Çadra dyditore e punishtes lëvizëse së personalizimit të Targave Suvenir, risi e lançuar mes projektit për zgjimin e vlerave historike të koleksionit të mjeteve shqiptare RETRO, magnetizoi “të madh e të vogël” këtë fundjavë në Korçë.
Përgjatë tre netëve nga data 16-18 gusht, Korça qyteti i serenatave bashkoi turistë, vizitorë dhe qytetarë nga skaje të ndryshme të vendit në festën e verës, ku krahas aktiviteteve të ndryshme të organizuara me këtë rast, ajo që tërhoqi vemendjen dhe interesin e shtuar të qytetarëve dhe të ftuarve të shumtë, ishin Targat Suvenir të personalizuara, një shërbim i ri i ofruar për herë të parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transporti Rrugor.
Zgjidh formën, ngjyrën dhe emoji-t e preferuara dhe eja në këndin Retro ishte logo e eventit në Korçë, që tërhoqi shumë pjesëmarrës për të parë nga afër procesin e prodhimit dhe personalizuar targën e tyre të preferuar. /KultPlus.com
Ky dokumentar rrëqethës qëmton historinë – dhe pasojat brutale – të politikës kineze për një fëmijë në familje.
Dokumentari, “One Child Nation” bën një analizë të fortë, të prerë të së tashmes kineze përmes së kaluarës së saj. Tema kryesore është politika disa-dekadëshe, të cilën e kishte mbështetur shteti në vitet shtatëdhjetë, për ta kufizuar rritjen e popullsisë.
Në dhjetor të 1982-s, Kina e ratifikoi Kushtetutën që përmbante udhëzimin: “Si bashkëshorti, ashtu edhe bashkëshortja e kanë për detyrë të ushtrojnë planifikim familjar”. Një nen tjetër kushtetues, i formuluar në mënyrë të paqartë, e shpaloste megjithatë rrezikun e lidhur me këtë obligim: “Shteti promovon planifikimin familjar, në mënyrë që rritja e popullsisë t’iu përshtatet planeve për zhvillim ekonomik dhe social”.
Brenda 89 minutash, regjisorët Nanfu Wang dhe Jialing Zhang e zbërthejnë atë rrezik – dhe çfarë nënkuptonte ai për qytetarët, posaçërisht gratë – në mënyrë të qartë, koncize dhe brutale. Është film i rëndë për t’u shikuar; herë pas here bëhet i padurueshëm.
Ka pamje që do të doje të mos i shihje kurrë. E kam shikuar “One Child Nation” dy herë, shpesh me sy të përlotur. Është rrëfim i një beteje në luftën e vazhdueshme mbi trupat e grave, betejë kjo që sipas Wangut, nuk është e kufizuar vetëm brenda Kinës. (Më 2015, Kina i dha fund kësaj politike për një fëmijë në familje, duke iu lejuar çifteve të martuara që të kenë dy fëmijë).
Wang është narratore e rrëfimit. Pas tekstit fillestar, filmbërësit nisin që ta shpalosin rrëfimin e Wangut, që e përfshin tërë filmin dokumentar, duke e ndërlidhur personalen me politiken. (Si Wang, ashtu edhe Zhang janë lindur në Kinë).
Duke folur në anglishte dhe duke e përdorur një kombinim të materialeve arkivore dhe atyre të xhiruara, Wang e prezanton familjen e saj, përfshirë vëllanë e vogël, të cilin familja do ta braktiste, po të lindte vajzë.
E lindur më 1985, Wang tani jeton në New York, por lindja e djalit të saj e kthen emocionalisht në Kinë. /KultPlus.com
Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, u shpall zyrtarisht i hapur edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ceremonia e hapjes nisi me një minutë heshtje në nderim të albanalogut të shquar, organizatorit të këtij Seminari, akademik Idriz Ajetit i cili u nda nga jeta kohë më parë.
Seminari u themelua 45 vjet më parë nga profesorët e Fakultetit të Filologjisë, duke mbetur kështu referenca kryesore e studimeve albanologjike. Edicioni i sivjetëm do të jetë mjaft i pasur, me pjesëmarrës nga mbarë bota, studiues e studentë, që do të zbarkojnë në Prishtinë.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë prof. Lindita Rugova, iu urojë mirëseardhje të gjithë seminaristëve. “45 vjet më parë pas organizimit të parë të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, ai do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht”, tha ajo. “Sesionet shkencore, referimet, tryezat shkencore, ligjëratat e veçanta dhe kurset e gjuhës shqipe janë shtyllat themelore të Seminarit”, vijoi ajo duke theksuar “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë dhe prezantimi më me vlerë i shkencës vendore re të shtruar në një kënd global”.
“Një rrugëtim i vështirë por gjithnjë në kërkim të dijes, një tubim kulturor që ka arritur të shndërrohet në institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe arritur impakt në avancimin e shkencës dhe kulturës”, potencoi Rugova.
I pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës prof. Mynr Koni, i cili tha se ndjehet i kënaqur për prezencën në këtë ngjarje madhore. “Është një periudhë 45-vjeçare që kur elita e kulturës shqipe kanë bërë të mundur ta mbajnë gjallë dhe të kontribuojnë fuqishëm në studimin e kulturës tonë”, tha ai, kurse akademik Jusuf Bajraktari tha se Seminari do të gëzoi përkrahjen e ASHAK-ut. “Shprehi gatishmërinë dhe përkrahjen time dhe të kolegëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për këtë eveniment të rëndësishëm dhe punën e mëtutjeshme të këtij Seminari. Ndjej respekt për kontributin 45-vjeçar të këtij evenimeti shumë të rëndësishëm”, u shpreh akademik Bajraktari.
Drejtori i Seminarit prof. Shkumbin Munishi, e shpalli zyrtarisht të hapur atë duke thënë se pret një edicion me aktivitete të shumta. “Ky edicion është hallkë në zinxhirin e një tradite albanologike të nisur 45 vjet më parë. Pra, sot shënojmë jubile. Edhe sivjet Seminari ka arritur të mbledh dashamirë të gjuhës dhe kulturës nga mbarë bota duke vazhduar të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore. Këtë vit ka pasur dashamirës të shumtë të gjuhës nga vendet si Rusia, Çekia, Serbia, Rumania, Holanda, Sllovenia, Maqedonia, Ukraina, Kroacia, Suedia e Italia, të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë”, potencoi Munishi.
“Përgjatë këtyre viteve Seminari, është shënuar me aktivitete më kryesore shkencore në fushën e albanologjisë me ligjëratat, tryezat e sesionet shkencore. Studiuesit e huaj kanë shpalosur studimet e tyre më të rëndësishme shkencore të botuara në revistën e Seminarit, të cilat sjellin një gamë të gjerë vlerash studimore nga letërsia e kultura shqiptare të autorëve më të rëndësishëm”, përfundoi ai.
Seminari mbetet përgjatë këtyre viteve një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. Pjesëmarrësit e shumë të këtij edicioni nga sot do t’i drejtohen Fakultetit të Filologjisë, dyert e të cilit nga tani janë të hapura për të gjithë dashamirësit e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. /KultPlus.com
Në seritë e një dokumentari të ri janë publikuar pamje të kufomës së Marilyn Monroe-s. “The Death of Marilyn Monroe” përfshin një intervistë me djalin e personit që realizoi shkrepjet fotografike të ikonës së Hollywood-it, teksa kjo e fundit gjendej në morgun e Los Angeles-it. Fotografi mundi të futej brenda në morg duke u dhënë rojeve si ryshfet, disa shishe alkool.
Marilyn Monroe u gjend e pajetë në shtratin e saj më 4 gusht 1962. Ndër dekada, vdekja e saj është shoqëruar me hije dyshime dhe mendime nga më të ndryshmet. Një ditë pas ndarjes nga jeta, mjeku ligjor i zonës deklaroi asokohe se Marilyn kishte vdekur si pasojë e një mbidoze me antidepresantë.
Në vitin 1975, një revistë amerikane ngriti pikëpyetje mbi ngjarjen e bujshme duke shtruar tezën se vdekja e saj, s’kishte qenë vetëvrasje. Ende sot nuk dihet nëse Marilyn u vetëvra, apo e vranë. /KultPlus.com
Ky vit shënon 100-vjetorin e miratimit të amendamentit të 19-të të Kushtetutës, i cili u garanton miliona grave amerikane të drejtën për të votuar. Përpjekjet e vazhdueshme të aktivisteve për këtë çështje, janë në fokus të një ekspozite të hapur në Arkivën Kombëtare në Uashington.
Arkivat kombëtare në Uashington ruajnë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë amerikane, si amendamenti i 19-të që u miratua në Kongres para afër një shekulli.
“Para afër 100 vitesh, amendamenti i 19-të u ndaloi shteteve dhe qeverisë federale t’iu mohojnë qytetarëve amerikanë të drejtën e votës në baza gjinore. Këtu në Arkivat Kombëtare jemi krenarë që shënojmë këtë përvjetor të rëndësishëm”, tha zëvëndës Arkivistja e Shteteve të Bashkuara, Deborah Steidel Wall.
Në nderim të kësaj ngjarje është hapur ekspozita me titull “E drejta e saj”, ku janë paraqitur figurat kryesore që ndihmuan këtë çështje, si aktivistja Ida Wells Barnet.
Gratë gjithmonë i kanë shërbyer demokracisë, si në rastin e Jeanette Rankin nga Montana që fioi një vend në Kongres në vitin 1916, para se të miratohej amendamenti. Ajo nuk ishte e vetme.
Shumë gra shërbyen në Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
Veç fitoreve në të kaluarën, ekspozita “E drejta e saj” vë në pah edhe sfidat me të cilat përballen votueset sot.
“Na kujton se e drejta për të votuar, që për mendimin tonë është themeli i demokracisë, nuk garantohet gjithmonë, por është fituar me punën e palodhshme të aktivisteve për gjenerata të tëra”, tha Deborah Steidel Wall, zëvendës arkiviste e Shteteve të Bashkuara.
Kuratorja Corinne Porter shpreson që mesazhi i ekspozitës të përqafohet nga gratë kudo në botë.
“Fuqia e votës tuaj është zëri juaj në qeveri. Mendoj se kudo në botë, kjo është e vërteta. Shpresoj që grate ta shohin këtë dhe të votojnë nëse munden dhe të vazhdojnë presionin për të drejtën e votës”, thotë Corinne Porter, kuratore e ekspozitës.
Nga e kaluara e deri tash, kontributi i gruas në demokraci vazhdon të jetë vlerë në traditën amerikane. /KultPlus.com
Javët e kaluara na kanë treguar më shumë se do të donim të dinim për optimizmin e aklimatizuar të njerëzve të fuqishëm për të cilët hollësitë janë gjëra të sikletshme.
Sikur kryeministri ynë i ri britanik, edhe kompozitori italian, Ludovico Einaudi, është një populist i cili nuk e ka telash që të bindë audiencat që të mblidhen dhe ta dëgjojnë. Koncerti i tij i fundit në Londër është i shtati në kuadër të mbrëmjeve muzikore që do të shënojnë veprën e tij.
Megjithatë, mesazhi i performancës së tij doli se ishte i thatë, jo për t’u mbajtur mend dhe pa pikë humori në të – kishte shpërthime të herëpashershme që nuk është se rroknin vëmendjen time.
Në letër duket punë e guximshme. “Seven Days Walking” përshkruhet si një projekt i ri ambicioz, i frymëzuar prej ecjeve dimërore nëpër malet në afërsi të shtëpisë italiane të Einaudit. Na premtohen në letër perspektiva të reja dramatike për të njëjtin material të ujdisur, “që secilën herë do të sjellë hollësi të reja”.
Kjo performancë prej dy orësh, e luajtur prej vetë Einaudit në piano, me Federico Mecozzin në violinë dhe Redi Hasan në violonçel, përshkruhet si “instilacioni i parë” në kuadër të një programi më të gjerë – por materiali nuk është duke nxitur kushedi çfarë ndjenje kur e dëgjon dhe me kapërcime që nuk duken të ndërthurura. Nuk e di nëse kjo çështje ka rëndësi, por për mua po.
Në sallë nuk u arrit efekti sikurse ishte paramenduar me pretendimin e madh se gjithçka do të performohej dhe do të realizohej me krijimin e jehonave që krijojnë kambanat kishtare në largësi.
Einaudi dhe muzikantët e tij dalin në skenë truplëshuar në errësirë dhe në mjedisin e mistershëm, dhe afërmendsh se krijohen pritje të mëdha në audiencë. Dhe me një hyrje të tillë, sigurisht se duhet të pasojë një performancë e rëndësishme dhe ekspresive. Por në vend të kësaj, derisa Einaudi shikon bendin, gjithkush shpreson se do të nisë një koncert me interpretime mjeshtërore, por me kalimin e kohës e shihni se keni atë ndjenjën kur prisnin autobusin e vonuar. Ju duhet të prisni me shpresë se do të vijë pas njëzet minutash. /KultPlus.com
Kjo është një foto e vitit 1931 ose 1932, kur Eqrem Çabej ishte në Horë t’Arbëreshvet – Piana degli Albanesi afër Palermos, Sicili (në atë kohë quhej ende Piana dei Greci).
Sapo kishte kryer studimet në Universitetin e Vjenës dhe kishte shkuar të studionte në vend arbërishten e Horës, përmbi të cilën po shkruante tezën e doktoratës “Italoalbanische Studien” (Studime italoshqiptare, ose arbëreshe).
Ende e pabotuar, kjo vepër rinie do të shohë së shpejti dritën e botimit, në përkthimin e Ardian Klosit, kryer rreth dhjetë vjet më parë. /KultPlus.com
Mbretëresha e muzikës pop, Madona, i ka mbushur 61 vjet, ndërsa festa e ditëlindjes së saj do të zgjasë tri ditë.
Këngëtarja edhe një herë ka treguar se “vitet janë vetëm numra”, duke e nisur me stil festimin e ditëlindjes së saj.
Ajo ka marrë vëmendjen me veshjen e saj – me kostum të një gjenerali ushtarak – teksa dëgjohet në video duke thënë: “Urime ditëlindjen mua”.
Një pjesë të atmosferës ekstravagante nga festa, Madona e ka ndarë me fansat e saj të shumtë në rrjetet sociale përmes fotografive dhe videove të publikuara.
“Ky është fillimi i tri mbrëmjeve madhështore festive”, ka thënë këngëtarja. /KultPlus.com
Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?
Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. /KultPlus.com
Nga libri “Dashuri Trasantantike” . Perkthyese Alda Bardhyli
Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve janë integruar plotësisht në vendet europiane. Ata kanë fituar me përpjekje meritat duke u bërë pjesë e kulturës së vendeve ku jetojnë dhe punojnë.
Një rast i tillë është ai i shqiptares, Sabina Gjocaj. Ajo në muajin korrik të këtij viti është zgjedhur zyrtarisht ambasadore e Universitetit të Groningenit, në Holandë. Shqiptarja e talentuar do ta përfaqësojë këtë universitet në arenën ndërkombëtare, i cili është i listuar në top 100 universitetet më të mira në botë.
Ajo është shprehur e nderuar dhe privilegjuar që është zgjedhur në mesin e studentëve që do ta përfaqësojë universitetin. Sabina aktualisht është në përfundim të studimeve në Programin LLM në Ligjin Global Penal, në këtë universitet.
Kjo arritje është një shembull i mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë, se me punë dhe përkushtim mund të arrihet gjithçka edhe jashtë kufijve shqiptarë. /KultPlus.com
Në Gjirokastër zbriti eventi i rradhës i “Open Cinema”. Ngjarja që vjen për të dytin vit rradhazi është çelur në odeonin e qytetit nga producenti dhe kineasti Skënder Jaçe.
Ai tha se magjia e kinemasë do të sjellë nostalgji, filma të shkëlqimit të kinemasë shqiptare para dhe pas viteve 90, por edhe shumë filma të huaj. Edukimi i publikut me këtë shfaqje të hapur në natyrë i rrit qytetet, ajo është pjesë se civilizimit shoqëror, tha producenti.
Filma si “Muaji i mjaltit”, “Zonja e panjohur” apo “Balkan Pazar” nga Edmond Budina janë pjesë e programit me titrim në anglisht për të tërhequr edhe vizitorët e huaj. Filma të tjerë si “Të thyer”, “Të ardhur nga ëndrrat” apo “Delegacioni” do të jenë pjesë e takimit 4 ditor me kinemanë.
Kudret Aliko kreu i Drejtorisë së Kulturës në Bashkinë e Gjirokastrës tha se eventi është mes ngjarjeve kryesore që bashkia mbështet përgjatë verës dhe po bëhet pjesë e kalendarit të natyrshëm kulturor të Gjirokastrës.
“Open Cinema” vjen sërisht nën prezantimin e Silvana Braçes dhe shoqërohet nga muzikantë të njohur dhe ritme lokale. Gati gjysma e publikut të natës së parë të “Open Cinema” ishin turistë të huaj që po kalojnë pushimet në Jug të vendit. /KultPlus.com
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ditëve të fundit ka shlyer qindra qytetarë shqiptarë nga regjistri civilë në Medvegjë. Me këtë veprim atyre u pamundësohet shfrytëzimi i të drejtës elementare për vendbanim dhe zgjedhje.
‘Gjendja është jashtëzakonisht e keqe, kemi problem me shlyerjen e shqiptarëve nga listat e votuesve. Kemi marrë hapa për ndalimin por Beogradi dhe serbët në Medvegjë nuk duan të kuptojnë që Medvegja ka shqiptarë dhe do të jenë gjithmonë me shqiptarë’ tha Florim Sahiti- këshilltar në KK Medvegjë.
Ndaj kësaj dukurie ka reaguar edhe Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar (KNSH) ‘Kemi kundërshtuar këtë proces diskriminues, anti-ligjor që po bëhet ndaj shqiptarëve të Medvegjës. Në këtë kuadër pavarësisht të gjithave që janë duke u përballur shqiptarët e Medvegjës, ne do duhej të mbledhim forcat dhe të kërojmë të drejtat tona’ tha Mustafa. /KultPlus.com
Ferizi+Ferizi Architects e ka fituar para disa viteve projektin për Prishtinën e Vjetër, dhe realizimi i saj pritet të ndodhë shpejt, shkruan KultPlus.
Ernest Ferizi, njëri nga arkitektët e këtij projekti që përfshinë një shtrirje të madhe të Prishtinës së Vjetër ka bërë të ditur se projekti i tyre tash duhet të shkojë në ndërtim.
Ai ka thënë për KultPlus tashmë hapi i radhës është tenderimi i një Kompanie për Ndërtim.
“Do të jetë një kompleks shumë i mirë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Ferizi. Më poshtë keni disa nga fotografitë e këtij kompleski që do të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, por duke ruajtur Prishtinën e Vjetër, pjesë edhe që identifikon këtë qytet./ KultPlus.com
Filmi me regji të Florens Papas e që për personazh kryesor ka Jonida Vokshin dhe Luli Bitrin, do të prezantohet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Premiera e këtij filmi do të prezantohet në mbremjën e së hënës, shkruan KultPlus.
”Open door” (Derë e hapur) tregon historinë e dy motrave që do të
ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit
tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma, që është një vajzë e re
shqiptare e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i
fëmijës tashmë është në burg. Pas depërtimit nga policia italiane, duke mos
ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet tek motra e saj e
madhe, Rudina.
Të dy motrat do të nisin
një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional.
Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do bëj ç’të mundet për të mos shkuar atje.
Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar
të Rudinës.
Tema që trajtohet është përplasja mes tradicionales dhe modernes midis brezave e cila është e pranishme dhe sot. “Derë e Hapur” merret me këtë tematikë edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera- herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri.Xhirimet e filmit janë bërë vjet në vjeshtë dhe premiera në Shqipëri sipas producentit pritet nga fundi i këtij viti./KultPlus.com
Elbenita Kajtazi e cila dita ditës është duke shënuar suksese të mëdha në vende të ndryshme të Evropës, është vënë në fokus të revistës prestigjioze Das Opernmagazin, e cila ka vënë në pah cilësitë e sopranos shqiptare, shkruan KultPlus.
Elbenita Kajtazi ka ndarë një pjesë të
kritikës së kësaj reviste e cila e ka shpërndarë në rrjete sociale.
KultPlus ju sjellë vështrimin e kësaj
reviste për artisten kosovare.
Kur vlerësohesh kaq lart nga një revistë
si Das
Opernmagazin, s’ke tjetër çfarë të ndjesh përveç lumturisë dhe përmbushjes
shpirtërore!!
“Që Elbenita Kajtazi (Pamina) tashmë është shpërblyer me çmime të shumta duket logjike vetëm pak minuta pasi t’a dëgjoni. Tingulli gamë i sopranos është verbues dhe i elektrizuar, i ngrohtë e miklues, i fuqishëm dhe prekës. E njëjta gjë me aktrimin e saj intens. Tamino gëzueshëm tenton t’i bie në sy duke u munduar të kap vëmendjen e saj, më vonë ajo është e dëshpëruar pasiqë ai e injoron. Njashtu edhe dedikimi i saj në fund, i cili është edhe më i rëndësishëm për dashurinë e saj sesa për jetën “/KultPlus.com
Ashtu siç kishte paralajmëruar, këngëtarja e mirënjohur Aurela
Gaçe ka publikuar sot projektin e saj të ri.
‘Më mbaj’ titullohet kënga e punuar nga Gent Myftaraj e vetë këngëtarja, me tekst të Mumës.
Si çdo herë tjetër, edhe kësaj radhe, Aurela nuk ka dëshpëruar fansat duke përmbushur pritshmëritë me ‘Më mbaj’, projekt ky që në minutat e parë nga publikimi ka marrë komente pozitive nga ndjekësit në rrjete sociale./KultPlus.com
Ministri i peshkimit në Norvegji, Per Sandberg, ka dhënë dorëheqje pasi ka pranuar se kishte thyer protokolet e sigurisë, duke pasur me vete telefonin zyrtar në pushimet e tij në Iran. Sandberg me vete ka pasur edhe vajzën e tij Bahareh Letnes (28), e lindur në Iran.
Kryeministrja Norvegjeze ka kërkuar nga Sanders, menjëherë pas kthimit nga pushimi të dorëzojë celularin organeve të sigurisë. Ministër i ri i peshkimit është emëruar Harald Tom Nesvik./Zeri.info
Në qytetin e Pietrasantes në Galerinë Spazio Dinamico Arte , artisti italo-shqipetar Milot, këto ditë ka hapur ekspoziten e tij personale “Mes botës aziatike e evropiane “ kuruar nga Niccolò Raugei, me tekstin kritik të Francesco Creta.
Milot
prezanton veprat e tij të fundit si në pikturë dhe në skulpturë, ku spikat si
gjithmonë stili i tij i vecantë me “Çelesat e Milotit”.
Në telajot e tij janë pikturuar skulpturat tona të mesdheut dhe ato aziatike. Alfred Milot Mirashi jeton në Firenzë dhe ka më shumë se 3 vjet që është emëruar profesor në Universitetin e Arte&Design në Jinan , Shandong, Kinë.
“Artisti
Milot jep mesazhin e tij në këto vepra që duhet të njohim më shumë kulturën tonë
shekullore, sepse jemi shumë indiferent, kundrejt së kaluarës tonë mesdhjetare,
ku e njëjta gjë është dhe në Azi”, thuhet në lidhje me këtë ekspozitë.
Galleria Spazio Dinamico Arte sapo kishte mbyllyr ekspoziten 1 mujore “ Mjeshtrat e Shekullit 900” ku kishte ekspozuar veprat e Pikasos, Miro, Dali, De Chirico, Burri , Christo e shume te tjere, tani në këtë qytet që quhet “Athina e vogel“, sepse është e mbushur komplet me Galeri Arti e me studio artistësh e fonderi, ku derdhen skulpturat në bronx, artistët nga e gjithë bota. Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 31 gusht 2019. /KultPlus.com
Teatri i Ferizajt ka njoftuar se ka ndërruar jetë aktori ferizajas Hafir Bislimi, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet
një njoftimi në faqen zyrtare të këtij institucioni bëhet e ditur se Hafir Bislimi
do të mbahet mend si një ndër emblemat e
gardës së vjetër të aktorëve të këtij qyteti.
“Lajmi
për vdekjen e parakohshme të aktorit ferizajas, gazetarit e moderatorit
shumëvjeçar Hafir Bislimi, na pllakosi pikëllim e boshllëk tek të gjithë ne.
Teatri
është në zi! Artistët janë të pikëlluar! Hafir Bislimi do të mbahet mend gjatë
si një nga emblemat e gardës së vjetër të aktorëve ferizajas që shkëlqeu në
dërrasat e Teatrit, në vitet më të vëshitra të artit tonë skenik.
E
pikërisht në 8 vjetëshin kur kësaj bote i dha lamtumirën përgjithmonë ikona e
teatrit ferizajas, Ismajl Rama, humbëm edhe njërin nga të rrallët e skenës
teatrore ferizajase, Hafir Bislimin.
Ngushëllime
familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të artistëve!
I
qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Për të rikujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, Teatri “Adriana” nesër më 19.08.2019, ora 13:30, në sallën e Teatrit, organizon mbledhje komemorative.”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Ferizajt./KultPlus.com
Ministria e Kulturës e Malit të Zi do të dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i Tërgajës” në Cem të Malësisë, gjatë të cilit është shfaqur flamuri kombëtar shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi, njoftohet nga ky institucion raporton Zeri i Amerikes.
“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit. Theksojmë se manifestimet e kulturës nuk mund të guxojnë të jenë paravan për çfarëdo lloj nacionalizimi, as për shkeljen e normave të cilat janë të përcaktuara qartë me dispozitat pozitive ligjore të Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze.
Ndaj paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës ka reaguar nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni që mbanë pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar.
“Jam i befasuar në mënyrë të pakëndshme. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”, thuhet në reagimin e Nimanbegut.
Ligji mbi simbolet kombëtare në Mal të Zi parasheh gjobë për përdorimin e çdo flamuri kombëtar pa flamurin e shtetit të Malit të Zi.
Kohëve të fundit është shënuar rasti i një qytetari në Ulqin, i cili u dënua për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël shqiptarë, ndërsa në Malësi një qytetar tjetër kishte vendosur flamurin shqiptar në shtëpinë e tij private. Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë dorëzuar përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin malazez, por në votimin e deputetëve ky propozim nuk mori shumicën e votave në parlament. / VOA
Disa murgesha serbe në Manastirin e Beshkës afër Liqenit të Shkodrës u kanë thënë mediave serbe se janë kërcënuar.
‘Po ju kërkojmë, jemi në mbështetje të Kosovës’,
kësisoj tregojnë murgeshat se u janë adresuar disa shqiptarë në këtë pjesë të
ishullit Beshka në Bar të Malit të Zi.
Siç tregojnë për Tanjug murgeshat, dhjetë shqiptarë – fëmijë, burra e gra kanë hyrë të mërkurën në këtë Manastir dhe kanë kërkuar të fotografojnë brenda. Kësisoj më pas ka plasur sherri dhe shqiptarët kanë folur për Kosovën dhe kanë ngritur zërin. Ata kanë kërkuar ta takojnë murgeshën kryesore e cila është serbe por flet shqip.
Sipas murgeshave, ata kanë përmendur Kosovën dhe kanë nisur përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Rasti është paraqitur në Polici por askush nuk
është arrestuar apo nuk është kërkuar nga Policia.
Murgeshat po frikësohen edhe të dalin prej
Manastirit, shkruan Tanjug. /
KultPlus.com
Nga familja e shkrimtarit të madh ka dalë edhe Norah Borges, emri i vërtetë i së cilës ishte Leonor Fanny Borges Acevedo.
Në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar ajo ishte një ndër gratë e para që u angazhua në artin modern. Ajo ishte piktore ndërsa shpesh bashkëpunoi edhe me Borgesin, kur punoi në ilustrimin e disa revistave të kohës, në Argjentinë dhe jashtë, shkruan KultPlus.
Ajo ishte edhe kritike e artit dhe pjesë e Ultraismo – një lëvizje letrare në Spanjë në vitin 1918, si formë tjetër për të kundërshtuar modernizmin e asaj kohe. Ajo shkruante poashtu, poezi dhe tregime të shkurtra.
Pos librave të saj, në të cilët ajo u angazhua edhe për të realizuar kopertinat dhe pikturat e vizatimet e bukura, ajo punoi edhe në plot ilustrime e libra të tjerë. / KultPlus.com
Ti me pëlqen shumë, Por, nuk kam guxim As ma t’voglën fjalë me ta thanë. Turpnohem dhe skuqem Dhe vdes tue belbëzue, Prandej po e marrë guximin me t’shkrue përmes postës:
Një letër dashnie po ta shkruej sot prej mëngjesit, në orën tetë, Tanë natën Veç për ty kam mendue, asgja tjetër. Kisha dashtë sall dy fjalë më t’i shkrue: <Të due>-shkurt e thjeshtë, Por, për fat të keq, për fat të keq s’po guxoj! Prandej po të shkruej për gjana dhe njerëz Që në thelb s’kanë asnjë randësi për mue. Pa marrë parasysh se çka ka me qenë e shkrueme në këtë lëtër- Veç një domethanie e ka: më ka marrë malli për ty!
E poshtun kam qenë ndaj teje, I neveritshëm ke qenë ndaj meje, Por, këtu s’ban punë tash as vajtimi, as psherëtima, Grindje ka gjithkund, por i mençmi lëshon pe, Sepse ne sërisht duem me u pajtue:
Një letër dashnie po ta shkruej sot prej mëngjesit, në orën tetë, Tanë natën Veç për ty kam mendue, asgja tjetër. Kisha dashtë sall dy fjalë më t’i shkrue: <Të due>-shkurt e thjeshtë, Por, për fat të keq, për fat të keq s’po guxoj! Prandej po të shkruej për gjana dhe njerëz Që në thelb s’kanë asnjë randësi për mue. Pa marrë parasysh se çka ka me qenë e shkrueme në këtë lëtër- Veç një domethanie e ka: më ka marrë malli për ty.
Vera Kokošević-Filipović, një grua e veçantë e karizmatike serbe, dikur këndonte në Radio Begrad këngë shqipe.
Para se të fillonte Lufta e dytë Botërore,
Vera udhëtoi për në Kosovë e për në Shqipëri, vizitoi Shkodrën prej nga edhe
morri meloditë më të bukura dhe i këndoi, e vetme, në radio.
Vera ishte edhe një studiuese e thuktë e muzikës. Për të, kishte një ngjashmëri midis këngëve shqiptare dhe atyre serbe. Ajo ishte e dhënë pas arijeve.
Fatkeqësisht, asnjë prej incizimeve të saj në Radio Beograd nuk janë gjetur asnjëherë. Etnomuzikologu serb Kosta Manojlovic i ka gjetur disa incizime ku ajo këndon në gjuhën shqipe, ndërsa ekzistojnë edhe incizime të Verës në Gjilan, në vitin 1930. Askush nuk dëshiron ta financojë digjitalizimin e këtyre incizimeve ekzistuese.
Madje, ka shumë pak incizime dhe asnjë në Youtube me emrin e Vera Kokosevic.
Në këto incizime që ekzistojnë, të cilat KultPlus i ka marrë nga Nikola Zekic, ajo dëgjohet duke kënduar “Karafilat qi m`ka Shkodra”, “Më ban zemra tik e tak” dhe këngë tjera shqipe.
Vera sot duket se është harruar, si në Kosovë e Shqipëri e poashtu edhe në Serbi, prej nga e ka pasur prejardhjen, ani pse mbetet një prej këngëtareve më të njohura të viteve 30-të në Serbi, bashkë me Jelena Vujanovic, Emilia Putnik, Uros Seferovic, Rasa Radenkovic, Dobric Grozdanovic, Drago Ckonjevic e këngëtarë tjerë, shkruan KultPlus.
Vera ka kënduar bukur edhe në gjuhën spanjolle, sidomos në vitin 1943 kur asaj iu dha hapësirë në Radio Beograd për të interpretuar shpesh në gjuhë të huaja. / KultPlus.com
(SHËNIM: Në foton e ballinës është Svetlana Kondiq dhe Gava Gavriloviq. Nuk ekziston një fotografi që ne mund ta gjenim të Vera Kokoseviq)