Ambientalistët kundër fishekzjarrëve në koncertin e Elvana Gjatës

Shumë fishekzjarrë ishin ndezur më 1 qershor të vitit të kaluar në një koncert të organizuar nga Banka Pro Credit.

Të shtunën mbrëma, nën organizimin e së njëjtës bankë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, do të performojë këngëtarja Elvana Gjata.

Por, kundër ndezjes së fishekzjarrëve ka dalë iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën”.

Drejtues të kësaj iniciative kërkojnë nga institucione shtetërore që të mos lejohet përsëritja e asaj që ndodhin vitin e kaluar, raporton KTV.

Madje, Hasanaj ka thënë se nëse institucionet nuk veprojnë, vullnetarët iniciativës do të ndërmarrin një aksion.

Në Pro Credit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për organizimin e tyre.

Përmes telefonit, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se leja për përdorimin e fishekzjarrëve nuk është përgjegjësi e tyre, por e Policisë dhe Ministrisë së Mjedisit.

Por, zëdhënësi i kësaj ministrie, Fadil Maxhuni, ka thënë se leja për organizime të tilla merret në komunë.

Në një përgjigje me shkrim, në Polici kanë thënë se organizatori me kohë ka kërkuar leje për sigurimin e mbarëvajtjes në aspektin e sigurisë.

Tutje, në përgjigjen e organeve të rendit thuhet se organizatori ka parashtruar kërkesë për shfrytëzimin e hapësirës në organet e Universitetit të Prishtinës dhe një tjetër për lejimin e përdorimit të fishekzjarrëve në Komunën e Prishtinës.

Bosnja nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit tjetër

Bosnja dhe Hercegovina nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 2019-të.

Shkaku i disa dënimeve që ka marrë nga Unioni i Transmetuesve Evropianë, Bosnja dhe televizioni publik BHRT nuk do të marrin pjesë në Eurovizionin që do të mbahet vitin tjetër në Izrael.

Edhepse kompozitori suedez Ralph Siegel ofroi të paguante tërë angazhimet financiare që Bosnja të jetë pjesë e garës, një ndërhyrje e tillë nuk u pranua nga EBU që e organizon Eurovizionin.

Bosnja nuk ka marrë pjesë në Eurovizion që nga viti 2016, kur edhe e pati përfaqësimin e fundit por jo në finale.
Në vitin 2006, Hari Mata Hari i dha Bosnjës pozitën e tretë, më të mirën deri sot për Bosnjën në Eurovizion.

Bosnja dhe televizioni publik i ka borxh EBU-së një shumë të parave prej 500 mijë eurosh. / KultPlus.com

Jahjaga: Mbeta pa frymë me bukuritë e Grykës së Rugovës

“Përpos që mbeta pa frymë me bukuritë e Grykës së Rugovës, mbeta pa frymë edhe nga ky angazhim i jashtëzakonshëm sportiv në këtë rajon. Me ftesë të Balkan Natural Adventure sot u ngjita në Via Ferrata. Një përvojë e paharrueshme”

Këto fjalë i ka shkruar Presidentja Atifete Jahjaga në një postim në Facebook, derisa ka promovuar në mënyrën e saj atraksionin kulturor në Grykën e Rugovës.

Kanioni i Rugovës ose Gryka e Rugovës është një kanion afër Pejës në Perëndim të Kosovës, në Bjeshkët e Nemuna, në afërsi të kufirit me Malin e Zi. Me një gjatësi prej 25 km (16 mi) dhe thellësi prej 1,000 metra, Rugova konsiderohet të jetë një nga kanionët më të gjata dhe më të thella të Evropës.Ajo është krijuar nga erozioni ujit dhe tërheqja e akullnajave në Pejë. Lumbardhi i Pejës-Bistrica kalon përmes kanionit.

Jahjaga momentalisht po angazhohet më shumë me Fondacionin Jahjaga duke qëndruar kësisoj më larg politikës dhe më afër angazhimeve tjera që i kanë munguar. / KultPlus.com

Vdekja nuk është gjë

Henry Scott Holland

Vdekja nuk është gjë.
Unë thjesht kalova në anën tjetër:
është njësoj si të isha fshehur në dhomën ngjitur.
Gjithçka është njësoj,
unë jam gjithmonë unë dhe ti je gjithmonë ti.
dhe jeta që jetuam kaq mirë bashkë, mbetet e pandryshuar dhe e paprekur.
Ajo që ishim për njëri-tjetrin, vazhdojmë të jemi.
Më thirr ashtu siç më thërrisje përherë, ashtu siç të duket familjare.
Më flit me të njëjtën dashamirësi që më ke folur përherë.
Mos e ndrysho tonin e zërit, mos mbaj qëndrim të trishtë apo solemn.
Vazhdo të qeshësh me gjërat që të bëjnë të qeshësh,
me gjërat e vogla që të pëlqenin aq shumë
kur ishim bashkë.
Lutu, buzëqesh, më mendo.
Emri im duhet të të duket po aq familjar, sa më parë:
shqiptoje pa gjurmën më të vogël të trishtimit.
Jeta jonë ruan ende gjithë domethënien që ka pasur:
është njësoj si më parë, ka një vazhdimësi të pandërprerë.
Pse duhet të jem jashtë mendimeve dhe mendjes tënde,
vetëm se jam jashtë shikimit tënd?
Nuk jam larg, jam në anën tjetër, diku aty tek cepi.
Jam shumë mirë, gjithçka po shkon mirë.
Do ta gjesh zemrën time,
do ta gjesh butësinë e pastër.
Fshiji lotët dhe mos qaj, nëse më do:
Buzëqeshja jote është paqja ime…

Të shtunën, ‘Duvaku’

‘Duvaku’ është shfaqje multidiciplinare e krijuar gjatë kampit veror njëjavor në Asociation “Loyola-Gymnasium” në Petrovë që trajton temën e martesave të hershme të vajzave në Kosovë.

Një grup i të rinjëve të pasionuar për vallëzim sfidohet kur vallëtarja kryesore e tyre, Venera fejohet pa dëshirën e saj, në moshën 15 vjeçare. Shfaqja tregon tendencat e grupit të vallëzimit për ta parandaluar martesën e Venerës, rrjedhimisht humbjen e vallëtares së pazëvendësueshme te grupit.

‘Duvaku’ është realizuar nga nxënësit e Loyola-Gymnasium, Shkolla Fillore Loyola, Loyola-Tranzit, Diakonia Mitrovicë dhe Jonas Foundation në bashkëpunim me autoren e dramës dhe regjisoren Fjolla Hoxha, me koreografi të Laureta Paçarizit dhe Benjamin Ibrahimit, trajneren e aktrimit Shqipe Gashi, kostumografen Megan Fisk, udhëheqësit e orkestrës dhe të korit Berat Tafallari dhe Rrustem Gashi, shkruan KultPlus.

Shfaqja është rezultat i punës dyvjeçare të “Loyola-Tranzit”, një projekt që ka për qëllim ndërtimin e urave dhe bashkëpunimin e ngushtë mes të rinjëve Ashkali të lagjes Tranzit and të rinjëve të gjimnazit Loyola.

Premiera shfaqet të shtunën me 14.07.2018 nga ora 20:30 në kinemanë në bahqe në LUMBARDHI, Prizren. / KultPlus.com

Imami që fyen festivalin muzikor në Prizren

Besim Berisha, imami i një xhamie në Prizren e ka quajtur “lopë” një performues të festivalit muzikor “Ngom Fest” që për tre ditë organizohet në Kalanë e Prizrenit.

Në dy postime në Facebook, Imami Berisha ka thënë se “është tu pallë një lopë në Kala” dhe se “po terrorizon 70 për qind të qytetit” të Prizrenit.

“Prizreni qytet i festivaleve degjeneruese, jam kundër të gjithë atyre që përmes ‘kulturës’ na mbushin rininë me drogë dhe prostitucion!” ka shkruar ai në postimin e parë të cilit ia ka bashkëngjitur edhe një video në të cilën dëgjohet muzika nga Kalaja, transmeton Koha.net.

Në postimin e dytë, imami thotë se shkaku i zhurmës mund të ketë edhe ndonjë sulm terrorist dhe se performuesi është duke bërë ftesë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Shkoni more ndaleni zhurmën se po çohet naj kush po ban akt terrorist! Se veç qajo na mungon. Se kjo lopa është duke bërë ftesë për një gjë të tillë”, ka shkruar Berisha.

Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu që ka thënë se qëndrimet e imamit Berisha që është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, nuk janë komfor detyrës së një predikuesi fetar, i cili duhet të promovojë paqen dhe tolerancën.

“Hoxha i Bashkësisë Islame t‘Prizrenit, ofendon dhe kërcënon me akt terrorist NGOM Fest, edhe fëmijët tanë që ishin pjesëmarrës në koncert. Prej sot, e derisa të qëndrojë në pozitën e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha, do ta ndërpres kontributin vjetor të familjes sime për BIK-un, në shenjë revolte ndaj diskursit urrejtës të tij të shpërfaqur në profilin e tij në Facebook”, ka thënë Kryeziu që ka shtuar se komunikimi i Berishës ka marrë karakter të fushatës nxitëse dhe kërcënuese.

“Një klerik që me deklarimet e tij që kërcënon me akte terroriste, fyen e nxitë urrejtje ndërnjerëzore nuk duhet të jetë në krye të një bashkësie religjioze. Prandaj, të gjithë prizrenasit e besimit islam duhet të refuzojmë pagesën e taksave ndaj BIK-ut, deri në shkarkimin e imamit Besim Berisha”, ka shkruar ai.

Ashtu siç është traditë e këtij festivali, në natën e parë kishte muzikë hip-hop. Nata e dytë u karakterizua me muzikë rok, ndërsa natën e fundit skenat do të elektrizohen me muzikë elektronike.

Për tri ditë me radhë bende të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë qenë pjesë e festivalit që është mbajtur 6 deri më 9 korrik.

Historia e unazës që u shpëtua nga Shtjefën Gjeçovi

Në përvjetorin e lindjes së fratit Shtjefën Gjeçovi ia vlen të kujtosh sesi ky misionar i dijes mblidhte jo vetëm Kanunin e maleve tona, apo shkruante drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmonte dhe shpëtonte pasuritë arkeologjike të nëntokës sonë.

Ja rrëfimi I At Shtjefën Gjeçovit në vitin 1900 sesi e shpëtoi këtë unazë ari për t’ia kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve. Ky rrëfim është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj i titulluar “At Shtjefë Gjeçovi. Si shpëtoi kambana e Skënderbeut”, Suplementi Rilindësi, 18 gusht 2013.

“Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”.

Unaza nuk u shit. Arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e perfshirë në vëllimin “Shqiperia Arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e sajë. Pas vdekjes së Gjeçovit unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkoder deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë. / KultPlus.com

Grace Jones, Sevdaliza e LP në mesin e emrave në EXIT në Serbi

Sonte në Serbi fillon EXIT Festival.

Festivali i njohur këtë vit ka një numër të madh artistësh të njohur që do të ngjiten në skenat e ndryshme të festivalit në Novi Sad.

Grace Jones është në mesin e pjesëmarrësve në festivalin që do të zgjasë deri me 15 korrik.

Migos, David Guetta, Ziggy Marley, Fever Ray, LP, Alice Merton, Nina Kraviz, Richie Hawtin, Adam Beyer b2b Ida Engberg, Maceo Plex, Solomun, Amelie Lens, Ben Klock, Jax Jones, Ofenbach, Mahmut Orhan, Carl Craig, Tale of Us, Sevdaliza, Burak Yeter, Madball, Brujeria, Ofenbach, Slapshot, Dog Eat Dog, Slaves, Idles, Asphyx, Bombers dhe artistë tjerë do të vijnë në festivalin që nisë sonte.

Festivali do të mbahet në Kalanë Petrovaradin. / KultPlus.com

Kënga nga Kroacia dhe gazi në Parlamentin e Kosovës (VIDEO)

Një këngë e këngëtares kroate mund ta përkthekojë mirë realitetin e një kohe në Parlamentin e Kosovës.

Kënga “Gas gas” nga Severina, e realizuar para disa vitesh, mund të asocojë me skenat e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës, për të cilat askush nuk garanton se nuk do të gjejnë përsëritje në këtë ndërtesë.

E meqë Kroacia këtë vit po shënon historinë duke qenë finaliste e ndoshta edhe fituese e Kupës së Botës në Futboll, ia vlen të kujtohet kënga e këngëtares kroate që kërkon më shumë gaz, jo lotsjellës.

Për një kohë të gjatë në seancat e Parlamentit të Kosovës bëhej e pamundur mbajtja e procesit shkaku i gazit lotsjellës, shkruan KultPlus.

Në Twitter ka pasur disa raste kur njerëzit kanë nxjerrë paralele mes këngës ‘Gas gas’ dhe situatës që u krijua për disa muaj në mesin e parlamentarëve të zgjedhur të vendit. / KultPlus.com

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ

Nga Anna de Noailles

Me dashtë, asht mos me rrejtë mâ.
Kurrfar dredhiet, nuk asht e nevojshme
Kur krahu i ngrohtë shtërngon
Trupin e pakapshëm që na ka pëlqye.

– Beso n’zanin tem që andrron e kndon
E që ndërton parajsen tande.
A do ta dije ti që jam e keqe
Po mos ta kisha thanë un?

– Dobsisht e keqe, në mendje,
E për me gjetë hera-herës
Kte vetmi kuptimplote
Që e kam mohue duke të dashtë !

Përktheu: Eva Hila

Nëse fiton Kroacia, kush këndon në festë?

Kroacinë e kemi në fokus kësaj here më shumë se asnjëherë. Kjo sepse do të jetë historike një fitore eventuale e saj në Kampionatin Botëror të Futbollit.

Kroacia po futet në hartë, do të thoshte dikush, në hartën e futbollit botëror.

E nëse fiton Kroacia, me kë do të festojnë kroatët? Kroatët njihen si një popull i dhënë pas muzikës dhe folklorit, me këngëtarë që i kanë dhënë me vite muzikës jugosllave dhe më pas edhe muzikës ballkanase vlera, ndonjëerë edhe antivlera.

Shija në muzika është relative, aq sa është edhe muzika në Kroaci.

Po e zëmë se fiton Kroacia në finalen e këtij Kampionati Botëror, dhe një koncert i madh pason menjëherë në Sheshin e qytetit. Kush do ta kallte atmosferën?

Nina Badric
46 vjeçare, Nina Badric mbetet ndër këngëtaret më të njohura nga Kroacia. Ajo ka konkuruar disa herë për të përfaqësuar Kroacinë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, ndërsa këtë gjë e realizoi në vitin 2012-të kur nuk u fut në finale. Këngët e saj janë hite, derisa ajo ka provuar edhe disa role të vogla filmike. Ajo është mbështetsë e Bashkimit Demokratik Kroat.

Severina
Zjarri i Kroacisë është Severina. Një këngëtare e njohur jo vetëm në Kroaci por edhe në mbarë Evropën, Severina vazhdon të jetë një këngëtare aktive në muzikë dhe krahas disa skandaleve nëpër media, një emër që ende di të sjellë hite. Nëse fiton Kroacia në Botëror, ka mundësi që Severina do të rikthehet në trendin muzikor evropian me hitet e saj, nëse Evropiani ka ndikim edhe në industrinë muzikore. Edhe ajo e përfaqësoi Kraocinë në Eurovizion, me këngën “Moja Shtiklla”.

https://www.youtube.com/watch?v=LsyD_-5j8Z8

Tony Cetinski
Është padyshim këngëtari më i njohur momentalisht në Kroaci dhe në pjesën e dikur Jugosllavisë. Tony Cetinski ka lindur në Pula ndërsa ka nisur të këndojë në moshën 15 vjeçare. I ka rreth 15 albume muzikore që nga viti 1990 kur është aktiv në muzikë. Me apo pa fitoren e Kroacisë këtë të diele, Cetinski mbetet një prej emrave më të njohur të muzikës moderne në Kroaci. / KultPlus.com

‘Ne mund të bëhemi Kroacia, prandaj edhe identifikohemi me të aq shumë’

Sead Zimeri

Pse jemi aq shumë entuziastë për ekipën kombëtare të Kroacisë, prej qytetarit e deri te kryeministri i Shqipërisë? Në shumë aspekte Kroacia është ajo që duam të bëhemi, është aty ku ne duam të jemi, është shpresa se një botë tjetër është e mundshme, është ëndërra jonë. Po ashtu ajo shënjon pakënaqësitë tona, dështimet tona si komb. Kroacia nuk do të fitonte pa një rilindje të gjithanshme kombëtare, por arritja e saj në futboll ka dimensione simbolike përtej futbollit. Një komb i vogël e mundi Anglinë e ndoshta do ta mund edhe Francën në finale, dy shtete të zhvillluara dhe me ekipe të suksesshme kombëtare. Kroacia është ëndërra, plotësisht e realizueshme, që po të kemi vullnetin dhe dëshirën edhe pse jemi një komb i vogël mund të fitojmë kundër të madhit, të fuqishmit dhe të suksesshmit. Ne mund të bëhemi Kroacia, prandaj edhe identifikohemi me të aq shumë. Identifikimi me Kroacinë është identifikimi me ëndërrat dhe shpresat tona, me potencialin tonë, me dëshirën për t’u bërë ata që nuk jemi sot.

Modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ekspozohet në New York

Është hapur në MoMA në Nju Jork ekspozita që sjellë arkitekturën jugosllave të shpalosur në periudha të ndryshme.

Pjesë e ekspozitës është edhe maketa e Bibliotekës Universitare të Kosovës.

Ekspozita retrospektive mes tjerash ka sjellë edhe kiosqet e njohura të kohës së Jugosllavisë, pjesë edhe në Kosovë, K67.

MoMA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Amerikë ka hapur nga 15 gushti e deri 13 janar të vitit tjetër këtë ekspozitë, shkruan KultPlus.

Me mijëra kiosqe të tilla u shpërndanë nëpër tërë Jugosllavinë si një formë e re e arkitekturës së asaj kohe, edhepse nuk konsiderohet si një monument në vetvete.

7500 kiosqe të tilla u dizajnuan nga viti 1967 deri më 1999 nga slloveni Sasha Machtig. / KultPlus.com

(Foto: Patrisa Pruthi / Instagram)

Agamemnoni dhe Milingona

Agim Vinca

“Gatitmë një banjë të nxehtë, shumë të nxehtë
me gjethe shqindi dhe mërsine; – e paske gatitur?”
(Janis Ricos: Agamemnoni)

Kryekomandanti po bëhej gati të hynte në banjë,
Kur sytë i ndeshën në një milingonë në mur.
E vocërr, e brishtë, gati e papeshë
Lëshohej ngadalë drejt tryezës së begatë.
“Mos e prek!” – i thotë të shoqes, Klitemnestrës
Me flokë të krehur bukur si rrjetë.
Dhe i flet për Patroklin, Akilin e kuajt e tij
Dhe për kalin e drunjtë me sy të qelqtë.
Dhe për Helenën, që pas rënies së Trojës
Rrinte gojëkyçur përpara pasqyrës
Duke pritur vdekjen si një pulëbardhë.
Rrjedhin fjalët nga goja e burrit luftëtar,
Ditën e parë të kthimit në shtëpi.
Klitemnestra hesht dhe bën sikur dëgjon.
Hijerëndë heq sandalet, pelerinën, përkrenaren
Dhe skeptrin gjithë diamante lë mënjanë.
Jashtë bien tamburet, hingëllijnë kuajt,
Turma brohoret emrin e tij: Agamemnon!
Po ai seç ka një shije të hidhur në gojë.
Kasandra ulërin në trans tek shkallët e pallatit
dhe thotë se këtu vjen era gjak, era gjak, njerëz…
Para se të hyjë në banjë siç e pat bërë nëna
I hedh edhe një shikim dhomës sallonit.
Tani milingona është ngjitur tek thërrimet,
Ndërsa gruaja hesht dhe se ç’bluan në vete…
Uji i nxehtë lëshon avuj të ngrohtë si duhmë vdekjeje
Kundërmimi i luleve ndjell gjumë e kapitje.
Trimi zulmëmadh ra në kurth si peshk,
Ai që kishte qenë tigër në tokë, peshkaqen në det.
Ndjeu tehun e mprehtë të shpatës së shemrit, ah!
Gjakun që vërshoi çurg nga plaga në qafë!
Bëri të ngrihej, por trupi s’i bindej
Gjersa u plandos si cung në vaskë.
Vaska e mermertë u shndërrua në pellg,
Tek mbytej mynxyrshëm mundësi i madh;
Agamemnon Atridi, mbret i akejve.
Ndërsa milingona e vocërr vazhdon gostinë e saj
Në pallatin mbretëror, në mësallën e bardhë.

Qershor 2018

Të uroj kohë

Elli Michler

Nuk të uroj një dhuratë çfarëdo,
të uroj thjesht atë që shumë veta nuk e kanë.
Të uroj kohë, për t’u argëtuar dhe për të qeshur;
nëse do ta përdorësh mirë, mund të fitosh diçka.
Të uroj kohë, për të vepruar dhe për të menduar,
jo vetëm për veten tënde, por edhe për t’ia dhuruar të tjerëve.
Të uroj kohë, jo për të nxituar e për të vrapuar,
por kohë për të qenë i lumtur.
Të uroj kohë, jo vetëm për ta kaluar,
unë të uroj kohë për të pushuar,
kohë për t’u habitur dhe kohë për të besuar
e jo thjesht për ta parë në orë.
Të uroj kohë për të numëruar yjet
dhe kohë për t’u rritur, për t’u pjekur.
Të uroj kohë për të shpresuar përsëri dhe për të dashuruar.
Nuk ka kuptim të kapesh pas së shkuarës.
Të uroj kohë për të gjetur veten,
për të jetuar çdo ditë, çdo orë si një dhuratë.
Të uroj kohë edhe për të falur.
Të uroj të kesh kohë,
kohë për jetën

Masakra e Srebrenicës kthehet në film, kërkohet mbështetje edhe nga Serbia

Producentët e filmit për masakrën e Srebrenicës më 1995, që po e përgatit regjisorja nga Bosnja e Hercegovina, Jasmila Zhbaniq, do të kërkojnë mbështetje financiare edhe nga Serbia, shkruan sot “Blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Ajo planifikon t’i ofrojë Serbisë të bëhet bashkëproducente e projektit, i cili merret me njërën nga temat më të dhimbshme të historisë së saj më të re, protagonist i së cilës është komandanti i luftës së Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i dënuar në shkallën e parë nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm, ndër të tjera, për shkak të vrasjes së tetë mijë boshnjakëve në Srebrenicë.

Jasmila Zhbaniq (44), bashkë me fituesin e Oscarit Danis Tanoviq, i prin grupit të krijuesve filmikë nga BeH të formuar dhe të bërë publik pas luftës. Për filmin “Gërbavica” më 2006 ka marrë çmimin Ariu i Artë.

Ajo ka bërë të ditur se partnere në këtë projekt e ka Xhemile Taliq Gabrijel, e cila jeton në Australi, dhe e cila ka qenë producente në filmin e saj paraprak “Për ata që nuk mund të flasin”.

Ende nuk është publikuar se kush cilin rol do ta luajë, pra as rolin e Mlladiqit.

Sulmi mbi Srebrenicën kishte filluar më 6 korrik të vitit 1995 dhe ka përfunduar pesë ditë më vonë, pas hyrjes në qytet të ushtrisë së Republika Serpska nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq. Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës, ushtarët nën komandën e Ratko Mlladiqit deri më 19 korrik në mënyrë të organizuar dhe sistematike vranë rreth tetë mijë meshkuj e djem boshnjakë (myslimanë). Rreth 30 mijë gra e fëmijë u deportuan brenda dy ditësh.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë masakrën e Srebrenicës më 2007-ën e cilësoi si akt gjenocidi. Rezolutat me të cilat u vërtetua ky aktgjykim u morën në Parlamentin e vendeve të BE-së, Kanadasë, SHBA-së dhe të Australisë.

Kuvendi i Serbisë më 2010-ën miratoi Deklaratën me të cilën dënohen krimet në Srebrenicë, duke konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por në tekstin e Deklaratës nuk përmendej shprehja gjenocid. / KultPlus.com

A do të këndojë Era Istrefi në finalen e Kampionatit Botëror në Rusi?

Është paralajmëruar që sa kohë që këngëtarja kosovare do të këndojë në Kampionatin Botëror të Futbollit. Era Istrefi është pjesë e këngëtarëve të këngës zyrtare të këtij kampionati – ‘Live it up’, bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam, shkruan KultPlus.

Por pritjet e adhuruesve ishin që Era Istrefi të këndojë në hapje të kampionatit, gjë që nuk ka ndodhur.
Dhe finalja e kësaj gare të madhe sportive po afron dhe pritjet që të shihet këngëtarja e njohur kosovare Era Istrefi në këtë ceremoni janë të mëdha.

KultPlus ka kontaktuar nënën e Era Istrefit, Syzana Istrefin e cila ka konfirmuar edhe njëhërë që Era Istrefi do të këndojë në finalen e kësaj gare.

“Era Istrefi do të këndojë në këtë ceremoni, sikurse edhe herave të tjera, kënga do të këndohet në fillim, në hapje”, ka thënë Istrefi, e cila ka treguar poashtu që në finalen e Kampionatit, Era Istrefi do të paraqitet vetëm me këngën zyrtare të Kampionatit. / KultPlus.com

Filmi ‘Martesa’, këtë herë në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi ‘Martesa’ me regji nga Blerta Zeqiri do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Një prej festivaleve më të mira të filmit në Ballkan, Festivali i Filmit në Sarajevë këtë vit do të shfaqë filmin në kuadër të programit In Focus 2018.

Në mesin e tetë filmave në program është edhe filmi që pati jehonë të madhe edhe në Kosovë dhe gjeti shikuesit e tij kudo – “Martesa”, shkruan KultPlus.

Në rolet kryesore në këtë film janë Genc Salihu, Adriana Matoshi dhe Alban Ukaj.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese.

Festivali i Filmit në Sarajevë fillon me datë 10 gusht. / KultPlus.com

‘Sofra e Gurbetqarëve’, për herë të parë në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesit e Ansamblit “Emin Duraku” nga Zhuri, me të cilët ka biseduar për realizimin organizimit “Sofra e Gurbetqarëve” i cili mbahet për herë të parë si i tillë në Kosovë.

Organizimi planifikohet të mbahet me 31 korrik të këtij viti në Prizren. Ministri Gashi është pajtuar që ky aktivitet kulturor të organizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Si shenjë mirënjohjeje, falënderimi dhe mikpritjeje për bashkatdhetarët tonë që jetojnë e veprojnë në Mërgatë, e që vijnë e kryejnë pushimet në vendlindje, pa hezitim kam miratuar kërkesën që organizimi kulturor në fjalë të realizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti”, tha ministri Gashi.

Në kuadër të këtij aktiviteti planifikohen të mbahen pika të ndryshme artistike të vlerave të mirëfillta autoktone shqipe por edhe do të shpërndahen mirënjohje për ata që kanë kontribuuar për çështjen e shtetësisë së Kosovës në forma të ndryshme.

Mbështetjen e aktivitetit në fjalë, ministri Gashi e ka vlerësuar edhe si një përkrahje institucionale për organizatat që merren me veprimtari kulturore në Kosovë.

Përfaqësuesit e Ansamblit e falënderuan ministrin për gatishmërinë e treguar dhe e informuan ndër të tjera edhe për punën, planet dhe sfidat me të cilat përballet ansambli. / KultPlus.com

Ndihmomëni të qesh

Poezi nga TRIFON XHAGJIKA.

Nuk mundem,
………………….. nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafine
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të urritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nukë e kepuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!

Shprehjet më të bukura për dashurinë nga Erich Maria Remarque

Erich Maria Remarque

“Jo”, tha ai me shpejtësi. “Kurrë. Të mbetemi miq? Pa mundohuni të rritni një kopsht të vogël me trëndafila, mbi hirin e ndjenjave të thyera? Jo, nuk do të funksiononte kurrë për ju, dhe as për mua. Kjo ndodh vetëm pas çështjeve të vogla, dhe duket çdo gjë e rreme. Dashuria nuk duhet të prishet nga miqësia. Fundi është fund”.

“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që dikur e dashuronit”.

“Sa me ngathtësi sillet një person, që ka rënë vërtet në dashuri! Sa shpejt zhduket vetëbesimi i tij! Dhe sa i vetmuar ndihet; të gjitha përvojat e tij të lavdëruara duket se janë zhdukur, ashtu si mjegulla, dhe ai ndihet kaq i dobët dhe i pafuqishëm”.

“Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij”.

“Një grua bëhet më e zgjuar kur ka rënë në dashuri, ndërsa një burrë thjesht e humbet toruan”.

“Vetëm njeriu i palumtur e vlerëson lumturinë. Një njeri i lumtur, nuk ndien më shumë gëzim sesa një manekin. Ai vetëm sa e shfaq, por nuk e zotëron atë. Drita nuk ndriçon në dritë; ajo shkëlqen në errësirë“.

“Sa më primitiv është një njeri, aq më shumë konsiderata të larta ka për vetveten”.

“S’ka asgjë më të lodhshme, sesa të shohësh se si një person e tregon intelektin e tij, veçanërisht nëse nuk ka asnjë të tillë”.

“Cinikët kanë karakterin më tërheqës, idealistët më të keqin. A nuk është e çuditshme?”

“Gratë duhet të adhurohen ose të braktisen. Çdo gjë tjetër është vetëm një gënjeshtër”.

“Çfarëdo që ju nuk mund ta keni, duket gjithmonë më e mirë se çdo gjë që keni. Kjo është romanca dhe budallallëku i jetës sonë!”.

“Thonë se jeta është e vështirë 70 vitet e para. Pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.

“Pendimi është gjëja më e padobishme në botë. Asgjë nuk mund të kthehet pas, apo të ndryshohet. Asgjë nuk mund të fiksohet. Përndryshe të gjithë do të ishim shenjtorë. Jeta nuk do të thotë se që ne të jemi të përsosur. Ata që janë të përsosur, duhet të vendosen nëpër muzeume”.

“Ndonjëherë duhet të thyeni parimet tuaja. Përndryshe ato nuk do t’iu sjellin kurrë kënaqësi”.

“Është më mirë të vdesësh kur dëshiron të jetosh, sesa të jetosh kur dëshiron të vdesësh!”.

“Çfarëdo që ndodh me ju, mos e merrni kurrë si personale. Asgjë në këtë botë nuk është aq e rëndësishme”.

“Muzat e Alpeve 2018” përkujtojnë Basri Çapriqin, Nazmi Rrahmani merr çmim

Manifestimi letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” i Shoqatës Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” realizuar në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Amerikë si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Shkrimtarëve “Art Club”të Ulqinit, sivjet filloi në Gjakovë, vazhdoi në Ulqin dhe do të përmbyllet në Krujë me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”.

Ndërsa, sipas kryetarit të komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, “Muzat e Alpeve” kanë kapërcyer kufijtë rajonal duke dëshmuar fjalët e shkrimtarit të mirënjohur malazez Jevrem Berkoviq, i cili me rastin e pranimit të Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” pat thënë se” miqësia e popujve fillon nga shkrimtarët dhe se manifestimet si “Muzat e Alpeve”udhëheqin drejt jetës së përbashkët”. Kryetari Nrekiq me këtë rast shtoi të jetë tejet I lumtur ky aktivitet letrar zhvillohet edhe në qytetin e Ulqinit, kultura e të cilit daton qe 2500 vjet dhe vazhdon të nxjerr artistë e shkrimtarë, të cilët me krijimtarinë e tyre zënë vend të rëndësishëm në letërsinë mbarëshqiptare. “Ndër ta padyshim është edhe poeti dhe kritiku I mirënjohur dr. Basri Çapriqi i cili u nda nga jeta por la pas vetes veprimtarinë me të cilën I ka siguruar vetvetes vend nderi në panteonin e kulturës shqiptare. Ndaj, siguroj artdashësit e veçanërisht “Teutën”, i siguroj se gjithmonë në mbështetjen e komunës së Ulqinit”.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi tha se takime dhe komunikime të artit, të kulturës dhe të shkencës na duhen më shumë se çdo gjë tjetër sepse, është mungesa e komunikimit mes njerëzve ajo që prodhon negativitet, mosnjohje, mospranim dhe gjëra të tilla të cilat I mbajnë distancat gjithmonë aktive. “Ne tashmë kemi një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet dy ministrive tona të kulturës dhe brenda saj janë pikërisht aktivitete të tilla bashkëpunimi në këtë fushë. Ndërsa, veprimtaria juaj ndër vite dhe aktiviteti juaj dje në Gjakovë, sot në Ulqin dhe nesër në Krujë është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë drejtim. Prandaj, Ambasada e Kosovës në Mal të Zi do të dëshironte të ketë rolin e vet si dhe të japë kontributin në koordinimin e aktiviteteve të tilla,ndërsa ju mund të llogarisni në bashkëpunimin tonë”-shtoi ambasadori Durmishi në fjalën e tij.

Ndërsa, shkrimtarja dhe gazetarja Ajete Bëqiraj, kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”, shprehu mirënjohjen e veçantë ndaj kryetarit aktual të komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, për mundësinë e ndalimit me aktivitete edhe në Ulqin në të cilin siç tha, nuk iu ishte ofruar mundësi ta bënin përgjatë viteve paraprake në një nivel të tillë dhe se Ulqini ishte prehri i romanit të saj të parë rinor “Ylli i Fatit i pushonte në dorë”.

“S ke me dal nga parajsa”, ishte poezia me te cilën prof.dr. Sali Bashota filloi kumtesën kushtuar jetës dhe veprës se shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur ulqinak Basri Çapriqit, i cili iu përkiste gjithë hapësirave mbarëshqiptare dhe la pas vetes një bagazh të pavdekshëm në thesarin e letërsisë mbarëshqiptare, ballkanike e me gjërë ndonëse pa I mbush te 58-tat iku nga kjo botë tokësore për t’u ngritur përgjithmonë në botën e pavdekshme të vlerave letrare të letërsisë shqipe. “Basri Çapriqi ishte poet i mrekullueshëm, eseist briliant, studiues i letërsisë dhe mësimdhënës i veçantë, ndërsa vepra e tij me ese e poezi , e cila është përfshirë në dhjetëra antologji botërore. Vlera e veprës së tij në fushën e studimeve letrare si dhe në atë të poezisë dëshmon se Basri Çapriqi do të mbetet ndër poetët dhe studiuesit me të rëndësishëm të hapësirave mbarëshqiptare”.

Martinoviq: “Çapriqi në radhën e shkrimtarëve që vetdijësojnë popujt”

Ndërsa, shkrimtari I mirënjohur malazez Mirash Martinoviq, laureat i 4 i Çmimit “TEUTA” në hapje të orës letrare kushtuar jetës dhe veprës së Basri Capriqit solli përshëndetjet e akademikut Jevrem Brkoviq.

Dita e dytë e manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018” u përmbyll me mirënjohje për “Art Club”-in dhe për kryetarin e komunës së Ulqinit Loro Nrekic, si dhe me një darkë të përbashkët shtruar nga komuna e Ulqinit. Përderisa, dita e tretë e manifestimit vazhdon në qytetin e Krujës, ku edhe do të ndahet Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta”, shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmanit. / KultPlus.com

Mbi 300 studentë, pjesëmarrës në Universitetin Veror në Prishtinë

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga sot do të jetë nikoqir i mbi 300 studentëve nga vendi, rajoni dhe bota, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 18-të të Universitetin Veror Ndërkombëtar.

Këtë edicion janë përzgjedhur 15 kurse, ku studentët mund të vijojnë vetëm një kurs, pastaj në fund do të marrin një notë dhe 4 kredi, të cilat pastaj mund t’i transferojnë në universitetet në të cilat vijojnë mësimet.

Drejtoresha e Universitetit Veror, Lumnije Bajrami, ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë bërë rreth Universitetit Veror.

“Sot do të fillojë mësimi i rregullt me kurset e parapara. Po ashtu në kuadër të aktiviteteve kemi edhe vizita nëpër Kosovë”, i tha ajo sot televizionit publik.

Pjesëmarrësit vijnë nga rreth 30 vende të botës. / KultPlus.com

Fshati shqiptar ku është e ndaluar të flitet shqip

Është e trishtë historia e Negovanit. Në vitin 1928 këtij fshati të famshëm iu kthye emri në Flamburo. Në ditët e sotme aty ende banojnë shqiptarë ortodoksë dhe pak vllehë. Por sipas të dhënave nga viti 1912 deri në vitin 1928 në Negovan banonin rreth 1100 njerëz.

Ky fshat është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij. Në shumë shkrime të mëparshme kemi përmendur që në këtë fshat u hapën shkolla shqipe dhe u mbajtën mesha në gjuhën shqipe që në fillim të shekullit XX.

Fshati është i njohur sepse këtu lindën figura të shquara shqiptare ndër më të njohurit Papa Kristo Negovani dhe Theodhos Haradhambi Negovani, të cilët u vranë barbarisht nga grekët në vitin 1905 sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe.

Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.

Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.

Sipas të dhënave që disponon historiani i njohur Arben Llalla në librin e tij “Demografia në viset Veriore të Greqisë”, shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro.

Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.

Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.

Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.

Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë. / KultPlus.com