Fotografi të rralla nga vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri (FOTO)

Bekim Fehmiu ose më qartë aktori i madh i “Odisesë” në rolin e Uliksit në krah të Irene Papas, njohur nga shqiptarët më vonë si një hero kinematografie, ka vizituar Shqipërinë në vitin 1972.

Ishte akoma një kohë “liberalizmi” dhe akoma nuk kishte filluar goditja vdekjeprurëse  artit dhe kulturës në Shqipëri nga Enver Hoxha, e në këtë fazë, është lejuar edhe vizita e një aktori të tillë të madh, në vëndin më të izoluar ndoshta të të gjithë botës. Në një fletë të muzeut të atëhershëm në Shkodër, në datën 30 prill 1972, aktori i madh shqiptar shkruan me dashuri për Shkodrën: Jam i lumtur që mbas tridhjetë e nji vjetë të gjindem në Shkodër, në qytet ku kam kaluar vitet e para të fëminisë s’ime, rrajët kishin qënë të thella dhe të pa shpërngulta…..Bekim Ibrahim Fehmiu….Shkodër me 30-Prill. 1972.

Një gjuhë e bukur në një shqipe të veriut dhe sidomos shprehja “ të pa shpërngulta” në atë kohë ishin shumë domethënëse për të gjithë ato që kishin mundësi ti lexonin. Një dedikim dhe përshtypje e ndjerë e një kosovari “gjysëm shkodran” me origjinë nga Gjakova, që kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij dhe fillimin e shkollës në qytetin e Shkodrës. I jati tij Ibrahim Fehmiu, i lidhur me patriotët anti serbë, por edhe me një përndjekje të gjatë, ka qenë një mësues si në vitet 20-të, por edhe një qytetar i Shkodrës në vitin 39-të dhe drejtor didaktik i shkollave fillore.

Sikundër thotë dhe djali i aktorit të madh që tashmë nuk jeton Uliksi, emrat e fëmijëve të Ibrahimit ishin vënë kështu: Vajza më e madhe u quajt Besa, fjalë e nderit, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse e shqiptarëve; Shpresa do të thoshte shpresë në ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim, djali i parë, në kuptimin e bashkimit të shqiptarëve; Arsim, arsimimi i popullit; Fatmir, fat i mirë për popullin; Bekim, babai im, donte të thoshte bekimi i popullit; Afërdita, agimi është afër për popullin shqiptar dhe Luljeta, lulja e jetës.

Afërdita është edhe vajza që ka lindur në Shkodër. Por një pjesë e madhe  e fëmijëve kanë qënë në shkollë në qytetin e madh verior në shkollën “Skanderbeg” të lagjes Rus. Bekimi është larguar nga Shkodra në vitin 41 dhe në këtë mënyrë ai shkruan i qartë dhe mungesën prej 31 vitesh në qytetin ku ka mësuar për herë të parë të lexojë.

Në Shkodër në atë kohë, edhe pse me një kujdes të madh nga ana e autoriteteve si të partisë e cila kontrollonte gjithshka dhe më në prapavijë atyre të sigurimit, e kanë pritur me një gëzim dhe respekt të madh njerzit, sidomos ato të kulturës dhe artit. E gjithë trupa e teatrit “Migjeni” dhe pjesët intelektuale të qytetit, por dhe kulturës në veçanti, kanë mundur të jenë afër tij. Shoqëruesi i përhershëm i Fehmiut ka qënë drejtori i atëhershëm i teatrit Jovan Vojushi që nuk jetom më. Fehmiu i veshur në mënyrë të kohës, por tepër serioz, ka dalë në disa dhjetra foto me të ndjerët Serafin Fanku e Tano Banushi, Vitore Nino e Bep Shiroka, por edhe Bik Pepa e Mërgim Muhja si dhe të tjerë, të cilët nuk janë më. Janë në foto në një gëzim të veçantë shumë artistë të skenës shqiptare, letrarë dhe kompozitorë e këngëtarë të Shkodrës.

Janë në foto me Fehmiun, Fadil Kraja, Esat Kola, Ymer Bala dhe Katrina Biga, Bik Ndoja dhe Mark Kaftalli, Paulin Preka dhe i riu Zef Deda në atë kohë, e vogla e asaj kohe Violeta Zefi, por dhe Bruno Shllaku etj etj. Me aktorin e madh janë shumë e shumë artistë, dhe patjetër Fehmiu ka takuar ose më mirë të themi është lejuar të takojë edhe qytetarë të ndryshëm në rrugët e Shkodrës. Ai ka takuar edhe bashkëshorten e Bajram Currit dhe familjen e saj në Shkodër, ka vizituar Muzeun e Shkodrës, dhe ka takuar shumë njerëz të historisë dhe letrave, në mes tyre edhe prof Karahman Ulqinin, por edhe shumë të tjerë, dhe është interesuar në mënyrë të veçantë për historinë. Në një nga sektorët ku ka qënë edhe historia e Gjergj Kastriotit, Fehmiu i emocionuar shumë, ka kujtuar se “duhet një film i madh i luajtur nga një shqiptar për Skënderbun” dhe nga kjo batutë, ka dalë edhe e thëna e asaj kohe, se Bekim Fehmiu, ka kërkuar të luajë Skënderbun.

Në fakt, Fehmiu ka treguar se nuk ka një film për Skënderbeun, të luajtur nga një shqiptar, duke ditur se aktori i filmit të realizuar kryesisht nga sovjetikët, ishte një aktor gjeorgjan. Vizita e Fehmiut, ka bërë një bujë të madhe në qytetin e Shkodrës dhe duhet thënë se në atë kohë një aktor i tillë, i përmasave të mëdha, që kishte luajtur një nga filmat më të realizuar për “Odisenë”, është parë edhe me interesin e madh të një “lirie” dhe kontakti me botën. Fehmiu ka vizituar edhe në shtëpinë e dikurshme, dhe është interesuar edhe për të dhëna të tjera mbi familjen dhe sidomos të jatin e tij.

Është interesuar për të shkuarën e familjes dhe miqësitë e dikurshme, apo edhe për emra të komshive. Bekim Fehmiu në atë kohë pinte shumë cigare, dhe në një rast i kanë afruar një cigare nga markat e reja të prodhimit të fabrikës së Shkodrës, e batuta e asaj rradhe ka qënë sipas njerzve prezent në takimet me të: Ky po, që është duhan i fortë, dhe i pastër si vetë ky qytet. Një ditë mbas Bekim Fehmiu mori pjesë në tribunë në paradën e “1 Majit” në Tiranë dhe normalisht që tërhoqi vëmëndjen e madhe të njerzve, që vizitën e tij, e shikonin si një premisë të një lëshimi nga diktatura.

Pandemia rëndoi gjendjen e fëmijëve në Kosovë

Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tej pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet, nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku KOMF ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, tha Kelmendi.

Bukureza Surdulli nga KOMF tha se për këtë raport kanë monituar 7 komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mos implementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime.

“Mos vullneti politik nga niveli qendror dhe lokal, dhe kështu nuk është implementuar procesi i decentralizimit. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale. Deri më tani nuk është bërë postimi i shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa do të jetë shuma në bazë të nevojave. Sa i përket buxhetit të ndarë nga komunat, ndajnë disa fonde ne formë të subvencioneve për OJQ-të që këto shuma janë të pakta dhe nuk mjaftojnë”, tha Surdulli.

KOMF vlerëson se duhet të fuqizohet komunat dhe qendrat sociale dhe se niveli lokal duhet të ketë persona të profilizuar të cilët merret vetëm me qendrat sociale./ KultPlus.com

Lady Gaga e quan presidentin Donald Trump një “budalla dhe racist”

Ylli i hitit “Poker Face”, Lady Gaga, së fundmi shpërtheu nga mllefi dhe reagoi si një person i zakonshëm në Amerikë, duke e akuzuar presidentin Donald Trump për dështim në udhëheqjen e duhur të shtetit, për shkak të paragjykimeve të tija personale.

Gaga insistoi duke thënë se nuk dëshiron të nxisë më shumë zemërim, sidomos pas vdekjes së George Floydit i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota, ngjarje kjo e cila zuri vend javën e kaluar dhe e cila nga atëherë ka shkaktuar protesta të dhunshme në mbarë vendin.

Këngëtarja thotë se dëshiron të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e fundit të krijuar në Amerikë, transmeton Koha.

Ajo e postoi një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale ku ka shkruar: “Kam shumë gjëra për të thënë, por kam frikë të them diçka që do të mund të nxiste më shumë zemërim, edhe pse ky është emocioni më i arsyeshëm në këtë situatë. Nuk dua të kontribuojë në shkaktimin e më shumë dhune, sepse dua që së bashku ta gjejmë një zgjidhje për problemin e racizmit në Amerikë. Jam e prekur tej mase nga vdekja e George Floydit, njësoj sikurse personat e shumë afrikano-amerikan të cilët i kemi humbur gjatë vjetëve në këtë shtet, si rezultat i racizmit sistematik dhe sistemit të korruptuar që e përkrahë atë. Zërat e komunitetit të zezakëve në vendin tonë janë heshtur për një kohë shumë të gjatë, dhe kjo heshtje ka rezultuar me vdekje të njëpasnjëshme. Pavarësisht se çfarë bëjnë për të protestuar, ata ende përballen me jo dhembshuri nga liderët e shtetit të cilët kanë për detyrë t’i mbrojnë ata. Njerëzit e zakonshëm në Amerikë janë racist, dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. Ne kemi kohë të gjatë që e dimë se presidenti, Donald Trump, ka dështuar në punën e tij. Ai e udhëheq një prej zyrave më të fuqishme në botë, dhe sërish nuk ofron asgjë për popullin e këtij vendi, përveç injorancës dhe paragjykimeve derisa jetët e afrikano-amerikanëve vazhdojnë të rrezikohen. Ne e dimë që ai është një budalla dhe racist. Ai po e ushqen një sistem që tashmë është i rrënjosur në racizëm, dhe të gjithë po e shohim se çfarë po ndodhë me vendin tonë. Është koha për ndryshim.”

Ylli 35-vjeçar i muzikës ka deklaruar se do të vazhdoj ta shfaq dashurinë dhe përkrahjen e saj ndaj komunitetit afrikano-amerikan, si dhe premtoi se do ta bëjë të pamundurën për të bërë thirrje për ndryshim.

Gaga po ashtu tha se të gjithë personat e privilegjuar në Amerikë, nuk kanë bërë sa duhet për ta luftuar racizmin dhe për t’i përkrahur qytetarët e tjerë të cilët po vdesin si pasojë e racizmit në vend.

Polici Derek Chauvin i cili në pamjet e incizuara me telefona mobil nga disa kalimtarë të rastit, shihet duke qëndruar me gju mbi qafën e George Floydit për nën minuta, pavarësisht se ai po i lutej të largohej ngase nuk po mund të merrte frymë.

Nga atëherë, ai së bashku me policët e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje janë pushuar nga puna, si dhe Chauvin është paditur për vrasje. / KultPlus.com

84 vjetori i lindjes së ikonës shqiptare të filmit, Bekim Fehmiut


Më 1 Qershor të vitit 1936, u lind në Sarajevë, i mbështjellë me pëlhurë (kënishëz), që thonë se ashtu lindin njerëzit me fat. Më 1939 u transferua në Shkodër, kurse kah mesi i vitit 1941 në Prizren.

Si nxënës i gjimnazit të Prizrenit i bëri hapat e parë të aktrimit në Shoqërinë “Agimi” dhe Teatrin e qytetit, kurse më 1955 u pranua si aktor profesional në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë. Ëndërronte të bëhej aktor i madh dhe i njohur në botë, prandaj në vjeshtë të vitit 1956, pas dhënies së provimit pranues, regjistrohet në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, në klasën e profesorit Mata Millosheviq, ku diplomon më 1960, me notën më të lartë dhe bëhet aktori i pare shqiptar me akademi.

Menjëherë u pranua në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd, ku në një konkurrencë tejet të madhe nuk ishte lehtë që një shqiptar të fitonte role të mëdha, por edhe ato dytësore që i luante, shquhej me talentin e tij të rrallë. Rolet e personazheve më të njohura të dramave: Hamletin, Riçadrin e tretë, Otelon, etj…i luante në banesë, vetëm, pa publik.

Roli i romit ‘Beli Bora’, në filmin “Mbledhësit e puplave”, në festivalin e Kanës, më 1967, i nominuar edhe për Çmimin “Oskar”, ia hapi dyert e kinematografisë botërore, kurse seriali televiziv ODIESU (1968) e bëri të famshëm, për çka edhe kërkohej nga regjisorë e producentë të njohur në filmat e të cilëve luajti role kryesore bashkë me aktorë më të mëdhenj të filmit.

Ishte aktori i pare që e shpërtheu perden e hekurt të diktaturës komuniste të Evropës Lindore, dhe luajti në shumë filma e seriale televizive. Aktori në shumë gjuhë në ish republikat jugosllave, Itali (ku ishte më i njohur), SHBA, Gjermani, Francë, Çekosllovaki, Tunizi… Ndërsa filmat e tij u shfaqen në të gjitha kontinentet dhe të titulluar në gjuhë të ndryshme.
E arriti kulmin në profesion dhe u bë njëri nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të filmit në shekullin XX, me përmasa botërore. Por nuk aktroi në shqip që mbeti ëndrra e tij e parealizuar.

Kishte jetë të Odiseut. E luajti aktin e fundit të dramës që quhet JETË, (15.06.2010) por prapa perdes, pa publik: skenarist, regjisor dhe aktor kryesor i së cilës ishte ai vet!!!

Dhe serish u kthye në Prizren, prej nga u mis në vjeshtën e vitit 1956, në urnën me hirin e trupit që, sipas dëshirës së tij, të hidhet në lumin Bistricë, përmes tij do të derdhej në Drin e Bunë dhe të arrijë në Detin Adriatik, dhe detet e oqeanet tjera të botës… ODISEU iu kthye Itakës: UJIT, DHEUT dhe QIELLIT të PRIZRENIT të cilin e ka dashur aq shumë, por ai nuk ia ktheu këtë dashuri… Ishte kjo estetika e jetës dhe e vdekjes së aktorit të madh…

Mbeti HESHTJA me të cilën BEKIMI ka jetuar gjatë 20 viteve të fundit. Dhe kujtimi i amshueshëm por edhe injorimi i çuditshëm, që vazhdon t’i bëhet atij nga pushtetet e nivelit lokal e qendror të Kosovës, edhe në këtë vit jubilar!
Shqiptarët ta falin çdo gjë, por suksesin JO. Të vetin e vrasin dy herë (të gjallë e të vdekur), kurse të huajin e lartësojnë në majat më të larta!

Por shkëlqimi i figurës dhe veprës së Bekimit nuk do të zbehet kurrë. Me fat ditëlindja e Bekimit të gjithë dashamirëve dhe adhuruesve të tij./ Fahri Musliu / KultPlus.com

Trumpi është futur në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave

Sipas disa raportimeve, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është vendosur në bunkerin nëntokësor të Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje, kur protestuesit po përplaseshin me policinë dhe agjentët e Shërbimit Sekret jashtë ndërtesës së famshme.

Gazeta “The New York Times” raportoi të dielën se kreu i Shtëpisë së Bardhë është dërguar në bunker pasi protestuesit i larguan barrikadat afër portave të Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje.

 Sipas televizionit “CNN”, presidenti ka qëndruar aty për rreth një orë para se të kthehej në zyrë. Nuk është e qartë nëse atë e kanë shoqëruar bashkëshortja Melania dhe djali Barron, shkruan “The Hill”, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk i kanë komentuar këto raportime, ndërsa Shërbimi Sekret nuk ka folur për shkak të shqetësimeve operacionale. Presidenti Trump e akuzoi kryetaren e Uashingtonit, Muriel Bowser, se nuk e ka lejuar policinë lokale që të ofrojnë ndihmë për agjentët e Shërbimit Sekret.

Sidoqoftë, Shërbimi Sekret përmes një deklarate tha se policia amerikane e parqeve dhe policia metropolitane e kryeqytetit kanë qenë në vendin e ngjarjes të premten në mbrëmje.

Protesta në Uashington ishte në mesin e shumë protestave të tjera që shpërthyen pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestimit nga policia.

Bowser reagoi ndaj akuzave të presidentit, duke thënë se qëndron me protestuesit që po kërkojnë drejtësi për këtë rast dhe u zotua se policia e kryeqytetit do t’i mbrojë të gjithë banorët. / KultPlus.com

Rama: Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe

Në 1 Qershor, pikërisht në ditën e festës së tyre, fëmijët do të rikthehen sot në çerdhe dhe kopshte.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të vegjlit në këtë ditë të veçantë për ta.

“Mirëmëngjes! Sot festa e 1 qershorit është vetë rikthimi në kopsht dhe çerdhe. Gëzuar fëmijëve, prindërve, gjysheve e gjyshërve”, shprehet Rama ndërsa ka publikuar edhe një foto të disa fëmijëve teksa pikturojnë.

1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në Shqipëri dhe në mbarë botën, u kushtohet fëmijëve me aktivitete festive.

Dita e fëmijëve është vendosur më datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë në 1925. / KultPlus.com

Sot 1 Qershori, Dita Botërore e Fëmijëve

Sot të gjithë fëmijët gëzojnë festën e tyre, 1 Qershorin. Më shumë sesa çdo ditë tjetër, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve dhe shtetit. Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

1 Qershori është i mbushur me aktivitete të larmishme nga të gjithë fëmijët, në të gjithë qytetet.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.

1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Kjo gjë rastisi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre. Dritare.net iu uron gëzuar festën, fëmijë! / KultPlus.com

Ky qytet po ofron hotele, ushqim dhe marrje makinash me qira falas pas koronavirusit

Me shumicën e botës në izolim, industria e turizmit është goditur tej mase.

Derisa shtetet fillojnë të rihapen, disa vende ofrojnë zbritje për të inkurajuar vizitorët të kthehen, shkruan Metro.

Vendi i fundit për të ndjekur idenë e ofrimit të shërbimeve falas është qyteti i Cancún në Meksikë. Pika e nxehtë e pushuesve ka plazhe të gjata dhe zakonisht është e mbushur me vizitorë.

Meksika planifikon të rihapë turizmin në zonë nga 8 qershori dhe kjo iniciativë do të fillojë një javë më vonë në mbarë shtetin, më 15 qershor.

Sigurisht, FCO ende këshillon që të mos udhëtohet nga jashtë.

Gjithashtu, vendi do ofrojë hotele falas për dy netë, ushqim falas, bashkë me marrjen e veturave me qira.

Roberto Cintron, Presidenti i Shoqatës së Hoteleve në Cancun, Puerto Morelos dhe Isla Mujeres, deklaroi se kjo metodë po shfrytëzohet për rimëkëmbje të turizmit.

“Ideja është dizajnuar për të riaktivizuar pushimet në destinacionet tona pas krizës së shkaktuar nga Covid-19”. / KultPlus.com

Pianisti gjerman me koncert 20-orësh për gjendjen e artistëve gjatë pandemisë

Pianisti gjerman është bërë gati për të filluar koncertin maratonik që zgjat 20 orë të shtunën, në të cilin ai do të luajë një vepër të vetme muzikore për të ngritur vetëdijen në lidhje me gjendjen e vështirë të artistëve gjatë pandemisë.

Igor Levit do të luajë “Vexations” nga Erik Satie, një nga veprat më të gjata në historinë e muzikës, që përbëhet vetëm nga disa nota që luhen 840 herë.

“Këto kohë janë brutale për artistë, si në aspektin fizik, atë mental dhe emocional. Prandaj, kjo pjesë funksionon shumë mirë, sipas mendimit tim për të rritur vetëdijen për atë që po kalojmë”, ka thënë Levit për agjencinë telegrafike të Gjermanisë.

Pianisti do të luajë notat e tij të para në ora 02:00 të mëngjesit dhe të fundit në mbrëmjen e së shtunës. Do të transmetohet live nga një studio në Berlin përmes disa kanaleve nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe llogaritë e 33-vjeçarit në Instagram dhe Twitter.

Vepra muzikore e vitit 1893 nga Satie (1866-1925) përbëhet nga një temë e shkurtër dhe variacione, dhe të gjitha notat e saj janë të shkruara brenda një faqeje. Sipas pianistit Levit, është diçka që të kujton një “britmë të heshtur” gjatë monotonisë së saj.

“Artistët kanë nevojë për skenë. Situata e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë dhe këtu flas edhe për veten time, po ashtu”, ka shtuar ai. “Pamja është e errët, duke vënë në pah këtu rregullat për ngjarje kulturore”.

Më 10 mars, Levit ka luajtur koncertin e tretë dhe të pestë të Beethovenit në “Elbphilharmonie” në Hamburg. Ishte ditëlindja e tij dhe koncerti i tij i parë para një audience virtuale për të ardhmen e paparashikueshme.

Ditën tjetër, kancelarja Angela Merkel njoftoi për të ardhmen e paqartë pasi që vendi filloi të mbërthehet nga novela e koronavirusit. Brenda disa ditëve një mbyllje kombëtare u shpall për të mbajtur nën fre rastet, duke anuluar mbledhjen e një numri të madh të njerëzve. Që atëherë, Levit ka mbajtur më shumë se 50 performanca nga shtëpia. / DW/ KultPlus.com