‘Hej Zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë’

Fragment nga vepra e Anton Çettës, “Prozë popullore nga Drenica”:

Njani i rrethit t’Deçanit i vrau tre vetë edhe duel n’Malsi. Nêjti tri vjet tu ni shpinak. I zoti i shpisë, kur u çojke, e kish pas zakon me thanë:
— Hej zot, mos ëm korit ma shum se tri herë n’ditë.
Ky kaçaku, mas tri vjete i tha:
— Aman, more plak, qe tri vjet qi rri tu ti, për gjeth ditë ta kam nî qet fjalë. Unë ni herë jam koritë edhe i kam vra tre vetë me e nxerrë ftyrën.
He, more bir, – i tha plaku e ke pasë taksirat se nuk e di ti se qysh â korija. Korija à shum turlish. Me i folë vllaut keq, â kori, me i folë e me e idhnue kojshinë, â kori. Me i idhnue print, â kori. Me e sha gruen, â kori. Shum janë koritë n’jetë t’njerit, e për qatâ â zor me pshtue pa u koritë tri herë n’ditë. /KultPlus.com

“Future Nostalgia” transmetohet me miliarda herë, Lipa: Ky album ka ndryshuar jetën time

Dua Lipa është duke vazhduar të gëzoj sukseset e vitit 2020, shkruan KultPlus.

Lansimi i albumit, performancat e shumta artistike dhe çmimet e njëpasnjëshme nëpër festivale të rëndësishme të muzikës e bën Lipën të jetë vajza më e suksesshme shqiptare në vitin që e kaluam.

Në anën tjetër, frytet e përkushtimit të saj po vazhdojnë të dalin në pah. Albumi i Lipës “Future Nostalgia” ka arritur të transmetohet 3 miliardë herë, të cilën e ka bërë të ditur vet artistja nga Kosova.

KultPlus ua sjell reagimin e Dua Lipës:

“Sapo zbuluam se kemi arritur mbi 3 miliardë transmetime në Future Nostalgia në 2020! Faleminderit!!!! Ky album ka ndryshuar jetën time në forma të ndryshme dhe jam shumë e lumtur që ka gjetur një shtëpi me ju!!!!!”. / KultPlus.com

“Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat, shqiptarët u pajtuan e u afruan”

Aktivistja Adelina Toplica Badivuku në ditën e lindjes të profesorit Antton Çeta ka kujtuar momente nga lëvizja për faljen e gjaqeve, shkruan KultPlus.

Toplica Badivuku ka sjellur në rrjete sociale rrëfimin e saj për Çettën, teksa rrugëtimit human të faljes së gjaqeve ajo iu bashkua si 15 vjeçare.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Adelina Toplica Badivukut:

Në jetë kam taku shumë njerëz, po janë disa kujtimi për të cilet nuk vdes kurrë. Jo-rastësisht kanë qëlluar të jenë të dy në këtë fotografi të shkrepur në Drenicë në vitin 1990. I bashkoi një ideal- po ai ideal që me solli edhe mua në këtë fotografi Levizja për Faljen e Gjaqeve.

Të dy I takova kur ju bashkova karavanit të pajtimit si 15 vjeqare. Atëkohë u hapën odat e burrave edhe për gratë e vajzat – shqiptarët u pajtuan e u afruan me njeri tjetrin si pregaditje për shtrëngatën që na priste. Sa herë ka ndodh, që natën vonë, kur kishim edhe nga 10 orë te ulur në një odë, baca Anton ti thërriste zotit të shpisë, urtësisht : “qohu hé burrë, mos ja falsh dorasit, falja gjakun rinisë, zgjatja dorën e pajtimit kësaj vajze të re, fale për ardhmerinë e saj e të rinjëve te Kosovës”.

Ateherë une e pergjumur pritsha te ngrihej ai në këmbë dhe me lot në sy, ma zgjaste mua dorën ta falte gjakun, shpesh për djalin a vëllaun e vetëm.

Sa akt human, I madhërishem!

Sot në ditēlindjen e bacës Anton, kjo fotografi ma kujtoj ate njeri të rralle. Dhe afer tij bacen Elez Zogaj, shtëpia e të cilit në Komoran, na bani konak me muaj te tane te gjithëve.

I pavdekshëm kujtimi për të dy . / KultPlus.com

Eliot Engel, përfaqësuesi moral i Kosovës, lë Kongresin pas 32 vitesh

Edhe po t’i mundësohej të zgjidhte vetë dikë që ta përfaqësonte në politikëbërjen e SHBA-së, Kosova vështirë se do të gjente më të denjë sesa Eliot Engel. Më shumë se tri dekada më parë, Eliot Engel u ngjit në Dhomën e Përfaqësuesve nga vendi i tij në Asamblenë e Shtetit të New York-ut kur ai mundi Mario Biaggin, kongresmenin më jetëgjatë në Bronx, shkruan Gazeta Express, transmeton KultPlus.

Engel, 73 vjeç, së fundmi ishte një nga demokratët më të fuqishëm në Kongres si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës. Pikat e tij të axhendës përfshinin drejtimin e një hetimi mbi vendimin e fundit të Presidentit Donald Trump për ta shkarkuar inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, por ajo bie në vëmendje, është angazhimi i tij i vazhdueshëm për Kosovën.

Kosova tashmë e ka humbur mbështetësin më të madh në Kongresin e SHBA-së, pasi Eliot Engel u largua nga Capitol Hill pas 32 vjetësh në detyrë.

Engel, demokrat, e ka përfaqësuar një pjesë të Bronxit – një lagje e qytetit të New York-ut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare etnike – që nga 1989 dhe ishte udhëheqës në Kongres duke u angazhuar të ‘mblidhte’ mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur në vitin 2008.

Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një njeri të famshëm në shtetin e vogël të Ballkanit. Në anën tjetër, dashuria reciproke Kosovë-Engel e ka bërë këtë të fundit një figurë të urryer në Serbinë që ende nuk e pranon Kosovën si shtet dhe lobon kundër njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare.

Por largimi i Engel nga Dhoma e Përfaqësuesve – ku ai së fundmi kryesoi Komitetin e Punëve të Jashtme të dhomës së ulët, duke përdorur pozicionin e tij për ta ndëshkuar Beogradin dhe për ta mbrojtur Kosovën – mund të mos jetë një rast që Serbia të gëzohet tani dhe Kosova ta kuptojë se ka humbur një përfaqësues të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, Engel ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme ndaj një drejtori shkolle në zgjedhjet demokratike në fund të vitit që sapo shkoi. Ai tha se është pyetur nëse dëshiron të jetë ambasador apo nënsekretar në administratën e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe se po i shqyrton opsionet e tij, duke ngritur sërish frikën në Beograd se ai mund të vazhdojë të ndikojë në politikën e SHBA-së në Ballkan.

“[Ka] shumë gjëra të ndryshme që mund të bëj. Unë nuk do të marr ndonjë vendim tani, por, e dini, po mendoj për këtë”, i tha ai Washington Examiner në fillim të dhjetorit. “Ndoshta bëni diçka me administratën. Disa njerëz kanë sugjeruar se mbase mund të jem ambasador”.

Engel hyri në Kongres kur Jugosllavia po ndahej me dhunë përgjatë vijave etnike dhe u zhyt në shumë mosmarrëveshje rajonale të vendit të tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht një reputacion si ekspert i Ballkanit.

Ai ishte ndër ligjvënësit e parë të SHBA-së që i bëri thirrje administratës së Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë më 1999 për t’i ndaluar forcat serbe në Kosovë dhe ishte pa dyshim avokati më i hapur në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja një dekadë më vonë.

Engel vazhdon të luftojë për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanë që luftuan për Kosovën dhe u ekzekutuan nga policia serbe më 1999. Vrasësit e tyre nuk janë ndjekur penalisht ende.

Së fundmi, ai ka postuar në “Facebook” fjalimin e mbajtur pak ditë më parë, ku nuk harroi ta përmendte Kosovën, që siç tha vetë, zë një vend të veçantë në zemrën e tij.

Duke u ndalur te ndërhyrja e administratës Clinton në vitin 1999, Engel tha se u bë e mundur ndalja e gjenocidit në Kosovë. Ai thotë se gjithmonë e ka përkrahur idenë e sovranitetit të Kosovës.

“Ka disa fusha ku më pëlqen të mendoj se e kam bërë diferencën. Gjithnjë kam pasur një vend të veçantë në zemër për Ballkanin, e në veçanti Kosovën. Në vitin 1999, unë mbështeta fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Clintonit në Ballkan. Ne e dimë që kjo gjë ndaloi një gjenocid. Që atëherë, unë kam qenë një përkrahës për sovranitetin dhe pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm dhe njihet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, u shpreh Engel.

Pasi Engel e la Kongresin amerikan, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, duke e falenderuar atë, e uroi atë për të ardhmen.

“Faleminderit për shërbimin dhe miqësinë tuaj të paçmuar, Kongresmen EliotEngel! Njohja juaj e nevojës për drejtësi dhe vendosmëria juaj në mbështetjen e ndërtimit të shtetit të Kosovës ishin të domosdoshme. Njerëzit tanë janë përjetësisht mirënjohës dhe ne ju dëshirojmë më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme”, shkroi Osmani në Twitter.

https://twitter.com/VjosaOsmaniMP/status/1345457821278728195?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1345457821278728195%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Feliot-engel-perfaqesuesi-moral-i-kosoves-le-kongresin-pas-32-vitesh%2F

Edhe kryetari në detyrë i PDK-së dhe kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Enver Hoxhaj, shprehu falenderim për Engel, të cilin e cilësoi të pazëvendësueshëm.

“Përjetësisht falenderues ndaj mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel! Autoritet i pazavendësueshëm politik dhe moral për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë!”, shkroi Hoxha.

Përjetësisht falenderues ndaj mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel! 🇽🇰🇺🇸 Autoritet i pazavendësueshëm politik dhe moral për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë!

Posted by Enver Hoxhaj on Saturday, January 2, 2021

Ndërsa ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tregoi se në Washington të gjithë dinë diçka për Kosovën pasi “Engel ka folur gjatë gjithë kohës për të”.

“Ndërsa përfaqësoja Kosovën në WashingtonDC kam takuar shumë zyrtarë amerikanë, demokratë dhe republikanë. Të gjithë më përshëndetën me të njëjtin opinion “Oh, ti je Ambasadorja e Kosovës?! Ne dimë gjithçka për vendin tuaj. Engel flet për të gjithë kohën” Faleminderit EliotEngel”, shkroi Çitaku në Twitter.

https://twitter.com/vloracitaku/status/1345464296529129474?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1345464296529129474%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Feliot-engel-perfaqesuesi-moral-i-kosoves-le-kongresin-pas-32-vitesh%2F

Engel do të zëvendësohet si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës nga Gregory Meeks (demokrat nga New York-u), i cili do ta marrë detyrën më 6 janar kur Kongresi që u zgjodh më 3 nëntor do të mblidhet për herë të parë. /Express/KultPlus.com

Vdes 19-vjeçarja që priste t’i transplantohej veshka

Ka ndërruar jetë Nazlije Sherifi e cila tash e një kohë po vuante nga një sëmundje e rëndë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga vëllau i të ndjerës nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Allahu e deshti per vete ngase ishte engjull nga dita qe lindi. ALLAHU tmeshiroft ne xhennet motra ime”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i ka shprehur ngushëllime familjes ku dhe ka njoftuar se është takuar me personin i cili po priste që ti dhuronte veshkën të ndjerës.

“Para pak minutash ndërroj jetë vajza qe bashkëvendasi ynë Valmir Aliçikaj, i shtyer nga humaniteti për te shpetuar një vajzë 19 vjeçare doli vullnetar të ja dhuroj veshken”, ka shkruar ai.

Para pak minutash ndërroj jetë vajza qe bashkëvendasi ynë Valmir Aliçikaj, i shtyer nga humaniteti për te shpetuar…

Posted by Bashkim Ramosaj on Sunday, January 3, 2021

Për Nazlijen u organizua ndihmë e madhe ku u mblodhën të gjitha paratë e nevojshme.Mirëpo, teksa priste rezultatet e transplantit, ajo nuk arriti të mbijetonte./ KultPlus.com

Jacinda Ardern, kryeministrja që erdhi nga arat dhe u ngjit në majë

Trajektorja e Jacinda Ardern, nga lindja deri më sot, është një vijë e drejtë në ngjitje të vazhdueshme, e rrëfyer nga gazetat në të gjithë botën si një roman i jashtëzakonshëm. Në disa aspekte, sigurisht që është kështu. Megjithatë, ajo e Kryeministres aktuale të Zelandës së Re, e konfirmuar këtë vjeshtë në zgjedhje me 49.1% të votave, është gjithashtu historia normale e një gruaje, që është e lirë të shprehet dhe të drejtojë një vend. Të paktën, ajo që shumë dëshirojnë të bëhet: një shembull i një normaliteti të ri.

Lindur në 1980, Ardern u rrit në Murupara, një qytet i vogël me 1,970 banorë, të shpërndarë në fshatrat në jug të Auckland. Në Google Maps është një pikë mbi një hapësirë të gjelbër, aq larg nga qendra e botës sa nuk mund të imagjinoni asgjë të ndodhë atje. Prindërit e saj i përkasin besimit Mormon dhe kishin profesione të zakonshme: babai polic, nëna e punësuar në një mensë shkollore. Puna në ara është një zakon për të gjithë në ato anë, dhe Jacinda, pasdite pas shkollës, si vajzë e re hipte në traktor për të ndihmuar në mirëmbajtjen e tokës së familjes. Mund të jetë me mijëra kilometra larg nga kryeqytetet e Kinës, Evropës, Shteteve të Bashkuara, por ky cep i përgjumur i provincës është gjeografia që ne të gjithë e njohim, në realitet. Në fakt, shumica rriten si Ardern, në skaje. Dhe pa arsim, pa pasione, mbeten atje përgjithmonë.

Ajo ishte e zonja dhe spikat shumë herët. Vajza provinciale studion, diplomohet, dashurohet me politikën dhe shkon në Britaninë e Madhe, vendin e huaj ku ndodhin gjëra. Në vitin 2006, në moshën njëzet e gjashtë Vjeç, ajo u bë “më e mira e ekipit” të Tony Blair.  Ajo është e re, është grua dhe vjen nga larg. Duket sikur ato protagonistet e sagave aventureske që nisin një destinacion të ri, me guximim prej pionierësh. Veçse në ato saga, protagonistë ishin gjithmonë dhe vetëm meshkuj.

Ardern mund edhe të mos kthehesj më, duke qëndruar në qendrën që ka arritur. Por digjet me një zjarr që e di kushdo që ka lënë provincën: nevojën për të përmirësuar fillimet veta. Kështu që kthehet në Zelandën e Re, në vitin 2008 zgjidhet të drejtojë Socialistët e Rinj dhe, në më pak se një dekadë, ajo do ta gjejë veten duke u betuar si Kryeministre. Në moshën 37 vjeç, dhe shtatzënë.

Jacinda Ardern, nga viti 2017 deri më sot, nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se të thyejë rekorde dhe të hedhë në erë stereotipe: Kryeministrja e parë femër, Kryeministrja më e re në botë, Kryeministrja që i jep gji foshnjës së vet në asamblenë e përgjithshme të OKB. E sjellshme, e dhembshur, amësore. Por edhe e fortë. Ishte ajo që u përball me masakrën e Christchurch pa u përkulur – 50 myslimanë të vrarë dhe 40 të plagosur – duke i mohuar terroristit, supremacistit të bardhë, deri edhe një emër. Dhe ishte ajo që menaxhoi pandeminë me rezultatet më të mira, përmes dy bllokimeve në kohë dhe të forta, që synonin jo frenimin, por eliminimin e virusit.

Efektivitet që e ka bërë të fitojë lëvdata nga çdo pjesë të planetit.

Jacinda Ardern është e këndshme, por edhe e përgjegjshme dhe e besueshme. Një person, në fakt, pa maskë, i cili nuk vjen nga një film i ngjitjes së vetmuar në majë, por nga realiteti më i sinqertë: i yni. Një shtëpi, një fshat ku koha kthehet në mënyrë ciklike në vetvete, një komunitet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin nga i pari tek i fundit, dhe një rrugë që të çon në shkollë.

Ka qenë gjithashtu në gojën e të gjithëve, pasi ka mundur të ndërthurë punën me familjen, duke ndarë kujdesin e vajzës së vet me partnerin. Që tingëllon si një revolucion, ndërkohë që besoj se është thjesht një përparim i domosdoshëm: çlirues për të dy, prindërit dhe fëmijët. Të hedhësh në erë definicionet, ndarjet se çfarë është “mashkullore” dhe çfarë është “femërore”, është një hap përpara drejt lumturisë. Nuk është origjina, besimi, mosha, etnia, gjinia që zbulojnë se kush jemi. Eshtë talenti ynë, dëshira që na ka bërë të ndjekim një rrugë të caktuar, për të mbërritur nga një “unë”, tek një “ne”.

Skeptikët shkruajnë se kjo është një përrallë e bukur, e mundur vetëm në një vend me 5 milion banorë. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer skepticizmi, sepse nuk mendoj se mund të çojë askund.  Unë preferoj ta lexoj historinë e Ardern si një parashikim konkret dhe ndriçues të së ardhmes. /bota.al/ KultPlus.com

Kur Anton Çetta fliste për pajtimin e gjaqeve në New York Times

Më 7 prill të vitit 1990 në gazetën prestigjioze “New York Times” kishte zënë vend shkrimi i cili fliste për faljen e gjakut dhe punën që po bënte Anton Çetta.

Lajmi fillon më përshkrimin e familjes Dragacina dhe Betushi, ku dy anëtarët e familjes së tyre – Libibe Dragacina dhe Beslim Betushi i zgjatin dorën njëri tjetrit për t’ia falur gjakun e vrasjes.

Artikulli tregon se deri tani, që nga 1 shkurti janë pajtuar rreth 150 familje dhe se organizatorët janë të bindur se do të zgjidhen edhe 450 deri në 550 raste të mbetura, shkruan KultPlus.

“Në këtë situatë e cila ka qenë e vështirë për shqiptarët, ne dëshirojmë që të kemi të paktën një reduktim të kësaj të keqe”, është shprehur Anton Çetta, nismëtari i kësaj iniciative, për New York Times.

“Në kohë të vështira, është ligj natyror që njeriu dëshiron të ndjehet i sigurt”, ka theksuar Çetta.

Artikulli tutje tregon se për të marrë gjak duhet që të vritet një nga burrat e familjes, duke treguar se vrasësi është i pari që mendohet të vritet por nëse nuk mundet që të vritet ai atëherë vritet një anëtar tjetër i familjes, mashkull.

Në artikull është përfshirë edhe Ismail Haradinaj, familja e të cilit po ashtu po diskuton për të falur gjakun pasi që vëllai i tij ishte vrarë.

Anton Çetta për New York Times ka treguar se grupi i tij po përpiqen të ndryshojnë këtë traditë duke u thirrur në çështje patriotike në këtë kohë trazirash kur shumë shqiptarë po i bëjnë rezistencë asaj që ata thonë se është presioni në rritje i qeverisë qendrore në Beograd, ndaj tyre.

Shkrimi tutje diskuton edhe për problemet në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe pretendimet që kanë serbët për Kosovën duke e quajtur atë tokë të tyre.
“Kur gratë hoqën shamitë ishte e vështirë, por tani ato ulen mes nesh”, Anton Çetta u tha familjeve të një fshati.

“Tani është e vështirë për të falur gjakun, por më vonë do të jetë normale. Duhet të betohemi se nuk do të vrasim më njëri-tjetrin”. / KultPlus.com

Amantia Rrokaj, vajza që krijon art me materiale të riciklueshme

Amantia Rrokaj, është një vajzë shqiptare e cila që në moshë shumë të re u vendos në Athinë, Greqi. Amantia nis të realizojë me fantazinë e saj portrete dhe peisazhe duke përdorur materiale të ndryshme të riciklueshme.

Ajo ka realizuar krijime të cilat janë ekspozuar në aktivitete të ndryshme në Athinë e jo vetëm. Në Shtatorin e vitit të shkuar, punime të saj u bënë pjesë e ekspozitës “Tradita dhe roli i gruas në Diasporë”.

Amantia, në 4 Janar vjen me një event online ku do të ekspozohen punimet e saj artistike.

Amantia Rrokaj, u lind në Tiranë. Në moshë shumë të re, 18 vjeçare, u vendos në Athinë, Greqi. Aty jeton dhe sot me familjen e saj, bashkëshortin dhe tre fëmijët.

Pas një periudhe përballjesh e sakrificash si emigrante, bashkëshorte, nënë, u duk mishërimi i thënies “sfidat janë për njerëzit e fortë”. Amantia diagnostikohet me një sëmundje auto-imune nga e cila nuk ka kthim mbrapa.

E pamundur të matet me fatin, ajo vendos ta “përqeshë” atë me forcën e shpirtit të saj artistik të cilin për kaq vite e mbante të fshehur brenda saj, duke u bërë kështu shembulli më i mirë për familjarët dhe shoqërinë e saj duke u dhënë edhe kurajo njëkohësisht.

Kështu nis të realizojë me fantazinë e saj portrete, peisazhe, duke përdorur materiale të ndryshme të riciklueshme (dru, tantellë, rruaza, temina) duke rigjeneruar edhe shpirtin e saj.

“Krijoj ditë, natë dhe kjo më bën të ndihem e qetë, edhe kur trupi im s’është “ thotë ajo, duke na falur punime të mrekullueshme dhe duke i ekspozuar në aktivitete të ndryshme në Athinë e jo vetëm.

Portreti kryesor që vëmë re në punimet e saj është Frida Kahlo, të cilën ajo e ka si shembullin e këmbënguljes, durimit, forcës dhe talentit.

Në Shtatorin e vitit të shkuar, punime të saj u bënë pjesë e ekspozitës “Tradita dhe roli i gruas në Diasporë” realizuar nga Së iss Albania Event (Zvicër). Në këtë ekspozitë punimet e saj tërhoqën vëmendjen e auditorit dhe disa prej tyre kanë zënë vend në ambjentet e “Abi Agency” në Lozanë dhe në restaurantin “La Croisee” në Renens.

Motoja e Amantias është një thënie e Hellen Keller “Nëse po kalon vështirë dhe ndjen dhimbje, kujto se bota është e mbushur me vuajtje, por dhe me mundësi për t’i kapërcyer ato”

Ajo nuk ushqen vetëm shpirtin e saj me artin e vetë, ajo na ushqen të gjithëve duke na dhënë shembullin më të mirë se arti është ai që shpëton mikrobotën e secilit dhe shëron çdo plagë sado e thellë qoftë ajo./ KultPlus.com

“Po përshëndetemi për të mbramen here, dallgët e jetës do të na vërviteshin kush’ di se kah”

Gazeta Fryma 1944; artikull nga Muhamet Bala

Në fotografi Gaspër Pali

Mësuesi im

Jam shtri. Mbramje vonë. Kam bashkue përmbrapa duert e mija nën qafë. Kam ndezë cigaren e po kujtoj. Sa t’ambla janë  casat e kujtimit! Ngadalë tres në një gjysëm pavetdijeje : koha më rrëmben me furin e vet. Ndij erën jashtë që furet me hov. Qelqet e dritares dridhen. Dridhet diçka thellë edhe mbrënda mejet. Kjo erë e furishme më zgjon një kujtim që kam fort për zemër.

Me duket se jam në klasë. Dimën. Dhoma e shkollës âsht e ftofët. Dridhen trupat e nxanesavet. Mësuesi, në kambë, flet.

Ăsht hollak, i gjatë. Drita e meket e ditës së dimnit përshkon qelqet e akullt të dritares e rreh fytyrën e zbehtë të mesuesit të letërsis. Mollezat e faqevet të tija duken ma të thella. Syt, drita ia qet ma të errët: duken se kanë humbue mbrenda gropavet. Floket gati të pangjyre ndehen rrallë e rrallë mbi kreun e madh: Si e kane ba kendimet ! Sa fort e ka prishe jeta. Asht mësuesi i gjuhës shqipe.

Ăsht mësuesi i im.

Flet. Flet me ato buze të holla. Zani i tij dridhet prej te ftoftit, dridhet prej mendimevet që e djegin, dridhet prej trupit qe e mundon.

E na, xanesat, dëgjojmë, përpijmë gjithçka.

Çdo lëvizje e buzëve të tija na mëson, na there.

Duert e holla e të thata të tija lëvizin idhnake mbi tryezën ku rrin. Ep shkoqitje. Siellet kah drrasa e zezë: Shkruen ndonjë emen. Mandej, shpejt drejtohet nga na.

Me’ majet e gishtavet te hapun ndeqe për sy syzat e trasha.

Flet : – Serembe, De Rada, Frasheri, Fishfa, Noli, Mjeda, Platonicus, Migjeni. E rreshton fjalorin e tij te zakonshem : « dri-dhje», «andje», « epsh», «anderr », «gaz », « dej », « vullnet », « fuqi » , « lem’im ». Ndërsa, kohë mbas kohet, si nje « refrain » vjen porosija e tij : « Djelm, ike koha t’a dijni, ike koha! Shijonie! 

E fjalori shterret. Goja e mësuesit pëshpërite, heshte, mbyllet : Ngjiten buzet e tija. Por na, e dëgjojmë. Mbarë klasa thithe ajrin e përziemë me dufet e pafund të mesuesit. Mandej ndehet heshtja. Përjashta era fryen terbueshem.

Një ditë, mëngjes i ftofet dimni, cilet dera e klases : – Urdhen i Drejtorit – : « Mesuesi i gjuhes Shqipe Dr. Gasper Pali âsht i semunde rande. Ne mungese zavendesimi, klasa ka pushim ».

S’flet kurrnji. Rrijme ashtu ner banka. Presim. Por pritja asht e gjatë, teper e gjatë … : Mesuesi vuente ne shtrat: i shkyhej gjoksi !

Na kryejm pjekunin e pershendesim njeni tjetrin, noshta per te mbramen here: dallget e jetes do te na verviteshin kush’ di se kah!

Në një mëngjes vere një dorë e fortë trokiti ne derën e shtepis seme.

Dal. Ishte nji shok i imi. Ne fetyren e ti dallova shpejt nje dhimbe te madhe.

– Profesor Gasper Pali ka vdeke ! – tha shoku tue me shtrengue doren. Lajmo ner shoke.

Kishte ndrrue jete nji puntuer i letravet shqipe. Kishte pushue se rrahuni nje zemer qe kishte vuejte thelle jeten … !

Ishte zhduke mesuesi i im!

E mue mu lidh, ketu te fyti dicka si ny.

« Koha hik, ta dijni djelmoca, koha kalon!

Mbas pak vjen prendimi i andrrimevet!

Ta dijni, rreshqet gazi, shpejt shkyhet tisi i vegimeve te kryeme e mjerimi ne shpirt qe nisi m’u shpeshtue. Me thuej, pse kaq shpejt zbehen andrrat mbi bote? O… ndij perqethje per shka kam per te bjerre e shpirti me mbete i ftofte si muzg dhetori…!

Koha hik, ta dijni djelmoca, koha hik! Shijonie .. !

Keta me kujtohet mue sonte. E me hyejne thelle nje nga nje fjalet e tija.

E prap nji ndalim fryme ndij ketu permbrenda ne krahnuer … ! / KultPlus.com

Artistja imagjonin Princeshën Diana me djemtë e rritur e nuset e tyre, në skeçet e pabesueshme (FOTO)

Vizatimet e pabesueshme u postuan në llogarinë e Autumn Ying në Instagram

Artistja e talentuar Autumn Ying ka publikuar së fundmi skeçet e saj impresionuese të Princeshës së ndjerë britanike Diana, që u vlerësuan nga audienca e saj e gjerë si punimet më të bukura ndonjëherë.

Skeçet e mahnitshme imagjinojnë Princeshën Diana sikur të ishte e gjallë sot, me anëtarë të ndryshëm të familjes mbretërore. Në dy prej tyre ajo shihet me nuset e djemve me të cilat nuk është takuar kurrë, Dukeshën e Cambridge dhe Dukeshën e Sussex.

Në një tjetër ajo i mban ato përdore duke ecur, teksa dukeshat mbajnë fustanet që veshën në ceremoninë e Ushtarit të Panjohur në nëntor 2018.

Në një tjetër ato shihen pranë një peme Krishtlindjesh duke hedhur krahët rreth Kate e Meghan, teksa kjo e fundit mban me dorë barkun e bebes.

Shumë më prekës është vizatimi i princeshës Diana me dy djemtë e saj të rritur, në një përshtatje të portretit të famshëm që familja bëri në 1988, kur dy djemtë ishin vetëm tre dhe gjashtë vjeç./ KultPlus.com

Fjalimi i Anton Çettës për Pajtimin e Gjaqeve (VIDEO)

Sot shënohet 101 vjetori i lindjes së atdhetarit Anton Çetta , shkruan KultPlus.

Më 2 shkurt 1990 me Anton Çettën në ballë në Kosovë nisi aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit, efektet e të cilit ndihen edhe sot.

Viti 1990 njihet si viti i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar.

Ndërsa sot KultPlus ju sjell fjalimin që Anton Çetta e mbajti për faljen e gjaqeve. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës zë vend në ballinën e revistës amerikane të arteve

Baleti Kombëtar i Kosovës ka zënë vend në kopertinën e revistës amerikane të arteve në New York, ‘Revista 1212’, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Baletit të Kosovës në Facebook.

“Është një nder shumë i madh për Baletin Kombëtar të Kosovës që të paraqitet në kopertinën e revistës amerikane të arteve në New York – Revista 1212.  Faleminderit 1212digital dhe Lee Bradshaë për mbështetjen e ëndrrave tona”, thuhet ndër të tjera në postim./ KultPlus.com

https://www.magcloud.com/browse/issue/1909286?__r=656386&fbclid=IwAR1gDc58SEgDRob1upVj3XGIP5Q7Dl1VIP_8hfvjH3QcMx0ydHXJXJjWO_k

Është një nder shumë i madh për Baletin Kombëtar të Kosovës që të paraqitet në kopertinën e revistës amerikane të arteve…

Posted by Baleti Kombëtar i Kosovës – The National Ballet of Kosovo on Sunday, January 3, 2021

Dy poezi për Kosovën nga poeti Dalan Luzaj

Nga Sinan Gashi

Fati i rëndë e ndoqi që në rini poetin vlonjat Dalan Luzaj, lindur më 1944. Ai vitet më të mira të jetës, nga 25 e deri në 47, e kishte përjetuar kalvarin nëpër kanalet e Sherishtës së Vlorës, së bashku me bashkëshorten e përkushtuar. Atë e akuzuan për të jatin, profesorin e nderuar Isuf Luzaj, i cili kishte ikur për në SHBA kohë më parë, andaj familjarët përjetuan fyerjen, përbuzjen dhe përçmimin si të deklasuar, në kohën famëkeqe të luftës së klasave. Dalani, pasi kreu shkollimin përkatës profesional, nisi punën e mësuesit në fshatrat e Tepelenës, por vala e zezë e sistemit e rrokullisi si mos më keq, duke e detyruar të kryente punë të rënda dhe duke u strehuar në një kasolle të mjerë.

Poeti Dalan Luzaj

Sido që të jetë, është i veçantë shpirti i poetit, i cili më në çaste të rënda shpërthen, rrëfen, shfrynë, sikur vetëm ajo gjë e lehtëson paksa, pasi ta kishte nxjerrë dufin në letër.

Ky mision artistik e përcolli vazhdimisht, në ato kushte të tmerrshme por edhe në kohën kur kishte gjetur rehatinë në Çikago Ilinois të SHBA – ve.

Fillimisht shkruante nga dëshira – halli, ndërsa tashti nga pasioni dhe dëshira për të dëshmuar pjekurinë artistike dhe për t’i sjellë kënaqësi poetit, e në raste për të dëshmuar se ai është gjithnjë i njëjti: Dalan Luzaj që e refuzon shëmtinë njerëzore, padrejtësitë deri në dhembje dhe, gjithsesi krenarinë për njeriun shqiptar, sakrificën e tij kudo që frymon, vetëm për një amanet të shekujve – për Atdheun, ruajtjen e tij edhe në barazim me jetën.

Këto ndjenja, shpërfaqur artistike me plot emocion si rrallëkush, ai i ka shprehur në vëllimet poetike:

  1. Jeta më gjeti vetëm,
  2. Diej të largët,
  3. Pa rrugë,
  4. Dhe hëna kurrë nuk qeshte dhe
  5. Kasollja e internimit.

Krijimet e tij janë tepër të lirshme, krijuar pas një ngarkese emocionale për fatet e njeriut shqiptar, pa e ndarë etninë në pjesëza të shumta kufijsh, ku ia caktuan të tjerët, sa për të nxjerrë sherre të përhershme, edhe mes tyre.

Ndër të tjera, Luzaj ka krijuar dy poezi të frymëzuara për Kosovë, atë vend të martirizuar shumë herë, vetëm për ruajtjen e truallit dhe identitetit të tij si shqiptar.

Me figura të lehta dhe me fjalë të thjeshta, por që vështirë të gjinden sa të përafrohen me strumbullarin e temës, shprehet me emocione sa për vendin e historikun që e mbart në shpinë, po aq edhe për prijatarët e saj, që shëmbëllejnë sot e atë ditë me korifenj të atdhetarizmës.

Në të dy poezitë kuqëlojnë plagët e  Adem Jasharit, kjo për në luftën e fundit shlirimtare, por nuk harrohen bëmat e të papërsëritshmit  Isa Boletini. Gjithsesi në këto raste atij ia zë frymën dhembja e madhe Çamëri, e mbi të gjitha ajo që i qëndroi vazhdimisht pranë frymimit shqiptarë Amerika.

Kosovës poeti Luzaj ia radhitë fatin e saj të rëndë ndër shekuj, dasmat që kanë në vete hare e zhurmëri – atje visheshin me heshtje, dhuna sllave që dhuronte vetëm kamxhik, liria e kufizuar deri në imtësi si dhe madhështorja, historikja, e përjetshmja NËNA shqiptare e Kosovës që, në çfarëdo rrethane, ajo e shtonte jetën shekujve, e rinonte tokën e mbytur në gjak.

Për t’i përjetuar realisht këto krijime poetike, po i shënojmë që të dy poezitë  e Lizajt shkruar për Kosovën.

KOSOVË E PËRGJAKUR

E mbylli shekulli mijëvjeçarin,

Rilindi Kosova shekull të ri,

Kohërat marrin plagët, jo Adem Jasharin,

Gjysma legjendë, gjysma histori.

Sa brenga flasin, sa dhimbje rrinë zgjuar

O nëna të mira, heroina pa lapidarë!

Liria e Kosovës nga ju ka buruar.

Shpirtrave sa plumba kini marrë!?

Buzëqesh e brishtët, plagëfashuar

Rreh zemra krahërorit në Tiranë.

Nga krismat e fitores, Çamëria zgjuar

Gardhet ndalin çapin, gjakun s’e kanë ndarë.

Çdo shtëpi muze, çati ka flamurin,

Kështjellë e Jasharëve, Sfetigrad i Ri.

Kthen historia për të gjetur burrin,

Burrat e Atdheut qiellit kuq e zi.

KOSOVA

Është pak, shumë pak të them: Gëzuar!

Edhe me gjak ta shkruaj, është pak!

Eh … Kosovë, mbi vdekjen ke fituar,

Pije helm dhe të bëhej gjak.

Të kërkonin palcën, të të shkulnin flamurin,

Djalit, Atdheut i linit trashëgim,

Atdhe o vdekje, peshore te burri,

Busulle liria, shkau në shpinë

Njëqind vjet skllave, ngele nën kamxhik,

Një shekull thundrës së muzhikut,

Dhe kur lindje, ngjetheshe me frikë,

Çdo lindje plumb ish’ për armikun.

Dasmat i festoje qetas, pa bujë,

Pas çdo dasme, gjaku bënte lart;

Herë derdhej brinjëve si ujë –

Herë ngjitej shtizës për bajrak.

Vij nga larg i përmalluar, biri yt

Loke, nënë kosovare, pa rrënjë në tokë.

Të rrok si flamur, të shtrëngoj në shpirt;

Gjysma kullon  gjak, gjysma rrjedh lot,

Zën’ e dhimbjes kurrë s’ta dëgjuam.

Lindje po, Loke moj shtatzënë,

Zemrat gjakun kurrë s’e harruan,

Ish’ përmbys rrënjëdala nënë.

Na shtove jetën një shekull të plotë,

Mijëra trima i ngrite nga varri,

Shekulli shqiptar, Gëzuar nëpër Botë!

Fara dhe rrënjë, Ti Adem Jashari.

Is Boletini, gjëmimat i ndjeje?

Dollinë e fitores ta pimë në Kaçanik.

Shtatzënë Kosova pas çdo beteje.

Mbushe gotën plot, për ty Amerikë./ KultPlus.com

Anton Çetta: Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por është robëruar nga shumëkush

Anton Çetta, që konsiderohet si nderi i kombit, ka qenë dhe mbetet ndër figurat kryesore të rezistencës së shqiptarëve, ku në kohën më të vështirë për popullin kosovar, ai me iniciativën e tij arriti të pajtojë shumë familje, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell një nga thëniet e njohura të tij, që flet për popullin shqiptar, për robërimin e traditën e popullit tonë.

Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllain e shndërron në vrastar… / KultPlus.com

96-vjeçari që shpreson të mos ndahet kurrë nga pianoja

“Pianoja dhe unë jemi një. Jemi të pandashëm”, thotë 96-vjeçari Jegal Sam nga Koreja e Jugut. 96-vjeçari ka 82 vjet që kur ka nisur të bënte hapat e parë me piano.

Ai në moshën 14-vjeçare nisi diçka të cilën e praktikon edhe sot, e nuk e ka në plan ta ndalë. Thotë se madje pianoja njëherë i kishte shpëtuar jetën.

Pas diplomimit ishte bërë mësues muzike. Por më pas nisi lufta e Koresë. Ai ka treguar se në atë kohë policia vetëm kapte djemtë e rinj në rrugë dhe i dërgonte me dhunë në fushëbetejë.

“Edhe unë isha kapur teksa po dërgoja disa libra në një vend. Kur po bëheshin gati të më dërgonin, dëgjova papritmas një zë: ‘Mësues’! dhe polici e pyeti nxënësin më pas: ‘A është ky mësuesi yt?’ Ai u përgjigj: ‘Po ai është mësuesi im i muzikës’. Ai djalë më shpëtoi jetën”, tregon ai, për kohën kur mësimdhënësve nganjëherë u mundësohej t’i shpëtonin dërgimit në luftë.

“Jam 96-vjeçar tani, por jam i bindur se do të vazhdoj deri të mbush 100”, ka thënë ai në një rrëfim për BBC-në. “Nuk është truri im që mban mend notat muzikore, janë gishtat”.

Tani, edhe pse i pensionuar, Sam thotë se dëshiron të vazhdojë me pianon deri në fund të jetës./ KultPlus.com

Veprimtari Anton Çetta duke pajtuar shqiptarët, këtu mund të shihni se si një djalë i vogël falë gjakun e babait (VIDEO)

Anton Çetta njihet për rolin dhe kontributin e tij në faljen e gjaqeve, shkruan KultPlus.

Ai konsiderohet si njeriu që vuri paqe në mes shqiptarëve, duke bërë që të lënë hakmarrjen prapa dhe ti shtrijnë dorën njëri tjetrin, pavarësisht rrethanave. Në këtë video nga arkiva e RTK-së, shihet edhe një djalë rreth moshës 10 vjece duke falë gjakun e babait të tij.

Kurse vetë Çetta, shihet në këtë video duke shpjeguar se kur kishte filluar aksionin e pajtimit të gjaqeve, në dy ditët e para kishin arritur që të bindnin dy familje që të falnin gjakun dhe të marrin besë për dy muaj.

Kurse pas një aktiviteti të madh, Cetta thot se brenda një dite kanë arritë që vetëm nga Drenica të falen 100 gjaqe. Për më shumë shikojeni videon./KultPlus.com

Ritualet e pranverës të arbëreshëve dorëzohen zyrtarisht në UNESCO

Ritualet e pranverës, njohur si “Moti i madh” i Arbëreshëve është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila shprehet se viti i ri nis edhe me këtë lajm të mirë. “Le ta nisim këtë vit të ri me një lajm të mirë, që vjen nga bota arbëreshe, nga “gjaku ynë i shprishur”, ajo degë besnike, që prej 500 vjetësh ruan traditat dhe gjuhën, që morën me vete, kur lanë tokën mëmë”, u shpreh ajo.

“Ritualet e pranverës, njohur si “Moti i madh”, kjo pasuri e jashtëzakonshme traditash kulturore, rite festash, lindjesh, dasmash e vdekjesh, këngësh, vallesh, kostumesh popullore e zejesh është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, si kandidate për listën e praktikave më të mira të trashëgimisë botërore”, njoftoi Margariti.

Po ashtu, Margariti uron fondacionit “Prof. Papas Francesco Solano”, profesorët e nderuar Francesco Altimari e Matteo Mandala për përkushtimin dhe mbledhjen e kësaj pasurie./atsh/KultPlus.com

Revista spanjolle: Ermonela Jaho, një soprano që emocionon

Pas performancës së sopranos shqiptare Ermonela Jaho në Barcelonë, revista spanjolle “Opera Actual” i ka dedikuar një shkrim. “Këngëtarja shqiptare është një nga këngëtaret lirike më të njohura në botë. Jo vetëm që ajo ka një zë të bukur lirik dhe mjeshtëri teknike absolute, por është një nga këngëtaret-aktoret më emocionuese të ditëve të sotme, si ishte Maria Callas në kohën e saj.

Sipas mendimit tim, versionet e Ermonela Jaho që ajo ofron për heroinat e brishta të tipit Violetta ose Cio-Cio San e tejkalojnë Maria Callas në aftësinë e saj për të lëvizur nga intensiteti i së vërtetës që ajo arrin të vendos në to.

“Në jetën e përditshme ju keni tendencë të mbroni veten nga brishtësia juaj, sepse po mos ta bëni këtë do të ishte shumë e dhimbshme. Por në skenë ju jeni plotësisht i pambrojtur. Realiteti dhe dobësia juaj janë të dukshme për të gjithë. Muzika ju mëson t’i kanalizoni dhe të shfaqet vetja juaj e vërtetë, çfarëdo roli që po luani. Është e mundur që njerëzit e Mesdheut dhe Ballkanit të ndjejnë më shumë se ata të vendeve të tjera këtë intensitet pasionant, por në çdo rast nuk e tregoj atë në jetën reale, pasi jam mjaft i ndrojtur. Por kur bëhet fjalë për muzikë, i gjithë ky pasion manifestohet përmes personazheve që unë mishëroj”, shprehet Jaho.

Në fund të dhjetorit ajo interpretoi Violeten nga “La Traviata” në Liceun e Barcelonës. Kur Jaho performoi në Londër në vitin 2019, performanca e saj, veçanërisht në aktin e fundit, ishte aq tronditëse sa të dha përshtypjen se po dëshmonte vdekjen e një personi të vërtetë, dhe jo një trillim skenik. I gjithë publiku u mahnit nga intrpretimi saj”, shkruhet në shkrimin e gjatë që revista spanjolle i ka dedikuar sopranos shqiptare./ KultPlus.com

Këngët e shqiptarëve, në listën e 250 këngëve më të mira në historinë e Eurovizionit

Tanimë tradicionalisht, çdo vit njerëzit nga mbarë bota votojnë për të zgjedhur 250 këngët më të mira të Eurovizionit.

Festivali që ka nisur para 64 vitesh ka numëruar plot këngë pjesëmarrëse çdo vit, prandaj një përfshirje në këtë listë çdo vit i nderon artistët më të mirë dhe krijimet më të mira por edhe të famshme të festivalit, në të cilin Shqipëria përfaqësohet që prej vitit 2004.

Këtë vit, kjo listë kuptohet që ka në vete frymë shqipe. Në pozitën e 58-të në këtë listë është kënga ‘Mall’ e Eugent Bushpepës, këngëtar ky që e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2018. Në pozitën e 78-të është Jonida Maliqi me këngën ‘Ktheju Tokës’,  ndërsa Elhaida Dani, e cila në Eurovizion përfaqësoi shqiptarët në vitin 2015, me këngën ‘Im Alive’ është në pozitën e 92-të.

Në vendin e 100 është Rona Nishliu me këngën ‘Suus’, ndërsa kënga e fundit shqipe në këtë listë është ajo nga Arilena Ara, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2020, edicion që nuk u mbajt shkaku i pandemisë, shkruan KultPlus.

Kënga më e votuar në listë është ajo nga Loreen – ‘Euphoria’, e cila e fitoi Eurovizionin në vitin 2012-të. Eleni Foureira, me origjinë shqiptare, është në vendin e dytë të kësaj liste.

Shqiptari Ermal Meta, i cili e përfaqësoi Italinë në Eurovisionin e vitit 2018-të, në këtë listë radhitet në vendin e 74-të. Shqiptari tjetër, Gjon`s Tears, i cili poashtu e përfaqësoi Zvicrën në Eurovizionin e vitit 2020-të, në këtë listë është në pozitën e 31-të. / KultPlus.com

Shkëlzen Doli: Në koncertin më të madh në botë që mbahet në Vjenë, RTK nuk përmend performancën time

Një janari i këtij viti filloi me shfaqjen e mahnitshme të Filharmonisë së Vjenës e cila u transmetua në Radio Televizionin Publik të Kosoës, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje u përcoll me një interes nga shqiptarët sepse pjesë e këtij koncerti ishte edhe mjeshtri i madh i violinës, shqiptari Shkelzen Doli.

Por ky i fundit, përkundër komenteve të mira që ka marrë për paraqitjen e tij, ka ngelur i revoltuar se si komentuesit e ngjarjes që u transmetua direkt në RTK, nuk e përmendën atë për as edhe njëherë të vetme.

Ky është reagimi i tij i plotë:

“Qytetarë të dashur të vendit tim, fillimisht ju uroj një fillim të mbarë në Vitin e Ri 2021!

Unë edhe pse larg jush, me mendje jam përherë me ju. Këtë ma mundëson arti i muzikës dhe tingujt e violinës. Jam kënaqur nga postimet dhe urimet e shumëta nga ju pas përfundimit të Koncertit të Vitit të Ri në Vjenë.

Por jam befasuar, nga reagimet e shumë miqve për nivelin e dobët të komentimit në RTK. Reagimet mund të përmblidhen në një zhgënjim:

“Se si kjo ngjarje e rëndësishme civilizuese të transmetohet në mënyrë joprofesionale duke mos përmendur në asnjë moment performancën e shkëlqyer të Z. Shkelzen Doli, mjeshtrit të violinës, artistit të mirënjohur botëror, i cili e bën violinën të flasë shqip, i cili e bëri një Filharmoni të Vjenës të ndjejë shpirtin e shqiptarit me “Albanian Soul”!

Qytetarë të dashur të vendit tim, si është e mundur që gjatë tërë kohës së transmetimit të drejtëpërdrejtë të Koncertit të Filharmonisë së Vjenës, komentuesi i RTK-së nuk e përmend fare prezencën dhe performancën time. Si mund të arsyetohet kjo sjellje joprofesionale, jocivilizuese dhe antikombëtare? Miq të muzikës, qytetarë të dashur, unë vërtet e kam të vështirë ta kuptoj!

Andaj, reagimi im është ndaj degradimit të vazhdueshëm, nga i cili fatkeqësisht nuk po shpëton as arti, muzika, civilizimi etj. Në fund, lus menaxhmentin dhe përgjegjësit në RTK, reagimin tim si pasojë e shumë reagimeve nga miqtë mi shqiptarë që ishin ndjerë të ofenduar, ta publikojnë! Ky reagim është i rëndësishëm për qytetarët, artdashësit, por gjithsesi shkon në mbrojtje edhe të mediumit tuaj shtetëror poashtu!”/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=apUtLa5bOtQ&feature=emb_logo

E dashtun vetja jeme, falemnderit që ishe e fortë edhe nji vit ma shumë

Nga Arjola Zadrima

Të falemnderës që më ban me kthy kryet me kuptu ecjen e këtij viti. Të falemnderës që nuk je pendue që je me mu.

Të falemnderës për lehtësinë me të cilën e merr jetën ani pse shpesh ajo asht ma e ashpër. Sinqerisht të falemnderës që më ke rritë kaq shumë këtë vit sa me kuptue që thjeshtësia asht ajo që më gëzon.

Të falemnderës posi për debatet që krijon brenda meje, për peripecitë që më ofron. Më njohe me fasadën e njerëzve dhe boshësinë që i karakterizon. Të falemnderës që më dhe mundësinë me dominu mirësia e jo ligësia jeme. Kuptoj ku gjendem.

E dashtun vetja jeme të falemnderës që nuk eksperimenton me jetën e askujt dhe ekspertët e fushës i largove prej rrugës teme. Të falemnderës që emocionohesh prej lumtunisë së fëmijëve, kujdesit të prindve e dashnisë të atyne pak njerëzve që më rrethojnë. Të falemnderës që familjen e ke kriju brenda shpirtit tem. Të falemnderës që më lekund shpesh themelet dhe krijon vorbullat e sigurive të mia, kjo më ka ba ma të fortë. Të falemnderës që ende beson tek unë, kjo qënie kaq e pashpjegueshme, shpesh e pakuptueshme, kjo qënie kaq e komplikueme dhe e vërtetë.

Të falemnderës që ma dhe mundësinë me të dashtë aq fort sa me i largu njerëzit negativë, mendimet e papjekuna. Të falemnderës që më bane selektive, egoiste dhe mbi të gjitha realiste. Së fundmi të falemnderës që je ndryshe, që pranon diversitetin dhe mundohesh me u gjetë në këtë rruzull fasadash, vitrinash shumë ngjyrëshe, njerëzish hipokritë, me drita elektrike.

Të falemnderës për çdo çast që e përjeton sepse më bane kuptu se jeta asht kaq e pabukur pa mue.

Fort e dashtun vetja jeme e përshpirtshme, e pashpirt të falemnderës, të falemnderës shumë që ekziston. / KultPlus.com

FSK viziton Ferdonijen, Zonjën e Hekurt që lufta ia mori katër djemtë

Në këto ditë festash kur të gjithë mblidhen me më të dashurit e tyre, janë mjekët e policët ata që pikërisht në këto ditë mobilizohen më shumë se kurrë për t’u vënë në dispozicion të popullit, shkruan KultPlus.

Natën e kaluar të ndërrimit të motmoteve, ishte FSK-ja ajo që i bëri vizitë Ferdonije Qerkezit.

Vetë Ferdonija ka publikuar dy fotografi me disa pjestarë të FSK-së që i kishin bërë vizitë në shtëpinë e saj. ‘Falemnderit për vizitën FSK’, kishte shkruar ajo në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com