Filmi ikonë “Kapedani” i është nënshtruar restaurimit në 4K, duke bërë që ky xhevahir i artit shqiptar të jetë i paprekshëm për të gjithë brezat.
Filmi i restauruar do të shfaqet sot në orën 19:00 në Kinema “Milenium”, me titra në anglisht, ndërsa biletat do të jenë falas.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pjesëza të shkëputura nga ky film, i cili mbetet një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”.
Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe – MEDIA.
“Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl – një spin-off i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
“Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. Në fakt, filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushëbeteje.
Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike./KultPlus.com
Në një kohë kur bota përballet me vuajtje të njëpasnjëshme dhe dhunë të përhapur, mesazhi i “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” vjen si një thirrje e fuqishme për bashkim dhe solidaritet në festivalin FemArt.
Në këtë edicion të 12-të, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 30 shtator 2024, mbi 200 artiste/ë dhe aktiviste/ë nga 15 shtete do të bashkohen për të promovuar artin, aktivizmin dhe dialogun feminist, duke krijuar një hapësirë për të avokuar për paqe dhe të drejtat e njeriut.
FemArt nis më 25 Shtator, 2024 me artistët e shquar nga Barcelona Flamenco Balet, që para publikut do të prezantojnë krijimin e tyre më të ri artistik “Carmen”. Një interpretim unik dhe modern i operës së famshme të Bizetit. Kjo shfaqje përzien flamenkon me baletin klasik për të sjellë në skenë mesazhin e lirisë dhe guximit të gruas, një thirrje universale për të drejtat e barabarta. Me një përzierje magjepsëse të pasionit dhe dhimbjes, Carmen paraqitet si një simbol i gruas që sfidon një botë të dominuar nga burrat, duke na ftuar të reflektojmë mbi luftën e vazhdueshme për barazi gjinore.
FemArt do të ofrojë 30 aktivitete, që përfshijnë shfaqje teatrore, performanca artistike, punëtori, panele diskutimi, koncerte, publikime dhe filma, të gjitha të dizajnuara për të inkurajuar veprimin dhe dialogun për paqe, e angazhimin për barazi./KultPlus.com
Mbrëmë, në një ceremoni solemne, në prani të krijuesve, artistëve, përfaqësuesve shtetërorë, etj, u bë hapja e Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART”, edicioni i 13-të, me temën “Kosova ime e bukur”.
Organizatori i këtij festivali, Muhamet Ahmeti-Metis, në fjalën e tij hyrëse, tha se në këtë manifestim kulturor po marrin pjesë 35 artistë të njohur nga 14 shtete të botës. Ky edicion është shumë i ngjeshur me aktivitete të ndryshme, siç janë vizitat në vende të trashëgimisë kulturore të Kosovës, debate, tryeza, etj, për t’i realizuar veprat e tyre artistike me temën “Kosova ime e bukur”.
Këto vepra do t’i shihni në ekspozitën kolektive, që do të mbahet në FLORI GALLERY në Prishtina Mall, me datë 28 shtator 2024, duke filluar nga ora 19:00.
Ndërsa, nënkryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, ceki se në këtë festival artistët tanë krijojnë njohje dhe bashkëpunime me artistët ndërkombëtarë. Sa më shumë që organizohen festivale të tilla është në të mirën e vendit tonë.
Në hapje e këtij edicioni u paraqitën edhe disa pika skenike nga aktorët e Kosovës.
Kjo ceremoni u organizua në ambientet e Holiday Resort – “Buquku”, në Sllatinë.
Sponsor i Festivalit Ndërkombëtar “EURO KOSOVA ART” edicioni i 13-të janë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. Gjithashtu festivalin e përkrahën edhe Flori Gallery në Prishtina Mall dhe Stone Castle nga Rahoveci.
Festivali do të jetë i hapur nga 22- 29 shtator 2024./KultPlus.com
Një pikturë e rrallë nga seria e famshme e René Magritte “L’empire des lumières” vlerësohet të shitet për më shumë se 95 milionë dollarë në Christie’s New York këtë vjeshtë.
Piktura pritet të thyejë rekordin e artistit surrealist Magritte.
“L’empire des lumières”, nga viti 1954, është një nga 27 pikturat në të cilat Magritte eksploronte dritën duke pikturuar një qiell me diell mbi një skenë të errët rruge.
Në vitin 2022, një vepër tjetër në serial gati trefishoi rekordin e mëparshëm të artistit belg kur u shit për 59.4 milion £ (atëherë 79.7 milion dollarë) në Sotheby’s në Londër. Punime të tjera që do të përfshihen në shitjet e koleksionit përfshijnë pjesë të emrave të njohur si Joan Miró, David Hockney dhe madje edhe një foto Polaroid të Ertegun të bërë nga Andy Warhol.
“L’empire des lumières” e Magritte kap filozofinë e tij estetike të ekuilibrit dhe përmbajtjes”, tha Max Carter, nënkryetar i Christie’s. “Një ikonë e surrealizmit, kjo vepër e veçantë e Magritte është padyshim më e mira, e interpretuar me mjeshtëri dhe më e bukura e serisë.”
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave do të shkojë për iniciativat bamirëse, tha një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve./vizionplus/KultPlus.com
Një prej aktiviteteve në programin e Javës Kulturore Kineze është dhe ekspozita e çelur në Galerinë e Artit Tiranë, me titull “MIQTË / Art & Histori”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë Javës Kineze, nga 23 deri më 29 shtator. Kjo është një ekspozitë e përbashkët pikture me artistë kinezë dhe shqiptarë.
JKN shkruan në faqen e tyre online se janë miqësitë ato që na ndihmojnë të çmojmë dhe të respektojmë kulturat e njëri-tjetrit, duke nxitur bashkëpunime përtej kufijve dhe duke u mbështetur fuqimisht tek arti, që na frymëzon të gjithëve.
Javët Kulturore Ndërkombëtare ftojnë artdashësit të zbulojnë këtë dialog vizual që lidh dy kultura dhe ndan emocione dhe mesazhe të thella përmes artit. Ekspozita e kuruar nga Helidon Haliti, e sjell artin si një mjet të mrekullueshëm lidhës mes njerëzve dhe vendeve dhe tregon se në këtë rrugëtim kemi qënë në gjëndje të ruajme kujtesën tonë të përbashkët.
Java Kulturore Kineze (23-29 shtator) përkon dhe me 75-vjetorin e vendosjes të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Programi njëjavor është i mbushur me evente të ndryshme, të cilat sjellin për publikun artin dhe kulturën mijëravjeçare të Republikës së Kinës: nga muzika tek kinematografia, nga eskpozitat e pikturës tek gastronomia dhe lojrat për fëmije, kjo javë ofron emocion dhe argëtim për këdo./atsh/KultPlus.com
Sheshi i sapopërfunduar i Çerçizit në Gjirokastër, një hapësirë që ende nuk është inauguruar nga autoritetet, është kthyer tashmë në një atraksion turistik.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot punimet që janë kryer në këtë shesh, i cili sipas tij, është projektuar si rijetësim i arkitekturës autoktone të qytetit, me mundësi për veprimtari ekonomike, artistike e kulturore.
Ndërkohë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bashkë me kryetarin e bashkisë, Flamur Golemi vizituan sot sheshin dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve në këtë qytet.
Duke u ndalur te sheshi i Çerçizit, Kumbaro u shpreh se “sheshi ka mbaruar tashmë dhe është kthyer në një arenë fantastike, skenë koncertesh dhe akivitetesh kulturore por edhe panairesh të hapura”.
“Na mori ca kohë ndërtimi i sheshit dhe detajet estetike, por besoj se një nga gjërat e bukura janë edhe këto dritaret që imitojnë arkitekturën e qytetit. Këto janë kthyer tashmë në vende për të bërë fotografi”, tha Kumbaro.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se në bashkëpunim me MEKI-n, Drejtorinë Rajonale të Kulturës dhe me bashkinë po punohet për t’i dhënë të njëjtin ndriçim edhe këtyre monumenteve historike që identifikojnë qytetin e gurtë.
Ndërsa kryetari i bashkisë, Golemi u shpreh se përveç sheshit këtu është ndërhyrë në gjithë mozaikun si fasada e bashkisë apo edhe Qendra Kulturore e fëmijëve e rikonstruktuar totalisht
Ministrja theksoi se kjo qendër ofron ambiente të ngrohta dhe dinjitoze për të gjithë fëmijëve që kanë pasion artet, zejtarinë, qëndisjen e shumë zanate që i rrinë për shtat qytetit, përmes kurseve falas.
“Rritja ekonomike që ne e shohim nga shifrat, në fakt vjen nga investimet. Ekonomia zinxhir në turizëm është perfekte. Çdo gjë që ne bëjmë sot na i sjell në rritje ekonomike dhe të ardhura. Përndryshe nuk do t’i rrisnim dot rrogat siç ka ndodhur me mësuesit e arsimit profesional që u shkon rroga 900 euro në muaj. As nuk e imagjinonin dot 7-8 vite më parë këtë”, tha Kumbaro./atsh/KultPlus.com
Këto fotografi të rralla janë realizuar nga Jacqueline Benezech, një etnologe e njohur franceze e cila kishte udhëtuar në çdo skaj të Shqipërisë, duke studiuar traditat, zakonet dhe kostumet shqiptare.
Shumica e fotografive janë realizuar në Malësi dhe tregojnë se si ka jetuar shqiptarët në vitet e 30-ta, ku të gjithë mbajnë të veshur kostumin tradicional. /KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Heroin e Popullit, Dedë Gjo Luli (1840-1915).
Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi.
Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë kryengritjes kundërosmane të vitit 1911.
Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Edhe mbas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar.
Më 24 shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë pabesisht në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë)./atsh/KultPlus.com
Intervistë e botuar në revistën “Fjala” më 1 janar 1982 : Foto:Fahredin Spahija, realizuar në vitin 2006 “Për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera” Me Muharrem Qenën bisedoi Abdyl Bunjaku
I bindur se nuk ka nevojë të bëhet ndonjë prezentim i posaçëm, ngase mendoj se Muharrem Qenën, e njohin Iexuesit tanë, po edhe nëse ndodh që ndonjëri prej tyre mos të njohë Muharremin si aktor dhe regjisor të shumë pjesëve të Iuajtura në Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Prizren e gjetiu, edhe nëse nuk e njohin si autor të dramës.
“Bashkëshortët”, na e merr mendja se e kanë dëgjuar bile si këngëtar, duke kënduar këngën shumë të njohur ndër ne, “KaçurrjeIja”, ose ndonjë tjetër. Pra, po ia fillojmë me pyetje:
Çka do të thotë kjo heshtje: një njeri që shumë vjet ishte aktor, regjisor i dalluar, këngëtar dhe autor i një drame, kohët e fundit emri i tij figuron vetëm si redaktor i emisioneve humoristike në TVP. Edhe kjo nuk është punë e vogël, por a mos do të thotë kjo se “heroji është i lodhur” ?
Si ta marrësh: sa për fillim po them se njeriu si unë nuk mund “të heshtë” edhe pse po hasi në shumë pengesa, nuk mundem pa “çourdhitur”. Unë, sa për informim, para disa ditësh u ktheva nga xhirimi i filmit “Lepuri me pesë këmbë”, ku e luaj rolin e Dervishit. Pra nuk është heshtje totale. Nuk janë të pakët ata që pritojnë të punojnë me mua, sidomos shokët e TPK, sepse unë nuk i zvarris punët. Mua më lodh vetëm papunësia, sidomos kur duhet të punojë diçka që nuk ka të bëjë me krijimtari. Unë dhe zyrja — diçka apsurde! Po — kjo bënë të thuash “heroi është i lodhur”.
Po mirë, pse të mos i përmendim këto pengesa: cilat janë dhe kush i vë në rrugë? Në rend të parë disa nga TPK, të cilët jo vetëm i harruan të vdekurit, ata që kanë merita për këtë teatër, por edhe të gjallët, si, bie fjala, Shaban Domin, i cili si pionier i këtij Teatri kontribuojë shumë, sa diti dhe sa mundi, në afirmimin e kësaj shtëpie, mandej disa shokë të Dramës serbe, e cila lash, mjerisht, është nën nivelin e lejueshëm për një Teatër profesionist, kur dihet se dikur ishte ndër dramat më të njohura në Serbi, siç janë Millutin Jasniqi. D. Radepkoviqi, D. Todiqi e të tjerë, të cilët ishin pedagogë dhe mësues tanë, regjisorët e parë që punuan me ne. Ndër të harruarit, pra, më shpallën edhe mua, dhe kështu më leqitën për së gjalli.
Teatri për mua ishte dhe mbeti dashuria ime e madhe. Punën në teatër e fillova në moshën kur njeriu ka shumë ëndrra, shumë dëshira dhe punën e merr me shpirt e pahile. Të gjitha planet e mia i lidha me Teatrin Krahinor, ku gati si fëmijë, më sollën si talent të dalluar, si njeri të nevojshëm, duke ma ndërprerë kështu shkollimin e filluar në Beograd. Pra edhe unë jam ndër të parët që ia filluam punës në Teatrin Krahinor në Prishtinë. Po theksoj — në Prishtinë, ngase shpesh harrohet se ky Teatër ka punuar edhe në Prizren. Sot, kur e kujtoj atë rrugë jetësore, takimin me Teatrin, me çfarë dashurie e entuziazmi punonim unë dhe shokët e mi, bëj krahasime dhe ndjej dhembje kur shof se ka shumë aktorë të rinj që bjerrin kohën kot dhe kënaqen vetëm me faktin se gjenden në TPK, pa marrë parasysh se ka aktorë që nuk kanë luajtur asnjë rol pesë gjashtë sezona.
Një detaj nga puna e atëhershme? Pas premierës “Zjarri dhe hiri” të M. Pucit, në regjinë e A. Shalës, pra, ishte sezoni 1950/51, unë dola prapa skenës dhe fillova të qaja. Erdhi dhe më gjeti drejtori atëhershëm, M. Jasniqi, dhe u habit për këtë mbasi unë kisha luajtur një rol të mirë. I përlotur e shikova dhe i thashë: deri kur do të luajmë para kaq pak vetësh, sepse i pata numëruar shikuesit në sallë ishin vetëm 52 vetë. Ai nuk u habit për gjestin tim por ma ktheu: “Do të vijë dita Muharrem kur edhe anëtarët e Dramës shqipe të kenë sallën plot e përplotë. Asokohe Drama serbe kishte sallën plotë kurse ne vetëm 50-60 vetë, bile ,edhe shumë prej tyre nuk e dinin gjuhën por vinin të shihnin si Iuajmë. E, ku e ka zanafillën kjo mosmarrëveshja me Teatrin Krahinor. Pse qe disa vjet nuk jeni i pranishëm aty? — Është thënë: i patalentuari është i talentuar për të penguar të talentuarin. Edhe unë hasa shumë pengesa giatë punës në Teatër dhe, mjerisht, pengesa këto të kurdisura nga kolegët, nga shokët me të cilët jam përpjekur të ndajë të mirën dhe të keqën. Banale janë disa arsyetime: “Muharremi është i talentuar por pi” flitej e kur e lash alkoholin: “Muharremi nuk po pi dhe nuk mund të krijojë” —flitej. Thuase duhet të pish për të krijuar. Paradoks apo jo! Njëherë më patën larguar nga Teatri laramanët, ata që i pengoja. ngase nuk di dhe nuk mund të pajtohem me padrejtësitë dhe dallaveret që bëhen. Këtë kohë unë shkova në Mitrovicë herën e dytë, po të njëjtit ma prunë punën aq ngushtë, sa u detyrova ta lëshoja këtë teatër të shkoja në Prizren, ku, dihet, u nisa me shumë plane dhe dëshira. Mjerisht, në Prizren nuk më doli puna ashtu si shpresoja dhe si më premtuan kështu që edhe një komunë me madhe siç është Prizreni nuk pat mundësi ta mbante një teatër të vogël. U detyrova të kthehesha në Prishtinë dhe të përpiqesha disi të gjendesha. Asokohe kisha oferta të shkoja në punë në disa Teatro në Jugosllavi, e bile edhe në Kajro. Unë, dihet, mbeta në Prishtinë.
Po, mirë, ndodhi çka ndodhi, veç pas kthimit nga Prizreni është dashur të trokisësh në dyer e Teatrit? Diçka e pamirë ngjau me Qenajt: E vetmja aktore që ka kryer akademinë është motra ime, M. Qena e për të, në atë kohë, për shkakun tim, nuk u gjet vend në Teatër, ndërsa pranoheshin fillestaret. Kështu ndodhi edhe me gruan time: ajo pas kryerjes së shkollës për aktore u bë anëtare e këtij kolektivi e pastaj ia mbyllën derën edhe asaj dhe nja 4-5 vjet mbet jashtë teatri. Tash punon aty, por, mjerisht, si shumë aktorë të tjerë, nuk angazhohet sa duhet. Unë, ç’është e vërteta, edhe sot e kësaj dite nuk shof këtu atmosferë pune krijuese. Punët kryhen vetëm sa për të thënë se janë kryer. Bëhen improvizime vetëm sot për nesër.
Ndoshta do të duhej që deklaratat e herëpashershme të faktorëve të Teatrit se Muharremi do të kthehet në Teatër të mirren edhe si mirënjohje për punën që ke bërë aty. Po përmendim vetëm faktin se ti je i vetmi fitues i Shpërblimit në Sterje, ku përkundër shumë përpjekjeve – as nuk mundën të marrin pjesë pastaj “Erveheja” e të tjera. Këto duhet të jenë cytje për bashkëpunim ? Më duhet të them se është bërë fjalë për bashkëpunim por kanë mbetur velëm fjalët. Njëri nga drejtorët e Teatrit njëherë pat shprehur dëshirën që unë të punoja diçka në TPK. Asokohe isha në Prizren dhe pa përtesë me shumë dashuri e dëshirë u gjenda në Prishtinë. Shokun drejtor e prita tetë orë në vendin e caktuar e ai shëtiste me një shok tjetër atypari dhe gjoja nuk gjente kohë për të biseduar me mua, për atë për të cilën duhej të ishim të interesuar të dytë. Merrnie me mend këtë situatë! Edhe të tjerët kanë deklaruar se duan të bashkëpunojnë me mua e unë mendoj se këtë e kanë bërë për hir të disa aktorëve që përherë janë të gatshëm të luajnë në pjesët që i përgatisë unë.
Më vjen keq për këto që kanë ndodhur, po tash kisha dashur ta lëmë pak anash qëndrimin e disave të TPK ti flasim përgjithësisht për, situatën në dy teatrot tona, pasi dihet se Teatri i Gjakovës edhe ka startuar me ty? Përgjithësisht mendoj se mungon puna permanente. Disi frikësohen se mos ndonjë aktor me një rol do të bëhet yll i Teatrit. E dihet, se aktori gjatë një sezoni duhet të luajë katër pesë role. Edhe sa i përket publikut – nuk është shtuar numri i spektatorëve, bashkë me shtimin e numrit të intelektualëve.
Pse është kështu? Mendoj se kjo është pasojë e faktit se teatri ka caktuar një rrugë të veten, e cila nuk është edhe rrugë e publikut, e mjedisit në të cilin punon ky teatër. Në teatër nuk duhet të përgatitej një pjesë vetëm për shkak se një aktor dëshiron la luajë rolin kryesor në të. Gjatë caktimit të repertorit shpesh shprehen edhe disa “apetite” të mëdha. Gjithkush don që në skenë të vërë një vepër të ndonjë shkrimtari të njohur, ndërsa nuk mendon se a ka “kaçik” ta luajë atë, se a ka publik që do ta pranonte dhe kuptonte atë eksperimentim, i cili për mua nuk është gjë tjetër pos – ikje nga kualiteti. nga puna serioze. Është edhe një e vërtetë tjetër që është lënë aq herë, sa sot na duket banale: mungesa e teksteve origjinale. Një mijë herë është thënë dhe është vërtetuar se – një teatër nuk mund të afirmohet, nuk mund ta ketë publikun e vet pa i siguruar edhe tekstet origjinale. Unë, si regjisor jam përpjekur të bëj diçka në këtë drejtim dhe kështu i vura në skenë pjesët “Sikur t’isha djalë”, “Besa”, “Nuk martohem me para”, “Erveheja”, e të tjera. Mund të them se publiku i ka pritur shumë mirë këto tekste, por unë mendoj se nuk janë shfrytëzuar mirë as ato që i kemi. Nuk i kemi stimuluar shkrimtarët të shkruajnë, nuk i kemi afruar ata që ta njohin më mirë teatrin. Prapë po them se Teatri Krahinor duhet ta ketë një “Hotel Kashta”, një “Kryet e hudhrës”, por nuk duhet të mbesë në nivel të tyre. Mirëpo, flitet edhe për krizën e teatrit. Thonë se filmi, e sidomos televizioni, ia mbylli derën teatrit? Për krizën e teatrit është folur dhe para paraqitjes së filmit dhe televizionit. Është temë e vjetër kjo. Mendoj se teatri e ka vendin e vet edhe pas zhvillimit të këtyre mediumeve, ngase është i vetmi art që sublimon, që sintetizon të gjitha artet e tjera dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë komunikon me publikun, pra bën ndikim te shikuesit si asnjë tjetër. Njëherë, jo fort moti, kemi pasë biseduar lidhur me teatrin për fëmijë. Pate thënë se ky është borxhi ynë i madh ndaj fëmijëve në Prishtinë?
Ashtu them edhe sot dhe e përsëris një gjë që më habit shumë: e kishim teatrin e fëmijëve në atë kohë kur ishim shumë më të varfër me mjete dhe kur për kulturën tonë ndanin shumë pak mjete. Pse nuk e kemi sot? Pa teatër për fëmijë nuk mund të kemi as teatër, si duhet, për të rritur. Ai edukon brezin e ri për ta dashur dhe çmuar artin e skenës. Dhe, çka është më e çuditshme të gjithë e njohim këtë nevojë e askush nuk thotë se koha është ta formojmë këtë teatër! Forca ka por lipset organizim, në mënyrë që në të, në teatrin e fëmijëve, të gjejnë punë ata që e duan punën e jo vetëm udhëheqjen.
Folëm për tekstet origjinale të teatrit. Këto ditë del nga shtypi drama jote, dikur e shpërblyer në konkursin anonim të revistës “Jeta e re” – “Bashkëshortët”. Pse nuk e vazhdove këtë rrugë? Më vjen mirë që po botohet kjo dramë, por do të më vinte shumë më mirë sikur të kisha botuar ndonjë tekst të ri. Sa për “Bashkëshortët” – që janë luajtur në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Ferizaj e në qytete të tjera, sot me siguri do të ndryshoja shumë gjëra sikur unë ta vënia në skenë. Por, nejse. Pse nuk vazhdova: po filluan të shkruajnë shumica e njerëzve që i dinë 36 gërma… Po mahitem pak…Vërtet. Pata filluar të shkruaja por që në fillim hasa në disa pengesa e tash, sa më i pjekur që jam, aq më autokritik jam dhe disi më mungon guximi ti publikojë ato tekste që i kam, siç është një dramë e titulluar “Hoxha me tri fletë” e të tjera. Ka kohë që më mundon një temë që si ta them, e përjetova unë vetë: alkoholizmi. Kush e di çka do të bëhet prej saj. Biseduam për teatrin dhe për shumë gjëra të tjera rreth tij. Mendoj se është mirë la përmendim edhe — muzikën. Ti edhe në këtë lëmë ia pate filIuar punës? E desha dhe e dua — kitaren. U mësova të luaja në të, ashtu si pahiri, dhe duke u bazuar në melosin e popullit i komponova disa këngë. Edhe ato pa i ditur notat. Ato edhe i këndova. si zakonisht, në shoqëri, kafene, ndenja e edhe në radio. I dua ato këngë dhe i këndoj me kënaqësi të posaçme. Më vjen keq që nuk janë inçizuar si disqe. U kanë pëlqyer edhe njerëzve dhe më ka ndodhur shpesh ti dëgjoja ata duke i kënduar apo – fishkëlluar. Le të fishkëllojnë…
Në fund, duke të falenderuar për bisedë, më intereson ta di mos ke ndonjë dëshirë, kërkesë? Shpresoj se nga gjithë kjo bisedë e gjatë do të herren disa gjëra për – gazetë. Shumë gjëra folëm, shumë dukuri i përmendëm dhe e keqja është që shumë probleme që i përmendëm sot i kemi përmendur edhe më parë, dhe jo vetëm ne, por të gjithë të tjerët. Megjithatë mendoj se bëmë mirë që folëm për to pasi duhet të shpresojmë se do të bëhen ndërrime që do të shpiejnë një hap përpara kulturën tonë, e posaçërisht jetën tonë teatrore./ KultPlus.com
Sot shënohen plot 24 vite nga vdekja e piktorit të njohur, Adem Kastrati.
Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin Karaçevë të Dardanës së Kosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse.
Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi). Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij.
Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.
Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.
Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.
Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.
Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme.
Talentin e tij, Adem Kastrati e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë – hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.
Pikturat e Kastratit, e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Duke i dhënë gji fëmijës”, “Gratë duke u larë”, “Mikpritja”, “Darka”, “Dasmorët”, “Duke çuar drekën”, “Nga Historia”, temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Krushqit e ngurosur”.
Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton “fshataren”, këtë qënie sipas tij “të drejtpërdrejtë”, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.
Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë.
Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind – kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi. / KultPlus.com
Sonte, duke filluar nga ora 18.00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të përurohet libri i autores Lumnije Berisha, me titull “Zëra Hibrid”.
Ky libër sjell në kujtesën e lexuesve personazhe nga sfera të ndryshme jetësore.
Libri “Zëra Hibrid”, i autores Lumnije Berisha, i përket një zhanri shumë të veçantë të gazetarisë. Mbase profesioni i autores, si gazetare, e ka nxitur atë që t’i botojë në një libër intervistat e realizuara me personalitete të rëndësishme shqiptare që jetojnë në Kosovë, Shqipëri si dhe në Diasporë.
Libri “Zëra Hibrid”, ofron një perspektivë të pasur të identitetit kombëtar dhe shoqëror të Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjell një panoramë të pasur të krijimtarisë dhe kontributit të personaliteteve të shquara shqiptare në fushat e kulturës, letërsisë, politikës dhe gazetarisë.
BIOGRAFIA
Lumnije Berisha u lind në Dardanë (ish Kamenicë). Studimet për gazetari i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse studimet Master në drejtimin “Komunikim Masiv dhe Gazetari”, i përfundoi në Kolegjin AAB, ku mori titullin MA me temën “Qasja e Institucioneve dhe e Mediave ndaj Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë”, e cila në vitin 2018 u bë libri i saj i parë. Që nga viti 2013 Berisha është autore e emisionit “Për një Botë më të Mirë” në Radio Kosovë, ku trajton tema sociale. Gjithashtu, një periudhë kohore e ka drejtuar edhe emisionin “Kaleidoskop”, po në Radio Kosovë, në të cilin ka trajtuar tema të ndryshme me personalitete të shquara shqiptare. Lumnije Berisha ka ndjekur edhe trajnime të ndryshme nga të cilat ka marrë licenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2021 ka botuar librin “Pikturë me fjalë”, i ribotuar në po të njëjtin vit. “Zëra Hibrid”, është libri i saj i tretë, në të cilin shpalosë rrëfime të thella dhe të pasura nëpërmjet intervistave me një gamë të gjerë personalitetesh shqiptare. Në këtë libër lexuesit njihen me një panoramë të gjallë të botës së tyre./ KultPlus.com
Shkrimtar, këngëtar, aktor dhe regjisor shqiptar, Muharrem Qena, lindi në 25 Qershor të vitit 1934 në Mitrovicë.
Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoj shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me ”Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi(1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Steries – Novi Sad (1967), ngriti skenën teatrore të Kosovës në piedestal. Regjisor i shumë dramave, e filmave dokumentarë e televizivë. Muharremi ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësi shumë brezave.
Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar policia Afrim Bunjaku, i cili u vra një vit më parë.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, ka shkruar Osmani.
Tutje, Osmani është shprehur se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm!/KultPlus.com
Kur planifikoni pushime në plazh, shumica prej jush mendojnë për destinacionet tropikale si Karaibet dhe Greqinë, ndërsa disa nga plazhet më të mira në botë shpesh anashkalohen, shkruan Angelica Tobit në revistën amerikane të udhëtimeve “Islands”.
Sipas një studimi, vendi evropian, Shqipëria, po cilësohet tani si shtëpia e plazhit më të kaltër në botë.
Agjencia britanike e udhëtimeve “CV Villas” kreu një studim, duke mbledhur qindra pamje të pandryshuara të Google Maps dhe duke krahasuar nuancat e blusë në imazhe me “YInMn Blue”, një nuancë e njohur nga shkencëtarët si bluja më e pastër dhe më e shndritshme.
Plazhi Pasqyrave – ky plazh evropian në Rivierën Shqiptare sfidoi destinacionet ikonë tropikale – duke u shpallur si më i kaltërti në botë.
Riviera Shqiptare shtrihet në 215 milje të vijës bregdetare të thyer, përballë deteve Adriatik dhe Jon.
Ky i fundit është veçanërisht i famshëm për ngjyrën dhe bukurinë e spikatur blu.
Në fakt, Plazhi Pasqyrave ka marrë emrin e tij nga mënyra se si uji shkëlqen dhe i verbon shikuesit në rrezet e diellit.
Bregdeti i Adriatikut është i mbushur me plazhe të shumta si Plazhi Pasqyrave që presin për t’u eksploruar – dhe duke e bërë atë një vizitë të domosdoshme për të apasionuarit pas plazhit në Evropë.
“Travel Off Path” ndau një koment rreth Plazhit të Pasqyrave:
“Unë e kam dashur Plazhin e Pasqyrave që nga dita e parë që kam vendosur këmbët atje.
Ishte viti 2013 – kur vizitova Shqipërinë dhe Plazhi i Pasqyrave ishte plazhi i parë që vizitova – kishte shtretër dielli prej druri dhe çadra kashte.
Deti ishte i pastër si kristal me guralecë – dhe unë pagova vetëm rreth 7 dollarë për një shezllon – ky është një çmim i shkëlqyer për të paguar në një plazh që ndihet si parajsa juaj tropikale.
Vërtetë, ai çmim ka shkuar deri në 20 dollarë tani, por nuk kanë ndryshuar shumë gjëra”.
Cilat janë pritshmëritë në plazhin më blu në botë?
Vendndodhja e largët e Plazhit të Pasqyrave e bën atë një opsion ideal udhëtimi ditor – për ata që kërkojnë të përjetojnë disa nga plazhet më të mira dhe më të bukura në Rivierën Shqiptare.
Ujërat blu dhe vija bregdetare mahnitëse janë atraksionet kryesore në Plazhin e Pasqyrave, duke e bërë atë një vend të qetë për t’u çlodhur.
Ka pak komoditete në Plazhin e Pasqyrave, përveç një restoranti të vogël të quajtur “Bar Restaurant Pasqyra” – i cili qëndron hapur çdo ditë nga ora 08:00 deri në 21:00, duke shërbyer pije dhe kuzhinë shqiptare.
Restoranti është një minutë larg dhe ka pamje nga plazhi. Nuk kërkon rezervime.
Duke qenë se nuk ka restorante alternative në zonën e afërt, çmimet nuk janë konkurruese.
Sigurohuni që të merrni para – nëse doni të merrni me qira shezlongë dhe çadra plazhi — të cilat kushtojnë rreth 22 dollarë për dy persona.
Monedha zyrtare në Shqipëri është leku, por pranohen edhe euro.
Shezlongët dhe çadrat janë të disponueshme sipas parimit të shërbimit të parë, ose mund të vendosni peshqirë në plazhin falas.
Ata që duan të eksplorojnë më tej përgjatë vijës bregdetare piktoreske – mund të ndjekin rrugën për rreth 1 milje deri te Plazhi i Pulëbardhës, një tjetër plazh i mrekullueshëm që ka ujëra të ngjashme bruz.
“Restoranti Pulebardha” afër plazhit dhe i vlerësuar si një opsion i shkëlqyer ngrënieje, me pamje të pabesueshme të perëndimit të diellit nga tarraca e tij.
Këshilla gjatë vizitës në Plazhin e Pasqyrave
Bregdeti shqiptar është i popullarizuar për pushuesit për shkak të klimës mesdhetare – verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të butë.
Piku i sezonit përfshin muajt nga qershori deri në shtator – ku moti është ideal për plazhistët.
Saranda ose Ksamili janë të dyja lehtësisht të arritshme nga plazhi. Ju mund të merrni një autobus nga Saranda për në Butrint – që niset çdo orë dhe kushton rreth 1,11 dollarë – ose të bëni një udhëtim me taksi 25 minuta nga Saranda ose 15 minuta me taksi nga Ksamili.
Shqipëria – jo vetëm që zë vendin e parë në betejën për ujërat më të kaltra duke mposhtur vendet si Maldivet – por konsiderohet gjithashtu si një nga destinacionet më të përballueshme të udhëtimit në Evropë.
Kjo do të thotë që ju mund të shijoni disa nga plazhet më piktoreske të kontinentit, të gjitha me një buxhet të vogël.
Të vetëdijshëm për buxhetin do të jeni të kënaqur të zbuloni se një spektër i opsioneve të akomodimit është i disponueshëm – me bujtina që kushtojnë mesatarisht 10 deri në 20 dollarë për person, hotele të nivelit të mesëm që kushtojnë midis 30 dhe 60 dollarë dhe hotele më luksoze duke filluar nga 80 dollarë./atsh/KultPlus.com
Një pikturë e rrallë nga seria e famshme e René Magritte “L’empire des lumières” vlerësohet të shitet për më shumë se 95 milionë dollarë në Christie’s New York këtë vjeshtë.
Piktura pritet të thyejë rekordin e artistit surrealist Magritte.
“L’empire des lumières”, nga viti 1954, është një nga 27 pikturat në të cilat Magritte eksploronte dritën duke pikturuar një qiell me diell mbi një skenë të errët rruge.
Në vitin 2022, një vepër tjetër në serial gati trefishoi rekordin e mëparshëm të artistit belg kur u shit për 59.4 milion £ (atëherë 79.7 milion dollarë) në Sotheby’s në Londër. Punime të tjera që do të përfshihen në shitjet e koleksionit përfshijnë pjesë të emrave të njohur si Joan Miró, David Hockney dhe madje edhe një foto Polaroid të Ertegun të bërë nga Andy Warhol.
“L’empire des lumières” e Magritte kap filozofinë e tij estetike të ekuilibrit dhe përmbajtjes”, tha Max Carter, nënkryetar i Christie’s. “Një ikonë e surrealizmit, kjo vepër e veçantë e Magritte është padyshim më e mira, e interpretuar me mjeshtëri dhe më e bukura e serisë.”
Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave do të shkojë për iniciativat bamirëse, tha një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve. /vizionplus.tv/ KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër i është bashkuar këtë vit festimeve në Ditët Evropiane të Trashëgimisë.
Nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, morën pjesë në punëtorinë “Arkeologu i vogël”, e realizuar në hapësirën e Kalasë së Rozafës.
Kjo punëtori stimuloi emocionet dhe kreativitetin e fëmijëve në gjetjet arkeologjike, duke i afruar ata me historinë.
Në laboratorin edukativ të ngritur në mjediset e Kalasë së Shkodrës, të vegjlit u njohën me sekretet e profesionit të arkeologut, mjetet e punës të rëndësishme për zbulimin e artefakteve nga nëntoka, fazat e punës që kalon artifakti, si pastrimi, larja e qeramikës, sitja e dheut për gjetjet e vogla dhe metodologjinë e dokumentimit të këtyre gjetjeve mbi të cilat u punua në praktikë.
Përmes një sondazhi të improvizuar arkeologjik, të vegjlit përjetuan emocionin e “zbulimit” gjatë gërmimit arkeologjik./atsh/ KultPlus.com
Libri i Robert Elsie, “Bektashinjtë shqiptarë. Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”, i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare.
Seksioni i parë është përmbledhje e historisë dhe e kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben si hyrje në lëndën, për të cilën shpresohet të jetë mjaftueshëm e përgjithshme për lexuesin mesatar, por që të përmbajë po ashtu detaje të mjaftueshme për të përmbushur edhe kërkesat e lexuesit jo mesatar.
Ky pasohet nga një seksion më i gjatë që paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar.
Këtu janë të përfshirë artikuj shumë të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme.
Seksioni i tretë ofron një katalog të gjerë të teqeve (manastireve) kryesore dhe tyrbeve (faltoreve) të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë, aty ku është e mundur.
Katalogu nuk është aspak shterues, pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre.
Lexuesi do të lexojë se për disa teqe në këtë katalog, lënda është relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa për shumë të tjera ka boshllëqe. E tillë është gjendja e studimeve bektashiane për momentin.
Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë.
Korpusi kryesor i librit përmban edhe një fjalor të termave dhe një bibliografi, për t’i mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtejshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron./ atsh/ KultPlus.com
Nisi mbrëmë në Tiranë, edicioni i 22-të i “Tirana International Film Festival” (TIFF). Mbi 200 prodhime të kinematografisë shqiptare e ndërkombëtare do të shfaqen në këtë festival, deri më datën 28 shtator.
TIFF është kthyer tashmë në një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend. Filmat e përzgjedhur prej organizatorëve do të shfaqen në disa lokacione: Kinema Millennium, Qendra e Artit Agimi, Salla “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik dhe Kinema “Maks Velo”, në të cilat studentët do të mund të përfitojnë një ulje prej 75% nga çmimi i biletës.
Pas një parakalimi të kineastëve në tapetin e kuq, nata e parë e festivalit u çel me filmin “Parthenope”, filmi i ri i regjisorit të mirënjohur Paolo Sorrentino, i cili pati në TIFF premierën ekskluzive.
Ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, filmat pjesëmarrës në garë janë ndarë sipas kategorive. Ndërsa premiera botërore e filmit “Kapedani” të restauruar në 4K do të shfaqet gjatë TIFF në kinema Millenium.
Ky edicioni i TIFF-it i bën homazh njërit prej aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Marcello Mastroianni-t, duke shfaqur disa filma në sesionin RetrospecTIFF.
Ashtu si edhe në edicionet e tjera, filmi më i mirë i shkurtër në “TIFF 2024” do të kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “TIFF” kanë të drejtë të konkurrojnë për çmimet Student Academy (SAA). Këtë vit, për herë të parë, do të ketë një juri speciale të formuar nga studentë të Universitetit të Arteve, të cilët përveç vlerësimit të filmave të zgjedhur në kompeticionin zyrtar do të jenë aktivë pas çdo seance./atsh/ KultPlus.com
Pianistja Melisa Ibrahimi është shpallur fituese e konkursit “Solist & Orchestra International Competition Brescia 2024” si dhe është përzgjedhur të performoj në orkestrën Liszt Piano Concerto nr. 1 në “Festivalin e Orkestrës Master”.
Lajmi është bërë i ditur me anë të një shkrimi në facebook nga pianistja Ibrahimi, ku edhe është shprehur se ndihet krenare për punën dhe sukseset e saj.
“Pas një jave intensive jam shumë i ngazëllyer për të arritur këtë sukses në karrierën time së bashku me Maestro Giuseppe Devastato. Faleminderit tij për punën e jashtëzakonshme intensive, kujdesin dhe motivimin para çdo performance!”, thuhet në shkrimin e pianistes Ibrahimi./ KultPlus.com
Më duket sikur jam në qiell Midis Perëndive, nëse pranë teje rri, dhe shikoj buzëqeshjen tënde të bukur, e ndjej fjalët e bukura dhe këngën dashurore! Mua zemra Dirthërueshëm në kraharor më hidhet: zëri më vdes, ndërkoh që unë të kundroj, gjuha ime ngjitet në qiellëz shuhet buzëqeshja. Gjarpëron flaka Brenda gjakut tim, kallem: një bubullimë e panjohur më kumbon në veshët, dhe ëndërroj: më pushton tejetej një hije tronditëse. Dhe më mbulon të tërën Djersa e ftohtë akull, dhe fytyra zbehet si bari që rritet, dridhem e fërgëlloj e rrënqethem, e nemitem e ngurosur.
(E përkthyer nga gjuha latine “Veni, vidi, vici” është shprehja që i atribuohet perandorit romak Jul Cezari, që e përdori këtë term për t’u mburrur në një farë mënyre me sukseset e tij ushtarake. Sipas legjendave historike, Cezari i tha këto tre fjalë si një mesazh drejtuar Romës për ta njoftuar për suksesin e tij në betejën e Zelas.)
2- Frikacakët vdesin shumë herë, përpara se t’u vijë vdekja e vërtetë
3- Eksperienca është mësuesja e të gjithë gjërave
4- Është më mirë të krijosh, se sa të mësosh. Krijimi është esenca e jetës
5- Nëse duhet të shkelësh ligjin, bëje për të marrë pushtetin; në të gjitha rastet e tjera, zbatoje ligjin
6- Më mirë të jesh i pari në një fshat, se sa i dyti në Romë
7- Si rregull, njerëzit shqetësohen më shumë për atë që nuk munden ta shohin, se sa për atë që munden ta shohin
8- Burrat janë pothuaj gjithmonë të gatshëm të besojnë atë që dëshirojnë
9- E dashuroj emrin me nder, më shumë nga sa kam frikë vdekjen
10- Në luftë, ngjarjet me rëndësi, janë pasojë e shkaqeve të papërfillshëm./KultPlus.com
Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epërme të luginës së lumit Shalë, afer fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj,Thethi dhe Vuksanaj. Popullata
Emri Shala paraqitet në gjuhën italiane në raportin kishtar të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli në Pied¬mont, më 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:
“Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.
Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli, ky truall quhet Scialia. Ai, në hartën e vitit 1821, të diplomatit francez Ygë Pukvill, paraqitet edhe si Scialia. Thuhet se ky term ka të bëjë me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pëlleshme dhe nuk është e thatë. Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjaku, të historisë dhe të stërgjyshit.
Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.2 Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.
Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në: “Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur“, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4000 banorësh,prej të cilëve 1000janë burra të armatosur.3 Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3000 banorë.4
Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje: “Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë. Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të yjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.“5
Tani në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në 4 klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujëmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç eshtë e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.
Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia
Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.
Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.
Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka. Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Të tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica, Gimaj dhe Thethi; këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura.12 Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive.13 Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas here e konsideronte vetën të pavarur.
Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit”./ KultPlus.com
Shprehjet e urta shqiptare, aq shumë i përdorim, saqë ndonjëherë i marrim si të mirëqena dhe jo frazeologji.
Në fakt, janë shumë praktike dhe domethënëse, përgjigjiet më të bukura dhe të shpejta që mund t’i jepen ndokujt, në rast se nuk doni ta fyeni apo t’i “bini shumë gjatë”…
Në vijim, kemi përmbledhur më të spikaturat fjalë të urta popullore shqiptare, që kanë të bëjnë më së shumti me “shëndetin dhe mençurinë dhe diturinë”… Për Shëndetin
Botën e komandon mbreti, mbretin e komandon shëndeti.
Më mirë shëndet, se mbret.
Mos t’u bëftë njëra dorë për tjetrën.
Nuk të thonë qysh ke qenë, por qysh je.
Gabimet e mjekëve i mbulon dheu.
Buka e mëngjesit është kali i ditës.
Darka e lehtë, gjumi i qetë. Mençuria, Dituria
Dy burra mund ta prishin kuvendin: njëri që di dhe nuk flet dhe tjetri që s’di dhe flet.
Nuk sheh syri, por mendja.
Thesi i zbrazët nuk qëndron më këmbë.
Kush njeh vetveten, njeh Perëndinë.
S’është marre të mos dish, por të mos duash të dish.
Shtatin pyell e mendjen fyell.
Dijet e mëdha janë në fjalë të shkurtra.
E mirë dhe fuqia, po ca më e mirë urtia.
I mençuri rrihet me fjalë dhe budalli me dru.
I zoti ia gjen kërthizën pleshtit.
Kokën të kesh, pa kapele ka sa të duash.
Kur mendtë shkojnë te maja e flokëve, punët zbresin te maja e këmbëve.
Kur u ndanë, aq i ranë.
Mos bëj petulla me ujë.
Nga leshi i qenit s’bëhen çorape.
Ngordhi një dhi në Velabisht, mbeti Berati pa dhallë.
S’të pyesin ç’bëre në kurbet, po ç’solle.
Kush pyet, s’humbet.
Libri është arma e të mençurit.
Shit kalin e mëso djalin.
Të zotit, s’ia ha qeni shkopin.
Ai është i tredhur, ti e pyet “sa fëmijë ke”?
Është me të dhënë, s’është me të thënë.
Sa të rrosh, do mësosh.
Stolia më e bukur për njeriun është dituria.
Mendja sheh, mendja dëgjon.
Dituria në rini bëhet flori në pleqëri.
Do mosha moshën, do mendja mendjen.
Mendja bën hata, mendja bën kala.
Mendo ngadalë e vepro shpejt.
I dituri të kupton sa të hapësh gojën.
Kur je mëdyshas, mos bëj asgjë!
Kur lodhet trupi, çlodhet mendja.
Atij që të kupton, foli shkurt.
Kur zihen dy vetë, fiton i treti.
Kur e dija unë këtë, ti i bije maces me lugë.
Shite diturinë me pakicë, blije me shumicë.
Kush pranon këshilla është më i mençur se ai që i jep.
Libri është fara dhe njeriu është ara.
Kush nuk di e të mëson, të dëmton.
Kush nuk lexon, edhe atë ç’ka di, e harron.
Ç’ke në xhep, t’i marrin hop; ç’ke në tru, s’ti marrin dot.
Më mirë të dish, sesa të kesh; po më mirë hem të dish, hem të kesh.
Nuk dinte lopa ç’ishte bishti, po e mësoi kur ia prenë.
Fjalën ta marrë i pari i madhi, ujin ta pijë i pari i vogli.
I thanë kovaçit “të bëjmë mbret”, po tha: “Dua edhe kudhrën”.
Kush qortohet i vogël, lavdërohet i madh./KultPlus.com