Kryeministri Kurti përkujton masakrën në familjen Bogujevci: Kopshti me diell pret festën e madhe të ditës së lindjes së Norës

Sot janë mbushur 25 vite nga masakra në familjen Bogujevci, përcjell KultPlus.

Në përkujtim të kësaj masakre, mbrëmë u dha edhe shfaqja ‘Kopshti i hijeve’ ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Kopshti me diell pret festën e madhe të ditës së lindjes së Norës.

Pastaj, kopshtin e mbuluan hijet. Dita u bë 2000 orë. Të shtëna. Tanke. Sirena.

U kthyem pas në 28 marsin e vitit 1999, në kopshtin e familjes Bogujevci. Kënga e vallja e fëmijëve u ndal. I rreshtuan te muri. “Ata janë veҫ fëmijë!” ishin fjalët e fundit të Nënës. “Shkorpionët” e Serbisë hapën zjarr. Qëlluan me plumba.

Pesë nga fëmijët mbijetuan, përkundër 32 plumbave që shpuan trupat e tyre. Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci.

Shfaqja teatrale “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir, me regji të Nastazja Domaradzka, mbrëmë na solli rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Narracioni ishte teatral, por historia e vërtetë. Personazhet ishin aktorë, por emrat ishin të vërtetë. Disa role i kishim në skenë, e personazhin e vërtetë në audiencë.

Kopshti është ende aty. Skena ishte teatrale, por rrëfimet e përjetimet reale. Ashtu do të mbeten përherë në kujtesën tonë. Siç thanë personazhet, asgjë kurrë nuk mundet me u humb e as me u harru./KultPlus.com

Christopher Nolan dhe Emma Thomas marrin titullin Kalorës dhe Damë

Regjisori i filmit, Christopher Nolan dhe bashkëshortja e tij, producentja e filmit Emma Thomas, do të marrin respektivisht titullin Kalorës dhe Damë, sipas BBC.

Qeveria tha se dyshja do të nderohet për kontributin e tyre në film.

Në fillim të këtij muaji, Nolan fitoi çmimin e parë “Oscar” si regjisori më i mirë në filmin “Oppenheimer”.

“Oppenheimer” arrite të merrte shtatë çmime gjithsej.

“Mendoj se secili prej nesh që bën filma e ëndërron këtë moment. Por dukej kaq e pamundur që kjo mund të ndodhte ndonjëherë”, tha Thomas duke pranuar çmimin për Filmin Më të Mirë.

Nolan, më parë ishte nominuar për gjashtë çmime “Oscar”, por nuk kishte fituar kurrë një “Oscar” për Regjinë Më të Mirë deri në ceremoninë e këtij viti.

Përveç “Oppenheimer”, Thomas ka punuar gjithashtu në një seri filmash të tjerë të Nolan duke përfshirë; “Tenet”, “Dunkirk”, “Interstellar”, “The Dark Knight”, “The Prestige”, “Batman Begins”, “Insomnia and Memento”.

Dyshja u takuan ndërsa ishin studentë në “University College London” dhe u martuan në 1997. Ata kanë katër fëmijë së bashku dhe jetojnë në Los Anxhelos. /atsh / KultPlus.com

Louis Gossett Jr. fituesi i çmimit “Oscar” vdes në moshën 87-vjeçare

Louis Gossett Jr., fitues i çmimit “Oscar” për portretizimin e një rreshteri të vendosur në filmin “An Officer and a Gentleman” dhe i një çmimi “Emmy” për performancën e tij si një skllav i dhembshur në mini-serialin historik “Roots”, ka vdekur ne moshën 87-vjeçare, sipas “The Hollywood Reporter”.

Kushëriri i parë i Gossett, Neal L. Gossett tha se aktori vdiq dje në mbrëmje në Santa Monica, ndërsa shkaku i vdekjes nuk dihet ende.

Në vitin 2010, Gossett njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në prostatë.

Ai ishte aktori i dytë me ngjyrë që fitoi një çmim “Oscar”, pas Sidney Poitier në 1964.

Për rolin e rreshterit, Gossett u trajnua për 30 ditë në Divizionin e Rekrutimit të Trupave Detare, në veri të San Diegos.

Gjatë karrierës së tij 60-vjeçare, Gossett shkëlqeu në një sërë rolesh racore jo stereotipike, duke luajtur shefin e një stafi të spitalit në serialin “The Lazarus Syndrome” të vitit 1979 dhe personazhin e Gideon Oliver, një profesor antropologjie, në një seri filmash misterioz të vitit 1989.

Në vitin 2006, Gossett themeloi fondacionin jofitimprurës Eracism, një “ofensivë e vetëdijshme” për të çrrënjosur të gjitha format e racizmit duke ofruar programe që nxisin diversitetin kulturor, pasurimin historik, arsimin dhe nismat kundër dhunës. /atsh / KultPlus.com

Çorapët kashmir

Tregim nga Ibrahim Berisha

Profesori Ismajl u ndal përpara shitores Rroba të Vjetra në Kodrën e Trimave. Punojmë nga ora 9-20, shkruante me ngjyrë të kaltër në derë.
Jam i interesuar për pantallona, këmishë dhe pallto, sqaroi sa hyri.
Vajza me bluzë e fund të kaltër që prekte kujdesshëm këmishat ia kuptoi kureshtjen.
Pasi e shikoi mirëkuptueshëm, tha: Ju lutem, ke mirësinë të më ndihmosh?
Nuk mund të ndihmoj gjithaq. Edhe po të kisha mirësi, është e pamundur, ia ktheu vajza me bluzë e
fund të kaltër.
Më falni! Ju lutem!
Edhe unë jam blerëse, sqaroi vajza pas hutimit të profesorit.
Një minutë. Të ndihmoj unë, u afrua djali, i cili më një pako në dorë po dëgjonte durueshëm bisedën. Lëshoi pakon me pizhama plot.
Cili gjerman, zviceran a amerikan i ka veshur këto pizhama? Ku është ai, mendoi profesori.
Shih, kemi kostume të bukura, e këndelli shitësi.
Profesori e ndoqi mbas.
Rroba gjermane dhe zvicerane për burra. Koleksione cilësore, vazhdoi ofertën shitësi.
Rroba gjermane?
Ofrojmë rroba cilësore nga Zvicra, Gjermania dhe Amerika, për femra dhe meshkuj, në formë, ngjyrë dhe
madhësi të ndryshme dhe për të gjitha moshat. Kemi rroba të mira edhe për profilin tuaj.
Profili im? Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë profilin tim, mendoi. Mos të lëndohej, e kuptoi profesori, shitësi nuk i tha: Kemi rroba të mira për moshën tuaj, por për profilin tuaj.
Jam i interesuar për pantallona, këmishë dhe pallto, tha profesori. Kish marrë pensionin 260 euro para dy ditësh.
Ju lutem, tha shitësi. Shih!
Shitësi e trajtonte me mirësjellje, si një blerës serioz. Profesori nisi të ngushtohej nga pritja. 
Kapela keni, nuk e kuptoi nga i erdhi kjo pyetje.
Marka?
Për fytyrën time rrumbullake duhet, një, një, një fedora.
Kapelë, fedora?
Po, përgjigji profesori.
Shitës me dije modeste, sa nuk e tha me zë profesori. Nuk paska dëgjuar asnjëherë për këtë kapelë
E, po fedora doja. Po shoh pak, foli për t’u liruar nga presioni i shitësit.
Nëpër varëse qenë të ndarë pantallonat, palltot, bluzat, këmishat, kostumet, veshjet sportive, xhupat.
Profesori pikasi kravatën e mëndafshtë, të kaltër. Kur ishte i ri, nuk shkonte në klasë pa kravatë. Nxënësit pëshpërisnin në korridor a rrugë: Profesor, kravata! I dëgjonte, por nuk ndjehej as mirë as keq, kur pëshpëritnin: Shih profesor kravata! Ai nuk bënte keq, respektonte kodin etik për veshje: këmishë, xhaketë dhe kravatë me stil. Jakët e këmishës kujdesej ta përputhte me gjerësinë e kravatës.
Por, shitësi nuk e lironte të mendojë përmallshëm.
Dua këmishë prej liri, tha sa syri nuk ia kapi një të tillë në varëse.
Pasi shkoi me kujdes, shitësi përcolli mesazhin me lëvizje kinetike, tundi kokën: Jo, nuk ka.
Profesori ndali në këndin e kapelave. Modeli më i mirë për fytyrë të rrumbullakët është paksa i zgjatur, madhësi mesatare, mendoi.
Kapelë zara pa qëndisje, ndoshta keni?
Këto janë, që i ke përpara, tha shitësi.
Nuk i pava, ia ktheu profesori.
Pas pullave, profesori vrojtoi kopsat një për një. U trishtua kur mendoi, herën e parë bleu kopse gruaje, anë e majtë, ndërsa për këmishën i duheshin, anë e djathtë.
Vendose, e shkundi shitësi i lodhur.
Dua të shoh edhe çorapët. I doja një palë me grykë të shkurtër, tha.
Pasi shitësi as që e dëgjonte, vazhdoi: kashmir. Po. Dy palë.
E sheh, kemi vetëm çorapë pambuku.
I doja kashmir. Do të sillni çorapë kashmir?
Mbase, tha shitësi.
Po ua lë numrin e mobifonit. Nëse keni mirësinë t’më njoftoni kur të keni çorapë kashmir. E do lapsin ta shënoni: profesor, Ismajl Mala.
Profesor Ismajl Mala, Çorapë kashmir, tha shitësi.
Kashmir, tha profesori kur po dilte jashtë. / KultPlus.com

Kosova paraqet nëntë boksierë për Kampionatin Evropian në Beograd

Kombëtarja e Kosovës në boks ka paraqitur 8 boksier dhe 1 boksiere për Kampionatin Evropian për senior në Beograd-Serbi.

Kampionati Evropian për boksierët e nivelit senior mbahet prej 15 deri më 29 prill. 

Federata e boksit, një muaj më parë, i ka dërguar letër officiale Federatës Ndërkombëtare IBA, Federatës Europiane EUBC, Federatës së boksit të Serbisë, ku ishin të informuar dhe Ministria e Rinis, Kulturës dhe Sportit MKRS, Ministria e punëve të jashtme të Kosovës ku FBOXK ka kërkuar që të zbatohen masa dhe udhëzime strikte që garantojnë mundësit të barabarta për të gjithë sportistët, pavarësisht nga gjinia, kombësia apo çdo karakteristikë tjetër që mund të jetë bazë për diskriminim, të lejohet përfaqësimi i kombëtares me uniforma dhe embleme të Republikës së Kosovës si të gjitha shtetet pjesëmarrëse.

Ekipi i paraqitur kishte këtë përbërje:

1.Boxer 54kg. BASHKIM BAJOKU

2.Boxer 60kg.LORENT MURATI

3.Boxer 67kg. SHPETIM BAJOKU

4.Boxer 71kg. PATRIOT BEHRAMI

5.Boxer 75kg. JOZEF RRASI

6.Boxer 86kg. TAULANT JAKUPI

7.Boxer 92kg. DONAT SYLA

8.Boxer +92kg.SHPEJTIM SHABANI

Women………………………………………………

9.Boxer 60kg.DONJETA SADIKU

10.Coach-MUSLI ZYMBERI

11.Coach FATON XHAKLI

12.Coach MARJOLA SALLAUKA

13.Referee LATIF DEMOLLI. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Të kesh Kosovën në KiE është fitore për të drejtat e njeriut

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë ata që po e përkrahin Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Ajo në një postim në X, thotë se pranimi i Kosovës në KiE është fitore për të drejtat e njeriut.

“Faleminderit të gjithë anëtarëve të Asamblesë së APKE-së që po na mbështesin në këtë kauzë. Të kesh Kosovën në Këshillin e Europës do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut”.

Dy ditë më parë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e e hartuar nga raportuesja greke, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Europës./Express/ KultPlus.com

Festivali “Marie Kraja”, Veliaj u dhuron “Kullën e Sahatit” anëtarëve të jurisë

Në prag të natës finale të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti anëtarët e jurisë së festivalit, personalitete të rëndësishme të Operas Botërore, dhe e cilësoi festivalin si një traditë që tashmë është kthyer në trashëgimi të qytetit.

Në shenjë mirënjohje, kreu i Bashkisë së Tiranës u dhuroi anëtarëve të jurisë, të cilët janë personalitete të Operas, “Kullën e Sahatit”, si një simbolikë të kohës së Tiranës që funksionon dhe që mëson nga më të mirët. Për kryebashkiakun, qytetet duhet të promovojnë artin dhe kulturën e tyre, si një mënyrë për të prodhuar ekonomi, njohje dhe reputacion.

Festivali “Marie Kraja” këtë viti mbërrin në edicionin e 20-të të tij, duke bashkuar zërat e rinj operistikë nga e gjithë bota, në festivalin më të madh shqiptar, kushtuar muzikës klasike.

“Është një traditë shumë e bukur e qytetit tonë, një traditë që spikat talente nga e gjithë bota, që është kthyer në një trashëgimi të qytetit. Më vjen mirë që teksa qyteti përgatitet të jetë “Qyteti Mesdhetar i Kulturës” vitin që vjen, ne kemi këtë edicion të “Marie Krajës”, tha Veliaj.

Ai falënderoi anëtarët e jurisë dhe vlerësoi faktin që institucione të njohura e prestigjioze u bënë pjesë e traditës së këtij festivali, për t’u siguruar që kryeqyteti ynë të jetë gjithmonë e më shumë një epiqendër e artit dhe kulturës.

Nga ana e saj Cecilia Gasdia, Drejtore e Përgjithshme dhe Drejtore Artistike e “Arena di Verona Foundation”, kryetare e jurisë, e konsideroi si një nder pjesëmarrjen dhe rikthimin si pjesë e jurisë së festivalit “Marie Kraja”, duke theksuar mundësinë e bashkëpunimit me institucionet kulturore të kryeqytetit. / atsh / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës hapë thirrjen për përkrahje financiare në fushën e kulturës

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka hapur thirrjen për përkrahje financiare për të gjithë OJQ-të, individët, bizneset, programi i punës të së cilëve fokusohet në fushën e kulturës.

Afati për dorëzimin e propozimeve është deri më 24.04.2024 përmes aplikacionit online, i cili është në dispozicion në uebfaqe të Kryeqytetit në linkun në vijim:

https://krs.prishtinaonline.com / KultPlus.com

Universiteti i Harvardit heq kopertinën prej lëkure njeriu nga një libër i 1800-s

Universiteti i Harvardit thotë se pronari i parë i librit të një romancieri francez ia mori lëkurën një pacienteje femër të vdekur pa pëlqimin e saj dhe për këtë ai tha se do të heqë kopertinën e bërë nga lëkura, nga një libër i shekullit XIX, sipas ”The Guardian”.

Libri, i quajtur ”Des Destinées de l’Ame” (”Fatet e shpirtit”), është mbajtur në Bibliotekën Houghton të universitetit që nga vitet 1930, por tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2014 kur testet konfirmuan se kopertina ishte prej lëkure njeriu.

Universiteti tha se ”pas studimit të kujdesshëm, angazhimit dhe shqyrtimit të palëve të interesuara, do të heqim lidhjen e lëkurës dhe do të punojmë me autoritetet për të përcaktuar një disponim përfundimtar në respekt të këtyre mbetjeve njerëzore”.

Libri u shkrua nga Arsène Houssaye, një romancier francez, në mesin e viteve 1880 si një meditim mbi natyrën e të pasurit një shpirt dhe jetën pas vdekjes.

Pronari i parë i vëllimit, mjeku francez Ludovic Bouland, më pas e lidhi librin me lëkurë njeriu.

Harvardi tha se Bouland mori lëkurën nga një paciente femër e vdekur në një spital ku ai punonte, pa pëlqimin e saj.

Kjo histori shqetësuese, të cilën Harvardi e quajti “të mbushur me etikë”, e bëri universitetin të vendoste të heqë lidhjen e lëkurës.

“Siç mund ta imagjinoni, kjo ka qenë një rrethanë e pazakontë për ne në bibliotekë dhe ne kemi mësuar shumë kur arritëm në vendimin tonë”, tha Tom Hyry, një arkivist në Bibliotekën Houghton, në një pyetje dhe përgjigje të lëshuar nga Harvard duke njoftuar vendim për heqjen e librit nga biblioteka e tij.

Në të kaluarën, studentët e Harvardit të punësuar në koleksionet e faqeve në bibliotekë i nënshtroheshin një rituali të turbullt ku atyre iu kërkua të merrnin librin pa u thënë se ishte i mbuluar me mbetje njerëzore.

Konfirmimi i lidhjes së çuditshme të librit në vitin 2014, në atë kohë, u trajtua gjithashtu në një mënyrë më të butë nga Harvardi.

Universiteti e quajti zbulimin “lajm të mirë për adhuruesit e bibliopegjisë antropodermike, bibliomanë dhe kanibalë njësoj”. Bibliopegjia antropodermike është praktika e lidhjes së librave në lëkurën e njeriut, diçka që gëzonte një valë popullariteti në shekullin XIX, por që ka ndodhur të paktën që nga vitet 1500. / KultPlus.com

“Kubi i Arratisjes”, ditar me holograma kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli

“Arratisje në Kohëjetë” titullohet ekspozita dedikuar kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agollit.

Ekspozita do vijë përmes një kubi të vendosur në Parkun Rinia, mbi të cilin do të ketë projektime duke i zhytur vizituesit në artin grafik me teknologjinë e artit imersiv. Mbi kub do të shfaqet një ditar hologramik me data të rëndësishme të jetës dhe veprës së Dritëro Agollit, nga backgroundi i tij i pasur si gazetar, poet, shkrimtar, politikan, në kohë e mosha të ndryshme.

“Kubi i Arratisjes”, në Parkun Rinia, nisi mbrëmjen e datës 28 mars me një paraçelje me vizitorë të rëndësisë së veçantë si fëmijët me aftësi ndryshe (të Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë). Do të vijohet më tej me pasditen e sotme, në prani të lexuesve, dashamirësve të letërsisë, dhe në datën 30 mars me pjesëmarrjen e Shkollës Nëntëvjeçare “Dritëro Agolli”, duke vijuar pasditja përmbyllëse të dielën e 31 marsit, me praninë e gjimnazistëve të “Sami Frashërit”.

Performanca vjen përmes lojës së dritave dhe siluetave e njëkohësisht të pranishmit do të mund të dëgjojnë edhe regjistrime audio të shkrimtarit të madh duke  recituar poezi të tij.

Performanca do të mund të shijohet çdo ditë në park, nga ora 18:00 deri në 22:00.

Ekspozita për Dritëro Agollin, foto: Agim Dobi. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier uron studentët kosovar që dolën të tretët në garën botërore: SHBA-ja krenare që ka ofruar mbështetjen

Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës ka arritur të renditet në top treshen më të mirë në botë.

Për këtë sukses historik, sot i ka uruar studentët edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Hovenier është shprehur se SHBA-ja është krenare që ka ofruar mbështetje për studentët kosovarë.

“Urime ekipit të Moot Court të Kosovës për suksesin e tyre në skenën globale! Ne të gjithë festojmë atë që kanë arritur dhe SHBA-ja është krenare që ka ofruar mbështetje të gjatë për studentët kosovarë të drejtësisë në garat ndërkombëtare të ‘moot court’, përfshirë edhe këtë”.

Studentët e Fakultetit Juridik që korrën këtë sukses ishin Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa dhe Rea Hadri, si dhe trajnerët: Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj. / KultPlus.com

Gërvalla në Kalabri: Ky vend të bën të besosh në lidhjen vëllazërore mes italianëve dhe shqiptarëve

Fuqizimi i bashkëpunimit në nivel lokal mes 150 komunave që përfshinë Provinca e Kozencës, prej të cilave 21 janë komuna arbëreshe dhe komunave të Republikës së Kosovës në fushën e kulturës, arsimit, bujqësisë, turizmit dhe trashëgimisë kulturore ishin temat kryesore të takimit që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, bashkë me zëvëndësministren Liza Gashi dhe ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, pati me Presidenten e Provincës së Kozencës, Rosaria Succurro dhe kryetarët e rreth 20 komunave të kësaj province si dhe përfaqësues nga bota e biznesit dhe shoqëria civile.

Siç njofton Ministria e Jashtme, gjatë këtij takimi Gërvalla shprehu mirënjohje për miqësinë e fortë, kulturën dhe të kaluarën e përbashkët, duke shtuar se pas zyrtarizimit të protokollit të bashkëpunimit mes komunës së Pejës dhe Provincës së Kozencës do të ketë edhe më shumë hapësirë për angazhim më të madh në zgjerimin e bashkëpunimit edhe me komunat e tjera të Kosovës dhe Kalabrisë, raporton Express.

“Ky vend është pikërisht ai që të bën të besosh edhe më shumë në lidhjen vëllazërore mes italianëve dhe shqiptarëve në të gjithë Ballkanin. Këtu mund të shohësh sa të forta dhe të thella janë lidhjet tona kulturore dhe evropiane”, tha Ministrja Gërvalla.

Gërvalla shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të shfrytëzuar të gjitha resurset dhe potencialet për ta forcuar këtë bashkëpunim dhe për të forcuar edhe më tej urat e bashkëpunimit.

Bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me Provincën e Kozencës, e cila përfshinë 150 komuna, prej të cilave 21 janë komuna arbëreshe ka një rëndësi dhe domethënie të veçantë duke shërbyer si një urë ideale që do mund të ndihmojë edhe në lidhjen e komunave të rajonit të Kalabrisë dhe komunave të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Nostalgji: “Mirupafshim në Kosovën e lirë”, kënga që i këndoi ndarjes si shkak i migrimit të shqiptarëve (VIDEO)

Në skenën muzikore shqiptare, disa këngë mbeten të paharruara, duke u ngjallur përherë e më shpesh në kujtesën tonë dhe duke na sjellë emocione të forta të së kaluarës, shkruan KultPlus.

Një prej tyre është “Mirupafshim”, e interpretuar nga këngëtarja e njohur Ganimete Abazi – Ganja. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, kjo këngë ende ka një impakt të fuqishëm dhe vazhdon të përforcojë lidhjen tonë me të kaluarën.

Me një tekst që përshkruan një histori dashurie në një kontekst të kohës së ndarjes dhe migrimit, “Mirupafshim” reflekton një periudhë të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Refreni i saj, “Mirupafshim, n`Kosovën e lirë, më the para shumë vitesh, në kurbet kur shkove”, rikujton ditët kur shumë njerëz shqiptarë u larguan nga vendi i tyre për të gjetur mundësi më të mira ekonomike jashtë kufijve.

Në kohën kur kjo këngë u lëshua për herë të parë, ajo ishte një melodi e fuqishme që përshkruante ndarjet dhe distancën, duke u bërë një zë për ata që jetonin në kurbet. Tani, ndërsa koha ka kaluar dhe situata është ndryshuar, “Mirupafshim” vazhdon të jetë një kujtim i rëndësishëm për shumë njerëz, duke sjellë në vëmendje një epokë të kaluar dhe emocionet që ajo sjell me vete.

Kjo këngë nuk është thjesht një këngë, por shpërfaq edhe historinë tonë si popull në një periudhë të vështirë. / KultPlus.com

Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, diskuton për pavarësimin e Kosovës para studentëve të UNI – Universum International College

Është mbajtur ligjërata publike me ish-presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, në UNI – Universum International College. Kjo ngjarje kyçe ofroi një mundësi unike për studentët, stafin dhe publikun e gjerë që të përfshihen në një diskutim kritik për pavarësinë e Kosovës dhe ndikimin e saj afatgjatë në rajon.

Presidenti Sejdiu u thellua në temën “Pavarësia e Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon – roli i presidentit”. Vështrimet e tij ishin tejet të rëndësishme ndërsa ai eksploroi kontekstin historik që rrethon pavarësinë e Kosovës dhe rolin e saj në formësimin e Ballkanit. Përmes komenteve, analizave dhe kontekstit historik, ai vuri në pah kompleksitetin e Kosovës në politikat e Ballkanit.

Dr. Fatmir Sejdiu është profesor universitar dhe politikan nga Kosova. Ai shërbeu si Presidenti i Dytë i Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2006–2010. Për vite radhazi ai ishte edhe kryetari Lidhjes Demokratike te Kosoves. Për studime të thelluara Dr. Fatmir Sejdiu ka qëndruar në SHBA ne Arizona State University. Për sukseset e tij, Dr. Sejdiu është nderuar me tituj të ndryshëm duke perfshirë ketu edhe çmimin per lidership global nga Arizona State University. UNI – Universum International College ndau po të njejtin çmim për Dr. Sejdiun.

Ngjarja shërbeu si një dëshmi e përkushtimit të UNI – Universum International College për të nxitur dialogun intelektual dhe angazhimin shoqëror. Pjesëmarrësit jo vetëm që përfituan nga ekspertiza e Presidentit Sejdiu, por gjithashtu u frymëzuan për të reflektuar në mënyrë kritike mbi ndërlikimet më të gjera të pavarësisë së Kosovës.

UNI shpreh mirënjohjen e sinqertë për Presidentin Sejdiu që e ka dekoruar kampusin me praninë e tij dhe për të ndarë njohuritë e tij. Suksesi i kësaj ngjarjeje nënvizon rolin e UNI – Universum International College si një katalizator për biseda kuptimplota dhe stimulim intelektual.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram

Artikull i sponsorizuar. / KultPlus.com

Kumbaro: Kanionet e Osumit, destinacioni perfekt i atyre që dashurojnë aventurën

Kanionet e Osumit në Berat janë kthyer vitet e fundit në destinacionin më të kërkuar për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet social pamje nga Kanionet e Osumit, duke ftuar të pasonuarit pas rafting t’i vizitojnë ato edhe gjatë këtij sezoni turistik.

“Kanionet e Osumit janë destinacioni perfekt i atyre që dashurojnë aventurën me peizazhe magjepsëse të natyrës përreth”, shkruan Kumbaro.

Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.

Në një distancë prej 13 kilometrash dhe rrethuar me shkëmbinj prej 100 metrash, praktikuesit e rafting kalojnë shumë ujëvara si dhe një sërë operash arti natyral të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “porta e djallit”, “krokodili” apo “katedralja”./ atsh / KultPlus.com

Me vdekjen e Bajram Currit, u zhduk një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqipërisë

Sot shënohet 99 vjetori i ndarjes nga jeta të heroit Bajram Curri.

Ishte data 25 mars e vitit 1925, kur luftëtari Bajram Curri ra heroikisht në shpellën e Dragobisë.

Për vdekjen e tij shkruante Faik Konica në gazetën “Dielli”, që është botuar në Boston me titull “Me vdekjen e konfirmuar të Bajram Currit, u zhduk një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqipërisë”.

Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë, në kryengritjet e malësisë së Shkodrës dhe në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufinjve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 ishte një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze.

Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925. / KultPlus.com

Balenciaga shkon më tej, prezanton byzylykun e ri që duket si ngjitës – ‘çmendet’ rrjeti

Markat e ndryshme të modës, sidomos ato luksoze, shpeshherë krijojnë produkte me dizajne unike, e të cilat jo rrallëherë edhe kritikohen shumë në rrjete sociale.

Kështu ka ndodhur së fundmi me markën Balenciaga, që ka prezantuar një byzylyk që duket pothuajse si një ngjitës, gjatë koleksionit të Javës së Modës në Paris.

Reagimet dhe talljet në rrjet kanë nisur menjëherë për produktin që i ngjason një ngjitësi të kompletuar me logon e markës dhe thuhet se ka një çmim prej 4,000 dollarësh.

Kjo u quajt një çmenduri nga një komentues, që iu bashkëngjitën edhe shumë të tjerë.

Edhe pse produkti akoma s’është listuar për shitje dhe nuk dihet nëse çmimi i saktë është ai që po përflitet. / KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese dhe restauruese në Muzeun Historik Kombëtar

Në Muzeun Historik Kombëtar (MHK) po kryhen ndërhyrje konservuese dhe restauruese të objekteve që bëjnë pjesë në fondin e tij.

Në faqen e tij online, MHK publikoi restaurimin e mbulesës prej argjendi të ikonës së Shën Spiridhonit me nr. inventari 5900.

Kjo ikonë tepër e veçantë prej argjendi paraqet figurën e Shën Spiridhonit. Objekti u zhvendos për në laboratorin e muzeut dhe ndërhyrjet konservuese u fokusuan në disa faza: fotografimi i gjendjes aktuale, trajtimi kimik për heqjen e blozës, pluhurave, yndyrnave e kripërat e bakrit, si dhe pastrimi e lyerja e kornizës dekorative.

Pas 43 vjetësh nga krijimi i tij, Muzeu Historik Kombëtar pritet që së shpejti t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe rikonceptimit muzeal.

Ky operacion i jashtëzakonshëm, do të udhëhiqet nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.

Vitet e fundit MHK ka njohur rritje të vazhdueshme të interesit të publikut vendas dhe të huaj, gjë që ka sjellë nevojën për investim madhor. Investimi mbështetet nga fondet e Bashkimit Europian dhe buxheti i shtetit e pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në qasjen e publikut te historia dhe elementet thelbësore të identitetit tonë kombëtar. / atsh / KultPlus.com

Gonxhja uron ikonën e baletit Zoica Xhaxho në 91-vjetorin e lindjes

Ikona e baletit shqiptar, Zoica Haxho feston sot 91-vjetorin e lindjes.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja uroi sot Haxhon në një postim në rrjetet sociale.

“Zoica Haxho, ikona e baletit shqiptar, feston sot ditëlindjen. Ndër të parat pioniere të këtij arti, me një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, Zoica me plastikën e lojën e saj në interpretim ka krijuar një vend të veçantë në kujtimet e publikut artdashës”, shkruan Gonxhja.

Zoica Haxho lindi në 28 mars 1933 dhe është një ndër të parat pioniere të baletit, ku për vite me radhë ishte prima balerinë e TOB. Një artiste që me punën dhe artin e saj konsolidoi baletin shqiptar.

Pasi kreu studimet për balet në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956, emërohet balerinë në TOB. Si balerinë përveç disa numrave koreografikë në Shkollën Koreografike të Moskës, kontaktin e parë me skenën shqiptare Zoica e ka në vitin 1957, në baletin “Kujdesi i kotë”, ku interpreton plot finesë rolin e Lizës. Ajo ka një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, që nga dalja e parë e deri në daljen në pension.

Ka realizuar një galeri të pasur rolesh kryesorë si në baletet e huaja, ashtu edhe ato kombëtare. Krijoi në mendjen e spektatorit personazhe të paharruar me plastikën e lojën e saj në interpretim. Kështu përmendim role me peshë si Lola në baletin “Lola”; Fadeta e baletit me të njëjtin emër; Franceska, në “Françeska da Rimini”; Hajria, në baletin “Halili dhe Hajria”; Delina nga baleti “Delina”, Zogu, në baletin “Petja dhe ujku”; Muza, në “Paganini”; Cuca, në baletin “Cuca e maleve”, Rina, në baleti “Historia e një kënge”; Nica, nga baleti “Tokë e pamposhtur”; etj.

Zoica Haxho ka marrë pjesë në rreth 20 premiera baleti dhe kjo tregon për klasin e saj të lartë të interpretimit. Zoica Haxho i është përkushtuar gjithashtu edhe punës pedagogjike në shkollën e baletit./KultPlus.com

Jam shkëputur

Poezi e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.

Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.

Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…

Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.

Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.

…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!/KultPlus.com

TKOBAP: Ermal Sela, instrumentist dhe koleksionist i mbi 900 veglave popullore muzikore

 Ermal Sela prej një viti mban pozicionin si Llahutë e Dytë, në Orkestrën e Ansamblit Popullor, pas audicionit të mbajtur në TKOBAP.

Ai është angazhuar dhe në organizime të ndryshme, të tilla si anëtar i jurisë në FFTK të Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë, Lezhë 2020, kurse si instrumentist ka punuar në emisione si “Këngët e Shekullit”, “Al Pazar”, “Gjeniu i Vogël”, etj.

Gjithashtu është edhe koleksionist i instrumenteve popullore muzikore prej vitit 2000, duke mbledhur me mbi 900 instrumente muzikorë popullorë, të certifikuar pranë Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kombëtare./KultPlus.com

Via Dolorosa

Poezi nga Ndue Ukaj

Via Dolorosa

Mali i ullinjve është i zbrazët.
Në Via Dolorosa dëgjohet zukama e mizave
dhe një heshtje mizore që përshkon qiellin si murmurima.
Kanë ikë ushtarët dhe gjyqtarët nga sallat e drejtësisë.
Ai Juda i ri me tridhjetë aspra në xhep
është plandosë në Arën e Gjakut.
Pilati, perandorët dhe të gjithë komandantët
dihatin të frikësuar në fronet e mbyllura.

Është pranverë dhe dielli është i mërzitur,
si këto Pashkë të vetmuara.
Njerëzit kanë mbyllë dyert dhe dritaret si dikur kur u ça tempulli.
Ushtarët s’rrinë të rreshtuar, kanë heqë rrobat,
helmetat dhe janë ngjeshë me trishtim.

Është koha e kryqëzimit, të gjithë jemi në kryq.
Turmat e hamendura s’dynden në rrugët e Jerusalemit
Janë mbyllë dhe përmes frikës shohin zbrazëti.
Zbrazëti ka shumë dhe askush s’ka dëshirë ta bëjë udhën e vuajtjeve.
Të gjithë luten të largohet ky kelk trishtimi.

Kambana s’bien, zogjtë të mërzitur s’cicërojnë.
Rruga Via Dolorosa është e zbrazët, s’dëgjohen shushurinë gjuhësh, dëshirash.
I zbrazët është Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan,
ai i Nënë Terezës në Prishtinë.

Sa shumë zbrazëti dhe pikëllim.
Njerëzit kanë nevojë për pak mirësi dhe thonë: “kemi etje.”
Ç’mendojnë zemrat e helmuara që s’dinë ç’është etja e dashuria?

Heshtje, heshtje, e tmerrshme si atëherë kur Krishti dha shpirt.

Sot të gjithë të mbyllur përshkojnë Via Dolorosan
dhe shkruajnë dramën e Pashkëve,
gatuajnë bukën e dashurisë me përbërje të gjithfarshme:
pak lot, shumë shpresa, ca dhimbje dhe një grusht dashuri.

Të dielen me parfume në dorë, presim,
presim të hyjë aroma e bukës në dhomë
dhe errësirën ta davaritët
dhe të lëshojë një ngjyrë më të bardhë se bora.

Si fëmijë e kam mësuar se një e premte e zezë
mund ta mërziste edhe një gur
dhe një e diel e bardhë
mund ta zbuste edhe një zemërgur./KultPlus.com

Shkretëtira më e madhe në Evropë, një fenomen natyror që tërheq aventurierë nga e gjithë bota

E vendosur në jug të gadishullit piktoresk Iberik, provinca spanjolle e Andaluzisë është në listën e dëshirave të çdo udhëtari.

Sot është një nga destinacionet turistike më të vizituara në Evropë, njihet edhe si kryeqyteti i prodhimit të vajit të ullirit, por edhe një hapësirë ​​jetese që favorizon jetëgjatësinë.

Natyra e bukur, qytete të mrekullueshme, atmosferike, kulturë dhe art i jashtëzakonshëm, histori e pasur, sasi të pakufizuar dielli, 1000 kilometra vijë bregdetare, plazhe magjepsëse që magjepsin me shikim të parë.

E gjithë kjo fshihet në Andaluzinë magjike, por është pak i njohur fakti se aty ndodhet shkretëtira më e madhe në Evropë.

Një nga veçoritë e Gadishullit Iberik është sigurisht shkretëtira e bukur Tabernas, të cilën ekspertët e quajnë “shkretëtirë e vetme e vërtetë në kontinentin evropian“.

Ndodhet në Andaluzi në juglindje të Spanjës, dhe toka e saj e thatë, si dhe shkëmbinjtë dhe formacionet mbresëlënëse, e bëjnë atë një destinacion unik që tërheq adhuruesit e natyrës, aventurierët dhe prodhimet filmike nga e gjithë bota.

Shkretëtira Tabernas mbulon rreth 280 kilometra katrorë dhe ndodhet midis Sierra de los Filabres në veri dhe Sierra Alhamila në jug.

Klima në këtë zonë është tipike për kushtet e shkretëtirës, ​​me temperatura jashtëzakonisht të larta gjatë verës dhe me pak reshje gjatë gjithë vitit. Ky mjedis i ashpër krijon një mjedis ideal për një shumëllojshmëri të florës dhe faunës që janë përshtatur me kushtet ekstreme.

Ajo që e bën Tabernas edhe më intrigues është historia e pasur e filmit. Konkretisht, që nga vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kjo shkretëtirë spanjolle ka shërbyer si një sfond i përsosur për prodhime të shumta filmike, dhe këtu janë filmuar disa nga klasikët si “Lawrence of Arabia” ose “I mirë, i keqi”./KultPlus.com

Spectacular view of the Rambla de Otero, in the Tabernas Desert, with a panoramic view used in the movie Lawrence of Arabia. In a scene of Indiana Jones and the last crusade appear in the foreground.

“Më kërko, unë jam këtu për ty”

Poezia “Më kërko” nga Lasgush Poradeci.

Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot.
Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde
në boshllëk.
Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd.
Më kërko kur mendja jote është bosh,
Pa ëndrra, pa dashuri ….
Më kërko dhe unë do të të marr përdore,
E do të çoj në botën time.
Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje.
Më kërko, unë jam këtu për ty./KultPlus.com