Vdes basisti i grupit Jericho, Suad Jamini

Basisti i grupit Jericho, Suad Jamini, ka ndërruar jetë sot.

Lajmi për vdekjen e Jaminit është konfirmuar nga familja e tij, shkruan Gazeta Express.

Mësohet se Jamini ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pjesë e grupit, përveç të ndjerit Jamini, janë edhe vokalisti Petrit Çarkaxhiu, kitaristi Leonard Canhasi dhe bateristi Visar Rexha.

Tash për tash nuk janë dhënë më shumë detaje për shkaqet e vdekjes së rok-baskitaristit. Ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë.

Detaje të tjera pas pak…

Nelly Haliti, fituese e çmimit kryesor për arte pamore në Zvicër

Zyra Federale për Kulturë (BAK) ka ndarë të martën në Bazel çmimet vjetore zvicerane për artet pamore dhe për disenj. Bëhet fjalë për vlerësimin më të lartë që jepet në Zvicër për këto dy drejtime dhe secili shpërblim përmban edhe vlerën në të holla prej 25 mijë frangash.

Në mesin e 17 të shpërblyerve për arte pamore është edhe shqiptarozvicerania Nelly Haliti.

31 vjeçarja Nelly Haliti është e bija e piktorit të njohur nga Kosova, Jetullah Haliti-Eti dhe jeton e krijon në Gjenevë, Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ajo ka mbaruar studimet për pikturë dhe masterin në Akademinë Arteve në Gjenevë. Në po këtë qytet Nelly jeton si artiste e lirë dhe hyn në mesin e artistëve më të shquar të gjeneratave të reja në Zvicër.

Instalacionet dhe teatrologjia janë në qendër të krijimtarisë së artistes së re.

Çmimet janë ndarë të martën në kaudrin e aktiviteteve që janë zhvilluar në Javën e Panairit të Arteve, në Bazel. Në po këtë panair janë ekspozuar ehde veprat artistike të artistëve të shpërblyer, pra edhe të Nelly Halitit.

Çmimet janë ndarë nga niveli më i lartë i vendit. / KultPlus.com

Iara Boubnova, kuratore e çmimit Muslim Mulliqi

Iara Boubnova, një emër i njohur në artin bashkëkohor do të jetë kuratorja e edicionit të 12-të të çmimit Muslim Mulliqi.

Ky çmim jepet çdo vit nga Galeria e Arteve të Kosovës. Boubnova është kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja. Ajo u lind në Moskë, Rusi, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë. Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore.

Në vjeshtën e vitit 2013 Ministri i Kulturës e emëroi Drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje, Bullgari. Që nga janari 2015 ajo u bë Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë.

Që nga viti 1995 Iara Boubnova është Drejtoreshë Themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor – Sofje. Në mes të viteve 2003 dhe 2006, ajo ishte Udhëheqëse e Projektit të Seminarit Vizual Multidisiplinar që i dedikohej mjedisit urban të neo-kapitalizmit. Në vitin 2017 së bashku me kolegët e saj nga ICA- Sofje, ajo e themeloi dhe e udhëhoqi programin arsimor të studimeve të avancuara “Takime të Afërta – Dialogjet Vizuale Shkolla për artistë” (“Close Encounters – Visual Dialogues School4artist”). / KultPlus.com

Performancë e papërsëritshme nga Robbie Williams dhe Aida Garifullina në Rusi

Kampionati Botëror, Rusia 2018, ka filluar me një ceremoni hapëse madhështore që do të hyjë në histori.

Ishte legjendari britanik, Robbie Williams ai që performoi në ceremoninë e hapjes bashkë me Aida Garifullinan, sopranon e njohur ruse.

Dyshja performuan hitet e Robbiet, si “Feel”, “Let Me Entertain You” dhe “Angels.

Publiku u ndez gjatë performancës së Robbiet, i cili pushtoi stadiumin Luzhniki në Moskë.

Plot 81 mijë tifozë janë të pranishëm në stadiumin Luzhniki në Moskë. / KultPlus.com

Ti do të heshtësh

Mimoza Ahmeti

Ti do të heshtësh gjatë atë ditë,
ndoshta për fare atë natë,
kur të mos jetë
mbi sferën e humbur të tokës,
figura ime krenare
me sytë e fuqishëm si shpezë
që veç lirisë i përkasin,
që ti e deshe aq shumë.
Ti do të heshtësh djalë,
ti do të heshtësh, burrë,
ti do të heshtësh, shpirt,
kur të mos jem më unë.

Dhe mjekra jote mbështetur mbi klavikul,
do të heshti.

Oh, nuk do të jetë më ajo heshtje, nga ato që vibrojnë afrimin.
Ajo heshtje e madhe,
ajo heshtje e mungesës,
ajo heshtje e kthimit tënd,
në një,në një,në një.

Ti që gjithmonë me mua ishe dy,
dhe prapë njësuar,
po kurrë bir vetmie.
Do të heshtësh,
ti që aq pak flisje dhe heshtjet i krisje,
ti që i kishe fjalët si guaska të rralla,
që m’u desh aq rrugë të eci për ti gjetur,
do të heshtësh ti, që aq shume të desha.
Do te kthehesh ne nje burrë si mijëra,
(kurre nuk mbaron argateria se ngreni burra.)

Do të heshtësh. Do të çohesh. Do të ikësh që andej,
krahëthyer drejt gojës së argatërisë do t’ikësh
duke tu zvogluar trupi, shpatullat në largësi.
Do të ikesh argati im, do të zhdukesh,
dhe këtu historia jonë do të mbarojë
historia jonë e padëgjuar ,
që e përgjonin yjet e pikuar ,
e që kapnim me dorë nën çati…

Roboti i Flaka Halitit, pjesë e Art Basel 2018

Do të nisë sot edicioni i radhës i Panairit të njohur Art Basel.

Edicioni i 49-të e gjen si pjesëmarrëse edhe artisten nga Kosova, Flaka Haliti.

Madje, ajo konsiderohet si një prej artisteve që duhet të marrë vëmendjen në këtë edicion, me punën e saj artistike që konsiston në një robot të punuar me objekte të gjetura në kampet ushtarake të KFOR-it në Kosovë.

Deborah Schamoni është galeria përfaqësuese e Flakës, shkruan KultPlus.

Its Urgency got lost in reverse (while being in constant delay) #2, është emri i punës së Flakës, vazhdimësi e vitit të kaluar por tani me një robot me pamje tjetër.
Haliti kësisoj krijon një hapësirë ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mjegullueshëm e kthejnë robotin në një metaforë të kohës. Roboti vazhdon të jetë një pajisje trans-historike. Roboti qëndron në një dysheme argjendi me mjete izolimi, e cila bashkë me elementet tjera të punës e kthejnë hapësirën në një skenar futurist.

290 galeri nga 35 shtete janë pjesëmarrëse në këtë ngjarje të madhe të artit, e cila do të zgjasë deri me 17 qershor.

Flaka Haliti është ndër artistet më të njohura dhe aktive nga Kosova. Ajo është fituese e Henkel Award dhe Sallonit të Tetorit, dhe pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias në Itali.

ART BASEL mbahet në Sallën Messe Basel. / KultPlus.com

Kënga e Botërorit me Era Istrefin arrin 20 milionë klikime

Videoklipi i këngës së Kampionatit Botëror, ku këndon Era Istrefi, Will Smith dhe Nicky Jam, u publikua tek gjashtë ditë më parë, dhe tashmë ka mbledhur mbi 20 milionë klikime.

Ndërkaq sot është ceremonia hapëse e Botërorit në Rusi, ku raportohej se e pranishme do të jetë edhe kosovarja e cila pritet ta këndojë hitin “Live It Up”.

Ndërsa kënga e tyre ishte publikuar dy javë më parë, e cila po ashtu numëron mbi 20 milionë klikime në YouTube. / KultPlus.com

‘Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje’

Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje- është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli. Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli…..Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?

Mahatma Gandi

Arjeta Mala sjellë dy botë me tensione në ekspozitën në Prishtinë

Arbër Selmani

Ajo ka lindur në Pejë, dhe me punët e saj të fundit artistike mendjen e ka pasur në një tjetër pjesë të botës. Peja pati luftë e terror, sikur Kosova në tërësi, para disa dekadash, ndërsa Siria ka një luftë që ka nisur qëmoti e po vazhdon edhe sot.

Me refugjatët nga Siria dhe me pamjet e tmerrshme, Arjeta Mala tregon se ka marrë një inspirim për punimet e ekspozitës e cila u hap sonte në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. Arjeta është artiste e vizatimeve më abstrakte, dhe me anë të ngjyrave të ujit krijon edhe fytyra njerëzish por edhe lë ngjyrim të llojllojshëm në fletën e bardhë.

Ekspozita “Tensione të dukshme dhe të fshehta” u hap sonte nga artistja e cila jeton prej kohësh në Holandë, në qytetet e të cilit shtet ajo ekspozon punët e saj artistike gjithmonë të nisura pa një koncept por ndërtuar ngadalë drejt tërësisë.
“Unë kur filloj punën nuk e kam në mend një koncept, por gjithçka merr formë më pas. Punimet e kësaj ekspozite janë disa të reja e disa të ekspozuara më herët. Në një pjesë shihni edhe fytyra të njerëzve të cilat i kam marrë prej ngjarjeve në Siri dhe pamjeve të ndryshme në televizion të cilat më japin emocione dhe ndjenja të tmerrshme nga realiteti atje” tregon artistja Arjeta Mala.

Në punët e saj ajo përdorë akrilin. Punimin e parë e realizoi në moshën 8 vjeçare, gjyshin e saj duke lexuar gazetën. Më vonë një pjesë e mirë e karrierës do të ishte e lidhur me artin e kulturën, me fokus vizatimin.
“Jam e lumtur që jam në Kosovë, këtu gjithmonë është ndjenjë tjetër sepse këtu është familja, këtu janë miqtë prandaj është një ndjesi tjetër të jem në vendin tim me ekspozitë. Do të vazhdoj me ekspozita të tjera” thotë artistja për ekspozitën që ndahet në dy cikle.

Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës, ka shkruar se si Arjeta ka krijuar një stil të lidhjes së vetvetes me universin që e rrethon ndërmjet mundësive shprehëse dhe dinamikave sasiore të botës përreth saj. Ajo akordon intensivisht pjesën e padukshme të realitetit në një hapësirë të vetme në një mënyrë specifike që përcakton edhe individualitetin e saj.

Arjeta Mala (1964) u lind në Pejë. Ka mbaruar Fakultetin e Arteve, drejtimin e dizajnit grafik, në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të luftës së vitit 1999, mërgon në Holandë ku edhe punon sot si artiste e lirë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit si në Rotterdam, Piershil, Binnenmaas, Hagë, Eindhoven, Dordrecht, Bochold, Prishtinë, etj.

Ndërkaq ekspozita personale ka realizuar në Galerinë e Ambasadës së Shqipërisë në Hagë (2017), në Piershil (2006), pastaj në Galerinë e Arteve të Komunës së Pejës (2017), në Rotterdam (2017), si dhe tani në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (2018). Jeton dhe vepron në Holandë. / KultPlus.com

Nën kët diell ndodh gjithçka

Pier Kolond

Nën kët diell,
sot,
ndodh gjithçka.
Toka rrotullohet
pa dijtë ça po bàhet.
Lulet hapin ganxhet
e i hjedhin prap.
Burrat bàhen tapë
për me kalue kohen.
Varzat porsi yje
shesin mish të njomë,
në çdo njiqind metra.

Nën kët diell
të zbehtë
Gra me cica t’shfryme
rreken me i njomë
me jargë fmijsh të ùnshëm.
Politikanë kameleonë
i ndrrojnë bojë kmishës
simbas klientelës.
Në tv shesin buzqeshje.

Nën kët diell
të ftoftë
Makiaveli hyp në fron
Akulli shkrihet me raki
në mungesë të zjarmit.
Sy të lodhun prej ndershmnisë
(fjalë prozaike),
i kërkojnë ndihmë
gjumit hipokrit.
Akulli i shpirtit
shkrihet me urrejtje.
Zjarmi i dashnisë
ka dhànë dorheqjen.

Nën kët diell
që s’àsht ma diell;
Në kët botë të ndytë
gjithfar t’zezash shef me sy.
Ku je nisë
o njeri?!
Drita s’asht në varreza.
Qielli kjan.
Ta kputë shpirtin
vaji i tij.
Por ti zhytesh në të zeza.
E ti diell,
që s’je mà diell
pse nuk xen?
Pse rrin kot,
atje në qiell?
Ku e ke zjarmin e dikurshëm?
Cou prej gjumit
e shif me sy
Ca po ndodh këtu,
nën ty.

Në një shkollë në Prishtinë, nxënësit mbeten pa notë në histori

Të gjitha notat e nxënësve të klasës së IX -1 të shkollës fillore “Emin Duraku” të kryeqytetit janë mbyllur, por jo edhe ato të lëndës së historisë, raporton KTV.

Mësimdhënësja e kësaj lënde, Afërdita Misimi, ka vendosur që tre nxënës të mos i notojë fare, shkaku i mospjesëmarrjes së tyre në orën e saj për gjashtë muaj radhazi.

Ky veprim i ka lënë këta tre nxënës pa dëftesë, e cila tash u duhet për regjistrim në shkollën e mesme. Fakti që tash hapen konkurset për regjistrim dhe këta nxënës nuk i kanë dëftesat e tyre i ka irrituar prindërit.Prindërit kanë shkuar në këtë shkollë dhe e kanë kërcënuar mësimdhënësen e historisë, duke i kërkuar mbylljen e notës.

Arsimtarja Afërdita Misimi tha se nuk do të notojë nxënësit pasi që kanë munguar në orë.

Drejtori i shkollës, Agron Mexhuani tha se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.

Shaqir Hoti and the Stooges, sonte në Kino Armata në Prishtinë

Sonte në Kino Armata vjen një natë e veçantë me Shaqir Hoti – Baca feat. Armend Xhaferi, Ilir Bajri, Nesim Maxhuni.

Baca Shaqë performon përveç tjerash edhe me okarinë, instrument frymor i lashtë i zbuluar në Runik të Drenicës. Okarinat prodhohen vetë nga Baca Shaqë, sipas modelit të gjetur në Runik.

Shaqir Hoti është muzicient nga Rogova e Hasit, i cili dedikoi tërë jetën e tij prodhimit dhe studimit të instrumenteve folklorike, posaçërisht okarinës ilire. Ai themeloi ansamble të ndryshme dhe ishte pjesë e orkestrës së Radio Prishtinës për shumë vite. Tani është i penzionuar dhe jeton në Prishtinë me të birin e tij, si dhe vazhdon me hulumtim dhe komponim.

Në koncertin e tij në Kino ARMATA, atij do t’i bashkangjiten në skenë Armend Xhaferi (gitarë), Ilir Bajri (tastierë) dhe Nesim Maxhuni (tupana).

Eventi përkrahet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Swedish International Development Cooperation Agency (Sida).

Koncerti fillon në ora 21:00.

Shqiptarja Eleni Foureira do të këndojë në Paradën e Krenarisë në Stokholm

Shqiptarja Eleni Foureira do të këndojë sivjet në Paradën e Krenarisë në Stokholm.

Foureira, e cila po bën bujë në Evropë me këngën “Fuego”, do të jetë pjesë e Paradës së komunitetit LGBT në Stokholm në muajin gusht.

EuroPride Park Stockholm është stadiumi ku do të mbahet koncerti me datë 2 gusht.

“Jam shumë e lumtur që jam e ftuar në këtë koncert dhe do ti falenderoj prapë fansat e mi të cilët më përkrahën në Eurovizion” ka shkruar Foureira.

Ajo dhe disa artistë tjerë të njohur do të jenë pjesë e koncertit, në festën e madhe në Stokholm të Suedisë. / KultPlus.com

Shqiptari Pajtim Statovci, shkrimtari i vitit në Helsinki

Pajtim Statovci, 28 vjeçar, është zgjedhur shkrimtari i vitit në Helsinki, Finlandë.

Statovcit për romanin e tij të veçantë “Macja ime Jugosllavia” iu dha çmimi për vitin 2014 nga “Helsingin Sanomien”, gazeta e përditshme dhe ndër më të vjetrat në Finlandë.

Vepra e tij përkthyer deri më tani në 8 gjuhë të ndryshme, raporton KosovaPress.

Për këtë është mbajtur një aktivitet, e ceremonia qendrore do të jetë premierë në vjeshtë në Teatrin Kombëtar në Helsinki.

Romani i tij i dytë, “Zemra e Tiranës” është botuar në vitin 2016, e rëndit atë sërish të pestin për çmimin shkrimtari i vitit.

Përzgjedhja është bërë nga një grup shkrimtarësh në Helsinki.

Për Statovcin kanë shkruar edhe mediat e njohura në botë kohë më parë, duke e vlerësuar si shkrimtar që premton shumë. / KultPlus.com

Kur thirra nënën t’i them se policia ndaloi vëllain

Shqiptar Oseku

ajo nisi të merr frymë me ndërprerje
sikur lidhte fashē pambuku mbi brinjë ëndërrash

ani bir se e lēshojnë prapë
a i ka ilaçet me vete

pastaj heshti krejt
thuase qeveria i kish caktuar
një kuotë fjalësh

(përvoja bën të veten)

i ndihej veç frymëmarrja
me ndërprerje të buta

sikur lidhte fashē pambuku mbi brinjë
të thyera

Ku ishe ti?

Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?
Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd
Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde
Pastaj erdhi prap nata
dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi
duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit
Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës
Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.
Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?
A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?
Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?
Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

A njihni ndokënd që di të kënaqet?

Nga Alma Nikolli

A njihni ndonjë njeri që di të kënaqet? Me një shi të freskët vere, me shëndetin e fëmijëve a të prindërve, me një fotografi të dikurshme të “zhdukur” prej kohësh, me një kafe të mirë, me një telefonatë a letër, me një urim ditëlindjeje, me një trëndafil erëmirë, me një tingull violine, me një lëndinë me bar, me një bisedë, me një xhiro me biçikletë, me një buzëqeshje fëmije, me uratën e një të moshuari, me një akullore, me arritjen e një miku, me një xixëllonjë a një kumbull të thartë?
Me saktë, a njihni një njeri që di të kënaqet vetëm me këto? Që mjaftohet? Që thotë: Faleminderit Zot a jetë për këto që kam, nuk mund të dua më tepër për sot. Një njeri që gjen kënaqësi tek gjithçka që ka dhe s’ka?
Nëse e njihni, bëjeni të flasë sa më shpesh. Lexojani shkëlqimin në sy kur flet për përditshmërinë si diçka të përditshme, por që është çdo ditë ndryshe ama. Sepse një ditë krejt papritur mund të mos jetë. Dëgjojeni me vëmendje dhe besojeni. Sapo ta ndjeni, ndajeni edhe më të tjerë…E dini si përhapet energjia pozitive? Fluturimthi.
Mos dëgjoni ata që nuk e vënë re se kanë ditë për ditë sy për të parë, këmbë për të ecur, veshë për të dëgjuar e jetë për të jetuar. Mos u “infektoni” nga stresuesit që i çmend trafiku, të cilin s’e kanë aspak në dorë, shefi kokëçarës, lavatriçja që s’punon, paratë që u mungojnë, fustani që u bë me njollë, viza që nuk po u del apo celulari që u fik.
E çfarë se ka trafik? Unë jam mirë, po dëgjoj muzikën që dua, s’po më lëkund një tërmet, nuk po më bien flokët nga kimioterapia, nuk jam rrëzuar në shkallët e një pallati dhe bastuni nuk po zbret zhurmshëm nëpër kate. Do të zbres pak me vonesë fundja dhe do të vrapoj. Duke vrapuar do të harroj të mendoj. Do të arrij në destinacion dhe një buzëqeshje nga ato që përmenda në fillim do më kënaqë dhe u harrua.
Po mirë, trafikut ia dole, po shefit si t’ia bësh? Ai është më i kollajti. E lë atje në punë. Thjesht kalon pragun dhe je njeri i lirë, ti mund të ikësh kur të duash nga ai, por ai nga vetja e tij nuk ikën dot. A nuk është kënaqësi të dish që nuk je si ai?
Lavatriçja nuk punon? E ke provuar si bëhen rrudhat në gishta kur lan rroba me dorë? Provoje. Ndjen sikur u plake menjëherë. I mbaron shpejt e shpejt dhe del e shijon rininë, këput një trëndafil erëmirë, e nuhat bashkë me aromën e detergjentit në duar dhe të qeshet.
Paratë? Asnjëherë nuk do mjaftojnë. Përherë do të kesh më shumë gjëra për të bërë, se sa ato që bën. Përherë do të ketë një fustan, parfum, celular, makinë, destinacion e gjithçka tjetër më të lakmueshme se ajo që ke. Përherë ke për të dashur shumë e më shumë, e për t’u kënaqur pak e më pak.
Viza nuk del? Epo shumë mirë. A nuk beson ti se je i ndershëm? I duhesh këtij vendi. Nuk do që ti të ikësh. Po të tërheq për mënge, qëndro dhe bëje më të mirë.
Fustani me njollë? Qëndisi një lule.
T’u fik celulari, lum si ti. Ndiz ëndrrat e këmbët dhe vrapo kudo ku nuk të çojnë dot parajsat virtuale të miqve dhe jomiqve.

Vokrri ka luajtur edhe në KF Kosova të Obiliqit

Bajram Mjeku / Facebook

Mbasi ndërroi jetë futbollisti më i shquar kosovar i të gjitha kohëve Fadil Vokrri, është e natyrshme të flitet për karrierën e tij prej futbollisti, por askush nuk tha se idhulli i mijëra tifozëve kosovarë ka luajtur për dy sezone gjatë viteve 1978-’79 edhe në klubin futbollistik Kosova të Obiliqit, i cili tashmë e bartë emrin KEK.
Në këtë kohë, kur ylli i ardhshëm kosovar Fadil Vokrri luante në Kosova të Obiliqit, në këtë klub ishin të angazhuar edhe futbollistët tjerë të njohur si Bilbil Sokoli, Edmond Rugova, si dhe dy futbollistët e ardhshëm të KF Prishtina, portieri Kosta Llalliq, Ranislav Arsiq e të tjerë.
Gjatë këtyre dy sezoneve, unë isha nxënës i shkollës së mesme dhe mbas orëve të mësimit, këta futbollistë i kam përcjellë vazhdimisht gjatë seancave stërvitore. Shkas për këtë ishte kushëriri im Kadri Haxhiu, atëbotë sulmues i këtij klubi me numrin 11, të cilin në vitin 1976 përmes Driton Bekteshit, atëbotë sekretar i KF Trepça të Mitrovicës e pati kontaktuar Partizani i Beogradit. Nuk mundi të realizonte kontratën, për shkak se pikërisht ato ditë ndërroi jetë babai i tij dhe Kadriu do të mbetetej kujdestari i vetëm i familjes.
Fadil Vokrri atëbotë ishte 18 vjeçar. Ishte futbollist jashtëzakonisht i talentuar dhe i qetë, i cili edhe gjatë stërvitjeve nuk fliste asnjëherë! Më kujtohet kur në fund të një stërvitjeje në zhveshtore të stadiumit, kushëriri im Kadriu pat thënë: Nëse nuk e dëmton modestia e tepërt, Fadili do t’i mbërrijë kulmet në futboll!

Profili historik i Emrush Myftarit

Kosovar Basha

Esat Myftari, Emrush Myftari– Monografi, Pejë, 2011, fq.269.

Monografia në fjalë është botim i vitit 2011 me autor Esat Myftarin familjar i personalitetit tanimë të njohur Emrush Myftarit. Inspirimi për libër autorin e nxiti për dy arsye – ndjenja familjare, dhe nën dy mungesa e studimeve për këtë vigan të harruar nga koha dhe historianët në përgjithësi. Autori i studimit për mbarështrimin e monografisë u mbështet në burime arkivore të pakta dhe literaturë relevante historiografike. Edhe pse në mungesë të konsiderueshme burimesh primare dhe sekondare monografia e Esat Myftari paraqet një përpjekje serioze të sfidojë punën e tij përball kritikës shkencore historiografike.

Libri është i ndarë në disa kapituj të vegjël të cilat autori i ndërthurr mjaft me elegancë. Autori bën në fillim një vështrim historik të qytetit të Pejës si njëra ndër qytetet kryesore të Kosovës. Poashtu përmend familje të njohura të këtij qyteti si Mahmutbegollët, Bashajt, Broçët, Malushagët, Ibishagët, pastaj familje të vjetra serbe si Gazikalloviqët, Shantriqët, Shoshkiqët etj. Sipas autorit në këto rrethana dhe në këtë mjedis historik dhe qytetar u rrit Emrush Myftari në një familje të njohur pejane. Familja Myftari sipas autorit ishte njëra nga familjet e njohura të këtij qyteti. Familje tregtare por me peshë ajo luajti një rol me rëndësi, kështu duhet përmendur që vëllau i Emrush Myftarit – Sherifi hyri në listën e kandidatëve komunist në zgjedhjet e vitit 1920. Përball në këto zgjedhje u ndodhën figura me peshë si Nexhip bej Basha ish prefekt i Vloërs dhe personalitet i çmuar nga familja e vjetër Basha. Një filiz premtues për nxënësin Emrush Myftari do të ishte ndikimi që pati nga mësuesi i njohur Xhevat Shkreli. Këtej me ndihmën e tij ai u bë nxënës superior, kështu vendimtar në jetën e tij do të ishte regjistrimi në Gjimnazin e Pejës. Këtu do të njoftohet me shumë nxënës të ri shqiptar si Xhemal Kada, Shaban Basha, Seniha Basha, Seit Basha e shumë të tjerë. Ndikimi në literaturën e huaj do të bënte që ai të jepej fort pas biografive të Kemal Ataturkut, Zhan d’Arc, Dizreal, Bizmark pastaj emrave të njohur të letërsisë si Balzak, Hese, Çehov, Skerliq etj. Nga Peja, Emrush Myftari do të largohej në vitin 1930 për në Shqipëri me ndihmën e Konsulatës shqiptare në Shkup, kështu në jetën e tij do të fillonte një jetë e re. Emrushit i takoj të regjistrohej në liceun e Korçës ku takoj mjaftë nxënës tjerë kosovar si Zekeria Rexha, Idriz Ajeti, Ali Boletini etj. Po edhe këtu nuk do të qëndronte shumë pasi ai do të regjistrohej në Shkollën Mbretnore Ushtarake në Tiranë e formuar për të plotësuar nevojat e ushtrisë shqiptare. Këtu ai do të diplomohej si ushtarak më 1932, dhe do të shërbente si ushtarak në ushtrinë shqiptare deri në fillimin e Luftës civile në Spanjë më 1936. Idetë e tij do të ishin të kundërta me ato të Zogut, kësisoji ai ishte i afërt me Ali Kelmendi, Shaban Bashën, Xhemal Kadën, Asim Vokshin etj. Emrushi sipas autorit nuk morri drejtëpërdrejt në ngjarje kundër pushtetit të Zogut psh nuk ishte prezent në Kryengritjen e Fierit por ndihmoj mjaftë shokët në mënyra të ndryshme. Gjysma e dytë e viteve 30 do të ishte sfiduese për djalin e ri.

Fillimi i Luftës civile në Spanjë më 1936, do të ishte për të vendimtar t’i shprehte ndjenjat e tij antifashiste. Në Spanjë do të merrte pjesë në Luftë me shumë kuadro shqiptar si Skënder Luarasi, Xhemal Kada, Mehmet Shehu, Shaban Basha, Asim Vokshi, Petro Marko, Justina Shkupi, Ymer Puka e shumë e shumë të tjerë. Me insistimin e tij do të botohej organi “Vullnetari i Lirisë”. Autori Esat Myftari na njofton për paknaqësitë e tij lidhur me disa individ pjesëmarrës në Luftë si Xhafer Miraku të cilin Emrush Myftari e cilësonte me biografi të rrejshme dhe të graduar pa merita të veçanta. Paknaqësi ndërmjet shqiptarëve vërehen edhe në raportet e Emrushit me Skënder Luarasin, ky i fundit ishte në komandën e Gustinçit – i varur direkt prej Kominternit. Vdekjen e Xhemal Kadës dhe Asim Vokshit, Emrushi do t’i përjetonte tepër rëndë sepse ishte shumë i lidhur ngushtë me të dy sidomos me Xhemalin të cilin e kishte shok që në bankat shkollore. Kapitullimi i Spanjës republikane (mars 1939) shënonte një moment kyç për jetën e secilit vullnetar. Kështu pas disa peripecish Emrush Myftari u gjend në Pejë. Autori i veprës na ofron të dhëna interesante se si Emrush Myftari pa kurrfarë rekomandimesh ku nuk qe asnjëherë anëtar i PKJ bashkëpunoj me PKJ në Pejë. Kështu Emrushit i jepeshin materiale të ndryshme që të përktheheshin në gjuhën shqipe. Emrushi ishte këmbëngulës që në trakte të mos përmendej askund Jugosllavia as popujt jugosllav. Është interesant të theksohet se edhe në komemoracionin kushtuar vdekjes së Ali Kelmendin, fjalë mbajti Emrush Myftari ku ofroj të dhëna interesante mbi jetën e këtij komunisti të vjetër shqiptar i cili dha kontribut të çmuar antifashist. Në kohën e kapitullimit të Jugosllavisë autori Esat Myftari na tregon me saktësi se si Emrush Myftari do të gjendej përball prefekturës duke festuar. Madje autori saktëson se Esat Myftari ndodhej me përfaqësuesit e intelegjencës dhe në shoqërimin e avokatit plavjan Idriz Shahmani. Pjesë interesante në libër do të gjejmë një një syth për figurën e Shaban Bashës të cilën autori e quan kontrakditor në veprimet e tij politike ndonëse nuk e fsheh intelektin e tij si erudit. Së bashku me Emrush Myftarin do të ishin në shkollë, në Tiranën e viteve 30 dhe në Spanjë. Por përfundimi i Luftës së Spanjës, siç na dëshmon Esat Myftari për Shabanin do të ishte zhgënjyes. Madje ai do të shprehej “Me vajtjen time në Spanjë unë bëra gabimin më të madh që mund të bëhet”. Figura e Bashës paraqitet tërësisht në kontekstin historik duke filluar në pozitën e Sekretarit federal në Pejë për 8 muaj, pastaj zhgënjimi i tij më fashistët dhe largimi për në Mal si dhe dhe vendosja e kontakteve me antifashist si Alush Gashi me të cilin do të formojnë një çetë në Rakosh. Në fund të konstatimeve për Shaban Bashën ai e cilëson si njeri që pati shmangje nga vija politike ndonëse i zhgënjyer prej Spanjës, por për të në mes ishte Kosova dhe synimi për shpëtimin e saj. Gjatë viteve 1941-1943 në Pejë do të funksionte edhe një librari me titull “Vllaznimit Myftari”. Por krahas ksaj librarie vepronte edhe një librari tjetër me titull “13 dëshmorët” me pronar Fahri Basha. Në librarinn e vëllezërve Myftari, do të gjendeshin libra me vlerë të madhe. Nëpërmjet historisë gojore autori i librit, përmes bashkëkohësëve, nxënësëve të gjimnazit të asaj kohe në Pejë na jep një tablo për formatin e librarisë. Në të mund të gjeje Fishtën, Sterjo Spasen, Mitrush Kutelin, Omer Khajami etj. Libraria vazhdoj punën deri kurr u arrestua Emrushi dhe u transferuan në Tiranë, kështu ajo pas një periudhe u dogj e tëra. Fundi i vitit 1943 lidhet me zhvillimet në prag të Konferencës së Bujanit. Sipas autorit fushatën e përzgjedhjës së pjesëmarrësëve e bënte Melihate Deda-Mimi.

Ajo u tregua e kujdesshme që ta shmang Emrush Myftarin pasi ai cilësohej si “spiun i Anglisë”. Mjaftë interesante janë edhe letrat e Emrush Myftarin me intelektualin me formim perëndimor Sadri Doçin. Emrush Myftari kurrsesi nuk mund të rinte indiferent ndaj zhvillimeve politike. Autori jep një faktë interesant se si në Konferencën e dytë të NDSH mbajtur më 26 shkurt 1944 në Rogovë të Hasit, Emrushi ishte ndër 11 pjesëmarrësit dhe ishte zgjedhur si drejtues i Komitetit të Pejës me një mandat të kufizuar që do të zgjaste deri në shtator 1944. Emrush Myftari do të mbante lidhje edhe me Halim Spahiun, Ibrahim Fehmiun, Sokol Dobroshin e shumë antifashistë të tjerë të pakënaqur me zhvillimet që po ndodhnin në Kosovën e vitit 44. Pjesët më interesante të librin shpalosin dëshmi të qarta me të dhëna arkivore, ku po përgatitej eliminimi i Emrush Myftarin nga komunistët jugosllavë. Nga materiale të ndyshme jepeshin disa konstatime për të nga figura të njohura si Miladin Popoviqi, Ismet Shaqiri etj. Këto të dhëna shihen qartë nga raportet interne të Komitetit të Partisë në Pejë gjatë viteve 1943-1944. Sigurisht që në këtë mes, vrasje kishte një synim të qartë eliminimin e tij për disa arsye të thjeshta : patriot dhe erudit i pakontestuar për kohën. Në vitin 44 ai do të lidhej në Rugovë me Zhuk Haxhinë e shumë bashkëluftëtar ku edhe do të strehohej atje. Në pjesët e fundit në libër gjejmë copëza mbi historikun e burgimeve të Emrush Myftarit. Në këtë kuadër evidencohen 5 burgime gjatë jetës së tij të shkurtër, ku më fatkeqi do të jetë ai nga jugosllavët më 1945 në Prishtinë. Duke munguar dokumentacioni relevant, autori i referohet librit të Fadil Hoxhës. Në gjykimin e Emrushit morrën pjesë Miladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Fadil Hoxha e shumë të tjerë, gjykimi zgjati 10 ditë dhe kështu pas 10 ditëve u pushkatua në Tokbashqe. Me një copëz pas vrasjes shihen edhe aktet brutale të pushtetit jugosllav, Emrushit i konfiskohet pasuria me arsyetimin “armik i popullit”. Emrush Myftari jetoj afër 40 vite, mirëpo i dha vulë disa periudhave historike duke e dëshmuar vetën si antifashist dhe erudit të pakontestueshëm. Vepra e tij do të mbetet një udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Monografia e Esat Myftarit lexohet me një frymë. Një formë e veçantë e trajtimit të ngjarjeve, një mënyërë inteligjente e interpretimit të materialeve arkivore. Erudicioni i autorit të studimit, duke analizuar dhe sintetizuar në mënyrë lucide materialin përbën një sukses që edhe historianëve i mungon ky lloj i interpretimit.

( Autori është hulumtues i pavarur për shek.XX në Institutin e Historisë në Prishtinë ).

Arrihet marrëveshja për emrin e Maqedonisë

Pas mosmarrëveshjeve thuajse prej 3 dekadash, Athina dhe Shkupi duket se kanë rënë dakord për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë.

Dy kryeministrat, Tsipras e Zaev, janë dakordësuar që emri i ri të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Gjetja e gjuhës së përbashkët është bërë e mundur gjatë bisedës telefonike që patën dy kryetarët e qeverive respektive.

Pikat e tjera të marrëveshjes kanë të bëjnë me gjuhën, nacionalitetin, ndryshimin e kushtetutës, si dhe afatet kohore për këto ndryshime, por edhe të tjera.

“Sot është një ditë me e mirë për Maqedoninë, më shumë perspektivë dhe ditë më të mira për Maqedoninë po vijnë. Kemi një marrëveshje historike mes Greqisë dhe vendit tonë. Me këtë marrëveshje do të kemi identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Kemi identitetin, gjuhën, shtetësinë dhe kulturën tonë. Nga sot e tutje nuk do të quhemi më FYROM, por maqedonas. Republika e Maqedonisë së Veriut, nacionaliteti maqedonas, Republic of north Maqcedonia”- ka thënë kryeministri maqedonas Zaev.

Pseudonimi me të cilin Faik Konica shkroi dy romane

Ai është një nga intelektualët më të njohur shqiptar të fillimshekullit të XX. Shumë i njohur për shkrimet e tij, polemikat dhe punën e tij si diplomat, Faik Konica ishte një erudit i jashtëzakonshëm, për të cilin Guillaume Apollinaire thoshte se i njihte 200 gjuhë. Profilit të tij poliedrik i është shtuar edhe një dimension i panjohur, ai i një prozatori, autor romanesh. Kjo pasi që studiuesi Fotaq Andrea, ka zbuluar dy romane të panjohura të Faik Konicës, të cilat ai i kishte shkruar në gjuhën frënge.

Të botuara në një vëllim dhe me pseudonimin Gjoni i Krujës, këto dy romane janë përkthyer po nga Fotaq Andrea. I ftuar në emisionin CODEX të KTV-së, botuesi i tyre Krenar Zejno, ka thënë se ky lajm do të duhej të bënte shumë më shumë bujë dhe të merrte më shumë vëmendjen e publikut. “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka” janë titujt e këtyre dy romaneve të Faik Konicës, alias Jean de Kroia.

Në një shkrim mbi këto vepra të panjohura vetë Fotaq Andrea shkruan: “As më shumë e as më pak: ja sot, të studiuara dhe përkthyera, pas 115 vjetësh dy romane të reja të Faik Konicës, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht dhe të nënshkruara “Jean de Kroïa” apo në shqip “Gjoni i Krujës”, një tjetër pseudonim i tij i ri.

Kur tashmë, artikullin e parë në moshën njëzetvjeçare (1895) ai e nënshkruante “Tepeleni” në gazetën qendrore të Parisit “La libre Parole”, kur librin “Sur l’Education – 1898” (Mbi Edukimin) e firmoste “Trhank Spirobeg” dhe kur në kryeveprën e tij “Essai sur les langues artificielles et naturelles – 1904” (Sprovë për gjuhët natyrale dhe artificiale) do të përdorte pseudonimin “Phyrrus Bardyli”. Romanet, që duhet të jenë shkruar në vitin 1909, në bazë të një analize të fakteve, janë botuar në vitin 1911, në Paris, në një vëllim të vetëm, me titullin përmbledhës “Le mariage de Leila” (Martesa e Lejlës), shtypur nga një shtypshkronjë e vogël, gjë që shpjegon edhe tirazhin e saj tepër të kufizuar, aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

Është e vërtetë se zbulimet koniciane këto kohët e fundit kanë qenë të konsiderueshme, dhe dëshmon për këtë edhe libri ynë i ri “Faik Konica – Përlindësi Modern” që shoqëron si binom botimin më vete të këtyre dy romaneve të Konicës, të konsideruara tashmë nga studiues seriozë si “perla të Letrave shqipe”.”

Krejt studimi ynë hyrës prej 100 faqesh libri vërteton katërçipërisht, me analizë të hollësishme historike, letrare, epistolare e dokumentare, se këto dy romanet të reja të Konicës mbajnë shtampën e tij të padiskutueshme identitare. Sepse sot, me mundësitë e mëdha që dhuron vetë shkenca analitike, ekziston një “skaner dhe skanim” për të zbuluar fijet dhe indet më të padukshme të një vepre, qoftë letrare, qoftë tablo pikture, qoftë çdo vepër tjetër artistike, e porositur, tjetërsuar, përvetësuar, shitur a më në fund, thjesht vjedhur.

Të gjitha këto përbëjnë në shfaqjen e tyre të çuditshme vetë kompleksitetin e një prej enigmave mbushulli à la Faikio pasqyruar në këto dy romane me nënshkrimin aq domethënës Gjoni i Krujës. Gjoni i Krujës. Një pseudonim i ri i Konicës, rilindësit gjeni, të paparit e të paarritshmit personalitet poliedrik në krejt fushat e Mendimit modern shqiptar, të përparuar e properëndimor. Kur asnjë shqiptar i kohës së tij, dje e sot, nuk arriti e nuk arrin të shkruajë, si Konica – dhe drejtpërdrejt në gjuhë të huaja -, Vepra madhore me tematikë ndërkombëtare, duke iu përgjigjur flakë për flakë kërkesave të intelektualitetit europian!

Kur asnjë shqiptar nuk zotëronte e nuk zotëron erudicionin e tij brilant cilësuar nga epokali Apollinaire si “Enciklopedi lëvizëse”, si “Gjigand Argus e Briare”, me njëqind palë sy dhe njëqind palë krahë! Kur zotëronte me themel 16 gjuhë të huaja, nga më të lashtat deri te më modernet, dhe kur përkthente e botonte te KryeVepra “Albania” nga të parët rilindës tekste historike, filozofike, sociologjike, folklorike, për të hedhur themelet e albanologjisë moderne dhe të shkencave shoqërore, sa në shqip, aq edhe në frëngjisht për lexuesin e huaj”, shkruan Andrea.

Haradinaj ka të tjera arsyetime mbi incidentin në Prizren

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur edhe një herë për incidentit që është përfshirë gjatë manifestimit të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ka larguar një grua, e cila kishte dal e paftuar për të marrë fjalën.

Kryeministri e quan si sabotim ngjarjen që ka ndodhur, ku thotë se nuk është hera e parë që i thirrin njerëzit me porosi për të bërë veprime të tilla. Ndërkohë që është shprehur se do ta bëjë publike nëse e merr vesh se nga kush është organizuar një veprim i tillë, transmeton kp.

“Nuk është hera e parë që i thirrin njerëzit, ju japin porosi me bë veprime të tilla. Ka plot raste të tilla, që janë duke i bërë. Kur ta gjej kam me ju tregua menjëherë”, tha ai.

Ndërkohë, ka pasur një përgjigje edhe për ata që kanë deklaruar se kreu i qeverisë përdor dhunë.

“U bë memoriali sot, është ceremoni shtetërore, a ta lajmë pra qaty të vije dikush në foltore, a ta lajmë se po bëjka, se po thonë. Dikush po i jep të drejt vetës, i kam dëgjuar analistët, ‘përdor dhunë’. A po doni me ju tregu çka është dhuna me mbrojt shtetin, shikoni çka bëjnë në Amerikë, shikoni para Shtëpisë së Bardhë, a guxon dikush me kalua vijën e caktuar. Nuk është dhunë ajo, mos harroni, dhunë është nëse i dhunon ato norma për të cilat ke ra dakord. Sot aty në ceremoninë e inaugurimit, imagjinoni me dal një budalla e me thënë po dua me fol diçka. Edhe dy herë më keq. Po, nuk e kish bë kurrë më. Çka jam duke ju thënë unë, se nuk është hajgare shteti, nëse dikush po donë me bë hajgare le të shkon ai ose ajo dhe për këtë i kemi nda rolet, dikush është hajgaregji, dikush e ka përnjëmend. Nuk ka me ndodh me i neglizhua kush ato detyra, ato përgjegjësi që i kemi dhe duhet ta kuptojnë të g jithë këtë. E di pse po e flas, se e di që nuk është krejt rastësi që dikush del në foltore në ngjarje shtetërore”, tha ai.

Në vitin 1998, një tjetër shqiptar i nominuar për Çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian

Çmimi Sakharov është çmimi që ndahet nga Parlamenti Evropian për individët që ndihmojnë në lirinë e mendimit dhe luftojnë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Në vitin 1998, Ibrahim Rugova do ta fitonte çmimin prestigjioz.

Megjithatë, në po këtë vit për këtë çmim u propozua dhe nominua edhe një tjetër shqiptar. Ukshin Hoti.
Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlament e propozoi Ukshin Hotin për këtë çmim. Grupe të ndryshme brenda Parlamentit kanë të drejtë për nominime.

Hoti, në tetorin e vitit 1998 u nominua për Sakharov. Olivier Dupuis, parlamentar në Parlamentin Evropian, pati thënë këto fjalë ditën kur u nominua Hoti.

“Hoti gjithmonë ka besuar se situata në Kosovë duhet të konfrontohet politikisht – dhe kjo shpesh paguhet me jetë”.
Ukshin Hoti ishte aktivist dhe filozof, dhe sot e asaj dite mbetet i zhdukur që prej luftës në Kosovë. Me datë 16 maj 1999 ai u pa për herë të fundit ndërsa nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Po këtë vit, në vitin 1998, Ibrahim Rugova bëhet shqiptari i dytë që e fiton çmimin Sakharov, pas Adem Demaçit në vitin 1991. / KultPlus.com