“SPÄTWERK” nga Dren Maliqi, një reflektim mbi dy dekada arti

Flonja Haxhaj

Të enjten, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘SPÄTWERK’ e artistit Dren Maliqi, ekspozitë kjo që sjell një përmbledhje të veprave të krijuara gjatë dy dekadave të fundit, nga viti 2003 deri në vitin 2023.

Kuruar nga Catherine Nichols, kjo ekspozitë është një udhëtim përmes punëve të ndryshme artistike, që përfshijnë fotografi, video, piktura, instalacione, postera dhe projekte pjesëmarrëse, duke ofruar një reflektim të thellë mbi tensionin mes mendimit dhe veprimit që karakterizon krijimtarinë e Maliqit.

Veprat e Maliqit ekspozohen në një rrjedhë të vazhdueshme në katin e parë të galerisë, ku veprat e hershme ndërthuren me ato më të rejat, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së tashmes. Ky përzierje kohore ofron një perspektivë të re mbi temat historike, sociale, kulturore dhe politike, duke vënë në pikëpyetje natyrën e artit bashkëkohor dhe rolin e tij në botën moderne.

Artisti Dren Maliqi, tha në hapje të ekspozitës se këto vepra paraqesin punën e tij 20-vjeçare dhe se çfarë flasin ato edhe në ditët e sotme.

“Me Catherine jam njoftuar gjatë periudhës së Manifestës. Kemi punuar për një vit dhe ka vazhduar kontaktin deri sa vitin e kaluar unë i kam propozuar dhe ajo më ka shtyer që të bëj këtë ekspozitë. Ekspozita titullohet ‘Punë të vonshme’ , jemi munduar që të paraqesim një punë të 20 viteve të fundit dhe me i rishiku sot çfarë flasim ato”, tha Maliqi për KultPlus.

Kuratorja e ekspozitës, Catherine Nichols, tha për KultPlus se u takua për herë të parë me Dren Maliqin tek ‘Manifesta’ dhe që atëherë filluan të flisnin për artin dhe aty ishte edhe zanafilla e këtij bashkëpunimi.

“Ne filluam të flasim tre vite më parë kur unë fillova të punoj tek ‘Manifesta’. Ne filluam të flasim rreth artit dhe unë zbulova sa në mënyrë inteligjente ai fliste për artin dhe historinë e artit. Ne folëm dhe më pas Dreni vendosi  që të bëjë një ekspozitë për t’u kthyer pas në veprat e tij të mëhershme dhe në veprat e fundit gjithashtu” theksoi Nichols.

Ndërkaq, ‘SPÄTWERK’ do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 30 tetor 2024./KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton ‘Vatrën’ në ShBA: Promovoi identitetin tonë kombëtar dhe kauzën për liri

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vizituar Federatën Pan Shqiptare “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Osmani tha se e themeluar nga Noli e Konica, “Vatra” u bë vatër e shqiptarëve të ShBA-së.

“Në kohët më të vështira për popullin shqiptar, “Vatra” ishte pikë referimi për shqiptarët e Amerikës, duke mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar dhe kauzën për liri, pavarësi e demokraci”, shkroi Osmani.

Tutje, ajo u shpreh e nderuar me vizitën në “Vatra” dhe anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Amerikë.

Shqipëria, 14 milionë turistë! Ky sektor po përjeton ditët më të mira, por duhen investime për të ruajtur ritmin

Shqipëria po përjeton ditët më të mira të turizmit me fokus tek deti dhe rëra.

Ky vit parashikohet të mbyllet me gati 14 milionë turistë që vizitojnë vendin tonë.

Por një shprehje thotë: ‘Është e vështirë ta arrish një gjë, por akoma më e vështirë për ta mbajtur atë’. Çfarë duhet bërë që ky ‘boom’ turistik të ketë vazhdimësi.

Me çdo kusht ne duhet të dimë të jemi të veçantë në ofertën tonë. Duhet të konkurrojmë me atë të cilën e kemi speciale, autentike. Ne nuk i konkurrojmë dot shtetet e tjera, konkurrentët tanë të fuqishëm si Greqia, Italia e Jugut, Mali I Zi, Kroacia etj, me oferta klasike.

Ne duhet të promovojmë dhe të japim oferta bazuar mbi vlerat tona të veçanta, ku turizmi i brendshëm mendoj se duhet të jetë kryesori. Me këtë I referohem gatimeve, zonave të paprekura që sot nuk I kanë konkurrentët tanë, pra Shqipëria e brendshme si të thuash, dhe njëkohësisht edhe Shqipëria bregdetare që natyrisht është shtyllë.

Ato teoritë për të zhdukur plazhet publike duhet të bjenë poshtë, pasi nuk bëhet në asnjë nga këto vendet e tjera. Ne duhet të marrim masa drastike për përpunimin e ujërave të zeza, mosderdhjen e tyre në lumenj, liqene dhe dete, të menaxhojmë mbetjet e ngurta, dhe të vazhdojmë me investimet në rrjetin tonë rrugor të brendshëm“-shprehet Gjergj Buxhuku, Administrator i Konfindustria-s.

Top Channel/ KultPlus.com

“Martesa” e Gombrowicz në skenën e Teatrit Kombëtar, një kthim në botën e absurditetit dhe traumës

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u shfaq premiera e dramës “Martesa” e autorit Witold Gombrowicz, e sjellë në skenë nga regjisori Norbert Rakowski. Kjo vepër e njohur e letërsisë dramatike polake të shekullit XX është një rrëfim mbi përditshmërinë, një studim i thellë dhe i çuditshëm mbi njeriun dhe jetën e tij të zhytur në ëndërr dhe absurditet, shkruan KultPlus.

Në qendër të dramës qëndron protagonisti, Henri (Armend Smajli), i cili kthehet nga lufta në një realitet të ndryshuar dhe të panjohur për të. Kjo botë e ndryshuar është një metaforë për kthimin në një vend të prekur nga lufta dhe konfliktet shoqërore e politike, duke u bërë një alegori për shoqëritë post-konfliktuale që përpiqen të rindërtojnë vlerat dhe marrëdhëniet njerëzore. Motivi kryesor i veprës përqendrohet në pyetjen nëse është e mundur të rindërtohet një rend i ri moral dhe social pas një konflikti shkatërrimtar.

Akti i martesës në këtë dramë nuk erdhi si një simbol tradicional i bashkimit dhe dashurisë, por si një pakt midis personazheve, që përfaqësojnë vizione dhe pritshmëri të kundërta për të ardhmen.

Me lëvizje e kthesa të papritura, aktorët Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi sollën në skenë një interpretim të fuqishëm të kësaj drame komplekse. Performanca e tyre u dha jetë karaktereve të përplasuara me krizën e identitetit dhe kërkimin për dinjitet në një botë që është thellësisht e deformuar nga trauma e së kaluarës.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Norbert Rakoëski, i cili vlerësoi punën me aktorët e Teatrit kombëtar të Kosovës.

“Unë kam një eksperiencë 30-vjeçare si regjisor, kjo nënkupton që për mua të gjithë aktorët kudo në botë janë të njëjtë, të gjithë duan që të aktrojnë në mënyrën e tyre më të mirë, prandaj edhe ëstë e rëndësishme që të zgjedhim aktorët e duhur për rolet e caktuara, pra kasta është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte shumë i mirë, ajo që më befasoi më së shumti ishte seata punuan me një tekst të vështirë siç është ai i Gombroëicz që është një autor i panjohur për Kosovën.”, tha Rakoëski duke shtuar më tutje se me përpjekjen e të gjithëve arritën të nxjerrin një rezultat me të cilin të gjithë janë të kënaqur.

Ndërkaq, pas shfaqjes foli edhe aktori Armend Smajli, i cili në shfaqje u paraqit me rolin kryesor.

“Shfaqja është një absurditet, një teatër, një darmaturgji klasike. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Një djalë i ri që kthehet prej luftës edhe ne nuk e dijmë çka ka ndodhur me të para se të shkojë në luftë dhe nuk e dijme kur kthehet, çka ka ndodhur me familjen dhe ish të fejuarën e tij. Është në kërkim të diçkaje, është në kërkim të riparimit të jetës që e ka pasur. Shfaqja është shkruar pas luftës së dytë botërore dhe vazhdon të ketë shumë gjëra aktuale edhe për kohën e sotme”, theksoi Smajli i cili mes tjerash u shpreh i lumtur që kjo dramë u inskenua edhe në teatrin kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Martesa” do të vazhdojë të shfaqet edhe sonte, më 23 dhe 25 shtator./KultPlus.com

‘EA Festival’ në Durrës, Lea Ypi: Kultura e trojeve shqiptare, pikëtakim interesant midis lindjes dhe perëndimit

EA Festival, liri dhe transformim” vjen në Shqipëri përgjatë Javës Kulturore Britanike, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Një festival idesh kuruar nga Lea Ypi, profesore në Teori Politike në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, profesore Nderi në Filozofi në Universitetin Kombëtar Australian, autore e librit ‘Të Lirë’ përkthyer në 30 gjuhë të botës, vjen në Durrës e Tiranë më 21 dhe 22 shtator.

“Liri dhe Transformim” është një event dyditor kulturor që mbledh shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.

“Nuk ishte e vështirë pjesa logjistike për mua pasi janë personazhe që i kam takuar në Angli në takime letrare. Ajo që është pak më e vështirë, është pjesa emocionale sepse unë jam nga Durrësi. Dita e parë e festivalit është në Durrës. Është qyteti i lindjes, i shumë kujtimeve dhe të kthehesh pas kaq shumë vitesh me një aktivitet kulturor në një qytet ku edhe je rritur nga ana kulturore, kthimi ka qenë më i vështirë. Janë dy ditë me debate me tema të ndryshme. Ideja ishte të sillnim disa personazhe të njohur të fushave letrare, filozofike , të shkencave politike, të të drejtave të njeriut që diskutojnë për librat e publikuara kohët e fundit dhe ja sjellin publikut durrsak me shpresën që do jetë fillimi i një dialogu interesant midis lexuesve dhe këtyre personazhe të jetës britanike”, tha autorja Lea Ypi.

Ypi u shpreh se “Shqipëria ka marrë gjithnjë e më tepër vëmendjen e të huajve. E keni parë edhe nga shifrat e rritjes turistike. Për mua një vend njihet më mirë kur njihet kultura e një vendi. Kultura e trojeve shqiptare është një pikë takimi interesant midis lindjes dhe perëndimit, midis kulturës islame dhe kristjane. Them se edhe për ata që e vizitojnë Shqipërinë e njohin më mirë nëse e qasin përmes kulturës”.

“Disa nga autorët që janë pjesë e këtij festivali, janë autorë që kanë trajtuar tema që kanë lidhje me Ballkanin, Shqipërinë. Kjo është hera e parë që provuam që ta sjellim dhe në Shqipëri. Varet nga publiku, debatet”, tha autorja Lea Ypi.

EA Festival ka realizuar me sukses dy bienale të festivalit “EA Festival” mbi letërsinë dhe idetë, dhe “EA Sustain” një ngjarje për ambientin, kulturën dhe sipërmarrjen.

Që prej fillimit në 2021, EA Festival është kthyer në një nga festivalet elitare për sa i përket ideve në Anglinë Lindore. Tashmë dy festivalet paraprake janë të mirënjohura për mprehtësinë e folësve dhe në rastin e EA Festival për qasjen kuratoriale./atsh/ KultPlus.com

Tregim nga William Williams: Përdorimi i forsës

William Carlos Williams (1883 – 1963), poet dh eprozator amerikan, i afërt me lëvizjet letrare të modernizmit dhe imazhizmit

PËRDORIMI I FORCËS

Nga William Carlos Williams

Ata nuk kishin qenë kurrë pacientë të mi, krejt çka dija ishte emri, Olson. Ju lutemi, ejani poshtë sa më shpejt që të mundeni, vajza ime është shumë e sëmurë.

Kur mbërrita më doli përpara nëna, një grua e madhe e tromkasur, bukur e pastër dhe e përulur, e cila tha prerazi, A jeni ju doktori? dhe më la të hyja brenda. Mbrapa, shtoi ajo. Duhet të na falni, doktor, po e mbajmë në kuzhinë ku është më nxehtë. Ka shumë lagështi këtu nganjëherë.

Fëmija ishte veshur trashë dhe i ati po e mbante në prehër afër tavolinës së kuzhinës. Ai u përpoq të ngrihej, por unë i bëra me kokë të mos e merrte mundin, e hoqa pallton dhe hodha një shikim përreth. Munda të shihja se të gjithë ishin goxha nervozë, duke më parë nga lart poshtë gjithë mosbesim. Siç bën vaki zakonisht në raste të tilla, nuk po më thoshin më shumë se sa që duhej, më përkiste mua ta thosha timen; ja pse ato po harxhonin tre dollarë.

Fëmija po më përpinte me sytë e saj të palëkundur të ftohtë dhe nuk kishte kurrfarë shprehjeje në fytyrë. Ajo nuk lëvizi fare dhe dukej, nga brenda, e qetë; një krijesë e vockël jashtëzakonisht tërheqëse dhe në dukje e fortë si mëshqerrë. Por fytyra e saj ishte e skuqur, po merrte frymë me shpejtësi dhe i rashë në të se kishte temperaturë të lartë. Kishte flokë të verdha të mrekullueshme me bollek. Një nga ato fotografitë e fëmijëve që zakonisht reprodukohen në trakte parlajmëruese dhe në seksionet e fotogravurave në gazetat e së dieles.

Ajo ishte me ethe që prej tre ditësh, mori të thoshte babai i saj dhe nuk e dimë prej nga e ka. Gruaja ime i ka dhënë ca gjëra, e dini edhe ju vetë, siç bëjnë njerëzia, por s’i kanë bërë asnjë të mirë. Dhe ka pasur një mori sëmundjesh këtej rrotull. Kështu që menduam se më ishte më mirë t’ia hidhnit një sy ju dhe të na thoni si është puna.

Siç bëjnë rëndom doktorët bëra një provë të vogël si pikënisje. A mos e ka fytin të gërrithur?

Të dy prindërit u përgjigjen njëherësh. Jo… Jo, ajo tha se nuk ka dhimbje fyti.

A po të dhemb fyti?, pyeti prapë mamaja fëmijën. Por shprehja e vajzës së vogël nuk ndryshoi as nuk i lëvizi sytë nga fytyra ime.

A ia keni shikuar?

Jam përpjekur, tha nëna, por s’mund të shihja gjë.

Siç është e kuptueshme, ne kemi pasur një mori rastesh të difterisë në shkollën në të cilën kishte shkuar ky fëmijë gjatë këtij muaji dhe të gjithë ne, bukur haptazi, po e vrisnim mendjen për këtë, sado që askush ende nuk e kishte thënë asnjë fjalë.

Mirë, thashë, hajt t’i hedhim një sy fytit së pari. Buzëqesha në mënyrën time më profesionale dhe duke pyetur për emrin e parë të fëmijës thashë, hajde de, Mathilda, hape gojën dhe lërmë të shoh fytin tënd.

Punë që s’bëhej.

Au, hajde de, e lajkatova, veç hape gojën krejt dhe lërmë t’i hedh një sy. Shiko, thashë duke i hapur plotësisht të dy duart, nuk kam asgjë në duar. Veç hape dhe lërmë të shikoj.

Sa njeri i mirë, na ndërpreu nëna. Shiko sa i këndshëm është me ty. Hajde, bëj siç të thotë. Ai nuk do të të lendojë.

Këtu unë i kërcëllita dhëmbët me neveri. Sikur të mos e kishin përdorur fjalën “lendim”, do të kisha qenë në gjendje të mbërrija diku. Po nuk mund të lija veten të nxitohesha ose bezdisesha dhe, duke folur ngadalë, u mora përsëri me fëmijën.

Teksa e avita karrigen time pakëz më afër papritur, me një lëvizje si prej maceje, të dy duart e saj instinktivisht u zgjatën drejt syve të mi dhe pothuajse sa s’më kapi. Në të vërtetë i preku syzet e mia fluturimthi dhe ato ranë poshtë, megjithëse nuk u thyen, disa këmbë larg meje në dyshemenë e kuzhinës.

Nëna dhe babai, që të dy, u sprapsën të zënë në siklet dhe kërkuan falje. Ti moj vajzë e ligë, tha nëna, duke e kapur për dore dhe shkundur. Shiko çka bëre. Njeriut të këndshëm.

Për atë zot, iu ktheva. Mos më quaj njeri të këndshëm para saj. Unë jam këtu të shikoj fytin e saj se mos ka difeteri dhe kështu të vdesë prej saj. Por s’ka asgjë të tillë. Shiko këtu, i thashë fëmijës, do të ta shikojmë fytin. Ti je mjaft e rritur që të kuptosh se çka po të them. A do ta hapësh gojën tash vetë, apo do të ta hapim ne?

Asnjë lëvizje. Madje as çehrja s’i kishte ndryshuar. Frymëmarrja e saj megjithatë po bëhej gjithnjë e më rëndë. Dhe prapë përleshja. Më duhej ta bëja. Më duhej të kisha një mostër fyti për mbrojtjen e saj. Por së pari u thashë prindërve se kjo varej plotësisht prej tyre. Ua shpjegova rrezikun, por thashë se nuk do të këmbëngulja në ekzaminimin e fytit derisa të mos e merrnin përgjegjësinë.

Nëse nuk bën çfarë po të thotë doktori, atëherë do të të çojmë në spital, e paralajmëroi nëna rreptësisht.

Ashtu, ë? M’u desh të buzëqeshja me vete. Pas së gjithash, tashmë kisha rënë në dashuri me shejtanken e egër, ndërsa prindërit e saj ishin të përbuzshëm. Në përleshjen që vijoi ata u bënë seç herë e më të neveritshëm, të dërrmuar, të rraskapitur ndërkohë që ajo s’do mend arriti majat e mahnitshme të furisë së marrë të sforcimit të shkaktuar nga tmerri që ndiente prej meje.

Babai bëri më të mirën e tij dhe ai ishte një burrë i madh, por fakti se ajo ishte bija e tij, turpi i tij nga sjellja e saj dhe droja mos po e lëndonte, e bënë ta lëshonte atë pikërisht në kohën kur pothuajse kisha korrur sukses, për çka desha ta vrisja. Por droja e tij se po ashtu mund të kishte difteri e bëri të më thoshte të vazhdoja tutje, të vazhdoja tutje sado që ai vetë ishte duke u ligështuar, ndërsa nëna lëvizte para e mbrapa nesh duke i ngritur dhe ulur duart në një agoni lemerie.

Vendose para vetes në prehrin tënd, e urdhërova, dhe mbaje për kyçeve të duarve.

Por posa e bëri këtë, fëmija nxori një britmë. Mos, po më lëndon. Mos m’i prek duart. Lëri, po të them. Pastaj piskati tmerrësisht, histerikisht. Ndalu! Ndalu! Po më vret!

A mendon se mund ta përballojë, doktor! tha mamaja.

Ti dil jashtë, i tha i shoqi gruas së vet. A mos po dëshiron që kjo të vdesë nga difteria?

Hajde tash, mbaje, i thashë.

Atëherë e kapërtheva kokën e fëmijës me dorën time të majtë dhe u mundova të fusja shpatullen e drunjtë mes dhëmbëve të saj. Ajo luftoi, me dhëmbë të shtrënguar, dëshpërimisht! Po edhe unë tashmë isha tërbuar – ndaj atij fëmije. U mundova ta mbaja veten, por nuk munda. Di si të hap fytin për inspektim. Dhe bëra më të mirën. Kur më në fund vura shpatullën e drunjtë mbrapa dhëmbëve të fundit dhe futa vetëm majën e saj në zgavrën e gojës, ajo e hapi për një çast, por para se unë të mund të shihja ndonjë gjë ajo e mbylli prapë, e shtrëngoi tehun e drunjtë mes dhëmballave të saj dhe e bëri cifla-cifla para se unë të mund ta nxirrja.

A nuk po të vjen marre, iu sul e ëma e saj. Si nuk po të vjen marre të sillesh ashtu para doktorit?

Ma sill një lug të lëmuar me bisht a diçka të tillë, i thashë së ëmës. S’do të ndalemi me kaq. Goja e fëmijës tashmë ishte duke nxjerrë gjak. Gjuha e saj ishte prerë dhe ajo po bërtiste me piskama të egra histerike. Me gjasë duhej të isha ndalur dhe të kthehesha pas një ore a më vonë. S’do mend se do të kishte me qenë më mirë. Por unë i kam parë të paktën dy fëmijë të dergjur të vdekur në shtrat nga neglizhenca në raste të tilla dhe duke e ndier se mund të gjeja një diagnozë tash ose kurrë më bëri të vazhdoja tutje. Po më e keqja qe se edhe unë e kisha humbur arsyen. Mund ta kisha bëra copa gjatë tërbimit tim dhe ta kisha shijuar. Ishte kënaqësi t’i sulesha. Fytyra im po më digjej nga dëshira.

Shejtanka e vockël e mallkuar duhej të mbrohej nga idiotësia e saj, themi në momente të tilla. Të tjerët duhet të mbrohen prej saj. Është nevojë shoqërore. Dhe të gjitha këto gjëra janë të vërteta. Por agjentët janë një tërbim i verbër, një ndjesi e turpit të të rriturit, të lindur nga një dëshirë e zjarrtë për çlirim muskulor. S’ka të ndalur pastaj.

Në mësymjen e mbrame të paarsyeshme e mbërtheva fort qafën dhe nofullën e vajzës. E shtyva fort lugën e rëndë të argjentë mbrapa dhëmbëve të saj teposhtë fytit derisa e mbylli gojën. Dhe ja ku ishte – të dy bajamet e mbuluara nga membrana. Ajo kishte luftuar trimërisht të më zbonte të mos e zbuloja sekretin e saj. Ajo e kishte fshehur këtë fyt të lënduar për tri ditë të paktën dhe i kishte gënjyer prindërit e vet me qëllim që thjesht t’i shpëtonte një rezultati si ky.

Tash ajo ishte përnjëmend e tërbuar. Kishte qenë në mbrojtje deri tash, por tash ishte vënë në sulm. U mundua të shkëputej nga prehri i të atit dhe të fluturonte drejt meje ndërkohë që lotët e disfatës po ia vishnin sytë.

/Marrë nga Norton Anthology of Short Stories, W.W. Norton & Company, 1987/Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Shqipëria, dëshmi se bashkëjetesa është e mundur’, mesazhi 10 vite më parë i Papa Françeskut nga Tirana

Papa Françesku më 21 shtator 2014 vizitoi Tiranën si vendin e parë evropian.

Ati i Shenjtë përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët.

Në 21 shtatori të vitit 2014, Papa Françesku vendosi të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.

Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.

Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.

Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve. Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Shqipëria – tha Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”.

10-vjetori i vizitës së Papës Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014 u përkujtua edhe në takimin Mesdhetar “Med24”, i cili u mbajt në Tiranë nga 15  deri më 21 shtator.

Në një klimë entuziazmi rinor dhe bashkimi kishtar, u përkujtua 10 vjetori i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, ku njëkohësisht po zhvillohet edhe takimi Mesdhetarë, Med.24, Mesha e shenjtë u kremtua nga Kardinali E.T. Kardinali Cristobal Lopez Romero. Kjo Meshë gjeti të bashkuar mbarë hierarkinë kishtare të vendit tonë dhe një numër të madh ipeshkvinjsh nga vende të ndryshme të Detit Mesdhe.

Në përshëndetjen e tij Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranë Durrësit, e cilësoi si historike dhe të bekuar ditën që Ati Shenjtë Françesku shkeli në tokën arbnore. Porositë e tij janë aktuale edhe sot nënvizoi Imzot Dodaj. Duke shprehur gëzimin e tij personal që dhjetë vite më vonë, Tirana pret një takim si ky i Med.24, ai pohoi se sot, më shumë së asnjëherë nga kjo Katedrale duhet të jehojë lutja por edhe impenjimi për paqe dhe vëllazëri.

Gjithçka mund të realizohet nga një brezni e prekur nga dashuria e Zotit theksoi Imzot Dodaj. Në homelinë e tij, Kardinali Cristobal Lopez Romero, duke folur për pasurinë e jashtëzakonshme të qytetërimeve të pranishme në Mesdhe, evidentoi pasurinë njerëzore që buron prej kësaj pranie. Para të rinjve të pranishëm, ai ofroi Marin si model për tu ndjekur dhe imituar në jetën njerëzore. Ajo është modeli i shërbimit, shpresës dhe mbretërisë së Zotit pohoi ai.

Në këtë dimension, pavarësisht diferencave të prejardhjes apo besimit, angazhimi në këto tre aspekte është e vetmja rrugë për një Mesdhe në paqe dhe një botë pa luftëra. Kështu që secili prej jush duhet të jetë pelegrin, dishepull dhe misionar i paqes, nën shembullin e Maris dritë e popujve, përfundoi Kardinali Cristobal Romero. Në përfundim të Meshës u zhvillua edhe një aktivitet artistko-kulturorë në përkujtim të kësaj dite, ku u shfaqen disa prej elementeve identitarë të kulturës tonë shqiptare.

Gjatë vizitë së tij, Papa Françesku u takua me krerët më të lartë të vendit./atsh/ KultPlus.com

‘A thu ti ke me u kthye, dhe prapë me qenë na të dy’ (VIDEO)

Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.

Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.

A thu asht ma lehtë pa dhimbje
A thu ma bukur pa lot
A thu ti ke me u kthye
Dhe prapë me qenë na të dy
A thu me është fati i tillë
A thu gjithmonë me vuajtje
A thue ti dot më kthehesh
Dhe prapë me qen na të dy

Çdo gjë kalon në jetë
Atëherë dhe dielli kur të lind
Mbas diellit prapë shi do t’ ketë
Kështu asht me të vërtetë

Ndoshta të tillë e kam fatin
Ndoshta gjithmonë me vuajtje
Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh
Edhe kjo ngjan në këtë jetë. / KultPlus.com

Najwan Darwish: Thashethemet

Najwan Darwish (1978), i lindur në Jerusalem, është poet palestinez, i konsideruar nga The New York Review of Books si njëri prej poetëve më të shquar bashkëkohorë arabë.

THESHETHEMET

Jam gati për thashethemet
që do të përhapen së shpejti
i gatshëm t‘i konfirmoj ato
Do të konfirmoj se thashethemet që thonë
se unë, në filan e filan mëngjesin
a në filan a filan natën
isha duke qarë, nga vendi më i thellë
brenda meje, për një hebre gjerman
i cili erdhi me familjen e tij – një familje
që e vodhi vendin në zotërimin tim
Sa i përket arsyes së lotëve të mi
do ta lë këtë në dorën e thashethemeve

(Marrë nga Najwan Darwish, “Nothing More to Lose”, New York Review Books, 2022)/ express/ KultPlus.com

Nesër nis festivali i teatrove ‘Gjakovart’

Nesër në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të nisë festivali i teatrove ‘Gjakovart’, ku do të marrin pjesë gjashtë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në një lidhje të drejtpërdrejt me programin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK, përgjegjësja për media e këtij festivali Yllka Lota ka bërë të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për edicionin e parë të këtij festival dhe se ai pritet të ngjallë interesim tek publiku gjakovar.

Lota ka bërë të ditur se ky festival fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 27 shtator. Festivali do të nisë me shfaqjen e trupës teatrale të Tetovës “Dredhit e Patukut”, me regji të Kushtrim Bekteshit, derisa pjesë e festivalit do të jenë edhe trupa teatrale “Integra” nga Prishtina, teatri “Adriana” nga Ferizaj, teatri ‘Andon Zako Çajupi” nga Korça, teatri i qytetit të Gjilanit dhe teatri ‘Bekim Fehmiu” nga Prizreni.

Arkeologjia prioritet për Çekun, bashkëpunëtor ka dhe ShBA-në

Arkeologjia po trajtohet me prioritet dhe përplot punë po zhvillohen në gjithë vendin.

Kështu ëhstë shprehur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetin social, facebook, transmeton Klankosova.tv.

Sipas ministrit, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajtohet lokaliteti arkeologjik në Dresnik.

“Këtij lokaliteti tejet të rëndësishëm, përveç mbrojtjes përmes konservimit profesional, po i shtojmë edhe planin e menaxhimit, planin e qasjes dhe prezantimin, në mënyrë që të jetë atraktiv për vizitorë dhe në shërbim të turizmit të zonës”, ka shkruar Çeku.

Kjo është një mënyrë se si trashëgimia kulturore mund të rrisë ekonominë lokale, duke e shndërruar këtë hapësirë përplot histori në destinacion kulturor e turistik të vendit.

‘Njeriu e shfaq fytyrën e vet në tre raste: Kur është i pasur, kur është i tërbuar dhe kur është i dehur’

Thënie të bukura për jetën

Dëshirë pas dëshire sjell mërzi të madhe, kënaqja sjell lumturinë më të madhe.

Diçka e pambrojtur është e sigurtë po e ruajti fati, por po qe fati kundër, do të humbasë, sado që të ruhet.

Difekti i varfërisë shkatërron një grumbull vlerash.

Dijetarët përhapin dritë, edhe pse të hidhëruar, nuk duhen nëpërkëmbur.

Ditë për ditë vdekja afrohet, sikur viktima të shkonte hap pas hapi drejt sakrificës.

Dituria është thesari më i çmuar, sepse as nuk blihet, as nuk dhurohet, as nuk vidhet, as nuk harxhohet.

Duke parë tymin e një shtëpie tymin e një shtëpie, kujdes mos kujtosh se është flaka e një shtëpie tjetër.

E djeshmja është një ëndërr, kurse e nesërmja një vizion. Por e sotmja, kur jetohet mirë, e bën çdo të djeshme një ëndërr të lumturisë dhe çdo të nesërme një vizion të shpresës.

E njohin Ton budallain më shumë se Ton budalla njeh.

Është më mirë të grindesh me një njeri që flet bukur se të bisedosh me një njeri me të folur të panjerëzishëm.

Fati ndihmon guximtarin. Të dobëtit ia lënë fajin fatit.

Fëmijë, plak apo i ri qoftë, ai që vjen në shtëpinë tënde duhet pritur me respekt, sepse mes gjithë të tjerëve miku yt është më i larti.

Ikën nga frika e akrepit e bie në grykën e gjarprit.

I mençuri bën të të duket e vërtetë edhe gënjeshtra, ashtu si piktori i aftë krijon kodrat e gropat në një sipërfaqe të thjeshtë.

Kur “këndojnë” bretkosat, është përvetësuar qetësia.

Më mirë të shëtisësh shpateve të malit me kafshë, se të jetosh në pallat Zotash me një çmendur.

Mosbërja keq është besimi më mirë.

Mosveprimi nga frika se gabon, shquan frikacakun. E kush heq dorë nga ushqimi prej frikës mund t’i bëjë keq?

Nëse zemra e njeriut nuk është e pastër, të gjitha gjërat i duken armiqsore.

Një i sëmurë nuk do të shërohet kurrë vetëm me dhënien e një ilaçi.

Pak vlen të mbyllet tapa, pasi është derdhur uji.

Pasuria ndalet në shtëpi, miqtë e të afërmit te varri, veprat ndjekin të vdekurin.

Pema e krasitur rritet sërish, hëna e perënduar rishfaqet.

Po ia preve bisht e veshë, qeni mbetet qen, s’bëhet as kalë, as gomar.

Rrugët e drejtësisë janë të mistershme.

S’e ka fajin shtylla, pse nuk i sheh i verbëri.

S’mund të prekë veten maja e gishtit.

Të urtit duhen respektuar, dhe kur këshilla e tyre nuk bie për shtat.

Ai që duke lutur përkulet, tjetrit ia lehtëson refuzimin.

Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton.

Ari është i pastër edhe kur gjendet në qesen e ndyrë.

Ashtu sikur mendimtari, që është shkalla më e lartë e njeriut, ashtu edhe nëna është shkalla më e lartë e gruas.

Bëj mirë – mos u pendo; bëj keq – shpreso.

Cila në pasqyrë shpesh shikohet, shtëpia në të ankohet.

Çanta është më e rëndë kur është e zbrazët.

Çdo gjë e keqe ka recetën e vet, puna është të gjendet ajo e sakta.

Çfarë flasin në vatër, fëmijët e nxjerrin jashtë shtëpie.

Dashuria nuk e njeh turpin.

Dikujt edhe plumbi i noton e dikujt edhe kashta i fundoset.

Edhe pse janë në të njëjtin jastëk, burri dhe gruaja shohin ëndrra të ndryshme.

Fati na shet atë që ne kujtojmë se na e ka dhuruar.

Fëmija shumë i përkëledhur, kurr i mirë edukuar.

Fjalët duhen matur e jo numëruar.

Gomari nuk e mëson notin po nuk i mbërriti uji te veshët.

Gratë e bukura vallen prijnë, të shëmtuarat mbajnë shtëpinë.

Gjithçka mund të studiohet, përveç mendimeve të njeriut.

Kali i mirë njihet edhe nën batanije të keqe.

Kur babai e mban të birin, nuk di askush, kur i biri e mban babanë, i tërë katundi e merr vesh.

Kureshtari kërkon dobësinë e të tjerëve për t’i lehtësuar të vetat.

Kur një miku i jep para hua, do t’i humbësh paratë dhe mikun.

Kurse tri monedha floriri se e katërta do të të bjerë vetë në dorë.

Kush lyp luftë në shtëpi e përjetoftë.

Kush i vete pas gjithkujt, bën gabim; kush nuk ndjek askënd, bën edhe më shumë gabim.

Më mirë të na e kenë lakmi, se t’u dhimbsemi.

Mos gjyko në bazë të vragës, nëse nuk e ke parë se çfarë ka qenë plaga.

Ndihma është nganjëherë si ai ilaçi që sa më i hidhur, aq më i mirë është.

Në dashuri syri është i pari.

Nëse armiku yt është sa maja e gishtit, ruhu siç i ruhesh luanit.

Nëse jemi grindur, dhëmbët s’i keni shkulur.

Njeriu kurioz ka 100 sy dhe asnjë shpirt.

Samari prej argjendi nuk e bën kalin e mirë.

Sa më shumë shtohen ligjet, aq më shumë pakësohet drejtësia.

Sikur të isha lindur njëqind herë, kisha për t’u bërë mësues.

Shteti mbështetet në të drejtën dhe gjyqet, adheu mbështetet në nënën dhe gruan.

Shtetin ruaje nga armiku e gruan nga miku.

Shtetit borxh mos i rri, me polic mos u shoqëro, ndërsa gruas të fshehtat mos i trego.

Të kujt janë delet, i tij është edhe livadhi.

Të kuptosh të bukurën do të thotë ta zotërosh atë. / KultPlus.com

Rama për New York Times: Së shpejti plani për shtetin sovran të ‘Urdhrit Bektashi’

Kryeministri Edi Rama thotë se ai dëshiron t’u japë anëtarëve të Bektashinjve, një rend sufi shiit, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare-

Kleriku mysliman që përgatitet të udhëheqë atë që nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të bëhet shteti më i vogël në botë, ka shpalosur planet për vendin e ri të vogël, shkruan New York Times.

Shteti i tij mysliman i shpresuar në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë një territor me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do të lejojë alkoolin, t’i lërë gratë të veshin çfarë të duan dhe nuk do të imponojë rregulla jetese.

“Zoti nuk ndalon asgjë, prandaj na dha mendjen”, thekson kleriku Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit si Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të qeverisë një truall prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta shndërrojë në një shtet sovran me administratën, pasaportat dhe kufijtë e vet.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe dashamirësi”, thekson Baba Mondi, 65 vjeç, një ish-oficer i ushtrisë shqiptare i nderuar nga miliona njerëz në mbarë botën nën titullin e tij zyrtar, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba.

Ai është udhëheqësi suprem i Bektashinjve, një rend sufi shiit i themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, por tani me qendër në Shqipëri.

Në një intervistë, kryeministri Rama tha se ”qëllimi i shtetit të ri ishte promovimi i një versioni tolerant të islamit për të cilin Shqipëria krenohet”.

“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë”, thekson Rama.

”Një mikroshtet i moderuar islamik, do të dërgonte një mesazh: “Mos lejoni që stigma e muslimanëve të përcaktojë se cilët janë muslimanët”, thekson Rama.

Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me kosto të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i sunduar nga Papa, një monark absolut.

Baba Mondi tha se “madhësia nuk ka rëndësi. Nuk kam nevojë të jem diktator”, ndonëse pranoi se i vetmi kufizim domethënës për autoritetin e tij do të jetë Zoti.
Pasi ngre dolli për vizitorët me raki, një pije e zjarrtë i distiluar nga rrushi, ai vuri në dukje se ”nuk pretendonte për pagabueshmëri”.

“Vetëm Zoti nuk bën gabime”, thekson ai.

Zona bektashiane përfshin një sallë mbledhjesh dhe lutjesh me kupolë, një muze që shfaq historinë e rendit, një klinikë, një arkiv dhe zyrat administrative të Baba Mondit, një njeriu gazmor me mjekër të bardhë dhe një përbuzje të rremë për dogmat e ashpra.

“Ekstremistët myslimanë që vendosin bomba dhe përdorin dhunën për të përhapur versionin e tyre të besimit, janë thjesht kauboj”, thekson ai.

Duke kombinuar një interpretim të lirë të Kuranit me misticizmin, elementet e besimeve para-islamike të Turqisë dhe përkushtimin ndaj të urtëve të tyre të vdekur, të njohur si dervishët, bektashinjtë e zhvendosën selinë e tyre në Tiranë nga Turqia gati një shekull më parë pas Mustafa Kemal Ataturkut, babait themelues të Republikës turke mbylli operacionet e tyre.

Të konsideruar heretik nga shumë shiitë dhe sunitë konservatorë dhe të nënshtruar shekujsh persekutimi në tokat myslimane, bektashinjtë kanë qenë një forcë në Shqipëri dhe në vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia që nga pushtimi i Ballkanit nga Perandoria Osmane në shekullin e 14-të dhe 15-të.

Anëtarët e sektit luajtën një rol udhëheqës në ringjalljen nacionaliste të Shqipërisë kundër sundimit turk, duke promovuar një version të relaksuar të Islamit që ndihmoi në grumbullimin e komuniteteve të mëdha myslimane dhe të krishtera të vendit pas kauzës laike të pavarësisë.

Edhe pse një nga vendet më të varfra në Evropë, Shqipëria ka një histori të gjatë në ndihmë të njerëzve në nevojë, duke pritur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe afganët që ikin nga talebanët në 2021.

Aeroporti i saj ndërkombëtar mban emrin e Nënë Terezës, murgeshës etnike shqiptare që mori çmimin Çmimi Nobel për Paqen për punën e saj bamirëse në Indi.

Një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë një ligj që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë. Kjo do të duhet të miratohet nga Parlamenti.

Është e paqartë se cilat vende, nëse ka, do të pranojnë të njohin sovranitetin bektashi.

Deri tani, tha zoti Rama, një katolik jo praktikant, vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt janë në dijeni të planit dhe aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar.

Një vend që ka shumë pak gjasa ta njohë atë është Irani, i cili ka shumë ndjekës kryesisht të fshehtë të islamit sufi, duke përfshirë disa bektashinë, por e sheh veten si rojtar i Islamit shiit kundër leximeve heterodokse të besimit.

“Iranianët janë sinqerisht mendimi im i fundit”, tha zoti Rama, duke vënë në dukje se Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pasi e lidhi atë me një sulm kibernetik ndaj qeverisë shqiptare dhe rrjeteve bankare.

Baba Mondi ka bërë një fushatë të gjatë kundër ekstremizmit pasi militantët islamikë vranë 12 persona në një sulm në vitin 2015 në të përjavshmen satirike franceze Charlie Hebdo, ku lideri bektashian udhëtoi për në Paris së bashku me zotin Rama, kryeministrin, për t’u bashkuar me një marshim kundër terrorizmit.

Ai tha se ”shteti i ri bektashi mund të ketë nevojë për një shërbim të vogël inteligjence sepse edhe ne kemi armiq, por nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata”.

”Detaje të tilla si kush do të kualifikohet për pasaporta ende duhet të përpunohen”, shtoi ai, por ngjyra e pasaportës është vendosur: jeshile, një ngjyrë e rëndësishme në Islam.

Shqipëria është një shtet që e lejon dyshtetësinë.

I përkushtuar për të qetësuar dhe jo për të nxitur tensionet, shteti i ri tashmë është betuar për mallkimin e shumë kombeve – atë të ambicies territoriale. Baba Mondi u zotua të mos bëjë asnjë përpjekje për të zgjeruar territorin e tij duke rrëmbyer tokën urdhrin e tij të mbajtur dikur në kryeqytetin shqiptar.

Kompleksi i Tiranës, i cili fillimisht mbulonte rreth 90 hektarë është tkurrur me dy të tretat që kur ish-diktatori komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, nxori jashtë ligjit çdo fe në vitin 1967 dhe qeveria e tij filloi të ndërtonte magazina në territorin bektashi në kryeqytet.

Pas rënies së komunizmit në 1991, bektashinjtë humbën akoma më shumë tokë kur zhvilluesit privatë ndërtuan shtëpi në buzë të kompleksit pa leje.

Zoti Rama tha se ”kufijtë e shtetit të propozuar bektashi do të përcaktohen nga ajo që ka sekti: Ajo që u sekuestrua nuk është pjesë e kësaj. Grindjet për pronësinë e pronave vetëm sa do të minonin qëllimin e shtetit si një model bashkëjetese”.

“Kjo nuk është një çështje pronësie, por një çështje shpirtërore”, thekson Rama.

Baba Mondi, nga ana e tij, e shpalli planin e shtetësisë “një mrekulli” dhe shprehu shpresën se ”Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore do ta njohin sovranitetin e shtetit të tij nëse Parlamenti miraton planin e kryeministrit”.

“Ne meritojmë një shtet. Ne jemi të vetmit në botë që themi të vërtetën për Islamin dhe “mos e ngatërroni atë me politikën”, thekson Baba Mondi.

Sa besimtarë bektashianë ka në botë është e paqartë, madje numri i tyre në Shqipëri është subjekt i vlerësimeve jashtëzakonisht të ndryshme, duke filluar nga vetëm disa për qind e popullsisë së vendit prej më pak se tre milionë deri në shumëfishin e asaj.

Baba Mondi tha se rreth gjysma e popullsisë së përgjithshme ishte bektashi, pjesa tjetër ishin sunitë, katolikë, të krishterë ortodoksë dhe të krishterë ungjillorë.

Ky është pothuajse me siguri një ekzagjerim, por pasqyron një pikëpamje të përhapur të sektit, madje edhe midis disa të krishterëve, si feja kombëtare e Shqipërisë.

Në Krujë, një qytet në veri të kryeqytetit që është vendi i një kështjelle të përdorur në shekullin e 15-të nga Skënderbeu, heroi kombëtar i Shqipërisë, Ismet Kaciu, një mësues bektashi në pension, tha se ‘nuk kishte dëgjuar për planet e zotit Rama për këtë sovranitet të stilit të Vatikanit mbi zonën e Tiranës.

Por, gjatë një vizite në një faltore të bektashinjve pranë kalasë së Skënderbeut, mbi Krujë Kaciu tha se ”do të ishte shumë i lumtur nëse kjo do të ndodhte”.

Ai tha se do të ndihmonte që shqiptarët e rinj, përfshirë katër fëmijët e tij, që punojnë në Itali, të mos largoheshin nga besimi dhe vendi i tyre.

Nuri Ceni, një historian bektashi 79-vjeçar, e përshëndeti ofertën e shtetësisë si “një dhuratë jashtëzakonisht të rëndësishme që jo vetëm do të forconte islamin tolerant brenda Shqipërisë, por gjithashtu do të ndihmonte në përhapjen e mesazhit tonë të bashkëjetesës paqësore pavarësisht nga feja apo raca”.

“Ne jemi kundër të gjitha formave të ekstremizmit që sot janë kaq të rrezikshme,” shton ai.

Kryeministri Rama pranoi se ”krijimi i një shteti sovran islamik në Tiranë do të kërkonte kohë”.

“Ndoshta të gjithë do të thonë: ky djalë është i çmendur. Gjëja e rëndësishme, e çmendur apo jo, është të luftosh për mirë”, thekson Rama. /atsh/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Paqes, Begaj: Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dha sot një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Paqes.

“Po jetojmë në një botë të trazuar nga konfliktet që përbëjnë kërcënime e rreziqe serioze për paqen dhe sigurinë botërore. Zhvillimet më të fundit ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt”, u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit nënvizoi se, historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës.

“Luftërat që nuk i zgjodhëm, na kanë dhënë mësime të vyera. Le të vijojmë të shpërndajmë modelin tonë të paqes e të ruajmë kulturën e mbrojtjes së saj. Bota ka nevojë për të”, theksoi më tej Begaj./atsh/ KultPlus.com

Letra e Leonard Cohen drejtuar Marianne Ihlen, në orët e saj të fundit

Letra e kantautorit drejtuar Marianne Ihlen, në orët e saj të fundit në jetë, është e mrekullueshme dhe poetike.

“Ti e di se unë të kam dashur gjithmonë për bukurinë dhe diturinë tënde, por nuk dua të them asgjë më shumë në lidhje me këtë sepse ti e di tashmë. Tani, unë dua vetëm dua të të uroj një udhëtim shumë të mirë. Mirupafshim mike vjetër. Dashuri e pafund, shihemi gjatë“.

Një lamtumirë e shkurtër. Disa fjali. Por fjalë me një të tillë qartësi, thjeshtësi dhe bukuri.

Shumë prej nesh tani e kanë lexuar letrën që Leonard Cohen i ka shkruar një gruaje që ai dikur e donte, Marianne Ihlen, e cila është në shtratin e vdekjes. Ata që nuk e dinë tashmë po mësojnë se Cohen është një burrë klasi, nga ata njerëz që nuk i takojmë çdo ditë. Ai mësoi se ajo ishte duke vdekur dhe dy orë më vonë i shkroi se “edhe ai ishte shumë i vjetër dhe se trupi i tij po binte”. Ai, natyrisht, kishte shkruar për të edhe më parë, në tekstet e këngëve “”So long Marianne” dhe “Bird në Wire”.

Këtë herë ai i tha asaj këto fjalë: “Dije di se unë jam shumë afër teje dhe nëse e shtrin dorën, mendoj se do prekësh dorën time.” Në gjendjen e saj të pavetëdijes, një shoqe tha se Marianne shtriu dorën në kërkim të së tijës. Në letrën e tij Cohen shrkuante po ashtu se nuk është e nevojshme të flasim “për bukurinë dhe urtësinë tënde, për shkak se ti i di të gjitha tashmë”.

10 vitet që ishin së bashku, intimiteti i tyre, pasionet e tyre, fundi i tyre, ato – pavarësisht nga këngët – janë të gjitha pjesë e historisë së tyre personale. Tani ai i uron asaj dashurinë e pafundme në udhëtimin e saj – drejt vdekjes. Është udhëtimi i gjithëkujt, por pak flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për të, madje as nuk pëshpërisin në dhomat e pritjes.

A ishte Marianne muza e tij më e madhe? Çfarë rëndësie ka? Ai e donte atë për një kohë. Ai donte katër shishet e tij të verës ditë para se e çoi veten në një manastir budist, ku iu dha emri Dharma e Jikan që do të thotë “heshtje”. Ai e di gjithçka në lidhje me heshtjen, madje di po ashtu edhe për këngën. Vdekja është takuar aq shpesh me heshtjen ose me ndjenjat që janë një mërmërimë pakuptim për të mbushur një boshllëk. Mbishkrimet dhe epitafet kërkojnë pikëllim. Si të shkruajmë për humbjen? Si mund ti shkruani një personi që ju kurrë nuk do ta shihni përsëri?

“Marianne, është koha që ne qeshim e qajmë dhe qajmë dhe qeshim përsëri”. Cohen një herë tha: “Poezia është vetëm prova e jetës suaj. Nëse jeta juaj është djegur mirë, poezia është vetëm hiri. Çfarë hiri? I ngrohtë, i shenjtë, që na çon ne në vallëzimi deri në fund të dashurisë; pasione të reja, trupa të vjetër, një lamtumirë e rrallë dhe e dhembshur. Sa kohë, Marianne. Faleminderit, zoti Cohen./KultPlus.com

”Pikë Uji” nga Robert Budina nominohet në tri kategori në Festivalin e Filmit në Varshavë

Filmi PikëUji (#WaterDrop) është i nominuar për 3 çmime në në Festivalin Prestigjioz të Filmit në Varshavë, përcjell KultPlus.

Ky është një festival i kategorisë A dhe ndër më të rëndësishmit në botë, i cili do të mbahet nga data 10 deri 21 Tetor.

Filmi është i nominuar në këto kategori:

– Regjisori më i mirë

– Filmi më i mirë

– Çmimi special i jurisë

Filmi vazhdon të shfaqet edhe sot në orën 19:00 në Kinema Millennium, dhe më pas në Cineplexx TEG në orën 20:00, si dhe në Cineplexx QTU në orën 21:50. Bli biletën tënde tani dhe mos humb shansin për të parë #PikëUji — thrillerin emocionues nga Robert Budina./ KultPlus.com

“Personazhe në fokus”, i ftuar në COD profesori Ardian Ndreca

Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog u zhvillua takimi i ciklit “Personazhe në fokus” me të ftuar prof. Ardian Ndrecën.

Ky takim u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Paqes dhe tema që u trajtua, ishte “Paqe e përjetshme në Evropën e Bashkuar”.

“Paqja është një ideal i përjetshëm, që u përket të gjithë brezave… Ajo është një sistem më i mirë se lufta dhe një fitore për të gjithë. Paqja kushton më pak se sesa lufta. Përkundrazi lufta kushton shumë… Ajo është e kundërta e arsyes, dhe neve na duhet paqja, një arsye e përbashkët e një natyre pragmatike… Ideja e alternativës esenciale për ta bërë luftën të pamundur dhe paqen të domosdoshme… Paqja nis nga vetvetja. Ajo duhet pasur në zemër”, u shpreh ndër të tjera prof. Ndreca.

Në takim morën pjesë studiues, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të institucioneve të ndryshme, profesorë dhe të rinj, të cilët, së bashku me prof. Ndrecën, në një ditë të shënuar të paqes ndihen krenarë që Shqipëria është një vend që nuk ka bërë kurrë agresion dhe gjithmonë e ka dashur dhe e do paqen. / KultPlus.com

MPJ: Kosova u bë anëtari i 81’të i Organizatës Botërore të Doganave

Republika e Kosovës ka aderuar në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave me seli në Bruksel, duke u bërë si shteti më i ri anëtar i kësaj Konvente, ka njoftuar sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministria tha se ky anëtarësim do të përmirësojë përpjekjet e Kosovës për lehtësimin e tregtisë, do të tërheqë investime të huaja dhe do të forcojë integrimin e saj në ekonominë globale, duke mbështetur kështu rritjen e qëndrueshme.

E miratuar në vitin 1990, Konventa e Stambollit thjeshton pranimin e përkohshëm të mallrave përtej kufijve, përderisa Organizata Botërore të Doganave (OBD) luan një rol kyç në mbikëqyrjen e zbatimit të konventës dhe ofrimin e udhëzimeve për vendet anëtare, sipas Ministrisë.

“Që nga anëtarësimi i saj në OBD, Kosova ka përmbushur standardet ndërkombëtare duke aderuar në konventa të tjera të rëndësishme tregtare”.

Dorëzimi zyrtar i instrumentit të anëtarësimit në Konventën për Pranim të Përkohshëm u bë nga Udhëheqësi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Ambasadori Agron Bajrami dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, përderisa nënshkrimi i saj ishte bërë nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schëarz.

“Me rastin e aderimit të vendit tonë në këtë Konventë të rëndësishme, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), z. Ian Saunders, e ka përgëzuar Kosovën për aderimin në Konventën e Stambollit dhe përkushtimin e saj për zbatimin e procedurave doganore që promovojnë lehtësimin dhe sigurinë e tregtisë”, njofton Ministria./ KultPlus.com

“Shqipëria, dëshmi se bashkëjetesa është e mundur”, mesazhi i Papa Françeskut nga Tirana 10 vite më parë

Papa Françesku më 21 shtator 2014 vizitoi Tiranën si vendin e parë evropian.

Ati i Shenjtë përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët.

Në 21 shtatori të vitit 2014, Papa Françesku vendosi të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.

Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.

Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.

Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve. Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Shqipëria – tha Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”.

10-vjetori i vizitës së Papës Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014 u përkujtua edhe në takimin Mesdhetar “Med24”, i cili u mbajt në Tiranë nga 15  deri më 21 shtator.

Në një klimë entuziazmi rinor dhe bashkimi kishtar, u përkujtua 10 vjetori i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, ku njëkohësisht po zhvillohet edhe takimi Mesdhetarë, Med.24, Mesha e shenjtë u kremtua nga Kardinali E.T. Kardinali Cristobal Lopez Romero. Kjo Meshë gjeti të bashkuar mbarë hierarkinë kishtare të vendit tonë dhe një numër të madh ipeshkvinjsh nga vende të ndryshme të Detit Mesdhe.

Në përshëndetjen e tij Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranë Durrësit, e cilësoi si historike dhe të bekuar ditën që Ati Shenjtë Françesku shkeli në tokën arbnore. Porositë e tij janë aktuale edhe sot nënvizoi Imzot Dodaj. Duke shprehur gëzimin e tij personal që dhjetë vite më vonë, Tirana pret një takim si ky i Med.24, ai pohoi se sot, më shumë së asnjëherë nga kjo Katedrale duhet të jehojë lutja por edhe impenjimi për paqe dhe vëllazëri.

Gjithçka mund të realizohet nga një brezni e prekur nga dashuria e Zotit theksoi Imzot Dodaj. Në homelinë e tij, Kardinali Cristobal Lopez Romero, duke folur për pasurinë e jashtëzakonshme të qytetërimeve të pranishme në Mesdhe, evidentoi pasurinë njerëzore që buron prej kësaj pranie. Para të rinjve të pranishëm, ai ofroi Marin si model për tu ndjekur dhe imituar në jetën njerëzore. Ajo është modeli i shërbimit, shpresës dhe mbretërisë së Zotit pohoi ai.

Në këtë dimension, pavarësisht diferencave të prejardhjes apo besimit, angazhimi në këto tre aspekte është e vetmja rrugë për një Mesdhe në paqe dhe një botë pa luftëra. Kështu që secili prej jush duhet të jetë pelegrin, dishepull dhe misionar i paqes, nën shembullin e Maris dritë e popujve, përfundoi Kardinali Cristobal Romero. Në përfundim të Meshës u zhvillua edhe një aktivitet artistko-kulturorë në përkujtim të kësaj dite, ku u shfaqen disa prej elementeve identitarë të kulturës tonë shqiptare.

Gjatë vizitë së tij, Papa Françesku u takua me krerët më të lartë të vendit./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton atdhetarin, simbolin e guximit dhe sakrificës, kolonelin Ahmet Krasniqi

Presidentja Osmani kujton atdhetarin, simbolin e guximit dhe sakrificës, kolonelin Ahmet Krasniqi:

Në 26 vjetorin e vrasjes, me respekt e kujtojmë atdhetarin, simbolin e guximit dhe sakrificës, kolonelin Ahmet Krasniqi, komandanti i parë i Forcave të Armatosura të Kosovës, njëherësh ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

Sot nderojmë jo vetëm njeriun, por vlerat që ai mishëroi: trimërinë, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e palëkundur për lirinë e Kosovës.

Koloneli ishte një udhëheqës ushtarak dhe vizionar që besonte thellë në lirinë e Kosovës.

Ai u vra në mënyrë të pabesë dhe ishte viktimë e një akti të mjerë që u përpoq ta godasë përpjekjen për lirinë e Kosovës. Kolonelin e vranë, por jo ëndrrën për Kosovën e lirë dhe trashëgiminë e tij, ndaj zbardhja e vrasjes së tij është obligim i yni.

Qoftë i pëhershëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!/ KultPlus.com

Impromptu: Shfaqja brenda shfaqjes si alegori për jetën

Shkruan: Albana Beqiri

Shfaqja e fundit që përmbylli ‘Summer Cult 2024’ ishte “Impromptu”, produksion nga Shqipëria. Regjisorja e re Artemis Beluli kishte zgjedhur dramën komike të amerikanit Tad Mosel për të realizuar një shfaqje që e tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mori duartrokitjet e tij.

Katër aktorë (Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj) janë ulur në një skenë pa ndriçim, ndërsa presin menaxherin e skenës i cili është ai që i ka thirrur. Presin pa e ditur se për çka, por gjithsesi presin, gjatë pritjes rritet tensioni: errësira dhe pamundësia për të kuptuar se çfarë po ndodh e rrit tensionin mes tyre. Menaxheri i skenës dukshëm është person autoritar dhe mungesa e tij në mos nuk i frikson i bën të ndihen keq katër aktorët, të cilët dalëngadalë e kapin veten të shndërruar në personazhe të një drame që duhet ta shkruajnë vetë aty për aty dhe po aty për aty të interpretojnë e të bëjnë regjinë e saj.

Duhet të luajnë një shfaqje pa e ditur se çfarë shfaqje është ajo, befas dritat hapen, skena ndriçohet, por ata ende janë të paqartë për atë që duhet të bëjnë: dinë vetëm se nuk duhet të largohen pa e përfunduar shfaqjen. Para tyre është një publik në pritje me sytë nga ata, por katër aktorët ndjejnë se qenka vështirë të jesh personazhi i vetvetes, sepse ata se paskëshin njohur as veten se lëre më tjetrin.

Improvizimi është rruga e vetme që ata të dalin nga kjo situatë gati absurde. Por gjithçka duket kaq e vështirë në këtë skenë me të cilën mendonin se ishin të familjarizuar. Nuk kanë kurrfarë besimi në vete, te shoku jo se jo, sillen në një zonë të turbullt emocionesh të cilat as nuk shpërfaqen dot.

Detyra që iu është dhënë duket si një mision i pamundur.

Megjithatë duhet ta kryejnë medoemos. Skena kthehet në një arenë të ndeshjes së “gladiatorëve” të brendshëm dhe ashtu si pakuptuar merr trajtat e një “lufte” për egzistencë para publikut. Përgjatë improvizimit shndërrohen në kameleonë mbijetues, sepse egzistenca është cënuar dhe publiku është vënë përballë përjetimit të sfidave njerëzore.

Zhvillohet kështu një shfaqje brenda shfaqjes dhe mbyllja e detyruar brenda një skene që i grish të interpretojnë skena të improvizuara ka kostot e veta. A do të mund t’ja dalin katër aktorët që të arrijnë të komunikojnë me njëri tjetrin dhe me publikun pa ato fasadat teatrale me të cilat i drejtohen njëri tjetrit?

Ndërsa para publikut (jo vetë atij imagjinar) drama tingëllon si një miksim interesant i fantazisë dhe të vërtetës, improvizimet e aktorëve fillojnë e lexohen mirë, përtej asaj që interpretojnë në mënyrë teatrale personaliteti i vërtetë i tyre fillon të përthyhet e të shpërfaqet hap pas hapi.

Shfaqja e improvizuar brenda shfaqjes “Impromptu” ia doli të zgjojë kërshërinë artistike për egzistencën, të vërtetën dhe iluzoren si dhe dëshpërimin që pëson individi i izoluar i cili vihet në kërkim të vetes së shkapërderdhur brenda këtij realiteti.

Për fund mund të themi se loja e katër aktorëve të vërtetë që luanin rolin e katër aktorëve të shfaqjes tjetër, asaj të improvizuarës ishte solide, ata ja dolën të përcjellin te publiku gjithë dilemat, pamundësinë, dëshpërimin dhe dyzimet e njeriut të gjendur në kushte të izolimit.

“Impromptu” e konceptuar nga autori dhe realizuar edhe në këndvështrimin regjisorial si komedi-dramë, erdhi në teatrin “Dodona” si një alegori e fort e jetës, në teatër dhe të vërtetës. / KultPlus.com

Arba Kokalari përzgjedhet të bëhet pjesë e fonadicionit Obama

Deputetja shqiptare e Parlamentit Evropian, Arba Kokalari e cila përfaqëson Suedinë, është zgjedhur të bëhet pjesë e fondacionit Obama, përcjell KultPlus.

Lajmin e bëri të ditur vetë Kokalari përmes një statusi në faqen zyrtare të saj në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se gjatë muajve të ardhshëm, ajo dhe 35 udhëheqës të tjerë në Evropë brenda shoqërisë civile, politikës dhe biznesit do të futen në fushën e udhëheqjes.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Kokalarit:

Jam jashtëzakonisht e lumtur dhe e nderuar që jam përzgjedhur të marr pjesë në programin e udhëheqjes së Fondacionit Obama #ObamaLeaders! 

Një falënderim i madh për Barack Obama dhe Michelle Obama për këtë mundësi të shkëlqyer!

Gjatë muajve të ardhshëm, unë dhe 35 udhëheqës të tjerë në Evropë brenda shoqërisë civile, politikës dhe biznesit do të futemi në fushën e udhëheqjes.

Do të jetë një histori pozitive dhe vizion i një të ardhmeje shpresëdhënëse. / KultPlus.com

Dhurata Lazo, Aleksandër Çipa dhe Anila Basha nderohen me çmimin “Kadare”

Dhurata Lazo, Aleksandër Çipa dhe Anila Basha u nderuan nga bashkia e Gjirokastrës me çmimin “Kadare” për kontributin përmes punës së tyre për promovimin e vlerave të këtij qyteti.

“Kadare”, është një çmim mirënjohje, është dashuri për një qytet që flet përmes çdo guri, rrugice dhe çdo kujtimi të ruajtur me aq përkushtim.

Për pianisten Dhurata Lazo emocionet ishin të pashmangshme.

“Jam e emocionuar për këtë pritje të jashtëzakonshme. E nderuar të marr këtë çmim të madh të këtij emri të madh në qytetin tim. Kam emocione të mëdha. Kam performuar në skena ndërkombëtare dhe të tilla emocione nuk i kam pasur më parë. Në Gjermani ku jetoj po marr këtë copëz gjirokastrite dhe do ta mbaj me vete sepse jam shumë krenare që jam gjirokastrite”, u shpreh ajo.

Aleksandër Çipa, një zë i fuqishëm i gazetarisë i shprehu mirënjohje qytetit të gurtë.

“Ky është një çmim që e konsideroj një nderim të madh nga qyteti im, por shndërrohet për mua në një detyrim për të qenë përherë shërbëtor i promovimit të kulturës, trashëgimisë dhe veçanërisht turizmit të Gjirokastrës. Është vlerësim nga qyteti ku unë u rrita dhe prej të cilit mishërova konceptin se është e rëndësishme vendlindja, por rëndësi themelore ka dhe vendrritja”, u shpreh Çipa ndërsa në duar mbante çmimin e tij.

Anila Basha, me një përulësi të thellë, pranoi çmimin “Kadare, me një ndjenjë të madhe përgjegjësie, pavarësisht se nuk është nga Gjirokastra.

“Unë thashë se dhe pse s’jam gjirokastrite, e shoh me shumë përgjegjësi këtë çmim me emër të madh. Jetojmë në një shoqëri ku polarizimi i skajshëm nuk na ka lënë të shohim më të mirën te njëri-tjetri, dashurinë, empatinë dhe respektin. Por, veç gjithë të tjerave dhe ky duhet të jetë mision i medias dhe unë do të vazhdoj ta bëj. Faleminderit Gjirokastra”, u shpreh Basha.

Kjo mbrëmje e organizuar nga kryetari Flamur Golemi i Bashkisë Gjirokastër dhe qendrës “Antigonea” ishte e gjitha për t’u shijuar. “Kadare” nuk është thjesht një trofe. Por, është një çmim mirënjohje, është dashuri për një qytet që flet përmes çdo guri, rrugice dhe çdo kujtimi të ruajtur me aq përkushtim. E në këtë mënyrë, u duk se me nderimin e këtyre tre figurave me kontribut në Shqipëri, Gjirokastra “mori” frymë fort, duke u ndjerë e mbrojtur nga bijtë dhe bijat e saj më të mira./atsh/ KultPlus.com

10 vjetori i vizitës në Shqipëri, Papa Françeskut i dhurohen simbolet më të bukura të traditës shqiptare

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përkujtoi sot 10 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.

Kumbaro u shpreh se, “kjo ditë shtatori përkon me përvjetorin e dhjetë të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, ku pata privilegjin që përulësisht së bashku me skuadrën e Ministrisë së Kulturës të shënjonim në kujtesën e gjithë shqiptarëve altarin e mesazheve të forta të paqes, besimit e shpresës”.

Kumbaro u shpreh se, “në këtë 10 vjetor të vizitës tij në Tiranë, i janë dhuruar Shenjtërisë së Tij simbolet më të bukura të traditës e mirënjohjes shqiptare, një shishe verë “AMË Kallmet” dhe një plis në tryezën e tij, nga Mrizi i Zanave Agroturizëm, të cilat i janë dorëzuar nga Imzot Arjan Dodaj.

Kumbaro mbyll postimin e saj duke theksuar se, “këto janë simbolet më të bukura të traditës e mirënjohjes shqiptare”./ KultPlus.com