Historike, futbollistët shqiptarë në Itali do të trajtohen si vendas

Një vendim historik është marrë pas disa diskutimeve që kanë nisur që prej muajit janar mes kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe atij të Italisë, Gabriele Gravina.

Futbollistët shqiptarë në Itali nga sezoni i ardhshëm 2024- 2025, do të konsiderohen si futbollistë vendor. 

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i FSHF-së, Armand Duka përmes një shkrimi në Facebook. 

“Një vendim historik, një lajm i mirë për futbollistët dhe futbollin shqiptar, që vjen edhe pas diskutimeve në janar me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina. Komiteti Ekzekutiv në Federatën Italiane të Futbollit ka vendosur që t’i konsiderojë futbollistët shqiptarë si vendas në sezonin 2024-25. Kjo është një mundësi shumë e mirë për futbollistët shqiptar, që të kenë mundësi të garojnë në një prej kampionateve më të forta në Evropë”, ka shkruar kryetari Duka./KultPlus.com

Sopranoja Maria Sardaryan, fituese e festivalit ‘Marie Kraja’

Maria Sardaryan sopranoja nga Armenia është shpallur fituese e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar “Marie Kraja” që u mbajt për dy netë më radhë, 28 dhe 29 mars në Teatri Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.

Çmimin e dytë e mori shqiptarja Juana Shtrepi dhe çmimin e tretë baritoni nga Koreja e Jugut, Seungwo Sun.

Sopranoja italiane Clarisa Costanzo, mori çmimin e këngës që jepet nga orkestra e festivalit.

Në këtë festival konkurruan 16 vokale unike të përzgjedhura nga 5 kontinente  në dy disiplina, gara e arieve dhe ajo e këngës.

Gjatë këtij eventi ndërkombëtar, u performuan edhe duete me artistët e muzikës shqiptare, si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi./atsh/KultPlus.com

Artisti Damien Hirst vjen me ekspozitën e radhës në Provence

Një ekspozitë e re e punës së artistit britanik, Damien Hirst po mbahet në Chateau La Coste, një pasuri e verës pranë Aix-en-Provence.

Dhjetra skulptura dhe piktura, duke përfshirë ‘Histori Natyrore’, ‘Pikturat e Kopshteve Sekrete’ dhe pjesë të reja, si ‘Perandoresha’ janë paraqitur në ekspozitë.

Kjo ekspozitë është e para për pasurinë e verës që është shndërruar në një muze të hapur.

Kryeministri Kurti: Po përgatitemi që ta akuzojmë Serbinë për krime lufte

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë homazheve në nderim të martirëve të familjes Muliqi.

“Janë duke u bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime kundër njerëzimit dhe (krime të) gjenocidit”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht, ditë e natë, “në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen sepse padrejtësi me vetëm të vërtetën plagët vazhdojnë të mbesin të hapura”. /rtk/klanKosova

Filmi ‘LAST EXIT’, vazhdojnë xhirimet e fundit në Zvicër

Vazhdojnë xhirimet e projektit filmik të metrazhit të gjatë artistik ‘LAST EXIT’, me skenar dhe regji të Bekim Gurit e me producent Mumin Jashari.

Pas përfundimit të xhirimeve në Kosovë po vazhdojnë xhirimet edhe në Zvicër (Basel, Gjenevë) ku një pjesë e ekipit të filmit ka filluar të realizoj skenat e filmit sipas skenarit me aktorët: Bajrush Mjaku, Teuta Ajdini Jegeni, Agron Shala, Fjolla Muhaxheri, Gabriella Scharnitzky, Kasem Hoxha, Arjeton Osmani, Veton Gashi, Avni Dalipi e Aurita Agushi, Edon Rizvanolli e Labinot Lajci, Albulena Bokshi etj.

Xhirimet në Zvicër do të vazhdojnë deri me datë 31/03/2024.

“Deri tani gjithçka ka shkuar mirë dhe ka vazhduar sipas planifikimit pa ndonjë ndryshim që nga dita e parë e xhirimeve, fal punës se palodhshme të nje ekipi të mrekullueshëm me Dop; Latif Hasolli, Ass1 e regjisë: Dina Morina, e Ass 2 Xheraldina Krasniqi-Xheri, tonin: Ilir Xheladini, me skenografi të Burim Berisha, kostumet: Hana Zeqa e me props: Egzona Kadriji, skriptere: Qëndresë Krasniqi e me Makeup Leushota Bytyqi e shumë të tjerë”, thuhet në një njoftim për media.

Xhirimet janë lehtësuar nga mbeshtetja e shumë institucioneve dhe dashamirëve të filmit duke mundësuar xhirime nëpër shumë hapsira.

Sinopsisi;

Pas gjetjes së eshtrave të djalit të tyre binjak Dritonit, i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, djali tjetër binjak i Fatimes dhe Fatmirit, Agroni, pëson aksident trafiku në Zvicër. Me të marr lajmin për gjetjen e eshtrave të vëllait të zhdukur, ai i aksidenton për vdekje dy persona në zebra për këmbësorë!

Agroni dënohet me 8 vjet burg!

Prinderit në moshë të shtyer (70 vjeçare) nuk besojnë se do të jetojnë aq gjatë sa për ta takuar edhe njëherë Agronin!

Ata provojnë dy herë të marrin viza për Zvicër por iu refuzohen.

Tentohet edhe në formë ilegale por prap dështojnë dhe kapen nga policia në Hungari, atyre u ndalohet hyrja në zonen Shëngen për 5 vjet.

Pas shumë përpjekjeve të dështuara ata zgjedhin “vdekjen” ose “Assisted Suicide” si mundesinë e vetme për ta takuar djalin e tyre në burg në Gjenevë të Zvicrës.

Ky film, prodhim i shtëpisë filmike Media Film Production nga Prishtina është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me mbështetje të Drejtorisë për Kulturë nga Komuna e Prishtinës me sponzorim nga Reiseburo Prishtina, Mahagoni-Pejë, Esquina Lorrach, Air Munich, Sky24, Uji Crystal e kafe Lavazza!/KultPlus.com

Eric Clapton, rockeri britanik i viteve ’70

Eric Clapton, emri origjinal Eric Patrick Clapp, (i lindur më 30 mars 1945, Ripley, Surrey, Angli), ishte një rocker britanik dhe një nga kitaristët më të rëndësishëm të fund-viteve 1960 dhe në fillim të viteve ’70. Më vonë, Clapton u bë një këngëtar i dashur për të gjithë, por edhe kantautor i zoti.

Clapton u rrit nga gjyshërit e tij, pasi e ëma e braktisi kur ishte i vogël. Ai filloi të luajë në kitarë gjatë adoleshencës dhe studioi në Kolegjin e Artit në Kingston. Pasi kishte qenë pjesw e dy grupeve të vogla si kitarist kryesor, në vitin 1963 u bashkua me Yardbirds, grup në të cilin kitara e artistit tërhoqi vëmendje të madhe në Britani me tingujt e ngrohtë të blues-it. Clapton la Yardbirds në 1965, kur ata kaluan nga blues-i në pop.

Po atë vit, ai u bashkua me Bluesbreakers të John Mayall.

Ai u bë shumë shpejt figura kryesore e grupit dhe tërhoqi dëgjues fanatikë të blues-it në klubet e Londrës ku grupi luante live.

Në vitin 1966 Clapton la Bluesbreakers për të formuar një grup të ri me dy muzikantë të tjerë, basisti Jack Bruce dhe bateristi Ginger Baker. Ky grup, Cream, krijoi famë ndërkombëtare me shkrirjen e sofistikuar, të rockut dhe blues-it në solot e mrekullueshme të kitarës. Clapton dhe teknikat e tij në kitarë u përhapën me shpejtësi dhe ai u bë pikë referimi për të gjithë.

Energjia dhe intensiteti emocional i solove të Clapton vihen re lehtësisht në këngë të tilla si “Crossroads” dhe “White Room”. Eric Clapton kishte vendosur një standart të ri në muzikën britanike, por edhe atë botërore. Cream u nda në fund të vitit 1968, pas albumeve: Disraeli Gears (1967), Wheels of Fire (1968) dhe Goodbye (1969).

Clapton solli krijimet e tij të para në solo në vitin 1970. Ai shpejti afroi një treshe muzikantësh të zotë (basisti Carl Radle, bateristi Jim Gordon dhe tastieristi Bobby Whitlock) në një grup të ri të quajtur Derek&Dominos , me Clapton si kitarist, vokalist dhe kompozitor. Më vonë me grupin u bashkua dhe kitaristi Duane Allman. Ata publikuan dy albume që kanë hyrë në listën e albumeve më të mira të muzikës britanike:

“Layla” dhe “Other Assorted Love Songs” (1970). I zhgënjyer nga shitjet e pakta të “Layla” dhe varësia ndaj heroinës e shkëputën Clapton për dy vjet nga muzika. Rikthimi me “461 Ocean Boulevard” (1974), ishte sukses i madh për Clapton. Ky ishte albumi i parë ku artisti nuk i dha vëmendjen kryesore kitarës, por cilësisë së kompozimit dhe teksteve të këngëve.

Gjatë 20 viteve të ardhshme, Clapton prodhoi shumë albume: “Slowhand” (1977), “Backless” (1978), “Money and Cigarettes” (1983), “August” (1986), “Unplugged” (1992) dhe From the Cradle (1994). Në ceremoninë e Çmimeve Grammy të vitit 1993, “Tears in Heaven”, këngë e cila u shkrua si kujtim për vdekjen e të birit nga Clapton, fitoi cmimin si kënga e vitit dhe Unplugged u vlerësua si albumi i vitit.

Clapton gjithashtu pati bashkëpunime të suksesshme të cilat u vlerësuan me çmime Grammy: Riding with the King (2000) me legjendën e blues-it B.B. King dhe The Road to Escondido (2006) me kitaristin J.J. Cale.

Clapton publikoi librin e tij autobiografik në vitin 2007 e 10 vjet më vonë, filmi dokumentar “Clapton Life in 12 Bars” u shfaq në kinematë botërore. Clapton u bë pjesë e “Rock and Roll Hall of Fame” si anëtar i Yardbirds në 1992, si anëtar i Cream në vitin 1993, dhe solo në vitin 2000./ KultPlus.com

Himni i Flamurit

Poezi nga Aleksandër Stavre Drenova

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne./ KultPlus.com

Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, qytetarët e dy shteteve shprehen se nuk janë aq të zhvilluara

Ka ende shumë punë për të bërë për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur Barometri i Euronews Albania me një kampion prej një mijë intervista ballë për ballë, me qytetarë nga Shqipëria si dhe atë nga Kosova.

65.6 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 52.4 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy kombeve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

18.8 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 30.7 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë neutral kur pyeten për konsolidimin edhe më tej të marrëdhënieve mes dy shteteve, por 9.1 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 9.8 për qind e shqiptarëve në Kosovë, nuk janë dakord që marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

6.5 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 7.1 për qind e shqiptarëve në Kosovë nuk e dinë zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

Tradita shekullore e Javës së Shenjtë Arbëreshe

Java e Shenjtë Arbëreshe, që njihet si Java e Madhe apo Pashkët arbëreshe janë një nga ngjarjet historike të arbëreshëve, ku vitet e tjera ka tërhequr dhe mjaft turistë. Vëmendja më e madhe qëndron te kostumet tradicionale të grave arbëreshe.

Festimet nisin që të enjten e Madhe kur pas leximit të 12 fragmenteve të Ungjillit, prifti vazhdon të lajë këmbët e 12 burrave të komunitetit. Ata janë të ulur rreth një tavoline të madhe mbi të cilën janë rregulluar “kuleçët”, bukët e bekuara, që priten dhe shpërndahen te besimtarët. Kisha arbëreshe ndjek rite orotodokse-bizantine ndërsa rite të tjera janë identike me kishën latine.

Të Enjten e Madhe zhvillohet procesioni i statuajve shoqëruar me “këngë tradicionale shqiptare” (vajtimet) dhe në shumë komunitete arbëreshe përsëriten dhe të Premten e Madhe.

Të Shtunën e Madhe në mëngjes këndohet mbrëmja e Shenjtë dhe liturgjia e Shën Vasilit. Pas mesnatës në rrugët e fshatrave është emociouese të dëgjosh këndimin e “Kristos Anestei” (Krishti u ngjall). Ndërsa tradita vijon mes shumë komuniteteve arbëreshe me besimtarët që shkojnë në heshtje në Kolegjin e Shën Adrianit ku bëhet riti i “vjedhjes së ujit”, në burimin e murgjve. Simbolkisht ky rit riprodhon atë që bëri Maria, e cila e parandaluar nga rojet dhe në pamundësi për të larë trupin e Jezusit, në heshtjen e natës arriti në një burim për të lagur leckën e përdorur më pas për të larë trupin e Jezusit. Moment jashtëzakonisht simbolik, ku besimtarët marrin pjesë në grupe me “gjitonie” (fqinjët) ku rruga shënoeht nga heshtja por ndërsa procesioni vazhdon tashmë ata që kanë përfunduar ritin (pra të lirë nga detyrimi i heshtjes) përpiqen të bëjnë të flasin ata që nuk kanë shkuar ende te burimi (gratë e moshuara i provokojnë me shkopinj të gjatë të quajtur “dokanigje”),

Kur të gjithë besimtarët e kanë pirë ujin vazhdojnë me ndezjen e “qerradonulla”, një zjarr i madh besimi, gëzimi e ringjaljeje me intonacionin e këngës “Kristos Anesti”. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Vincent van Gogh, jeta e stuhishme dhe shpirti i drobitur i gjeniut të post-impresionizmit

“Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brënda vetes… Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit, në të cilin hiqet zvarrë egzistenca e pothuaj të gjithë individëve”. Kështu i shkruan Vincent van Gogh vëllait të tij Theo. Ky është botëkuptimi i një gjeniu dhe kjo mbetet bota që ai e skaliti me pasionin e një të çmenduri.

Vincent van Gogh u lind më 30 mars 1853. Piktori holandez, post-impresionisti më i zëshëm pas Rembrandit dhe themeltar i modernizmit, vdiq 29 korrik 1890 kur ishte vetëm 37-vjeç. Gjithëçfar qaset të ravijëzojë këtë profil të tjetërllojtë nuk është gjithçka ai skaliti me penel e pasion, në këtë përplotësim yshtet edhe tharmi i asaj vetvete të artistit, krejtçka shkroi me zhgitje e përmjerrje në baltën e vesit dhe devocionit, pluhurin e hutimit dhe yryshit. Erdhi dhe iku si një rast i pazakontë.

Nuk mund të mos kishte në jetën e tij të zgriptë, gjithnjë me ekuilibra të prishur, një goditje fatale si ajo që zanafillon edhe të mbramin e udhës së tij toksore. Ishte 27 korriku i vitit 1890 kur Vincent van Gogh shkon tek çifti i pronarëve të hanit ku jetonte. Ndihej shumë keq. U tregon se kishte qëlluar veten me një revolver në një fshat aty pranë varrezave në Auvers-sur-Oise, ndërsa pikturonte veprën e tij të fundit. Vdiq më 29 korrik dhe u varros një ditë më pas në po atë varrezë ku u qëllua. Në funeralin e tij ishin të pranishëm i vëllai Theo, doktor Gachet dhe shumë artisë. Arkivoli mbulohet i gjithi me luledielli. Pak muaj më pas, më 25 janar 1891, vdiq i vetëvrarë edhe i vëllai, Theo, i cili u varros krah Vincentit, ku prehen në varre identike.

Një artist që lëkundet mes predikuesit të zellshëm, pikturës që përpëlitet mes ngjyrave të diellta e penelatat e dhunshme të haresë, dashurisë marroke dhe çmendurisë që e mbajti gjithnjë mes resh diellin e tij flakatar të famës. Një jetë në zgrip të varfërisë dhe një vdekje e papritur e mbetur mister, për t’u vulosur me përjetësi veprat absolutisht e përsosur dhe vetanake përnga stili, tonaliteti i ngjyrave, kumtimi dhe depërtimi në thellësi të përjetimit. Kur flitet për Van Gogh, nuk mund të mos flitet edhe për dikotominë gjeni-çmenduri, mishëruar më së miri në këtë motor të pikturës origjinale, këtë mjeshtër të okrës, mylmyesi të violentit të kobaltit, këtij kolori të epshëm.

Vepra e Van Gog me përdorimin e dhunshëm të ngjyrës, u çel rrugën ekspresionistëve dhe cyt emocione të potershme në brendinë e shpritrave të etur për lojën e zjarrit dhe dritës. “Në vend që të jap besnikërisht atë që kam para syve, unë përdor ngjyrën arbitrarisht, që të mund kësisoj të shprehem më fuqishëm” kumtonte ai.

Për shkak të ngjarjeve të potershme të Van Gogh, një marrëdhënie cingëritëse me Paul Gauguin, gjymtimi i veshit të tij të majtë, dhe vetëvrasjes, të cilat ngasën harbimin e një rrëfimtarie apokrife dhe anektodave, u rrekën të ravijëzonin një realitet paralel të molepsur me grotesk e cinizëm, por pa mundur ta zhbëjnë shtresimin e mitit ku ngjishet humusi i përtëritjes së gjenialitetit të tij në kohëpaskohje, derimtash kur rreth emrit të Van Gogh gjithnjë shndrin një breror fame.

Megjithatë, nga më shumë se 800 piktura në vaj dhe 700 vizatimet që përbëjnë galerinë e krijimtarisë që la, ai mundi të shiste gjatë jetës një të vetme. Erdhi dhe iku nga jeta si një ngjarje e përplotur me episode të gjithëfarësojshëm. Ashtu si dhe në punët që mbetën trashëgimi e paçmuar e gjeneratave, përditshmërinë e mbushi plot të papritura, shumë prej të cilave rrjedhonin nga shëndeti i drobitur mendor, varfëria dhe harbimi dashuror.

Bota e krijuesve deri asokohe nuk mund të ketë perceptuar me qartësinë një tragjikeje një vikamë më të potershme se ajo e jetës përplot trazim e gjeniut të tablosë. Nuk kishte mbërritur deri atëherë nga kalorësia e penelit kaq e potershme kjo thyerje e qiejve, kjo ngasje përnga e andshmja amshuese e koloristikës dhe thellësisë së penetrimit shpirtëror. E veçme do të mbetej gjithçkaja e të zakonshmes dhe të rëndomtes së këtij mjeshtri. Vincent Van Gogh është padyshim një rast emblematik. Pakkush mbruhej me atë vërshim ndjeshmërie dhe aftësi krijuese.  Egzistenca e tij ka qenë një udhëtim në “vuajtjen e izolimit”, i pakuptuar e vetmitar në perceptimin acarues të dhimbjes, i pafuqishëm e prapë i kthjellët e i vetëdijshëm për sëmundjen e tij që ishte edhe fizike, po mbi të gjitha shpirtërore.

Studimet psikiatrike moderne, i kanë zhvilluar  edhe më tej hipotezat që Van Gogh vuante nga sëmundje bipolare apo sindroma maniako-depresive, e trashëguar genetikisht nga familja, gjë që brengoste edhe vëllanë e tij Theo. Po përtej kësaj sëmundjeje genetike, është e sigurtë se çmenduria i qe manifestuar mbi të gjitha sepse Vincent e kishte filluar ta shihte artin e tij të dashur, si instrument për të arritur atë që është esenciale. Ose sepse tashmë kishte kuptuar tiraninë e vuajtjes mbi qenien njerëzore, por nuk dinte se si ta kapërcente dhe as se pse duhej kapërcyer. Pra Van Gogh është shembulli tipik i konstatimit të së  të Vërtetës së Parë Fisnike e të mundimit të pashprehshëm që ajo lind, nëse nuk arrin të besosh se mund të kapërcehet, e aq më pak të shquash një mënyrë, një rrugë për ta kapërcyer. / Albert Vataj / KultPlus.com

Muzikë për natyrën, koncert që evokon tingujt e Tokës, mbahet në Shqipëri edicioni i IX i Albanian Brass Festival

Festivali “Brass Albania” vjen në edicionin e tij të 9-të me dy koncerte në Tiranë e Shkodër. Artistët e ftuar, dy austriake luajnë kompozimet e tyre, frymëzuar nga natyra e kushtuar natyrës.

Në edicionin e tij të 9-të, Festivali “Brass Albania” mban dy koncerte që i kushtohen natyrës dhe tingujve për të e prej saj. Dy artistë austriakë mbajnë një koncert në shkollën “Servete Maçi” në Tiranë dhe në shkollën Prenk Jakova në Shkodër duke iu dhënë zë zërave të natyrës përmes një muzikë të krijuar enkas për të. Drejtuesi i festivali shpjegon nismën, ndërsa artistët kompozimet e tyre.

“Synimi është mbrojtja e natyrës, afrimi me natyrën dhe shkrirja me natyrën. Artistët austriakë, Alois Eberi dhe Anna Lang kanë kompozimet e tyre dhe luajnë vetë në instrumente veprat qe ia kanë dedikuar natyrës”, tha Ilir Kodhima Nga Brass Festival.

Për artistin, Alois Eberi, që luan në trombon e fizarmonikë, koncerti nis nga Jeta e tij.
“Ne jetojmë në një zonë të bukur, në Tiroli të Austrisë, të rrethuar nga gjelbërimi e pyjet. Ngjyra jeshile është e rëndësishme për muzikën tonë, ndaj luajmë kompozimet tona që i përkasin një stili muzikor që është mes jazz-it dhe muzikës klasike”.

“Kam sjellë dy kompozime, e para është histori fantazie, një suitë mbi dragonjtë dhe i kushtohet jetës në tokë para njerëzimit. Pjesa e dytë “Sinfonia e Karnavaleve” i kushtohet pakësimit të plastikës dhe në të, në fillim, kemi një tingull shumë të bukur që më pas dëmtohet për të kuptuar çfarë ndodh kur ndotet natyra”, shpjegon Anna Lang, violonçeliste.

Koncertet që vijnë në kuadër të nismës “Imagine dignity” të ambasadës austriake, kanë si synim ndërgjegjësimin ndaj problemeve të ruajtjes së natyrës dhe rëndësinë e biodiversitetit./Balkanweb/KultPlus.com

Platforma X bën ndryshime, Elon Musk tregon se çfarë duhet të dinë përdoruesit

Ndryshime do të ndodhin për llogaritë me mijëra ndjekës në platformën e rrjeteve sociale X, siç njoftoi të enjten, pronari i platformës, Elon Musk.

Siç shkroi ai në postimin e tij, ato llogari me më shumë se 2500 ndjekës të konfirmuar do të mund të kenë akses falas në paketën Premium që kushton 8 dollarë në muaj.

Kjo paketë i lejon përdoruesit të modifikojë dhe të shkruajë postime më të gjata, si dhe të kufizojë numrin e reklamave që shohin në burimin e tyre, duke shtuar gjithashtu një shenjë blu pranë emrit të tyre.

Musk njoftoi gjithashtu ndryshime për ata me 5000 ose më shumë ndjekës të certifikuar që do të marrin paketën Premium+ falas, me vlerë 16 dollarë në muaj, e cila i jep akses Grok, programi i inteligjencës artificiale që ka aftësinë, sipas krijuesve të tij, “për t’u përgjigjur në pothuajse gjithçka”.

Kjo lëvizje, siç theksohet nga Sky News, vjen pas mohimit të informacionit se numri i atyre të lidhur me X është ulur që kur Musk bleu platformën.

Sipas të dhënave të cituara nga kompania Sensor Tower, numri i përdoruesve ditorë të X ra me 174 milionë në shkurt, një rënie prej 15% krahasuar me muajin korrespondues në 2023./KultPlus.com

Kush ishte Nikolas Kopernik

Nikolas Kopernik (1473-1543) ishte një astronom polak i cili iu përkushtua studimit të mjekësisë, teologjisë dhe ekonomisë, shkruan focus.it.

Emri i Kopernikut do të mbetet përgjithmonë i lidhur me atë “revolucion” që e shtyu atë të ekspozonte teorinë e tij heliocentrike, e cila e vendosi Diellin në qendër të sistemit të orbitave të planetëve dhe jo Tokës.

Por, asnjë pikturë e vetme nuk u krijua nga ai shkencëtar gjatë jetës së tij dhe i vetmi autoportret i tij u shkatërrua në një zjarr në vitin 1597.

Prandaj nuk dihej se cilat ishin tiparet e atij njeriu dhe e vetmja ide që mund të kishim bazohej në piktura pas vdekjes së tij të cilat u frymëzuan nga autoportreti.

Tani, katër shekuj më vonë, Cicero Moraes ka arritur të krijojë një rindërtim të fytyrës së tij siç duhet t’u ketë qenë dukur bashkëmoshatarëve të tij.

Moraes është një stilist brazilian, i cili njihet për veprat e tij që rindërtojnë fytyrat e figurave historike.

Për të kryer këtë punë, Moraes rindërtoi në mënyrë dixhitale fytyrën bazuar në atë që besohet të jetë kafka e Kopernikut.

Eshtrat e tij u zbuluan në vitin 2005 nën Katedralen Frombork në Poloni, ku Koperniku jetoi, punoi dhe vdiq. Megjithëse nofulla mungonte, Moraes ishte ende në gjendje ta rindërtonte atë në kompjuter.

”Pasi u rikompozua komplet kafka unë isha në gjendje të vazhdoja me rindërtimin e fytyrës. Ishte një çështje e përdorimit të të dhënave të nxjerra nga matjet e individëve të gjallë për të arritur në një fytyrë që mund të ishte në përputhje me kafkën e Kopernikut”, shpjegon Moraes./KultPlus.com

 “Mona Lisa” vepra e artit më zhgënjyese në botë

Arti, me aftësinë e tij për të magjepsur dhe ngjallur emocione, ka qenë gjithmonë objekt i pritshmërive të mëdha, shkruan e përditshmja italiane “adnkronos”.

Megjithatë, siç thekson një analizë e fundit e kryer nga “CouponBirds”, sa më të larta të jenë pritshmëritë, aq më i madh është rreziku i zhgënjimit.

Ky parim vlen edhe për kryeveprën e famshme të Leonardo da Vinçit, “Mona Lisa”, e përcaktuar si “vepra e artit më zhgënjyese në botë”.

Sipas “CouponBirds” mes 18 000 vlerësimeve të veprave ndërkombëtare të artit, “Mona Lisa” u dallua për përqindjen e konsiderueshme të opinioneve negative, duke regjistruar 37,1%.

Ky rezultat është befasues, sidomos duke pasur parasysh famën mbarëbotërore të kësaj pikture.

Pëlhura, e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris, ia kaloi edhe veprave po aq të famshme, si “Liberty Leading the People” (Liria që udhëheq popullin) nga Eugene Delacroix.

Arsyeja kryesore e këtij zhgënjimi nuk qëndron në aftësinë artistike të Leonardos, por në vështirësitë që hasin vizitorët për ta shijuar plotësisht veprën.

Luvri, me turmat e tij të çrregullta dhe çmimet gjithnjë në rritje të biletave, ofron një përvojë stresuese për vizitorët e tij.

“Mona Lisa”, e varur e vetme në një dhomë të mbushur me njerëz, bëhet pothuajse e paarritshme përballë turmës dhe masave të sigurisë të vendosura pas disa episodesh vandalizmi.

Fjalët si “turmë” dhe “e vështirë” përsëriten në opinionet e vizitorëve, të cilët shpesh ndihen të zhgënjyer nga përvoja e vizitës.

Megjithatë, zhgënjimi i shkaktuar nga “Mona Lisa” nuk është një rast i izoluar në botën e artit.

Veprat e famshme në mbarë botën tërheqin turma të çrregullta dhe bileta të shtrenjta, duke minuar përvojën e përgjithshme të vizitorëve.

Parisi, me Muzeun e Luvrit si atraksioni kryesor, u klasifikua si qyteti i artit më pak i vlerësuar nga vizitorët, i ndjekur nga Nju Jorku dhe Firence. /KultPlus.com

Prezentohet projekti për transformimin e hapësirave të Tulltores

U prezantua sot projekti për transformimin e hapësirave të Tulltores, e cila do të shndërrohet në një vend të artit, kulturës dhe teknologjisë.

Projekti, realizimi i së cilës do të nis shpejt, u përpilua nga studio e mirënjohur e arkitekturës Rafi Segal Architecture and Urbanism, i cili po ashtu dhe prezantoi gjithë projektin para të pranishmëve, do të rivitalizojë gjithë zonën e “Kodrës së Trimave”.

“Jam shumë i lumtur t’ju tregoj se projekti për transformimin e Tulltores në një qendër arti, kulture e teknologjie, do t’i japë shpirt të ri kryeqytetit, duke e rivitalizuar të gjithë zonën e Kodrës së Trimave” – deklaroi kryetari Rama.

Ndërsa, arkitekti i cili hartoi projektin, Rafi Segal, projektin “Tulltorja, Art – Tek” e konsideroi ndër më të rëndësishmin të tij, dhe u shpreh i lumtur që do të ndihmojë kryeqytetin t’ja kthejë shpirtin e gjallërinë kësaj zone./rtk/KultPlus.com

Fytyrën kam ngjitur në xham

Poezi nga Pol Elyar, përktheu Dritëro Agolli.

Fytyrën kam ngjitur mbi xham si rojë pikëllimi
Dhe nën mua dergjet qielli i natës
Dhe në pëllëmbët e mia u shtrinë pllajat
Në heshtjen e dyfishtë të horizontit.
Fytyrën kam ngjitur në xham si rojë pikëllimi,
Ty të kërkoj tej sinoreve të pritjes,
Tej sinoreve të vetes sime;
Aq shumë të dua, sa nuk e marr vesh
Se cili mungon këtu nga ne të dy./KultPlus.com

‘Princi i Vogël’, vepra e famshme e Antoine de Saint Exupery, nesër në skenën e Teatrit Eksperimental

Princi i vogël, vepra e famshme e Antoine de Saint Exupéry, ka premierën të shtunën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji nga Rafael Hoxhaj.

Princi, i pa mjaftuar nga planeti i tij i vogël me tre vullkane: dy që nxjerrin llavë dhe një i shuar, dhe me një lule tekanjoze, niset në një udhëtim të gjatë. Pas shumë aventurash ai në fund kthehet tek lulja që ja ka zbutur zemrën dhe tek vullkanet e tij.

Koncepti i shfaqjes ndërthur teatrin modern, nën interpretimin e Denada Llanaj, Matia Llupa, Eva Gjikaj, Bujar Hoxhaj.

“Mesazhi është i thjeshtë. S’ka rëndësi sa e vogël është shtëpiza jonë, nëse ka gjëra që na duan dhe i duam, është e mjaftueshme. Princi i Vogël u bë vepra më e suksesshme e Saint-Exupéry-t, duke shitur rreth 140 milionë kopje në mbarë botën, është përkthyer në mbi 505 duke qenë vepra e dytë më e përkthyer e botuar ndonjëherë, pas vetëm Biblës”, tha regjisori Rafael Hoxhaj./KultPlus.com

Christopher Nolan i ‘Oppenheimer’ nderohet me titullin kalorës

Regjisori britanik Christopher Nolan, i cili fitoi çmimin Oscar për regjinë më të mirë këtë muaj për filmin “Openheimer”, do të marrë titullin kalorës. Gruaja e tij, producentja e filmit, Emma Thomas, do të marrë një damë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se dyshja po nderoheshin për shërbimet e tyre në kinematografi.

Filmi për babain e bombës atomike përfshiu bordin në ceremoninë e vitit 2024, mori shtatë çmime gjithsej – duke përfshirë filmin më të mirë.

Nolan më parë ishte nominuar për pesë çmime Oscar përpara Oppenheimer, por nuk kishte fituar kurrë një Oscar deri në ceremoninë e këtij viti.

Lajmi për nderimet e tyre erdhi si befasi, sepse ato shpërndahen zakonisht dy herë në vit, një herë për të shënuar vitin e ri dhe më pas në ditëlindjen e mbretit Charles III (14 nëntor), i cili i jep nderimet.

Megjithatë, ato ndonjëherë shpërblehen pas arritjeve të veçanta, shpesh të lidhura me sportin dhe artin – dhe Nolan më shumë se kualifikohet në atë front, duke marrë parasysh çmimet e tij për Oppenheimer.

Nderimet jepen zyrtarisht në një ceremoni në Pallatin Buckingham, shpesh nga monarku i Mbretërisë së Bashkuar personalisht./KuktPlus.com

Enver Petrovci paralajmëron padi për ata që e linçuan: Nuk ndihem i goditur, sepse e vërteta është në anën time

Aktori shqiptar Enver Petrovci ka dale me një sqarim publik rreth deklaratës së tij të fundit rreth ish luftëtarëve të UÇK-së, deklaratë për të cilën Petrovci thotë se u linçua me qëllim dhe pa të drejtë nga persona të tjerë, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:

E ndjej të nevojshme t’i drejtohem opinionit publik me një prononcim të shkurtër në lidhje me një fushatë të orkestruar e linçuese të disa portaleve (shembuj tipik të anti-vlerave), mediave dhe individëve pas intervistës sime me Adelina Ismailin. Nuk dëshiroj të hyj në arsyet e ketij linçimi edhe pse arsyet mund t’i supozoni edhe vet ashtu si i kam të qarta edhe unë.

Unë nuk kam nevojë të flas këtu për aktivitetin tim profesional, flasin profesionistët e fushës.

Nuk kam arsye të flas për punën shumëvjeçare me studentë, flasin ata vet dhe të arriturat e tyre.

Nuk kam arsye të flas për themelimin e dy teatrove këtu në Kosovë, flasin teatrot vet.

Nuk kam arsye të shpjegohem se pse lëshova Beogradin në kulmin e karrierës sime në kohët më të vështira për Kosovën.

Nuk kam arsye të flas për ushtarët e UÇK-së dhe respektin e thellë që kam për sakrificën e tyre.

Nuk është faji im dhe as nuk është faji i ushtarëve të lirisë, që disa, në emër të luftës e njollosën në masë të madhe sakrificën sublime të ushtarëve të lirisë, me të bëmat e të pabëmat e tyre, e që i di i mbarë opinioni. Këtë zhgënjim e kanë të pranishëm edhe vet ushtarët e vërtetë të UÇK-së për të cilët e them sërish, ndjej respekt të thellë deri në përulje.

Nuk kam hezituar asnjëherë t’a them mendimin tim të lirë, të pastër dhe të sinqertë në asnjë intervistë që kam dhënë nëpër media. Ka mundësi që në ndonjë prononcim mund të jem keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Por gjithashtu ka ndodhur shpesh që ndonjë fjali të hiqet nga i tërë konteteksti i mendimit, dhe kështu të keqintpretohet dhe përgojohet intervista. Me qëllim apo pa qëllim, e dijnë ata vet.
Kështu ndodhi edhe në intervistën me Adelinën I. Po, kam thënë se disa nuk do të përfundonin në krye të shtetit po të mos ishte lufta. Dhe kjo është e vërtetë, ashtu si nuk do të ishte Titoja ai që u bë, por do të mbetej një mekanik, (pjesë e hequr nga intervista) siç edhe ishte, po të mos ndodhte lufta e dytë botërore. Disa njerëz i bie koha, e disa puna. Si do që të jetë, më vjen keq për ata që u ndien keq me përmendjen e profesionit të mësuesit apo bodyguardit. Unë e respektoj secilin profesion, dhe studentëve të mi gjithmonë u kam preferuar të më thërrasin MËSUES, e jo profesor. Dhe ky fakt besoj se është dëshmi e mjaftueshme sa e respektoj të qenit mësues. Gjithsesi, ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë ndier të goditur nga ky emërtim. Po, emërtimin MËSUES e mbaj me krenari edhe vet.
Dhe e githë kjo, solli një vërshim fyerjesh, etiketimesh, njollosjesh e linçim gjysëmkolektiv në mediat e portalet tona. Nuk ndihem i goditur, sepse e vërteta është në anën time dhe qëndroj prapa saj me gjithë kapacitetin tim njerëzor, edukativ dhe intelektual. Qenka vallë jo njerëzore të mos e them një të vërtetë? Jam i sigurt se ushtarët e vërtetë të UÇK-së, nuk janë të ofenduar, të them më saktë se janë të një mendimi me mua.
Unë shpresoj që ish pjesëmarrësit e luftës do të dalin të pafajshëm nga Haga, por kjo nuk do të thotë që nuk po i kritikoj për udhëheqjen e tmerrshme të Kosovës së pasluftës.
Më detyruat të hy në arkivat e vitit 1996 të një performance time në Nish. Kjo për shkak të një videoje që njëri nga një pseudo-analistët e publikoi për të dëshmuar se çfarë shqiptari jam unë, duke e ndërruar komplet tekstin origjinal, e duke e përkthyer atë rrejshëm. Falsifikim i të së vërtetës. Rrenë e kulluar. Kjo vetëm e vetëm, për të nxitur urrejtje. (Më poshtë gjeni videon). Ngjajshëm me pretendimet e shpifura që bëj ndasi në mes të “qytetarëve” dhe “katundarëve”. E kundërta e edukatës sime. Po unë jam vet muhaxhir katundar.
Rrenë e kulluar se gruaja ime nuk është shqiptare, etj etj. Këto vetëm si ilustrim deri ku shkon niveli i shpifjeve.
Dhe po, kam aktruar nëpër shumë qytete të Serbisë dhe ish Jugosllavisë e më së shumti në Beograd, sepse atje jam shkolluar, dhe e kam nisur karrierën time, dhe do të luaj kudo që më ftojnë. Ky është profesioni im të cilin e punoj me pasion.

Gjykatat funksionojnë, dhe ato do të merren me këtë orkestrim shpifjesh, njollosjesh, përdhosjesh, linçimin dhe goditjen e personalitetit tim dhe shqetësimit që i shkaktuan familjes sime.

Plot dashuri për të gjithë,

Enver Petrovci./KultPlus.com

Vdes aktori i parë afrikano-amerikan që ka fituar një Oscar

Louis Gossett Jr., afrikano-amerikani i parë që fitoi një Oscar për aktorin dytësor dhe një fitues Emmy për rolin e tij në mini-serialin televiziv “Roots” (Poots), ka vdekur.

Ai ishte 87 vjeç. Nipi i Gossett tha për Associated Press se aktori vdiq të enjten në mbrëmje në Santa Monica, Kaliforni. Ndërkohë, asnjë shkak i vdekjes nuk është zbuluar.

Rolin e parë të aktrimit e mori në produksionin e “You Can’t Take It With You” në shkollën e mesme në Brooklyn, ndërsa u përjashtua nga ekipi i basketbollit për shkak të një dëmtimi, transmeton Guardian.

Mësuesi i tij i anglishtes e ftoi të shkonte në Manhatan për të provuar “Take a Giant Step”. Ai mori pjesë dhe bëri debutimin e tij në Broadway në 1953 në moshën 16-vjeçare.

Gossett ndoqi Universitetin e Nju Jorkut me një bursë për basketboll dhe dramë. Së shpejti ai ishte duke aktruar dhe kënduar në shfaqje televizive të drejtuara nga David Susskind, Ed Sullivan, Red Buttons, Merv Griffin, Jack Parr dhe Steve Allen.

Gossett u miqësua me James Dean dhe studioi aktrim me Marilyn Monroe, Martin Landau dhe Steve McQueen në degën e Studios së Aktorëve të mësuar nga Frank Silvera. Në vitin 1959, Gossett mori vlerësime kritike për rolin e tij në prodhimin e Broadway të A Raisin in the Sun së bashku me Sidney Poitier, Ruby Dee dhe Diana Sands. Ai u bë një yll në Broadway, duke zëvendësuar Billy Daniels në The Golden Boy me Sammy Davis Jr. në 1964.

Gossett shkoi për herë të parë në Hollywood në vitin 1961 për të bërë versionin filmik të ‘Sun on Sun’.

Gossett u shfaq në filma televizivë si “The Satchel Paige Story”, “Backstairs at the White House”, “The Josephine Baker Story”, për të cilin fitoi një tjetër Golden Globe dhe “Roots Revisited”, si dhe “Bonanza”. “The Rockford Files”, “The Mod Squad”, “McCloud” dhe me Richard Pryor në “The Partridge Family”./KultPlus.com

Kangët e pakëndueme

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni.

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori. 

Thelltë në veten teme kangët e miajesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin. 

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën. 

O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë- djepi juej; ndoshta vorri juej./KuktPlus.com

Kurti dhe Çeku vizitojnë ekspozitën e botimeve në gjuhë të huaja për Kosovën “Kosova në gjuhët e botës”

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë vizituar ekspozitën e botimeve në gjuhë të huaja për Kosovën të titulluar “Kosova në gjuhët e botës”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Ata u njoftuan nga kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja, për llojllojshmërinë e tematikave të qindra librave dhe botimeve në shumë gjuhë të huaja, të cilat përveçse pasqyrojnë ndërhyrjen e NATO-s, përfshijnë edhe mbështetjen ndërkombëtare ndaj Kosovës, si dhe pjesë të historisë së popullit tonë në kohë lufte.

Kjo ekspozitë u hap për publikun më 25 mars në kuadër të aktivitetet të AShAK-ut për shënimin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s./MKRS/KultPlus.com

Dy shqiptarë të Kosovës vlerësohen nga Presidenca e Finlandës

Dy shqiptarë me origjinë nga Kosova, me banim në Finlandë, Myrvete Uka Ömer, Gani Neziri, të cilët punojnë prej më shumë se dy dekadash në bibliotekën e komunës së Espos, qytet në jug të Finlandës, janë shpërblyer me çmimin presidencial “Trëndafili i Bardhë Finlandez”.

Ky çmim u dedikohet punëtorëve dhe personaliteteve, të cilët me përkushtim angazhohen në ruajtjen e identitetit kulturor të minoriteteve dhe integrimin e tyre në shoqërinë finlandeze.

“Presidenti i Republikës ka vlerësuar dy punëtorë të bibliotekës së Espos me medaljen ‘Trëndafili i Bardhë Finalndez’ për punën e tyre meritore në promovimin e aftësive të tyre në përfshirjen e të rinjve në aktivitetet bibliotekare. Aktiviteti i tyre, veçanërisht me fëmijët dhe të rinjtë me prejardhje jashtë Finlandës janë vërtetë të jashtëzakonshme. Duke qenë vetë emigrantë në Finlandë, ata kanë treguar shembull se ka vend për shumetnicitete në shoqërinë tonë dhe kështu kanë krijuar shpresë dhe besim te fëmijët dhe te të rinjtë në Espo. Urime Myrvete Uka Ömer e Gani Neziri”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Finlandës.

Myrvete Uka Ömer dhe Gani Neziri, të cilët në Kosovë kanë ushtruar profesionin e mësuesisë, u shprehën të lumtur për çmimin presidencial.

“Ndjehemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë nga Presidenti i Finlandës për punën tonë. Ky çmim na motivon të punojmë më me përgjegjësi e përkushtim për fëmijët dhe të rinjtë e komuniteteve të ndryshme”, thanë për RTKlive Myrvete Uka dhe Gani Neziri.

Ndryshe, në Finlandë jetojnë rreth 10 mijë shqiptarë. Ata janë të organizuar në shoqata të ndryshme kulturore. Ata janë të përqendruar kryesisht në qytetet jugore të Finlandës, në Helsinki, Espo, Vantë, Turku, etj./KultPlus.com

Përfaqësues të Akademisë “La Scala” në TKOB

 Përfaqësues të Akademisë “La Scala” kanë zhvilluar një takim në mjediset e TKOB me drejtoreshën e institucionit, Abigeila Voshtina.

Me Tommaso Abbiati, drejtuesi i Marketing-ut, Rritjes së Fondacioneve dhe Sponsorizimeve si dhe kolegen e tij, Letizia Cirri, Voshtina bisedoi rreth një binjakëzimi të mundshëm mes TKOB dhe “La Scala”, propozim i cili është pritur me entuziazëm nga pala italiane.

“Të tilla bashkëpunime, me në fokus të rinjtë shqiptarë e të huaj, do të fuqizojnë akoma më tepër potencialin e tyre, në skenën e TKOBAP-së dhe përtej saj. Mbi të gjitha, artistët e rinj do mund të pasurojnë repertorin artistik të veprave që nuk i kanë debutuar përgjatë viteve akademike apo përgjatë eksperiencës së tyre artistike”, shkruhet në faqen e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.

“La Scala” e Milanos u inaugurua me 3 gusht të vitit 1778. Ai njihet botërisht si shembull i ekselencës, duke qenë se në të kanë interpretuar këngëtarët, instrumentistët e balerinët më të mirë nga të gjitha vendet e botës. “La Scala” ofron edhe trajnime profesionale në muzikë, balet e menaxhim skenik./KultPlus.com