Kanë filluar sot punimet për projektin e parë “Rrugët për Fëmijë”, projekt ky që synon transformimin e hapësirave para shkollave, shkruan KultPlus.
Pas disa muajsh analizë, matje, projektim e planifikim ekipet e projektit në kryeqytet e kanë filluar këtë projekt fillimisht tek shkolla SHFMU “Elena Gjika”.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila ka njoftuar se për 10 deri në 15 ditë do të festohet transformimi i hapësirës para shkollës, duke premtuar kështu se do të ketë projekte të tilla edhe në shkollat tjera për të krijuar hapësira më të sigurta për fëmijët.
Ky projekt është inspiruar nga Bashkia e Tiranës dhe është projekti i parë nën konceptin “Rrugët për Fëmijë” në bashkëpunim me Qendra Marrëdhënie në Tiranë dhe Urban95 i realizuar në Prishtinë. /KultPlus.com
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së ndërmarrjeve në likuidim për nevojat e projektit Manifesta.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt sot Bordi i AKP-së diskutoi lidhur me raportin e Komitetit të Auditimit dhe u informua mbi zhvillimet e fundit lidhur me aktivitetet e AKP-së për periudhën e muajit nëntor.
Bordi diskutoi lidhur me zbatimin e rekomandimeve të NJAB dhe komunikoi prioritetin për zbatimin e tyre, po ashtu shqyrtoi Raportin për mënyrat e shpalljeve publike dhe marketingut për nevojat e Agjencisë dhe kërkoi që të avancohen dhe zbatohen modelet e reja të marketingut dhe shpalljeve publike për tenderë dhe qiratë.
Më tutje Bordi u informua lidhur me draft-rregulloren për Rregullat e Përgjithshme të Tenderit dhe Procedurave të Shitjes dhe formoi komisionin, i cili do të analizojë dhe propozojë Rregulloren e plotësuar për mbledhjen e ardhshme të Bordit.
Bordi gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi pagesën nga fondet e llogarisë në likuidim të NSH “YUMKO” me qëllim të zbatimit të Urdhrit të Dhomës së Posaçme për përfshirje në listë të një punëtori të NSH-së.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi me disa propozime kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të hapësirës së Ndërmarrjes së Re “Grand Hotel” (në likuidim) dhe N.Sh. “Kinema ABC” (në likuidim) për nevojat e projektit “Manifesta”.
Në këtë takim Bordi i Drejtorëve aprovoi Raportet e shpërndarjes për kreditorët e NSh-ve:
Bordi shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për rritje të buxhetit të NSh Ballkan, gjithashtu shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë të aseteve në procesin e likuidimit për këto NSH në likuidim: 1 NSH Urata, Prishtinë për parcelën që përdoret si rrugë dhe trotuar dhe 2. NSH Urata, Prishtinë për objekt të shkatërruar dhe pa vlerë monetare në tokën e një ndërmarrje tjetër. /KultPlus.com
Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, tashmë është në një gjendje thuajse të mjerueshme.
Dritareve të thyera, pamjes jo të mirë të oborrit dhe gjendjes fizike të shkatërruar të kësaj shtëpie që është Monument Kulture, duket se i ka ardhur fundi, shkruan KultPlus.
Sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, nga drejtori i Trashëgimisë Kulturore-Historike në Lezhë Paulin Zefi, është bërë e ditur se kanë nisë të bëhen matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti.
“Në Fishtë pranë shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuar i madhi At.GJERGJ FISHTA duke bërë matjet për hartimin e projektit restaurues të këtij objekti tejet të amortizuar së bashku me specialistët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit(Bashkia-Lezhë)..
*Lidhur me gjendjen fizike të Monumentit, pamjet flasin vetë…”, ka shkruar Zefi në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor nis sezonin e dedikuar, në kuadër të “Edukimit përmes Artit”.
Kori i TKOBAP dhe dirigjenti Dritan Lumshi në kuadër të “Edukimit përmes Artit” do të realizojnë projektin pilot “Eja Këndo me ne”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Ky projekt synon të njoh të rinjtë me elementët bazë të muzikës korale, si një nga përbërësit kryesorë të gjinisë operistike.
“Si tingulli i parë muzikor zëri mbetet edhe sot i pakonkurrueshëm. Ky tingull i magjishëm merr një fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohet me zëra të tjerë dhe këndojnë në kor. Nëse asnjëherë nuk ke pasur guximin të shprehesh lirshëm me zërin tënd, të mposhtësh ndrojtjen e të zësh miq të rinj, eja këndo me ne, që të kuptosh se kori është magji”, thuhet në njoftim.
Kjo do të jetë motoja e këtij projekti të rëndësishëm, i cili organizohet nga TKOBAP për herë të parë, me publikun e vogël./ KultPlus.com