Sonte nata e 4 e festivalit të Sanremos, ngjitet në skenë edhe Ermal Meta

Sonte është nata e 4 e festivalit të Sanremos, ku në skenë debutojnë duetet, nën ritmin e hiteve të së shkuarës.

Një prej dueteve që priten sonte, mes emrave të mëdhenj të muzikës italiane, është edhe Ermal Meta me këngëtarin Manini.

Kënga titullohet “Nuk më keni bërë asgjë” dhe vjen mes 30 debutimesh të tjera nga Mango, Cocciante, Tiziano Ferro e shumë të tjerë.

Këtë vit artistët konkurrues mundën të zgjidhnin çdo këngë, italiane apo ndërkombëtare, nga çdo periudhë dhe nga çdo artist, të shoqëruar nga një ose më shumë të ftuar.

Shfaqjet e mbrëmjes së katërt janë pjesë përbërëse e konkursit dhe do të votohen nga publiku përmes televotimit dhe nga juria.

Në fund të mbrëmjes do të hartohet një renditje e re dhe do të shpallen pesë vendet e para. Më pas do të shpallet fituesi i mbrëmjes. / KultPlus.com

Eros Ramazzotti në skenën e Sanremos: Mjaft më me luftëra

Ka pothuajse 500 milionë fëmijë që jetojnë në zonat e konfliktit, miliona të tjerë që nuk do ta shohin kurrë Tokën e Premtuar, ka mjaft gjak, ka mjaft luftëra, tha dje në mbrëmje ylli i muzikës italiane, Eros Ramazzotti, i ftuar për të kënduar edhe një herë këngën ”Terra Promessa”, me të cilën 40 vite më parë fitoi Sanremon.

”Paqe! Boll më me gjak, boll më me luftëra”, deklaroi ai.

Apeli për të ndalur konfliktet u bë nga Eros Ramazzotti, i ftuar në skenën e ”Ariston” për të festuar 40-vjetorin e këngës, e prezantuar pikërisht në atë skenë.

”I detyrohem gjithçka Sanremos”, tha ai me emocion.

Në fund, Ramazzotti bën një apel për paqe.

“Pesëqind milionë fëmijë që jetojnë në zonat e konfliktit, miliona të tjerë nuk do ta shohin kurrë Tokën e Premtuar”, tha ai.

Ndërkohë, ylli i kinemasë, Russell Crowe ndezi ”Ariston”-in dhe u tall me John Travoltën.

Aktori nga Zelanda e Re, i cili me krenari zbuloi në Sanremo se ka origjinë italiane, nuk luajti ndonjë rol në skenën e ”Ariston”, por këndoi me grupin ”The Gentlemen Barbers Let the light shine”.

Një performancë e denjë për Grammy për të prezantuar turneun e tij nëpër Itali./ atsh / KultPlus.com

Sanremo 2024 thyen rekordet e audiencës

Festivali i pestë i Sanremos i drejtuar nga Amedeo Sebastiani (Amadeus) ka regjistruar një audiencë mesatare prej 10,5 milionë shikuesish me një përqindje prej 65,1%.

Për të gjetur një rezultat më të lartë të audicionit duhet të ktheheni 28 vjet pas, në vitin 1995, kur Festivali i organizuar nga Pippo Baudo me Anna Falchi dhe Claudia Koll mori 65,15% të audiencës.

Vitin e kaluar, mbrëmja e parë e Sanremo 2023 kishte marrë mesatarisht 10 milionë shikues me një përqindje prej 62,4.

Kulmi në vlerat absolute të mbrëmjes së parë të Sanremo 2024 u arrit në orën 22:09, kur Daniela Di Maggio, nëna e Giovanbattista Cutolo, doli në skenë, me 16 786 000 spektatorë para ekranit.

Shikueshmëria arriti kulmi edhe në orën 00:15 me 70,1% kur Big Mama performoi në skenë./ atsh / KultPlus.com

Këngëtarë të njohur të Sanremos zbresin në Vlorë, dhurojnë koncert në shesh

Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.

Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.

Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.

Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com

Anna Oxa dhe Iljard Shaba, dy shqiptarë me një performancë të paharrueshme në “Sanremo 2023” (VIDEO)

Festivali ikonik i Sanremos ka përfunduar për këtë vit, dhe është një nga ato për t’u mbajtur mend! Me pesë netë të përbërë nga shfaqje të panumërta, akte të dukshme, të qeshura, kujtime. Marco Mengoni qe ai që u shpall zyrtarisht fituesi i Festivalit të 73-të vjetor së Sanremo-s me këngën e tij “Due vite”. Festivali shënoi një rekord teleshikueshmërie e ndjekësish në rrjetet sociale sa nuk shihej prej viti të largët 1995. Ndërsa, për sa i përket natës së katërt të këtij festivali, KultPlus ju sjell në vëmendje interpretimin e rrallë të dy artistëve shqiptarë, Anna Oxa e Iljard Shaba, që rrëmbyen vëmendjen e të gjithëve në skenën italiane, shkruan KultPlus.

Iljard Shaba, një artist i vogël, shumë i njohur në botën e muzikës në Shqipëri, është një violonçelist profesionist, si dhe një interpretues DJ. Ai studioi muzikë në universitet dhe që nga mosha 16 vjeçare ai përsosi teknikën e tij me violonçelin. Falë një talenti të jashtëzakonshëm dhe një stili unik, ai ka qenë në gjendje të luajë në koncert në shumë vende të botës për më shumë se dhjetë vjet, me një repertor të përbërë nga muzika klasike, xhazi, muzika latine dhe gjithashtu këngë të tjera popullore.

Në Itali ai u bë i njohur si protagonist i dueteve në “Sanremo 2023” me Anna Oxa. Me këtë rast të dy kanë zgjedhur të ribënin kryeveprën “Un’emozione da poco”. Dyshja kanë interpretuar së bashku këngën me të cilin dikur këngëtarja me origjinë nga Kruja ishte prezantuar në festivalin e famshëm italian, në vitin 1978.

Këngëtarja Oxa numëron 15 pjesëmarrje në Sanremo dhe zëri i saj mahnitës nuk i është zbehur aspak.

Dy shqiptarë në skenën e Sanremo-s patjetër që kanë zgjuar emocione të forta, si një dyshe që do mbahet mend gjatë. Më poshtë KultPlus ua sjell performancën energjike dhe tejet të bukur të tyre.

Kujtojmë se në këtë “Sanremo” u shënua rikthimi i shumë emrave të njohur të muzikës italiane si Gianluca Grignani, Giorgia, Paola&Chiara, I Cugini di Campagna etj. / KultPlus.com

Anna Oxa dhe Iljard Shaba në ‘Sanremo 2023’ (Foto: Daniele Venturelli/Daniele Venturelli/Getty Images)

Dy shqiptarë në Sanremo 2023, violonçelisti Iljard Shaba do performojë me Anna Oxa

Disa ditë para fillimit të Festivalit të Sanremos, u shfaqën emrat dhe këngët e mbrëmjes së dueteve.

Mes të gjithë protagonistëve të prezantuar, ishte padyshim ajo e Iljard Shabës kombinuar me të madhen Anna Oxa. Një artist i vogël, shumë i njohur në botën e muzikës në Shqipëri, por më pak nga publiku jashtë kufijve.

Iljard Shaba është një violonçelist profesionist, si dhe një interpretues DJ. Ai studioi muzikë në universitet dhe që nga mosha 16 vjeçare ai përsosi teknikën e tij me violonçelin.

Falë një talenti të jashtëzakonshëm dhe një stili unik, ai ka qenë në gjendje të luajë në koncert në shumë vende të botës për më shumë se dhjetë vjet, me një repertor të përbërë nga muzika klasike, xhazi, muzika latine dhe gjithashtu këngë të tjera popullore.

Në Itali ai u bë i njohur si protagonist i dueteve në Sanremo 2023 me Anna Oxa. Me këtë rast të dy kanë zgjedhur të ribëjin kryeveprën “Un’emozione da poco” që përveç se këngës që do të interpretojnë do të falin shumë emocione si dy shqiptar në skenën e Festivalit të Sanremo-s 2023. /Top Channel / KultPlus.com

Chiara Ferragni do të jetë bashkë-prezantuesja e Festivalit të ardhshëm të Sanremos

Chiara Ferragni do të jetë bashkë-prezantuesja e Festivalit të ardhshëm të Sanremos. Prezantuesi i Sanremos, Amadeus e njoftoi lajmin në “Tg1” duke specifikuar se Chiara do të bashkëprezantojë me të mbrëmjen e parë dhe të fundit, përkatësisht atë të së martës më datë 7 dhe atë të së shtunës më 11 shkurt 2023.

“Zyrtarizojmë pjesëmarrjen e sipërmarrëses më të madhe dixhitale në Sanremo”, tha dirigjenti dhe drejtori artistik.

“Faleminderit Amadeusit që më donte në krahun e tij për të hapur dhe mbyllur Sanremon e 2023-it”, ka shkruar menjëherë Chiara Ferragni në Instagram, duke postuar një foto me prezantuesin.

Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.

Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.

Bashkëshorti i saj Fedez, i cili mori vendin e dytë në Sanremo në 2021 së bashku me Francesca Michielin nuk ka qëndruar dot pa reaguar.

“Gruaja ime do prezantojë, urime dashuria ime” tha ai duke bërtitur i lumtur për arritjen e saj. / Konica.al / KultPlus.com

Fituesi i dyfishtë i Festivalit Sanremo, Mahmood bëhet pjesë e festivalit ‘SunnyHill’

Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.

Skepta, AJ Tracey, Diplo, Elvana Gjata dhe Burak Yeter, janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.

Ndërkaq së fundmi, përmes një postimi në faqen zyrtare në  Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se këngëtari italian Alessandro Mahmoud apo ndryshe i njohur si “Mahmood”, është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali.

“Mahmood” ka fituar dy herë Festivalin Muzikor të Sanremos, në vitin 2019 me këngën “Soldi” dhe në vitin 2022 përkrah Blanco me këngën “Brividi”.

SunnyHill ka njoftuar gjithashtu se do të ketë edhe aristë të tjerë, emrat e të cilëve do t’i mësojmë më vonë./ KultPlus.com

Sanremo 2022: Çfarë dihet deri më tani?

Në edicionin e këtij viti të Festivalit Sanremo do të ketë një audience me numër të reduktuar. Kryetari i bashkisë së Sanremos, Alberto Biancheri e ka konfirmuar këtë në një deklaratë për agjencinë italiane të shtypit ANSA.

Kryebashkiaku i qytetit Ligurian konfirmoi se Teatro Ariston, i cili organizon festivalin vjetor të muzikës, nuk do të jetë me kapacitet të plotë këtë vit, për shkak të shqetësimeve aktuale shëndetësore

“Të shohim se çfarë do të ndodhë deri më 10 janar, por do të jetë një Festival me publikun. Edhe nëse nuk do të jetë një Festival qind për qind si ai i 2019-ës, nuk mund të krahasohet me vitin e kaluar. Sigurisht që do të jetë një Festival që deri tre muaj më parë askush nga ne nuk do ta kishte imagjinuar se do ta përballonte. Fatkeqësisht, infeksionet janë të larta”, ka thënë Biancheri.

Punëtorët në festival dhe artistët do të duhet gjithashtu të respektojnë kërkesat lokale dhe kombëtare në lidhje me kufizimet aktuale të COVID-19.

Kjo kërkon që ata të paraqesin një certifikatë Super Green Pass, certifikatën italiane të vaksinimit ose rikuperimit të plotë (një Green Pass standard pranon gjithashtu një rezultat negativ të testit). Artistët duhet të respektojnë rregulloret e Festivalit që u kërkojnë atyre të ndjekin çdo rregullore lokale ose kombëtare.

Do të ketë gjithashtu një kufi se kush ka akses në Ariston. Vetëm përfaqësuesit e kompanisë diskografike, nga një për secilin, që kanë leje të posaçme, do të lejohen të hyjnë në prova sipas rregullave.

Anëtarët e audiencës do të duhet gjithashtu të paraqesin një “Super Green Pass” për të parë festivalin.

Kufizimet po forcohen në të gjithë Italinë nga 10 janari. Prandaj, Sanremo do të bjerë brenda një periudhe kufizimesh të shtuara në të gjithë vendin.

Ky do të jetë edicioni i 72-të i Festivalit të Muzikës Sanremo. Ai do të mbahet midis 1 dhe 5 shkurt 2022. Ndryshimet e formatit po vijnë në shfaqje.

Kategoria Nuovo Proposte është hequr dhe tre akte janë paraqitur nga përzgjedhja e të sapoardhurit Sanremo Giovanni. 25 artistët pjesëmarrës u zbuluan muajin e kaluar. / KultPlus.com

Historia e këngëtares italiane që rrënqethi publikun e ‘Sanremos’: U rrit mes shpërndarësve të drogës në Romës

Ylli i popit italian, 30-vjeçarja Elodie është kthyer në një nga senzacionet e muzikës në Itali.

Albumi i saj i tretë në studio, në vitin 2020 ishte një nga 25 albumet më të shitura të vitit në shtetin Italian, shkruan Quotidiano, transmeton KultPlus.

Elodie Di Patrizi, e njohur si Elodie, është një nga bashkë-prezantueset e producentit Amadeus në mbrëmjet e festivalit “Sanremo 2021”, në skenë në Teatrin ‘Ariston’.

Pasi i magjepsi të gjithë në edicionin e vitit 2020 (me këngën “Andromeda”, e cila është shkruar nga Mahmood dhe Dardust, u çertifikua me pllakatën platin), ylli romak i muzikës pop u rikthye sivjet në “Sanremo” si prezantuese.

Elodie është e lindur në vitin 1990, u rrit në Quartaccio, një nga rrethet më periferike të Romës. Ardhur në jetë nga një baba italian dhe një nënë franceze kreole (me origjinë nga Guadelupa), në moshën 20 vjeçe ajo u zhvendos në Lecce për të punuar në diskoteka si kubiste dhe vokale.

Jeta e Elodie s’ka qenë e lehtë. Prindërit e saj u ndanë kur ajo ishte tetë vjeçare. Të dy prindërit kishin probleme serioze me varësinë nga droga. “Unë shkoja në shtëpi dhe nuk kishte ujë të ngrohtë, nuk mund të studioja, u përpoqa të mbroja motrën time që është tre vjet më e vogël se unë. U përpoqa të mos e lija atë të kuptonte se sa gjëra të këqija ishin. Një situatë që më bëri nervoze, më shkaktoi një zemërim të madh, por që kurrë nuk më bëri të ndihem e mposhtur”, ka treguar këngëtarja italiane në një intervistë për Corriere della Sera.

Elodie tregoi se si të rriturit në një lagje periferike ku shitej drogë e alkool, filloi të tymoste në moshën 12-vjeçare, për t’u qetësuar nga problemet e asaj kohe.

“Ti ndihesh e ndyrë, kjo është e vërteta. Është një kontekst që rrezikon të të përfshijë. Ne nuk studiojmë, askush nuk bën asgjë, askush s’të pyet për notat. Prindërit e mi nuk shkuan kurrë për të biseduar me një profesor. Unë kam bërë vetëm 8 vite shkollë dhe më janë dashur vite për ta thënë: Më vinte turp, si të isha një hajdute”.

“Unë vij nga një lagje periferike në Romë. Një realitet i sinqertë, mizor, por edhe i jashtëzakonshëm. Aty ku ka njerëz, madje me të drejtë, të demoralizuar dhe të zemëruar. Dhe unë isha një prej tyre. Lagjja ime më ka dhënë shumë dhe më ka marrë shumë, dhe unë nuk jam duke folur vetëm për privime material si p.sh. të mos kesh ujë të ngrohtë, të mos kesh para ose të mos jesh në gjendje të paguash faturat. Por unë jam duke folur për forcën për të ëndërruar dhe guximin për të ëndërruar”, u shpreh Elodie gjatë prezantimit në natën e dytë në “Sanremo 2021”.

“Unë gjithmonë kam dashur ta bëj këtë punë që kur isha fëmijë, por më dukej një ëndërr shumë e madhe në krahasim me një fëmijë, kaq të vogël, si unë. Unë nuk ndihesha në lartësinë e duhur. Nuk më pëlqente zëri im. Dhe mbi të gjitha, kuptova që nuk kisha mjetet e duhura. Shumë herë nuk i kam dhënë një mundësi vetes: Nuk kam mbaruar shkollën e mesme, nuk kam marrë diplomë, nuk kam marrë një patentë, nuk kam studiuar për kanto. Kam gabuar, e di. Por është e vështirë në disa kontekste të jesh në gjendje të përqendrohesh në atë që dëshiron të bëhesh kur të rritesh: çfarë mund të bësh me veten tënde”, ka thënë ajo.

“I dashuri im në një këngë thotë, “ti na vjedh kohën që është e vetmja gjë që kemi”. Dhe unë e kuptoj këtë shumë mirë, sepse nëse keni lindur në kontekste të caktuara duhet të punoni shumë më shumë se të tjerët për të marrë atë që duhet të keni. Dhe kështu ju punoni më shumë për të mbijetuar dhe është e vështirë të përqendroheni në ëndrrën tuaj dhe të përqendroheni te vetja juaj”, vazhdoi rrëfimin artistja italiane.

“Jua them shumë sinqerisht: Në moshën 20-vjeçare kisha vendosur që për mua muzika kishte mbaruar dhe nuk do këndoja askund. Madje as në dush, edhe kjo më dukej shumë. Unë kisha vendosur të mos bëja asgjë më shumë. Por unë isha shumë me fat, sepse diçka shumë e bukur ndodhi në jetën time – pata një takim me shumë fat. Takova një muzikant, një pianist xhazi. Quhet Mauro Tre dhe sonte është me mua në skenë.

Unë doja të të falënderoja në një nga momentet më të rëndësishme. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej në jetën time dhe doja të të falënderoja që më dhe një mundësi, të cilën nuk ia dhashë as unë vetes. Të gjithë meritojmë një moment të rëndësishëm në jetë. Dhe më bëre ta dua xhazin. Dhe padyshim që unë nuk ndihesha në lartësi as për xhazin, sepse ishte shumë elegant, shumë i lartë, shumë i rafinuar, por në fakt, xhazit nuk i interesonte nga vija. Sepse paragjykimi i përket qenieve njerëzore dhe unë isha e para që kisha një paragjykim për veten time. Prandaj të falënderoj nga zemra”.

“Ajo që Mauro më mësoi, jeta, muzika, është se nuk ke pse të jesh gjithmonë në lartësinë e duhur për diçka. Gjëja më e rëndësishme është t’i bësh ato, të kesh guximin të bësh gjëra dhe pastaj rregullohesh gjatë rrugës, mund të bësh shumë gjëra. Ndoshta nuk jam në lartësinë e kësaj skene, nuk jam në lartësinë e orkestrës, nuk jam në lartësinë e gjithë kësaj vëmendjeje. Por të jesh në lartësi nuk është më problemi im, sepse lartësia është një këndvështrim dhe jo problem”.

Në vitin 2009, Elodie mori pjesë në audicionet e ‘X Factor’. Suksesi erdhi pas vendit të dytë në edicionin e vitit 2015 të spektaklit “Amici di Maria De Filippi”, fitores së Çmimit të Kritikës ‘Vodafone’ dhe Çmimit RTL 102.5 – Amici alla radio.

Po atë vit ajo publikoi albumin e saj të parë ‘Another Life’, të prodhuar nga Emma Marrone dhe bëri një turne në Itali për ‘Emma’s Now Tour’. Në vitin 2017 ajo mori pjesë në “Sanremo” me këngën ‘All my fault’, duke u kualifikuar e teta, ndërsa në vitin 2018 ajo arriti majat e suksesit me ‘Nero Bali’ në bashkëpunim me Michele Bravi dhe Gué Pequeno.

Nga viti 2016 deri në vitin 2018 ai kishte një marrëdhënie me këngëtarin Lele, fitues i “Sanremo 2017” në kategorinë e artistëve të rinj, të takuar gjatë transmetimit të ‘Amici’.

Që nga viti 2019 ajo është fejuar me reperin e famshëm Marracash: të dy gjithashtu kënduan së bashku në këngën ‘Margarita’, një nga hitet e verës 2019.

Elodie ka deklaruar vazhdimisht se kishte një fëmijëri të vështirë, karakterizuar nga një ndarje e dhunshme midis prindërve të saj. Babai i saj ishte një artist rrugësh, nga ku edhe duket ta ketë trashëguar talentin për muzikë. /telegrafi/ KultPlus.com

Ermal Meta shkëlqen në Sanremo, i pari në klasifikim nga votat e publikut (VIDEO)

Ermal Meta ka shkëlqyer dje në Sanremo me performancën e tij. Ai garon me këngën “Un millione di cose da dirti”.

Kënga e Ermalit i bëri për vete të gjithë pasi solli poezinë e dashurisë së vërtetë në Sanremo shkruan Vanity Fair Italia. Ndërkohë që këngëtari është vlerësuar shumë nga kritika.

Sipas klasifikimit paraprak bazuar në votat e publikut të shprehura në natën e parë dhe të dytë të Sanremos këngëtari shqiptar kryesor listën për 26 artistët Big.

“Pa emër unë, pa emër ti. Dhe flasim derisa të mos na duhet më një emër. Pa nxitim unë, pa nxitim ti. Butësisht prekim njëri tjetrin për tu kuptuar më shumë”. Kështu nis teksti i këngës “Një milionë gjëra për të thënë” që është përcaktuar si teksti më poetik i festivalit që prek telat e shpirtit.

Rikthimi pas tre vitesh në Sanremo, pas fitores me Fabrizio Moro në Sanremo dhe vendit të pestë në Eurovision Ermali e nis me një këngë dashurie mjaft intime që vetë ai e kishte krijuar tre vite më parë dhe që mbeti në sirtar për një kohë të gjatë pasi artisti dëshironte ta paraqiste në Sanremo dhe gjet momentin e duhur, pikërisht këtë vit në të cilin të gjithë kemi rizbuluar vlerën dhe afërsinë me njëri-tjetrin. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

U bë e famshme me selfien me shenjat e maskës në fytyrë, infermierja me mesazh emocionues në Sanremo

Në mars të vitit të kaluar, në pikun e pandemisë, fotografia e infermieres Alessia Bonari me shenjat e maskës në fytyrë u bë virale gjithandej.

Infermierja 23-vjeçare Alessia Bonari e cila punon në një spital të Milanos, u bë një nga fytyrat simbolike të luftës kundër pandemisë.

S’do ta besoni sa ndryshe duket në Festivalin e Sanremos.

Ajo dhuroi një mesazh të rëndësishëm për të gjithë nga skena e teatrit Ariston.

“Situata është praktikisht gjithmonë e njëjtë sikur kur bëra atë fotografi, ne nuk duhet të neglizhojmë”, tha ajo, duke folur me producentin ekzekutiv të Sanremos, Amadeus.

 “Të bashkuar, ne me siguri do të kemi sukses”, u shpreh ajo.

Fjalë të thjeshta, por të përzemërta, për të cilat Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza donte ta falenderonte atë në Twitter, duke shkruar: “Faleminderit Amadeus dhe faleminderit Alessia”, shkroi ai.

 “Jeta ime nuk ka ndryshuar. Ne të rinjtë nuk jemi imun ndaj koronavirusit, ne gjithashtu mund të sëmuremi, ose akoma më keq”, tha infermierja, e cila luftoi në vijën e parë të frontit kundër virusit COVID-19./ KultPlus.com

Disa ditë në ‘Anije-Karantinë’ për të qenë në Sanremo

Nëse deri para disa ditësh dukej vetëm një hipotezë, mundësia e karantinimit të publikut të Sanremos dhe artistëve pjesëmarrës në një anije udhëtimi po bëhet gjithnjë e më konkrete.

Mediat italiane po flasin për një “anije karantinë” në Costa Smeralda, e cila mund të ankorohet në ujërat jashtë qytetit të luleve, në mënyrë që të krijojë një “flluskë” shëndetësore, transmeton KultPlus.

Sipas këtyre lajmeve, publiku prej 300-400 personash dhe artistët do të qëndrojnë të izoluar në anije dhe do t’u nënshtrohen tamponëve, në mënyrë që të jenë të imunizuar deri në fillimin e mbrëmjeve të Festivalit, kur ata do të transportohen së pari në tokë me varka dhe më pas në Ariston me autobusë të vegjël.

Kjo hipotezë është kundërshtuar nga hotelierët e Sanremos dhe nga kryetari i bashkisë, Alberto Biancheri. Qyteti i luleve preferon përdorimin e disa hoteleve “të blinduara”, siç po bëhet për “Sanremo Giovani”, gjithmonë duke i kushtuar kujdes respektimit të protokolleve anti-koronavirus.

Ende nuk ka një vendim zyrtar se si do të procedohet. / KultPlus.com

Vejsiu: Italia më dha atë që më takonte, duhen penalitete ndaj bullizmit dhe shpifjes në rrjetet sociale

Prezantuesja dhe sipërmarrësja Alketa Vejsiu në studion e Ilva Now në Euronews Albania rrëfeu eksperiencën e jashtëzakonshme gjatë prezantimit të Sanremos, teksa iu përgjigj edhe kritikave që vërshuan në rrjetet sociale në Shqipëri për prezantimin e saj.

Teksa iu referua titujve pozitivë në mediat italiane, prezantuesja tha se Italia i kishte dhënë atë që i takonte, gjithçka kishte ndodhur në mënyrë të natyrshme pa asnjë lloj menaxhimi nga pas.

“Tituj aq të ndryshëm dhe dashamirës janë vetëm rezultat i përjetimeve personale të gazetarëve italianë. Unë njoh vetëm mekanizimin e meritës dhe imponohen në një treg duke se unë vlej me krenarinë e një shqiptareje të barabartë me të gjithëve jo me stepjen e një shqiptareje që kujton gjithmonë se para 20 vitesh bashkëkombësit tanë iknin me gomone. Do ta them në çdo intervistë në Itali; Shqipëria jonë nuk është më ajo e gomoneve”, tha ajo.

Teksa iu referua vetëvrasjes së prezantuese së njohur britanike, Caroline Flack pas valës së kritikave dhe bullizmit në mediat sociale dhe tabloidë, Vejsiu bëri një paralele me Shqipërinë duke shprehur bindjen se aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete të forta ndaj kujtdo.

“Liria jonë mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sidomos kur je person publik. E kam thënë tek monologu i Jocker në festival. Jocker u vra nga sistemi, por edhe nga media. Të gjithë këta njerëz të papërgjegjshëm që iu është dhënë mundësia e fjalës, por nuk dinë ta përdorin siç duhet, gati-gati bëjnë një veprim kriminal.

Nuk është vetëm e turpshme, por është kriminale. Duhen sanksione, duhet të ketë ligje. Është kauza e Ciara Ferragni që njerëzit pas Instagram dhe Facebook duhet të kenë karta identitet, nuk mund të vazhdojë ajo lufta e profileve ‘fake’ që duan të intimidojnë njerëz që nuk ju kanë asnjë borxh dhe asnjë faj. Deri atje ku është kritikë dhe argument është e durueshme, është OK, patjetër që po.

Janë të mirëpritura argumentet. Por aty ku tejkalohen kufijtë moralë dhe ka bullizëm, duhet patjetër të ketë penalitete. Kjo është kostoja më e madhe kohës sonë. Do të kisha dëshirë ta nisja unë një betejë të tillë në Shqipëri. Kam një betejë shumë të madhe me ‘fake news’, është e rëndë, janë fjalë urgjente”, tha prezantuesja. /KultPlus.com

Alketa Vejsiu përshëndet edhe shqip në Sanremo

Prezantuesja simpatike shqiptare, e mirënjohura Alketa Vejsiu është ngjitur mbrëmë në skenën e madhe të festivalit të muzikës italiane, “Sanremo”.

Alketa Vejsiu shënon kështu një moment historik, pasi është e para shqiptare që u bë pjesë e prezantimit të këtij kompeticioni mjaft të rëndësishëm italian.

Prezantuesja shqiptare ka hyrë në skenë me një veshje elegante. Por veç veshjes ajo që ra në sy ishte komunikimi i lirshëm në italisht dhe aftësitë si prezantuese, gjë që u vlerësua me duartrokitje nga publiku italian, të cilët nuk ndalonin së duartrokituri.

Prezantuesja e njohur nuk e fshehu emocionin teksa zbriste shkallët e teatrit të famshëm “Ariston”. Ajo tha se pjesëmarrja në këtë festival ishte një triumf për karrierën e saj profesionale, ndërsa zgjodhi një moment të veçantë gjatë prezantimit për të përshëndetur në shqip të gjithë bashkëkombasit e saj.

Alketa Vejsiu kapërceu kufijtë dhe u bë epiqendra e natës së tretë të Festivalit italian Sanremo. Alketës iu besua një monolog, tema e së cilës ishte emigrimi. “Vij nga një vend i vogël si Shqipëria dhe doja të ndaja me ju një histori”, u shpreh në fillim prezantuesja e mirënjohur që dhuroi spektakël më vete në Sanremo.

”Njëherë e një kohë, ishte një vend ku dëgjimi i [Claudio] Baglionit dhe [Adriano] Celentanos ishte i ndaluar, bëheshe armik i popullit, mund të të kushtonte lirinë. Mund të përfundoje në burg. Njëherë e një kohë ishte një vend ku dyshonin nëse ishe bjonde, sepse bjonde ishte Raffaella Carrà. Njëherë e një kohë, ishte një vend ku italishtja mësohej nga transmetimet e RAI-t, ku Sanremo ishte gjithmonë Sanremo, edhe kur ishim të detyruar ta dëgjonim fshehtas, pasi mbyllnim mirë dyert dhe dritaret”.

Ajo falënderoi Italinë, që mbajti gjallë ëndrrat e shqiptarëve. ”Faleminderit Italisë që mbajti gjallë ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse nuk na braktiset kurrë. Nuk na braktisët kur morëm anijet për të mbërritur në bregun përtej detit për një mundësi më të mirë për të jetuar. Faleminderit Itali, sepse na keni dhënë shumë, na keni ndriçuar rrugën me kulturën, artin, bukurinë dhe muzikën tuaj”.

Mes fjalëve që emocionuan publikun në sallë dhe bënë krenarë miliona shqiptarë që po shihnin festivalin, Alketa foli edhe për tragjedinë e kanalit të Otrantos, në të cilën “u mbyt shpresa për të gjetur ‘Tokën e Premtuar’ në bregdetin përballë”. Teksa këndonte “Una lacrima sul viso”, në skenë u shfaq artisti italian 74-vjeçar, Bobby Solo.

Aftësia e Alketës për të folur shpejt dhe prezantuar saktë në italisht është veçuar dhe nga faqja zyrtare e Sanremos. Ndërsa komentet në rrjetet sociale të miliona italianëve që ndjekin spektaklin më të madh të këngës janë të jashtëzakonshm, Alketa vlerësohet për veshje, elegancën dhe komunikimin brilant. /KultPlus.com

7 këngëtaret e famshme së bashku në Sanremo për një kauzë të madhe

Sanremo mbërriti në natën e tretë, ku së bashku me Amadeus-in prezantuan Alketa Vejsiu dhe Georgina Rodriguez.

Mbrëmja nisi me surpriza. E papritur ishte prezenca e këngëtareve të famshme italiane, të cilat janë bërë bashkë për një kauzë të rëndësishme.

Alessandra Amoroso, Giorgia, Fiorella Mannoia, Laura Pausini, Elisa, Gianna Nannini dhe Emma Marrone do të jenë protagoniste të një koncerti të madh që do të mbahet më 19 shtator, në Campovolo.

Kjo është një nismë e këngëtareve për t’i thënë jo dhunës ndaj grave dhe për të mbledhur fonde që do të shkojnë në qendrat anti-dhunës. Mbrëmja muzikore do të quhet “Njëra, asnjëra, njëqind mijë”. /KultPlus.com

Ermal Meta, nesër mbrëma ngjitet në skenën e Sanremos

Nesër mbrëma, të premten, në natën e katërt të festivalit Sanremo në Itali, në skenë do të ngjitet edhe Ermal Meta.

Këngëtari shqiptar i cili tanimë është ndër më të njohur në Itali, do të ngjitet në skenën e festivalit përsëri, kësaj here jashtë garës.

Ermali do të këndojë në duet me Simone Christicchin, këngëtarin i cili është në garë.

Meqë nesër në mbrëmje këngëtarët në garë këndojnë me këngëtarë jashtë garës, Ermali vjen në skenë me më pak emocione, shkruan KultPlus.

Të shtunën e 9 shkurtit do të mbahet finalja e Sanremos kur edhe dihet fituesi i festivalit me shumë renome dhe mjaft prestigjioz në Evropë. / KultPlus.com

Momenti emocionues kur Ermal Meta dhe Fabrizio Moro shpallen fitues të Sanremos (VIDEO)

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente” morën mbrëmë dritën jeshile për përfaqësimin e Italisë në Eurovizion 2018-të.

Momenti i shpalljes së fitores së shqiptarit Meta dhe italianit Moro, ishte mjaft emocionues dhe mbi të gjitha ishte moment krenarie për gjithë shqiptarët.

Ky është ai moment i cili do të mbahet gjatë në mend nga protagonistët dhe gjithë adhuruesit e tyre anë e mbanë botës./ KultPlus.com

Kjo është kënga e shqiptarit Ermal Meta që do ta përfaqësojë Italinë në Eurovizion (VIDEO)

Mbrëmë në Itali u mbajt festivali prestigjioz Sanremo 2018-të, festival ky i cili fituesit ia siguron direk biletën për Eurovizion, shkruan KultPlus.

Mbrëmë emocionet ishin jo pak të forta edhe për shqiptarët, pasi që, në këtë festival ka marrë pjesë edhe këngëtari shqiptar Ermal Meta, i cili në duet me Fabrizio Moro sollën këngën “Non mi avete fatto niente” me të cilën fituan këtë edicion të Sanremos duke fituar të drejtën për përfaqësimin e Italisë drejt Eurovizionit.

Ermal Meta lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari me familjen e tij.

Kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro “Non mi avete fatto niente”, është kënga më e shkarkuar në iTunes dhe kënga më e dëgjuar në Spotify dhe platformat e tjera, ndërsa hashtagu ‘#IostconMetaMoro’ është më i klikuari në Tëitter këtë javë. Aplikacioni Shazam identifikon Ermal Metën dhe Fabrizio Moro si artistët më të kërkuar të javës dhe agjencitë e basteve kishin vënë kuotat më të ulëta për dy këngëtarët.

https://www.youtube.com/watch?v=R0NF8BZlH4I

Dëgjojeni këtu këngën e shqiptarit që do ta përfaqësoj Italinë në Eurovizion 2018-të, që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë./ KultPlus.com

Elhaida Dani ka plane të marrë pjesë në Sanremo Festival (VIDEO)

Një nga ngjarjet në kulturën shqiptare që mban emrin e Elhaida Danit është ajo e Eurosong 2015, ku Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren shkodrane, me këngën “I’m Alive”.

Pas shumë polemikave për ndërrimin e këngës fituese në festivalin e RTSH-së, “Diell” me “I’m Alive”, Elhaida dhe i gjithë grupi i festivalit u nisën drejt skenës së madhe europiane duke na dhuruar emocione para dhe gjatë performancës.

Edhe pse jo me një rezultat të mirë, sërish Elhaida mori më të mirën nga kjo eksperiencë dhe vazhdoi “aventurën” e saj në skena të tjera të mëdha si “Notredam de Paris”.

Ajo ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Thumb” të Aulonës dhe Fatmës, në ABC Neës ku ka treguar për këngën e re, “Më mbaj”, “Notredam de Paris” dhe sigurisht, për eksperiencën në Eurovizion.

E pyetur nëse ka ndërmend të rikthehet në atë skenë duke qenë se numri i fansave që i kërkojnë sërish pjesëmarrjen në Festivalin Evropian, Elhaida është shprehur se kurrë nuk thotë kurrë dhe s’e nuk i dihet akoma.

“Unë kam thënë që nuk do të marrë më pjesë në kompeticione vokale sepse mendoj që është momenti apo nevoja që unë të shpreh aftësitë e mia vokale. Ama sot, nëse them që nuk kam asnjë plan për të marrë pjesë në kompeticion, nuk do të thotë që nuk kam plan të rikthehem në Eurovizion”, shprehet Elhaida.

Ndërsa pyetjes lidhur me pjesëmarrjen në Sanremo, Elhaida i është përgjigjur duke thënë se ka plane për këtë festival, por për momentin nuk do ta ndajë akoma me ndjekësit e saj, përcjell Blitz.al.

Pra, edhe pse me dyshime, mund të themi se ka mundësi që Elhaida të marrë pjesë në Sanremo dhe pse jo, të presë biletën për në Evrovizion nën flamurin italian./ KultPlus.com

Këngëtari shqiptar Ermal Meta vazhdon me turneun e tij nëpër Itali

Ermal Meta ka publikuar kësisoj datat e turneut të tij nëpër Itali.

Një emër më shumë i njohur në Itali sesa në Shqipëri, shqiptari Ermal Meta ka bërë famë sidomos me pjesëmarrjet e tij në Sanremo Festival – festivali i muzikës shumë i respektuar në Itali.

Me datë 27 gusht turneu ka nisur në Verona të Italisë ndërsa do të vazhdojë deri me 19 tetor në Torino, me rreth 30-të koncerte dhe paraqitje në Mantova, në Trieste, në Milano, Romë, Palermo e qytete tjera.

Ermal Meta është 36 vjeçar, me origjinë nga Fieri, ndërsa në edicionin e këtij viti të Sanremos ai morri çmimin Mia Martini – çmimi i kritikës së festivalit dhe që mban emrin e një këngëtareje të madhe italiane, shkruan KultPlus.
Meta ende nuk ka paralajmëruar një koncert në Shqipëri apo Kosovë, sado që dukshëm shihet se ai ka fansa në të dyja vendet. Pas Anna Oxës dhe Elsa Lilës, ai është shqiptari tjetër që ka marrë pjesë në Sanremo dhe ka korrur suksese. / KultPlus.com