Pianistja Alberta Troni përzgjedhet anëtare e jurisë në ‘International Malta Festival Piano Competition 2024’

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Arteve, Alberta Troni, është përzgjedhur Anëtare e Bordit të Jurisë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos “International Malta Festival Piano Competition 2024”.

Përveç profesoreshës universitare Troni, juria e kësaj gare internacionale përbëhet nga antarë të shteteve të ndryshme botërore.

“International Malta Festival Piano Competition” do të mbahet më 22-29 gusht në Maltë./KultPlus.com

Lola Gjoa, pianistja e parë shqiptare dhe një figurë shumëdimensionale

Më 22 maj të vitit 1910, në Sevastopol të Rusisë në një familje emigrantësh shqiptarë me origjinë nga Korça, lindi Lola Gjoka, pianistja e parë shqiptare, shkruan KultPlus.

Gjoka kishte marrë çmimin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore.

Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor shqiptar, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj.

Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”.

Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978.

Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes. Vdiq më 6 tetor të vitit 1985 në Tiranë. / KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi kualifikohet në finalen e garës ‘International Music Competition Dinu Lipatti’ në Itali

Pas tre etapave intensive të interpretimit, pianistja Melisa Ibrahimi ka arritur të kualifikohet në finalen e garës “International Music Competition Dinu Lipatti” 2023, një ndër garat më të rëndësishme në Itali, shkruan KultPlus.

Pianistja Ibrahimi pas kësaj paraqitje të suksesshme, është shpalluar fituese e çmimeve:

•Vendit të I-rë në seksionin e Pianos
•Çmimit Absolut,
•Finaliste,
•Fituese e Vendit te III-të Absolut në Finalen e komplet garës “International Music Competition Dinu Lipatti”.

Përmes një postimi në facebook, Ibrahimi ka falënderuar profesoreshën e saj Alberta Troni, për mbështetjen e vazhdueshme e cila ka mundësuar të fitoj këto çmime.

“Profesoreshes sime Alberta Troni i jam falenderuese perhere per mbeshtetjen e vazhdueshme, mundin dhe punen e madhe! Faleminderit jurise per vleresimin!”, ka thënë Ibrahimi/KultPlus.com

Pianistja e re e verbër emocionon në Koncertin e Kurorëzimit

Mes performancave të shumta, në Koncertin e Kurorëzimit, një interpretim emocionues, dha një pianiste e re, e verbër.

Lucy Illingworth luajti një interpretim emocionues të Bach Prelude në C Major, të cilin Mbreti dhe Mbretëresha u panë të dy duke duartrokitur, përcjell klankosova.tv.

Së fundmi në muajin mars Lucy, fitoi në shfaqjen e Channel 4, The Piano.

Ajo ka punuar me The Amber Trust – një bamirësi e afërt me mbretëreshën Camilla.

Si pjesë e skemës, bamirësia ka financuar mësimet e pianos që ajo merr me mësuesin e saj, Danielin./KultPlus.com

Çeku pret në takim Badivukun, pianistja që performoi në sallën prestigjioze në ‘Carnegie Hall’

Pianistja nga Kosova, Adea Badivuku, është mirëpritur në takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.

Badivuku bëri të ditur këtë gjë përmes një postimi në “Facebook”, duke falënderuan Çekun për pritjen e ngrohtë, siç thotë ajo.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Faleminderit shume Ministrit te Kultures, Rinise dhe Sportit se Kosoves z.Hajrullah Çeku per pritjen e ngrohte sot! Ndihem shume e lumtur per mundesine e diskutimit te arritjeve dhe sukseseve te mia ne performancen pianistike ne SHBA e mbi te gjitha per mbeshtetjen e iniciativave, projekteve dhe artisteve te rinje!”

“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor”, kishte deklaruar Badivuku më herët për KultPlus.

Ky është vetëm njëri prej disa sukseseve të shumta që Kosova ka arritur në vitet e fundit përmes pianistëve të ndryshëm. /KultPlus.com

Ministri Çeku takoi përfaqësuesit e garës ‘Pianisti i ri’, diskutohet për edicionin e 15-të

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka pritur në takim përfaqësuesit e garës ndërkombëtare të pianos “Pianisti i ri”, drejtuesen Vlora Baruti si dhe fituesit e viteve të kaluara, pianistët Anila Aliu, Erita Qafleshi, Bimi Milla, Dea Bajrami.

Bashkë diskutuan për organizimin e kësaj gare tashmë tradicionale, rëndësinë që ka në zbulimin dhe ngritjen e talentëve të rinj në piano.

Gjithashtu për përgaditjet që po bëhen për edicionin e 15-të, që do të mbahet këtë vit.

Çeku i përgëzoi për punën e tyre të deritanishme dhe angazhimin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe profilizimin e pianistëve premtues. /KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Anila Aliu

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell në vazhdim pianisten Anila Aliu, e cila ka marrë pjesë në disa prej skenave më prestigjioze në vitin e fundit, duke arritur kështu suksese madhështore.

Aliu, ka fituar çmimin e parë në garat ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards”, ku performoi në një ndër sallat prestigjioze në botë, “Carnegie Hall”, në New York. Ajo gjithashtu ishte edhe fituese e çmimit “Grand Award” në Bangkok, duke vendosur Kosovën në arenat e njohura kombëtare. /KultPlus.com

Sukses i madh i Adea Badivukut, pas çmimit në New York performon në skenën ‘Carnegie Hall’

Pianistja shqiptare, Adea Badivuku, ka performuar në skenën prestigjioze Carnegie Hall, pas triumfit me çmimin e parë në muzikën klasike në New York këtë vit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Badivuku ka thënë se muzika është kudo në botë, por Carnegie Hall rrit muzikën.

“Të kem shansin që të performoj në këtë skenë prestigjioze është një ëndërr e bërë realitet”, ka shkruar ajo.

Tutje, Badivuku ka falënderuar të gjithë mbështetësit e saj që e kanë bërë të mundur rrugëtimin deri tani dhe të gjithëve për mesazhet e mira.

Gjatë këtë viti, pianisja shqiptare ka fituar çmimin e parë në garën ndërkombëtare “Golden Classical Music Awards” në New York. /KultPlus.com

May be an image of 1 person, standing and brick wall

Pas suksesit në skenat botërore, pianistja Anila Aliu viziton Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Çeku priti në takim pianisten Anila Aliu dhe Prof. Valbona Pula Petrovci, përcjell KultPlus.

Ato zhvilluan një takim me Ministrin z. Çeku dhe këshilltarin i tij z.Liburn Jupolli ku diskutuan për sfidat që kanë të rinjtë e vendit në këtë fushë, ndërsa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u siguruan që një prej prioriteteve do të jetë mbështetja dhe promovimi i të rinjve, që janë aset shumë i rëndësishëm i vendit.

Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Së fundi ajo mori çmimin “Grand Award” në Garën Ndërkombëtare të Pianos në Bangkok. / KultPlus.com

Pianistja franceze do të publikojë albumin e saj të gjashtë në moshën 106-vjeçare

Pianistja Colette Maze është 106-vjeçare dhe së shpejti do të publikojë një album të ri.

Siç e pranoi vetë kjo artiste nga Parisi në një intervistë, ajo filloi të luante piano në moshën katër vjeç, në mënyrë që të gjente strehë në botën e krijimtarisë nga prindërit e rreptë.

Ajo më së shumti kënaqet duke luajtur kompozime nga Schumann, Chopin dhe Debussy dhe ajo i tha Reuters se “muzika është ushqimi i saj, për shpirtin, por edhe për zemrën”.

“Nëse ndaloj së luajturi, do të duhet të gjej një mënyrë tjetër për të kënaqur imagjinatën time. Ndoshta dikush ka nevojë për ëmbëlsira, por unë kam nevojë për një piano – gishtat e mi duhet të ndiejnë çelësat,” tha ajo.

Nga rruga, albumi i saj i gjashtë është regjistruar tashmë, por për shkak të pandemisë, ai nuk është publikuar ende./ KultPlus.com

Anila Aliu, rrugëtimi i pianistes nga Kosova drejt skenave më prestigjioze në botë

Xhemile Hysenaj

Talenti i saj në njërin nga artet më të bukura, atë të muzikës, u hetua qysh kur ishte fëmijë. Ishte vetëm 8 vjeçe kur për herë të parë filloi të merrej me piano. Bëhet fjalë për Anila Aliun, vajza nga Gjilani që edhe pse në një moshë të re, ka arritur të jetë pjesëmarrëse edhe në skena të njohura ndërkombëtare. Në një intervistë për KultPlus, Aliu ka shpalosur më detajisht për rrugëtimin e saj i cili edhe pse mjaft i suksesshëm, për të është vetëm fillimi i një karriere me potencial të madh.

Ishte gara ‘Pianisti i Ri’ ajo e cila Anila Aliut i hapi dyert për të parën herë drejt skenave ndërkombëtare. ‘Nuk ka rëndësi se ku jetojmë, arritja e suksesit bëhet vetëm me vendosshmëri, punë, vullnet, diciplinë e sakrifica të shumëta. Por janë vullneti dhe dashuria e madhe dy gjerat kryesore, të cilat arrijnë të mposhtin çdo pengesë që e hasim gjatë rrugëtimit në ndërtimin e çfarëdo karriere’, thekson Aliu për KultPlus.

Gara internacione në Itali, 2010

Anila tregon se nevoja për ndihmë dhe përkrahje ka qenë dhe vazhdon të jetë e domosdoshme në karrierën e saj prej pianisteje, pasi siç shprehet ajo, ky është një profesion tejet i kushtueshëm.

‘Ne e dijmë se në çfarë kushte ështe shteti jonë dhe përballja me sfidat e ndryshme është gjithmonë e pranishme, duke filluar nga mungesa e një salle koncentrale, mungesa e pianove, vendeve e hapësriave. Mirëpo, krahas të gjitha këtyre vështirësive, përkrahja e familjes, shoqërisë, shkollës së Muzikës në Gjilan dhe disa institucioneve përkatëse, nuk më ka munguar’, deklaron tutje Aliu.

Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara, masterklase e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Ndër çmimet më të rëndësishme që ajo ka fituar ka qenë ‘Solist-interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovën’, çmimi në pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë, ku Kosova rangohet së bashku me Rusinë dhe Estoninë si tri shtetet finaliste. Çmimi ‘Solist me Orkestrën Ballkanike’ në Itali, ‘Pjesëmarrje në Masterklase pianistike në Luksembug’, ‘Çmimi Special’ në Chopin Piano Fest’, ‘Çmimi Special’ në San Dona di Pave’ në Venecia të Italisë si dhe ‘Çmimi i parë’ dhe ftesa për performancë në ‘Carneige Hall’ në New York.

Ndërkaq, ndër koncertet më të rëndësishme ku Anila Aliu ka marrë pjesë, kanë qenë Koncerti me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncertet me Orkestrën Ballkanike të realizuara në Forli dhe Santa Sofia të Italisë në vitin 2017, Koncerti Solistik për një grup artistësh nga Singapori në vitin 2018, Koncerti Recital në Prishtinë poashtu në vitin 2018, Koncerti Recital në Bonn të Gjermanië në vitin 2019, performancat në shtëpinë e kompozitorëve gjerman si Beethoven dhe Robert Schumann si dhe koncertet në Aachen dhe Königswinter të Gjermanisë në vitin 2020.

Koncerti me Filharmoninë e Kosovës

‘Muzika është diçka që ka jetuar gjithmonë në mua, diçka pa të cilën nuk mund të jetoj. Performimi në skenë, komunikimi përmes muzikës duke shprehur ndjenjat që i përjetoj vetëm me anë të notave, është diçka tejet e veçantë që më bën jashtëzakonisht të lumtur. Ndjej se qysh fëmijë kam qenë e destinuar për të ndjekur rrugën e pianistes. Pas çdo performance mezi prisja atë të radhës dhe kështu e kuptova që nuk jetoja dot pa këtë art’, potencon Aliu.

Dihet se muzika klasike në vendin tonë, pati zhvillim të vonshëm krahas shteteve tjera. Mirëpo, sipas Anilës, falë festivaleve dhe artistëve të ndryshëm që përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë vendit, muzika klasike ka filluar të zë një vend të veçantë edhe tek ne. ‘Muzika klasike është një tregues i madh i zhvillimit të kulturës së një shteti dhe dëshirë e imja është që të kem një rol në ngritjen e saj kudo në botë’, vazhdon tutje Aliu.

Anila është shumë entuziaste si karakter dhe ajo çfarë spikatet më shumë në personalitetin e saj është dashuria e pafundme për të mësuar dhe për t’i bërë ballë të gjitha sfidave që vijnë me këtë profesion. Ajo tregon për KultPlus se ndjen kënaqësi të madhe jo vetëm tek rezultati dhe çmimet që fiton por edhe tek vetë procesi që e shpie deri atje. Falë pasionit dhe ambicieve të mëdha që ajo ka, puna e saj në piano nuk është ndalur asnjëherë. Edhe pas sukseseve të mëdha, Anila, taman si një artiste e vërtetë, nuk është kurrë plotësisht e kënaqur, ajo kërkon gjithmonë diçka më shumë nga vetja.

Ndër qëllimet e saj kryesore, siç tregon ajo, është që të arrij ta prezantojë Kosovën në Evropë dhe më gjerë. Ajo me një këmbëngulje të madhe aspiron në ngirjten e vetëdijësimit për rolin e muzikës klasike në vendin tonë. ‘Një ndër qëllimet e mija është edhe ngritja në skenat prestigjioze botërore e kjo dalëngadalë po realikzohet. Së fundi kam arritur që të koncertoj në një ndër sallat më të rëndëishme të muzikës klasike, në atë të ‘Carnegie Hall’ në New York’, potencon Aliu për KultPlus.

Ndër performancat më të rëndëishme për Anilën, mbeten ajo me Filharmoninë e Kosovës në vitin 2012, koncert ky i realizuar kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe dhe Koncerti Recital në Bonn të Gjermanisë në vitin 2012, një koncert ky që rezultoi me një suksees të jashtëzakonshëm dhe kritika prej më të mirave nga gazetat e portalet e njohura gjermane. Pas këtij koncerti, Aliu u ftua edhe për shumë peformanca të tjera në shtetin gjerman, performanca këto që pritet të organizohen në një të ardhme të afërt.

‘Prindërit e mi kanë qenë ata që kanë pasur ndikimin më të madh tek unë. Ama më mësuan të përkushtohem e tëra në karrierën time si pianiste: me kohë, talent dhe mbi të gjitha me dashuri. Mirënjohëse jam edhe ndaj të gjithë profesorëve të mi, si ata kosovarë poashtu edhe ata evropianë të cilët më rritën dhe formësuan profesionalisht. Në veçanti mësuesi im Visar Osmani me të cilin punova për tetë vite radhazi dhe me profesoreshën time në klasën e të cilës po studioj aktualisht, Valbona Pula Petrovci’, përfundon Anila, e cila nuk harron kurrë njerëzit që ndikuan dhe e përkrahën atë në zhvillimin e saj si pianiste. / KultPlus.com