Penda më e shtrenjtë në botë shitet në ankand për rreth 50 mijë dollarë

Një pendë e vetme e zogut Huia të Zelandës së Re tashmë të zhdukur ka vendosur një rekord botëror pasi u shit për 28.417 dollarë në një ankand.

Penda, që fillimisht pritej të shkonte deri në 3.000 dollarë, theu rekordin e mëparshëm që ishte për një pendë të së njëjtës specie me 450%.

Zogu huia ishte i shenjtë për popullin Maori. Puplat e tyre shpesh mbaheshin në kokë nga krerët dhe familjet e tyre dhe gjithashtu dhuroheshin ose tregtoheshin.

Huia ishte i njohur për pendën e bukur, e cila dallohet për majën e bardhë përgjatë skajit.

Shtëpia e ankandeve tha se e ka vendosur në një kornizë me një xham mbrojtës UV dhe me letër arkivore që të mos dëmtohet.

Në të kaluarën, pendët huia ishin një shenjë statusi për njerëzit Maori. Tashmë një zog i rrallë para ardhjes së evropianëve, specia u bë një objektiv për koleksionistët dhe tregtarët e modës pasi fitoi popullaritet në mesin e atyre që erdhën në Zelandën e Re, gjë që çoi në zhdukjen e tij, sipas Muzeut të Zelandës së Re./panorama/KultPlus.com

Shkrimtarja gjermane Erpenbeck nderohet me Çmimin Ndërkombëtar “Booker”

Shkrimtarja gjermane Jenny Erpenbeck dhe përkthyesi Michael Hofmann kanë fituar Çmimin Ndërkombëtar “Booker”.

Romani i tyre “Kairos” ndjek lidhjen shkatërruese të dashurisë midis një studenteje 19-vjeçare dhe një burri të martuar rreth të 50-tave, të cilët takohen në një autobus në Berlinin Lindor rreth vitit 1986.

Marrëdhënia e tyre mishëron “idealizmin e dërrmuar” të Republikës Demokratike Gjermane dhe përfundimisht “shpërbërjen e një sistemi të tërë politik”.

Ata do të ndajnë çmimin me vlere 50,000 paund. Juria zgjodhi “Kairos” nga një listë prej gjashtë librash duke vlerësuar prozën e shkëlqyer dhe cilësinë e pasur të përkthimit.

“Fillon me dashuri dhe pasion, por ka të bëjë si me pushtetin, po ashtu edhe per artin dhe kulturën”, tha kryetarja e jurisë Eleanor Wachtel.

Hofmann, 66 vjeç, është quajtur “përkthyesi më me ndikim në botë nga gjermanishtja në anglisht”. Së bashku me poezinë dhe kritikën letrare, ai jep mësim me kohë të pjesshme në Universitetin e Floridës.

Çmimi “Booker” u jepet autorëve për fiction-in më të mirë në botë të shkruar fillimisht në anglisht (Çmimi “Booker”) ose i përkthyer në anglisht (Çmimi Ndërkombëtar “Booker”).

Marrja e një prej çmimeve “Booker” çon në njohje ndërkombëtare dhe një ngritje të konsiderueshme në shitjet globale./ora/KultPlus.com

Shprehje që nuk përsëriten nga Viktor Hygo

Thënie nga Viktor Hygo

“Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet, dhe për të cilën nuk mund të heshtësh.”

“Kur një grua është duke të folur, dëgjo atë që po thotë me sytë e saj.”

“Djalë, vëlla, baba, i dashur, shok. Ka hapësirë në zemër për të gjitha dashuritë, ashtu sikurse ka hapësirë në qiell për të gjithë yjet.”

“Jeta është lulja, për të cilën dashuria është mjalti.”

“Iniciativa është të bësh gjënë e duhur, pa ta thënë kush.”

“Kur diktatura është fakt, atëherë revolucioni bëhet një e drejtë.”

“Një ferr inteligjent, do të ishte më mirë se sa një parajsë idiote.”

“Ndrysho mendimet, por mbaju parimeve; ndrysho gjethet, por lëri të paprekura rrënjët.”

“Buzëqeshja e gëzimit është më pranë lotëve, se sa të qeshurës.”

“40 është mosha e vjetër e rinisë; 50 është mosha e re e pleqërisë.”

“Shpirti ka iluzione, ashtu si zogu që ka krahë; ai mbahet pas tyre.”

“Reagimi – një varkë që shkon kundër rrymës, por që nuk e pengon rrymën të vazhdojë të rrjedhë.”

“Ka baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre. Por nuk ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.”

“Qëndresa – sekreti i të gjithë triumfeve.”

“Kurioziteti është një prej formave të guximit femëror.”

“Ka një spektakël më të madh se sa deti, dhe ai është qielli; ka një spektakël më të madh se sa qielli, dhe ai është brendia e shpirtit të njeriut

“Për të krijuar të ardhmen, nuk ka asgjë më të mirë se sa një ëndërr.”

“Kafsha është injorante për faktin që di. Njeriu është i vetëdijshëm për faktin që është injorant.”

“Njerëzimi nuk është një rreth me një qendër, por një elips me dy pika qendrore, nga të cilat faktet janë njëra dhe idetë tjetra.”

“Shpresa është fjala që Zoti e ka shkruajtur në ballin e çdo njeriu.”

“Trishtimi është një frut; Zoti nuk e vendos atë mbi degë që janë shumë të brishta për ta mbajtur.”

“E qeshura është Dielli që dëbon dimrin nga fytyra e njeriut.”

“Shoqëria është një republikë. Kur një individ përpiqet të ngrihet mbi të tjerët, ai ulet poshtë prej masës, ose përmes talljes, ose përmes shpifjes.”

“Sa herë që një mik të thotë që dukesh i ri, të jesh i sigurtë se po plakesh.”

“Askush më mirë se një grua, nuk di të thotë gjëra që janë njëkohësisht të buta dhe të thella.”

“Ai që hap një shkollë, mbyll një burg.”

“Çfarë është historia? Një jehonë e të kaluarës në të ardhmen; një refleks i të ardhmes në të kaluarën.”

“Asgjë tjetër në botë… as edhe të gjithë ushtritë, nuk janë më të fuqishme se sa një ide, të cilës i ka ardhur koha”./KultPlus.com

Lola Gjoka, pianistja e parë shqiptare në skenat ndërkombëtare

Lola Gjoka nuk është vetëm pianistja e parë shqiptare por edhe një nga zërat që konsolidoi institucionet e artit shqiptar.

Ajo lindi më 22 maj 1910, në Sevastopol. Familja e saj me origjinë shqiptare, nga Korça kishte emigruar në Rusi. Rridhte nga një familje atdhetarësh shqiptarë prej Bulgarecit të Korçës. Nisi të luante në piano që në moshën 6-vjeçare dhe shkëlqeu në skena ndërkombëtare, si ajo e Vjenës.

Vitet `30 do ta gjenin së bashku me kolegët e kohës, si: Tefta Tashko-Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Kristo Koço etj. Kjo plejadë artistësh do të mbante gjallë muzikën lirike shqiptare, që sapo kishte filluar të rigjente bazat e saj në kulturën popullore.

Krahas punës koncertore në Shqipëri dhe leksioneve për piano që jepte pranë Institutit femëror “Nëna Mbretëreshe”, Gjoka ndiqte edhe konservatorin e Athinës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1936.

Pas lufte, do të promovonte në krah të Marie Krajës zhvillimin e lirikës qytetare shqiptare, duke i dhënë një zë të rëndësishëm këtij zhanri muzikor.

Lola Gjoka ka qenë e para mësuese e pianos, në Liceun Artistik. Për merita të shumta në zhvillimin e lëmit muzikor, përmes përgatitjes së “filizave” të rinj në shkollën e mesme “Jordan Misja”, në Konservatorin e Tiranës apo edhe në rolin e koncert-maestros të Orkestrës filarmonike të vendit, Gjoka u nderua me titullin më të lartë, “Artiste e Popullit”./atsh/KultPlus.com

“Babai dhe Babai” sonte në PITF 2024, Koliqi: Me këtë shfaqje kemi marr pjesë në festivale të shumta

Në ditën e tretë të Prishtina International Theater Festival – PITF 2024, do luhet shfaqja “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrimi Koliqit, ndërsa paraprakisht u mbajt konferenca për media ku mori pjesë edhe aktorja Ilire Vinca.

Regjisori Kushtrim Koliqi, foli për shfaqjen e cila trajton një temë shumë të ndjeshme për shoqërinë kosovare, atë të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

“Me këtë shfaqje kemi marrë pjesë në festivale të shumta dhe ajo trajton temën me rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Shfaqja flet për personat që na mungojnë dhe nuk duam të besojmë që na mungojnë”, u shpreh Koliqi.

Ai foli edhe për programin e PITF 2024, ku tha se ishte një nga arsyet kryesore dhe bindëse për të marrë pjesë në festival.

Ndërsa aktorja Ilire Vinca, në lidhje me temën e shfaqjes tha se paraqet “dhimbjen njerëzore që duhet ta përtypim çdo ditë dhe t’iu japim zë”.

“Të gjithë ne si ekip e kemi kuptuar rëndësinë dhe dëshirën tonë se si duam ta trajtojmë këtë temë. Ka qenë një rrugëtim fantastik sa i përket artit tonë, gjithashtu një rrugëtim i dhimbshëm sepse kemi përtypur bashkë dhimbjen tonë”, tha Vinca.

Shfaqja “Babai dhe Babai” jepet sonte në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

Përparim Rama njofton se nga viti i ardhshëm do të shtohen linjat dhe autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka njoftuar se që nga data 1 janar 2025 do të ketë linja të reja dhe autobusë të rinj të Trafikut Urban në Prishtinë.

Ai ka bërë të ditur se sot kanë filluar me reformimin e sistemit të transportit publik, reformë kjo që do të sjellë flotë të re të autobusëve, më shumë linja të autobusëve, mbulim i më shumë rrugëve me transport publik, një biletë për të gjitha linjat në kryeqytet dhe sisteme digjitale të pagesës së biletave.

“Çdo hap i kësaj reforme është bërë në bashkëpunim të ngushtë dhe në konsultim me operatorët privat të linjave të autobusëve, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, përfaqësuesit e bankave në Kosovë dhe të tjerë”, ka njoftuar Rama.

Gjithashtu, kjo reformë do të përfshijë garantimin e kredive për blerjen e autobusëve privat, dhe rrjedhimisht dhënien e linjave të reja për këta operatorë privat.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nderohet me çmim në Karnevalin e Berlinit

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është nderuar me çmimin “Karneval Der Kulturen 2024- Berlin”, në Karnevalin e Berlinit që është mbajtë së fundi, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses ka njoftuar drejtori i këtij ansambli, Ylber Asllanaj i cili ka shpjeguar se ky çmim i është dhënë në kategorinë e Valles dhe Muzikës. Ansambli “Shota” ka perfomruar me koreografinë “Festa e Bashkimit” nga mjeshtri Fehmi Shaqiri, me muzikë të Ylber Asllanaj, përpunim i motiveve të këngës “Xhamadani vija-vija”. / KultPlus.com

Përkujtohet Mustafa Greblleshi, shkrimtari e publicisti i dënuar nga regjimi komunist

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, publicistin, përkthyesin, gazetarin, Mustafa Greblleshi, në ditën e ndarjes nga jeta (22 maj 1986).

Mustafa Greblleshi lindi në Tiranë më 15 dhjetor 1922. Gjatë pushtimit italian punoi për pak kohë në drejtorinë e Postë Telegrafëve. Shko me studime për letërsi në Torino të Italisë, por u detyrua t’i ndërpriste studimet. U kthye në Shqipëri dhe bashkëpunoi me gazetën “Tomorri” e më pas në redaksinë e “Rojes Kombëtare” të Gjergj Bubanit. Botimet publicistike mbanin pseudonimin e tij “Liu i Cakut”.

Me vendosjen e regjimit komunist, Mustafa Greblleshi caktohet si redaktor në gazetën

“Bashkimi” deri në vitin 1946, pasi do të arrestohej si “armik i popullit” së bashku me kolegët Andrea Varfi e Petro Marko dhe do të burgosej për 19 muaj. Pas lirimit u dërgua si mësues në qytete të ndryshme, por shpejt u konsiderua i padenjë për profesionin.

U detyrua të punojë si punëtor krahu në kombinatin “Josif Pashko” dhe si bojaxhi për shumë vjet, por pa lënë mënjanë krijimtarinë letrare.

Mustafa Greblleshi ka lënë si trashëgim një numër veprash letrare si “Gremina e Dashunis”, “Albumi i një bojaxhiu”, vëllimin për fëmijë “Shalli i kuq”. Të njohura janë dhe disa përkthime cilësore si: përrallat arabe “Një mijë e një net”, “Jeta lakuriq” e Luixhi Pirandelos, “Filumena Marturano” e De Filipos./atsh/KultPlus.com

“Ktheje ka Zagrebi”, ditët e kulturës kroate në Kosovë

Janë bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e ditëve të kulturës kroate në Kosovë, e që krejt aktiviteti është mbërthyer nën sloganin “Ktheje ka Zagrebi”, e që po organizohet nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, shkruan KultPlus.

Krejt ky organizim do të nisë më 27 maj dhe do të zgjasë deri më 31 maj.

Tashmë është bërë publike programi i këtij eventi kulturor që synon të jetë tradicional, duke përfshirë mbrëmje letrare, shfaqje të filmave, mbrëmje muzikore…

KultPlus ju sjell të plotë programin e këtij eventi kulturor që do të shtrihet në disa lokacione duke përfshirë: Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Qendrën Kulturore “KultPlus Caffe Gallery”, Kino Armata, Kolegji AAB…/ KultPlus.com

Nata e dytë e PITF 2024 solli dy shfaqje mysafire “The Feral Womxn” dhe “Bretkosa”

Dy shfaqje mysafire kanë shënuar mbrëmjen e dytë të PITF 2024, të cilat kanë dhënë një emocion për audiencën e këtij festivali që po mbahet në AAB, përkatësisht në Teatrin: Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Feral womxn” nga Gjermania me regjisore dhe aktore Jemima Rose Dean

fliste për fuqinë e gruas, në veçanti në shoqëritë kapitaliste mbërtheu publikun deri në momentet e fundit, për të parë se si trajtohej me mjeshtri nga aktorja Dean.

Publiku mirëpriti ngrohtë aktoren dhe duartrokiti atë për energjinë e sjell në skenë gjatë një ore shfaqje.

Kurse shfaqja “Bretkosa” me regji të Burbuqe Berishës mahnit publikun në natën e dytë të PITF 2024.

Aktorët Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Lum Veseli, kanë mahnitur publikun me performancën e tyre në Prishtina International Theater Festival, me shfaqjen “Bretkosa”, me regji të Burbuqe Berishës.

Shfaqja “Bretkosa” ka si temë kryesore vetminë, një njeri të vetmuar në një hapësirë të madhe urbane siç është Prishtina, i cili në disa versione të ndryshme ka ndryshime të tipit të karakterit.

Kurse sonte, në kuadër të këtij festivali do të shfaqet shfaqja “Babai dhe babai” me regji të Kushtrim Koliqit, shfaqje që është në konkurrencë zyrtare në këtë festival./ KultPlus.com

“Muza Ime” e Musine Kokalari, Qendra e vendosur në Gjirokastër, dedikuar jetës së saj

Në qytetin e Gjirokastrës është çelur një qendër memoriale dedikuar jetës dhe aktivitetit të disidentes Musine Kokalari.

Muzeu i emërtuar “Muza ime” është vendosur në një prej banesave të familjes Kokalari në qytetin e gurtë. Çelja e tij u mundësua falë iniciativës të familjarëve të Musines dhe organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

“Ky muze do të jetë për të gjithë dashamirësit e Musinesë, për ata që nuk e njohin dhe për ata që duan ta njohin, Musineja nuk është një figurë apo personalitet që na përket vetëm ne, lokalistëve apo kombëtare, por dimensionet e saj janë shumë të gjëra sesa Shqipëria”, tha Arjeta Kokalari, familjare e Musines.

“Krijojmë një hapësirë për Musine Kokalarin që është pjesë patjetër e trashgimisë sonë, e historisë së gjithë Shqipërisë por edhe një figurë e cila jep mesazhe kaq të forta që janë një inspirim dhe një frymëzim edhe sot”, tha Elena Namani, drejtoresh te “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

Në mjediset e muzeut janë ekspozuar dëshmi, materiale dhe relike nga jeta dhe aktiviteti në fusha të ndryshme i Musine Kokalarit.

“Shpresoj që ky muze që ju shikoni të pasurohet edhe me materiale të tjera por ajo që është më e rëndësishmja është se këtu është shpirti i Musinesë, nuk është njësoj si muzetë e tjerë ku ciceronët flasin për objektet apo për sendet apo për personazhet, ky muze është vetë Musineja ajo që flet për veten e saj, për jetën e saj, në qoftëse ju do shikoni të gjitha muret janë mbushur me shënime, të cilat janë nxjerrë prej shënimeve të saj por që janë ende të vlefshme dhe bëjnë të reflektojë këdo”, tha Arjeta Kokalari, familjare e Musines.

Synohet që muzeu të shndërrohet në një qendër të organizimit të aktiviteteve dhe tërheqjes së turistëve

“Do bashkëpunojmë për të mbështetur që kjo hapësirë të jetë një hapësirë dialogu, të jetë një hapësirë ku të rinjtë e Shqipërisë dhe jo vetëm të qytetit tonë ta njohin Musinenë, ta njohin atë me gjithë dimensionet e saj”, tha Elena Namani, drejtoresh te “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

Musine Kokalari është një prej emrave të spikatur të disidencës antikomuniste në vendin tonë ndërsa veprimtaria e saj përfshin edhe përpjekjet për emancipimin e gruas, publicistikën, fushën studimore, etj./tema/KultPlus.com

138 vite pa Viktor Hygon, shkrimtari francez që pasurinë e tij e la amanet për të varfërit

138 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.

Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.

Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.

 Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.

Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë.
I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /albertvataj / KultPlus.com

40-vjetori i revoltës antikomuniste të Qafë Barit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot revoltën e Qafë Barit.

Në burgun e Qafë Barit ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.

Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Ishte mëngjes dhe të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori!

I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Qindra forca të armatosura, morën urdhrin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit, si Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut.

I dënuari Sandër Sokoli vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të  të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.

Wagner, kompozitori i madh që mishëroi deri në grahmën e fundit, shpirtin e stuhishëm muzikor

Nga: Albert Vataj

Më 22 maj 1813 u lind kompozitori, dirigjenti, kritiku i arti dhe dramaturgu gjerman, Richard Wagner. Ai ishte dhe mbeti një fenomen artistik, një shkundullimë e kijametshme e asajkohje dhe përmendje e njeriut si shkëndi në barutin e shpërthimeve. Të admiruarin e “të krisurve”, shtjellat e kritikës, rrapëllimat e kohës, do ta vendosnin, në Olimpin e Perëndive të muzikës dhe kompozit. Edhe pse lindi në një lagje hebraike të Leipzigut në shtetin e Saksonisë në Gjermani, ai u akuzua si antisemit.

Kjo damkë me gjas i’u hodh përsipër këtij shpërthimi drite si një mantel i rëndë dhe i zi anateme, vetëm e vetëm se muzika që ai kompozoi kishte një admirues të gabuar, Adolf Hitler.

Episode nga jeta

dhe vepra e kompozitorit

Wagner, fëmija ambicioz

Wagner ishte nëntë vjeç kur dëgjoi për herë të parë Freischut të Veberit. Kjo shfaqje i la mbresa aq të thella sa ai vendosi që të bëhej muzikant dhe të imitonte Veberin. E ëma, për të kënaqur dëshirën e tij, e çoi djalin te mjeshtri Human që të merrte mësime në piano. Kur e dëgjon Wagnerin që interpretoi plot me gabime mësuesi i inatosur tha:

– Kur të rritesh mund të bëhesh ç’të duash, po muzikant kurrë. Atëherë nëna e dërgoi te një mësues tjetër për të mësuar violinën. Por edhe ai i tha se ishte nxënësi më i keq që kishte.

– Si mund të bëhesh muzikant, – i tha e ëma, – kur nuk mund të mësosh dot asnjë instrument?

– Nuk ka rëndësi, – u përgjigj Wagner, – unë po të them që do të bëhem muzikant dhe ke për të parë se do të bëhem.

 Kapriçot e moshës

Në rininë e tij Wagner nuk mendonte gjë tjetër veçse si të siguronte para për të luajtur me letra. Në darkë hynte në lokalin e lojës ku rrinte deri në mëngjes. Atje humbiste vazhdimisht. Nëna shqetësohej për qëndrimin e tij të padenjë dhe pikëllohej që i biri kthehej aq vonë në shtëpi. Një mbrëmje e ngarkoi të birin që t’i merrte pensionin. Me këto para ai luajti deri sa i humbi të gjitha, përveç një monedhe të vogël. E vuri edhe monedhën e fundit, por këtë herë fitoi. Fitoi edhe disa herë të tjera deri sa siguroi pensionin e nënës. Atëherë ai u betua se nuk do të luante më dhe e mbajti fjalën gjatë gjithë jetës.

I dashuruar pas kafshëve

Wagner i donte shumë kafshët. Në shtëpinë e tij kishte një kafaz të madh me majmunë. Shkonte vazhdimisht në kopsht për të vizatuar një buf. Kur shkruante thërriste:

– Ja natyra pa maska. Është e egër por e çiltër. Ky buf e ka kokën si të luanit.

Kur i tregonte mikut të tij për dashurinë e madhe që kishte për të, i thoshte:

– Unë ju kam në zemër midis gruas, luanit dhe qenit.

Fillesat e vështira

Më 1839 një poet dhe muzikant i ri gjerman u largua nga vendi i vet dhe shkoi në Francë për të shfaqur veprat e tij me një letër rekomandimi për drejtorin e operës së Parisit.

Në këtë letër shkruheshin vetëm këto fjalë: “I dashur mik, ma hiq qafe këtë budalla”.

Dhe ky “budalla” ishte vetë ai, Richard Wagner.

Vagneri për muzikën e Rosinit

Muzikën e Rosinit e nënçmonte dhe e quante pjesë për kitarë. Në vitet e fundit të jetës së tij ndërroi mendim:

Kur Wagner vajti në Venedik një mbrëmje u ul me familjen e tij në kafe “Floria” . Në mes të sheshit po luante banda. Në një çast pushimi Vagneri u ngrit, kaloi në mes të turmës që rrethonte ekzekutuesit u afrua te dirigjenti dhe tha:

– Jam Richard Wagner, – tha.

Mjeshtri i orkestrës, i befasuar nga ky prezantim u përkul me nderim të madh para muzikantit të shquar. Të gjithë orkestranët e rrethuan me admirim. Wagner u bëri atyre lavdërimet e rastit për interpretimin e mirë, që i habiti orkestranët.

– A mund të luani për mua sinfoninë “Laraska Vjedhacake”, – i pyeti Wagner.

– Mjeshtri u bë copë për të kënaqur Wagnerin.

Rosini për Wagner

Muzika vagneriane u vlerësua vonë jo vetëm nga publiku i gjerë, por edhe nga muzikantët e shquar. Rosini më 1865 thoshte:

– Nuk do të arrij kurrë ta kuptoj edhe sikur të rroj sa Noe.

Verdi për kryeveprën “Tristani dhe Izota”

Giuseppe Verdi e admironte shumë operën “Tristani dhe Izota” të Richard Wagner. Ai thoshte për të:

– Përpara kësaj ndërtese gjigande rri gjithnjë me tmerr dhe me habi, dhe nuk e kuptoj sesi mund të jetë e një njeriu kjo vepër. Akti i dytë është një prej veprave më madhështore të shpirtit njerëzor.

Muzikanti dhe nëpunësi i doganës

Roshi ishte një nëpunës i varfër i doganës që e donte shumë poezinë dhe të dielën, të vetmen ditë të lirë që kishte e kalonte duke bërë vjersha kur hyri në zyrën e tij, dëgjoi një të huaj gjerman që ankohej për vonesën në doganë. Roshi ndërhyri:

– Si ju quajnë? – e pyeti të huajin.

– Richard Wagner!

– Jam i lumtur, – u përgjigj Roshi, – që i shërbej një muzikanti të madh.

– Po si më njohët?

Si përgjigje ai nisi të këndojë disa pjesë nga “Tanhojzeri”.

– Ah, – ia bëri Wagner, – kjo është një shenjë e mirë. Nesër jeni i ftuar të hamë mëngjesin së bashku.

Muzikanti i madh dhe poeti i vogël u morën vesh kaq mirë sa ditën tjetër Wagner  i dha Roshit detyrën që të përkthente frëngjisht “Tanhojzerin”.

Wagner dhe varri i tij

Wagner kishte sjellje të çuditshme dhe krejt të veçanta. Ai e ndërtoi vetë varrin e tij kur ishte gjallë. Varrin e ngriti në kopsht në pjesën e poshtme të shtëpisë dhe fare pranë saj. Kur kishte miq të ftuar në tryezë shpesh u fliste për varrin dhe për vdekjen e tij.

– Miqtë e mijë – thoshte ai, – edhe kur jeta na buzëqesh shumë, jemi gjithnjë pranë vdekjes. Kam dëshirë të madhe t’ju tregoj varrin tim.

Të gjithë të ftuarit shkonin për të vizituar varrin e tij. /KultPlus.com

Media italiane “Esauriente.it”: Qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e fshehur e Ballkanit, është toka e kontrasteve magjepsëse, ku e lashta takohet me modernen dhe natyra e egër bashkëjeton me jetën e gjallë urbane, shkruan Giovanni Latorre në të përditshmen italiane “Esauriente.it”.

Ky vend, i pasur me histori dhe kulturë, ofron një shumëllojshmëri qytetesh unike, secili me karakterin dhe kuptimin e vet.

Në këtë artikull, ne do të eksplorojmë qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme në Shqipëri, duke ofruar një vështrim të thellë se çfarë e bën secilin prej tyre të veçantë.

Tirana
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është zemra e vendit që rreh.

E themeluar në vitin 1614, Tirana është një qytet i ri në krahasim me kryeqytetet e tjera evropiane, por kjo nuk e pengon atë të ketë një histori të pasur dhe kulturë të gjallë.

Qyteti është i njohur për arkitekturën e tij eklektike që ndërthur ndikimet osmane, fashiste dhe komuniste, duke pasqyruar periudha të ndryshme historike që ka kaluar.

Sheshi Skënderbej është qendra e Tiranës, i rrethuar nga ndërtesa emblematike si Xhamia e Et’hem Beut, Muzeu Historik Kombëtar dhe Kulla e Sahatit.

Vitet e fundit, Tirana ka pësuar një transformim të rëndësishëm urban, duke u kthyer në një model moderniteti dhe inovacioni urban në Ballkan.

Qyteti ofron gjithashtu një skenë të gjallë kulturore me teatro të shumtë, galeri arti dhe festivale që gjallërojnë jetën e ditës dhe të natës.

Berati
Berati, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të ruajtura në Shqipëri.

I vendosur në jug të vendit, përgjatë brigjeve të lumit Osum, Berati është një shembull i jashtëzakonshëm i një qyteti osman të ruajtur mirë. Ai u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2008.

Qyteti është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha shumëkatëshe që duket se ngjiten në kodër, duke krijuar një panoramë që të lë pa frymë.

Kalaja e Beratit, ende e banuar, ofron pamje spektakolare të qytetit dhe rrethinave të tij.

Brenda mureve të saj ndodhen kisha të shumta bizantine dhe xhami osmane, që dëshmojnë për bashkëjetesën paqësore të feve të ndryshme ndër shekuj.

Berati është gjithashtu një qendër e prodhimit të verës, duke e bërë atë një destinacion ideal për adhuruesit e verës.

Gjirokastra
Gjirokastra, gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shpesh i quajtur “Qyteti i Gurtë” për shkak të shtëpive të tij karakteristike prej guri me çati prej rrasa.

I vendosur në rajonin malor të Shqipërisë së Jugut, ky qytet është i famshëm për arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe njihet si vendlindja e shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare.

Kalaja e Gjirokastrës dominon qytetin nga maja e një kodre dhe strehon një muze ushtarak interesant dhe një burg të vjetër.

Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi mjeshtërinë e shtëpive të lashta dhe të vizitoni pazarin, ku mund të gjeni produkte artizanale vendase.

Gjirokastra është gjithashtu shtëpia e Festivalit Kombëtar Folklorik, i cili tërheq artistë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.

Shkodra
Shkodra, e vendosur në veriperëndim të Shqipërisë, është një nga qytetet më të vjetra të vendit dhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe historike.

Me një histori që daton mbi 2400 vjet, Shkodra ka luajtur një rol vendimtar në historinë shqiptare, si kryeqytet i Ilirisë dhe si qendër e rëndësishme gjatë sundimit osman.

Kalaja e Rozafës, me pozicionin e saj strategjik mbi liqenin e Shkodrës, ofron një pamje panoramike që të lë pa frymë.

Qendra e qytetit përmban një arkitekturë historike, kafene të çuditshme dhe Katedralen e Shën Stefanit.

Shkodra është gjithashtu një pikënisje ideale për të eksploruar Parkun Kombëtar të Liqenit të Shkodrës dhe Alpet Shqiptare, duke ofruar mundësi të shumta për ekskursione dhe aktivitete në natyrë.

Durrësi
Durrësi, i vendosur në bregdetin e Adriatikut, është një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në Shqipëri.

E themeluar nga grekët në shekullin e VII para Krishtit, Durrësi ishte një port i rëndësishëm dhe qendër tregtare gjatë epokës romake.

Qyteti është i njohur për amfiteatrin e tij romak, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, i cili mund të strehojë deri në 20 000 spektatorë.

Përveç mbetjeve të tij të lashta arkeologjike, Durrësi është sot një qytet modern me një jetë nate të gjallë, plazhe të njohura dhe një shëtitore buzë detit.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ofron një koleksion të pasur zbulimesh që tregojnë historinë e gjatë të qytetit.

Afërsia me Tiranën e bën Durrësin një destinacion ideal për një udhëtim ditor nga kryeqyteti, duke ofruar një ndërthurje të historisë antike dhe modernes.

Vlora
Vlora, e vendosur në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, është një qytet me rëndësi të madhe historike dhe turistike.

E themeluar nga grekët në shekullin e VI para Krishtit, Vlora njihet si vendi ku Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.

Qyteti ofron një kombinim të bukurisë natyrore, plazheve të pacenuara dhe vendeve historike.

Muzeu i Pavarësisë është i domosdoshëm të ekslporohet për këdo që viziton Vlorën, pasi tregon historinë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Qyteti është gjithashtu afër Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe Rivierës Shqiptare, duke e bërë atë një bazë të përsosur për të eksploruar disa nga plazhet më të bukura të vendit.

Jeta e natës në Vlorë është e gjallë, me restorante, bare dhe klube të shumta që gjallërojnë qytetin gjatë gjithë vitit.

Saranda
Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet turistike më të njohura në Shqipëri, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Qyteti është i famshëm për ujërat e tij të kristalta, plazhet me rërë dhe klimën mesdhetare.

Saranda është gjithashtu pika kryesore e hyrjes për të vizituar sitin arkeologjik të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Butrinti, një qytet i lashtë greko-romak, ofron një pamje magjepsëse në historinë e lashtë me mbetjet e tij të ruajtura mirë, duke përfshirë një teatër, pagëzimore dhe tempuj të shumtë.

Saranda është gjithashtu e njohur për jetën e saj të gjallë të natës dhe restorantet e shumta që ofrojnë specialitete lokale dhe ushqime të freskëta deti.

Afërsia me ishullin grek të Korfuzit e bën Sarandën një bazë ideale për udhëtime ditore.

Korça
Korça, e vendosur në juglindje të Shqipërisë, njihet si “djepi i kulturës shqiptare”.

Qyteti është një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore dhe është shtëpia e shumë muzeve, shkollave dhe institucioneve kulturore.

E themeluar në mesjetë, Korça ka një traditë të gjatë të prodhimit të birrës, muzikës dhe artit.

Muzeu Kombëtar i Arsimit, i vendosur në shkollën e parë shqipe, është një pikë referimi e rëndësishme që rrëfen historinë e arsimit në Shqipëri.

Korça është gjithashtu e famshme për festivalin e përvitshëm të birrës, i cili tërheq mijëra vizitorë nga i gjithë vendi dhe jashtë saj.

Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit të vjetër, mund të admironi shtëpitë tradicionale të stilit osman dhe të vizitoni Katedralen Ortodokse të Shën Gjergjit./atsh/KultPlus.com

‘Ktheva të të shoh, që ta vras harrimin’

Poezi nga Rrahman Dedaj

Ktheva të të shoh
Që ta vras harrimin
Me një fjalë

Mos më pyet
Ku isha njëqind vjet

Jeta na qenka matematikë e thjeshtë
Asnjë e panjohur
Asnjë e njohur krejt
Asnjë plus
Asnjë minus
Baraz me zero

Desha të të shoh
Dhe të kujtojmë
Tërë të pavdekurën

T`u shtrydhim fjalëve heshtjen
E t`i thërrasim
Me emra të thjeshtë
Miqtë e vjetër

Krejt çka nuk plaku koha
Mbetet e vejë
Ujët që nuk e pimë
Nuk e pranoi burimi

Ma jep dorën
Dhe mos më pyet
Ku isha njëqind vjet
Se jeta na qenka
Matematikë e thjeshtë

Në të ç`do gjë
Është e kuptueshme
Si e vërteta – ose
Lotari e pakuptim
Që fsheh numrin e Fatit./ KultPlus.com

112 vite nga Kuvendi i Junikut

Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik.

Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për tu bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.

Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se ” kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit.

Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.

Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave./ KultPlus.com

“Tash po nisemi” – poezi nga Jusuf Gërvalla

Poezi nga Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com

Turizmi, Kumbaro: Negociata me Filipinet dhe Indonezinë për të marrë fuqi punëtore

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se Shqipëria është në negociata me Filipinet dhe me Indonezinë për të marrë fuqi punëtore, kryesisht për sektorin e turizmit.

Gjatë një interviste televizive, Kumbaro theksoi se sektori ka nevojë për fuqi punëtore. Ministrja bëri të ditur se janë lehtësuar edhe vizita e punës, me qëllim që t’u jepet mundësi atyre që vijnë nga vendet aziatike për të punuar në vendin tonë.

“Kemi bërë marrëveshje me disa vende dhe po vazhdojmë të bëjmë si me Filipinet, dhe Indonezinë për fuqi punëtore, për të mundësuar dhe lehtësuar hyrjen e fuqisë punëtore. Kemi lehtësuar vizat e punës, i japim mundësi atyre që vijnë nga vende aziatike që të punojnë në Shqipëri. Jemi duke punuar edhe me diasporën, ka të rinj që kanë punuar në vende të tjera në këta sektorë dhe po kthehen në vendin e tyre”, tha Kumbaro.

Kumbaro foli dhe për sezonin turistik, ku pritet një fluks i lartë, sidomos gjatë sezonit veror.

“Nëse bizneset thonë se kanë më shumë se 40 % rezervime të paguara se viti i kaluar, do të thotë se mund të kemi 14 milionë turistë. Pastaj, për 14 milionë vizitorë, sa forca pune na duhet? Pra ne po bëjmë përgatitjet që duhen për të përballuar këtë vit. Tashmë kemi sezon 365 ditë në vit”, tha Kumbaro.

Për t’iu përgjigjur kërkesës për turizëm gjithëvjetor, Kumbaro informoi se po punohet për të bërë një paketë të dedikuar, e cila do të mundësojë zhvillimin e turizmit në zonat malore.

“Po bëjmë një paketë të dedikuar për zhvillimin e turizmin në veri të vendit, lidhur me letrat e pronësisë, paketat fiskale për të zhvilluar turizmin malor”, tha ajo./atsh/KultPlus.com

“Lulja e fushave”, simbolika idealizuese e gruas që pranveron në çdo stinë

“Lulja e Fushave” e piktorit dhe poetit francez, Louis Janmot (21 maj 1814 – 1 qershor 1892) nuk është as e para dhe as e fundit prek idealizimit të gruas dhe krahasimit të saj me lulen.

Gruaja në aktin alegorik është gjithnjë aty, e hirshme e bukur, delikate dhe ndjellëse. Ajo ka lindur të jetë një lule dhe si e tillë ajo do të pranverojë shpirtin e ëndjes sonë në katër stinët e vitit.

Sepse ajo është grua dhe lule dhe nuk mund të kuptohet një lule pa nënkuptuar një grua. Kësisoj ishte e bukur dhe mbeti kundërmuese edhe “Lulja e Fushave”.

Piktura tregon një grua të re që është ulur në një skenë të natyrës, e rrethuar me lule dhe flutura.

Ajo ka dy buqeta me lule në duar: njëra e shtrirë në gjunjë, e përbërë nga lulëkuqe, margarita dhe lule misri, tjetra e mbajtur vertikalisht është e përbërë nga lulëkuqe.

Në sfond, peizazhi tregon një fushë të gjelbëruar dhe malet e rajonit Bugey. Qielli është blu, me disa re të bardha pranë maleve dhe tregon se skena ndodh ndoshta në orët e vona të pasdites.

Çdo lule, si dhe fytyra e gruas, janë pikturuar me një saktësi jashtëzakonisht të madhe, ngjyrat e përdorura janë të ëmbla dhe pak melankolike, sikur buron nga vendi i ngjarjes. Pamja e gruas së re duket se përmban një aluzion serioziteti.

Piktura u ekspozua veçanërisht në Sallonin e Parisit në vitin 1845 dhe në Ekspozitën Universelle (1855) , gjithashtu në Paris, midis ekspozitave të tjera. Është restauruar në vitin 1974.

Larousse Encyclopedia e përshkruan këtë vepër si “të ekuilibruar mirë”. Megjithatë, është e paqartë nëse piktura është portreti i një gruaje të njohur nga Janmot, por rrobat që ajo vesh nuk përputhen me kohën e saj, por kujtojnë portretet e Rilindjes italiane.

Kjo mund të jetë një pikturë me lule, pasi ky lloj arti ishte shumë i popullarizuar në Lion në shekullin e 19-të. Një tjetër teori është se e reja është perëndesha Flora dhe mendon për kalueshmërinë e kohës.

“Lulja e fushave” është një pikturë e vitit 1845 në dru nga artisti i Lionit, Louis Janmot. Ajo u ble në 1893 nga Musée des Beaux-Arts de Lyon ku është në ruajtje./oranews/KultPlus.com

“Fine Art Cannes Biennale” u organizua nga muzeu i artit modern gjatë festivalit të filmit

Gjatë Festivalit të Filmit në Kanë Muzeu i Artit Modern MAMAG organizoi ekspozitën “Fine Art Cannes Biennale” e mbajtur nga data 17 deri më 19 maj. Në këtë ekspozitë u përzgjodhën gati 50 artistë nga vende të ndryshme, në të cilat edhe Adela Osmani nga Shqipëria.

Arti i Adela Osmanit është i ndërthurur me psikologjinë dhe spiritualitetin, kështu që çdo pikturë e saj është pikturuar me duar, energji dhe ndonjëherë duke u analizuar me ose te pa të ndërgjegjshmen. Çdo pikturë e saj është bërë me duar, pa penela. Punimet  artistes janë ekspozuar në Carrousel du Louvre Paris, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Galerinë Saatchi në Londër, Shtëpinë e Parlamentit Italian, por edhe në SHBA, pasi fustani i përfaqësueses së Shqipërisë në Miss Universe, ishte pikturar nga ajo.

Një tjetër shqiptare pjesëmarrëse është Brilantina Lekaj, një artiste hiperrealiste me bazë në Holandë. Ajo njihet për artin e saj realist dhe hiperrealist dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Adela Osmani së fundmi ka qenë edhe pjesë e programit Artkand, ku ndau lajmin me publikun dhe po ashtu nxorri në shitje ekskluzivisht veprën e saj, Elementët e Natyrës, Tokë, qiell, det./topchannel/KultPlus.com

Tirana mirëpret “Vallëzimin me Hijet” të Pluton Vasit

Është kthyer në ndërmarrje të vështirë për artistët shqiptarë të gjithë disiplinave, që të merren me të shkuarën komuniste. Dhe, mbeten shumë pak, që synojnë të ndriçojnë anatominë e paradoksit dhe mllefit, utopinë, eksperimentin social-politik-ekonomik, që i shkaktoi Shqipërisë aq shumë andralla. Ndërsa një pjesë e stigmatizon dhe e përshkruan komunizmin në formë gati meskine në letra duke arritur të krijojë dhe ekuivoke, fare pak kuptojnë dritë-hijet e saj.

Nga Ben Andoni

Regjisori Pluton Vasi dhe skenaristi Bashkim Hoxha i shkuan kësaj hullie të vështirë dhe sollën të ekranizuar një paradoks të tillë, kujtesën e të cilit e kemi para sysh. Jo më kot, filmi i tyre “Këtu vallëzohet me hijet”, është nderuar me çmime në Mbretërinë e Bashkuar dhe është projektuar atje, duke dhënë kujtimin e një kohe, që me sa duket ende është e shtresëzuar në copëza përfytyrimesh dhe plazma kujtimesh.

Por, sfida mbetet, nëse do përballesh me pasojat e ideologjisë komuniste, zhvilluar nga një teori që vërtetë sot e kësaj dite është bazë studimesh. Për një moment, ndërsa Hoxha ka marrë përsipër të hedhë në letër një histori të vërtetë dramatike dhe pasojat te qeniet humane edhe shumë vite më pas, për regjisorin Vasi sfida ka qenë shumëplanëshe.

E para për të mos e relativizuar kujtimin, pasojat e vuajtjeve nga përndjekja, të vërtetën e një shoqërie, që një pjesë tashmë e merr gati si rrëfenjë. Me një grup të zgjedhur aktorësh, që zakonisht janë plan i vazhdueshëm i projekteve të tij: Karafil Shena, Rovena Lule Kuka, Eri Shuka, Neritan Liçaj, Eni Shehu, Juli Emiri, Johnny Pojani, Alert Celoaliaj, Nikol Gazheli, Elvis Lule, Artan Xhaferri, Olti Curri etj., Vasi ka shkuar më tej: ka zbërthyer një metaforë. Duke mbajtur një plan gati idilik (ku përfshihet edhe kujtimi për Nënë Terezën); duke e ndërthurur me planin faktik të jetës së dyfishtë të Zigurit, personazhit kryesor; si edhe përpjekjes së Florës, personazhit që mban idilin e jetës; shtuar me Miriamin, balerinën e bukur me origjinë austriake, të ëmën e Florës; dhe kuptohet me ndihmën dhe sinkronin e të gjithë trupës vjen përballja e individit me një regjim, që mundohet ta zhveshë dhe t’i japë krah turmës, duke dashur të sfumojë dhe mbytur çdo gjë të veçantë. Pikërisht, e veçanta, sak ato takimet e një grupi intelektualësh që e sfidojnë regjimin me artin e poezisë, këngës, humorit, përbën një nga shumë preokupimet e autorit. Dhe, këtu ngërthehet regjimi, e veçanta nuk mund të shkojë jashtë disiplinimit të jetës, hijet aktivizohen dhe ata janë nën vëzhgim real dhe të drejtpërdrejtë.

Ziguri është personi i ngarkuar që përgjon dhe di gjithçka për ta, deri kur bukuria e jetës hap mushkëritë e zezonës shpirtërore të tij. Ai bie në dashuri me të ëmën e Florës. Këto zbulohen në sekuencat e filmit, ku regjisori na tregon se Flora, ardhur në kërkimin e referimeve për Nënë Terezën mban mbi supe dhe historinë e të atit të persekutuar e më pas të ekzekutuar. Me misterin tragjik të pajetës. Hijet vërtetë janë fashitur, por ato ngjallen pak metra më tutje në linjën direkte, ku Ziguri i sotëm ka një biznes me të shoqen. Gazetarja bën jetën e saj në ditët shqiptare kurse një tis poetik ndjek dhe narrativën e Vasit, derisa shfaqet ai…I etur për ta shpalosur atë bukuri, por edhe për të nxjerrë të vërtetën, mes episodeve dramatike, pak e nga pak filmi do zbulojë se Flora është fryt e një përdhunimi, që Ziguri i bëri të ëmës së saj. Idili për pak ballafaqohet me realitetin, që regjisori e zgjidh me zgjuarsi dhe pa patetizëm. Tek e fundit: e di mirë se nuk mund të bëj histori për histori. Ziguri nuk arrin edhe kur e fakton atësinë se mund t’i zërë vendin të atit të gazetares. Hijet që materializohen e kanë vendin sërish për hijet, por autori vetë i bën të vallëzojnë në paradokset e jetës dhe në mësimin për shikimin e historisë shqiptare në disa plane. Flora nuk shkëputet nga kujtimi dhe sërish i jepet të atit imagjinar, tashmë të mishëruar që nuk përbën thjesht kujtim por edhe spiranca në një det të trazuar jete.

Premtimi i një shoqërie që do siguronte për të gjithë dhe ku të gjithë do bashkoheshin është tërheqës për shumicën e njerëzve dhe për të arritur këtë qëllim, shumë e pranonin dhunën kundër atyre që e kundërshtonin duke ruajtur idenë e bukur. Ky është filli, që do të tregojë Ziguri dhe pak personazhet si ai. Por, e bukura nuk nënshtrohet në film. Idili mbijeton. Fatkeqësisht, është shumë e lehtë edhe sot që t’i bësh njerëzit të besojnë se përgjegjës për të gjitha problemet e tyre është ky apo ai grup dhe kur e keqja lulëzon në një vend, ndjenja e zemërimit dhe e tradhtisë mund të çojë ata lehtësisht në pranimin e dhunës. Por Flora (ardhur mjeshtërisht nga Rovena Kuka) nuk jepet, Ziguri (në interpretimin e një protagonisti të shkëlqyer galerie të vështirë rolesh) dorëzohet dhe merr dënimin më të madh me shpërfilljen, kurse Miriami (Eri Shuka në një rol shumë të vështirë që e realizoi me përgjegjësi) i tregojnë vendin. Hijet vallëzojnë në subkoshiencë me lojën e Platonit, kurse personazhet tona i dorëzohen jetës. Idilit.

Pluton Vasi është autor i disa filmave me metrazh të gjatë i dhjetëra dokumentarëve dhe një nga regjisorët më të vlerësuar në festivalet ndërkombëtare. Mbi të gjitha, ka treguar se është një individ që vëzhgon mirë ndryshimet dhe tejet i etur për të projektuar Shqipërinë e tij në periudha të ndryshme historike. Filmi është tashmë në projektim në “Millenium”./panorama/KultPlus.com

“The Travel”: Shqipëria mes destinacioneve më të lira në botë për vitin 2024

Kanë ikur kohërat kur udhëtimi me buxhet të limituar nënkuptonte qëndrimin në bujtina të zymta apo akomodime jo cilësore, shkruan Jason Dookeran në një artikull të botuar në “The Travel”.

Por, turistët tani mund të shijojnë akomodime të rehatshme në destinacione mahnitëse pa shpenzuar shumë para.

Duke zgjedhur një vend miqësor me buxhetin, vizitorët mund të kursejnë për akomodimin dhe shpenzojnë në ekskursione emocionuese dhe kuzhinën e shijshme lokale.

Megjithatë, hotelet e lira nuk nënkuptojnë përvoja nën nivelin.

Këto vende kanë një gamë të gjerë përvojash për çdo lloj vizitori.

“The Travel” ka renditur 10 vendet më të lira në botë për pushime të paharrueshme.

Shqipëria
Çmimet e hoteleve fillojnë nga 70 dollarë nata.

Shqipëria është një perlë e fshehur për turistët me buxhet të limituar, të cilët kërkojnë një destinacion për t’u arratisur.

Çmimet e hoteleve në vendin mesdhetar janë tepër të ulëta në krahasim me destinacionet e tjera të njohura evropiane.

Plazhet mahnitëse, malet piktoreske dhe historia e pasur e Shqipërisë e bëjnë atë një vend ideal për pushime ekonomike.

Vizitorët mund të eksplorojnë qytetin historik të Beratit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ose të ecin nëpër Alpet e bukura shqiptare.

Shqipëria është gjithashtu e njohur për ushqimin e saj të shijshëm, duke përfshirë ushqime të freskëta deti dhe verën e prodhuar në vend.

Shqipëria është një destinacion që ofron akomodime të përballueshme, peizazhe mahnitëse dhe përvojat unike kulturore.

Shqipëria është renditur mes 10 vendeve më të lira në botë për të zbuluar në verën e 2024:

Shqipëri
Kolumbi
Armeni
Marok
Panama
Meksikë
Malajzi
Guatemala
Kili
Tajlandë./atsh/KultPlus.com

Filmi për Donald Trump bën bujë në Kanë, ish-presidenti paralajmëron betejë ligjore

Një film i ri për Donald Trump ka pasur premierën e tij botërore në Festivalin e Filmit në Kanë, duke tërhequr kryesisht vlerësime të mira nga kritikët, por edhe një kërcënim ligjor nga ish-presidenti.

I titulluar The Apprentice, filmi biografik gjurmon historinë e origjinës së zotit Trump si një zhvillues i ri ambicioz i pronave në vitet 1970 dhe 80 në Nju Jork.

Zëdhënësi i tij e përshkroi filmin, i cili përmban një skenë ku ai shihet duke përdhunuar gruan e tij të parë, Ivana, si “plehra”, “fiksion i pastër” dhe “ndërhyrje në zgjedhje nga elitat e Hollivudit”.

Filmi fillon me një parantezë se shumë nga ngjarjet e tij janë të trilluara.

Ai debutoi ndërsa gjyqi i zotit Trump për paratë e heshtura vazhdon në Nju Jork, ndërsa ai përgatitet për një tjetër zgjedhje presidenciale në nëntor.

Titulli është pjesërisht një referencë për serialin televiziv të drejtuar nga zoti Trump për më shumë se një dekadë që nga viti 2004.

Megjithatë, filmi zhvillohet disa dekada më parë, pasi zoti Trump po bën emrin e tij si një zhvillues i pasurive të paluajtshme.

Sebastian Stan, i cili është shfaqur në Pam & Tommy, Dumb Money dhe disa filma të MCU si Ushtari i Dimrit, portretizon ish-presidentin. Ylli i Succession Jeremy Strong luan mentorin dhe avokatin e tij të pamëshirshëm Roy Cohn.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, filmi “pikturon një portret të palëkundur, por të nuancuar të ish-presidentit të SHBA”.

Filmi, paraqet “përdhunimin, probleme të shëndetit seksual, probleme me rënien e flokëve dhe tradhtinë”.

Megjithatë, ndërsa përparon, filmi përshkruan “mirësinë e zotit Trump duke u gërryer ndërsa ai mëson artet e errëta të marrëveshjeve dhe shijon fuqinë”.

Regjisori i saj, regjisori iranio-danez Ali Abbasi, imagjinon disa ngjarje brutale që ndodhin pas dyerve të mbyllura. Në një skenë tronditëse, Trump shihet duke përdhunuar Ivanën.

Gjatë procedurave të tyre të divorcit në jetën reale, Ivana akuzoi zotin Trump për përdhunimin e saj, megjithëse më vonë ajo tërhoqi akuzat. Ajo vdiq në vitin 2022.

Drejtori i komunikimit të fushatës së Trump, Steven Cheung tha se do të ndërmerren veprime ligjore “për të adresuar pohimet haptazi të rreme nga këta filmbërës të pretenduar”.

“Këto plehra janë trillime të pastra që sensacionalizojnë gënjeshtrat që janë zhgënjyer prej kohësh,” shtoi ai në një deklaratë./euronews/KultPlus.com