Londër- Vdes Jacob Rothschild, financieri rebel i dinastisë

 Dinastia bankare më e famshme evropiane humbi një nga trashëgimtarët e saj të fundit të mëdhenj.

Lordi Jacob Rothschild, financier dhe sipërmarrës, vdiq në moshën 87-vjeçare.

Djali i Victor dhe Barbara Hutchinson, një grua e krishterë anglikane që u konvertua në judaizëm, Jacob studioi në Universitetin e Oksfordit dhe më pas u trajnua si financier në bankën e familjes ”NM Rothschild & Sons” duke filluar nga viti 1963.

Pika e kthesës daton në vitin 1980, kur Jacob në mënyrë efektive u shkëput me institucionin e kreditit të themeluar nga paraardhësit e tij për të krijuar atë që do të bëhej perandoria e tij financiare në qytetin e Londrës ”J Rothschild Assurance Group”, i promovuar në partneritet me Mark Weinberg, i konsideruar si kasafortë e operacioneve globale.

I kujtuar nga familja e tij si një filantrop dhe një mbështetës i traditës familjare, i komuniteteve hebreje, i shtetit të Izraelit, i çështjes sioniste – ai mori nderimet më të larta britanike gjatë jetës së tij nga familja mbretërore e Windsor, deri në shenjat ekskluzive të komandantit të Urdhrit Mbretëror Victorian (CVO) që i është dhënë nga mbretëresha Elizabeth II në vitin 2020.

”Babai ynë Jakobi ishte një figurë e shquar për shumë njerëz, një financier i vlerësuar, kampion i arteve dhe kulturës, shërbëtor i përkushtuar i publikut, mbështetës i pasionuar i aktiviteteve bamirëse në Izrael dhe për kulturën hebreje, ambientalist entuziast, mik, baba dhe gjysh i dashur”, shkruanin katër fëmijët në një mesazh duke specifikuar se varrimi do të bëhet privatisht sipas ritit hebre.

Në vitin 2019 ai mbeti i ve, pas 58 vitesh martesë me gruan e jetës së tij Serena Dunn, një trashëgimtare anglo-kanadeze dhe pronare e një stalle të njohur me kuaj garash race të pastër./atsh/KultPlus.com

Pas rajonit dhe Kosovës, filmi “Adnan Kafazi” do të ketë premierën edhe në Londër

Pas sukseseve në kinematë vendore, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Gjermani e Austri, filmi kosovar “Adnan Kafazi” më 13 Tetor do ta ketë premierën në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, përcjell KultPlus.

Filmi “Adnan Kafazi” i cili është pjesë e trilogjisë Zonjusha-Diamanti-Adnana Kafazi përveç argëtimit, kësaj radhe potencon edhe dhunën ndaj gruas, trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftimin e dukurive negative të shoqërisë sonë.

Filmi do të shfaqet në Phoenix Cinema në Londër.

Aktori dhe producenti, Besart Sllamniku njofton që për premierën e filmit në Londër janë përkrahur nga Besnik Sahatçiu Ora dhe The Queen’s Arms.

Në Londër do të jenë prezent edhe një pjesë e kastës së filmit si: Armond Morina, Besart Sllamniku, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, Muhamed Arifi dhe regjisori Genc Berisha.

Për të gjithë filmdashësit në Londër, biletat për premierën i kanë në dispozicion në linkun e Eventbrite:

https://www.eventbrite.co.uk/e/adnan-kafazi-in-london-tickets-709341247767. / KultPlus.com

“Krenar që jam shqiptar”, emigrantët protestojnë në Londër

Ashtu sikurse kishin paralajmëruar, emigrantët shqiptarë kanë dalë në protestë ditën e sotme në Londër. Protesta u thirr pas deklaratave të sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila i cilësoi emigrantët shqiptarë  si “kriminelë.”

“Ne punojmë, paguajmë taksa, ne jemi shqiptarë”, “krenar që jam shqiptar”, janë disa prej pankartave që mbajnë në duar.

Më herët Braverman është shprehur se ardhja e emigrantëve shqiptarë në brigjet britanike është “pushtim.” Kjo deklaratë solli menjëherë reagime të forta.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli, kanë akuzuar qeverinë se po përdoren për të justifikuar politikën “e dështuar” të emigracionit në Britani si dhe kritikuan Ministrinë e Brendshme se ata po ndikonin në sigurinë e vendit.

Daily Mail i ka kushtuar një artikull reagimeve të tyre, ku shqiptarët shprehen se kanë ardhur në Britani për një jetë më të mirë dhe se është e papranueshme që të etiketohen si “banditë apo hajdutë”. /KultPlus.com