Sytë e urrejtjes

Nga Oktavio Paz

1.
Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht.
Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku.
Dhe kështu të gjitha ditët.

2.
Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë?
Thoshte:
“Ishalla vdeksh!”
Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy.
Gjithmonë me gjithë shpirt.
Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Askush nuk ia vinte veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër.
I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes.

3.
Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga prania e tij, papritur lëshoi këto fjalë:
“Tashmë e vrava.”
Cilin dhe si?
Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka.
Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar.
Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër.
Kurrë nuk u kthye më.
Vdiq?
Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër.
Unë rishikoj veprimet e mia.
Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros?

Përktheu: Flora Nikolla./ KultPlus.com

Edukimi parafillor i obligueshëm, synohet rritja e numrit të fëmijëve në edukimin e hershëm

Prej vitit shkollor 2023-2024 edukimi parafillor pritet të bëhet i obligueshëm. Prindërit dhe kujdestarët do të obligohen me ligj që t’i dërgojnë fëmijët në këtë nivel të edukimit.

Pasi kaloi në qeveri, Ministria e Arsimit thotë se shumë shpejt Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që rregullon edhe disa çështje të tjera, do të procedohet në Kuvend. Psikologët e kanë mirëpritur një vendim të tillë pasi thonë se fazat e hershme të zhvillimit janë shumë të rëndësishme.

Ky projektligj do të përfshijë edhe: Koordinimin ndërsektorial; edukimin në familje, ushqyeshmëri, krijim të menyve ushqimore; sigurim e rregullim të materialit didaktik ; monitorim të punës edukative; aftësim të dadove.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna deklaroi për KosovaPress se me anë të këtij projektligji synojnë të rrisin përfshirjen e fëmijëve në edukimin parafillor e në të njëjtën kohë grave t’u jepet mundësia të kyçen në tregun e punës.

“Synojmë që të rrisim përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, Kosova mbetet si vend mbrapa në përfshirjen e fëmijëve në këtë moshë, sidomos në moshën 0-5 vjeç, dhe me këtë ligj kemi synuar që të rregullojmë të gjitha format e ofrimit të shërbimit në këtë segment, duke përshirë veçanërisht edhe përfshirjen e formave alternative të ofrimit të shërbimeve, siç janë qendrat me bazë në komunitet, themelimin e institucioneve parashkollore ose shërbimeve që ofrojnë institucionet qendrore lokale apo korporatat e ndryshme më qëllim që të rrisim gamen e shërbimeve në të cilin familjet mund të mbështeteni për sa i përket edukimit të fëmijëve”, shprehet ajo në intervistën për KosovaPress.

Zëvendësministrja e Arsimit Maloku-Bërdyna është e bindur se projektligji do të ndikojë pozitivisht dhe do të arrihet që numër më i madh fëmijësh të përfshihen në edukimin e hershëm, kjo edhe për shkak se do të jetë edhe obligim ligjor.

“Edukimin parafillor prej vitit të ardhshëm, vitit 2023-2024 do të bëhet i obligueshëm, që nënkupton se familjet apo kujdestarët do ta kenë obligim ligjor që t’i dërgojnë fëmijët në këtë nivel të edukimit, besoj që kjo është një komponent i rëndësishëm dhe do të ndikojë që kjo politikë e jona, që është për përfshirjen e fëmijëve në këtë pikë të ndikojë pozitivisht dhe fëmijët të kyçen në numër sa më të madh në këtë nivel të edukimit… Tani pas miratimit të projektligjit në qeveri, ai do të vazhdojë procedurat e mëtejme në kuvend dhe presim që në muajt në vijim të aprovohet dhe të fillojë pastaj edhe implementimi i tij. Natyrisht ky projektligj bartë më vete edhe një pjesë të akteve nënligjore që dalin nga ai dhe puna do të vazhdojë intensivisht, në muajt në vijim edhe në përpilimin e këtyre akteve nënligjore, dhe pastaj implementimin e tyre”, vijoiMaloku-Bërdyna.

Për psikologun Petrit Thaçi fazat e hershme të zhvillimit të fëmijët janë shumë të rëndësishme. Prandaj, ai e sheh si pozitive këtë hap pasi thotë se fëmijët e kanë të nevojshme që para se të shkojnë në bankat shkollore të kalojnë këtë nivel edukimi.

Ai shton se mosha e preferuar që një fëmijë të fillojë edukimin parafillor është 3-vjeçare.

“Fazat e hershme të zhvillimit janë shumë të rëndësishme, qoftë në zhvillimin njohës apo në atë emocionale, por edhe atë të sjelljes së përgjithshme motorike dhe aktiviteteve të tjera të jetës së përgjithshme, prandaj ky është një informacion shumë i mirë. Në shoqërinë tonë është e domosdoshme që fëmijët para se të hynë në bankat shkollorë dhe t’i përvishen procesit të mësimit, realisht të kenë një zhvillim paraprak të kësaj natyrë ku do të fillojnë më tepër në një formë ku loja do të dominojë, aktivitetet të përbashkëta, aspektet emocionale, komunikimi i përbashkët ndër moshatarët dhe do të jenë të përgatitur më mirëfilli që ti bashkohen rrugëtimit… Sipas informacioneve shkencore, psikologjike si dhe sipas përvojave të shteteve evropiane më një traditë më të gjatë arsimore, shohim se ndoshta pragu i kënaqshëm që patjetër të fillojë edukimi parafillor do të ishte mosha trevjeçare”, ka theksuar Thaçi.

Projektligji i jep një rëndësi të veçantë edhe ushqyeshmërisë dhe krijimin e menyve ushqimore për fëmijët.

“Ushqyeshmëria lidhet me koordinimin ndërsektorial, nuk mund të paramendojë që kemi një zhvillim të duhur të fëmijës në rast se shëndeti nuk është komponent kyçe e kësaj, në këtë drejtim ushqyeshmëria siguron që zhvillimi i fëmijëve, sidomos ai fizik e mendor të jetë në nivelin e duhur. Ne do të ngrysim të gjithë mekanizmat e nevojshme dhe do të përkrahim institucionet që kjo të implementohet, por sigurisht që mund të këtë sfida. Besoj që më bashkëpunimin e artereve relevantë në këtë fushë dhe institucionet qendrore dhe lokale, besoj do të adresohen më kohë dhe ti tejkalojmë të gjitha sfidat që mund të na dalin rrugës”, deklaron ajo.

Zëvendësministrja Edona Maloku u shpreh për KosovaPress se me anë të këtij projektligji do u mundësohet aftësimi profesional i dadove, me qëllim që të ofrohen shërbime më cilësore./ KultPlus.com

“Për mue o zemra asht’ pa dritë, pa ty nuk mund të jetoj ma” (VIDEO)

Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.

KultPlus ua sjell këngën “Pa ty”, që është njëra nga më të famshmet e Qenës, këngë e cila u rikëndua edhe nga artistët e rinj, dhe mbetet gjithmonë këngë e dashur për publikun. / KultPlus.com

‘OldTimer & Retro Fest 2022’, maratona kulturore midis Prizrenit, Durrësit e Fierit

“OldTimer & Retro Fest 2022”, një maratonë kulturore midis Prizrenit, Durrësit e Fierit, me ndalesë në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, nisi me Prizrenin për të vijuar sot në orën 18:00 në shëtitoren “Vollga” në Durrës e më pas në Fier.

Deri më 19 korrik, eventit do t’i bashkohen dhjetëra makina të koleksionistëve edhe nga Hungaria, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Edi Rama publikoi foto nga ceremonia e nisjes së maratonës në Prizren.

“Ky udhëtim i përvitshëm promovon jo vetëm mjetet historike, elementët e kulturës e muzikës, por edhe lidhjen e ngushtë midis vendeve, përmes pasionit për koleksionimin”, u shpreh Rama në rrjetet sociale./ KultPlus.com

Çeku: Shtëpia e familjes Sokoli në Prizren i nënshtrohet restaurimit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportrit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se shtëpia e familjes Sokoli në Prizren i është nënshtruar restaurimit, përcjell KultPlus.

Çeku në një postim në Facebook e ka vlerësuar këtë objekt si një kryevepër të krijimtarisë artistike të mendjes dhe dorës së njeriut.

Postimi i plotë:

Kjo kryevepër e krijimtarisë artistike të mendjes dhe dorës së njeriut do t’i nënshtrohet restaurimit. Shtëpia e familjes Sokoli në Prizren është shembull i përkushtimit të familjes ndaj mbrojtjes së vlerave edhe kur ka munguar mbështetja institucionale. Kjo traditë e palakmueshme do të marr fund, pasi jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes për të nisur punimet restauruese në këtë shtëpi të veçantë.

Vazhdojmë pa u ndalur me investime në trashëgiminë tonë kulturore. Së fundmi kemi nisur ndërhyrjet restauruese edhe në disa nga shtëpitë tradicionale të Prizrenit. Aktualisht jemi duke realizuar ndërhyrje në mbi 20 asete të trashëgimisë kulturore në Prizren. Ruajtja e dëshmive materiale të së kaluarës, fuqizimi i identitetit dhe karakterit kulturor, dhe kontributi në ekonominë lokale janë arsyet kryesore të angazhimit tonë në këtë sektor./ KultPlus.com

Dita e katërt e edicionit të 13 të festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Dita e 4-të e Festivalit filloi në Galerinë e Artit me një eksperiencë të jashtëzakonshme të VR. Nga ora
10:00 u shfaq programi me një koleksion të filmave me tema të ndryshme për t’iu përshtatur çdo
preference. Programi Imersiv i RV është i pari që u mbajt në rajonin e Pejës ku përdoruesit patën
mundëësi të perjetojnë realitete të paimagjinueshme. Programi u përbë nga shtatë filma të animuar:
Passenger, Wolves in the walls, Battle Scar: punk was invented by girls, Limbotopia, Replacements, dhe
Paper Birds, Goliath: Playing with Reality.

Si çdo ditë tjetër edhe në ditën e katërt nga ora 10:30 në Exit Bar u takuam për të diskutuar filma,
teknika, detaje dhe gjithçka rreth filmave të animuar, me animatorë të njohur, të cilët janë mysafir të
Fesivalit. Takimet e tilla me regjisorë janë një mundësi e shkëlqyer për adhuruesit e filmit që të njihen
me krijuesit e filmave që do të shfaqen në edicionin e 13-të të Anibar.

Programi i rregullt për fëmijë 4+ filloi në ora 12:00. Më të dashurit tanë patën mundësi që fundjavën ta
kalojnë në Teatrin Istref Begolli ku shikuan fimat: LIGHT’IN, Topapa, Franzy’s Soup-Kitchen, THE SINGING
SHADOWS, Cave Ablaze, KYOSEL. Ndërsa në ora 14:00 në programin për fëmijë 9+ u shfaqën: Theo the
Water Tower, Grizzy and the Lemmings World Tour, (Season 3) – Bookfair, Grizzy and the Lemmings World
Tour, (Season 3) – Yummy Pirates, dhe Giuseppe.

Programi për të rritur filloi në ora 12:00 në Kino Jusuf Gërvalla, me shfaqjen e garës së filmit të metrazhit
të gjatë 3 me shfaqjen e filmit OINK.

Shfaqja e filmave vazhdoi në ora 14:00, me kategorinë e garës së të drejtave të njeriut 2 ku një numër i
madh i filmave që trajtojnë të drejtat e njeriut u shfaqën në Kino Jusuf Gërvalla, të cilët janë: Freedom
Swimmer, Red Gold, What really happened during the Attica Prison Rebellion, Cherry Bone (English Voice
Over), The Enigma of Faina, Lada, Ivan’s Sister.

Animacion për Reklamim: Artizanati, Karriera dhe Kapitalizmi është prezantimi që u mbajt në ora 16:00
nga Dez Stavracos në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Në prezantim animatori Stavracos ndau përvojën e tij nga
fusha e marketingut, si krahasohet me animacionin dhe betejës për një jetë të qëndrueshme
financiarisht gjersa bëjmë art.

Gjatës ditës u mbajt edhe paneli Të drejtat e Pronësisë Intelektuale & Animacioni në Galerinë e Arteve e
cila filloi në ora 17:00. Në këtë punëtori folësit theksuan pronësinë intelektuale dhe rëndësinë e saj në
industrinë audiovizive, me fokus të veçantë në animacion. Temat të cilët u ndanë me publikun e shumtë
kishin të bëjnë rreth monetizimit të krijimtarisë përmes pronësisë intelektuale, dizajneve të animacionit
dhe zotërimit të animacionit në industrinë e zhvillimit të lojërave.

Shfaqjet e filmave në mbrëmje janë çdo herë të veçanta. Gara ndërkombëtare 3 e cila përbëhet prej
filmave: Cockroaches, Steakhouse, Bestia, Lizuna Fair, My tiger u shfaqën në Kino Liqeni nga ora 20:30 në
një ambient shumë të dashur me artdashës të shumtë.

Shfaqjet e filmave u mbyllën me kategorinë e garës së studentëve 3 në Kino Kubat me fillim në ora 22:00
në të cilën të pranishmit patën mundësi të shohin këta filma: Slouch, Goodbye Jeromel, RIM, Homebird,
Morning Grass, dhe A Film About Pudding.

Bestytndeja filluan në ora 23:00 mes tingujve të muzikës së artistit të ri Jolle, reperit të jashtëzakonshëm
BimBimma dhe mixsimeve të Dj Pamon në Kino Liqeni ku mes shiut dhe muzikës të gjithë kërcyen në një
atmosferë epike e të paharruar.

Koka bën e koka vuan

Poezi nga Ali Asllani

ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtate sqepe!

Duke blere e shitur ere, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte vere,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut te dikurshem vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Ne një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, ne një xhep e dy flamurë
E hedh kemben me daulle edhe turk edhe kaur!

Na te urt’ e te mendafshte s’qeme te zot te bënim zë
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes te përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon ne gji te gjembit te kendoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thelle, di te vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!/KultPlus.com

Netflix konfirmon projektin gjigant për David Beckham

Netflix është duke përgatitur një seri të re dokumentarësh për ish futbollistin, David Beckham. Shërbimi i transmetimit njoftoi se Beckham, 47 vjeç, dhe familja e tij do të shfaqen në një dokumentar me shumë episode për jetën dhe karrierën e tij.

“Beckham dhe familja e tij do të japin intervista dhe do të ndajnë imazhe personale nga jeta e tyre – për të treguar historinë e plotë se si ai u bë një nga atletët më të njohur të të gjitha kohërave ”, njoftoi kompania përmes një postimi në rrjete sociale.

Netflix sqaron se seritë e dokumentarëve do të eksplorojnë fëmijërinë e tij dhe vendosmërinë që e bëri atë një nga atletët më të njohur të të gjitha kohërave. Dokumentari përfshin pamjet personale të arkivave nga 40 vitet e fundit dhe intervista me Beckham.

Gjithashtu, dokumentuari do të përmbajë intervista me familjen e tij, miqtë dhe figurat që kanë pasur ndikim gjatë karrierës së tij. Fisher Stevens do të drejtojë serialin dhe John Bachek do të jetë producent ekzekutiv. /abcnews.al/ KultPlus.com

Vdes në moshën 58-vjeçare Paul Ryder, basisti i grupit ‘Happy Mondays’

Paul Ryder, basist i grupit të Mançesterit “Happy Mondays” dhe vëllai i këngëtares Shaun, ka vdekur në moshën 58-vjeçare, transmeton KultPlus.

Në një deklaratë thuhet se grupi dhe familja ishin “thellësisht të pikëlluar dhe të tronditur kur thanë se Paul Ryder ndërroi jetë këtë mëngjes”.

Ata thanë se ai ishte “një pionier dhe legjendë e vërtetë”, duke shtuar: “Ai do të mungojë përgjithmonë… Rroftë funk-u i tij”

Grupi gjeti famë në epokën “Madchester” të fundit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve ’90 me hite si Step On dhe Kinky Afro.

Ata personifikuan skenën dehëse të shtëpisë me acid të qytetit, me një përzierje groove të çuditshme rock me ritme kërcimi që tërhoqën njësoj si klubet ashtu edhe fansat indie./ KultPlus.com

Nis Forumi Botëror i Paqes në Antalya, Elvana Shala sjell elemente të kulturës dhe traditës kosovare

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po përfaqëson Kosovën në Forumin Botëror të Paqes në Antalya, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Shala ka bërë të ditur se është perkujdesur te sjelle elemente te kultures dhe tradites kosovare

Postimi i plotë:

Po fillon sesioni i diplomacise kulturore ne Forumin Boteror te Paqes ne Antalya dhe bashke me ekipin jam perkujdesur te sjelle elemente te kultures dhe tradites kosovare.

Nje veshje e punuar me perkushtim nga Saime Muçolli Buleshkaj, dhe aksesore (qaforja me figuren e Hyjneshes) nga Valbona Gashi-Shala

Faleminderit per kujdesin edhe Protokollit te Shtetit./ KultPlus.com

Dostojevski, të dashurës: Nuk të kam tradhtuar as me mendime

Dostojevski i shkroi të dashurës së tij Marias duke ia shprehur përkushtimin e jashtëzakonshëm: “Në rrugën ku jeton ti, jetojnë nëntë gra më të bukura se ti, shtatë të tjera më të gjata se ti dhe nëntë me të shkurtra se ti. Është edhe një tjetër që më dashuron më shumë sesa ti.

Në punë është një grua që më buzëqesh gjithmonë, një tjetër më nxit të bisedoj me të, ndërkohë që kamarierja ma ëmbëlson çajin me mjaltë në vend të sheqerit. E megjithatë, unë të dua vetëm ty”.

Pasi u martuan, Maria manifestoi një përkushtim të rrallë ndaj të shoqit, duke duruar sëmundjen e tij, varfërinë, udhëtimet dhe mungesat.

Teksa dergjej në shtrat, Dostojevski i pëshpëriti në vesh: “Nuk të kam tradhtuar as edhe me mendime”./ KultPlus.com

Qytetet më të mira në botë për të jetuar, Vjena rikthehet në vendin e parë

Pas dy vitesh, Vjena ka kaluar Auckland-in si qyteti më i miri për të jetuar në botë, sipas një raporti nga Economist Intelligence Unit (EIU).

Vjena u rendit e para në vitin 2018 dhe 2019, por u tejkalua nga Auckland, Zelanda e Re, gjatë pandemisë dhe ra në vendin e 12-të në vitin 2021, sipas Indeksit Global të Jetesueshmërisë 2022.

EIU tha se pozicioni i Auckland-it në indeks u ul në vendin e 34-të këtë vit, për shkak të niveleve më të larta të infeksionit COVID-19 dhe kontrolleve të rrepta kufitare në vitin 2021.

Sidoqoftë, nuk ka gjasa që Auckland të kishte zënë pozitën e parë në renditjen e këtij viti edhe pa një pandemi, sipas EIU.

“Rënia e qyteteve të tjera ishte arsyeja pse Auckland ishte në krye herën e fundit. Pa COVID, ka të ngjarë të ishte 10-shi i parë, por jo numri një ,”tha Simon Baptist, kryeekonomist global në firmën kërkimore dhe këshilluese.

Pesë qytete të tjera evropiane: Kopenhagen, Cyrih, Gjenevë, Frankfurt dhe Amsterdam, u renditën gjithashtu në dhjetëshen e parë. Calgary e Kanadasë dhe Vankuveri zunë përkatësisht vendet e treta dhe të pesta. Osaka e Japonisë dhe Melburni i Australisë ndanë vendin e dhjetë, dy qytetet e vetme “aziatike” që hynë në top 10-she.

172 qytetet që u përfshinë në garë, u vlerësuan në këto kategori: Stabilitet, kujdes shëndetësor, kulturë dhe mjedis, arsim dhe infrastrukturë.

Edhe qytete të tjera të rajonit ranë në renditje.

Singapori ra me tre pika në vendin e 37-të këtë vit, ndërsa Hong Kongu ra në vendin e 62-të nga i 49-ti vitin e kaluar.

Pushtimi rus i Ukrainës bëri që renditja e Moskës për jetueshmërinë të bjerë me 15 vende, ndërsa Shën Petersburgu ra me 13 vende, raportoi EIU.

Lufta kundër Ukrainës ndikoi gjithashtu në renditjen e qyteteve të tjera të Evropës Lindore që janë përballur me ngecje politike, kërcënime të sigurisë, pasiguri ushqimore dhe energjetike dhe inflacion në rritje, tha EIU.

Këto janë qytetet më jetueshmëri më të mirë në botë, sipas The Global Liveability Index 2022:

  1. Vjenë, Austri
  2. Kopenhagë, Danimarkë
  3. Cyrih, Zvicër
  4. Calgary, Kanada
  5. Vankuver, Kanada
  6. Gjenevë, Zvicër
  7. Frankfurt, Gjermani
  8. Toronto, Kanada
  9. Amsterdam, Holandë
  10. Osaka, Japoni
  11. Melburn, Australi./ KultPlus.com

“Burgu Politik”, shfaqje në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit

Shfaqje teatrore në kujtim të shkrimtarit e politikanit, Adem Demaçi dhe filozofit e aktivistit, Ukshin Hoti, përkatësisht përndjekjes politike të tyre si rrjedhojë e jetës dhe veprës intelektuale.

Me regji të Kaltrim Balaj dhe Kushtrim Mehmeti, parapremiera e kësaj shfaqje do të jetë më 17 korrik, për të ndjekur më pas premierën më 18 korrik dhe repriza një ditë më pas.

Shfaqja “Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u zhvillua nga regjisorët, Kushtrim Mehmeti dhe Kaltërim Balaj, dramaturgët Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ndërsa luajnë aktorët/et, Fitore Jashari, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Art Pasha, Blendon Ahmeti dhe Lorent Pacolli, muzika e kompozuar nga Lulzim Lushtaku, ndriçimi, Skender Latifi.

Shfaqja teatrore “Burgu Politik – Në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” u mundësua nga organizata ETEA me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /KultPlus.com

Festivali i kinemasë ngre siparin në oborrin e Luvrit

Edicioni i tretë i festivalit të filmit në natyrë Cinema Paradiso ngriti siparin në Paris. Filmat u prezantuan në oborrin ikonik Cour Carree të muzeut të Luvrit. Rreth 2500 spektatorë pritet të vijnë çdo natë për të parë një përzgjedhje të dokumentarëve dhe filmave fiksion.

Festivali u hap me projeksionin e ‘Zjarri i dashurisë’, një dokumentar nga kineastja Sandra Dosa për vullkanologët francezë Katia dhe Maurice Krafft.

Oborri në të cilin zhvillohet festivali është pajisur me një ekran 24 me 11,shezlonge, DJ për shfaqje muzikore live, dhe kabina të vogla me ushqime ku të pranishmit të kenë mundësi të konsumojnë diçka teksa shohin filmat.

Menaxheri i komunikimit të muzeut, Adel Ziane, tha se Cour Carree ishte “zemra e Luvrit” dhe se festivali ishte në përputhje me “ADN-në e muzeut për të qenë i hapur për të gjitha artet”.

“Është pjesë e ADN-së së muzeut që të jetë i hapur për të gjitha artet, nga kërcimi në kinema, dhe oborri është zemra historike e muzeut të Luvrit, pasi, përpara se të ishte muze, Luvri ishte një pallat mbretëror. Nën këmbët tona janë themelet e kullës mesjetare të (mbretit) Philippe Auguste, këtu filloi gjithçka. Tani, në këtë oborr, ne rilidhemi me atë histori të muzeut përmes këtij festivali dhe ngjarjeve që organizojmë shpesh këtu.”

Muzeu i Luvrit  u ndërtua për më shumë se 800 vjet dhe ishte rezidenca e mbretërve francezë deri në mesin e viteve 1700./KultPlus.com

Të dua përmbi lumturinë

Poezi nga Evgenij Yevtushenko

Ty të dua më fort se natyrën,
Se natyra e gjallë je vetë,
E lirisë ti je shëmbëlltyrë,
Por pa ty dhe liria më vret.

Ty të dua aq fort i shkujdesur,
Sa rrëpira më duket si shteg.
Të pamundurën askush s’e ka prekur,
Dashuria ime e prek.

Ty të dua, të dal’ku të dalë,
Dhe kur pi dhe kur bëhem brutal,
Ty të dua dhe as bëhet fjalë,
Përmbi egon e shenjtë do dal.

Ty të dua më fort se Shekspirin,
Se të dheut këtë bukuri,
Se muzikën pa fund të efirit,
Se muzikë e libër je ti.

Ty të dua më fort se lavdinë
Që kaloi e atë që po vjen,
Se të ndryshkurën perandorinë,
Mëmëdhe s’ësht’ajo,por ti je.

Je fatkeqe? S’pranon ti mëshirë?
Lodhe Zotin me lutjet e tua.
Ty të dua përmbi lumturinë,
Më fort se dashurinë të dua./KultPlus.com

“Tri gjërat nuk kthehen më kurrë: shigjeta e lëshuar, fjala e thënë dhe ditët e kaluara”

Thënia nga më të vlefshmet nga vijnë nga vende të ndryshme të botës. Sot po ju sjellim këtë koleksion të urtësisë së kulluar nga vende të ndryshme.

Duke u nisur nga fakti që çdo lindje është e mundimshme do të ishte gabim të mendohej se edhe çdo mundim është një lindje.

Është e lehtë t’i urresh ata që nuk i njeh mirë.

Rrushi jep tre frute njëri pas tjetrit: kënaqësitë, dehjen dhe pendimin.

E shtyrë nuk do të thotë ende e anuluar.

Më e lagur se e lagura nuk mund të ketë.

Pronësia është e neveritshme në parimin e saj, dhe vrastare në pasojat e saj.

Kuturisja nuk njeh kufi.

Të gjitha komeditë përfundojnë me dasma.

Lotët e pleqve janë të tmerrshëm, aq sa ç’janë të natyrshëm lotët e fëmijëve.

Në mjekësi, karroca (automobil sot) nganjëherë është më e rëndësishme se dijet.

Nuk ka mirëkuptim më të madh në botë, se sa midis dy brendave të ngjashme.

Zogu njihet nga kënga.

Të dashuruarit i ngjajnë somnambulëve, ata shohin jo vetëm me sy, por me gjithë trupin.

Ndjenja e ironisë – garanci e fortë e lirisë.

Vuajtjet e thella nuk flasin.

Asgjë nuk vjen vetiu, asgjë nuk jepet më paradhënie, çdo gjë krijohet.

Dashuria? Është rruga më e shkurtër nga një zemër te tjetra: vijë e drejtë.

Fakti në vetvete nuk është asgjë; ai fiton vlerë vetëm në sajë të idesë me të cilën lidhet ose përforcon argumentin që i detyrohet.

Kushtëzimi duhet respektuar në të veçantën, rregulli në të përgjithshmen.

Vera për trupin, qeshja për shpirtin.

Korniza ku është futur guri i çmuar rrit çmimin, por jo vlerën e tij.

Uji i ndenjur është helmues.

Kudo që të ngjitet zogu me krahët e vet, nuk është shumë lart për të.

Të rrahurat dhe të sharat janë si ilaçet: ndjeshmëria ndaj tyre vjen duke u ulur shpejt dhe lind nevoja të dyfishohen dozat.

Korbi e gjen kërmën.

Në sheshin e tregut nuk rritet bari.

Të përkundërtat nuk janë në kundërshti me njëra-tjetrën, ata vetëm plotësojnë njëra-tjetrën.

Kurora mbulon shpesh herë një çaçkë boshe.

Më thuaj çfarë ha, të të them kush je.

Në të ardhshmen ne futemi bythambrapsht.

Dukuritë më tragjike nuk janë aspak edhe më seriozet.

Të gjesh është lehtë, vështirë është të thithësh të gjeturën.

Moda është e gjinisë femërore, ndaj edhe është aq kapriçoze.

Zemra…është një enë e shenjtë, plot me të fshehta.

Përrenjtë e vegjël janë të kaltër sepse janë të cekët.

Suksesi gjithnjë ka qenë pjellë e leximit.

Ambasadorët janë syri dhe veshi i shtetit.

Gjumi shpikje e mrekullueshme.

Shqipja, që çan retë me fluturimin e saj trimëror, pranë sipërfaqes së tokës fluturon ngadalë se dallëndyshja.

Përgjigja më e shkurtër është veprimi.

Kujdesi futet edhe në vrimën e çelësit.

Ku ka shumë dritë edhe hijet janë më të dendura.

Kur kafeja të derdhet në rroba, ajo nuk është më kafe, por papastërti.

Shija e pudingut njihet në të ngrënë.

Shtërzuan malet dhe lindën një mijë të mjerë.

Premtimet janë kurthe ku bien budallenjtë.

Ideali, ashtu si pema, duhet të lëshojë rrënjët thellë në tokë.

Miku më i madh dhe armiku më i madh i njeriut është përfytyrimi i tij.

Nuk ka gjë më të lehtë se të korrësh duartrokitjet e maskarenjve.

Debati – kripa e mendimit.

Vetia themelore e prozës së mirë është që ajo të jetë e natyrshme dhe ritmike, siç është frymarrja.

Margaritari nuk firon në baltë.

Ligësia është si mushka: kryeneçe dhe shterpë.

Të udhëtosh do të thotë të lindësh dhe të vdesësh minutë për minutë.

Tri gjërat nuk kthehen më kurrë: shigjeta e lëshuar, fjala e thënë dhe ditët e kaluara.

Nuk mjafton vetëm të kesh mendje të shëndoshë – rëndësi ka të dish ta përdorësh atë.

Risia është në mendjen krijuese dhe jo në natyrën e pasqyruar.

Çdo gjellëbërës lëvdon salcën e tij.

Errësira më e thellë është në orët para agimit.

Parfumet më të mira janë gjithmonë në shishka të vogla.

Uji që rrjedh jashtë vijës nuk shërben për të vënë në lëvizje mullirin.

Rëndësi ka hapi i parë.

Të shkurtosh distancën do të thotë të përshpejtosh kohën. Këtej e tutje ne nuk do të jetojmë më shumë, ne do të jetojmë më shpejt.

Kush lexon, ai di shumë; kush vrojton ai di, herë-herë, edhe më shumë.

Malli i ofruar, thuajse përgjysmë i shitur.

Vetëm intonacioni bind.

Gjithçka e saktë është e shkurtër.

Mendimi ngjizet në shpirt, si reja në ajër.

Gjenialiteti është aftësia për të parë të padukshmen, për të lëviz të pakapshmen, për të pikturuar ç’nuk ka formë.

Secilit sipas nevojave, prej secilit sipas aftësive.

E kemi vështirë të ndahemi me arë që e deshëm për aq kohë me zjarr.

Më e lehta dhe më e thjeshta shpesh herë kërkon shumë mund për t’u gjetur.

Gjumi ka gjithësinë, gjeografinë, gjeometrinë dhe kalendarët e tij.

Ku sheh syri dhe shkel këmba e të zotit të punës, atje edhe dheu rilind.

Hapi i atyre që prijnë është më i fortë se i atyre që vijnë pas.

Kush nuk lë gjë pa bërë, duhet t’i trembet çdo gjëje.

Duhet shumë thjeshtësi për të krijuar diçka të madhe.

Lumenjtë më të thellë rrjedhin me më pak zhurmë.

Favoret mbretërore nuk i përjashtojnë meritat, por nuk janë edhe provë e ekzistencës së tyre.

Rrallë fitojmë veti të cilat nuk na hyjnë në punë.

Konkretja s’është veçse abstraktja e bërë e zakonshme në saje të përdorimit.

Veprimi vërtetë është ai që kryhet duke mposhtur natyrën tënde, duke mposhtur egoizmin tënd.

Hapësira është simboli i pushtetit tim. Koha simbol i pafuqisë sime.

Era fik qiriun por ndez zjarrin.

Interesi flet në të gjithë gjuhët dhe i luan të gjitha rolet, duke përfshirë edhe atë të mosinteresit.

Pasionet janë oratorët e vetëm që bindin gjithmonë.

Njeriu më lehtë heq dorë nga leverdia se sa nga pasioni.

Duke plakur bëhesh më i çmendur dhe më i mençur.

Kryelartësisë nuk i pëlqen të jetë borxhlie, ndërsa sedrës nuk i pëlqen të paguajë.

E mirë zonja e shtëpisë – e mirë dhe vera.

Ai që është gjithmonë dhe me çdo gjë i kënaqur, nuk kënaq asnjeri.

Fisnikëria e shpirtit të bën borxhli.

Shkencëtar nuk është ai që jep përgjigjet e duhura, por ai që shton pyetjet e duhura.

Zogu, edhe kur ecën, duket që ka krahë.

Fatkeqësitë nuk e shkatërrojnë kaq shumë lumturinë, sa ç’e shkatërron trishtimi.

Të rrosh, do të thotë jo vetëm të ndryshosh por edhe të mbetesh vetvetja.

Nuk ka profesione të marra, ka njerëz të marrë.

Çudia më madhe është se dukuritë me të vërtetë të çuditshme mund dhe duhet t’i ndeshim çdo ditë.

Çdo shikues sjell në teatër akustikën e tij.

Që të pëlqehesh nuk është e domosdoshme të jesh i drejtë.

Kur fillon të tërhiqesh pas njerëzve të jashtëzakonshëm fillon dhe i takon ata kudo.

Nga të gjitha shkencat njerëzore, shkenca për njeriun është më e denja për njeriun.

Fundi varet nga fillimi.

Me sa duket, në botë nuk ka gjë që nuk mund të ndodhë.

Prometeu është shenjtori dhe martiri më fisnik në kalendarin filozofik. / KultPlus.com

“Subkultura punk” në ekspozitën e Yerin Dibi nga Pykë-Presje

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë mori pjesë në hapjen e ekspozitës Yerin Dibi nga Pykë-Presje, kuruar nga Tolga Güldalli.

Me një përzgjedhje të mbi njëqind zineve dhe posterave të prodhuar nga fundi i viteve të 80-ta deri në mesin e viteve 2000, ekspozita shpalos një pamje të historisë së vonë të Turqisë nga këndvështrimi i subkulturës punk. Ky koleksion i veçantë i zineve underground pasqyron jo vetëm strategjitë lokale të vet-organizimit të punk-ut dhe kulturës por gjithashtu përzierjen e çuditshme të stilit dhe politikës, specifike për kulturën punk.

Krahas ekspozitës po ashtu u lansua një album përmbledhës me 19 grupe hardcore punk nga Turqia. I publikuar si kasetë, albumi është përpiluar nga Güldalli.

PykëPresje është një kolektiv i cili punon kryesisht në publikime. Fokusi i tyre është në dokumente dhe arkiva, duke theksuar historitë vendase të lëvizjeve të njerëzve, të emancipimit gjinor dhe vetëdijësimit klasor. /KultPlus.com

Succession dhe Squid Games në “luftë” për çmimin Emmy

“Succession”, seriali i HBO që tregon historinë e një manjati britanik dhe familjes së tij, kryson me 25 nominime Emmy , duke qenë kandidat për çmimin prestigjioz të dramës më të mirë.

Ky projekt kinematografik do të përballet me thrillerin e Koresë së Jugut të Netflix “Squid Game”, që është nominuar për një Emmy. Filmi “Severance”, një thriller psikologjik, fitoi 14 nominime dhe do të konkurrojë për dramën më të mirë.

Filmi fantastiko-shkencor i Netflix “Stranger Things” dhe “Euphoria” i HBO-së, që flet për disa adoleshentë mes jetës seksuale, drogës dhe mediave sociale gjithashtu kryesojnë me nominime për të rrëmbyer kështu trofeun.

Seriali “Ted Lasso” do të mbrojë titullin si komedia më e mirë. Ai do të konkurrojë kundër “Hacks”, “Only Murders in the Building”. Steve Martin dhe Martin Short do të konkurrojnë për aktorin më të mirë të komedisë për filmin “Only Murders in the Building”, megjithëse votuesit shikojnë si favorite Selena Gomez.

Ylli i “Lasso” Hannah Waddingham, e cila fitoi çmimin Emmy për aktoren dytësore vitin e kaluar, u shpreh e emoncionuar që është shpallur sërish e enominuar për çmimin aktorja më e mirë. Fituesit e çmimeve Emmy do të shpallen më 12 Shtator. CEO i Akademisë së Televizionit, Frank Scherma është shprehur se numri i atyre që dërguan projektet e tyre kinematografike këtë vit i kaloi pritshmëritë, një shenjë se prodhimi po lulëzonte pas mbylljeve gjatë pandemisë Covid-19. /KultPlus.com

Mos u dashuro i thanë njeriut

Poezi nga Enver Sulaj

Mos u dashuro i thanë njeriut

I thanë qiellit t’i dëbonte retë
-Shi rrodhi në dete

I thanë malit t’i dëbonte milingonat nga trungjet e lisave
-Krimbat e gërryen lëkurën deri në palcë

Mos u dashuro i thanë njeriut
Ai, si i marrë vijoi rrugën
Nën qiellin me re
Nën hije lisash

Palca dhe krimbat u bënë pikturë
Në sytë që s’i mbylli as vdekja /KultPlus.com

Suksesi në xhudo i përhershëm, Kosova fiton gjashtë medalje në Kampionatin Ballkanik

Kosova ka arritur që të fitojë gjashtë medalje në Kampionatin Ballkanit të xhudos që është duke u mbajtur në Bullgari, shkruan KultPlus.

I riu që premton shumë edhe sipas trajnerit Driton Kuka, pra, xhudisti Shpati Zekaj ka arritur që të fitojë medaljen e artë në kategorinë deri në 100 kilogramë.

Në anën tjetër me medalje të argjendtë u stolis edhe Erza Muminoviq në kategorinë 48 kilogramë, kurse Loriana Kuka 78 kg, Dardan Cena 73 kg, Muhamedin Veseli 60 kg dhe Debora Gjakova 57 kg, fituan medalje të bronztë.

Pas suksesit në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” dhe Grand Prix të Zagrebit, Kosova po vazhdon të fitojë edhe trofe të tjerë në xhudo.

“Foto nga kampionët Ballkanik për seniorë në Pazarxhik të Bullgarisë! Shpati dominoi në të gjitha luftërat dhe u kurorëzua me titullin Kampion Ballkanik”, ka shkruar trajneri Driton Kuka ndër të tjera në faqen e tij në Facebook. /KultPlus.com

Elvana Shala zëri i Kosovës në Forumin Botëror të Paqes në Antalya

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po përfaqëson Kosovën në Forumin Botëror të Paqes në Antalya, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Shala ka bërë të ditur se është veshur me ngjyrën e paqes.

Postimi i plotë:

“Ne diplomaci edhe detaji me i vogel ka rendesi 😊
Sot e veshur me ngjyren e paqes, jam zeri i Kosoves ne Forumin Boteror te Paqes ne Antalya 🇽🇰🤝🇹🇷“, thuhet aty.

Shala ka marrë pjesë në një mori konferencash dhe organizimesh ndërkombëtare për të përfaqësuar Kosovën. /KultPlus.com

Felix Kubin në Kino ARMATA më 21 korrik 2022

Kino ARMATA ka kënaqësinë ta organizojë koncertin e Felix Kubin, artistit dhe kompozitorit të mirënjohur gjerman, të enjten, më 21 korrik 2022, prej orës 21:00, në para-hapjen e Manifesta 14 Prishtina.

Performanca e Felix Kubin është pjesë e programit Four Ways from Sundown të ​​Kino ARMATA-s, i kuruar nga Sezgin Boynik, Alush Gashi dhe Vigan Nimani për Manifesta 14 Prishtina, ku gjithashtu marrin pjesë Jean-Marc Montera / Jean-François Pauvros, Anna Thew dhe Sylvain George. Four Ways from Sundown mbështetet nga Fondacioni Manifesta 13 Marseille.

Felix Kubin është kompozitor, krijues i shfaqjeve radiofonike, interpretues, artist mediatik dhe kurator. Një fëmijë i i epokës së regjistrimit në shtëpi (ai filloi të kompozonte muzikë elektronike me formatin 4-track në moshën 12-vjeçare), aktivitetet e tij përfshijnë muzikën futuriste pop, elektroakustike dhe muzikën e orkestrës së dhomës, artin e radios, performancat e leksioneve dhe shkrimin. Në vitin 1998 ai themeloi kompaninë e tij diskografike Gagarin Records. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka publikuar albume të shumta të formateve të ndryshme konceptuale dhe ka performuar në mbi qindra festivale ndërkombëtare të muzikës bashkëkohore. Artistja franceze e filmit Marie Losier (“Balada e Zanafillës dhe Zonja Jaye”) ka xhiruar një dokumentar docu-phantasma rreth tij, i cili u shfaq premierë në festivalin e filmit në Locarno në 2019 dhe është shfaqur në ARTE TV dhe festivalet e filmit në mbarë botën. Felix Kubin pëlqen të lëvizë midis kulturës së lartë dhe të ulët, klubeve dhe sallave të koncerteve, pasi qëllimi i tij kryesor është zhvendosja e konteksteve dhe pritshmërive. /KultPlus.com

Çeku për renovimin e palestrës “Sezai Surroi”: Dëshmi e përkushtimit të MKRS-së

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë së fundmi se renovimi i palestrës së sportit “Sezai Surroi” në Prizren dëshmon përkushtimin e ministrisë që ai drejton, në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë ndërhyrje dhe renovime të ndryshme nëpër palestra e gjëra të tjera për këtë vit, e tani e kishte radhën “Sezai Surroi”.

Postimi i plotë i Çekut:

“Renovimi i palestrës së sportit “Sezai Surroi” në Prizren, dëshmia e radhës e përkushtimit të MKRS për përmirësimin e infrastrukturës sportive në shtetin tonë.

Me këtë investim të Ministrisë së Sportit, palestra e sportit në Prizren ofron kushte shumë më të mira të aktivitetit sportiv si për klubet e sportistët, ashtu edhe për të rinjtë tanë. Gjithashtu, fal ndërhyrjeve renovuese, palestra “Sezai Surroi” tashmë i plotëson edhe standardet për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të sportit, siç është rasti me FIBA Kampionatin Europian të Basketbollit U16, Divizioni C.

Vazhdojmë pa u ndalur, në gjithë vendin tonë, të investojmë për zhvillimin e infrastrukturës sportive. Bashkë do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mëdha në një numër të konsiderueshëm të projekteve infrastrukturore që për vite me radhë janë shoqëruar me shkelje të rënda procedurale dhe cilësi e dinamikë të ultë të punimeve“, thuhet në postimin e tij.

“Porsi një gur që ka marrë tatëpjetën”

KultPlus ju sjellë një poezi nga Bob Dylan të përkthyer nga Edvin Shvarc.

Njëherë e një kohë aq bukur visheshe
nga një kacidhe lypsave u hidhje kur kaluar ishe, apo jo?
Njerëzit të paralajmëronin: “Kujdes kukull se qafën do thyesh”!
Kurse ti mendoje se ata po talleshin
dhe së qeshurës ia plasje
me të gjithë ata që pranë i qasje,
por tani s’flet më me zë aq të lartë.
Tani nuk ngjan edhe aq krenare
kur për vaktin tjetër të duhet të rropatesh.
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur je pa një strehë mbi krye?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Vërtet ke shkuar në shkollën më të mirë, zonjushë vetmitare,
por e di fort mirë që vetëm deheshe në të
dhe askush s’të mësoi se si t’ia dilje mbanë në rrugë,
ndërsa tani po zbulon që duhet të mësohesh me këtë gjë.
Pate thënë dikur që kurrë nuk do të bëje kompromis
me endacakun misterioz, por tani po e kupton
që ai nuk po të shet dëngla
teksa e vështron drejt e në boshllëkun e syve të tij
dhe i kërkon të bëni një pazar?
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
S’e ktheve kokën kurrë të shihje mrroljet e xhonglerëve dhe karagjozëve
kur mblidheshin të tërë për të të zbavitur me numra.
Asnjëherë s’e more vesh që nuk ia vlen,
nuk duhet t’i lësh të tjerët të bëjnë qejf me ty.
Dikur bridhje mbi kalin e kromuar me diplomatin tënd,
të cilit i varej në sup një mace siameze,
por sa idhët të vjen kur zbulon
se ai s’qe aty kur duhej vërtetë të ishte
pasi prej teje mori çdo gjë që mundi të vidhte!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Princesha në prag të derës dhe gjithë njerëzit e bukur
po pinë duke menduar se të tëra i kanë të shtruara
po shkëmbejnë lloj-lloj dhuratash e gjërash të çmuara,
por moj kukull, më mirë peng lëre unazën me diamant!
Dikur nga mahnitja pa frymë të linte
Napoleoni me rrecka dhe gjuha që përdorte.
Pse s’shkon tek ai tani, po të thërret, s’mund t’ia prishësh dot
tani që nuk ke asgjë, askurrfarë gjëje për të humbur?
Tashmë je e padukshme, nuk ke më sekrete për të ruajtur!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?/KultPlus.com