Dekretohen të gjithë ministrat, por jo edhe Gent Cakaj nga Kosova

Presidenti Ilir Meta sapo ka firmosur dekretet për 4 ministrat e rinj të propozuar nga Rama.

Ai ka dekretuar Elva Margaritin, Ministre E Kulturës, Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit Dhe Rinisë, Anila Denaj, Ministre E Financave Dhe Ekonomisë dhe Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës Dhe Energjisë, shkruan Sot.al

Por ende nuk ka një dekret për shkarkimin e ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati, ndaj dhe dekreti për emërimin e ministrit të ri Gent Cakaj duket se do të qëndrojë më gjatë në presidencë si rasti i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. / KultPlus.com

Bora, brymishta, krahneza, skllotina… fjalët e ndryshme për borën

borë/a

boricë/a — borë e hollë që shoqërohet me erë shumë të ftohtë.

borimë/a — borë e imët e përzier me shi.

bornajë/a — borë e madhe që ka mbuluar një vend

bufnjak/u — borë e imët dhe e butë si miell; borë jo e ngjeshur, e shkrifët.

brazimë/a — dëborë e hollë dhe e ngrirë.

brymishtë/a — dëborë e imët dhe fare e pakët, aq sa mezi zbardh tokën.

cakërri/a — shi i ftohtë, i përzier me borë.

cirkatë/a — Dëborë me shi bashkë, dëborë e qullët.

dejë/a — vend ku dëbora ka shkrirë fare ose është ulur.

dëborë/a

fërfëllizë/a — borë shumë e imët që bie e shoqëruar me erë të ftohtë, stuhi me borë të imët.

fërkem/i — gjurmë që lënë zakonisht kafshët e egra në dëborë, në baltë etj.

fijat (pavet.) — bie pak borë e hollë, fijon.

fjollë/a

frijë/a — borë e grumbulluar nga të fryrit e erës në pullaze a rrugë.

frulli/a — fërfëllizë.

frullon (pavet.) — fryn erë e fortë me borë, fryn fërfëllizë.

fryjë/a — borë e grumbulluar nga era nëpër gropa, nëpër hendeqe etj.

goren/i — erë e veriut, veriu; dëborë e madhe me erë të fortë.

guzhmë/a — secili nga dy rrathët e thurur prej thuprash, që vihen në këmbë për të mos u fundosur ose për të mos rrëshqitur në dëborë.

hordop/i — gropë e madhe që mbushet me dëborë (zakonisht në majat a në pjesët e larta të maleve).

imton (pavet.) — bie shi i hollë ose dëborë e imët.

kit/i — borë që rri në në degë të pemëve dimrit.

klitë/a — borë e ngrirë në degët e pemëve.

krahnezë/a — dëborë e ngrirë që ngjit mbi degët e drurëve; shtresë bryme e ngrirë mbi tokë, mbi bar ose mbi gjethet e degët e bimëve.

lëmesë/a — vend i lagët, me baltë ose me borë, ku të rrëshqasin këmbët

llapërçinë/a — borë e përzier me shi.

llapërkajë/a — llapërçinë.

llohë/a — borë e përzier me shi ose me breshër të imët, që bie zakonisht në mot me erë; borë e lagësht

llurbëtirë/a — borë e squllët.

miellazë — borë e imët si miell; pluhur bore që ngrihet kur fryn era.

mizon (pavet) — bie borë e imët.

përborm-ë/e (i/e) — i mbuluar me borë, i bërë me borë.

pjalm/i — Borë shumë e hollë; borë e imët që e ngre era përpjetë.

pupëlon (pavet.) — fijon borë.

ravë/a — rrugë e ngushtë, e çelur në mal; rrugë dhish, shteg; rrugë e çelur nëpër dëborë.

rre/ja — shteg i ngushtë; rrugë e ngushtë e hapur në dëborë.

rogavet (pavet.) — shkrihet bora roga-roga.

skllop/i — baltë e përzier me borë të shkrirë.

skllotë/a — shi e borë që bien bashkë.

skllotinë/a — skllotë.

shkupë/a — erë e fortë që shkrin dëborën

shqotë/a — skllotë.

shtrezë/a — borë e ngrirë në degët e drurëve

suferinë/a — erë e vrullshme dhe e ftohte, shpesh me borë a me shi të hollë.

tamblaborë/a — qumësht i përzier me borë.

thekon (pavet.) — bie me thekë (për borën).

vrotom/i — gropë e madhe në malet e larta e mbushur gjithnjë me borë, ku pinë ujë bagëtitë, gjatë verës

vrujishtë/a — vrotom.

(NGA PLATOR GASHI)

‘Rrjetet sociale janë të dëmshme, aty je personi i cili nuk je në realitet’

Si sot, para 2 vitesh, ndërroi jetë një prej filozofëve e intelektualëve më të njohur, Zygmunt Bauman.

Bauman, një sociolog dhe studiues i realitetit, e mbi të gjitha edhe i Holokaustit, në një intervistë të tij të vitit 2016-të pati thënë se rrjetet sociale janë një kurth për njerëzit.

“Pyetja mbi identitetin e njeriut është transformuar ndër vite, nuk është identiteti më diçka e dhënë, por diçka që ti e krijon. Megjithatë, rrjetet sociale e krijojnë një zëvendësim. Ju jeni ndryshe në rrjete sociale, dhe jeni ndryshe në jetën e përditshme. Në fakt, ti e ke jetën dhe komunitetin tënd, por rrjetet sociale nuk i ke ti, ato të kanë ty në dorë, secila prej tyre” pati thënë mes tjerash Bauman, një filozof polak i njohur pë rata që lexojnë sociologji e filozofi.

“Mund të shtosh shoqërinë, dhe mund të fshish këdo që dëshiron, pra ke kontroll mbi njerëzit me të cilët kontakton. Njerëzit ndihen më mirë për shkak se po mendojnë se po zvogëlohet vetmia – më i madhi kërcënim i kohëve moderne të individualizimit. Nuk është debat i rëndësishëm ai që bëhet me njerëzit që mendojnë sikur ti. Rrjetet sociale nuk mësojnë dialogim sepse shumë lehtë largohesh prej mospajtimeve. Shumë njerëz përdorin rrjetet sociale për të gjetur zonën e rahatisë, aty ku i vetmi zë dëgjohet është zëri i tyre dhe e vetmja fytyrë që shohin në fakt është fytyra juaj. Rrjetet sociale janë të përdorshme, kanë përdorim, por janë vetëm një kurth i kohës” pati thënë Bauman. / KultPlus.com

Historia e Brunos, qenushit që deshën ta mbysnin në lagjen Ulpiana

Bruno ishte gati të mos ia dilte, por dikush kaloi afër dhe e shpëtoi.

Derisa fëmijët në lagjen Ulpiana në kryeqytet donin ta mbysnin Brunon, qenush i zi e mjaft simpatik dhe energjik, Blerti – sot pronari i tij, e shpëtoi atë dhe sot shëtitë rrugëve të Prishtinës me të.

Në këtë kohë kur po shohim se si njerëz të pashpirt i fusin në përleshje mes vete qenushët e tyre, Blerti vjen si shembull i shpëtimit të një kafshe – një qenie tjetër në këtë botë.

Në faqen United for Animals është treguar rasti i Brunos, i cili sot e ka edhe faqen e tij në Instragram. Nuk keni parë një qenush më të bukur dhe energjik sesa Bruno.

“Adoptimi i Brunos ka qene njo prej vendimeve ma te mira qe i kom mar deri tash! Edhe pse Bruno ka qene i keqtrajtum prej fmive, sot ai i jep secilit fmi dashuri me krejte qenien e tij. Po shpresoj qe edhe njerez tjere si une kane me i jep vetes rast me perjetu dashurine e pakrahasueshme te nji qenit endacak” ka shkruar Blerti në postimin në Facebook, duke treguar rrugëtimin që i ndodhë çdo ditë me Brunon, rrugëtim ky i nevojshëm edhe për jetën e Blertit.

Brunon po provonin ta mbysnin duke e future në qese, duke e fundosur në ujë që t`ia merrnin jetën në një mënyrë mizore, fëmijët e paedukatë të Prishtinës. / KultPlus.com

Ylli Rrapi, myslimani që e ndërtoi i vetëm një kishë në Pukë

Nga fillimi i këtij viti bëri bujë historia e një burri në Spanjë i cili kishte dedikuar gjithë jetën e tij për të ndërtuar një katedrale i vetëm. Ishte një histori përtej së zakonshmes që ia vlente për vëmendjen e medias botërore. Megjithatë, mua më bëri të kujtoj se një mjeshtër në moshë në fshatin tim ka përfunduar një kishë fillikat i vetëm por pa marrë (e pa pritur) vëmendje nga mediat.

Vendosa që kur të bëj vizitën e radhës në Kryezi të Pukës do të ndaloj e ti bëj respektet njeriut që ndërtoi një kishë me duart e veta. Në njëfarë mënyre isha edhe kurioz të kuptoj motivimin e tij për këtë vepër.

Ylli Rrapi, një burrë i vogël por shumë i fuqishëm, tashmë 86 vjeçar por ende plot energji, u paraqit tek vepra e tij një ditë vjeshte plot diell. Ishte i veshur bukur, me mustaqe e kapele siç i ka hije një zotërie të moshës së tij në këto anë dhe i qeshur si gjithmonë. Ylli është mjeshtër i përkryer – kryesisht mjeshtër i gurit por edhe me talente të tjera.

Përgjatë një karriere prej afro 70 vjetëve, ai ka ndërtuar më shumë së 100 shtëpia banimi. Kisha është një ndër projektet e tij fundit përgjatë kësaj karriere kur ai ishtë në moshën “e re” 82-vjecare. Unë e njoh shtrëngimin e fortë të dorës së tij që në fëmijëri dhe është mbresëlënëse që ajo dorë vazhdon të jetë po aq e fortë.

Me plot zell Ylli më tregoi rreth e rrotull objektit, sfidat përgjatë ndërtimit e detajet historike të kishës. Edhe pse është dashur të rindërtohët nga themelet, kisha i përmbahet traditës së ndërtimit të Shqipërisë së Naltë, por në veçanti ngjall kureshtje simbolika e saj.

Dritaret nga jashtë ndjekin stilin gotik me një kulm të mprehtë, kurse nga brënda dritaret janë në formën e harkut romak. Unë nuk jam specialist i fushës por më ngjason deri diku me kishën e vjetër të Vaut të Dejës, që shqiptarët mbase e njohin nga kartmonedha prej 10-mijë lekësh (të vjetra).

“Ka qenë një kishë këtu që ishte e shenjtë si për katolikët si për myslimanët e kësaj zone” shpjegon Ylli.

“Komunistat e shkatërruen bashkë me lisat e qarrat shekullor për të krijuar një dylym tokë më shumë për kooperativën”.

Mësoj që lisat e vjetër të qarrit konsideroheshin si monument kulture.

Thuhet që kisha e vjetër qëndronte aty që prej më shumë se 800 vjetësh. Relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637 e përshkruan këtë kapelë bashkë më lisat e mëdhenj. Yllit i është dashur të bëjë kompromis me shumë gjëra por në shumë detaje ai i ka qëndruar besnik historisë.

Me shumë kujdes ai i ka gjurmuar gurët e kishës së vjetër tashmë nëpër mure mbajtëse të arave përreth ose të varrosur në dhè nga dekadat duke i pastruar për ti vendosur në cakun që ju takon. Dritaret janë një shembull. Por gjëja më mbresëlënëse janë dy gurët e qoshes që mbajnë mbi shpatulla harkun sipër portës në hyrje të objektit. Njëri nga këto mbart shenjën e kryqit, tjetri mbart një “X”.

Ylli thotë që këta gurë “tregojnë sa e vjetër është [kisha]”. Pas pak hetimeve nëpër internet konfirmova që shenja “X” u përdorte në kishat e hershme bashkë me kryqin.

Në një vënd si Shqipëria ku historia pak respekt gjen, të bëhet zemra mal kur sheh që këto detaje të rëndësishme nuk i shpëtojnë syrit të mjeshtrit.

Ylli më shpjegon që kjo kishë e dedikuar Shën Prendës [Venera, Veneranda] ka një vend të veçantë në këto anë sepse këtu vinin e luteshin njerëz që kishin probleme me lindjen e fëmijëve, përfshi edhe myslimanët.

E pyeta se cfarë e motivoi atë për t’i hyrë kësaj pune me gjithë ato shpenzime. Ylli shpjegon që “ky monument u prish nga regjimi [komunist]. E kam ndërtuar që ta gëzojnë brezat që vijnë, këtu e 800 vjet të tjera”.

Qartazi, Ylli e ka bërë gjithë këtë punë për t’i rikthyer komunitetit diçka që më parë i ishte privuar nga diktatura – mbase besimi ka një rol dytësor këtu. Më duket se Ylli ndërtoi këtë ‘tempull’ për të sjellë njerëzit së bashku, nëpërmes sharmit mistik e historisë së cilës nuk i njihet pikë-nisja.

I shtrëngova dorën e fortë edhe një herë këtij burri të vogël por punë-madh e shpirt-madh. Ndjehem i frymëzuar nga ky njeri që ndërtoi një monument për lirinë e ri-fituar, një tempull për komunitetin – në moshën 82-vjecare. Akti i Yllit është një gjest altruizmi komunitar i pashoq. Sikur më shumë njerëz nëpër botë të ishin si ai!

(E marrë nga Tema dhe Shkodër.info)

Kampi i Aushvicit shënon rekord të vizitorëve

Kampi i Përqendrimit Birkenau/Aushvic në Poloni vitin e kaluar është vizituar nga 2.15 milion vizitorë, rekord ky në këtë lokacion.

Mbi 400 mijë vizitorë janë regjistruar nga Polonia, mbi 218 mijë nga Britania, 116 mijë italianë, 95 mijë spanjollë, 76 mijë nga Gjermania dhe 65 mijë nga Izraeli, në mesin e të dhënave tjera që tregojnë se Kampi i tmerrshëm i kohës së Holokaustit tërheqë ende pas vetes publikun dhe emocionet e fuqishme.

27 milionë klikime ka marrë uebsajti i Aushvicit online.

Kampi i Aushvicit në vitin 1974 u fut në listën e trashëgimisë në UNESCO ndërsa sot funksionon edhe si një muze dhe hapësirë ku mësohet më shumë për Holokaustin dhe viktimat e tij, shkruan KultPlus.

Nga viti 1940 deri në 1945 të paktën 1,1 milion persona kanë vdekur në Auschwitz-Birkenau, 960.000 prej të cilëve burra gra e fëmijë hebrenj të shpërngulur nga vendet e Evropës së pushtuar nga nazistët. 75 mijë polakë, 21 mijë ciganë dhe 15 mijë sovjetikë u vranë gjithashtu në këtë kamp. / KultPlus.com

Katër libra për t’i lexuar gjatë muajit janar

Dita e tetë e janarit, por aspak vonë të nisim një libër.

Viti 2019-të mund të jetë një tjetër vit i mbushur me libra, me lexime dhe me ikje nëpër realitete të ndryshme të cilat gjithmonë do ta pasurojnë mendjen tonë, fantazinë tonë, e do të na kursejnë prej aktiviteteve tjera që nuk na duhen.

Për këtë janar, KultPlus po propozon të nisni e të lexoni njërin nga këta libra. Për juve që jeni më të shpejtë, pse jo, lexoni të gjithë këta libra në janarin e ftohtë të 2019-tës. Vit i ri, por shprehia e leximit, le të mbetet e vjetra.

TRI BIJAT E EVËS – ELIF SHAFAK

I vendosur mes Stambollit dhe Oksfordit, nga vitet 1980 deri në ditët e sotme, “Tri bijat e Evës” është një rrëfim i ndjerë besimi dhe miqësie, tradite dhe modernizmi, dashurie dhe tradhtie të papritur. Perisë, një nënë dhe shtëpiake e pasur turke, gjatë rrugës për në një darkë në një vilë buzë detit në Stamboll, i grabitet çanta nga një lypës. Ndërsa lufton për t’ia rimarrë, nga çanta bie një fotografi e vjetër, ku duken tri vajza dhe profesori i tyre i universitetit. Një relike nga e shkuara dhe një dashuri që Peria përpiqet me dëshpërim ta harrojë. Fotografia e kthen Perinë në Universitetin e Oksfordit, kur ishte nëntëmbëdhjetë vjeç dhe doli për herë të parë jashtë vendit. Te profesori i saj mahnitës dhe rebel, te seminari mbi Zotin që i ndryshoi jetën.

DJALLI KOMIK – ZIJA ÇELA

Zija Çela është një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. “Djalli komik” është, ndoshta, më i ngjeshuri në korpusin e Zija Çelës. Por, paradoksalisht, duke qenë më kompakti, është edhe më i shtriri si intensitet emocional e figurativ, më simboliku dhe njëkohësisht më realisti. Është roman i shkruar me vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë. 

QYTETI BRI LUMIT – V.S NAIPAUL

Libri është një lloj autobiografie e një shkrimtari që la vendin e tij Indinë, për t’u shkolluar e më pas për t’u bërë një nga autoritetet e mendimit në Britaninë e Madhe. Është një përplasje e kulturave, mentaliteteve, botëve të vjetra që kanë dominuar fatet e njerëzimit. Libri shoqërohet në shqip me një parathënie nga kritikja dhe shkrimtarja e njohur angleze Elizabeth Hardëick. “Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe ishujt Karaibe janë burimet që Naipaul përdor për imagjinatën e tij krijuese, në letërsinë artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

ARBËRIT E JONIT – PËLLUMB XHUFI

Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë. Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Studiuesi Pëllumb Xhufi e ka hulumtuar këtë kohë, dhe ka përmbledhur një libër që duhet ta lexoni këtë vit, e pse jo ta nisni qysh tash, në janar.

Sa libra do t’i lexoni gjatë vitit 2019?

Goodreads është një faqe simpatike e cila kontrollon se sa lexojnë njerëzit, dhe është platformë ku mund të mbani evidencë të librave që lexoni.

Madje, çdo fillimvit mund të caktoni një sfidë dhe garë për veten tuaj, me numrin që e caktoni për librat e lexuar. Ka njerëz që lexojnë 50 libra, ka të tjerë që lexojnë 15 libra, por Goodreads do t`ju bëjë ‘presion’ që ta mbani fjalën e dhënë në fund të vitit.

Kësisoj, të gjithë librat në Goodreads kanë edhe vlerësimin e njerëzve që i lexojnë, ose me pikë ose me komente.

Dhe pasi jemi në janar, njerëzit nga mbarë bota kanë caktuar numrin e tyre të planifikuar, i cili kuptohet që mund të ndryshojë. Megjithatë, përpos Goodreads, njerëzit mund të vendosin edhe vet se çka do të lexojnë dhe sa libra në secilin muaj të këtij viti do t’i shfletojnë, qoftë në letër apo me anë të platformave si Kindle apo librit elektronik.

KultPlus po e pyet lexuesin e saj, sa libra do të lexoni ju këtë vit, dhe cilin libër e keni nisur tanimë, cili është fillimi i mbarë për ju në këtë vit në aspektin e leximit të librave?

Ky dizajner shqiptar u përkujdes për veshjen e Iskra Lawrence në Golden Globes

Ajo është një nga modelet më të kërkuara të momentit,dhe për veshjen e saj u përkujdes kreatori shqiptar i modës, i cili vepron në Kosovë, Valdrin Sahiti.

Iskra Lawrence është shfaqur elegante teksa ka pozuar për revistat InStyle dhe Warner Bros.

Bukuroshja ishte pjesë e ndejës së organizuar pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globes” në hotel “The Beverly Hilton” të Los Angelesit.

Ajo dukej e bukur në një fustan me saten të kaltër teksa shfaqte shpatullat gjersa kishte brez të detajuar në bel.

E për këtë veshje të 28-vjeçares u përkujdes kreatori shqiptar i modës, i cili vepron në Kosovë, Valdrin Sahiti.

Këtë e ka bërë të ditur vet artisti teksa ka publikuar disa shkrime të mediat të huaja në llogarinë personale në Instagram. Ndryshe, Golden Globes ka mësuar edhe fituesit, ku çmimet kryesore i kanë rrëmbyer filmi dhe protagonistët e tij, “Rhapsody Boehmian”. / radiourbanfm


Fjalimi më emocionues i nënës gjakovare sot në protestë (VIDEO)

Sot nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës kanë protestuar kundër ardhjes së pelegrinëve të Serbisë në këtë territor.

Dihet se Serbia ka vrarë njerëz edhe në Gjakovë, i cili mbetet ndër qytetet më të prekura në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë video që transmeton emocion të madh, shihet një nënë gjakovare e cila flet për aktualitetin e dhimbshëm të Kosovës. / KultPlus.com

Gjakova sërish do të protestojë kundër pelegrinëve serbë të dyshuar për krime

Qytetarët e Gjakovës kanë paralajmëruar protestë paqësore për të kundërshtuar vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë, të cilët janë të dyshuar për krime lufte.

Përmes një njoftimi, organizatorët kanë thënë se nuk kanë problem me besimin e pelegrinëve, por me të bëmat e tyre.

“Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar kripë në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Nën motot “Gjakova nuk harron” dhe “Gjakova kërkon drejtësi”, protesta pritet të mbahet të dielën, me fillim nga ora 08:00 tek rruga “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

‘Emnin ma thonë Ditmir, kam lind fiks në orën dymbëdhjetë të mesnatës’

Poezi nga Liridon Mulaj

Emnin ma thonë Ditmir!
Kam lind fiks në orën dymbëdhjetë të mesnatës , 
ndaj nuk kam datëlindje. 
I mbështjellun në fanellata që kuderbojnë era shurrë, 
vështroj tullumbacet e argjendta në krevatin ngjitur
Nji emën tjetër formojnë, e tjetër shpresë ngjizin për dikë tjetër. 
Jam me ngjyrë të lëkurës nanës, apo dhe babës 
paçka se këtë të fundit nuk e njoh , 
edhe pse unë mbaj aromë braktisjeje 
zhytun në fanellata të ndotuna , 
kapun prej duarsh të forta të mamive 
që më prekin si dinamit, gati me shpërthy

Emni jem asht Ditmir! 
I lindun në ditë keqe, me diell e re 
pa dëshirë e dashni , mbushun udhët me braktisje 
Kam tokën për shollë,qiellin për tavan 
e rrugën trajektore përshkuese 
si kurba e burrnimit në tabelën e vuajtjes 
ku indeksi i mirëqënies matet me monedhat e faluna 
e duart e zgjatuna.

Jam biri i tokës dhe i diellit 
i hanës dhe i reve. 
Jam pesha e dheut e barrë e 
e kalimtarëve qi ndrrojnë rrugë përballë meje. 
Jam sperma e prishun e nji të papërgjeshmi 
, jam përtese apo ndoshta dashnia e nji gruaje pjellore jashtë parashikimit. 
Jam i bardhë, i zi , ndoshta dhe pa ngjyrë por s’jam si ju. 
Jam zgjatim në këtë jetë, asnjeherë i pritun 
gjithmonë i pavënd.

Emni jem asht Ditmir, 
emnit tem, s’ja njoh kuptimin…

255 herë në skenë tek ‘Traviata’, Ermonela Jaho: Ëndërroj ta këndoj sërish Violetën

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, do të ngjitet në skenën e Operës Mbretërore në Londër nga data 14 janar. Edhe kësaj here vjen nën petkun e Violetës tek opera “Traviata” e Xhuzepe Verdit. Deri më tani artistja me origjinë shqiptare e ka interpretuar këtë rol mbi 255 herë në skenat ndërkombëtare, megjithatë ajo gjen përherë diçka të re, për t’ia transmetuar publikut  

Vazhdimisht e krahasojnë me Maria Callas, Ermonela Jaho është ekuilibri i përsosur i vendosjes dhe ndjeshmërisë. Aftësia e saj për t’u bërë mishërim i plotë i karaktereve të saj, e ka lejuar Jahon të paraqesë interpretimet ‘emocionalisht shkatërrimtare’ të heroinave dramatike më pjellore.

Këto ditë Jaho është në Londër për të ngjitur “Traviatën” në Operën Mbretërore në Londër. Për mediet e huaja, Jaho rrëfen se për herë të parë ka kënduar kur ishte vetëm pesë vjeç në një festival në Tiranë. Ndërsa, kur ishte 14 vjeç opera e parë që ka parë në skenë është “Traviata” e Xhuzepe Verdit. Nuk dinte asgjë për të, por që prej herës së parë që e pa ra në dashuri me këtë opera. Në ato momente një derë është hapur për Jahon, aq sa do të vendoste se çfarë do të bëhej.

Tanimë e ka interpretuar në skenë mbi 255 herë, por sërish e ëndërron. Ndien një liri të plotë gjatë këndimit, duke e ndier veten më rehat sesa në jetën reale.

Performancat e Jahos vazhdojnë që të ndryshojnë edhe për shkak të përvojës jetësore. Emocionet e saj zhvillohen së bashku me personazhet. Në Traviatën e parë ndihej si në një film rocky, e rraskapitur, por sa herë që e bën këtë rol tani gjen diçka të re. Ndonëse, në skenë duke kënduar jetën e dikujt tjetër, megjithatë ndjenjat njerëzore që përcjell, ajo i gjen thellë brenda vetes, 

Madam Butterfly, Traviatta dhe suor Angelica, tre personazhe dramatikë, tre gra në të cilat Jaho admiron forcën që ato kanë, madje tek ato gjen gruan shqiptare. Gjen mënyrën se si ato kanë sakrifikuar edhe kanë dhënë gjithçka me dashuri në jetën e tyre, cilësi këto që i gjen edhe brenda vetes.

Edhe këtë janar në Opera Royal rikthehet me Traviatën, sepse ëndrra e saj nisi me Traviatën. Debutimi i parë në Shtëpinë Mbretërore të Operës ishte më vitin 2008, megjithatë lidhja e saj me audiencën e Londrës vazhdon që të jetë shumë e rëndësishme për të, çdo herë përjeton emocione të reja.

‘Hidhmë tek ujqërit, dhe unë do të kthehem duke i prirë kopesë’, 20 thënie që ju mbajnë të frymëzuar

  1. Udhëtimi i një mijë kilometrave, fillon me një hap të vetëm.

Lao Tzu

2. Gjëja më e bukur për të mësuarit, është se askush nuk mund të ta marrë.

B.B.King

3. Mendo jashtë kornizës.

4. Qëndroni gjithmonë të uritur. Qëndroni gjithmonë “të marrë”.

Steve Jobs

5. Gjërat e mëdha bëhen nga një seri gjërash të vogla, që bashkohen.

Vincent Van Gogh

6. Frymëzimi ekziston, por ai duhet të të gjejë duke punuar.

Pablo Pikaso

7. Hidhmë tek ujqërit, dhe unë do të kthehem duke udhëhequr kopenë.

8. Nuk kam dështuar, thjeshtë kam gjetur një mijë mënyra që nuk funksionojnë.

Tomas Edison

9. Puno fort, deri kur të vijë dita kur nuk do të të duhet të prezantohesh.

10. Nuk do ta kalosh asnjëherë oqeanin, nëse nuk ke guximin të largosh sytë nga bregu.

11. Shkruaj kur je i pirë. Redaktoje kur je esëll.

Ernest Hemingueji

12. Durimi është shoqëruesi i mencurisë.

Shën Agustini

13. Nëse do i kisha pyetur njerëzit se cfarë donin, ata do të kishin thënë: “Kuaj më të shpejtë”.

Henry Ford

14. Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten.

Leon Tolstoi

15. Ai që nuk guxon ta rrokë nga gjembi, nuk duhet ta shijojë kurrë trëndafilin.

Anë Brontë

16. Gjithmonë duket e pamundur… deri kur bëhet.

Nelson Mandela

17. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë mëson.

18. Kur gjithcka të duket sikur po i ngjitesh një mali të lartë, thjeshtë mendo sa e bukur do të jetë pamja nga maja.

19. Gjithcka që ke dashur ndonjëherë ndodhet në anën tjetër të frikës.

George Addair

20. Kurrë mos u pendo për një gjë që të ka bërë të buzëqeshësh.

Mark Tuein

Publikohet koncerti i Shpat Dedës në Tiranë

Koncerti i plotë i kantautorit Shpat Deda, i mbajtur më 12 tetor 2018 në Amfiteatrin e Parkut në Tiranë, tani publikohet online.

Ky koncert e shënoi fillimin e turneut ‘Ambël e Thartë’ në 10 qytete të Shqipërisë për nder të 10 vjetorit të karrierës muzikore së Shpat Dedës. 

https://www.youtube.com/watch?v=JwPghyPXSUs&feature=player_embedded

19 vjeçari nga Kosova gjen një gabim të madh në Skype, pret të shpërblehet nga Microsoft

Florian Kunushefci është 19 vjeçari nga Kosova që ka arritur të gjejë një dobësi në Skype, e për çka më pas kishte kontaktuar Microsoftin për ta eliminuar këtë dobësi.

Një gabim në Skype mund të jepte qasje në telefonat Android duke e anashkaluar kodin, me ç’rast do të mund të shfrytëzoheshin të dhëna të ndryshme si foto, kontakte, madje edhe të hapje disa dritare të shfletuesit.

Kunushefci për Koha.net bën të ditur se si kishte kontaktuar më Microsoftin që tashmë ka eliminuar këtë problem.

“Dobësinë së pari e kam raportuar më 22 tetor në Microsoft dhe kam marr përgjigjen e parë më 23 tetor. Dobësia e raportuar ka marr kohë deri sa është rregulluar dhe më 23 dhjetor kjo dobësi nuk ekziston më”, ka treguar Kunushefci.

Ai tregon se si e zbuloi këtë dobësi.

“Pasi që jam përdorues i Skype gjersa isha duke punuar me të, pata një ndjesi që ka diçka që nuk shkonte, me një funksion të aplikacionit ku më jepte më shumë funksione se sa duhej. Pasi që e kam vërejt këtë kam filluar të mendoj ndryshe nga një shfrytëzues i thjesht, ku pas kësaj kam hulumtuar dhe kam gjetur se ka mundësi të qasem në pjesën ku kërkohet ‘authentication’ të Androidit”, ka thënë ai për Koha.net.

Ai thekson se kjo dobësi më tepër i përket Skype-it, derisa pret të shpërblehet me “Hall of Fame” në mesin e hakerëve të tjerë.

“Mendoj se kjo dobësi i përket më shumë Skype-it pasi që gjatë ndërtimit të aplikacionit nuk janë paraparë masat e sigurisë për mos qasje në disa pjesë. Dobësinë e kam raportuar në Microsoft dhe pritet që nga mesi i janarit të shpërblehet me ‘Hall of Fame’ në mesin e hakerëve të tjerë që kanë raportuar në Skype”, ka thënë ai.

Më poshtë mund ta shikoni një video që e demonstron këtë dobësi.

‘Kujton baba i Lules, po ja kallim shpijen’ (VIDEO)

“Kujton baba i Lules” është një prej këngëve më të mira të folklorit shqiptar.

E sjellë në forma e versione të ndryshme, kjo këngë është gjithmonë e dashur për publikun shqiptar. Dhe ajo këndohet edhe sot, që gjeneratat e reja ta kultivojnë e mos ta harrojnë.

Këngëtarja Kejsi Tola e ka sjellë këtë këngë tash vonë në xhirimet e Vitit të Ri në Shqipëri, dhe ka postuar videon në Youtube.

Në emisionin “Shiko Kush Luan”, Kejsi ka sjellë këtë këngë mes këngëve tjera, bashkë me këngëtarët tjerë të estradës shqiptare si Flori Mumajesi, Krusita, Klajdi Haruni e emra të tjerë. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BsOG6ooAKaj/?utm_source=ig_web_copy_link

‘Balta më e ëmbël se mjalta – Zërat e Shqipërisë Komuniste’, në mesin e 7 librave më të mirë në Poloni

Në Poloni, pa një libër mbi Shqipërinë literatura e vitit 2018-të nuk do të ishte e kompletuar dhe kaq e begatshme.

Kësisoj së paku vlerëson ONET KULTURA, një faqe e njohur mbi artin dhe kulturën në Poloni e cila e renditë librin për Shqipërinë në mesin e shtatë librave të përkthyer në polonisht, pa të cilët viti 2018 do të ishte i tmerrshëm.

Në këtë listë është edhe libri ‘Balta më e ëmbël se mjalta – Zërat e Shqipërisë Komuniste” (Mud sweeter than honey, Voices of communist Albania) shkruar nga Malgorzata Rejmer.

Libri në fjalë i jep zë viktimave të regjimit komunist, të cilat arritën të shpëtonin ndër vite torturës, dhunës, persekutimeve, paranojës, internimit – pa asnjë dëmshpërblim. Libri flet për Enver Hoxhën, për Bunkerët, për Kadarenë, për Radio Tiranën, për Vaçe Zelën dhe për Adriatikun.

Në këtë listë janë edhe libra tjerë që i ka përmbledhur kjo redaksi, shumica prej tyre libra nga letërsia polake apo romane të përkthyer në polonisht, shkruan KultPlus.

Letërsia shqipe, në anën tjetër, njëjtë sikur edhe realiteti shqiptar gjithmonë kanë qenë në fokusin e interest për tregun letrar polak dhe për botuesit në Poloni. / KultPlus.com

‘Tërë natën ka vazhduar dhunimi i grave dhe vajzave’

Mehmet Mazrekajt i dridhen duart në prehër derisa kujton një natë marsi të vitit 1999 kur vdekja erdhi në fshatin Beleg të Deçanit, në perëndim të Kosovës.

Arsimtari 74 vjeçar në pension, kujton se si forcat serbe i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, pastaj e lidhën dhe e lanë të dëgjojë parreshtur britmat e grave dhe vajzave derisa po dhunoheshin në një stallë bagëtish natën midis 28 dhe 29 marsit 1999. Ai tregon si u largua të nesërmen në mëngjes me një kolonë civilësh për në Shqipëri, dhe për ata që mbetën pas.

“Tërë natën ka vazhduar dhunimi i grave dhe vajzave. Shumica ishin nxënëse të mia në gjimnaz”, tregon Mehmeti për BIRN në shtëpinë e tij në Drenoc të Deçanit. “Pas mbetën 70 burra. Shumica e tyre nuk u gjetën kurrë”.

Në mesin e tyre janë tre familjarë të tij.

Brenda gati dy dekadave, Mazrekaj ka dëshmuar tri herë në gjykatë për masakrën e Belegut, së pari kundër Sllobodan Millosheviqit, si dhe në atë kohë shefave politikë, ushtarakë dhe policorë të tij që udhëhoqën një luftë brutale për të shkatërruar ngritjen e guerilës shqiptare të Kosovës.

Më shumë se 4,600 persona kanë dëshmuar në Tribunalin e OKB-së për krime në ish Jugosllavi në gjykimet kundër të akuzuarve për planifikim, kryerje të vrasjeve masive, persekutim dhe dëbim, në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, gjatë shpërbërjes së federatës socialiste në vitet 90-ta. 

Për disa, të dëshmuarit ishte pak lehtësuese, një mundësi për të treguar historitë e tyre dhe të shohin kriminelët të dënuar. Por për të tjerët si Mazrekaj, fantazma e luftës nuk është mundur, sepse ajo çka përjetuan i la më shumë të traumatizuar, të mllefosur dhe të pakënaqur.

Në ditën kur Mazrekaj dëshmoi, Millosheviqi ishte i sëmurë dhe nuk ishte prezent në sallë të gjykatës. “Unë dëshmova. Por do të doja ta shihja në sy”, thotë ai. Kur Milosheviqi vdiq në dhomën e tij në Hagë në vitin 2006 para se të jepej verdikti i gjykatës për të, Mazrekaj ndjeu “sikur ai fitoi”.

“Mu kujtuan viktimat, ata që ai i vrarë pa ndonjë dënim. Mu duk një kasap me fat”, thotë ai.

Në vitin 2007 Mazrekaj dëshmoi sërish për tmerrin e asaj nate (marsit 1999) në Beleg kundër vartësve politikë dhe ushtarakë të Millosheviqit që drejtuan fushatën në Kosovë. Të gjithë ata u dënuan, por Mazrekaj mbeti i zhgënjyer.

“Nuk do ta quaja drejtësi” , thotë ai. “ Jo aspak”.

Mazrekajn vazhdon ta mundojë fakti që ai kurrë nuk mundi të thoshte në tribunal tërë atë që ai e di për atë natë, duke shmangur dëshminë për dhunimet nga frika e stigmës që do të mund të përballeshin viktimat dhe prindërit e tyre në mjedisin shpesh konservativ të shoqërisë kosovare.

“Isha nën presion të madh të viktimave që nuk donin të zbuloheshin”, thotë ai. “Isha në mes dy të zjarreve”.

(Marrë nga Balkan Insight)

‘Fëmija dhe zogu’ nga Ndre Mjeda

| Ndre Mjeda – Fëmija dhe zogu |

Fëmija
Çka ke, zog, që rri kaq idhun
N’at kafaz e nuk këndon?

Zogu
Jam ktu brendë si’i qen i lidhun
Prandaj zemra, më loton.

Fëmija
Fort i bukur, fort i dlirë
Ky kafaz dikur t’u duk.

Zogu
S’e kam dijtë për kaq t’vështirë,
Ktu ha helm ma shumë se bukë

Shpallen edhe projektet fituese te ‘Skena e vogël e vogël 2019’

Teatri Kombëtar i Kosovës në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues të TKK-së gjatë ditës së djeshme, pas propozimeve të menaxhmentit për repertorin artistik për vitin 2019, miratoi disa projekte.

Këshilli Drejtues i TKK-së, gjithashtu ka marrë vendim që për shkak të numrit të madh të aplikimeve të ardhura në adresë të TKK-së për skenën e vogël, ta rrisë numrin ne projekteve të aprovuara për këtë program të veçantë, duke i aprovuar në mesin e projekteve të propozuara këto koncepte.

Pesë projekte aprovohen për skenën e madhe të Teatrit Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës në mbledhjen e mbajtur të Këshillit Drejtues të TKK-së gjatë ditës së djeshme, pas propozimeve të menaxhmentit për repertorin artistik për vitin 2019, miratoi disa projekte.

Skena e madhe:

1.            “Karnevalet e Korçës” nga Spiro Çomora – Regjia: Altin Basha

2.            “Sfinga e gjallë” nga Rexhep Qosja – Regjia: Blerta Neziraj

3.            “Bryma e vdekjes” nga Milazim Krasniqi – Regjia: Burbuqe Berisha

4.            “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” nga Veton Surroi

5.            “Lear” nga Edward Bond

RTKLIVE / KultPlus.com

Sabit Kadriu, profesori që mblodhi dëshmi për krimet e kryera në Kosovë

***

“Në sytë e tij pashë trupat e vdekur të fëmijëve”

Sabit Kadriu, një profesor i gjuhës shqipe dhe ish-aktivist për të drejta të njeriut në Vushtrri, punoi në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në rajonin e tij, por ndihet skeptik në atë se sa ka arritur puna e rrezikshme që ka bërë ta çoi më tej luftën për drejtësi.

Kadriu dëshmoi kundër Milosheviqit rreth masakrës në fshatin Likoshan ku 24 civilë shqiptarë u vranë në fund të shkurtit të vitit 1998 si dhe vrasjen e mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari në Prekaz.

Kadriu thotë se ende i vjen në vesh zëri i Milosheviqit në sallën e gjykatës duke i thënë “Ndalu”, shkruan Balkan Insight.

“E shikova dhe në sytë e tij pashë trupat e vrarë të fëmijëve”, thotë ai. “Mu duk sikur u ndala, por në fakt isha duke folur”.

“Në atë moment doja ta përpija të gjallë”, tha Kadriu për BIRN duke kujtuar se u ndie i thyer kur Milosheviqi vdiq.

“Bashkë me të ndiq edhe çdo pritje për drejtësi”. Tribunali, tha ai, “dështoi të sjellë drejtësi”.

( Burimi: Balkan Insight )

Kështu dukej Jonida Maliqi kur doli për herë të parë në skenë (VIDEO)

Javë më parë këngëtarja Jonida Maliqi, u shpall fituese në “Festivalin e Këngës” në RTSH, duke marrë një nga çmimet më të rëndësishme në karrierën e saj.

Këngëtarja u shpall fituese me këngën “Ktheju Tokës”, me të cilën do ta përfaqësoj Shqipërinë në festivalin evropian “Eurovision”, që këtë vit mbahet në Izrael.

Por Jonida Maliqi, paraqitjen e parë e kishte pikërisht në “Festivalin e Këngës” në moshën 13-vjeçare, shkruan Magazina.al

Ajo është ngjitur për herë të parë në skenën e ‘Pallatit të Kongreseve’ në vitin 1995 për të kënduar në një duet me Aleksandër Rrapin në ‘Festivalin e 34-të në RTSH’.

https://www.youtube.com/watch?v=vz0SNZiySn4

Në një video, ajo shihet në një moshë mjaftë të re, por pavarësisht kësaj ajo është shfaqur me një siguri të plotë në skenë, duke interprtuar shkëlqyeshëm këngën “Planeti i fëmijëve”, shkruan Magazina.al

Nga ajo kohë kanë kaluar plotë 23 vite,ndërsa këngëtarja ka ndryshuar shumë si në aspektin profesional ashtu edhe në atë fizikë. / KultPlus.com