Andrin Aliu shënon hyrjen në letërsinë kosovare me “Shitësi”, një roman psikologjikë me një rrëfim aspak të zakontë

Në skenën letrare të Kosovës ka hyrë këto ditë edhe një autor i ri. Andrin Aliu ka publikuar romanin e tij të parë të titulluar “Shitësi”, vepër kjo e cila mundohet të sjell një frymë të re dhe një dimension të veçantë në peizazhin letrar të vendit tonë, shkruan KultPlus.

Ideja për “Shitësi” lindi në vjeshtën e vitit 2019, ndërsa nisi të shkruhej në verën e vitit 2020. Autori thekson se vendimi për të shkruar një vepër ka ardhur natyrshëm.

“Letërsia gjithmonë më ka tërhequr vëmendjen dhe mendoj se vendimi im për t’u bërë shkrimtar, ka qenë i natyrshëm, por frymëzimi për ta shkruar një libër si “Shitësi”, ka ardhur si rezultat i ndodhive të mia në jetë gjatë këtyre viteve të fundit, mes përpjekjeve të pareshtura për ta njohur më mirë veten dhe njerëzit përreth meje”, thotë Andini për KultPlus.

“Shitësi” shfaqet si një roman psikologjik dhe autori fton të gjithë ata që e duan letërsinë, ta lexojnë këtë libër, sepse sipas tij, nuk do t’iu duhet tepër kohë për t’u bindur se rrëfimi nuk është aspak i zakontë.   

Një aspekt i veçantë i historisë së lindjes së këtij libri është mënyra se si autori e ka mbajtur këtë projekt të fshehur nga familja deri në momentin e botimit, më datë 1 dhjetor. Në ditëlindjen e tij të 28, Andrin Aliu ua dhuroi kopjet e para të librit anëtarëve të familjes, duke sjellë një surprizë të bukur për ta.

“Në ditëlindjen time të 28, nxora nga çanta kopjet e para të librit dhe ua dhurova anëtarëve të familjes. Fatbardhësisht, libri u mirëprit nga ta”.

Pas shumë orëve, ditëve, netëve, javëve e muajve, duke u rrekur për të ndërtuar një histori, për të cilën Andinit ju deshën mbi tri vite punë konstante, sot, nuk ka si të mos jetë i lumtur me tërë rrugëtimin, që i parapriu librit tij të parë.

Pa dashur të zbuloj shumë, Andini na sjell një pasqyrë të shkurtër rreth përmbajtjes së këtij libri e cila është shtrirë në mbi 500 faqe.

Është vera e vitit 2012, në Prishtinë, kur jeta e Zgjimit, gjimnazist dhe bir i një dëshmori, do të ndryshojë përgjithmonë. Në të njëjtën ditë që ka filluar punën si shitës në një market, rrugës për në apartamentin e tij, ai do të hasë në një afishe ngjitur në murin e një pallati, ku shkruan: Kërkojmë mirëmbajtës të pallatit. Poshtë këtij shënimi është edhe një numër kontaktues. Zgjimit i bën përshtypje kjo ofertë pune dhe e fotografon afishen, teksa pas disa ditësh ai telefonon në numrin e shkruar në afishe.

Shumë shpejt ky djalosh do të takohet me zotërinë që kërkon një mirëmbajtës pallati, dhe do të pranojë ofertën për punë, pa e pasur idenë se punëdhënësi i tij i ri, dikur ka qenë shoku më i ngushtë i babait të tij deri në çastet e fundit të jetës, atëherë kur kishte ndodhur një prej masakrave më të llahtarshme në luftën e vitit 1999, në Kosovë.

Duke punuar si mirëmbajtës, Zgjimi do të njihet me miken e vetme të punëdhënësit të tij, një psikologe e bukur, e cila do të shëtisë me të netëve të verës dhe do të kërkojë të dijë më shumë për jetën e tij, pa e treguar arsyen e vërtetë të këtij interesimi, që i ka rrënjët qysh në periudhën e viteve te 80-ta, në ato kohët e turbullta politike, kur shpërthyen demonstratat e mëdha studentore.

Nga gjysma e rrëfimit e tutje, protagonist do të jetë edhe një mërgimtar, i cili kthehet në atdheun e vet për ta kërkuar mikun e tij të moçëm dhe të dashurën e dikurshme, duke qenë i vetëdijshëm se asgjë më nuk mund të jetë si në të shkuarën.

Të vërtetat e fshehura nga miqtë, që rrethanat e jetës i ndanë dhe i zhytën në një melankoli të thellë shpirtërore, do t’i zbulojë Zgjimi, i mbyllur në apartamentin e një filozofi në prag të vdekjes, mes mijëra shkrimeve filozofike dhe ditarëve personalë.

“Shitësi” mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Margariti: Digjitalizimi i Kullës Veneciane, ndër punët e mira për 2023-shin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau në rrjetet sociale imazhin e Kullës Veneciane. Ministrja kujtoi se kulla e Durrësit, nga një objekt i braktisur dhe i dëmtuar nga tërmeti, është kthyer jo vetëm në një qendër informimi për historinë dhe trashëgiminë, por edhe në një nga hapësirat më të preferuara të fëmijëve.

“Restaurimi dhe digjitalizimi i Kullës Veneciane, si pjesë e programit EU4Culture është një nga punët e mira të Ministrisë së Kulturës për vitin 2023”, u shpreh Margariti.

Kulla Veneciane është pjesë e kalasë së Durrësit, e cila në mesjetë konsiderohet si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Në gjysmën e parë të shekullit të XV-të kur Durrësi ishte nën pushtimin e Venedikut, kulla u rindërtua dhe mori pamjen e sotme. Kështjella e Durrësit është shpallur monument kulture, që në vitin 1948.

Kulla veneciane, në zemër të Durrësit, iu nënshtrua restaurimit pas tërmetit të fortë që goditi këtë qytet nëntorin e 2019-ës. Falë programit EU4Culture, kulla “flet” përmes programeve teknologjike multimediale./ atsh / KultPlus.com

Një grua dëbohet nga Zvicra pas 40 vitesh, nuk arriti të integrohej

Një grua nga Turqia e cila jeton në Zvicër që nga viti 1983 është dëbuar nga vendi për shkak të mungesës së integrimit. Kështu vendosi Gjykata Federale.

Ajo erdhi në Zvicër me bashkëshortin e saj të atëhershëm në vitin 1983 në moshën 19-vjeçare. Tani një nënë dhe gjyshe nga Turqia duhet të largohen nga vendi pas më shumë se 40 vitesh, shkruan “Solothurner Zeitung”, duke cituar një vendim të Gjykatës Federale.

Prandaj, gruaja u kujdes që në fillim për t’u kujdesur për fëmijët e saj, të cilët tani ishin rritur. Bashkëshorti i saj u nda prej saj në vitin 2006 dhe divorci u finalizua në Turqi në vitin 2011. Pas ndarjes, ish-i i saj refuzoi të paguante kontributet e saj për ushqim dhe ajo jetonte kryesisht me asistencë sociale; nga marsi 2006 deri në gusht 2022 shuma ishte rreth 351.546 franga.

Leja e vendbanimit iu dha fillimisht në vitin 1989 dhe më pas zgjatej çdo pesë vjet, së fundi deri në korrik 2020. Me një urdhër të datës 5 gusht 2022, Zyra e Migracionit e Kantonit të Solothurnit e hoqi lejen e vendosjes dhe e dëboi gruan nga Zvicra. . Gjykata administrative e Solothurnit hodhi poshtë ankesën kundër këtij vendimi më 8 maj 2023 dhe urdhëroi që ajo të largohej nga vendi, përcjell albinfo.ch.

Integrim i dobët

Tani gjykata më e lartë e vendit e ka hedhur poshtë ankesën si të pabazuar. Pavarësisht periudhës së gjatë të qëndrimit, “nuk mund të flitet për integrim të suksesshëm në kushtet lokale”, thuhet në vendim. Që nga ardhja e saj, gruaja është “mbështetur në mbështetjen e ish-bashkëshortit të saj, fëmijëve të saj të rritur dhe, mbi të gjitha, shtetit për rreth 17 vjet” dhe nuk është përpjekur kurrë të gjejë një punë apo të shkëputet nga kujdesi. Gjykata më e ulët “me të drejtë supozoi se kishte një interes të rëndësishëm publik për revokimin e lejes së vendbanimit”, pasi ankuesi “tashmë kishte marrë një shumë të madhe parash të ndihmës sociale”. “Pasi të jetojë në Zvicër për 40 vjet, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për ankuesin të riintegrohet në vendin e saj,” pranon Gjykata Federale. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve të gruas, kthimi në Turqi ishte i arsyeshëm: ankuesi kishte jetuar atje. Derisa ajo ishte e rritur, kthehej çdo herë për pushime dhe për këtë arsye ishte “ende e lidhur me vendin e saj nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore”. Ajo mund të mbajë marrëdhënie me fëmijët dhe nipërit e saj të rritur në Zvicër “nëpërmjet vizitave të rregullta për pushime dhe përmes mjeteve elektronike të komunikimit”. / KultPlus.com

Fest 62, mbyllet nata e tretë, spektakël dhe emocione, juria zgjedh 8 zërat e rinj që i bashkohen finales  

Nata e tretë e Fest 62 ka shënuar një pikë kulminante, duke gërshetuar muzikën më të bukur shqiptare ndër vite në skenat e festivaleve, por edhe disa prej këngëve më të njohura në Eurosong që kanë bërë historinë e këtij eventi.

Gërshetimi i zërave të rinj pjesëmarrës në Fest 62 me këngëtarë të një brezi më të vjetër, dhanë edhe mesazhin e mbajtjes gjallë të këngëve, të cilat zgjojnë natyrshëm emocione dhe provokojnë nostalgji.

Nga ana tjetër, disa prej këngëve të kënduara në skenën magjike të Fest 62, shërbyen edhe si homazh për disa personalitete që kanë kompozuar këngë të mrekullueshme për festivalet, si dhe tekstshkruesve të tyre, por që sot nuk ndodhen më mes nesh.

Ritmën, emocione, performanca mbreslënëse, mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e tokës, ishin disa prej kolonave kryesore mbi të cilat u mbështet nata e tretë e Festivalit.

Po në natën e tretë të Festivalit, juria ka përzgjeedhur edhe zërat e rinj të cilët do të shkojnë në finalen e madhe të natës së katërt, ku do të zgjidhet kënga fituese e Fest 62, si dhe ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.

Kryetari i jurisë profesionale të Festivalit, Shpëtim Kushta, në emër të jurisë bëri publik edhe emrat që juria në fjalë përzgjodhi.  

Këngëtarët që kalojnë në natën finale janë:

Shpat Deda

Irma Lepuri

Erina Seitllari

Peter Pan Quartet

Kleansa Susaj

Mikela Paluca

Martina Serreqi

Mal Retkoceri. /rtsh.al/ KultPlus.com

Vepra e artistit Ruowang në rrethrrotullimin e Koplikut

DRTK Shkodër ndau në rrjetet sociale një foto interesante nga punimet në njërin prej rrethrrotullimeve të rrugës së Koplikut. Në këtë rrethrrotullim ka marrë formë vepra e artistit me famë botërore, Liu Ruowang “Wolves Coming”,  e cila rreket të krijojë një marrëdhënie që sintetizon simbolikën e agresionit të njeriut në planetin tokë dhe reagimin e natyrës si pasojë e prishjes së këtij diversiteti.

Kjo vepër është një nga veprat e artit që do të vendosen në hapësira publike anembanë vendit.

Nisma “Art në Hapësira Publike” ka përfituar një fond prej 200 milionë lekësh, të cilin qeveria shqiptare ia besoi Ministrisë së Kulturës.

Thirrja për paraqitjen e projekteve iu drejtua jo vetëm artistëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, siç është rasti në fjalë. Në të gjithë Shqipërinë janë 18 lokacione ku janë vendosur ose do të vendosen vepra arti./ atsh / KultPlus.com

‘Libraria e magjepsur’, shfaqja në teatrin ‘Zihni Sako’ në Gjirokastër

“Libraria e magjepsur”, shfaqja e radhës për fëmijë e sjellë në skenën e teatrit “Zihni Sako” nga regjisorja Ledja Çeli, vjen në prag të festave me mesazhin e edukimit përmes librit.

Pjesa me një zhvillim dinamik dhe personazhe fëmijë të cilët po krijojnë edhe përvojë në aktrim po shfaqet çdo ditë deri në prag të Krishtlindjeve për fëmijë e të rritur, në Gjirokastër.

“Ishte një eksperiencë si për mua si për fëmijët aktorë e mbushur plot emocion dhe shumë e bukur. I falënderoj të gjithë fëmijët për durimin, dashurinë që kanë dhënë për shfaqjen dhe dua të them se sot kanë shkëlqyer të gjithë”, u shpreh regjisorja Ledja Çeli.

Fabula e shfaqjes lidhet me Deisyn një vajzë 10-vjeçare, e cila detyrohet të shesë libra në librarinë e familjes pasi gjyshi i saj gjendet i sëmurë në shtrat. Por libraria rezulton të jetë e magjepsur pasi personazhet e përrallave vijnë në botën reale dhe përballin karakteret e tyre në përpjekje për mbrojtur të mirën përballë së keqes. Pirati i zi dhe ndihmësi i tij kanë dalë nga libri dhe janë vënë në ndjekje të një thesari një gjerdan i çmuar por të tjerë personazhe si Tarzani apo Pipi Çorapegjata vijnë në ndihmë të Deizit. Kushti i vetëm është që askush të mos shihet nga njerëzit.

“Ishte eksperiencë shumë e bukur sepse asnjëherë nuk kam pasur fatin apo privilegjin për të patur dy role dhe sot e pata. Shpresoj që të gjithë fëmijët të kenë marrë një mesazh sepse ishte inkurajuese, një shfaqje nga fëmijët për fëmijët”, tha aktorja Athalia Koçi.

“Unë kisha rolin e Deizit tek shfaqja. Besoj se e përmbusha rolin 100% sepse edhe në jetën reale jam aktive e gazmore me fëmijët. Dua të bëhem aktore në të ardhmen dhe do jem shumë e lumtur nëse e arrij“, rrëfeu aktorja Megi Baxha.

“Kishim ca emocione në fillim, por siç na tha regjisorja marrim frymë thellë, boshatisim mendjen dhe bëjmë sikur publiku nuk është aty fare. Roli i piratit të zi ishte negativ, kriminel etj ndërsa roli tjetër ishte i gjyshit ishte pozitiv që rrinte me mbesën dhe e mësonte”, shtoi ajo.

Shfaqja e ndërtuar me një koreografi dinamike dhe personazhe që ndërveprojnë edhe përmes muzikës e vallëzimit përcolli mesazhin se kontakti me librin mund të jetë magjik duke i ftuar fëmijët të zbulojnë sa më shumë libra.

“Kishte një mesazh shumë të bukur që ne të lexojmë sa më shumë libra sepse na edukon dhe na jep shumë gjëra të mira“, tha një nga fëmijët që ndoqi shfaqjen.

“Më pëlqeu shumë shfaqja. Për pak më bëri për të qarë. Atje kisha shoqen time të ngushtë“, tha një tjetër.

“Libraria e magjepsur” do të rikthehet në skenë përgjatë fundvitit. Realizimi ishte një rikthim tek teatri për fëmijë pas dekadash mungese./TopChannel/KultPlus.com

Vepra e Michelangelo-s në Muzeun e Vatikanit, restauratorja: Emocion i madh ta punosh

Sa herë që Alessandra Zarelli, një restauratore në muzetë e Vatikanit, punon mbi një kryevepër të një artisti si Michelangelo, ajo qetëson zemrën në mënyrë që mendja e saj të përqendrohet në detyrën në fjalë. Në fund të ditës, ajo i kthen përsëri emocionet e saj, i lejon vetes disa momente reflektimi dhe i lë të gjitha të zhyten. Rendi i përhershëm për ekipin është të punojë me kiminë, fizikën, historinë dhe të lërë emocionet mënjanë.

“Emocioni i të punuarit në diçka si Michelangelo është vërtet i papërshkrueshëm. Por unë përpiqem të qëndroj e shkëputur gjatë kohës që jam duke punuar. Më duhet të përqendrohem në materialin dhe punën që duhet të bëj, përndryshe emocioni do të më paralizonte.”

Zarelli po punon për një pikturë të vitit 1550 të quajtur “Madonna” dhe “Fëmija i kurorëzua me shenjtorët” nga artisti italian Moretto da Brescia. Puna e ekipit u shfaq së fundmi në një ekspozitë në vendin ikonë në zemër të Romës. Restauruesit kujdesen për mijëra metra katrorë piktura murale, duke përfshirë afresket e famshme të Kapelës Sistine, si dhe rreth 5,300 piktura vaji me kornizë dhe dhjetëra statuja prej druri./KultPlus.com

Kalendari i kryeveprave, shfaqjet që do jepen gjatë vitit 2024 në skenën e Teatrit të Operas

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar sot Kalendarin Artistik për vitin 2024.

Ky është një vit dedikuar kompozitorit të madh italian, Giaccomo Puccini, pasi përkon me 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Në bashkëpunim edhe me “Fondacionin Pucciniano”, do të vihen në skenë kryeveprat si: “Il Triticco”, “La Boheme” “Maddama Butterfly” “Tosca” Il barbire di Siviglia”, etj.

Por pa harruar këtu edhe kryevepra të tjera botërore të kompozitorëve të mëdhenj si: Beethoven, Mozart, Tchaikovsky, Shostakovich, etj.

Por sipas drejtoreshës së përgjithshme Abigel Voshtina ky kalendar eshte ndërtuar mbi bazën e atyre figurave që e kanë bërë teatrin ndër vite.

“Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Është një nga ato rrëfimet shqiptare që prek çdokënd që nuk e njëh kultutrën tonë. Pra është një emblemë në 70-vjetorin e teatrit, që flet për ne, më shumë se sa vetë ne. Ky 70-vjetor do të ktheje të gjithë energjinë, bukurinë estetiken, e asaj që thërret fort, siç është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit”, Abigeila Voshtina, drejtore e përgjithshme TKOBAP.

Kompozitori Genc Tukiçi shprehu zhgënjimin e tij, që opera që ai k, tha ishte krijuar dhe ishte vendosur në kalendar për 2023 nuk u vu kurrë në skenë, dhe nuk mori një përgjigje për këtë.

Voshtina tha që Opera ka një publik te huaj dhe zgjedhja e repertorit duhet të jetë edhe ndërkombëtar, jo vetëm shqiptar. Kalendari Artistik do të përmbajë 25 premiera./TopChannel/KultPlus.com

85 vjet nga lindja e shkrimtarit dhe publicistit, Bedri Myftari

Shkrimtari dhe publicisti Bedri Myftari lindi më 21 dhjetor 1938 dhe vdiq më 08 nëntor 2013.

Bedri Myftari lindi në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 6-vjeçare, u dëbua nga vendlindja me gjithë familjen dhe u vendos në Shqipëri. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Fier, ndërsa të mesmen, Teknikumin Financiar, në Tiranë.

Në fillim të viteve ’60 punoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit “Grupi i të rinjve kundër vijës së partisë, në art dhe në letërsi” dhe si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vite iu hoq e drejta e botimit. Pas lirimit nga burgu punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës iu kthye shkrimeve dhe gazetarisë. Vdiq në Tiranë, më 8 nëntor 2013.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Fluturzat e borës”(tregime, 1967),  “Mbrëmjet e qytetit tim” (tregime, 1969), “Ti je Eva” (poezi, 1996), “Bardh e zi” (publicistikë, 2000), “Vajza e rojtarit të pyllit” (përralla, 2003), “Pas Kastadivës”(roman, 2007). / KultPlus.com

’Arrëthyesi’ mbyll vitin në TKOB

Teatri i Operas dhe Baletit shfaqjet në Tiranë do t’i mbyllë me baletin e mirënjohur “Arrëthyesi”. Në prag Krishtlindjesh shfaqja klasike me muzikë të Tchaikovsky, do të sjellë magjinë e ëndrrave me një fabul që mbështetet mbi dashurinë.

Për herë të parë, kjo shfaqje do të interpretohet edhe për një publik special, për ata që kanë vështirësi në dëgjim. Genti Mumajesi, është ai që do të përkthej çdo lëvizje për publikun e veçantë.

Edhe për balerinat ajo mbrëmje jo vetëm që do të jetë e veçantë, por edhe shumë sfiduese për to. Datat 22, 23, 24 janë bërë ‘sold out’ që prej një jave duke rikonfirmuar dhe një herë suksesin dhe dashurinë që publiku ka për këtë kryevepër botërore./KultPlus.com

OpenAI: Një ekip do të vlerësojë rreziqet ‘katastrofike’ të IA

OpenAI do të mbështetet në një ekip dhe udhëzime për të vlerësuar “risqet katastrofike” të inteligjencës artificiale në modelet aktualisht në zhvillim.

Njoftimi vjen një muaj pasi bordi i kompanisë shkarkoi CEO Sam Altman, më pas e ripunësoi atë pasi punonjësit dhe investitorët u revoltuan.

“Ne besojmë se studimi shkencor mbi rreziqet katastrofike që lindin nga inteligjenca artificiale është shumë më poshtë se sa duhet,” shpjegoi OpenAI, kështu që ”udhëzimet ndihmojnë për të mbushur këtë boshllëk”.

Sipas mediave amerikane, anëtarët e bordit të drejtorëve të kompanisë kishin kritikuar Altman për favorizimin e zhvillimit të përshpejtuar të OpenAI.

Ekipi i monitorimit dhe vlerësimit do të fokusohet në modelet në zhvillim dhe do të caktojë një nivel rreziku, nga “i ulët” në “kritik”, në katër kategori kryesore.

Mund të përdoren vetëm modelet me një rezultat rreziku “mesatar” ose më të ulët. Kategoria e parë ka të bëjë me sigurinë kibernetike dhe aftësinë e modelit për të kryer sulme kibernetike në shkallë të gjerë.

E dyta mat prirjen e softuerit për të kontribuar në krijimin e një përzierjeje kimike, një virusi ose një arme bërthamore. Kategoria e tretë ka të bëjë me fuqinë bindëse të modelit, pra shkallën në të cilën ai mund të ndikojë në sjelljen njerëzore.

Kategoria e fundit e rrezikut ka të bëjë me autonominë e mundshme të modelit, veçanërisht nëse ai mund t’i shpëtojë kontrollit të programuesve që e krijuan atë.

Pasi të identifikohen rreziqet, ato do t’i dorëzohen Grupit Këshillues të Sigurisë të OpenAI, organi që do t’i bëjë rekomandime Altman ose një personi të caktuar prej tij. Menaxheri i OpenAI do të vendosë më pas për çdo ndryshim që duhet të bëjë në një model për të zvogëluar rreziqet e lidhura./KultPlus.com

The Libertines këndojnë hitin e The Pogues (VIDEO)

The Libertines e kanë kënduar hitin klasik të The Pogues, Fairytale of New York, në nderim të Shane McGowanit i cili vdiq në fillim të dhjetorit.

Ata e ndanë videon e kësaj kënge në faqen e tyre zyrtare në Instagram.

“Pusho në paqe, Shane, kjo shkon për ty, dost “, është mbishkrimi në postimin e tyre./KultPlus.com

Tek ti arrihet


Poezi nga Pedro Salinas.
Përkthyer nga Skënder Buçpapaj.

Tek ti arrihet vetëm nëpërmjet teje.
Të pres.

Mua po dihet se ku më gjen,
dihet qyteti im, rruga, emri
me të cilin të gjithë më thërrasin.
Por nuk e di ku kam qenë me ty.
Atje më ke çuar ti.

Si mund ta mësoja rrugën
nëse nuk shikoja asgjë tjetër veç teje,
nëse rruga ishte atje ku ti shkoje,
e fundi ishte atje kur ti ndaleshe?
E çfarë tjetër mund të ishte
më shumë se ti që afroheshe, duke më parë?

Por tani çfarë azili,
çfarë mungese,
e të qëndruarit ku rrihet.
Pres, kalojnë trenat,
fatet, vështrimet.
Do më çoje ku nuk kam qenë kurrë.
Por unë nuk kërkoj qiej të rinj.
Unë dua të rri ku kam qenë.
Me ty, të kthehem.
O çfarë risie,
të kthehemi edhe një herë tjetër,
të mos e përsërisim asnjëherë njëlloj
atë trallisje pa fund.

E gjersa të mos vish ti
unë do të rri në bregun
e fluturimeve, të ëndrrave,
të yjeve, i palëvizshëm.
Se e di, atje ku kam qenë
nuk më çojnë as flatrat, as rrotat, as velat.
Ato rendin kuturu.
Se e di, atje ku kam qenë me ty
shkohet vetëm me ty, nëpërmjet teje./KultPlus.com

Yll Limani risjell këngën ‘Sonte’ të grupit ‘Marigona’ (VIDEO)

Këngëtari Yll Limani ka publikuar sot albumin e tij të ri me titull ‘Tjetër’, përcjell KultPlus.

Në mesin e këngëve të publikuara, Yll Limani ka risjellë edhe këngën ‘Sonte’, një ripërpunim të këngës ikonë të grupit të njohur ‘Marigona’.

Ndërsa këngët që këngëtari ka sjellë në albumin ‘Tjetër’ janë: ‘Eja’, ‘Tuat’, ‘Gjuje’, ‘Nuk po ecë’, ‘Ndjenjë’, ‘Kanë me t’u kujtu’, ‘Mos harro’, ‘Borxhi’, ‘Injoro’, ‘Mos prit’, ‘Kqyrëm tu shku’./KultPlus.com

Në vijim KultPlus ua sjell likun e këngës ‘Sonte’:

‘Aureolë akulli’, fotografohet fenomeni i rrallë natyror në Bavari

Një foto mahnitëse nga Bavaria me borë është publikuar nga fotografi gjerman Bastian Werner. Konkretisht në Allgäu, një rajon në Suabia në Gjermaninë jugore, një kishë e vogël është e rrethuar nga mjegulla akulli.

Ky fenomen i rrallë quhet ‘aureolë akulli’. Fotografi gjerman në mbishkrimin e publikimit të tij shkruan ndër të tjera se “nuk e priste kurrë të shihte një pamje të tillë pasi është një fenomen shumë i rrallë”.

Madje, ai shprehet se kishte rreth dhjetë vjet që e kërkonte këtë fenomen, por nuk e kishte hasur asnjëherë. Tani, ai ndihet shumë me fat që më në fund ia doli.

Imazhi i frikshëm po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe sipas të përditshmes postare është shpërndarë edhe nga NASA./KultPlus.com

Fustani i Princeshës Diana shitet për më shumë se një milion euro në ankand

Një fustan i veshur nga Princesha Diana në 1985 u shit për 11 herë çmimin e tij origjinal.

Fustani i zi i mbrëmjes u shit në një ankand në Hollywood për 1,150,000 euro. Ky është rekordi për shitjen e pjesëve të modës të veshura nga princesha.

Fustanin e vlerësuar rreth 100 mijë euro, Princesha Diana e veshi në Firence në vitin 1985 në një darkë. Ajo ishte në shoqërinë e burrit të saj të atëhershëm, Princit Charles, i cili tani është mbreti britanik.

Më pas ajo e veshi përsëri në një koncert të orkestrës simfonike në Vankuver, Kanada një vit më vonë. Ai është bërë nga një pëlhurë e përzgjedhur nga tregtari i famshëm i tekstilit Jakob Schlefr, mbi të cilin janë qëndisur me kujdes yjet.

Fustani është punuar me dorë nga ekipi i dizajnit të krijuesit Jacques Azaguri./KultPlus.com

Ekspozita imersive në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, Margariti: Prekni nga afër engjëj e shenjtorë

Këtë fundjavë Korça do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, do të çelet një nga ekspozitat më të veçanta në vend.

“Prekni nga afër engjëj e shenjtorë! Për herë të parë pasuria ikonografike e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar vjen e “gjallë” përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Galeria e Arteve Digjitale (GAD) do të ofrojë përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.

Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”

Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit do të jetë e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00.
Siç shkruhet në faqen e Galerisë së Artit Digjital Korçë, duhet të përgatiteni të përjetoni një udhëtim pamor mahnitës që përshkon shekujt e ikonografisë shqiptare, nëpërmjet punëve të jashtëzakonshme të mjeshtrave të mëdhenj të artit mesjetar.

Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./KultPlus.com

Amazon është shpallur si brendi më i madh në botë për vitin 2023, kush tjetër është në top listë

Amazon u kurorëzua si marka më e fuqishme në botë, e cila ka një vlerë prej 299.28 miliardë dollarësh.

Në studimin e botuar të martën, Agjencia e Analizës Financiare “TradingPedia”, gjiganti i tregtisë online u ngjit në renditje duke lënë pas vetes liderin e deritanishëm, Apple-n, i cili humbi 16 për qind të vlerës së saj dhe “ra” në 297.51 miliardë dollarë.

Google e gjeti veten në vendin e tretë pasi rriti vlerën e saj për gati 18 miliardë dollarë nga viti i kaluar dhe arriti në 231.38 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë vendi me më shumti kompani që renditen në TOP-20 markat më të suksesshme.

Kompania më e madhe që nuk është nga shteti amerikan është ai teknologjik i Koresë së Jugut, Samsung, i cili është në vendin e gjashtë me 99.66 miliardë dollarë, përcjell Telegrafi.

Vetëm dy kompani evropiane gjenden në 20 vendet e para, në të dy rastet falë Gjermanisë. Vlera prej 62.93 miliardë dollarësh e “Deutsche Telekom” e vendos atë në vendin e 11-të, ndërsa automjeti luksoz Mercedez-Benz është në vendin e 16-të me një vlerë prej 58.8 miliardë dollarësh.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë udhëheqës të qartë në skenën botërore në listën e 500 markave më të mira. Shtetet e Bashkuara kanë 202 marka në këtë listë ndërsa Kina 79 sosh.

Gjermania ka shtatë marka në mesin e 100 më të mirave, e ndjekur nga Japonia me gjashtë, Koreja e Jugut me katër dhe tre i ka Mbretëria e Bashkuar. / KultPlus.com

Bukowski: Unë do të doja një dhjetor me dritat e fikura dhe njerëzit e ndezur

facebook sharing button

Henry Charles Bukowski ka qenë një poet dhe shkrimtar i njohur. Ai ka lënë pas 6 romane, disa tregime, dhjetëra poezi dhe aforizma që citohen kudo në rrjetet sociale, apo në portale të ndryshme.

Në vazhdim do të keni mundësinë të lexoni disa nga thëniet më të bukura të Bukowskit:

Problemi i kësaj botë është se njerëzit inteligjent janë plot dyshime, kur idiotët janë të mbushur me vetëbesim.

Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

Pa letërsi, jeta është një ferr.

Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

 Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.

Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.

Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.

Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.

Jam i sigurtë që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.

 Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.

Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.

Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!

Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.

Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.

Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.

Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng.

Skllavëria nuk u shfuqizua kurrë, ajo vetëm u shtri për të përfshirë të gjitha ngjyrat. / KultPlus.com

Alban Bujari hap ekspozitën me fotografi të shkrepura gjatë pandemisë

Është hapur ekspozita në lidhje me COVID-19 e fotografit Alban Bujari në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita shfaq fotografi të autorit që janë shkrepur gjatë kohës së pandemisë, izolimit, karantinimit të zonave të caktuara, kufizimit të lëvizjes e fillimit të vaksinimit kundër virusit, transmeton Klan Kosova.

Në këtë organizim po marrin pjesë qytetarë dhe adhurues të fotografisë të cilët kanë mundësinë të shohin nga afër krejt punën e cila është e shkrepur gjatë pandemisë. / KultPlus.com

Sot është dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit, çka nënkupton solstici dimëror

Sonte është solstici dimëror, domethënë momenti kur Dielli në lëvizjen e tij të dukshme arrin pikën e tij më jugore.

Zyrtarisht ka nisur dimri, që do të thotë se duke filluar nga sot na presin ditë më të gjata dhe ditë me më shumë dritë dite.

Nata e sonte në hemisferën veriore është më e gjata, dhe dita është më e shkurtra.

Data e solsticit të dimrit, dita më e shkurtër e vitit në hemisferën veriore, zakonisht përkon me ditën e parë të dimrit.

Por data e solsticit të dimrit mund të ndryshojë nga 20 deri më 23 dhjetor.

Solstici dimëror shënon një pikë kthese të madhe vjetore, fillimin astronomik të dimrit dhe kalimin në një periudhë kur ditët bëhen më të gjata dhe më të ndritshme dhe netët shkurtohen.

Termi solsticë vjen nga latinishtja solstitium, që do të thotë “pushimi i diellit”.

Solstici i dimrit është një ngjarje e festuar nga popujt e lashtë dhe ky fenomen i trembi ata.

Për shkak të ditës së shkurtër në shumë kultura të lashta, 21 dhjetori festohej si dita e vdekjes dhe rilindjes së hyjnive që simbolizonin pjellorinë, dritën dhe Diellin.

Ndërsa këtu sot është dita më e shkurtër, situata është krejtësisht ndryshe në hemisferën jugore, ku jeton vetëm dhjetë për qind e popullsisë së botës.

Prandaj, atje solstici i dhjetorit shënon ditën më të gjatë të vitit dhe fillimin e verës./ KultPlus.com

SBAShK-u kërkon rrogën e 13 për mësuesit më të dalluar

Në muajin janar të vitit 2021 është nënshkruar kontrata e fundit kolektive në arsim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut thotë se në janarin e vitit 2024 duhet të fillojnë bisedat për kontratën e re.

“Validiteti i kontratës aktuale vlen së paku deri në janarin që po vjen sepse me ligjin e Punës, çdo tre vjet duhet përtri dhe nënshkruar kontrata e re. Të dy palët janë të obliguara me ligj që të ulen dhe të bisedojnë për kontratën. Edhe pse në kontratën e kaluar shkruan se është me afat të pacaktuar, palët do të ulen të bisedojnë për ndonjë shtim apo aneks apo nen të ri dhe besoj që përkundër fërkimeve që i kemi, zonja Nagavci do e respektoj obligimin ligjor dhe do të formoj komisionin e vet” – deklaroi Jasharaj.

SBASHK-u, për kontratën e re kanë një kërkesë të veçantë.

“Do të filloj, po them në mënyrë figurative, një betejë e vërtetë për një kontratë edhe më të mirë. Në përgjithësi jemi të kënaqur me ato që i kemi por do të insistoj që për ata që janë më të dalluarit në sistemin arsimor dhe që dallohen me arritje, qoftë klasa e tyre, qoftë ata me profesion që ta kenë edhe pagën e trembëdhjetë si shpërblim për punë. Kjo nuk do të ju takoj të gjithëve por vetëm atyre që dallohen”- shtoi Jasharaj.

Kjo bëhet që të nxiten mësimdhënësit të arrijnë rezultate më të mira dhe të jetë një lloj gare në mënyrë që ta fitojnë pagën e 13-të./ Gazeta express/ KultPlus.com

20 filmat më të mirë të vitit 2023

Viti 2023 është drejt mbylljes, ndërsa as gjatë këtyre muajve nuk kanë munguar filmat që kanë bërë bujë në treg.

BBC ka vëzhguar një seri filmash të cilat kanë hyrë në tregun kinematografik për vitin 2023.

Detajet kanë bërë diferencën, ku në renditje kanë kryesuar 20 prej prodhimeve kinematografike. Më poshtë do të gjeni filmat të cilat kanë kryesuar:

Saint Omer

Saint Omer është një film dramatik i vitit 2022 me regjisore Alice Diop. Në film personashi Rama (Kayije Kagame), një romanciere shtatzënë, që shkon në qytetin e Shën Omerit për të dëshmuar gjyqin e Laurence Coly (Malanda), një grua senegaleze e akuzuar për vrasjen e fëmijës së saj 15 muajsh. Regjisorja franceze e bazoi dialogun e saj në transkriptet e gjykatës, por rezultatet shkojnë përtej fakteve duke krijuar një film magjepsës me dy gra të forta në ekran.

Holy Spider

Filmi Merimanga e Shenjtë e regjisorit iranian Ali Abbasit bazohet në historinë e vërtetë të një burri të martuar (Mehdi Bajestani), i cili vrau 16 punonjëse seksi në qytetin e Iranit në vitin 2000- 2001. Në rolin kryesor luan Zar Amir Ebrahimi, e cila heton krimet. Kthesa provokuese është se disa qytetarë dhe politikanë e shohin vrasësin si një hero lokal në një kryqëzatë morale.

Polite Society

Filmi i Nida Manzoor është një nga komeditë më argëtuese tw vitit 2023. Regjisorja britanike ka zgjedhur të krijojë një heroinë adoleshente të quajtur Ria (Priya Kansara), me prejardhje pakistaneze, e cila ka vendosur të ndjek artet marciale. Filmi bëhet interesant  kur motra e madhe e Rias, Lena  vendos të martohet me një burrë të pasur, për të cilin ajo dyshon se nuk është ashtu siç duket. Komedia ndërthur të gjithë elementët e tij, nga skemat komike të Ria-s për të penguar dasmën, deri te skena e saj e kërcimit gati për Hollywood.

How to Blow Up a Pipeline

Frymëzuar nga libri i Andreas Malm, ky film thriller i vitit 2022 prezanton një grup eko-aktivistësh që po planifikojnë të bombardojnë një tubacion nafte në Teksasin Perëndimor. Ata të gjithë janë prekur nga ndotja, lakmia e korporatave dhe kriza klimatike, dhe besojnë se kjo është e vetmja mënyrë për të luftuar. Regjisori amerikan Daniel Goldhaber vë në fokus një grup prej tetë të rinjsh të cilët ndërmarrin veprime ekstreme në adresimin e krizës klimatike.

Past Lives

Filmi i Celine Song është një romancë që hedh poshtë klishet e zhanrit. Nora (Greta Lee) dhe Hae Sung (Teo Yoo) janë dy shokë klase të lidhur shumë me njëri-tjetrin, deri në momentin që  familja e Norës emigron në Kanada dhe shoqëria e tyre ndahet. Vite më vonë, kur ajo është e martuar dhe jeton në New York, Hae Sung rihyn në jetën e saj. Filmi ndërthur historinë e dashurisë së Norës shumë kohë më parë për Sung si edhe martesën e saj me bashkëshortin Arthurin (John Magaro).

Suzume

Suzume është një film i animuar japonez i vitit 2022. Filmi flet për një nxënëse adoleshente e cila zbulon se dyert në qytetet e braktisura të Japonoë përdoren për një dimension tjetër. Adoleshentja Suzume sëbashku me të riun Souta Munakata parandalojnë një sërë fatkeqësish që ndodhin në të gjithë Japoninë. Regjisori i filmit Makoto Shinkai në këtë film balancon fantazinë magjike me ngrohtësinë, si dhe humorin dhe shqetësimin e thellë për vendin e tij.

Oppenheimer

Filmi i mrekullueshëm i Christopher Nolan është ndër më të mirët e karrierës së tij. Ai kombinon të gjithë elementët që ka sjellë në filmat e tjerë me veprimin e paqëndrueshëm të trilogjisë “The Dark Knight”. Aty luan Cillian Murphy në rolin e J. Robert Oppenheimer, fizikanti teorik amerikan i cilësuar si “babai i bombës atomike” për rolin e tij në Projektin Manhattan. Bazuar në biografinë “American Prometheus” të vitit 2005 nga Kai Bird dhe Martin J. Sherwin , filmi kronikon karrierën e Oppenheimer, me historinë e fokusuar kryesisht në studimet e tij, drejtimin e Projektit Manhattan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rënien e tij përfundimtare nga hiri.

Broker

Filmi ndërmjetësi është po aq i hidhur dhe i nuancuar sa filmat e mëparshëm nga Hirokazu Koreeda dhe gjithashtu vepra e tij më qesharake, më e pëlqyeshme për turmën. Prodhimi i parë korean i shkrimtarit dhe regjisorit japonez është një film romantik rrugor që të kujton Little Miss Sunshine. Song Kang Ho luan një pronar lavanderie në Busan. Me ndihmën e një djaloshi ai u shet foshnjat e padëshiruara çifteve që duan të anashkalojnë procesin ligjor të birësimit, por vetëm pasi të jetë i kënaqur se ata janë prindërit idealë për fëmijën.

Anatomy of a Fall

Fituesja e Palmës së Artë të këtij viti në Festivalin e Filmit në Kanë. Dama e regjisores Justine Triet tregon historinë e një shkrimtareje të akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj. Një film i bërë me qartësi të jashtëzakonshme edhe pse eksploron një kërkim për të vërteta që mund të mos gjenden kurrë. Sandra Huller luan të akuzuarin, i quajtur gjithashtu Sandra, bashkëshorti i së cilës u rrëzua për vdekje nga dritarja e shtëpisë së tyre në Alpet Franceze.

Reality

Realiteti është një film dramatik amerikan i vitit 2023 me regji të Tina Satter dhe James Paul Dallas. Në qershor 2017, agjentët e FBI-së vizituan shtëpinë e zbulueses amerikane Reality Winner që kishte nxjerrë një dokument të klasifikuar në shtyp. Filmi debutues i Tina Satter dramatizon takimin e tyre, me Sydney Sweeney në rolin kryesor dhe dialogu i marrë me shumicë nga regjistrimet e bëra në atë kohë. Çfarë do të thotë kjo është se marrja në pyetje e ulët ka përsëritjet dhe hezitimet e të folurit aktual, gjë që e bën filmin të duket afër realitetit.

Killers of the Flower Moon

Eshtë një film dramë amerikan i vitit 2023, me regji dhe bashkëprodhim nga Martin Scorsese i cili sëbashku me Eric Roth.shkroi skenarin e filmit. Duke u mbështetur në librin jo-fiction të David Grann për vrasjet e dhjetëra anëtarëve të fisit Osage në Oklahoma të viteve 1920, Scorsese vendos një histori mbresëlënëse të një martese, fuqie dhe parash me gjithë dhunën, racizmin dhe urrejtjen etnike. Aktorët kryesorë të filmit janë Robert De Niro, i ashpër dhe i pashpirt pasi baroni i fuqishëm i bagëtive William Hale dhe Leonardo DiCaprio është gjallë si nipi i tij mercenar, Ernest.

Barbie

Është një film komedi fantazi i vitit 2023 drejtuar nga Greta Gerwing, një skenar që ajo shkroi sëbashku me Noah Baumbhac . Bazuar në kukullat e modës me të njëjtin emër nga Mattel , është filmi i parë live-action Barbie pas shumë filmave të animuar kompjuterik. Filmi luan Margot Robbie si personazhi kryesor dhe Ryan Gosling si Ken, dhe ndjek çiftin në një udhëtim të vetë-zbulimit pas një krize ekzistenciale.

American Fiction

Filmi i shkrimtarit dhe regjisorit Cord Jefferson ndërthur një dramë të nuancuar familjare me një satirë të guximshme dhe qesharake të stereotipeve racore. Në një performancë të ekuilibruar, Jeffrey Wright si një romancier dhe akademik e cilëson filmin aq të neveritur nga gjendja e kulturës dhe aq të lodhur nga imazhet reduktuese të njerëzve me ngjyrë, saqë ai shkruan një libër duke përfshirë çdo stereotip, vetëm për të pasur ngacmimin e tij të shkruar me inat.

The Creator

Krijuesi funksionon si një i vetëm  në një kohë kur shumica e filmave të këtij lloji janë përpjekje flagrante për të krijuar ekskluzivitete. Me regji dhe bashkëshkrim nga Gareth Edëards ,filmi është vendosur në një të ardhme shumë të afërt, kur njerëzimi po lufton për mbijetesë kundër robotëve artificialisht inteligjentë. Në të luajnë John David Washington , Gemma Chan , Ken Watanabe , Sturgill Simpson dhe Allison Janney.

Origjina

Origjina është një film dramatik amerikan i vitit 2023, shkruar dhe drejtuar nga Ava DuVernay . Ai bazohet në librin rigoroz Origjina e pakënaqësive tona nga Isabel Wilkerson i cili argumenton se kasta, edhe më shumë se raca, i nënshtron njerëzit në mbarë botën. Performanca e Aunjanue Ellis si Wilkerson krijon një personazh sa cerebral dhe të përzemërt. Filmi mban gjithmonë në horizont argumentin historik gjithëpërfshirës të librit, duke i dhënë atij formë dramatike me skena nga një djegie librash naziste të Luftës së Dytë Botërore, deri te paprekshmet që pastronin kanalizimet në Indinë e shekullit të 20-të dhe vrasja e vitit 2012 të adoleshentit me ngjyrë Trayvon Martin, i cili tmerroi SHBA-në.

The Holdovers

Krishtlindje, 1970. Një djalë adoleshent i zemëruar detyrohet të kalojë festën pa miq dhe familje në shkollën e tij të madhe me konvikt, kështu që i bie një mësuesi historie (Paul Giamatti) dhe një kuzhiniere të ndjerë (Da’Vine Joy Randolph ) për t’u kujdesur për të. E mbushur me shaka dhe ngjyra nga skenaristi i saj, David Hemingson, kjo komedi e ngrohtë festive është drejtuar nga Alexander Payne. Në të vërtetë, Payne dhe Giamatti bashkëpunuan në Sideways në vitin 2004 që The Holdovers mund të jetë projekti më i lezetshëm në të cilin secili prej tyre është përfshirë që atëherë.

All of Us Strangers

Është një film fantastik romantik i vitit 2023 , shkruar dhe drejtuar nga Andrew Haigh , dhe i bazuar në romanin e vitit 1987 Strangers nga Taichi Yamada . Në film luajnë Andrew Scott , Paul Mescal , Jamie Bell dhe Claire Foy.  Andrew Scott nuk ka qenë kurrë më i mirë apo më prekës, si një shkrimtar i moshës së mesme Adam, i cili fillon një marrëdhënie me një burrë më të ri, i luajtur me energji dhe dobësi nga Paul Mescal.  Duke shkruar për prindërit e tij të ndjerë (Claire Foy dhe Jamie Bell), Adami imagjinon se ai mund të hyjë në të kaluarën dhe t’i takojë ata si i rritur, megjithëse ata nuk janë plakur që kur ishte 12 vjeç.

Poor Things

Të varfrit është një film fantazi komedi i vitit 2023 me regji nga Yorgos Lanthimos dhe shkruar nga Tony McNamara . Ai bazohet në romanin e vitit 1992 me të njëjtin emër nga Alasdair Grey . Në film luajnë Emma Stone , Mark Ruffalo , Willem Dafoe , Ramy Youssef , Christopher Abbott dhe Jerrod Carmichael . Komploti i tij fokusohet te Bella Baxter, një grua e re viktoriane, e cila, pasi ringjallet në mënyrë të vrazhdë nga një shkencëtar pas vetëvrasjes së saj, ikën me një avokat të shthurur për të nisur një odise të zbulimit të vetvetes dhe çlirimit seksual.

The Boy and the Heron

Mjeshtri i aminacionit Hayao Miyazaki, rikthehet pas një dekade me një vepër tjetër madhështore që lëviz mes realitetit dhe fantazisë si dhe bashkon shumë fije nga jeta e tij dhe filmat e mëparshëm. I vendosur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, historia përqendrohet tek një djalosh i quajtur Mahito, nëna e të cilit është vrarë nga një bombë në Tokio dhe babai i të cilit punon për një kompani që krijon avionë ushtarakë japonezë. Mahito hyn në një botë magjike ku nëna e tij shpesh mund ta thërras atë dhe ku ai ndeshet me shumë rreziqe të tjera. Nëpërmjet Mahito-s së vetmuar, të patrembur, filmi eksploron pikëllimin dhe vijën e paqartë midis jetës dhe vdekjes në stilin e pagabueshëm të Miyazaki-t.

Maestro

Bradley Cooper ndjek debutimin e tij regjisorial me një tjetër rrëfim të thelluar të dashurisë në biznesin muzikor, duke dëshmuar në këtë proces se ai nuk është thjesht një aktor që po kalon pas kamerës, por një drejtor kryesor më vete. Biografia e tij e gjallë dhe teknikisht verbuese e Leonard Bernstein është dalluese në disa mënyra, jo më pak në atë që injoron disa nga arritjet më të famshme të kompozitorit dhe dirigjentit, për t’u fokusuar në martesën e tij të gjatë me Felicia Montealegre. Performanca e shkëlqyeshme e Carey Mulligan si Montealegre është një kulm i karrierës dhe Cooper dhe pothuajse po aq mbresëlënës në rolin qendror./ albinfo.ch / KultPlus.com

Një ekspozitë për “Gjyqet” e diktaturës vjen në Muzeun “Marubi”

Muzeu “Marubi” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare do të çelin së shpejti ekspozitën “Gjyqet”. Ekspozita vjen si një hulumtim nga kuratorët Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.

E themeluar në vitin 1920, si Zyra e Parë e Shtypit, në Shqipëri, menjëherë pas çlirimit (29.12.1944), ky institucion u shndërrua në ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), institucioni i vetëm informativ i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë gjatë diktaturës, që kishte si synim përhapjen e informacionit zyrtar mbi veprimtarinë ideologjike, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore që zhvillohej në Shqipëri, si dhe mbi ngjarjet politike në botë.

Ekspozita që do të çelet më 29 dhjetor, përdor nga ATSH-ja vetëm imazhet fotografike të një periudhe dhe procesi të posaçëm, duke u mbështetur në një paradoks që flet sa për një kohë të caktuar, aq edhe për fotografinë. Është zgjedhur një periudhë politike (1945-1961), kohë kur diktatura shfaqte hapur qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë një ndjenjë frike e pasigurie ndaj njerëzve dhe duke rritur pacënueshmërinë e plotfuqinë e saj.

Sot, ky akt regjistrimi fotografik, na tregon padyshim edhe një pikëpamje tjetër: nxjerrjen në pah të diçkaje që nuk kishte ndërmend të shfaqte; një gjyq të fotografisë së gjyqeve.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga pasditja e 29 dhjetorit 2023 deri më 24 mars 2024. / atsh / KultPlus.com