Tri vëllime të ‘Kosovës’ nga Jusuf Buxhovi do të promovohen në Zagreb

Gjatë qëndrimit në Zagreb, historiani Buxhovi do të pritet në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, në Rektoratin e Univeristetit të Zagrebit si dhe nga Kryebashkiaku i Zagrebit

Në kuadër të “Javës së Kosovës në Kroaci”, ku me shumë manifestime kulturore dhe artistike shënohet 11 vjetorit i pavarësisë së Kosovës, në Zagreb, promovohen tri vëllimet e fundit të “Kosovës” së Jusuf Buxhovit. 
Promovimi i organizuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare në Zagreb dhe Qyteti i Zagrebit, mbahet këtë të hënë, më 11 shkurt, në orën 18, në bibliotekën e kryeqytetit “Bogdan Ogrizoviq”.

Për veprën e Buxhovit flet historiani Njazi Muhamedi.

Gjatë qëndrimit në Zagreb, historiani Buxhovi do të pritet në Rektoratin e Universitetit të Zagrebit nga rektori, prof.dr. Damir Boras si dhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kroacisë, me ç’rast, në këtë institucion me renome shkencore do të bisedohet për projektet e përbashkëta hulumtuese, sidomos ato që prekin raportet shqiptare-kroate nga mesjeta e tutje. Historiani Buxhovi do të pritet edhe nga Krybashkiaku i Zagrebit, Milan Bandiq.

Mehmet Gjevori: Prindër, në pubertet shpjegoni fëmijëve për ndryshimet fiziologjike dhe për marrëdhëniet e drejta në mes të gjinive

Mbi Edukatën Seksuale (Mehmet Gjevori – 20.09.1969)

Mehmet Gjevori,  Prishtinë 1969

Të thomi të vërtetën, ndër ne, natyrisht më shumë te njerëzit e kaluar në moshë, hasim në botëkuptime të vjetëruara sa i përket seksit dhe dukatës seksuale. Në mes të prindërve, në bisedimet e tyre private e familjare dëgjohen shpesh fjalë jo të favorshme për edukatën seksuale, fjalë jo të mirë për afrimin, të shkuarit mirë dhe shoqërimin e vajzave me djemtë. Madje, shumë prindër, ndër të cilët edhe disa arsimtarë, nuk pajtohen që edukata bashëkohore seksuale të futet në shkollë e në familje. Shumë prindër janë konservativë dhe reagojnë ndaj trajtimit të hapët e të shëndoshë të seksualitetit. Nga ana tjetër, edhe shkolla, në lidhje me edukatën seksuale, është duke ju përmbajtur ende metodës së vjetër e më të lehtë, e ajo është heshtja. 

E ky qëndrim i familjes e shkollës ndaj edukatës seksuale vetvetiu e detyron fëmijën indirekt që për këtë të kërkojë e të gjejë rrugë tjetër për këshillime, ku informatat për edukatën seksuale janë krejtësisht të gabueshme, ku të vërtetat për marrëdhëniet në mes të sekseve janë të deformuara. Prandaj prindërit duhet të përpiqen e t’i kuptojnë fëmijët e tyre të kësaj moshe e ta ndiejnë nevojën që t’i udhëzojnë si duhet për marrëdhënie të drejta e humane të fëmijëve të gjinive të ndryshme, përndryshe, adoleshentët orientohen e gjejnë rrugë tjetër, gjë kjo që vërtetohet më së miri te fjalët e një vajze 16 vjeçare, kur i përgjigjet një ankete me këto fjalë: “Është vërtetë se as profesorët tanë, as prindërit, dhe as kërkosh tjetër, nuk e ndien nevojën që të na drejtojë e të na udhëzojë ne të rinjve e të rejave për thelbin e çështjes; prandaj na drejtohemi e kërkojmë këshilla atje ku do t’i gjejmë, e ajo është rruga. Pastaj prindërit e profesorët kapin kokën me dorë e pyesin me habi se si na jemi bërë të tillë, kush na ka edukuar ashtu aq keq? Kurse, në të vërtetë, ata vetë janë fajtorë për edukimin tonë sentimental të gabueshëm”.

Prandaj është e nevojshme që prindërit brenda mundësive të tyre t’u shpjegojnë fëmijëve, nëna vajzës, kurse babai djalit, në moshën e pubertetit për ndryshimet fiziologjike të tyre dhe për marrëdhëniet e drejta në mes të gjinive dhe t’u ndihmojnë që ata të formojnë qëndrimin e tyre të drejtë ndaj gjinisë tjetër. Mirëpo, fatkeqësisht, shumë prindër moshën e pubertetit e kuptojnë si “moshë të rrezikshme”. Kështu prindërit, në vend që me këshillat e qëndrimin e tyre të krijojnë vetëbesim dhe afërsi, ata, përkundrazi, bëhen më të rreptë ndaj tyre dhe e forcojnë kontrollin, sidomos ndaj vajzave. Kështu ata qysh në fillim ia nisin duke u folur vajzave se si kinse të gjithë djemtë janë të rrezikshëm e vagabonda, e vajzat, në moshën e tyre të njomë, sa herë takohen në shkollë a jashtë në shoqëri me djemtë, i këqyrin ata në fillim me pabesi e frikësohen prej tyre. Por në takimin e përditshëm me djem, ato kuptojnë se nuk është si u kanë thënë prindërit, sepse shumica prej djemve janë fisnikë e të sjellshëm, e në këtë mënyrë tek ato zhvillohen ndjenjat natyrale, ndjenja të afrueshmërnisë.

Botëkuptimi i vjetër patriarkal i seksualitetit është i rreptë. Tradita, zakonet, morali, rregullat fetare etj. Janë shumë të ashpra e të prera kur është fjala për seksin; në këtë dallohet veçanërisht religjioni, i cili në asnjë fushë s’është aq i rreptë sesa kur jep rregulla e gjykime për jetën seksuale të njerëzve. Këto rregulla fetare shumë të rrepta kanë ndikuar që të rrënjosen te njerëzit brez pas brezi disa zakone e botëkuptime prej të cilave është shumë vështirë të lirohen ata që janë nën influencën e fesë. Kjo është vështirësia e parë që ka shkaktuar konflikt të rreptë ndërmjet të vjetërve e të rinjve.

Seksualiteti nuk duhet të kuptohet vetëm si dukuri që ka për detyrë përjetimin fiziologjik, por që në të mbështetet gati mbarë impulsi e dinamika e jetës njerëzore. Prandaj, seksualiteti sot te fëmijët, te rinia, e te të rriturit nuk duhet të kuptohet si dukuri natyrale thjesht biologjike e fiziologjike, por si dukuri që kaplon mbarë personalitetin e njeriut.  Pikërisht për këtë arsye seksualitetit duhet t’i jepet vendi i vet e rëndësia në jetë e në edukatë.

Në moshën e pubertetit, ndërmjet prindërve e fëmijëve, ndodhin konflikte të shpeshta. Deri në moshën 12 vjeçare, prindërit dalin më tepër ngadhënjyes në këto konflikte dhe i urdhërojnë, ndalojnë e ndëshkojnë fëmijët. Por, me fillimin e pubertetit, pra mbas moshës 12 vjeçare, relacioni i fuqive ndryshon. Në këtë moshë prindërit shpesh kapitullojnë. Në moshën e pubertetit vërehet një ndarje e dukshme e fëmijëve prej familjes së ngushtë. Në këtë kohë fëmija fillon e kërkon lidhje të ngushtë me fëmijë të tjerë të moshës së vet dhe shoqëri më të gjerë se familja e tij. Kështu shihen së pari edhe tentativat e para të fëmijës për të gjetur shokë e shoqe të gjinisë tjetër.

Prindërve u duket se fëmija i tyre ka filluar të ftohet nga familja, dhe harrojnë se fëmija është anëtar i shoqërisë e, me dije qoftë, nuk mund të lidhet tërë jetën vetëm me prindërit e vet. Prindërit e mençëm duhet ta dinë se fëmija i tyre, kur fillon të rritet, nis e bëhet personalitet i pjekur e i pavarur, e të formojë rrethin e shoqërisë së vet. Kështu, dashuria që e ka fëmija ndaj prindërve të vet, tani dal ngadalë kalon edhe në persona të tjerë, sidomos të gjinisë tjetër. Këtë proces kalimi prej dashurisë së prindërve në persona të tjerë, prindërit duhet ta kuptojnë si gjë të natyrshme e t’i ndihmojnë fëmijës me maturi e kuptim. Kuptohet se kjo nuk është punë e lehtë për prindërit, madje për disa prindër është e rëndë e u vjen shumë keq për këtë largim e ftohje të fëmijës. Prandaj, në moshën e pubertetit prishen shpesh me fëmijët e tyre e thonë: Na doli prej dore djali a vajza.

Fëmijëve të moshës së pubertetit u pëlqen që në shoqëri të paraqiten të stolisur, të spitulluar e të rregulluar mirë. Ata dalin shpesh e marrin pjesë në shoqëri në argëtime të ndryshme e ndeja, ballo, teatër, kinema etj. ku njihen me shokë e shoqe, e shpesh kthehen edhe vonë në shtëpi, e nganjëherë në mes të natës, ku i pret një breshër qortimesh nga prindërit ose vëllezërit e rritur. Disa herë në mes të prindërve e fëmijëve të kësaj moshe shkaktohen grindje të mëdha. Nuk janë raste të rralla në këtë moshë që disa djem, duke mos e duruar këtë atmosferë në familje, bashkohen e ndërmarrin ndonjë aksion aventurist, duke u larguar nga familjet e duke udhëtuar e marrë botën në sy, ose bashkohen edhe me qëllime të tjera negative, siç janë vjedhjet, dhunimet etj.

Nganjëherë disa prindër gabojnë shumë rëndë kur, për ta ndaluar a ruajtur të birin a të bijën e moshës së pubertetit, përdorin edhe masa të gabueshme, duke krijuar me anën e të njohtërve e miqve ose motrave a vëllezërve më të vegjël një rrjetë spiunazhi për të kontrolluar lëvizjet e fëmijës së tyre në kohë e vende të ndryshme. Përkundrazi, prindërit duhet të jenë tepër të matur në marrëdhëniet e tyre me fëmijët e kësaj moshe dhe t’i bëjnë ata që çmojnë e vlerësojnë dashurinë e vërtetë, pa frytëzimin e personit të gjinisë tjetër. Fëmijët duhen edukuar me virtyte marrëdhëniesh të drejta etike ndërmjet njerëzve të gjinisë tjetër, pa ndonjë kontroll të fshehtë të veprimeve të tyre. Në këtë mënyrë prindërit do të ndihmojnë zhvillimin dhe avenirin e rinisë së moshës së pubertetit e marrëdhëniet e mira e harmonike midis prindërve e fëmijëve të tyre.

(E huazuar nga Edon Xharra / Facebook)

Artistja Lala Meredith-Vula sjellë fuqinë e vajzave të Ballkanit

“Mallkue qoftë patriarkati ynë”. Kjo shprehje lexohet në pankartën që mban në dorë një vajzë adoleshente nga Kosova në foton e realizuar Esterina Nora. Në Ballkan ndryshe nga shumë vende të tjera femrave u është dashur më shumë të përballen me patriarkatin. Një grup artistesh nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi do të sjellin rrugëtimin jo të lehtë të femrës shqiptare në ekspozitën “Fuqia e vajzave të Ballkanit”, që do të hapet më 11 shkurt në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri.

Nën kurimin e artistes Lala Meredith Vula, do të shohim një histori të gruas ballkanase përmes fotografive. Një tjetër foto interesante është “E dashur melankoli” e realizuar nga Jovana Beloica. Fotografia me titull “Ana tjetër e bukurisë”, sjell tre femra në moshë që mbartin në fytyrë rrugën e tyre, realizuar nga Melida Mustafic. Nuk është hera e parë që problemet me të cilat përballet gruaja në vende të trazuara jepet përmes artit. Këndvështrimet artistike ndonjëherë e thonë më lehtë atë që mund të thuhen në konferenca të gjata grash.

Vetë kuratorja e kësaj ekspozite Lala Meredith Vula është e njohur për veprat artistike që kërkojnë të nxjerrin në pah fuqinë e gruas. Ekspozita Balkan Girl Power është rezultat i një iniciative rajonale (www.balkangirlpower.org) e realizuar nga pesë organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe të udhëhequra nga Instituti për Kontratën Shoqërore.

Besimi në Zot e ndryshoi komplet jetën time

Shkruar nga Nanice Ellis

Për një kohë të gjatë në jetën time, ideja e besimit në Zot ishte e huaj për mua. Prindërit e mi nuk besonin, dhe madje edhe murgeshat në shkollën katolike – të cilën unë e ndoqa, dukej se nuk e praktikonin besimin. Për fat të mirë, jeta më dha një edukim të dorës së parë – për në këtë burim besimi të padukshëm të realitetit, që unë tani e quaj Zot (Universe, Burim, Vetëdije e Universit, etj …).

Unë isha shtatëmbëdhjetë vjeçare atëherë, dhe mezi shpëtova nga një marëdhënje fizikisht abuzive dhe e rrezikshme për jetën time. Unë mbeta e humbur dhe e hutuar, duke mos ditur se si të jetoja jetën që tani e kisha çuditërisht përpara meje. Por një natë vjeshte, papritmas kurë e kam dëshmuar një rënie ylli (kometë) dhe unë as nuk kisha asnjë ide se çfarë të dëshiroja. Natyrisht, se nuk doja ta humbasë mundësinë prandej thash: “O Zot i madhërishëm, të lutem më jep diçka që më duhet dhe që unë nuk e di se kam nevojë për te”.

Disa javë më vonë, kam zbuluar se isha shtatzënë. Më e hutuar se kurrë, fillova të endem rrugëve, në kërkim për një përgjigje brenda mendjes time të ngatërruar. Dhe vetëm kur unë mendova se kurrë nuk do të isha në gjendje për të bërë një zgjedhje, unë befas e kuptova se do ta kisha këtë fëmijë dhe për ta rritur atë.

Tani, kjo mund të duket si gjëja më e keqe për një vajzë adoleshente, dhe shum njerëz mund të thonë se, shtatzënia e një adoleshentje është një dënim i përjetshëm për te – ose fund i jetës, por për mua kjo ishte fillimi. Rënja në dashuri me fëmijën tim të palindur, të lindurit e një bukurie të tillë, dhe rritja e tijë nga i vogël ashtu si ishte – pikërisht ma shpëtoi jetën.
Kështuqë, ajo që kam dëshiruar për diçka që unë nuk e dija se kam nevojë për te – më ishte plotësuar. Prandej, e pyeta veten: “Çka unë dua për fëmijën tim”? Përgjigja ishte diçka që unë nuk e posedoja për veten time. Ajo ishte pakushtëzim e vlefëshme. Duke e ditur se unë duhet të kisha – për ta dhënë atë, unë u gatita për një lundrim në një udhëtim emocional, mendor, dhe shpirtëror, të gjetur për veten time. Sinqerisht, ishte kjo zgjedhja e vetme për mua dekada më parë, që më ka pru mua sot këtu për të folur me ju.

Unë e di se për disa njerëz mund të duket e vështirë të besojnë në këtë burim të padukshëm (Zot), por unë kam zbuluar se, sa më shumë kam besim në të, aq më i besueshëm bëhet.
Sot si një shkrimtare dhe trajnere e jetës, i mësojë njerëzit se si të vetëdijësohen për të krijuar jetën që ata e dëshirojnë, por ndonjëherë ne edhe nuk e dijmë se çfarë duam, ose ne nuk mund ta bëjm këte – nga aty ku ne jemi, pa marrë parasyshë se sa shumë përpiqemi. Prandaj, janë këto momente që i shtyjnë shum njerëz të mendojmë, se më e mira që ata mund të bëjnë është dorëzimi.

Në këtë iluzion të ndarjes, dorëzimi ose pajtimi me te mund të jetë i frikshëm, sepse ne kemi frikë se pajtimi mund të na bëj të jemi të vetmuar, por asgjë nuk është më larg së vërtetës se kjo. Në fakt, kjo është akti i mbajtur, në, për, çdo gjë që na bën të ndihemi të vetmuar. Ashtu sikurse një pikë shiu që bie në oqean, pajtimi me te – të lë të zgjohesh dhe të përkujtohesh se nuk je vetëm. Duke u bërë pjesë e oqeanit, ku janë bashkuar shum pika shiu, dyshoj se ndonjëherë do të ndiheni të vetëmuar.

Pa marrë parasysh se sa të fuqishëm apo të dobët që ju mund të ndjeheni në ndonjë rast, ka një Burim i Gjithëdijshëm që është duke kushtuar vëmendje për ju – edhe tani kur ju po e lexoni këtë shkrim, ai ju do dhe ju ushqen, dhe ai e di se çka është e mirë për ju – madje edhe kur ju nuk e dini, ose mendoni se ju e dini më mirë.

NË TË VËRTETË, PAJTIMI ËSHTË GJËJA MË E SIGURT QË JU MUND TA BËNI.


S’është e thanun që ju duhet të i dini të gjitha përgjigjet, se as nuk pritet kjo nga ju, sepse i Madhi Zot gjithmonë e di mënyrën më të mirë, edhe kur ju duhet të pajtoheni dhe të besoni, dhe ai mund të u përgjigjet lutjeve, dëshirave, dhe ëndrrve tuaja.

Këte unë e quaj Zot që është si një prind i mirë – që është ulur me durim të pashterrshëm në anën tuaj, duke ju lejuar kohë dhe hapësirë që ju ta kuptoni vet. Por, në momentin që ju dorëzoheni dhe kërkoni ndihmë, ndihma është dhënë. Çelësi është që të përkujtoheni për të kërkuar dhe të pajtoheni, në mënyrë që ndihma hyjnore dhe madje edhe mrekullitë mund të shfaqen.

Ky çels i shenjtë gjithashtu hap dyert për bollëk të pafund në dashuri, financa, ide, mundësi, dhe çdo gjë tjetër. Krejt bollëkshmëria rrjedh nga ky burim i paparë, kështu që nëse ju nuk e besoni atë – rrjedha është e ndërprerë, dhe kur ju e besoni atë – rrjedha është e pakufizuar. Sa më shum që besoni – aq më shum bollëku rrjedh. Sa më pak që ju besoni – aq më pak bollëku rrjedh. Nëse ju shikoni me kujdes në jetën tuaj, ju do të shihni vet këtë të vërtetë. Besimi e hapë rrjedhën dhe lehtësimin e jetës.

Kur ne përpiqemi të i nxitojmë dhe të i bëjmë gjëra që të ndodhin para kohe – në bazë të vet afatit kohorë apo planeve tona, ne pa e ditur e kemi ndrydhë Burimin Absolut dhe të Vetmin të Manifestimit. Rezultati është gjithmonë stresi dhe sfidat, dhe më shumë kohë do të nevojitet për të arritur rezultatin e dëshiruar. Kur ne të heqim dorë nga dyshimi, trullosja, ose padurimi, në këmbim të besimit, ne fillojmë të lidhemi me Universin nëpërmjet një procesi të paparë alkimik. Prandaj, besimi është me të vërtetë, një formë e alkimisë shpirtërore – ai i merr ëndrrat dhe dëshirat tuaja, dhe i përzien me fuqinë e Universit, dhe pastaj i transformon ato në realitetin tuaj.

Nëse këto fjalë resonojnë me ju, kjo do të thotë që ju jeni duke u zgjuar dhe përkujtuar – se ju jeni të dashur pa kushte, dhe dëshirat tuaja do të përgjigjen kur ju të patoheni dhe të besoni. Tani fëmija im është i rritur dhe ka edhe një fëmijë të tijë. Ndonse, unë kurrë nuk do të kisha zgjedhur me vetëdije për të mbetur shtatzënë dhe të kisha një fëmijë në moshën shtatëmbëdhjetëvjecare, por unë jam mirënjohëse që vetëvetja ime e vogël dhe e hutuar, pati urtësinë për të u pajtuar dhe besuar në diçka që nuk kisha përvojë, dhe derisa po e shkruaj këtë letër, lotët e mirënjohjes po më rrjedhin poshtë nëpër ftyrën time.

Ka një pafundësi Magjike në Univers që është gati dhe vullnetshëm të rrjedhë në jetën tuaj, dhe manifestohet në mënyra të thella dhe të bukura. Kjo pafundësi magjike mbetet joaktive deri sa ju të jeni të gatshëm të besoni. Është vet akti i besimit që e aktivizon këtë Energji të Plotëfuqishme në mënyrë që ju mund të gëzoheni dhe këndoni për ëndrrat tuaja më të mëdha, dhe dëshirat më të ëmbëla. Kur besoni në Krijuesin e Plotëfuqishëm, ju keni mbështetje…mbështeteni në Te…keni një siguri…Ata që nuk besojnë, nuk kanë ku të mbështeten fare dhe qëndrojnë në këmbë, vazhdimishtë të lodhur, të rraskapitur…e të pa sigurt…Po ju pyes, ku është jeta juaj duke ju kërkuar ju që të pajtoheni dhe të besoni?

Me plot dashuri, mirëkuptim, dhe mirënjohje,
Nanice

Ermal Meta mbrëmë i dhuroi magji Sanremos (VIDEO)

Shqiptari Ermal Meta mbrëmë i ka sjellë Sanremos një magji të vërtetë.

Këngëtari fitues në fuqi i Festivalit të Sanremos, shqiptari i njohur Ermal Meta mbrëmë është ngjitur në skenë jo në cilësinë e garuesit, por si mysafir.

Në natën e katërt të Sanremos ai ka kënduar në bashkëpunim me Simone Christicchin – këngëtar poashtu i njohur në Itali.

Nata e mbrëmshme ka qenë nata e dueteve në Sanremo, ku këngëtarët në garë kanë ftuar të tjerë këngëtarë për të kënduar së bashku.

Sonte, në anën tjetër, është finalja e Sanremos, kur edhe do të dihet fituesi i këtij edicioni dhe më pas edhe përfaqësuesi i Italisë në Eurovizionin e këtij viti, që mbahet në muajin maj në Izrael, shkruan KultPlus.

Ermal Meta vitin e kaluar së bashku më Fabrizio Moro fituan Sanremon dhe më pas i sollën Italisë pozitën e pestë në finalen e Eurovizionit. / KultPlus.com

https://twitter.com/Julia78792/status/1094136555801927680

Ndahet nga jeta shkrimtari e publicisti Kiço Blushi

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 75-vjeçare shkrimtari, publicisti dhe skenaristi i njohur, Kiço Blushi.

Kiço Blushi lindi në qytetin e Korçës më 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Kiço Blushi ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë, shkruan tch.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Më 20 shkurt të vitit 1991 ai u thirr që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.

Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive./ KultPlus.com

Nevoja urgjente për ndërrimin e agjendave të mediave për mënyrën se si i portretizojnë vajzat dhe gratë

Nga
Elion Kollçaku

Rasti i fundit në Drenas, do të duhej shërbente si urgjencë për ndërrimin e agjendave të shumë mediave kosovare, duke filluar nga portalet që infomacionet seksiste i kanë me tepricë e deri te emisionet rozë.

Stereotipet gjinore janë të pranishme jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në përmbajtjet mediatike. Kur flitet për stereotipet e rolit gjinor apo seksual, atëherë bëhet fjalë për “bindjet e strukturuara lidhur me veçoritë personale të grave dhe burrave”.

Ekzistojnë së paku tri stereotipe për gra që dalin në pah: amvisja (gruaja tradicionale), gruaja profesionale (e pavarur, ambicioze, me vetëbesim) dhe lepuroshja e Playboy-it (objekt seksi).

Që nga librat në shkollat fillore, fëmijëve u servohet modeli i gruas si nënë dhe amvise, ku nëna bën punët e shtëpisë, motra i ndihmon, kurse babai punon jashtë shtëpisë dhe siguron burimin e ekzistencës. Edhe në realitet situata nuk është shumë ndryshe në Kosovë, duke pasur parasysh se shumica e grave janë amvise, edhe pse shumë prej tyre me përgatitje të lartë shkollore. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, vetëm 12.9 % e grave me moshë pune janë të punësuara. Pabarazia në tregun e punës, ku për të njëjtën punë shpesh-herë gruaja paguhet më pak se burrat, fakti që për shkak të rolit riprodhues jo rrallë diskriminohet, si dhe ngacmimet seksuale në punë janë shkaktarët kryesorë, që edhe ato gra që kanë gjetur ndonjë vend pune, mbesin pa të.

Përkundër këtij fakti, mediat nuk merren me gratë amvise. Roli i amvises nuk është i pasqyruar në mediat shqiptare. Ato mund t’i shohim, eventualisht, në disa kronika si “Edhe unë jam Kosovë”, ku kërkohen ndihma, ose kur dhurohet ndonjë fondacion, gjatë dorëzimit të ndihmave. Mund të haset edhe te emisioni “Metamorfoza” me Suzana Mushkolajn, ku ndonjë amvise transformohet në një grua “të hijshme”, për t’i ngjarë një gruaje të suksesshme.

Stereotipi i dytë është modeli i gruas së susksesshme të pavarur, që ndërton karrierën e vetme, pa përkrahjen e burrit. Emisionet “Lemza” në Tribuna Channel, si dhe “Pasdite” me Rudina Magjistarin japin shembuj të tillë.

Në një puntatë te “Lemza”, ka qenë e ftuar Vlora Dumoshi, e cila shpalos gjithë historinë e saj, si një grua shumë e suksesshme, që ia doli e vetme të ketë karrierë si politikane por edhe si një nënë e devotshme për dy djemtë e saj. Kurse, te “Pasdite” në TV Klan, si shembull ishte Dorina Mema, kampione në bodybuilding, që bashkë me vajzën e saj flasin për marrëdhënien e tyre, edhe pse ajo është një nënë e shkurorëzuar, që e rriti bijën e vetme, e përkundër rrethanave, vajza e saj konsiderohet si shembull.

Gjithashtu, edhe rasti i këngëtares Safete Mustafës vlen të përmendet, e cila u martua pas vdekjes së burrit të saj. Ndonëse u komentua shumë, ajo foli publikisht për emisionin “Prive” në Klan Kosova, duke thyer tabunë se gruaja pas vdekjes së burrit duhet të mbajë zi e të vishet në të zeza, duke mos u martuar kurrë. Në këtë rast, përmes këtij emisioni janë thyer shumë stereotipe.

Këto shfaqen si modele të grave që kanë arritur synimet në jetë dhe karrierë, pa marrë parasysh sfidat që kanë hasur. Megjithatë, jo rrallë paragjykohen nga rrethi tradicional, pasi që si shoqëri nuk jemi të gatshëm të promovojmë këtë model të familjes, ku gruaja mund të mbijetojë me sukses pa mbështetjen e burrit.

Por, modeli tjetër stereotipizon gratë si objekt seksi. Rast i veçantë është emisioni “Zonë e lirë”, me Arian Çanin. Ky emision transmetohet çdo të premte, në ora 21:00 në TV Klan.

Personazhet që bëjnë më së shumti zhurmë kur ftohen në këtë emision, e që ftohen shumë shpesh, janë Kallashi, Iva Aliko, Linda Morina, Xhesika Ndoja, etj. Madje, emisionet ku ato janë pjesëmarrëse kanë miliona klikime në YouTube.

Por, qëndron një arsye e fortë se pse këto emisione kanë kaq shumë shikueshmëri. Të ftuarat trajtohen si objekte seksi.

Kjo mbështetet në disa fakte. E para, Kallashi dhe Iva Aliko, ftohen në këtë emision, në qoftë se publikojnë ndonjë klip të ri. Mirëpo, edhe kur vijnë të flasin për këngën e re që kanë publikuar, medoemos gjithë debati do të vijojë te marrëdhëniet e tyre seksuale, partnerët, format trupore, veshja provokative, dhe nëse realizojnë ndonjë set fotosh të zhveshura dhe gjysmë të zhveshur, i tërë programacioni do të ndalet në atë pikë.

Madje, ka pasur raste kur arsyeja kryesore se pse janë ftuar, ka qenë thjesht komentimi i fotove provokative apo ndonjë afere të përfolur me ndonjë politikan ose bizensmen, identiteti i të cilëve mbetet i fsheur, për ta zgjuar kurrreshtjen e audiencës dhe për arsye që kjo temë të vazhdojë me “episode”.

Gjuha e përdorur në këto emisione është qëllimisht shumë banale. Duke filluar nga mënyra e referimit të vazhdueshëm nga moderatori drejt të ftuarave, me fjalët “zemër”, “loçkë” e deri te pika ku ai flet për trupin e tyre. “Duhet ta pranojmë se ke alamet bythë e cica”, “Ke veshur të

brendshme apo je siç të ka bërë nëna?”, “Cila është pjesa më “hot” e trupit tënd?”, janë pyetje të zakonshme në këtë emision, që duket se gjithçka bën për vetëm për shikueshmëri e për show.

Të ftuarat prezantojnë vlera të tilla, si:

* Të kesh dashnor një burrë të martuar;

* Të bësh foto e zhveshur dhe gjysmë e zhveshur;

* T’i bësh dhuratë organin gjenital dikujt;

* Gjoksin e vithet t’i kesh me intervenime plastike;

* Të bësh belfie, e shumëçka tjetër.

Të gjitha këto gra, edhe pse i takojnë kategorive të ndryshme shoqërore, kanë shumë pika të përbashkëta. Ato dëshmojnë se gruaja mund të arrijë atë çfarëdo sfere, mirëpo vetëm nuk duhet të jetë e penguar.

Mirëpo, njëkohësisht shihet se çfarë efekti të madh kanë mediat në krijimin apo luftimin e stereotipeve gjinore.

Roli i mediave është i pazëvendësueshëm në thyerjen e tabuve, ku më asgjë nuk është jashtë syrit të objektivit, por vetëm varet se sa afër do ta ketë nën vështrim personazhin të cilin e paraqesin. A do të paraqitet vetëm sipërfaqësisht si objekt, apo do të merret me karakterin e personazhit dhe atë çka prezanton?

Mediat konstruktojnë realitetin, në kohën kur edhe vetë gjinia është konstrukt.

Duke i njohur përmes mediave këto gra, ato duhen, idealizohen, paragjykohen dhe ndiqen si model nga qindra e mijëra vajza, prandaj roli i medias në kohën e shumë zbrazëtirave, në procesin e edukimit të rregullt është tejet i rëndësishëm

“Qebapët e Bosnjës”, pjata e tretë më e famshme në botë

Portali www.tasteatlas.com ka publikuar një listë të 100 pjatave më të mira në botë, ndërsa qebapët boshnjakë kanë zënë një pozitë të respektuar.

Madje, sipas mediave boshnjake, përcjell Telegrafi, ky specialitet llogaritet të jetë pjata e tretë më e popullarizuar në botë.

Po sipas mediumit në fjalë, në vend të parë, si pjata më e popullarizuar është Khachapuri, nga Gjeorgjia.

“Pavarësisht prejardhjes së tyre të qartë turke, qebapët e boshnjakëve janë një burim i krenarisë së madhe kombëtare dhe një pjatë e preferuar në vend. Këto salcice të vogla, të mbështjella me dorë nga mishi i grirë zakonisht përgatiten nga një përzierje e mishit të tjerë, me një përzierje të erëzave të ndryshme. Zakonisht ka hudhër, piper i zi, nganjëherë speca”, thuhet të jetë shkruar në përshkrim.

Megjithatë, në një listë të fundit të këtij portali, qebapët janë vendosur në vendin e tretë.

Ndryshe, edhe pse jo të radhitura lartë, portali në fjalë ka të përfshirë edhe dy specialitete nga Kosova – bëhet fjalë për “Tespishten” dhe “Djathin e Sharrit”.  / KultPlus.com

Polici në Drenas shpërthen në lot, protestuesit e përqafojnë

Një moment emocionues ka ndodhur në Drenas, një polic është përlotur në shenjë pamundësie që të plotësonte kërkesën e protestuesve, që të ecte një hap përpara ose prapa.

Në orën 12 në Drenas ka nisur protesta për rastin e fundit që tronditi vendin, ai i abuzimit seksual të 16 vjeçares nga profesori e më pas edhe nga polici.

Një nga udhëheqësit e protestës, para Stacionit Policor në Drenas, ka thënë se protestë do të mbahet edhe kundër gjinekologut Fehmi Ahmeti.

“Pa licencë, pa asnjë kusht elementar pune, e mbi të gjitha, i ashtuquajturi gjinekolog guxoi të coptonte trupin e një të miture, prandaj, si për profesorin, e policin nisoj edhe ky kriminel mantiblardhë e ka vendin në burg.  E keqja ka ndodhë, na jemi thellësisht të indinjumë, por kjo nuk do të thotë se shkollat, policia e spitalet janë për popullin e me popullin. Hapi më i mirë i juaj është të distancoheni prej kolegut tuaj kriminel, me ditë që jeni ndryshe, e me ditë që mundemi me u mbështetë te ju. Komandanti i Stacionit Policor, të kryejë një hetim për të gjithë stafin. Të merret me vetëdijësimin e stafit për barazi gjinore.”, ka thënë ai.

Vesel Veseli e pranon fajësinë për abuzimin seksual me 16 vjeçaren

Polici Vesel Veseli e ka pranuar fajësinë për keqpërdorimin dhe abuzimin seksual qe i ka bërë nxënëses nga Drenasi, raporton Insajderi.

Burime nga Prokuroria i kane thënë Insajderit se i dyshuari e ka pranuar shumicën e fajit që i ngarkohet. Mirëpo ai po refuzon që ta dorëzojë telefonin e tij, të cilin Policia nuk ka arritur t’ia konfiskojë. Në telefonin e tij besohet se janë të gjitha provat që e implikojnë atë në keqpërdorimin seksual të nxënëses.

Në pranimin e fajit, i është renduar pozita penale profesorit Shkelzen Xhekaj, që po e mohon kryerjen e veprës penale.

Mësimdhënësi është arrestuar dje dhe është ndaluar për 48 orë. Ndërkaq sot Gjykata pritet të vendos për masën e sigurisë ndaj tij.

Për Vesel Velselin, Gjykata dje ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Protesta në Drenas: ‘Shkolla është e jona, jo e pedofilëve’

Me moton “Pro mësimit, jo përdhunimit” ka nisur protesta sot në Drenas, kundër dhunuesve të një 16 vjeçare në këtë vend.

Për momentin protestuesit, shumica prej tyre nxënës të gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, po qëndrojnë para këtij gjimnazi, dhe pikërisht në këtë shkollë ka qenë i angazhuar mësimdhënësi që dyshohet se e kishte dhunuar fillimisht të miturën, raporton KTV.

Protestuesit po bëjnë thirrje nga më të ndryshme, si: “Pro mësimit, jo përdhunimit”, dhe “Shkolla është e jona, jo e pedofilëve”.

Marshi do të vazhdojë nga ky gjimnaz drejt stacionit policor në Drenas.

‘A keni motra ju që thoni ‘shuj moj, vet e ke meritu’ ?

Nga Entela Sahiti

Në një shoqëri si e jona është vështirë edhe të mbrohesh. Veç masakrës seksuale dhe asaj psikologjike nga kryerësit e veprave, cikat dhe gratë tona duhet te merren edhe me komentet e njerëzve te pafytyrë. Në një rast ku ndodhen 3 arrestime dhe ku po i njëjti rast është nën hetime, lartë e poshtë “met t’nime” ka nga ata që e paragjykojnë vajzën, e kryqëzojnë vajzën “shuj moj kuder se vet ta ka kajt”.

Njerëzit e tillë në konakun e tyre kanë vajza, nëse jo bija të tyre, motra, vajza hallash, vajza tezesh, vete teze por edhe nëna kanë. Sa të pafytyrë jemi si shoqëri? Në vend të mbështetjes ne çohemi dhe i sulmojmë, çohemi e sulmojmë që ka pasur dy aborte, e dhimbje të tmerrshme ka duruar. Me të vërtet, goja lëshon fjalë edhe pa menduar, por duhet frikësuar mos një mallkim i tillë mund të të prek në familjen tënde.

Më e rënda është kur paragjykimi bëhet punë e kryer, (ajo mendoi që po martohet me profesorin, qe edhe një fakt më shumë që ajo është q*** me vetë dëshirë) TURP! Ajo çfarë ta bën rrethi nuk ta bën askush. Ne ende jemi në tranzicion, ne ende seksin nuk e përmendim para familjes, e çfarë po mendoni se ajo nënë që nxori nga goja fjalët se “Çika u mashtrua se profesori i premtoi martesë” , kanë qenë të qejfit? O, jo more Jo.. Ky “premtim” dhe kjo “martesë” do të të ua ruante moralin familjes.

E derisa ato vajza që përjetojnë dhunë sistematike, përdhunime e të gjitha të zezat e shoqërisë e nuk flasin, është vetëm për fajin e juaj, për fajin e HALLKUT që nuk i lanë t’i çelin sytë kurrë!!

Facebook e cenzuron pikturën e Jezusit me mbishkrimin LGBT

Rrjeti social Facebook e ka cenzuruar një fotografi të Jezusit.

Një pikturë e artistit Giusseppe Veneziano, e cila është e vendosur në Palazzo Ducale di Massa në Itali, e tregon Jezusin të veshur me të brendshme Dolce&Gabbana, me mbishkrimin LGBT – që qëndron për komunitetin gej, lezbik, transgjinor dhe biseksual.

Megjithatë Facebook e ka fshirë një postim ku është vendosur kjo pikturë. Një peticion online ka nisur të nënshkruhet që fotografia dhe piktura të largohen sepse janë ofendim ndaj sentimentit dhe besimit të miliona njerëzve në botë.

Alessandro Bardoni – President i Equal Opportunities Commission for the city of Carrare, e ka shpërndarë fotografinë, por Facebook ia cenzuroi dhe ia largoi nga faqja. / KultPlus.com

Rita Ora dhe Bebe Rexha, së bashku dhe të lumtura në ngjarjen e Spotify

Ato kanë qenë gjithmonë të afërta me njëra-tjetrën, dhe ngjarjet ku janë bashkë bëjnë që ato edhe të fotografohen shumë të dashura me njëra tjetrën.

Bebe Rexha e Rita Ora së fundmi së bashku kanë parakaluar në tepihun e kuq dhe para fotografëve në ngjarjen e Spotify.

Dyshja duken për mrekulli, gjithmonë në hap me modën dhe me trendet e fundit. Rita Ora ka marrë edhe një çmim ndërsa Bebe Rexha ka performuar një prej hiteve të saj.

Ngjarja ka ndodhur në Hammer Museum në Los Angelos.

Rita dhe Bebe janë në momente të mira në karrierën e tyre. Rita ka lansuar së fundmi këngët e saj të reja derisa po e promovon edhe albumin e fundit, ndërsa Bebe Rexha ka marrë mbështetje rreth faktit se pesha e saj trupore disa herë i ka penguar në jetë, por ajo ka ecur tutje duke i qëndruar besnike stilit të jetës së saj. / KultPlus.com

‘Nuk më vjen marre që jam mashkull, por ndjej dhimbje si njeri’

Besim Ugzmajli / Facebook

Nuk me vjen kurrfare marre qe jam mashkull, une nuk barte kurrcfare pergjegjesie te drejtperdrejte te asnje psikopati vec se jam i te njejtes gjini (sex).
Pse sahere qe ndodhe nje krim makaber nga nje burre, ne duhet me e ule kryet e mos me marr fryme nje jave rresht?! Cka kemi bo po du me dite, cka eshte ky fajsim ne baza gjinore. 
Pse provoni te mbuloni dhimjen tone me faj qe se bartim?
Eshte dhunu dhe keqperdore tmerresisht nje NJERI, dhe une meqe jam i te njejtit lloj, ndjej keqardhje e dhimbje si NJERI. Kjo nuk dmth qe nuk ndjehem keq edhe kur dhunohet nje kafshe, […] ndihem njejte.
Kushdo qe mendon me djeg njerez ne turre te druve, per cfaredo krimi, eshte edhe ma kriminel se ai msusi e polici.
Histeri e tmerrshme, pershfaqje e problemeve tona personale ne mburojen e vajzes nga Drenasi.
A mendon dikush qe gjithe ky reagim i kesaj forme, ka me e ba viktimen me ndjenje qe ka be ndonje krim, a mendon dikush qe ky popullaritet sa i dhunueseve me shume i viktimes, ka me parandalu viktimat e tjera me lajmru rastin.
Ju, thjeshte nuk te lejoni as me tu dhimte, as me e luftu dukuri, as me u sill me humanizem ne keto raste.

*****

FRASHËR KRASNIQI: Më vjen marre që jam djalë

‘Pos abuzimeve seksuale, në shkolla ka edhe shumë fenomene tjera shqetësuese’

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se shumë fenomene shqetësuese janë shfaqur nëpër shkollat e Kosovës së fundmi.

Duke komentuar rastin e fundit në Drenas, ku një e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe më pas nga një hetues policor, Jashari ka thënë se abuzimi seksual është vetëm një nga disa fenomene që kanë nisur të përhapen në vend.

Ai ka thënë se për rastin në fjalë, sipas të dhënave të para, mund të konstatohet shkelje e madhe zinxhirore. Ka treguar se një ekip i Avokatit të Popullit është duke hetuar rastin dhe sapo të kryejë hetimin do të dalë me rezultate për të treguar nëse dhe ku ka pasur shkelje.

Megjithatë, sipas tij shqetësimi më i madh është te viktima. Ai ka thënë se ndaj viktimave në raste të tilla s’ka kujdes adekuat.

Jashari ka thënë në Interaktiv të KTV-së, se Kosova mbetet shumë prapa në krahasim me vendet tjera në raport me kompensimin e viktimave të rasteve të tilla.

“Sipas informatave të para, del se ka pas shkelje të shumëfishta në këtë proces. Kundër çdo standardi etik, moral e ligjor. Një ekip i joni është duke u marrë se çfarë mund të ndihmojë tash. Bazë është gjithmonë viktima, sepse procesi i drejtësisë është i ngadalshëm. Ajo është e ngadalshme sepse padrejtësia është shumë e shpejtë. Ekipet janë në terren e të shohim rezultatet e para të tyre”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se shteti duhet të marrë përsipër kujdesin ndaj rasteve të abuzimeve seksuale.

“Përdorimi i dhunës, bulizmi nëpër shkolla, por shqetësuese është edhe varësia nga droga. Nga të gjitha shkollat kemi marrë konfirmim se ka përdorim të gjerë. Ka shumë ekspertiza që tregojnë se për 2 vjet kalendarike, mosha përdoruese ka rënë nga 22 në 16. Duhet të ishte alarm i madh”, ka shtuar ai duke përmendur se po mungon përcjellja nga mekanizmat shtetërorë.

Krasniqi: Më vjen marre që jam djalë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se i vjen marre që është djalë, pasi sa herë që hynë të lexojë në mediat online ka lajme për gratë dhe vajzat që ngacmohen dhe dhunohen.

“Më vjen marre që jam djalë sa herë që më kujtohet që deri në moshën 30 vjeçare s’kam ditë qysh lëshohet makina e rrobave apo larësja e enëve, sepse kurrë me dorë nuk i kam prekë. Dhe sa herë që kur i tregoj ndonjë burri për këtë fakt, më thotë “ani de, ajo është punë e grave, pse duhet me e ditë ti”. Thuajse gratë kanë lindur me enët e kuzhinës në duar, e me rrobat e palara të burrave në krahë”.

“Më vjen marre që jam djalë, sa herë që më kujtohet fakti që krejt çka di me përgatitë janë vezët dhe ndonjë sallatë e lodhët aty këtu, sepse krejt jetën time nëna dhe motrat më ka mbajt me ushqim. Pra, praktikisht, krejt jetën time kam ngrënë bukë si me qenë në restorant ku ti veç e pret ushqimin në tavolinë dhe ku çdo lëvizje e jotja vëzhgohet nga shërbyesit, për të kuptuar se a je i kënaqur apo jo (vetëm se dallimi është se po flasim për një restorant ku “shërbyesit” nuk paguhen fare, dhe madje as që konsiderohet se po të bëjnë privilegj. Në fund të fundit “ato janë gra dhe kjo është detyra e tyre”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Më tej Krasniqi ka thënë se i vjen marre pasi gratë kosovare rrinë në këmbë kur ai shkon të rrijë mysafir diku.

https://www.facebook.com/1427626187/posts/10219280614112616/

Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës

“Çejzi” është praktikë që manifestohet përmes institucionit të martësës. Më saktësisht, është një formë e relacioneve që fillon të paraqitet që në moshë të re për të udhëzuar përgatitjen për martesë. Sipas traditës “Çejzi” është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e bart një grua kur të lidhë kurorë me një burrë.

Përgjatë kohës kjo traditë ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror.

Në anën tjetër, kjo praktikë është karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdorës si dhe është shfaqur përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të trashëgimisë kulturore. Sot, roli fillestar i “Çejzit” pjesërisht është tjetërsuar, dhe rrjedhimisht në periudhat e fundit, sidomos gjatë shek. 20, është komodifikuar duke sjellë një marrëdhënie të re të gruas me punën.

Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës i cila është fokusi i praktikës së saj artistike. Përmes “Çejzit” Doruntina tenton të eksplorojë transformimin e kësaj traditë dhe nga aty, ajo ripërpunon disa nga figurat e gjetura shpesh në punimet e “Cejzit”. Ajo risjellë këto figura të përsëritura, duke theksuar elemente estetike që sipas saj janë reprezentimi më tipik i “Çejzit”, duke prodhuar një formë tjetër, përmes një mediumi të pazakonshëm prej punimeve të zakonshme.

Ky projekt është bërë i mundshëm nga Heritage Space e cila është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë.

Ekspozita do të pasojë ditëve në vijim me një diskutim të hapur në lidhje me praktikën e “Çejzit” për të trajtuar marrëdhënien e artit me çështjet që zakonisht interpretohen si diçka që i përket tradicionales./ KultPlus.com

Ermal Meta, nesër mbrëma ngjitet në skenën e Sanremos

Nesër mbrëma, të premten, në natën e katërt të festivalit Sanremo në Itali, në skenë do të ngjitet edhe Ermal Meta.

Këngëtari shqiptar i cili tanimë është ndër më të njohur në Itali, do të ngjitet në skenën e festivalit përsëri, kësaj here jashtë garës.

Ermali do të këndojë në duet me Simone Christicchin, këngëtarin i cili është në garë.

Meqë nesër në mbrëmje këngëtarët në garë këndojnë me këngëtarë jashtë garës, Ermali vjen në skenë me më pak emocione, shkruan KultPlus.

Të shtunën e 9 shkurtit do të mbahet finalja e Sanremos kur edhe dihet fituesi i festivalit me shumë renome dhe mjaft prestigjioz në Evropë. / KultPlus.com

Visar Mulliqi vjen me ‘Origjinalitet’ në Galerinë Qafa dhe në ish-pallatin e shtypit “Rilindja”

Me 19 shkurt 2019, në orën 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës do të hapet ekspozita e piktorit të njohur, Visar Mulliq, shkruan KultPlus.

Ekspozita me titull “Origjinaliteti”, është kuruar nga z. Shkelzen Maliqi, studiues dhe kritik i artit dhe menaxhohet nga Dhurata Ramosaj, koordinatore e GMK-së. Kuratori i kësaj ekspozite vlerëson se krijimtaria e Prof. Visar Mulliqit dallon nga ajo e kolegëve të tij të brezit të ’90-ve tek të cilët vërehet qartë distancimi, madje edhe refuzimi i realitetit dhe pasqyrimi dhe “pajtimi akademik”. Z. Maliqi vlerëson se te autori “nuk ka shenja të dukshme të rebelimit ose të ndonjë anti-motivimi. Atë e intereson vetëm arti si i tillë, preokupohet me kapacitetin puro piktural të tablove”.

Ekspozita do të përbëhet nga rreth 30 piktura të dimensioneve të ndryshme, të cilat do të ekspozohen të ndara në dy lokacione, në GMK dhe në hollin e ish-pallatit të shtypit “Rilindja”.

Ekspozita “Origjinaliteti” do të qëndroj e hapur një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në kompleksin “Qafa” si dhe në ish-pallatin e shtypit “Rilindja”, në Prishtinë./ KultPlus.com

Sabri Hamiti e rrëfen në vargje atentatin ndaj tij në vitin 1998

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare
Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur
Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë
Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time
Unë lëviza shpejt nga e djathta
Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë
Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba
Në shenjë triumfi e u humb në natë.

Unë e mund dhembjen me bërtimën e madhe
Që pushon vetëm kur e ndiej me veshët e mi.
Kush mund ta dijë sa zgjatet koha
Derisa ngjitem këmbadoras në katin e tretë?
(Duhet të dukem sa më i natyrshëm para gruas
Më vërtitet nëpër mendje të turbulluar
Derisa jam në kokërr të shpinës në katin e dytë)

Atëherë kalon aty pranë një hije e gjatë
Të cili i lutem: më ndihmo zotëri!
Po zotëriu vetëm më kalon përmbi
Duke u mbrojtur si i zëni në faj:
Si të të ndihmoj kur nuk e di kush je?

“Grua i vrarë jam dhe thirri miqtë” i them
Duke u munduar të fsheh gjakun në duar.
Ajo heshtet duke e ditur se të vrarit s’i flitet
E i vrari nuk duhet të flasë…

Tevona vëllezërit miqtë mjekët më kanë shtrirë
Kur biri i madh më vjen te veshi
“Qëndro babë”!
Hap sytë për t’ia dhënë besën time
Se do të jetoj për mallë të tij.

Fotot gjejnë vendet e plumbave
Të gjithë janë në trup mbrenda
Ndërsa mjeku i damarëve ngushëllohet:
Shyqyr që i ka shpëtuar dora e djathtë,
Me çka do të shkruante?

Në shok-dhomë ma shpojnë rishtas gjoksin
Duart venat thikat e pykat janë në trupin tim
Dhe trupi mund të zgjedhë jetën a vdekjen
Se shpirti niset diku në qiej
Nis të varet nëpër yje duke u munduar
T’i bëjë dy yje bashkë që do të digjen
Duke rënë në tokë.

Aty jam vetëm me milicët e armatosur
Që ndërrojnë pamjet nga ora në orë
Gra të veshura bardh më njohin terrorist
Në vesh më kanë vënë ndëgjojset
Ku ndihet gjëma e vëllait vaji i gruas
Dhe pëshpërimat e fëmijëve.
Ata duan të më tregojnë para vdekjes
Se i dinë të gjitha deri në minutën e fundit.

Atëherë kur trupi e zgjedh jetën
E dy yjet bien lidhur përtoke
Gruaja më rri pranë te shtrati
Ma lan gjakun nga trupi me alkool
Me pambuk të butë secilën qelizë secilën fije.

I lidhur për shtrati me sy të hapur
Shoh për dritareje si lind e si vdes dielli
Si lëkunden e vdesin gjethet e fundit
Duke e lënë cullak degën e plepit.
“Ai që e do jetën u hyp këmbëve të veta
E nuk lidhet për shtrati” flet Burbuqja.

Me gruan përbri u hypi këmbëve të mia
Dal në korridor dhe nëpër katrorin e dritares
Shoh një degë peme që ngjitet në qiell
Pamja më e bukur e gjithë jetës sime
Derisa tri gra plaka rrahin duart
Nga habia me mrekullinë time.

E unë i lidhur për shtrati e di më mirë se kurrë:
Për të shkruar nuk mjafton vetëm ëndrra
Nuk mjafton as vetëm dora e djathtë
Për të shkruar duhet kurrizi e duhet bytha
Duhet guximi për të shkruar që dhembja fizike
Është më e madhe se dhembja shpirtërore,
Jo vetëm fantazitë e dora e djathtë
Si thoshte mjeku më i madh i damarëve
Të prerë në Ballkan!

Le të dëshmojë më së miri Burbuqja!
A nuk është kështu zonjusha Burbuqe?