Ministrat Kujtim Gashi dhe Mirela Kumbaro pajtohen të sjellin eksponatet e Isa Boletinit në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, qëndroi në Tiranë për të realizuar vizitën e tij të parë zyrtare, me ç’rast ka takuar homologen e tij, Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi.

Ministri Gashi gjatë takimit me Ministren Kumabaro ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve.

Ndër temat konkrete të bashkëpunimit të dy ministrive të kulturës asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për vitin 2018 u nënvizua nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt. Marrë parasysh që viti 2018 është shpallur edhe Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, dy ministrat u pajtuan që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi për shqiptarët.

Ministri Gashi, me këtë rast, ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin heroit kombëtar Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, që do të hapet më 17 Shkurt – Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ekspozimi i gjërave që i përkasin Isa Boletinit në Muzeun e Kosovës është një ngjarje me rëndësi për kulturën dhe historinë tonë, meqë kjo është një dëshmi që personalitetet nga Kosova kanë dhën shumë për cështjen kombëtare.

Ministri Gashi ka shtuar: “Biseduam, po ashtu, rreth aktiviteteve të përbashkëta që do t’i kemi edhe me shënimin e 10-vjetorit të vitit jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, për çka kërkova që të kemi dhe aktivitete të përbashkëta Kosovë-Shqipëri”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se fokus i diskutimit me homologun e tij kosovar ishte përgatitja për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë; si dhe diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve.

Ministri Gashi, gjatë ditës ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” si dhe ka takuar drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri. / KultPlus.com

Reklamat e bizneseve private, në vend të grafiteve tek Rruga B

Rruga B në Prishtinë mbetet ndër rrugët më artistike të kryeqytetit.

Madje, disa grafite e murale e zbukurojnë këtë pjesë të kryeqytetit që nga maji i vitit të kaluar.
Artisti Alban Muja megjithatë ka postuar sot një fotografi në rrjetin social Facebook ku shihet se në vend të grafiteve, ato janë dëmtuar dhe janë vënë sipër tyre reklama të bizneseve private.

“Pronarët e këtyre bizneseve duhet të dënohen patjetër, për shkatërrimin e një vepre arti dhe shkatërrimin e pronës publike” ka shkruar Muja derisa ka kërkuar vëmendjen edhe të Shpend Ahmetit – të parit të Prishtinës dhe Yll Rugovës – drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Ky i dyti ka reaguar.

“Kemi të bëjmë me vandalizëm tipik, që do t’i dënojmë me të gjitha mekanizmat që i kemi. Ndërkohë, po shikoj menjëherë mundësitë që të gjejmë mënyra të rikthimit të grafiteve të mbuluara (nëse është e mundur, sepse gjasat janë që autorët nuk janë të Kosovës—dhe nëse skicat për ato punime janë të ruajtura). Nëse jo, në kuadër të thirrjes për art në hapësira publike, do të shohim trajtimin edhe të kësaj hapësire (si masë rehabilituese)” i ka reaguar Rugova artistit Muja.

Meeting of Styles Kosovo vitin e kaluar solli artistë edhe nga jashtë Kosova për të zbukuruar këtë pjesë të qytetit me grafite të cilat edhe sot i japim dukje më të mirë dhe të freskët kësaj pjese të frekuentuar të kryeqytetit. / KultPlus.com

Rita Ora shënon një tjetër sukses në iTunes

Rita Ora ka zënë vendin e tretë në top listën e artisteve femra më të dëgjuara në aplikacionin iTunes.

Vendin e parë e ka zënë Camilla Cabello, të dytin Selena Gomez, të tretin Rita dhe vendin e katërt Demi Lovato.

Lajmin e ka bërë me dije vetë këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora në rrjetin social Instagram, ku shkruan: “Sa bukur. Viti 2018 do të jetë i mrekullueshëm”.

So awesome this is going to be an amazing 2018!

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

Aktorë e artistë ishin pjesë e protestës kundër ndotjes së ajrit

Sheshet kryesore të Prishtinës ishin mysafirë të disa protestuesve, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre rreth ndotjes së ajrit.

Mesin e shumë qytetarëve kishte edhe shumë figura publike të botës së industrisë së kinematografisë shqiptare.

Ndër ta edhe aktorët e njohur si Fatmir Spahiu, Astrit Kabashi, Jeton Zogiani, Ylber Bardhi, Fisnik Ademit, të cilët janë bërë të njohur në saje të roleve në serialet “O Sa Mirë” dhe “Kafeneja Jonë”.

Aktorët kanë gjetur kohë edhe kanë realizuar edhe një fotografi të përbashkët që e kanë publikuar në Instagram.

“Europë mos u bon kështu”, ka shkruar Fatmir Spahiu në përshkrimin e imazhit të publikuar në rrjetet sociale.

Aktoret Irena Cahani, May-Linda Kasumoviq e Teuta Krasniqi kanë qenë në rendin e parë të protestës, njëjtë edhe Aurita Agushi.

#europmosubonqeshtu

A post shared by Fatmir Spahiu Bufi (@fatmirspahiu) on

Theksojmë se pos protestës, Komuna e Prishtinës ka marr masa në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, ku në rrugët kryesore nuk është lejuar të hyjnë automobilat privatë. / KultPlus.com

Në beben e syve të mi

Poezi nga Rafael Alberti.

Do t’ i mbart të pashlyer
në dy sytë e mi.
Në beben e syve të mi.

Kur të mbërrij do t’i shohin
e do thonë:
– Ka lumenj,
edhe kuaj në dy sytë e tij.

Shpirti i peizazheve të tjerë
më ka mbetur në sy,
i përgjumur.

S’e ndieni? Ç’ujëra të largëta
e ç’kuaj të shastisur
kalojnë lehtë-lehtë në dy sytë e mi.

Në beben e syve të mi.

Delawie i vë Skënderbeut maskë kundër ajrit të ndotur

Ndonëse nuk mori pjesë fizikisht në protestën kundër ajrit të ndotur në Prishtinë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka përdorur një mënyrë të veçantë për ta shprehur pakënaqësinë me gjendjen e ajrit në Prishtinë.

Delawie, përmes rrjetit social Twitter, postoi një fotografi të shtatores së Skënderbeut në qendër të Prishtinës, të cilit i kishte vënë një maskë kundër ndotjes.

“E dimë si ndihet ai! Ndotja e ajrit është çështje serioze në Kosovë, shpresoj të shoh më shumë veprim qeveritar për të adresuar këtë problem”, shkroi ai, ndërsa bëri thirrje që qytetarët të informohen për cilësinë e ajrit dhe të dinë kur të qëndrojnë në shtëpi përmes KËSAJ faqeje.

Rita Ora në Connecticut News: Faleminderit shqiptarë, we are the best! (VIDEO)

Është një intervistë më e vjetër e Rita Orës por e cila ka marrë përsëri vëmendjen.

Në Connecticut News, Rita Ora bën shqiponjën me duart e saj, simbolin e shqiptarëve, ndërsa edhe falënderon shqiptarët duke thënë “Faleminderit, dhe we are the best” (Jemi më të mirët).

Në këtë intervistë Rita flet edhe për bashkëpunimet e saj me Liam Payne dhe Ed Sheeran dhe përshëndetë të gjithë shqiptarët, që në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në numër shumë të madh.

Të dua kanë qenë fjalët tjera të Ritës në këtë intervistë, shkruan KultPlus.

Rita Ora disa herë ka folur në gjuhën shqipe në intervistën e saj ndërsa në Twitter është konfirmuar se ajo do të jetë e pranishme në Kosovë për 17 shkurt, Dita e Pavarësisë së Kosovës. / KultPlus.com

Fotografi të hebrenjve që i shpëtuan Holokaustit duke u strehuar në Shqipëri


Vinka Franses, Zotëri Batino (hebre i pasur nga Tirana), Mois Franses, Ester Franses, Hamdi Kasapi, zonja Kasapi. Fëmijët Eni Franses, Marcel Franses dhe Josip Kasapi.


Rochela Gellman, Surele Greenblat, Ida Wullach, Regina Yablonska, Lila Rajs, Ruzia dhe Lila Rozen.


Jasa Altarac, Gavra Mandil, dhe Irena Mandil, mes të tjerëve


Majer dhe Mimi Altarac, djali i tyre Jasa, Mosa dhe Gabriela Mandil dhe djali i tyre Gavra, dhe Irena.


Graciella Raphael, Graciella Cohen, Eni Cohen dhe Ninetta Matsas.

Ismail Kadare e pranon çmimin ‘Nonino’ në Itali (VIDEO)

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka marrë sot në Itali në një ceremoni zyrtare çmimin letrar Nonino.

Shkrimtari e ka pranuar sot çmimin në Udine të Italisë, në praninë e njerëzve të letrave dhe atyre që e dashurojnë letërsinë e Kadaresë.

Çmimi Nonino 2018 iu dha edhe filozofit italian Giorgio Agamben, krijues i konceptit “Homo Sacer”, qenie njerëzore jeta e të cilit është e shenjtë.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm , kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”. / KultPlus.com

“Prizreni – familja ime, shtëpia ime, historia ime…”

EC shpall thirrjen për konkursin “Prizreni – familja ime, shtëpia ime, historia ime”. Për të marrë pjesë në këtë konkurs duhet të dorëzohen fotografi të shtëpive të Prizrenit, të realizuara përpara vitit 1990. Aktiviteti i njëjtë do të zhvillohet paralelisht edhe në Shkodër dhe pas përmbylljes së dorëzimit të fotografive dhe përzgjedhjes së tyre nga juria, do të organizohet një ekspozitë me fotografitë e shtëpive të përzgjedhura nga Prizreni dhe Shkodra në të dy qytetet.

Aplikuesit duhet të dorëzojnë në formë fizike në zyren e EC Ma Ndryshe fotografi të shtëpive të vjetra të Prizrenit përpara vitit 1990. Fotografia duhet të jetë e realizuar nga fasada e jashtme e ndërtesës. Në rast të dorëzimit plotësohet formulari i konkursit me detajet dhe historikun e shtëpisë.

Në momentin e nënshkrimit të Aktit të Dorëzimit së Fotografisë, palët pajtohen si më poshtë:

1. Pronari i fotografisë ka të drejtë të tërheqë fotografinë origjinale, sapo të përfundojë vlerësimi i jurisë,
2. pronarit të fotografisë së përzgjedhur i dhurohet një kopje e albumit “Prizreni – familja ime, shtëpia ime, historia ime”,
3. EC do t’ua kthejë fotografinë origjinale zotëruesit, sapo të mbyllet vlerësimi i jurisë,
4. organizata EC ruan të drejtën e botimit të të gjitha fotografive të përzgjedhura nga Juria,

Afati i fundit për dorëzimin e fotografisë është fundi i muajit Shkurt.

Adresa e dorëzimit të fotografisë: OJQ EC Ma Ndryshe, Rruga “Saraqët” 5, Prizren

A është, vallë, njeri?

PRIMO LEVI

Ju që jetoni të sigurt
Në shtëpitë tuaja të vakëta,
Ju, që kur ktheheni në shtëpi mbrëmjeve
Gjeni ushqim të ngrohtë e fytyra miqësore:
Shqyrtoni në qoftë burrë ky
Që punon në baltë
Që nuk njeh prehje
Që lufton për një krodh’ buke
Që vdes nga një “po” a një “jo”.
Shqyrtoni në qoftë grua kjo,
Pa flokë e pa emër
Pa fije force për të kujtuar
Të zbrazur sytë e bosh prehri
Si një bretkosë dimrit.
Vritni mendjen se kështu ka ndodhur:
Ju urdhëroj me këto fjalë.
Gdhendini në zemrat tuaja
kur rrini në shtëpi kur shkoni udhës,
kur shtriheni kur ngriheni;
Përsërituani fëmijëve tuaj.
O ju shoft’ vatra,
Ju zëntë sëmundja,
Bijtë tuaj mos ju pafshin me sy.

Shpend Ahmetit nuk i mbeti hatri që u hoq Flamuri Kombëtar te Rrethi

Artisti Driton Selmani, sot ka ndërruar flamurin kombëtar i cili gjendet në rrethin kryesor në hyrje të Prishtinës, me një flamur të “Offside-it”.

Pati reagime të shumta madje në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe policia dhe inspekcioni.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të kuptuar edhe arsyen e vendosjes së këtij flamuri, tha se i vjen mirë që për problemet në vend një artist e tha në këtë mënyrë.

Ai thotë se flamuri kombëtar u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

Postimi i Ahmetit:

Sot në mëngjes më lajmëruan se flamuri kombëtar te rrethi është larguar nga persona të panjohur dhe është vendosur një flamur tjetër i offside-it.

Pas daljes së inspekcionit në vend të ngjarjes është kuptuar edhe kompania e më vonë edhe qëllimi. Kjo ishte një protestë artistike e artistit Driton Semani. Më vonë e gjeta edhe shpjegimin që po e bashkangjes këtu.

Flamuri do të kthehet, por më duhet të them që disi më vjen mirë që një gjë e tille është thënë edhe në këtë mënyrë. Mora dhjetëra mesazhe nga njerëz të ndryshëm, të shqetësuar të cilët tani do ta dëgjojnë një qendrim të një artisti.

Offside!!!

Danjela mahnitë në ‘The Voice Kids’ me këngën e Elvana Gjatës (VIDEO)

Ajo mbrëmë ka mahnitur me zërin e saj.

Danjela, një vajzë e re ka kënduar mbrëmë në The Voice Kids këngën “Me ty” nga Elvana Gjata dhe ka mahnitur jurinë e këtij spektakli.

Këto janë audicionet ku juria duhet të shtypë butonin që konkurrentët të mund të kalojnë në fazat tjera. Dhe Danjela ia arriti të mahniste të katër anëtarët e jurisë: Miriam Canin, Eneda Tarifën, Renis Gjokën dhe Aleksandër Gjokën.

“The Voice Kids Albania” ka nisur audicionet dhe spektaklet muzikore ku zbulon talentet e reja në këndim. Spektakli zgjon kureshtjen e shikuesve për të parë këto talente të cilat në të ardhmen mund të jenë këngëtarët kryesorë të estradës shqipe. / KultPlus.com

“Kosovatrans” shpallet drama më e mirë në ‘Talia e Flakës 2018’

Ka përfunduar mbrëmë Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”.

Juria në përbërje të Arian Krasniqit, Emine Toskës dhe Ligoraq Rizës ka zgjedhur kësisoj shfaqjen “G” për ta shpërblyer me çmimin e regjisë më të mirë.


Për tekstin më të mirë është shpërblyer shfaqja “Kosovatrans” me regjisor Naser Shatrollin.

Aurita Agushi ka marrë çmimin për aktoren më të mirë, për rolin e saj në “Portreti i Pakryer”, ndërsa Ismet Azemi është shpallur aktori më i mirë për rolin e tij në “Kosovantrans”.

“Kosovatrans” ka marrë edhe çmimin për skenografinë më të mirë. Aktori më i mirë në rol dytësor u shpall Avni Shkodra ndërsa aktorja më e mirë në rol dytësor u shpall Vjollca Bekteshi. / KultPlus.com

Gazeta irlandeze rendit Shqipërinë mes destinacioneve më të mira turistike

Gazeta irlandeze “Irish Times”, e ka renditur Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore për t’u vizituar gjatë këtij viti.

Në një shkrim të saj, të titulluar “Vendet më të mira për të udhëtuar në vitin 2018, “Irish Times”, e rendit Shqipërinë në vendin e dytë si një destinacion që ofron shumë dhe kushton lirë.

Do të duhet të udhëtoni nëpërmjet Mançesterit për të arritur atje, por Shqipëria ka plot për të ofruar, thuhet në artikull.

“Nuk është vendi i parë që një familjeje i shkon në mendje, e as i lehtë për t’u arritur – do të duhet të udhëtoni përmes Mançesterit – por është një destinacion i ri. Dhe është shumë më i lirë se Italia ose Kroacia. Plazhet janë të bukura dhe fshatrat janë origjinal”, përshkruan “Irish Times”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ‘Irish Times’ iu rekomandon turistëve të vizitojnë qytetin mesjetar të Krujës, rrënojat e Apollonisë dhe Beratin, që tashmë është pasuri e UNESCO-s për ish kishat bizantine dhe arkitekturën osmane.

Më tej, në artikull thuhet se transporti është i lirë ndërsa restorante janë të mrekullueshme. Po ashtu edhe akomodimi është mjaft i lirë.
“Dhe dielli do të shkëlqejë për ju”, thuhet në artikull.

Në artikull janë propozuar një sërë destinacionesh, përfshirë ato me buxhet të kufizuar e deri te ato që bëhen një herë në jetë, udhëtimet me familje dhe ato aventureske, dhe Shqipëria renditet e dyta si destinacion i mirë dhe i lirë në Europë. / KultPlus.com

Flamuri në hyrje të Prishtinës zëvendësohet me flamurin e ‘pozitës jashtë loje’

Flamuri kombëtar i cili gjendet në rrethin kryesor në hyrje të Prishtinës, sot është ndërruar me një tjetër flamur.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, tha për Koha.net se mëngjesin e sotëm kanë gjetur një flamur me ngjyra verdh dhe kuq, por kanë thënë se nuk e dinë autorin e kësaj vepre.

Kjo në fakt është punë artistike, e artistit Driton Selmani.

Domethënia e flamurit, sipas artistit, ka kuptimin e “ofsajd”, siç e përshkruan ai, ofsajd – mbiemër, ndajfolje / në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar; përpara topit në fillim të ose gjatë lojës.

Ai thotë se flamuri kombëtar u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

“Rreth flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, thotë Selmani.

Projekti i tij i quajtur Red Tape, sipas Selmanit është reflektim mbi mënyrën e përdorimit të flamujve si mjete për të prekur nervat kulturore, politike dhe sociale.

“Ajo nuk ofron mendim apo thirrje për veprim, thjeshtë reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth. Jo në çdo situatë flamujt ngritën për të shënuar fitore, triumf, ose arritje. Ata ngritën edhe për të shënuar dorëzim, humbje beteje ose pranim të fitores së tjetrit përballë individit ose shoqërisë. Flamujt shpesh bëhen edhe sinonime të humbjes së krenarisë, të besimit e optimizmit. Sot në botë me vështirësi numërohen vende e popuj që nuk kanë përjetuar një gjendje të tillë dorëzimi”, thotë tutje Selmani.

Red Tape, thotë se është në kërkim konstant të imazhit të së vërtetës, ku krenaria dhe optimizmi duket se mbyten në rrymat e “lojës”.

Si rezultat, flamuri vë në pikëpyetje realitetin rrethues dhe përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale: është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij.

Shtrati i dashnorëve

Poezi nga Charles Baudelaire.

Shtrati ynë do të jetë i parfumuar
e divanet përreth, të thellë si varre
stolisur plot lule të rralla
mbledhur enkas nëpër qiej.

Duke djegur prushin e fundit,
zemrat tona do bëhen pishtarë
e do hedhin një dritë të dyfishtë
në zemrat tona si dy pasqyra binjake.

Në një mbrëmje në rozë e blu mistike
ne do të reflektojme të njejtën dritë
përzier plot vaj, rrënkime e lamtumira.

Pastaj një Engjëll
duke hapur portat
e qiejve
do na ringjallë
e flakët e shuara do rimarrin jetë,
e ne do të jemi përsëri së bashku
besnikë e të lumtur…

Petrit Selimi thotë se Rita Ora ka konfirmuar se më 17 shkurt vjen në Kosovë

Këngëtarja Rita Ora do të performojë në Kosovë me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë.

Edhe pse ditë më parë u shkrua se Rita do të performojë për Pavarësi, ende pati dilema, pasi që menaxhmenti i Ritës në vendin ku i publikojnë datat e koncerteve nuk pati edhe koncert për në Kosovë.

Por se Rita do të performojë më 17 shkurt është konfirmuar edhe një herë.

Këtë e ka bërë të ditur Petrit Selimi në Twitter.

“Pop ylli kosovaro-britanik, Rita Ora, ka konfirmuar koncertin e madh për 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës. Njerëz, vetëm kujtoni se Roma nuk është ndërtuar për një ditë. Por, sigurisht se ata kanë pasur festa të mira”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, Rita Ora ka prezantuar Kosovën mjaft mirë në botë përmes sukseseve të saj të shumta, me ç’rast në Kosovë ka realizuar edhe videoklipin e këngës ”Shine Ya Light”, e cila pati sukses të madh.

Ma dërgo dikë ta dua

Shën Nënë Tereza

O Zot,
Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë.
Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë.
Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh.
Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.
Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit.
Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë.
Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast.
Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.
Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj.
Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj.
Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të.
Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët.

“Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë…”

Dhe, në fjalët e fundit Teodor Keko do bënte letërsi.

“Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë. Është e vështirë ta pranosh vdekjen tënde, por ja që ajo është prezente dhe një ditë vjen, dhe atëherë pavdekësinë, pikërisht atë që lakmojmë, na e dhuron nëse e meritojmë ajo vdekje. Filozofi e komplikuar apo jo!”, këto ishin fjalët që shkrimtari njohur kishte thënë pak kohë para se të vdiste.

I lindur më 2 shtator 1958, në një familje të shquar kineastësh, Teodor Keko që i vogël shquhet për humorin e hollë dhe shpirtin e rebeluar, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve.

Duke të pritur ty
Të kam pritur ty.
Një qiell dashurie të priste.
Vallë mund të mbetet qielli pa hënë,
pa diell mund të mbetet?
S’arrita të përgjigjesha.
Ti
erdhe.

Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare boton të parat poezi në gazetën letrare “Drita”, përcjellë me mjaft dashuri nga personaliteti i letrave shqipe Fatmir Gjata. Shkrimtari i njohur është shumë aktiv gjatë lëvizjeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për dy mandate rresht.

Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Pas një sëmundjeje të rëndë, Teodor Keko vdes më 20 gusht 2002 nga një sëmundje e rëndë. / KultPlus.com

Mos vidhni, o artistë!

Ilir Muharremi

Artistët tanë vjedhin, vjedhin shumë, por jo vetëm artistët tanë, të gjithë vjedhin ngaqë asgjë nuk vjen nga asgjëja. Hajdutët e artit gabojnë kur nuk i theksojnë referencat ose nuk i qesin në dritë burimet. A mbetet ende diçka origjinale e pa krijuar? Çdo gjë që duhet krijuar, deri më tash është krijuar, ka shumë që nuk e kanë dëgjuar, ajo krijohet përsëri. Pastaj, ajo ngjanë dhe s’mund t’i shmangemi ndikimit dhe të jemi krejtësisht origjinal. Si mund të jetë njeriu një art i ri dhe forcë e re? Ose ndonjë fillim i lëvizjes, apo rrotë që vetërrotullohet? Vetëm nëse lartësohet mbi ndikimet duke kërkuar origjinalitetin. Lakmi për majat! Këtë nuk e kanë artistët tanë plagjiatorë. Nuk janë ambicioz, nuk janë të lirë, veprat e tyre janë si ato tullumbacet që fluturojnë dhe e lënë bosh ashtu siç vërtetë ishte “artisti”. Kur mbeten pranë vetes së tyre, shohin poshtërsinë e tyre, dhe bërtasin “gjithçka çfarë bëra është mashtrim”. Po ku e kanë këtë ndërgjegje këta majmunë mashtrues të artit? Këta vetëplagjiatorë, maniakë, vetëavokat të lodhur, e ku ta dijë se çfarë më. Ku dinë këta për vetminë e për ato ndjena që shpesh edhe e vrasin vetmitarin. Si mund të jenë të drejtë me të tjerët, kur janë të padrejtë me vetveten. Ata i përfillin shumë sulmet e dashurisë ndaj vetvetes, Narcis janë, bëjnë atë çfarë do prej tyre vetëm për të arritur qëllimet, por ku mbetet ndërgjegjja? Sa lehtë degradohen këta mashtrues dhe rrëzohen për toke përballë artit të tyre. Nuk u duhet dhënë dora dhe mos pini verë nga kupa e tyre, ngaqë edhe ju mund të bëheni mashtrues si ata. Janë mashtrues, heretik, shpirtligë, shtrigë, magjistar, palaço, të ndyrë dhe shumë e shumë të ligë.

Si të jesh origjinal? Djege përbrenda vetes flakën tënde, bëhu si hi, pastaj krijoju, mos u riprodho, iki kësaj, edhe pse interneti s’të lë rahat. Izolohu, jo nga bota, por nga interneti nganjëherë edhe nga vetvetja. Me lotët e tua ndiqe vetmin, e kuptoj se vështirë është të krijosh mbi veten, së paku bëhu origjinal. Shkatërroji tabelat e vjetra, o mik. Nëse i lë hapësirë vjedhjes, ose të shkuarës, apo riprodhimit, demoni do të ndërtojë urë në formë rrethore dhe ne vetëm do sillemi si budallenj. A jemi budallenj? Natyrisht që jo dhe është për tu vlerësuar mendimi i njerëzve të thjeshtë përmes rrjeteve sociale që reaguan ndaj vjedhjeve të artistëve, konkretisht me rastin e parafundit, përzgjedhjen e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës: Njerëzit e morën me shqetësim krijimin e logos për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës të krijuar nga dy artist: Arbër Racaj dhe Egzon Çaka. Kjo logo padyshim erdhi me ngjyrat e flamurit të Republikës së Kosovës, poashtu me tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Logoja ishte vjedhje, padyshim, dhe duhet të shqetësohemi sepse radhitet te vjedhjet e këqija dhe këta çuna vodhën idenë, por është e ditur se idetë e mira gjithmonë vidhen, atëherë, pasi që vidhen është mirë që artistët t’i imponojnë ato. Kjo logo u vjedh nga logoja e kompanisë turistike gjermane “Schauinsland reisen”. Është fyese një logo e pavarësisë me një logo e agjencisë turistike.

Rasti i fundit është shumë i dhimbshëm, tepër diçka. Pasi u anulua logoja plagjiat, tash fitoi logo tjetër vetëplagjiaturë. Artisti përsërit logon e vitit 2015 të punuar në Maqedoni. Kjo i bije të paguhej për të njëjtën punë dy herë. Koncepti është i njëjtë: 6 yje i kanë të dyja logot, vetëm ndërron pak mënyra e dizajnimit edhe numri 10 është në të njëjtën mënyrë. Thjeshtë, autori dy herë e ka shit mallin e njëjtë. Kjo është turp i madh! Këtë s’mund ta quajmë plagjiaturë, natyrisht sepse janë të krijuara nga i njëjti autor. Por, autori është dashur të krijoj diçka unike gjithmonë duke respektuar stilin e tij dhe si avancim të punës së më hershme unë nuk e shohë, por përsëritje, dhe përsëritje monotone. Kjo vepër më shumë po duket si një tregti si mall i njëjtë për t’u shitur sesa kreativitet unik dhe enkas i punuar për 10 vjetorin e pavarësisë. Ndoshta edhe artisti nuk e kishte kohën e mjaftuar sepse dy ditë më parë njëra logo u anulua dhe si për shpejt është dashur të zgjidhet një tjetër. Vetëm ka nxjerrë nga arkivi dhe ka modifikuar shumë pak logon e vjetër. Këta magjistar të neveritshëm, në vetvete më nuk ju mbetet as gënjeshtra e as dredhia, pranë vetëdijes ju doli shpejt boja. Këta vetëavokat, i besojnë edhe mashtrimeve të vetvetes. Tash në këtë kohë është vështirë të gënjesh sepse del qesharak dhe rrëzohesh përballë veprës tënde. Këta janë falsifikator ideal. Mos vidhni, mos vidhni, o “artist”, sepse po e shkatërroni veten dhe vendin.
Edhe portretin e Gjergj Kastriotit artistët kosovarë e riprodhojnë mbas versionit të Odhise Paskalit. Asnjë version tjetër nuk e përdorin, por sa është i saktë edhe ky version kur eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij, që ndodhej në Kishën e Shën Nikolla në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq. Për t’u ditur saktë pamja e tij, duhet marrë eshtrat dhe mbas versionit tredimensional të montohet mishi dhe në saktësi do dimë çdo gjymtyrë, artistët kështu do ta riprodhonin origjinalin e jo imagjinatën e Paskalit. Shumë artist e pikturuan portretin e tij si: Italian, Gjerman, Holandez, por portreti më i përafërt me pamjen origjinale të tij mendohet të jetë i artistit italian Gjentile Belini. Por, ende pamja e tij mbetet imagjinatave mbas artistëve dhe kjo s’mund të ofrojë saktësi. Mos vidhni, mos vidhni nga Paskali, o artist.

A mund t’i ikim plagjiaturës dhe vetëplagjiaturës?
Plagjiatura përmes internetit është më e theksuar, sepse tashmë është bërë shumë e thjeshtë, dhe aty artistët vjedhin vepra nga artistët tjerë. Por, ku do i merrnin ata idetë nëse nuk do i vidhnin? Ne librin “Vidhni si artist” te Austin Kleon shkruan: ” Nga ju vijnë idetë? Artisti i ndershëm përgjigjet: Unë i vjedh.” Të gjithë e bëjnë këtë dhe nuk është shumë për t’u befasuar nga kjo. E thjeshtë është shumë ngaqë ekzistojnë në botë gjëra të cilat ja vlen t’i vjedhim dhe gjëra që fare nuk ja vlen t’i vjedhim. “Arti është vjedhje”, shënonte Pablo Picasso. Ai mendonte për mjeshtri të vjedhjes ngaqë vet idetë janë vjedhje. Ai mendonte gjithmonë për vjedhje të mirë sepse kjo vjedhje është studim, ka merita dhe transformim. P.sh pikturimi i natyrës është vjedhje sepse artisti vetëm e riprodhon. Por, ka edhe vjedhje të keqe ajo që është degradim, aty njerëzit i marrin vetëm majat, marrin vetëm nga një person (artist), plagjiaturë, imitim, grabitje….
Artistët duhet ta pranojnë se çdo ide e re është thjeshtë përzierje apo ribërje e shumë ideve të mëparshme. A mund ta mohojmë këtë? Natyrisht që jo, por mund t’i ikim plagjiaturës. P.sh artisti Austin Kleon në librin e tij shpjegon se nëse marrim një copë letër dhe i vizatojmë dy vija paralele dhe pyesim se sa vija qëndrojnë aty? Është vija e parë, e dyta, por ndodhet edhe njëra midis tyre, ajo me ngjyrë të bardh (hapësira). Por, kjo nuk është kopje, por ngjashmëri që lind nga vijat e mëparshme. Kjo falet, por logoja në fjalë është kopje e qëllimshme dhe nuk i shkon këtij shembulli me arsye se ajo hapësira e bardh e cila nxjerrë vet linjën, nga këta dy artist do ta kishte linjën origjinale me ato linjat e mëparshme. Atëherë, bëhet fjalë për plagjiaturë e jo për ndikim. Ose tjetra, shtrirja e vijave paralele dhe ajo në mes dy vijave paksa e shkurtuar, prapë është plagjiaturë edhe nëse i hiqen majat.

Nëse artistët vjedhin nga frymëzimi i tyre dhe kjo më tej i jep krahë imagjinatës, atëherë është normale, kurse logoja stagnon dhe përsërit realizimin e njëjtë. Sikur artisti ta shtrinte në ekran duke i gllabëruar shumë logo, ide, piktura, fotografi, libra, ëndrra, dritë dhe hije, do të ishte më ndryshe. Ai u fokusuan vetëm në njërën: autoplagjiaturën. “Zgjidhni për të vjedhur, vetëm ato gjëra që i flasin drejtpërdrejtë shpirtit tuaj”, shkruan Jim Jarmusch. Nëse arrihet kjo, puna (vjedhja) është autentike. Nëse artisti do krijonte pemën (veprën) nga disa kombinime, atëherë ai do të niste edhe degën e tij, pra “origjinalitetin”. Ai zgjodhi sindromën e mashtruesit dhe kjo është fenomen psikologjik, ngaqë pas mashtrimit, përdori mbrojtjen dhe natyrisht shfajësimin. Por, krijuesit e mirë të cilët gjithmonë thonë të vërtetën nuk mund ta dinë se nga ju vijnë idetë e mira, ata thjeshtë bëjnë çdo ditë punën. E respektoj shtirjen sepse vetë Shekspiri e thotë: “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjeshtë aktorë, ata luajnë shumë role”. Kjo është e nënkuptueshme.

Mos të harrojmë, duhet ndarë plagjiaturën nga autoplagjiatura, kopja është kur njeriu lind me stilin e tij individual dhe mëson duke kopjuar, ndërsa autoplagjiatura është akt apo proces i kopjimit të veprës së vet. Kështu shënon në fjalor. Edhe kjo është e dënueshme.

Edhe alfabetin e mësojmë ta shkruajmë duke e kopjuar.”Piktorët mësojnë duke riprodhuar kryeveprat e pikturës”, shënon Kleon. Këto janë të lejuara derisa plagjiatura dhe autoplagjiatura dënohet me ligj. Kopjimi na shkarkon ndaj ndëshkimit me ligj dhe vetë grupi The Beatles konkretisht Paul McCartney ka thënë: “Unë imitoja Buddy Holly, Little Richard, Jerry Lee Leëis, Elvis. Të gjithë kështu bënim”. Edhe Salvador Dali ka thënë: “Ata që nuk duan të imitojnë asgjë, nuk krijojnë asgjë”. Të gjitha këto lejohen përjashtuar plagjiaturën dhe vetëplagjiaturën. Gary Panter ka thënë: “Nëse ju ndikoheni vetëm nga një person, të gjithë do t’ju thonë: je një pasardhës i radhës. Por, nëse kopjoni nga njëqind njerëz, të gjithë do t’ju thonë: sa origjinal jeni”. Atëherë, artist të nderuar mos vidhni vetëm stilin, por mundësin pas tij, kjo është më e lejueshme.


Paul Gauguin ka thënë:
“Arti është ose plagjiaturë ose revolucion”. Kjo e dyta është më e vështirë, por prapë më e pranueshme se e para derisa të parën 99 % e artistëve tonë shqiptar e aplikojnë. Kurse, Picasso shton: “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”. Bëhet fjalë për vjedhje jo direkte nga një produkt, por nga shumë produkte. Edhe Karl Kraus në librin e tij “Pro domo et mundo” shkruan se “ E fshehta është në zemër të plagjiaturës. Edhe në art i varfëri nuk mund t’i marrë asgjë të pasurit, ndërsa i pasuri i merr gjithçka të varfrit”. Ku me ditë sa vepra tjera janë plagjiatë, sa piktura, dizajne, romane, poezi, shfaqje teatrale, muzikë…. Pothuajse në Kosovë të gjitha krijimet mbajnë vetëm një emër “Plagjiaturë” dhe tash na doli autoplagjiatura si origjinalitet artistik. Cirk dhe humor, por rrëzim për toke, dhe unë të isha në një gjendje të tillë do tërhiqesha në tentim të krijuarit një vepër vërtetë origjinale. Ose vetë shteti duhet të anulojë të rishpallë konkurs e të përzgjedh një logo origjinale. Mos ndoshta kemi frikë nga origjinaliteti? Ose s’jemi kreativ dhe vuajmë nga ky sindrom? Artist mos vidhni, mos vidhni.

Presidenti Erdogan dëshiron më shumë shkollim fetar në Turqi

Presidenti i Turqisë dëshiron të krijojë ‘një gjeneratë që do të punojë për ndërtimin e një civilizimi të ri”.

Kjo është vetëm një prej deklaratave të fundit të Erdoganit, i cili nuk e ka fshehur dëshirën e tij që në shkollat e Turqisë të ketë më shumë përfshirje të terminologjisë islame dhe ideologjisë fetare islame.

“Dua që gjeneratat të respektojnë vlerat, historinë dhe kulturën turke” tha Erdogani së fundmi pasi vizitoi një prej shkollave në Stamboll. Në shtator të vitit 2017-të, Erdogan vizitoi edhe shkollën ku ai ka kryer mësimet, ndërsa u fotografua me një djalë i cili po lexonte Kuranin – librin e shenjtë.

Në anën evropiane të Stambollit, janë 800 fëmijë që po shkollohen në kompleksin shkollor ‘Recep Tayyip Erdogan Anatolian Imam Hatip’ ndërsa të tjera komplekse shkollash të tilla po hapen në tërë shtetin.
Prindërit e fëmijëve që shkojnë në këto shkolla thonë se këtë po e bëjnë sepse duan që fëmijët e tyre të edukohen me moral.

Batuhan Aydagul, drejtor i Iniciativës Reformiste për Edukim, thotë se ajo çka po ndodhë tani është një identitet kombëtar i formuar me anë të edukimit.

Në anën tjetër, planprogrami shkollori i prezantuar së fundi e ka përjashtuar teorinë e evolucionit të Darvinit nga librat. / KultPlus.com

Shqiptarja Eleni do të përfaqësojë Qipron në Eurovizion (VIDEO)

Sipas Oikotimes dhe sipas faqes së Eurovizionit në Wikipedia, kënga “Fuego” do të përfaqësojë Qipron në Eurovizionin e vitit 2018-të dhe do të këndohet nga Eleni Foureira.

Po flitej prej kohësh se shqiptarja me origjinë nga Fieri do të përfaqësonte Qipron në Eurovizion, ndërsa ende nuk është zyrtarizuar lajmi nga faqja e Eurovizionit.

Në Instagramin e këngëtares fansat po e urojnë dhe po dëshirojnë fitoren e saj në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Good night people…. ❤️

A post shared by Eleni Foureira (@foureira) on

Eleni Foureira ka provuar disa herë ta përfaqësojë Greqinë në Eurovizion, por nuk ia ka dalë. Para disa vitesh ajo ka performuar në skenë bashkë me Ruslanën, fituesen e Festivalit Evropian të Këngës në vitin 2004.

Eleni Foureira ka lindur në Fier të Shqipërisë ndërsa ka lëvizur për në Greqi në fëmijëri, bashkë me familjen e saj. / KultPlus.com

Luiza Xhuvani rikthehet me rolin tragjik të Medeas

Luiza Xhuvani do rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli si Medea. Gruaja e tragjedisë greke do të vijë nën intepretimin e Xhuvanit, për të mishëruar tragjedinë që I flet ende kohëve të sotme.

Nën regjinë e Dhimitri Milonais në këtë vepër do të intepretojnë aktorë të njohur si Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit.

Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.

Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet. Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqënduar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit.

Vepra është shkruar nga Euripidi i njohur si shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, apo më mirë i njohur si babai i tragjedisë: Euripidi lindi në Athinë në vitin 480 p.e.s dhe vdiq më 406 në Pele të Maqedonisë, ku edhe u varros. Kronologjikisht Euripidi është i treti ndër tragjediografët grek Eskilit dhe Sofokliut.

Emri i tij, sikurse edhe i Eskilit dhe i Sofokliut lidhet me luftën e famshme te Salaminës. Dhe sipas disa shënimeve të mundshme të besueshme Euripidi lindi më 20 shtator 480 p.e.s., përderisa Sofokliu 16 vjeçar himnizonte bëmat e luftës ndërsa 45 vjeçari, Eskili i famshëm ishte luftëtar. Ishte një adhurues i flaktë i Demokritit dhe Herakliut, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se përse ai kishte një bibliotekë të pasur të veten.

Edhe pse vinte nga një familje e varfër ai mundi të marr formësimin e gjithanshëm intelektual. Ishte nxënës i Anaksagorës dhe mik i mirë ngushtë i Sokratit. Si i ri ishte marrë edhe me atletikë dhe me pikturë e muzikë, ndërsa studioi filozofinë por përfundoi me poezinë dramatike, përderisa nuk është marrë fare me politikë mirëpo i ka paraqitur idetë e tij politike nëpër veprat e tij. Për Euripidin thuhet se jetonte dhe vepronte në një shpellë të një ishulli, ku edhe kishte mundësinë të frymëzohej nga deti, gjë të cilën e dëshmon edhe njohuria e tij mbi detarët dhe jetën e tyre.

Sidomos, në tragjedinë e tij “Ifigjenia në Taulidë”. Euripidi nuk ishte ndonjë fans i madh i politikës, andaj edhe nuk ishte marrë asnjëherë me të, edhe pse paraqitjet e ideve të tij ngjasonin në interpretime politiko-filozofike, prej ku edhe e mori nofkën “Filozof i skenës” . / Gazeta Shqip / KultPlus.com