Burimësitë etike të të menduarit filozofik sipas Karl Jaspers  

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.


Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists / KultPlus.com

“Amerika ka frikë nga të dy”

“Asgjë në lidhje me të, nuk tregonte që një ditë do të bëhej prokurore e San Franciskos, prokurore e Kalifornisë, senatore, zëvendëspresidente”, tha për të miku i saj më i ngushtë i rinisë, Matthew Davis, avokat. Dhe sot në lidhje me të, saj nuk sugjeron se do të bëhet presidente.

Jo për shkak të zërit të saj, të cilin shumë e konsiderojnë të pakëndshëm. As për të qeshurën, me të cilën bëjnë shaka kundërshtarët. As për gjatësinë, që duket qartë më pak se 1,64 metrat e deklaruara. As për historinë e saj, nga e cila vërtet vjen një mesazh shprese. Fushata e Harris nuk merr hov për një arsye shumë të thjeshtë.

Donald Trump ka konfirmuar ditët e fundit se është ai që është. Një burrë agresiv, i vrazhdë, me një vulgaritet revoltues, që ngre një tubim përreth madhësisë së burrërisë së një kampioni golfi, i cili gjithashtu vdekur, që imiton një marrëdhënie orale për të rindezur një mikrofon që nuk funksionon, që thërret togat e ekzekutimit për kundërshtarët e tij. Mund të hartohen dhjetëra ese mbi defektet e Trump, nga ato që mbushin libraritë e Amerikës. Të martën mbrëma, çfarëdo që të ndodhë, Trump do të shpallë se ka fituar: nëse e ka bërë vërtet, gjithçka do të përfundojë aty; nëse në realitet humbet, do të fillojë një periudhë e zjarrtë urrejtjeje që do ta ndajë dhe dobësojë edhe më shumë Amerikën.

Megjithatë, Donald Trump, na pëlqen apo jo, është një lider. Kamala Harris, jo! Dhe nëse nuk je lider, nuk bëhesh në njëqind ditë fushatë elektorale; aq më tepër nëse ke katër vite aspak emocionuese në Shtëpinë e Bardhë, si zëvendëse e Bidenit.

Jo vetëm kaq; Ka një lëvizje prapa Trumpit. I neveritshëm, egoist, izolues, ndonjëherë haptazi racist dhe puçist, por ka një mbështetje popullore që mund të shihet qartë. Prapa Kamalas ka një aleancë të përkohshme klanesh që nuk e duan njëri-tjetrin – Clintonët dhe Obamat -, të pakicave që e urrejnë njëra-tjetrën – hebrenjtë dhe muslimanët – ose injorojnë njëri-tjetrin – zezakët dhe latinët -, të grupeve sociale – nga gratë me diploma tek homoseksualët – të cilat nuk kanë asnjë arsye të veçantë për të votuar për Harris, përveç se nuk e duan Trumpin.

Pensilvania vendimtare

Të jemi të qartë: loja është e hapur. Sondazhet e fundit nuk llogariten shumë: në të gjitha shtetet e luhatshme diferenca është nën kufirin e gabimit. Përshtypja është se Trump është përpara në Jug – Georgia, Arizona, ndoshta edhe Karolina e Veriut – dhe se Harris mund të mbajë Michiganin dhe Wisconsinin. Në fund gjithçka do të vendoset në Pensilvani.

Në shkallët e Rocky-t, atje ku “hamshori italian” stërvitej për përleshjet e tij të përgjakshme, po ngrenë skenën për mbylljen e fushatës së Kamalës. Do të ketë një koncert: deri më tani për të kanë kënduar Stevie Wonder, Beyoncé, Eminem, Jennifer Lopez dhe Bruce Springsteen, i cili ka luajtur me kitarë për kandidatët demokratë që nga shekulli i kaluar. Dje ishte Michelle Obama, pardje burri i Kamalas, Douglas Emhoff: një zotëri i ndrojtur dhe i sjellshëm, i detyruar të improvizonte tubime në periferinë më të varfër të Amerikës.

Filadelfia, qyteti i shpalljes së pavarësisë, ka qenë prej kohësh më i populluari në Shtetet e Bashkuara; dhe e parë nga restoranti në katin e gjashtëdhjetë të Four Seasons, ku klientët janë të gjithë rreptësisht të bardhë dhe kamarierët të gjithë të zinj, Filadelfia duket si një tabelë shahu elegante e rrugëve të drejta, me rrokaqiejt përgjatë Delaware dhe kullën me Liberty Bell, simbol i Revolucionit Amerikan.

E parë nga poshtë, në çdo cep të trotuarit është një djalë i shtrirë duke fjetur, ose duke u tundur, ose duke folur me vete. Nuk ka nevojë të shkosh në “Fentanyl Walmart”, nënkalimin e Kensington Avenue ku tërbohet tregu më i madh i drogës në bregun lindor, i frekuentuar nga shpërndarës, klientë dhe prindër që ngrenë kapuçët e xhupeve në kërkim të fëmijëve të tyre. Të droguarit dhe të dëbuarit janë kudo, dhe ajo që bie në sy është se këto nuk janë banda: secili prej tyre është vetëm.

I njëjti rregull vlen edhe për ekonominë në kohën e Bidenit. E parë nga ekonomistët, nuk ka shkuar kurrë kaq mirë: punësimi rekord, inflacioni në rënie. Parë me sytë e jetës së përditshme, Amerika pas Covid-it shfaqet e varfër dhe e ndarë: gjithçka kushton dyfish, ndonjëherë trefish; ish klasa e mesme vuan shumë; buzëqeshjet proverbiale të amerikanëve janë gjithnjë e më të rralla, dhe jo vetëm sepse ata shpesh hapin gojën pa dhëmbë (një trajtim i kanalit të rrënjës kushton tre mijë dollarë).

Hyrja në muze, në shkallët e Rocky-t dhe mitingu i fundit i Kamalas kushton 30 dollarë; ndoshta kjo është arsyeja pse nuk ka as edhe një vizitor të vetëm përballë Masaccios dhe Botticelisit të bukur. Nuk i duket as edhe dezhurnit, një emigrant nga Shqipëria, i cili bisedon me ne me në italishten që ka mësuar prej televizorit, në vitet 1980: «Shpresoj që Kamala të humbasë. Pse? Sepse ajo është komuniste”.

Alarmi Kamala

E vështirë për t’u kuptuar për ne evropianët, që – me përjashtim të sovranistëve më të zjarrtë – e njohim mirë frikën nga Trump, gati të na braktisë në duart e Putinit (“nëse nuk paguani më shumë për NATO-n, nuk do t’ju mbroj, përkundrazi do t’i them mikut tim Vladimir të bëjë çfarë të dojë me ju.”) Dhe me të vërtetë, frika dhe përbuzja për Trump janë të përhapura edhe në Amerikë. Por frika nga Kamala është po aq e fortë.

I rritur në qytetin më liberal, San Francisko, Harris nuk ka profilin e duhur për të pushtuar shtetet post-industriale si Pensilvania, ku klasat punëtore kërkojnë subvencione dhe mbrojtje, por janë pak të magjepsur, në mos të acaruar nga kultura e kalifornianëve të pasur.

Në fakt, i vetmi problem që nuk ka Kamala janë paratë. Fushata e saj ka mbledhur një miliard dollarë dhe tani ajo nuk di si t’i shpenzojë, reklamat duhej të rezervoheshin paraprakisht, madje ajo po i blen edhe tek Fox, rrjeti armik, me shpresën për të “peshkuar” republikanët e neveritur nga Trump.

Kamala ka një histori të bukur personale, në të cilën Obama pa një reflektim të vetin. Edhe pse ishte i fundit që e mbështeti pas tërheqjes së Biden, ai ka pasur gjithmonë një pikë të dobët për të, në të kaluarën e ka quajtur “prokurorja e përgjithshme më e bukur në vend”. Por kjo nuk do të thotë se, në shtetet e luhatura, të qenit një grua me ngjyrë, me një nënë indiane dhe një baba xhamajkan, është avantazh. Ajo u përpoq të pushtonte qendrën, të dërgonte mesazhe qetësuese për një Amerikë të caktuar. Por kur tha se flinte me armën në tryezën e saj pranë shtratit, ose falej dy herë në ditë, nuk dukej gjithmonë bindëse.

Babai i saj ishte një ekonomist marksist, nëna hindu e etnisë Tamile u dha vajzave të saj emrat e hyjnive. Kamala iu afrua kishës Baptiste. Kur Biden i telefonoi për t’i thënë “Unë po tërhiqem, është radha jote”, gjëja e parë që ajo bëri, ishte t’i telefononte babait të saj shpirtëror, Reverend Brown, i cili i lexoi librin e Esterit, mbretëreshës që shpëton njerëzit nga shfarosja.

Trump është i njohur si një i pafe, me një jetë erotike shumëngjyrëshe: posterët e Harrisit i atribuojnë atij “34 sulme seksuale”. Gazetari që e njeh më së miri, Michael Wolff, ka publikuar një fragment të regjistrimeve në të cilat Jeffrey Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg, vë bast me mikun e tij të madh Donald se cili nga të dy do të jetë në gjendje ta joshë Lady Dianën i pari. Megjithatë, me përjashtim të ungjillorëve që e konsiderojnë të tepruar, një pjesë e madhe e votës së krishterë do të shkojë për të, veçanërisht ajo katolike: e vetmja lagje në Nju Jork ku ai ka një avantazh, Staten Island, është lagja e italo-amerikanëve.

Alarmi Trump

Fushata e tij kishte një bashkëprotagonist të shquar: Elon Musk. Trump kishte thënë të gjitha të këqijat e mundshme për të dhe makinat e tij elektrike. Pastaj Musk bleu Twitter dhe ia vuri në dispozicion, së bashku me shumë para. Trump e vlerësoi atë. Nëse një lider afrikan apo aziatik do të kishte vënë një milion në ditë për marrjen e votave të të pavendosurve, vëzhguesit amerikanë do t’i kishin anuluar zgjedhjet për mashtrim. Në fakt ideja e Musk u bllokua nga gjyqësori, por për ditë të tëra nuk flitej për asgjë tjetër. Disa pretendojnë se Musk nuk punon për Trump, por për veten e tij: nëse një milioner si Donald mund të bëhet president, pse një miliarder si Elon nuk mund të bëhet lideri i vërtetë i madh i së djathtës së re globale? Nuk është për t’u habitur që e djathta e vjetër e urren atë dhe Trump.

Të gjithë kandidatët e fundit republikanë pak a shumë e mbështesin hapur Harrisin: familja McCain, Romney, Bush, Cheney. Trump tani tallet: «Çfarë do Cheney? Ai shkatërroi Lindjen e Mesme dhe tani po u kërkon myslimanëve të votojnë për Kamalën? Nuk parashikoj sukses të madh”.

Fushatat e urrejtjes së Trumpit kanë efekte shkatërruese, objektivat e tij duhet të paktën të largohen nga mediat sociale. Pas budallallëqeve për haitianët që hanë mace, iu desh të mbyllnin shkollat e fëmijëve të tyre, guvernatori republikan i Ohajos ndërhyri për t’i mbrojtur: “Haitianët janë punëtorë të mirë, ata nuk do ta gatuajnë kurrë kotelen tuaj”.

Makina konspirative e Trump-it, pas së cilës New York Times sheh dorën e rusëve, prodhon çdo ditë një video padyshim false në të cilën shihen fletëvotimet me emrin e tij duke u shkatërruar ose votat elektronike për Trump që transformohen në vota për Harris. Dhe gjithsesi Makina e Filadelfias, makina demokratike, tashmë është vënë në lëvizje: në vitin 2012 bëri mrekulli, Romney raportoi se në 59 vende nuk kishte as një votë, vetëm një, për të; dje u njoftua se të gjitha votat me postë në Pensilvani do të gjykohen të rregullta, edhe ato që sistemi i konsideron të pavlefshme.

Megjithatë, ndërsa largohemi nga qyteti, shenjat për Harrisin bëhen më të rralla dhe ato për Trump rriten. Në periferitë veriore ngritën edhe një statujë të saj, me një gjilpërë të kuqërremtë: është e tmerrshme, por mund ta shihni nga larg, madje edhe nga treni për në Nju Jork.

Harris erdhi në Nju Jork për të takuar Trumpin të paktën dy herë, e para me mentorin e saj, presidentin e Parlamentit të Kalifornisë Willie Brown, e dyta për të marrë dy çeqe për fushatën elektorale si prokurore. Trump siç dihet ka financuar demokratët prej një jete. Por këto janë detaje që nuk ndikojnë në votim. Po aq pak ndikim kanë dy luftërat, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme: Trump, me lehtësinë e tij të njohur, premton t’i ndalë të dyja; Fakti mbetet se Amerika e Biden-Harris ka krijuar përshtypjen se nuk është vendimtare në asnjërën nga të dyja. Tani demokratët do të duhet të qëndrojnë të palëkundur në luftën e tretë, e cila do të bëhet në shtëpi, me shpresë pa armë.

Sepse të martën në mbrëmje Trump do të pretendojë gjithsesi fitoren dhe nëse humbet, do të pretendojë mashtrime. Ai ende mund të mposhtet, nëse në orët e fundit Harris mobilizon amerikanët që nuk e duan atë. Ndërkohë, billbordi i ndritshëm në qendër të Filadelfias tregon se gjithnjë e më shumë po vihen baste për të. Në Uashington kanë forcuar gardhet rreth Shtëpisë së Bardhë. / Corriere della Sera – Bota.al/ KultPlus.com

Thënie nga Dostojevski: Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/KultPlus.com

Ai donte vdekjen, ajo veç jetën desh

William Shakespeare

Ai desh vdekjen dhe premtimet e saj të zbehta,

Në jetën pa shpresë të një djaloshi në përgjërim,

Ai desh të vdiste, të ndahej veç prej hidhërimit,

Të harronte ditët e netët plot dhimbje e trishtim.

Ajo jetën desh ta gëzonte plot zjarr e harrim,

Donte njerëzit dhe vitet që shkonin plot gëzim,

Qe dhurate prej qiellit e qeshur plot gajret,

Lule e pavyshkur në daç në shi a erë me tërbim.

Por një ditë prej ditësh gjithçka ndryshoi rrjedhë,

Dashuria keq i përfshiu dhe nuk ditën a benë mirë,

Se ajo shumë donte jetën e ai vdekjen fort e desh,

Cili nga të dy nga kjo betejë më i fortë do dil ?

Duheshin aq shumë sa çdo gjë do sakrifikonin,

Çdo gjë përreth familje e miq gati të mohonin,

Gjithçka për tu dashur se ajo qe pasuri e tyre,

Por ajo desh jetën te gëzonte e ai vdekjen desh …

Sa të ndryshëm po aq edhe të afërt në gjithçka,

Për dashurinë e çmendur mes tyre merreshin vesh,

Por njeri veç për vdekjen ëndërronte të ikte fluturim,

E tjetra të jetonte me të desh, pa brenga e hidhërim.

Por historia ka një fund : të ndaheshin me shtrëngim,

Ata që kishin premtuar besnikëri gjer në amshim,

E sot në dhimbje e torturë djaloshi jetën po e shkon,

Nga që vajza për të në qiell lart ka shkuar fluturim …

Ai donte vdekjen, ajo jetën veç desh,

Ai për të jetoi, ajo për të dha shpirt …/KultPlus.com

Nga viti 2030, Japonia synon të transportojë mallrat pa kamionë e shoferë

Japonia planifikon të ndërtojë një korridor të automatizuar për transportim mallrash midis Tokios dhe Osakës për të ndihmuar në kompensimin e mungesës së shoferëve të kamionëve, raporton “Autoblog”.

Një animacion i krijuar nga qeveria tregon arka të mëdha me rrota që lëvizin përgjatë një korridori me tre korsi, i cili kalon në mes të një autostrade kryesore. Sistemi është planifikuar të fillojë testimin në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, me qëllim që të jetë plotësisht funksional deri më 2030.

Shuma totale e fondeve të nevojshme për atë projekt ende nuk është përcaktuar. Por shihet si një nga mënyrat kryesore për të ndihmuar vendin të përballet me porositë në rritje dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Ngarkimi do të jetë i automatizuar dhe do të koordinohet me aeroportet, hekurudhat dhe portet.

“Ne duhet të jemi inovativë në mënyrën se si i qasemi transportit”, ka thënë Yuri Endo, zv/drejtoresha në Ministrinë e Tokave, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit.

Përveç kompensimit të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojës për të reduktuar ngarkesën e punës për shoferët, sistemi do të ndihmojë gjithashtu në reduktimin e emetimeve të karbonit.

“Koncepti kryesor i këtij korridori është krijimi i hapësirave të dedikuara brenda rrjetit rrugor për logjistikën, duke përdorur sistem transporti 24-orësh të automatizuar dhe pa shofer”, shtoi Endo.

Sistemi mund të shtrihet në rrugë të tjera nëse rezulton i suksesshëm.

Ide të ngjashme po shqyrtohen në Zvicër dhe Britani të Madhe. Plani në Zvicër përfshin rrugë nëntokësore, ndërsa ajo e planifikuar në Londër do të jetë sistem plotësisht i automatizuar.

Mungesa e shoferëve të kamionit në Japoni po përkeqësohet nga ligjet që hynë në fuqi këtë vit duke kufizuar orët jashtë orarit për shoferët. Kjo konsiderohet e nevojshme për të shmangur punët e tepërta që çojnë në aksidente.

Në kushtet aktuale, kapaciteti total i transportit i Japonisë do të bie me 34 për qind deri në vitin 2030, sipas vlerësimeve të qeverisë. Kapaciteti i transportit të brendshëm është rreth 4.3 miliardë tonë metrikë, pothuajse të gjitha, ose më shumë se 91 për qind, transportohen me kamionë, sipas Shoqatës së Kamionëve të Japonisë./ KultPlus.com

Mbi 100 organizata i kërkojnë Këshillit Ekonomik të BE-së përfshirjen e Kosovës në ECMI

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e së cilës është Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka dorëzuar letrën e nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC), me kërkesën për përfshirjen e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI), si dhe vazhdimin e kësaj iniciative edhe pas fazës pilot.

Në fillim të këtij viti, Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Evropian, si institucion përgjegjës i BE-së për përfshirjen e partnerëve social nga sektori i punëdhënësve, punëmarrësve dhe organizatave të shoqërisë civile, pati lansuar këtë pilot projekt të përfshirjes të përfaqësuesëve të këtyre sektorëve nga vendet e zgjerimit të cilat ende nuk janë shtete anëtare të BE-së, duke lënë jashtë kësaj nisme vetëm Kosovën.

KCSF nëpërmjet një komunikate njofton se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet në kuadër të kësaj nisme dhe në prill të këtij viti kishte nisur reagimin në kuadër të BCSDN-së, pasi që Këshilli Ekonomik dhe Social, vendosi që të përdorë kornizën e vendeve me status të vendit kandidat si kriter bazë për kualifikueshmërinë e përfshirjes në këtë nismë. Kjo kornizë bëri që Kosova të mbetet vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE që nuk përfshihet në këtë nismë.

“Duke e konsideruar këtë vendim të Këshillit Ekonomik dhe Social si të gabuar dhe në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024 ka pasur takim me udhëheqës të KEES/EESC ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Këshilli Ekonomik dhe Social i BE-së, më 24 tetor 2024. KCSF vlerëson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë. /KosovaPress/ KultPlus.com

FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels, Belgium May 5, 2021. REUTERS/Yves Herman/File Photo

Ministri i Luksemburgut nesër do të nënshkruaj memorandum mirëkuptimi

Xavier Bettel, ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, nesër do të vijë në Kosovë.

Përvec Osmanit dhe Gërvllës, Bettel do të takohet edhe me zv/kryeministrin Besnik Bislimi.

Pas takimit do të mbajnë konferencë për media dhe do të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi.

Takimi do të nisë në ora 13:55, ndërsa konferenca në 15:00./ KultPlus.com

Zëvendëskryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel nesër në Prishtinë, Osmani njofton për takim me të

Nesër në Kosovë do të vijë Ministri i Punëve të Jashtme dhe Luksemburgut, Xavier Bettel.

Bettel do të takohet me presidenten Osmani, në ora 15:20. Kështu ka njoftuar Presidenca.

“Në orën 15:20, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Zëvendëskryeministrin, njëherit edhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel.”

Bettel do të pritet në takim edhe nga homologia e tij, Donika Gërvalla.

Takimi do të nis në ora 12:40 dhe më pas do të mbahet konferencë për media./ KultPlus.com

Golemi për ATSH-në: Mbi 400 mijë turistë vizituan Gjirokastrën, interes i lartë edhe për muajt në vijim

Gjirokastra mirëpret në çdo stinë të vitit turistë nga vendi dhe shtete të ndryshme të botës. Edhe në këto ditë vjeshte qyteti i gurtë dhe rrethinat vazhdojnë të jenë pika të preferuara në guidat turistike.

Kalaja e gurtë, Pazari karakteristik, muzeumet, Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe vlerat e traditës në zonat e Lunxhërisë, Cepos, etj, tërheqin një numër të lartë vizitorësh.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha në një intervistë për ATSH-në se “përgjatë gjithë muajit tetor kapacitetet akomoduese kanë qenë të ezauruara, ndërsa ka një interes të lartë nga turistët edhe për periudhën në vazhdim”.

“Bashkia vazhdon organizimin e një programi të larmishëm me aktivitete kulturore dhe artistike, çelje panairesh, koncerte, promovimin e vlerave të traditës të cilat mes të tjerash ndikojnë edhe për rritjen e kohë qëndrimit të turistëve”, theksoi Golemi.

Gjirokastra me vlerat historike, ndërtimore, trashëgiminë kulturore, resurset e pasura si dhe mikpritjen e banorëve gjithmonë e më tepër është një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.

Mbi 400 mijë turistë vizituan Gjirokastrën

Kryebashkiaku Golemi sezonin turistik të këtij viti në Gjirokastër e cilëson ndër më të suksesshmit e viteve të fundit.

Prej fillimit të 2024 vizitueshmëria në qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat kanë qenë mjaft e preferuar në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.

“Kemi pasur një vit të mbarë turistik, ndërsa po regjistrohen mbi 400 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat rurale të bashkisë Gjirokastër. Ajo çka është e veçantë për Gjirokastrën është se rreth 70 % e turistëve janë vizitorë të huaj nga vende të ndryshme të botës”, nënvizoi Golemi.

Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre udhëtojnë me grupe të organizuara, por konstatohet edhe një rritje e numrit të turistëve që preferojnë të udhëtojnë në mënyrë individuale, me familjen ose në grupe të vogla.

“Natyrshëm numri më i lartë i turistëve është regjistruar gjatë periudhës së verës dhe kryesisht në muajt korrik dhe gusht, por falë zhvillimit të turizmit gjithëvjetor kemi pasur fluks të turistëve edhe gjatë stinës së pranverës si dhe tani në periudhën e vjeshtës”, theksoi Golemi.

Rritje e kapaciteteve akomoduese për turistët

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor”.

“Një fakt i tillë ka sjellë çeljen e  vendeve të reja të punës si dhe rritjen e të ardhurave ekonomike për familjet gjirokastrite”, tha  ai.

Golemi bëri të ditur se “tashmë në qytet dhe rrethinat numërohen rreth 250 hotele dhe bujtina karakteristike, të cilat ofrojnë kushte cilësore për akomodimin e vizitorëve”.

“Një rritje të numrit të bizneseve të reja kemi pasur edhe në sektorin e shërbimeve, lokale, bare, restorante ndërsa kemi një rikthim të interesit të fermerëve për zhvillimin e agroturizmit. Në këtë kuadër janë çelur bujtina tradicionale në zonat rurale kryesisht me profil familjar ndërsa është rikthyer vëmendja edhe për prodhimin bujqësor vendas në vreshtari dhe frutikulturë”, nënvizoi Golemi.

Kryetari i bashkisë tha se “zhvillimi i turizmit po jep ndikim mjaft pozitiv në ekonominë lokale në tërësi si për sa i përket vendeve të reja të punës dhe të ardhurave ekonomike të përfituara nga banorët”.

Gjatë këtij viti Gjirokastra ka qenë një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë. Ajo po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com

Tirana si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, mundësi për të treguar vlerat kulturore

Tirana mikpriti këtë javë një grup të rinjsh nga rajoni, në vijim të aktiviteteve të rrjetit B40, me qëllim rritjen e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik në Ballkan. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e çeli bashkëbisedimin duke theksuar se vitin tjetër kryeqyteti shqiptar do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një forum të të rinjve nga i gjithë Ballkani. Ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, ndaj ky forum bashkon çuna dhe goca, që janë e ardhmja”, tha Veliaj. Si udhëheqëse e rrjetit B40, Veliaj shtoi se Tirana do të shërbejë si spirancë përbashkuese për miqtë e rajonit, që të tregojmë vlerat kulturore të Ballkanit.

“Ne duhet të bëjmë diçka për 100 vitet e ardhshme dhe jo për 100 vitet e kaluara. Titulli Kryeqyteti Mesdhetar u Kulturës është një mundësi e jashtëzakonshme për ta përdorur Tiranën si një spirancë për të gjithë miqtë, vëllezërit e motrat tanë në Ballkan, e për t’u siguruara që viti i kulturës të mos jetë vetëm i Tiranës, por i të gjithë anëtarëve tanë të B40, për të treguar vlerat kulturore”, tha ai.

Veliaj tha se një nga objektivat e bashkisë së Tiranës vitet e fundit ka qenë orientimi i të rinjve drejt punëve të së ardhmes. Për ta përmbushur këtë qëllim, ai përmendi projektet e suksesshme që janë zbatuar te Piramida, si mundësi fantastike për fëmijët dhe të rinjtë.

“Çdo muaj, në Tiranë, 2000 fëmijë marrin kurse falas. Ne e konsiderojmë një të drejtë digjitale. Siç është çdo e drejtë e njeriut për arsim, për shëndetësi, ne e konsiderojmë se të përgatitesh për punët e të ardhmes duhet të jetë një e drejtë themelore e njeriut. Ndaj, kurset e fëmijëve i sponsorizojmë 100%, duke vjelë qiratë që marrim te Piramida”, nënvizoi ai.

Transformimi i Tiranës për 10 vite, sipas kryebashkiakut Veliaj, duhet të shërbejë si shembull motivimi për qytetet e rajonit. Ai shtoi se falë këtyre investimeve ekonomia e qytetit është transformuar./ KultPlus.com

Fituesi i Çmimit Evropian të Librit Robert Menasse: Vlerat europiane të Shqipërisë i duhen BE-së

Robert Menasse, autori i njohur austriak dhe fituesi i Çmimit Europian të Librit ka vizituar Shtëpinë e Europës, ku është takuar me lexues dhe personalitete të ndryshme për të diskutuar mbi romanin e tij “Zgjerimi”, tashmë edhe në gjuhën shqipe.

Menasse lexoi fragmente nga libri, i cili eksploron lidhjet midis Evropës dhe Shqipërisë duke drejtuar edhe një bisedë mbi vlerat evropiane, procesin e zgjerimit dhe rolin e letërsisë në formësimin e së ardhmes sonë të përbashkët.

“Shkrimtari austriak Robert Menasse, në këtë diskutim ka folur për Shqipërinë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe prirjet aktuale brenda BE-së”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të delegacionit të BE në Tiranë.

Menasse thekson se Evropa ka nevojë për Shqipërinë, duke e parë Ballkanin Perëndimor si pjesë të pandashme të saj. Ai argumenton se paqja në këtë rajon është një qëllim i rëndësishëm për projektin e BE-së, ku duhet të krijohet një treg i përbashkët dhe një sistem ligjor i njëjtë. Për titullin e librit, Menasse shpjegon se “Zgjerimi” i referohet vendeve që duan të hyjnë në BE, ndërsa ai sheh Shqipërinë si një vend me potencial dhe optimizëm, përkundër skepticizmit që shprehin disa shtete anëtare./ KultPlus.com

Tre ndryshime që vijnë në Google Messages për të rritur përvojën e mesazheve

Tre veçori të reja mund të vijnë në Google Messages.

Së pari, aplikacioni i Google për mesazhe po bën ndryshime në veçorinë që ju tregon nëse mesazhi juaj është dërguar ose lexuar.

Ndryshimi i dytë i mundshëm, i cili është lënë të kuptohet nga versioni më i fundit beta i aplikacionit Messages, ju lejon të zgjidhni rezolucionin e imazhit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Kjo do t’ju lejojë të vendosni nëse dëshironi të dërgoni një imazh në cilësi HD ose standarde.

Edhe pse do ta ulë cilësinë e imazhit, veçoria do t’ju lejojë ta dërgoni atë më shpejt duke përdorur më pak të dhëna.

Së fundi, Google po përpiqet t’jua bëjë më të lehtë ta kuptoni se kur është dërguar secili prej mesazheve tuaja./ KultPlus.com

Davenport: Gjethe të bronzta dhe të kuqe

Guy Mattison Davenport (1927 – 2005), shkrimtar, përkthyes, ilustrator, piktor, intelektual dhe mësimdhënës amerikan.

GJETHE TË BRONZTA DHE TË KUQE

Nga Guy Davenport

Ai fle në shtratin portativ të hekurtë dhe të ardhurat e tij të vetme janë rroga që shteti ia jep për përdorimin e portretit të tij në pullat tona postare. Ata thonë se ai mund të qëndrojë me orë duke e nderuar bustin e Nietzsches. Ia ka ëndja të bëjë muhabet me miqtë e tij në telefon. Dekorata e vetëm që mban është Kryqi i Hekurtë i tij. Ky dhe një shirit dore i Partisë janë shenjat e vetme që e zbukurojnë thjeshtësinë e mërzitshme të uniformës së tij. Kompozitori i tij i preferuar është Anton Bruchkneri, dallga e fortë dhe progresioni harmonik i simfonive të të cilit ia kujton atij Gjermaninë e moçme, pyjet dhe bjeshkët, kafenetë me gazeta, lojëra shahu, kuvendime metafizike dhe revista shkencore, Gjermaninë e vjeshtave të lezetshme dhe mjegullat ku fshtarave të vogla rrugët e ngushta janë të kufizuara me pemë, gjethet e bronzta dhe të kuqe të të cilave shkëlqejnë me një lloj lavdie në diellin e pasditës.

Një pasdite i kishte vizituar që të dyja, vejushën e Wagnerit dhe motrën e Nietzsches. Zakonisht rrugës e ndalnin fshatarët të etur që ta adhurojnë. E dinë se ai ka një dobësi për biskotat dhe i dhurojnë pjatanca të tëra. Ai bën shaka se do ta humbë formën, ai që është aq i hajthëm dhe i pakët. Sidoqoftë, ai pranon dhe e mbllaçit një biskotë dhe gratë e moshuara i vënë duart në fytyrat e tyre. Ai është i dhënë sidomos pas fëmijëve. Sytë e tij ndrijnë kur e sheh një vajzë të vogël bionde me sy të kaltër.

Me të venë e Wagnerit diskuton për Unazën, me motrën e Nietzsches çështjen politike të hebrenjve. Kërkon të shohë tryezën e shkrimit të filozofit, makinën e tij primitive të shkrimit, shpatën e tij të duelit nga ditët studentore, pelerinën e tij italiane. Ia tregojnë tasin e çajit të filozofit dhe ai me një nderim të bashkëlindur ua shpjegon se ai nuk pi çaj as kafe, as nuk tymos, as nuk pi alkool, përveç ndonjë bokalli birre në shoqëri të anëtarëve të Partisë.

Jeta e tij është e përkorë. Ka që thonë se e ka mike të zemrës një aktore të bukur, e qeshura gazmore dhe manierat e lezetshme të së cilës ia heqin mendjen nga punët e shtetit pas një dite të revizionimit të batalioneve bavareze të punës, takimit me diplomatë, gjeneralë dhe arkitektë, të inspektimit të armatimeve, komuniteteve model dhe barrakave.

Ai i di të gjitha. Studimi i tij i bolshevizmit, financave shtetërore, mbrojtjes, pastërtisë racore, fatit, shpirtit gjerman, muzikës, planifikimit të qytetit, historisë ushtarake dhe nutricitetit ka qenë i thellë.

Ai flet vetëm gjermanisht. Të gjithë neve na duket mahnitëse që e vetmja fjalë e huaj që ai di është fjala angleze gentelman. E respekton mësimin te të tjerët. Që nga koha e Frederikut të Madh nuk kemi pasur një lider të tillë intelektual. E adhuron Musolinin për dhuntinë e tij të gjuhëve, talentin e tij letrar, gjeninë e tij organizative, prirjen e tij klasike për parada triumfale dhe dinjitetin e moçëm romak.

Sensi i tij i humorit është i lezetshëm. Njëherë, duke ngarë mercedesin e tij, me një kapele aviatori që t’ia mbante flokët të shtruara, mbi shpejtësinë e lejuar vetëm për pak milje, ishte tërhequr për krahu nga një polic me motoçikletë.

– Ndiqmë, i kishte thënë polici, për në gjykatë në qytetin më të afërt, ku do ta hash një dru të mirë.

– Ndiqmë, e kishte udhëzuar ai shoferin e tij tetar.

Polici, siç po e shihni, nuk e njihte kush ishte me atë mercedes, për shkak të kapuçit të aviatorit, por roja në gjykatë e pa se kush ishte duke hyrë në ndërtesë dhe e përshëndeti, gjykatësi po ashtu e përshëndeti dhe të gjithë mbetën të shtangur.

– Jam arrestuar për tejkalim të shpejtësisë, i tha ai gjykatësit, i cili e hapi gojën si peshk, pa mundur të nxirrte një fjalë. Kur i erdhi zëri, gjykatësi pëshpëriti një fjalë që tingëlloi si gabim.

– Jo aspak, tha ai. Ne e kishim tejkaluar shpejtësinë dhe pos kësaj unë nuk po ia vija syrin matësit të shpejtësisë; s’do t’ia hedh fajin shoferit tim tetar, por do ta marr përgjejgësinë vetë, si qytetar i rregullt. Gjermanët janë respektues të ligjeve, apo jo?

– Po!, britën të gjithë.  

– Sieg!, thirri ai.

– Heil!, ia priti ai.

Kësodore e pagoi gjobën. Gjatë kthimit për te makina u ndalua nga një vajzë e vogël me flokë të verdha dhe sy të kaltër, e cila ia dha atij një biskotë nga një pjatë filxhani. Ai e hëngër atë, e ngriti lart vajzën dhe e puthi. Nëna e saj dhe gjithë njerëzit e qytetit po e shikonin në ekstazë. Ai i valëviti duart teksa po largohej drejt Berlinit dhe përgjegjësive të tij të pashpirta të zyrës.

Ai është njohës i arteve të bukura dhe goxha shpesh e ka lënë pa mend profesorin e estetikës. Është i dhënë pas pikturave të gaztorëve vajtues, një subjekt në të cilin, pohon ai, do të shkëlqente Rembrandti po të ishte sot në mesin tonë. Koleksionon natyra të vdekura të bokallëve të birrës dhe rrushit me musht në kalaveshë, pjesë kuvendimi që paraqesin një tablo familjare. Nuk e tërheqin shkarravinat cinike të tjetëranësve aq në modë gjatë depresionit të pasluftës. E njeh vizatimin kur e sheh, ngjyrat dhe proporcionet. Është një karakteristikë sharmante e shijes së tij vieneze se ai ka një dobësi për operat e lehta dhe filmat me tema romantike.

Fjalimet e tij janë elektrizuese. Zotërimi i hollësive i mban inxhinierët dhe taktikantët maje gishtave. Dorëpunuesit dhe bankierët dalin nga konferencat e tij duke dihatur nga njohjet e tij të thella të vetë profesioneve të tyre.

Gjatë vakteve të ngrënies është briliant. Ia ka ëndja të argëtojë mysafirët e tij me histori dhe filozofi, të cilat ai mund t’ia bëjë të thjeshta dhe magjepsëse edhe mendjes më të pagdhendur. Madje ai mund të flasë për peizazhet malore si poet, për aktorët dhe drejtuesit e orkestrave, dizajnin e qilimave, përbërësit e salcës së sallatës.

Ai është vegjetarian, nuk e honeps dot mizorinë e therjes. Planifikon që pas pensionimit të kthehet te piktura, t’ia lërë ca skena të mira muzeut të Shtetit në pronësi. Është ironike, nuk është, se shpirti i tij është thelbësisht bohemian, artistik dhe ëndërrimtar. Ai thotë se do të mund të kishte qenë i lumtur duke çuar një jetë të thjeshtë në ndonjë çardak, duke i takuar shokët e tij artistë në kafene, duke klloçitur pafundësisht në misteret e dritës dhe hijes. Po prapëseprapë kjo mendje ishte ajo që fati e kishte zgjedhur të shihte të vërtetën e historisë nga perspektiva më e pastër dhe ai nuk i bëri bisht Detyrës kur Ajo erdhi me kushtrim dhe flamur në momentin kur Gjermania zuri vendin kryesor në mesin e kombeve. Gjermania mbi të gjitha.

Druajtja e tij u ka hyrë në zemër shumicës. Njëherë, kur ai ishte një politikan në ngritje, i ra në sy një zonje në shoqëri, e cila e ftoi në një mbrëmje në vilën e saj. Ai shkoi atje në rroba formale, me gjasë si një befasi për përgojuesit e tij. I mbajti duart të lidhura me modesti për krahëve të vet, duke refuzuar kështu likerët dhe nikotinën që ia orfonin në mënyrë periodike shërbëtorët në livre, që lëviznin në mesin e ahengtarëve. Përveç ndonjë llomotitje të padomethënie me socialitë të ndryshëm, ai nuk tha asgjë gjatë gjithë mbrëmjes derisa mori fund ndeja, kur ai zuri një pozicion pranë derës dhe mbajti një ligjëratë të bukur kundër hebrenjve, komunizmit, ateizmit, rrenës në shtyp dhe imoralitetit flagrant në spektakël dhe arte. Toni i kotësisë, i cili e kishte mbizotëruar gjithë kremtën papritur, mund të jeni të sigurt për këtë, ishte tretur. Shprehjet mendimtare morën nën zotërim fytyrat që ca momente më parë kishin qenë të shpërqendruara dhe budallepsura. Qe një performancë e mahnitshme.

Ka goxha shumë rezyme të skeptikëve që shkonin në grupet studimore të Liderit për t’u zbavitur që pastaj konvertoheshin dhe bëheshin njerëz të rinj.

Ai nuk është kurrë humbës. Kur hipi në podium për t’i thurur eulogji Hindenburgut në funeralin madhështor, ai e hapi dosjen e tij për të zbuluar se disa shkrues të pakujdesshëm kishin futur në të jo fjalët e tij të përzgjedhura me merak, por atë që dukej të ishte një raport financiar nga Gauletieri i Weimarit. Ai foli ex tempore dhe askush prej mijëra të tjerëve para tij nuk qenë më të mençur.  

Ai mund të përshëndesë me dorën lart me orë të tëra kur e qet armatën në revistë.

Ai është në shëndet të përsosur dhe kurrë nuk vizitohet te mjeku, përveç për të folur për shëndetin e popullit. Ai dhe doktori zakonisht ia fusin një të qeshure të mirë. Populli gjerman është aq i shëndetshëm, atëherë kujt i duhet doktori?

Ai është njeri i tolerancës shembullore. Kur një deputet njëherë e pyeti nëse arti francez duhej vihej në të njëjtin nivel me atë të idealeve Nacional Socialiste, përgjigjja qe kjo:

– Qoftë larg meje të diktoj shijen e një populli aq mendjemprehtë dhe të kulturuar!

Ai mendon se Opera e Parisit është ndërtesa më e bukur në botë. E pëlqen dizajnin e avancuar të avulloreve tejoqeanike dhe aeroplanëve. Ia ka ëndja të ketë në tavolinën e tij në Kancelari një vazo me krizantema që përhapin dritë të artë përmes dritareve.

Mendjet tona rezonojnë me opinionet e tij. Spanja nën Frankon do ta shpëtojë perëndimin katolik siç kishte bërë në kohën e Filipit. Mund ta dalloni qëndrueshmërinë e bujkut rus nga mjekra e tij. Psikanaliza është fëlliqësi hebreje që po mundohet të shitet si shkencë. Italianët janë romantikë dhe ngrehalucë. Shpirti gjerman është shprehur nga Wagneri më së miri. Përgjegjësia dhe vigjilenca e karakterizojnë gjermanin, marifetllëqet dhe hipokrizia hebreun, ngathtësia dhe të qenët të pashije intelligentsian ruse, plogështia dhe të qenët të pamend amerikanin, mendjemadhësia dhe sipërfaqësia anglezin, injoranca dhe kotësia polakun.

Dr. Goebbels varet pas secilës fjalë të tij. Goeringu e do si vëllain e vet. Stafi i tij i besueshëm i gëzohen pranisë së tij.

Nuk është e vërtetë se mustaqja e tij katrore është kopjuar nga Chaplini, ose se mitingjet partiake rrjedhin nga këngët dhe duartrokitjet e lojërave të futbollit amerikan. Hobit e Liderit janë fundjavët në bjeshkë, regjistrimet fonografe, automobilizmi, filmat në shtëpi dhe dizajnimi i ndërtesave neoklasike. Derisa i dëgjon me tërë vëmendjen ministrat e tij në konferencë, duart e tij vizatojnë harqe triumfuese në bllokun e tij. Ka vesh për vargun masiv të Gëtes. Është i dhënë pas qenve.

Spengleri na e kujton se është një veçori gjermane të jetë i vetëdijshëm për momentin historik teksa është duke ndodhur. Kaq thjesht. A ka pasur ndonjëherë fjalë më të vërteta? Këtë tetor ka një eksitim elektrik në ajër, një ëmbëlsi kudo përreth. Ne jemi, si gjithmonë, një popull i përkorë studiuesish, me njoki, birrë dhe pudingë të mirë të mëdhenj të gjakosur, ansamblet e harqeve, të cilat madje edhe në fshatrat më të mjera mund të japin mbrëmje të paharrueshme të Brahmsit dhe Beethovenit, shkollat dhe universitetet tona të pakrahasueshme, rininë tonë kaq të fuqishme, të shëndetshme dhe të bukur. Dhe gjithçka është qëllim, qëllim, një qëllim, mbase më i madhi që është ndërmarrë ndonjëherë prej se ekziston bota.

Dhe diku në këtë vjeshtë të shkëlqyeshme, përgjatë rrugëve që flakërijnë nga gjethnajat e bronzta dhe të kuqe përmes të cilave i bart era, gjendet Lideri, i vozitur nga shoferi i tij krenar tetar. Ai e do Gjermaninë dhe e di se Gjermania e do atë. Ndalet të llafosë me fëmijët, bujqit, gjyshet e dashura, shërbëtoret flakë të skuqura të cilat i nxit të lindin fëmijë truplidhur për atdheun.

Me gjasë ka reshtur së shikuari Frau Frau Elsbeth Förster-Nietzschen, pasioni i së cilës për të gjitha gjërat teutonike është pothuajse po aq i ethshem sa ai i tij. U ulën përposh pemës vjeshtore në ajrin e pastër, me një pjatë me biskota dhe një shishe ujë mineral. Motra e shquar e çon shaminë te njëri sy, duke e kujtuar Fritzin. Lideri qëndron rehatshëm, me këmbët e lidhura kryq, një pozë që ia lejon vetvetes vetëm në shoqëri të të barabartëve dhe miqve. Rëndom ai është i druajtur me gratë (një shkrimtar dinak ka thënë se ideja transhendente e Gjermanisë është gruaja e tij), por me motrën e Nietzsches ai e ka të lehtë.

Ata ndihen se shpirti i tij është me ta dhe ua citon të dyve aforizmin më të fuqishëm që Frau Förster-Nietzsche e ka kompiluar në Der Wille zur Macht. E njohin veprën me zemër. Nga dëshmitarë të privilegjuar është thënë se zërat e tyre bëjnë një lloj muzike. Mendje të fisme, fjalë të fisme, zemra të fisme! Por ky idil për një poet, kjo copëz kuvendimi me temë historike për një piktor, nuk mbetet tërësisht në nivelin e sublimës. Si të gjithë njerëzit e tjerë të qytetruar, ata këmbejnë ca batuta dhe e qeshura sharmante e liderit është si ato frazat e hareshme të këngëve rustike dhe valleve folklorike gjermane që Beethoveni në harenë e tij s’do të mund t’i hiqte madje as nga kompozimet e tij më serioze.

A do të mund, duke ua kumtuar thelbin e karakterit të liderit fëmijëve dhe studentëve, të arrijmë ta ruajmë me tamam për ta magjinë e kësaj pasdite vjeshte, seriozitetin e lartë të muhabetit përposh pemëve aq lirikisht të bukur, dhe lozonjaritetin njëmend njerëzor të liderit teksa mashtrohet nga motra e Nietzsches për t’ia dhënë edhe një biskotë tjetër?

/Marrë nga Guy Davenport, “The Jules Verne Steam Ballon”, The Johns Hopkins University Press, 1993 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

223 vite më parë u lind kompozitori italian Vincenzo Bellini

Në këtë ditë 223 vjet më parë u lind kompozitori italian Vincenzo Bellini, i njohur për operat e tij Bel Canto. Gëzuar ditëlindjen, Bellini!

Vincenzo Salvatore Carmelo Francesco Bellini i cili – u lind më 3 nëntor 1801 dhe vdiq më 23 shtator 1835 – ishte një kompozitor italian i operës – i famshëm për meloditë e tij të gjata, të këndshme dhe mjediset muzikore ndjellëse.

Si një figurë qendrore e epokës Bel Canto, ai u admirua jo vetëm nga publiku, por edhe nga shumë kompozitorë që u ndikuan nga veprat e tij.

I lindur në një familje muzikore në Siçili, ai u dallua herët për talentin e tij dhe fitoi një bursë për të studiuar në Kolegjin e Vërtetë të Muzikës, në Napoli.

Atje ai përvetësoi elementë të stilit të Shkollës Napolitane dhe u frymëzua nga shfaqjet e operave të Donizetti dhe Rossini, ndër të tjera, në idioma më moderne.

Ai shkroi operën e tij të parë, “Adelson e Salvini” (1825), për konservatorin, dhe “Bianca e Fernando” (1826) për Teatro di San Carlo për studentët premtues.

Bellini më pas shkoi në Milano për të kompozuar për “La Scala”, ku suksesi i “Il Pirata” (1827) nisi karrierën e tij të shkurtër, por shumë domethënëse.

Ai shkroi shumë opera të njohura, duke u ngjitur në majat triumfale me “I Capuleti e i Montecchi” (1830, La Fenice), “La sonnambula” (1831, Teatro Carcano) dhe “Norma” (1831, La Scala).

Ai udhëtoi jashtë vendit dhe shkroi “I puritani” pas një vizite në Londër.

Premiera e tij e suksesshme (1835, Théâtre-Italien) mbuloi një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare.

Bellini vdiq në moshën 33 vjeçare në Puteaux të Francës.

Verdi vlerësoi meloditë e shtrira të Bellini si të pakrahasueshme, ndërsa Wagner, i cili rrallëherë komplimentonte, ishte i mahnitur nga integrimi shprehës i muzikës dhe tekstit të Bellini.

Liszt dhe Chopin ishin gjithashtu admirues të tij. Shumë prej operave të tij, duke përfshirë “Pirata”, “Capuleti”, “Sonnambula”, “Norma” dhe “Puritani” janë shfaqur rregullisht në shtëpitë kryesore të operës në të gjithë botën. /atsh/KultPlus.com

Ministrja Nagavci: Le ta mbrojmë gjuhën shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se si ministri kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për konsolidimin e pozicionit të diasporës shqiptare, me fokus të veçantë tek arsimi dhe edukimi.

Nagavci ka thënë se që nga marrja e mandatit, kanë ofruar mbështetje në shumë forma, duke nisur nga:

Hartimi i teksteve të gjuhës për mësimin e shqipes në Diasporë, krijimi i platformave për bashkëpunimin e hulumtuesve shqiptarë gjithandej, nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri etj., kemi hartuar dhe vënë në përdorim tekstet e Niveleve I dhe II për Diasporën, ndërkohë që Niveli III është në përpunim e sipër, me mësues, përfaqësues të shoqatave, bizneseve e institucioneve, në takime të përzemërta ndamë përvojat e diskutuam për planet tona për të ardhmen, për gjuhën dhe kulturën shqipe, për identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Nagavci .

Ajo ka theksuar se gjuha amtare është ndër tiparet më të theksuara të prejardhjes së përbashkët dhe kulturës kolektive të një populli.

“Le ta mbrojmë Gjuhën Shqipe me çdo formë, çdo ditë nga pak, dhe çdo vit më shumë.” Të gjithë bashkë për jetësimin e identitetit shqiptar ndërmjet gjuhës dhe kulturës”, seminari i organizuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali ishte aktiviteti që na bashkoi me mësuesit e shkollave shqipe”, ka shkruar Nagavci.

‘Dita e Letërsisë Dibrane’, shtohet fondi i bibliotekës së Peshkopisë

Në “Ditën e letërsisë dibrane”, një grup shkrimtarësh dhe artdashësish i janë bashkuar aktivitetit të organizuar nga Lidhja e Intelektualëve Dibranë.

“Dita e Letërsisë Dibrane”, aktiviteti i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, pas organizimit në disa qytete, përmbylli turin e saj me aktivitetin e mbajtur sot në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli”, Peshkopi, mes të ftuarish, intelektualëve, autorë, botues e libradashës.

Në praninë e zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa, kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, kryetarit të Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, Shpëtim Cami, për promovimin e letërsisë dhe autorëve dibranë, së bashku me autorë e dhuruesit për fondin e pasur që i shtuan Bibliotekës së Peshkopisë me këtë rast.

Aktiviteti është përmbyllur me një bashkëbisedim mes shkrimtarëve, që ndanë emocionet e tyre me të pranishmit, mbi letërsinë, kulturën dhe artin e kësaj zone. /atsh/ KultPlus.com

Rreth fjalës së prof. Nehat Sadikut në Sipoziumin Ndërkombëtar të Filozofisë – Filozofema

Nuk mund të dimë asgjë për jetën, e jetojmë atë vetëm një herë (Kundera)”
Ballsor Hoxha

Në simopiuzmin e fundit të Filozofemës, rofesori, Kandidat për PhD në universitet të Zagrabeit Nehat Sadiku, prezantoi, ndër të tjera edhe nevojën e njeriut për të kornizuar lirinë, në të vërtetë ajo duke ardhë prej Teknologjisë si mënyrë e të menduarit. Në të vërtetë në elaborimin e tij Sadiku tha se kjo vjen si pasojë prej kohës së tërheqjes (rezignimit) së njeriut nga bota dhe funksioni i saj (Sadiku, Foucault), e që kjo e dyta vjen si pasojë e tërheqjes (rezignimit) të zotit (Sadiku, Nietzsche).

Në këtë teknologjia, si mënyrë (totale) e të menduarit ka metastazuar në të vetmen gjendje të njeriut në mendim (nëse ka një mendim njeriu?), kështu duke u bërë e qartë, si që ka qenë gjithherë, shkenca që është instrument i teknologjisë, këtij lloji të (rezignimit të njeriut) menduarit. Dhe jo në të kundërtën e kësaj, pra jo teknologjia në shërbim të shkencës!

Duke e vazhduar diskursin e “epistemës” të cilën Sadiku e vë në veprim, e mishëron, për të mos zgjatur citimin e tërë fjalës së tij, që përndryshe ishte tejet e ditur dhe e frymëzuar, do të kalojmë në një kompleks përshtypjeje, inspirimi dhe mendimi, që ngjallë prezantimi i Sadikut në këtë sipozium:

Nëse e vëzhgojmë (megjithëse jo e duhura mënyrë, sipas epistmës së Sadikut në veprim) kronologjikisht dhe në krahasim, historinë njerëzore, njerëzimi me zbulimin e Kohës (racionalizimit, të menduarit etj, Sadiku), do të shohim se Koha, po ashtu është një kornizim krejtësisht i gjykueshëm (sipas prezantimit të Sadikut) por që ka vetëdijesuar njeriun për Temporalitetin. Kjo duke e shumëfishuar afrinë e njeriut ndaj Kohës, dhe me këtë ekstatiken e kësaj afërsie. Në të vërtetë, njeriu ka vënë në dinamikë, veten me kohën, ndaj Kohës, dhe kjo duke u – humanizuar – aq sa vë në funksion njeriun ndaj Kohës, me këtë, thënë shkurt, vë në dukje, në horizont, “jehonën e çekanit të vdekjes”, të kësaj kornize, dhe të gjitha kornizave që mund t’i njohim, sot,  që prishet, e zbulon/ e-bën-të-pavërejtshme (inconspicuousness) vetë vdekjen, vetë qenien.

Në të vërtetë, u tha e tërë kjo, për të farkëtuar një thirrje për mendim (megjithëse sipas Heidegger nuk dimë të mendojmë, ende, nuk jemi mësuar), të cilën e prezantoi Sadiku, dhe më pas vazhdn përshtypja nga po kjo:

  • Intensiteti i kësaj afërie dhe ndjeshmërie të Kohës, e shumëfishon intensitetin ekstatik të qenies, dhe me këtë e shumëfishon ndjeshmërinë e ekstatikes së të qeniesuarit.
  • Kjo, duke e “prishur çekanin në punëtorinë e vdekjes” (mund të merret si burim i kësaj thënie qoftë edhe Blanchot lidhur me ambiguitetin e të menduarit të njeriut me burim në të qenit i vetëdijshëm për vdekjen – qeniesimin duke qenë vetë vdekja – incessant and interminable), dhe duke e bërë të dukshme po të njëjtën “punëtori”. “the encompassing” that we are (sipas Japspers), horizontin e pafundësisë së as-një-gjë-së. Me këtë intensifikimin e lirisë, deri në kërkim të përmbushjes së subjektives së tij, në reflektimin e tij në atë që e njeh, deri këtu, njeriu – vetë teknologjia (nga më lartë!).
  • Për ta mishëruar këtë që u tha, njeriu në hapin e kalimit prej një mileniumi në tjetrin, në shekullin e radhës, në epokën e radhës, po e ndien shumë më thellë, e më – unconcealed -, zbulesën, e qenies, dhe qeniesimit. Në këtë, e tëra është një ankth, total, dhe gjigant, i rënies së njeriut (sipas Heidegger) në atë që po funksionon, në atë që e neutralizon vetë zhurmën e “çekanit të punëtorisë së vdekjes”.
  • Në këtë, duke potencuar se Sadiku në prezantimin e tij, në një mënyrë nuk e veçon aq sa duhet, apo nuk e thekson mirë sa duhet, se jemi në një trans, në një komë, kolektive globale, me totalizimin e mënyrës së të funksionuarit teknologjik.
  • Jemi duke e neutralizuar universin, për të shuar “jehonën e çekanit të vdekjes në punëtorinë e saj”!

Duhet thënë se në prezantimin e Sadikut ka një humane rrënjësisht të pastër dhe të qartë, kur ai përfundon se ne nuk jemi kundër, ne jemi duke e dasein-uar, dasein, të pakrahasueshëm, të pa një hermeneutikë që ndërhyn, apo mund të ndërhyjë brenda këtyre, kësaj, qenies vetë.

Mirëpo, për të tërën, këtë mënyrë jete të re, mund të ihet edhe një _ fusnotë – që ndoshta nuk përfshinë edhe intepretimin e saj (intepretimin e Sigmund Freud), por vetëm lojën Fort Da, të vëzhguar nga po i njëjti. Është vrasja/fundimi i ankthit të – kalimit nëpër mileniume – për të kornizuar hapin, e pakarahasueshëm të Dasein, e në mënyrë që të vazhdohet tutje në këtë unievrs teknologjie.

Falemnderit, profesor Nehat Sadiku!/ KultPlus.com

Luiza Gega: Edhe pa shumë stërvitje kap rezultate të mira

Të ftuar në episodin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin kanë qenë Taulant Stërmasi, Luiza Gega dhe Relaksa Dauti për të diskutuar rreth atletikës në Shqipëri.

Taulant Stërmasi është presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe i pyetur se cilat janë vështirësitë që ai has për të motivuar kampionët shqiptar për të ecur gjithmonë para, ai u përgjigj: “Në fakt, sfidat janë shumë komplekse kur flasim për sportistë, kur flasim për sportistë elitarë, kur flasim për sportistë që kanë disa objektiva që janë vërtetë shumë të vështira për t’u konceptuar në ditët e sotme. Se ne duhet të jemi shumë koherentë me atë që shoqëria po kalon sot. Të arrish të kesh objektiva, të kesh stërvitje, të cilat parimisht të flasësh në Shqipëri për sport të duket sikur njerëzit dalin të vrapojnë për qejf. Ndërkohë kjo është një punë dhe ta edukosh këtë punë tek brezi i ri, apo qoftë tek grupi që stërvitet tek unë, fillimet janë pak të vështira t’i shpjegosh që ti duhet të arrish disa objektiva. Nuk është qejf. Sporti është një punë. Është një profesion.”

Për t’u ndalur tek Luiza Gega. Trup i vogël, shpejtësi e madhe për kalimin e pengesave që ndonjëherë të duket e pamundur se ajo mund t’i kalojë. Si ja del që t’i bëjë ballë këtyre sfidave?

“Unë kam filluar jo me pengesa fillimisht. 2016 ka qenë viti kur unë kalova për ta provuar si disiplinë, sepse trajneri mendonte që unë mund të jepja më shumë. Se fiziku im jep shumë më tepër kryesisht në metra të lartë, që do të thotë jam rezistente. Kam një kapacitet të mirë aerobik, që më vjen natyrshëm dhe pa shumë stërvitje kap rezultate shumë të mira në metra lart, e quajmë 3 mijë metra, 5 mijë, 10 mijë”, u shpreh Gega./ Top Channel/ KultPlus.com

‘Marin Mema s’ka bërë asnjë krim’, Rama në Selanik: Dorëzojmë kërkesën për rishikimin e vendimit absurd për t’i ndaluar gazetarit hyrjen në Greqi

Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, njoftoi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke, që të rishikojë vendimin për të ndaluar hyrjen e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, në Greqi.

Duke theksuar se Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën si gazetar, ai e cilëson vendimin e 12 viteve më parë një masë ekstreme dhe antidemokratike.

“Kemi një kërkesë që do ta dorëzojmë që nesër për rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, s’ka bërë asgjë më shumë apo më pak se sa punën si gazetar, i apasionuar pas gjurmës së shqiptarëve. Nëse qëndrimi i tij është i ndryshëm nga kushdo që ka marrë vendimin absurd për ta ndaluar të hyjë në një vend në BE, ku s’mund të jetë kurrë një shkak për t’i hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, antidemokrate”, u shpreh kryeministri.

Në vitin 2012, gazetari Marin Mema u shpall i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.

Vendimi dhe ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./ Top Channel/ Kultplus.com

Mbi dramat e Naser Shatrollit

(Nga përmbledhja me gjashtë drama “Qiell” – Naser Shatrolli, botoi Artini)

Ballsor Hoxha

Në dramën “Frigoriferi” të Shatrollit ka dy personazhe në një skenë në tërësinë e dramës. Po ashtu edhe në përgjithësi, të tri dramat në shyqrtim, dhe shumë nga të tjera të Shatrollit gjejmë një, e më së shumti dy personazhe. Shatrolli është minimalist i obsesionuar me intenstitetin, dramën dhe frymëmarrjen që jehon në këtë minimale. Ajo, minimalja në këto drama të Shatrollit është kryesisht psikologjike. Me personazhe që nuk arrijnë të dalin nga bota e tyre e traumës që i ka shituar në të prëhershmen e jetës së tyre.

Kryesisht janë dy karakteristika të dramës së Shatrollit që e bëjnë atë të veçantë dhe unik në kontekstin kosovar të dramës: tema dhe temat e dramave të tij, tejet unike dhe tejet të thella në kondensimin e komplekseve të traumës sonë kolektive, dhe (siç u cek më lartë) minimalistika e dramës së tij, që e intensifikon, frymëmarrjen e bartësve të këtyre temave.

Ndërtimi i dramës së Shatrollit nisë nga emrat e personazheve, si në dramën Frigoriferi, ku janë dy persona të njohur e të panjohur ndaj njëri tjetrit të gjendur spontanisht bashkë, e që janë Liria dhe Atdheu, dhe atë në kohë të luftës në Kosovë. Pastaj personazhja Karameli, në dramën me po të njëjtin emër, dhe Shkumësi personi i cili ka kaluar në këtë gjë, pra vetë personazhi i cili bartë traumën e tij personale të kaluar në deluzion total ndaj tërë kontekstit të tij.

Në këtë ndërtim pastaj vjen zbërthimi i tyre, shtjellimi dhe zhvillimi i tyre në skenë, duke e rrotulluar tërë këtë kondensim të – urrejtjes, të zemërimit, të traumës dhe të përkuljes së njeriut të drejtë ndaj dhembjes ardhur prej jashtë kontekstit të tij/saj – kondensimi duke u rrotulluar si një rubikon, por pa zgjidhje.

Më tutje në këtë ndërtim, sa më shumë që hyjmë brenda tij, shfaqet njëlloj loje unike e Shatrollit, ku personazhet shndërrohen, sikur persona me personalitete të shumfishta (si në dramën Shkumësi, P.sh.), dhe në këtë minimalizëm të intensifikimit të frymëmarrjes së dramës dhe personazheve, përmes vetëm dy personazheve merr pjesë i tërë konteksti.

Në këtë ndërtim të dramës së Shatrollit, sikur në dramën Shkumësi, hetuesi/psikologu/përkrahësi shnëdrrohet në vetë antagonistin e personazhit tjetër që vuan traumën e tij, që është një kondensim i urrejtjes përbrenda traumës në të cilën ai është i mishëruar. Ndërsa personazhi Shkumësi është duke u rrëfyer para këtij hetuesi dhe psikologu (thënë kushtimisht) vetë ky i fundit kalon në veprim të dhunshëm ndaj Shkumësit duke e marrë rolin e vetë antagonistit të tij.

Dhe në fund, të renditjes së këtij ndërtimi të dramës së Shatrollit, kemi njëlloj zbërthimi të këtij kondensimi të përfshirjes së traumës kolektive të një konteksti në një Shkumës të vetëm, kështu në dramën gjegjëse duke u luajtur vetë ky kondensim, si që u tha më lartë, si një rubikon i pa zgjidhje.

Duke i lexuar në radhë dramat Frigoriferi, Karameli, dhe Shkumësi, në të gjitha, para se të shohim se jemi përballë këtij rubikoni, në frymëmarrjen e dramës dhe personazheve të goditura nga fatkeqësia e patejkalueshme, përnjëherë gjendemi në një zhvendosje tejet mirë të luajtur në tekst, dhe aq më shumë të metaforizuar, si që është rrëfimi i personazhes Liria, në dramën Frigoriferi, ku ajo rrëfen të qenit e dhunuar personalisht përmes projektimit të zhvendosur në një plakë të vjetër, të dhunuar në mënyrën më banale dhe më brutale të mundshme.

Pastaj në dramën Karameli, që ka një temë tejet tejet të rëndë, si që është jeta e një ish-“shijuesi” të jetës jugsollave, me tërë dhunën e kryer ndaj shqiptarëve, që jeton me vajzën e tij Meli, adoleshente, gjë që është një jetë krejtësisht e çorientuar, e dezintegruar dhe e degjeneruar deri në pakthim. Mirëpo, prapë, si në lojën e dramave të tjera të Shatrollit, zhvendoset dhe projektohet e tërë dhembja e të qenit tradhtar në një kujtim të një shisheje vene (dhuruar nga vetë Titoja kryetari i ish Jugosllavisë) ndërsa çdo gjë ka shkuar në pakthim.

Pastaj në dramën, një prej më të realizuarave të Shatrollit, që është Shkumësi, zhvendosja është e projektuar në një obsesion të personazhit kryesor për të mbajtur panumër shkumësa në xhepat e tij, dhe për të mbishkruar në çdo gjë, jo ndonjë mençuri apo përvojë, por vetëm për të shkarkuar dramat që luhen në traumën e tij fiziisht dhe psikologjikisht.

E në të tri (dhe shumë të tjera të Shatrollit) drama, është e kondensuar urrejtja, si kyç dhe rubikon i pa zgjidhje, që duhet rrotulluar në të gjitha perspektivat e mundshme për të ruajtur së paku një njerëzi brenda traumës kolektive të panumër plagëve. Sigurisht duke kujtuar, në të gjitha këto drama, atë që ka mbetur jashtë kufijve të traumës edhe personale edhe kolektive.

Për fund, si metaforë, në dramën Shkumësi, shtjellohet një metaforë e një të riu hebre i lindur me frikën e pabartshme, por që në të vërtetë e din për secilën luftë e dhunë e cila ka ndodhur në historinë e botës. Në të vërtetë kjo ndodhë derisa po ky person brenda kësaj metafore gjendet brenda një muzeu, gjë që do të thotë është një muze që ecën brenda një muzeu përkujtues të Holokaustit ndaj hebreve. E në të vërtetë po ai rubikon që u cek disa herë këtu, i pa zgjidhje, i urrejtjes, në dramat e Shatrollit, është vetë obsesioni artistik i tij për ta parë atë ashtu si që është, dhe si është e mundshme të trajtohet, aq më shumë kjo lloj loje, dhe ky muze, është metafora artistike e Shatrollit, përpjekje për të krijuar një muze, të të gjitha perspektivave të traumës kolektive të kontekstit tonë, për të ruajtur dhe trajtuar, por pa e emëruar asnjërën nga këto trauma, dhe pa e pas marrë rolin e zgjidhjes së saj. Sikur ajo ka një zgjidhje, së paku, në këtë perspektivë aq të shkurtë kohore! E me kaq pak përpjekje nga të tjerët për të ndihumar të njëjtit.  / KultPlus.com

‘SOS International’: Shqipëria, destinacioni i preferuar evropian për pushime

Shqipëria po kthehet në destinacionin e preferuar evropian për pushime, duke tërhequr turistët falë bregdetit të saj të mahnitshëm, klimës së këndshme dhe çmimeve buxhetore.

Revista globale “SOS International” ndan këshillat e saj më të mira për atë që duhet të keni parasysh përpara udhëtimit tuaj në Shqipëri.

Shqipëria është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”, një perlë e paprekur.

Gjithnjë e më shumë turistë nordikë kanë vizituar vendin ballkanik, i cili ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi.

Në “SOS International”, Shqipëria po lëviz në statistika. Vendet e preferuara janë Spanja, Greqia dhe Turqia, por Shqipëria – një destinacion i ri turistik po ofron standarte evropiane të shërbimeve – ku vizitorët nordikë mund të marrin ndihmë kur lëndohen ose sëmuren gjatë udhëtimit të tyre.

“Në vitin 2023, Aeroporti i Tiranës priti 7,26 milionë pasagjerë, një rritje prej 40% nga viti i kaluar, duke e bërë atë një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Rritja e vazhdueshme e turizmit dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve të aeroportit kontribuan në këtë performancë rekord.

Me Shqipërinë e njohur tashmë si një nga destinacionet e reja turistike të Evropës, një numër në rritje vizitorësh po vërshojnë në vend – për të përjetuar plazhet piktoreske, vargmalet e thyer malore dhe vendet historike.

Tirana, kryeqyteti, po fiton gjithashtu popullaritet – falë jetës së saj të gjallë të natës, festivaleve kulturore dhe atraksioneve historike.

Trashëgimia e pasur kulturore e vendit, peizazhet piktoreske dhe mundësitë në rritje të biznesit ka të ngjarë të tërheqin edhe më shumë vizitorë në vitet në vijim, duke forcuar më tej rolin e Tiranës si një portë kyçe në Evropën Juglindore”, sipas “Travel and Tour World”. /atsh/ KultPlus.com

Rama prezanton mësueset shqiptare në Greqi: Vogëlushët do mësojnë gjuhën amtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua sot me shqiptarët e Selanikut.

Në fjalën e tij, Rama tha se vogëlushëve shqiptarë të Greqisë do të iu mundësohet mësimi i gjuhës amtare me tetë mësuese nga 50 që janë gjithsej, njofton Klankosova.tv.

“Pas takimit në Athinë, do te na ndihmojnë të iu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu në Selanik, tetë nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe, me të cilët Ministria jonë e Arsimit do të lidhë kontratë pune për t’iu shërbyer dhe mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë në Greqi. Dhe siç mund ta merrni me mend, janë tetë gra”, tha Rama.

Kurt Vonnegut: Si të shkruash me stil

Kurt Vonnegut (1922 – 2007), shkrimtar amerikan, ka botuar katërmbëdhjetë romane, dhjetë përmbledhje me tregime, pesë drama dhe vepra jo-fiksion gjatë një pierudhe prej pesëdhjetë e më shumë vjetësh. Një numër veprash i janë botuar pas vdekjes. Romani i tij më i njohur është ‘Thertorja e pestë’.

SI TË SHKRUASH ME STIL

nga Kurt Vonnegut

Reporterët e gazetave dhe shkrimtarët teknikë janë të trajnuar të mos zbulojnë pothuajse asgjë rreth vetvetes në shkrimet e tyre. Kjo i bën ata anormalë në botën e shkrimtarëve, derisa pothuajse të gjithë batakçinjtë e tjerë bojë-njollosës në këtë botë ua bëjnë të njohura lexuesve bukur fort gjëra rreth vetvetes. Ne i quajmë këto zbulime, aksidentale ose të qëllimshme, elemente të stilit.

Këto zbulime na tregojnë ne lexuesve çfarë lloj personi është ai me të cilin po e harxhojmë kohën. A tingëllon ai shkrimtar injorant apo i informuar, budalla apo i ndritur, i pandershëm apo i ndershëm, pa humor apo gaztor? E kështë me radhë.

Pse duhet ta ekzaminoni stilin e shkrimit tuaj me idenë e përmirësimit? Bëjeni këtë si shenjë respekti për lexuesit tuaj, çkado që të jeni duke shkruar. Nëse i shkarravisni mendimet tuaja në çfarëdo mënyre, lexuesit tuaj me siguri do të ndihen se ju nuk merakoseni fare për ta. Do t’ju damkosin si egomaniakë ose kokëçorbë, ose, më keq, nuk do t’ju lexojnë më.

Zbulimi më për dreq që mund të bëni rreth vetes është se nuk e dini çka është interesant e çka nuk është. A nuk është se ju vetë pëlqeni ose nuk pëlqeni shkrimtarët kryesisht për atë që ata zgjedhin të shfaqin, ose për atë që ju bëjnë ju të mendoni? A e adhuroni ndonjëherë një shkrimtar kokëbosh për mjeshtërinë e tij/saj të gjuhës? Jo.

Kësodore, stili juaj tërheqës duhet të fillojë me idenë në kokën tuaj.

Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen

Gjejeni një temë për të cilën e vrisni mendjen dhe për të cilën ju e ndieni në zemrën tuaj se duhet ta vrasin mendjen edhe të tjerët. Kjo vramendje e çiltër dhe lojërat tuaja me gjuhën, do të jetë elementi më bindës dje joshës në stilin tuaj.

Nuk po ju shtyj të shkruani roman, meqë ta fjala – megjithëse s’do të më vinte keq nëse e shkruani një sish, me kusht që ta vrisni mendjen çiltërsisht rreth ndonjë gjëje. Një peticion kryetarit të komunës rreth një pellgu përballë shtëpisë suaj, ose një letër dashurie fqinjes suaj do të ishte në rregull.

Mos u hallakat, megjithëse

Unë nuk do të hallakatem në lidhje me këtë.

Përmbajuni të thjeshtës

Sa i përket përdorimit të gjuhës: Mbajeni në mend se dy mjeshtër të gjuhës, William Shakespeare dhe James Joyce kanë shkruar fjali që janë pothuajse fëmijërore kur temat e tyre ishin më të thellat. «To be or not to be?», pyet Hamleti i Shakespearet. Fjala më e gjatë është e gjatë tri shkronja. Joyce, kur ishte në pupa, mund të përbashkonte një fjali të gërshetuar dhe vezulluese si gjerdani i Kleopatrës, por fjalia ime e preferuar nga tregimi i tij i shkurtër ‘Eveline’, është kjo: «She was tired». Në atë pikë në tregim asnjë fjalë tjetër s’do të mund ta copëtonte zemrën e lexuesit siç e bëjnë ato tri fjalë. Thjeshtësia e gjuhës jo vetëm që është e respektueshme, por mbase edhe e shenjtë. Bibla hapet me një fjali që do t’i kishte hije shkathtësisë së një të riu katërmbëdhjetëvjeçar: «Në fillim Zoti e krijoi qiellin dhe tokën».

Kini guximin të shkurtoni

Mund të jetë se ju, po ashtu, jeni të zotët të sajoni gjerdane për Kleopatrën, si i thonë fjalës. Por elokuenca juaj duhet të jetë shërbëtore e idesë në mendjen tuaj. Rregulli juaj mund të jetë ky: Nëse një fjali, s’ka rëndësi sa e shkëlqyeshme është, nuk hedh dritë mbi temën tuaj në një mënyrë të re, flakeni tutje.

Tingëlloni vetja juaj

Stili i shkrimit që është më i natyrshmi për ju ka pasur jehonë në fjalimet që i keni dëgjuar kur ishit fëmijë. Anglishtja ishte gjuhë e tretë për romancierin Joseph Conrad dhe ajo që duket më pikantja në anglishten e përdorur prej tij është pa dyshim e ngyrosur nga gjuha e tij e parë, që ishte polonishtja. Njëmend fatlum është shkrimtari që është rritur në Irlandë, se anglishtja e folur atje është aq mahnitëse dhe muzikale. Unë vetë jam rritur në Indianapolis, ku e folura e përditshme tingëllon si një sharrë që pret llamarinën e galvinizuara dhe përdoret një fjalor ornamental si çelës anglez.

Në disa vende shumë të thella të Appalachias fëmijtë rirten ende duke dëgjuar këngë dhe lokucione të periudhës elizabetiane. Po, dhe shumë amerikanë rriten duke e dëgjuar një gjuhë përveç anglishtes, ose një dialekt të anglishtes që shumica e amerikanëve nuk mund ta kuptojnë.

Të gjitha llojet e fluturave janë të bukura. S’ka rëndësi cila është gjuha juaj e parë, ju duhet ta ruani atë gjithë jetën. Nëse ndodh të mos jetë anglishtja standarde dhe nëse e manifeston veten kur jeni duke shkruar në anglishten standarde, rezultati është zakonisht i kënaqshëm, si një vajzë shumë e bukur me njërin sy të gjelbër dhe tjetrin të kaltër.

Unë vetë e shoh se i besoj shkrimit tim më së shumti, po edhe të tjerët duket se i besojnë më së shumti, po ashtu, kur tingëlloj si një person nga Indianapolisi, çka edhe jam. Çfarë alternativash kam? Ajo që rekomandohet më me vrull nga mësuesit s’ka dyshim se është kërkuar prej jush, pra: të shkruani si angezët e edukuar të një shekulli më parë a më shumë.

Thuajeni atë që mendoni ta thoni

Mësues të tillë ma patën nxjerrë shpirtin, por jo më. Tash e kuptoj se të gjitha ato ese të vjetra dhe tregime me të cilat duhej ta krahasoja punën time nuk ishin të mrekullueshme për datshmërinë a për huajën e tyre, por ngase thoshin saktësisht atë që autorët e tyre mendonin të thoshin. Mësuesit e mi donin që unë të shkruaja me kujdes, duke përzgjedhur gjithmonë fjalët më efektive dhe duke i lidhur fjalët me njëra-tjetrën pa i lënë vend ambiguitetit, në mënyrë të thuktë, si pjesët e makinës. Mësuesit nuk donin të më kthenin në anglez, pas së gjithash. Ata shpresonin të bëhesha i kuptueshëm – paskëtaj i kuptuar.

Kësodore ëndrrat e mia nisën të bënin me fjalë atë që Pablo Picasso bënte me bojërat, ose atë që çdo idol i jazzit bënte me muzikën e tij. Nëse unë do t’i shkelja të gjitha rregullat e pikësimit, sikur fjalët të nënkuptonin atë që doja të nënkuptonin dhe t’i bëja varg ashtu shkel e shko, thjesht nuk do të kuptohesha. Edhe ju, po ashtu, më mirë është të shmangni stilin e Picassos, ose stilin e shkrimit jazz, nëse keni diçka të vlefshme për të thënë dhe dëshironi që unë të jem i kuptuar.

Lexuesit tonë duan që faqet tona të duken bukur shumë si faqet që i kanë parë më herët. Kjo ndodh ngase ata vetë kanë një punë të rëndë për të bërë dhe iu duhet e gjithë ndihma që mund ta marrin prej nesh.

Mëshirojini lexueit

Ata duhet të indentifikojnë mijëra shenja të vockla në letër dhe t’ua gjejnë kuptimin menjëherë. Ata duhet të lexojnë, një zanat aq i zorshëm sa shumica e njerëzve nuk e zotërojnë përnjëmend edhe pasi që ta kenë studiuar gjatë gjithë shkollës fillore dhe të mesme – dymbëdhjetë vjet të gjata.

Pra ky diskutim duhet më në fund ta pranojë se opsionet tona stilistike si shkrimtarë janë as të numërta as të magjepsëse, meqë lexuesit tonë janë të destinuar të jenë artistë të papërsosur. Audienca jonë na e kërkon të jemi mësues simpatikë dhe të durueshëm, edhe duke dashur të thjeshtëzojmë dhe qartësojmë – kurse ne më parë do të donim të fluturonim lart mbi turmën, duke kënduar si bilbila.

Ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është se ne amerikanët qeverisemi nga një kushtetutë unike, e cila na e mundëson neve të shkruajmë çfarë të na e ketë ëndja, pa frikën e ndëshkimit. Pra aspekti më kuptimplotë i stileve tona, që është ajo që ne zgjedhim të shkruajmë, është krejtësisht i pakufizuar.

Për këshilla shumë më të hollësishme

Për një diskutim të stilit letrar në një kuptim më të ngushtë, në një kuptim më teknik, sjell në vëmendjen tuaj librin ‘The Elements of Style’, nga William Strunk, Jr; dhe E.B. White (Macmilla, 1979). E.B. White është, natyrisht, njëri prej stilistëve letrarë më të adhurueshëm që ky vend e ka lindur deri më sot. Duhet ta kuptoni po ashtu se askush s’do të merakoset sa mirë a sa keq e ka shprehur veten z.White, sikur ai të mos kishte gjëra përsosshmërisht magjepsëse për të thënë. /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Kamala Harris: Do të vazhdojmë mbështetjen për Kosovën

Kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, Kamala Harris, u është drejtuar me një letër të hapur komunitetit shqiptaro amerikan, ku ndër të tjera ajo vlerëson lidhjet e fuqishme të shqiptarëve me SHBA. Në letër ajo thekson ndihmën amerikane edhe për Pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen që do të vazhdojë ta japë, në qoftë se ajo do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

“Amerikanët shqiptarë kanë bërë kontribute të çmuara për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke treguar një angazhim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe përpjekjes për liri. Janë qindra mijëra amerikanë shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndresa e komunitetit shqiptar amerikan vazhdon të na frymëzojë të gjithëve”, nis letrën e saj Kamala Harris.

Ajo vlerëson kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro amerikanëve, të cilët thotë se tashmë shqiptarët prej punëtorëve, bizneseve të vogla, kanë arritur në profesione të ndryshme, në mjekësi, në drejtësi, e kudo në shërbime publike.

“Amerikanët shqiptarë kanë kontribuar në mënyrë të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, vlerat e forta familjare dhe angazhimin e thellë ndaj edukimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarët e bizneseve të vogla deri te profesionistët në mjekësi, ligj dhe shërbimin publik, amerikanët shqiptarë kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave në të gjithë vendin.

Që prej më shumë se një shekulli, duke filluar nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Edhe sot, amerikanët  shqiptarë e kujtojnë se ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u qëndruan pranë në atë moment të rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë.

Dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i qëndrueshëm i NATO-s, dhe jam mirënjohës për Shqipërinë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas invazionit të egër të Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Harris.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur Pavarësinë dhe sovranitetin historik të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike dhe demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.

I kuptoj sfidat unike në vendin tonë, që shumë prej komunitetit shqiptaro amerikan përballen dhe unë angazhohem për politika që e fuqizojnë këtë komunitet, duke përfshirë luftën për një ekonomi me mundësi dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e amerikanëve shqiptarë në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të formojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta” ka theksuar Kamala Harris.

“Faleminderit për gjithçka që kontribuoni në këtë vend të madh”, përfundon letrën e saj, zëvendëspresidentja amerikane, e cila po pret votën e shtetasve amerikanë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen të martën, me 5 nëntor.