Drejtorisë i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka paralajmëruar se rruga “Xhorxh Bush”, do të mbyllet edhe për autobusë e taksi, bazuar në projektin e Bankës Botërore, që siç ka thënë ai, do të shndërrohet në hapësirë për gjelbërim.
Musliu ka thënë në KTV se rruga do të jetë hapësirë me mobileri urbane dhe do të lidhet me sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”.
“Ne po i presim detajet e projektit nga konsulenca e kontraktuar nga Banka Botërore, do të hyjmë me intervenime e do të shohim cili do të jetë vendimi final. Nga ajo që kam parë deri më tani ka qenë që të ndërpritet për qarkullim edhe për vetura edhe për autobusë. Rruga është ndërprerë për disa aktivitete që kanë qenë në kuadër të Drejtorisë së Kulturës e edhe të Sportit, por po i presim detajet e fundit e pastaj të fillojmë punimet. Në bazë të asaj që kam parë në projekt, rruga do të ndërpritet për qarkullim edhe per vetura, taksi dhe autobusë. Nuk do të lirohet as për autobusë e as për vetura, do të kthehet në shesh dhe në hapësirë me mobileri urbane, në hapësirë me gjelbërim”, ka potencuar ai.
Drejtori i Shërbimeve Publike ka folur edhe për ndriçimin smart, që siç ka thënë ai, është më i kushtueshëm, por më efektivë.
“Kryeqytetit i duhet një ndriçim i tillë, ka një kosto më ndryshe, sfidues është buxheti, si Drejtori s’kemi një buxhet për të vazhduar ndriçimin, por mendoj se ndriçimi duhet të shtrihet në kryeqytet…Mbi 50 rrugë kemi arritur t’i ndriçojmë për herë të parë, sivjet do t’i bëjmë mbi 100 rrugë me ndriçim publik për herë të parë”, ka theksuar ai. / KultPlus.com
Xherdan Shaqiri nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin e madh që e kishte dhe e ka për legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.
Futbollisti nga Zhegra e Gjilanit e përmendi edhe ditë më parë, pas ndeshjes me Kosovën. ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, me të cilin kishte diskutuar rreth mundësisë që t’ju bashkohej “Dardanëve” disa vite më parë.
E tash, përfaqësuesi zviceran e ka shfaqur përsëri dashurinë dhe respektin për futbollistin e ndjerë, Fadil Vokrri, duke e postuar një fotografi në Instastory, ku në prapavijë të futbollistit të Chicago Fire shihet legjenda e futbollit të këtushëm.
Fadil Vokrri konsiderohet si futbollisti më i madh që e ka pasur ndonjëherë Kosova. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në një ceremoni në të cilën u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë.
Në një adresim para grave tjera lidere, Presidentja Osmani foli për angazhimin dhe rolin e shquar të grave në epoka të ndryshme të historisë së zhvillimit të vendit. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike.
Presidentja Osmani në adresimin e saj, theksoi se Kosova po dëshmohet si vend lider në udhëheqjen e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe potencoi se fuqizimi i grave në fushën e sigurisë, si dhe në fusha të tjera, është mundësia më e mirë për ta avancuar shoqërinë në tërësi. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në zonat që janë atraksione turistike në Shkodër do të ketë internet falas.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama bën të ditur se interneti falas do të jetë në dispozicion edhe në pedonalet e qytetit
Kreu i Bashkisë Shkodër, Bene Beci menjëherë pas fitores në zgjedhjet e 14 majit ka nisur një sërë investimesh infrastrukturore në qytetin verior të vendit.
Paralelisht me investimet, në çdo zonë të Shkodrës Policia Bashkiake së bashku me punonjës të bashkisë kanë vijuar punën për lirimin e hapësirave të zëna nga kundravajtësit ligjorë. / atsh / KultPlus.com
Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur.
«Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.
E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë: « … dervishi ballë shtratit tim nuk është në të zeza veshur me të bardha është gati të vijë rrotull por ai nuk rrotullohet është gati për ekstazën e tij ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty duke pritur ceremoninë…”.
Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia.
A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se: «Mrekullia mbahet veç në një fill ku ti var nga një breg në tjetrin peshq dhe koka virgjëresha dhe barinj një lot alkimik…» Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau.
Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin. Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në kohët moderne?
Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij.
Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brënda vargjeve: “Një podium kokash të vendosura e të futura bashkë një kokë e madhe mbi dy koka dy koka të vogla mbi një të madhe pesëmbëdhjetë koka kokëforta që bëjnë veç me kokë të tyre e nganjëherë të bijen mbi kokë!…”.
Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo.
Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time: “Kam ëndërruar se më pikturoje dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…” Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc) i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit.
Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj, e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikut, Mbi sytë e mi, Tabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»…
Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll: «Ti bën zjarr me çdo dru nga druri i spatulës tek druri i kavaletit nga këto flakë lind qielli i tablove të tua tabloja që mbushet me gjakun tënd në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës nga hauri tek therrtorja fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen kërkon ngjyrën e zjarrit gjaku thahet në tas dhe në porta në këmishat dhe në koka spatula vazhdon udhën e saj…”.
Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria.
Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit?…
Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur. Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze.
Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi. Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare.
Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud…
Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit. Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.
Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca… Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij.
Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi.
Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014.
Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne.
Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur».
Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»…
Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.
Në dhomën e poetes Laure Cambau tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase: «… fle dhe vallëzoj dhe ëndërroj në të bardhë dhe ballë meje një dervish më flet fjalët e tij janë karemë memecë një qumësht blu që më bën për vete në një këngë para pemëve në të djathtë kam një plagë në të majtë një “flakë të pikturuar» dhe ballë meje një dervish…
Lista e dhjetë letrave më romantike të dashurisë të shkruara nga meshkujt së bashku me disa pjesë të veçanta prej tyre.
Letra e Ernest Hemingway për Marlene Dietrich
“Nuk mund të ta them dot, sesa herë hidhja krahët e mi rreth teje ndihesha sikur isha në shtëpi”.
Letra e Napoleon Bonapartit për të dashurën e tij Josephine
“Qëkur të lashë, kam qenë vazhdimisht në depresion. Lumturia ime është të jem pranë teje…”.
Letra e Frida Kahlo për Diego Riverën
“Asgjë nuk krahasohet me duart e tua, me ngjyrën jëshile në të verdhë të syve të tu. Shpirti im plotësohet nga prania jote. Gishtat e mi prekin gjakun tënd…”.
Letra e Georgia O’Keeffe për Alfred Stieglitz
“I dashur, trupi im është çmendur duke të kërkuar ty. Nëse nuk vjen nesër, nuk e di se si do të mund të pres më tepër për ty. Pyes veten nëse trupi yt e dëshiron trupin tim, po aq sa unë e dëshiroj trupin tënd aq pranë, saqë lëndohem kur ti largohesh”.
Letra e Beethoven në shtratin e vdekjes për personat e dashur që ende jetonin të shëndetshëm
“Edhe pse në shtrat, mendimet e mia janë me ju, të dashurit e mi të pavdekshem. Vazhdoni të më doni, mos më gjykoni. Mos e gjykoni zemrën më besnike të të dashurit tuaj”.
Letra e George H. Bush për Barbara Bush
“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.
Letra e Ronald Reagan për Nancy Reagan
“Gjëja më e rëndësishme është se nuk dua të rri pa ty për 20, apo 40 vitet e ardhshme, apo për gjithë vitet e jetës që më kanë mbetur. Jam bërë i varur nga ndjesia e të qenurit i lumtur dhe të dua shumë ty”.
Letra e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas
“Çdokush është i nevrikosur me mua që erdha sërish tek ty, por ata nuk na kuptojnë ne. Unë ndihem sikur vetëm me ty mund të bëj gjithçka. Më ndihmo të sjell në vend jetën time të rrënuar dhe atëherë shoqëria dhe dashuria jonë do të marrin një tjetër kuptim në këtë botë”.
Letra e Henry VII për Anne Boleyn
“Por nëse ti më dhuron trupin dhe zemrën tënde, unë premtoj të jem shërbëtori yt, siç kam qenë përherë dhe vazhdoj të jem edhe tani”.
Letra e Vita Sackville për Virginia Woolf
“Por, e dashur, unë nuk mund të qëndroj dot i zgjuar apo serioz me ty. Të dua shumë për ta bërë këtë gjë. Të dua sinqerisht. Ti nuk e ke idenë sa serioz rri unë me njerëzit që nuk i dua, por ti i ke thyer gjithë barrierat e mia”./ KultPlus.com
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 15-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 12 shtator ndërsa përfundon sonte më 17 shtator, shkruan KultPlus.
Çmimi për aktorin më të mirë shkoi për Edgar Morais dhe Rafael Morais, për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” me regji dhe skenar të Gentian Koçit.
Industria e Filmit nga Izraeli, ishte fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest-it. / KultPlus.com
*Çmimin e ka marrë regjisori Gentian Koçi, në mungesë të dy aktorëve.*
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 15-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 12 shtator ndërsa përfundon sonte më 17 shtator, shkruan KultPlus.
Çmimi për filmin më të mirë të metrazhit të mesëm shkoi për filmin “Si në vaj”, prodhim i Zvicrës, me regji nga Aulona Selmani. Ndërsa në rolin kryesor luan aktorja e njohur Ilire Vinca.
Industria e Filmit nga Izraeli, ishte fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest-it. / KultPlus.com
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 15-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 12 shtator ndërsa përfundon sonte më 17 shtator, shkruan KultPlus.
Eli Skorcheva luan në filmin “Blaga’s Lessons”, i cili flet për një mësuese e pensionuar e cila ka mbetur e vejë së fundmi bie pre e një mashtrimi telefonik, duke i humbur kështu kursimet e jetës dhe duke mbetur pa para për varrin e bashkëshortit të saj të ndjerë. Jeta e saj përmbyset kur e kupton se nuk ka asnjë mënyrë për t’i kthyer paratë e saj, deri sa merr një ofertë joshëse por të dyshimtë për punë.
Gjithcka ndryshon kur ajo i merr gjërat në duart e saj dhe paratë fillojnë të qarkullojne, këtë herë duke shfaqur atributin e saj më të çmuar: Vlerat e saj, pasi ajo transformohet ngadalë në mashtruese. Në këtë dramë/thriller, regjisori Stephan Komandarev rrëfen hap pas hapi udhëtimin e një gruaje që vërtitet në ciklin vicioz të realitetit të jetës jashtë rehatisë së saj.
Industria e Filmit nga Izraeli, ishte fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest. /KultPlus.com
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 15-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 12 shtator ndërsa përfundon sonte më 17 shtator, shkruan KultPlus.
Tash e një vit çmimi kryesor titullohet “Vjosa Berisha”.
Filmi debutues nga regjisori shqiptar Fisnik Maxville “Toka brenda meje” ka fituar çmimin kryesor “Vjosa Berisha” në edicionin e 15-të të PriFest së bashku me filmin tjetër nga Bullgaria, “Blaga’s Lessons” nga regjisori Stephan Komandarev.
Industria e Filmit nga Izraeli, ishte fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest. /KultPlus.com
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 15-të të PriFilm Fest, i cili ka filluar më 12 shtator ndërsa përfundon sonte më 17 shtator, shkruan KultPlus.
Për arritjet me filmin e tij debutues “The Land Within”, Fisnik Maxville fiton çmimin regjisori më i mirë, së bashku me regjisorin tjetër, Stephan Komandarev me filmin nga Bullgaria, “Blaga’s Lessons”.
Industria e Filmit nga Izraeli, ishte fokus në edicionin e sivjetmë të PriFest. /KultPlus.com
“Jeta nuk do të thotë ta gjesh veten apo të gjesh çfarëdo tjetër”, thotë Bob Dylan, “Bëhet fjalë për krijimin e vetes”. Në moshën 78-vjeçare, muzikanti kalon në një fazë të re të vetë-krijimit me filmin intrigues, magjepsës, hutues e ndonjëherë ekzaltues – “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story by Martin Scorsese review” të regjisorit Martin Scorsese. Kjo do të thotë se Scorsese ka mbikëqyrur edhe editimin e arkivit filmik dhe se bashkëpunoi me Dylanin në një akt tjetër artistik të vetë-riformimit, shkruan kritiku i filmit Peter Bradshaw.
Filmi flet për turneun e koncerteve të quajtur “Rolling Thunder Revue”, që u mbajt në SHBA dhe në Kanada në vitin 1975 – turneu 57-ditësh ku trubaduri u shfaq me grim të bardhë në fytyrë e me një listë të jashtëzakonshme të akteve mbështetëse, ku përfshiheshin Joan Baez, Joni Mitchell, Roger McGuinn, Ronee Blakley, “Ramblin” Jack Elliott, Bob Neuwirth dhe violinistja Scarlet Rivera. Vendet ku luanin nuk ishin arena masive; ishin salla dhe hapësira të vogla, me publicitet ndonjëherë të kufizuar në fletushka të shpërndara gjatë ditës tek banorët e qyteteve të vogla, në të cilat autobusi i turneut i stilit të Ken Keseyt do të kalonte me Dylanin e buzëqeshur në timon. Mundohuni të paramendoni se po ndodh tani.
Çfarë nënkuptonte për Dylanin, që të udhëheq këtë ngjarje në një si thashetheme muzikore që gjarpëronte nëpër Amerikën që po e merrte veten nga turpi i skandalit Watergate dhe që po bëhej gati për festimin e 200-vjetorit të pavarësisë?
“Ishte aq moti sa që nuk kisha lindur”, thotë sot Dylani ironik, duke ngritur supet. Të gjitha paraqitjet e tij në intervista janë shumë qesharake, me zë të thatë si bari i prerisë.
Filmi nuk mëton të na tregojë qartazi se për çfarë bëhet fjalë. Ka diçka të çuditshme dhe djallëzore aty. Pamjet e koncerteve dhe të prapaskenave duket se janë marrë nga i njëjti arkiv i materialeve që formoi bazën e filmit të gjatë dhe të dështuar të vitit 1978 – për këtë turne, “Renaldo and Clara” – të cilin ai shkroi me të ndjerin Sam Shepard (i cili është intervistuar në dokumentar). Ashtu si ai film, “Rolling Thunder Revue” ka disa karaktere që nuk mund të jenë bash faktikë. Xhirimet i atribuohen filmbërësit dispeptik i cili në fakt është artisti i performancave dhe komediani Martin Von Haselberg, bashkëshorti i aktores dhe këngëtares Bette Midler. Një politikan i caktuar është intervistuar dhe ju mund të thoni: “Prit, ai djalë duket si aktori Michael Murphy”! Dhe është aktori Michael Murphy. Mund të jetë kjo një komedi moderne dell’arte në të cilën, me ndihmën diskrete të Scorseses, Dylan po tërhiqet prapa maskave që mund ta lejojnë të tregojë një të vërtetë më të madhe?
Mbase po. Scorsese hedh më shumë aludime me copëzat nga filmat që në një mënyrë kanë të bëjnë me performancat skenike: “The Vanishing Lady” (1893) nga Georges Melies, “Children of Paradise” (1945) nga Marcel Carnes dhe “Latcho Drom” (1993) nga Tony Gatlif. Ndonjëherë gjysmë-kujtimi kreativ është pak i errët dhe ka raste kur unë do ta kisha bërë më shumë si një realizëm të drejtpërdrejtë dokumentar. Por, nuk bën të ankohem kur gjithë kjo është aq e mahnitshme, si një kapsulë kohore dhe si një shfaqje unike me Dylanin dhe me paraqitje të lavdishme nga Baez, Mitchell dhe gjithashtu Patti Smith – e cila në fakt nuk ishte anëtare i turneut “Rolling Thunder”.
Allen Ginsberg, një tjetër figurë me rëndësi e viteve 1970, shfaqet në turne, sa egoist aq edhe i nënshtruar nga rëndësia e Dylanit. Është një intervistë e mirë me aktoren Sharon Stone, e cila si e re duket se ka qenë pak në turneun me “Rolling Thunder”. Ajo është intervistuar për përvojat e saj – përfshirë shpërthimin në lot kur zbuloi se kënga e Dylanit, “Just Like a Woman”, përkundër fjalëve që ai i kishte thënë, nuk i dedikohej asaj!? A mund të ndodhte kjo meqë ishte e vetmja femër e re, në udhëtim tek e cila Bob mund ta përdorte atë varg?
Pjesa më emocionale e filmit është kënga e Dylanit, “Hurricane”, për boksierin Rubin “Hurricane” Carter i cili u burgos gabimisht për një vrasje. Kjo këngë dhe turneu “Rolling Thunder” ishin pjesë e rëndësishme e momentumit që e përmbysi dënimin për Carterin – megjithëse nuk do të lirohej edhe për 10 vjet.
Për fund, kjo është një përvojë e mrekullueshme, që të zhyt përsëri në vitet 1970. Ka pasion aty. E, pa marrë parasysh se sa kaotike apo të zymta bëhen gjërat, askush nuk ka dyshime se muzika ka rëndësi. /KultPlus.com
Se shumë krijues e gjejnë frymëzimin më lehtë nën ndikimin e substancave të ndryshme dihet moti. Këtu përjashtim nuk kanë as shkrimtarët.
Shumë kryevepra botërore të letërsisë kanë lindur në kohën kur autorët vareshin nga drogat. Më poshtë ne ju sjellim një listë të shkrimtarëve që shkruan rreshta të paharrueshëm nën ndikimin e substancave narkotike.
Stephen King dhe të 80-at e tij
Stephen King as nuk përpiqet të fshehë faktin se shumë nga veprat e tij janë shkruar mbi vartësinë e kokainës. Përveç kësaj, ai as nuk mban mend kohën kur i shkruante. Në një intervistë për Rolling Stone, ai tha se ai kishte përdorur kokainë nga viti 1978 deri në vitin 1986 dhe shkroi rreth 10 novela. Disa prej tyre janë “Ai”, “Kulla e Errët”, “Pema e Qiellit” dhe “Qëndroni”.
Ken Kesey dhe klubi i tij LSD
Në vitin 1959, Kesey punoi si një asistent psikiatër në një spital (kujtimet e asaj eksperience u përdorën pjesërisht në One Flew Over the Cuckoo’s Nest), ku ai mori pjesë në disa eksperimente. Ata ishin pjesë e hulumtimit mbi ndikimin e LSD-së në trupin e njeriut. Në vitin 1964, ai krijoi një revolucion të vërtetë psikodelik në SHBA kur krijoi komunitetin “Cheers Pranksters“, i cili popullarizoi LSD-në. Ata organizuan partitë që ishin më të mëdha se ato të “Projektit X”. Ata madje kishin mbuluar prej gjahut në LSD!
Jean-Paul Sartre dhe dieta e tij
Sipas Annie Cohen-Solal, që shkruante biografinë e ekzistencialistit të madh, dieta e tij e përditshme ishte: dy pako cigare, një çift tubash duhani, 1/4 shishe pije alkoolike, 200 miligramë amfetaminë, 15 gram aspirina, dhe rreth 20 kordranë (një përzierje e amfetaminë dhe aspirina). Shkrimtari vdiq në moshën 74 vjeçare.
Fakti interesant: në post-revolucionin Rusia, kokaina ishte më e lehtë për t’u marrë se një shishe vodka. Nuk kishte rregulla apo ligje që ndalonin atë. Ajo u shit në tregje dhe në dyqanet e cigareve. Kjo është ndoshta origjina e mitit që romani më i gjatë që Vladimir Mayakovsky ndonjëherë kishte shkruar, ishte me kokainë. Ky informacion nuk është konfirmuar nga të gjitha burimet. Ne nuk besojmë me të vërtetë, por kush e di?
Charles Dickens dhe periudha e tij viktorian
Dickens jetonte në periudhën viktoriane, kur përdorimi i drogës (opiumi dhe kokaina) ishte popullor, i lirë dhe i ndaluar nga mjekët. Ndonjëherë droga madje u përshkruan si antidepresantë. Shkrimtari i madh ishte i varur nga droga. Duke marrë parasysh kujtimet e njerëzve që e njihnin atë për vizionet që kishte dhe sjelljen e tij të çuditshme, mendohej se ai ishte vazhdimisht nën efekt.
Carroll gjithashtu jetonte në kohët viktoriane. Ai përdori laudanumin (opiumin me alkool) si një formë trajtimi. Shumë njerëz seriozisht mendojnë se “Liza në botën e çudirave” është kaq gjeniale për shkak të laudanumit. Ka teori se libri ishte menduar të ishte një përshkrim i një udhëtimi të drogë
Sigmund Freud dhe studimet e tij për kokainë
Në vitin 1884, Sigmund Freud ishte i interesuar për një analgjezik të ri: kokainë. Gjatë tri viteve të ardhshme, ai botoi disa vepra shkencore ku u habit nga ajo që mund të bënte kokaina. Ai filloi ta përshkruante atë tek nusja e tij dhe e rekomandoi atë tek miqtë e tij. Por në fillim të vitit 1887, shkencëtarët kuptuan se kokaina nuk ishte aq e padëmshme sa ç’do mendonte më parë, dhe Frojdi u gjykua për propagandën e drogës. Ai pendohet për atë që bëri dhe u përpoq të heqë qafe varësinë nga droga deri në vitin 1900.
Charles Baudelaire dhe “Klubi i Hashishins”
Nga viti 1844 deri në vitin 1848, poeti mori pjesë në “The Club des Hashishins”. Sipas asaj që anëtarët e tjerë të klubit thanë, “Baudelaire u përpoq dyfish për një eksperiment”. Kjo “lumturi” ishte e neveritshme për të. Baudelaire më vonë kishte një varësi të shkurtër të opiumit, por ai arriti ta kapërcejë shpejt dhe krijoi një përshkrim të madh të ndikimit të drogës në trupin e njeriut, i cili kishte një emër simbolik: Paradite artificiale.
Shkrimtarë të BBC-së për fëmijë
Zonja Graham, një ish-punonjës i BBC-së për fëmijë, tha për atë se pas episodit të parë të shfaqjes së saj, prodhuesi dhe organizatori i shfaqjes i ofruan asaj kokainë. Siç doli më vonë, përdorimi i drogës në mesin e ekipit krijues të BBC-së për fëmijët nuk u dënua, por, përkundrazi, u vlerësua. Drejtuesit menduan se kokaina i ndihmoi shkrimtarët të gjenin ide të reja dhe krijuese. Sa mirë ju kujtohet “Teletubbies”?
Mikhail Bulgakov dhe goditja e mitit
Kur njerëzit flasin për sa ishin romanet e fuqishme të Bulgakov, ata shpesh kujtojnë morfinën që shkrimtari e përdori. Në vitet 1916-1917, Bulgakov punoi si mjek i vendit dhe për herë të parë ai përdorte morfinë për të vrarë dhimbjet e tmerrshme të shkaktuara nga difteria. U deshën pesë vjet nga shkrimtari për ta trajtuar atë në vitin 1921. Të gjitha kujtimet për këtë periudhë përshkruhen në librin “Morphine”, të shkruar më 1927. Po, shkrimtari ishte i varur nga droga, por kurrë nuk shkroi romane sipas ndikimi të drogës.
Shkrimtarët u bënë ata që u bënë vetëm falë talentit të tyre të pabesueshëm. Ata e konsideronin varësinë e drogës një dënim më shumë se një lloj ndihme. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka pasur një paraqitje speciale gjatë publikimit të koleksionit të saj Primark, raportoi të dielën “The Sun”.
Për ta shënuar këtë moment si partnerja e parë e markës globale, 32-vjeçarja zbuloi një gamë të veçantë veshjesh.
Veshja e saj nxirrte në pah figurën e tonifikuar të këngëtares, të cilën e ka kombinuar me çizme të zeza.
Në këtë ngjarje në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, Rita i nderoi të pranishmit me një performancë live të tri hiteve të saj “Drinkin’”, “Let You Love Me” dhe “Anywhere”.
“Unë u rrita me rrobat e Primarkut dhe iu afrova atyre për të sugjeruar një gamë. Më pëlqen që është e zakonshme dhe e arritshme. Rrobat mund t’ju bëjnë të ndiheni seksi, ose të sigurt, çfarëdo që kërkoni”, ka thënë ajo.
“Nuk ka të bëjë me pamjen, por të ndihesh rehat dhe mirë me veten”, ka shtuar ajo.
Artikujt do të shiten në më shumë se 400 dyqane në mbarë botën. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është takuar me Mbretin e Jordanisë, Abdullahu II, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që nga viti 1999 në vazhdimësi, sikurse edhe në GJND.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka shtruar nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Mbretëria e Jordanisë në përpjekjet e Kosovës për të siguruar anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe njohje nga vendet arabe.
Presidentja Osmani dhe Mbreti Adullah II, diskutuan për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, ndërkohë që të dy palët riafirmuan përkushtimin për paqe e stabilitet.
Sipas presidentes Osmani, ndërmjet të dy shteteve ka potencial për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Në këtë kontekst, ajo përmendi faktin se një ekip ushtarësh jordanezë janë trajnuar së fundmi në qendrën tonë të trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit.
Më tej, presidentja Osmani, tha se Kosova është e interesuar të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me Jordaninë në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia, tregtia, mbrojtja, kultura, arsimi dhe turizmi. Të dy liderët shprehën optimizmin për të ardhmen e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. / KultPlus.com
Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) në Mal të Zi shfaqjen “The Handke Project” nga dramaturgu Jeton Neziraj me regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, e ka vlerësuar si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet, përcjell KultPlus.
Festivali ka shpallur shfaqjen si më të mirën. Shfaqja po ashtu ka marrë edhe çmimin për aktorin më të mirë. Çmimi i ka takuar aktorit të njohur Arben Bajraktarajt.
Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) e ka vlerësuar shfaqjen si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet.
“Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”, shkruhet në arsyetimin e jurisë së Festivalit në përbërje të shkrimtarit dhe drejtorit të Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarëve Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinjë.
Edicioni i 38-të i Festivalit me traditë sivjet është mbajtur prej 8 deri më 17 shtator. / KultPlus.com
Një histori e veçantë, prekëse, rrallëherë e trajtuar, fenomenale, inspiruese dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e vetë, ka zbritur mbrëmë në skenën e Kino Armatës, aty ku po mbahet edicioni i pesëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit tashmë të suksesshëm “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” me regji dhe skenar të Gentian Koçit, shkruan KultPlus.
Fiks kur ora shënoi 19:46, nisi edhe premiera e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”. Dritat u fikën, e së bashku me të edhe shushurimat brenda hapësirës. Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi ka ardhur si dedikim nga regjisori për babin e tij, ashtu siç u shpalos e shkruar edhe në sekondat e parë kur pamjet e para zunë vend në ekranin gjigand.
Dy vëllezër binjakë identikë e shurdhmemecë që nga lindja, Agimi dhe Gëzimi (Edgar Morais dhe Rafael Morais) zbulojnë se vuajnë nga një sëmundje gjenetike që gjithashtu do t’i bëjë ata të verbër në mënyrë progresive dhe të pakthyeshme. Asnjëherë nuk kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Jetojnë e punojnë së bashku në një biznes të përpunimit të drurit. Ata ndajnë një banesë të gjerë në Tiranë së bashku me të dashurën e Gëzimit, Ana që luhet nga aktorja shqiptare Drita Kabashi e cila debutoi pikërisht me këtë film.
Por përveç hapësirës, ata janë të lidhur shpirtërisht me njëri-tjetrin. Komunikojnë me shkrime dhe lexim buzësh, por mes tyre ka evoluar një gjuhë private, e cila ka të bëjë më shumë me shkëmbimin e prekjes dhe shikimit sesa fjalët.
ADN-ja e tyre si binjakë monozigotë është ajo se çfarë kontribuon në film për të ngjallur dhembshurinë më të madhe të parashikuar brenda audiencës. Të dy vëllezërit eventualisht marrin vesh se do të humbasin përgjithmonë dhe plotësisht shikimin si dhe dëgjimin. Në anën tjetër, Ana bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre, për shkak se ajo krejt lehtësisht pranon për të marrë në dorë, marrëdhënien vëllazërore për të dy ata.
Regjisori Gentian Koçi ka bërë një punë të shkëlqyer duke sjellë në vëmendje marrëdhëniet komplekse të njerëzve. Fokusi i tij është vënë direkt mbi fuqinë që kanë mendimet e një personi, kur ai person i caktuar fundoset përbrenda errësirës së trurit të vetë.
Duhet cekur se tre aktorët kryesorë që luajnë në film kishin kaluar gjashtë muaj duke mësuar gjuhën shqipe të shenjave në Shoqatën Kombëtare Shqiptare të të Shurdhërve (ANAD), dhe kjo është dëshmi për dashurinë e madhe të realizimit të një filmi që veçse ka dëshmuar për potencialin e lartë që posedon.
Kjo dramë ekzistenciale që prek thellësisht në shpirt cilindo, ka përcjellë emocione të fuqishme përmes lojës së syve, gjuhës së trupit e gjuhës së shenjave, si dhe me vetëm pak tekst. Interpretimet nga dy aktorët portugezë kanë qenë diçka marramendëse, në esencën më të bukur të fjalës. Ndërlidhja e tyre në lojën e performancave ka shpalosur një kimi organike që është për t’u marrë lakmi. Stili që ka regjisori Koçi nuk është aspak sentimental, por zhdërvjellët nëpërmjet një ritmi të qetë e të heshtur që përkon përgjatë gjithë filmit.
Rolet dytësore, po ashtu janë njëlloj të çuditshëm në karakter. Përgjithësisht, janë njerëz të mirë, që ndihmojnë njerëzit përreth. Portretizohen në mënyrë brilante, të zgjuar, duke kundërshtuar çdo padrejtësi të mundshme. Jeta e tyre është e zakonshme.
Por, atë se çfarë e bën filmin të ketë një qartësi artistike të pastër si loti, është humori i thukur, përjetimi i pengesave esenciale për jetesë, ngjashmëria fizike e binjakëve, marrëdhënia intime e botës emocionale së binjakëve, dashuria pa kushte e binjakëve si dhe vizualja e skenës finale, plot shpresë tragjike.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. Paraprakisht, në skenë për një fjali rasti doli ekipi i filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.
Regjisori Gentian Koçi është shprehur i lumtur për premierën po e dha mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
“Jam shumë i gëzuar që jam këtu dhe në fakt e kam pritur këtë premierë prej kohësh. Unë po kthehem në PriFilmFest pas njëmbëdhjetë vitesh, andaj jam shumë kurioz të di mendimet e juaja. Faleminderit që keni ardhur sepse filmi është shumë special për mua. Është bërë me shumë dashuri, shumë sakrificë. I bërë bukur, më duket. Kam një kastë fantastike, andaj shpresoj të ju pëlqej.”
Ndërsa, aktorja shqiptare që debutoi në këtë film, Drita Kabashi ka thënë se premiera e filmit në PriFest, është një moment i shenjtë për të.
“Dua që vetëm të ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që filmi të ju pëlqej. Ky është një moment shumë i shenjtë për mua që po e ndaj me komunitetin tim.”
Kujtojmë se “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” pati premierën botërore në konkurrencën kryesore në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights (PÖFF), premierën nordike në Festivalin e Filmit Göteborg, premierën gjermane në CineVision Competition në 40th Filmfest München, premierën greke në Festivalin e 64-të të Filmit të Selanikut.
Filmi fitoi çmime për regjinë më të mirë në edicionin e 41-të të Filmit në Bergamo, “Dielli i Artë” për filmin më të mirë dhe çmimin e kritikëve në Programin SEE në Festivalin e Filmit ‘CineDays’.
“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është aplikimi zyrtar i Shqipërisë për Akademinë Çmimet – Oscars 2023.
Filmi është prodhuar nga “Artalb Film Productions” (Shqipëri), në bashkëprodhim me “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë). / KultPlus.com
Në natën e katërt të festivait ndërkombëtar të filmit ‘PriFest’ u prezantua filmi ‘Escort’, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili pati premierën edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filmi me regji dhe skenar nga regjisori i njohur kroat, Lucas Nova, i zhanrit, dramë, thriller e krim, paraqet fatin e Miros, një producenti, jeta e të cilit ndryshon komplet pas një feste me miqtë e tij dhe një nate në hotel me një punëtore seksi, të cilën pas mesnate ai e gjen të vdekur në banjo.
Drama që e përshkon atë në ditët në vijim, ku punëtorët e hotelit, të cilët fillimisht e ndihmojnë në fshehjen e trupit, e më pas fillojnë të kërkojnë favore nga ai fillimisht më të vogla e pastaj më të mëdha, e bëjnë akoma me të vështirë jetën e tij, e cila deri në atë moment ishte e lumtur dhe pa telashe.
E i gjithë ky zhvillim që shpeshherë dukej surreal, përcjellej shpesh me imazhe të kafshëve e shpendëve duke e paraqitur në njëfarë mënyre edhe vetë jetën e njeriut.
Filmi ‘Escort’ i cili premierën e parë e pati në Festivalin e Filmit në Pula, dukej se u paraqit suksesshëm edhe në Kosovë e kjo u vërejt nga numri i pjesëmarrësve dhe duartrokitjet e publikut pas përfundimit të filmit.
Drejtori i ‘Buka Production’, produksionit kosovar të filmit ‘Escort’, Fatmir Spahiu, u shpreh se kjo premierë mbi të gjitha i dedikohet regjisorit të filmit, Lukas Nova, i cili vdiq pak javë pasi përfunduan xhirimet e filmit.
“Ky është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, një bashkëpunim në mes të Kosovës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. E veçanta e këtij projekti është fakti që do të nderohet regjisori i madh Lukas Nova i cili ka ndërruar jetë vetëm disa javë pasi ka përfunduar xhirimin e filmit dhe kjo premierë në Kosovë nuk do të jetë vetëm një premierë e thjeshtë por me të do ta nderojmë edhe punën dhe veprën e regjisorit të madh kroat Lucas Nova. Besoj që filmi që ka lënë dhe puna të cilën do ta shihni sonte është një testament i jashtëzakonshëm i tij”, tha Spahiu para shfaqjes së premierës.
E pranishme në këtë premierë, aktorja kroate, Hrvojka Begovic, e cila është edhe një prej aktoreve kryesore në këtë film, me pak fjalë u shpreh e lumtur për prezencën e saj në premierën kosovare të filmit ‘Escort’
“Faleminderit shumë që më keni ftuar në këtë premierë, shpresoj që ju do ta shijoni këtë premierë sonte, ashtu siç edhe ne i kemi shijuar xhirimet”, tha Begovic
Ndërkaq, pjesë e kastit të filmit ishte edhe aktori i njohur kosovar, Dukagjin Podrimaj, i cili edhe ishte i pranishëm në premierën në Kosovë. Ai shprehet i kënaqur me realizimin e këtij filmi, duke qenë se ishte hera e parë që po e shihte, në pamundësi për të qenë prezentë në premierën e ‘Escortës’ në Pula.
“Definitivisht është një projekt në të cilin unë kam marrë pjesë dhe kam qenë shumë i kënaqur me gjithë ekipin dhe gjithë mikpritjen që na e kanë bërë. Pavarësisht pse e kam lexuar skenarin, sonte kur e pashë filmin vëreja në disa pjesë një paritet mes njerëze dhe kafshëve dhe një ëndërre surreale që praktikisht mund të jetë edhe jeta e njeriut e tillë”, u shpreh Podrimaj për KultPlus.
Përveç Fatmir Spahiut dhe Dukagjin Podrimajt, pjesë e kasit të filmit ‘Escort’ kanë qenë edhe dy aktorë të tjerë kosovarë: Ilir Prapashtica dhe Fiona Gllavica.
Ndërkaq, pas një edicioni ku u shfaqën shumë filma të njohur shqiptarë e të huaj, sonte përmbyllet edicioni i 18-të i PriFest./KultPlus.com
Dhjetëra shkolla në Kosovë, kryesisht në zona rurale, janë mbyllur viteve të fundit, për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Objektet dikur të mbushura me nxënës, tani janë pamje e trishtë për banorët e atyre zonave.
Në një pasdite shtatori, Sebahate Sejdiu nga fshati Gurëz i Ferizajt po shihte nga rruga kryesore, në pritje të një autobusi për fëmijë.
Sebahatja ka katër fëmijë që ndjekin mësimin në Shkollën Fillore “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë, rreth katër kilometra larg.
Për 30-vjeçaren, ky është shtatori i parë që fëmijët i duhet t’i nisë me autobus për në shkollë.
Deri në këtë vit shkollor, ata i ndoqën mësimet në shkollën gati ngjitur me shtëpinë e tyre, që shërbente si paralele e ndarë e Shkollës “Besim Rexhepi”.
Kjo shkollë u mbyll sivjet, për shkak se kishte mbetur me vetëm 11 nxënës.
“Kemi pasur mbledhje, na kanë thënë që mbyllet. Edhe pse fëmijët nuk kanë dashur të mbyllet, kanë pasur dëshirë [të mësojnë] këtu, por çfarë të bëjmë…”, thotë Sebahatja për Radion Evropa e Lirë.
Shkolla “Besim Rexhepi” në fshatin Gurëz në Ferizaj [paralele e ndarë], e mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.
Në Komunën e Ferizajt thonë se po përballen me rënie drastike të numrit të nxënësve.
“Në disa shkolla, kryesisht nëpër fshatra, numri i nxënësve në dekadën e fundit ka rënë nga 50 deri në 70 për qind”, thotë komuna për Radion Evropa e Lirë, duke paralajmëruar se edhe shkolla të tjera rrezikojnë mbylljen.
Përveç Ferizajt, statistikat tregojnë se numri i nxënësve është në rënie të vazhdueshme në të gjithë Kosovën në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit publik në vitin shkollor 2022/23 është rreth 300 mijë, në krahasim me tre vjet më parë kur ishte mbi 318 mijë.
Migrimi e rënia e natalitetit janë shkaktarët më të mëdhenj të uljes së këtij numri, thonë institucionet. Zonat rurale, veçanërisht, po preken edhe nga migrimi i brendshëm i banorëve për në qytet.
Sipas të dhënave që ka grumbulluar Radio Evropa e Lirë nga një pjesë e komunave të Kosovës, të paktën 40 objekte shkollore janë mbyllur në 10 vjetët e fundit në nivel vendi.
Shumica e shkollave të mbyllura janë ato që quhen paralele të ndara të shkollave amë.
Sipas legjislacionit në Kosovë, një shkollë e caktuar mund të ketë edhe paralele, përkatësisht objekt tjetër shkollor në një lokacion tjetër, por se ndajnë udhëheqësinë e njëjtë.
Paralelet mund të themelohen kur nxënësit e një lokacioni kanë largësi mbi 4 kilometra nga shkolla amë dhe kur në atë lokacion janë më së paku 20 nxënës.
Një klasë e braktisur nga Shkolla “Naim Frashëri” në Kotlinë të Kaçanikut.
Librat, fletoret e shkrimet në tabelat mësimore kanë mbetur si të ngrira në kohë në fshatin malor të quajtur Kotlinë, në komunën e Kaçanikut.
Edhe atje, këtë vit, shkolla i mbylli dyert.
Shkollës, e cila ishte themeluar mbi 70 vjet më parë, sivjet i mbetën vetëm tre nxënës.
Nezir Kuqi, ish-drejtor i kësaj shkolle, thotë se mbyllja e këtij objekti ishte emocionale për të, meqë aty kishte mbajtur mësim dhe kishte zhvilluar karrierën.
Megjithatë, thekson ai, mësimi me pak nxënës në klasë apo klasa të kombinuara nuk është cilësor.
Pamje nga njëri prej dy objekteve ku funksiononte Shkolla “Naim Frashëri” në Kotlinë të Kaçanikut.
“Komunikimi [i mbylljes së shkollës] te nxënësit ka qenë i dhimbshëm. Por, e kanë kuptuar edhe nxënësit vetë, sepse me kalimin e kohës vetvetiu i kuptojnë gjërat, që diçka po vjen kah fundi dhe është diçka që nuk mund ta ndalosh”, thotë Kuqi.
Në Komunën e Kaçanikut thonë për Radion Evropa e Lirë se përveç shkollës në Kotlinë, në dhjetë vjetët e fundit i kanë mbyllur edhe gjashtë objekte tjera shkollore nëpër fshatra.
Shkolla paralele e ndarë “Ndre Mjeda” në fshatin Debëlldeh në Viti, e mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.
Rreth 30 kilometra larg Kaçanikut, në komunën fqinje të Vitisë shtrihet një fshat malor e turistik, i quajtur Debëlldeh.
Në vitet e fundit ky fshat ka pasur zhvillim infrastrukturor me ndërtesa të reja të restoranteve e vilave për turistë.
Megjithatë, për shkak të shpërnguljes së banorëve dhe rrjedhimisht nxënësve të fshatit, shkolla, e ndërtuar në maje të një kodre, u mbyll vitin e kaluar.
Komuna e Vitisë nuk ka bërë të ditur se kur ishte hapur kjo shkollë, por, sipas të dhënave publike, në vitin 2021 shkolla i ka pasur 15 nxënës.
Përveçse qëndrojnë të pashfrytëzuara, disa shkolla të mbyllura në vitet e fundit edhe janë dëmtuar.
Xhamat e thyer të Shkollës “7 shtatori” në Abri të Epërme të Drenasit, e mbyllur nga viti 2018.
Në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, shkolla paralele e ndarë “7 shtatori” qëndron e mbyllur që nga viti 2018.
Objektit i janë thyer dritaret dhe brendësia e tij është mbushur me mbeturina.
Kjo është një nga tri shkollat që Komuna e Drenasit i ka mbyllur në katër vjetët e fundit, për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Shkolla paralele e ndarë “Rilindja” në Godanc të Drenasit, e mbyllur më 2018.
Sipas komunës, kjo zonë vazhdon të përballet me numër të vogël të nxënësve.
Aktualisht, atje janë në funksion edhe tri shkolla të tjera me numër të vogël të nxënësve, për të cilat ende nuk është vendosur nëse do të mbyllen.
Ministria e Arsimit e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit të kaluar ka bërë një analizë lidhur me numrin e vogël të nxënësve.
“Këtë analizë e kemi diskutuar me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe iu kemi paraqitur gjendjen aktuale. Në analizë janë paraqitur edhe hapat që duhet të ndërmerren nga komunat”, thotë Ministria, pa specifikuar më shumë.
Dryni i vendosur në derën e një shkolle të mbyllur në Kosovë.
Sipas Rinor Qehajës, njohës i fushës së arsimit dhe udhëheqës i Institutit “Edguard” në Kosovë, rënia e numrit të nxënësve nuk është befasuese.
“Ajo çfarë është befasuese, është mosreagimi institucional për të adaptuar politika dhe investime në arsim karshi numrit në rënie të nxënësve”, thotë Qehaja.
Sipas tij, duhet bërë një analizë në lidhje me numrin e nxënësve për metër katror në zona të ndryshme dhe me trendet e lëvizjes së popullatës, para se të merren vendime për hapje apo mbyllje të shkollave.
Shkolla paralele e ndarë “Naum Veqilharxhi” në Vërshec të Suharekës.
Buzë kodrës dhe me pamje nga malet e gjelbëruara, qëndron e mbyllur edhe shkolla në fshatin Vërshec të Suharekës.
Deri vonë, në të mësonin më pak se 20 nxënës.
Por, disa nga banorët e fshatit e kujtojnë kur shkolla kishte më shumë gjallëri se kaq.
“Unë kujtimet si nxënës i kam të mira”, thotë Euron Daka, tani 21 vjeç.
Euroni ka kryer shkollën fillore në objektin që tani është mbyllur, për shkak të mungesës së nxënësve.
Në kohën e tij si nxënës, ai kujton të ketë pasur më shumë shokë e shoqe që mësonin bashkë në shkollë.
“Tani që është mbyllur, është keq. Normalisht, ndihem keq jo vetëm unë, por i gjithë fshati”, thotë i riu, i cili, megjithatë, mendon se klasat me shumë pak nxënës nuk e bëjnë mësimnxënien të kënaqshme. Komuna e Suharekës, në 10 vjetët e fundit, i ka mbyllur pesë objekte shkollore, për shkak të mungesës së nxënësve. /REL/ KultPlus.com
Gazeta franceze, « Journal des débats politiques et littéraires – Paris », ka botuar, të mërkurën e 16 majit 1883, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me emërimin e Pashko Vasës guvernator të Libanit.
Lideri shqiptar njihej në mjediset politiko–diplomatike osmane dhe perëndimore si një njeri i talentuar për të drejtuar poste me përgjegjësi të lartë.
Shkrimi në vijim, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » – dëshmon qartësisht se sa i vlerësuar ka qenë atdhetari shqiptar tek të huajt :
Na shkruajnë nga Konstandinopoja, 8 maj :
« Sot, supozojmë të marrë fund, dhe seriozisht kësaj here, çështja e Libanit. Nga mbledhja e organizuar më parë, diçka do të dalë në dritë, dhe Vasa Efendi me shumë mundësi do të marrë në mënyrë unanime votat e ambasadorëve, sepse ai është kandidati i propozuar.
Të shtunën, Arif Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme, thirri në një takim të jashtëzakonshëm në Portën e Lartë krerët e misioneve dhe i njoftoi se kandidati i propozuar ishte Vasa Efendiu.
Përfaqësuesit e Francës, Austrisë, Italisë dhe Gjermanisë pranuan, pa hezitim, e pa u vonuar, këtë kandidaturë. Vetëm, ambasadori i Rusisë dhe i ngarkuari me punë i Anglisë dëshironin një ‘ad referendum’ (mendimin e qeverive të tyre) ; Por besojmë se udhëzimet që ata do të marrin do të jenë të favorshme për këtë emërim ; Pra, Vasa Efendiu do të jetë pasardhësi i Rustem Pashës.
Vasa Efendiu është shqiptar. Këshilltar i vilajetit të Adrianopojës, prej disa vitesh, ai ka fituar simpatinë e të gjithë qytetarëve të saj, si myslimanë dhe të krishterë. Autor i dalluar dhe madje poet në gjuhën shqipe, Vasa Efendiu është gjithashtu një administrator i ndershëm, i zgjuar, plot meritë, vendosmëri dhe energji, dhe me padyshim, ai do t’i përmbushë detyrat e tij të reja për të mirën e të gjithëve ; Ai është, ashtu siç thonë anglezët : « The right man in the right place » (Njeriu i duhur në vendin e duhur). Kjo zgjedhje është më e mira nga çdo këndvështrim ; Shqiptarët ishin krenarë dhe të lumtur që sulltani zgjodhi njërin prej tyre për të përmbushur këto funksione të rëndësishme. Mënjanimi i Bib Dodës i pati zhgënjyer disi. Vasa është ende njëri prej tyre, dhe ata vetëm se mund të krenohen për këtë zgjedhje. Pra, incidenti libanez mori fund, Rustemi u zëvendësua, kandidati i sulltanit u pranua dhe shqiptarët janë të kënaqur ; Secili prej tyre është i kënaqur : vetëm anglezëve u vjen keq për Rustemin ; Ata kanë shumë kënaqësi të tjera si kompensim. » / KultPus.com