Një sherr nga Sanremo, Ermal Meta akuzohet si përdorues droge

Ai tanimë ka marrë famë në Itali, më shumë se ndër shqiptarë, për zërin e tij por edhe për muzikën dhe mesazhin që përçon me anë të saj.

Dhe si ndodh shpesh, një këngëtar do të duhet të marrë goditje nga të tjerët. Ermal Meta, këngëtari shqiptar i cili këtë vit do të këndojë prapë në Festivalin SANREMO në Itali, është akuzuar si përdorues droge.

Marko Castoldi, i njohur me emrin Morgan, pasi nuk është pranuar në Sanremo, ka hedhur pluhur mbi emrin e Metës dhe Fabrizio Moros, dyshe kjo që kanë vendosur të bashkojnë forcat për Sanremo, shkruan tgcom24.

“Ndoshta kënga ime nuk është më e mira, por a është kënga e Endrigos, Gino Pioli-t? Kush është aty? Fachinetti! Kjo është pra, Sanremo i Biglionit fiton Fabrizio Moro-n, i cili më pas qëndron me Ermal Merdal, dmth Meta si Metadoni!” ka shkruar këngëtari pasi ka reaguar në rrjetet sociale.

Meta më pas reagoi duke i thënë këngëtarit se ai duhet të sjellë këngë të reja dhe projekte të reja, dhe ato duhet të na befasojnë, duke dashur ta anashkalonte ndonjë eskalim tjetër në mes të dyshes.

Dyshja kanë komunikuar më shumë në Twitter me njëri tjetrin, ndërsa Meta ka treguar se Morgan nuk duhet ta harxhojë potencialin e tij duke akuzuar e ofenduar. / KultPlus.com

Ivanov nuk e nënshkruan ligjin për gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deklaroi të mërkurën se ka vendosur të mos e dekretojë miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas presidentit, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”, tha mes tjerash Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë i cituar nga ALsat –M.

Ivanov këmbënguli se ligji është në kundërshtim me kushtetutën dhe si i tillë, ai do të rikthehet në parlament. / KultPlus.com

Roma e quajti gjeneral, Parisi e sheh si frymëzim, Hungaria si mik

Nga Edlira Gjoni

Sot është dita t’i jemi thjesht mirënjohës historisë. Jo larg nesh, heronjtë i shpikin a i marrin borxh. Ne e kemi tonin, dhe gjithë bota nderon guximin, aftësitë, këmbënguljen, zotësinë në fushë të betejës e në kuvendin e vendimit. Roma e quajti Gjeneral. Parisi e sheh si frymëzim. Hungaria si mik. Ne thjesht ta respektojmë madhështinë e një lideri që nuk po përsëritet më në trojet shqiptare.

Të respektojmë elementët e theksuar të Gjergj Kastriotit si lider, elemente për të cilat sot lëngon toka e tij: integritetin, guximin, sakrificën, qëllimin, modestinë dhe mos-përkuljen as jashtë, as brenda në besimin e tij që sot do përkthehej “Shqiptaria mbi të gjitha”. Vërtet sot nuk na duhet më shpata e Skënderbeut, por mendja e tij po. E zemra pro-arbërore, akoma më shumë.

Promovohen pullat postare të Kosovës dhe Maqedonisë me Gjergj Kastriot Skënderbeun

Gili Hoxhaj

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës është mbajtur një ceremoni kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Krahas fjalimeve që himnizojnë figurën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, po ashtu në këtë ceremoni u promovua edhe pulla postare e Postës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila paraqet figurën e Skënderbeut, të punuar nga Odhise Paskali.

Në këtë ceremoni fjalën e mori kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se në këtë ditë kujtojmë edhe heronjtë tanë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zekën dhe të gjithë ata që janë flijuar për liri.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një ndër të parët në Ballkan që vizion e kishte rreshtimin me perëndimin. Ishte përcaktues se cilën rrugë duhej ta zgjedhin shqiptarët, ai ishte dhe vazhdon të mbetet fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përjetshëm, të djeshëm dhe të sotëm”, tha Haradinaj sot, ndërsa shtoi se breza të tërë shqiptarësh janë rritur dhe edukuar duke dëgjuar këngë e tregime për luftërat heroike e liridashëse të Gjergjit tonë të madh, shkruan KultPlus.

Pas tij fjalën e mori Kryeparlamentari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili tha se Gjergj Kastrioti në mënyrë shumë të vendosur është angazhuar për bashkimin e principatave ballkanike. Për rolin dhe vendin e Gjergj Kastriotit në historinë kombëtare, si dhe për rolin dhe kontributin e tij në vlerat civilizuese kombëtare janë bërë një serë kërkimesh e hulumtimesh shkencore nga emra me autoritet në pothuajse të gjitha vendet evropiane.

“Sot përmbushim 550 vite nga vdekja e tij po vepra dhe trashëgimia e tij edhe sot është ende aktuale jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popujt e rajonit”, ka thënë Xhaferi.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, e vazhdoi këtë ceremoni me një program artistik, ku solli valle të përgatitura nga ky ansambël, ndërsa këngë me motive kombëtare e kushtuar heroit Gjergj Kastriotit, sollën këngëtaret Riza Bytyçi, Violeta Kukaj, Granit Musliu, Liridon Sadriu, e emra të tjerë.
I gjithë ky program u përmbyll me vallen “Festa e bashkimit”, e cila ishte e punuar sipas motiveve të këngës “Xhamadani vija vija”. / KultPlus.com

Bashkim Paçuku këndon ‘Barinjtë e Korabit’ në vitin 1988 (VIDEO)

Një tenor i pashoq dhe i paqortueshëm, Bashkim Paçuku gjithmonë ka ditur të na ngrohë zemrat e të na rrëqethë me zërin e tij të fuqishëm.

Paçuku, i lindur në Maqedoni dhe aktiv në muzikën klasike, në vitet 80-të paraqitej në Televizionin e Prishtinës asokohe krahas emrave të tjerë, me muzikën e tij të veçantë.

Në këtë video që po e sjellim sonte, për ta sjellë kuptohet edhe emocionin, Paçuku këndon “Barinjtë e Korabit”, në vitin 1988, ndërsa afër vetes ka Sabri Fejzullahun, Valentina Saraçinin dhe Shpresa Gashin, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=cNY6XluXo3U

Paçuku e ka vazhduar karrierën e tij më shumë në muzikën klasike, ndërsa nëpër vite ka sjellë edhe bashkëpunime të ndryshme, mes tyre edhe me Bilbilin Nexhmije Pagarusha.

Bashkim Paçuku u lind nga prindërit shqiptarë në Dibër (Dibër-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), dhe u diplomua nga Fakulteti i Muzikës Art nga Universiteti i Shkupit / Shkup. Ai kishte dy vizita studimore: në La Scala të Milanos (Itali), Qendra e famshme për përkryerje të Lyrical Artisti dhe në Tiranë (Shqipëri) Teatri i Operës dhe Baletit. Përvoja e tij profesionale përfshin formimin dhe udhëheqjen e korit profesional të Radio / TV Prishtina në Kosovë (korit sot e Kosovës Opera Company), si një trajner, Asistent Dirigjent Mësues i Vocal Technique dhe solist.
Ai përfundoi studimet e tij dhe u diplomua nga Universiteti i Bostonit, Instituti i Operës, në shkallë më të lartë.
Ka marrë pjesë në 7 konkurse ndërkombëtare të “PI Tchaikovsky” ne Moskë, dhe në konkursin ndërkombëtar të “Belvedere” në Vjenë. Iu dha çmimi i parë në konkursin 20-të federal të artistëve muzikor në Zagreb, ku ka qenë i pakrahasueshëm me ndonjë solist tjetër. / KultPlus.com

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – “Moisiu arbëror”

Nga Don Lush GJERGJI

Kaluan 550 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale. Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime, deri te kundërshtimi, urrejtja, keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm që aktualiteti i tij, “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij, ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit, atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje aftësia e tij në diplomacinë e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Në këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm. / KultPlus.com

Rënia e dëborës

Poezi nga Ismail Kadare.

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ka rënë për ty.

U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rëni ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu.

Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
me ernat në bashkëpunim.

Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë.

Regjisori serb Malagruski e lidhë vrasjen e Ivanoviqit me Amerikën

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, shumë njerëz kanë dhënë versione të ndryshme rreth vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP.

Një koment për vrasjen e Ivanoviq e ka bërë edhe regjisori serb, Boris Malagruski, i njohur për filmin dokumentar anti-shqiptar të titulluar: “Kosova – një moment civilizimi”.

Malagruski pretendon se prapa kësaj vrasje qëndron Amerika.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka kujtuar datën 10 janar të këtij viti, kohë kjo kur sipas tij Ambasada Amerikane në Prishtinë kishte paralajmëruar për rrezikun e sulmeve terroriste në veri të Mitrovicës.

Ndërsa pikërisht sot, më 16 janar, Malagurski thekson se edhe ndodhi vrasja e zyrtarit serb. / KultPlus.com

Bashkëbisedim në Muzeun Marubi, për artin bashkëkohor dhe trashëgiminë fotografike

Në kuadër të përmbylljes së ekspozitës “Urtësi sot e mot” të artistes Lala Meredith-Vula, Muzeu Marubi në bashkëpunim me De Montfort University Leicester organizon një konferencë e cili trajton rolin e fotografisë në raport me trashëgiminë kulturore dhe artin.

Duke u nisur nga rëndësia e arkivave fotografikë, sot vëmë re një rritje të përdorimit të trashëgimisë kulturore në praktikat e artit bashkëkohor.

Si perceptohet e kaluara përmes tyre, nga ana politike dhe estetike? Si kjo e kaluar dhe trashëgimia e saj -që bëhet eksperimentale, sensoriale dhe afektive përmes fotografisë- vishet me kuptime të reja në të tashmen, si kur i referohemi një momenti dhe konteksti historik ashtu edhe kur bëhet fjalë për fotografitë vetë? Me çfarë dialogësh kreativë dhe tensionesh etike përballemi kur fotografitë i përkasin kohërave të ndryshme e përmes një logjike ricikluese, a artikulojnë ata dinjitetin e trashëgimisë kombëtare dhe/ose spektaklin e artit bashkëkohor?
Muzeu Marubi, si një hapësirë që ndërton historinë përmes kontributeve të fotografëve, artistëve, kuratorëvë apo edhe vizitorëve të tij, është në qendër të një performance të historisë përmes digjitalizimit të imazheve të arkivës duke bërë të aksesueshëm dhe duke inkurajuar qarkullimin e imazheve të papara për dekada të tëra. Çfarë politikash kombëtare dhe identitetesh po vihen në lojë dhe për cilat audienca: lokale, elitiste, kosmopolite dhe europiane? Si funksionon kjo në raport me një hapësirë për memorien, ambient edukativ apo forma të tjera të përdorimit të trashëgimisë kulturore?

“Vëzhgime kritike të politikave të riqarkullimt të imazheve” dhe “Muzeu Marubi si një hapësirë performative” janë dy tematikat që do të trajtohen në një bashkëbisedim mes një grupi të ftuar kuratorësh, artistësh, historianësh e profesionistësh ndërkombëtarë të fushës së artit dhe kulturës.

Konferenca dhe bashkëbisedimi në Muzeun Marubi: Arti Bashkëkohor dhe Trashëgimia Fotografike, do të mbahet me datë 20 janar. / KultPlus.com

Nesër, ora e parë e mësimit i kushtohet Skënderbeut

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, merr vendim që nesër, në të gjitha shkollat fillore të mesme të ulëta dhe të mesme të Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Vendimi i ministrit Bytyqi është marrë në kuadër të shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me emrin e të cilit lidhet një epokë e tërë historike.

Me rastin e shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, janë organizuar edhe aktivitete të ndryshme kulturore, si dhe është nxjerrë kalendari për vitin 2018 me motive për figurën e Skënderbeut. / KultPlus.com

Gardalina

Nga David Staka

Gardalinë moj Gardalinë
me at’ kangën tande t’lumtun
ma kujton ti mu rininë
ma kujton Shkodrën e bukur.

Sa herë nadje jena çu‘
me kafaza e lule dillit
veç me xan’ Gardalina
n’katër t’nadjes në zall t’Kirit.

Herë na bite naj zog i ri
herë naj nushe qi nuk na duhej
me gzim t’madh shkojshim n’shpi
knaqësia nuk pershkruhej.

Njato ishin qefet tona
Gardalina e Plluma t’bardhë
na nuk kishim trlefona
ajo kohe ma s’ka me ardhë.

Nuk e di po sa e pava
mu mbush zemra me nostalgji
m’u kujtu’ mu Shkodra jonë
m’u kujtu ajo Shqipni.

Gardalinë merrja i here kangës
si dikur kur ishim t’ri
se Shkodrani ku do t’jete
kur t’nigjon ty kalon merzi.

Pse po e mjelë tjetrin?

Poezi nga Rumi.

Zhvishe veshjen e krenarisë nga trupi yt:
në mësim, vish rrobat e përuljes.
Shpirti e merr nga shpirti njohurinë
e përuljes,
jo nga librat apo fjalimet.

Edhe pse misteret e përuljes shpirtërore
janë brenda në zemrën e kërkuesit,
ajo ende nuk posedon njohurinë e këtyre
mistereve.

Lere le të pret derisa zemra e saj të zgjerohet dhe mbushet
me Dritë:
Zoti tha: “A nuk e zgjeruam zemrën tënde…? (K. 94:1)
sepse kemi vënë iluminim aty,
Ne e kemi vënë zgjerimin në zemrën tënde.”
Kur je një burim i qumështit,
përse po e mjelë një tjetër?

Një fontanë e pafund e qumështit gjendet brenda në ty:
Pse po kërkon qumësht me enë?
Ti je një liqe me një kanal që shkon në det:
bëhu i turpshëm të kërkosh ujë nga liqeni;
se a nuk ua zgjeruam ne gjoksin tuaj…?

Prapë, a nuk e zotëron zgjerimin?
Pse endesh andej sikur një lypës?
Kuptoje zgjerimin e zemrës
brenda në ty,
që të mos pyetesh me fjalë,
A nuk sheh? (K. 51:21).

Mbahet punëtoria e fotografisë organizuar nga Qendra për Multimedia dhe Art ‘Kult’

Qendra për Multimedia dhe Art “Kult” në Gostivar po organizon një workshop kushtuar fotografisë.

Është një projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, i cili ka bërë bashkë të rinj dhe të reja të pasionuar pas artit të bukur të fotografisë.

Artisti i mirënjohur, fotografi Osman Demiri, i cili po udhëheqë këtë trajnim, shprehet me entuziazëm për talentin, pasionin dhe përkushtimin e këtyre dhjetë të rinjve, që po ndjekin këtë punëtori.

Janë tepër të rralla këto lloj aktivitetesh në qytetin e Gostivarit, ndaj interesimi i të rinjve është i paparë dhe ky fakt i bën ata të shpresojnë se ky aktivitet do të ndiqet edhe nga të tjerë në të ardhmen. Qëllimi i këtij trajnimi është njohja me teknikat e fotografisë, përpunimit dhe llojeve të saj.

Shumica e pjesëmarrësve veç janë të kyçur në botën e fotografisë dhe kjo punëtori do të jetë edhe një shtytje për ta, kurse për fillestarët, një botë e re dhe një mundësi që të komunikojnë përmes imazhit. Në fund të workshopit do të përzgjidhen fotografitë më të mira dhe do të hapet një ekspozitë. / KultPlus.com

“Oliver Ivanoviqi u rrit në Manastirin e Deçanit…”

Vrasja e Oliver Ivanoviqit sot në mëngjes, një politikani të zëshëm dhe kryetar i Iniciativës Qytetare, sot ka trazuar edhe ata që janë në fronin e objekteve të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

Sava Janjic nga Manastiri i Deçanit sot e ka kujtuar në formën e tij Ivanoviqin, i cili u vra në mëngjes në afërsi të zyrës së tij.


Sava Janjic

“Oliveri ishte shumë i afërt me Manastirin e Deçanit, pasi është rritur këtu dhe unë i mbaj në mend të gjitha takimet tona dhe kohën që e kaluam bashkë. Të gjithëve do të na mungojë, veçanërisht familjes së tij” ka shkruar në rrjetin social Facebook Janjic.

Ai thotë se një vrasje e tillë duhet hulumtuar dhe vrasësi duhet të dalë para drejtësisë, shkruan KultPlus.

Peshkopi Teodosije nga Dioqeza e Rashkës po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të Oliver Ivanoviq.

“Ne i lutemi Zotit për shpirtin e tij. Kemi humbur një njeri i cili ka ndihmuar serbët që ata të jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ai ka qenë një ndër përfaqësuesit më të mirë të serbëve” ka thënë Teodosije për RadioKIM.
Në anën tjetër, vrasja e Ivanoviq ka ndërprerë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Vrasja e politikanit serb ka shkaktuar debat edhe në Kosovë edhe në Serbi. / KultPlus.com

Datëlindja e Bajram Currit, patriotit e demokratit çlirimtar

E kujtojmë sonte datëlindjen e Bajram Currit.

Më 16 janar 1862, në Gjakovë lindi patrioti dhe demokrati që çoi në çlirimin e kombit, Heroi Kombëtar, Bajram Curri. Ishte një nga organizatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Pejës dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt.

Ai ndihmoi në ngritjen e shkollave shqipe në Kosovë, mbrojti alfabetin shqiptar të miratuar në Kongresin e Manastirit, mori pjesë dhe drejtoi Klubin “Bashkimi” në Shkup.

Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë në kryengritjet e malësisë së Shkodrës, në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze.

Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925.

Pazari i Grave, të martat dhe ardhja e janjevalive (FOTO)

Pjesë e kësaj lagjeje asokohe ishte edhe Pazari i Grave ose pazari i plaçkave, që mbahej të martave, herë në hapësirat e garazheve të sotme të RTK-së e herë në brendi të lagjes në të djathtë të Muzeut Etnologjik, e herë në hyrje të sokakut.

Aty shitej gjithçka, që nga penjtë për qëndisje të ndryshme, rruazat e kërkuara, pëlhura e llojit të veçantë për këmishë, që shërbenin për përgatitje nusërie, deri te teshat e bajtura.


Pazari i Grave – Pejë

E, në mes të atij kallaballëku, rëndom qëndronte salepçiu me salepin e nxehtë, që nxirrte avull… po kështu shërbehej edhe kungulli i Misirit, i pjekur dhe i vendosur në tepsi, që mbahej lart me njërën dorë ose mbi kokë të shitësit.

Por, të ndalemi te dita e pazarit: karakteristikë e së martës ishte ardhja e janjevasve (ose janjevalive, siç u thoshin), zanatçinj të mrekullueshëm të punimit të bizhuterive, të cilët e ekspozonin mallin e tyre shtrirë në tezga. Jo vetëm për atë kohë punimet e tyre kanë qenë të njohura dhe të kërkuara. Mjerisht, tashmë janjevalitë dhe prodhimet e tyre nuk shihen të vijnë në këtë qytet e më gjerë, jo se malli i tyre u harrua, por pse, të rinjtë, si duket, nuk e ndoqën traditën e të parëve.

Burimi: Sanije Gashi


Pazari i Grave – Pejë, 1959


Pazari i Grave – Prizren, 1912

“Moti i madh” për Skënderbeun, ekspozohet objekti i vitit 1465 (FOTO)

Një ekspozitë me statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky është thelbi i ekspozitës “Moti i madh”, që çelet në Muzeun Historik Kombëtar më 17 janar.

Drejtori Dorian Koçi tha dje për “Gazeta Shqiptare” se ndërkaq, do të ketë edhe projeksione artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmi i Skënderbeut, që e pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Ai kujton se Viti i Skënderbeut nuk ka në vëmendje heroin. “Në fakt, brenda këtij viti ka edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, që kanë po të njëjtën rezonancë. Kemi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, të cilat do të përkujtohen dhe festohen në këtë kuadër. Edhe aktivitetet e tjera, që do të organizojë Muzeu Historik Kombëtar do të jenë në kuadër të këtyre ngjarjeve. Në këtë mënyrë do të kemi një përafrim dhe një përqasje më tepër të historisë”, vërejti Koçi.

Ai bëri me dije se do të jenë në dispozicion të ekspozitave me tematikë nga epoka e Skënderbeut, por edhe të ngjarjeve të tjera që përmenda më sipër, holli qendror i Muzeut Historik Kombëtar, si dhe sallat e ekspozitave. Salla “UNESCO” dhe ajo “Konstandin Shpataraku” gjithashtu do të jenë të gatshme për aktivitete shkencore dhe mbajtje kumtesash. Ndërkohë që vizitorët do të mund të njihen me objektet e kësaj periudhe, që janë të pasqyruara në Pavionin e Mesjetës, ku një hapësirë të madhe të tij e zë periudha e Skënderbeut.

Në përgjigje të pyetjes se çfarë ruan Muzeu prej kohës që heroi qe gjallë, Koçi thotë se “objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ekspozita përmban ekspozitorë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës”.

Në kuadër të përkujtimit të 550-vjetorit të Skënderbeut do të ekspozohet edhe një tjetër kambanë, që për nga paraqitja, simbolikat që bart dhe viti i gdhendur në të është ende më e rëndësishme. Kjo kambanë do jetë pjesë e ekspozitës që Kryeministria çel në Pallatin e Kongreseve.
Bëhet fjalë për kambanën e Shelcanit.

Deputeti i LDK-së vizaton një portret gruaje gjatë punës në Kuvend

Të gjithë e njohin për deputet, por jo edhe për piktor. Arben Gashi, deputet i LDK-së ka një hobi interesant. Siç duket, Gashit i pëlqen të vizatojë, dhe këtë e bën edhe gjatë mbledhjeve të komisioneve.

Gashi, i cili është anëtar i Komisionit për Legjislacion gjatë tërë kohës ka shkarravitur mbi një letër të bardhë.

Rezultati i këtyre shkarravinave del të jetë portreti i një femre, shkruan Insajderi.

Gashi është pjesë e Komisionit për Legjislacion si i dërguar nga Grupi Parlementar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. / KultPlus.com

Një kujtim më i vonë i Çun Lajçit për Bubën

Nga Çun Lajçi

“I ligu për men” po luhej atë natë, premierë e Fishtës me rexhizor Altin Bashën, të cilën komedi në asnji variant skenik pa s’e kisha, e atë natë po shfaqej ne Teatrin tim, ku unë e kisha lanë rininë e latua aktrimin për 45 vite. Për dreq isha ulë në rendin e parë, edhe pse kurrë zakon s’e pata, por ishte ardhë nga Shkupi Bajrush Mjaku e meqë edhe ai kishte dal ato ditë n’pension, vendosa me shoqnua n’premierë mbas shumë vitësh.

Isha thellua krejtësisht në ngjarjet e viteve të largëta e m’dukej se jam n’Shkodër, aq fort po me pelqente shfaqja, kur më vjen nji SMS nga ti: babë eja n’ Shkup me merr, se mbeta!
M’iku gjaku.
More Zot i thash vetës, po ajo u nis për Tiranë, pse n’Shkup tash?
Dhe derisa po mundohesha me zgjidhë enigmen e me kuptua çfarë mund t’ketë ndodhë, cingëroi telefoni.
I turpnuem që po e prishja atmosferën e premierës u ngrita me rreptim e tue folë të vogël me ty, dola nga shfaqja.

Vetëm Bajrushi u shqetësua sepse ai e dinte hallin tim e dhimbjen tande dhe e luhati kokën, sikur deshti t’me thoshte a ka nevojë të vi me ty.
Atij iu kujtua siduket ajo nata kur po ktheheshim me “Tartufin” nga Tirana e kur mami m’telefonoj e m’tha: Buba po pret sonte m’u nisë për Beograd, n’Klinikën Lorien m’u shtrua!
E kishte vrejt hijën e keqe që m’kishte ra ftyrës e t’vogël n’vesh m’tha: çka ke?
I thashë po m’pret çika m’u nisë urgjent për Beograd e ai me shumë dhimbje m’tha:
Je i rraskapitun more, nuk mundësh me vozitë edhe 400 km.
M’duhet i thash, se vetëm ajo mund ta kuptoj dhimbjen e vet, e unë jam babë e fëmiu prej kujt mund ta pret shpëtimin nëse jo nga baba. S’kam zgjidhje tjetër!
Dhe pa i pi ato kafe që vet Bajrushi na i kishte porositë aty “n’ Aktiva” n’hymje të Shkupit, ku ti e unë ndaleshim shpesh kohëve të fundit, urdhnoj m’u çua: Çuni ka urgjencë tha, andaj duhet sa ma parë me mbrri n’Prishtinë.

Kjo siduket iu kujtua kur m’pa të hallakatun tue dal nga shfaqja e mbet gojëhapun
Dola para Teatrit e folem e folem, u përlamë aç shumë sa kisha përshtypjen se po çuditej edhe Gjergji që rrinte mbi kal aty përball Teatrit.
Të përcolla për Tiranë e ti ke përfundua në Shkup…Ora asht 21 e natës… lek n’xhep s’ke, as autobus m’u kthy, e mua me nxjerrë nga premiera e m’urdhnon me ardhë me t’marrë.
Ç’po ndodhë me Ty?
O nisu babë nisu, po t’pres n’stacion, edhe merri 300 euro me veti se duhesh me m’çua n’Tiranë.
Dhe ma mbylle telefonin!
Ç’asht kjo urgjencë?
Pse këto pare dhe pse natën me udhëtua trup e tërthor Maqedonisë për Tiranë.
Nuk mujsha me ta kuptua hallin, andaj shkova shpejt n’Postë me i vu kredit telefonit tim e tandit e pastaj si i marrë vrapova drejt Dardanisë.
Shkova n’banesë dhe e mora çelsin e veturës dhe shpejt u nisa. Për fatin tand aç pare kisha e vetura ishte plot karburant. Bile thash me veti, shihe more çfar nafake ka thinesha.
Mamit i telefonova, i tregova fill e për pe.
A je n’vete m’tha, qysh doni me shkua n’Shqipni natën dhe pse me i dhanë pare.
Nuk e përfilla fare kundërshtimin e saj, po si i çmendun vozita tue i blua miliona mendime që m’vishin n’kokë.

Erdha e t’gjeta me nji çantë n’shpinë e me atë aparatin muzikor të Digjejve n’dorë që e pate ble n’Tiranë, e që kurrë s’ia mësova emnin. M’thojshe dua mu ba “Digjej” e me punua se s’jetohet pa punë!
Tani po ta them, se kurrë ma t’mjerueshme s’të pata pa moj e mira ime që tretësh n’dhé!
Ishe e lodhune, e unët, e humbun, e zbeht dhe menxi i tërhiqje kamtë zvarrë.
Ku po e çon aparatin t’bërtita, e ti vetëm m’the, merre kët mut se m’këputi e ami do pare t’ha diçka se vdiqa unit.
Unë dojsha me pelcit inatit që t’gjeta n’at gjendje, isha përgaditë me t’ba paçavër e s’pata zemër as me të trua, por t’i dhash 10 euro e ti shpejt e more sendviçin nji Fanta e nji paqetë cigare.
Medet sa shumë u grindem kur u futëm n’veturë. Shumë herë i rashë grusht xhamit e kokës time tue t’sha e ti qajte e tue dënesë u struke n’karrikë e the:
Me ço n’Tiranë dhe ruju po t’pelcet zemra, se n’oren 23 m’duhet atje me qenë!
A ban me fjet sonte n’Prishtinë e nesër heret m’u nisë t’thash.
O çom sonte dhe mos u vono po t’them se sonte m’presin, a merr vesh ti!
Heshta dhe i dhash turr veturës,por s’ia fala vetës që s’mendova para se të nisesha Mavrovës përpjetë. Mujta me u kthye për Kosovë e rrugës Kombit me shkua n’Tiranë, e jo rretherrotull.Nata s’ka ispatë thonë as kerri siguri.

Para se me hi n’Strugë u dhezen do drita të kuqe në ekranin e veturës dhe krejt u tmerova.
-U prish kerri t‘thash. A po e sheh çka m’bane.
Dhe prap ia nisem m’u hangër si qentë.
U ndala nji pikë karburanti dhe u afrova të nji autobus. E luta shoferin e ai erdh me pa se çka janë ato drita t’kuqe. Frejt t’u kan harxhu m’tha dhe mos gabo m’u lëshua Qafës Thanës teposhtë.
I telefonova Leartit dhe i tregova.
-Flej sonte n’Strugë babë e nesër ndreqe kerrin e vazhdo, mos gabo sonte me rrezikua.
Po me çka m’e ndreq kerrin more i mjer i thojsha vetës kur n’xhep i ke vetëm ato eurot që po i duhen Bubës.
Ku me i marrë paret për hotel e qysh me fjet n’veturë kur nata ishte e ftoftë.
U futa n’Strugë dhe nisa me kërkua hotele t’lira. Ti rrishe n’kerr e unë hisha n’hotel e delsha.
-S’paskan vende t’lira t’thojsha!
-Më këputi gjumi bre babë m’thojshe ti!
-Çka me t’ba unë, ke lyp me t’çua natën n’Tiranë. Duro tash. S’ka vende s’ka, a merr vesh!

Dy orë u solla qytetit të Strugës tue hi e tue dal nga hotelet e tue rrejt vajzën time,tue i thanë nuk paska vende t’lira e hotelet ishin bosh se Pranverë e hershme ishte, por unë s’kisha pare e s’dojsha m’u dorzu.
S’dojsha moj të raftë pika m’e dijtë Ti se baba e kishte prekë fundin e skamjës, e s’dojsha me t’deshpërua.
Po mundohesha me qenë n’sytë tu i pasun veç me ta ruej at grimë ymyd jete që t’kishte mbet.
Si me pagua hotelin kur ti m’thojshe m’duhet me e pagua borxhin, e unë ato t’shkretat euro po i rujsha për Ty.
Vonë dikur m’kërkove falje.
-Gabuam babë që u nisem,
kemi mujt me fjet të shpia e nesër m’u nisë!
Kështu m’the kur nisën sytë me tu mbyllë. Kishte fillua me t’lodhë gjumi moj rrita ime që s’prite m’u rritë!
-Po flejmë n’veturë të thash dhe u afrova të nji mekanik kerrësh e u pshteta n’karrikë. Ti u shtrine mbrapa, por duhej herë pas herë m’e dhezë kerrin se bante ftoft.
Kur duel dielli prap bamë xhiro qytetit tue kërkua me pi kafe.
Pritem deri sa erdhi mekaniku.
E kontrolloi veturën e tha: ec se mundesh edhe 500 km më shkua me këta frej.
U nisem Bubë n’at mengjes Pranveror, pa m’shkua mendja se do t’jetë udhëtimi i fundit me ty Qafë Thanë -Tiranë.

Kafen e mengjezit e pimë n’hotel Rogner. Fati e deshti ta takojmë aty Agim Doçin dhe s’na la m’u koritë. Pagoi kafet e parkingun e veturës, sikur ta dinte se Çuni s’e kishte asnji metelik.
Ti shkove e pagove borxhin dhe u ktheve e foto bane me Agimin dhe u nisem për Prishtinë.
Unë gjith’ natën vozita e gjithë ditën të pyeta e ti kurrë s’me tregove: kuj i pate borxh n’Tiranë dhe pse?

Por as unë kurrë s’të tregova se at natë n’Strugë kishte vende të lira me qinda, por baba s’kishte pare e Ty s’donte me të deshpërua.
Hej, qe nga ajo natë, tre muaj rresht kam lut miqë e shokë me ta pagua Klinikën n’Ashkelon!
Por s’ishte thanë prej Zoti m’u sherua. Ai t’fali dhe Ai t’mori.
Mua ma la dhimbjen e sikur m’tha:
“Jeto n’dish me jetua me vajin e parë të 1983 dhe kujtoj ato 33 vitet e bukura të engjullit tand. Nëse dorëzohesh, s’ke me mujt kujt me i tregua se sa e pafajshme ishte jote bijë e sa e pamëshirshme shoqnia demokratike që solli liri”
Unë i ligu për men që t’humba Ty e që kurrë s’e pashë shfaqjen, tani eci i humbun rrugëve tue shkrua letra kujtimi.
Amen!

Për nder të sime motre

Poezi nga VISLLAVA SHIMBORSKA / Përktheu: Agron TUFA

Motra ime nuk shkruan poezi
dhe zor se do të nisë të shkruaj papritmas.
Ajo është gjallë mamaja – edhe ajo nuk shkruante poezi,
po është gjallë babi, i cili, sikundër mami, nuk shkruante poezi.
Ndjehem shumë mirë nën çatinë e shtëpisë së saj:
burri i sime motre më parë do të vdesë, se sa të nisë të shkruajë poezi.
Dhe pavrësisht faktit, se po filloj të përsëritem,
e vërteta është, se askush prej soit tim
nuk ka shkruar kurrë poezi.

Në sirtaret e tavolinës së shkrimit të motrës s’gjen poezi të vjetra,
ndërsa në çantën e saj nuk do të gjeni të reja.
Kur ime motër më grish për drekë,
unë e di – ajo s’ka për të më lexuar poezi.
Supat e saj janë të mrekullta edhe pa to,
dhe kafja e saj kurrë s’do të derdhet mbi dorëshkrim.

Ka shumë familje, ku askush asnjëherë s’ka shkruar poezi,
por, si thuhet, çdo familja e ka një budallë: poezia,
nëse bën vaki, fillon të gurgullojë përmes brezave,
duke formuar një gjeratore, në të cilat mund të mbytet
çdo lumturi familjare.

Motra ime nuk është aq keq me fjalën e folur,
por trashëgimia e saj shkrimore përbëhet veç prej kartolinash,
të cilat ajo i shkruan kur është me leje, çdo vit duke premtuar,
se kur të kthehet, ajo ka
aq shumë
shumë
shumë,
për të më treguar mua.

Kur ‘Cranberries’ u inspiruan nga tmerri dhe lufta në Sarajevë (VIDEO)

Këngëtarja e grupit The Cranberries, Dolores O’Riordan, e ka shkruar për dhjetë minuta një këngë për Bosnjën.

Dolores, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar dhe shokoi industrinë e muzikës me ikjen e saj nga kjo botë, në vitin 1996 shkroi një këngë për Sarajevën dhe Bosnjën, shkruan KultPlus.

Kënga “Bosnia” është pjesë e albumit “To be faithful departed”, aty ku janë përfshirë edhe këngët “War Child”, “Free to decide” apo “Hollywood”.

Kënga për Bosnjën vjen menjëherë pas disa viteve luftë në Bosnjë dhe në kryeqytet – në Sarajevë.

“Kam qenë e shokuar nga ngjarja në Bosnjë dhe sidomos nga pamjet e tmerrshme me fëmijët dhe vuajtjet e tyre. Këngën e kam shkruar për dhjetë minuta, e emocionuar tej mase” pati treguar këngëtarja asokohe kur e realizoi këngën.

“Kënga është për fëmijët të cilët vuajnë në një luftë të cilën nuk e nisën ata vetë. Fëmijët asnjëherë nuk e nisin një luftë” pati treguar Dolores, e cila ndërroi jetë dje. Ende nuk dihet shkaku i vdekjes. / KultPlus.com

Ndërron jetë këngëtarja e ‘The Cranberries’

Dolores O’Riordan, këngëtarja e grupit të njohur irlandez Cranberries, ka vdekur në moshën 46-vjeçare.

O’Riordan udhëhoqi bendin e saj drejt suksesit të madh ndërkombëtar në vitet ’90 me hitet “Linger” dhe “Zombie”.

Lajmi u bë publik nga një përfaqësues i grupit.

Muzikantë të shumtë kanë nisur të shprehin ngushëllime për vdekjen e O’Riordanit. / KultPlus.com

“Kushdo që do debat, le t’vjen nëpër oda të burrave…”

Prapë, katër vajzat kanë problem me fjalët për odën e burrave dhe me mendësinë që oda e proklamon.
“”Kushdo që do debat, le t’vjen nëpër oda të burrave, ku kollet burri, e bajna llaf e pina çaj rusi deri n’sabah. Në këto ndeja ‘kanunqe’ sbahet kijameti.”

Ky është citim prej Ramush Haradinajt, kryeministrit të vendit, i vendosur në fotografinë e vajzave të grupit HAVEIT, realizuar brenda një hapësire tradicionale.

HAVEIT janë bashkuar në një fotografi ku reagojnë ndaj kësaj fjalie, por edhe narrativës së tillë.
Lola Sylaj nga HAVEIT tregon se pse u realizua kjo fotografi dhe për çka po reagohet.

“Ka një kohë të gjatë që tashmë jo vetëm në fushata zgjedhore por edhe në diskutime tjera politike rreth çështjeve të ndryshme politikanët në Kosovë zgjedhin odën e burrave, odë kjo e cila vazhdon mendësinë e patriarkalitetit ku burri më i moshuar është më “i urti”, tradita këto të cilat mbrohen e lartësohen nga politikanët, ku gjuajtja me armë shihet si diçka festive dhe jo e jashtëligjshme” tregon Sylaj.

Haradinaj njihet për një mentalitet të tillë. Jo shumë kohë më parë, ai rrëfehej se nuk ekziston ndonjë problem në gjuajtjen me armë gjatë festave, pasi kjo na qenka ‘traditë’. I njëjti e përdorë Kanunin dhe Odën e burrave kurdoherë që ka mundësi, si ligje mbi të cilat funksionon shoqëria shqiptare.

“Është absurditet që kryeministri haptas e përdorë odën ende si hapësirë debati dhe refuzon të marrë pjesë në debate mediatike. Në këtë kohë adetet e “kanunqet” le të mbesin nëpër muze” pohon Lola Sylaj për KultPlus.
Vetëm para pak ditësh, vajzat e grupit HAVEIT, të njohura për performancat e tyre dhe ndërhyrjet artistike në lokacione të ndryshme e mbi kauza të ndryshme, i ‘çuan’ fjalë kryeministrit me anë të punës ‘Tager’, ku zihet Kanuni si libër dhe përmbledhje e rregullave.

HAVEIT në të kaluarën kanë reaguar rreth vrasjes së Diana Kastratit nga bashkëshorti i saj, rreth problematikës së depresionit pas lindjes tek gratë dhe rreth diskriminimit që i bëhet komunitetit LGBT në baza ditore në Kosovë. / KultPlus.com

Reagon Zeni Ballazhi, autor i logos për 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit

Autori i logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Zeni Ballazhi, ka reaguar pasi ka dalë lajmi se logoja të cilën ai e ka dizajnuar vetë ka ngjashmëri me një tjetër logo.

Ballazhi thotë se është i vetëdijshëm për punët e tij artistike.

“Veprat e mia janë të publikuara dhe të mbrojtura me të drejtën autoriale prej vitesh. Ato gjenden kudo, madje edhe jashtë vendit. Unë jam autor edhe i asaj logoje të BDI-së. Ndonjëherë veprat e mia mund të kenë edhe ngjashmëri, sepse i punoj dhe ripunoj gjithmonë me stilin timin dhe vijat e mia, që të jem më unik. Pra, janë vepra të dizajnuara, që mbrohen me të drejtë të plotë autoriale, sepse janë edhe vazhdimësi e punës sime, stilit tim, avancimit tim prej vitesh” thotë për KultPlus Ballazhi.

“Jam i vetëdijshëm për atë që bëj dhe publikoj, prandaj shpifjet që mund të bëhen në këtë drejtim dhe publikimi apo keqpërdorimi i veprave të mia pa të drejtë është i dënueshëm” ka thënë mes tjerash Ballazhi.

Logoja e re, pasi një tjetër u anulua para pak ditësh, thuhet se ngjan shumë me logon e Kongresit Tematik të BDI-së, parti në Maqedoni. / KultPlus.com