Kadare: Lasgush Poradeci, shkrimtari më i vetmuar i galaktikës komuniste

Në vitin 1944 kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, poeti më i madh i vendit dhe një nga më të mëdhenjtë e kësaj pjese të Europës, Lasgush Poradeci, ishte 45 vjeç.

Përveç veprës poetike, që ngjante edhe më luksoze në sfondin disi të ashpër të letrave shqipe, kishte gjithçka tjetër për përhiroren (aureolën) e poetit: Studimet shumëvjeçare në Austri, një lloj prarimi elitar, dy-tri histori dashurie, fejesën me një nxënëse të Institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe, kryesorja, një fantaksje, që me pak mirëdashje mund të quhej krisje prej poeti e me pak keqdashje, çmenduri.

Ishte kjo e fundit që, me sa dukej, e shpëtoi. Sunduesit shqiptar do t’i jetë dukur jo fort i rrezikshëm, sidomos në krahasim me shkrimtarët me hije kërcënuese, që e kishin lënë ndërkaq Shqipërinë, si Ernest Koliqi e Mithat Frashëri.

Me kalimin e kohës, terrori forcohej. E bashkë me të etja për pushtet. E pas saj sëmundja e lavdisë. E me të, smira që s’mungon kurrë. Nga shkrimtarët e mbetur prej mbretërisë, dy prej tyre, Dh. Paskon dhe P. Markon, i futi shpejt e shpejt në burg. Më pas, pas prishjes me jugosllavët, me të njëjtin ngut do t’i nxirrte, me shpjegimin se ai s’kishte dashur, por ç’t’i bënte jugosllavëve që kishin ngulmuar! (Stalini s’donte për Mandelshtamin, por ç’t’i bënte Pasternakut!)

Dy të tjerë, Spasse dhe Xoxa, pas një kërcënimi paralajmërues me shkas biografik, u lanë të qetë. Më ngatërrestari i të gjithëve, peshkopi Fan Noli; që e kishte bërë lëmsh Shqipërinë me komplote, kundërkomplote e drama të Shekspirit, për fatin e mirë të tiranit ndodhej në mërgim dhe, i lodhur nga gjithçka, po bëhej gati në moshën shtatëdhjetëvjeçare të hynte si student për muzikë!

Mbetej vetëm Lasgush Poradeci, poeti me hije princi, që e kishte shpallur veten “zog i qiejve”, aq i mënjanuar nga jeta, saqë dukej se do të mjaftonte vetëm një shkelm për ta kthyer prapë atje, midis yjsh, që në të vërtetë ishin dhe titujt e dy veprave kryesore të tij, “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

Ndodhja e një poeti të tillë në një diktaturë komuniste, ngjante si një gabim i stinës. Vendet aleate, Rusia, Hungaria e të tjerë, nuk jepnin shembull kaq të spikatur. Në Rusi për shembull, kishin qenë një grup i përzier, tokësorësh e qiellorësh, Blloku, Majakovski, Ahmatova, Cvjetajeva, Bulgakovi, Pasternaku, që ishin gjendur pak a shumë bashkë. Kurse ky paskësh qenë më i vetmuar se vetmia vetë.

I papërsëritshëm në asgjë, u duk se edhe zgjidhjen e çështjes së tij e gjeti vetë. E përjashtoi veten nga gjithçka, duke ia bërë të qartë paktin tiranit të ri. Ai pakt përmblidhej në dy fjalë: “zëre se s’jam!”.

Kështu ai shestoi atë që u quajt vdekja e tij për së gjalli. Për dyzet vjet nuk do të ndihej askund. Ai e dinte këtë mjeshtëri, ndoshta të vetmen, pas artit. Në kohën e mbretërisë kishte lidhur një pakt të ngjashëm me mbretin Zog. Thelbi ishte i thjeshtë: ti je zog në tokë, unë në qiej. Secili në punë të vet.

Pakti me sunduesin e ri, për çudi, po ecte. Gjëmonin mitingjet nga brohoritjet “Rroftë”! për sunduesin, po aq sa ç’ishte e kundërta: heshtja për poetin. Në vend të rroftë! ishte mos rroftë! Për të mos thënë mos qoftë! E në qoftë se këto do të dukeshin disi të tepruara, puna do të përfundonte te një gjetje disi e mesme: udhëheqësi rroftë! poeti mungoftë!

Ai mungonte aq shumë dhe aq gjatë, saqë një pjesë e njerëzve, për të mos thënë gjysma e Shqipërisë, e dinin të vdekur.

Pakti për një çudi të madhe vijonte. Poeti më i madh i vendit, vazhdonte të rronte me kostumin e vdekjes. Fjala “vdekëronte” u përdor, me sa dukej, për herë të parë për të. Frika nga shkrimtarët e përjetshëm, më i madhi tmerr i çdo tirani, qetësohej prej kurtizanëve të tij. Si mund të ishte i përjetshëm, pa qenë i jetshëm?

Dyshimet megjithatë nuk mungonin. Ishte vërtet i mënjanuar, apo hiqej ashtu? Për çdo rast do të merreshin masat kun-dër tij. Dhe ato u morën: të egra si askund, çnjerëzore.

Si ai që i jep plumbin e fundit viktimës së rrëzuar, për t’u bindur për vdekjen e tij, regjimi shqiptar sajoi një kinse devizë, një maksimë, një klishe: poet i mirë, por njeri i keq!

Janë ca gjëra që ecin në çdo kohë. Çdo vend komunist kishte zyra të veçanta që merreshin me poshtërimin e njerëzve të shquar të kulturës. Shquhej për këtë Gjermania Lindore. Dhe Rusia natyrisht, nëna e të gjithave.

Për Lasgushin pëshpërima më e përhapur ishte kinse çmenduria e tij. Kjo ishte edhe më e lehtë për t’u besuar, për shkak të sjelljeve të tij tepër të çuditshme. Por s’ishte kjo që e dëmtonte, madje bënte të kundërtën.

Kurse shpifjet ishin të shëmtuara si për rrallëkënd. Përveç egocentrik, e bënin mosmirënjohës, shpirtkazmë me gruan, shpërfillës e cinik të pashoq.

Sunduesi shqiptar nuk e ka takuar asnjëherë poetin më të madh të Shqipërisë. Pas vdekjes së të dyve, kur u kujtuan se sa turpëruese ishte kjo për tiranin kinse artdashës e frankofil shqiptar, u sajuan me shpejtësi ca shënime ditari të tij, ku të dëshmohej e kundërta: adhurimi për poetin.

Për fatin e keq të tij dhe për fatin e mirë të poetit, ishte një skenë ku të dy personazhet u gjendën përbri njëri-tjetrit si në teatër: bregu i liqenit të Ohrit.

Dihej botërisht se sa i pandarë ishte ky liqen prej poetit. Lidhej me gjithçka të tij, me poezinë, me metaforat e rralla, së fundi me vetë emrin Poradeci, që poeti, duke e marrë prej tij, e kishte shpallur, si të thuash veten, si bir për shpirt i liqenit.

Pikërisht në breg të ujanës së famshme, sunduesi i Shqipërisë e kishte bërë zakon të kalonte çdo vit pjesën më të madhe të verës. Ishin, pra, përbri njëri-tjetrit, disa qindra hapa larg, dhe këtë s’kishte njeri që s’e dinte.

Poeti e kalonte verën pothuajse i vetmuar në “kullën” e tij, siç e quante shtëpizën e vogël jo larg bregut. Dyqind hapa më larg, sunduesi ftonte herë pas here miq, kryesisht anëtarë të Byrosë Politike, gjysma e të cilëve ishin budallenj, por edhe njerëz të kulturës, aktorë nga Korça, për shembull, zyrtarë të rrethit, apo gazetarë a filozofë të huaj majtistë. (Të njëjtën gjë, por me më tepër luks, bënte disa kilometra më tej, në vilën e tij të pushimit, në pjesën jugosllave të liqenit, shemri i tij i përjetshëm, Titoja.)

Pikërisht në këtë skenë idilike, vit pas viti, sunduesi i Shqipërisë deshi t’i tregonte shpërfilljen e tij poetit më të madh të shqiptarëve.

Mbreti Zog, ishte si ishte, më dërgoi dy herë mjekun e tij, kurse ky i tanishmi, as që ka pyetur ndonjëherë jam apo s’jam gjallë.

Këto qenë fjalët që më besoi një pasdite vere në breg të liqenit që mbante emrin e tij.

S’të shoh. Pra s’je. Ky ishte urdhri i diktatorit.

Ky ishte vërtet urdhri, por sunduesi ishte i rremë në sytë e poetit. Ndaj dhe urdhri i tillë do të ishte: i rremë.

Përgjigjja e Lasgush Poradecit ishte ndoshta më e pashembullta në hyllësinë e komunizmit. Në pamje të parë dukej sikur poeti e kishte ulur kryet, duke pranuar mosqenien e vet. Ai kishte veshur kostumin e vdekjes dhe ashtu, si hije, u hoq mënjanë.

Ndërsa vetëvrasja e Senekës kishte vazhduar një natë të tërë, vetëshuarja e Lasgush Poradecit do të zgjaste dyzet vjet. Dyshimet herë pas here rizgjoheshin: është shuar vërtet? Mos po e fsheh kurorën, e bashkë me të skeptrin?

Përgjuesit, ish-shokë të fëminisë, ndonjë arkitekt gjysmë i verbër, apo që hiqej ashtu për ta përgjuar më mirë, nuk i ndaheshin.

Tirani shqiptar duhej të ndiente dehjen e ngadhnjimit; e kishte mposhtur poetin mu në truallin e vet pogradecar e kjo ishte njëlloj si ta kishte mposhtur midis yjsh, banor i të cilit qe shpallur.

Kështu vazhdonte kjo histori, gjersa një ditë, poeti, që prej kohësh pritej të ikte më në fund nga kjo botë, me fjalë të tjera, të vdiste, brenda vdekjes, siç thuhej, dha një shenjë. S’ishte as vjershë kundër shtetit, as mahi a testament, por tjetër gjë: kishte rënë në dashuri.

Ishte mbi 80 vjeç kur ndodhi kjo. Tirani ndërkaq nuk kishte mbushur as 70-të, dhe dihej se prej kohësh u kishte lënë lamtumirën grave.

E kishte marrë vesh vallë? Dhe si e kishte kuptuar? Si sfidë të poetit, si humbje të bastit me të?

Për dashurinë, o Zot

Që shemb një burrë…

Vargjet e ndoshta poezisë më të bukur të tjetrit, të shkruara, me sa dukej, për këtë rast, tingëllonin vërtet enigmatike. Poeti pranonte një rrëzim të tij, një shembje. Dukej sikur i thoshte tiranit: u ktheva në jetë për t’u shembur, por jo prej teje, prej një gruaje.

Në kohën e errët të urrejtjes, ai i qe përkulur dashurisë.

Pyetjes që aq shumë i tmerroheshin të gjithë: ku ishe ti, Adam?, ai mund t’i përgjigjej: sa ishte ai, unë s’isha. Dukej se s’kishte vend për të dy.

Pyetjes tjetër, se ç’bëri aq sa të kujtohej kaq mallëngjyeshëm, do t’i përgjigjeshim ne të tjerët. Ashtu, i pajetshëm, siç ishte, na mbrojti ne të tjerëve prej dufit të herëpashershëm psiko-tiranik, alla Neron.

Shkrimtarëve të mëdhenj të vetmuar, iu binte disa herë ky fat i rrallë: ai i rrufepritësit. Etja e tiranit për rrënim, furia e tij, përzier me dehjen që i jepte mposhtja e një princi të artit, përplaseshin e shkriheshin në radhë të parë te ky, pa i arritur të tjerët. Por të tjerët, të shushatur, siç ishin nga tmerri, në vend që t’i ishin mirënjohës, e braktisën në vetminë e tij.

Lasgush Poradeci ishte shkrimtari më i vetmuar i galaktikës komuniste, e ndoshta i krejt planetit. Ne që e donim ishim fare të paktë, jo më tepër se një grimcë rëre në ranishten e pafund të harrimit.

Diktatori vdiq më 1985. Ia kishte lënë, më në fund, vendin, por poetit ende s’po i dilte e ftohta e vdekjes. Më 1986, botuesit tim francez, Claude Durand, që ndodhej në Shqipëri, ia tregova historinë e të parës sfidë të tij, që ishte njëherësh, e fundmja: dashurinë e tij. Atë për një grua. Atë që shembte një burrë.

Novelën “Ikja e shtërgut”, që isha duke shkruar ndërkaq për të, e mbarova me ngut, në mënyrë që Durand-i ta merrte me vete, bashkë me dorëshkrimin e “Hijes” e të “Vajzës së Agamemnonit”.

Lasgushi, ndonëse ishte ende gjallë, s’dinte asgjë, dhe s’do ta merrte vesh kurrë.

Vdiq në vitin 1988, në kohën që në mes të Tiranës po ngrihej shtatorja e diktatorit.

Në dimrin e vitit 1991 shtatorja do të rrëzohej e do të hiqej zvarrë përmes Tiranës. Pak kohë më pas, në breg të liqenit të Ohrit, si një shenjë hyjnore do të ngrihej befas shtatorja e atij që dukej sikur kishte qenë pa jetë tokësore, për ta pasur atë në bronz: Lasgush Poradecit.

Ngrihej si një mrekulli te bregu i liqenit, të cilin ai po e merrte përsëri, pikërisht tek ai breg ku rronte e nuk rronte, ku vdiste e nuk vdiste dot…

E kishte marrë pra, prapë liqenin, dhe pas tij, gjithçka tjetër që kishte humbur. Sepse poetët kanë, veç të tjerash, veçantinë që edhe po të duan të humbin, nuk humbin dot…

(Pjesë nga bisedë me Kadarenë, marrë nga libri “Dosja Bilal Xhaferi” i gazetares Aida Tuci, Onufri, Tiranë, 2014) /KultPlus.com

Flasin ekspertët për ndryshimet gjuhësore dhe pastërtinë e shqipes

Në Tiranë, studiues dhe qytetarë, të vëmendshëm ndaj çështjeve kulturore, diskutojnë me shqetësim mbi pastërtinë e gjuhës shqipe dhe ndikimit të saj nga gjuhë të tjera.

Autoritetet e kanë kthyer lëndën e shqipes në shkollat e mesme, por sërish problemet janë të dukshme.

Studiuesit shqipes pohojnë se ndikimi prej gjuhëve të tjera, apo hyrja e fjalëve nga gjuhë të tjera janë dukuri që përsëriten në shekuj dhe u ndodhin të gjithë gjuhëve. Por mësimi i Gjuhës shqipe nuk mjafton thjesht të ndalet rregullat e drejtshkrimit. Alarmi i vërtetë sot, sipas studiueses Enkeleida Kapia, është mospërdorimi i dendur i gjuhës shqipe me shkrim e lexim.

“Nxënësit nuk lexojnë më, ata nuk shkruajnë më. Disa nga rregullat drejtshkrimit, për të cilat ne jemi të shqetësuar sot, vijnë pikërisht nga leximi i theksuar dhe shkrimi i theksuar, praktikave që ne kemi në shkolla. Ato vijnë edhe për shkak se si e konceptojmë mënyrën e mësimit të gjuhës amtare, duke filluar nga programet e formimit të mësuesve” – tha gjuhëtarja Enkeleida Kapia, nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, raporton Zëri i Amerikës.

Vitet e fundit është rritur vëmendja shtetërore ndaj gjuhës shqipe dhe po shtohen orët e mësimit në programet shkollave. Kjo vjen për shkak të shqetësimit të përgjithshëm se gjatë tranzicionit shqipja u destabilizua dhe mori ndikime e goditje nga më të ndryshmet, thotë studiuesja Anila Omari.

“Ndryshimet kryesore janë në fushën e leksikut, që është edhe pjesa më e lëvizshme e gjuhës, dhe më të ngadalshme janë në gramatikë e në sintaksë. Edhe atje vihen re ndryshime. Shikojmë forma të çuditshme të emrave në numrin shumës si shall / shaje, link / linqe, truk / truqe” – tha Omari.

Shqipja është vazhdimisht nën presionin e gjuhëve me status ndërkombëtar si anglishtja, por po aq i madh është ballafaqimi i saj me gjuhët e vendeve fqinje si italishtja dhe greqishtja për shkak të emigrimit dhe shkëmbimeve ekonomike.

Kjo është fusha e parë ku duhet bërë kujdes më i madh, thotë Valter Memisha, drejtues i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Në radhë të parë është ndikimi në leksik, ku futen shumë fjalë. Ka një konkurrencë të gjerë fjalë shqipe / fjalë e huaj. Njerëzit janë pragmatistë dhe përdorin fjalën që kanë më lehtë. Por institucioni ynë punon t’i japë përparësi fjalës shqipe” – thotë Memisha.

Emigrimi i shpeshtë, tregtia me të huajt, shkollimet jashtë vendit, apo pushtimet shumë-shekullore, janë dukuri të përbotshme, ku gjuhët ndikohen shumë nga njëra tjetra.

Nevoja kryesore për shqipen është se në shkolla duhet të mësohen etapat e zhvillimit historik të saj, në mënyrë që ajo të njihet sa më thellë, pohojnë studiuesit, sepse kështu ajo mbrohet më mirë.

“Mendoj se alarmi që është ngritur më tepër me faktin që ne si popull, për shkak të mënyrës se si jemi shkolluar, nuk njohim mirë fazat historike të zhvillimit të shqipes. Nëse do t’i njihnim mirë këto faza, nuk do ta quanim këtë periudhë ku jemi si një rrezik i jashtëzakonshëm. Këto kanë ndodhur në periudha të ndryshme në të gjitha gjuhët, sepse përndryshe ne do të vazhdim të flisnim gjuhën e Budit dhe të Bogdanit” – tha Kapia.

Shkurtimet e fjalëve në komunikimet e rrjeteve siç nuk e prishin gjuhën, thekson nga ana tjetër Omari, por vëmendja e qytetarëve dhe administratës ndaj gjuhës duhet të jetë më e madhe dhe përmirësime po ndjehen si nga futja e redaktorëve gjuhësorë ashtu edhe nga futja e gjuhës shqipe në shkollat e mesme.

“Shkolla është baza për çdo gjë dhe aty duhet mëshuar më shumë. Mësimdhënia dhe trajnimi i mësuesve janë pika ku duhet patur shumë kujdes, sepse edhe aty ka mungesa. Gjithashtu duhet një reformë me tekstet, duhet një rikonceptim i mësimdhënies së gjuhës dhe letërsië shqipe në shkollë. Është gjë e mirë që edhe shteti e ka kthyer vëmendjen ndaj gjuhës dhe ndoshta bëhet diçka në këtë aspekt, pra në mësimdhënie” – tha Omari.

Marrëdhëniet e shqipes me dialektet e saj në krahinat më të larmishme, sepse ende nuk është studiuar plotësisht struktura sintaksose dialektore e saj.

Memisha thotë se një nga projektet më të rëndësishme të institutit që ai drejton është ai mbi variacionet sintaksore të shqipes.

Ai shton se kujdesi për shqipen është i përditshëm, pavarësisht se sfidat janë të shumta.

“Ne duhet të ruajmë atë që është kryesorja: strukturën gramatikore. Një gjuhë e përcakton struktura gramatikore. Nëse prishet struktura gramatikore, në sintaksë dhe në gramatikë, atëherë prishet fytyra e gjuhës dhe gjuha do të shuhet edhe vdesë dalëngadalë. Shqipja është një nga gjuhët më vitale në botë. Jemi një popull i vogël dhe kemi një gjuhë që nuk është asimililuar, edhe pse pushtuesit tanë kanë qenë këtu me shekuj” – tha Memisha.

Pas botimit të Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe, studiuesit po përgatitin Fjalorin Historik të Shqipes si dhe punojnë me fjalorët e leksikografisë dialektore, për një fjalor të plotë gjuhës shqipe, për një gramatikë të plotë të shqipes, duke bashkërenduar veprimtarinë shkencore me qendrat studimore në Prishtinë dhe universitete të tjera. /KultPlus.com

Seriali “Watchmen” më në fund e ka datën e premierës

HBO më në fund e ka publikuar datën e premierës për serialin e shumëpritur Watchmen, me regji të Damon Lindelof.

Premiera e serisë do të jetë të dielën, 20 tetor në ora 21 në SHBA, ndërsa një javë pas premierës në ora 22 do të shfaqet sezoni i gjashtë dhe i fundit i Silicon Valley, kështu që HBO ka përparësi të madhe për atë ditë.

Image

Seriali i zhanrit dramë është bazuar në stripat e famshëm të Alan Moore nga vitet 1980, ndërsa në HBO serialin e përshkruajnë kështu: Seriali Watchmen është vendosur në një histori alternative, në të cilën hakmarrësit e maskuar trajtohen si kriminelë, ndërsa seriali do ta përqafojë nostalgjinë e stripit origjinal revolucionar ndërkohë që do të përpiqet të jetë i pavarur.

Ende nuk dihet se në ç’drejtim do të shkojë seriali, përveç që dihet se nuk do t’i ritregojë drejtpërdrejt stripat dhe se ngjarja do të vendoset rreth 30 vjet më vonë. Qysh në korrik, regjisori Lindelof deklaroi se nuk do të ndërhyjë dhe t’i ndryshojë ngjarjet nga stripat dhe se nuk janë duke e përgatitur kurrfarë rebooti. Sipas të gjitha gjasave, duhet ta presim mesin e tetorit për të parë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë.

Regjinë e episodit të parë e ka bërë Nicole Kassell sipas skenarit të Lindelof. Në Watchmen luajnë Jeremy Irons, Regina King, Jean Smart, Don Johnson, Tim Blake Nelson, Louis Gossett Jr., Yahya Abdul-Mateen II, Adelaide Clemens, Andrew Howard, Tom Mison, Frances Fisher, Jacob Ming-Trent, Sara Vickers. Dylan Schombing, Lily Rose Smith dhe Adelynn Spoon. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=1yKq1PRvPJQ

Filmat kandidatë për “Luanin e Artë”

Më poshtë vijojnë 21 filmat në konkurrim për ”Luanin e Artë” të edicionit të 76-të të Festivalit të Venecias:

– “The Truth” i japonezit Hirokazu Kore-Eda

– “The Perfect Candidate” i saudites Haifaa Al-Mansour

– “About Endlessness” i suedezit Roy Andersson

– “Wasp Network” i francezit Olivier Assayas

– “Marriage Story” i amerikanit Noah Baumbach

– “Guest of Honor” i kanadezit Atom Egoyan

– “Ad Astra” i amerikanit James Gray

– “A Herdade” i portugezit Tiago Guedes

– “Gloria Mundi” i francezit Robert Guediguian

– “Waiting For The Barbarians” i kolumbianit Ciro Guerra

– “Ema” i kilianit Pablo Larrain

– “Saturday fiction” i kinezit Lou Ye

– “Martin Eden” i italianit Pietro Marcello

– “La Mafia Non è Piu Quella Di Una Volta” i italianit Franco Maresco

– “The Painted Bird” i çekut Vaclav Marhoul

– “Il Sindaco Del Rione Sanita” i italianit Mario Martone

– “Babyteeth” i australianit Shannon Murphy

– “Joker” i amerikanit Todd Phillips

– “J’accuse” i franko-polakut Roman Polanski

– “The Laundromat” i amerikanit Steven Soderbergh

– “N°7 Cherry Lane” i hong-kongasit i Jonfan. /KultPlus.com

“Martesa mund të presë, arsimimi jo”

Shprehjet më të bukura nga librat e Khaled Hosseinit.

“Nga gjithë vështirësitë që një person duhet të përballojë, asgje nuk është më munduese se akti i thjeshtë i pritjes”.

“Një shoqëri nuk ka asnjë mundësi suksesi, nëse vajzat e saj nuk janë të edukuara”.

“Prapa çdo trishtimi dhe pikëllimi që Ai na vë përballë, Zoti e ka një arsye”.

“Mësoje këtë gjë tani dhe mësoje mirë. Si një busull që tregon përherë veriun, gishti akuzues i një mashkulli do të drejtohet gjithmonë drejt një femre. Gjithmonë”.

“Disa gjëra mund të t’i mësoj unë. Disa gjëra i mëson nga librat, por ka disa gjëra të tjera që  duhet t’i shohësh dhe t’i ndjesh për t’i kuptuar”.

“Dashuria mund t’i bëjë njerëzit të veprojnë në mënyra të paimagjinueshme dhe t’i nxisë ata të kalojnë pengesa të frikshme me një heroizëm befasues”.

“Tregoja sekretin tënd erës, por mos e fajëso atë nëse ia tregon pemëve”.

“Nuk duhet ta ndalosh veten për të qenë ai/ajo që je”.

“Martesa mund të presë, arsimimi jo”.

“ Dashuria ishte gabimi më i dëmshëm dhe bashkëfajtorja e saj, shpresa, një iluzion i pabesë”.

“Pendesa… kur vjen puna tek ty, kam një oqean të tërë me pendesë”.“Njerëzit nuk duhet të lejohen të kenë fëmijë të rinj, nëse ia kanë falur gjithë dashurinë e tyre fëmijëve të vjetër. Kjo gjë nuk ishte e drejtë”.

“Ti nuk do të qash, apo jo?

– Nuk do të qaj. Jo për ty. As për 100 vite”.

“Më mirë të lëndohesh nga e vërteta, se sa të rehatohesh me një gënjeshtër.”

“Mund të duket e padrejtë, por ajo që ndodh brenda disa ditëve, ndonjëherë edhe brenda një dite të vetme, mund ta ndërrojë drejtimi e një jete të tërë.”“Njeriu që nuk ka ndërgjegje, që s’ka mirësi, ai nuk vuan.”

“Një lumturi e tillë është e frikshme… ata ta lejojnë këtë llojë lumturie vetëm nëse janë duke u përgaditur të marrin diçka prej teje.”

“Qyqarllëku s’ka asgjë të keqe për aq kohë sa ai vjen me maturi. Por, kur qyqari fillon të harrojë se kush është… Zoti e ndihmoftë.”

“Ndoshta ky është ndëshkimi për ata që kanë qenë zemërgurë: të kuptojnë vetëm atëherë kur asgjë nuk mund të zhbëhet.”

“Sepse shoqëria nuk e ka asnjë mundësi për sukses, nëse gratë e asaj shoqërie janë të paedukuar, Laila. Asnjë mundësi.” /KultPlus.com

Në galeritë e mjeshtrave

Një konteshë dhe shkrimtare, krekoset solemnisht në tablonë e Federico de Madrazo y Kuntz.

Amalia de Llano Dotres, Konteshë e Vilches Amelia Vilanova de Nadal, vepër e piktorit spanjoll Federico de Madrazo, e datuar më 1853. Është shumë e bukur.

Ndoshta vetëm kaq nuk mjafton, por gjithçka që mund të thuhet për këtë tablo është një përjetim përshkues të asaj që percepton shqisa jonë e të parit dhe rreket të jetësojë njohja jonë që kapërcën kohërat dhe ndalon atje në atë ambient mondan spanjoll, ku kjo kontesha është ulur në një kolltuk të shkëlqyeshëm dhe imponon një ceremonialitet hijeshues. Figura e saj e ndezur dhe vezulluese, në dhomën me hije, duket sikur piktori ka derdhur dritë nga këndi i shikimit të tij. Ky portret tërheqës ka një frymëmarrje të tendosur franceze. Dallojmë ndikimin e qartë nga punët e Ingres. Ajo është larguar nga kufizimi i ashpër i traditës Spanjolle, për ti dhënë një dimension të ri shprehës impresionit. Është një kumt i ngrohtë mesdhetar, i mbuluar nga një hijeshi solemne.

Madrazo nxjerr në pah rininë e konteshës, freskinë dhe tejpamësinë e hirit të saj. Amalia de Llano (29 prill 1822 – 6 korrik 1874), jo vetëm një konteshë por dhe një shkrimtare spanjolle, në atë kohë që piktori e ka përjetësuar ishte 32-vjeçe. Bukuria e saj, shikimi joshës dhe bardhësia prej porcelani e lëkurës, vijnë nëpërmjet penelatave të mjeshtrit kaq të gjalla dhe përshkuese. Efekti sensual është rritur nga rrobat dhe poza e saj, të denja për një konteshë. Kokë e ngritur pak, duke u mbështetur në dorën e djathtë e derdhin këtë hir në një gjëndje ngasëse meditative. Mund të lexohet qartë çdo detaj i këtij momenti solemn, që dominohet nga veshja madhështore dhe e kaltra prej një deti të dalldisur. Çdo gjë në paraqitjen e saj është e kuruar me një kujdes të admirueshëm. Një shpurë e tërë oborrtarësh duhet të kenë qenë gozhduar mbi këtë fokus që shohim ne sot. Asgjë nuk tolerohet. Gjithçka duhej dhe piktori e ka evidentuar këtë, të ishte perfekt.
Piktori, Federico de Madrazo y Kuntz (9 shkurt 1815 -10 qershor 1894 ) mësimet e para i mori nga babai i tij.

Ndërsa ndiqte mësimet në Akademinë Mbretërore të San Fernando, ai realizoi tablonë e tij të parë, “Ngjalljen e Krishtit” (1829), e cila u ble nga Mbretëresha Kristina. Jo shumë kohë më pas, ai pikturoi “Akilin në çadrën e tij”, më pas paraqiti në Akademinë “Vazhdimësia e Skipios”, e cila i siguroi atij pranimin si anëtar “për merita”.
Ai mori “Legjionin e Nderit” më 1846. U bë një anëtar i Académie des Beaux-Arts, më 10 dhjetor 1853, dhe në 1873, me vdekjen e Schnorr, piktor, ai u zgjodh anëtar i huaj. Tre vjet pasi babai i tij u largua nga detyra, ai gjithashtu u bë Drejtor i Museo del Prado dhe president i Akademisë së San Fernando . Vdiq në Madrid. /Albert Vataj /KultPlus.com

Will Smith dhe Martin Lawrence janë “Djelmoshat e këqij përgjithmonë”

Djelmoshat e këqij Mike Lowrey (Will Smith) dhe Marcus Brunett (Martin Lawrence) janë rikthyer sërish së bashku në aventurën e fundit në filmin e shumëpritur “Bad Boys for Life”, ndërsa tani e kemi trailerin e parë zyrtar.

Djemtë e këqij janë rikthyer, ata nuk mund të ndalen nga askush dhe do të jenë përgjithmonë djelmosha të këqij – kjo është ajo që e zbuluam nga traileri dhe kjo është e gjitha që e dimë për filmin.

Lowrey vazhdon të ngasë automobila të shtrenjtë, Marcus është akoma njeri më familjar, ndërsa kapitenin Howard akoma e çmendin këta të dy dhe sjelljet e tyre – në fakt asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 2003 kur doli Bad Boys 2.

Regjinë e këtij filmi e bëjnë Adil El Arbi dhe Bilall Fallas, sipas skenarit të Joe Carnahan dhe Chris Bremner sipas tregimit për të cilin u ka ndihmuar Peter Craig.

Ekipi i aktorëve udhëhiqet nga Smith dhe Lawrence, ndërsa përfshihen edhe Vanessa Hudgens, Alexander Ludwig, Charles Melton, Paola Nunez, Kate Del Castillo, Nicky Jam dhe Joe Pantoliano. Bad Boys for Life pritet në kinema në janar të vitit 2020. /KultPlus.com

Më 7 shtator 1894 u nda nga jeta Anton Santori, shkrimtari i shquar arbëresh

Francesco Antonio Santori ishte një shkrimtar, poet dhe dramaturg me prejardhje arbëreshe. Drama e tij “Emira” konsiderohet të jetë drama e parë origjinale shqiptare e shkruar ndonjëherë.

Santori lindi më 16 shtator 1819 në Santa Caterina Albanese, një qytet arbëresh në provincën e Kozencës, Italia jugore. Më 1835 në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç ai vendosi të bëhej prift dhe filloi shkollimin e tij për priftëri. Më 1843 ai hyri në manastirin françeskan të Rendit të Reformuar në San Marco Argentano. Më 1858 ai u përpoq pa sukses të gjente një manastir në Lattarico, dhe më 1860 ai braktisi jetën monastike.

Ai vazhdoi të jetonte në Santa Caterina Albanese, ku ai punoi mësues. Më 1885 u caktua si prift në San Giacomo di Cerzeto, një fshat i Cerzeto, ku ai punoi deri në vdekjen e tij, më 7 shtator 1894.

Gjatë jetës së tij, Santori shkruajti poezi, romane, shfaqje dhe tregime të shkurtra, ai gjithashtu përshtati 112 Fabulat e Aesopit dhe shkroi një libër gramatika shqipe. Santori shkroi poemën e tij të parë poetike, me titull Canzoniere Albanese (Këngëtarja shqipe) në vitet 1830 dhe e botoi atë në 1846. Canzoniere Albanese është një poezi e gjatë lirike kushtuar dashurisë dhe natyrës; poema u ndikua nga Kënga e Milosao e Girolamo de Rada. Më 1848 kompozoi një himn në gjuhën shqipe me titull Valle e haresë së madhe, botuar më 23 shkurt 1848 në revistën e De Rada’s L’Albanese d’Italia.

Më 1848 poezia e tij dygjuhëshe politike Il prigionero politico (Anglisht: I burgosuri politik) i shkruar në shqip dhe italisht u botua në Napoli. Poema rrëfen ndryshimet e jetës së një familje të persekutuar gjatë revolucioneve të 1848 në shtetet italiane. [1] Gjatë viteve të tij në manastirin e Rendit të Reformuar në Cerzeto ai shkroi dy vepra fetare; vepra e parë është një varg fetar me titull Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry (Anglisht: Rosary of Virgin Mary, shkruar në shqip dhe botuar në 1849 në Cosenza. E dyta është një koleksion prej 230 faqesh me lutje, tekste fetare dhe përkthime të fesë këngë me titull Kryshten i shyityruory (Anglisht: I Shenjti i Krishterë) botuar në 1855 në Napoli.Kristiani i Shenjtëruar përmban pjesë të Kuneus Prophetarum të botuar në 1685 dhe shkruar nga Pjetër Bogdani, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së hershme shqiptare. Santori përfshin fragmente të Cuneus Prophetarum në librin e tij për të simbolizuar vazhdimësinë e letërsisë fetare shqiptare.

Santori shkroi shumë sdrama, përfshirë komeditë melodramatike dhe tragjeditë disa prej të cilave mbeten të paplota, dramat e tij përfshijnë Jeroboam, një tragjedi me përmbajtje biblike dhe Alessio Dukagino një melodramë të shkruar midis 1855 dhe 1860, duke rrëfyer jetën e Lekë Dukagjini, një princ shqiptar i cili luftoi kundër Perandorisë Osmane. Lojë e tij më e njohur, Emira, e titulluar pas emrit të figurës së saj qendrore, konsiderohet të jetë drama e parë origjinale shqiptare e shkruar ndonjëherë; drama rrëfen aventurat e Emira, Kalina, Albenci, dhe Mirjani gjatë një revoltë sociale në Kalabri dhe jeta në komunitetet arbëreshe. Disa pjesë të shfaqjes u botuan fillimisht në revistën Fjamuri Arbërit (Anglisht: Flamuri Shqiptar) dhe më vonë në Antologjinë Shqiptare të Jeronim de Rada.  Në vitet moderne, janë gjetur 1,845 rreshta vargje satirike të shkruara nga Santori.

Shumica e romaneve dhe tregimeve të shkurtra të Santorit u botuan pas vdekjes së tij në 1894, romanet e tij përfshijnë Sofia Kominiate, një roman i papërfunduar i shkruar në dy versione. Versioni i parë përmban 282 faqe dhe është shkruar në shqip, ndërsa versioni i dytë, i shkruar në italisht, përmban 714 faqe. Asnjë kopje nuk ka mbijetuar nga romani i tij Bija e mallkuar (Anglisht: Vajza e mallkuar) e shkruar në shqip. Ai gjithashtu shkroi romanin Il soldato albanese (anglisht: Ushtari shqiptar) në italisht. Santori shkroi shumë tregime të shkurtra të njohura me emrat e figurave të tyre qendrore, tregimet e tij të shkurtra të shkruara në shqip përfshijnë: Brisandi Lletixja e Ulladheni, Emilja, Fëmija Pushtjerote, Filaredo, Gnidhja e Kusari, Kolluqi e Sorofina, Miloshini, Neomenia, Panaini e Dellja, etj. Rosarja, dhe Virgjinia.

Veprat e Santorit janë shkruar në një formë arkaike të shqipes toskërishte dhe në përgjithësi janë më të arritshme për audiencën pavarësisht nga stili i tij ortografik. Në veprat e tij ai përdor sistemin e tij drejtshkrimor pa ndonjë saktësi fonetike. [2] Tematika të zakonshme në veprat e Santorit përfshijnë jetën rurale, periudhën e Lidhjes së Lezhës të historisë shqiptare dhe zakonet e bashkësive arbëreshe, poemat e tij politike përmbajnë motive morale që përshkruajnë idetë dhe ndjenjat qendrore të personazheve të secilës poezi [7]. Në disa nga poemat e tij si Vallëzimi i gëzimit të madh, Santori përshkruan elementet foklorike të kulturës shqiptare si këngë dhe valle popullore. /KultPlus.com

Zemra

Poezi nga Lasgush Poradeci

Bëj e ri mendohem,
Të mos t’afërohem,
Bën e ri mendohesh
Të mos m’afërohesh.

Dhe ri bëj e bëjnë
Mos të shkoj andejnë,
Dhe ri e bën bejnë
Mos të shkosh këtejnë.

Ha! tek bëj kështuzë,
Hop! të shoh këtuzë!
Ha! tek bën ashtuzë,
Hop! buzë-për-buzë.

Pa me puth një herë,
Pa të puth dy herë,
Pa më puth tri herë,
Të puth tridhjet herë,

Uf! moj zemrë-e mjerë…

Zemër-lule-e-verë,
Gas-e-vrer-përherë,
Zemër-kopsht-me-erë,
Zemëra-skëtere.

Petrit Kozeli, këpucar-ambasador në qytetin e Mantovas

Po bëhen gati 3 dekada që Petrit Kozeli jeton në Mantova, Itali, në këtë qytet ku trashëgimia kulturore përbën një element të rëndësishëm identitar.

Por, në këtë qytet gati-gati imponues, me atë pamje si të një kohe të ndalur, Kozeli është përpjekur, dhe ia ka dalë të krijojë një identitet të vetin. Ka qenë padyshim e vështirë, por kur prakticiteti dhe krijimtaria bëhen bashkë, do të ketë me patjetër një rezultat. Petrit Kozelin e njohin shqiptarë e italianë. Ka nga ata që e kujtojnë si “këpucarin e Papës” apo si realizuesin e këpucëve me ngjyrat e flamurit italian dhe atij shqiptar. Kjo është e vërtetë, por historia e Petrit Kozelit nuk nis me këpucët. Dashuria e tij e parë ishte fotografia.

Përpara viteve ‘90, ai ushtronte profesionin e fotografit, madje ka pasur fatin të jetë dëshmitar i momenteve të rëndësishme në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri. Ju kujtohen portretet e të ikurve me Ambasadat?

Petrit Kozeli ka realizuar fotografitë e pasaportave të të gjithë shqiptarëve që u futën brenda kangjellave të Ambasadës gjermane.

“Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale më ngarkoi mua ta bëja këtë punë. Janë momente të pashlyeshme nga memoria. Ende e kam si plagë brenda meje. Më kujtohen gra, burra, të moshuar që kacavirreshin nëpër kangjella dhe ishte e tmerrshme të shihje këtë pamje, të ndodhte në vendin tënd, atë që e kishe mbajtur si një parajsë”, tregon Kozeli, ndërsa një valë emocionesh e pushtojnë të gjithin. Ai nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria. Sigurisht jo në atë mënyrë. Jo pa një vizë në pasaportë, siç i kishte thënë ambasadorit Torquato Cardilli. Ajo që do ta largonte nga Tirana ishte dhembshuria dhe detyra prindërore: shëndeti i të birit të mitur, që kishte nevojë për një diagnostikim dhe kurë më të specializuar. Në një kohë kur duheshin muaj për të marrë një vizë italiane, ai do ta merrte brenda fare pak ditësh. Ishte vetë ambasadori italian që do të hynte garant për të.

U nis drejt Italisë vetëm për 15 ditë, por u rikthye sërish me një kontratë pune, për të ndjekur shëndetin e të birit. Fati e deshi që të vendosej në Mantova, në këtë qytet mikpritës, ku tashmë ndihet si në shtëpinë e tij. Pa e lënë profesionin e fotografit, ai fitoi një tjetër, atë të këpucarit.

Sot ka një dyqan në “Via Orefici”, ku hyjnë e dalin klientë, që Petriti i pret e përcjell me buzë në gaz dhe me një batutë gjithmonë gati. Nuk ka banor në atë zonë që të mos flasë me dashamirësi për të. Është bujar. Shërbime të vogla i kryen edhe falas dhe pa dyshim klientët do të kthehen sërish aty.

Dyqani i tij është fort mirë i dallueshëm prej vitrinës, ku janë ekspozuar dy palë këpucë, modeluar me ngjyrat e flamujve italian dhe shqiptar.

“Ishte si një mesazh brenda meje: ‘Të ecim drejt një Italie më të mirë dhe më të zhvilluar’. Kjo të thoshte ‘me mbath’, ‘me ec’… Kështu lindi ideja për të realizuar këpucët me flamurin italian. Ishte një shenjë mirënjohjeje për këtë vend që më mikpriti, ku nuk ndjeva asnjëherë racizëm”.

Nuk janë këpucë për t’u shitur, por për të dëshmuar, mirënjohje dhe një kërkesë simbolike, për të qenë krenarë për vendin e vet.

Por do të ishin ato këpucë që do ta bënin të njohur, që do të zbrisnin te ai artistë, gazetarë e politikanë. Mjaftuan vetëm pak minuta, që njerëzit të viheshin ne radhë për të bërë fotografi.

“Më erdhën nga Gazeta e Mantovas dhe më kërkuan t’i hiqja nga vitrina, pasi donin ekskluzivitetin. Mjaftoi ky shkrim, që të sillte në dyqanin tim Prefekten e Mantovës, e cila u kujdes personalisht që këpucët t’i shkonin Presidentit të Republikës dhe menjëherë me vjen falenderimi bashkë me urdhrin “Cavaliere Ufficale-Al merito della Repubblica Italiana”. Por nuk kishte sesi të mungonin këpucët kuq e zi. “Nëse këpucët me flamurin italian i realizova për tre muaj, për atë shqiptar m’u deshën 14 syresh. Ka qenë e vështirë për të realizuar shqiponjën, derisa eksperiment pas eksperimenti arrita ta realizoj përmes një teknike “tatuazhi””.

Ishin pikërisht një pale të tilla që shkuan edhe te Papa Françesku, që do ta bënin atë edhe më të famshëm. “Kur ia nisa Shenjtërisë së tij, nën moton ‘Ecim së bashku’, kaluan muaj deri sa të vinin këtu dy sekretarë të vetë Papës. Më duhet t’jua them se mesazhi im nuk kishte shkuar i plotë në Vatikan. Bashkë me këpucët unë i kisha dërguar një letër, ku ia shpjegoja se përse i kisha realizuar këto këpucë. Një letër që nuk i kishte mbërritur. Kur një nga sekretarët e lexoi, më tha se do t’ia linte mbi tavolinë dhe do të kujdesej që ai ta lexonte, pasi Papës i shkonte një dhuratë në një minutë… imagjinoni…!!”. Dhe kështu ndodhi që vetëm pak ditë me vonë vjen edhe vlerësimi nga Papa Francesku, “Commendatore dell Ordine San Silvestro Papa”.

Mes gjithë vlerësimeve që Kozeli ka marrë, është edhe ai “Ambasador i Kombit”, të cilin ia dorëzoi vetëm pak ditë më parë ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Lani, në prezencën edhe të Ministres së Kulturës, Elva Margaritit, e ndodhur në Mantova për “Festivaletteratura 2019”.

Me një motivacion, që vlerësonte kontributin e tij si një qytetar model europian dhe si një urë lidhëse paqeje në botë, Kozeli tanimë është ambasadori “de jure” i Shqipërisë, që modestish do t’u japë shembullin vendasve dhe të ardhurve, të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e origjinës. /KultPlus.com

Pashko Gjeçi, shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”

Në një nga fotot e viteve të fundit të jetës, portreti i tij, vjen i plotë teksa ndez një cigare. Burri që u end aq gjatë në botën e Dantes apo të Homerit sot do të ishte 101 vjeç.  Ai lindi më 7 shtator 1918 dhe u nda nga jeta më 21 janar 2010. Pashko Gjeçi studioi në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare.

Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, djaloshi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës . Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko Gjeçi vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu e arrestuan si të implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri.

Gjyqi do ta dënonte me pesë vjet burg të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku e dërguan muajt e verës. Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty ai vendosi që të përkthejë poetin e famshëm italian Dante Aligerin. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia Hyjnore dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhërin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes . Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa I) të Gëtes. Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare.

Në mes te shtegtisë së kësaj jete
U gjeta në një pyll krejt errësi,
Se kishe humbë unë rrugën e vërtetë.
Si ish ta them sa kam vështirësi
Ai I egri pyll, I ashpër, pyll hata,
Sa ta mejtoj me kall frike përsëri!…
Vargjet e mësipërme janë marrë nga Kënga XXXIII, e Komedisë Hyjnore, një vepër shqipëruar nga Pashko Gjeçi. /KultPlus.com

Festivali i Beethovenit 2019 në Bon nën moton “Ndriçimi i hënës”

Në mbarë botën Hëna i ka frymëzuar artistët për krijimtari të nivelit të lartë në art, letërsi dhe muzikë. Edhe programi i Festivalit të Beethovenit 2019 në Bon ka përfituar prej këtyre veprave sivjet.

Në Bon, qyteti i Beethovenit, këtë fundjavë hap siparin Festivali 2019 i Beethovenit: Një opera komike pothuajse e panjohur e Joseph Haydn-it, në të cilën bëhet fjalë për një fluturim në Hënë, “Serenata Notturna” e Moxartit, “Nata e shpërfytyruar” dhe “Pierrot Lunaire” e Arnold Schönberg-erit. Duke prezantuar programin e festivalit, drejtorja e përgjithshme e këtij eventi Nike Wagner nënvizoi moton sivjet – “Ndriçimi i Hënës”, – që do të përshkojë si një fill të gjitha koncertetet e planifikuara.

Ajo që karakterizon gjithashtu moton e festivalit të sivjetëm është edhe një çast përkujtimi në vigjilje të jubileut të madh të 250 vjetorit të lindjes së gjeniut të muzikës Ludwig van Beethoven. Më 2020 Boni do të kremtojë përmes eventeve të shumta kulturore dhe muzikore jubileun e kompozitorit të madh.

Në moton e sivjetme të festivalit përshtaten mjaft mirë edhe vepra të Debussys-së si “Claire de lune” si edhe pjesë të rralla të interpretuara pak deri më sot, ndër to edhe një oratorium i Robert Schumann-it si dhe opera e Beethoven-it “Fidelio” si teatër kukullash.

Sonata e Hënës e Beethovenit e intereretuar shumë herë si pjesë mësimore me nxënës të pianos dhe si kolonë zanore e çasteve ëndërrimtare në shumë filma, në festival do të zerë një vend të rëndësishëm duke u shpalosur në aspektet e shumta të saj prej interpretuesve.

Sonata e Hënës në origjinal mban titullin “Sonata quasi una fantasia” titullin që mban sot e mori prej shkrimtarit muzikor Ludwig Rellstab. Tri herë do të interpretohet kjo sonatë gjatë Festivalit të Beethovenit 2019, në një piano moderne koncertesh e luajtur nga pianisti francez, Pierre-Laurent Aimard, në një piano forte historike nën interpretimin e pianistit holandez Ronald Brautigam dhe në një përpunim për Korno dhe piano nga viti 1986 prej kompozitorit gjerman Giselher Klebe.

Një tjetër aspekt në programin e festivalit është sivjet përfshirja e disa veprave të Clara Schumann-it me rastin e 200 vjeotirt të lindjes së pianistes dhe kompozitores gjithashtu nga qyteti i Bonit.

Të apasionuarit e Beethovenit do të kenë rastin të ndjekin në këtë festival kompozime pak të njohura si dhe veprat madhore të kompozitorit: Pesë nga nëntë sinfonitë e tij si dhe tre koncerte për piano, një koncert për violinë dhe tri sonatat për piano janë të përfshira në program. Ansamblet pjesëmarrëse janë orkestra angleze “Orchestra of the Age of Enlightenment” nën dirigjimin e Adam Fischer, Camerata Salzburg nën drejtimin e pianistit dhe kompozitorit Fazil Say, orkestra filharmonike e NDR me dirigjent Alan Gilbert si dhe orkestra sinfonike Çajkovski nga Moska e drejtuar nga mjeshtri i vjetër Vladimir I. Fedossejev.

Në kuadër të bashkëpunimit 20 vjeçar mes DW dhe Festivalit të Beethovenit organizohet edhe koncerti i orkestrës së të rinjve nga Afrika e Jugut “Ansambli A Cappella”.

Gjithsej marrin pjesë rreth 1800 artiste dhe artistë. Ndër ta pianistët e njohur Pierre-Laurent Aimard, Louis Lortie dhe Fazil Say, këngëtarët klasikë Christian Gerhaher dhe Sarah Maria Sun si dhe violinistja Carolin Widmann /KultPlus.com

Arti pas 20 vjetëve

Në vitin 2040 arti mund të mos duket si art (përveç nëse është pikturë), por do të duket si gjithçka tjetër, duke shëmbëllyer zeitgeistin e shumëllojshëm, siç janë edhe vetë artistët.

Do të ketë artistë-aktivistë që do të kryesojnë trazirat politike; do të ketë eksperimentues formalë që gjurmojnë mediume dhe hapësira të reja dhe madje do të ketë tregje të forta në Amerikën Latine, Azi dhe në Afrikë. Prandaj të paktën në botën e kulturës Perëndimi mund ta gjejë veten duke luajtur lojën e zënies së tjetrit që ka mbetur prapa.

E ardhmja mund të duket e pasigurt, por disa gjëra janë të pamohueshme: ndryshimet klimatike, demografia në lëvizje, gjeopolitikat. 

E vetmja siguri është se do të ketë ndryshime, edhe të mira, edhe të tmerrshme. Ia vlen të shihet se si artistët do t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve, sikundër edhe asaj se cilit qëllim do t’i shërbejë arti tani dhe në të ardhmen. 

Njoftimet bëjnë me dije se nga viti 2040 rrjedhojat e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga njeriu do të jenë të pashmangshme, duke e bërë atë çështje madhore në qendrën e artit dhe jetës në njëzet vjetët e ardhshëm. Artistët e së nesërmes do të rreken me mundësitë pasnjerëzore dhe pasantropogjene – si inteligjenca artificiale, ngulimet njerëzore në hapësira të jashtme dhe mallkimi potencial. /KultPlus.com

Imagjinoni si do te dukeni nëse telefonin e largoni nga duart, do të dukeni pak si të çmendur

Teknologjia tashmë është bërë pjesa më e rëndësishme e jetës sonë. Fotografi Eric Pickersgill, duke e parë këtë dukuri si një të metë të shoqërisë, ka vendosur që ta paraqesë atë përmes fotografisë, shkruan KultPlus

”A po e lexoni këtë shkrim përmes një telefoni apo ndonjë pajisje tjetër? Me shumë gjasë që po. Tani imagjinoni se si dukeni nëse ajo pajisje papritmas zhduket. I/e vetmuar? Pak i/e çmendur? Mbase pranë një personi që po ju injoron? Ndërsa jemi konsumuar gjithnjë e më shumë nga ekranet që mbajmë përreth, madje edhe në shoqërinë e miqve dhe të familjes, pozat e zymta teksa jemi të zhytur në telefon, duken gjithnjë e më normale.”, shprehet ai

Fotografi amerikan Eric Pickersgill, ka krijuar një set fotografik të titulluar ‘Removed’, për të na e kujtur se sa e çuditshme është kjo situatë.

Në duart e mia, ata janë “redaktuar” (hequr para fotografisë, marrë prej tyre) Unë e di që njerëzit qëndrojnë në duart e tyre, ose hapësirë ​​boshe midis duarve të tyre, duke injoruar shpesh rrethinat e bukura ose mundësitë për lidhje njerëzore. Rezultatet janë pak të trishtueshme dhe të urryera – dhe një kujtesë, mbase, për t’i hequr telefonat tanë, pohon ai.

Në vijim mund të shihni fotografitë e realizuara, që përcjellin një mesazh të fuqishëm rreth ndikimit të teknologjisë në jetën tonë./qz.com/KultPlus.com

Sot 12-të vjet nga vdekja e Pavarotit

Ai ishte një zë i fuqishëm, një buzëqeshje shkëlqyese, një shpirt thellësisht lirik, një vullnet i epërm humanizmi, një tenor i rrallë, një emër i rëndësishëm që ka zënë vend të merituar në panteonin e vlerave të trashëgimisë botërore.

Luciano Pavarotti, një tokësor me zë qielli që i’u dorëzua vdekjes fillimshtatorin e vitit 2007, duke lënë pas brengë, dhimbje, por mbi të gjitha një zbrazësi. Por ai në këtë ikje la veprën, një monument të lartësuar në mirënjohje dhe vlerësim.

Rreth orës pesë të mëngjesit të 6 shtatorit 2007, një dekadë më parë, ka mbyllur sytë në shtëpinë e tij në Modena të Italisë, pas një beteje të gjatë me kancerin, legjenda e zërit operistik. Këngëtari i famshëm megjithëse i ishte nënshtruar trajtimeve të specializuara, asnjë deklaratë nuk ishte bërë publike për gjendjen e tij shëndetësore, deri kur vullneti i pamëshirshëm e ndali këtë uragan njerëzor për ta ndarë si nga skena ashtu edhe nga jeta.

Asokohe sëmundja e rëndë e kishte detyruar këngëtarin të anulonte të gjitha koncertet që kishin mbetur nga turi i tij i lamtumirës nga opera, por jehona e atij vokali përplaset ende në kreshtat e kohës.

Djali i një bukëpjekësi në Modena, Itali, i cili ishte një këngëtar modest opere, Pavarott-i i ri u rrit duke ëndërruar në vend që të ndiqte një karrierë si futbollist.

Që shumë i vogël i kushtohet botës së lirikës duke studiuar me tenorin Arrigo Pola dhe maestron Etore Campogaliani. Debutoi më 39 prill të vitit 1961 në rolin e Rudolfit në operën “Bohema” në sallën e operës të Rexhio Emilias. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfon në shkurt të vitit 1965, me Xhon Suterlend, në veprën “Luçia” të Lamermurit.

Por shpërthimi i vërtetë mbërriti më 17 shkurt të vitit 1972, në skenën “Metropolitan” të Nju-Jorkut ku në një vepër të Donixetit lë me kuptimin e plotë të fjalës, me gojë hapur të gjithë të pranishmit falë nëntë do-ve të përsosura. I takon atij rekordi i 17 kthimeve për shkak të duartrokitjeve pas uljes së siparit. Që atëherë, emri i tij u bë i njohur edhe për publikun e gjerë falë televizionit.

Gjatë viteve ‘90 Pavaroti u kushton shumë rëndësi koncerteve në ambiente të hapura, të cilat do të transformohen në suksese madhështore. Në “Haid Park” të Londrës u grumbulluan falë tij më shumë se 150 mijë njerëz. Në qershor të vitit 1993, më shumë se 500 mijë admirues të tij u grumbulluan në parkun qendror të Nju- Jorkut, ndërsa ishin miliona ata që e ndiqnin përmes valëve të televizionit. Në shtator të po atij viti, nën hijen e kullës “Eifel”, këndon përpara rreth 300 mijë të pranishmëve. Mes më të famshmëve nuk mund të lihen pa përmendur koncertet e “tri tenorëve”, bashkë me kolegët e tij Plaçido Domingo e Hose Karreras. Po kaq i famshëm është edhe aktiviteti intensiv në rolin e organizuesit në serinë e koncerteve “Pavarotti and friends”, eveniment gjatë të cilit (për motive bamirësie), bashkëpunoi me yjet ndërkombëtare më në zë të muzikës pop.

I adhuruar për aftësinë e të bërit spektakël, Pavarotti ishte i adhuruar më së shumti për mrekullinë që ishte zëri i tij. Placido Domingo, partneri muzikor dhe miku i tij u shpreh pas lajmit të vdekjes së Pavarott-it: “E kam adhuruar gjithnjë madhështinë që Zoti i kishte dhuruar zërit të tij, atë timbër të veçantë e të pagabueshëm që kapte çdo notë që një tenor mund të kapë”.

Ai ishte njëkohësisht perfeksionit dhe “showman” i lindur dhe statusi i tij si ikonë kulturore është vulosur nga duetet e tij të padiskutueshme me këngëtarë të muzikës pop dhe rok nga Bono i U2 e deri te Sting e Celine Dion. Disa puritanë të operas nuk do ta falin asnjëherë tenorin për performancat e llojit “Pavarotti and Friends”.

Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.

Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen./AlbertVataj/KultPlus.com

Mbi 60 studiues nga vendi e rajoni janë mbledhur sot në Konferencën Shkencore për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, në Kolegjin AAB

Mbi 60 studiues nga vendi e rajoni janë mbledhur sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe ai i Shkencave Sociale ne Kolegjin AAB dhe në partneritet me Pedagogical University of Krakow, Poloni, Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, dhe Universitetin “St. Kliment Ohridski” nga Maqedonia e Veriut.

Në hapje të kësaj konference dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Dr.sc. Aida Alla përshendeti pjesëmarrësit dhe shtoi se kjo konferencë e organizuar nga AAB këtë vit bashkon studiues e praktikues  në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe edukimit me qëllim prezantimin e gjetjeve të tyre shkencore e akademike që lidhen me temat përkatëse të konferencës.

“Kolegji AAB është shndërruar në një qendër kërkimore dhe një mjedis të rëndësishëm shkencor për gjuhëtarë dhe studiues vendorë e ndërkombëtarë, të cilët po ndërtojnë ura bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë. Deri më tani, janë shkëmbyer tema të ndryshme gjuhësore me objektiva dhe qasje të ndryshme tematike, duke filluar nga studimi i gjuhës në kontekste edukative, deri tek roli shoqëror i tyre”, shtoi Alla.

Ndërsa, prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Prof.ass.dr. Hasan Saliu theksoi se kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është domosdoshmëri e punës dhe funksionimit të këtij kolegji me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

“Kjo konferencë është njëri ndër segmentet e përkushtimit jo vetëm për rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave akademike e hulumtuese të pjesëmarrësve, por, edhe për të dhënë kontributin e vetë shoqërisë. Kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është një domosdoshmëri e punës së përditshme këtu”, shtoi mes tjerash Saliu.

Hapjen e konferencës e përshëndeti edhe dekanja e Fakultetit të Edukimi në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, prof. Griselda Abazaj Dangolli e cila tha se ndihet e nderuar që është prezente dhe bashkorganizatore në një ngjarje kaq të rëndësishme akademike.

Ndërsa, përfaqësuesja nga e universitetit partner nga Maqedonia e Veriut, prof.Silvana Neshkovska, në fjalën e saj hapëse të konferencës tha se shpreson që ky bashkëpunim në këtë projekt të përbashkët, të zgjerohet edhe në fusha të tjera në mes universiteteve partnere.

Konferenca për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim ICLLE 2019 do të shërbejë si një urë lidhëse midis studiuesve nga vendi dhe bota për të shpalosur gjetjet e tyre dhe për të shkëmbyer eksperiencat e përdorimit të metodave më bashkëkohore hulumtuese në fushat përkatëse. Konferenca është e ndarë në katër sesione ndërsa në secilin prej tyre do të prezantohen dhjetëra punime të pjesëmarrësve të këtij edicioni. /KultPlus.com

Luigi Pirandello: Para se të gjykosh jetën time, vish këpucët e mia, ec rrugëve ku kam ecur unë

Narrator dhe autor teatral, revolucionarizoi teatrin e shekullit XX, duke u bërë një nga dramaturgët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Më 1934 iu dha çmimi Nobel për letërsinë. Ndër romanet e tij më të famshme, ne kujtojmë “Il fu Mattia Pascal” dhe “Uno, nessuno e centomila”.

Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet e tij më të famshme

Para se të gjykosh jetën time apo karakterin tim, vish këpucët e mia, ec rrugëve ku kam ecur unë, jeto dhimbjen, dyshimet, të qeshurat e mia. Jeto vitet që kam jetuar unë, rrëzohu atje ku jam rrëzuar dhe ringrihu ashtu si unë.

Kushdo mund të jetë hero herë pas here, por të jesh zotëri është diçka që duhet t’a kesh gjatë gjithë kohës.

Kur thua që je i dashuruar me njerëzimin, je më se i kënaqur me veten tënde.

E paraqes veten tek ju në formën më të përshtatshme për marrëdhëniet që dëshiroj të arrij me ju.

Një fakt është si një thes – nuk do të ngrihet nëse është i zbrazët. Për ta bërë atë të ngrihet, së pari duhet të vendosni në të të gjitha arsyet dhe ndjenjat që çuan atë në atë gjendje.

Në çmendurinë e tij ai u bë një aktor i tmerrshëm!

Dashuria ime e vërtetë ka qenë gjithmonë gjumi që më shpëtoi duke më lënë të ëndërroja.

Ju nuk e vlerësoni faktin që çmendurit janë me shumë fat.

Drama është veprim, zotëri, veprim dhe jo filozofi e hutuar.

Dhe askush nuk e kupton se ne të gjithë, gjithmonë, duhet të dukemi kështu, secili me sytë e tij plot tmerr në vetminë e tij, të pashmangshme.

Logjika është e ndarë nga kafsha njerëzore. Ju mjaft lehtë mund të propozoni një zgjidhje logjike për diçka dhe në të njëjtën kohë të shpresoni me zemrën tuaj që nuk do të funksionojë.

Historia e njerëzimit është historia e ideve.

Njeriu, shkrimtari, instrumenti i krijimit do të vdesë, por krijimi i tij nuk vdes.

Asgjëkund! Tregon thjesht se njeriu lind në jetë në shumë trajta, në shumë forma, si pemë, ose si gur, si ujë, si flutur, ose si grua. Kështu që dikush mund të lindë një personazh në një shfaqje.

Jeta është plot me absurditete të çuditshme, të cilat, për habi, nuk kanë nevojë as të duken të besueshme, pasi ato janë të vërteta.

Secili nga ne, kur është përballë të tjerëve, është i veshur me një lloj dinjiteti, por ne i njohim shumë mirë të gjitha gjërat e papërshkrueshme që ndodhin në zemër.

Nëse shikoni në sytë e një kafshe, të gjitha sistemet filozofike rrëzohen.

Besnikëria, besnikëria është një borxh, dhe më e shenjta, ndaj vetvetes, madje edhe para të tjerëve. Tradhëtia është e tmerrshme. Tradhëtia është e tmerrshme.

Natyra përdor imagjinatën njerëzore për të ngritur punën e saj të krijimit në nivele edhe më të larta.

Do të më pëlqente të të shkruar gajtë gjithë kohës; Do të doja të ndaja me ty gjithçka që kalon në mendjen time, gjithçka që peshon në zemrën time, gjithçka që i jep oksigjen shpirtit tim; fantazmat e artit, ëndrrat që do të ishin aq të bukura nëse do të mund të realizoheshin.

Do të mësoni se në udhëtimin e gjatë të jetës do të hasni shumë maska dhe pak fytyra.

Asgjë nuk është më e ndërlikuar se sinqeriteti.

Ka një maskë për familjen, një për shoqërinë, një për punë. Dhe kur jeni vetëm, askush nuk mbetet.

Gratë, si ëndrrat, nuk janë kurrë siç i dëshironi. /shkollaesuksesit/KultPlus.com

Tirana institucionalizon studimet për arbëreshët

Me përfaqësues të institucioneve akademike dhe universitare të Republikës së Shqipërisë, Qendra për Studime dhe Publikime për Arbëreshët është përpjekja e parë e shtetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të arbëreshëve të Italisë dhe të Kroacisë.

Për herë të parë studimet dhe kërkimet mbi arbëreshët do të jenë të institucionalizuara, transmeton KultPlus.

Me vulën e institucioneve të shtetit shqiptar, akademikë e studiues të shumtë do të promovojnë “ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit arbëresh”. 

Krejt kjo përmes Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët, e cila është themeluar të premten nga Këshilli i Ministrave të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. 

Funksioni kryesor i kësaj qendre do të jetë “kryerja e studimeve për komunitetin arbëresh, promovimi, ruajtja e gjuhës dhe identiteti kulturor tek ky komunitet, si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave shkencore, të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh”./koha.net/ KultPlus.com

Paja Jovanoviç, piktori serb që krijimtarinë e tij e fokusoi në madhështinë dhe krenarinë e shqiptarëve

Jovanoviç ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Shkodër për t’u njohur me kostumet kombëtare shqiptare, ku thuhet se krijoi një miqësi të fortë me piktorin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Kol Idromenon.

Ai ka qëndruar në mesin e shqiptarëve, që nga Mali i Zi e deri në Egjipt, e njihet si një ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike.

Ndër pikturat me tematikë shqiptare janë “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”, etj..

Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar ashpër qeverinë që nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar.

Ndërkohë që në Shqipëri, asnjë nga këto piktura nuk është pronë e fondit të artit, apo ndonjë koleksionisti shqiptar.

“Dy rojet shqiptare para portës” , është piktura e tij më e njohur. Piktura paraqet dy roje shqiptare në Egjipt dhe konsiderohet një nga kryeveprat e piktorit serb të shekullit të XIX/ KultPlus.com

E madhe është gjëma e mëkatit

Nga Mitrush Kuteli

“…Provova të ngrihem, por nuk bëra dot çap ngaqë, ashtu siç gjendesha i shtrirë në kurriz, vërejta se krahët dhe këmbët m’i kishin hapur nderë dhe lidhur fort pas toke dhe po në të njëjtën mënyrë më kishin lidhur flokët e gjatë e të plotë. Ndjeva po ashtu se një sërë fijesh të holla më përshkonin trupin, që nga sqetullat deri tek kofshët. Vështrimin mund ta hidhja vetëm lart; dielli filloi të digjte dhe drita po më vriste sytë. Përreth dëgjohej një zhurmë e turbullt, por në pozicionin që isha nuk shihja gjë veç qiellit. Pas pak ndjeva të më lëvizte nëpër këmbën e majtë diçka e gjallë, e cila, duke përparuar lehtë mbi kraharorin tim, pothuaj më erdhi deri në mjekër; tek ula shikimin me sa mundja kuptova se bëhej fjalë për një krijesë as pesëmëdhjetë cantimshe pajisur me hark e shigjetë dhe me një kukure pas shpine. Ndërkohë, ndjeva të paktën dyzet të tjerë të të njëjtit lloj (me ç’vlerësova) pas të parit. Më kishte kapluar një habi e jashtëzakonshme dhe ia dhashë një britme të tillë sa që të gjithë u sprapsën me vrap të frikësuar; disa prej tyre, siç më treguan më vonë, qenë dëmtuar kur qenë hedhur nga ijet e mia përtokë”.

“…Kish vetëm një dëshirë ay: vdekjen. Sepse është e thënë: m’e ëmbël se mjalti e se çdo gjë është vdekja. Po vdekja që godiste të gjithë njerëzit në ditën e shënuar për secilin, e linte atë të paprekur……
Edhe ai që pat qenë Tat Tanushi i Bubutimës qëndronte drejt e në altar. Mjekra e tij u derdh befas tatëpjetë si ujë, vetullat i zbritnë mbi librën që mbante në dorë, ashtu si duheshin të ishin rritur në shekuj që rrojti në tokë. Dhe kaq e gjatë ish mjekra e tij sa mund të rrethonte tri here tryesën e alltarit. Pastaj Tat Tanushi u tret ngadalë, në sytë e të gjithëve dyke mbetur vetëm një dore hi në pregun e derës së shenjtë…”

“Kjo, o lëçitës, nuk është asfare një çudi e pathënë. Sepse, a s’kini parë ju pëllump të bardhë e pëllump të zi të dashurohen aqe fort sa të mos i druhen as hargut të gjahtorit që sjell vdekjen? Dhe ç’është ngjyra përpara shpirtit? Ato ndajnë, që të bashkojnë.” /KultPlus.com

Kuvendi i Kaçanikut, gurthemel i shtetit të Kosovës

Përkujtesë historike: 7 shtator 1990

Jusuf Buxhovi

Kuvendi i e Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Me ç’rast Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e rezistencës së armatosur kundër okupimit, që do të pasqyrohet me shfaqjen e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.


Ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.


Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi „ shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”. /KultPlus.com

Gruaja e diskriminuar jep mesazhin universal: Mirësjellja mund të bëjë ndryshim të madh në jetën e dikujt!

Anne u përpoq t’i nënshtrohej operacioneve plastike për të ndryshuar fytyrën, por nëna i dha kurajo që të vazhdonte përpara, pa qenë nevoja që të harxhonte gjithë energjitë te kirurgjitë plastike.

 “Nëse sheh dikë që e ka të vështirë të zërë shokë, ose po vuan nga bullizmi sepse nuk ka shokë ose nuk është aq i/e bukur ose nuk ka veshur rrobat më ‘in’ – të lutem dili në krahë. Përshëndete ose thjesht buzëqeshi në korridor. Ti nuk e ke idenë se me çfarë mund të përballet dikush jashtë shkollës. Mirësjellja jote mund të bëjë një ndryshim të madh në jetën e dikujt. Postoje nëse bie dakord.”, ky është postimi i Anne Price, që sensibilizon të gjithë fëmijët që fillojnë shkollën.

Annie Price u dogj nga zjarri kur ishte fëmijë dhe u përball me bullizmin. Ajo u përpoq më vonë t’i nënshtrohej operacioneve plastike për të ndryshuar fytyrën, por nëna i dha kurajo që të vazhdonte përpara, pa qenë nevoja që të harxhonte gjithë energjitë te kirurgjitë plastike.  Annie sot është instruktore fitnessi dhe organizon seminare për rritjen e vetëbesimit dhe motivimit. Ajo dhe partneri i saj Sam janë prindër të një djali 1 vjeç.

Fotoja është shpërndarë edhe nga grimieri Mario Dedivanovic, bashkëngjitur me një histori personale. “Kur isha në shkollë fillore, në klasën e dytë ose të tretë, disa fëmijë talleshin me një vajzë të vogël nga Kina që nuk fliste anglisht dhe e gjuanin me sende gjatë orarit të drekës teksa ajo ulej vetëm,” shkruan Mario. “Ajo thjesht ulte kokën. Fillova të ulem me të gjatë drekës dhe ata ndaluan së hedhur gjëra. Në fund të ditës, dilja nga shkolla me të.”

Po kështu, artisti i grimit shton se “i lidhte flokët ndonjëherë” pasi baluket i binin mbi sy. “Në ditën e fundit të shkollës, nëna ose gjyshja e saj, më dha një lodër. Ajo nuk fliste anglisht, por nuk ishte e nevojshme. Mirësia është një gjuhë universale. Shpresoj që të gjithë te keni një vit të shkëlqyer shkollor.” /shqiptarja.com/ KultPlus.com

Në Japoni identifikohet një lloj i ri dinozauri

Një lloj i ri dinozauri është identifikuar nga disa studiues japonezë të cilët kanë rindërtuar një skelet thuajse të tërë.

Skeleti i cili kap gjatësinë e 8 metrave është më i madhi i gjetur në Japoni.

Pasi u analizuan qindra kocka 72 milionë vjeçare ekipi, i cili drejtohej nga Universiteti i Hokkaidos, doli në përfundim se skeleti i përkiste një lloji të ri dinozauri, pjesë e familjes së hadrosaurideve, të ashtuquajtur dinozaurë me sqep rose, një kafshë e fundit të periudhës gjeologjike cretaceous, përcjell TCH.

Një pjesë e bishtit të tij ishte gjetur në vitin 2013 dhe nga gërmimet e mëvonshme u gjet i gjithë skeleti.

“Ekipi vendosi ta quajë atë ‘Kamuysaurus japonicus’, që nënkupton ‘zoti i dragoit japonez”, sipas një komunikate të universitetit.

Zbulimi u publikua në revistën e specializuar britanike “Scientific Reports”./koha.net/ KultPlus.com

MKRS: Kalaja e Artanës rrezikon të shembet tërësisht

Mospërfillja e organeve mbikëqyrëse dhe dëmtimet e shkaktuara në muret e jashtme të Kalasë së Novobërdës pas ndërhyrjes me ekskavator, do t’i kushtojnë me kallëzim penal kompanisë nga Beogradi “Koto” dhe përfaqësuesit të saj, të cilin e ka bërë Ministria e Kulturës, transmeton KultPlus

Nga dëmet e shkaktuara në mure, sipas saj, “ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme”. Edhe UNESCO, siç e ka konfirmuar për gazetën Zyra e BE-së në Prishtinë, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve restauruese, shkruan sot Koha Ditore.

Kompania serbe “Koto” do të përballet me kallëzim penal disa ditë pasi në mënyrë të paautorizuar ka filluar shembjen e fasadës së mureve të jashtme të Kalasë së Novobërdës. 

Ndërkohë edhe UNESCO- ja, që e ka përzgjedhur kompaninë dhe ka mbikëqyrur projektin e rivitalizimit, është pajtuar për ndërprerjen e punimeve restauruese rreth monumentit mesjetar derisa t’i jepet drita e gjelbër nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

Kjo ka qenë përgjigjja që ia ka dhënë gazetës Zyra e BE-së pas shqetësimeve që shkaktoi të enjten publikimi i një videoje, ku shihej një ekskavator i kompanisë nga Beogradi teksa e gërryente fasadën e gurtë të një pjese të mureve të Kalasë. 

Një ditë më pas, Ministria e Kulturës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar për dorëzimin e një kallëzimi penal për përgjegjësit e dëmtimit të monumentit. Nga dëmet e shkaktuara në mure, sipas saj, “ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme”./koha.net/ KultPlus.com