‘Enciklopedia shqiptare’, enciklopedi e gjithë shqiptarëve

Redaksia qendrore e Enciklopedisë Shqiptare, me përfaqësues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, miraton aktet e fundme rregulluese për funksionimin e redaksive të të gjitha niveleve

“Enciklopedia shqiptare”, vepër madhore në albanologji, projekt ndërakademik e ndërqeveritar, prej ditës së sotme, me miratimin e udhëzuesit praktik, të përbërjes së redaksive dhe të drejtuesve të tyre, si dhe të disa akteve të tjera me karakter njësues, kalon nga faza përgatitore në atë të realizimit shkencor.

“Enciklopedia shqiptare” do të jetë amza e gjithë trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar në kulturën materiale e shpirtërore, në histori e në çdo fushë tjetër, kudo që është krijuar e kurdo që është krijuar: në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, në Greqi (trashëgimia çame dhe suljote), në ngulimet historike mesjetare (arbëreshë e arvanitë), në ngulime të mëvonshme në Kroaci (arbneshët e Zarës), në Bullgari (Mandrica), në Ukrahinë (fshatrat rreth detit Azov), në Turqi, Egjipt e Siri; në diasporën e re të shek. XIX-XX në Perëndim.

Karakteri gjithëpërfshirës i “Enciklopedisë shqiptare” është parimi themelor i hartimit të saj.

Përveç përfaqësimit të drejtpërdrejtë në redaksinë qendrore, për shqiptarët që jetojnë në trojet e të parëve të tyre në Maqedoninë e Veriut, një redaksi e veçantë me karakter koordinues e ndërveprues është ngritur tashmë posaçërisht për këtë trashëgimi, paralelisht me përcaktimin e përgjegjësive konkrete të dy redaksive vendore në Tiranë e në Prishtinë./KultPlus.com

1 mijë studiues për shkrimin e enciklopedisë shqip

Dy krerët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja shpallën zyrtarisht redaksitë qendrore për Enciklopedinë Shqiptare. 1000 studiues nga hapësira mbarë shqiptare, nga fusha të ndryshme janë të angazhuar për projektin madhor.

“200 personalitete të lartë do të jenë të përfshirë në redaksi. Pranë tyre do të kenë hartues të zërave të veçantë dhe për fjalorin janë angazhuar rreth 500. Është e thjeshtë se pranë 100 anëtarëve në redaksi do të kenë rreth 400 hartues.“, tha Gjinushi.

Në këtë botim do të përmblidhen kërkimet që nga origjina, historia , gjuha dhe zakonet e shqiptarëve. Synimi sipas Krajës është krijimi i një enciklopedie larg polemikave.  “Ajo që është e verifikuar si dije ajo do të kalojë. Do të jenë të gjitha nga origjina, historia, gjuha, letërsia, kultura. Nuk mendojmë se do të bëjmë një enciklopedi të dobët dhe që përfshihet në polemika”, tha Kraja.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo Kosovës në janar të 2023, do të nisin punën konkrete për projektin madhor të shkrimit të Enciklopedisë Shqiptare. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut puna u ndërpre në 2009, pasi kishte shtrembërime për origjinen dhe historinë e shqiptarëve. Të njëjtën politikë ndoqi edhe Mali i Zi. /abcnews.al/ KultPlus.com

Më 1 janar nis hartimi për enciklopedinë shqiptare

“Duhet të dini që jemi një ndër vendet e pakta në Europë që nuk kemi një enciklopedi”, tha zv.kryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole.

Pas nënshkrimit në Prishtinë, në mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë rreth 5 muaj më parë, “Enciklopedia Shqiptare” merr “dritën jeshile” edhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Projekti albanologjik që do të hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqesh për botim, do të bashkëfinancohet nga Shqipëria dhe Kosova.

“Vlera e përllogaritur për të tria vitet buxhetore për enciklopedinë është 260 milionë lekë, për palën shqiptare nga të cilat vetëm në vitin 2023, për Akademinë e Shkencave janë akorduar 189 milionë lekë”.

Përtej diskutimeve për buxhetin, deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu kërkoi më shumë informacion mbi përmbajtjen e “Enciklopedisë Shqiptare”.

Garancinë se botimi do të jetë sa i pakontestueshëm, aq edhe përfaqësues, e dha anëtari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole.

“Enciklopedia Shqiptare” pritet të zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, ndërsa puna për proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes e deri te shtypshkrimi parashikohet të fillojë më 1 janar 2023. Për realizimin e saj do të ngrihen grupe pune në Shqipëri e Kosovë, pjesë e së cilëve do të jenë edhe institucione jopublike dhe studiues nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe komuniteti arbëresh./A2CNN/ KultPlus.com