Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim Kryetarin e Odës Ekonomike Kosove-Zvicër, Stefan Sarakany dhe kryetarin e fondacionit të artistëve nga Zvicra Jacob Abraham.
Qëllimi i këtij takimi ishte fillimi i bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Zvicrës.
Konkretisht në këtë takim u bisedua rreth fillimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe Odes Ekonomike Kosovë-Zvicër për bashkëpunim në aktivitetet kulturore.
Më këtë rast ministri Gashi tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Zvicrës është në interes të realizimit të aktiviteteve kulturore që kanë për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në vendet e ndryshme të Evropës, me theks edhe në Zvicër ku ndodhen edhe shumë bashkatdhetarë nga Kosova.
Ministri tregoi gatishmërinë për të mbështetur projektet të cilat mundësojnë edhe shkëmbimin e artistëve, profesionistëve si dhe përvojave të mira mes Zvicrës e Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të ndërkëmbimit kulturor.
Ndërkaq të pranishmit në takim e falënderuan ministrin Gashi për pritjen dhe u shprehën të gatshëm për të filluar bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve kulturore të cilat kanë për qëllim fuqizimin e kulturës ne vend dhe në rajon./ KultPlus.com
I dashur dhe i shtrenjti, xhaxhai im, Anisim Petroviç!
Tani ishte tek unë bashkëfshatari Juaj, Kuroshejevi, dhe më tha, mes të tjerash, se këto ditë qenka kthyer nga jashtë shtetit, me familjen e tij, fqinji Juaj, Murdasheviçi. Ky lajm më befasoi së tepërmi, ngaqë përflitej se Murdasheviçët nuk do të ktheheshin më këtu. I dashuri dhe i shtrenjti im xhaxha! Në qoftë se e doni sadopak nipin tuaj të vogël, çapni, ju lutem, te Murdasheviçët dhe pyesni se si i ka punët bija e tij, për shpirt, Mashjenka. Po ju rrëfej një të fshehtë fort të çmuar të shpirtit. Vetëm Juve mund t’jua besoj. Unë e dua Mashnjekën, e dua marrëzisht, më shumë se jetën! E pra, gjashtë vjet ndarje nuk e kanë cënuar aspak dashurinë time ndaj saj. Gjallë është dhe shëndoshë e mirë? Shkruamëni, se në ç’gjendje e gjetët, dhe pyeteni nëse më kujton dhe më do si më parë. A mund t’i dërgoj ndonjë letër? Mësoni gjithë sa të mundeni, i dashur, dhe më shkruani hollësisht. Thuajini asaj se unë nuk jam më ai studenti i drojtur e i varfër… Tashmë jam bërë avokat, kam përvojë, para… Me një fjalë, për një lumturi të plotë, tani më mungon vetëm ajo… vetëm ajo! Në pritje të një përgjigjeje sa më të shpejtë, të përqafoj. Vladimir Greçnjevi
Përgjigja: I dashur nipi im, Vollodja! Me të marrë letrën tënde, ditën tjetër e mbajta frymën te Murdasheviçi. Burrë për së mbari, s’ke ç’i thua! Vërtet ishe plakur e thinjur jashtë shtetit, por nuk e kishte harruar mikun e tij të vjetër, aq sa kur hyra, u hodh në këmbë e më përqafoi dhe, pasi më kqyri gjatë, më tha me zë të ëmbël e mëdyshas: “Sikur s’po të njoh”. Kur i përmenda emrin, më përqafoi sërish e më tha: “Tani po, më kujtohesh”. Shpirt njeriu. Meqë ishte rasti, pimë e hëngrëm diçka e ndenjëm një copë herë bashkë. Më shpjegoi me shembuj dhe mënyra të ndryshme jetën që kishte bërë jashtë dhe më hutoi fare me përshkrimet lojacake të moralit të ngatërruar të gjermanëve. Shkenca e gjermanëve, sipas tij, ka shkuar tepër larg. Më tregoi një tablo të blerë gjatë një udhëtimi në Itali, ku qe zografisur një person i seksit femër, me një veshje të çuditshme, pa pikë lezeti. E takova edhe Mashjenkën. Kish veshur një fustan të shtrenjtë ngjyrërozë, me ca lajle-lule që kushtojnë një djall e gjysmë. Ty të mbante mend fare mirë, madje iu mbushën sytë me lot kur pyeti për ty. Pret letër nga ti dhe të falenderon për kujtimet dhe ndjenjat. Të shkruan se tashmë ke goxha përvojë dhe para. Në më dëgjofsh mua, ruaji paratë, shpirt, dhe mbahu denjësisht, siç të ka hije. Dhe unë qesh i ri një herë e një kohë dhe e pata tepruar me zullumin me dashuriçat, ama u dhashë fund shpejt, dhe s’jam penduar. Me kaq, të uroj e të bekoj gjithë të mirat. Xhaxhai dhe dashamirësi yt, Anisim Greçnjevi.
P.S. Ti shkruan disi turbullt, por në mënyrë tërheqëse dhe bukur. Ua tregova letrën tënde të gjithë fqinjëve. Pasi e lexuan, ata të quajtën gati-gati shkrimtar, madje i biri i atë Grigorit, Vladimiri, propozoi që ta botonim në gazetë. Ia tregova edhe Mashjenkës, edhe të shoqit të saj, gjermanit Urmaher, me të cilin Mashjenka është martuar vitin e shkuar. Gjermani e lexoi dhe të lavdëroi. Tani letrën tënde ia tregoj dhe ia lexoj kujtdo që takoj. Më shkruaj prapë. Havjari i Murdasheviçit ishte aq i shijshëm, sa të lije thonjtë./filozofia.al
Pas bërjes të ditur nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Berlinale’, se filmi nga Kosova “Në mes” i autorit Samir Karahoda, do të jetë pjesëmarrës në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e konsideron këtë një sukses të radhës për filmin kosovar.
Ky vlerësim vjen pasi që është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që konsiderohet njëri nga festivalet më prestigjioz të filmit në Botë.
Ministri Kujtim Gashi, pjesëmarrjen për herë të parë të një filmi nga Kosova në Festivalin e Filmit në Berlin të Gjermanisë, e vlerëson si një sukses të jashtëzakonshëm dhe një arritje tjetër kulturore për Kosovën në përgjithësi në arenën ndërkombëtare.
“Filmi ‘Në mes’ i autorit Samir Karahoda është përkrahur nga Ministria e Kulturës, nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe jemi shumë të lumtur për këtë sukses, pasi që orientimi i buxhetit në përkrahje të prodhimit filmik po shpërblehet”, tha mes tjerash ministri Gashi.
“Dua t’i falënderoj dhe shpreh mirënjohjen të gjithëve që kanë dhënë kontribut në këtë film, duke filluar që prej autorit të filmit, stafit teknik, aktorëve e QKK-së për angazhimin e tyre, që të kemi këtë produkt”, vazhdoi tutje ministri duke shtuar se uron që filmi “Në mes” të kthehet nga Berlini me çmim.
Ministri Gashi premtoi se buxheti dhe përkrahja e MKRS-së për QKK-në dhe prodhimin e filmit do të rritet në vazhdimësi, sepse përmes filmit dhe funksionin që ka ai, përçohet mesazh pozitiv për Kosovën jashtë vendit si dhe përmes rolit të filmit mund të kemi emancipim edhe më të madh.
Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij merr pjesë në Berlinale. Ai tha: “Përzemërsisht dua të falënderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuuan me zemër në formimin e kësaj vepre.”
Filmi i cili është prodhim autentik i Kosovës, trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.
Sapo u publikua lajmi se këngëtarja me prejardhje kosovare, është bërë fytyra e re e kampanjës reklamuese të markës së njohur të modës, “ESCADA”, shkruan koha.net.
Në uebfaqen e kësaj kompanie shkruhet se, Rita e portretizon saktë shpirtin e “ESCADA”-së të një femre të fuqishme dhe lozonjare por e cila është përgjegjëse për të ardhmen e saj.
Të ngjitesh në skenë. Të bëshë grimin. Të ngjallësh personazhin. Të jetosh në mes të dekoreve dhe perdeve. Të ulesh në proskenium. Të marrësh frymë thellë. Ta dëgjosh zërin e natës. Të jetosh jetën e huaj. Ta bartësh mbi supe kalvarin. Ta shikosh në sy Ferrin dhe Parajsën njëkohësisht. Të jesh i ekzaltuar, i emocionuar, i lodhur nga jeta e heroit në skenë. Të zgjohesh nga ankthi dhe ëndrra. Ta bëshë copë e grimë vetminë e Hamletit në pasqyrë. Pastaj ta prekësh iluzionin pas perdeve pa ngjyrë dhe dritë. Ta ushtrosh trupin dhe shpirtin terë jetën, para publikut në një sallë që të duartroket…
Aktori i ngjan Pegazit. Jeta e tij është dëshirë dhe nostalgji për ngritje. Për ecje kah majat e skenës. Është pirg Obelisku. Instikt dhe dhunti. Skena është jetë kulti. Lutje. Gjuhë mistike e vetmisë. Teatri është themeli i shtëpisë së imagjinuar. Rekuizitë e elementeve sakrale në një bodrum…
Një ditë ai ikë nga jeta reale. Ikë nga heronjtë e tij. Nga personazhet. Nga myku në garderobë. Nga zhurma në skenë. Natën pa hënë, tinëz ikë, duke i flakur në fund të garderobës kostumet e grisura përplot pluhur shekullor. Duke lënë tekstin, rekuizitat, pëshpëritësin, autorin, regjisorin, kostumografin, skenografin, dhe njëqind të tjerë…
Shani Pallaska ishte aktor dhe doajen. Ishte princ i skenës. E jetoi jetën në heshtje dhe kreacion. Foli vetëm pesëdhjetë vite në skenë. Bëri jetë të pagabuar skenike. Ishte zë antik i një simfonie. I lindur me talent dhe vokacion të rrallë. Timbër dhe fah të Aleksandër Moisiut. Bashkëkohanik i tij. Lojtar si ai…
Myku në garderobë dhe gjuha mistike e vetmisë
Bardi i Teatrit të Kosovës, aktori Shani Pallaska, për pesëdhjetë vjet me radhë nuk zbriti nga skena jonë teatrore. Madje as kohët e fundit, para luftës dhe para vdekjes, kur lodhja shpirtërore dhe fizike kolektive peshonte rëndë mbi çdo njeri. Ai s’ju dorëzue stuhisë për asnjë çast, duke mbyllur kështu rrethin artistik të karrierës së tij të shkëlqyeshme prej artisti dhe duke shënuar qartë fillimin, rritën dhe zhvillimin e tempullit të kulturës sonë.
Shani Pallaska hyri në këtë tempull me 1946. Hyri si autodidakt dhe si tetëmbëdhjetëvjeçar. Në të vërtetë, ai ishte themelues i institucionit tonë të parë teatror. Hyri si entuziast atëbotë dhe shkoi si mbret i skenës, i cili padyshim në historinë e Teatrit Shqiptar do të mbetet ndër aktorët më të mirë të shekullit XX.
Shaniu ishte i seleksionuar nga natyra me talentin e rrallë që kishte. Dhe kjo dhunti e talentit të tij që nga roli i parë e deri te ai i fundit janë role që karakterizohen me një vrull dhe mjeshtëri aktoreske të rrallë. Zhvillimi dhe sukseset më të mëdha të Teatrit të Kosovës janë të lidhura me punën dhe emrin e tij, pra mund të thuhet se ai ishte edhe arkitekt i kësaj skene. Në galerinë e qindra roleve të tij, të cilat i realizoi me aq përkushtim që nga Shekspiri, Kadareja, Beketi dhe sidomos nga dramaturgjia kombëtare të cilën e afirmoi me aq sukses. “Erveheja” ishte zbulim, ndërsa Godoja i tij në shfaqjen e Beketit “Duke pritur Godonë” ishte versioni i rolit më të mirë në Evropë në vitin 1970.
Testamenti artistik: Ushtrimi i trupit dhe i shpirtit
Shani Pallaska jetoi shtatëdhjetë e një vjet. Në skenë kaloi gjysmë shekulli. Ai ishte një epokë e tërë e aktrimit për skenën shqiptare.
Regjisori Fadil Hysaj i cili bashkëpunoi me të, shprehet: Aktroi role të mëdha dhe të vogla. Luajti në shfaqje të mëdha dhe në të vogla. Për të ishte me rëndësi të ishte në skenë. Vetëm jeta jashtë skene për Shani Pallaskën nuk kishte kuptim. Në një hapësirë të zhbrazët, të quajtur skenë, dekada me radhë Shaniu krijoi dhe ngjalli personazhe përmes të cilave ndezi emocione të fuqishme te spektatorët, duke iu plasuar atyre mesazhe sublime me magjinë e aktrimit teatror.
Gjysmë shekulli më parë, Shani Pallaska së bashku me një grup entuziastësh si Muharrem Qena, Katerina Josipi, Meribane Shala, Matej Serreçi, Hyrije Hana e të tjerë, formuan Teatrin Popullor të Kosovës. Gjatë karrierës brilante dhe të gjatë në këtë skenë, Shaniu u imponua me lojën e tij, të një stili të veçantë të aktrimit, i cili me kohë u përvetësue nga shumica e aktorëve të tjerë si stil kolektiv i aktrimit.
Shani Pallaska u bë i njohur për publikun me shfaqjen “Besa” të Sami Frashërit që në vitin 1951. Pastaj, publiku ynë duke i përcjellë me dashuri të veçantë shfaqjet e ardhshme, filloi ta mësojë rrugën për në teatër. Me shfaqjen “Erveheja”, edhe publiku por edhe aktorët arrijnë pjekurinë artistike, ndërsa Shaniu me rolin e tij në këtë shfaqje sëndërton një stil të veçantë të aktrimit të cilin do ta kultivojë pastaj edhe me tepër në shfaqjet “Duke pritur Godonë” të Beketit, në “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, e në dhjetëra shfaqje dhe autorë të tjerë.
Gjuha skenike me të cilën ai iu qasej personazheve të tij ishte një lloj testamenti i veçantë artistik. Shaniu në të gjitha rolet e tij demonstroi një mjeshtri të rrallë të aktrimit, me një gamë të gjerë të arsenalit shprehimor aktoresk që përbëhej prej intonacionesh e ngjyrimesh vokale të cilat të shprehura herë si psherëtima e herë si shpërthime eruptive, aktrimit të tij i jepnin një peshë të një tragjedie antike. Ai i ndërtonte karakteret e personazheve të tij duke kombinuar me sukses grimasat dhe gjestet e imëta me maska dhe gjeste të mëdha, që dinin të përshkonin terë skenën. Loja e tij ngërthente mrekullisht nuanca të holla psikologjike të gërshetuara me grotesken, tragjiken dhe komiken. Dhe të gjitha këto arrinte t’i harmonizonte çuditërisht me një terësi organike e cila rrezatonte nga ai energji të cilën e disponojnë vetëm aktorët e mëdhenj të skenës, përfundon regjisori Hysaj.
Mileti dhe telalli me tupan
Në një intervistë me dramaturgun Haqif Mulliqin për revistën “Theatri” në vitin 1995, i pyetur për shfaqjet e para të Teatrit të atëhershëm Popullor, se si i ka pritur publiku atëbotë, Shaniu përgjigjet: “Paj, ç’të them… Më kujtohet kur shkuam për të shfaqur një pjesë diku në një fshat të Ferizajt. Kur arritëm në fshat rreth nesh ngarendën fëmijët, e besa kishte edhe të rritur në mesin e tyre. Njëri prej tyre na pyeti: “Hej, a jeni ju cirku, a?”. Ne u thamë: “Po, cirku jemi”, dhe i ftuam që të vijnë në mbrëmje që ta shikojnë “cirkun”.
Ndërkaq, kur shkuam në Zhegër të Gjilanit, në shesh të fshatit doli telalli me tupan dhe nisi të thërrasë: “O milet, nëse doni të shihni seri, ejani sonte në mejtepin e xhamisë!”.
Më kujtohet kur në një manifestim ne e fituam shpërblimin kolektiv, i cili kishte vlerën prej 50 mijë dinarëve të asaj kohe. Mirëpo, fati e deshi që shefi i kontabilitetit, sapo u kthyem së andejmi, i vodhi ato para dhe iku në Kanada…
Sa i përket shkollimit, Shaniu në të njejtën intervistë përgjigjet: “Unë në fillim kisha planifikuar që të shkoja diku në shkollim të zërit, pra të studioja muzikën. Të gjithë rreth meje mendonin se posedoja një zë të bukur. Por, me angazhimin tim në teatër, Xhavit Nimani i cili në atë kohë ishte përgjegjës për arsim dhe kulturë në Kosovë, më tha: “Ose rri në teatër e puno si aktor, ose do të dërgoj që të punosh si mësues diku në ndonjë katund të përtej bjeshkëve”. Natyrisht që unë në mes të parës dhe të dytës u përcaktova për teatër dhe për aktrim, por e di se më me dëshirë do të shkoja për ta shkolluar zërin. E dija se teatri ishte aty dhe se në të do të mund të kthehesha kur të doja, por në akademi nuk shkohet çdo ditë”.
“Gjenerali…” shfaqja e përmasave kombëtare
Duke folur për repertorin teatror, Shaniu shton se në fillim në teatër kishte fare pak publik, por me ardhjen e “Besës” së Sami Frashërit në skenë gradualisht nisi të krijohej publiku shqiptar i cili kërkonte edhe një biletë më tepër. Ndërkaq, për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, në të cilin gjithashtu ai luante rolin kryesor, vlerëson se kjo ishte një ngjarje kulturore e përmasave kombëtare. Ndërsa për periudhën e mëvonshme të krizës teatrore e cila filloi me aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë, Shaniu përveç tjerash shprehet: “Do të thosha se kështu ka ndodhur edhe dekulturimi i shikuesit tonë, në veçanti duke i imponuar atij skeçet e Lecit, Cimës apo edhe të ndonjë tjetri… Por, çështja është se në rrethanat në të cilat jetojmë është absolutisht e pamundur që të bëhet çfarëdoqoftë në mbrojtjen e vlerave të mirëfillta. Kjo bëhet me sistem, ndërsa fatkeqësisht, një sistem të tillë ne nuk e posedojmë…”. Në vazhdim të kësaj interviste për revistën “Theatri”, i pyetur nga autori i saj për shfaqjet e ndaluara dhe konkretisht për “Krushqit janë të ngrirë” të Kadaresë në regji të Selman Jusufit dhe Pirro Manit në vitin 1993, dhe për përjetimin e tij, ai shton: “Shikoni, unë nuk e kam përjetuar burgun, ashtu siç e përjetuan të tjerët, por mendoj se për aktorin është po aq përdhunuese kur ia ndalojnë shfaqjen, kur ia vrasin personazhin të cilit ia ka falur trupin dhe gjakun… Më kujtohet para dy vjetësh kur në TPK u ndalua shfaqja “Krushqit janë të ngrirë”. Nuk di a më besoni se sa tmerrshëm e kam përjetuar këtë. Ata, madje nuk na lanë as të hyjmë në teatër, duke na kërcënuar. U ktheva në shtëpi, u mbylla në dhomë dhe deri në mëngjes nuk kam fjetur. Terë natën, nuk e di sa e sa herë, në vete e kam përseritur tekstin tim… Kisha nevojë ta bëja këtë… Pas kësaj ndalese kisha përshtypjen se unë do ta harroj këtë rol. Se ata do të më futen në kokë dhe do ta shlyejnë atë edhe nga koka ime. Andaj instikti më shtyente që ta përsërisja tekstin vazhdimisht…”.
Shani Pallaska padyshim ishte aktori që la gjurmë të thella në aktrim skenik dhe filmik në Kosovë. Aktrimi i tij ishte total dhe unik. Ndërsa për skenën tonë, për një gjysmë shekulli, ishte shenjë mbrojtëse dhe emblemë.
Sot përmes komunikatës për shtyp Festivali Ndërkombëtar i Filmit BERLINALE njoftoj për pjesëmarrjen e filmit NË MES të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.
Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.
Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.
Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz: “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues. Përzemërisht dua të falenderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuan me zemër në formimin e kësaj vepre.” theksoi autori Karahoda. NË MES është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovar” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011.
Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare: “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur t’a pasqyroj kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë.” theksoj producenti Bilibani.
Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.
Regjia dhe Drejtor i Fotografisë: Samir Karahoda, Producent: Eroll Bilibani, Montazhi: Enis Saraçi, Dizajner Zëri: Memli Kelmendi, Xhirues Zëri: Gëzim Rama dhe Dizajnere Grafike: Nita Salihu Hoxha.
Premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 Shkurt!
Nuk ka asgjë të bukur tek procesi i të shkruarit. Gjithë sa duhet të bëni, është të uleni para një makinë shkrimi dhe të kulloni gjak.
“Të gjitha gjërat vërtet të mbrapshta fillojnë nga pafajësia.”
E dua gjumin. E dini, jeta ime ka tendencë të rrënohet kur zgjohem.
Sot është e vetmja ditë nga të gjitha të tjerat që do të jetë ndonjëherë. Por se çfarë do të ndodhë në të gjitha ditët e tjera që vijnë, mund të varet nga ajo që ju bëni sot.
Bëjeni gjithnjë esëll atë që keni premtuar kur ishit i dehur. Kjo do t’iu mësojë ta mbani gojën mbyllur.
Unë pij për t’i bërë më interesantë njerëzit e tjerë.
Shkruani kur jeni i dehur; redaktoni kur jeni esëll.
Të gjithë njerëzit mendimtarë janë ateistë.
Kur njerëzit flasin, dëgjojini plotësisht. Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë asnjeherë.
Mos ngatërroni asnjë lëvizjen me veprimin.
Një njeri inteligjent është i detyruar ndonjëherë të dehet, për të kaluar kohën me budallenjtë e tij.
Pjesa më e vështirë e të shkruarit të një romani, është ta përfundoni atë.
Për të shkruar në lidhje me jetën, ju më së pari duhet ta jetoni atë.
Kur filloni të jetoni jashtë vetvetes, gjithçka është e rrezikshme.
Vdekja është si një prostitutë plakë ulur në një bar – unë do ta qeras me një pije, por s’dua të ngjitem lart me të.
Vera është gjëja më e civilizuar në botë.
Pozicionimi kundër të keqes nuk ju bën domosdoshmërisht të mirë.
Jeta nuk është e vështirë për t’u menaxhuar kur s’keni asgjë për të humbur./ bota.al/ KultPlus.com
Siç raportohet nga Clint në blogun e tij “No Idea What I’m Doing: A Daddy Blog”, një ditë nëna e tij i kritikoi gruan për pastërtinë e shtëpisë. Fillimisht Clint nuk u përfshi në këtë debat.
Më pas ai vendosi që të shkruajë një përgjigje në faqen e tij në Facebook:
“Pak kohë më parë, më telefoni nëna ime dhe u habita nga fjalët e saj:”A nuk të shqetëson fakti që Mel nuk pastron aspak?”, i thotë ajo. Me siguri ajo e kishte vënë re, ishte mendimi im i parë, që jo gjithmonë shtëpia jonë është e pastër në përsosmëri. Unë e pranoj se ka ditë kur, për shkak të angazhimeve, nuk mund të bësh ose ndjekësh gjithçka. Por mendova se ideja për t’u martuar nuk u mbështet tek rendi dhe pastërtia. Unë nuk u martova me Mel për këtë! Kështu, vëzhgimi i nënës sime më bëri të kuptoj, pa e fajësuar atë, dallimin mes nesh, si brez dhe mentalitet. Ajo dhe babai im, pothuajse gjithmonë mungonin, kishin një mënyrë jetese shumë të ndryshme nga jona. Babai im më tha një herë: “Para se të martohesh me një grua, bëji një vizitë të papritur dhe shiko se si i mban gjërat e saj”. Unë mendoj se shqetësimi i nënës sime për pastrimin e shtëpisë sime ka të bëjë shumë me pritjet që ekzistonin kur ishte e re. Ajo u rrit dhe u martua me këto ide. Megjithatë, menjëherë kuptova se unë nuk u martova për këtë. Më pëlqejnë sytë e saj, buzëqeshja, mënyra se si i ndajmë të gjitha aspektet e jetës dhe familjes sonë. Dhe kështu, pak kohë më pas u përgjigja: “Unë nuk u martova me Mel për të pasur një shtëpi të pastër. U martova për të ndarë jetën me të”.
Pas pak çastesh heshtje totale, ajo vuri në dukje: “Kjo do të thotë që është më e rëndësishme se të kemi një shtëpi të pastër…” “Po, – u përgjigja!” / revistapsikologji/ KultPlus.com
Disa thënie nga shkrimtarja e klasicizmit, Iris Murdoch.
“Dashuria është treguesi më i mirë se diçka përtej egoizmit është e vërtetë”.
“Ne jetojmë në një botë fantazish, një botë iluzioni. Synimi më i madh në jetë është të gjejmë realitetin”.
“Unë uroj që kushdo të bekohet me mure për erën, me një çati për shiun, me një filxhan çaji të ngrohtë pranë zjarrit, me njerëzit që i do pranë, si dhe me çdo gjë që dëshiron zemra e tyre”.
“Dashuria është ajo që ndodh kur qendra e universit të dikujt fillon dhe rrotullohet rreth të njëjtin person tjetër”.
“Vetëm gënjeshtrat dhe e keqja mbizotërojnë, nëse i lë të tjerët të marrin vendime për ty”.
“Ne mund të mësojmë të duam vetëm duke dashur”.
“Të dalësh nga një dashuri e madhe është vërtet ftilluese, pasi nis ta shohësh botën me sy të rinj”.
“Çdo mashkull ka nevojë për dy femra, një shtëpiake të qetë dhe një nimfë trilluese”.
“Unë mendoj se të jesh femër është njësoj si të jesh irlandeze. Çdokush thotë se ti je e rëndësishme dhe e mirë, por përherë të vendosin në vend të dytë”.
“Ne të gjithë duhet të përgatitemi për të ardhmen, nëse shohim se sa e tmerrshme është e tashmja jonë dhe sa keq po shkon ajo”./bota.al/ KultPlus.com
Gjykatat saudite nga tani do të përdorin një SMS (mesazh) për t’i informuar gratë atje se tashmë janë të divorcuara, përcjell KultPlus.
Ligji i ri hyri në fuqi këtë të diele dhe
është lavdëruar si një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë fund shkurorëzimeve
sekrete dhe për të mbrojtur të drejtat e grave. Sipas Ministrisë së Drejtësisë,
gjykatat saudite filluan të dërgojnë njoftime të tilla të dielën në “një
hap që synon mbrojtjen e të drejtave të klientëve femra dhe rritjen e
transformimit digjital me më shumë shërbime”.
CNN raporton se këto mesazhe përfshijnë numrin
e certifikatës së divorcit dhe emrin e gjykatës ku gratë mund të marrin
dokumentacionin./ KultPlus.com
Me duart e vendosur në kokë, dhe sytë e përhumbur diku, nudoja në tablonë e Sadik Kacelit mbart gjithë misterin e së bukurës. E realizuar në vitin 1938, kur artisti ishte vetëm 26 vjeç, kjo është një nga nudot më të bukura në historinë e nudos shqiptare. Vajza që pozon është shqiptare. Gjatë kohës së studimeve në Francë, Kaceli ka realizuar një sërë nudosh me laps.
Silueta femrash që tashmë janë pjesë e koleksionit të çmuar të familjes. Sadik Kaceli lindi më 14 mars 1914 në Tiranë dhe ndërroi jetë në 24 dhjetor 2000 në Tiranë. Në vitet 1932 – 1936, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Kushi, Mario Ridola dhe Abdurrahim Buza ndoqi “Shkollën e Vizatimit” në Tiranë.
Në vitin 1934 ai u zgjodh si një nga nxënësit e shkëlqyer të “Shkollës së Vizatimit” dhe së bashku me një grup nxënësish të Gjimnazit të Shtetit u shpërblyen me një udhëtim në Stokholm, ku u pritën nga Konsullata Shqiptare atje. Më 12 prill 1936 Sadik Kaceli, pasi i kishte shkruar një letër Henri Matisse, për ta ndihmuar që të fillonte akademinë në Paris, mori përgjigje pozitive për të ndjekur një akademi të rëndësishme të drejtuar nga Andre Lhote.
Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris. Kaceli është autori i kartmonedhës shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, autori krijues i stemës së Republikës së Shqipërisë dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, në vitin 1946. Në Kinostudion “Shqipëria e re”, në vitin 1952, Kaceli realizoi një nga afresket në pjesën e sipërme të hollit hyrës.
Nga viti 1946 deri në vitin 1973, Kaceli ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në lëndë të ndryshme (vizatim, pikturë, histori arti, perspektivë etj) për shumë breza nxënësish. Vepra “Lexuesja” e pikturuar në vitin 1947 është punimi i parë i koleksionuar në vitin 1955, në fondin e GKA Koleksioni me vepra të Sadik Kacelit, që ndodhet në GKA përmban 45 punime në teknikat vaj, pastel, akuarel, tempera, vizatim dhe grafikë./gazeta-shqip.com/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Ministarstvo
Kulture, Omladine i Sporta / Ministry of Culture, Youth and Sports
Ministria
e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Departamenti i Kulturës
i fton organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e
asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku
është e koncentruar diaspora), si dhe Individët,
programi
i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës që të aplikojnë për
mbështetje financiare për projektet-idetë me karakter:
Profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtësor
i respekojnë standartet krijuese europiane dhe botërore;
Promovues, të cilat kanë për qëllim paraqitjen dhe
integrimin e artistëve vendor në skenen artistike ndërkombëtare;
Stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e
talenteve të reja me ide të veçanta kreative;
Tradicional, përmes të cilave do të promovohen vlerat
kulturore;
Inovativ, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe
mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues;
Kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin
debat dhe diversitet artisitik;
Projektet lidhur me politikën e diversitetit kulturor dhe
dialog nënkupton projekt propozimet nga komunitete jo shumicë, ndërsa projektet
me karakter multietnik obligohen që përfshirja e personave
të jetë së paku 50% nga komunitete jo shumicë;
2. OJQ-të dhe Individët, në
përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre
për promovimin e kulturës, në fushat: kinematografi,
teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor dhe dialog,
diplomaci kulturore, aktivitete letrare, bibliotekari.
Shuma e mbështetjes financiare për projektet
e OJQ-ve mund të jetë maksimum deri në 20,000.00 Euro.
Shuma e mbështetjes financiare për projektet
e Individëve mund të jetë maksimum deri në 5,000.00
Euro.
4. Afati i fundit për dorëzimin e
propozimeve është 15 ditë pune dhe përfundon me datën 22
janar 2019.
5. Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:
Për t’u kualifikuar për
mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e
përgjithshme minimale të përcaktuara me dispozitat në vijim:
të jenë të regjistruar si OJQ sipas
kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asociimit në organizata
jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar
diaspora;
të jenë të pajisur me numër fiskal sipas
kërkesave të legjislacionit tatimor të Republikës së Kosovës, përkatësisht
dokumentacionin ekuivalent sipas legjislacionit të shtetit përkatës për OJQ-në
e huaj;
të kenë kryer të gjitha detyrimet nga
mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të
financimit;
të mos kenë pranuar mjete nga burime
tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
të mos ekzistojë ndonjë konflikt
interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të
aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet
me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
Vertetimin që OJQ-ja nuk ka obligime
tatimore (nga ATK).
6. Kriteret e përgjithshme për Individët:
të kenë kryer të gjitha detyrimet nga
mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të
financimit;
të mos kenë pranuar mjete nga burime
tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
të mos ekzistojë ndonjë konflikt
interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të
aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet
me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
Në rast të dështimit për të përmbushur
ndonjërin nga kriteret specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pa
kompletuar dhe si i tillë nuk do të kualifikohet për mbështetje financiare.
7. Kriteret e vlerësimit:
Me
rastin e vlerësimit të projekt-propozimeve, Komisioni do të vlerësojë me sa
vijon:
a posedon OJQ-ja, respektivisht Individi,
kapacitete profesionale për të kryer aktivitetet e planifikuara të projektit
/programit (a kanë aftësitë e duhura dhe aftësitë për zbatimin e projektit, si
dhe njohuri në lidhje me çështjet që trajtohen në këtë ftesë)
a posedojnë kapacitete të menaxhimit të
mjaftueshme OJQ-ja (duke përfshirë personelin, pajisjet për të udhëhequr me
projektin)?
a është i përcaktuar ekipi i projektit
dhe detyrimet e anëtarëve të ekipit?
sa relevant është projekt-propozimi për
qëllimet dhe fushat të ftesës publike (a ndërlidhet projekti me aktivitetet e
parapara me politikat e fushës, të cilat i mbulon ftesa publike?
a janë objektivat e projektit/programit
të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe realisht të arritshme?
a janë aktivitetet e projektit /
programit të qarta, të arsyeshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme?
a janë kostot e projektit/programit
reale në lidhje me rezultatet specifike dhe kohëzgjatjen e pritshme të
projektit?
a janë kostot e projektit në përputhje
me aktivitetet e planifikuara të projektit/programit?
OJQ-të
dhe Individët mund të aplikojnë me më së shumti (1) projekt në kuadër të kësaj
ftese publike. Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 31 dhjetor 2019.
Të
drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të dhe Individët që dëshmojnë se programi
i tyre i punës është i fokusuar në fushën e promovimit të kulturës. OJQ-të dhe
Individët duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë
transparente sipas legjislaconit në fuqi, në përputhje me rregullat e
kontabilitetit, si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit
të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare
publike.
Para
nënshkrimit të kontratës, OJQ dhe Individi duhet të paraqesin prova se personi
përgjegjës (menaxheri) në OJQ dhe Individi nuk janë nën hetime për vepra penale,
si dhe prova se OJQ, respektivisht Individi ka zgjidhur çdo çështje të hapur
rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e
aplikueshme.
Propozimet
do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet
për Aplikantët, janë në dispozicion në web-faqen e MKRS-së: www.mkrs-ks.org.
Dokumentet
e kompletuara duhet të dërgohen personalisht ose me postë, në adresën e
mëposhtme:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22; 10000, Prishtinë, Republika e
Kosovës
Procesi
i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve,
kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave,
trajtimi i dokumenteve dhe kalendari tregues i zbatimit të ftesës është i detajuar
në Udhëzimet për aplikuesit.
Do
të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar
brenda afatit të paraparë me këtë ftesë publike, të cilat i përmbushin plotësisht
kushtet e përcaktuara të ftesës publike.
Të
gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike,
duke dërguar e-mail në adresën: [email protected]
Loja e nisur nga Rozana Radi “ka njeri si puna ime që ka harxhuar të gjithë rrogën para se të ulen çmimet te Zara?”, përfshiu edhe personazhet e njohur që u bënë pjesë e sfidës “Sa lekë ke në portofol?”, e nisur fillimisht nga Eraldo Rexho, pastaj nga Rozana Radi e për të vijuar me të tjerë personazhe të njohur.
Kështu, pas Rozanës dhe shumë ndjekësve të saj që fotografuan kuletat për t’ia nisur këngëtares, treguan sa lekë kanë në kuletë edhe Ervin Kurti, Eneda Tarifa dhe Anxhela Peristeri.
Ata kanë nominuar të tjerë personazhe, duke i bërë pjesë të sfidës.
Është një prej artistëve më të arrirë shqiptarë, por ai edhe më tutje vazhdon të qëndrojë me të dy këmbët në tokë. Me një kujdesë të madh dëgjon pyetjet, përderisa po me kaq kujdesë përgjigjet në intervistën e fundvitit të dhënë ekskluzivisht për KultPlus. Ermal Meta, shqiptari që triumfoi festivalin më prestigjioz në Itali, ka rrëfyer për KulPlus që nga kujtimet e fëmijërisë, atëherë kur edhe e la Shqipërinë e deri te dëshira e tij të performojë në Kosovë. Ai ka folur edhe për rolin e nënës së tij në karrierën e tij muzikore, sikurse edhe për tri ngjitjet e tij në skenën e Sanremos.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju ikët nga Shqipëria kur ishit shumë i vogël, me çfarë fotografie e kujton Shqipërinë, atëherë kur edhe ike nga ky vend?
Ermal Meta: Atëherë kur u ngjitëm në traget, kjo është gjëja që mbaj në mend prej atëherë. Shikoja atë shkumën e bardhë që krijohet nga qarja e detit, dhe shikoja atë shkumë se si e linim prapa, dhe në të njëjtën kohë, përderisa shihja shkumën e bardhë, mbaj në mend që Shqipëria më zvogëlohej, zvogëlohej pak nga pak, deri sa nuk e pashë më. Këtë kujtim e kam shumë të fortë.
KultPlus: Shqipëria e atëhershme ishte e vështirë dhe kujtimet mund të mos jenë të bukura, mgjithatë, a mund të na tregosh anën e bukur të asaj kohe?
Ermal Meta: Shokët, fëmijët e asaj periudhe janë pjesa më e bukur e asaj kohe. I mbaj në mend shumë mirë shokët e fëmijërisë, me shumë mall. Sepse kur ika, ika sikur kur ikë era me shiun, dhe nuk pata kohë që të përshëndetem me ta, edhe pse i takova disa vite më vonë.
KultPlus: Kurse tashti, Shqipëria është e bukur sepse me të vërtetë është e bukur, apo tashmë ju jeni në një pozitë tjeter dhe nuk e shihni pjesën e errët të Shqipërisë?
Ermal Meta: Çdo vend ka errësirë dhe ka dritë. Edhe Shqipëria vazhdon ti ketë që të dyja anët, sikurse çdo vend i botës. Shqipëria në këtë moment është me një gjendje më të mirë se sa në vitet e 90-ta, atëherë kur ika unë. Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen por është goxha më mire se sa para 20 viteve.
KultPlus: Do ta doje edhe më ndryshe Shqipërinë?
Ermal Meta: Çdo gjë do kohën e vet.
KultPlus: Ne intervistat e mëhershme është thënë që je kthyer shumë rrallë në Shqipëri, kurse tashti vizitat janë shtuar dukshëm, çfarë ka ndryshuar me këto vizita?
Ermal Meta: Mund të jetë një koincidencë. Erdha sepse bëra koncertin, pastaj u ktheva prap për Festivalin e Këngës në RTSH. Dhe jam shumë i nderuar edhe për koncertin e qershorit, por edhe për kthimin tim në festival, nuk kam asnjë arsye për të mos u kthyer në Shqipëri.
KultPlus: Flasim për Sanremo, Sanremo konsiderohet të jetë një dashuri e shqiptarëve dhe një festival që është shijuar vetem nga ekranet bardh e zi. Pastaj ishte Anna Oksa, Elsa Lila, po triumfi më i madh ishte suksesi i juaj. Si e përshkruani krejt këtë rrugëtim?
Ermal Meta: Hera e parë kur u ngjita në skenën e Sanremos, ishte viti 2016, dhe unë luaja në kitarë me një grup, nuk këndoja, dhe edhe ajo ngjitje me kitarë në atë skenë të madhe ishte mjaftueshëm, dhe në të njëjtën kohë isha jashtëzakonisht i emocionuar, sepse Sanremo jo vetëm për shqiptarët por edhe për italianët është një pikëarritje që e synojnë të gjithë artistët. Edhe unë as që e kuptova që e arrita atë magji të asaj skene, mbase ishte edhe fat, sepse, atëherë nuk kisha edhe shumë eksperiencë, kisha pak talent por jo shumë eksperiencë.
Për
dallim prej herës së parë që nuk e kuptova shumë mirë rëndësinë e ngjitjes së
parë në skenën e Sanremo, hera e dytë ndodhi në vitin 2010, dhe mbaj mend se
ishte një gjë e tmerrshme, sepse kisha shumë emocione. Pastaj kur u ktheva herën
e tretë, isha më i sgurtë dhe më i qetë, ku edhe fitova.
KultPlus: Keni përmbushë ëndrrën me Sanremo, apo është shumë herët të flasim për ëndrra?
Ermal Meta: Ëndrrën me Sanremo e përmbusha sepse e fitova, por unë, çdo ditë kur zgjohem nga gjumi, zgjohem me ndjenjën se po filloj tani nga e para, nuk e ndjej vetën të përmbushur, të arrirë, sepse kam edhe shumë për të bërë.
KultPlus: E konsideron vetën të famshëm?
Ermal Meta: Nganjëherë po, nganjëherë jo.
KultPlus: Çfarë do të thotë fama për ju, të ngulfatë apo është një privilegj të jeshë i famshëm?
Ermal Meta: Fama është shumë e ndryshme nga suksesi, janë dy gjëra të ndryshme, shumë njerëz mund të të njohin për të famshëm, por mbase nuk mendojnë mirë për ty, kurse suksesi është gjë tjetër, sukses është atëherë kur e bën mirë punën tënde, kur je i mirë në kreativitetin tënd. Kur përmbyllet suksesshëm çfarëdo gjëje që ke luftuar, që ke punuar.
KultPlus: Muzika që krijoni, dallohet për një shije të hollë, kujt ia dedikon këtë ndërtim tuajin në këtë shije mizikore?
Ermal Meta: Mamaja ime është violiniste dhe prej saj e kam kultivuar muzikën, pastaj jam lidhur ashtu, gjithmonë e kam ndjerë muzikën në një mënyrë shumë të fortë. Sapo me erdhën mundësitë formova një bend, qysh kur kam qenë 15 vjet, ku edhe kam punuar në këtë drejtim.
KultPlus: Njëherë pata lexuar që ke falënderuar mamanë tuaj që të ka mësuar të mos bindesh, na shpjego më shumë, cili ishte Ermali i pabindur?
Ermal Meta: Po është e vërtetë. Mënyra se si më ka mësuar ajo, unë asnjëherë nuk e pranoj se çdo gjë është e shkruar, unë mendoj se fati jemi ne, dhe ne jemi ata që e ndërtojmë të ardhmen tonë.
KultPlus: Mendon që kjo karakteristikë e mosbindjes është tipike e shqiptarëve?
Ermal Meta: Këtë nuk e di, është karakteristikë e imja.
KultPlus: Dhe krejt për fund, na trego diçka për Kosovën, a keni qenë ndonjëherë dhe a planifikoni të prezantoheni me ndonjë koncert?
Ermal Meta: Nuk kam qenë ndonjëherë në Kosovë, kam shumë shokë që më kanë folur shumë mirë për Kosovë, po nuk kam qenë ndonjëherë. Mbase do të vij me ndonjë koncert, me shumë dëshirë./KultPlus.com
Duke qenë fëmijë i viteve të 80-ta dhe adoleshent i viteve të 90-ta, termi ushtri dhe polici për çdo fëmijë të asaj periudhe ka nënkuptuar traumë. Njësoj ishte edhe për Albian Gagicën, i cili është rritur në Prishtinën e okupuar, sikurse që ka përjetuar edhe masat e dhunshme duke ia përjashtuar edhe prindërit nga puna. Albian Gagica është artisti që ka dizajnuar emblemat për Ushtrinë e Kosovës. Duke iu referuar vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës, ai ka treguar për KultPlus se as që e kishte imagjinuar qe Kosova një ditë do të kishte ushtrinë e saj, sikurse që nuk e kishte menduar që pikërisht ai do të jetë artisti që do të krijojë emblemat, krijim që sipas tij nuk mund të krahasohet me asnjë çmim.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju jeni krijuesi i emblemave të Ushtrisë së Kosovës, çfarë ndjesie të ka sjellë vendimi kur keni kuptuar se emblemat e juaja do të përdoren në një institucion të shumëpritur nga kosovarët?
Albian Gagica: Simbolet e Ushtrisë së Kosovës janë dizajnuar në vitin 2009, nga produksioni INIT në Prishtinë, ku unë kam qenë bashkëpronar dhe drejtor kreativ. Pos meje, në këtë projekt kanë dhënë kontribut edhe bashkëpunëtorët e mi: Taki, Alush Gashi, Pleurat Spahiu e Mumi. Pos shume projekteve të dashura e me vlerë që i kemi punuar për gati 15 vjet në INIT, dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës, padyshim se mbetet njëri nga projektet më të veçanta dhe më të vlefshme për ne.
KultPlus: Si fëmijë, padyshim që e keni përjetuar tmerrin si të gjithë kosovarët, duke mos poseduar asgjë shtetërore, e kishit menduar se ndonjë ditë, pikërisht puna e juaj do të kurorëzonte Ushtrinë e Kosovës, e para e këtij lloji në historinë e saj?
Albian Gagica: Natyrisht që jo. Si fëmijë, në vitet e 80-ta, e adoleshent në të 90- tat, besoj, si shumica e gjeneratës sime më shumë kemi qenë të fokusuar të mendojmë si ta tejkalojmë krizen politike e masat e dhunshme të asaj kohe se sa të endërrojmë për të ardhmen. Pos tjerash, atëherë as në fund të mendjes nuk e kemi pasur mundësinë që në të ardhmen ne të identifikohemi me diçka tjeter prej shqiptarëve të Shqiperise.
KultPlus: Duke pas parasysh se shumica e djemve të gjeneratës suaj është dashur të largoheshit nga Kosova, për shkak të mos shërbimit në ushtrinë e atëhershme jugosllave, çfarë ndjesie të sillte termi ushtri?
Albian Gagica: Fatkeqësisht, si pasojë e okupimit shumë vjeçar nga pushteti serb, për kohë të gjatë termet ushtri e polici për çdo shqiptar të Kosovës kanë ngjallë frikë e mllef. Edhe unë e familja ime kemi qenë të diskriminuar e të prekur nga kriza politike, të dy prindërit e mi kanë qenë të larguar nga puna në atë kohë. Për mua ka qenë fat në fatkeqësi që në atë kohë kam ardhur në Amerike si ‘exchange student’ dhe kam pase fatin të kem një edukim cilësor. Megjithatë, menjëherë pas perfundimit të studimeve në vitin 2000, jam kthyer në Prishtinë.
KultPlus: Sa stres ju ka sjellë krijimi i këtyre emblemave, duke kërkuar më të mirën dhe më simboliken?
Albian Gagica: Ka pasë stres e ngarkesë, natyrisht si çdo punë tjetër, mirëpo më së shumti ka qenë përgjegjësi e jashtëzakonshme, sepse ka qenë nder e privilegj të krijojmë identitetin dhe simbolet e Ushtrisë tonë. Ne nuk jemi fokusuar vetëm në simbole të bukura, por gjithashtu edhe në domethënien e tyre. Jemi munduar të dizajnojmë simbole të cilat ushtarët tanë i mbajnë me krenari. Pastaj ka pasë rregulla të caktuara që kemi pasë obligim që ti kemi parasysh. Meritë shumë e madhe i takon gjeneral Agim Cekut, i cili ka qenë këmbëngulës që në këto simbole, në emblemën kryesore të jetë shqiponja.
KultPlus: Keni paraqitur disa simbole, mund të na shpjegosh më shumë për përmbajtjen e këtyre emblemave?
Albian Gagica: Jane gjithesej 12 simbole.Emblema kryesore dhe 11 njësitet. Të gjitha e kanë vetëtimën si pikë identifikuese, sepse ushtria reagon shpejt dhe furishëm njësoj si vetëtima. Emërtimet e njësiteve i ka bëre FSK-ja, ndërsa ne i kemi dizajnuar.
KultPlus: Si dizajner, keni të numëruara disa çmime por edhe shumë pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare sa i përket fushës së dizajnit, do ti rreshtoje me peshën e emocionit që ta ka dhënë kjo e fundit?
Albian Gagica: Dizajnimi i simboleve të Ushtrisë së Kosovës nuk krahasohet me asnjë punë që e kam punuar deri tash, me asnjë çmim apo ekspozitë në të cilën kam marr pjesë. Është e vetmja punë që më bën krenar, jo vetem mua e familjen time, por të gjithë njerëzit që më njohin e shpresoj edhe ushtarët që i bartin çdo ditë.
KultPlus: Po dizajnet tjera, cilat i vlerësoni me një rëndësi të madhe në karrierën tuaj?
Albian Gagica: Sa i përket punës që e kam bërë në Kosovë do ta veçoja edhe llogon e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Është simbol me rëndësi pasi që shihet nga audienca të ndryshme në botë në çdo film që prodhon Kosova. Pastja, llogo e Hamam Jazz Bar, fitues i një çmimi në Londer, Fonti Illiria që është në “type it” muze në Spanje…
KultPlus: Pas këtij suksesi, e mendoni se do ta kapërceni këtë arritje, apo mund të synoni edhe diçka më të madhe?
Albian Gagica: Nuk besoj që ka diçka që e kapërcen këtë arritje. Për mua personalisht do të mbetet më e veçanta dhe më e dashura. Ndoshta me dizajnu flamurin e Kosovës./KultPlus.com
Pothujase shumica e dizajnerëve të Kosovës kanë dalë nga Akademia Evolucion që udhëhiqet nga disenjatorja shqiptare Enkelejda Shatri. E njëjta tash e 15 vite ka edhe atelenë e saj, në të cilën edhe vishen shumë figura të rëndësishme të Kosovës, dhe jo vetëm. Në intervistën e fundvitit të dhënë për KultPlus, ajo ka treguar për fillet saj në këtë biznes, e cila ka shpjeguar se krejt këtë punë e ka nisur e vetme. Ajo poashtu ka folur edhe për dizajnerët e tjerë kosovarë, e cila ka specifikuar edhe faktin se nëse mund të krahasohen me dizajnerët e jashtëm. ”Ashtu sikurse në jetë, ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi”, ka thënë mes të tjerash Shatri.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Enkelejda Shatri, ky nuk eshtë vetëm emri dhe mbiemri i juaj që tregon identitetin tuaj, por është edhe brendi juaj në fushën e dizajnit që e prezantoni tash e shumë vite. Prapa këtij emri çka të kujton më shumë përgjatë gjithë këtyre viteve, frikë, guxim, dashuri, sukses apo dhimbje?
Enkelejda Shatri: Ashtu sikur e thatë edhe ju, emri dhe mbiemri im nuk janë vetëm identiteti im por edhe brendi im që unë e prezantoj prej 14 vjetësh. Dhe ky brend është produkti i një pune dhe dedikimi të madh. Karriera dhe profesioni janë pjesë e pandashme e jetës dhe përditshmërisë së një njeriu. Ashtu sikurse në jetë, ndjejmë frikë, kërkojmë guximin, japim dashuri për të mbërritur te suksesi, por ndonjëherë shkojmë drejt ndonjë dështimi të ndonjë procesi i cili shoqërohet me dhimbje. Por tek unë, më shumë ka prodominuar guximi i përzierë me dashurinë dhe pasionin për punën, të cilat më kanë çuar drejt suksesit.
KultPlus: Me sa njerëz e keni nisur fillimisht punën, apo keni qenë krejt vetëm?
Enkelejda Shatri:Kam qënë krejt e vetme dhe kam pasur një presion të madh në vetvete të cilin e kam përjetuar vet. Edhe pse s’më ka munguar mbështetja nga familja ime, sidomos nga Faiku, burri im. Të punuarit vet më ka mësuar shumë procese dhe më ka ndihmuar të krijoj një siguri në vetvete përsa i përket profesionit. Por kjo periudhë ka qenë vetem 4-5 muaj, sepse, pastaj lindi nevoja të rris stafin për shkak të kërkesës së madhe nga klientela.
KultPlus: Kurse tashti, përpos atelesë tuaj keni arritur të ngritni në këmbë edhe shkollën e dizajnit Akademinë Evolucion, dhe puna në përgjithësi në Ballkan është e vështire deri te prekja e suksesit, të besohet, apo të duket një ëndërr?
Enkelejda Shatri: Ështe e vërtetë që në Ballkan të ndërtosh një biznes është e vështirë, sepse nuk ke asnjë ndihmë, përpara 13 vjetësh ekzistonte edhe një pengesë tjetër të bërit biznes nga një femër. Unë nuk jam njëri që ëndërroj. Dhe zakonisht nuk më duket asnjë gjë ëndërr, sepse cdo gjë që e kamë bërë në jetë ka ardhur nga një punë shumë e madhe. Të ndërtoje një shkollë të artit dhe të dizajnit përpara 13 viteve nuk mund të them që ka qenë tabu, por profesionet që mesohen dhe studiohen në Akademi, si Dizajni i Modës, Dizajni i Komunikimit dhe ai Enterier kanë qënë të pakonceptueshme nga opinion në përgjithësi, që mund të studjoheshin në nivelin bachelor dhe aq më shumë master. U desh shumë mund, përkushtim, ide të reja dhe punë në grup me profesorë dhe studentë për të mbërritur suksesin e Akademisë. Pra, deri sa nuk ka qenë e lehtë të ndërtohet emri dhe suksesi i Akademisë, nuk mund të them që më duket si ëndërr, përkundrazi, kur e bëj një rezyme të 13 viteve Akademi në mendjen time, them që sfidat më kanë shkundur dhe nuk më kanë lënë të përjetoj një ëndërr.
KultPlus: Në dukje jeni një grua me shumë stil, një grua që reflekton siguri, forcë dhe kreativitet, ndodhë që edhe kjo grua e fuqishme ndonjëherë të ndihet e dobët, e lodhur?
Enkelejda Shatri: Shprehjen e lodhur nuk e pranoj kurrë. Edhe pse nuk e mohoj që në ndonjë kohë të caktuar jamë ndier e lodhur, por jo nga puna por nga shumë situata që jam gjendur përballë tyre, dhe që u desh ti kapërceja. Ndërsa sa i përket dobësisë, se kuptoj mirë si shprehje (po e them në mënyrë figurative). Të gjithë njerëzit kanë dobësi, mendoj unë. Por unë i di dobësitë e mia dhe kam mësuar ti menaxhoj ato.
KultPlus: Shumë fytyra publike në Kosovë dhe më gjerë vishen me brendin tuaj, pse mendoni që janë të pasionuar pas krijimeve tua?
Enkelejda Shatri: Njerëzit VIP ose fyryrat publike siç ju i quani, blejn dhe stilohen tek unë për shumë arsye. Por të mos harrojmë një gjë që ata jane pjesa që më së shumti eksperimentojnë dhe që në të njëjtën kohë tek çdo stilist kërkojnë diçka ndryshe. Kjo është arsyeja pse veshin veshje të stilizuara tek unë dhe te dizajnerët e tjerë.
KultPlus: I bën të duken njerëzit më shumë me ngjyra, apo me ngjyra të errëta?
Enkelejda Shatri: Në shumicën e rasteve luftoj me njerëzit që të dalin nga monotonia e ngjyrave të errëta, sepse ato shpesh herë reflektojnë negativisht në jetën dhe përditshmërinë e tyre. Kjo është një këshillë që e japin edhe psikologët. Unë jam një person i qeshur dhe i dua ngjyrat, dhe për këtë arsye ja sygjeroj edhe klientelës të eksperimentojnë në ngjyra dhe në forma. Në shumicën e rasteve ndihem mirë, kur edhe ata ndihen mirë, pas ndryshimeve që kanë bërë në ngjyra dhe stil.
KultPlus: E ndjen se tashmë fustanat tuaj kanë një identitet, apo luani edhe më me stile?
Enkelejda Shatri: Varet shumë nga momentet e mia kur dizajnoj dhe dedikimi i koleksioneve. Të them të drejtën kam menduar që në dizajnet e mia unë luaj me stil dhe forma, por nga kritikat e marra deri tani, në dizajnet e mia vihet re një identitet në disa elemente.
KultPlus: Në Kosovë tashmë ka shumë dizajnerë që veprojnë, secili sipas shijes dhe mënyrës së vet, të pëlqejnë dizajnerët kosovarë?
Enkelejda Shatri: Mendoj që këtë pyetje nuk duhet të ma bëni, sepse një përqindje e madhe e dizajnerëve në Kosovë janë produkt i Akademisë që unë e drejtoj. Duke filluar nga Valdrin Sahiti, Flora Loshi të cilët janë edhe profesorë në Akademine Evolucion, por edhe Drenusha Xharra, Fjolla Nila e shumë e shumë të tjerë që kanë formuar brendet e tyre, ose që punojnë për brende të tjera. Dhe si rrjedhojë e kësaj, normalisht që më pelqejnë, dhe për suksesin e tyre më bëjnë krenarë, mua dhe Akademinë Evolucion. Por të mos harroj pa përmendur që në Kosovë ka shumë dizajnerë të rinjë që janë shumë të talentuar por për shkak të mungesës së financave ata punojne për brende ose kompani të tjera dhe nuk mund të punojnë për emrat e tyre. Të them të drejten më vjen keq për ta, sepse nuk kanë mundësi të shprehin kreativitetin e tyre, por jam e bindur që edhe shumë emra të rinj dhe të suksesshëm do të shihni në treg. Këtë e them me bindje, sepse e njoh kapacitetin dhe kreativitetin e tyre. Mendoj, që shteti duhet të bëjë më shumë për ta, sepse është një fushë ku ka mundësi të zhvillohet një industri e madhe në këtë drejtim dhe në të njetën kohë ndihmon në ulje të papunësisë.
KultPlus: Po nëse do të bëje një krahasim me dizajnerët e botës, ku e vlerësoni vetën dhe kolegët tuaj në këtë paralele?
Enkeljda Shatri: Nuk dua të krahasoj vetën, sepse unë jam një person që mbështillem nga modestia, por mund të flas për dizajnerët e tjerë në Kosovë. Një pjesë e madhe e tyre ecin në të njëjtin hap tashmë me dizajnerët në botë, edhe pse nuk është një kohë e madhe që ata janë në treg. Mund të them që në 10 vjetët e fundit kanë marë një hov të madh. Në këtë industri ka shume dizajnerë që janë shumë të mire, si në dizajn edhe në teknikë. Produktet e tyre shiten jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj, deri në kontinentet më të largëta.
KultPlus: Me cilën veshje dhe në cilin rast je ndjerë në atë pikë, sa ta lakmosh edhe vetën?
Enkelejda Shatri: Ups,…Një pyetje që më bën të mendohem shumë. Nuk do të flas për veshjet të cilat janë bërë publike në media dhe janë përfolur. Por do të përmend një rast që mua më ka bërë të ndihem mirë. Në fillimet e punës sime, kur një kliente, të cilen edhe sot pas 15 vjetesh e kam kliente, më solli një material të bardhë, që unë nuk do ta përdorja për veshje por vetëm për çarçaf, dhe më kerkoi një veshje për një gëzim familjar. E kuptova arsyen e saj, kishte frikë të punonte me material të shtrenjtë, sepse unë sapo kisha filluar punën dhe nuk më njihte mirë. Por unë punova shumë në atë veshje, si nga dizajni edhe nga dekori, sa që ajo mbeti e fascinuar dhe me të vërtetë e veshi po atë fustan në atë festë.
Megjithatë, unë jam ende në kërkim të asaj ndjenje që ju
po e citoni, pra ta lakmoj vetëveten. Nuk e di a do të vijë një moment që të
lakmoj veten. Dhe besoj që kjo është normale për çdo artist, i cili ndihet mirë
për punën kreative që bën, por kërkon shumë punë, dhe perfeksioni dhe
kulminacioni nuk ekziston.
KultPlus: Mendimi i kujt fë frikëson?
Enkelejda Shatri: Vetëm i klientelës. Ajo është kritika më e vlefshme.
KultPlus: Keni trashëguar nga dikush këtë dhunti, apo jeni surpriza e familjes?
Enkelejda Shatri: Surpriza e familjes kam qenë vetëm në moshen 10 vjeçare, kur fillova të punoj dhe eksperimentoj në këtë profesion. Por unë e kam trashëguar dhe e kam edukuar veten time me këtë profesion prej gjyshes sime të ndjerë, e cila ka qenë një rrobaqepëse, po edhe një dizajnere shumë e mirë. Prandaj, une nuk jam surprizë e familjes, dhe jam shumë e lumtur që e kam trashëguar këtë dhunti nga gjyshja ime, ku personalitetin dhe punën e saj edhe sot vazhdoj ta adhuroj.
KultPlus: Dhe për fund, me cfarë do të prezantohet Enkelejda Shatri përgjatë vitit 2019?
Enkelejda Shatri: Planet e vitit 2019 veç sa kanë filluar, dhe nga përvoja e mëparshme kam mësuar një gjë, të mos flas për planet, port ë flas vetëm një ditë përpara se të kurorëzohen, sepse, shpesh herë ka dalë diçka që ma ka vështirësuar punën. Kështu që edhe për KultPlus-in, prezantimet për planet e mija për vitin 2019 do të jenë një surprizë e këndshme./KultPlus.com
“Ktheju tokës”, është kënga me tekst dhe kompozim të Eriona Rushitit e cila rrëmbeu çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH, këngë e cila u interpretua nga këngëtarja e mirënjohur Jonida Maliqi. Me një distancë të madhe nga ky festival, këtë vit Jonida i është kthyer kësaj skene të madhe për të marë dritën jeshile që pikërisht me këtë këngë ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Për emocionin e kësaj kënge, për emocionin e skenës së madhe dhe për pritjet në Eurovizion, Jonida Maliqi ka treguar për KultPlus, sikurse që ka treguar edhe për vendimin që ajo do të këndojë në gjuhën shqipe.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Jeni triumfuese e edicionit të 57- të të RTSH-së, vetë fakti që keni konkurruar tregon se e keni dashur këtë çmim, por a e keni ndjerë që me të vërtetë do ta fitoni!
Jonida Maliqi: Që kur e dëgjova për herë të parë nga ish pedagogia ime Eriona Rushiti, ndjeva që kjo këngë ka shumë emocion brenda. Një emocion që nuk të lëshon, por rritet e rritet gradualisht. Që me dëgjimin e parë me çoi menjëherë në skenën e festivalit, pra dukej që nuk ishte një këngë për videoklip, apo këngë albumi, por një këngë që këkonte një skenë të madhe për t‘u dëgjuar. Dhe kur filluan provat në Sallën e Pallatit të Koncerteve, aty ndjeva se kjo këngë po merrte përmasat e një fitueseje, përsa i takon madhështisë që ajo ka.
KultPlus: Festivali i RTSH- së, supozohet të jetë një festival që për fituesin, gëzimi zgjatë shumë pak, për shkak se menjëhereë fillojnë ethet e Eurovizionit, me çfarë emocioni jeni?
Jonida Maliqi: Në fakt emocionin e fitores e ndjej tek njerëzit që më urojnë, tek intervistat e shumta, e gjej më së shumti tek njerëzit e familjes dhe sa herë që takohem me Erionën (autoren) dhe Enis Mullaj (orkestruesin). Sapo takohemi, themi na u realzua dëshira, por sa punë që kemi përpara. Kemi filluar të ndajmë detyrat se me cilën punë do merret secili dhe komunikojmë shumë shpesh për idetë e reja. Kemi një grup në whatsapp ku dërgojmë edhe çdo video të re që del me këngën “Ktheju tokës”, sepse gjenden shumë të tilla sot në youtube.
KultPlus: Pastaj, shqiptarët janë dëshmuar sikurse në futboll apo në muzikë, të kryqëzojnë përfaqësuesit, nëse nuk arrijnë suksesin e pritur, si i vleresoni këto komente, sa ndikojnë negativisht tek artistët, sportistët?
Jonida Maliqi: Unë jam shumë e mbushur emocionalisht me këngën. Dhe kjo është ajo që më duhet. Me thënë të drejtën jam shumë e surprizuar nga reagimet e shumë komentuesve dhe fansave të Eurovizionit. Shprehen të gjithë me superlative. Një nga 4 komente thotë “Masterpiece”. Janë ca komente negative nga ne shqiptarët , por që nuk më shqetësojnë. Cdo kush është i lirë të zgjedhë e të dëgjojë këngët e veta të preferuara.
KultPlus: Në anën tjetër, ju keni vendosur të prezantoheni në gjuhën shqipe, pse ky vendim, sepse mendon që kënga tingllon më mirë në gjuhën shqipe, apo më shumë ka peshuar patriotizmi?
Jonida Maliqi: Ne që te tre,unë , Eriona dhe Enisi kemi vendosur që atë ditë që fituam që kënga duhet të mbetet në shqip, për vetë mesazhin që ajo ka. Për ne nuk ka kuptim që të përcjellim një mesazh ku i themi çdo shqiptari që të kthehet në tokën e tij dhe këtë t’ia themi në gjuhë të huaj. Plus që gjuha jonë ka shumë fuqi në bashkëtingëllore , ashtu siç është edhe vet kënga e fuqishme. Unë e këndoj me kaq shumë dashuri në gjuhën time.
KultPlus: Kthehemi të kënga, çfarë ndikoi që të vendosësh për këtë tekst dhe kompozim të Eriona Rushitit?
Jonida Maliqi: Rastësia. Megjithëse nuk jam e mendimit që gjërat ndodhin rastësisht, por mua as që më kishte vajtur mendja që të merrja pjesë në festival. Ishte Eriona që ma propozoi dhe duket që ia vlejti. Cfarë ndikoi? Unë jam natyrë shumë e ndjeshme artistikisht. Sapo dëgjova notat e para të këngës u rrëqetha. Dhe kur një vepër artistike e çfarëdo gjinie arrin të të emocionojë nuk ke çfarë pret më. Rrëmbeje!
KultPlus: Keni bashkëpunuar edhe më herët me këtë kompozitore?
Jonida Maliqi: Jo. Është hera e parë. E kam dashur që kur kam qenë e vogël. E shihja në ambientet e Liceut Artistik dhe më pëlqente shumë për stilin e një vajze moderne për kohën. Më pas më ka dhënë mësim, dhe në fakt kur dola për t”u takuar me ish pedagogen, dola për këto arsye: të një simpatie që buronte edhe nga vitet e mëparshme ia kisha dëgjuar këngët e Semi Jaupaj “Veç lotët”, apo dy këngët e Festina Mejzinit dhe më kishin pëlqyer shumë. Por unë nuk u takova për të thënë ”Po”. Por “zysha” ma rrëmbeu zemrën me këngën që më propozoi.
KultPlus: Nese nuk do të ishe ne garë, cilën këngë të këtij edicioni e kishe menduar si favorit per Eurovizion?
Jonida Maliqi: Të gjitha më pëlqyen. Por kënga e vendit të dytë dhe të tretë mbeten të favorizuarat e mia. Edhe kënga e Mirud, sigurisht.
KultPlus: Megjithatë, shqiptarët edhe më nuk po tregojnë sukses të madh në Eurovizion, jeni optimiste që të ndryshoni renditjen e Shqiperisë në këtë garë?
Jonida Maliqi: Ne nuk jemi një shtet i madh, aq sa për të arritur të influencojmë në marrëdhëniet gjeopolitike. Por pjesëmarrjet tona atje kanë treguar se më një zë të fuqishëm, apo me një këngë të bukur nuk mbetesh pa u vlerësuar, apo pa lënë gjurmë. Është ende herët, pasi akoma nuk janë shpallur këngët pjesëmarrëse të Eurovision 2019. Ne jemi vendi i parë që e kemi shpallur dhe me aq sa kam parë, kënga është pritur mjaft mirë, si një këngë origjinale dhe autentike.
KultPlus:Dhe krejt në fund, përpos fitores në RTSH, me çfarë e karakterizoni vitin 2018?
Jonida Maliqi: Me këtë surprizë të bukur të fundivitit, por jo vetëm kaq. Pas tre vitesh, unë në muajin maj u shfaqa për publikun shqiptar me një këngë dhe videoklip të titulluar “Në errësirë”. Ishte një bashkëautorësi muzikore me Briz Musarajin (Tull Production) dhe tekst të Olti Currit. /KultPlus.com
Vasfije Krasniqi është figura që bëri një kthesë gjatë vitit 2018, e cila me rrëfimin e saj mbi dhunimin që i është ushtruar nga serbët, në luftën e fundit në Kosovë, ka rikthyer edhe njëherë këtë temë të ndjeshme të shoqërisë kosovare që është mbajtur e heshtur për 20 vite me radhë, shkruan KultPlus.
Ajo
sapo ka dalë me një deklaratë, e cila nëpërmjet kësaj deklarate ka ndërlidhë
vuajtjen e saj nëpër vite, ngritjen në këmbë, mbështetjen nga familja, miqtë,
dhe natyrisht duke vënë theksin te Feride Rushiti, e cila ka qenë zëri kryesor
i këtyre viktimave. KultPlus ju sjellë të plotë deklaratën e saj.
Të dashur-a kalun afro 20 vite nga koha kur perjetova tmerrin qe mua mi shujti ëndrrat për një jetë ndryshe, gjat kësaj periudha perjetova shumë gjëra, vuajtje, dhembje, zhgenjim, mirpo familja ishte ajo qe më mbajti gjall edhe pse disa her kam provuar që ti japë fund jetës sime, bashk me familjen time kemi kaluar sfida të ndryshme dhe ja ku jam sot, në vitin që po lëme pas pata rastin te jem e pranishme ne vende të ndryshme ne Europe e Azi duke perfaqesuar grate e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, ku kemi shkembyer prvoja të ndryshme dhe ide të ndryshme se si të luftohet për të drejtat dhe drejtësin e të mbijetuarave, dhe se me paraqitjen time në Kosovë gjithcka ndryshoi në ditet në vazhdim, the se unë tashme do të angazhohem që të ketë drejtësi për kategorin tonê, si dhe të qasemi që stigmen ta thyejm, dhe ti fitojm respektin që e meritojm. Sigurisht se do ta falenderoja shumë zonjen Feride Rushit dhe KRCT për perkrahjen që më dha, gjithashtu juve që më keni mbeshtetur pa dallim, Ju dua shum dhe ju uroi vitin 2019./KultPlus.com
“Ti je grua e fortë”, asht nocion me bërthamë patriarkale, nuk asht kompliment. Gruaja e ashtuquajtur e fortë ka halle, ka zemër, ka ndjenja sikur ti, si gjithsecili njeri në përmasa të njerzores, andaj asht shtypje shoqnore pritshmëria ndaj të gjitha atyre që i citojnë si të forta me qëndru stoike përballë çdo fenomeni.
“Ti je grua e fortë”, asht nocion i rremë bazuar në normat e fizikut – e gjatë, me takatë – janë veç iluzione të rrejshme biologjike të mësume si norma. A kishit besu në forcën e Majlinda Kelmendit sikur mos të ishte e popullarizuar? Jo pra. Ka plot me përmasa të trupit të saj, që ta zamë mue, m’kishin qitë në kokërr të shpinës.
“Ti je e fortë” se flet baraz me një burrë asht atribut kogja i përafërt me sistem egalitarian, e përtej të qenurit gru duheshka edhe forcë me u barazu me një burrë që nuk i nevoitet një epitet pas gjinisë. Asht thjeshtë burrë.
“Ti je e fortë”…
“Ti je e fortë”…Jo po malin e shtyej me dorë — me ndjenja, me zemër, me tru, me gjak e mish, sikur ti.
“Ti je grua e fortë”, është nocion me bërthamë patriarkale!
Suksesi i këngëtares shqiptare Amanda Koçi, e njohur me emrin artistik Ava Max, po rritet çdo ditë. Ylli i pop-it për herë të parë kryeson tabelat e Britanisë së Madhe.
Ava Max ka zënë vedin e parë me këngën e saj “Sweet But Psycho”.
“Ava ende nuk ka lansuar një album, madje nuk ka bërë ende asnjë njoftim për një gjë të tillë, por kjo gjë mund të ndryshojë pasi ka një mundësi të madhe në duart e saj”, shkruan revista e njohur “Forbes”.
Kënga e saj ka pushtuar tabelat në Evropë për javë të tëra, ndërsa në Amerikë ndodhet në vendin e 87, por që vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë.
Në total ka arritur 7 milionë dëgjime, duke treguar se është këngë veçanërisht e famshme në platforma muzikore si Spotify dhe Apple Music./oranews
Dje ishte e diel. E diel, por shumë më e ndryshme se të dielat në të kaluarën. Mezi dola nga krevati.E shikova telefonin, ora ishte rreth 12, dhe mendova: “Of, paska shkuar dita”. U zgjova disi dhe menjëherë vrapova te kafeja. Ashtu në pixhame, pa asnjë obligim, sepse e diel është apo. Zvarritesha nëpër banesë nga një anë në tjetrën, madje edhe duke u mërzitur. Pse kështu? Pse kjo e diel nuk ishte si të dielat para disa viteve? Fillova të kujtoj kohëra të kaluara, e kur mendova më mirë, këto ishin kohëra që nuk kishin çmim. Kohëra të mbushura me dashuri, me ngrohtësi, me harmoni..
Më kujtohet, si të ishte dje. E diela ditë e veçantë. Ditë për gjyshin e gjyshen. A kishte diçka më të bukur se kjo. Mezi prisnim të vinte ajo ditë. Mezi prisnim të zgjoheshim e të shkonim mysafirë të gjyshi e gjyshja. Jo që ditëve tjera nuk shkonim te ato, por e diela ishte e veçantë.
Nuk guxonim të kishim ndonjë obligim apo plan tjetër. Dihej çfarë bëhej të dielave. Mblidheshim e gjithë familja, dajallarë, teze, kushërinj.
Prej në krye të rrugës vite era pite, era ëmbëlsirë me mollë ose kungull. Kishte diçka për qejfin e secilit. Gjyshja nuk përtonte të përgatiste diçka të veçantë për secilin.
Të qeshura sa të duash. Oborri i mbushur me njerëz, me zëra fëmijësh. Gjyshja ishte më e lumtura nga të gjithë. Edhe sot e mbaj mend atë fytyrë të buzëqeshur, atë buzëqeshje të gëzuar e të plotë.
Tullumbat e gjyshes. Të pazëvendësueshëm. Sot nuk ka më të tillë. Ato të gjyshes kanë qenë të veçantë.
Për ne, e besoj edhe për të gjitha familjet e diela kishte domethëne të madhe. Ditë kur shihesh me më të afërmit, rrëfen si e ke kaluar javën, çfarë planifikon për të ardhmen.
Mbledh energji për ta filluar edhe një javë punë. Sot, për fat të keq, e diela e ka humbur domethënien. Na ka mbetur veç t’i kujtojmë kohërat e bukura të së kaluarës, duke shpresuar se një ditë do të vijnë kohëra edhe më të bukura.. Burimi: skopjeinfo.mk Përshtatja: supergratë
Ruzhdi Kojka me bashkëshorten e tij jetojnë prej 10 ditësh në trotuar dhe me shumë gjasa, edhe natën e ndërrimit të viteve do e kalojnë në këto kushte të vështira…
Shtëpia e ndërtuar buzë lumit të Lanës ju është prishur para një viti, pasi prekej nga projekti për vijimin e Unazës së madhe, që lidhet me zonën e Shkozës në kryqytet.
Për 9 muaj jetuan në një banesë me qira, por tani që nuk marrin më bonus, pronari i nxori jashtë së bashku me orenditë.
“26 vjet kam punuar për këtë shtëpi, me komardare kam ikur në Itali, rrita fëmijët dhe një ditë vijnë ma prishin shtëpinë, jo do ju japim bonus, jo kshu, 200 policë e 2 fadroma e prishën”, shprehet Ruzhdi Kojka.
Familja Kojka pretendon se banesa e tyre ka qenë në proces legalizimi dhe për këtë kanë kryer edhe pagesa, por projekti është devijuar pas vitit 2011 kur morën garanci, se shtëpia e tyre nuk prekej nga projekti.
“Unë dua vetëm shtëpi, asgjë tjetër. Të fus kokën së bashku me burrin dhe djalin që kemi, djali që më fle rrugëve nëpër shokë, jemi të dy pa pension, s’paguajmë dot as qira e as kredi të butë”, thotë Suzana Kojka.
Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?” Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.” U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë. Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.
Në dyzet e pesë u ndamë. Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha: “Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?” “Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.” “Ajo është mirë”, tha. Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër. Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje./filozofia.al
Disa fjalë për Librin “Vražiji Posao-Punë Djalli” të poetit nga Kosova Lulzim Tafa, të botuar në Sarajevë. Si e lexojmë ne këtë poezi, pse mendoj se Tafa ka bërë edhe më shumë se sa e thotë Abdulla Sidrani, a është Ajkuna e tij si Ursula e Marquez. Poeti e refuzon tezën e Adornos duke u shfaqur me një poezi tejet zemërprekëse.
Në fjalimin e tij (1982), me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel ,
Gabriel García Márquez e ka prekur problematikën e raporteve gjithë kohore të
artit dhe të botës reale, duke vërejtur se nuk është ai i cili e krijon
letërsinë personale – por, prozën e tij e ka (për)shkruar realiteti i
çuditshëm, të cilën nuk ka pasur nevojë ta mbindërtojë me imagjinatë ose ta
plotësojë me detaje, është dashur, ç’ është e vërteta, vetëm ta formësojë gjuhësisht.
“Ky është realiteti, i cili nuk është vetëm letrar, por i cili jeton brenda
nesh dhe përcakton secilin çast të vdekjeve të panumërta të përditshme te ne,
realitet i cili paraqet burimin e krijimtarisë së pashuar, plot pikëllim e
bukuri“, thotë Márquez.
Duke mbetur në gjurmën e prozës së Márquezit, reflektimi për
enigmat semiotike të poezisë së Lulzim Tafës do të ishte përafërsisht kështu:
Shumë vjet më vonë, para punëve të djallit të të shkruarit të
vargjeve të tij, Lulzim Tafa sjell në mend ato vitet e përgjakshme kosovare,
kur jetës i kishte rënë çmimi, ndërkaq vdekje kishte me bollëk.
Përmes paradës së vargjeve për realitetin e çuditshëm vetanak, ku
ekzistenca reduktohet, duke u shërbyer me sloganin zhgënjyes të subjektit lirik
të Tafës bukë për sonte, barot për nesër, „Punë djalli“ në tërë kompleksitetin
dhe universialitetin e vet, është dramapoezi edhe e luftës së Kosovës edhe e
secilës luftë tjetër në histori, kritikë e absurditetit të saj në të cilin Tafa
adreson më së miri me vargjet, indikativisht dhe ironikisht të mbledhura nën
titullin „Raport nga Kosova 99“: Këtu nuk shkilen të drejtat dhe liritë e
njeriut/ Këtu shkilen vetëm kokat/ .
Është pikërisht e padurueshme pakuptimësia e prodhimit të
çdoditshëm të vdekjes, së cilës Tafa në mënyrë obsesive dhe me pasion brutal
duke e modeluar në vargje, i jep modus operandin autentik, ironinë. Tafa e
shfrytëzon ironinë me bollëk para së gjithash në formësimin e shprehjes.
Ajo përveç tjerash i mundëson atij të shprehë kuptimin e tij për
poezinë si formë ekonomike e cila në pak fjalë mund ta përmbledhë tragjedinë e
një periudhe. Prandaj Tafa me ironi e dendëson shprehjen e vet, e ngrit në një
lapidar proverbial, dhe e kupton se duke shmangur përshkrimet e dhe
eksplicitetin e tepruar, njëkohësisht e privon edhe nga patetikja.
Rrjedhimisht, të liruar nga një patos i tillë, vargjet flasin me një dramë të
veten të brendshme dhe arrijnë të vendosin ritmin e tyre specifik.
Poezia e Tafës, paradoksalisht, afirmon, refuzon dhe në një mënyrë
të caktuar e përmbush tezën e Adornos për pamundësinë e shkrimit të poezisë pas
Auschwitzit. „Punë djalli“ shpreh idenë se Auschwitz është bërë emër i
përgjithshëm për çdo gjakderdhje dhe jo vetëm është e mundshme, por edhe e
domosdoshme të shkruhet për këtë, gjegjësisht të shfrytëzohet letërsia si qërim
i caktuar terapeutik hesapesh me të kaluarën. Tafa, megjithatë, subjektin e vet
lirik nuk e dorëzon si aventurë naive të vetëshërimit përmes reminishensës, por
para së gjithash e çarmatos, deheroizon, brutalisht ia nënshtron kujtesave për
ta aktivizuar. Fjala është, pra, (edhe) për poezinë e angazhuar shumë më
komplekse dhe më shumështresore sesa që ka menduar Abdulah Sidrani në
recensionin e vet, të thjeshtëzuar dhe në mënyrë të tërthortë duke orientuar se
Tafa thjesht i është përgjigjur urdhrit të epokës së vet, e ka marrë penën në
dorë dhe e ka përmbledhur përvojën e vet. Tafa, ç’ është e vërteta ka bërë më
shumë sesa kjo: duke e dëgjuar edhe pulsin artistik të epokës së vet, të kohës
postmoderne, të shënuar me mosbesime të mëdha ndaj cilësdo formë të të dhënës
(ekzistueses) dhe me vënien në pyetje të së kaluarës. Ai unin e vet poetik e
armatos me ironinë dhe me pezmin luftarak, duke ofruar perspektivë krejtësisht
tjetër të ngjarjeve të dhëna historike dhe të kushtëzuara. Poeti, letërsinë e
shfrytëzon si proces vetanak të vetëdijesimit të idesë për atë se ajo që ka
qenë nuk mund të përmirësohet, por mund të kërkohet dhe të gjendet raporti i ri
ndaj kësaj. Në shprehje filozofikisht i ashpër, gati ekskluziv, i pa kompromis,
ironinë dhe sarkazmin i shfrytëzon si armë kritike, nga afër duke jetësuar
qëndrimin e shkrimtarit bosnianohercegovas, Xhevad Karahasan, nënvizon se
„libri nuk ka pushtet, por ka fuqi – ai nuk sundon, por formëson.“ Kështu edhe
Tafa është larg nga ajo që është bërë e zakonshme, kuptim i togfjalëshit
„luftëtar i penës“ sugjeron: duke zgjedhur me forcë mjetet shprehëse, dëshmon
se si poeti refuzon të jetë organ transmisioni i përvojës vetanake tragjike,
respektivisht adreson në potencialin artistik të angazhmanit aktiv përmes
ndërrimit të perspektivës.
Duke e marrë këtë parasysh, bëhet e qartë se vërtetë me sa shtresa
poezia e Tafës disponon dhe sa është semiotikisht zemërprekëse: ajo është në
modusin e përhershëm të hulumtimit, prandaj edhe nga lexuesi kërkon po ashtu të
njëjtën. Me fjalë të tjera, madje edhe ajo që duket si poezi dashurie, nuk
është (domosdo) (vetëm) poezi dashurie. Sidrani, për shembull, në ciklin me
titull simptomatik “Kaçakët„ në personin e Ajkunës, e njeh, e identifikon
hapësirën romantike, të intimes, të nostalgjisë, të mallit dashuror, larg nga
ndjeshmëria kolektive“, por nëse gërmon pak nëpër etimologjinë e vet fjalës
“Ajkuna“, i tërë cikli merr krejtësisht tjetër konotacion: nga gjuha deri te
gjuha, nënkupton “nënën”, “nënëmadhen“, “stërgjyshen“, “hyjneshën“,
“shpirtin“… Degëzimi i mëtejmë do të mund të na shpinte edhe në atdhe,
truall, shtëpi, ngrohtësi, siguri,
mallëngjim, vaj për çfarëdo strehimi, (qoftë edhe abstrakt
shpirtëror) në sëmundjet e kaosit ekzistues, prandaj boshllëku i cili ngritet
mbi vargjet “Ti nuk më ke më / As unë nuk të kam ty” ka marrë krejtësisht
përpjesëtim tjetër, i cili për dallim nga interpretimi i Sidranit, inkuadron aq
shumë ndjeshmërinë e një kolektiviteti. Vallë, a nuk korrespondon Ajkuna e
Tafës me Ursulën e Márquezit, e cila për më tepër është më shumë sesa person
dhe tërësi e gjithë spektrit të shenjave dhe gjithmonë shpie në interpretime të
mëtejme – ajo është edhe fuqi , edhe pikëllim edhe profeci, edhe kalueshmëri
edhe droje dhe fije e rrënjës së gjeneratës qindvjeçare. Çfarë kuptimi më tej
do të mund të luhej me qejf, për shembull, duke mos lëshuar nga vëmendja faktin
e rëndësishëm se në të njëjtën poezi Tafa emrin „Zoti“ e shkruan edhe me
shkronjë të vogël edhe me të madhe? „Ishin vrasësit më human / Lavdi / vrisnin
pa dallim / burra / gra / fëmijë… / vrisnin dhe këndonin / o zot! / Zoti u
ndihmonte. / Zoti ua vraftë Zotin. Është e qartë sesa paradoksalitet implikohet
përmes drojës të zotit të atyre të cilët kanë „vrarë dhe kanë kënduar“ dhe
çfarë dyshimesh dhe kritikash hap Tafa me këtë…
Siç zbulohet, pra poezia e Tafës nuk është stabile dhe
ekskluzivisht sipas përcaktimit të saj tematik, sado që na duket e kundërta,
çelësi i të kuptuarit të saj, siç është dëshmuar edhe pjesërisht, duhet kërkuar
në mënyrën në të cilën poeti i trajton fenomenet (universale) dhe të përcaktojë
çfarë raporti krijon ndaj tyre.
Vet libri është ndarë në gjashtë cikle, për të cilët nuk do të
mund të thuhej se janë ngritur sipas parimit tematik: duke marrë parasysh
shtresëzimin e përmendur të kuptimeve, do të ishte më e udhës të vendoset se
ato janë zgjedhur sipas një logjike vetanake të brendshme, e cila para së
gjithash në ndërrimet e buta të modusit shprehës („Ke fjetur në dritën e hënës“
janë meditime intime, „Këngët e trishta“ janë ndërtuar si monologë proverbial
në miniaturë, te „Kaçakët“ poezitë lidhen pothuaj me linjën narrative,
“Paroditë e zeza“ zgjidhjen e gjejnë në paradoks, në ciklin „Vet me vete“ në
plan të parë është pezmi i ironizuar,…). Por, ajo që ngritët mbi to, pa marrë
parasysh ndryshimet e vogla të fokusit ose intervenimet shprehëse është mundimi
ekzistencial, mundimi që del nga ndjenja e frikës, gati në njohje filozofike se
në ashpërsinë dhe pakuptimësinë e luftës, koha vërtitet në rreth. Prandaj,
arkitektonika, kompozicioni i këtij libri nuk shpie në një drejtim, fillim, ose
fund, nuk i shfrytëzon ciklet si „stacione tematike“, nuk ka një vatër konkrete
sepse me këtë drejton në joracionalitet, në përhumbje në kohë dhe hapësirë për
shkak të shkatërrimit, i cili, siç duket nuk ka as fillim as fund, shkatërrimi
është i thjeshtë, gjithmonë prezent. Varësisht nga ajo se sa vetëdije për kohën
përreth Tafa i jep subjektit të vet lirik, i njëjti nga poezia në poezi ndërron
qëndrimin e vet: nga lemeritës dhe zhgënjyes, deri te dorëheqës dhe i qetë,
nga: „Mo Zot e liga e çohen e vijnë” /, në: “Mo Zot e liga /, /Ja po vijnë “/ e
deri te poezia Uji „ka me hupë krejt / Asnjë ngërçamë / Për sahat t’ dekës / s’
ka me u gjetë”/. Në këtë aspekt poezia e Tafës e plotëson Adornon: me
intensitetin e frikës së stërgjyshes së Márquezit, Ursulës, e cila „frikësohet
se koha nuk kalon por se vërtitet në rreth“, përmes këtyre vargjeve imponohet
pyetja – a është e mundshme pas Aushwitzit ta korrigjojmë kohën dhe ta
drejtojmë njerëzimin drejt shpresës?
Në padurueshmërinë e harkut kohor poeti me vargje vizaton
pasigurinë e pritjes të formës se re të tragjedisë („Vetëm thonjtë mbesin thonj
/ Ditë e nesërme na sjell diçka të re / Se me të vjetrën u përgjakëm“) dhe
çudia e vetmisë që vjen nga vetëdija se tragjeditë e përgjakshme nuk godasin
vetëm popullin si kolektiv, por viktimat i numëron në individë: një edhe një,
edhe një, edhe një… Implikimet e tilla veçanërisht vërehen në ciklin „Në
mungesën tonë“, dedikuar shokëve e shoqeve të Tafës nga ditët shkollore, pastaj
në „Këngët e trishta“, posaçërisht përmes vargjeve domethënëse, sikur në:
„Secila pikë gjaku / Do të bëhet sumbull / Në këmisha dhe në xhamadanë / Të
ushtarëve dhe të kapedanëve të mi.“/
Tafa vargjet e tij në mënyrë me ngulm i ushqen me motivet e
gjakut, duke orientuar kështu në përvojë vetanake të çmendurisë së palogjikshme
të luftës por edhe duke përkujtuar atë se si dhe sa poezia mund të jetë
universale, madje edhe kur pikëmbështetjet e veta i ka në periudhën shumë
konkrete të një realiteti tragjik. Poezia e Tafës është rekonstruim i detajuar
i atij realiteti, reminishencë e trazuar ndaj pamfletit universal. Secila nga
poezitë e tij është një enigmë e episodit të përgjakshëm të historisë e të
cilën lexuesi, duke e shtresëzuar, i palos copëzat e ngjarjeve historikisht të
vërtetuara. Por, përkundër shpirtit luftarak dhe ngulmimit ironik të diskursit
të Tafës, mbi vargjet e tij ngritët vetmia, njësoj e rëndë, njësoj e mundimshme
dhe e përbashkët – madje edhe për ata të cilët nuk janë të ndërthurur
drejtpërdrejt në historinë e përgjakshme të kolektivitetit të Tafës, vetmia dhe
mallëngjimi që aq fuqishëm korrespondojnë me klithmën e Lorkës për paqe:
Cordoba / E largët dhe vetëm / (…) Edhe nëse i di rrugët, kurrë / Nuk do të
arrijë në Cordobë.
Subjekti lirik i Tafës përkohësisht arrin të izolojë nga
kundërmimi kolektiv i vdekjes, kështu që në torturën e vetmisë dukuritë të
cilat e rrethojnë, pasqyrohen me disponimin vetanak: është motiv i shpeshtë i
poetit shiu, i cili „do të pushojë një ditë“, i cili i mbulon gjurmët në qytet
me aromën e gjakut, shiu i cili është „Vaji i Zotit“, njësoj „i tmerrshëm dhe i
papushim“ si shiu i Preverit, njësoj „i qetë dhe i drejtë“ si shiu i Dizdarit.
Ashtu si subjekti lirik i Tafës e humb kontrollin mbi kujtesat vetanake, kjo
tregohet përmes ndërtimit të vet poezive: ato bëhen të privuara nga sistemi i
tyre vargëzues dhe shndërrohen në rrëfim të rrymës së vetëdijes („Reportazhi
nga lufta e shenjtë“).
Për Tafën të shkruarit është proces terapeutik dhe qërim ironik
hesapesh me botën – për lexuesin vargjet e tij janë sfidë ndaj së cilës autori
drejtpërdrejt shpie në poezinë e titulluar simbolikisht „Epitaf“: „Nuk shkruhet
dot një varg / ç’ sëmundje muzave u solli liria”. Në poezinë më intime të
përmbledhjes „Vet me vete“ , Tafa drejtpërdrejt zbulon tërë atë që „Punë
djalli“ paraqet për të: dëshminë e përvojës personale dhe kolektive të luftës
dhe pasojat e saja , mënyrën se si lufta e ka formësuar raportin e poetit ndaj
jetës, Zotit, dhe ndaj vetvetes, por, ajo që mbase është më e rëndësishmja,
ironia e fshehur në vargjet e fundit e pikturon raportin e Tafës ndaj „punës së
djallit“ në krijimin artistik në përgjithësi: „Vështirë / Por duhet forcë / eh
/Qija nanën.“ Përmes mesazheve të tij poetike se duhet ruajtur „nga Jeta dhe
nga Vdekja“, përmes
vargjeve, të cilat me ritmin e vet të brendshëm në mënyrë
apokaliptike paralajmërojnë marshe të përmortshme, pashmangshëm sjellin në
mendje poemën e Kashtelanit „Tifusarët“ („Vdekje deri te vdekja, vdekje deri në
vdekje, vdekja janë gjurmët e mia“), shoshitet shpresa me të cilën Lulzim Tafa
përkujton besimin e tij në poezi, si armë e fuqisë së konsiderueshme: „Kalo,
lirisht / Të thotë Zoti / dhe engjëlli i bardhë të mban / për dore.“
(Autorja është Profesoreshë dhe studiuese e njohur e letërsisë nga Sarajeva, përktheu: Smail Smaka)