Në disa dokumenta të publikuara kohë më parë në Facebook, eksperti i krimeve të rënda, Gjon Junçaj vë në dukje se Noli dikur, në vitin 1911 nuk ka pranuar të quhej turk.
Junçaj thekson më tej se siç paraqitet në fotot e publikuara, shkrimtari mjaft i dashur për shqiptarët ka korigjuar gjithashtu edhe dokumentat e paraqitura nga oficeri teksa Noli po vizitonte Amerikën.
“Nga arkivat e SHBA. Ardhja e regjistruar e Fan Nolit për një vizitë në Shtetet e Bashkuara në daten 15-12-1911. Noli është regjistruar me këto detaje: 32 vjeç, 165 cm i gjatë, profesion – klerik, duke vizituar Faik Bey Konitza në Boston
Kombësia? – Turkey (Turqi) Rasa etnike?- Ofiseri fillimisht shkrua “Turkey”. Ky foto tregon se sigurisht Fan Noli e korrigjon dhe thotë, “Jo Turqi, ALBANIA“
Fan Noli – Shqiptar i vertet,”- shkruan eksperti i krimeve. / KultPlus.com
Filmi ‘Big in Gazi Baba’ është përzgjedhur në programin Deal Maker të Hot Docs Canadian International Documentary Festival, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur kompania e filmit ‘Lumiere’ nëpërmjet një postimi në Facebook.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
🎬 BIG IN TORONTO
Filmi ynë BIG IN GAZI BABA është përzgjedhur në programin Deal Maker të Hot Docs Canadian International Documentary Festival, festivali më i madh i dokumentarëve në Amerikën e Veriut!
📖 Logline: 14-vjeçarja Sadije, kampione e mundjes, është vajza e vetme në klubin e saj në Shkup dhe e vetmja shqiptare në ekipin kombëtar të Maqedonis së Veriut. Si do të përballet me sfidat kulturore dhe sociale?
Faleminderit platformave që na mbështetën, përfshirë PriFest, Balkan Film Market, Sheffield DocFest dhe AJB DOC.
Takohuni me ne edhe në Cannes Docs në maj dhe EURODOC në qershor!
🎥 Ekipi: Regjisorja: Pauline Blanchet Producenti: Avdi Thachi Co-producent: Kreshnik Jonuzi, Aymeric Isnard, James Collie & Jan Dunn DOP: Fisnik Halili
Faleminderit Sadije Dura, familjes së saj dhe klubit “Liria Wrestling” për mbështetjen!
Mbrëmë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert në Bern të Zvicrës nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier, përcjell KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet një postimi në Facebook e ka konsideruar këtë koncert si një paraqitje e mrekullueshme e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të MKRS-së:
Paraqitje e mrekullueshme e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Bern. 🇽🇰🇨🇭
Nën drejtimin e Antoine Marguier, koncerti, i cili u mbajt në kuadër të festimeve të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nisi me intonimin e himneve të Kosovës, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, për të vijuar më pas me “Bareshën” e Rexho Mulliqit.
Orkestra solli traditën muzikore kosovare përpara publikut në kryeqytetin zviceran me Koncertin për saksofon, harqe dhe perkusione të Valton Beqirit, me solist saksofonistin Vitaly Vatulya. Sopranoja Besa Llugiqi mbizotëroi skenën me interpretimin e saj, duke filluar me arien “Un bel dì vedremo” nga opera Madama Butterfly dhe “È strano… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit, ku iu bashkua tenori Oscar Esmerode. Në bis, Llugiqi interpretoi “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
Në pjesën e parë të koncertit, orkestra interpretoi gjithashtu uverturën e operës Nabucco të G. Verdit.
Ndërsa në pjesën e dytë, Orkestra u rikthye në skenë me interpretimin e Simfonisë nr. 2 të kompozitorit Kreshnik Aliçkajt dhe e mbylli mbrëmjen me suitën nr. 2 nga “The Three-Cornered Hat” e kompozitorit Manuel de Fallas.
Të pranishëm në koncert, përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane, diplomatëve, numrit të madh të diasporës shqiptare, qe edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz.
Filharmonia e Kosovës do të rikthehet me koncerte në Kosovë gjatë muajit mars, fillimisht me koncertin e Korit të Filharmonisë dhe ansamblit harkor nën drejtimin e Hajrullah Sylës në Rahovec (26.03.2025), si dhe me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, me solistë Liza Kerob dhe Altin Tafilaj, në mbyllje të Javës së Frankofonisë në Prishtinë. (28.03.2025).
Të dhënat e reja tregojnë se dëshira e qytetarëve gjermanë për të udhëtuar mbetet e pandryshuar, pavarësisht krizës. Por më shpesh merren parasysh çmimet, ndaj përfitojnë vendet si Tunizia, Bullgaria dhe Shqipëria.
Pasioni i gjermanëve për udhëtimet nuk është ulur as në kohët më të vështira ekonomike. “Pavarësisht të gjitha sfidave ekonomike dhe gjeopolitike – gjermanët po udhëtojnë! Pushimet duket se janë gjëja e fundit për të cilën ata janë të gatshëm të kursejnë,” thotë presidenti i Shoqatës Gjermane të Agjencive të Udhëtimit (DRV), Norbert Fiebig.
Të ardhurat totale nga sezoni veror, i cili zgjat nga maji deri në tetor 2024, është rritur me 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të DRV. Numri i pasagjerëve u rrit me gjashtë për qind. Për të gjithë vitin turistik, nga nëntori 2024 deri në tetor 2025, DRV parashikon rritje të të ardhurave prej 11 për qind dhe katër për qind më shumë pasagjerë.
Përveç kësaj, qytetarët gjermanë po prenotojnë pushimet e tyre verore më herët. “Rezervimi i hershëm është i preferuar,” thekson Fiebig për trendin në ndryshim.
Gjermanët po shpenzojnë më shumë se kurrë më parë për udhëtime.
Gjermanët kanë shpenzuar tashmë shuma rekord për udhëtime vitin e kaluar, sipas analizave të institutit YouGov DRV. 83.4 miliardë euro janë shpenzuar për udhëtime të rezervuara paraprakisht, që është 5.6 për qind më shumë se një vit më parë.
Rritjen më të madhe këtë verë e shënojnë paketat për vendet e Mesdheut Lindor dhe udhëtimet në distanca të gjata. Sipas të dhënave të DRV, numri i rezervimeve të paketave për pushime është rritur me gjashtë për qind. Ndërsa destinacioni më i preferuar është Turqia, me të ardhura rreth 1.2 miliardë euro.
Përveç vendeve klasike të pushimeve si Spanja (gjithashtu rreth 1.2 miliardë euro të ardhura) dhe Greqia (1 miliard euro), në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu destinacione më të përballueshme si Tunizia, Bullgaria dhe Egjipti.
“Në kohë sfiduese ekonomike, paratë nuk shpenzohen aq lehtë – de kjo reflektohet në zgjedhjen e destinacioneve të udhëtimit”, tha Fiebig.
Sipas DRV, një nga destinacionet më të preferuara të mundshme të këtij viti është Shqipëria, që ishte edhe vend partner I panairit ITB, në Berlin. Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të rritjes për verën, prej 36 për qind. Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, të ardhurat totale nga turizmi me këtë vend mbeten relativisht të ulëta.
Të dhënat bazohen në të ardhurat e agjencive tradicionale të udhëtimit dhe platformave të operatorëve turistikë online. Janë marrë parasysh të gjitha rezervimet deri në fund të janarit 2025, ndërsa nuk janë përfshirë rezervimet përmes call center, Booking dhe Airbnb.
Trendi i qëndrueshmërisë, në të cilin vendet turistike, përfshirë Kroacinë, kanë investuar shumë energji në vitet e fundit, duket se nuk luan ndonjë rol. “Vetëm një e pesta e turistëve janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një udhëtim bazuar në parimin e qëndrueshmërisë”, sipas një studimi nga Klubi gjerman i automobilave ADAC, i publikuar në fillim të ITB. (Deutsche Welle)./atsh/KultPlus.com
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë? S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ? O ëngjëll I bukur mos meno në botë Kthehu të të shomë të na mbeten lotë
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare
Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë E ke lenë foshnje tani u bë burrë S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë
Për ty shumë herë çoç do të më thotë Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë
O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë Kur i more mëmën dhe më le të gjallë Të më keshe marrë do të qe më mirë Dhe të rronte mëma të rriste të birë Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë Doje dritë o qiell more dritën time dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj Se dhe perëndinë tani s’e besoj.
S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve? Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve Atje tek rri janë qipariz’ e varre Kthehu të të shomë mos na lër përfare. /KultPlus.com
14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës.
Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës. Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve, dhe kjo ditë kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.
Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ka qenë një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. Dhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.
Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë. Pastaj siç thoshin gjyshet në mëngjes duhej të kapje një hekur të fortë, që të bëheshe e fortë gjatë gjithë vitit. Të haje një mollë të kuqe, vezë të ngjyrosur nga jashtë.
Ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Ballokumja, një recetë e pashkruar, por dhe e paimitueshme nga vende të tjera.
Legjenda e Ditës së Verës
Dita e Verës është në një traditat më të vjetra të Elbasanit. Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte Perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera. Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja, një ëmbëlsirë e bërë më miell misri. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite, të cilën e konsiderojnë si krenari. Dikur shkonin dhe festonin vetëm në Elbasan, ndërsa tani është bërë festë kombëtare, ku festohet në çdo qytet të Shqipërisë. Kjo festë është bërë e njohur edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë për këtë ditë të veçantë.
Tashmë edhe Tirana ka vite që organizon aktivitet të shumta për këtë ditë si: koncerte, panaire, lojëra dhe sigurisht karnavale. Ndërsa në jug kjo festë kremtohet më së shumti në Përmet, ku amvisat përmetare gatuajnë ushqime të mrekullueshme dhe i servirin në panairin në qendër të qytetit./KultPlus.com
Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore.
Kështu, në historinë e kulturës sonë kombëtare, Fan Noli u takon atyre rasteve tepër të rralla, veçanërisht të kohës së tij, që në të katër stinët e jetës mbeti deri në fund nxënës. Nxënës në fëmini e në djalëri, në rini, në moshën e pjekurisë dhe në vitet e pleqërisë.
Një nxënës krejt i veçantë, me një profil të dallueshëm nga të tjerët, me një mençuri natyrale dhe me një etje të pashuar për dituri, gjithë vullnet dhe ambicie, ngaherë i palodhur dhe i pakënaqur, në kërkim të më së mirës, i prirur drejt së vërtetës dhe së drejtës. Këto tipare të staturës, Theofan Mavromati djalosh, do të nisë t’i manifestojë fillimisht në gjimnazin grek të Adrianopojës, ku emri i tij ka mbetur në analet e shkollës dhe kujtimet e bashkëkohësve, si një nga nxënësit e shkëlqyer.
Më pas, për mbi dhjetë vjet, ai do të kryente shkollën e jetës pa u shkëputur nga prirjet e brendshme, nga librat, arti, gjuhët, dijet, deri sa një ditë, kur ishte emigrant në SHBA, do të trokiste në dyert e Universitetit. Kështu, në moshën 30-vjeçare, pasi ishte dorëzuar prift, mbaron studimet në Harvard dhe merr diplomën “Bachelor of Arts”. Jeta e tij vijon më tej në shërbim të kauzës shqiptare dhe kulturës kombëtare, i ngarkuar me detyra historike sa në mërgim dhe në Shqipëri, duke bërë emër të nderuar si gazetar, historian, poet e veçanërisht si shqipërues. Bota shqiptare, ndërkaq, do ta njihte si kalorës të lirisë e të demokracisë, por prapë ai e ndjente veten nxënës. Në moshën 55-vjeçare mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion me një varg veprash simfonike që i mungonin muzikës shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më pas, 1938, merr dhe një diplomë tjetër për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit me veprën monografike “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i qe kthyer politikës aktive, sepse ishte vënë në rrezik fati i Shqipërisë, Fan Noli kish mbetur përsëri nxënës, duke mos u ndarë nga studimet. Kësaj here ai u kish hyrë studimeve të shkallës më të lartë, për të marrë një gradë shkencore. Ekziston një dokumentacion i tërë, që i paraprin mbrojtjes së doktoraturës. Ai jep një varg provimesh pasuniversitare nga fusha të ndryshme të historisë, të arteve, të psikologjisë e deri të fizikës, provime me shkrim që ruhen akoma në arkivin e tij. Krahas kësaj pune të madhe nxënëse angazhuar për vite të tëra, është përgatitja e disertacionit, vepra shkencore që do të paraqiste. E pra, ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar do të përjetonte si emocionet e nxënësit-student, ashtu edhe logjikën racionale të studiuesit. Më në fund, pas afro shtatë vjet përpjekjesh të mundimshme intelektuale dhe fizike, në vitin 1945, në moshën 63-vjeçare, Fan Noli do të mbronte me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Komisioni shkencor, përbërë nga personalitete të fushës, do ta vlerësonte duke i dhënë gradën shkencore të doktorit në Filozofi. Prej kësaj kohe, ai do të prezantohej në botën shkencore-kulturore Ph.D. Fan S. Noli.
Me këtë gradë të lartë shkencore do të dukej sikur savanti ynë i kish mbyllur përfundimisht mësimet universitare. Dhe vërtet, për afro dy dekada, ai shkruan e boton, veçanërisht në gjuhën angleze, një korpus të tërë veprash teologjike-kishtare prej mijëra faqesh, ku vendin kryesor e zë pa dyshim përkthimi i Dhiatës së Re (1961), botimi i së cilës u vlerësua nga shtypi i specializuar dhe nga qarqet akademike. Kjo mirëpritje e shtyn Nolin të mendojë për një përkthim të mundshëm të Dhiatës së Vjetër. Dëshira ishte aq e madhe, përjetimi i botës biblike ishte aq i thellë, sa ai harron vitet që ka mbi supe, hallet e shëndetit e për më tepër vështirësitë e jashtëzakonshme që paraqiste një ndërmarrje e tillë gjigande. Ishte fjala për një vepër tepër voluminoze (prej 46 librash), e shkruar hebraisht, aramaisht dhe greqisht, me një lëndë komplekse e të thellë, me shtresime qytetërimesh, ku gërshetohej teologjia dhe filozofia, historia dhe letërsia. Me sa dihet, Noli e kuptoi sa pa qenë vonë dhe u tërhoq nga ky projekt, por nuk u dorëzua. Vendosi të përkthejë një nga librat kryesore të Dhiatës së Vjetër dhe pikërisht “Psalmet”, që njihet e çmohet lart për thellësinë e brendisë dhe gjuhën metaforike.
Ç’është e vërteta, psalmet biblike Noli i njihte mirë ngaqë gjatë shërbimit kishtar shumëvjeçar kish pas të bënte me to, pra, qe familjarizuar dhe pjesërisht i kish përvetësuar e kthyer në pjesë të kulturës së tij teologjike. Por a mjaftonte vetëm kjo shkallë njohjeje për t’i hyrë “përkthimit kockë-fortë”, siç e cilësonte ai? S’ka dyshim se për një njeri me staturë të lartë intelektuale, me formim të thellë dhe serioz, me kërkesat dhe përvojën e tij të pasur përkthimi i Psalmeve kërkonte përgatitje paraprake, një njohje të mëtejshme të veprës, sidomos gjuhësisht. Noli vërtet njihte greqishten e vjetër, njihte disi hebraishten, por jo aramaishten, një gjuhë në zhdukje e sipër, që flitej në trevat e lashta Asiro-Babilonase dhe ishte bërë pjesë e Dhiatës së vjetër. Studimi autodidakt i hebraishtes dhe aramaishtes ishte i pamjaftueshëm, ndaj pa humbur kohë vendosi të regjistrohej në Fakultetin e Gjuhëve të Lashta të Lindjes të Harvardit. Ishte viti 1963, kur ai sapo kish mbushur 81 vjeç.
Natyrisht, regjistrimi do të ndiqte një procedurë, së cilës iu nënshtrua dhe studenti plak. Dokumentacionin zyrtar, pas kërkimesh, arritëm ta zbulojmë dhe ta sigurojmë me ndihmën e At Artur Liolinit në arkivin e Fan Nolit, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Është fjala për miratimin që i bën kërkesës së Fan Nolit për të ndjekur Shkollën e lartë teologjike të Harvardit dekani i saj, prof. dr. c. Conrad Wright. Ai, pasi është konsultuar me Departamentin e Dhiatës së Vjetër, i ofron me kënaqësi të veçantë të ndjekë dy klasa menjëherë, hebraisht dhe aramaisht. Dhe këtë e bën dhe “si mirënjohje për punët dhe përkthimet akademike që ka kryer në fushën fetare. Ndërkaq, shton se “Bishop Fan S. Noli figuron edhe në listën si “Visiting Scholar” të shkollës së tyre, pra si studiues i jashtëm.
E gjithë kjo praktikë zyrtare është zhvilluar plot 50 vjet më parë. Pas kësaj, Noli u ul rishtazi në auditorët e Harvardit dhe ndoqi leksionet. Do të qëllonte që bashkatdhetarët ta shihnin Nolin mëngjeseve me libra kur drejtohej për në Kembrixh. Bill Gunari, një vatran i vjetër, që e njoha në Boston në vitet ‘90, do të më tregonte: “E pashë një ditë Hirësinë e Tij tek qëndronte në trotuar para Kishës së Shën Gjergjit dhe unë po kaloja me makinë. Qëndrova, e përshëndeta dhe dallova që mbante në duar metodën “Biblical Aramaic”.
Hirësi, e pyeta, mos doni të shkoni gjëkundi? Po, m’u përgjigj, më ço deri në shkollë. Në shkollë?! U habita unë. Ju tani mësoni të tjerët. Ai qeshi dhe më tregoi se ndiqte një fakultet tjetër. Më tha se të diturit s’ka fund dhe se ai, ashtu si Sokrati, plakej duke mësuar. Kur e hipa në makinë, gjatë rrugës, në bisedë e sipër, mora vesh se studionte dhe mësonte gjuhën aramaike dhe përsëri i çuditur e pyeta: Ç’ju duhet kjo gjuhë tani, Hirësi? Si ç’më duhet?, ma priti, po unë së shpejti do të shkoj te Perëndia dhe dua t’i flas me gjuhën e tij. Në fakt, Noli nuk i tregoi mikut se ç’do të bënte duke mësuar gjuhët biblike. Por të gjithë ata që e njihnin nga afër, e dinin se ai studionte dhe punonte pareshtur. Kështu, krahas ndjekjes së fakultetit të ri, ai përkthente psalmet. Një punë e madhe dhe e vështirë, që ai e kryente me pasion dhe përkushtim. Aq i tërhequr ish pas kësaj pune fisnike, sa atë vit nuk shkoi për pushime si zakonisht në Florida. I kredhur i tëri në botën biblike, poeti dhe eruditi ynë i madh do të përkthente në anglisht “Psalmet”, duke u bërë jehonë në vargje disa të vërtetave universale dhe të përjetshme, për të cilat ai kish medituar një jetë të tërë.
Libri “The psalms” doli në dritë në verën e vitit 1964, me emrin Mitropolit Fan S. Noli PhD., me kushtimin “Kujtimit të dr. Norbert Joklit, profesor i Universitetit të Vjenës, autoritet në studimet e filologjisë shqiptare, mik i ngushtë dhe shkencëtar i madh, që më inkurajoi në përkthimet e mia nga letërsia botërore. Me mirënjohje dhe admirim”.
Ky ishte libri i fundit i Nolit, beteja e fundit e këtij titani të botës shqiptare, që, sa qe gjallë, u ndje ngaherë nxënës. /Dita/ KultPlus.com
Dy vite më parë, ka vdekur në moshën 88-vjeçare fituesi progresist dhe jo-konformist i çmimit Nobel për Letërsinë Kenzaburo Oe.
Oe u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi në 1994 dhe e përdori famën e tij për të denoncuar si armët bërthamore ashtu edhe fuqinë bërthamore.
Nobelisti i madh lindi më 31 janar 1935. Ai ishte një shkrimtar, i cili konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë moderne japoneze, japonezi i dytë pas Yasunari Kaëabata-s, që u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë.
Ai studioi Letërsi Franceze në Universitetin e Tokios, fitoi çmimin e tij të parë letrar, çmimin e famshëm “Akutagawa” për një tregim të shkurtër, “Violonçel”, në moshën njëzet e tre vjeçare./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic.
Gjatë takimit, Osmani diskutoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal si hap kyç për avancimin e gjithë rajonit dhe një kontribuues për stabilitet dhe progres. Ajo vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike.
Duke folur për Procesin e Berlinit, presidentja Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor.
Tutje, ajo theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit.
Gjithashtu, Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal./KultPlus.com
Rrugicat me kalldrëm të kalasë u mbushën me gjallërinë e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Elbasanit, në këtë vigjilje të Ditës së Verës.
Fëmijët e të rinjtë sollën me vete copëza nga trashëgimia e pasur kulturore e qytetit, duke ua prezantuar ato qytetarëve por edhe vizitorëve të Elbasanit.
Nxënësit e shkollave të Elbasanit bënë një prezantim të zanateve të vjetra, punimeve artizanale me grep e shtiza e deri te veshjet popullore dhe gatimet tradicionale. Në një farë mënyre, festa nisi që sot, duke marrë ngjyrat dhe aromat e kulturës elbasanase.
Muzika tradicionale dhe allet me kostumet karakteristike shtuan atmosferën festive, duke e kthyer kalanë në zemrën e festimeve për Ditën e Verës./atsh/KultPlus.com
Rosela Gjylbegu është një prej këngëtareve më të pëlqyera shqiptare.
Me zërin dhe stilin e saj të veçantë mori zemrat e publikut që në daljen e parë në skenë, përcjell KultPlus.
Rosela gjithmonë ka ditur të sjellë performancë dhe këngë të fuqishme të cilat e karakterizojnë dhe e bëjnë unike në ndërtimin e një karriere fantastike muzikore.
KultPlus ua risjell videon e këngës “Rri me mua” të cilën ajo e këndoi në festivalin ‘Kënga magjike’ 2014./ KultPlus.com
Zoti im, ATI im Cili është ai mashkull Aq i bukur Që po vjen te unë Sytë shigjeta-tinëzare Drejt në zemër M’i ka ngulur?
Kur më prek Me duart aq të buta Lëkurën ma puçrron… Pse kur më puth në qafë Drithëroj e tëra Njomem atje poshtë?
Buzët më hapen E kërkojnë buzët e tij Gjuha e tij e lëngësht Gjuhën time do?
E kur kaq butësisht Më përqafon Ndiej në bark Të ngjeshur Mikun e tij të fortë! Qepe gojën, boll Mjaft me këto dokrra Ai është vëllai yt E kjo që mendon Është blasfemi!
Në ferr do të digjesh Nëse shkon me të Kurrë më për gratë S’do kem mëshirë E në jetë të jetëve Do të vuajnë Mallkimin tim! Në djall vafsh ti, o Atë Bashkë me vullnetin tënd! Vëllai im Unë dua të kryej incest me ty!/ KultPlus.com
Më 3 shkurt të vitit 1889 në Uashington përfundoi instalimi i dritave në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, thuhet se presidenti i asaj kohe, Benjamin Harrison dhe familja e tij nuk i preknin me dorë çelësat për të ndezur dhe fikur dritat, nga frika e korrentit. Në atë kohë energjia elektrike ishte diçka e re. Kështu, punonjësit e Shtëpisë së Bardhë, para se të shkonin në shtëpi, çdo mbrëmje i fiknin dritat dhe i ndiznin ato kur vinin për të punuar në mëngjes.
Gjatë natës, familja presidenciale e Shteteve të Bashkuara vazhdonte të përdorte qirinj, gaz natyror dhe fenerë, të cilat ishin përdorur para elektrifikimit të Shtëpisë së Bardhë./ KultPlus.com
Më 21 mars do të mbahet nata e hapjes së Frankofonisë, ku do të festohet gjuha dhe kultura franceze me tinguj magjik dhe kërcime të paharrueshme.
Mbrëmja fillon nga ora 19:00
“Një natë e mbushur me muzikë, DJ dhe vallëzim, duke sjellë energjinë dhe shpirtin e botës frankofone! Le të bashkohemi për të krijuar kujtime të bukura nën ritmet e muzikës!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Është e ditur që tashmë Erzë Dinarama do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025. Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka mirëpritur arkitekten Dinarama në një takim.
“Ishte kënaqësi të dëgjojmë nga vet autorja idenë, vizionin e përgatitjet që po bëhen për pjesëmarrjen në këtë ngjarje shumë të rëndësishme”, thuhet në postimin e MKRS.
Me projektin “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” Erza trajton një temë shumë të veçantë, eksploron ekologjitë në ndryshim të shkaktuara nga klima dhe zonat klimatike, kjo përmes pëshkrimeve të erërave nga fermerët tanë.
“Përgëzime për Erzën, mbarësi në këtë detyrë të rëndësishme”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Mbi 1000 të pranishëm kanë duartrokitur gjatë paraqitjen e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Casino Bern, të mërkurën mbrëma.
Nën drejtimin e Antoine Marguier, koncerti, i cili u mbajt në kuadër të festimeve të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nisi me intonimin e himneve të Kosovës, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, për të vijuar më pas me “Bareshën” e Rexho Mulliqit.
Orkestra solli traditën muzikore kosovare përpara publikut në kryeqytetin zviceran me Koncertin për saksofon, harqe dhe perkusione të Valton Beqirit, me solist saksofonistin Vitaly Vatulya. Sopranoja Besa Llugiqi mbizotëroi skenën me interpretimin e saj, duke filluar me arien “Un bel dì vedremo” nga opera Madama Butterfly dhe “È strano… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit, ku iu bashkua tenori Oscar Esmerode. Në bis, Llugiqi interpretoi “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
Në pjesën e parë të koncertit, orkestra interpretoi gjithashtu uverturën e operës Nabucco të G. Verdit.
Ndërsa në pjesën e dytë, Orkestra u rikthye në skenë me interpretimin e Simfonisë nr. 2 të kompozitorit Kreshnik Aliçkajt dhe e mbylli mbrëmjen me suitën nr. 2 nga “The Three-Cornered Hat” e kompozitorit Manuel de Fallas.
Të pranishëm në koncert, përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane, diplomatëve, numrit të madh të diasporës shqiptare, qe edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Filharmonia e Kosovës do të rikthehet me koncerte në Kosovë gjatë muajit mars, fillimisht me koncertin e Korit të Filharmonisë dhe ansamblit harkor nën drejtimin e Hajrullah Sylës në Rahovec (26.03.2025), si dhe me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, me solistë Liza Kerob dhe Altin Tafilaj, në mbyllje të Javës së Frankofonisë në Prishtinë. (28.03.2025).
Mbrëmë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është promovuar libri “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, nga Radomir Dimiq, emër i njohur në politkë, gazetari e shoqëri civile, shkruan KultPlus.
Në librin “Një kosovar si Radomiri” janë të përmbledhura disa nga shkrimet dhe intervistat që Dimiq i ka bërë për mediat kosovare në gjuhën shqipe, të botuara ndër vite në gazeta të ndryshme si”: Koha Ditore, Info Press, Zëri, Ekonomia Online, Kosova Press dhe Kosova Sot.
Gjatë ceremonisë promovuese u tha se Radomir Dimiq ka qenë i njohur edhe si drejtues ndërmarrjesh shtetërore para luftës në Kosovë. Ndërkaq, tash e 25 vite ai me vullnet, e pa frikë angazhohet publikisht për një shoqëri kosovare të pandarë, për një shoqëri që sheh nga e ardhmja, por nuk e harron të kaluarën.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit të tij librin e cilësoi si testament të guximit, të së vërtetës dhe të shpirtit të pathyeshëm të njeriut.
“Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu ka thënë se angazhimi i Dimiq nuk ishte i lehtë, pasi Dimiq pagoi çmimin e guximit të tij duke u shpallur tradhtar në Beograd dhe duke u sulmuar nga strukturat nacionaliste shtetërore dhe para-shtetërore, para të cilave ai nuk u ndal kurrë.
“Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. “Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave” – shtonte ai”, ka thënë kryeministri Kurti.
Tutje, kryeministri Kurti tha se libri “Një kosovar si Radomiri” është një përmbledhje tekstesh që i sfidon të gjithë, duke pyetur se çfarë bëhet me të vërtetën, se a do të vazhdohet me heshtje para padrejtësive apo të ngrihet zëri në shoqëri?
“Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi”, ka thënë Kurti, duke potencuar se guximi për ta thënë të vërtetën nuk është i shpeshtë, ashtu skurse guximi për ta dëgjuar seriozisht atë.
“Shumica e njerëzve duke sfiduar bëhen të guximshëm por përshtypja ime për Radomirin është që, ky sfidon për shkak se është i guximshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndërkaq, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami ka thënë se libri është përmbledhje shkrimesh ku evidentohet konsistenca dhe vendosmëria e Dimiq në qëndrimet e tij, të nxjerra para publikut si gjithherë me fjalë të qarta e pa ekuivoke. Botimin e librit “Një ksovar si Radomiri” e ka cilësuar si një publikim me rëndësi të madhe.
“Bëhet fjalë për një libër dëshmi që risjell fjalët e shkruara nga një autor, gazetar dhe aktivist serb i Kosovës që është kritik i hapur, i pa kompromis, konsekuent i politikave anti-kosovare dhe anti-shqiptare të liderëve dhe elitës intelektuale të Serbisë ndër dekada duke filluar nga Millosheviq, Akademia e Dobrica Qosiq e deri tek Vuqiq, Dodiku dhe elita e sotme politike dhe intelektuale në Serbi, e cila fatkeqësisht mbetet e kapur nga idologjia serbomadhe dhe shqiptarourrejtëse”, ka thënë ambasadori Bajrami, duke potencuar se në të gjitha shkrimet dhe deklarimet e tij, Dimiq, jo vetëm që ekspozon këtë realitet idologjik dhe politk të serbisë por edhe del hapur kundër tij.
“Nxjerr në pah helmin racist që vlon në lëkurën e retorikës politike të shteti serb dhe lidërve të tij, ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Në këtë kuptim shkrimet e tij janë antidot i këtij helmi. Ai po ashtu hedh dritë mbi errësirën ku qëndrojnë të heshtur ata që janë kapur peng nga politika zyrtare e Serbisë në Kosovë. E, ky është komuniteti serb i Kosovës, sepse Dimiq në esence është një kryqtar në betejë për të shpëtuar komunitetin e tij nga kthetrat e pushtetarëve nacionalist e militant në Beograd, të cilët këtë komunitet e keqpërdorën dhe vazhdojnë ta keqpërdorin e sakrifikojnë për ta luftuar Kosovën e lirë, demokratike dhe evropiane”, ka thënë ai.
Sipas ambasadorit Bajrami, në këtë kryqëzatë të Dimiq kundër politikës agresive antishqiptare të shtetit serb, arma kryesore e tij është fjala e lirë, dhe e vërteta e plotë. Sipas Bajramit shkrimet e Dimiq, të hartuara me saktësinë e një gazetari dhe pasionin e një aktivisti e qajnë dhe shpërndajnë mjegullën e urrejtjes zyrtare ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ky libër, ky rrëfim i Radomirit dhe për Radomirin është relevant jo vetëm për Kosovën dhe bashkejtesën shqiptaro-serbe në Kosovë, në Kosovën e Pavarur Demokratike dhe Evropiane, mendoj se rrëfimet si ky duhet përquar tutje dhe shpresoj se së shpejti do të mund t’i kemi këto shkrime të publikuara edhe në gjuhën serbe, angleze, franceze, italiane, spanjolle, gjermane etj, sepse fjala e lirë e Radomirit që sjellë të vërtetën për Kosovën përmes syve të tij, është e vërtetë që flet qartë pa ekuivoke e ambiguitete. Kjo është ajo për çka kemi nevojë sot”, ka thënë ai.
Ndërsa, Radomir Dimiq në fjalën e tij, ka thënë se ky libër është biografia e tij kundër luftës dhe obligimi i tij qytetar ndaj Kosovës.
“E falenderoj gazetën Koha Ditore, Info Pres, Ekonomia Online, Kosova Sot dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në publikimin e shkrimeve të mia. Ky libër sqaron hapësirën e lirisë, është biografia ime kundër luftës, rezistenca ime, e vërteta, drejtësia, solidariteti dhe mospranimi ndaj gënjeshtrave. Ky është obligimi im qytetar ndaj Kosovës, dhe falënderimi i tij për ata që e kanë përhapur në një kohë të trishtueshme, gjatë viteve të 90-ta të regjimit kriminal të diktatorit Slobodan Milošević”, ka thënë Dimiq, i cili në fund të ceremonisë ka recituar vargjet e poezisë “Mëmëdheu”, të Andon Zako Çajupit.
Promovimin e librit “Një kosvar si Radomiri” e ka mundësuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Integra”, “Rockefeller Brothers Fund” dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com
Jo shumë larg nga Tirana, ndodhet mali i Dajtit, i cili premton një arratisje të paharrueshme në natyrën shqiptare, shkruan Estelle Brana në një artikull të botuar në revistën franceze “EnVols”.
Mes pamjeve mahnitëse, ndalesave kulturore dhe ecjeve soditëse, ky park kombëtar është ideal per adhuruesit e aventurave dhe turistët që kërkojnë paqe dhe qetësi.
Mali i Dajtit, një masiv gëlqeror i zhytur në historinë shqiptare, zbulon kontrastet e tij natyrore 26 kilometra larg Tiranës.
Parku i gjelbër me pamje nga kryeqyteti, ofron eksplorimin mes qiellit dhe tokës.
Ballkoni i Tiranës
E quajnë “Ballkoni i Tiranës” për shkak të lartësisë prej 1 613 metrash, ku duket sikur shtrihet e gjithë Shqipëria, kryeqyteti si një model i animuar, fushat si një mozaik i gjallë dhe, në një ditë të kthjellët, deti Adriatik që shkëlqen në horizont.
”Dajti Ekspres” ju çon nëpër pyje dhe lugina për 15 minuta. Ky teleferik i gjatë lidh periferinë e Tiranës me stacionin e sipërm.
Alpinistët me përvojë mund të vazhdojnë deri në majën kryesore, mali i Dajtit ose në majën e Tujanit, këndvështrime ku Shqipëria zbulon natyrën e saj të vërtetë.
Një vend i shenjtë dhe biodiversiteti
Një park kombëtar që nga viti 1996, Dajti është shtëpia e më shumë se 1 000 llojeve bimore me një sipërfaqe prej 29 384 hektarësh, duke përfshirë disa endemike.
Ahu, lisi dhe pisha e zezë mbizotërojnë në këtë peizazh ku derrat e egër, dhelprat dhe ndonjëherë ujqërit bredhin nën hije.
Ornitologët kanë regjistruar 180 lloje zogjsh atje, duke përfshirë shqiponjën e artë që fluturon mbi relievet gëlqerorë 65-milionë vjeçarë.
Aktivitetet sportive përfshijnë: ecje, kalërim dhe hedhje me parashutë në zonën rreth pishave shekullore.
Natyra në buzë të parkut
Përtej masivit kryesor shtrihet një territor me shumë pamje. Në veri, Kanioni i Brarit të tërheq me muret e tij marramendëse të shtrira – një lidhje mes epokave – një urë osmane e gërryer ndër shekuj.
Jo shumë larg, Shpella e Pëllumbasit mahnit me galeritë e saj gëlqerore, një vend i shenjtë nëntokësor ku paraardhësit gjetën strehim më shumë se 10 000 vjet më parë.
Shtegu rrethor i Shpellës së Zezë përshkon rrugën drejt një formacioni gjeologjik që daton në epokën e Jurasikut, dëshmi e mëtejshme e pasurisë nëntokësore shqiptare.
Në verë, kur dielli shkëlqen me rrezet e tij të zjarrta, ujërat bruz të Kanionit të Erzenit ofrojnë freski për notarët e guximshëm, ndërsa Ujëvara e Shëngjergjit, e arritshme pas një shëtitjeje të shkurtër, magjeps me ujërat e pastra kristal në një amfiteatër gjelbërimi.
Këto strehë natyrore, ende të paprekura nga turizmi masiv, ruajnë gjurmën e një natyre që, në këto lugina të thella, vazhdon të diktojë ligjin e saj.
Mes tavolinave dhe traditave
Mali i Dajtit ruan në mënyrë të çmuar identitetin shqiptar. Në restorantet malore si “Ballkoni Dajtit” – pjatat tradicionale si tava e kosit, turshitë dhe trileçja – tregojnë historinë e kuzhinës së vendit, shoqëruar me një panoramë që të lë pa frymë.
Në fundjavë, shëtitjet, një traditë vendase e një pikniku të gjatë, i jep jetë maleve. Familje dhe grupe miqsh mblidhen aty nga Tirana për barbekju.
Në fshatrat përreth, larg qarqeve turistike, koha kalon ndryshe. Aty do të ndesheni me një mikpritje thuajse të shenjtë që e shndërron të huajin në mik.
Gjurmët e historisë
Nga rrënojat ilire të shekullit VI para erës sonë e deri te instalimet ushtarake tashmë të braktisura komuniste, Dajti mban gjurmët më të hershme të epokave.
Gjatë periudhës komuniste (1944-1991), mali strehonte bunkerë dhe poste vëzhgimi strategjike, tashmë ato janë të populluara, por ende të dukshme për syrin e vëmendshëm.
Dajti shërbeu edhe si strehë për luftëtarët e rezistencës gjatë pushtimit osman dhe më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç dëshmohet nga gurët përkujtimor të shpërndarë përgjatë shpateve të pyllëzuara.
Këta gurë të rraskapitur pëshpërisin historinë e një Shqipërie elastike, një udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka kaluar nëpër epoka pa humbur kurrë shpirtin, si ky mal që, i patrazuar, vazhdon të vëzhgojë Tiranën. /KultPlus.com
Nata kaloi e qetë, njoftoi sot Vatikani në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut, i cili po trajtohet në Poliklinikën Gemelli në Romë që nga 14 shkurti, raporton Vatican News.
Raporti mjekësor me shumë mundësi nuk do të publikohet sonte, por zyra e komunikimit të Vatikanit, si gjithmonë, do t’u japë gazetarëve informacione të përgjithshme, raporton i njëjti burim.
Një deklaratë e mëparshme që përmbante një raport mjekësor, të lëshuar mbrëmjen e së mërkurës, 12 mars, thoshte se “gjendja klinike e Atit të Shenjtë, në përgjithësi, mbetet e pandryshuar”.
Një rreze X e gjoksit e marrë të martën konfirmoi përmirësimet e vërejtura në ditët e mëparshme. Ati i Shenjtë vazhdon me terapinë me oksigjen me fluks të lartë gjatë ditës dhe ventilim mekanik joinvaziv gjatë pushimit të natës.
Në të njëjtën deklaratë thuhet se mëngjesin e së mërkurës, “pas ushtrimeve shpirtërore që ndoqi me video link live nga salla Pali VI, mori Eukaristinë, iu përkushtua lutjes dhe fizioterapisë motorike”. Pasdite, pasi iu bashkua ushtrimeve shpirtërore të Kurisë, vazhdoi me lutje, pushim dhe fizioterapi respiratore”./ KultPlus.com
13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.
Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.
Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com
Organizatat Durrësi Aktiv dhe MuZEH Lab organizuan trajnimin “Interpretimi i Trashëgimisë dhe Tregimi i Historive”.
Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja mes të shkuarës dhe të ardhmes”, në kuadër të programit të granteve EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Pjesëmarrësit, gjatë këtij aktiviteti eksploruan teknika mbi tregimin e historive, zhvilluan ushtrime praktike dhe shëtitën në “Shtegun e dyerve të vjetra” të Durrësit, duke rijetësuar historinë.
Gjatë aktivitetit u diskutua mbi tema që përfshijnë fuqinë e tregimit të historive në përvojat e trashëgimisë, rëndësinë e interpretimit në ruajtjen e identitetit kulturor si dhe për krijimin e shtigjeve ndërvepruese dhe përfshirëse të trashëgimisë. /KultPlus.com