Ish-presidentët mbërrijnë në Kongres për inaugurimin e Trumpit

Ish-presidentët amerikanë, Barack Obama, Bill Clinton dhe George Bush kanë mbërritur në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të ShBA-ve, Donald Trump.

Barack Obama u pa gruan e tij, Michelle. Javën e kaluar, zyra e saj konfirmoi se ajo nuk do të ishte e pranishme sot.

Ndërkohë, Bill Clinton dhe George Bush u panë të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, njofton Klankosova.tv.

Barack Obama pa Michelle 

Barack Obama walking

Bill Clinton dhe Hillary 

Bill and Hillary Clinton

George Bush dhe Laura

George and Laura Bush

90-të vjetori i lindjes së Mark Kaçinarit, Ministri Çeku: Vepra e tij zë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në 90-vjetorin e lindjes ka përkujtuar pedagogun, kompozitorin e dirigjentin e shquar, Mark Kaçinari.

Ministri Çeku ka thënë se Kaçinari si kompozitor shquhet për përpunimin e këngëve popullore dhe përdorimin kreativ të motiveve të folklorit muzikor shqiptar në veprat e tij, dhe se këto vepra zënë vend të rëndësishëm në opusin e literaturës së muzikës klasike shqiptare.

“Kaçinari i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikës, për tu bërë më vonë ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e më pas Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në edukim të brezave të tërë muzicientësh”, është shprehur Ministri Çeku.

Kaçinari drejtoi disa ansamble të shquara, veçanërisht ato korale, si Korin e SHKA “Agimi” në Prizren dhe Korin “Collegium Cantorum” në Prishtinë, të cilin e themeloi vetë, kor ky që arriti suksese të jashtëzakonshme.

“Krijimet e tij, si “Shamikuqja”, “Zogu i Ohrit” dhe “Bijtë e shqipes”, mbeten pjesë e çmuar e kulturës sonë muzikore. Kujtojmë dhe nderojmë kontributin e tij të pashlyeshëm, që frymëzon breza të tërë artistësh e dashamirësish të muzikës.

Lavdi veprës dhe trashëgimisë së tij”, është shprehur Ministri Çeku!/ KultPlus.com

Biden konfirmon se ia ka lënë Trumpit një letër në Zyrën Ovale

Presidenti Joe Biden konfirmoi se ka lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, presidentin e zgjedhur Donald Trump, raporton CNN.

I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai ka shkruar një letër, Biden tha, “Po”, megjithëse nuk pranoi të jepte më shumë detaje.

“Kjo është mes meje dhe Trump”, tha ai.

Trump e kishte lënë një letër në vitin 2021 që Biden e përshkroi më vonë si “shumë bujare”.

Biden e mirëpriti Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe pas një takimi të dy udhëtuan bashkë drejt Kongresit për ceremoninë e betimit.

‘Mirë se erdhe në shtëpi’, i tha Bideni, Trumpit kur mbërriti në Shtëpinë e Bardhë

“Mirë se erdhe në shtëpi”, i tha presidenti amerikan, Joe Biden, pasardhësit të tij, presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, teksa e përshëndeti atë në Portikun Verior të Shtëpisë së Bardhë.

Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë përbën një ‘zhgënjim’ për Bidenin, i cili dikur e shihte veten si personin që parandalonte rikthimin e rivalit të tij në pushtet.

Ai përgënjeshtroi çdo ndjenjë ndërsa shtrëngoi dorën me Trumpin të hënën, duke e mirëpritur atë për çajin dhe kafen tradicionale përpara betimit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të njohur me planifikimin thonë se nuk ka pasur kurrë ndonjë debat nëse presidenti në largim do të merrte pjesë në hapat ceremonialë, pavarësisht nga fakti se katër vjet më parë, Trumpi nuk i dha të njëjtat mirësjellje ndaj Bidenit, transmeton Klankosova.tv./ KultPlus.com

Rekord turistësh në vitin 2024, Rama: 500 mijë vizitorë në Kalanë e Beratit, 85% ishin të huaj

Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.

Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.

“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, u shpreh Rama.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.

Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./atsh/KultPlus.com

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksander Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk është shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia
Të ngryseni sërish në dëshperim.

I heshtur e pa shpresë u përvelova
Me ndrojtje, xhelozi e mall për ju
Po kaq me dliresi ju dashurova,
Sa, zot!ju dashtë tjetër kush kështu!/KultPlus.com

“Epoka e Inteligjencës Artificiale”, libri i tre mendimtarëve të shquar amerikanë mbi IA

Në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë (COD) u promovua “Epoka e Inteligjencës Artificiale”, një libër i shkruar nga ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, ish-CEO i Google, Eric Schmidt dhe Daniel Huttenlocher, një shkencëtar kompjuterik amerikan.

Paneli i ftuar përbëhej nga botuesi, Rexhep Hida, përkthyesi, Krenar Hadëri si dhe përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe instituti i edukimit “Harry Fultz”.

Libri “Epoka e Inteligjencës Artificiale” shqyrton mënyrën se si Inteligjenca Artificiale po transformon shoqërinë njerëzore në mënyrë të thellë dhe rrënjësore. Tre mendimtarët e shquar amerikanë eksplorojnë ndikimin e IA në fusha si siguria, ekonomia, rendi shoqëror dhe vetëdija njerëzore.

Ky libër paraqet një analizë të thellë mbi mënyrën si Inteligjenca Artificiale po revolucionarizon sektorë si mjekësia, arsimi dhe shumë të tjerë, duke shënuar një epokë të re dhe të veçantë në zhvillimin e teknologjisë.

Aktiviteti u ndoq me interes edhe nga nxënësit e shkollës profesionale “Harry Fultz” në profilin IT dhe Informatikë./atsh/KultPlus.com

‘Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty’

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e Shkodrës nis përzgjedhjen e instrumentistëve të rinj

Kjo e hënë shënon një moment të rëndësishëm për Orkestrën Simfonike të Shkodrës, e cila ka nisur konkursin për instrumentistët e kësaj orkestre, simbol i traditës muzikore të qytetit.

Komisioni i përzgjedhur nga bashkia Shkodër, i kryesuar nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, ka dëgjuar të gjithë aplikantët, të cilët do të përzgjidhen bazuar në vlerësimet e këtij komisioni.

Kjo iniciativë, e cila përfaqëson një proces të ri për këtë formacion muzikor, ka marrë mbështetjen e kryebashkiakut Benet Beci. Beci i ka shprehur dirigjentit Barbullushi mbështetjen e institucionit të bashkisë Shkodër në fuqizimin e këtij formacioni, që është një trashëgimi e rëndësishme për Shkodrën.

Sipas dirigjentit Jetmir Barbullushi, konkurrimet janë një mundësi për të evidentuar talente të reja që mund të bëhen pjesë e Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Ai thekson se procesi bazohet mbi transparencë dhe profesionalizëm, duke hedhur poshtë çdo aludim lidhur me konkursin.

Formacioni i Orkestrës Frymore është një prej vlerave të veçanta artistike dhe unikale të Shkodrës, me fillesa që datojnë në vitin 1876. Për një periudhë të gjatë, ky formacion ka qenë nën drejtimin mjeshtëror të Kujtim Alisë dhe ka qenë pjesë e eventeve kryesore kulturore të bashkisë.

Formacioni i Orkestrës Simfonike të Shkodrës, i themeluar në vitin 1952, prej 32 vitesh vazhdon të jetë një pjesë integrale e eventeve kulturore të nivelit më të lartë që zhvillohen në qytet. Ky formacion mbetet një pasuri e çmuar për trashëgiminë artistike të Shkodrës./atsh/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e legjendës së rokut, Dejvid Krozbi

Veterani amerikan i rokut, Dejvid Krozbi ka vdekur në moshën 81-vjeçare, para dy vitesh.

Këngëtari i rokut, kitarist dhe tekstshkrues ishte pjesë e bendeve “Bërds dhe Krozbi”, dhe “Stills dhe Nesh”.

Karrierën e filloi në vitin 1964, si anëtar i bendit “Bërds”, i njohur për përpunimin e hitit të këngëtarit Bob Dillan – “Tambourine Man”. Krozbi dy herë ishte pranuar në Shtëpinë e të famshmëve të rokenrollit./ KultPlus.com

Rritja e kapaciteteve institucionale kundër trafikut të objekteve të trashëgimisë kulturore

Trashëgimia kulturore përballet me kërcënime të vazhdueshme nga trafikimi i paligjshëm, vjedhja dhe eksportet ilegale të objekteve të trashëgimisë kulturore.

BE dhe UNESCO, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, adresuan këtë sfidë përmes një trajnimi të specializuar për profesionistë nga sektori gjyqësor dhe prokuroria.

Nisma është pjesë e projektit të financuar nga BE, “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore në Ballkanin Perëndimor”, që u trajtua gjithashtu në vitin e kaluar. Kjo nismë në mënyrë të dedikuar me të gjithë sektorin dhe infrastrukturën kulturore, synon rritjen e kapaciteteve institucionale, forcimin e kuadrit ligjor si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për të mbrojtur thesaret kulturore shqiptare.

MEKI së bashku me organizmat evropiane u angazhuan për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, një pasuri e paçmuar që përcakton historinë, identitetin dhe kujtesën kolektive./atsh/KultPlus.com

‘Në sheshin kaltëror të qiellit’

Poezi nga Sergej Esenin

Në sheshin kaltëror të qiellit
Tymi me re të verdha u ëmbëlsua,
Natën ai ëndërron. Njerëzit flenë,
Ankthi më mundon vetëm mua.

I kryqëzuar me retë,
Tym të ëmbël pylli thith.
Në unazat e plasave qiellore
Shpati shtrin gishtat të gjithë.

Nga moçali vjen klithma e çafkës,
Gurgullima e ujit të kulluar,
Dhe aty – këtu, mes reve duket
Si një pikë uji, një yll i vetmuar.

Të mundësh me të në tymin sterrë,
Të ndezësh një zjarr të madh në pyll,
Dhe pastaj ta shuash xixën menjëherë./ KultPlus.com

Pashk Gjeçi, shqipëruesi i madh i kryeveprave të letërsisë botërore

Më 20 janar 2010 u nda nga jeta shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi.

Lindi në Shkodër më 7 shtator 1918. Ndoqi gjimnazin jezuit në vendlindje, ku mësoi italishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Që kur ishte nxënës, Gjeçi sprovoi penën duke përkthyer disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të mbuluar nga qeveria e kohës, nisi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Romë. Më 15 korrik të vitit 1942, mori titullin “doktor” në letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, u ndalua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Shoqërimi me Ernest Koliqin i la gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, edhe pse do t’i kushtonte 5 vjet burg.

Pas lirimit, u transferua në Fushë-Krujë, ku punoi i përkushtuar për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”. Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente një tjetër klasik të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shqipërimin e përsosi edhe më shumë me “Faustin” e Gëtes dhe “Hamletin” e Shekspirit.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Për përkthimin e Dantes, Gjeçi u dekorua nga presidenti Italian, Çampi më 2004 me titullin “Ordine della stella, della solidarietà italiana”./atsh/KultPlus.com

Federico Fellini, regjisori që vazhdon të influencojë kineastët e gjithë botës

20 janari është data e lindjes së njërit prej regjisorëve më të shquar të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.

I vlerësuar me titullin “Kalorës i Kryqit të Madh OMRI”, Fellini u bë i njohur për stilin e tij të dallueshëm, i cili përmblidhte fantazinë, imazhet baroke dhe ato tokësore. Filmat e tij vazhdojnë të frymëzojnë dhe të influencojnë kineastët anembanë botës. Disa nga filmat e tij më të njohur janë “La Strada”, “Le Notti di Cabiria”, “La Dolce Vita”, “”, “Roma”, “Amarcord” e të tjerë.

Fellini pati 16 kandidatura për çmimet Oscar përgjatë karrierës së tij, duke arritur të fitonte 4 në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, (më shumë se çdo regjisor tjetër në këtë kategori në historinë e Academy Awards).

Fellini lindi në 20 janar të 1920, në një familje të shtresës së mesme, në Rimini të Italisë. U pagëzua me emrin Federico Domenico Marcello Fellini.

Ngjarje të fëmijërisë e rinisë së hershme kanë lënë gjurmë dhe në filmat e tij, megjithatë Fellini insistonte se nuk ishte kujtesa ajo që dominonte në filmat e tij, por kënaqësia e të shpikurit të personazheve e ngjarjeve, e rishkrimit të fëmijërisë e ëndrrave. Vdiq në moshën 73-vjeçare, në Romë. / KultPlus.com

293 vjet nga themelimi i ‘Shën Adrianit’, kolegji arbëresh ku studiuan personalitete të shquara shqiptare

Me 20 janar 1732 u hap kolegji arbëresh i Shën Adrianit, që i dha personalitete të mëdha Kishës e kulturës shqiptare.

Pra, më 20 janar 1732 Kisha Arbëreshe hapii në Kalabri kolegjin e Shën Adrianit, njoftoi Radio Vatikani, institucion i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit dhe kultivimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe etnike të Arbëreshëve.

Në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare e kulturore shqiptare si Jeronim De Rada, Markianò, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e shumë të tjerë. Po mbi rëndësinë, rolin e kontributin e kësaj vatre shpirtërore, kulturore dhe atdhetare që e ruajti ndër shekuj shpirtin arbëresh. / KultPlus.com

Muzeu “Onufri” – Mbi 106 mijë vizitorë në 2024, 40% rritje krahasuar me 2023

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë vitit 2024 ka mirëpritur 106.303 vizitorë, 40% më shumë krahasuar me vitin 2023.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një material filmik nga ky muze, së bashku me ftesën për ta vizituar atë.

Interesi i vizitorëve, e veçanërisht i turistëve të huaj, ka ardhur gjithnjë në rritje për këtë objekt kulturor që mbart në fondin e tij, objekte të rralla. Gjatë vitit 2024, vizitorët e huaj që shfaqën më shumë interes për këtë muze qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.

Por fluksi i vizitorëve në Muzeun “Onufri” nuk u ndërpre as në ditët e para të këtij viti.

Muzeu i Ikonografisë Onufri është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike./atsh/KultPlus.com

31 vite më parë vdiq aktorja Audrey Hepburn

Audrey Hepburn (4 maj 1929  – 20 janar 1993 ), ishte aktore e filmit dhe e teatrit e shpërblyer me Oscar. Ajo ishte gjithashtu e njohur si një ikonë mode, modele, kërcimtare dhe humanitare.

E lindur si Audrey Kathleen Ruston në Belgjikë dhe ishte fëmija i vetëm i Josepha Anthonya Rustona, bankier irlandez, dhe i baroneshës Elle van Heemstra, anëtare e aristokracisë holandeze ku paraardhësit ishin mbretër francez dhe mbretër anglez. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj midis Belgjikës, Anglisë dhe Hollandës.

Hepburn i kushtoi një kujdes të vecantë shtresave në nevojë, kryesisht fëmijëve. Deri në fund të jetës së saj, ajo iu përkushtua punës së saj vullnetare në UNICEF, ku u njoh edhe si ambasadore e vullnetit të mirë.

Ishte po ashtu fituese e Çmimit Academy Award, më 1953.

Disa nga filmat në të cilët mori pjesë janë: Monte Carlo Baby, Laughter in Paradise, One Wild Oat, The Lavender Hill Mob, Young Wives’ Tale, The Secret People, We Will Go to Monte Carlo, Roman holiday, Sabrina, War and peace, Love in the Afternoon, Green Mansions, The Nun’s Story, The Unforgiven, Breakfast at Tiffany’s, The Children’s Hour, Charade, Paris, When It Sizzles, My Fair Lady, How to Steal a Million, Two for the Road, Wait Until Dark, Robin i Marian, Bloodline, They All Laughed, Love Among Thieves (TV), Always etj.

Ajo vdiq më 20 janar 1993 në Zvicër./ KultPlus.com 

16 vjet nga shndërrimi i TMK-së në FSK

Sot janë bërë 16 vjet nga shndërrimi i TMK-së në FSK.

Forca e Sigurisë së Kosovës, u formua me 21 janar 2009, pas shpërbërjes se TMK-se (Trupave Mbrojtëse te Kosovës).

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës.

Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës./KlanKosova/KultPlus.com

Mark Kaçinari, kompozitori që krijoi korin më të njohur të Kosovës në kohën kur Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes, KultPlus përkujton Mark Kaçinarin, emrin e shquar të muzikës shqiptare.

Mark Kaçinari (Prizren, 1935 – Prishtinë, 1985) ishte kompozitor, pedagog, dirigjent, hartues i teksteve shkollore. Ai muzikën korale shqipe e vuri në skenë edhe kur mungonte në Prishtinë. Ai krijoi korin më të njohur të Kosovës Collegium Cantorum, një çerdhe e cila tuboi talentet më të zgjedhur të muzikës të viteve 1970-’80. Asokohe, Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës, mirëpo, Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Mark Kaçinari, ishin vetë Akademia e Muzikës.

U lind më 20 Janar të vitit 1935 në Prizren dhe vdiq më 19 Nëntor të vitit 1985 në Prishtinë. Ai i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikes. Studimet e para për muzikë i kreu në qytetin e tij të lindjes në shkollën e Mesme të Muzikës në vitin 1949 – 1953. Pasi punon një vit (1953 – 1954) si mësues në gjimnazin e ulët të Gjilanit, në vitin 1954 fillon studimet e larta pranë Akademisë së Muzikës në Beograd në degën e Teorisë dhe Pedagogjisë Muzikore, të cilat i përfundon në vitin 1961. Gjatë viteve 1956 -1961 ishte anëtar i rregullt i korit profesionist të Radio Beogradit. Në vitet 1973 – 1975 studioi kompozim pranë Fakultetit të Muzikës në Shkup në klasën e T.Proshev, ndërsa studimet postuniversitare (Shkallën e III) për dirigjim i ndoqi gjatë viteve 1977 – 1979 në klasën e prof. V. Ilic në Beograd.

Pas studimeve në Beograd (1961), kthehet në Kosovë, ku në fillim punon si profesor pranë shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren. Krahas punës pedagogjike angazhohet dhe si dirigjent i korit SHKA “Agimi”, me të cilin pati një aktivitet shumë të sukseseshëm. Kaçinari është një ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, që dha mësim në degën e edukatës muzikore. Me themelimin e degës së muzikës, në vitin 1975, pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë, Kaçinari kalon pranë këtij institucioni ku jep lëndën e Solfezhit. Kaçinari u emërua si Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës ku shërbeu prej vitit 1984 deri në vitin 1985 kur vdiq.

Si dirigjent, Kaçinari ka zhvilluar një aktivitet të shquar. Që në vitin 1969, kur themeloi korin “Collegium Cantorum” e deri në ditët e fundit të jetës së tij, ai realizoi një numër të madh koncertesh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës. Kori i drejtuar prej Mark Kaçinarit ia shtoi famën jo vetëm zhvillimeve muzikore shqiptare në Kosovë, por përmes aktivitetit të larmishëm e të vazhdueshëm i rriti dhe famën vetë Kosovës. Përfaqësimi i Kosovës me këtë kor në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare muzikore është vlerësuar me çmime të lakmueshme.

Në vitin 1972 fiton me “Collegium Cantorum” çmimin e III në Festivalin Botëror të koreve në Langolen të Anglisë. Në të njëjtin festival, pjesa “Vjeshta” e kompozitorit Rexho Mulliqi vlerësohet me çmimin e parë si “Kënga më e mirë”. Ky kor u bë gjithashtu një nxitje e vërtetë për kompozitorët e tjerë, si dhe një mbështetje serioze në realizimin e shumë veprave të mëdha të muzikës shqiptare të Kosovës. Përpos veprave të mëdha të kompozitorëve botëror, si “Requiem” e W. A. Mozart, fragmente nga opera “Trubadur” e G.Verdit, etj., në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTP, kori “Collegium Cantorum” ka ekzekutuar edhe veprat e autorëve shqiptare dhe kroatë. Kori “Collegium Cantorum” në drejtimin e Kaçinarit, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, arriti të hedhë baza të shëndosha të një tradite të sukseseshme të kulturës së këndimit vokalo-koral në Kosovë. Kaçinari ishte njohës i shkëlqyer i teknikës së të kënduarit koral dhe krijoi një standard të tingëllimit dhe interpretimit të korit të tij të një niveli shumë të lartë dhe ndërkombëtar.

Edhe si kompozitor, aktiviteti i Kaçinarit është i lidhur ngushtë me aktivitetin e tij si dirigjent. Që në vitin 1962, kur përpunoi të parën këngë popullore “Zogu i Ohrit”, ai do të shkruajë një numër të konsiderueshëm veprash korale, gjuha e të cilave shpesh është mjaft e përparuar, megjithëse krijimtaria e tij shtrihet edhe në gjinitë e muzikës instrumentale dhe asaj simfonike.

Për punën e palodhur pedagogjike, organizative, udhëheqëse dhe krijuese, Kaçinari është shpërblyer me shumë diploma dhe mirënjohje. Së fundi, në vitin 2015, Kaçinari dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës znj.Jahjaga me “Medalje Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të veçantë në fushën e arsimit dhe kulturës./ KultPlus.com

‘Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit’

50 thënie nga Platoni mbi jetën:

1- Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

2 – Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.

3- -Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.

4 – Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.

5 – Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.

6 – Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

7- Mund ta falim një fëmijë që është i frikësuar nga errësira, tragjedi e vërtetë është kur të rriturit kanë frikë nga drita

8- Studimi më fisnik ndër të gjitha është studimi i njeriut dhe jetës që duhet të jetojë.

9- Tregohu i mirë, sepse kushdo që takon, po përballet me një betejë të vështirë.

10- Injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave.

11- Nevoja është nëna e të gjitha shpikjeve.

12- Kurrë mos e dekurajo dikë që bën përparime të vazhdueshme,sado të ngadalshme qofshin.

13- Fillimi është pjesa më e rëndësishme e çdo pune.

14- I mençuri flet se ka diçka për të thënë, budallai sa për të thënë diçka çfarëdo.

15- Ekzistojnë 3 kategori njerëzish: Ata që janë të dashuruar me Dijen; të dashuruarit me nderin dhe të dashuruarit me përfitimin.

16- Sjellja njerëzore rrjedh si pasojë e 3 shkaqeve: Dëshira, Emocionet ose Dija.

17- Që një njeri të arrijë të zotërojë vetveten është nga fitoret më fisnike dhe më parësore.

18- Pasuria më e madhe është të jetosh i kënaqur me pak.

19- Opinioni është shkalla mes injorancës dhe dijes.

20 Guxim është të dish se çfarë mos të kesh frikë.

21- Filozofia nis me kureshtje.

22- Një hero lind mes qindrave; një i mençur mund të gjendet mes mijrave, por një njeri i vetërealizuar mund të mos gjendet as mes qindra mijëra njerëzve.

23- Ata që janë të aftë të shohin përtej hijeve dhe gënjeshtrave të kulturave të tyre, nuk do kuptohen kurrë nga masat e jo më të besohen nga to.

24- Ajo që quajmë mësim është thjesht një proçes rikujtimi.

25- Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet.

26- Një vendim i mirë është bazuar në njohuritë dhe jo në numrat.

27- Të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor; dhe megjithatë ne mashtrojmë veten, ndaj Perëndisë janë të shtrenjtë si fshatari i varfër, si princi.

29- Gjithë ari i cili është nën apo mbi tokë nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të Virtytit.

30- Dhe çfarë, Sokrat, është ushqimi i shpirtit? Vërtet, thashë unë, dituria është ushqim i shpirtit.

31- Çdo njeri mund t’i bëjë dëm fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit.

32- Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit.

33- Në prekjen e dashurisë gjithkush bëhet poet.

34- Kujdesi për shëndetin është pengesë e madhe e jetës.

35- Më mirë diçka e vogël e bërë mirë, se një e madhe e pa përkryer.

36- Dinaku nuk është tjetër veçse imitatori më i ulët i zgjuarsisë.

37- Vdekja nuk është më e keqja që mund t’iu ndodhë burrave.

38- Injoranca në vetvete nuk është aq e tmerrshme apo ekstremisht e keqe, dhe nuk është aspak më e keqja e të këqijave; zgjuarsia e tepërt dhe të mësuarit e tepërt, shoqëruar me ligësinë, janë fatale për manaferra.

39- Teprimi në përgjithësi shkakton reaksion, dhe prodhon një ndryshim në drejtim të kundërt, qoftë ai në stinët, në individët apo në qeveritë.

40- Ishte një njeri i mençur ai që shpiku birrën.

41- Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që vuan atë.

42- Ai i cili nuk është një shërbëtor i mirë nuk do të jetë një mjeshtër të mirë.

43- Ai që vjedh pak, vjedh me të njëjtën dëshirë si që vjedh shumë, por me më pak fuqi.

44- Ndershmëria është për pjesën më të madhe më pak fitimprurëse se sa pandershmëria.

45- Vështirë të kem njohur ndonjëherë një matematikan i cili të ishte në gjendje të arsyetonte.

46- Do marr heshtjen tuaj si dhënie pëlqimi.

47- Nëse një njeri e neglizhon edukimin, ai ecën çalë në fund të jetës së tij.

49- Askush nuk e di nëse vdekja, për të cilën njerëzit kanë frikë se është e keqja më e madhe, nuk mund të jetë e mira më e madhe.

50- Prindërit duhet t’u lënë trashëgim fëmijëve të tyre jo pasurinë, por frymën e nderimit./KultPlus.com

Norman Wisdom, filmat e të cilit ishin thellësia e nevojës sonë për çlirim dhe pozitivitet

“Komedia ime është për fëmijë nga mosha tre në 93 vjeç. Njeriu ka nevojë për një lloj humori pak si fëmija dhe nëse nuk e ka këtë aftësi, është shumë keq”, kjo ishte jo vetëm një nga shprehjet monumentale të Norman Wisdom, por mbetet dhe sintezë e krijimtarisë së tij.

Ai nuk është më, por shumë më e tepërt në kohë ishte ndarja me humorin e tij, lojën virtuoze dhe sarkazmën, ironinë therëse dhe formën më të epërme të përfshirjes në një situatë çlirimi prej negativitetit dhe lejimit të një momenti hareje, imponuar nga rolet dhe personazhet, karakteret dhe tipet që ai i solli përmes aktrimit. Mimika e tij, pantomima dhe gjestikulacionet, zëri dhe naiviteti i shtirur, shkujdesja teveçele dhe fudullëku lojcak, erdhën për të mbetur si një kujtesë e pashlyer e humorit që ai na dhuroi. Gjithashtu Wisdomi edhe kërcente, këndonte dhe luante vegla muzikore, por qe komedia, me të cilën ai fitoi zemrat e miliona vetëve, shqiptarëve në veçanti.

Ndoshta ai kudo që përcillej ishte i famshëm, por në Shqipëri ai mbeti një ikonë. Nofka e tij Pitkini u përdor gjerësisht në veprimtarinë jetësore shqiptare, duke ironizuar ose fshikulluar me këtë epitet njerëzit, karakteret, tipat dhe personazhet që ai jetësoi në filmat e tij komik. Ai u kthye në një figurë kulti në Shqipërinë komuniste shkruajnë agjencitë Rojter dhe AFP, ku filmat e tij qenë ndër të paktët prodhime kulturore të Perëndimit, që lejoheshin të shfaqen në televizor. Norman Wisdomi e vizitoi Shqipërinë në vitin 1995, pas rënies së komunizmit. Agjenti i tij për 30 vjet, Johnny Mans e kujton këtë vizitë në Shqipëri: “Ishte e krahasueshme me dalldinë për Bitëllsat adhurimi për të në Shqipëri”, thotë ai. “Edhe burrat i afroheshin dhe e puthnin.”

“Gjithmonë sa herë në mediat britanike kumtojnë një lajm ka të bëjë me Shqipërinë, shkruante para disa kohësh Muhamed Veliu, gazetarët nuk harrojnë që t’i shtojnë vendit tone dashurinë dhe admirimin e madh për komikun e tyre, Sir Norman Wisdom. Madje ata shkojnë më tej duke e cilësuar si një hero komik kombëtar të shqiptarëve. Kur në Shqipëri përmendet emri i tij padyshim që kujtimi i parë që të vjen në mëndje nga rolet e Normanit është ai më tipiku më entuziasti që të bën për të qeshur më shumë, pikërisht Pitkini i famshëm. Rroli i Pitkini i ndërtuar me mjeshtëri dhe luajtur me shumë finesë nga aktori ku vlen për tu përmendur episodi “Pitkini Ushtar” ishte i vetmi program televiziv prodhuar në perëndim i cili “gozhdonte” përpara ekraneve bardhezi shqiptarët e lodhur nën regjimin komunist të asaj kohe. Si për çudi ky program megjithëse ishte prodhuar në një shtet “revizionisto-kapitalist” siç ishte Anglia për udhëheqjen komuniste ishte OK. Duke mos pasur programe të tjera, roli i pitkinit dhe emri i anglezit Norman Wisdom u bënë një amalgamë e pandarë humori për shumë breza. Ishte vetë diktatori Hoxha me kastën e tij ata të cilët paradoksalisht do të lejonin filmat komik të ndiqeshin nga shqiptarët, dhe në të njëjtën kohë të ngrin në kult figurën e Norman Pitkinit.

Pas një fëmijërie të varfër në Londër, Wisdom u fut në ushtrinë britanike si djalë i ri. Për herë të parë ai pati mundësinë të ushqehej aty si duhet dhe të zhvillonte talentin e tij për të zbavitur të tjerët. Nga ushtria ai u largua në vitin 1946, duke e filluar karrierën profesioniste si humorist në moshën 31 vjeçare. Ngjitja e tij dhe kthimi në një nga artistët më të njohur britanikë qe shumë e shpejtë. Karrierën artistike e ai përfundoi zyrtarisht kur mbushi 90 vjeç.

Ai luajti 19 filma televizivë dhe një sërë komedish televizive. Mbretëresha Elisabeth II i dha atij titullin “sir”. Filmat e tij përfshijnë “Probleme në dyqan” (Trouble in the store), për të cilin ai mori një çmim BAFTA dhe në vitin 1966 ai u propozua për Çmimin Tony (Tony Award) për rolin e tij në komedinë muzikore “Eci i lumtur” (“Walking happy”)

Norman Wisdom, i njohur për rolin e famshëm të Pitkin, u lind më 4 shkurt 1915 dhe vdiq në moshën 95-vjeçare më 4 tetor 2010. Ai ishte komedian, këngëtar dhe aktor, regjisor e skenarist anglez, ikonë e filmit. Wisdom-i u bë i famshëm me filmat e tij humoristikë në vitet 1950-1960, ku luante rolin e njeriut të cilin nuk e marrin seriozisht dhe të përçmuar nga shoqëri, por që në fund triumfon përballë kundërshtarëve. Charlie Chaplini e ka quajtur Wisdomin kllounin e tij të preferuar. Në Britani ai konsiderohet “një nga personazhet më të qëndrueshme të komedisë britanike”.

Ai ishte dhe mbeti një legjendë, një personalitet i jashtëzakonshëm i humorit, një nga figurat e artit kinematografit që mundi të ngulitej thellë në shpirtin shqiptar. /Nga Albert Vataj/KultPlus.com

‘Tani ti je vyshkur dhe më s’ke erë, lulet e tua për mua s’kanë më vlerë’ (VIDEO)

Të shumtë janë poetët, autorët dhe këngëtarët të cilët i kanë kushtuar tekste temës së ‘Dashurisë‘.

Herë si formën më të lartë të gjendjes shpirtërore të cilën mund ta përjetojë njeriu, e herë si tmerrin, mallëngjimin, trishtimin që dikush mund të ketë përjetuar.

KultPlus, këtë radhe ju sjell një këngë me një tekst mjaft të ndjeshëm, për një dashuri të dështuar nga Redon Makashi:

Nje ditë te bukur maji unë ty të takova
tek po rrije futur nën një lule
lulet e majit për ty i ënderrova
lumturinë në shpirt veç ti ma fute.

Por tani je vyshkur më s’ke erë
lulet e tua për mua s’kanë me vlerë
nuk je ti lulja e bukur e ditës së Majit
por je lulja e këngës sime të vajit

Me kujtohen ditët kur rinia
sa herë rrëmbehet ajo nga dashuria
ishe e vogël atëhere vajza ime
s’mendoje tjetër veçse për ëndërrime

S’më harrohen ditët kur rinia
sa herë rrembehet ajo nga dashuria
ishe e vogël atehere vajza ime
s’mendoje tjetër veçse per ënderrime

Por tani je vyshkur me s’ke erë
lulet e tua për mua s’kanë me vlerë
do të kujtoj përhere moj lulja ime
ndonese je kaq larg kesaj zemres sime./KultPlus.com

‘Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Stanaj publikon këngën e re “Queens” (VIDEO)

Këngëtari e kompozitori shqiptaro-amerikan, Albert Stanaj, i njohur në botën e muzikës vetëm si Stanaj, ka publikuar projektin më të ri muzikor.

“Queens” titullohet kënga e re e tij, të cilën e ka shoqëruar me videoklip tejet të bukur. Në videoklip të përfshirë si pjesëmarrës janë aktorët shqiptarë, Fatlume Bunjaku dhe Bujar Ahmeti.

Kënga “Queens” e Stanajt është një himn pop dhe emocionues që nderon forcën, qëndrueshmërinë dhe bukurinë e grave të cilat shpesh ndjenjë edhe vetmi.

Kënga kombinon ndjeshmëritë moderne të pop-it me një avantazh shpirtëror, duke shfaqur një ritëm të qëndrueshëm me akorde pianoje. Zëri i pasur dhe emocionues i Stanajt zë qendër të vëmendjes teksa këndon tekstin e përzemërt me një ndjenjë sinqeriteti dhe admirimi.

“Queens” shfaq talentin vokal dhe aftësinë e Stanajt për të krijuar këngë që rezonojnë emocionalisht, duke dhënë një mesazh të fuqishëm respekti.

Kujtojmë që Alberti deri më tani ka sjell një sërë projektesh që u mirëpritën nga publiku si “The way I love her”, “Romantic”, “Ain’t love strange”, “Love me”, “Dirty Mind” e të tjera./ KultPlus.com