin burra të mëdhenj të artit e të letrave shqiptare, aktorë të shquar, si Mihal Popi, Andon Pano, Loro Kovaçi, Gjon Karma, Naim Frashëri,  Kadri Roshi, Liza Vorfi, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Pjetër Gjoka, Prokop Mima, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Viktor Gjoka, Mihal Stefa, Ndrekë Shkjezi, Lazër Filipi, Drita Pelingu, Behije Çela (Levonja), Liza Laska, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja, Demir Hyskja, Shpëtim Shmili, Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli, Piro Mani, Ndrek Luca, Ilia Shyti, Lazër Vlashi, Agim Shuke dhe Agim Qiriaqi.

Jeta dhe ndihmesat artistike të aktorëve të tillë, natyrisht, kanë qenë të  njohura edhe nga botime të tjera, si dhe nga disa prej monografive  të shkruara në rrjedhë të moteve për ta. Porse, në dy vëllimet e Xhelil Aliut ata na shfaqen në një mënyrë sa të veçantë, aq edhe  interesante, por jo si “zëra” të ftohtë  të një enciklopedie a leksikoni  akademik; përkundrazi, ai ka zgjedhur për t’i paraqitur, vlerësuar e gdhendur si figura të mëdha të artit skenik shqiptar, duke përdorur atë mjet të thjeshtë, por edhe  aq të efektshëm, mikrofonin e regjistrimit në shirita magnetofoni, me të cilin ka punuar për dyzet vjet radhazi në Radio-Tirana, duke u bërë pyetje vetë atyre, po edhe duke sjellë, po në formën e bisedave të gjalla në studiot  e Radios, “palcën” e vlerave dhe vlerësimeve të kolegëve  për të mëdhenjtë.

Dhe, në fakt, aty kemi jo vetëm një yjësi prej  34 vetash, të gjithë me titujt e lartë “Artist i Popullit” ose “Artist i merituar”, po edhe një kor të gjerë të simpatizuesve, vlerësuesve dhe adhuruesve të tyre, si dhe një shkëmbim vlerësimesh e fjalësh meritore për njëri-tjetrin, duke iu përmbajtur edhe rasteve a tematikës që ka shkaktuar edhe realizimin e ftesave në studio e realizimin e emisioneve të ndryshme me pjesëmarrjen e aktorëve të mëdhenj, si p.sh. dramatizimet për  “Heroizmi i popullit  tonë në shekuj”, “Teatri në mikrofon”, “Fjala artistike në mikrofon”, “Radiopërhapja”, “Emisioni  humoristik”, “Emisioni shkencor për pionierë”, “Emisioni Radiopërralla” etj.

I “përpiva” me një frymë dy vëllimet  e Xhelil Aliut “Këtu flasin të mëdhenjtë” dhe, jo vetëm rikujtova interpretimet e bukura dhe rigjallërova në kujtesën time përshtypjet e ndikimin e fortë artistik, që kisha ndjerë në rrjedhë të dhjetëvjeçarëve duke i parë në teatër, po edhe duke i  dëgjuar në valët e Radio-Tiranës ato realizime madhështore për të cilat shkruan  autori, po edhe gjeta aty shumëçka të vyer e të atillë, që, me gojën plot e me mendjen okë, do t’ua këshilloja për t’i lexuar të gjithë  atyre që punojnë ose dëshirojnë të punojnë si folës e si regjisorë në emisionet radiofonike e radiotelevizive. Përtej kësaj, vëllimet “Këtu flasin të mëdhenjtë”, pa dyshim, janë të nevojshëm dhe urojmë  të bien në dorën e aktorëve dhe studentëve të Universitetit të Arteve, po edhe të atyre që ndjekin studimet në degët e  gjuhës e të  letërsisë, sepse aty do të gjejnë edhe një lëndë të pasur e të dorës së parë për disa prej dramave  shqiptare dhe të përkthyera nga dramaturgjia botërore,  që kanë qenë vënë në skenë dhe ku kanë interpretuar të mëdhenjtë për të cilët shkruan me aq përkushtim e adhurim Xhelil Aliu.

E dija që Xhelil Aliu flet aq bukur dhe shpesh, kur kam shkruar për rolin modeldhënës të folësve të Radios e Televizionit për shqipen e standardizimin e drejtshqiptimit e të intonacionit, emrin e dhuntitë e tij të shquara si folës nga më të mirët i kam përmendur gjithmonë në mesin e asaj yjësie folësish të talentuar që kanë kontribuar në rrjedhë të viteve, që nga Haki Bejleri, Vera Zheji, Kiço Fotiadhi, Alfons Gurashi, Roland Roshi, Dhimitër Gjoka, Agim Xheka, Tefta Radi, Shpresa Ukcama, Amali Çali, Meropi Xhai, Elsa Xhai, Viron Noti etj.

Nga katër librat e Xhelil Aliut, jo vetëm përfitova e rikujtova shumëçka nga arti dramatik dhe emisionet e Radio-Tiranës, që i kam ndjekur gjithmonë me ëndje, po edhe  dola me bindjen se shpesh, duke mos ua lexuar veprat që shkruajnë, mund të kemi njohje të paplotë për disa prej kontributeve të vlefshme që kanë dhënë, kurse në rastin e Xhelil Aliut, librave të shkruar pre tij u takon edhe një “vlerë e shtuar”  për shkrimtarinë  dhe sidomos për guximin  e ndershmërinë që shfaqet në rreshtat e  intervistave që  ai u ka marrë personaliteteve të shumta, si dhe në ato që ka folur vetë para mikrofonit të Radio-Tiranës dhe që i ka përmbledhur tashmë në faqet e librit “Të mos harrojmë”.

Kush është Xhelil Aliu

Xhelil Aliu ka lindur në vitin 1946 në Kalivaç të Tepelenës, ku mori arsimin fillor dhe shtatëvjeçar. Pasi kreu arsimin e mesëm në Teknikumin e Minierave  dhe Gjelologjisë në Përrenjas, punoi disa vjet në Minierat e kromit në Batër e Thekën të Martaneshit.

Më 1968 konkurroi dhe fitoi  të drejtën  për të vazhduar studimet e larta në degën e dramës të Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), ku u diplomua si regjisor e aktor dhe, në vijim, mbas studimeve të larta filloi punën si regjisor në Radio-Tirana. Aty e nisi dhe aty do të kontribuonte për 40 vjet rresht, duke përgatitur të gjitha llojet e dramatizimeve. Krahas këtyre, Xhelil Aliu ka përgatitur edhe emisione speciale për jetën dhe veprimtarinë e figurave të shquara të teatrit, kinematografisë, letërsisë, mjekësisë etj., si dhe  një numër radioreportazhesh, radiokronikash e programesh të veçanta në Tiranë e në rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj. Xhelil Aliu është një ndër folësit më të njohur të Shqipërisë, zëri i të cilit është fiksuar në mbi 6000 dokumentarë që transmetohen në kanale të ndryshme televizive.

Në librin “Radioja që më përfshiu të tërin”, Tiranë,2015 (Mbresa nga puna 40-vjeçare në Radio-Tirana) autori  sjell mbresa, përshtypje dhe shënime nga jeta dhe puna e tij si folës e regjisor në Radio-Tirana. Vlerësimi dhe nderimi për ata që punojnë me ndershmëri e përkushtim, që mbi të gjitha  krejt jetën e kalojnë si zelltar të profesionalizimit  dhe mbërrijnë në majat e epërme të profesionit të vet, patjetër, do ta bjerë puna që dikush t’i vlerësoj e t’ua caktojë edhe vendin që u takon në vargun e krijueseve meritorë të fjalës së folur bukur dhe të ndihmesave të vyera në lëmin e gazetarisë radiofonike shqiptare.

Gjuha shqipe ka sot një numër problemesh, që duhen njohur  dhe sidomos shumë gabime e  shtrembërime ligjërimore, që duhen shmangur e përmirësuar. Krahas punës që bëhet  nga shkolla dhe nga botimet  përkatëse të librave normativë për drejtshkrimin e drejtshqiptimin, për gramatikën, leksikun e terminologjinë, si dhe për njohjen e frazeologjizmave e të dialektalizmave, ka vend edhe për këshillime e shpjegime dashamirëse për masën e gjerë të njerëzve, duke ua bërë të qartë se, ditë për ditë, edhe në botimet zyrtare, edhe në gjuhën e gazetave e të revistave, si dhe përgjithësisht në ato që shkruhen e botohen, ndeshim jo pak gabime gjuhësore, shtrembërime kuptimesh dhe deri ngatërrim të termave e fjalëve të ndryshme, që lënë shije të keqe te lexuesit dhe dëgjuesit. Ka filluar e po shfaqet përditë e më dukshëm prirja e mbrapshtë e krijimit të foljeve mbi bazën e fjalëve të huaja të panevojshme e për të cilat shqipja i ka fjalët ose termat e duhur, si fokusoj e fokusimspikeroj e spikerim, dakordësoj e dakordësimetj., ndaj të cilave duhet të mbajmë qëndrim dhe të kemi një strategji kombëtare, po edhe një bazë ligjore mbrojtëse për gjuhën shqipe në mjediset e institucionet zyrtare, të varura ose të lejuara nga Shteti.

Në katër librat e Xhelil Aliut, jo vetëm nuk do të gjeni fjalë të huaja të panevojshme, asnjë për be, por, mbi të gjitha, do të bindeni se çfarë mund të bëjë me zërin e bukur dhe fjalën e zgjedhur mirë një folës i përkushtuar dhe i adhurueshëm, si Xhelil Aliu. /KultPlus.com

Tre udhëtarët që ndryshuan fatin e Murit të Madh Kinez

Në një mëngjes pranvere të ngrohtë në vitin 1984, Dong Yao-hui dhe dy miqtë e tij të rinj, Wu De-yu dhe Zhang Yuan-hua, veshën çizmet e tyre ushtarake dhe filluan ngjitjen përgjatë një rrugice të ngushtë në murin e madh kinez.

Ecja e tyre filloi në Laolongtou ose në kokën e Dragoit të Vjetër, në Shanhai Pass, ku ajo që dikur konsiderohej të ishte shtrirja lindore e Murit, arrin në Detin Bohai.

Prej aty ata vazhduan drejt perëndimit, drejt maleve të provincës Hebei dhe territorit të madh kinez që shtrihet përtej.

Nga perëndimi i Diellit natën e parë, ata arritën përparim të mirë dhe u strehuan në një fortifikatë të shkatërruar, që shekuj më parë kishte akomoduar burrat që dikur ruanin Murin e Madh, ndoshta duke shikuar për pushtuesit nga veriu.

Udhëtimi i tyre prej 8,850 kilometrash zgjati 17 muajsh të plotë dhe kjo i çoi ata në librin e rekordeve botërore si të parët që ngjitën dhe përshkruan plotësisht Murin e Madh Kinez. Ishte një udhëtim që jo vetëm do të ndryshonte jetën e tre miqve, por do të ndryshonte fatin e murit, duke e ndihmuar atë të merrte statusin e respektuar dhe rëndësinë që ka sot. /KultPlus.com

Holanda mbjell lule në stacionet e autobusëve si dhuratë për bletët

Këshilli Bashkiak i Utreht në Holandë mbolli bimë dhe lule në çatitë e qindra stacioneve të autobusëve si dhuratë për bletët.

Bëhet fjalë për sedum (plantacion i bimëve), ndërsa u vendos të mbulohen kulmet e 316 stacioneve të autobusëve.

Kjo nuk ndihmon vetëm bletët, por edhe për grumbullimin e grimcave të pluhurit.

Kulmet janë të veshura nga punëtorët që ngasin makinat elektrike, dhe në stacionet e autobusëve ka drita LED (që konsumojnë shumë pak energji) dhe stola nga bambuja e ricikluar.

Si pjesë e luftës kundër ndotjes së ajrit, Utreht do të prezantojë 55 autobusë elektrikë në transportin publik deri në fund të vitit dhe njoftoi se deri në vitin 2028 do të ketë një transport publik tërësisht “të pastër” në qytet.

Energjia elektrike që do të drejtojë këto autobusë do të vijë nga mullinjtë e erës holandeze. /KultPlus.com

Ed Sheeran kryeson listat me tri këngë

Ed Sheeran ka kryesuar listat e albumeve dhe këngëve në Britani, pas publikimit të albumit të tij të ri, ”No 6 Collaborations Project”. Albumi rezulton është më i shituri për këtë vit.

Kënga ”Beautiful People” në bashkëpunim me Khalid, mban vendin e parë në tabela pas dy javësh. Kjo është kënga e shtatë e Ed Sheeran që zë vendin e parë në listat e Britanisë. Dy këngë të tjera nga albumi janë në Top 5.

”Take Me Back to London”, në bashkëpunim me Stormzy mban vendin e 3, ndërsa Cross Me me Chance the Rapper dhe PnB Rock, renditet në vendin e 4. Ndërsa vendin e dytë në listat britanike e mban kënga “Señorita” e Shawn Mendes dhe Camila Cabello. /KultPlus.com

Mbërrin seria e re “Gossip Girl”

“Gossip Girl”, seria që u bë një fenomen i kulturës së të rinjve me shfaqjen e trendeve të modës dhe kronologjinë e jetës romantike të adoleshentëve të elitës së New Yorkut, po kthehet në televizion, këtë herë me një seri të re për shërbimin e ardhshëm streaming HBO Max.

HBO Max, në pronësi të WarnerMedia, njoftoi të martën se e kishte kërkuar një seri të re 10- episodëshe, e cila do të vendoset tetë vjet pasi që seria “Gossip Girl” e përfundoi shfaqjen e saj origjinale në vitin 2012 dhe do ta ndjekë një gjeneratë të re fëmijësh të shkollave private, shkruan KultPlus.

Nuk ka asnjë informatë për kastingun apo nëse do të kthehet ndonjë nga yjet origjinale, duke përfshirë Blake Lively, Penn Badgely, Chace Crawford dhe Leighton Meester.

HBO Max thotë se seria e re do ta shqyrtojë se sa kanë ndryshuar media sociale dhe peizazhi i vetë New Yorkut në vitet e fundit.

Gossip Girl u shfaq për gjashtë sezone në rrjetin rinor CW duke u bërë një nga serialet më të popullarizuara në televizion, duke i fituar 18 çmime Teen Choice dhe duke inspiruar linja të modës, flokëve dhe të bukurisë.

Spinoffi vjen pas lajmeve të javës së kaluar se HBO Max do t’i ketë të drejtat ekskluzive për streaming të serialit televiziv të viteve 1990, “Friends” – aktualisht seriali i dytë më i shikuar në rivalin Netflix. /KultPlus.com

Rëndësia e familjes dhe disa këshilla pse duhet kaluar sa më shumë kohë pranë saj

Familja konsiderohet e shenjtë, kudo në botë. Koha me familjen është dhe mënyra më e mirë për të pasur një jetë sa më të qetë dhe larg stresit.

Ndonjëherë njerëzit përfshihen nga punë të tepërta dhe nuk i kushtojmë vëmendjen e duhur familjes.

Por gjithmonë duhet pasur parasysh, se kërkohet vëmendja e duhur karshi familjes, për të mos e lënë pas dore për asnjë moment. Ja disa arsye pse:

Nisemi nga një supozim i rëndësishëm:

Çdo familje është një sistem unik dhe pa të ngjashëm, ndaj secila familje ka mënyra të ndryshme të të qëndruarit bashkë, të shfaqjes së dashurisë. Është e rëndësishme të mos bëjmë krahasime me grupe të tjera familjesh, për të cilat nuk kemi dijeni mbi vështirësitë dhe mungesat që patjetër që i kanë.

Ngarkesat e punës, nuk ia heqin rëndësinë kohës së kaluar së bashku me familjen. Duke qëndruar cilësisht bashkë, do ta lejojë bërthamën tuaj familjare të jetë e qetë, në harmoni dhe në ekuilibër. Pas orëve të gjata të kaluara në punë, shumica e prindërve mezi presin të kthehen në gjirin e familjes, aty ku i presin me padurim fëmijët, bashkëshorti apo bashkëshortja. Po si t’ia dilni mbanë, duke pasur parasysh që bota e punës sot kërkon shumë sakrifica? Nuk është e thjeshtë.

Kemi përzgjedhur disa ide:

Punoni më pak ose kërkoni të punoni me kohë të pjesshme.

Organizoni pushime që t’i kaloni të gjithë së bashku ose shfrytëzoni fundjavat.

Kushtojini më pak kohë pasioneve personale që mund të keni.

Mundohuni të jeni sa më shumë pjesëmarrës në shtëpi.

Nëse keni fëmijë të vegjël, për të kaluar më shumë kohë me ta, lexojini diçka para se të flenë. /KultPlus.com

Fillo me pse

Një libër për mënyrën sesi udhëheqësit e mëdhenj frymëzojnë këdo që të veprojë. Një bestseller absolut, i cili do të vijë në ndihmë për të përsosur komunikimin dhe për të arritur suksese në jetë.

Pse e bëni atë që bëni? Pse disa njerëz dhe organizata janë më novatorë, më influencues dhe më fitim-prurës se të tjerët? Pse disa krijojnë besni-këri më të madhe, si te klientët, ashtu dhe te punonjësit? Madje dhe midis të sukses-shmëve, pse disa prej tyre arrijnë të kenë vazhdimisht sukses?

Njerëz si Martin Luther King Jr., Steve Jobs, dhe vëllezërit Wright, mund të kenë pak gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, por të gjithë e kanë filluar me pse. Aftësia e natyrshme e tyre për të filluar me pse, u mundësoi të frymëzonin njerëzit që i rrethonin, si dhe të arrinin gjëra të jashtëzakonshme.

Ndërsa studionte liderët që kanë pasur ndikimin më të madh në botë, Simon Sinek zbuloi se ata mendojnë, veprojnë dhe komunikojnë në të njëjtën mënyrë – dhe kjo është krejt e kundërta e asaj që bën kushdo tjetër. Këtë ide të rëndësishme Sinek e quan Rrethi i Artë, dhe paraqet një strukturë mbi të cilën mund të ndërtohen organizata, mund të udhëhiqen lëvizje, dhe mund të frymëzohen njerëz. Dhe e gjitha fillon me PSE.

Cilado organizatë mund ta shpjegojë se çfarë bën; disa prej tyre mund edhe të shpjegojnë si e bëjnë; por shumë pak mund të artikulojnë me qartësi pse. PSE-ja nuk ka të bëjë me paratë ose fitimin – këto janë gjithmonë rezultate. Pse ekziston organizata juaj? Pse i bën ato gjëra që bën? Pse klientët blejnë nga një kompani e caktuar? Pse njerëzit janë besnikë ndaj disa liderëve, dhe jo ndaj të tjerëve?

Të fillosh me PSE funksionon si me bizneset e mëdha, ashtu dhe me ata të vegjël, si në botën jofitimprurëse, ashtu dhe në politikë.

Ata që fillojnë me PSE nuk manipulojnë kurrë, vetëm frymëzojnë. Dhe njerëzit i ndjekin jo sepse janë të detyruar, por sepse duan.  Duke marrë nga histori të vërteta në fusha të ndryshme, Sinek thur një vizion të qartë të asaj që duhet për të udhëhequr dhe frymëzuar. Ky libër është për këdo që do të frymëzojë të tjerët, ose këdo që do të gjejë dikë për t’u frymëzuar.

VLERESIME

“Libri ‘Fillo me pse’ është një nga librat më të dobishëm dhe të rëndësishëm që kam lexuar prej vitesh. I thjeshtë dhe i qartë, na tregon se si liderët duhet të udhëheqin. E rekomandoj!”

—William Ury, bashkautor i Getting to Yes; bashkëthemelues i Programit Mbi Negocimet në Harvard Law School

“Fillo me pse ndezi zjarrin brenda meje. Ky libër mund t’ju çojë në nivele përsosurie të cilat nuk i keni menduar kurrë të arritshme”.

—Gjeneral Chuck Horner, shef i aeroplanmbajtëses, operacioni Desert Storm

“Fillo me pse ofron një alternativë të thjeshtë dhe pragmatike për të qenë një lider i madh. Çdo histori do t’ju bëjë t’i shihni gjërat nga një perspektivë krejt tjetër. Një perspektivë që nuk është asgjë më pak se e vërteta”.

—Mokhtar Lamani, ish-ambasador, emisar i veçantë në Irak, vëzhgues i përhershëm në Kombet e Bashkuara

“Libri ‘Fillo me pse’ do t’ju bëjë ta rivlerësoni biznesin tuaj. Është një libër i shkëlqyer dhe godet në shenjë. Do t’ju frymëzojë”.

—Howard Putnam, ish-CEO, Southwest Airlines; folës dhe autor i The Winds of Turbulence

“Fillo me pse është një zbulim i rëndësishëm dhe depërtues i asaj që ndan kompanitë dhe liderët e mëdhenj nga pjesa tjetër. Shumë liderë (dhe autorë) e kërkojnë autenticitetin në vendin e gabuar – Sinek ju çon drejt e te burimi”.

Veçse një ëndërr

Poezi nga Dritëro Agolli

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, por si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndërr kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndërrova në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them, faleminderit!
Ti më dhe një fluturim mbi një ëndërr,
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr. /KultPlus