Naser Sahiti zgjedhet rektor i Universitetit të Prishtinës

Naser Sahiti është zgjedhur sot rektori i Universitetit të Prishtinës me shtatë vota për nga Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit drejtues u tregua se Naser Sahiti ka marr shtatë vota, kandidati i dytë Faton Berisha dy vota, ndërsa kandidati i tretë Blerim Rexha, nuk ka marrë vota.

“Këto janë rezultatet që i ka nxjerrë Këshilli drejtues, që i ka dhënë besimin për me udhëheq katër vitet e ardhshme Universitetin e Prishtinës”, u tha në këtë konferencë.

Në këtë konferencë me gazetarë u mohua se ka pas ndërhyrje të politikës në përzgjedhjen e kandidatit për rektor të UP-së. / KultPlus.com

Mirënjohje për mjekët dhe infermierët në Ditën Ndërkombëtare të Humanizmit

19 gushti është dita botërore e Humanizmit, një ditë botërore në të cilën festohet për humanizmin, ku njerëzit ndihmojnë njëri tjetrin.

Në këtë ditë komuniteti ndërkombëtar i kushton rëndësi të gjithë punëtorëve vullnetar dhe forcon mesazhin që për vullnetarët, sidomos në vendet ku lufta ende vazhdon si në Lindjen e Mesme, tu sigurohet jeta. Puna humanitare për njerëzimin po bëhet një nga profesionet më të rrezikshme.

Këtë ditë të shënuar, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ja ka kushtuar mjekëve dhe infermierëve të cilët tash e sa kohë po përballen me pandeminë Covid-19 dhe janë në vijën e parë të frontit. Ai është shprehur se mjekët dhe infermierët janë heronjtë e heshtur në këtë kohë të trazuar nga pandemia Covid-19.

Ky është statusi i plotë i Zemajt:

Mirënjohje për mjekët dhe infermierët në Ditën Ndërkombëtare të Humanizmit

Lufta e tyre është për jetën. Sot janë njerëzit më human. Personalisht sakrifikojnë, sepse këtë ua kërkon edhe profesioni që kanë zgjedhur. Janë heronjtë e heshtur në këtë kohë të trazuar nga pandemia Covid19.
E dimë se sa e rëndësishme është që në momente të vështira të kemi pranë një mjek profesionist që të na lehtëson dhimbjet.

T’u shprehim mirënjohje për humanizmi dhe punën e tyre të palodhur që bëjnë çdo ditë. Të nderojmë përgjegjësinë e tyre sociale për t’u shërbyer pacientëve dhe popullit.
Ju faleminderit mjekë dhe infermierë!
Mirënjohje pafundësisht!
Bashkë do të ja dalim! / KultPlus.com

Qyteti antik i Antigonesë në Gjirokastër që u ndërtuar nga mbreti Pirro

Antigonea u ndërtua në vitin 295 para Krishtit me urdhër të mbretit Pirro. Qyteti u emërua sipas gruas së tij të parë Antigone.

Antigonea është një nga qytetet më të mëdha antike në Shqipëri dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik në Luginën e Drinos. Vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 hektarësh dhe i gjithë parku arkeologjik ka një sipërfaqe prej 95 hektarësh. Qyteti ishte fortifikuar me mure të trasha në fillim të shekullit të tretë para Krishtit, si vazhdimësi e ekzistencës të një vendbanimi të hershëm, emri i të cilit u ndryshua nga Pirroja.

Qyteti mbizotëronte zonat e pasura rurale të Luginës së Drinosë dhe kishte fortifikime të tjera periferike për të mbrojtur të gjithë territorin: Kështjellën e Lekliut në veri, Labova në lindje dhe Selo në jug. Qarku i mbrojtjes mund të përshkohet i tëri, që nga hyrja në këtë park. Në pjesën veriore të qytetit, në hyrjen e anës së djathë, ka një kodër të quajtur “Acropolis “. Në pikën më të lartë të kodrës ka rrënoja të kishës pas mesjetës së Shën Mikalit. Gërmimet intensive arkeologjike brenda zonës së qytetit në vitet e 70-ta kanë zbuluar pjesët më të banuara si dhe rrjetet rrugore. Rrugët që kalonin në veri-jug dhe lindje-perëndim ishin pingul. Rrugët më të rëndësishme mbarojnë në portat e qytetit. Rrugët Veri-Jug janë më të gjera dhe më të rëndësishme dhe të pajisura me trotuar të gjerë. Disa rrugë tregojnë edhe kanale për kullimin e ujit. Rruga më e rëndësishme në qendër të gërmimeve është emëruar Dhimosten Budina. Rrugët kufizoheshin me shtëpi banimi. Disa apartamente u zbuluan plotësisht gjatë gërmimeve arkeologjike.

Më të mrekullueshëm janë ata me oborrin e brendshëm me kolona të rrethuara nga zona banimi dhe ato tregtare. Muret e banimit ishin bërë me blloqe guri që kishin gdhendje vetëm në fundin e tyre kurse në pjesën e sipërme ishte e ndërtuar me tulla të papërpunuara. Gërmimet arkeologjike në Antigonea zbuluan shumë objekte interesante, përfshirë bronzin. Ndoshta gjëja më interesante është figura e sfinksit kafe, e cila sot është simboli i qytetit. Gjetje të tjera të rëndësishme janë çelësat prej bronzi me emrin qytet të ngulitur. Zbulimi i këtyre çelësave konfirmoi vendndodhjen e Antigonesë. Në pjesën perëndimore të qytetit gjendet agora, qendra e qytetit. Këtu mund të admirojmë edhe pamjen më të bukur të luginës së lumit Drinos. Që nga mesnata agora kufizohet me një tryezë, e cila ishte struktura më e rëndësishme publike brenda mureve të qytetit.

Tryeza është e gjatë rreth 70 metra. Vendi shërbeu si një treg ku banorët sollën produktet e tyre. Edhe pse Antigonea u dogj në shekullin e tretë, të dhënat arkeologjike tregojnë se ajo ende ekzistonte në antikitetin e vonë (shek. IV-VI). Arkeologët argumentuan për vendndodhjen e qytetit për dekada. Merita kryesore për zbulimin e saj i takon arkeologut shqiptar Dhimosten Budna, i cili arriti të gjente karta votimi argjendi me stemën e qytetit Antigonesë dhe një çelës për portat e qytetit me vetë emrin e qytetit gjatë gërmimeve midis viteve të 70.

Gërmimet arkeologjike të organizuara nga ai zbuluan të paktën 10 ndërtesa private, rrugë të veshura me pllaka, tuba të ujërave të zeza dhe trotuar. Sipas arkeologëve dhe ekspertëve të antikitetit, në luginën e Drinos pranë Gjirokastrës, ekziston një numër jashtëzakonisht i madh i mbetjeve arkeologjike dhe antike. Përafërsisht 20 prej këtyre vendeve janë identifikuar deri më tani, duke përfshirë qytetet antike dhe fortifikimet, varret monumentale, tempujt antikë dhe teatrot. / KultPlus.com

“Kanë dëshirë të udhëhiqen nga barinj të mirë, por votën e shesin”



Nga Edison Ypi

KANË

Kanë ankesa ndaj fukarallëkut, por përdorin smartfona.
Kanë urrejtje për korrupsionin, por në Prokurori nuk shkojnë.
Kanë ngritur biznese, por refuzojnë të paguajnë taksat.
Kanë dëshirë të udhëhiqen nga barinj të mirë, por votën e shesin.
Kanë respekt për meritokracinë, por për të gjetur punë fusin pesqint miq.
Kanë sens moderniteti, por udhëhiqen nga instinkti i kopesë.
Kanë aftësi për të folur, por nuk merren vesh.
Kanë fantazi, por ëndrra nuk shohin.
Kanë ndjeshmëri, por nuk i hedhin asnjë lek violinistit të trotuarit.
Kanë dashuri për femrat, por nuk i respektojnë.
Kanë njerëz të ndershëm, por më të shumtët hajdutë.
Kanë edhe njerëz të famshëm, por që nuk janë të dashur.
Kanë territor të vogël dhe janë të pakët në numur, por fajin e kanë vetë.
Kanë fëmijë, por nuk i edukojnë.
Kanë të hanë, por nuk ngopen.
Kanë qumësht, por nuk bëjnë dhallë.
Kanë ashensor, por e shkatërrojnë.
Kanë besë, por nuk e mbajnë.
Kanë shpirt, por të ftohtë.
Kanë sy, por nuk u ndrijnë.
Kanë veshë, por nuk u gumëzhijnë.
Kanë fat, por nuk dinë ta përdorin.
Kanë Histori, por nuk e njohin.
Kanë gjeografi, por nuk e shëtisin.
Kanë heronj, por të paditur, të pa shkolluar.
Kanë kisha dhe xhamia, por nuk i frekuentojnë.
Kanë zemër, por thjesht pompë.
Kanë makina, por nëpër katunde nuk venë.
Kanë mendje, por nuk dinë ta vënë në lëvizje.
Kanë kohë, por e vrasin nëpër kafenera.
Kanë korent, por e vjedhin.
Kanë gjuhë, por vetëm për të lëpirë.
Kanë qef të martohen, por pendohen.
Kanë shami, por qurrat nuk i fshijnë.
Kanë shkolla, por nuk mësojnë.
Kanë sapun, por nuk lahen.
Kanë shëndet, por janë të ngathët.
Kanë sëmundje, por nuk dinë t’i shërojnë.
Kanë ligje, por nuk i zbatojnë.
Kanë punë, por përtojnë t’i bëjnë.
Kanë qiell, por nuk ngrenë kokën ta shohin.
Kanë krahë, por nuk fluturojnë.
Kanë semafora, por nuk dijnë nga t’ja mbajnë. / KultPlus.com

Jeta bohemiane e Arben Bajos, vepra të lëna përgjysmë dhe “Kadare” i parealizuar

Nëntë ditë pasi skulptori i njohur Arben Bajo u shua nga COVID 19, po sjellin punët e lëna përgjysmë në studion e tij. Studiuesi i arteve pamore Ermir Hoxha dhe studentët e skulptorit, rrëfejnë Arben Bajon artist dhe njeri.

Në mesin e rrugëtimit të tij jetësor e në kulm të krijimtarisë, vdekja erdhi e befasishme. Ndërsa në rrugicën “Eduard Mano” mungojnë ecejaket e tij, buzëqeshja e fjalët dashamirëse që reflektonte njeriun e urtë, Arben Bajo, veprat e tij që struken në studion modeste, guximtare bërtasin pavdekësinë e artistit. Figura njerëzore, humanizmi është kryefjalë e krijimtarisë së tij. Eleganca e nudove, ndërthuret me ndjeshmërinë e psikologjinë e femrës, duke u shndërruar në poezi.

“Beni e konsideronte veten skulptor të figurës njerëzore. Gati 80 për qind të veprave të tij i takojnë figurës njerëzore, si asaj femërore dhe asaj mashkullore. Nudot i ka mbajt më gjatë në duart e tij. Silueta femërore për të ishte një motiv jete. Por, është edhe një nga skulptorët e rrallë që tregon veten pa doreza. Në ekspozitën e fundit që do bënte, një cikël ishte për njeriun dhe instinktin kafshëror, që jeton brenda tij i miksuar me mitologjinë greke, që është shtylla kurrizore e kësaj eksperience të re”, thotë kritiku i arteve pamore Ermir Hoxha.

Hulumtimi në botën e brendshme njerëzore është i thellë edhe sa i përket mitologjisë. Anët e errëta, instinktet kafshërore që janë të mbështjella me trupat njerëzor i shpërfaq me një mjeshtëri të tille, që do ta kishte zili çdo artist bashkëkohor.

“Në fakt ne jemi para njërës prej këtyre veprave. Unë që jam studiues i arteve pamore e kisha të pamundur, që të gjeja një shembull të dytë të kësaj tipologjie figurative. Një artist që bën veten e tij, duke i mbivendos instiktin kafshëror, në rastin e kësaj figure jepet përmes brirëve, ku figura njerëzore po transformohet në një bishë”, shpjegon studiuesi.

Mes vështrimeve të mjegulluara prej trishtimit studentët, përpiqen të tregojnë pedagogun e tyre që u mësoi sekretet e zanatit. Dhe në mes të studios, vepra e tij e papërfunduar që miklon daltën e lënë mënjanë. Studentët tanimë e dinë se s’duhet lënë më gjatë të presë…, kjo krijesë duhet të shikoje dritën.

“Këto ditë për ne që kemi qenë ccdo ditë me të janë shumë të trishta. Ikja e tij ishte e papritur. Profesor Beni gjatë gjithë karrierës së tij në universitet zgjidhte studentët më të mirë, i merrte në studion e tij dhe i nxirrte në jetë. Do ta kujtoj si njeriun që ka bërë shumë për mua”, shprehet studenti i tij i skulpturës, Alem Toska.

Në studio ndihet mungesa e tij. Mungon shpjegimi që ai na bënte. Puna e lënë përgjysmë, për ne është shumë e vështirë që ta derdhim pa të. Por, shpresojmë që të çojmë përtej në art atë që ai na dha”, thotë studenti i tij, Renato Kullolli.

Vdekja kobzezë i la Bajos, projekte pezull. Ekspozitën e planifikuar për në pranverë miqtë janë të vendosur ta realizojnë. Të tjera, u ndërprenë me mungesën e tij fizike, si realizimi i figurës së Ismail Kadaresë në vendlindje.

“Kishte në proces disa vepra publike. Një prej tyre ishte “Shëtitja”, që sa di unë do vendosej në Bulevardin e Ri të Tiranës. Por, bëhet fjalë edhe për një tjetër, një skulpturë për Kadarenë, e cila do të vendosej në Gjirokastër. Një projekt që Beni e donte shumë. Por do të na mbetet të gjithëve pishman, që nuk arritëm ta shikojmë të realizuar”, përfundon studiuesi.

Përjetësimi në skulpturë i personaliteteve shqiptarë, qe edhe një nga shkaqet që e rikthehu Bajon në atdhe, pas një qëndrimi të gjatë në Greqi. Arben Bajo, i urtë po asnjëherë indiferent ndaj zhvillimeve që preknin veçanërisht kulturën, ishte jo vetëm një nga artistët më të angazhuar, por edhe një nga të preferuarit e koleksionistëve. Vepra e tij, pret takimet me dashamirësit e artit elitar, sa kërkues të botës së brendshme, aq edhe sfidues të asaj sipërfaqësore e të lustruar. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Kalaja e Borshit, atraksioni turistik ku shijon jo vetëm detin dhe plazhin, por edhe lartësitë

Rruga për në kalanë e Borshit ka përmirësuar aksesin në një nga atraksionet historike kulturore të bregdetit të jugut, duke ofruar një mundësi alternative për turizmin në këtë zonë me aktivitet të lartë turistik.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, teksa publikoi fotografi të të apasionuarve pas lartësive tha se “nis gjithçka si një dëshirë për të shijuar jo vetëm detin dhe plazhin, por edhe lartësitë. Në Borsh aty ku edhe pse investimi ynë më i ri, rruga drejt Kalasë ka përfunduar,  gjë që për këta njerëz plot pasion nuk përbën lajm”.

“Të apasionuarit tek sportet, veçanërisht ai i ngjitjes së lartësive Maraton Albania, ndajnë këto foto bashkë me ne”, – tha Goro.

Gjatë stinës së verës janë të shumtë të apasionuarit pas ngjitjeve të lartësive që kanë frekuentuar këtë pikë turistike në Borsh.

Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh, që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III para Krishtit.

Në mesjetë kjo Kala njihej si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komhenei në vitin 1192. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, që sot është në gjendje të mirë, paçka se minareja është rrëzuar./atsh/ KultPlus.com

Élisée Reclus më 1876: Shqiptarët dallohen nga hollësitë e mendjes, qartësia e mendimit dhe forca e karakterit

Nga Aurenc Bebja

Në faqen n°354 të librit “La Corse et les Corses, Opinions et Documents” të Charles de Susini, botuar në Paris në vitin 1906, gjejmë një shënim, poshtë shkrimit me titull “Corses et Albanais” të  Miculu Georgiade Obedenaru, të gjeografit francez Élisée Reclus për shqiptarët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Élisée Reclus (në Europe méridionale, fq. 185-193, bëhet fjalë për librin e tij “Nouvelle Géographie Universelle, La Terre et Les Hommes, L’Europe méridionale, 1876.”), duke folur për tregtinë dhe industrinë e Shqipërisë, duket se pajtohet me z. Obédénare-n, për analogjinë që ekziston midis karaktereve korsikane dhe shqiptare :

“Nuk ekziston një popull modern, thotë Élisée Reclus, ku të dhënat ushtarake ofrojnë aq shumë shembuj mahnitës të trimërisë sesa ato të shqiptarëve. Në shekullin e XV-të, ata kishin Skënderbeun e tyre, Aleksandrin e Madh të tyre, i cili sigurisht nuk kishte për lavdinë e tij një teatër aq të gjerë sa maqedonasi, por që nuk ishte inferior ndaj tij përsa i përket gjenisë…

Dhe asnjë popull nuk e tejkaloi kurrë guximin këtyre malësorëve suljotë ku, në mijëra, nuk u gjet një plak, grua, fëmijë, t’u kërkonte mëshirë kasapëve të dërguar nga Ali Pasha ? Heroizmi i këtyre grave suljote që u vinin zjarrin arkave të fishekëve, hidheshin nga majat e shkëmbinjve, ose në shkulmin e lumenjve duke u mbajtur dorë më dorë dhe duke kënduar këngën e tyre të vdekjes, do të mbetet gjithmonë një nga çuditë e Historisë…

Por, në mesin e shumë fiseve shqiptare, kjo trimëri është ende e përzier me egërsinë e madhe. Jeta e njeriut ka fare pak vlerë (qëndron në fije të perit) midis këtyre popullatave luftarake; dhe gjaku sapo të derdhet kërkon gjak, viktimat marrin hak përmes viktimave të tjera… Gruaja konsiderohet si një qenie plotësisht inferiore, pa të drejta dhe pa dëshira.

Një numër i madh shqiptarësh të pasuruar kthehen për të kaluar ditët e fundit të tyre në atdhe, duke ndërtuar atje shtëpi të bukura, për të cilat çuditemi t’i hasim në mes të këtyre shkëmbinjve të ashpër të Epirit. Në disa zona të thella, shtëpitë e pasura zëvendësojnë kështjellat e vjetra feudale, disa lloje kullash të ndërtuara në mënyrë të thjeshtë, dhe pas anjë çelje në katet e poshtme vetëm disa frëngji nga ku xixëllonin të shtënat e pushkëve.

Kështu, shqiptarët po shkojnë vetë drejt një vale të përgjithshme përparimi, dhe kur ata do të kenë hyrë në marrëdhënie të ngushta me popujt e tjerë, me të drejtë mund të shpresojmë se do të luajnë një rol të rëndësishëm, sepse ata përgjithësisht dallohen nga hollësia e mendjes, qartësia e mendimit dhe forca e karakterit.

Malësorët e Shqipërisë, në krahasim me boshnjakët dhe malazezët, kanë avantazhin të kenë një zonë (vijë) bregdetare; por ata nuk përfitojnë aspak nga ajo, jo vetëm për shkak të plaçkitjeve, përçarjeve të tyre të brendshme dhe mungesës së industrisë së tyre, por edhe për shkak të pengesave që u paraqesin malet e tyre (relievit), mungesa e urave dhe rrugëve…”

https://www.darsiani.com/la-gazette/elisee-reclus-1876-shqiptaret-dallohen-nga-hollesia-e-mendjes-qartesia-e-mendimit-dhe-forca-e-karakterit/

Shkrimi në shqip i Miculu Georgiade Obedenaru me titull “Corses et Albanais – Korsikanët dhe shqiptarët”: https://www.darsiani.com/la-gazette/shkrimi-i-1877-a-kane-te-njejten-origjine-korsikanet-dhe-shqiptaret/

Nivica, thesari i fshehur që ofron një panoramë të pakrahasueshme

Me natyrën e mrekullueshme dhe mikpritjen karakteristike, fshati 2400-vjeçar i Nivicës është një tjetër destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka sugjeruar fshatin Nivicë si një atraksion turistik duke e krahasuar atë me një thesar të fshehur e të panjohur, të nënvlerësuar, por madhështor.

“Fshati Nivicë është vërtetë një thesar i fshehur, i panjohur e i nënvlerësuar, por madhështor. Në të ndodhet vetëm një bujtinë, e ndërtuar mbi kanionin e Nivicës, kanionit e maleve e ku mund të ndjeni zhurmën e ujëvarave. Një vend i përsosur për t’u zgjuar në mëngjes e për t’u frymëzuar”, shprehet Klosi.

Vizitorë kuriozë, aventurierë të lartësive, biologë, arkeologë e gazetarë ngjiten drejt Nivicës, për kuriozitet apo punë shkencore dhe ndeshen me një panoramë krejt tjetër, me një natyrë të padëmtuar e të mirëkujdesur.

Nivica ndodhet në rajonin e Kurveleshit, që është pjesë e vargmalit, Mali i Gribës, një prej më të lartëve në këtë rajon. Kufizohet me 9 fshatra të rrethit të Tepelenës dhe për nga sipërfaqja është rreth 105 km2, ose fshati mё i madh i kёsaj krahine. /atsh / KultPlus.com

Diskutim në ‘Anibar’, Osmani: Investo në njerëz e jo në asfalt

Suada Qorraj

Edicioni i 11-të i “Anibarit” filloj në një formë ndryshe prej herëve tera. Tashmë kinematë, diskutimet e shumë çka tjetër shfaqet në platformën online të këtij festivali. Ky realitet i ri i botës së artit është krijuar si pasojë e vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë për menaxhimin e situatës me COVID-19, shkruan KultPlus.

Diskutimi “Are We Humans, Are We dancers?” solli pikëpyetjen se a jemi duke ndjekur lëvizjet e vullnetit tonë të lirë apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, në fushën e politikës, jetën shoqërore por edhe cilën do sferë tjetër të veprimtarisë.

Pjesëmarrëset e këtij diskutimi Vjosa Osmani, Leonora Kryeziu dhe Donika Emini sollën para publikut perspektiven e tyre rreth asaj se si mund të ecim në një rrugë të pa trasuar, me mendime e ide tona. Të vallëzojmë nën tingujt e njëjtë, por secili prej nesh me vallen tonë unike.

Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij diskutimi theksoi faktin se në vend që ne të krijojmë melodi të reja, kërcejmë me ritmin e melodive të orkestruar. Sipas saj e njëjta praktikë vlen edhe në shumicën e gjërave që ne bëjmë në jetë.

“E njëjta praktikë vlen pothuajse për shumë gjëra që ne i bëjmë në jetë pra sillemi në mënyra të caktuara sepse ashtu na kanë mësuar në familje dhe në shkollë, veprojmë në publik ashtu si veprojmë sepse ashtu është qoftë rregulli, ligji apo rendi publik. Gjykojmë dhe paragjykojmë nganjëherë sepse lejojmë të na merr përpara mendimi i masës dhe kjo natyrisht shpesh kritikohet mirëpo është deri diku ritmi i zakonshëm i jetës, duke jetuar me një ritëm çmendurisht të shpejtë në kohën tonë”, ka thënë Osmani e cila tutje tha  se çdo ditë është sfidë në vete sepse kur ndjek rrugën e trasuar nga dikush tjetër shtegu i jetës mund të duket më i lehtë.

Sipas Osmanit janë pikërisht valltarët që në një moment kanë kuptuar se jo çdo herë duhet të kërcesh sipas koreografisë sepse vallëzimi shijohet vërtetë vetëm kur dominon njerëzorja, kur shpërfaqet emocioni e kur ngadhënjejnë ndjenjat, e si të tillë ata kanë mundësuar të kemi çdo të mirë që e vlerësojmë lartë në shoqërinë tonë.

Ajo tutje tha se është e vështirë të ecësh me ritmin tënd të muzikës në vendin tonë, e sidomos kur je një grua në një profesion si politika. Sipas saj kur ti fillon të ndryshosh koreografinë e cila ka qenë pjesë e jotja deri sot atëherë lufta e të tjerëve kundër teje rritet shumë.

“Përderisa je në ritmin e njëjtë me të gjithë, ke vlerësime të larta por në momenti kur e kupton që koreografia ose idetë e reja në fakt mund të avancojnë shoqërinë shumë më shumë sesa ato pjesë e të cilave ke qenë më herët, dhe insiston në to, lufton në to atëherë edhe lufta e të tjerëve kundër teje rritet në një masë të madhe”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq Donika Emini gjatë këtij diskutimi tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider që refuzojnë të ecin në rrugë të patrasuar, sipas saj përshtypjen më të madhe që e ka marrë gjatë kësaj kohe ka qenë nga ana e votuesve që kanë mbështetur këtë.

“Mendoj se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider të cilët kanë refuzuar me ecë në rrugë të patrasume, kanë sfidu sisteme të cilat janë konsolidua për 20 vite sisteme të kapura edhe megjithatë çka më ka lënë përshtypje është që edhe votuesi, qytetari e ka pa dhe e ka mbështetë këtë. Zakonisht në fillim të rrugëtimit shumë pak mbështetesh, në fillim të rrugëtimit kur fillon me e sfidu sistemin, sistemi është më i fortë edhe të mund. Mirëpo në momentin kur del me një fazë më të konsolidume, fillon me gjet mbështetje atëherë veç e sheh që ndryshimi ka filluar edhe ndryshimi ka fillu me u bë me ty”, ka deklaruar ajo.

Drejtuesja dhe panelistja e këtij diskutimi, Leonora Kryeziu u shpreh se ajo çka i bënë përshtypje e sidomos në shkollën politike që ajo udhëheq është fakti që të rinjtë që vijnë nga partitë politike, vijnë me ide të marra gatshëm. Mirëpo sipas saj qëllimi i një shkolle politike është që tu mundësoj këtyre të rinjve që të zhvillojnë individualitetin e tyre.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e pyetur për hapësirën që partitë politike ju ofrojnë të rinjve tha se pjesën më të madhe të të rinjve “hapësira” që u ofrohet në parti politike nuk është ajo e shprehjes së mendimit apo qëndrimit. Sipas saj të rinjtë angazhohen vetëm në kohë zgjedhjesh e më pas lihen anash.

“Pra problemi është që shumica dërrmuese e të rinjve edhe kur u epet “hapësire”, ajo hapësirë nuk nënkupton hapësirë për shprehjen e mendimit, hapësirë për shprehjen e qëndrimit e mbi të gjitha jo hapësirë ku të merret parasysh pastaj mendimi. Pra merren kryesisht si një grup të cilët angazhohen vetëm në kohë të zgjedhjeve dhe pastaj një numër i madh i tyre lihen anash. Pra shumë shpesh nëpër parti politike të rinjtë konsiderohen më shumë si numër sesa si potencial e kjo duhet të ndryshoj si mendësi”, ka deklaruar ajo.

Madje ajo tha që kur merren shembuj vende tjera dhe diskutohet se si kanë arritur të kenë zhvillim të madh ekonomik përgjigjja është e qartë “investo në njerëz e jo në asfalt”.

Gjatë këtij diskutimi edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të shtrojnë pyetje për panelistët dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Njëra nga pjesëmarrëset të cilës ju bë i ditur vetëm emri gjatë këtij diskutimi, e pyet Vjosa Osmani se si ka mundësi që ajo ka qenë pjesë e një muzike për dy dekada, madje pjesë e një muzikë që e ka formësuar e tani nuk mund ta dëgjojë më atë muzikë.

Osmani tha: “Përkundrazi Valmira unë nuk e kam asnjë problem që ta dëgjoj atë muzikë, unë jam duke e mbrojtur atë muzikë e cila është ndërtuar për dy dekada, janë të tjerët që kanë filluar valle tjetër, madje kanë filluar valle të rrezikshme. E tash në valle të rrezikshme që janë të këqija edhe për vendin edhe për qytetarët tanë, natyrisht që unë nuk e kam ndërmend me hy”, deklaroi ajo.

Sipas Osmanit pjesa dërrmuese e keqkuptojnë faktin që ajo vetëm po mbanë fjalën dhe e quajnë dele që largohet nga kopeja.

‘Po e përmbyllë më këtë, shumica dërmuese e njerëzve që e keqkuptojnë faktin që unë thjesht po e mbajë fjalën, më thonë kështu, kështu më thonin edhe në vitin 2014 e 2015 e po e përsërisin edhe tash. Më thonin “Delja që ndahet nga kopeja e hanë ujku”, përgjigja ime është e thjeshtë “Unë nuk jam dele mos u bëni as ju dele”,  ka përfunduar Vjosa Osmani.

Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për faktin se si gratë instrumentalizohen në politikë, si dhe pozitën që kanë gratë në politikë. Gjithashtu penalistët theksuan faktin se sfidimi i sistemit bëhet dyfish më i vështirë kur, sfiduesja është grua e jo burrë. / KultPlus.com

Ariana Grande bëhet artistja më e dëgjuar në “Spotify”

Këngëtarja amerikane, Ariana Grande, shënoi një rekord të ri, duke e lënë pas yllin Rihanna dhe duke u bërë artistja më e dëgjuar dhe e transmetuar në platformën “Spotify”.

Këngëtarja 27-vjeçare doli para Rihannas, e cila më parë kishte mbajtur vendin e parë në shërbimin popullor të transmetimit të muzikës, ka shkruar “DailyMail”.

Pavarësisht se ishte e nderuar, Grande ka shkruar në llogaritë e saj në rrjetet sociale se shpresonte që Rihanna së shpejti të rimarrë kurorën e saj. Këtë sukses Grande e shënoi duke e publikuar një status në rrjetin social Twitter.

“Mezi pres që t’ju sjell gjëra të reja për t’i dëgjuar”, ka shkruar ajo, duke mos i fshehur emocionet.

Ajo e shfrytëzoi po ashtu Twitterin për të thënë se mezi po e priste për një album të ri Rihanna, e cila ka bërë të ditur në të kaluarën se e ka lënë anash angazhimin në muzikë për shkak të përqendrimit në sfera të tjera të jetës.

Megjithëkëtë, Rihanna gjatë muajit të kaluar ka konfirmuar se është duke punuar në realizime të reja muzikore.

“Jam gjithmonë duke punuar në muzikë”, ka thënë ajo. “Jam gjithmonë duke punuar në sferën e muzikës dhe kur të jem gati ta publikoj albumin ashtu siç dua unë, atëherë edhe do të dalë. Dhe nuk do të zhgënjeheni, kur kjo gjë të ndodhë. Do t’ia vlejë”, ka shtuar këngëtarja nga Barbadosi. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Fotografisë

Fografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.

Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.

Arti i fotografisë është padyshim i veçantë. Në hisotrinë e popullit shqiptar, ka hyrë fotografia e cila u shkrep na Bllacë të Maqedonisë dhe u bë simbol i refugjatëve të Kosovës, gjatë vitit 1999. Në kolonën e mijëra njerëzve, që u detyruan të largoheshin me dhunë nga vendlindjet e tyre,   ndër ta ishte edhe Sherife Luta, nga fshati Ivajë i Kaçanikut, fotoja e së cilës kishte goditur botën. /KultPlus.com

Poezi e fuqishme nga Ukshin Hoti

Poezi nga Ukshin Hoti

Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.

N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.

As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.

Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.

Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.

Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.

Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.

Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri. / KultPlus.com

Falem’nerës Arbana Kasumi-Shala

Dr. Arbana Kasumi- Shala nga Prishtina është njëra nga punëtoret shëndetësore e cila po kontribuon në repartin e Infektivës në QKUK, në përballjen e Kosovës me Pandeminë COVID-19.

Arbana Kasumi-Shala tashmë është pjesë e rubrikës ‘Falem’nerës’ së KultPlus-it për promovimin publik të punëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre tash e sa muaj.

KultPlus, edhe më tutje fton të gjithë punëtorët shëndetësor pa dallime dhe nga të gjitha vendbanimet të na i dërgojnë të dhënat e mëposhtme dhe ne do i publikojmë ato në faqen tonë në Facebook.

1.Emri dhe mbiemri:
2.Qyteti:
3.Një fotografi me uniformë mjekësore dhe të jetë fotografi profili
4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domsodoshme)

Këto të dhëna dërgoni në email tonë: [email protected] apo në faqen tonë www.KultPlus.com


Kanye West planifikon të sjellë një version të ri të TikTok-ut

Gjatë një fjalimi disa ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur se ka ndërmend të ndalojë aplikacionin e famshëm TikTok në vend.

Kështu, ai do të bllokojë edhe Microsoft-in të firmosë marrëveshjen për ta blerë këtë aplikacion nga prodhuesit kinezë, shkruan IconStyle të martën.

Mirëpo, askush në SHBA s’ka arsye të mërzitet pasi një “zgjidhje alternative” do të japë reperi Kanye West.

Në një postim në Twitter, ai i ka habitur të gjithë me deklaratën se ka ndërmend të sjellë një version të ri të TikTok-ut. Kësaj here, aplikacioni do të quhet “Jesus Tok” dhe do të ketë përmbajtje të kontrolluar, në mënyrë që edhe fëmijët ta përdorin lirshëm.

Ky frymëzim i erdhi reperit teksa po shikonte video të ndryshme në Tik Tok së bashku me vajzën e tij.

“Më erdhi një vizion: Jesus Tok. Po shikoja Tik Tok me vajzën time dhe si një baba i krishterë, isha i shqetësuar nga përmbajtja, por e dashurova teknologjinë. Lutemi të bashkëpunojmë me Tik Tokun që të sjellim një version kristian të monitoruar, të sigurt për fëmijët dhe botën. Në emër të Jezusit”, ka shkruar West në Twitter.

“Dashurinë o ku e kam” (VIDEO)

Armend Regjepagiqi është njëri nga artistët më eminent në vend, i cili është i njohur për këngët e tij të cilat janë të tejkohore. Ata dëgjohen sot siç janë dëgjuar vite më parë kur janë publikuar, shkruan KultPlus.com

“Dashurinë o ku e kam”, është një nga baladat e tij të njohura me një tekst me gjuhë metaforike, me një shije të hollë artistike si dhe një interpretim të fuqishëm nga artisti Regjepagiqi.

KultPlus ju ofron këtu tekstin si dhe videon e kësaj kënge:

Vjen një ditë e do të kthehem
rrugës sime do t’kalojë
nga dritarja e shtëpisë sate
sy te huaj dot me shikojnë,
do t’më shtrengon diçka në zemër
dhe s’dot më lë as frymë të marrë
dashuria ime e parë…

Njerëzit shkojnë e njerëzit kthehen
kujt i kthehem unë nuk kam
mysafir si i paftuar
n’zemër të secilit jam,
fryn veriu fryn rreth meje
në mëshirë të fatit jam
dashurin o ku e kam?!

Krejt çka dua tjetër kujt i ndodh
e secila m’duket se të ngjan…

Perëndo përgjithmonë o diell
thaju lule në pranverë
dashurin o më se kam…
Shtjerru zë i bilbilit
thehu shpat në dore të trimit
dashurin o më se kam…

Thënie nga Dostojevski: Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

KultPlus me “Falem’nerës” fillon promovimin publik të mjekëve dhe infermierëve të Kosovës si heronjë të kohës

KultPlus po fillon projektin e ri të quajtur “Falem’nerës”, projekt ky që synon promovimin publik të puntëtorëve shëndetësor në Kosovë në shenjë vlerësimi dhe solidariteti për punën e tyre që po bëjnë tash e sa muaj në luftë me Pandeminë COVID-19.

KultPlus, fton të gjithë punëtorët shëndetësor në Kosovë, nga të gjitha qytetet dhe fshatrat, pa dallime etnike, gjinore, të pozicionit në punë apo të moshës, që të dërgojnë në emailin tonë të dhënat e kërkuara nga ne si më poshtë.

Ne do të postojmë çdo mbrëmje profilet e tyre në faqen tonë, në rubrikën “Falem’nerës”, duke e njoftuar opinionin e gjerë publik me heronjtë e kësaj kohe.

Të dhënat e kërkuara:

1.Emri dhe mbiemri:
2.Qyteti:
3.Një fotografi me uniformë mjekësore, duhet të jetë fotografi profili:
4.Një mesazh për qytetarët (E preferuar por jo e domsodoshme):

Këto të dhëna dërgoni në emailin tonë: [email protected] apo në faqen tonë www.kultplus.com



Në Pejë, personeli i shkollave blen vetë dezinfektuesit

Në korridoret e shkollave është improvizuar ambienti për pranimin e dokumenteve të nxënësve, andaj në hyrje të korridorit dhe në secilën tavolinë janë vendosur edhe dezinfektues për duar.

Por këta dezinfektues brenda shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, sikurse edhe në shkollat e tjera, nuk janë blerë nga Komuna, raporton KOHA.

“I kemi ble personalisht unë dhe sekretari. Shkolla s’ka buxhet, kështu edhe dikush në mënyrë vullnetare kështu për pastrim të duarve”, ka thënë Arif Ademaj, drejtor i shkollës ekonomike “Ali Hadri”.

Njëjtë tha edhe drejtori i një shkolle tjetër në Pejë.

“Na i kemi ble vetë dezinfektuesit në tavolina. Secili mësimdhënës gati personalisht e ka marrë edhe për mbrojtjen personale, edhe për mbrojtjen e përgjithshme”, u shpreh Arben Gjikolli, drejtor i shkollës teknike “Shaban Spahija”.

E as hapësirat e brendshme të shkollave, ku frekuentojnë nxënësit dhe personeli i shkollave gjatë afatit të regjistrimit, nuk janë dezinfektuar nga ndonjë kompani profesionale me mjete dezinfektuese, por nga vetë shkollat vetëm me mjete higjienike.

“Shkolla është pastru sikurse zakonisht me mjete higjienike që i kemi marr zakonisht deri më tani. Ndërsa pjesën dezinfektuese nuk e kemi pas” ka shtuar Arben Gjikolli.

Për dezinfektim të objekteve arsimore, shëndetësore e të administratës publike, si dhe për furnizim me material dezinfektues dhe mbrojtës kundër pandemi, siç tha drejtori i Financave, Jeton Abazaj janë ndarë 70 mijë euro në seancën e Kuvendit Komunal në muajin prill.

deri tash, Komuna nuk ka kontraktuar asnjë operator për këto shërbime, ndërsa, siç thotë Petrit Loci, drejtues i Shtabit Emergjent, tenderi për furnizim me material, pajisje higjienike dhe dezinfektuese për hapësira dhe instrumente është në përfundim.

“Tani më pritet që pas lidhjes së kontratës të furnizohemi dhe të bëhet pasi që jemi duke u përgatitur për mbajtjen e testit të maturës me datën 29 do të pajisen dhe do kryhet edhe dezinfektimi i atyre hapësirave ku do të hynë nxënësit për tu testuar”, ka thënë Loci.

Por, me këtë tender të kontraktuar në vlerë prej 38 mijë e 860 eurosh, që është shpallur më 17 gusht në faqen komunale të prokurimit, operatori nuk obligohet të bëjë dezinfektimin e hapësirave të objekteve publike, ndërkohë që Komuna ende nuk ka kontraktuar asnjë kompani profesionale për dezinfektim të objekteve publike.

U dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, drejt përfundimit faza e parë e rehabilitmit të Kullës C në kalanë e Durrësit

Pas disa muajsh pune të lodhshme faza e parë e ndërhyrjeve në Kullën C në kalanë e Durrësit, dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, është drejt përfundimit.

CHwB Albania bën të ditur se “një strukturë metalike pajantuese e përkohshme po ngrihet, duke e bërë kullën dhe zonën përreth të sigurtë. Kështu, mund të presë përfundimin e projektit të konservimit, që do e bëjë të lartësojë në të ardhmen, ashtu si ka qëndruar dhe në të shkuarën”.

Ky projekt mbështetet nga ambasada e Suedisë në Tiranë në partneritet me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.

Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh. atsh / KultPlus.com

Ferit Vokopola, shqiptari i rrallë e frymëzues

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot, përmes rubrikës “Homazh”, firmëtarin e pavarësisë, Ferit Vokopola.

“Ferit Vokopola u lind në Vokopolë të Beratit me 18 gusht 1887. Për këtë firmëtar të Pavarësisë e kësisoj një nga baballarët e kombit, mund të thuhet me plot gojën se ishte një shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur. Të ishe e të jesh i tillë shqiptar nuk ka qenë e nuk është pako gjë. Është thuajse gjithnjë e sekëlldisshme, për të thënë më të paktën e për zotin Ferit ishte një kalvar”, tha Rama.

Ai tha se “Ferit beu, frymën e veprimtarisë dhe përkushtimit e merrte nga dy mushkëri: nga mistika e atdheut dhe nga mistika e besimit të tij fetar”.

“Prej shehlerëve rufai, një prej të cilëve ishte vetë, ky shqipërues i frymëzuar i Kuranit të shenjtë dhe i penës së hollë të teologjisë islame, përftoi sensin e sintezës që sufizmit ndër shqiptarë i dha një hov të ri. Ndërsa prej Rilindasve dhe burrështetasve të parë shqiptarë ai mori vokacionin, edhe ky gati fetar, të shërbimit ndaj atdheut dhe më tutje shtetit të shqiptarëve”, shtoi Rama.

“Fenë dhe shtetin, në shembullin e doktorëve të mëdhenj të monoteizmës, i kuptoi drejt si të dallueshëm mes njëri tjetrit, por edhe të afrueshëm duke pasur njëlloj në fokus gjindjen dhe të mirën e përbashkët. Besimtar dhe i ndërgjegjshëm kësodore, ai nuk u impresionua nga portofolet ministrore që ju mirëbesuan dhe kurdoherë diti t’i linte siç i ishin dhënë, pa drama, hatërmbetje apo pazare”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se “deri sa ndërroi jetë, fitoi një respekt të pakushtëzuar nën regjimet e njëpasnjëshme duke ua imponuar respektin, pa britma e protagonizma edhe vetë elitave kameleontike shqiptare”.

“Lëvroi zhanre nga më të ndryshmet, shkëlqeu edhe pse diskret në publicistike, përktheu nga Orienti i komplikuar në gjuhën e thjeshtë e të qëruar shqipe, vepra themelore dhe ndihu ta ngrinte teologjinë islame e mistikën e besës së Profetit, pothuajse në një disiplinë universitare. Thuhet për të se ishte i urtë, rigoroz, epërsisht i mirësjellë, me një kulturë që e spikaste në çdo mjedis. Ishte, me fjalë të tjera, një shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur. E prandaj edhe i rrallë e frymëzues”, tha Rama. Atsh / KultPlus.com

Ruajtja e Manastirit të Deçanit, KFOR-i italian përkrahet nga moldavët

KFOR ka bërë të ditur se kanë bërë hapin e parë të sigurisë në hapësirën e Manastirit, si përgjigjie ndaj tensioneve të ngritura pas ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë.

Në një njoftim të lëshuar së fundi, thuhet se ushtarët italianë, kanë mbështetur bashkëluftëtarët e tyre moldavë në këtë zonë, me post-roje të vendosura brenda Zonës së Posaçme të mbrojtur të Deçanit, njofton Klan Kosova.

”Ushtarët italianë të Komandës Rajonale të KFOR-it në Perëndim, lehtësuan bashkëluftëtarëve të tyre moldavë, me post-roje të vendosura brenda Zonës së Veçantë të mbrojtur të Deçanit.

Operacioni i udhëhequr nga NATO në #Kosovë, vepron si përgjigjie e parë e sigurisë për hapësirën e Manastirit të Deçanit”.

Wuhani i kthehet normalitetit me festa e pa distancë sociale

Pandemia COVID-19 për herë të parë nisi në Wuhan të Kinës, dhjetorin e vitit të kaluar, ku dhe iu nënshtrua bllokimit të parë në botë – dhe ndoshta më të rreptit.

Mirëpo tani qyteti qendror i Kinës duket se i është kthyer normalitetit, kjo pasi mijëra banorë u mblodhën në një park ujor për një festival muzikor elektronik, pa maskë dhe distancë sociale, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova

Gjatë fundjavës, Parku Ujor “Maya Wuhan Beach” ishte i mbushur me qytetarë duke u argëtuar nën ritmet e muzikës.

Këto ishin skena të mbushura me festa të paimagjinueshme për shumë pjesë të botës, të cilët po ballafaqohen me virusin vdekjeprurës.

Por në Wuhan, jeta është kthyer gradualisht në normale që kur metropoli i 11 milionë njerëzve në provincën Hubei u bllokua totalisht për 76 ditë në fillim të muajit prillit. Qyteti nuk ka raportuar ndonjë rast të ri që nga mesi i majit.

Parku ujor u rihap në fund të qershorit, por më shumë se një muaj shi sezonal kishte dekurajuar turmat të mos dilnin.

Po ashtu parku ujor ka kapacitet mesatar prej 15 mijë vizitorëve çdo ditë gjatë fundjavës.

“Andrrat që kurrë nuk i realizuat, jetësoni tek fëmijët tuaj- shkolloni”

Nga Kiki Rrahmani

(Drejtuar prindërve)

Ju i sollët në këtë jetë si krijesat më të bukura me fytyrë engjulli që ju dhanë epitetin prind, e jeta juaj mori kuptim, ku pavarësisht peripetive që kaluat ju tashmë kishit një ideal për të jetuar – ideal ishte pikërisht ky fëmijë.
Ky fëmijë të cilin shumë herë e keni menduar dhe imagjinuar si do të dukej dhe çfarë ndjesie do të sillte ardhja e tij… Por, a e keni menduar ndonjëherë se kush do të jetë ai/ajo kur të rritet, dhe çfarë trasimi do të ketë rrugëtimi i tij?!

Ju që kishit andrra të cilat kurr nuk i shijuat, që mbetën vetëm si dëshira të cilat me kohë u shuan në pamundësi për ti realizuar e dallgët e jetës i përmbytën duke i fundosur në fund të një pusi; Andrrat të cilat ju mbetën peng, a keni menduar ndonjëherë ti jetësoni tek fëmijët tuaj – ti shkolloni. Që një ditë të vendosin për vetën dhe jetën e tyre që të jenë të dobishëm për ju, për familje dhe shoqëri; që një ditë të jenë shembull dhe frymëzim për të tjerët që do vijnë, të jenë dora dhe krahu i njëri tjetrit kur një ditë të bëhen dikushi.

Dëgojini fëmijët në shkollë- le ta filloj fëmija juaj vallen e diturisë, duke hedhur hapat drejtë së ardhmës ani pse hapat ndonjëhere mund edhe të ngatërrohen, por vetëm duke i hedhur më tej do ta mësojnë lojën e jetës të cilën e udhëheq- “Shkollimi”.

Thonë që: “Gjuha nuk ka eshtra por edhe eshtra bluan”, e ju mos lejoni që t’ju bluajnë eshtrat dhe shpirtin e fëmijëve tuaj nga përultësia, injoranca dhe cinizmi.
Edhe po të arrini në piedestal disa edhe do të ju shikojnë nga poshtë duke ju lakuar trajektoren e do të thonë: “është ai cigani apo ai magjupi”… Po po, pikërisht ai cigani e magjupi, që në fakt mund të jetë rom, egjiptian apo ashkali, që punoj fortë e u shkollua që ta shikosh pikërisht nga këndi të cilin e gëzon tani.

Disa mund edhe të ju gjykojnë e t’ju ngrisin mure për shkak të ngjyrës së lëkurës – ngjyrë e cila na shoqëron sa here perendon dielli, ngjyrë falë së cilës shohim bukurinë e hënës dhe vallën e yjeve atje thellë në lartësi; ngjyrë pa të cilën as mozaiku nuk do ta kishte shkëlqimin e ngjyrave të tij.
Andaj, bëhuni ju udhërrëfyesit e fëmijëve tuaj që të jenë ata kreatorët e andrrave të tyre; rrugëtim në të cilin peri edhe mund të lidhet nyj, e ngatërrohet edhe tegeli. Por, prap nuk ka arsye për tu dorëzuar edhe nëse ia nisin përsëri nga fillimi, sepse gjithmonë ekziston hera e dytë dhe jeta di të na ofrojë mundësi, vetëm duhet ti kërkoni dhe ti gjeni.

Dhe kurrë mos harroni: Ju nuk u dorëzuat edhe atëherë kur ju privuan ekzistencën në kohë lufte e gjenocidi, mos u dorëzoni tani në liri, tregoni botës dhe shoqërisë që ju mësoni dhe punoni fortë, që jeni të denjët dhe ia vleni.

Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo 📌
Gusht 2020. / KultPlus.com

Paris-Presse për Bekim Fehmiun (1967): “Parisienet do të çmenden pas tij”

Nga Aurenc Bebja

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Po, të gjitha parizienet do të çmenden pas Bekim Fehmiut, yllit dhe talentit të zbuluar në filmin e Aleksandër Petroviçit. (Bëhet fjalë për filmin : “J’ai même rencontré des Tziganes heureux – Madje, kam takuar ciganë të lumtur ” – shqipëruar nga frengjishjta)

Në Kanë, kritikët thanë për të se ai duket si Sinatra (Frank), luan si Burton (Richard) dhe është tërheqës si Belmondo (Jean-Paul).

https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-per-bekim-fehmiun-1967-parizienet-do-te-cmenden-pas-tij/. / KultPlus.com