Ag Apolloni kritikon ndarjen e çmimeve në PriFest: Ky idiotizëm s’ka ba vaki kurrë në botë

PriFilm Fest mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të 14-të i cili ka nisur me 20 shtator. Në këtë mbrëmje u ndanë edhe çmimet e festivalit, shkruan KultPlus.

Aktorja Rina Krasniqi ka fituar dy çmime, atë për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë pasi që Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Kjo është hera e parë në historinë e çmimeve “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet.

Por për këtë vlerësim ka reaguar shkrimtari Ag Apolloni i cili ka vlerësuar që kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë në botë dhe sipas tij është idiotizëm.

“Në PriFilmFest një aktores (femër) i është ndarë çmimi i dyfishtë ‘Aktorja më e mirë’ dhe ‘Aktori më i mirë’. Ky idiotizëm s’ka ba vaki kurrë në botë. Cate Blanchett, Barbara Straisend, Linda Hunt, Hillary Swank, Glenn Close, Tilda Swinton, Meryl Streep, Angeline Jolie etj., kanë luajtur role meshkujsh, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë “aktori mashkull më i mirë”. Po ashtu, shumë aktorë meshkuj kanë luajtur rolin e femrës, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë “Aktorja më e mirë”. Do të ishte tallje, në mos ofendim, në të dy rastet”, shkruan Apolloni i cili tutje ka potencuar se kur thuhet ‘aktori’ ose ‘aktorja’, nënkuptohet gjinia e personit që luan, jo gjinia e personazhit të cilin e luan.

“Cate Blanchet ka luajtur Bob Dylanin, por është nominuar në kategorinë “aktorja më e mirë”. Është kaq e thjeshtë. Ti mund t’i japësh aktores çmimin “Aktori më i mirë”, por është njësoj si ta lavdërosh një grua, duke i thënë “gjynah që s’je burrë”, ose “je aq e mirë sa meriton me qenë burrë”. Pastaj, s’mund t’ia japësh një aktoreje dy çmimet kryesore për dy gjini, edhe sikur aktorja të jetë hermafrodite. Nejse, Kosova shkruan histori në budallaki. Dhe, natyrisht, budallakia ka emër (edhe pse unë s’i di emrat e jurisë)”, shkruan Apolloni. / KultPlus.com

Dua Lipa kujton Vjosa Berishën

PriFilm Fest mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të 14-të i cili ka nisur me 20 shtator, shkruan KultPlus.

Në mbyllje të këtij edicioni u ndanë edhe çmimet e përvitshme të festivalit.

Nën moton “For Her”, ky edicion ju dedikua drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti.

Vjosa, jo vetëm që i mungoi festivalit po edhe të gjithë njerëzve që e kanë njohur e kanë punuar me të.

Lekë Berisha, djali i Vjosës, pas përfundimit të këtij edicioni ka publikuar një status falënderimi për të gjithë ata që e mbështetën festivalin.

“Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen dhe fjalët e mira që i dhatë këtë javë për Vjosën. Faleminderit shumë krejt stafit dhe vullnetarëve të PriFest për punën e palodhshme, na keni lehtësu sadopak dhimbjen e papërshkrueshme që po e ndiejmë në mungesë të saj.  Falënderim i veçantë dhe respekt pafund për ty Dadush, që ke mbrri me e organizu kaq mirë këtë edicion përkundër krejt vështirësive. Ota is proud of you. Ju dua mas shumti!”, ka shkruar Leka.

Këtë dedikim e ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram edhe ylli Dua Lipa si kujtim dhe nderim për Vjosën.

“Ota, PriFest. ForHer”, shkruan Dua.  / KultPlus.com

Vasillaq Vangjeli një vlerë e shtuar e traditës shqiptare të humorit dhe artit skenik

Tradita shqiptare e artit komik është padyshim një nga thesaret e kulturës sonë kombëtare. Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët rrekemi të veçojmë Vasillaq Vangjelin. Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.

Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948 dhe u shua më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.

Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.

Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin. Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.

Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më. Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka. I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit. Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjetee, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni. Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e ka kthyer në lokal ku argëton të tjerët, por argëtohet edhe vetë. I shkojnë vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e lë, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “pjesë e profesionit”- thotë. E kështu jeta e Vasillaqit do të vazhdojë dhe ai përsëri do të bëjë humorin e tij në vorbullën e ekonomisë së tregut. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës

Përkujtesë historike: 26 shtator 1991

Nga Jusuf Buxhovi

Më 26 shtator të vitit 1991, me vendimin e Kuvendit të Kosovës nga mbledhja e 22 shtatorit dhe në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut të aprovuar më 7 shtator 1990, është mbajtur Referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Në këtë ditë, qytetarët me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.

Qeveria e Beogradit edhe pse përdori represionit të madh policor ndaj qytetarëve të Kosovës, nuk ishte më gjendje ta pengojë Referendumin.

Ky plebishit kushtëzoi edhe evolucionin politik të kërkesës së deriatëhershme për barazi kushtetuese të Kosovës në federatë (nga programi nismëtar i LDK-së i shfaqur në kuvendin themelues më 23 dhjetor 1989) te ajo e shtetit të pavarur, gjë që filloi të jetësohet me krijimin e institucioneve shtetërore, me modelin e shtetit paralel, që vepruan deri më 12 qershor 1999, kur do të aprovohet rezoluta e KS të OKB-së 1244, me të cilën Kosova futet nën protektoratin ndërkombëtar.

Si e tillë, kjo ditë historike mbetet themel i shtetformimit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. / KultPlus.com

“Sancar” anija luftarake turke pa pilot së shpejti në përdorim

Anija luftarake turke pa pilot “Sancar” u prezantua për herë të parë për publikun në Ekspozitën Afrikane të Aviacionit dhe Mbrojtjes, AAD 2022, në kryeqytetin e Afrikës së Jugut, Pretoria, dhe së shpejti mund të jetë në përdorim.

“Sancar” është prodhuar në bashkëpunim mes kompanive turke në sektorin e industrisë së mbrojtjes, HAVELSAN dhe Yonca-Onuk.

Në panair marrin pjesë edhe shumë kompani të tjera turke, përfaqësues të sektorit të industrisë së mbrojtjes turke, përfshirë edhe kompaninë HAVELSAN.

Drejtori i përgjithshëm i HAVELSAN, Mehmet Akif Nacar theksoi se në panair kanë ekspozuar prodhimet e tyre në fushën e sistemeve të kontrollit komandues, menaxhimit luftarak dhe sistemeve autonome pa pilot.

“E dimë se ka shumë interes për automjetet detare në Afrikë. Shpresojmë që automjetet autonome pa pilot të gjejnë vendin e tyre edhe në tregun e këtushëm”, shpjegoi Nacar.

Ai komentoi edhe afatin e mundshëm për vendosjen e sistemeve autonome në inventar.

“Kemi bërë teste në terren për një kohë të gjatë. Tani janë marrë disa vendime. Shumë shpejt deri në fund të vitit do të mund të shohim prodhimet e para në terren”, tha Nacar./ atsh / KultPlus.com

Edhe një shkollë del kundër SBAShK-ut, i kthehet mësimit

Drejtori i shkollës “Lidhja e Prizrenit”, në komunën e Deçanit ka njoftuar se sot do të nisin procesin mësimor.

Kësisoj kjo shkollë i bashkohet disa prej shkollave që nuk e kanë respektuar vendimin e SBAShK-ut për vazhdimin e grevës.

Njoftimin për fillimin e mësimit e ka bërë vetë drejtori i kësaj shkolle, Qazim Maloku.

Njoftimi i plotë:

Njoftohen nxënësit dhe prindërit që pas një analize dhe diskutimi të mbajtur të premten me mësimdhënësit e shkollës sonë me 23.9.2022 u vendos që mësimi të fillojë të hënën me 26.09.2022!

Ne, njëzëri u dakorduam që greven ta përkrahim me protestë në rrugë para hyrjes së shkollës nga mësimdhënësit e të dy ndërrimeve, duke filluar në 12:15 deri në 12:45 çdo ditë pune deri në realizimin e kerkesave tona të parashtruara nga SBAShK-u!

Organet e policisë në Deçan janë të njoftuar me protestën dhe kohën e mbajtjes.

Me respekt drejtori i shkollës! / KultPlus.com

TIFF sjell “Legjendën e Bastunit” dhe filmat e finlandezit Kaurismaki

Mbrëmja në TIFF nisi me LIVE ACTION, kategori ku konkurrojnë filma të shkurtër, prej të cilëve do të dalë fituesi që do të kualifikohet për Oscars dhe European Film Awards.

Gjashtë filmat, nga Italia, Meksika, Irani, Franca, SHBA dhe Kina, u shfaqën në Kinema Millennium, duke filluar nga ora 18:00. Një orë më pas, në Liceun Artistik “Jordan Misja” nisi një tjetër garë filmash, mes kineastëve të kategorisë “Generation”, në seksionin Panorama, ku përfshiheshin filma të animuar dhe fiksion.

Program i orës 19:30 në Open Air Millennium solli filmin “Leningrad Cowbys Go America” nga regjisori i suksesshëm finlandez, Akis Kaurismaki, të cilit i kushtohet e tërë kategoria RetrospecTIFF (jashtë konkurimit). Fill pas tij, ishte programuar projeksioni i komedisë “Ariel”, të cilin Kaurismaki e xhiroi në 1988.

Ndërkohë, filmi i regjisorit shqiptar, Xhoslin Rama, konkurron në një prej kategorive më të rëndësishme, Feature.

Rama erdhi në TIFF, me një film të metrazhit të gjatë, prodhim i vitit 2022. “Legjenda e bastunit”, ka një kast aktorësh të mirënjohur,  si Ndriçim Xhepa, Vasjan Lami, Amos Zaharia, Amri Hasanlliu, Klodiana Keco, Ervin Bejleri e shumë të tjerë. Filmi rrëfen kohën e diktaturës komuniste, kur edhe besimi në Zot, përkthehej si sfidë e hapur ndaj regjimit.

Ky është edicioni i 20-të i TIFF, ndërsa për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kjo është hera e parë që është “Official Partner”./atsh /KultPlus.com

“Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh, edhe kjo ngjan në këtë jetë”

Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.

A thu asht ma lehtë pa dhimbje
A thu ma bukur pa lot
A thu ti ke me u kthye
Dhe prapë me qenë na të dy
A thu me është fati i tillë
A thu gjithmonë me vuajtje
A thue ti dot më kthehesh
Dhe prapë me qen na të dy

Çdo gjë kalon në jetë
Atëherë dhe dielli kur të lind
Mbas diellit prapë shi do t’ ketë
Kështu asht me të vërtetë

Ndoshta të tillë e kam fatin
Ndoshta gjithmonë me vuajtje
Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh
Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com

Muharrem Qena: Teatri për mua ishte dhe mbeti dashuria ime e madhe – Iliria  News Agency

Rina Krasniqi shkruan histori në “PriFest”, çmimet ia dedikon nënës së saj dhe Vjosa Berishës

Aktorja Rina Krasniqi ka arritur të shkruajë histori në festivalin e filmit “PriFest”, shkruan KultPlus.

Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Kjo është hera e parë në historinë e çmimeve “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet, pra për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë.

Gjatë fjalës që mori kur fitoi çmimin e parë, Krasniqi tha se këtë film ia dedikon nënës së saj.

“Ajo është personi më i çmuar në jetën time. Gjithashtu këtë çmim ua dedikoj të gjitha vajzave dhe grave të guximshme që kanë lënë gjurmë në jetë. Një prej tyre është Vjosa Berisha”, tha ajo, raporton KultPlus.

Në historinë e Oscars, edhe pse nuk ka asnjë kufizim që një interpretues të fitojë çmimet për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë në të njëjtin vit për dy role në të njejtin film, kjo ende nuk ka ndodhur. – edhe pse ka pasur raste kur interpretues janë nominuar për të dy çmimet në të njëjtin vit. /KultPlus.com

Rina Krasniqi luajti dy role të të dyja gjinive, fiton edhe çmimin aktori më i mirë

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Rina Krasniqi luajti dy role të të dyja gjinive në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, dhe fitoi çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë.

Kjo është hera e parë në historinë e “PriFest” që një aktor i merr të dyja këto çmime.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

PriFest shpërblen me çmimin “Vjosa Berisha” filmin “Virgjëresha Shqiptare”

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nis më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Tashmë çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Çmimi kryesor “Vjosa Berisha” shkoi për filmin “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit.

Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kategorisë kryesore garuese, ajo e Filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë së kryesuar nga: John Mathieson – kinematograf anglez dhe regjisor komercial, Anna Machukh – Drejtoreshë Menaxhuese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Odesa nga viti 2020, EDVINASI RRAH – anëtar i Akademisë Europiane të Filmit.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

Rina Krasniqi me filmin “Virgjëresha Shqiptare” shpallet aktorja më e mirë në PriFest

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Aktualisht po ndahen çmimet e për aktoren më të mirë, me ç’rast, Rina Krasniqi me rolin e saj në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, u shpall fituese.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

Kaltrina Krasniqi shpallet regjisorja më e mirë në “PriFest”

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi për regjisoren më të mirë shkoi për regjisoren Kaltrina Krasniqi.

Krasniqi pati sukses të madh me filmin “Vera Andrron Detin”, duke qenë pjesëmarrëse dhe fituese nëpër festivale të ndryshme botërore.

Ky film madje e bëri edhe hapjen e edicionit të 14-të të PriFestit./ KultPlus.com

PriFest shpall Alban Ukajn si kineastin më të mirë

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Çmimi kineasti më i mirë për vitin 2022 shkoi për aktorin Alban Ukaj për suksesin e tij ndërkombëtar që ai pati në këtë vit.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

“North Pole” dhe “To Vancouver” triumfojnë në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër në PriFest

Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.

Aktualisht po ndahen cmimet e kategorisë së filmave të shkurtër, ku “North Pole dhe “To vancouver” triumfuan.

Përzgjedhjen e fituesve e ka bërë juria e përbërë nga: “Rona kastrioti, Dritan huqi dhe Mitko Panov”. /KultPlus.com

SBASHK: Greva në arsim do të vazhdojë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës ka njoftuar se greva, e filluar një muaj më parë në arsim, do të vazhdojë, shkruan KultPlus.

SBASHK-u me anë të një komunikate kanë thënë se kanë pritur që gjatë vikendit të ketë reflektim nga ana e Qeverisë.

Gjithashtu, SBASHK-u i ka reaguar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi ai i cilësoi si sindikalistë të PAN-it

“Kryetarët  e Këshillave Greviste komunale dhe të universiteteve dhe ata të shoqatave sindikale të Federatës së shërbyesve civilë kanë pritur se e shtuna dhe  e diela do të jetë ditë të angazhimet  e përkushtimit  dhe Qeverisë për të pasur takime me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe për të bërë angazhime për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme .Mirëpo deklarimi i Kryeministrit Kurti duke mos pasur as edhe një argument  të bazuar se sindikalistët janë të PAN-it  ka krijuar indinjatë të grevistët  dhe ka dëshmuar se Kryeministri dhe Qeveria as tani nuk janë të angazhuar e të interesuar për tejkalimin e situatës në gjithë sektorin e arsimit dhe te shërbyesit civilë  dhe krijohet përshtypja se në vend të angazhimit për takime e arritjen e marrëveshjes së pranueshme Kryeministri dhe Qeveria sikur po angazhohen e dhe  sikur kanë dëshirë që greva të vazhdojë . Ky dyshim i grevistëve është forcuar pas vazhdimit të deklaratave pa as edhe një argument e fakt të Kryeministrit lidhur me grevistët dhe sindikalistët në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.

“Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit  të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste  të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të  grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”.

“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë përgëzuar grevistët të cilët, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme ndaj tyre, por vazhdojnë të qëndrojnë me dinjitet dhe unik në përpjekjet për realizimin e kërkesave  të tyre legjitime. Njëheri i sigurojnë grevistet se do te jenë zëri i tyre dhe s’do te pushojnë asnjë moment për të tentuar që të bisedojnë me Qeverinë për të gjetur një mënyrë të realizimit të kërkesave”. /KultPlus.com

“Pa asnjë mëdyshje, Muharrem Qena mbetet njëri prej figurave më unike në botën tonë të artit dhe kulturës”

Shkruan: Rafet Rudi

…pa asnjë mëdyshje, Muharrem Qena mbetet njëri prej figurave më unike bë botën tonë të artit dhe kulturës. Atë e njohim si regjisor, si aktor, si interpret (i muzikës së lehtë), si shkrimtar, kurse në biografinë e tij shkruan se ai punoi edhe si producent e skenaris! Të gjitha këto forma të shprehjes, sado të dallueshme që janë, ato dëshmojnë për një artist të kompletuar me kreativitet të jashtëzakonshëm, që nuk harron asnjëherë se vlerë e pakontestueshme në krijimtari është sinqeriteti.

Muzika- vokacioni sekundar?

Paraqitja e Muharrem Qenës në fushën e këngës bëhet në një mënyrë krejtësisht origjinale. Ai është interpret që këndimin (dhe fushën e këngës) nuk e ka “detyrim” të profesionit. Ai nuk këndon për të zhvilluar karrierë muzikore, për të bërë emër në muzikë. Në të vërtetë ai është shumë larg percepcionit të till. Përshtypja mbetet ndonjëherë se ai “terthorazi” është në futur në botën muzikore. Në kohën kur “Kaçurelja” e tij vërshonte radiostacionet tona, ai ishte një emër i madh në botën e teatrit dhe publiku e njihte, në rradhë të parë si regjisor. Ky ishte persepcioni themelor për të. Ne të rinjtë e asaj kohe, shpesh në qytet, i kemi ndeshur “dy artistë ikonik” të Prishtinës, boemë të pa epur (që i jepnin sharm Prishtinës së dikurshme), duke diskutuar për tema të mëdha, pa ndonjë shkas apo qëllim të veçantë. Ishin këta Rexhoja (Mulliqi) dhe Muharemi, dy personalitete me të cilat identifikoheshin bota e muzikës dhe ajo e teatrit.

Emrin e M. Qenës nuk e gjejmë në programet e festivaleve të kohës, në manifestimet e mëdhaja muzikore, e as në koncerte ambicioze të asaj periudhe etj. Në muzikë ai zgjodhi rolin e vetmitarit. Dukej se ai nuk u nështrohej kategorive të tilla vlerësuese. Në të vërtet, ai nuk i “nënshtrohej” asnjë konvencioni që do ta përcellnin karrierën e një këngëtari të zakonshëm, Në anën tjetër, aktiviteti i tij në fushën e muzikës nuk ishte konstant. Kjo nuk ndodhte për faktin se ai merrej me veprimtari të tjera, por për një arsye tjetër, shumë më thelbësore – ai shfaqej në muzikë vetëm kur kishte “për të thënë” diçka. Muzika për të nuk ishte kapërcim i një pengese për të arritur një qëllim apo shkallë më të lart. Përkundrazi, për të muzika ishte qëllim në vete, ishte si një prehje e çastit! Art që, si duket, e lironte nga telashet e jetës teatrore, që i shkaktonin aq shumë dhembje (sic kuptojmë nga biografia e tij).

Përshkrues i mrekullueshëm i ”situatave” të thjeshta jetësore

Këngët e tia janë të thjeshta dhe spontane, por, njëkohësisht janë të logjikshme, dhe të strukturuara mirë. M. Qena është një interpret që rrëfen bukur. Ai është interpret i mrekullueshëm i “situatave” të thjeshta jetësore. Përmes këngëve ai ka nevojë (në mënyrë të vet), “të spjegon” një ngjarje të veçantë, “të deklamon” një porosi të veçantë apo “të përshkruan” një emocion të veçantë. Nëse analizohen këngët e tij kulte “Kaçurrelja”, “Salepxhiu” etj., do të vërejmë se ai në mënyrë shumë precise e përshkruan një “situatë” të caktuar, me të gjitha detajet, me ngjyrime përcjellëse poetike, me ç’rast rëfimi bëhet një storie e gjallë dhe e besueshme. Së këndejmi muzika e tij është ‘‘vizuale”, meqë këngët e tija duken si një storie e shkurtër filmike apo është një fotografi e vetme, mirë e kadruar, e qartë, dhe e planifikuar më parë. Që në dëgjim të parë (ta zëmë të këtyre këngëve të përmendura), papritmaz para dëgjuesit shfaqet një pamje e qartë, ku në të do të vëreni ambientin ku zhvillohet ngjarja, personazhet mirë të profilizuar, mizaskenën precize që e pasqyron storien, deri në detaje më të vogla etj.

Rëndësia e fjalës në këngët e M. Qenës

M. Qena e ka kuptuar drejt thelbin e muzikës vokale. Ai është i vetëdijshëm se kënga si formë e thjeshtë e kësaj gjinie përbëhet prej dy komponenteve të rëndësisë së njejtë – prej tingullit (apo melodisë) dhe prej fjalës (tekstit). Derisa interpretët tjerë, shpeshëherë, thellohen vetëm në aspektin muzikor dhe shqajnë vetëm elementet vokale, ai, ndërkaq, i jep rëndësi të madhe fjalës. Në këtë drejtim, duhet thënë se, nga tërë gjenerata e interpretëve e vjetër e këngës sonë zbavitëse, është ai, bashkë me Jusuf Gërvallën të vetmit që kanë kujdes maksimal ndaj komponentës tekstuale (përmbajtësor) të këngës. Për M. Qenën, kjo (komponentë) është transmetuese direkte dhe esenciale e porosisë së këngës. Fjalën (tekstin) e shqipton me sugjestivitet të duhur, asaj i jep fuqinë e merituar, duke pasur kujdes në intonacionin adekuat, akcentimin me sugjestivitet të fjalëve kyçe në tekst, duke i dhënë vërtetësinë e duhur.

Pikërisht ky trajtim i kujdesshëm i tekstit e bën M. Qenën të afërt me casjen që kanë shansonjerët francez në muzikën e tyre, tek të cilët fjala poetike është thelbi i këngës. Nuk është çudi që, në shumtën e rasteve, interpretë të shansonave janë njëkohësisht edhe poetë. Psh., një Gi Beart apo Zhorzh Brasens, famën në muzikën franceze nuk e kanë arritur me cilësitë e vokalit të tyre, por me fuqinë e transmetimit të komponentës tekstuale, prandaj ata kanë arritur të ngjiten në majat e shansonës franceze. Publiku, në muzikën e tyre, pëlqejnë dhe adhurojnë (pos muzikalitetit të domosdoshëm), mënyrën e rëfimit dhe mënyrën e deklamimit poetik.

Virtuoziteti i Salepxhiut!

Për të parë se me sa kujdes ai i qaset tekstit, mjafton të analizohet interpretimi i këngës “Salepxhiu” Në këtë këngë, M. Qena është, njëkohësisht, dramaturg, regjisor, aktor dhe këngëtar! Ai bëhet një “interpret” i gjithanshëm i këngës. Duke e trajtuar tekstin e këngës si një dromcë të shkëputur nga një mjuzikël, ai përdor teknikën e shprehjes që e ndeshim në mjuzikël. Struktura e tekstit kushtëzon një trajtim të tillë. Ndonëse, në të parë kënga lë përshtypjen e një parodie të thjeshtë (meqë ka një tekst të shkurtër dhe jo pretencioz), ajo në esencë është mjaft komplekse, sidomos në planin interpretativ. Në këngë përshkruhet një parakalim i rëndomtë, në rrugë, i shitësit të salepit (salepxhiut), në një prej qyteteve tona, me ç’rast pikturohet bukur pamja idilike e një ambienti oriental-otoman, të cilat karakterizonin qytetet tona dikur. Ai, si individ (interpret) i vetëm në këtë storie, njëkohësisht pasqyron katër katër personazhe: perosnazhin e salepxhiut (personazhit kryesor), të naratorit të qytetarit (plakës që proteston për zhurmën që bën salepxhiu) dhe në fund Finalja (që duket si skenë e “popullit”). Një element i zakonshëm në dramaturgjinë e mjuziklit, ku të gjithë personazhet bien dakord se “Salepi pastron gërmazin…se osht me xhanxhafil”. Ai këtë diferencim të saktë të personazheve arrinë ta bëj me modifikim të zërit dhe me ndryshim të intonacionit në deklamimin e tekstit. Këtë e bën me një sugjestivitet prej aktori të jashtëzakonshëm.

Qena, si interpret (aktor e këngëtar) me përpikëri i realizon porositë e Qenës regjisor.

Pa asnjë mëdyshje, Muharrem Qena mbetet njëri prej figurave më unike në botën tonë të artit dhe kulturës. Jokonvencionaliteti i personalitetit M. Qenës, që e ka karakterizuar atë si individ e si krijues, ka bërë që kontributi i tij “modest” në muzikë, të adhurohet sot e kësaj dite, madje edhe prej një gjenerate të re që nuk e ka njohur atë më parë.

Bredhovë (Brezovicë)

28/04/2021

  • Rafet Rudi në jetën muzikore të Kosovës , me veprimtarinë e tij si kompozitor, si dirigjent dhe si mendimtar shprehur në fushën e publisistikës dhe filozofisë së muzikës, si anëtar i Akademisë Europiane të Shkencës dhe Arteve, paraqet personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës

Osmani nderon viktimat e 11 shtatorit: Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë

Presidentja Vjosa Osmani tha se sot ka nderuar kujtimin e viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë dhe partnerë të vendosur kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve. Amerika është personifikim i lirisë, ndaj në mbrojtje të saj jemi gjithnjë bashkë!”.

Ajo ka përmendur edhe Mon Gjonbalajn, njërin nga shqiptarët që ka vdekur si pasojë e sulmit.

“Shkallët e mbijetesës, druri i vetëm i mbijetuar, fotografi të të zhdukurve, një automjet zjarrfikësish përbëjnë një pjesë të ekspozitës së tmerrit nga sulmet e 11 shtatorit 2001. E kaluara gërshetohet me të tashmen, dhimbja me krenarinë, kujtesa me të sotmen, jonjerëzorja me njerëzoren”.

“Mbi të gjitha, flamuri amerikan kudo si shenjë e mbijetesës se Amerika dhe bota civilizuese nuk zmbrapsen para qëllimeve dashakeqe të forcave të errëta, të cilat janë kundër lirisë. Rrëfimi i të birit të një zjarrfikësi amerikan, rrëqethës e frymëzues, njëkohësisht. Ata që janë reaguesit e parë, të parët e panë tmerrin, të parët e ndjenë dhimbjen e disa nga ta u bën pjesë e dhimbjes”.

“Jetë njerëzish u shuan nga sulmi terrorist, në mesin e të cilëve edhe tre shqiptarë. Mon Gjonbalaj nuk arriti ta gëzoj pensionimin. Të njëjtën ditë në vend të pensionit fitoi  përjetësinë”. /KultPlus.com

Nesër promovohet libri “Rugovën, si e kam njohur” i Gani Mehmetajt

Të hënën me 26 shtator, në orën 19.00, në hotel Sirius, do të promovohet libri-portret: “Rugovën, si e kam njohur” i Gani Mehmetajt. Librin e ka botuar shtëpia botuese Uetpress nga Tirana, ndërsa e mbështeti Santefarm nga Prishtina.   

Për librin “Rugovën, si e kam njohur” do të flasin Avni Spahiu, Henri Çili dhe Melihate Termkolli.

Do të këtë edhe disa pika artistike, pika muzikore dhe poezi që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar presidentit Rugova.  

Gani Mehmetaj është gazetar, shkrimtar, kineast, publicist dhe dramaturg, autor i 30 vepra letrare, publicistike, kinematografike dhe publicistike. /KultPlus.com

Naim Shala merr çmimin e parë në “Fokus Award”

Ka përfunduar edicioni Fokus Award i 13 i fotografisë në Fier, ku çmimin e parë e mori shqiptari nga Kosova, Naim Shala. Në këtë event, janë paraqitur 180 punime të artistëve, të cilët vijë nga vende të ndryshme të botës.

Tema e këtij edicioni të festivalit të fotografisë u titullua “THE OTHER”, ku marrin pjesë artistë nga 23 vende të ndryshme të botës me 180 krijimtaritë e tyre në fotografi.

Drejtori i festivalit, Arben Alliaj  tha se këtë vit janë më shumë pjesëmarrës dhe nga më shumë vende, ku fillimisht janë paraqitur 430 punime ndërsa nga kuratorët janë përzgjedhur për konkurim 180 prej tyre.

Fotografi i njohur italian dhe fitues i dy çmimeve ndërkombëtare “World Press Photo Award”, Francesco Cito foli mbi vlerat e veprave dhe artistëve ndërsa  kjo traditë mes artit dhe artistëve përcjell mesazhe dhe afron artistët dhe kulturat e tyre. 

“Në këtë ekspozitë artistët kanë sjellë  copëza të jetës nga vendet e tyre. Festivali, tashmë i mirënjohur edhe ne botë, kërkon në çdo event të tij të sugjerojë fotografinë si një dritare ku mund të shohësh një moment, mund të ndërtosh një histori apo ide që shumëfishohet  nga imagjinata me mijëra fjalë”tha Cito.

Ekspozita do qëndrojë e hapur 7 ditë në Fier. /KultPlus.com

“E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve”

At Zef Pllumi është nga nga figurat me të ndritura shqiptare, i cili njohu çdo të mirë dhe të keqe të kombit tonë, madje kjo shihet qartë në një intervistë të rrallë televizive të cilën e kishte dhenë në një moshë të shtyrë, por me mendje të kfjelltë, shkruan KultPlus.

Në një pjesë të intervistës, gazetarja e pyet se prej nga ju vjen e keqja shqiptarëve, At Zefi përgjigjet me një bindje të plotë dhe me një zhgënjim të thellë në ftytyrën e tij.

 “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”, shprehet At Zef Pllumi.

Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetës. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste. / KultPlus.com

15 vjet nga vdekja e At Zef Pllumit, i dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit”

Përkujtojmë sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin At Zef Pllumi.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhë . Studioi në disa fusha si në teologji, letërsi, filozofi dhe përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht dhe greqishte e vjetër.

Më 14.12.1946 u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg,në moshën 22 vjeç. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë në Muzeun e Shkodrës.Më vonë do të shërbej si meshtar i Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.

Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”.

Ai shkruan dhe boton triologjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”,“Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”,“Frati i pashallarëve Bushatlli”.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si edhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.

Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Po në atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në, Romë, Itali dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Shënim: Data e lindjes i mbeti 7 prill ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër). Ka dokumente ku figuron datëlindja në muajin gusht. /KultPlus.com

“Oj hanë” e kënduar mjeshtërisht nga Familja Qena (VIDEO)

KultPlus ju sjellë këngën e njohur të Muharrem Qenës. Kënga “Oj hanë”, është një ndër këngët më të njohura të artistit shqiptar që ka lënë një bagazh të madh artistik. Më poshtë keni tekstin dhe videon e këngës.

Oj hane duku n’kët natë
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam

Duku oj hanë edhe shkëlqe, vetmitare si une je
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë

Oj hane,oj kangë,oj nat,i vetëm un jam

Por nata mbështjellë vetëm gjithësinë
Askund nuk shkëndin ndoj yll me m’shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m’kan dashunu
Askund nuk shkëndin ndoj yll mem shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m`kan dashunu

Hana mshifet o lart mbi re
Vetëm kanga mu më njeh

I vetmum me brenga t’mdha
Shkoj n’harrese sot si cdo gja

Oj hanë,oj kangë,oj natë,oj nanë
I vetem unë jam./KultPlus.com