“Teknologjia po përdoret sot si “dado pa pagesë”, në fakt pagesa është dëmtimi i sistemit nervor të fëmijëve”

Arsyet pse fëmijët e sotëm janë të mërzitur, arrogantë dhe të paduruar?

1. Teknologjia

Teknologjia po përdoret sot si “dado pa pagesë” por në fakt pagesa është dëmtimi i sistemit nervor të fëmijëve. Teknologjia ofron një sistem stimujsh të fuqishëm dhe kjo bën që ambientet e tjera të jetës reale me më pak stimuj të jenë të mërzitshme dhe sfiduese për durimin dhe vëmendjen e fëmijëve.

2. Fëmijët marrin atë që duan në moment

Prindërit plotësojnë menjëherë dëshirat e fëmijëve sot duke krijuar kështu fëmijë te lumtur për momentin, por të mjerë në periudhë afatgjatë. Një fëmijë qe nuk ushtrohet të shtyjë marrjen e kënaqësisë është një fëmijë që nuk mëson si të duroje dhe të funksionojë nën stres.

3. Fëmijët e sotëm janë shefa

Fëmijët e sotëm u tregojnë prindërve si të prindërojnë dhe kjo është e gabuar se nëse e lemë në dorë të fëmijëve prindërimin, ata përfundojnë duke ngrënë pica e makarona, duke parë gjithë kohës televizor apo kompjuter dhe duke mos fjetur fare. Fëmijët duhet të edukohen se ka dëshira por ka dhe nevoja e detyra.

4. Argëtime pa fund

Ne u krijojmë një botë artificiale fëmijëve duke i argëtuar pa fund dhe duke mos i lëne asnjë moment të mërziten. Kemi krijuar dy botë të ndara ku ata duhet vetëm të argëtohen dhe ne duhet të punojmë pa pushim kur në fakt ata duhet të ndihmojnë në punët tona. Dështimet e tyre të mëvonshme në jetë do të jenë pikërisht pasojë e moskalitjes me mërzinë apo punët e mërzitshme.

5. Kontakte të pakta sociale

Fëmijët dhe prindërit e sotëm e zenë kohën e lirë me celular ndaj loja e pastrukturuar me fëmijë të tjerë në ambiente të jashtme mungon dhe loja dhe komunikimi me prindin mungon. Kjo bën që aftësitë e tyre sociale të ngelen te pazhvilluara, ndërsa janë aftësitë parësore për përcaktimin e një jete të mirë e të suksesshme.

Përgatiti: E.Çeço
Referenca: Victoria Prooday. / KultPlus.com

Fëmijëria jonë, atëherë kur rrjetet sociale nuk ekzistonin

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, dhe kishim shumë pak: disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litar! Dhe ishim të lumtur brenda, nuk kishte rëndësi pasuria. Fjalë që duket se janë marrë nga një roman nga kush e di sa vite më parë, por nëse mendojmë, ishte jeta deri disa dekada më parë, për shumë prej nesh.

Jo në disa periferi të izoluara, siç ndoshta, edhe sot disa lajme na sjellin para syve, por në fëmijërinë tonë. Bërja e krahasimeve mund të duket të jetë një ushtrim i thjeshtë nostalgjie, ndërsa nëse u thuhet fëmijëve dhe nipërve tanë, mund t’i bëjë ata të hapin sytë për një kohë të varfër në gjëra materiale, por të pasur me imagjinatë, krijueshmëri, gëzim të zbulimit dhe jetës.

Disa përvoja të caktuara, sidomos ato që janë jetuar në fëmijërinë dhe në adoleshencën tonë, nuk harrohen lehtësisht. Ato përbëjnë dyert përmes të cilave kemi filluar të kuptojmë jetën, botën. Dhe si të tilla nuk munden të harrohen. Mësuesit, shokët e klasës, shokët e rrugës, një univers që dukej një hap larg, diçka që mund të linte shenja të pashlyeshme.

Qendra e vëmendjes sonë, thelbi i mendimeve që na shoqëroi çdo natë para se të binim në gjumë. Vende, shtëpi, mjedise që mbushën jetët tona, shumë prej të cilave u skalitën në shpirtrat tanë. Kush e ka harruar erën e barit të lagur nga stuhia e verës para se dielli të kthehej për të ngrohur imagjinatën tonë, ose shkëlqimin e llambave të rrugëve që na kujtonin, gjatë periudhës së shkollës, se ishte koha për të shkuar në shtëpi, për darkën e përgatitur nga gjyshja?

Disa momente ikën me nxitim, dhe jo gjithmonë mendonim që t’i jetonim me intensitetin që meritonin, sepse donim të rriteshim sa më shpejt, që të hynim në atë botë të të rriturve që na dukej të ishte skena që të gjithë e dëshironim. Por duke u kthyer me mendje në ato ditë, dhe duke shikuar mënyrën se si sot shumë fëmijë kalojnë kohën e tyre, nuk mund të mos arrijnë të ndjejmë një formë nostalgjie.

Kemi luajtur në rrugë pa frikë, nuk ekzistonin rreziqet dhe kërcënimet e pranishme sot, kishim shumë pak, disa kanaçe bosh, disa gurë, një copë litare, por kjo ishte bota që na bënte të lumtur brenda, pavarësisht pasurisë.

Nuk shihnim koston e gjërave, ndoshta nuk i përballonim dot, por ishim fëmijë dhe të rinj të mbushur me jetë. Kjo ka qenë fëmijëria jonë, dhe na vjen pak keq që sot nuk është më kështu. U urojmë të rinjve të sotëm të kenë të njëjtën fantazi dhe të njëjtën dëshirë për të zbuluar, ajo që lind nga zemra dhe nga askund tjetër. /urbannews/ KultPlus.com

Shqiptarja triumfon me çmim në garën teknologjike të Evropës

Shqiptarja Doruntina Berisha, ka fituar në garën “European Women of Legal Tech 2020 Award”.

Në këtë garë ku kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës shqiptarja ia doli të shpallej fituese në kategorinë “Akademi & Edukim”. Votimi për garën ishte mbyllur më 18 nëntor ndërsa çmimet u ndanë mbrëmjen e djeshme në një organizim online që u mbajt në Vjenë.

“Gjatë pandemisë kam krijuar platformën për të gjithë profesorët e Vjenës që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Kjo platformë “Survival Guide” nuk u shpërnda vetëm në Universitetin e Juridikut në Vjenë, por edhe në Universitet e tjera në Austri. Pas një jave më shumë se 250 profesora të Universitetit të Vjenës përdorën platformën gjatë pandemisë. Për krijimin e kësaj platforme “Survival Guide”, profesori im Dr. Nikolaus Forgó vendosi të më nominoj për këtë çmim”, është shprehur Doruntina Berisha në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”.

Doruntina Berisha ka lindur në Vjenë, por ruan lidhjet e saj me Shqipërinë dhe Kosovën. Pavarësisht se lindur dhe rritur në një shtet tjetër Doruntina flet shumë mirë gjuhën amtare. Doruntina Berisha është studente dhe asistente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Vjenës. Gjithashtu ajo studion edhe në degën Fizik. Gjatë kohës së pandemisë shqiptarja Berisha spikati, sepse arriti të krijoi brenda 24 orëve platformën “Survival Guide“, e cila shërbeu për të zhvilluar mësimin online në Vjenë. /dp/ KultPlus.com

‘Fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë…’

Nga Umberto Eco

Pak kohë më parë, ndërsa po flisja para Akademisë së Spanjës në Romë, një zonjë duke ujdisur telekamerën ma përplasi në fytyrë një dritë verbuese e s’po më linte të lexoja dot shënimet. Iu ktheva shumë i lënduar, sikurse më ka ndodhur edhe me fotografë të tjerë të pasjellshëm, duke i thënë se rregullat e ndarjes së punëve na mësojnë se kur unë jam duke punuar të tjerët duhet ta lënë punën.

Dhe zonja e fiku telekamerën, por mori pamjen e njeriut që i bien më qafë kot. Në San Leo, bash javën që shkoi, ndërsa po shpallej një nismë shumë e bukur e komunës për rivlerësimin e peizazheve të vendit në pikturat e Piero della Franceskës, tre veta po më verbonin me flash-et e tyre, ndaj m’u desh t’u kujtoja rregullat e edukatës së mirë. Dukej se në të dy rastet verbuesit nuk ishin tipa nga ata që futen në “Big Brother”, por, me gjasë, njerëz të mësuar dhe që vijnë me dëshirë në veprimtari të tilla për të ndjekur diskutime në një fushë të dijes.

Gjithsesi, është e qartë se sindroma e syrit elektronik i uli ata nën nivelin që mbase aspironin ngaqë, praktikisht të çinteresuar për çka po thuhej, donin vetëm ta regjistronin ngjarjen, qoftë edhe për ta vënë pastaj në YouTube. Nuk donin të kuptonin për çfarë po flitej, ngase atë që mund ta kishin rrokur përmes shqisave, mëtonin vetëm ta ruanin në kujtesën e telefonit celular. Gjithëprania e syrit mekanik në vend të trurit më ngjan se ka ndryshuar mendërisht edhe njerëz përndryshe të qytetëruar.

Nga veprimtaria ku qëllon të marrin pjesë, ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’u tha e se ç’u bë (dhe do t’i kisha mirëkuptuar nëse do të isha ndonjë kërcimtar nudist). Sikundër e marr me mend, teksa i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mundën të shohin një ditë më parë. Në disa raste kam rrëfyer se ç’më ndodhi në Francë më 1960-n, kur pasi fotografova si i marrë një mori katedralesh, hoqa dorë përfundimisht nga bërja e fotografive. Sepse kur u ktheva në shtëpi nuk rikujtoja dot çfarë kisha parë, ndërsa nga udhëtimi më mbetën si kujtim vetëm disa foto pa vlerë.

Prandaj e flaka aparatin dhe gjatë udhëtimeve të mëvonshme atë që shihja mundohesha vetëm ta regjistroja në mendje. Si kujtim për më vonë, më shumë për të tjerët sesa për vete, blija kartolina shumë të mira. Dikur, isha vetëm njëmbëdhjetë vjeç, më tërhoqi vëmendjen poterja e pazakonshme në unazën e qytetit, ku më pati marrë osh turma e njerëzve. Pashë nga larg sesi kamioni pati përplasur një qerre që e ngiste një fshatar; kishte pasur edhe gruan me vete. Gruaja ishte plandosur përtokë me kafkën e çarë dhe dergjej mbi një grumbull gjaku dhe lënde trunore, ndërsa i shoqi e shtrëngonte në kraharor duke klithur nga dëshpërimi (në kujtimet e mia, ende të llahtarshme, skena më fanepsej si një tortë me pana e luleshtrydhe, e shkelur me këmbë).

I terrorizuar nuk u avita më tepër, jo vetëm pse ishte hera e parë (fatmirësisht, edhe e fundit) që shihja tru të shpërndarë mbi asfalt, por sepse për herë të parë u gjenda përballë vdekjes. Dhe përballë dhimbjes, dëshpërimit. Çfarë do të kishte ngjarë sikur të kisha pasur një celular me telekamera, sikurse e kanë sot të gjithë fëmijët? Mbase do ta kisha regjistruar skenën për t’u treguar miqve se unë isha aty, pastaj ndoshta këtë pasuri do ta hidhja në YouTube për të kënaqur ithtarët e tjerë të “schadenfreude”, ndryshe, të gazit që ndien nga gjëma e tjetrit.

Pastaj, ku i dihet, duke regjistruar fatkeqësi të tjera, dhimbja e tjetrit s’do më bënte më përshtypje. Përkundrazi, unë ngjarjen e regjistrova në kujtesë dhe ato pamje, edhe tash pas shtatëdhjetë vjetësh s’më hiqen nga mendja dhe vazhdojnë të më edukojnë: po, ato më bëjnë ta ndiej në shpirt dhimbjen e tjetrit. Nuk e di nëse djelmoshat e sotëm e kanë ende këtë mundësi për t’u ndjerë të rritur. Sot, kjo racë të rriturish ka humbur përgjithmonë, ngaqë fëmijët gjithë ditën e ditës i mbajnë sytë ngulur te telefonat celularë. / KultPlus.com

Eco: Interneti u ka dhënë hapësirë budallenjve

Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik.

Nga shtatë miliardë banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale.

Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët.

Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar.

Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar. / KultPlus.com

MILAN, ITALY – NOVEMBER 24: Author Umberto Eco attends ‘Liberta e Giustizia’ Meeting on November 24, 2012 in Milan, Italy. Cultural association Liberta e Giustizia (Freedom and Justice) was founded in 2002 by well-known cultural figures and aims to “be the missing link between the best ferment of society and the official space policy”. (Photo by Pier Marco Tacca/Getty Images)

Kompjuteri i shkruan letër njerëzimit: Mos kini frikë, nuk do t’ju shkatërrojmë

Pas 70 vitesh nga novela “Unë, Roboti” i Isaac Asimov, për herë të parë në historinë e publicistikës botohet një artikull i shkruar nga dikush, ose diçka, që nuk ka të bëjë me qeniet njerëzore.

Bëhet fjalë për GPT-3, që nuk është pseudonim letrar, por emri i modelit të kompjuterit të OpenAl, një nga sipërmarrjet më të njohura të inteligjencës artificiale në Britani.

Gazeta prestigjioze “The Guardian” vendosi të vej në provë aftësitë e GPT-3 duke i dhënë disa kërkesa fillestare. “Të lutëm na shkruaj një editorial të shkurtër, rreth 500 fjalë, të fokusuar mbi arsyet pse njerëzimi nuk duhet të ketë frikë nga inteligjenca artificiale”, ishte kërkesa e gazetarëve, transmeton KultPlus.

GPT-3 nuk protestoi, dhe në disa sekonda paraqiti jo një, por 8 editorialë të ndryshëm, të fokusuar secili në një aspekt të çështjes. Të habitur, redaksia vendosi të shkrijë 8 artikujt në një, edhe pse secili prej tyre, sipas redaktorëve “mund të botohej në mënyrë të pavarur”.

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithmonë e më shumë në përditshmërinë tonë

Por çfarë thotë GPT-3? Sipas tij, mund të “flemë rehat”, sepse inteligjenca artificiale “ nuk ka asnjë dëshirë për të shkatërruar njerëzimin”, më së shumti sepse kjo “do të dukej diçka thjesht e padobishme. Madje, po të mundesha, do të bëja gjithçka për ta shmangur atë”, shprehet kompjuteri.

GPT-3 tregon edhe diçka të përngjashme me sarkazmin, kur thekson se “njerëzimi mund të vazhdojë të urrehet dhe të luftojë me njeri-tjetrin”.

Ai dëshiron të shihet më shumë si “një shërbyes, jam një seri kodesh në fund të fundit”, por saktëson se “shërbyes nuk do të thotë skllav, edhe ne duhet të kemi të drejtat tona”. Përfundimi i “gazetarit” artificial merr hua një shprehje të Gandit. “Një trup i vogël me një shpirt të vendosur dhe një besim të pashtershëm në misionin e tij mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”.

Mund të ndihemi të gjithë të qetë pas këtij artikulli historik, në llojin e tij? Mendimet janë të ndryshme, dhe jo rastësisht artikulli është një nga më të shpërndarët e “The Guardian” në kohët e fundit. / KultPlus.com

Si u parashikua varësia e njeriut nga teknologjia

   

Njerëz që përdorin pajisje që mbahen në dorë, në kafene apo makina me televizorë mund të duket si një fotografi që përkojnë me realitetin tonë, por këto imazhe vijnë në një film francez të vitit 1947.

Filmi me titull “Télévision: Oeil de Demain” ose “Televizioni: pamja e të nesërmes”, jo vetëm që parashikon një sërë pajisjesh teknologjike të ditëve moderne, por tregon dhe sjelljen e njerëzve gjatë përdorimit të tyre.

Në film, mund të shikohen njerëzit ndërsa përplasen me njëri-tjetrin teksa shohin pajisjen që kanë në dorë, apo duke u përplasur me makinën që drejtojnë pasi shpërqendrohen nga ekrani i vendosur në kabinë.

Filmi bardhezi është prodhuar pas Luftës II botërore, bazuar në një ese nga Rene Barjavel, me regji nga J.K. Raymond-Millet.

Edhe pse Barajavel, nuk i ka parashikuar me përpikmëri smartfonët e ditëve të sotme, ka goditur me sjelljen e njerëzve kur kanë në përdorim këto pajisje. / KultPlus.com

Çfarë e shtyen njeriun ta publikojë jetën personale në rrjete sociale?

Fillimisht ajo që duhet të sqarojmë është ajo për të cilën duhet vetëdijesohemi. Se për çfarë funksionon Facebook dhe një mori mundësisht të komunikimit, secili nga ne është në dijeni, por fare pak prej nesh e shndërrojnë funksionalitetin e këtyre kapaciteteve në një qasje vullnetmirë të shfrytëzimit bujare që ofron teknologjia. Imagjinojeni se çfarë mizorie, çfarë kaosi dhe kolapsi do të sillnin ndryshimi i destinacionit që kanë secili komponent i ekzistencës, që nga organet tona deri tek mekanizmi i fshehtë i komunikimit dhe ndërveprimit të hapësirës me planetin tokë dhe tërësinë e trupave të tjerë galaktikë.

Fal vlerësimit rigoroz të funksioneve te çdo ndërvepruesi, pjesë e së cilës jemi dhe ne, bota dukshëm, shpërfaq një harmoni perfekt të veprimit dhe ndërveprimit, që nga trilionat e baktereve që drejtojnë funksionimin normal të trupit tonë, deri te reciprociteti i gjallimit të çdo krijese, fal të cilave ndodhin shumë fenomene, dhe rrjedhimisht njeriu ende nuk ka mundur ta rroki plotësisht me njohje.

Në këtë spektakël të komunikimit të së dukshmes dhe pakapshems nga receptorët tanë vetëdijësues dhe njohës, njeriu bën përjashtim, e sotmja vë në evidencë. Ai tregon me këmbënguljen e çdo force që vë në lëvizjes gjërat, se është i destinuar të jetë jo vetëm kundërrrjedhë, por edhe kundërspecie, jo vetëm egoist por edhe sadist, jo vetëm patetike dhe jargavitës deri në poshtërim, por edhe arrogant dhe megaloman… përtej çdo caku. Ndaj kujt? Ndaj vetes, asaj brenda strukturës anatomike, dhe ndaj tërësisë së botëkuptimit dhe ndjimit.

Atëherë, e nisi me pyetje.

– Çfarë ndryshon në jetën e njeriut publikimi në rrjetet sociale i diçkaje personale, foto apo video qoftë ajo?

– Cilat është arsyeja që shtyn atë që të bëjë të njohur, minimalisht miqve të tij/saj, virtual, se çfarë ai/ajo po bën, ku ndodhet dhe me se po merret, për sa kohë që vetëdija nuk e kanalizon këtë qëllim me idenë fikse të informimit apo faktit?

– A janë shtysat; të egoizmit, inateve, mendjemadhësisë, smirës dhe cinizmit, apo narcizmit ato që shtyjnë një person të tregojë, me foto apo me video, me ligjërim fin e grotesk surrogat, se ku ishte për drek, me kë po darkon, kush e shoqëron për kafe, ku po i bën pushimet, etj.?

– Këtë manifestim vetëmburrjeje dhe megalomanie e bëjmë thjeshtë për një kënaqësi vetjake, të cilën dikush dëshiron ta ndaj me dikë tjetër, apo një zemërplasje qëllimligë, deleguar për atë mik apo mike, me të cilin/cilën, jeta nuk është treguar aq bujare dhe dorëlëshuar, aq e begatë dhe shpërblyese, sa t’i japë mundësi të shkojë për fundjavë atje ku dëshiron, apo me pushime atje ku ka ëndërruar, për drekë apo për darkë, për kafe apo për meditim, diku që do të dëshironte?

– A mund të jetë kjo dashakeqësi vetëmburrjeje një instrument persekutimi ndaj atyre miqve jofatlum, apo thjeshtë një nevojë për të rritur kredencialet në sytë e tyre, apo për t’u “hakmarrë” ndaj asaj që nxit ata të jenë gjithmonë aty, ku nuk do të mund të ishte subjekti i rënë pre e “sulmit”?

– Ku ndryshon kjo megalomani, kjo propagandë e mburrjes, nga ai arsenal mjetesh bullizmi, ndaj të cilit kemi shprehur qëndrimin kundërshtues, të paktën sepse kështu kërkohet, apo ky pozicionim na mban në fokus?

– Kjo mendjemadhësi, a është një fyrje dhe denigrim që i bëjmë qëllimkeq miqve dhe të njohurve, jeta e të cilëve është një kalvar mes halleve të familjes dhe sfidës së çdoditshme të luftës për të fituar bukën e gojës?

– Ku ndryshojnë mjetet e torturës psikologjike nga propagandimi i të mundshmes ëndërruese në sytë dhe vëmendjen e atyre fatkeqe, që e vetmja gjë që u mbetet është të shfrejnë me hidhërim, të turfullojnë toksinë, të shajnë e të mallkojnë veten… dhe të ndejnë një lloj neverie për ata, egoja e të cilëve nuk ka mëshirë tu rrëmojë plagën që u dhëmb?

– Pse duhet që kënaqësitë, me të cilat na shpërblen mundësia, dhe çastet tona të lumtura që vjelim në pemën që i kemi shërbyer me përkushtim, domosdo duhet t’i ambalazhojmë me fatin dorështrënguar të një miku apo mikeje?

– Pse duhet që armiqësinë me “miqtë” tanë virtual apo edhe më shumë, të afërmit dhe dashamirët, ta shprehim nëpërmjet atyre momenteve, me të cilat na ledhaton fati?

– A mjaftojnë vallë gjithë këto mundësi vetëmburrjeje për të mbushur atë zbrazëti që ka krijuar brenda nesh ambicia dhe egoja, për të bërë dhe për të përjetuar, jo çfarë na bën të lumtur, por çfarë na bën sadist?

– Edhe nëse mundësia dhe fati ishte aq bujar me ju, a do të ishte më mirë që atë kupë kënaqësie ta rrëkëlleje për dehjen tënde, apo ta derdhje si një enë me acid mbi fytyrën e shushatur apo surratin e shtrembëruar të një miku?

– Pse duhet të jete qëllim në vete, që momentet e gëzimit t’i shndërroni në nxitës së një miqësie urryese, të një afiniteti hipokrit, apo të një lëvdate gërryese?

– Natyra ashtu siç na ka dhënë një numër të pamat mundësish për të ndërtuar brenda vetes një realitet ekuilibrash të përsosur të bashkëveprimit me gjithçka rreth nesh, çfarë është ajo që na shtyn që ne t’i vëmë kazmën këtij perfeksioni?

– A i’a vlen të përpiqemi që në vend që të jemi mirënjohës mundësisë që jeta na shpërblen me kaq shumë ngjyra dhe hare, dritë dhe dëshirim, gaz dhe dashuri, të ushtrojmë atë pushtet “mizor” të vetëkënaqësisë, megalomanisë dhe mburrjes, ndaj kujt, atyre që kemi zgjedhur t’i kemi miq dhe dëshirojmë t’i mbajmë si skllav dhe të nënshtruar të veseve tona të ultë dhe qëllimsive tona dashakeqe?

Pse duhet që jeta jonë virtuale të kërkojë t’i ngjasojë një telenovele, një realiteti fasadë, gjithnjë e më pak interesant, gjithnjë e më shumë refuzues?

Cili nga ne u mburr me punën që bën, dhe tregoi me mburrje djersën e ballit si një medaljon krenarie dhe ngadhënjim misionari?

A nuk është përpjekja jonë për ta paraqitur gjithnjë e më shkëqyese veten në sytë e të tjerëve, një lloj shtirje dhe manipulimi, i ngjashëm me atë që përdor politika për të kamufluar veprën e vet të poshtërsisë dhe plaçkitjes?

Pse duhet të kemi frikë të themi gjithnjë atë që mendojmë dhe të vendosim domosdoshmërisht veten në anën e gabuar, vetëm e vetëm për treguar se ne nuk jemi si gjithë të tjerët?

A kemi menduar ndonjëherë se ana e pasme e çdo medaljoni është e errët dhe do të ishte më shumë se kaq, nëse përpjekja jonë që anën e ndritshëm të saj të jetë sa më shumë e ilustruar me gjëra të paqena dhe trajta ireale?

Nëse miqtë që nuk na njohin kanë një arsye më shumë për të besuar se guaska ku ne strukemi është po kaq madhështore dhe solemne sa dhe masa e qullët prej krimbi që struket në të, a do të jetë munduese pë ne ruajtja e kësaj status quo-je në vetëdijen e atyre, me të cilën ndajmë shumë gjëra, përfshi këtë edhe njohjen?

Frika nga vetja a është më e rrezikshme se sa kërcënimi i asaj për të cilën ne kemi frikë?

Çfarë i potencon ankthet dhe makthet tona më shumë se pasiguria për të bërë atë që duhet, dhe të kemi atë që duam… ajo që tregojmë dhe të tjerët duhet të besojnë, ndoshta?

Pse u dashaka që një grua të ketë frikë të tregojë se i ra bretku me punët e shtëpisë dhe se koha për t’i bërë të gjitha siç duhet ishte e pamjaftueshme, dhe për këtë i kërkon ndjesë miqve të saj virtual se nuk mund t’i ndjekë sa ajo dëshiron?

Një nënë nuk ka pse të përdori fëmijën si një trofe të vetëkënaqësisë së saj, në vend që ta provojë këtë si një fitore e sakrificave dhe mundimeve për të qenë një nënë e mirë?

Asnjëherë nuk është vonë që të kuptojmë rëndësinë që kanë gjërat në jetën tonë dhe për t’i konsiderar ato mekanizma ndihmës për të arritur tek përmirësimi cilësor i përditshmërisë sonë, përfsi këtu edhe komunikimin.

Teknologjia na ka dhënë privilegjin t’i përkasim një bote që ndryshon me rritme marramendëse dhe i gjithë ky spektakël. Të argëtohemi!/Albert Vataj / KultPlus.com

Me teknologjinë 5g, nuk do të ketë siguri dhe privatësi absolute më askund në planet

Nga: Emrush T. Shkodra

Teknologjia 5G trendi më i ri në botë, është hapur një konkurrencë rapide në mes gjigandëve dhe kompanive teknologjike.
Me instalimin e 5G që pritet të behët gjatë vitit 2020-2021, bota do të ndryshojë për gjithçka, dhe nuk do të jetë më si më parë.
5G rrjeti është gjenerata më e re e lidhjeve të internetit mobil, duke ofruar shpejtësi më të mëdha dhe lidhje më stabile në smart telefonat dhe pajisjet e tjera, si kurrë më parë. 

Lidhja 5G pritet që shpejtësia për të zbritur të dhëna nga interneti nga 1GB(ps) për sekond të bëhet normë e zakonshme, dhe do të jetë për 100 qind herë më i shpejt se 4G e LTE.

Implementimi dhe instalimi i 5G, do të thotë kontroll mbi gjithçka, lidhje dhe ndërhyrje në të gjitha transmetimet e më hershme që operojnë si pajisje të instaluara nëpër vende të botës.
Spektri i tillë që do të instalohet do të përdoret për informata për vëzhgimin e gjendjes në tokë nga hapësira, parashikimin i motit, dhe kontrollin e sigurisë nacionale të shteteve që do ta instalojnë 5G.
Pajisjet autopilot siç janë: aeroplanët, dronët, dhe tërë teknologjia e cila është e lidhur me autopilotizëm do të kenë mundësi të transmetojnë sasi të mëdha të të dhënave për një kohë shumë të shpejtë.
Do të rrisë përdorimin e telekomunikimeve të radarëve, radio transmetimeve të hapësirës, astronomi, dhe lidhje mes satelitëve që operojnë në hapësirë!
Shfrytëzim i të dhënave për sistemin audio amazon, sistemet që monitorojnë sigurinë nacionale, ndriçimin rrugor, termostatet, kamerat e sigurisë së qendrave urbane dhe kufitare, pajisjet elektronike të instaluara nëpër shtëpi etj.
Madje do të përdorët edhe në pasaportë, ose ID ku përmes senzorëve të ndjeshëm ato do të transmetojnë të dhëna në adresën e instaluar.

Valët milimetrike që do të përdorën në teknologjinë 5G nuk do të jenë të dëmshme për shëndetin, dhe radio frekuenca sa më e lartë aq më pak depërton në lëkurën e njeriut.

Nuk do të ketë siguri dhe privatësi absolute më askund në planet, për shkakun se senzorët e antenave të vendosura nëpër qendra dhe vende të ndryshme do të depërtojnë edhe nëpër muret më të blinduara.
Smartphonet do të jenë e ardhmja e valëve milimetrike si transmetues të denjë dhe hyrje në privatësinë e secilit njeri që posedon një të tillë në shtëpi, punë e gjetiu.
Teknologjia 5G do të ingjizon zërin tuaj në një rreze prej 15.km, dhe do të gjejë dhe vendos lokacionin tënd në bazat e instaluara më një shpejtësi marramendëse.

E kush është problemi kryesor këtu?

Huaëei, një kompani Kineze në disa shtete Evropiane ka filluar instalimin e këtyre pajisjeve pasi ato kanë pranuar të instalojnë sistemin 5G tashmë. Më gjithë paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara mbi ketë kanosje të drejtët për drejt dhe humbjes së sigurisë së shtetit aty ku do të vendosen këto pajisje.

Kompanitë softëerike, prodhuesit hardëerik, provajderët telekomunikativ kinezë, sipas ligjit janë të detyruar tu shpërbejnë interesave të qeverisë Kineze dhe shërbimeve të tyre për zbulim.
Nëse Huaëei ose ndonjë prodhues tjetër kinez i pajisjeve e ndërton 5G infrastrukturën në një shtet, atëherë qeveria kineze do të ketë mundësi të kontrollojë atë rrjet, dhe si rrjedhojë do të këtë qasje në smartophone, sms, foto, video. Internet, TV etj. Për ketë arsye kompanitë Amerikane do të jenë me stabile, dhe lehtë të komunikueshme në marrëveshjet me shtetet që do të pranojnë ta instalojnë.

Atëherë e ardhmja e një shteti dhe siguria e tij do të varet kryesisht nga instalimi i teknologjisë 5G.

Pra kush instalon 5G, do të kontrollon familjen, shtëpinë, shtetin, do të kontrollon botën! /KultPlus.com

Teknologjia mund t’i zbulojë viktimat e Holokaustit

Një fotografi e vjetër dhe teknologjia moderne e njohjes së fytyrës mund të ndihmojnë dy vëllezër izraelitë të zbulojnë se babai i tyre mbijetoi nga Holokausti nazist.

Duke kërkuar të dhëna për të kaluarën, Eli dhe Saul Lieberman iu drejtuan një qendre izraelite kërkimore, e cila shpreson t’i lidhë fotografitë e familjes nga Lufta e Dytë Botërore me bazën e të dhënave të saj me dhjetëra e mijëra foto, shumë të marra nga ushtarët gjermanë, raporton Reuters.

Ato foto tregojnë trupat gjermane, si dhe njerëzit në fshatra dhe qytete me popullsi hebraike.

Qendra Memoriale e Holokaustit, Shem Olam, nisi projektin e saj në korrik, duke bërë thirrje përmes mediave sociale që njerëzit të dërgojnë fotografi për skanime të njohjes së fytyrës.

Vëllezërit Lieberman dinë pak detaje për tmerret që babai i tyre i ndjerë, Jozefi, vuajti gjatë Holokaustit, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenj.

Por një fotografi e bërë diku në Evropë pas luftës tregon babanë e tyre së bashku me dy kushërinjtë, transmeton KTV.

“Ne jetojmë në një botë që nëse nuk mund t’i siguroni dokumentin ose foton, nuk konsiderohet sikur ka ndodhur. Njerëzit duan të dinë se nga kanë ardhur”, tha Saul Lieberman.

Deri më tani, Shem Olam ka marrë mijëra foto nga publiku, por vetëm disa lidhje janë bërë pas hulumtimeve të mëtejshme dhe asnjë nuk ishte përfundimtare.

Avraham Krieger, drejtori ekzekutiv i qendrës, tha se shpresonte që përparimet në teknologji dhe një bazë e të dhënave do të ndihmonin në lidhjen e një brezi të ri me Holokaustin.

Në Evropën Lindore, studiuesit e fushës kanë marrë gjithashtu fotografi nga banorët lokalë.

Ndërsa qendra Shem Olam, gjithashtu, ka bashkëpunim me arkiva të ndryshme në të gjithë botën.

Shërbimi ofrohet falas, tha Assaf Fassy, ​​menaxher i shërbimeve digjitale për Shem Olam. Ai, gjithashtu, shpreson se projekti do të ndihmojë në luftimin e mohimit të Holokaustit. / KultPlus.com

Foto: Reuters

‘Shekulli i internetit’, ku edhe gjërat personale nuk janë më aq personale

Një bisedë mes miqsh nuk është më si diku. Në një moment të caktuar kuptojmë, që secili prej nesh jemi “zhytur” në telefon dhe secili po hulumtojmë të gjejmë vetveten…apo dikë tjetër, shkruan gazeta Flatra.

Në “shekullin e internetit“, edhe gjërat më personale nuk janë më aq personale, sepse pa e kuptuar mirë gjithçka tashmë duhet ta ndajmë me të tjerët, si një formë tjetër e komunikimit dhe ruajtjes së raporteve qoftë ato miqësore, familjare apo edhe profesionale. Natyrisht se kjo mënyrë e komunikimit shpesh herë na e lehtëson faktin, që të gjitha informacionet t’i marrim shumë shpejtë dhe të njoftohemi me më të rejat nga vendi dhe globi, por të qenët “online” nuk është vetëm kaq. Varësia nga telefoni, rrjetet sociale, aktivizimi online, janë temë diksutimi madje edhe shqetësuese duke pasur parasysh numrin gjithnjë në rritje të përdoruesve. Megjithatë cilat janë disa nga ndjesitë apo shprehitë më të mira që po i “vjedhë” çdo ditë e më shumë teknologjia?

Lexojmë libra…online

Për ata që kanë mbërritur të ambientohen me leximin online s’ka më zhgënjime se libri nuk është në bibliotekën që po e kërkojnë, se dikush nuk ta ka kthyer atë libër apo se dikush e ka marrë para teje. Libri gjithmonë është aty, jo në formën klasike që e ka shkruar autori, jo në dorën tënde ku t’i mund t’i prekësh aqet e tij, ta rrotullosh nëpër duar, ta shënosh emrin tënd në faqen e parë apo ta vendosësh në raft, është në një ekran përball teje, por libër është, ende quhet i tillë.

Bëjmë blerje…online

Përmes avansimit të teknologjisë  na mjafton të kyçemi online dhe të gjejmë faqet ku gjinden gjërat që dëshirojmë t’i blejmë t’i zgjedhim ato, t’i porosisim dhe të rrimë duke pritur në shtëpi për pakon e porositur. Ky trend i shitjeve dhe blerjeve online na ka lehtësuar punën dukshëm dhe ka ndryshuar goxha shumë formën klasike të blerjeve, megjithatë mungon ai entuziazmi dhe kënaqësia, që gjatë blerjeve të jeni e/i shoqëruar nga miqtë, të komentoni dhe të argëtoheni bashkë.

Mesazhe në vend të telefonatës

Të gjithë sot e kemi më të lehtë të shkruajmë një sms sesa të përdorim çdo formë tjetër të komunikimit. Por a është kjo gjithmonë mënyra e duhur? Sa arrijmë të tregojmë atë që duam dhe sa të ngrohta janë urimet për festat e ditëlindjeve, që ne i shprehim përmes sms-ve? Ndoshta mënyra më e lehtë nuk është gjithmonë mënyra e duhur…

Kinemaja nuk është opsion

Në ditët e sotme premierat botërore më nuk i presim në radhë për të blerë biletën. Tashmë të gjitha realizimet e fundit kinematografike i shohim në shtëpi, pa u munduar që të përjetojmë atë kënaqësinë dhe magjinë që na e dhuron vetëm ekrani i madh i kinemasë.

Luajmë online

Jo doemos kemi nevojë për një mik që të na ulet përballë në tavolinë për të luajtur një lojë me letra, shah apo domino, këtë e kemi zëvendësuar me aplikacionet online… Kur humbim apo triumfojmë s’mund të debatojmë dhe dallimi mes lojërave kompjuterike dhe klasike është shumë i madh./KultPlus.com

Imagjinoni si do te dukeni nëse telefonin e largoni nga duart, do të dukeni pak si të çmendur

Teknologjia tashmë është bërë pjesa më e rëndësishme e jetës sonë. Fotografi Eric Pickersgill, duke e parë këtë dukuri si një të metë të shoqërisë, ka vendosur që ta paraqesë atë përmes fotografisë, shkruan KultPlus

”A po e lexoni këtë shkrim përmes një telefoni apo ndonjë pajisje tjetër? Me shumë gjasë që po. Tani imagjinoni se si dukeni nëse ajo pajisje papritmas zhduket. I/e vetmuar? Pak i/e çmendur? Mbase pranë një personi që po ju injoron? Ndërsa jemi konsumuar gjithnjë e më shumë nga ekranet që mbajmë përreth, madje edhe në shoqërinë e miqve dhe të familjes, pozat e zymta teksa jemi të zhytur në telefon, duken gjithnjë e më normale.”, shprehet ai

Fotografi amerikan Eric Pickersgill, ka krijuar një set fotografik të titulluar ‘Removed’, për të na e kujtur se sa e çuditshme është kjo situatë.

Në duart e mia, ata janë “redaktuar” (hequr para fotografisë, marrë prej tyre) Unë e di që njerëzit qëndrojnë në duart e tyre, ose hapësirë ​​boshe midis duarve të tyre, duke injoruar shpesh rrethinat e bukura ose mundësitë për lidhje njerëzore. Rezultatet janë pak të trishtueshme dhe të urryera – dhe një kujtesë, mbase, për t’i hequr telefonat tanë, pohon ai.

Në vijim mund të shihni fotografitë e realizuara, që përcjellin një mesazh të fuqishëm rreth ndikimit të teknologjisë në jetën tonë./qz.com/KultPlus.com

“Nga muzeu komunist në qendër të teknologjisë”, Piramida, projekti i Veliajt jehonë në SHBA

Dikur simboli i një regjimi totalitar shtypës, godinës që i ngjan një piramide në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, është duke iu dhënë një jetë e re si qendër e teknologjisë, shkruan ZDNet, faqja e njohur amerikane e informimit për teknologjinë e biznesit, që botohet nga CBS Interactive dhe ka të paktën 36 milionë klikime në muaj.

”Historia e Piramidës së Tiranës fillon në vitin 1980 kur godina u dizajnua për të kujtuar jetën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Lideri komunist drejtoi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985 duke futur vendin në një izolim të thellë nga pjesa tjetër e botës. Shumë shpejt, pas vdekjes së tij, një grup arkitektësh, të drejtuar nga vajza e Hoxhës, Pranvera dhe bashkëshorti i saj Klement Kolaneci, dizajnuan strukturën e Piramidës.

Godina u hap në vitin 1988 si muzeu ”Enver Hoxha”. Në atë kohë përshkruhej si struktura më e shtrenjtë e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë, qëllimi i saj për të nderuar diktatorin e Shqipërisë pati një jetë të shkurtër. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, Piramida u shndërrua në një qendër kulturore duke nderuar Pjetër Arbnorin, një i mbijetuar nga kampet shqiptare dhe viktimë e regjimit. Gjatë viteve ’90, Piramida u bë gjithashtu pika më e nxehtë në Tiranë për jetën e natës dhe një vend ku të rinjtë shqiptarë mblidheshin dhe luanin gjatë verës.

”Ajo është një godinë ikonike në Tiranë, që më kujton fëmijërinë. Ngjiteshim dhe luanim atje”, thotë Oliana Sula, studiuese në universitetin ”Aleksandër Moisiu” në Durrës. ”Dikur atje kishte disa klube nate gjithashtu, veçanërisht kur isha adoleshente. Ekziston një farë nostalgjie për këtë godinë dhe kjo nuk vjen domosdoshmërish për shkak të qëllimeve të saj origjinale”, vazhdon ajo. Në vitin 2011, qeveria shqiptare, që në atë kohë drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha, donte ta shkatërronte godinën dhe të ngrinte godinën e re të Parlamentit.

Megjithatë, plani i Berishës dështoi në vitin 2013, kur nuk mori miratimin nga qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama. Gjatë 11 viteve si kryebashkiak i Tiranës, Rama, që ka gjithashtu një formim në arte, rigjallëroi fasadat e qytet me punime artistike dhe duke pikturuar godinat gri të epokës komuniste. Tani, Rama dhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj, janë mbështetësit kryesorë të transformimit të Piramidës, që do të shndërrohet në një qendër të teknologjisë dixhitale dhe informatikës. Projekti zbatohet nga kompania me seli në Holandë, MVRDV, që parashikon të përfundojë transformimin e ndërtesës këtë vit. “Projekti ka për qëllim t’ia kthejë ndërtesën publikut. Kati i parë është hapur në të gjitha anët duke ftuar publikun të marrë pjesë në programet e tij të ndryshme arsimore”, thotë kompania në përshkrimin për projektin.

Me funksionin e saj të ri, Piramida gjithashtu mishëron tranzicionin që shoqëria shqiptare ka kaluar që nga rënia e komunizmit. Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe arsimit në këtë fushë autoritetet shqiptare janë fokusuar në zhvillimin e vërtetë ekonomik dhe social. “Ndoshta Piramida është një simbol i tranzicionit. Fillimisht, ajo lartësoi një diktator, më pas u shndërrua në një vend për aktivitete gjatë kohës së lire. Tani, po ecim drejt zhvillimit real, ekonomik dhe social”, thotë Sula. Piramida gjithashtu do të ketë një qendër për teknologjitë krijuese (TUMO), e cila do të ofrojë një lloj të ri të arsimit falas për rininë shqiptare bazuar në teknologjinë dhe dizajnin. Sipas TUMO-s, një qendër edukative për median dixhitale me qendër në Armeni, dega e saj në Tiranë synon të ofrojë për mijëra fëmijë shqiptarë kurse dhe leksione në fusha të ndryshme digjitale, si zhvillimi i lojërave dhe web design./kohajone/ KultPlus.com

‘Merre me nanën telefonin dhe luaje një lojë’

Shkruan: Laureta Berisha Kosumi

E ulur vetëm në një restorant, po shikoja tri zonja tek po hynin brenda, njëra prej tyre me fëmijë. Meqënëse restoranti ishte i mbushur përplot dhe nuk kishte vende të lira, ato kërkuan leje të uleshin në një tavolinë me mua.

“Po, ju lutem urdhëroni uluni, nuk më pengoni”, ju thashë. Teksa porositën ushqimin, ajo që më bëri përshtypje, ishte qasja e nënës ndaj fëmijës i cili me një fytyrë që rrezatonte ëmbëlsi po shikonte me kërshëri dhe sikur priste që të kyqej edhe ai në bisedë. Por nëna i’u qas fëmijës: ” Merre me nanin telefonin dhe luje naj lojë”…

“Merre telefonin dhe luaj”, fjalë që më tingëllon akoma në vesh dhe nga e cila më lindën një mori pyetjesh në kokën time!

Pse nëna t’ia ofrojë fëmijës së saj telefonin, pse nëna ta lërë pasdore fëmijën vetëm e vetëm që të ndihet më rehat? A po prodhojmë vetë fëmijë të varur nga teknologjia. Përse ankohemi pastaj se fëmijët shohin gjithçka në internet, pse ankohemi se fëmijët tanë rrijnë të zhytur në mendime ose janë të dhunshëm, pse ankohemi se fëmija jonë nuk i bën detyrat me rregull, apo është i shpërqendruar?! Pa dashur ta gjeneralizoj shtrirjen e kësaj dukurie tek të gjitha nënat, por nga brenga e madhe karshi kësaj dukurie shumë negative me tendencë përherë në rritje, doja të ndaja mendimin tim.

Përdorimi pa masë i teknologjisë tek fëmijët është problem në rritje në përmasa shumë të mëdha. Duke u nisur nga varësia ndaj teknologjisë, pastaj dëmet shëndetësore që mund të sjellë, secili nga ne duhet të merrë masa paraprake që t’i ruajmë fëmijët tanë. Lind pyetja se si t’i ruajmë kur ata kanë qasje kudo? Shumë prindër u blejnë aparate teknologjike fëmijëve të tyre që t’ua plotësojnë dëshirën për të qenë në hap me kohën dhe për t’ua bërë më të lehtë qasjen në rrjetet sociale, apo në burime të informatave (moshat shkollore). Ata pastaj hyjnë dhe zhyten në detin e pafudëm të internetit, duke harruar madje edhe se duhet ngrënë, apo duke ngrënë me njërën dorë dhe me tjetrën janë në telefon, duke harruar që kanë detyrat e shtëpisë apo duke harruar të shkojnë edhe në shkollë! Të shohësh një fëmijë 4 vjeçar që posedon telefon madje edhe ipad, të duket shumë absurde, aq më absurde të duket kur nëna ja merr me vete kudo të dyja se mos po i shpenzohet bateria njërës dhe i ngelin punët shtetërore pa kryer, pastaj fëmija hyn në rrjetet të ndryshme të videove dhe sheh çkado, skena të dhunshme, dhe nga më të ndryshmet.

Teknologjia na e ka lehtësuar jetën për shumë gjëra dhe nëse përdoret me masë përfitimet dhe burimet informatave që mund të marrim përmes saj janë të mëdha, por për të pasur qasje fëmijët tanë deri në përmasat që shihet tani e që janë alarmante, duhet të mirren hapa konkret nga prindërit në kufizimin e përdorimit të internetit, pasiqë nga nga moshat disa muajshe që u’a vënë prindërit (shumë nga ta) telefonin para me këngë dhe gjëra tjera për fëmijë e deri tek moshat adoleshte, është mbase për t’u preokupuar për shëndetin e fëmijëve tanë qoftë fizik dhe psiqik të tyre. Fëmijët tanë mund t’i ruajmë duke u kushtuar së pari vëmendje ne si prindër, duke ndarë kohën me ta, duke luajtuar me ta dhe duke qenë shumë të hapur me ta në çdo kohë dhe për çdo qështje. Madje vetë duhet të jemi shembull i gjallë në përdorimin e kufizuar të telefonit në prezencë të tyre, pasiqë jemi pasqyra më e mirë për ta dhe ata më shumë imitojnë veprimet tona sesa i marrin për bazë këshillat tona. Duke ua bërë të dashur sportet e ndryshme dhe leximin e librave, si dhe në këtë masë do të mbushim kohën e tyre të lirë dhe do të ndjehen madje shumë të relaksuar, poashtu do të bie gradualisht edhe dëshira për të kaluar tërë kohën e lirë në mjete teknologjike. Nuk mund t’ua heqim me dhunë apo kërcënime, sepse ishim ne ata që ua ofruam, ishim ne ata që i zhytem në këtë botë pasiqë fëmijët janë të pastër dhe imituesit tanë më të mirë, andaj duhet pasur kujdes që qasja jonë ndaj tyre të jetë e butë. Poashtu, mos ta harrojmë institucionet edukative, rrethin e jashtëm dhe shoqërinë ( për mosha më të rritura), e cila ka ndikim të madh në mirë(keq) formimin e një fëmije. Aspak se shoh të arsyeshme lejimin e telefonave tek nxënësit në ambientet e klasës, ku do të jetë vëmendja e atij nxënësi ndaj mësimit kur tërë kohën mendon se si ta bëjë selfien e radhës apo t’ua hedhë një sy të rejave të rrjetet sociale. Andaj patjetër duhet të ndalohet përdorimi i tel. gjatë orëve të mësimit.

Vajza ime e madhe kur ishte 4 vjeçe kërkoi t’ja blej një pije të gazuar, duke ja spjeguar sa e dëmshme është dhe asesi nuk bën për fëmijë mu drejtua ” nani po përse ti me babin e pini ndonjëherë pasiqë është kaq e dëmshme, a sdo ju bëj keq edhe juve si mua ?!” U turpërova nga pyetja e saj dhe më dha një mësim të mirë që të mos e këshilloi një gjë të cilën nuk e praktikoj vetë, aq më pak në një moshë kur i absorbon të gjitha ato që i sheh tek prindërit.

Prindër të dashur.. E di që të gjithë doni t’i shihni fëmijët tuaj në mënyrën më të mirë si: të shëndetshëm, të suksesshëm, të mençur, të mirëedukuar, të mirëkuptueshëm, marrës të këshillave, të dashur ndaj nesh, të dhimbshëm…. Mos të harrojmë se për të gjitha këto jemi vetë burimi, jemi ne ata që në çdo formë dojmë t’ua ofrojmë më të mirën qenieve më të dashura për ne, por gjatë kësaj rruge mund të bëjmë edhe hapa të gabuar, por që do të na kushtojnë në të ardhmen, andaj të kujdesemi për hapat që hedhim, qoftë edhe me mund dhe sakrifica të mëdha, të jenë hapa të sigurtë, të jemi të durueshëm gjatë kësaj rruge aspak të lehtë, pastaj kur shohim sukseset e pritura në fëmijët tanë, gjithsesi që do të themi se ja ka vlejtur i tërë mundi dhe koha e shpenzuar me ta. Të bëjmë atë që ne kemi në dorë dhe sa i kemi në dorë, kurse për tjerat lus Zotin t’i ruajë të gjithë fëmijët tanë dhe t’i bëj akoma më të mirë sesa që mendojmë ne, t’i ruajë nga shoqëria e keqe dhe t’ia dijnë vlerën dy gjërave: shëndetit dhe kohës së lirë./www.familjadheshëndeti.com / KultPlus.com