Premiera e shfaqjes Lenorë “Emotional Exhibition” është shfaqja e radhës e cila do të jepet në Teatrin Dodona, shkruan KultPlus.
Shfaqja Lenorë “Emotional Exhibition” është një simfoni emocionesh, ku dashuria e sfiduar nga lufta eksplorohet përmes një gjuhe poetike dhe simbolike, duke lënë një jehonë të përjetshme mes kujtimeve, dhimbjes dhe ëndrrave të thyera.
Në këtë valle mes shpresës dhe humbjes, flakët e pasionit ndriçojnë errësirën, duke dëshmuar se edhe në kohë të errëta, shpirti njerëzor kërkon dritën.
Përmes gjuhës poetike, simbolikës së thellë dhe imazheve, shfaqja zhbiron plagët dhe fuqinë e shpirtit njerëzor, duke ofruar një përjetim të paharrueshëm të dashurisë, kujtimit dhe dhimbjes që lufta lë pas.
Shfaqja është e bazuar në poezi, monologje dhe fragmente nga: J. Prévert, Ch. Bukowski, O.Wilde, N. Simon, G.G. Márquez, T. Williams, P. Neruda, R. Frost, K. Kavafis, N. Hikmet, W.H. Auden, A. Pushkin, S. Beckett.
Aktorët të cilët luajnë në këtë shfaqje janë: Luajnë: Valmira Hoti, Rifat Smani, Armend Zeqiri
Dramatizimi dhe Regjia: Bashkim Ramadani
Skenografia: Burim Arifi; Kostumografia: Blendina Xhema; Dizajni i dritave: Skender Latifi; Lustrimi dhe dizajni: Dardan Luta, Fotografitë: Sovran Nrecaj, Video: Genc Berisha, Teknikë të skenës: Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi; Producent: Bashkim Ramadani.
Premiera jepet në Teatrin Dodona më 29.01.2025, në ora: 19:30. Ndërkaq, repriza jepet më: 30.01.2025, ora: 19:30./ KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë risolli në vëmendje afresket e mrekullueshme të Kishës së Shën Marisë në ishullin e Maligradit.
Kjo kishë konsiderohet një gur i çmuar i Prespës por dhe gjithë Shqipërisë. Ajo gjendet në liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit, që prej shekullit të 14-të dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Së fundmi, kisha është restauruar falë iniciativës ndërkufitare SMARTFORYOU2, në bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti për revitalizimin e kishës përfshiu restaurimin dhe konservimin e saj brenda dhe jashtë, rehabilitimin e shtegut që të çon drejt saj, dhe ruajtjen e afreskeve të mrekullueshme murale që i japin jetë mureve të shenjtë.
Ndriçimi i ri i kishës dhe shtegut krijon një atmosferë magjike që përforcon bukurinë e këtij vendi të shenjtë.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. /atsh/ KultPlus.com
Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.
Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.
Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.
Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.
Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:
Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.
Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.
Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com
“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të jenë të kenë numrin tetë në radhë në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.
Eurovision 2025 do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës. Vendi ynë, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë i 8-ti në radhë, të martën e 13 majit 2025.
Me triumfin e tyre, në Festivali e Këngës në Radiotelevizion, artistët e grupit “Shkodra Elektronike” fituan të drejtën të përfaqësonin Shqipërinë në Eurovision, një aktivitet artistik që merr vëmendjen maksimale mediatike në Evropë dhe më gjerë.
Përzgjedhja e radhës së interpretimit bëhet në mënyrë rastësore përmes një shorti, ndërsa Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruar si vendet “big”, nuk garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovizion, nuk garon në gjysmëfinale.
Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të fuqishme të repertorit operistik botëror, “Aidën” e Verdit.
“Aida” do të vijë me një produksion madhështor të të mirënjohurit Franco Zeffirelli. Burime nga TKOB bënë të ditur se, së shpejti do të bëhet publik kasti i artistëve që do të interpretojnë, ku vendin kryesor e zënë artistët shqiptarë por do të ketë edhe emra të huaj.
Kryevepra e Xhuzepe Verdit është drama e një dashurie të ndaluar. Në sfondin e Egjiptit të lashtë do të zhvillohet një trekëndësh dashurie pasionante dhe të ndaluar mes princeshës etiopiane Aida, komandantit egjiptian Radamès dhe Amneris, vajzës së Faraonit.
Tradhtia, sakrifica dhe lufta mes ndjenjave personale dhe detyrës të mbajnë pezull deri në notën e fundit. Muzika e Verdit, e pasur me emocione të thella dhe pasione shpërthyese, shoqërohet nga një skenografi madhështore dhe kostume magjepsëse që sjellin në jetë atmosferën unike të kësaj opere të pavdekshme, vendosur në Egjiptin e lashtë.
“Aida” do ta ketë premierën më 6 shkurt./atsh/KultPlus.com
Arritjet e Astrid Lindgren janë unike dhe të rëndësishme. Ajo ishte një humaniste e përkushtuar që luftoi për të drejtat e fëmijëve, për barazi, ekologji dhe mirëqenie të kafshëve, si dhe kundër dhunës dhe shtypjes. Ajo i mbajti besimet e saj me guxim dhe seriozitet, si dhe me humor dhe dashuri, transmeton KultPlus.
Astrid Anna Emilia Lindgren lindi më 14 nëntor 1907 në fermën Näs jashtë Vimmerby, në qarkun e Småland, dhe vdiq më 28 janar 2002 në shtëpinë e saj në Dalagatan 46 në Stokholm.
Ajo shkroi 34 libra kapitujsh dhe 41 libra me figura, që të gjithë së bashku kanë shitur 170 milionë kopje dhe janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë.
Ndikimi global i Astrid Lindgren është i paprecedentë. Asnjë autore suedeze nuk është përkthyer në aq gjuhë sa Astrid Lindgren dhe shitja totale e librave të saj llogaritet aktualisht në rreth 170 milionë kopje.
Çdo vit botohen botime të reja të huaja të librave të saj, pavarësisht se janë bërë më shumë se 20 vjet që kur ajo u nda nga jeta dhe mbi 40 vjet që nga botimi i historisë së saj të fundit madhështore, Ronja, vajza e grabitësit.
Çmimi Përkujtimor Astrid Lindgren është një çmim ndërkombëtar letrar për fëmijë i krijuar nga qeveria suedeze në vitin 2002 për të nderuar autoren suedeze për fëmijë Astrid Lindgren. /KultPlus.com
Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës është drejt fazës përfundimtare të rikonstruksionit tërësor të saj.
Kryetarja e bashkisë së këtij qyteti, Emiriana Sako përmes një galerie fotosh të shpërndarë në rrjetet sociale, thekson se ky investim ka përmirësuar cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike e funksionale ashtu edhe nga ana estetike e vizuale.
Sako thotë se “kjo galeri do të hapë dyert për eventet e shumta artistike që zhvillohen aty”.
Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.
Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijëra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë./atsh/KultPlus.com
Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.
Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.
Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.
Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.
Ai u morr me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988).
Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.
Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.
Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.
Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.
Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.
Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.
Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.
Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.
Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.
Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.
Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…
…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.
Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.
Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.
Poezi nga William Butler Yeats Përktheu: Orjela Stafasani
Zemrën askujt mos ia fal krejt se grave pasionante dashnia u duket e lehtë, e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’ se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi; çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi andrruese, e kandshme, që kalon përherë. Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr, zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë. Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba? Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com
Një nga periudhat më të bukura në jetën e shkrimtarit Ismail Kadare ka qenë dhe koha e studimeve në Moskë. Në këtë kohë ai ka bërë vargje të ndjera për dashurinë. Në librin “Ftesë në studio”, ai tregon për herë të parë detaje mbi njohjet me vajzat ruse, duke treguar dhe disa copëza letrash që ua pat çuar vajzave me të cilat ishte shoqëruar. Shqiponline po boton disa pjesë nga këto letra, që vetë shkrimtari i ka bërë publike në këtë libër.
Një prej tyre ishte Ljuba, një mikeshë që në kohën që ka shkruar letrën kishte vetëm dy javë që e kishte njohur. Ja çfarë i shkruan ai asaj, duke pasur në mëndje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:
“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë, (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një cudnoje mgnovjenje, siç e shkruan Pushkini i madh.
Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.
Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”. Ja përgjigja që i kthen Ljuba: “Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ce kishte menduar.
Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes….
Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se cpërbindësh je. I poshtër gjer në fund duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.
Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë shumë. Ljuba” Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha ti prishja gjithashtu. Ishte padyshim një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.
Tek romani “Muzgu” Kadare e shpjegon këtë krizë. Por pavarësisht zemërimit të Ljubës, Kadare është ndër të parët shkrimtarë që ka folur hapur për këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë, të vajzave që takoi dhe që e bënë të shkruante poezitë më të bukura mbi dashurinë./ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj, vlerësoi sot veprën e shkrimtarit Ismail Kadare si një dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve dhe identitetin evropian.
Në një mesazh në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Iamail Kadare, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.
“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore. Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste. Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme. Shkrimtari i madh Kadare është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit” dhe nga mbreti i Spanjës me çmimin “Princi i Asturias”.
Shkrimtari Isamil Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024./atsh/KultPlus.com
28 janari njihet si Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ishte Këshilli i Evropës që fillimisht e shpalli këtë datë në vitin 2007, si Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave dhe dy vjet më pas edhe Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA e votoi në unanimitet, duke e quajtur Dita Kombëtare e Privatësisë.
Nevoja për të mbrojtur të dhënat personale është një shqetësim në rritje në shoqëritë informative bashkëkohore, të cilat karakterizohen me zhvillime teknologjike. Përderisa individët duhet të mbrohen nga mbledhja e padëshiruar, përdorimi dhe transferimi i të dhënave të tyre nga palët e treta, kjo nuk duhet të pengojë në rrjedhën e lirë të informatave që është e nevojshme për të nxitur debatin lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm në shoqëritë demokratike.
Nenet 8 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbështesin të drejtën për respektimin e të drejtës për jetën private dhe të drejtën për lirinë e shprehjes dhe kërkojnë një drejtpeshim të duhur mes tyre në raste konflikti. Para 40 vitesh, Konventa 108 e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Individëve lidhur me procesimin automatik të të dhënave personale ka qenë traktati i parë ndërkombëtar që ka përcaktuar standardet në këtë fushë, duke formësuar kështu mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave në Evropë dhe më tej.
Në vitin 2018, është miratuar një protokoll amandamentues për të modernizuar Konventën (i njohur si Konventa 108+) në mënyrë që të trajtojë sfidat, të cilat rezultojnë nga përdorimi i informatave të reja dhe teknologjitë komunikuese si dhe për të fuqizuar zbatimin e vet efektiv.
Në nivel të BE-së, Rregullorja e vitit 2016 për Mbrojtjen e Përgjithshme të të Dhënave (RMPD) (në origjinal: GDPR, Regulation (EU) 2016/679) parasheh një kornizë konkrete dhe ligjore për mbrojtjen e të dhënave dhe konsiderohet si një rregullore më gjithëpërfshirëse dhe e avancuar në mbarë botën.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në funksion të interesit publik, ka përgatitur një video ndërgjegjësuese, me qëllim rritjen e njohurive të qytetarëve për ushtrimin e kësaj të drejte./atsh/ KultPlus.com
Më 28 janar të vitit 1936, 89 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka vdekur me 1 korrik të vitit 2024.
Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.
Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.
Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Ismail Kadare ishte laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.
Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com
Këngëtari i njohur Paul McCartney ka paralajmëruar se ndryshimet e mundshme në ligjin për të drejtat e autorit mund të ndikojnë në “shfrytëzimin” e artistëve dhe të dëmtojnë krijimtarinë.
The Guardian ka shkruar se ish-anëtari i grupit “The Beatles” ka thënë se qeveria duhet ta mbrojë punën e krijuesve, duke i kërkuar që të sigurohet që artistët të kenë kontroll mbi materialet e tyre të mbrojtura me të drejtat e autorit.
McCartney e ka shprehur shqetësimin se përdorimi i materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale (AI) mund të çojë në humbjen e motivimit për tekstshkruesit dhe artistët, dhe për pasojë të sjellë “humbje të kreativitetit”.
Ai ka shpjeguar situatën për BBC-në.
“Djemtë dhe vajzat e reja krijojnë këngë të bukura, por ata nuk e zotërojnë atë. Dhe kushdo mund t’i kopjojë dhe të përfitojë prej tyre. E vërteta është, paratë po shkojnë diku … Dikush po paguhet, pra pse të mos jetë ai që u ul dhe e shkroi këngën ‘Yesterday’’”, ka thënë McCartney.
Ky debat ka lindur pasi janë shfaqur pasiguri rreth përdorimit të materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e AI-së. Ka pasur padi nga individë dhe kompani në industrinë krijuese që pretendojnë se përdorimi i paautorizuar i materialeve të tyre është shkelje e të drejtave të autorit.
Ndërkohë, disa organizata botuese dhe media kanë nënshkruar marrëveshje licencimi me kompanitë e AI-së për të lejuar përdorimin e materialeve të tyre për trajnim të modeleve.
McCartney ka paralajmëruar se AI-ja mund të “marrë kontrollin” në botën e artit, dhe ka firmosur një peticion bashkë me aktorë të njohur si Julianne Moore, Stephen Fry dhe Hugh Bonneville, ku shprehen se përdorimi i paautorizuar i veprave krijuese për trajnim të AI-së është një kërcënim i padrejtë për mbijetesën e artistëve dhe nuk duhet të lejohet.
Në një fushatë të ngjashme, autorja Kate Mosse ka mbështetur një kërkesë për ndryshime në ligj për të dhënë mundësinë që krijuesit të negociojnë një pagesë të drejtë kur i licencojnë materialet e tyre.
Qeveria britanike ka njoftuar se do të mbajë një konsultim publik për të shqyrtuar çështjet kryesore të debatit deri më 25 shkurt, duke përfshirë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet mes industrisë krijuese dhe AI-së, si dhe mënyrat për të siguruar që krijuesit të mund të licencojnë materialet dhe të paguhen drejt.
McCartney i bëri thirrje qeverisë që t’i rishikojë këto plane. “Ne jemi njerëzit, ju jeni qeveria. Duhet të na mbroni ne, kjo është puna juaj”, ka thënë ai.
Në një notë pozitive, McCartney dhe Ringo Starr përdorën teknologjinë AI për të krijuar këngën “Now And Then” në muajin nëntor të vitit 2023, duke ndarë vokalet e anëtarit të njohur të grupit të tyre, John Lennon nga një demo e incizuar në vitin 1977.
Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, ka thënë se qeveria beson se artistët, tekstshkruesit dhe krijuesit e tjerë duhet të kenë mundësinë të kontrollojnë përdorimin e materialeve të tyre nga kompanitë e AI-së dhe të mund të negocionin marrëveshje licencimi dhe pagesa të drejta./alsatm/ KultPlus.com
Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimit të thellë dhe detajuar, kanë përzgjedhur veprën nga Klodiana Millona dhe Endi Tupjatë titulluar “Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita” (2023), fituese të çmimit për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili.
Raporti i Jurisë:
Të enjten, me 23 janar në prani të shumë dashamirësve të artit, artistëve pjesëmarrës e jurisë, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili të titulluar Ajo që ia thotë këngës…, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera. Juria, e përbërë nga Marina Grzinic (Ljubljanë), Zef Paci (Tiranë) dhe Stamatis Schizakis (Athinë), pas një procesi të shqyrtimi të thellë dhe detajuar, ka kënaqësinë të shpallë çmimin për Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës, Gjon Mili (Galeria Kombëtare e Kosovës, 23 janar – 30 mars 2025, Prishtinë). Çmimi i ndahet veprës që është pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…”, kuruar nga Valentine Umansky (Tate Modern, Londër), me thirrje të hapur për artistët nga rajoni dhe zgjeron mediumin e fotografisë drejt imazhit lëvizës, ndër të tjera.
Çmimi i ndahet veprës Kisha pambuk të bardhë në oborr, e ushqeva, e vadita (2023) nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja. Kjo vepër sintetizon elementet më kritike të temës së ekspozitës, duke zgjeruar dhe forcuar idenë e fuqisë dhe dukshmërisë. Vepra mishëron tensionet midis përkatësisë dhe mos përkatësisë, midis gjuhës dhe etnicitetit – çështje thellësisht karakteristike për rajonin e Ballkanit. Juria u prek nga mënyra se si vepra i trajton këto tema në një mënyrë të angazhuar dhe të ndjeshme. Duke kombinuar elemente dokumentare me performancën evokuese të subjekteve të saj, vepra tejkalon kufijtë tradicional, duke ofruar një narrativë të fuqishme të qëndresës dhe identitetit. Kërkimi i kujdesshëm dhe ekzekutimi kreativ i punës theksojnë një perspektivë të fuqishme feministe, duke ndërthurur historitë personale krahas një komentimi më të gjerë socio-politik. Procesi i përzgjedhjes filloi me vlerësimin e portfoliove dhe përshkrimeve të dorëzuara përmes thirrjes së hapur. Më pas, juria pati mundësinë të përjetojë veprat në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ky proces ishte veçanërisht sfidues për shkak të cilësisë së jashtëzakonshme të veprave të menduara, të bukura dhe unike që janë të paraqitura në ekspozitë.
Princesha e Uellsit përqafoi të mbijetuarit e Holokaustit ndërsa mori pjesë në përkujtimet zyrtare për të shënuar Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Kate iu bashkua bashkëshortit të saj William, Princit të Uellsit, i cili e përshkroi pjesëmarrjen e tyre si “aq të rëndësishme dhe “një nder të madh”, në Guildhall në qendër të Londrës në 80-vjetorin e çlirimit të Auschwitzit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Bashkë, ata u takua me shumë nga 50 të mbijetuarit e Holokaustit- duke përfshirë Yvonne Bernstein, 87 vjeçe dhe Steven Frank, 89 vjeç.
“Është e mrekullueshme të jem këtu sot me burrin tim”, tha Kate përpara se dyshja të takonte të mbijetuarit dhe familjet e tyre.
Në një fjalim të shkurtër, William tha: “Guximi i tyre, duke ndarë me ne momentet më të tmerrshme të jetës së tyre, është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe sigurojnë që ne të mos harrojmë kurrë. Unë i siguroj se nuk do ta bëjmë kurrë”.
Befasuese është poezia e rrymës ekspresioniste “Rrenë asht molla e Adamit” nga Dije Demir Frangu, e cila shquhet për qasjen ironike dhe vizionin modern mbi temën unive-rsale të dashurisë, zhgënjimit dhe ndarjes, e trajtuar si rrallë poezi nëpërmjet simboli-kës së “Mollës së Adamit”. Pavarësisht se poetja përdor simbolikën e mollës së famë-shme Biblike, ajo i tejkalon kornizat e trajtimit tradicional duke ndërtuar një realitet poetik të veçantë, plot me figura të fuqishme dhe tonalitete të përziera. Në këtë poezi , simboli biblik i mëkatit dekonstruktohet dhe rindërtohet si metaforë që reflekton zhgënjimin e marrëdhënieve njerëzore dhe boshësinë emocionale në modernitet.
I-Menjëherë lind pyetja: Pse poetja e çmitizon mitin e mollës së Adamit kur synimi i saj kryesor në poezi është tjetërsimi i dashurisë në kohët moderne, ndërkohë që miti biblik i mollës shfaq mëkatin fillestar të njerëzimit: shkeljen e porosisë së Zotit për mos ta kafshuar mollën. Në përgjigje të kësaj pyetje të natyrëshme shprehemi se:
Poetja çmitizon mitin e mollës së Adamit për të ndërtuar një paralele krahasimi apo qasjeje midis mëkatit të parë njerëzor dhe shpërdorimit të dashurisë në kohët modern . Në mitin biblik, kafshimi i mollës simbolizon tundimin dhe mëkatin e parë, shkeljen e porosisë hyjnore dhe fillimin e ekzistencës së ndërlikuar për njerëzimin. Poetja, megjithatë, e sheh këtë mit si një “rrenë” (gënjeshtër), duke nënkuptuar se akti i kafshimit të mollës nuk është thjeshtë mëkat, ai është simbol i një ndjenje zhgënjimi dhe tradhtie në kohët moderne.
Në këtë aspekt, lidhja mes mollës së kafshuar dhe dashurisë së tradhtuar qëndron në idenë e shkeljes së besimit të ndërsjelltë: te kafshimi i mollës tradhëtohet Zoti (shkelet porosia e prerë e Zotit për mbajtjen e së cilës Adami dhe Eva i premtuan besnikëri) , në poezinë e Dije Demir Frangut, ajo është simbol i shkeljes (tradhëtisë) së ligjësive të dashurisë, ku ndjenjat shkatërrohen e shpërdorohen, si në vargun:”Ti qenie kravatlidhur, flokëkrehur / I ke shqyer t’gjitha buzëqeshjet si letrat e dashurisë.”
Pra poetja përdor këtë mit të lashtë për të treguar se, njësoj si mëkati fillestar, dashuria ( e parë) moderne është kthyer në një akt tradhtie dhe shpërdorimi. Kjo lexohet qartazi në vargun:”Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet / rrenë është se e kafshoi Adami,” i cili sugjeron se në rrënjët e historisë njerëzore ekziston një mëkat, një tradhëti , që në modernitet shfaqet edhe në marrëdhëniet emocionale, ku dashuria është kthyer në një koncept të përdorur dhe të lënë pas, “si na dashninë sot.” Pra, në përgjigje të pyetjes së mundëshme shpjegojmë se qasja mes mollës dhe dashurisë së tradhtuar qëndron te përvoja e një tradhtie të hershme dhe universale, që tani shfaqet në forma të reja në marrëdhëniet njerëzore. Poetja përdor çmitizimin për të reflektuar mbi një plagë emocionale të përhershme.
II-Në qoftë se do kërkojmë disa veçori të kësaj poezie, unë do tju shfaq disa, parë në këndvështrimin tim personal:
1.Poezia nis me çmitizimin e mitit të mollës së mëkatit, duke e trajtuar atë si një “rrenë”, një mashtrim, por qëpas asaj poetja fsheh mrekullisht brishtësinë e ndjenjave njerëzore. Në thelb Frangu nuk përforcon narrativën biblike, por e përmbys atë katërcipërisht, madje këtë përmbysje e realizon përmes ironisë:
“Rrenë është se e kafshoi Adami
atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh
tutje do ta ketë hedhur
si na dashninë sot.”
Të ironizosh mitin biblik të kafshimit të mollës së ndaluar në kopështin parajsor me argumentimin se kafshuesi (Adami) i kishte dhëmbët të sëmurë, është më shumë se një ironi që të krijon buzëqeshje. Në këtë kontekst, molla nuk është më simbol i mëkatit, por shndrohet në një simbol zhgënjimi të hidhur, që reflekton marrëdhënien e brishtë emocionale mes njerëzve, si të përkohëshme dhe kalimtare.
2.Çmitizimi i mitit të mollës në poezinë e Frangut është qasje që e zhvendos kuptimin nga simbolika e mëkatit Biblik në një kritikë të marrëdhënieve njerëzore. Poetja e “shpë-rbën” mitin duke e zhvlerësuar momentin biblik të fajësisë dhe duke e ridimensionuar mollën si objekt që bart zhgënjim dhe manipulim. Te vargu:“Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet.” rrotullimi i mollës nënkupton zhvendosjen e kuptimit nga një simbol hyjnor në një objekt të kotë e të rrëndomtë, përmes imazhit të së cilës ajo sugjeron se dashuria dhe marrëdhëniet njerëzore kanë të njëjtin fat si miti i mollës, pra shndrimin në iluzione të zbrazëta. E parë te kjo poezi, molla nuk është simbol i mëkatit biblik, por një metaforë për zhgënjimin dhe pavlefshmërinë e marrëdhënieve moderne shfaqur te vargjet e mësipërme ku, poetja përdor ironinë, madje “tregon”se ai mëkat nuk ishte asgjë më shumë se një akt i zakonshëm kafshimi molle, pa ndonjë domethënie hyjnore, madje ai kafshim as që u dha, për arsyen vulgare se kafshuesi, Adami, i kishte dhëmbët të sëmurë. Kështu në vend të pasojave biblike që molla mbart në mit, ajo shndrohet në një frut të rrëndomtë, një iluzion që i ngjan zhgënjimit të dashurisë së përditshme. Është kjo një qasje e veçantë që reflekton në thelbin e poezisë: çmitizimi dhe zhvlerësimi i dashurisë. Marrëdhënia midis partnerëve shfaqet si diçka e zbrazët, pa emocion dhe pa qëllim. Ajo dashuri, që në poezitë e poetëve romantikë shfaqet si ideal , tani paraqitet si një ndjenjë e ftohtë, mekanike dhe e pashpirt:
“Ti qenia kravatëlidhur, flokëkrehur
I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.”
Përmes këtij imazhi, nëpërmjet metaforës “I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë.” poetja tregon shkallën dhe brutalitetin (shqyer) e zhvlerësimit të diçkaje emocionale si buzëqeshjet. Dashuria nuk është më një emocion që lartëson shpirtin, por një akt që përfundon në fragmentim dhe asgjësim, si një letër e shqyer.
Çmitizimi shfaqet gjithashtu përmes metaforave dhe ironisë që përshkojnë poezinë, duke e bërë të dukshme distancën midis realitetit dhe miteve apo ëndrrave romantike. Kjo distancë pasqyrohet në ndjenjën e izolimit që subjekti lirik përjeton:
“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit
si kokrra breshëri më bien në dysheme.”
Pra, në çdo anë që ta shohësh çmitizimi i mitit të mollës i shërben poetes për të theksu-ar zhvlerësimin e dashurisë në kohët e sotme modern, kur ajo, ashtu si molla e Adamit, shfaqet si mashtrim, një iluzion që ka mbetur thjeshtë si një relikt i idealizmit të së shkuarës. Ky çmitizim jo vetëm që zbërthen simbolikën biblike, por ofron një pasqyrë të qartë të natyrës së marrëdhënieve në realitetin bashkëkohor.
3. Përmes figurave poetike, poezia shpreh një ndjenjë të thellë vetmie dhe boshllëku emocional. Subjekti lirik përpiqet të komunikojë, por përballet me një mur të ftohtë indiference:
“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit
si kokrra breshëri më bien në dysheme.”
Pra moskomunikimi, izolimi është një ndjenjë e brendëshme e heroinës, pasi “kordat e zërit …bien në dysheme”, ku pamundësia për të shprehur ndjenjat, tashmë të tradhëtu-ara thekson ndarjen dhe vetminë, duke krijuar një atmosferë të rënduar.
4. Kujtesa në poezi shfaqet si një mbeturinë që duhet të fshihet me fshesë ndërkohë që, ndarja ndodh pa zhurmë, pa një ofshamë apo reflektim emocional nga ana tjetër:
“E nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave
derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy.”
ku me troshat, mbeturinat e kujtesës, nënkuptojnë fragmentet e dashurisë që i vijnë në kujtesë si një ngarkesë e pavlerë, jo vetëm e dhimbëshme. Pra nga miti biblik autorja ofrohet në aktualitetin modern të sotëm.
5.Vizualiteti i poezisë krijon një peizazh të ndezur ngjyrash, ku çdo imazh është i mbushur me kuptim simbolik. Për shembull, “flokët e shtrigave” dhe “akullnajat e vetmi-së” simbolizojnë një botë të ftohtë e të pandjeshme, thua se janë elemente të një bote akullnajore:
“E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra
rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash.”
Këto figura përçojnë një ndjenjë vetmie dhe dhimbje emocionale.
6. Poezia mjeshtërisht kombinon një tonalitet elegjiak me një dozë ironie të hollë. Ndërkohë që subjekti lirik përjeton humbjen e dashurisë, ironia ndihmon në zbërthimin e solemnitetit të kësaj humbjeje:
“Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej
në këtë mort të dashnisë
t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.”
Kjo përzierje tonalitetesh e dallon poezinë nga trajtimet tradicionale të dashurisë, dhe e paraqet atë si një realitet të thjeshtë, të ngarkuar me absurditete dhe zhgënjime.
III-Poezia “Rrenë asht molla e Adamit” dallon nga shumë poezi me të njëjtën temë përmes qasjes së saj të veçantë ironike, figurave të fuqishme poetike dhe tonalitetit të përzier. Disa nga veçoritë kryesore të saj, të shoqëruara me pasazhe specifike janë:
1.Poezia trajton mitin e mollës së Adamit dhe Evës me një qasje të veçantë, të pa hasur gjer më sot në letërsi: tepër ironike, duke e shndruar aktin biblik si një absurditet të përditshëm. Në vend që molla e Adamit të shfaqet si simbol i mëkatit, ajo shfaqet si një “rrenë,” një simbol i mashtrimit dhe zhgënjimit në marrëdhëniet njerëzore, madje ironikisht te vargu:” atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh”
Kjo ironi nxjerr në pah brishtësinë dhe pavlefshmërinë e premtimeve në dashuri, duke i kundërshtuar idealizimet romantike, klasike e tradicionale.
2.Molla, që simbolizon një ngarje të madhe në Bibël, këtu shfaqet si metaforë mashtri -mi. Ajo rrotullohet, duke lënë pas një ndjenjë boshësie:
“Molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet
rrenë është se e kafshoi Adami.”
Ky përdorim metaforik i mollës shpreh humbjen, braktisjen, tradhëtinë duke e barazuar dashurinë me një send të hedhur tutje si molla (e pakafshuar). Pra në thelb, molla nuk është kafshuar sepse Adamit i dhimbnin dhëmbët atë ditë, e megjithatë kafshimi i saj ( i pa dhënë) quhet mëkati i parë. Sdi pse më kujtohen rastet kur djemtë i braktisin vajzat kinse i “kanë kafshuar” djem të tjerë. Ndoshta këtë ka patur ndërmend poetja sepse tashmë molla quhet e Evës dhe jo e Adamit.
3.Subjekti lirik përjeton një vetmi të thellë, duke u përpjekur të komunikojë në marrë -dhënie tashmë të prishur. Pamundësia e fjalës dhe indiferenca e tjetrit e forcojnë ndjenjën e vetmisë:
“Provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zëritsi kokrra breshëri më bien në dysheme
e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave
derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy.”
Kjo përshfaqje e kujtesës si “trosha” dhe heshtjes së thellë përçon mungesën e kuptimit dhe të lidhjes mes dy njerëzve në dashuri, por shfaq dhe një imazh të dhimbshëm të vajzës që përpiqet të flasë, të shfaqë pafajësinë e saj, ta bindë partnerin në qëndresën, në ndershmërinë e saj, por kordat e zërrit janë jashtë funksionimit të tyre, qoftë dhe mekanikisht e jo më shpirtërisht. Tradhëtia në dashuri është akullnaja që ngrin çdo gjë njerëzore.
4.Poezia mund të quhet dhe poezia e imazheve pasi poetja përdor një peizazh të mbushur me imazhe të fuqishme që krijojnë një atmosferë tronditëse dhe të ngarkuar emocionalisht. Psh:
“E fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra
rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash.”
Shikoni pak, imazhet e flokëve, sit ë shtrigave dhe akullnajës së vetmisë pasqyrojnë me një bukuri të dhimblshme brishtësinë emocionale dhe ndjenjën e një bote të ftohtë e të largët, sa dhe të rrezikëshme. Një vajzë e tradhëtuar në dashuri është lehtësisht e goditëshme në një shoqëri ku ndjenjat njerëzore janë akullsuar.
5. Për shkak të kësaj mënyre trajtimi, poezia kombinon një ndjesi elegjiake, (që qaset me traditën) për dashurinë e humbur me një dozë ironie. Realisht në letërsinë shqipe kjo përzierje është e rrallë dhe nuk gjenden shpesh poezi që të idealizojnë dhimbjen në këtë mënyrë:
“Një kollë e keqe s’paku të dëgjohej
në këtë mort të dashnisë
t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.
Në shoqërimin e metaforës tronditëse “mort të dashnisë” ironia e kontrastit midis pritshmërisë(subjekti dëshiron të dëgjojë një kollë të keqe) dhe realitetit (një heshtje e ftohtë) në këtë varg tregon një dëshirë për ndonjë shenjë, qoftë edhe më të voglën, për të thyer boshllëkun, duke mos e trajtuar vetminë si tragjedi epike.Në thelb poezia dallon për trajtimin e zhgënjimit përmes një qasjeje të re. Ironia, dekonstruktimi i mitit dhe imazhet e fuqishme metaforike në ndërveprim krijojnë një portret të ndjeshëm e të ndërlikuar të dashurisë së humbur. Duke kombinuar elegjinë me ironinë, ajo kapërcen idealizimin tradicionale dhe i qaset jetës reale në të gjitha absurditetet dhe zhgënjimet e saj.
IV- Mesazhi i poezisë së Frangut qëndron në një kritikë të thellë ndaj shpërdorimit dhe deformimit të ndjenjave njerëzore të dashurisë dhe vlerave morale, si në nivel personal ashtu edhe shoqëror. Për tja arritur artistikisht kësaj ideje, poezia çmitizon mitin biblik të mollës së mëkatit dhe ndërton një metaforë universale që reflekton zhgënjimin në raportet njerëzore të kohëve moderne. Poetja tregon se dashuria, që dikur mund të ishte simbol i pastërtisë dhe përkushtimit, është reduktuar në një gënjeshtër të rëndomtë. E parë në këtë aspekt mesazhi i poezisë mund të përmblidhet në këto pika:
1.Dashuria, dikur-themeli i marrëdhënieve të qëndrueshme, tani është shndruar në një ndjenjë të shpërdoruar, siç sugjerohet në vargjet: “Tutje do ta ketë hedhur / si na dashninë sot.” duke reflektuar mbi një shoqëri që ka humbur aftësinë për të ruajtur thelbin e ndjenjave.
2.Poetja, nëpërmjet çmitizimit të mollës së ndaluar, paralelizon shkeljen e normave (urdhërave të Zotit)në Eden me shkeljet e moralit në shoqërinë moderne. ”rrenë është se e kafshoi Adami/atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh /tutje do ta ketë hedhur /si na dashninë sot”
3. Janë të shumta poezitë që shfaqin se në botën moderne, dashuria është bërë një ndjenjë sipërfaqësore, e përkohëshme që ikën duke lënë pas vetminë e boshësinë: “Në këtë mort të dashnisë / t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë.” Duhet të ndjejmë se përmes simbolikës së mollës dhe zhdukjes së kujtimeve të dashurisë, poetja shpreh një zhgënjim me mënyrën se si vlerat e dikurshme janë zbehur dhe shkatërruar në botën moderne të mashtrimeve dhe hipokrizisë.
Si përfundim mund të themi se poezia: “Rrenë asht molla e Adamit” e Dije Demir Frangut sjell një qasje të re dhe të guximshme në poezinë shqipe, duke çmitizuar një mit të përbotshëm për të reflektuar mbi shpërdorimin e ndjenjave dhe deformimin e dashurisë në kohët moderne. Me një përdorim fin të ironisë, metaforave të pasura dhe vizion të veçantë poetik, autorja ndërton një poezi që jo vetëm analizon marrëdhëniet njerëzore, por edhe sfidon perceptimet tona mbi to. Përmes një gjuhe të fuqishme dhe figuracionit të pasur, poetja na çon drejt një introspeksioni mbi moralin, vetminë dhe mënyrën si është reduktuar dashuria në gënjeshtër të heshtur e të braktisur. Mesazhi i saj mbetet universal dhe sfidues, duke na ftuar të rishikojmë marrëdhëniet tona me dashurinë dhe vlerat njerëzore.
Sarandëm ,më Janar 2025
Dije Demir Frangu
Rrenë asht molla e Adamit
si një zonjë e trathtuar në të zeza, ikën nata
i tmerron dritaret tue i pështye zi, zi në ikje
unë e ti karrige druri, rrimë çele guri gojën
ti qenia kravatëlidhur, flokëkrehur
I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë
provoj të flas, të të lus por të gjitha kordat e zërit
si kokrra breshëri më bien në dysheme
e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave
derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy
një kollë e keqe s’paku të dëgjohej
në këtë mort të dashnisë
t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë
këtë natë që as shi s’bie as era s’troket dyerve t’mbyllura
e fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, një pjesë e ekipit të IKKL-së vizitoi Shqipërinë, mblodhi materiale të rëndësishme dhe zhvilloi një seri takimesh për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi e për të forcuar lidhjet ekzistuese me figura dhe institucione kyçe.
“Në Kukës, z. Izet Ademaj, ish-polic kufitar dhe aktualisht drejtues i një organizate që mbështet të mbijetuarit e minave tokësore, dhuroi albumin ‘Ditët Kukësiane të Dramës Kosovare’ dhe librat e Jonuz Kolës nga Shoqata AlbAid. Gjithashtu, z. Sokol Kolgjini kontribuoi duke dhuruar librat e Sulejman Didës, të nënshkruara nga SHBA, të cilat pasurojnë më tej arkivin e IKKL-së me materiale të vlefshme”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në Tiranë, ekipi i IKKL-së zhvilloi takime në Bibliotekën Kombëtare, ku u pritën nga Zv. Drejtoresha znj. Majlinda Toçi dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku patëm kënaqësinë të takonin znj. Mira Hoxha. Të dy institucionet shprehën gatishmërinë për të kontribuar me materiale relevante për arkivin e IKKL-së. Gjithashtu, gazetarët e njohur z. Mero Baze dhe z. Rexhep Shahu, kontribuan duke dhuruar materiale të rëndësishme për arkivat tona, ndërsa z. Armand Mero, gazetar i Zërit të Amerikës, ndau këndvështrimin e tij profesional dhe përvojën e tij mediatike, duke ofruar një pasqyrë unike për ekipin tonë.
“Në Durrës, gjatë takimit me z. Kudusi Lama, u zhvillua një shkëmbim konstruktiv i mendimeve, duke thelluar më tej bashkëpunimet tona edhe në këtë qytet të rëndësishëm. Angazhimi ynë për të ruajtur kujtesën historike dhe për të ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme me individë dhe institucione që ndajnë të njëjtat vlera dhe qëllime mbetet i palëkundur”, njofton Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Po shkrihet bora, Dimri po shkon; Bylbyl i vorfën, Pse po gjimon?
Pushoi murrlani Me duhi t’vet; Bylbyl i vorfën, Çou, mos rri shkret.
Gjith’ fushët e malet Blerimi i mbëloi; Livadhi e pema Gjithkah lulzoi.
Ndër pyje e ograja, N’ma t’mirin vend, Me rreze dielli Po e gëzon gjithkend.
E tuj gjimue Shkon rreth e rreth Nji prrue që veret Rrjedh nëpër gjeth.
A çilë kafazi, Bylbyl flutro; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Kurrkush ma hovin Atje s’ta pret; Me zeher hajen Kurrkush s’ta qet.
Kafaz ke qiellin, Epshin pengim; E gjith’ ku t’rreshket Shkon fluturim.
Nëpër lamie, Ke me gjrtë mel; Për gjith’ prendverën Njajo buk’ t’del.
E kur t’zit edi Ndër prroje pi; Te njato prroje Që ti vetë di.
Tash pa frikë çerdhen E mban n’ndo’j lis; Nuk je si ‘i nieri Që nuk ka fis.
E kur t’vij’ zhegu, Kur dielli shkon, Ti ke me këndue Si ke zakon.
Rreth e rreth gjindja Me t’ndie rri; Prej asi vendit Ndahen me zi.
A çilë kafazi, Bylbyl, fluturo; Ndër pyje e ograja, Bylbyl, shpejto.
Ndër drandofille, Ndër zambakë nga; Ku qeshte kopshti, Idhnim mos mba.
Po shkrihet bora, Dimni po shkon; Bylbyl i vorfen, Pse po gjimon?
II
Por vaj! Se ‘i dimën tjetrë Paske, o bylbyl i shkreti; Pa da ty zemra t’treti Mbas vajit që t’rrethon.
Me lulzim t’vet prendvera Ty s’ta përtrin gazmendin: Jo kurrë s’e njifke shendin, Bylbyl, që po vajton.
A thue po kjan, se çerdhen Ta ka shkatrrue skyfteri? A thue po kjan, o i mjeri, Se me rrnue gjallë s’ke mel?
Ndrrojn’ edhe stinët e motit, E për çdo herë ndron era. Mbas dimrit vjen prendvera, Mbas borës blerimi del.
Veç ti me idhnime t’tuja N’zemër gjithmonë po pihe, E ditë e natë po shkrihe Mbas vajit që t’mundon.
Kur a tuj ardhun drita Ndihet tuj këndue shpendi, E n’këngë i duket shendi, Që zemrën ia gazmon.
Gjetiu ndër pem, ndër lule Shkon e fluturon bylbyli; N’at erë që jep zymbyli Vjollca e zambaku nget.
Por ty, n’kafaz t’shtrëngueshëm, Ty t’paska ndry mizori, E kurrnjiherë nuk t’nxori Me t’lëshue ku zemra t’thrret.
Ti kurr, nji kangë s’ia këndove Diellit kur nadje çohet; Zemra me vaj t’coptohet E me pajtue nuk don.
Ndoshta kujdesi i t’tujve Gjith’ ket hidhnim ta qiti, E shendin ta shutiti E vshtira që i mundon.
T’burguem i bani gjindja Veç përse donë me ndie Njat za që lëshojnë me hije Që t’knaq e që t’ban rob.
Çdo krajl i madh ndër shpija Ty t’mba m’u thanë i veti; Vetë bukuria, o i shkreti, Kena për ju nji kob.
Përse tu ndeja e t’mëdhajve Nji shpend i vogël s’ndalet; Shpendit i kande malet, Çerdhen e t’parve do.
Me at zanin tand t’përmallshëm Ndoshta ti ankon këto t’vështira; Derisa t’kthejn’ e mira, Bylbyl, papra gjimo.
III
Por njaj vaj që je tuj lëshue, Bylbyl, zemrën ma copton; Ditë e natë rri tuj prigjue, Vaj për mue! Kush mund t’ngushëllon?
Gjama jote a porsi ankimi I nji fëmijës që vetun mbet; Gjama jote a si shungllimi I nji t’zezës që gja s’ pre.
Porsi dnesë me futë në krye Nana e shkretë që mbet pa djelm; Njashtu tine rri tuj shfrye Njat idhnim që t’u ba helm.
Puna jote, o i mjeri, m’mbyti E kurrkund nuk m’len pushim, Shkoi nji muej, po shkon i dyti T’zezat t’tua s’kanë mbarim.
Tash ndër arë lulzoi qershia E me borë dimni po shkon: Kurr s’mbarojn’ t’zezat e mia, Gjama jote kurr s’mbaron.
Si t’burguemit n’ishull t’detit, Ku tallazi i thekshëm vrret, O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit, Vaji zemrën ia pëlset;
E papra n’ankime t’veta Vajton fisin që larg la; E tu fëmija i shkon si zgjeta Mendja e shkretë se mbet pa ta;
Njashtu ti rri tuj vajtue N’njat kafaz që shungullon; Fisin tand rri tuj mendue T’zinë atdhe që s’e harron.
Për fat tand, për zogj që kishe Ndoshta zemra, i mjeri, t’dhemb; Me e pat dit’ të mjerët ku rrishe Kërkue t’kishin gemb mbi gemb.
Me e pasë ndie njat za që lëshoshe, Me e pasë ndie njat vajin tand, Kishin ardhë kudo që t’shkoshe, T’kishin lypun kand e kand.
Njat vaj tandin tuj kujtue Pa mbyllë syt’ kan’ shkue sa net; Pveshtin hanën tuj gjimue, Pvetshin hyjt për prind të vet.
Por aj kob që hana e diti E njaj vaj që ylli pau, T’shkretve n’vesh kurr nuk iu mbrriti, E kurr zemra nuk ju ndau.
Me ditë hyjt me bisedue, Me pasë sy që me derdhë lot, Vajin tand ju kishin prue T’kishin kja për jet’e mot.
Nëpër fush’ e nëpër shpija, Me kujdes që s’nep afat, Rreth e rreth t’kishin ardhun fëmija, Kjamun t’kishte i ngriti fat…
IV
Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti; Ankimi e vaji nuk asht i zoti Përgjithmonë zemrën me na coptue; Fillo me gëzue.
Mbas boret t’dimnit çilet prendvera; Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era; Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue; Fillo me gëzue.
Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat, Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat; Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue; Fillo me gëzue.
Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem! Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue: Fillo me gëzue.
Ndër ishujt t’detit kjan i burguemi Për fmij, për grue që s’shef i shuemi, Por prap durimi ka me ja prue, Fillo me gëzue.
Shpend tjerë burgosi sa herë mizori, E rishtas jashtë dikur i nxori; Ndër fushë e male janë tuj fluturue; Fillo me gëzue.
Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule, Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule, E kangët e parshme nisin me këndue: Fillo me gëzue.
Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t’hasin, Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin; Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue: Fillo me gëzue.
Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet: Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet; Edhe natyra po don m’u ndrrue: Fillo me gëzue.
Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë, Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë, Por vaji e ankimi kanë për t’u shue; Fillo me gëzue.
Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi, Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi, Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue: Fillo me gëzue.
Kur t’shkojsh ndër fush, kur t’shkojsh ndër male, Afër shpisë seme hovin tand ndale; Mahnit’ at zanin tand tuj prigjue Kam për t’u gëzue.
Forma e përkyer, gjatësie e vargut nis me katër-gjashtë rrokësh në pjesën e parë, tetë në të dytën, nëntë në të tretën, dhejtë dymbëdhjetë dhe gjashtë rroksh në të katërtën. Rrima abcb në pjesën e parë, abbc në të dytën, abab në të tretën, aabb në të katërtën. A ka bylbyl të këndojë më larmishëm e më gjatë pa iu dridhur zëri një herë të vetme? Vargje shekspiriane: Me ditë hyjt me bisedue, Me pasë sy që me derdhë lot, Vajin tand ju kishin prue T’kishin kja për jet’e mot. për Bylbylin, presje mbas çdo shkrimi të fjalës si një përulje të thellë për të. Dymbëdhjetë herë, aq sa muaj ka viti, grishje “Fillo me gëzue”, e mbas tyre një mbyllje e papritur “Kam për t’u gëzue” që na bën ta nisim recitimin (leximi është i pakët) nga e para e nëse gjendet bylbyl të na shoqërojë të shohim kush i vajton më bukur fitores së jetës ndaj vdekjes, gazmendit ndaj idhnimit, lirisë ndaj burgut. Me e pasë ndie njat za që lëshoshe, Me e pasë ndie njat vajin tand, Kishin ardhë kudo që t’shkoshe, T’kishin lypun kand e kand.