Antologjia e poezisë shqipe e përkthyer në rumanisht fiton çmimin e Panairit të librit “LIBREX 2024” në Rumani

Antologjia e poezisë shqipe, e hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi, e përkthyer në rumanisht ka fituar çmimin e panairit të librit “LIBREX 2024, në qytetin e Jashit në Rumani.

Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat

Panairi i Librit LIBREX 2024 u zhvillua në kryeqendrën kulturore të Rumanisë, në qytetin e Jashit, nga datat 10-14 prill 204. Këtë vit ishte edicioni i 29 i këtij panairi me pjesëmarrjen e 76 Shtëpive Botuese nga gjithë Rumania. Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit u krye ceremonia e ndarjes së Çmimeve nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, zoti Cassian Marian Spiridon dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Jashit, Mihai Chirica.

Juria akordoi 15 çmime të rëndësishme sipas gjinive letrare.

Këtë vit Shtëpia Botuese e ALAR-it mori çmimin Laurențiu Ulici për antologji letrare për botimin e Antologjisë së poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme me koordinuar Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Antologjia e poezisë shqipe (700 faqe) dhe me 63 autorë shqiptarë që nga zanafilla dhe deri më sot është botuar nga Shtëpia Botuese e ALAR, Asdreni, me një studim hyrës nga kritiku dhe shkrimtari Marius Chelaru, kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.

Në këtë mënyrë, juria LIBREX shpërbleu vlerën e botimit të antologjisë së poezisë shqipe në rumanisht. Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat.

Anëtarë të jurisë ishin Eugen Munteanu, Prof. Dr. në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” Jash, Ioan Holban, shkrimtar, drejtor i Teatrit “Luceafărul” Jash, Petru Nicu Gavrilută, profesor PhD në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Jash, Cassian Maria Spiridon, shkrimtar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, Florin Cîntic, historian dhe shkrimtar, Valeriu Stancu, shkrimtar dhe Dragoş Pătrașcu, artist figurativ dhe profesor universitetit në UNAGE Jash./tema/KultPlus.com

Presidentja priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

Sot në mëngjes, Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed Philanthropies, cila udhëheq delegacionin e kësaj organizate që po viziton Kosovën.

Alwaleed Philantropies janë në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës ku do të dorëzohet një donacion i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë në QKUK nga ana e Alwaleed Philanthropies.

Presidentja Osmani ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës Alwaleed Philanthropies të udhëhequr nga Princi Alwaleed Bin Talal Al Saud, për këtë donacion që do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ka ofruar bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve të tjera që janë në interes të qytetarëve të Republikës./ KultPlus.com

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, copëtimi i Shqipërisë në favor të fqinjëve

Më 26 prill 1915, u firmos Pakti i Londrës.

Italia nënshkroi Paktin e Londrës me fuqitë e Antantës, Britaninë, Francën dhe Rusinë.

“Traktati i Fshehtë i Londrës”, siç njihet ndryshe ky pakt në historiografi, ishte një ngjarje me peshë të madhe në historinë e Shqipërisë, pasi përfshinte plane për ndarjen territoriale të vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell 2 nenet që prekën drejtpërdrejt Shqipërinë.

Neni 6, sipas të cilit, “Italia do të marrë sovranitetin e plotë mbi Vlorën, ishullin e Sazanit dhe territorin përreth”.

Neni 7 përcaktonte se, “pjesa qendrore e Shqipërisë është e rezervuar për krijimin e një shteti të vogël të pavarur autonom dhe Italia nuk do të kundërshtojë ndarjen e Shqipërisë së Veriut dhe Jugut midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.

Kongresi i Lushnjes, vite më vonë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protesta të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës./ atsh / KultPlus.com

Akil Gjakova triumfon në raundin e parë

Akil Gjakova e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian në Zagreb të Kroacisë.

Në raundin e parë, xhudisti kosovar e ka mposhtur një kundërshtar të fortë, të renditur i 28-ti në botë, sllovenin Marin Hojak.

Gjakova garon në kategorinë -73 kilogramë.

Xhudisti më i mirë i Kosovës, në raundin e 1/32-ve do të luftojë ndaj bullgarit Mark Hristov./ KultPlus.com

Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale

Sot në të gjithë botën shënohet Dita e Pronësisë Intelektuale, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e kësaj pronësie.

Pronësia intelektuale që përfshinë pronësinë industriale dhe të drejtat e autorit është e garantuar me ligj.

Që nga viti 2000 më 26 prill të çdo viti të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) kremtojnë Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila organizohet nën juridiksionin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), në shënim të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë./atsh/KultPlus.com

Nderohen me çmime nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit akademikët nga Kosova

Akademikët nga Kosova, Fejzullah Krasniqi dhe Naser Sahiti, u nderuan me çmimin “Vepra më e mirë studimore” për librin “Proceset dhe ciklet termodinamike” me motivacionin:

“Një vepër që pasqyron zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë së termodinamikës, fokusuar në problemet konkrete të ngrohjes, përmes një analize dhe sinteze të detajuar të proceseve më të rëndësishme termodinamike, duke shenjuar një arritje në studimet shqiptare”.

Edhe Akademiku Anastas Angjeli u nderua me çmimin “Vepra më e mirë studimore” për Kolanën “Ditari i tranzicionit” me motivacionin:

“Një vepër madhore, e cila sjell në kujtesë në mënyrë integrale historinë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë të pas viteve 90-të. Kjo kolanë pasqyron një begati diturish, në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë”.

Këto çmime u dhanë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, të mbajtur nga data 23-25 prill në Tiranë./tema/KultPlus.com

Ndërhyrje mirëmbajtjeje në këmbanoren e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Berat

Specialistët e mirëmbajtjes së Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat janë duke kryer ndërhyrjen për mirëmbajtjen në çatinë e këmbanores së kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.

Ndërhyrja konsiston në heqjen e tjegullave, zbërthimin e elementeve drusore të degraduar për t’i zëvendësuar ato me elemente drusore të tjerë, sipas të njëjtit konfigurim, duke ruajtur karakteristikat e kësaj çatie.

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” pozicionohet në një vend dominues të lagjes “Kala”, e ndërfutur midis banesave të shumta dhe që dikur përfshi­hej në kompleksin e mitrop­olisë, gjurmë të të cilit ruhen edhe sot. Nga datimi i ruajtur mbi një nga portat e naosit, kisha është rindërtuar në vi­tin 1797 dhe përbën një nga monumentet më përfaqë­suese të arkitekturës pasbi­zantine në qytetin e Beratit.

Mjaft i spikatur është kon­servimi i mirë i ikonostasit me gdhendje druri dhe lyer me ar, i datuar në vitin 1806 dhe ku sot janë ekspozuar ikonat më të famshme të piktorëve më të njohur pasbizantinë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Vdes mësimdhënësja e muzikës, Bahtishah Shehu Baruti

Ka vdekur në moshën 83-vjeçare mësimdhënësja e muzikës Bahtishah Shehu Baruti.

E ndjera kishte edukuar shumë breza në qytetin e Mitrovicës.

Lajmin për vdekjen e saj e kanë të ditur familjarët.

“Varrimi i të ndjerës bëhet me datë 26.04.2024 në varrezat e Prishtinës në Dragodan – me drekë, ora 13:00.E pamja mbahet 2 ditë  (27 dhe 28 prill, ditë e shtunë dhe e dielë) Vendi: Hotel Grand  Ora: 09:00-17:00”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Perandorët romakë me prejardhje ilire

Shqiptarët padyshim se i takojnë trungut të popujve më të lashtë si për nga historia ashtu edhe për nga gjuha. Mirëpo shqiptarët janë një ndër popujt të cilët më së paku e kanë të dokumentuar historinë e vet kombëtare.

Periudha e hekurit por edhe ajo antike janë periudha shumë të lavdishme të ilirëve si paraardhësit tanë. A ishin të civilizuar? Me çfarë teknike dhe si i ndërtuan vendbanimet e veta? Nëse dimë se muret ciklopike janë karakteristikë e ndërtimeve ilire atëherë shtrohet pyetja si u skalitën ata gurë gjigand? Kush ishin ata që i skalitën me aqë precizitet dhe në fund me çfarë makinerie apo teknike i ngriten blloqet shumëtonëshe deri në ato lartësi të mëdha?

Dimë për kulturën helene dhe romake dhe padyshim se këto kultura kanë mbërrit edhe në Ilirik. Ato këtu gjetën kulturën ilire e cila ka dhënë kontributin e vet në kulturën e gjithëmbarshme botërore. Helenët, trojet e ilirëve i quanin barbare, derisa Roma nuk mundi t’i pushtojë me lehtësi por iu deshtë të bëjë luftëra të cilat zgjatën pothuaj 300 vite ku më të njohurat janë Lufta e Parë, Dytë dhe e Tretë Iliro-Romake kur përfundimisht bie Mbretëria e Ardianëve dhe i gjallë bie rob Mbretit Gent. Pasojnë disa kryengritje të cilat zgjasin deri në vitin 6-7 të erës së re e që pas shuarjes së kryengritjeve, Roma me qëllim që më lehtë ta kontrollojë këtë territor formon dy provinca të reja: Dalmacinë dhe Mezinë.

Nuk duhet harruar se fillimisht Roma kishte rregullim: Mbretëror (735-509 p.e. re), Republikan (500 p.e.re – 27 p.e.re) por me ardhjen e Cezarit (50 pe.re) e përfundimisht nga Augusti (27 p.e. re) fillon era e rregullimit të ri shtetëror pra Perandorisë Romake që udhëhiqet nga perandori i cili sipas një rregulli vinte nga radhët e ushtrisë. Ky rregullim zgjati deri në vitin 350 të erës sonë kur edhe Perandoria ndahet në atë Lindore dhe Perëndimore. Në këtë periudhë falë shkathtësisë së tyre luftarake, guximit dhe ambicies për pushtet u bë e mundur që për perandorë romakë të bëhen edhe shumë ushtarakë të lindur në Iliri dhe që shumë lehtë vërtetohet identiteti i tyre ilir madje ata edhe inkurajonin dhe ndihmonin ilirët tjerë që të ngriten dhe avancohen në ushtri. Andaj për një periudhë të gjatë kohore ia arritën që shumë ilirë të mbajnë poste dhe funksione shumë të larta perandorake.

Në periudhën Perandorake (27 p.e.re – 395) në fron janë ulur plot 27 ilirë prej të cilëve më të njohurit janë: Diokleciani dhe Konstantini i Madh, e që Aurel Viktori (320-390) për ta do të shkruante: “Atëdheu i të gjithë këtyre ka qenë Iliriku, edhepse pak të qytetëruar kanë qenë shumë të dobishëm për shtetin” (N.Ceka, Ilirët). Pra, këta perandorë janë puro iliro/shqiptar, sllavët në Ilirik filluan dyndjen në shek.VI-VII dmth dy shekuj pas Perandorit të fundit ilir. Këtu po sjellim listën e Perandorëve Romak që kanë lindur në Ilirik apo kanë prejardhje ilire:

1. Trajanus Decius (249 – 251), Gaius Messius Quintus Taianus Decius, ka lind në Budallija (Sirmium) sot fshati Martiniqi (Mitrovica e Sremit, Serbi)

2. Hostilianus (251), Gaius Valens Hostilianus Messius Quintus, djali i Deciusit, ka lind në Sirmium.

3. Claudius II Gotikus (268 – 270), Marcus Aurelius Claudius Gothicus, është nga rrethi i Sirmiumit ose nga Dardania. Për perandor zgjedhet pasi i mund Gotët në vitin 268 afër Naissusit.

4. Quintilus (270), Marcus Aurelius Claudius Quintillus, ka lind në Sirmium, është vëllai i Claudit II, vetëm 77 ditë ka qëndruar në fron.

5. Aurelianus (270 – 275), Lucius Domitius Aurelianus, ka lind në Sirmium sot Mitrovica e Sremit, njihet me atë se Perandorisë Romake ia ribashkon Mbretërinë e Galëve.

6. Probus (276 – 282), Marcus Aurelius Probus, ka lind në Sirmium, është i pari që lejoi që hardhit Italiane të mbillen në vende tjera të Perandorisë si në Ilirik, Galici, Britani dhe Spanjë.

7. Diocletian (284 – 305), Gaius Aurelius Valerius Diocletianus, ka lind në Dioclea sot Dukla afër Podgoricës. Një ndër perandorët më të rëndësishëm të Romës. Pas një kaosi të madh shumëvjeçar ai ia arriti që Perandorinë ta vëj në rregull. Duke qenë i vetëdijshëm se Perandoria ishte shumë e madhe dhe që ishte shumë e vështirë të udhëhiqej nga një njeri i vetëm është i pari që vendos të ndajë pushtetin krijon Diarkin (dy AUGUSTË që sundojnë njëri në Lindje e tjetri në Perëndim) dhe kjo ishte fillimi i ndarjes së Perandorisë në atë Lindore dhe Perëndimore.

8. Maximianus Herculius (285 – 305), Marcus Aurelius Valerius Maximianus Herculius, ka lind në Sirmium. Ilir, mik dhe bashkësundues me Dioklecianin. Së bashku me Dioklecianin jep dorëheqje nga froni por që pas një viti (306) kthehet prapë në fron dhe e ndihmon në ngritje Konstantinin e Madh. Nga froni e rrëzojnë më 308.

9. Galerius (305 – 311), Gaius Galerius Valerius Maximianus, ka lindur në Felix Romuliana sot Gamzigrad afër Zajeçarit. Sundoi nga Sirmiumi, ka qenë i pamëshirshëm ndaj të krishterëve madje të gjitha barbarizmat që i vishen Dioklecianit janë rezultat i përndjekjeve të tija. Për grua kishte vajzën e Dioklecianit.

10. Constantius I Chlorus (305 – 306), Flavius Valerius Constantius, ka lind në Ilirik në vitin 250. Është babai i Konstantinit të Madh.

11. Flavius Severus II (306 – 307), Flavius Valerius Severus II, ka lindur në Naissus, ka ndarë fronin me Konstantin Klorin.

12. Licinius (308 – 324), Gaius Valerius Licianus Licinius, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbretëroi në lindje, së bashku me Konstantinin e Madh sollën Ediktin e Milanit. Zhvillon dy luftëra kundër Konstantinit të Madh të cilat i humbet të dyja dhe në fund ekzekutohet.

13. Maximinus Daia (311 – 313), Gaius Galerius Valerius Maximinus, ka lindur në afërsi të Felix Romuliana, mbahet mend si persekutues i madh dhe se nuk ka pranuar sistemin tetrark të mbretërimit.

14. Constantinus I i Madh (312 – 337), Flavius Valerius Constantinus, ka lindur në Naissus (Nishi i sotëm). Më 313 nënshkruan Ediktin e Milanit me të cilin lejohet toleranca fetare dhe praktikimi i lirë i fesë së krishterë. Është themelues i Konstantinopolit dhe me ardhjen e tij vie deri te një paqe sociale pas një periudhe të gjatë të persekutimeve fetare.

15. Constantinus II (337 – 340), Flavius Iulius Constantinus, ka lind në Sirmium dhe është djali i dytë i Konstantinit të Madh. Babai i vet e bën Cezar të pjesës lindore të Perandorisë kurse dy vëllezërit tjerë pjesën tjetër.

16. Vetranio (350), i ilindur në Mezi, për Cezar e emëroi Konstanti II me kërkesën e vajzës së Konstantinit të Madh. Mirëpo nuk ndenji shumë në fron vetëm dhjetë muaj kur edhe datyrohet të largohet.

17. Iovianus (363 – 364), Flavius Iovianus Augustus, ka lindur në Singidunum (Beogradi i sotëm) dhe në fron qëndroi vetëm tetë muaj.

18. Valentinianus I (364 – 375), Flavius Valentinianus, ka lind në Cibala (sot Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valensin. Ka mbretëru perëndimin.

19. Valensi (364 – 378), Flavius Valens, ka lind në Cibala (Vinkovci, Kroaci). Fronin e ka ndarë me vëllanë Valentinianin I. Ka mbretëru lindjen.

20. Gratianus (375 – 383), Flavius Gratianus Augustus, ka lind në Sirmium. Është djali i Valentinianit I.

21. Valentinianus II (383 – 392), Flavius Valentinianus II, ka lind në Trir është djali i Valentinianit I i cili ka qenë nga Cibala (Kroaci).

22. Constantinus III (421), Flavius Constantius Augustus, ka lind në Naissus, është babai i Valentinijanit III

23. Valentinianus III (425 – 455), Flavius Placidius Valentinianus, djali i Constantinus III, njihet si perandori i fundit perëndimor me origjinë ilire.

24. Marcianus (450 – 457), Flavius Marcianus, ka lind në Iliri, ka mbretëru në lindje.

25. Anastasius I (491 – 518), Anastasius, ka lind në Dyrrachium, Durrës, Shqipëri.

26. Iustin I (518 – 527), Flavius Iustinius, ka lindur në Bederiana të Dardanisë (Leban, Serbi).

27. Iustinianus I (527 – 565), Flavius Petrus Sabbatius Iustinianus, ka lind në Tauresium të Dardanisë. Justiniani I është imperatori i fundit latin.

(Gazeta Shqiptare, Gazmend Çitaku, publicist dhe përkthyes). /KultPlus.com

Arti bizantin, domethënia e “Metamorfozës” e pikturuar nga Onufri

Muzeu i Artit Mesjetar ka nisur një cikël të ri, titulluar “Zbulo ikonën bizantine”, përmes të cilit publiku mund të njihet me ikonat, domethënien dhe rregullat me të cilat funksiononte arti bizantin.

Shpërfytyrimit ose Metamorfoza, është një ikonë e shekullit XVI, e pikturuar nga mjeshtër Onufri për baltakinin e ikonostasit të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në qytetin e Beratit.

Ikona e Shpërfytyrimit përbën çelësin e teologjisë orthodhokse për sa i përket shfajqes hyjnore.

MKAM shpjegon se tek kjo ikonë shihen tre fasha, në pjesën e sipërme kemi figurën e Krishtit në qëndër dhe nga anash dy profetët Moisiu dhe Ilia. Në qëndër të panelit shihet ngjitja në malin Tabor dhe më pas largimi prej tij. Dhe në pjesën e poshtme janë tre apostujt, Pjetri, Joani dhe Jakovi me qëndrime të frikësuara.

Veshja e Krishtit është gjithmonë e bardhë duke treguar pastërtinë, gëzimin dhe lavdinë. Qëndrimi i tij është i qetë dhe duke bekuar, kurse dy profetët janë përkulur ndaj tij. Pjesëmarja e tyre në këtë skenë simbolizon fjalën dhe veprën në Dhiatën e vjetër. Fjala u përhap nga profeti Ilia kurse vepra tek ligjet e shkruar që ju dhanë Moisiut. Ngjarja ndodh në mal sepse mali është simbol i bashkimit të tokës me qiellin. Prapa figurës së Krishtit shohim tre mandorla që simbolizojnë Trinitetin nga të cilat dalin rreze drite shumë të forta dhe duke u bazuar tek shkrimet e shenjta që “Perëndia është Dritë”, jo në materie por në energji. Tre dishepujt të cilët ndodhen poshtë janë të verbuar dhe të trembur nga ky ndriçim vezullues të cilin nuk e kishin hasur me parë.

Pra kjo skenë tregon shfajqen e natyrës hyjnore të Krishtit, përveç asaj njerëzore. Në fashën qëndrore te ikonës, Onufri me mjeshtërinë e tij paraqet dy herë Krishtin me dishepujt: në të majtë duke ju treguar vendin e ngjarjes dhe në të djathtë duke iu shpjeguar rreth ngjarjes./atsh/KultPlus.com

‘Të martohesh dhe të themelosh një familje është shkalla e fundit që mund të presë një burrë’

Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.

Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.

Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara.

“Të martohesh, të themelosh një familje, ti pranosh fëmijët e tu që të lindin, ti bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, ti udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.

Kjo është vetëm një pjesë nga libri i Shtëpisë Botuese Pema, përkthyer nga Urim Nerguti, për librin “Brief an den Vater” të Kafkës ku tregohen edhe situatat më komplekse e agresive mbi raportin mes Kafkës dhe babait të tij, një Kafkë më ndryshe se Franzi të cilin e shijon dhe lexon mbarë universi, shkruan KultPlus.

Kafka flet më shumë për martesën, për familjen, dhe jo vetëm, brenda letrës. Kafka vdiq në vitin 1924 në moshën 40-të vjeçare, nga tuberkulozi. / KultPlus.com

Shfaqja “Il trittico” i Puçinit dhuron emocione në Varna

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor e ka shtuar numrin e shfaqjeve jashtë kufijve shtetërorë, me synimin që të shërbejë si pasaportë diplomatike e trashëgimisë sonë kulturore.

Shfaqja koncertore “Il trittico” i Puçinit udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Varnës, Bullgari. Me regji të Ada Gurrës, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, dhe me sopranon Dorina Selimaj, shfaqja u dha për publikun artdashës të qytetit bullgar në datat 22 dhe 24 prill.

Drama dhe pasioni i “Il tabarro”-s u përcollën plot emocione nga sopranoja Dorina Selimaj dhe baritoni Plamen Dimitrov, si dhe solistë të shquar ndërkombëtarë, si Kiril Manolov, Linka Stoyanova, Reynaldo Droz, Zhana Kostova e të tjerë, kori dhe orkestra e Teatrit të Varnës.

Regjisorja Ada Gurra e çoi konceptin e saj regjisorial të “Il trittico-s” përtej kufijve të Rajonit, duke i dhënë shkëlqimin e përkujdesin e nevojshëm kësaj vepre, në skenën e mirënjohur e prestigjioze të Teatrit të Varnës.

Gjatë periudhës qershor-korrik, në skenën e Teatrit të Varnës do të vihen dy produksione të TKOB-së, “Samsone et Dalila” dhe “La Boheme”, nën dirigjimin e maestros Sipari. / KultPlus.com

Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

Votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë nuk do të zhvillohet më 2 maj, tha ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Lagumxhija për televizonin N1.

“Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e OKB-së kanë propozime të tjera për tekstin. Asambleja e Përgjithshme me gjasë do të mblidhet pas 6 majit, varësisht nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën”, tha ai.

Siç tha ambasadori, misioni i Bosnje e Hercegovinës në OKB do të marrë pjesë në këtë diskutim në mënyrë që t’iu shpjegohet më mirë teksti i rezolutës të gjitha shteteve që kanë paqartësi.

Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç është njoftuar në ueb-faqen e OKB-së, konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në draft-rezolutë, në të cilën më herët ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjigjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. /REL/ KultPlus.com

Seriali i Çernobilit, sprova e kujtimeve të dëshmitarëve

Sot shënohet 38-vjetori i katastrofës në Çernobil, e i cili shpërthim la pasoja të pashlyeshme jo vetëm në Ukrainë por edhe më tej 

Në mesin e filmave që pasqyron këtë katastrofë, është edhe miniseriali amerikan “Chernobyl”, me personazh kryesor Oleksei Ananenko.

Ai mori një meritë të veçantë si një nga personat që shmangën një katastrofë edhe më të rëndë në aksidentin më tragjik bërthamor në histori.

Aktualisht ai banon një shtëpi modeste, me dy dhoma, në periferi të Kievit.

Oleksei Ananenko shprehet me modesti se nuk është një hero.

”Unë nuk jam ndjerë kurrë si një hero. Ishte detyra ime”, pohon për median 59-vjeçari, ish-inxhinier, i cili vuri në rrezik jetën në vitin 1986 në aksidentin në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet rreth 100 kilometra larg shtëpisë së tij.

Në një nga episodet më tragjike, miniseriali i realizuar nga televizioni HBO tregon historinë e Ananenkos dhe dy inxhinierë të tjerë, Valeri Bespalov dhe Boris Baranov, të cilët zbritën poshtë në zemër të reaktorit në flakë të Çernobilit për të zbrazur rezervuarin me ujë që ndodhej në rreth tre metra thellësi.

Në ekran, tre burrat të vetëdijshëm për rrezikun e pashmangshëm dolën vullnetarë për këtë mision për të shmangur një tragjedi, miliona të vdekur, që do të shkaktonte një shpërthim i dytë, që mund të shkaktohej nga kontakti i lëndës djegëse bërthamore me ujin e rezervuarit.

Në realitet, edhe pse frika e një shpërthimi të dytë ishte diçka e pritshme, intensiteti i përhapjes nuk ishte i qartë./ KultPlus.com

‘Teknika e Koordinuar Pianistike’- pianisti Agron Shujaku promovon 15 video-manuale që synojnë zgjidhjen e problemeve në teknikat e pianos

Vjollca Duraku

Të mërkuren mbrëma, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë promovuar video manualet mbi “Teknikën e Koordinuar Pianistike” të pianistit Agron Shujaku, ku me këtë rast janë demonstruar edhe  disa prej teknikave të cilat u sollën për herë të parë në vend.

Video incizimet janë manuale të cilat janë të ndara në lëndë të caktuara ku secila video e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike. Në diskutimin e realizuar në mes të pianistit Agron Shujaku dhe pianistes Yllka Shyti u tha se kjo metodë e cila tashmë është plasuar në YouTube synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike të cilat i ka realizuar vet profesori Agron Shujaku.

Ambientet e qeta të KultPlus mundësuan një bashkëbisedim të këndshëm të realizuar gjerë e gjatë mbi praktikimin e kësaj metode si dhe për evidentimin e asaj se çka është e dobishme dhe e dëmshme për teknikën e punës me piano, të cilat profesori Shujaku i ka përvetësuar pas një pune autodidakte.

Deri te promovimi “Teknikës së Koordinuar Pianistike” solli një studim i gjatë i profesorit Shujaku, i cili pikëkthesën e madhe e pati pasi kishte hasur në një sfidë personale në punën e tij si pedagog.

“Kam pasur studentë shumë të mirë në atë kohë por në një moment, e kam pasur edhe një nxënëse që sado që ka qenë e angazhuar dhe ka pasur dëshirë të madhe të arrij më shumë, nuk kam ditur t’i ndihmoj edhe pse në të gjitha format jam munduar me atë çfarë kam ditur atëherë. Kjo më ka bërë të dyshoj në pedagogjinë time në atë se a e njoh aq mirë punën me piano dhe me studentë. Nga këtu ia kam filluar studimit në kuptimin e metodave të reja dhe metodave të vjetra”, ka thënë ai.

Profesori Shujaku ka thënë se ky projekt është vazhdimësi e diçkaje që ka qenë duke e punuar një kohë të gjatë, qysh nga koha kur ai vet është përballur me problemet me të cilat po përballeshin tash studentët e tij.

“Kam pas edhe vet probleme fizike të pianos për shkak të stërngarkimit me metoda të ndryshme, kam pasur dhimbje në trup, dhimbje në dorë, e në gishta deri në atë masë sa edhe luajtja me piano u bë e pamundur. Kam bërë një pauzë dy vjeçare. Në fillim kam menduar ta lë pianon, por dëshira e madhe për art dhe pianon në veçanti nuk më ka lënë të dorëzohem aq lehtë, nga ku edhe i kam filluar studimet e ndryshme” ka thënë profesori.

Profesori ka thënë se fillimisht ka qenë fanatik i metodës Taubman, e cila i kishte evituar problemet deri në 90%, porse kjo metodë nuk po i jepte zgjidhje disa prej problemeve të veçanta me të cilat ai ballafaqohej.

“Ato dhimbje që i kam pasur kanë filluar të largohen, jo plotësisht. Në këtë formë unë kam vazhduar të punoj për atë metodë dhe normal çdo gjë që e kam mësuar të re unë kam filluar të implementoj te nxënësit e mij, dhe ka pasur sukses.  Mirëpo deri në një nivel. Ka qenë një moment edhe pse 90%të asaj çka sugjeronte ajo metodë ishte korrekte, nuk jepte përgjigje për disa probleme të cilat nuk kam mundur t’i zgjidh. E pranoj kam qenë fanatik i asaj metode për dy apo tri vjet.”

Mirëpo nga kërkesat dhe hulumtimet e shumta të cilat i kishte bërë profesori mbi qështjet brengosëse se përse nuk i funksiononte ajo metodë për të gjitha rastet, erdhi në konkludim se nuk duhet të jesh fanatik i një metode por se ajo duhet kombinohet dhe koordinohet varësisht nga procesi dhe teknika e punës.

“Kam qenë kërkues ndaj vetes. Nuk jam ndal me aq kam kërkuar më shumë prej kësaj pune, kam kërkuar përgjigje për disa çështje të cilat kanë qenë brengosëse për mua se përse nuk po funksionojnë. Çelësi i zbulimit ka qenë mos me qenë fanatik i diçkaje. Secila metodë i ka përfitimet e saj por asnjëra nuk është e saktë 100%. “Teknika e Koordinuar Pianistike, nuk është teknikë e imja, por është përmbledhje e asaj çfarë di unë dhe si e kuptoj teknikën deri sot”, ka thënë profesori.

Profesori më tej ka thënë se metodat tjera të cilat i ka implementuar ka vërejtur se shumica janë të ngjashme me njëra-tjetrën, vetëm se janë prezantuar në mënyrë tjetër dhe shumë shpesh edhe janë keqkuptuar.

Pianisti Shujaku ka thënë se pajtohet me teorinë që një person nuk mund ta bësh më shumë artist se sa është, porse disa teknika të duhura do ta rrisnin dukshëm performancën e tij përmes aparatit pianistik se si secila pjesë e trupit koordinohet me tjetrën.

“Ai që është artist e ndien muzikën. Nëse e shoh veten në vitin 2000 unë e kam ndier muzikën shumë më shumë se sot, kam pasur shumë më shumë pasion se sa sot, por nuk kam pasur teknikë për të realizuar atë çka e kam ndier. Tash është e kundërta. Tash nuk kam ndoshta aq shumë pasion sa kam pasur atëherë por e kam teknikën më të mirë për të realizuar atë çka dua të realizoj” ka thënë profesori Shujaku.

Në këtë diskutim u tha se me video- materialet e publikuara në Youtube nxënësit do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në aspektet si ergonometria e qëndrimit në piano,  përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.

Në fund u zhvillua edhe një bashkëbisedim me të pranishmit mbi këtë metodë e cila mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe mbi qështje të cilat u interesonin lidhur me teknikat e mësimit të pianos./KultPlus.com

Nga Apple tek Tesla, kjo është “nafta” e kohëve moderne

Rritja e tregut të aksioneve në SHBA në vitin 2023 erdhi për shkak të shtatë kompanive më të mëdha të teknologjisë: Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla. Në themel të suksesit të tyre, është pasuria më e çmuar e kohës sonë: të dhënat që ne gjenerojmë kur kemi kontakt me një pajisje të lidhur online.

Ugo Mattei

Dihet që gazetat e printuara janë në krizë, sepse gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, i marrin informacionet e tyre në internet. Dihet gjithashtu se gjithçka që ndodh në internet, ashtu si një diamant, është e përjetshme, sepse gjurmët e të gjitha kontakteve tona mbeten përgjithmonë të disponueshme për ata që e dinë, dhe duan t’i përdorin.

Këto gjurmë të pashlyeshme përbëjnë arsyen kryesore, për suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik të shtatë gjigandëve të tregut të teknologjisë – Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla -, të cilat kanë akumuluar të gjithë rritjen e kapitalizimit të aksioneve amerikane në vitin 2023.

Ky përqendrim i pasurisë shpjegohet përmes metaforës së të dhënave tona, si ‘nafta e re’ e një industrie kontrolli që shpërblen ata që dinë më mirë të nxjerrin të dhëna të përpunueshme nga sjelljet tona, për të parashikuar të ardhmen.

Sot, katër vjet pas fillimit të pandemisë, duket e pamundur të imagjinohet se si mund të jetojmë pa programe video-konferencash si Zoom ose Meet, ose pa qenë në gjendje të kemi çdo mall, përfshirë ushqimin, të dorëzuar në derën e shtëpisë. Të njëjtin mosbesim shfaqnin vite më parë vajzat e mia adoleshente kur u tregova se dikur mund të takoheshim në shesh duke lënë takime fikse, pa kryer një sërë telefonatash.

Kjo vetëm katër vjet pas Covid-it dhe pak më shumë se një vit pas përhapjes së ChatGpt, sistemi i inteligjencës artificiale që po bëhet i pazëvendësueshëm. Natyrisht, këto mrekulli teknologjike fshehin një anë të errët, për të cilën është mirë të kemi kujdes, e cila varion nga energjia intensive dhe shfrytëzimi social deri te survejimi masiv, deri te marrja e të dhënave personale në mënyrat më të paimagjinueshme, për shembull kur hipim, zbresim, bisedojmë ose zgjedhim destinacionin në një makinë të gjeneratës së fundit.

Lënia e gjurmëve të pashlyeshme, nga kalimi i thjeshtë e deri tek ajo që themi në një bisedë pranë celularit, mund të krijojë një fenomen të çuditshëm autocensure. Mbledhjet e komisionit politik, ekonomiko-organizativ apo të konkurrencës, apo mësimet online nuk mund të jenë plotësisht falas. Dikur thuhej verba volant, scripta manent. Në internet, omnia manent, gjithçka mbetet: fjalët, shkrimet, veprimet.

Në kontekstin tonë të ndërmjetësuar tërësisht nga teknologjia dixhitale, dallimi i të vërtetës nga gënjeshtra bëhet shumë kompleks. Para disa javësh, për eksperiment, një doktorant më kërkoi t’i dërgoja një faqe të shkurtër në italisht, me katër-pesë mendime për një temë që më caktoi. Disa orë më vonë ai më dërgoi një video, në të cilën unë e recitoja atë tekst në gjermanisht, një gjuhë që nuk e di.

Videoja u ‘filmua’ në një zyrë të bukur imagjinare dhe unë lëviza gojën në në përputhje me gjuhën gjermane që flisja. Ishte e pamundur të kuptohej që ishte e rreme. Një ditë më pas, erdhi një njoftim nga dekani i fakultetit tim në San Francisko, ku na informonte ne profesorët se programi i inteligjencës artificiale të Lexis Nexis (baza e të dhënave më e rëndësishme e jurisprudencës dhe doktrinës në Shtetet e Bashkuara) kishte rënë në “vesin” e shpikjes së çështjeve.

Inteligjenca e Lexis, ashtu si një avokat i pandershëm, në vend që të mos i përgjigjej klientit, e shpikte përgjigjen në një mënyrë shumë të vështirë për t’u zbuluar dhe të pashpjegueshme për programuesit, ashtu siç është e vështirë të zbulosh studentin që e “ndihmon” veten të shkruajë kapituj të tërë të tezës nga ChatGPT. Së fundi, që nga viti 2022 startup-i izraelit Toka, në pronësi të ish-kryeministrit Ehud Barak, ka tregtuar (dhe transferuar te qeveritë dhe shërbimet sekrete) programe të afta për të hyrë në kamerat e vëzhgimit, duke futur imazhe që u mundësojnë atyre të fusin edhe njerëz që as nuk janë as aty.

Prandaj, në botën tonë virtuale është shumë e vështirë të dallosh të rremen nga e vërteta. Kjo vështirësi është e rrezikshme (mendoni pasojat e një videoje të rreme të Putinit që shpall një sulm bërthamor) dhe sigurisht që do të bëhet gjithnjë e më shumë, me përparimin teknologjik dhe sikur makina të bëhet më inteligjente se programuesi i saj. Ja pse masat legjislative që përpiqen të rregullojnë këtë problem të paprecedentë na bëjnë të buzëqeshim me naivitetin e tyre, në mos dyshimin e komploteve, për rreziqet që i shkaktojnë demokracisë.

GDPR (Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave të 2016), për shembull, i jep përdoruesit të drejtën për të marrë shpjegime në terma të kuptueshme të mënyrës se si cilën makina përpunon të dhënat e tij. Në realitet, as programuesi nuk e di. Kohët e fundit, përsëri në Evropë, Akti i Shërbimit Dixhital i vitit 2022, i cili hyri në fuqi më 17 shkurt, jo vetëm që përsërit këtë parim, por u jep platformave një lloj detyre për të dalluar lajmet e rreme nga lajmet reale, me një gjobë të rëndë (deri në 16% të xhiros).

Kjo gjeneron një fuqi të jashtëzakonshme censurimi pikërisht në duart e atyre ‘7 madhështorëve’, që do të donin të kufizonin fuqinë e tyre të tepërt, të cilët do të kenë detyrimin për të publikuar vetëm lajmet që vijnë nga mediat kryesore, duke përjashtuar si të rremë çdo informacion të ndryshëm nga ai që pushtetet duan të dalin. Kjo ka ndodhur në Itali, ndër të tjera, edhe për televizionin me përhapje kombëtare Byoblu. Që e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që ne presim vendimin për çështjen Assange, një gazetar që rrezikon disa dënime të përjetshme për shkak se ka vënë në dispozicion të publikut një platformë të ‘të vërtetës’, tingëllon më  e pakta shqetësuese. / Forbes/ KultPlus.com

Filmi që Robert De Niro është penduar që ka bërë me Al Pacinon

Al Pacino dhe Robert De Niro kanë krijuar magji sa herë që kanë punuar së bashku, veçanërisht në filma të tillë si “Heat” i Michael Mann, ku ata dhanë disa nga performancat më të paharrueshme të karrierës së tyre të shquar. Megjithatë, De Niro beson se ekziston një përjashtim që ‘njollos’ trashëgiminë e tyre të përbashkët, transmeton KultPlus.

Krahas karrierës së tyre të aktrimit, të dy kanë një miqësi prej gati 50 vitesh tashmë. Ndërsa kujtonte takimin e tyre të parë, Al Pacino pohoi se ishte mahnitur nga prania magnetike e De Niros që në fillim, edhe pse ky i fundit nuk kishte luajtur në ndonjë produksion të madh në kohën e takimit të tyre të parë.

Duke folur për atë rast të paharrueshëm në një intervistë, Pacino shtjelloi: “Më kujtohet shumë qartë takimi. E pabesueshme, e pashë këtë djalë, mendova, Uau, ai ka një karizëm të tillë. Ai nuk po bënte asgjë. Ai thjesht po ecte. E mbani mend? E dini, ai ishte Bob. Por ti ndjeve diçka prej tij.”

Ekziston një projekt i veçantë që asnjëri prej tyre nuk dëshiron që ju ta shikoni pasi De Niro më vonë pretendoi se ishte penduar vërtet që ishte pjesë e atij filmi.

I titulluar Righteous Kill, prodhimi amerikan i vitit 2008 është një thriller aksioni që paraqet De Niro dhe Pacino si detektivë të NYPD-së të cilët nisin një kërkim të rrezikshëm për të gjurmuar një vrasës serial të rrezikshëm. Ndërsa nuk ishte një dështim komercial për shkak të fuqisë së yjeve të kastit, ai mori vlerësime të gjera negative për shkak të filmave të dobët dhe skenarit të paaftë.

Në një intervistë, De Niro kujtoi se sa fajtor u ndje gjatë premierës në Romë të Righteous Kill kur të dy yjet takuan fansat që prisnin me padurim filmin e tyre të ri. Aktori kujtoi premtimin që u dha atyre: “Unë thashë: ‘Ky është një reagim i mrekullueshëm, por do të ishte mirë sikur të ishin këtu për një film për të cilin ne vërtet ndihemi krenarë. Herën tjetër do të bëjmë një që na pëlqen.” /KultPlus.com

‘O ti, dashnija e eme e andrrueme, ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë’

Poezi nga Robert Shvarc 

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!… / KultPlus.com

Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani.

Në një postim në “X” Tuppurainen ka shkruar se Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo më tej ka theksuar se nuk duhet të ketë parakushte shtesë për anëtarësim.

“Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në një shoqëri multietnike dhe bashkëpunim të bazuar në rregulla.

Nuk duhet të ketë parakushte shtesë! Është koha për të vepruar. Takimi i shkëlqyer me presidenten Vjosa Osmani”, ka shkruar Tuppurainen. / KultPlus.com

Kuka: Xhudo e Kosovës, institucioni më i fuqishëm i vendit tim

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.

Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saja.

E i menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit Driton Kuka.

Reagimi i tij i plotë, pa ndërhyrje:

Live pas finales …

Disi Mbretëresha e Evropes nga Kosova ime e dashur!

Kategoria 52 kg

Kampione Evropiane qofsh faqebardhë krejt jeten!

Xhudo gjithmonë dhe kurdoherë për shtetin e popullin Shqiptar me punë e sakrificë!

Dominim në Kampionatin Evropian në Zagreb / KultPlus.com

Distria Krasniqi, kampione e Evropës në xhudo

Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.

Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saja.

Xhudistja pejane në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për ta siguruar së paku medaljen e argjendtë, por që do ta kërkojë edhe të artën në finale gjithsesi.

Paraprakisht, xhudistja pejane e eliminoi kroaten Ana Viktorija në çerekfinale për t’u plasuar në mesin e katër më të mirave evropiane në kategorinë deri në 52 kilogramë.

“Disi” e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytin e mposhti ukrainasen Anna Borodina.

Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua qysh në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec. / KultPlus.com

38 vite nga katastrofa nukleare e Çernobilit

Sot bëhen 38 vite nga katastorfa më e madhe nukleare në histori, nga katastrofa e Çernobilit.

Çernobili është një qytet pjesërisht i braktisur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit, i vendosur Rajonin Vvshhorod të oblastit verior të Kievit, Ukrainë.

Çernobili është rreth 90 kilometra (60 mi) në veri të Kievit dhe 160 kilometra (100 mi) në jugperëndim të qytetit bjellorus të Gomel. Para evakuimit të tij, qyteti kishte rreth 14,000 banorë.

Të jetosh sot kudo brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit është teknikisht e paligjshme, autoritetet tolerojnë vetëm ata që zgjedhin të jetojnë brenda disa prej zonave më pak të rrezatuara, dhe rreth 1000 njerëz jetojnë sot në Pripyat.

Çernobili u zgjodh si vendi i termocentralit të parë bërthamor të Ukrainës në vitin 1972, i vendosur 15 kilometra (9 mi) në veri të qytetit, i cili u hap në vitin 1977. Çernobili u evakuua më 5 maj 1986, nëntë ditë pas një fatkeqësie katastrofike bërthamore në central, e cila ishte katastrofa më e madhe bërthamore në histori. Së bashku me banorët e qytetit të afërt të Pripyat, i cili u ndërtua si shtëpi për punëtorët e uzinës, popullsia u zhvendos në qytetin e sapondërtuar të Slavutch dhe shumica nuk janë kthyer më.

Pas katastrofës, në vitin 1988, rajoni u shpërbë dhe administrimi iu transferua raionit fqinj të Ivankiv. Raion u shfuqizua më 18 korrik 2020 si pjesë e reformës administrative të Ukrainës.

Edhe pse Çernobili është kryesisht një qytet fantazmë sot, një numër i vogël njerëzish ende jetojnë atje, në shtëpitë e shënuara me tabela që lexojnë, “Pronari i kësaj shtëpie jeton këtu”,dhe një numër i vogël kafshësh jetojnë gjithashtu atje. Punonjësit e rojës dhe personeli administrativ i Zonës së Përjashtimit të Çernobilit janë gjithashtu të stacionuar në qytet. Qyteti ka dy dyqane të përgjithshme dhe një hotel.

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vvitin 2022, Çernobili u bë vendi i Betejës së Çernobilit dhe forcat ruse pushtuan qytetin midis 24 shkurtit dhe 2 prillit. Pas kapjes së tij, u raportua se nivelet e rrezatimit filluan të rriteshin./ KultPlus.com

Zhuliana Jorganxhi nëpërmjet KultPlus i dedikon poezi Robert Shvarcit

Zhuliana Jorganxhi, së fundmi nëpërmjet një shkrimi të postuar nga gazeta për art dhe kulturë, KultPlus, i ka dedikuar një poezi përkthyesit që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, Robert Shvarc, shkruan KultPlus.

Në shkrimin e botuar nga KultPlus, sot, në 21 vjetorin e vdekjes së Shvarcit, Jorganxhi gjeti frymëzimin që në komentet poshtë artikullit, të shkruaj poezinë e bukur dedikuese.

Jorganxhi shkroi mbi 3000 tekste këngësh. Ato nuk janë vetëm këngë, por rrëfime të përjetshme e universale që e sfidojnë çdo tekst të natyrës kalimtare të sotshme. Jo pa arsye ajo quhet “Mbretëresha e teksteve të këngëve”.

Më poshtë KultPlus ua sjell poezinë e saj:

SHPIRT  I  BUKUR  POETI

Mikut tim të vyer, poet, përkthyesit të shkëlqyer, Të Ndriturit Robert Shvarc 

Ky prill pikon shi pikëllimin,

në zemrën time dhe në sy!

I bukur shpirt i një poeti,

diku në qiell shkon bëhet yll!…

                            25 prill 2003

/ KultPlus.com

Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel Hyatt

Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel Hyatt, ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përcjell KultPlus.

Rama nëpërmjet një takimi që e ka zhvilluar me Takuya Aoyama, zëvendëspresident për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere me renome botërore Hyatt, ka thënë se lajmin e mirë ia përcolli vetë Aoyama.

“Zëvendëspresidenti Aoyama më përcolli lajmin fantastik për interesimin e korporatës Hyatt për hapjen e një hoteli të zinxhirit të tyre në qendër të Kryeqytetit. Një prej opsioneve të përmendura për hapjen e Hyatt në Kryeqytet është transformimi i ikonës sonë, Hotelit Grand, duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti.

Falënderova përzemërsisht z. Aoyama dhe shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në kryeqytet”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com