Dhashtë Zoti, të shkoftë jeta mbarë

Chavela Vargas – Que te Vaya Bonito

Dhashtë Zoti, të shkoftë jeta mbarë
Dhashtë Zoti që dhimbjet tua të marrin fund
Dhashtë Zoti të të tregojnë se unë më nuk jetoj
Takofsh njerëz më të mirë se unë.

Të të japshin çka unë nuk munda të të jap
Edhepse ti dhashë të gjitha
Megjithatë, më nuk të pengoj
Të adhurova, të humba, tash asgjë nuk ka kuptim.

Ref:
Sa shumë gjëra bashkë i mësuam,
deri në fundin e oqeanit të zemrës sime
Sa shumë dritë ende ke lënë ndezur
e tash nuk di si ti ndaloj.

Dhashtë Zoti dashuria ime nuk të dhemb
E njëjtë, Zoti bëftë që ti të më harrosh
I paç venat e mbushura me gjak
E një jetë të mbushur me fat.

Tash nuk e di nëse dashuria jote më mbyt
Çelik shpirtin e kam, si grua
Mos t`më thotë askush se jam frikacake
Pa e ditur se sa shumë unë të dua.

Një këngë e njohur nga Chavela Vargas është “Que te vaya bonito”. Chavela ishte një prej këngëtareve më të njohura në Meksikë, me origjinë nga Kosta Rika. Chavela për shumë vite ka kënduar nëpër rrugë, derisa u bë një zë i njohur.

Në moshën 81 vjeçare ajo doli publikisht si lezbike, një lajm ky jo i ri për fansat e saj të cilët e panë ndër vite dashurinë e saj për gruan.

Tekstin e këngës e përktheu nga spanjishtja A.Selmani. / KultPlus.com

Dhjetë piktura nga Kosova do të ekspozohen në vende të ndryshme të botës

Alberina Haxhijaj

Artistja Ellen Frank pas projektit të saj “Cities of Peace” është rikthyer në Prishtinë për të zhvilluar projektin “The Honor City Gratitude”, pasues i projektit bazë, i cili u përurua sot, shkruan KultPlus.
‘Prishtina: Qyteti i Nderit dhe Mirënjohjes’ u titullua projekti i cili solli të punuara disa punime përsëri me elemente filigrani dhe me fletë ari përmes së cilave shpërfaqet historia dhe ana kulturore e kryeqytetit të Kosovës.

Në fazën e dytë të “Cities of Peace” Prishtina është qyteti i parë në të cilin po implementohet “Qyteti i Nderit”, që përmban gjithsej 10 punime. Pikturat e fazës së dytë do të ekspozohen në mbarë botën së bashku me pikturat e shteteve të tjera të “Cities of Peace”. Ato përveç prezantimit në Muzeun e Kosovës do të ekspozohen edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Zyrën e Presidentit, Zyrën e MKRS-së, Zyrën e Ministrisë së Arsimit, MPJ.
Ellen Frank në përurimin e punimeve u shpreh shumë mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që morën pjesë në realizimin e pikturave duke përfshirë këtu studentët, fëmijët, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, artistët, edukatorët e të tjerët.

“Dua të ju them faleminderit që keni ardhur. Kjo ekspozitë nuk është për mua por është për ju pasi që është bërë posaçërisht nga ju dhe sonte jam e nderuar me punën e studentëve dhe të gjithë pjesëmarrësve që e kanë lënë zemrën e tyre në këtë punë, duke punuar me shumë dashuri”, u shpreh ajo.

Frank tregoi se në Kosovë ka shumë mirësi dhe dashuri, pra shumë dritë e cila vërehet menjëherë prandaj sipas saj është detyrë e institucioneve, e artistëve por edhe e të gjithë të tjerëve qe të arrijnë të kapin copëza të kësaj drite duke dhënë dhe bërë më të mirën.

Sipas Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, veprat e artit mund të flasin më shumë sesa fjalët e politikës.

“Kjo është një përmbushje e punës së mrekullueshme që është bërë ne kuadër të projektit që do ta rendisë Prishtinën në mesin e qyteteve të botës që bëjnë rrugën për ndërtimin e rrugës së paqes. Gjatë kësaj periudhe nga menaxhmenti i Muzeut jemi njoftuar vazhdimisht për zhvillimin e punëve dhe në cilësinë e Ministrisë së Kulturës dua të ju përgëzoj të gjithëve që keni qenë të angazhuar në projekt”, u shpreh ai.

Studentët të cilët morën pjesë në realizimin e këtyre punimeve u shpërblyen edhe nga “Global Institute for Arts and Leadership”. Ky projekt sjellë në jetë historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë vuajtur nga konfliktet dhe traumat, dhe po ashtu lartëson rëndësinë e qyteteve dhe synon të parandalojë shkatërrimin e arritjeve kulturore të njerëzimit./ KultPlus.com

‘Kur nervozohem, i thyej gjërat, lapsat, orët që bëjnë alarm’

“Në vend të gjërave që i bëj mirë, është më e lehtë të bëj listën e gjërave të cilat nuk mund ti bëj. Nuk mund të gatuaj ose ta pastroj shtëpinë. Dhoma ishte është rrëmujë, dhe vazhdimisht më humbasin gjërat. Më pëlqen muzika, por nuk di të këndoj. Jam i ngathët. Nuk di as të orientohem, shumicën e kohës nuk e dalloj të djathtën nga e majta. Kur nervozohem, i thyej gjërat, jam i tillë. Pjatat, lapsat, orët që bëjnë alarm. Më vonë i bie pishman, por është shumë vonë për pendesë. Nuk kam para në bankë. Jam i turpshëm pa nevojë, dhe nuk kam shumë njerëz me të cilët mund të flas”

Haruki Murakami – E dashura ime Sputnik

Haruki Murakami mbetet autori më i mirë që sot ka Japonia. Një prej pretendentëve për Nobel, nuk është më fakt që Murakami ka marrë zemrat e lexuesve në mbarë botën. Para pak javësh doli në shitje romani i tij i ri – Killing Comendatore.

Haruki Murakami ka lindur në Kioto të Japonisë në 1949 dhe tani jeton në afërsi të Tokios. Veprat e tij janë përkthyer në mbi 35 gjuhë të botës dhe renditet ndër shkrimtarët më të rëndësishëm japonezë mes Yukio Mishima, Kenzaburo Oe etj, si dhe mes shkrimtarëve më të kërkuar sot në botë. Haruki Murakami është autor i shumë romaneve dhe është cilësuar nga kritika botërore si një ndër përfaqësuesit më të sofistikuar të realizmit magjik. / KultPlus.com

Shqipëria, në mesin e dhjetë vendeve që rekomandohet të vizitohet vitin tjetër

Lonely Planet ka shpallur dhjetë shtetet dhe qytetet më të mira për tu vizituar për vitin tjetër.

Shri Lanka çuditërisht është shpallur shteti i parë në listë, pas Gjermanisë, si rekomandimi kryesor për vizitë vitin tjetër.


David & Bonnie / FLICKR

Kur vjen puna tek qytetet, Kopenhaga është qyteti më i mirë dhe më i rekomanduar për 2019. Novi Sadi i Serbisë është në vendin e tretë, ndërsa Zara e Kroacisë bën pjesë poashtu në dhjetëshe, sukses i madh ky për dy shtetet fqinje.

Novi Sadi është shpallur edhe Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2021. Zara është futur në listë për bukuritë e saj, për gërmadhat antike dhe për Adriatikun afër, shkruan KultPlus.

Kur flitet për shtetet ku është e leverdisshme të shkohet financiarisht, në listë është Shqipëria, me Butrintin e bukur, me Apolloninë dhe me malet e bukura. Sllovenia është në po këtë listë në vendin e dhjetë.

Ky duket si sukses i madh për Shqipërinë dhe një promovim i mirë për shtetin shqiptar për vitin 2019-të. / KultPlus.com

Qeveritë Kosovë – Shqipëri takohen në Pejë më 26 nëntor

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e ardhshme të përbashkët më 26 nëntor.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai ka thënë se kjo mbledhje e përbashkët do të mbahet në Pejë.

Limaj ka shtuar se po punojnë bashkërisht për temat dhe marrëveshjet që do të nënshkruhen. / KultPlus.com

Kosova sërish me pavijon të filmit në Tokyo International Film Festival

Qendra Kinematografike e Kosovës në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Japoni, kanë mundësuar që Kosova për herë të dytë të jetë pjesë e tregut të filmit “Japan Content Showcase – TIFFCOM 2018”, aleat i festivalit të madh “Tokyo International Film Festival”.

Pas tregut të Berlinales, Cannes dhe American Film Market, ky është tregu i katërt ku Qendra Kinematografike e Kosovës prezenton industrinë e filmit kosovar në botë.

Japan Content Showcase (TIFFCOM) është treg i madh i industrisë së filmit, TV-së, muzikës dhe animacionit, i cili mbahet nga 23 deri më 25 tetor 2018.

Sivjet marrin pjesë 371 ekspozues, ndër ta 208 nga Japonia dhe 163 nga shtete tjera. Të pranishëm me pavijon janë edhe shtetet e Amerikës Latine, Rusia, Kazakistani, Libani, Lituania, India, Zvicra.

‘Kaligula’ nga dora e fotografit Atdhe Mulla

Një sesion i veçantë fotografik vjen si pasaportë e shfaqjes “Kaligula” me regji nga Kushtrim Koliqi.

Drama “Kaligula” është një kryevepër e artit teatral, që është jetësuar ndër vite në skenat më të njohura teatrale. Kjo vepër e Camus është shkruar për herë të parë në vitin 1938, për t’u botuar më në fund në vitin 1945.

Personazhi Kaligula kapërceu mes lojës së shtatë aktorëve që ishin në skenë: Gresa Pallaska, Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Meli Qena, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Shkëlzen Veseli dhe Ylber Bardhi, në muajin maj të këtij viti kur edhe u inskenua në TKK.

“Të qeverisësesh do të thotë të vjedhësh”, është një nga fjalitë që të ngulitet fort në mendje, e që theksohet gjatë shfaqjes. Rrobat e personazheve në skenë janë të grisura, Kaligulën e identifikon një shallë ngjyrë vjollce që tregon pushtetin.

Arsyeja përse Koliqi e ka ndarë “Kaligulen”, në shtatë personazhe është pasi që ai ka dashur të luaj me fuqinë që Camus ia ka dhënë Kaligulës dhe ka dashur që këtë fuqi ta vë në lojën e shtatë aktorëve. Secili aktor që në 80 % të lojës është në pozitën e të nënshtruarit, momentin që vjen në rolin e “Kaligulës”, e keqpërdor atë pushtet në nënshtrimin e të tjerëve. / KultPlus.com

(Fotografitë janë publikuar me lejen e Kushtrim Koliqit, realizuar nga Atdhe Mulla)

Ecja tradicionale për luftimin e kancerit të gjirit, thirrje për ndërgjegjësim

Manifestimin tradicional me moton “Zbulimi i Hershëm-Mbijetesë”, organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, ka mobilizuar institucionet në mbrojtjen e shëndetit të gruas, raporton EkonomiaOnline.

“Është diçka që na prek të gjithëve. Nuk ka njeri në botë që nuk e kupton sa është me rëndësi diagnostifikimi i hershëm. Nëse duam të dimë se si duam të mbrojmë dhe të shpëtojmë nga ky rrezik është vetëm një përgjigje, është diagnostifikimi i kancerit të gjirit. Nëse është diagnostifikimi hershëm kaq i rëndësishëm çka mund të bëjëm ne, që të mos vonohemi. Mendoj që ky aktivitet i sotëm dhe vetë qendra që e ka qëllim diagnostifikimin e hershëm është dëshmi se ka vetëdije të madhe tek ne,” është shprehur kryeministri, Ramush Haradinaj, në hapje të manifestimit.

Ai thotë se femërat duhet të inkurajohen që të marrin guximin njerëzor që të veprojnë me kohë për kontrollet, raporton EO.

“Qeveria ka bërë ndryshim për qasjen në shëndetësi. E di që s’jemi aty ku kemi qenë, të ndihmojmë edhe që diagnostifikimi i hershëm të bëhet sa më parë,” deklaroi Haradinaj.

Ish-presidentja, Atifete Jahajga, beson fuqishëm se kanceri i gjirit mund të mposhtet dhe mund të luftohet.

“Ky është një hap shumë i mirë sepse kështu dëshmohet se ne ofrojmë kijdes dhe solidaritet për të prekurit nga kanceri i gjiri dhe zgjon vetëdijesim për këtë sëmundje. Është një nga sëmundjet më të vështira, është sëmundje që nuk diskriminon askënd. Kanceri i gjirit mund të mposhtet dhe mund të luftohet. Për ta mposhtur duhet të investojmë çdo ditë,” është shprehur ajo.

Me të prekurat nga kanceri i gjirit ka bashkëndjerë sot edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.
Këtij manifestimi në vazhdimësi i bashkohet edhe komuniteti artistik, dhe shumë donatorë për të përcjellur mesazhe ndërgjegjësimi. / KultPlus.com

“Hipokritët ose pacienti anglez” hapi edicionin e parë të ‘Qendra. Multimedia. Theater. Showcase 2018’

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin ODA është dhënë premiera e shfaqjes “Hipokritët ose pacienti anglez”nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj dhe Agon Myftari.

Premiera e kësaj shfaqje shënoi edhe hapjen e edicionit të parë të Showcase-it të organizuar nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.

Për tri ditë, 19-21 tetor, në Prishtinë në kuadër të këtij “showcase” do të bëhen së bashku artdashës të teatrit, letërsisë dhe kulturës në Kosovës si dhe rreth 30 mysafirë të huaj si selektorë festivalesh, kritikë, gazetarë, shkrimtarë e regjisorë të cilët do të vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Artë Retkoceri nga Qendra Multimedia tregoi për KultPlus se qëllimi i sjelljes së shfaqjeve në këtë format është që skena vendore të promovohet sa më shumë. Sipas saj realizmi i një projekti të tillë do të nxisë miqësi të reja dhe bashkëpunime të cilat do të ndihmojnë në promovimin e teatrit kosovar në botë por jo vetëm të tij pasi në kuadër të këtij organizimi do të ketë edhe diskutime, si dhe një mbrëmje muzikore e letrare.

“Ideja ka qenë me ftu njerëz të cilët merren me kulturë, art dhe me teatër sidomos që me ardhë me i pa këto shfaqje edhe kjo më sjellë edhe bashkëpunim të mëtutjeshëm. Në këtë rast kemi ftuar edhe mysafirë të cilët do të marrin pjesë dhe do kenë mundësi që të sjellin idetë e tyre dhe të lidhin edhe bashkëpunim e të bëjnë shkëmbime edhe me qendra të tjera por edhe me vendet ku organizohen projekte të këtilla”, tha ajo duke shtuar se synimi i Qendrës Multimedia është që çdo vit të organizojë nga një “showcase” të tillë.

Fillimi i këtij “Showcase” erdhi përmes komedisë “Hipokritët ose pacienti anglez”. Në komedinë “Hipokritët ose pacienti anglez”, 6 personazhet na tregojnë me shumë humor, për qendrat e masazheve në Ballkan, ku praktikohet ‘happy-end’-i (eufemizëm për masturbimin), për transplantin ilegal të veshkave e për operacionet mashtruese të stentave të zemrës – krejt këto, nën hijen e punimeve intenzive për ndërtimin e ‘autoudhës së paqes ballkanase’. Në “Hipokritët…” publiku sheh anën ‘pornografike’ të një shoqërie e cila është duke praktikuar një happy-end kolektiv…

Komedia “Hipokritët ose pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili, i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm. Shfaqja është realizuar nga dy regjisorë, Agon Myftari e Blerta Neziraj. Myftari tregoi për KultPlus se kjo shfaqje tematikisht lidhet rreth shëndetësisë dhe korrupsionit në shëndetësi, një tekst të cilin ai e ka ndjerë si obligim që ta vë në jetë pasi njerëzit duhet që të vetëdijesohen për problemet të cilat ekzistojnë në sistemin e shëndetësisë, veçanërisht në Kosovë.

“Mendoj që është një pikë që duhet të trajtohet dhe për të cilën duhet të flasim. Unë si regjisor e trajtoj përmes teatrit pasi që kjo është gjuha ime dhe kjo është arma. Kjo shfaqje ka pasqyrim të realitetit por në anën tjetër ka edhe nëse mundem me e quajtë një thirrje e cila në mënyrë shumë pesimiste kryhet, një thirrje për një revolucion për të përmirësuar gjendjen e shëndetësisë e cila akoma pa përfunduar shfaqja veç shuhet tu thonë e bëmë nesër, pastaj pasnesër, e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Drama përfundon me shkatërrimin e çdo gjëje dhe mbulim të “gjurmëve të krimeve” me ndërtime të reja, në këtë rast me”Autostradën për Paqe” dhe kjo ka shërbyer edhe si një nxitje për regjisorët që shfaqja vizualisht dhe estetikisht të ndërtohet me shumë elemente të ndërtimtarisë të cilat hasen edhe në përditshmërinë në Kosovë, tregoi regjisori Myftari.
Aktorja Ilire Vinca, e cila në këtë shfaqje luajti rolin e udhëheqëses së Qendrës së Masazhit, tregoi për KultPlus se kjo ka qenë hera e parë që ajo ka punuar me një tekst nga dramaturgu Jeton Neziraj.
“Ka qenë një rol vërtetë krejt ndryshe prej roleve që i kam realizuar deri tani. Fillimisht e kemi parë vetëm një pjesë të draftit por temën e shfaqjes e kam ditur që në fillim. Mendoj që është mirë kur kemi shfaqjet të cilat i prekin temat aktuale e që ndoshta shkojnë edhe përtej tyre e që vijnë me një ton edhe të komedisë së errët duke lënë mundësi shumë të madhe të komentimit dhe interpretimit”, u shpreh ajo.

Përveç Ilire Vincës në këtë shfaqje vijnë edhe Bajrush Mjaku, Dukagjin Podrimaj, Shpëtim Selmani, Ernest Malazogu, Daniela Markaj ndërsa muzikant ishte Art Lokaj. Këtu mund të gjeni më shumë informata në lidhje me programin si dhe shfaqjen e cila do të jepet sonte. / KultPlus.com

Martesat brenda së njëjtës gjini miratohen në Bosnje-Hercegovinë

Qeveria e Federatës së Bosnje-Hercegovinës ka miratuar kërkesën për legalizimin e martesave brenda së njëjtës gjini në seancën parlamentare të zhvilluar të premten e kësaj jave. Kjo lëvizje është përgëzuar nga grupi advokues për të drejtat LGBTI “Sarajevo Open Centre”, e cila ka ofruar asistencë për qeverinë në mënyrë që të miratohen ndryshimet e nevojshme.

“Ky draft u miratua pa e modifikuar dhe pa asnjë ndryshim nga formati origjinal që u propozua” shprehet krveministri Fadil Novalic. Ai u shpreh më tej se qeveria po ndjek hapat e BE. “Ne e marrim seriozisht çdo iniciativë që ndeshim në rrugën drejt BE” u shpreh Novalic.

Ministria e Drejtësisë në B&H ka propozuar që qeveria të formojë një grup pune ndër ministral, i cili do të jetë përgjegjës për analizimin e rregullores që do të lejojë çiftet brenda gjinisë së njëjtë për të ushtruar të drejtat që rrjedhin nga Konventa Evropiane për Të drejtat e Njeriut, si dhe propozimin e rregullores së re që duhet të miratohet brenda territorit të B&H.

Organizata nga shoqëria civile që lobojnë për të drejtat LGBTI+ janë treguar të gatshme të ndihmojnë qeverinë e B&H për të asistuar qeverinë dhe grupin e punës. Sipas anketave të realizuara, rreth 80% e çifteve brenda gjinisë së njëjtë kërkojnë të formalizojnë lidhjen e tyre, por mesa duket partnershipi nuk njihet prej shtetit. / KultPlus.com

Anri Sala, kërmilli dhe magjia në ekspozitën e radhës në Paris

Anri Sala është definitivisht emër i njohur në artin shqiptar por edhe atë evropian.

Sala, gjithmonë një provokues me artin e tij, ka hapur ekspozitën e radhës.
“If and Only If” u hap me 15 tetor në Paris, qytetin e bukur evropian ku Sala e vendosi inspirimin e tij të radhës, përcjellë KultPlus.

Dy filma të ri nga Sala shtuar këtu edhe disa skulptura dhe një seri e vizatimeve janë pjesë e ekspozitës në Galerie Chantal Crousel.

Videoja, me emrin e njëjtë sikur ekspozita, bazohet në “Elegji për Solo Viola” të Stravinskit, duke përcjellë një udhëtim të një kërmilli në harkun e violës. Violisti Gerard Causse dhe kërmilli kësisoj kanë kontakt mes tyre, sepse ritmi i kërmillit ka rol në performancën e Causse.

Punët tjera në ekspozitë, jo më pak të rëndësishme, janë ‘Slip of the line’ dhe ‘Resting Spells’.
Në konceptin e ekspozitës thuhet se secila punë e ekspozitës eksploron efektin e një veprimi – shembull manipulimin, në një veprim ekzistues, situatë, objekt apo kompozim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 24 nëntor të këtij viti.

Sala jeton në Berlin ndërsa që nga viti 1990 ai punon me medium të ndryshme artistike, përfshirë instalacionin, fotografinë, videon, skulpturat dhe vizatimet.

Interpretim gjithëpërfshirës mbi veprat e Servet Bytyqit

Nga Alban Nuredini.

Poezia është art në vetësinë e saj. Kuptimi i saj është mesazhi, definimi e ndjeshmëria. Duke qenë e tillë ajo labiron kozmosin, gjithësinë dhe gjithçka përtej saj.

MOTIVE PARADOKSALE

Motivi i jetës i epikës dhe i lirikës apo ndjenjës së atdheut, jetesa larg tij, janë vetëm disa nga frazat hyrëse në poetikën e poetit Servet Bytyqi, të cilat mjeshtërisht identifikojnë frymëzimin e tij origjinal, mbi këto botëkuptime të hapura!

Duke qenë e tillë, atë e identifikon hapi i tij i guximshëm, për të shkruar këtë këmbim i cili refketon si vullkan poetik, brenda poetikës së tij universale. Dhe pyetjet lidhen me një retorikë të gjerë fjalësh, simboleve e metaforave të cilat tashmë identifikojnë rrugëtimin e poetit Bytyqi.

Para pak kohësh, ai botoi librin poetik, “ Lulëbozhuri i Dukagjjnit”, i cili u promovua, dhe u pritë nga lexuesi jashtëzakonisht mirë, po ashtu nga kritika letrare. Një vepër poetike e frymëzuar në motive të thella atdhetare. Më tepër kjo vepër poetike të lë përshtypjen, e poetëve tonë të mëdhenj romantik, të cilët i dhuruan letërsisë shqipe, vargun vetëdijësues, rreth atdheut, ndjeshmërisë, jetesës larg tij, robërimit, mungesës- lirisë etj. Po ashtu, vepra përveç motivit në fjalë, ajo shqipëron autor të ndryshëm tashmë të përkthyer nga mjeshtëria e zotit Bytyqi, të cilën e dëshmon me librin e dytë të përkthyer me autor binom të letërsisë botërore. E, kjo dëshmon leximin e tij fasionant për poezinë, dhe prezenca e tij në poezi nuk është rëndomë, por një kërkim i ri, i cili premton emër me poetikën e tij shkruese në poezinë shqipe, dhe atë ndërkombëtare.

UNI POETIK

“ (*)… kur të nisë e plaket dita / dielli kur te perendoj/ mbi çatinë e shtëpisë sime/ hënë e plotë do të ndriçojë“ ….”. Nostalgji për etnicitetin,filozofia , loja me fjalën, figura e pranverës merr konotimin e mallit për atdheun,e që për të është dhënë emër i cili tejkon secilin konstatim, si aperencë tenduese që nuk njeh kufi kozmognik e shpirtëror. ( f. 150)

“ Hëna do t’u bjerë reve përmes,
ndoshta nga kjo botë do të fshihet kushedi?!,
do mungojë një mbrëmje një mëngjes
do qajë Sadiu plak nga Gjylistan i tij”.

Sigurisht lirika e dashurisë zënë vend të veçantë në poezinë e Bytyqit. E tillë është poezia “ Rekuiem për shtatorin”, krijim intim i cili në formë paradokslale i vë në pah këto përvëlime të zjarrta. Për të forcuar këtë konstatim sjellim vargjet e fundit të kësaj poezie;

….(*) “ le të qajë me lot shiu e heshtje
për drenushën e trembur në korije”. ( f. 151).

Nga ky artikulim, theksojmë se lirika e zotit Bytyqi, ta kujton vargun e poetit, F. Rreshpës, bota e dashurisë vie kaq veçantë, dhe këto shprehje poetike gulqojnë plot afsh e frymëzim!

Po ashtu, një tjetër element veçues në poezinë e poetit Servet Bytyqi, është ndërlidhja me këngën popullore, traditat, jetesa shaiptare në përgjithësi. Krahas motivit lirik siç e theksuam më lartë, në veprën e tij ka të radhitura poezi nga historia e jonë e hershme shqiptare. Këtu veçojmë, atdheun, gjuhën dhe mërgimin. Një trini e cila pothuajse e bën të përsosur epikën e autorit. Rrugët djallkeqe larg atdheut që marrin të rinjët ku në vendlindjen e stërgjyshëve rrezikohen vlerat kombëtare, kjo është thirrje e hapur, pothuajse në çdo varg-poezi. ( f, 17,30).

SPROVA- NJOHJA POETIKE

Sprova me përkthimin, krijuesi tashmë përkthyesi Servet Bytyqi e ka nisur në formë tërësore me letërsinë angleze duke e nisur nga ekopa elizabetiane deri te modernizimi. Kjo punë është një vepër e përkryer dhe madhështore, e kryer nga një dorë e vetme, që përmbledh sintetikisht një pjesë të rëndësishme të perlave të letërsisë botërore dhe disa poezi nga autorë tanë shqiptarë. Seleksionimi duket rigorozisht, përzgjedhje në vlerat letrare, krijuesi ka eliminuar me kujdes çdo subjektivizëm. Për t’i hapur me një formë apo tjetër vetes mundësi, seleksionim kronologjik në një mundësi tjetër, autorëve në një qasje më gjithëpërfshirëse.
“ Dhe hëna prapë ndriçon njëlloj”, nga ku dhe mori titullin libri i tij i fundit, nga vargu i Xhorxh Bajronit, për të vazhduar me Shekspirin, Shellin, dhe autorë të tjerë, zoti Bytyqi nga një krijues poet, ai tashmë shndërrohet në një përkthyes pasionant. “ Të përkthesh vargje nga disa prej zërave më të fuqishëm të letërsisë britanike pasi këtë kohë më herët e kanë bërë Fan Noli, A. Plasari, P. Kolevica etj, së pari përkthimin duhet ta konsiderosh si gjest maturimi”, këtu, pajtohemi plotësisht me studiuesen Migena Arllati(. Por, të lexohet libri në përgjithësi, pavarësisht sfidave, duket se krijuesi Bytyqi ia ka dalur dhe me këtë ai ka bërë nder personalitetit të tij, dhe letërsisë në qasje të gjerë globale. Si do që të jetë, krijuesi Bytyqi, përveç punës së madhe që ka bërë me përkthimet nga anglishtja, ai po ashtu ka përkthyer edhe disa autorë shqiptarë në gjuhën angleze si;
I. Kadare, A. Shkreli, F. Rreshpja, M. Arllati, L. Berisha, dhe disa poezi të tijat, të cilat si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja ruajnë sensin, dhe lexohen në çdo dimension edhe në gjuhën angleze.

Ky ishte një shënim i shkurtër për poezinë e poetit Servet Bytyqi, nëpërmjet këtyre rreshtave të përkthyer, nëpërmjet këtyre vargjeve brilante, mbyllim këtë kapitull të hapur rreth poezisë dhe përkthimit të z. Servet Bytyqi, për të iu qasur në një studim më më thellë.

“Tokë e Shqipes, më lejo të lëshoj sytë
mbi ty, o nënë e ashpër e burrave të rreptë
aty ku kryqi bie e ngrihen minarët
e atje në luginë ndriçon një hënë e zbetë
nëpër zabele me pisha
në të hyrë në qytet.

( Udhëtimet e çajld haroldit, f. 41)
Sigurisht se populli i Shqipërisë e mban në kujtesë vizitën e poetit anglez, Lord Bajronit,vizitën epike të tij në sarajët e Tepelenës.

Autori, Alban Nuredini ka mbaruar studimet e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ka të botuara shtatë libra. Aktualisht vazhdon studimet në Britani, prej ku dhe jeton prej viteve.

Rita Ora mahnitë me dukjen e saj në Louis Vuitton

Këngëtarja e famshme kosovare, me famë botërore, Rita Ora, edhe një herë e ka shfaqur stilin e saj të veçantë.

Këtë herë, e ftuar në një ngjarje të organizuar nga marka e njohur Louis Vuitton, Rita është veshur komplet me farmerkë!

27-vjeçarja, ka vë në pah modestinë e saj dhe tani është në sytë e të gjitha mediave rozë.

Ka vënë aksesorë të shumtë që e bëjnë atë të duket edhe më bukur. Ndërkaq, sytë i ka të lyer me ngjyrë të bardhë. / KultPlus.com

‘Te shqiptarët, kur e jep fjalën duhet ta mbash, edhe nëse e rrezikon jetën tënde’ (VIDEO)

Nas Daily, një faqe në Facebook që ka udhëtuar në Shqipëri dhe nga atje po sjellë reportazhe të ndryshme, së fundi ka sjellë një video për besën.

Besa – një fjalë kjo e panjohur për gjuhët tjetra, për shqiptarët do të thotë ta mbash fjalën.

Në video merr pjesë edhe Ilir Meta – President i Shqipërisë, i cili tregon se si as edhe një hebre i vetëm nuk i është dorëzuar nazistëve në Holokaust, vetëm sepse shqiptarët kanë dhënë besën ta mbrojnë secilin hebre të rrezikuar.

Besa – ka shumë rëndësi për shqiptarët, thuhet edhe në videon e cila po shpërndahet në rrjete sociale për të promovuar kësisoj këtë fjalë e mbi të gjitha këtë gjest ndër shqiptarë.

Besa, ose kulti i fjalë së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalë: ‘Në fillim ishte fjala’, shkruan KultPlus.

Besa-besë është një zotim solemn për të vepruar bashkarisht për një qëllim të caktuar, përdoret edhe si fjalë e nderit që i jepet për të përkrahur dikë ose për t’u lidhur me të. / KultPlus.com

Alil Vardar, shqiptari tjetër i njohur në teatrot e Evropës

I lindur në Bruksel nga prindërit shqiptarë, ai është një aktor dhe komedian i njohur në Belgjikë.

Alil Vardar është një tjetër shqiptar i suksesshëm që po bën bujë në teatrot evropiane. Ai është i njohur sidomos si skenarist dhe aktor në ‘Le Clan des divorcées’ transmetuar në France 4.

“Babai im u largua nga Shqipëria kur unë isha katër vjeç. Nëna ime ka vdekur analfabete, e pashkolluar. Unë jam fëmiu më i ri nga të katër fëmijët. Kemi qenë gjithmonë të varfër” tregon Vardar.

Në vitin 2014-të ai krijon Festival d`Avignon ku vazhdon të sjellë risi nga teatror evropiane.
Debutimin e tij e bëri në vitin 1995 në një kafene të Brukselit, ndërsa më pas e krijoi një emision në radio bashkë me dy vëllezërit e tij, Hamdiun dhe Hazisin, shkruan KultPlus.

Ai sot është 48 vjeçar ndërsa nuk ka të ndalur me suksesin e tij në vendet frankofone.

Tregimet e para për teatër dhe për veten dhe monologjet e tij i ka shkruar në moshën 22 vjeçare, në shërbimin ushtarak. / KultPlus.com

Fjalët e Qiririt

NAIM FRASHËRI

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

‘Shkel dhe vetëm shkel, asnjë fjalë nuk do të del’ (VIDEO)

Cilësohet si kryevepra e Armend Rexhepagiqit.

Një prej shumë këngëve të Armendit që i mbesin muzikë shqipe si perla është edhe “Shkel”. E vjetër më shumë se dhjetë vite, kur e dëgjon sot këtë këngë ke përshtypje se është lansuar së fundi, me magjinë e zërit të Armendit.

Në kohën kur kënga “Shkel” doli me videoklip, ishte hit. Edhe sot është një nga ato këngët e melankolisë dhe ndjenjës së kaluar.

Rexhepagiqi, i cili u largua nga muzika por jo edhe nga aktivitetet e ndryshme muzikore, këngën “Shkel” e ka më të vonshme në krahasim me të tjerat krijime të bukura që i ka sjellë në muzikë.

Sot më së miri shkon me “Shkel” të Armend Rexhepagiqit, një poezi e cila këndohet dhe nuk bëhet monoton asnjëherë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=yBq-tlex7pA

Gjashtë rregullat e Çehovit për një tregim të mrekullueshëm

Çdo vepër e Çehovit është vepër që duhet lexuar.

Anton Pavlovich Chekhov, një prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur bota, në maj të vitit 1888 shkroi në kujtimet e tij, gjashtë rregullat për të shkruar një tregim të suksesshëm.

Shkrimtari rus ka ditur të thurë tregime të cilat lexohen edhe sot e përmbajnë ‘melodinë’ e cila të mban afër tyre për të vazhduar leximin.

Këto janë gjashtë rregullat të cilat sipas krijuesit të “Three Sisters” e “Ivanov”, mes punëve tjera, duhet përdorur për një tregim të mirë.

– Dhembshuri
– Përshkrime sa më të sinqerta për njerëzit dhe objektet
– Objektivitet
– Guxim dhe origjinalitet: largohu nga stereotipet
– Sa më shkurt
– Sa më pak folje të gjata të natyrës politike, ekonomike, sociale

Të gjitha këto gjashtë rregulla ai i ka përdorur për ti shkruar tregimet e tij të njohura. Kur e fitoi çmimin Pushkin Prize, u dit që Chekhov do të bëhej një emër i madh i letërsisë jo vetëm ruse. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi Goodman dhe fituesi i Nobelit për Paqe

Vasfije Krasniqi Goodman para pak ditësh theu heshtjen e saj personale duke rrëfyer se si u dhunua në lufën e fundit në Kosovë.

Vasfija është një prej personave që janë dhunuar nga serbët në luftën e fundit, me plot vështirësi edhe për të dalë publikisht e për të treguar të vërtetën.

Vasfija megjithatë ka gjetur mbështetjen e madhe nga të gjithë.

Në këtë fotografi të postuar në Tëitter ajo shihet me një prej fituesve të Çmimit Nobel për Paqe për këtë vit, Dennis Mukëege.

“Faleminderit që keni ngritur zërin për neve që shpëtuam. Faleminderit që na keni dhënë zë dhe që jeni një njeri kaq i madh” ka shkruar Vasfija kur ka kuptuar se Mukëege është njëri prej laureatëve të këtij çmimi sivjet.

Debatet e ndryshme me kryefjalë Vasfijen do të vazhdojnë ende në Kosovë derisa pritet të dalin në dritë edhe tregime të të dhunuarave e dhunuarve të tjerë në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Ardhmëri

Wisława Szymborska

U pleksën si të huaj
pa bërë gjë, pa thënë fjalë,
ajo ikte për në dyqan,
ai drejt makinës së tij.

Të përhumbur,
a të hutuar,
mbase patën harruar
se për një çast të vetëm
ishin dashuruar përjetë.

Nga ana tjetër, s’qe hiç e thënë
të ishin pikërisht ata.
Nga larg, ashtu dukej,
por nga afër aspak.

I pashë nga dritarja,
e kush sheh nga lart
mund të gabojë lehtë.

Ajo u zhduk pas derës së qelqtë,
ai zuri timonin
dhe u nis me vrull.
Si të thuash, sikur s’kishte ndodhur gjë,
pavarësisht se ndodhi.

Teksa unë, për një çast të vetëm,
e sigurt për çka pashë,
dua t’Ju bind, Lexues,
mes vargjesh rastësore,
sa e trishtë qe.

Librat e klasës së dytë, me gabime gjuhësore dhe diskriminime gjinore

Se librat shkollorë në Kosovë kanë gabime dhe shpesh janë pikënisja e skandaleve të ndryshme akademike, kjo nuk është më lajm i ri.

Megjithatë, një libër i Gjuhës Shqipe për klasën e dytë ka të tjera veçanti të cilat bëjnë që ai të mos jetë i përshtatshëm për mësim e edukim.

Nora Latifi Jashari nga GAP ka postuar një fotografi ku shihet një faqe nga ky libër.

“Keto tekste duhet te rishikohen pasi qe kane shume elemente te diskriminimit e gabime gjuhesore.
T’i mesojme femijet tane se te gjithe jane njejte te rendesishem, pa dallim gjinie” ka shkruar Latifi-Jashari në postimin e saj duke bashkangjitur fotografinë ku dukshëm ndahen rolet gjinore të cilat shoqëria kosovare i pranon dhe i kultivon.

Kohë më parë, në librat në Kosovë muzika rok konsiderohej si kriminale ndërsa janë të pafund shembujt ku në libra mësohet gabimisht. / KultPlus.com

A jemi fëmijë nënash të dhunuara?

Nga Bajram Mjeku

Vite më parë, me disa miq të mi hapëm një debat: Pse ne shqiptarët jemi kaq të mërrolur e depresivë, kaq agresivë e anarkistë dhe pse të shumtën e rasteve dukemi të traumatizuar e të trishtë?
Pasi isha vrojtues i bisedës për disa minuta, më në fund shpreha mendimin tim. Thashë se gjenerata ime dhe të gjitha gjeneratat paraardhëse janë fëmijë të lindur nga nënat e dhunuara dhe shtova se nënat tona janë dhunuar në mënyrë sistematike nga baballarët tanë. Thashë po ashtu se deri te brezi i lindur i fëmijëve të viteve 70-të, shumica e shqiptarëve janë dëshmitarë kur në një dhomë dhe në mënyrë sistematike prindërit tonë kanë kryer akte seksuale në prani të fëmijëve të tyre dhe po ata fëmijë që sot janë burra e gra, ishin dëshmitarë të dhunimit sistematik të nënave pikërisht nga baballarët e tyre.

Kjo temë që vazhdon të jetë tabu në shoqërinë shqiptare, shumëkush me të drejtë shtron pyetjen: Si dhe pse këto dhunime ndodhën deri në gjeneratën e brezit të viteve 70-të dhe pse kjo “prerje” sipas meje nisi të ndodh në fillim të kësaj dekade? Megjithëse dhunime të këtilla kanë ndodhur edhe më vonë, mendoj se kjo dukuri primitive nisi të zvogëlohej ndjeshëm, veçanërisht mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës. Në këtë institucion të lartë dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, ishte e natyrshme që studentët e të dyjave gjinive të pëlqeheshin me veti dhe të krijonin një model të favorshëm jetese për dallim nga prindërit e tyre, gjithsesi më të emancipuar përkrah rrethanave të kohës. Që nga gjenerata e fëmijëve të lindur mbas hapjes së Universitetit të Prishtinës, shohim një gjeneratë më të bukur dhe më të buzëqëshur, më proevropiane e më të civilizuar, por edhe më pak e kompleksuar e paragjykuese.
Seksi si akt dhe si nevojë biologjike, asnjëherë nuk është kryer me vullnetin e të dyja palëve te bashkëshortët shqiptarë, pra akti seksual ka ndodhur vetëm atëherë kur kanë ndjerë nevojë baballallarët, por jo edhe nënat tona. A nuk është dhunim, kur baballarët tanë të paemancipuar e primitivë dhe pa vullnetin më të vogël të palës tjetër, kanë hyrë drejtpërdrejtë dhe në mënyrë agresive në akt seksual vetëm sa për t’i shfryer epshet e tyre? Më keq se kjo, dhuna seksuale ka ndodhur në prani të fëmijëve të tyre, pavarësisht arsyetimeve tona se e gjithë kjo ndodhi për mungesë kushtesh elementare në familjen shqiptare.

Nga kureshtja për të studiuar sa më shumë nga fusha e psikologjisë, nga psikanalisti Sigmund Freud kam lexuar se në rast se fëmijët janë të pranishëm në të njëjtën hapësirë ku prindërit e tyre kryejnë aktin seksual, atëherë kjo situatë është më e rëndë se sa t’i ekspozosh të njëjtit fëmijë përballë një masakre. Sot, këta burra e gra, fëmijë të dikurshëm dhe dëshmitarë të akteve seksuale të prindërve të tyre, janë ministra e deputetë, kryeministra e presidentë, diplomatë e udhëheqësh korporatash, që kur Kosova u bë e lirë dhe e pavarur. Dhe, jo rastësisht Kosova është katandisur në këtë gjendje të rëndë e bizare dhe të papranueshme për realitetin e kohës. Në këtë mes bën përjashtim themeltari i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Duke qenë afër Tij për një dekadë, them me bindje se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës kishte një “fat” në fatkeqësi. Ishte ende në barkun e nënës, kur babai i tij u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ishte më tolerues e më paqësor, më i durueshëm e më mendjehapur, më intelektual dhe më i emancipuar nga gjithë brezi i tij.
Vështruar në këtë kontest, por edhe nga disa rrethana tjera, vendi ynë jo rastësisht po kalon nëpër fazën më të rëndë, edhe dhjetë vjet mbas shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur. Kosova duhet të lirohet nga fëmijët e nënave të dhunuara dhe duhet të udhëhiqet nga gjenerata postkomuniste, më saktë nga gjenerata që kur u themelua Universiteti i Prishtinës e më vonë.

Kur në vitin 1956, familja e koreografit të shquar shqiptar Angjelin Preljocaj vendosi të ikte nga Shqipëria staliniste dhe derisa prindërit e tij një natë dimri nisën të kapërcenin kufirin për t’u strehuar në Kosovë, nëna e tij ishte shtatzënë me Angjelinin. Derisa levizte nga një gërgje në tjetrën për t’u fshehur nga rojat e dyfishta të kufirit; ushtarët shqiptarë e jugosllavë dhe nga lëvizjet tektonike derisa ajo kapërcente kufirin, në barkun e saj nisi të krijohej embrioni i valles dhe koreografi i ardhshëm Angjelin Preljocaj. Tash tridhjetë vjet, Angjelin Preljocaj është anëtar i Operës Nacionale në Paris dhe me lojën e tij mahnit artdashësit e gjithë botës.

Vëllai i Vasfijes: Duhet mbështetur çdo grua dhe çdo burrë që është dhunuar

Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja që ndau para pak ditësh tregimin se si u dhunua në luftën e fundit në Kosovë, është një tregim tjetër i dhimbshëm i mbijetesës.

Goodman në intervistën e saj tha se ka pasur edhe mbështetjen e familjes që të mund të ndajë me njerëzit tregimin e përdhunimit të saj.

Nafi Krasniqi, vëllai i Vasfije Krasniqit, ka thënë që motra e tij e ka pasur gjithmonë mbështetjen e familjes pas rastit të rëndë që i ka ndodhur.

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë theu heshtjen duke folur hapur për përvojën e saj të hidhur si pasojë e krimit që është kryer mbi të.

“Ne si familje kemi qenë gjithmonë të gatshëm për t’u ballafaquar por kanë qenë rrethanat ato që kanë ndikuar që ne të mos mund të shprehemi”.
“Sa i përket Vasfijes të cilën ne e thërrasim Buqe ajo ka pasur gjithmonë mbështetjen e familjes dhe e kemi ditur se një ditë do flasë për shkak se nuk ja ka vlejtë me mbulu krimin që ka ndodhur”, tha ai për Klan Kosovën.

Krasniqi ka thënë që pas këtij rrëfimi ka pasur vetëm reagime pozitive nga njerëzit.
“Sa i përket reagimeve tashmë në rrjete sociale ka pasur reagime të shumta ku të gjitha kanë qenë pozitive për veprimin e Buqes, pasë njerëz në rrugë të cilët janë ndalur për ta përshëndetur dhe përqafuar”, theksoi ai. / KultPlus.com

Sulmohen dy rojtarët e natyrës në Parkun ‘Sharri’ në regjionin e Suharekës

Në këto ditë kur është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve në Parqe Kombëtare, rojet e natyrës së këtyre zonave të mbrojtura janë angazhuar maksimalisht për kontrollin e gjendjes dhe parandalimin e prerjeve dhe dëmtimit të vlerave natyrore të parqeve.

Mirëpo gjatë punës në terren rojet po përballen me probleme të natyrave të ndryshme përfshirë edhe sulmet fizike dhe gjuatjet me armë zjarri nga grupet e dëmtuesve të pyjeve që prerjen ilegale të pyjeve dhe tregtimin e drurit e kanë shndërruar në biznes.

Rastet e fundit ishin ato të ditës së djeshme, përkatësisht sulmi ndaj rojtarëve të natyrës të PK “Sharri” në regjionin e Suharekës, Jemin Shala dhe Ali Dakaj, të cilët janë sulmuar fizikisht nga këto grupe të organizuara dhe kanë marrë lëndime trupore, dhe e ai i gjuajtjes me armë zjarri në drejtim të rojeve të natyrës në regjionin e Kaçanikut.

Në lidhje me të dy rastet është informuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të cilët janë duke hetuar rastet. Me këtë rast Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, kërkon nga organet kompetente që me prioritet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sjelljen e këtyre personave para drejtësisë. Gjithashtu kërkohet që të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e rasteve të tilla dhe ofrimin e sigurisë së nevojshme për rojtarët e natyrës.

Njëkohësisht kërkohet nga institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës, që me qëllim të ruajtjes së resurseve të Parqeve Kombëtare të cilat janë shpallur me ligj të veçantë për mbrojtjen e këtyre vlerave të rralla të natyrës, të shikojnë mundësinë e rritjes së numrit të rojeve të natyrës, pajisjen e tyre ma armë dhe kompensimin e rrezikshmërisë në punë. / KultPlus.com