Dita e Pavarësisë së Kosovës, Sula publikon pjesë nga dosja e ish-Sigurimit për Jusuf Gërvallën

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, dr. Gentiana Sula, uroi sot 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me publikimin në rrjete sociale të një shënimi të Jusuf Gërvallës, politikan, shkrimtar, muzikant dhe themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës në vitet ’80, që u vra nga ish-shërbimi sekret jugosllav, një natë me shi në Shtutgart të Gjermanisë.

“Kur një popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e mbrun atë që pret. Edhe sot e kësaj dite, Jugosllavia vazhdon të mos e marrë parasysh një nga kërkesat themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara: të drejtat njerëzore. Për më tepër, ajo mohon të drejtën për informim, ndonëse e propagandon me të madhe. Natyrisht, për këtë shpërfillje, ajo ka arsyet e veta të forta. Brenda kufijve të saj bashkëjetojnë disa kombe dhe kombësi, interesat e të cilëve nuk përputhen me ato të Federatës Jugosllave, të cilën e mbajnë në këmbë kryesisht serbët hegjemonistë”, shkruan Gërvalla.

“Njohja dhe respektimi i të drejtave të garantuara nga Karta e OKB-së do të ekspozonte politikën e hegjemonizmit serb dhe do të përshpejtonte procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave, e cila përbëhet nga gjashtë republika dhe dy krahina të ashtuquajtura autonome”, shkruhet në një dokument që është pjesë e fashikullit për të që ndodhet në arkivin e ish-Sigurimit.

Suzana u njoh me dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit kishte grumbulluar për bashkëshortin e saj gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe mbi aktivitetin e tij politik në Kosovë dhe Gjermani gjatë viteve ’80.

Më 17 janar të vitit Kadri, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vdesin në vendin e ngjarjes, Jusufi më vonë. Këto të dhëna janë të dokumentuara edhe në arkivat e ish-Sigurimit.

Historia e tyre dhe shumë të tjerëve lidhet me sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Pavarësisht periudhës së errëta të komunizmit shqiptarët kanë mbajtur gjallë lidhjen e pandashme të dashurisë dhe unitetit me njëri-tjetrin”, shkruan Sula. /atsh/ KultPlus.com

Poezi madhështore për Kosovën nga Ismail Kadare

Një nga vjershat e rralla ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë.

– Ismail Kadare/filozofia.al

NEWBORN me pamje të re, Rama: Ua heq me kënaqësi kapelën autorëve të këtyre germave monumentale

Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video nga monumenti i pavarësisë NEWBORN, i cili vjen me një pamje të re duke reflektuar një nga temat më të diskutuara në vend dhe në mbarë botën, inteligjencën artificiale.

“Një herë në vit, tamam në këtë ditë, ua heq me kënaqësi kapelën autorëve të këtyre germave monumentale”, shkruan kryeministri Rama në videon e ndarë në rrjetet sociale.

Ideatori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka theksuar për mediet se përmes ngjyrosjes së NEWBORN-it, ata synojnë ta përfaqësojnë Kosovën me tema aktuale ndër vite.

Sivjet, fokusi ishte tek inteligjenca artificiale, një teknologji që po ndryshon mënyrën se si funksionon shoqëria moderne.

NEWBORN është shndërruar në një atraksion turistik që kur u ekspozua për herë të parë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Monumenti simbolizon shtetin më të ri në Evropë.

Pavarësia e Kosovës, flamuri gjigant i Kosovës shpaloset në Tiranë në sheshin ‘Nënë Tereza’

Sot mbushen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra festive me rastin e përvjetorit të 17-të të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur.

Flamuri gjigant i Kosovës është shpalosur në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”.

Ndërsa kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra festive i zbukuruar nga flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë.

Flamujt kombëtarë janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nuk mungojnë përgjatë trotuareve të bulevardit pikat ambulante që tregtojnë suvenire me motive kombëtare. Bashkia e Tiranës me këto aktivitete synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat kombëtare, traditat, por dhe për trashëgimin e historisë së kombit shqiptar te brezat e rinj.

Hapet zyrtarisht Muzeu ‘Nënë Tereza’ në Prizren, ekspozohen dokumente e fotografi që pasqyrojnë humanizmin e Shën Nënë Terezës

Në një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e personaliteteve të shquara, sot në Prizren u hap zyrtarisht Muzeu “Nënë Tereza”, e cila ngjarje u zhvillua në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë kësaj dite një domethënie të veçantë.

Muzeu, i cili i dedikohet jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, përmban dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë humanizmin dhe përkushtimin e Nënë Terezës ndaj njerëzimit, që si institucion kulturor synon të jetë një qendër inspirimi dhe reflektimi për brezat e ardhshëm.

“Përurimi i Muzeut “Nënë Tereza” përforcon identitetin kulturor dhe historik të Prizrenit, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme për studiuesit, turistët dhe admiruesit e figurës së saj madhështore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës së Prizrenit./

Flaka Goranci & Shkëlzen Baftiari sonte në koncertin e Filharmonisë në shënim të 17-të vjetorit të Pavarësisë

Filharmonia e Kosovës sonte do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.

“Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.

Koncerti do të mbahet sonte në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com

‘Jam shqiptar e kosovar, zot e krenar, zot e bujar’

Nga Mitrush Kuteli

Jam shqiptar
e kosovar;
zot e krenar,
zot e bujar
mbi këtë dhé,
q’e kam si fe,
e përmbi fé:
E kam vatan!
E kam atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë.
Ti shqa thërret,
ti shqa bërtet,
gjer lartë në retë
se jam barbar.
Jo, s’jam
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po vendin tim e dua,
lirinë e dua,
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu
kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu
kur Mal i Zi
ish Iliri;
kur nga një det
në tjetrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu
nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën
fushë
e malin
mal.
Unë jam këtu
e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri. /KulktPlus.com

Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit

Nga: Halil Haxhosaj

Figura e Kosovës zë vend të veçantë pothuaj në të gjitha zhanret e krijimtarisë sonë, duke filluar nga ajo letrare, teatrore, filmike, muzikore, në arte pamore, si në pikturë e skulpturë, etj. Nga motivi dhe tema e Kosovës janë krijuar dhe janë skalitur jo vetëm vepra e kryevepra, por janë shkruar edhe poezi, tregime, romane, drama dhe vepra muzikore, madje edhe opera. Secila prej llojeve të krijimtarisë me temë për Kosovën kanë shënuar diçka të veçantë dhe të arrirë artistike e letrare. Madje, me këtë temë janë marrë krijuesit më të spikatur dhe më të njohur të krijimtarisë sonë kombëtare kudo ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Edhe në poezi tema për Kosovën zë njërin ndër vendet më të merituara. Pothuaj se nuk ka poetë shqiptarë që nuk ka shkruar ndonjë varg për Kosovën. Andaj, mund të konstatohet se sot nuk ekziston poetë shqiptarë, sidomos në Kosovë, që nuk i ka kushtuar, bile, disa vargje Kosovës, apo që nuk e ka trajtuar këtë temë në poetikën e vet. Poetët që kanë shkruar për Kosovën janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por edhe  Zef Serembe, Hil Mosi, Asdreni, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vorea Ujko, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Martin Camaj, Esad Mekuli, Ali Podrimja, e deri edhe te poeti më i ri i brezit të poezisë bashkëkohore shqiptare. Poezitë me këtë temë janë mbledhur edhe në vëllime të veçantë apo, pse jo, janë përpiluar edhe antologji me tematikë për Kosovën.

Kosova në vargjet poetike të Dritëro Agollit

Edhe Dritëro Agolli, njëri ndër poetët më të njohur të poezisë sonë bashkëkohore, shkroi vargje për Kosovën. Ato janë madje një ndër kulmet e poezisë së tij në përgjithësi. Interesimi për poezi me tematikën dhe motivin e Kosovës, Agollin poet, shqiptar dhe njeri e preokupoi që në fillim. Por, kjo tematikë sa vjen e shtresohet në krijimtarinë e tij në përgjithësi dhe në atë poetike në veçanti, kur shtohet më shumë dhimbja, malli, gjaku, tmerri, robëria, kur ndërrohen stinët dhe ngatërrohen faqet e historisë sonë. Apo kur atdheu i poetit dhe i të gjithë shqiptarëve bëhet:

“O gur i çarë më dysh me sëpatë
Ku shalët i hap mbi dy anët
shqiponjëza plakë”

sepse nëpër të çarën e tij rrjedh lumi, i cili shndërrohet në simbol funksional figurativ poetik të bashkimit të atdheut të ndarë, e pse jo edhe të copëtuar. Krenaria e këtij atdheu të poetit kurrë nuk është zbehur në krijimtarinë tonë, por ajo ka qëndruar dhe gjithmonë është skalitur me mjete dhe elemente të reja e bashkëkohore. Edhe pse ndonjëherë në këto vargje duket se rrjedh nga pak lëng me shije romantike, kur ato lexohen më tutje, kjo bindje zhduket dhe zbehet.

Zbehja ndodh sepse Kosova gjithmonë është plagë e pashëruar që kullon gjak, i cili mbase edhe rastësisht duhet derdhur për lirinë e pa fituar dhe të mbetur peng ngaherë deri në fund të shekullit XX. Mbase, mu këtë motiv e trajton me përkushtim, me ndjenjë dhe me frymëzim të madh poeti Dritëro Agolli në poetikën e vet. Në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të XX, ai do të shkruaj disa poezi për Kosovën si “Unë di shumë për Kosovën”, “Qeleshja”, “Mesazhi i çuditshëm”, “Nusja nga Kosova”, “Këngë për Kosovën:”, “Një gur i çarë”, “Tespihet e Idriz Seferit”, e të tjera. Duhet cekur se disa prej poezive të lartë përmendura e kanë të shënuar edhe datën e shkrimit, me çka dëshmohet e dhëna se shumica prej tyre janë shkruar gjatë viteve 1995, 1996 dhe 1997. Secila prej tyre është një hallkë e temës që pasqyron, kuptohet artistikisht, gjendjen e Kosovës, që ishte bërë motiv dominues në krijimtarinë tonë në fund të shekullit të kaluar.

Vargjet e këtyre poezive frymojnë me kohën, lëngojnë me klimën dhe motin e asaj kohe, ecin nëpër vështirësitë e saj dhe përballen me të gjitha pengesat që u dalin përpara. Vargjet e tyre shndërrohen në dhimbje, ofshama, plagë, por janë qëndresë dhe pasqyrim i trimërisë dhe i pamposhtmërisë. Vetëm kështu vargjet poetike për Kosovën të Dritëro Agollit, marrin ngjyrën e gjakut të derdhur të trimave që shkruan lirinë e saj të ëndërruar me mote, stinë e shekuj. Agolli nuk mëdyshjet për fitoren, luftën çlirimtare dhe lirinë, andaj në këto vargje duket haptas optimizmi dhe kurorëzimi i sakrificës për lirinë e plotë të Kosovës edhe pse ende bëheshin ahengje dhe kurdisje në kurriz të lirisë së saj.               

“Atdhe
O gur i çarë, engjëjt e tu këtej
dhe andej nga Kosova,
Me lugën e djajve çorbën e glasave hanë.
“E shijshme kjo çorbë,
e na rroftë shqiponja”-
Këndojnë nën shalët e shqipes
engjëjt e djajtë anembanë”

thotë Dritëro Agolli në vargjet e fundit të poezisë “Një gur i çarë” të shkruar në muajin shtator të vitit 1995. Por, pena e tij nuk do të ndalet vetëm me kaq. Ajo me dorën e poetit do të shkruaj edhe më tutje, do të këndojë këngë të tjera. Do të shkruaj vargjet më të bukura për Kosovën në poezinë “Këngë për Kosovën”, ku pasqyrohet afshi, malli, akuza, mosdurimi, mllefi, e pse jo edhe sarkazma dhe satirizimi. Të gjithë këto elemente bashkëdyzohen dhe frymojnë nëpër kohën dhe hapësirën e caktuar, nëpër rrathët e historisë së vrazhdë.

Figura e atdheu të çarë

Poezia “Këngë për Kosovën” përbëhet prej tetë pjesësh që shënohen me numër prej 1 deri në 8. Secila pjesë i ka nga tri strofa (pjesa e 7-të i ka katër) me nga katër vargje dymbëdhjetë rrokeshe me rimë ABAB. Gjashtë pjesët e poezisë fillojnë me sintagmën poetikë “Këngë e vargje …”, ndërsa pjesa e tretë nis me “Kënga për Kosovën …” dhe ajo e teta me “Për Kosovën thurin…” që nuk janë asgjë tjetër veçse derivate të sintagmave të gjashtë pjesëve të tjera të poezisë. Në vargjet e kësaj poezie, tema e Kosovës ngritët artistikisht në nivel kombëtar dhe atdhetar.

Poeti Agolli këtë e shtron në formë të një dialogu imagjinar poetik duke simbolizuar atdheun e shqiptarëve të ndarë në pjesë, e sidomos Kosovën e ndarë nga Shqipëria dhe të mbetur nën sundimin serb. Andaj, ai “i mbështjellë” vargjet me petkun baladesk e legjendar ballkanik i cili shtrihet trup e tërthor në krijimtarinë e Ballkanit, duke gërshetuar elemente të popujve të tij. Kosova, në këtë rast kërkon ndërtim të themeleve të rinj, për çka duhet bërë theror “kurban”, si në baladën e murosjes. Në këto themele, poeti kërkon që të bëhet kurban ai vet, sepse atëherë shpirti i tij do të dëshmojë para serbit se në themelet e Kosovës është derdhur gjak i ri, për ta ruajtur atë, kullat dhe autencitetin e saj, duke filluar me vargjet:

“Këngë e vargje thurin për Kosovën,
Për një gur, për kullat me frëngji. 
Për Kosovën unë e pres dhe kokën,
E bëj gur themeli në shtëpi”

Për të përfunduar këtë poezi të gjatë të shkruar për Kosovën, me këto vargje:

“Nga rënkimi i murit të shtëpisë
Nën një gardh ku mbillet grurë e kërp,
Do të shtanget serbi larg Serbisë:
“Qenka Dritëroi, nuk qenka Serb”!…”

Poeti pastaj do t’i bëjë gati armët e veta, pra vargjet, për të luftuar sepse është dhënë kushtrimi historik emblematik: “Me pushkë e pendë për lirinë e atdheut”. Kështu, derisa armiqtë serbë i mbrehnin kosat për të kositur jonxhë e bari të ri në tokën e Kosovës, ai gjuhën e tij e bën kosë për të:

Ndaj dhe gjuhën time e bëj kosë
Ta kosit livadhin me vërtik
Tok me kosovarët në Kosovë
Në Prizren, Drenicë e Kaçanik

Në këtë poezi, Agolli i përdorë disa fjalë dhe shprehje në gjuhën serbishte, të cilat janë tipike si shprehje shënjuese banale në përdorimin e zakonshëm të leksikut serb, si: “Zhalosna ti majka, otac moj”, “Majka” dhe “Lele majka”, që ngërthen në vetvete identitetin e shprehjes së tyre kombëtare. Nëpërmjet tyre, Dritëro Agolli, këtu, dëshiron t’u tregojë lexuesve shqiptarë, e posaçërisht lexuesve nga Kosova, mesazhin se cili është armiku i tyre dhe përse duhet luftuar që ai të shporret nga këto troje. Kuptohet që tokat e Atdheut të mos jenë të çara, por të bashkuara, unike dhe të jenë një.

Poashtu duke u shprehur me gjuhën e të bukurit, pra të poezisë, ai mëton t’u ngjallë dhe ringjallë atyre ndjenjën e atdhedashurisë dhe të sakrificës për lirinë e tij. Kjo arrihet vetëm duke flijuar çdo gjë, madje edhe jetën, sepse vetëm kështu do të mbyllet “e çara” e gurit, gjegjësisht do të shërohet plaga e çarë që ende kullon. Trupi i atdheut të poetit është i ndarë në dysh. Ai është trup invalid. Endet andej e këtej duke çaluar dhe duke mbetur qyqar.

Ai është një gjysmë e lodhur, një gjysmë zë, një gjysmë këngë, një gjysmë jehonë, e pse jo edhe gjysmë dasmë e gjysmë jetë. Këto gjysma janë dysh i vrazhdë që rrojnë nga kohërat e lashta “për një gur, një fis a një stërgjysh”. Askush nuk mund t’ia dijë hallin këtij trupi të ndarë keq në dysh, të këtij trupi që kështu si është nuk i dihet fillimi e as mbarimi. Ai është i shënuar në librin e asistencës të Evropës që një shekull dhe ashtu jeton në mjegull duke e mbajtur në xhep atë kartë. Kategoria e ngritjes së vetëdijesimit duhet të përballet këtu me armikun që autori e identifikon. Ai është shkaktari kryesor i këtij trupi të ndarë. Ai mundohet që kjo ndarje të thellohet edhe më shumë. Madje, ky invaliditet të bëhet sa më i madh dhe trupi mos të shërohet dhe mos të bashkohet kurrë.

Element përafrues në poezitë e Dritëro Agollit me temë dhe motiv nga Kosova është edhe lumi Drin. Ky lumë bëhet simbol i ndarjes e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare. Lumi Drin sajohet prej degëve të tij: Drini i Bardhë dhe Drini i Zi. Që të dyja degët burojnë në tokat shqiptare, por në fillim rrjedhin të ndarë, për t’u bashkuar më vonë në Shqipëri, afër Kukësit. Pastaj rrjedha e Drinit është më e qetë, është më e fuqishme, është më madhështore, është më krenare dhe e pamposhtur. Nga uji i këtij lumi dalin edhe dritat që e bëjnë atdheun të shkëlqejë dhe të lahet në dritat e diturisë, përparimit e të prosperitetit. Atëherë trupi invalid do të shërohet dhe kënga e tij do të jetë jehonë e madhe, sepse do të dëgjohet anembanë. Do të jehojë kudo dhe kurrë nuk do të shurdhohet as vet dhe askënd tjetër nuk do ta shurdhojë:

“Këngët krahë e degë t’i bashkojnë,
Mbledhur si dy Drina në një Drin.”

Ndërsa, poezia me titul “Këngë për Kosovën” përfundon me katër vargje që në vetvete identifikojnë poetin me Kosovën, me këngën, me sakrificën, me mburrjen, etj. Pra trupi i poetit më nuk është invalid, trupi i tij nuk është i çarë, por është një gur i fortë:

“Ah ta bëj dhe serbin ters të thotë:
“Majka, Dritëroi këndon e ndrit,
Majka, Dritëroi një gur i fortë,
Dritëroi s’ka mbetur invalid”! … 

Temën e Kosovës, poeti Dritëro Agolli e trajton edhe si një kushtrim për bashkimin e saj me trupin e atdheut të ndarë dhe të copëtuar. Ky fakt identifikohet edhe në copën tjetër të atdheut të ndarë, në Çamërinë. Por, për të ai shkruan vargje të tjera që shtrihen në gamën e tij poetike.

Imazhi i Kosovës në konotacion historik

Imazhi i Kosovës shpesh është paraqitur vetëm si element historik në zinxhirin e atdheut tonë. Ky imazh karakterizohet i veçantë e shpesh edhe simbiozë e jetës së të gjithë popujve të Ballkanit. Andaj nuk është e rastësishme që për ndonjë ngjarje historike, por edhe për ndonjë figurë, të shkruhen vargje që paraqesin këtë element kaq dominues. Kështu ndodh edhe me poetin Dritëro Agolli.

Ai shkruan vargje për Kosovën dhe imazhin e saj e sheh të shtrirë gjerë e gjatë në histori. Njëherë ai dëshiron që nipit t’ia merr një nuse nga Kosova. Këtë imazh e pasqyron më se miri artistikisht në poezinë “Një nuse nga Kosova” të cilën e nis me vargjet që shprehin një pjesë reale të imazhit të Kosovës, por edhe të atdheut të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht që nga 1912-ta. Paraqitja e imazhit të Kosovës në vargjet poetike të kësaj poezie kapërdihet nëpër të kaluarën historike të mbarsur me adete dhe tradita shekullore shqiptare, që edhe sot e kësaj dite janë për t’u lakmuar.

Elementi i martesës është i lashtë sa vet njerëzimi. Ky element është i ngulitur si rit edhe tek shqiptarët. Andaj, poeti Agolli kërkon një nuse për nipin diku në fshatrat më të thella të Kosovës, pas një zjarri me flakë të kuqe. Gjithmonë motet pas këtyre zjarreve kanë qenë të rënda dhe shumë të vështira për shqiptarët. Por, fatmirësisht ata qëndruan të pamposhtur edhe nëpër këto kohëra të liga. Kështu, ëndrra e poetit për ta martuar nipin me një nuse nga Kosova është e pamundur sepse fisi është ndarë dhe rron vetëm me andralla. Nuk është më koha e legjendave dhe e baladave kur vajzat tona i martonim përtej nëntë konakëve dhe i merrnim nuset përtej nëntëdhjetë e nëntë bjeshkëve e maleve.

Kjo tash nuk mund të bëhet sepse diçka ka ndodhur pas asaj kohës së kuqe, kohës së zjarrit që ka djegur gjithçka që ka gjetur në këto troje. Pastaj ka krijuar kufij nëpër tokat shqiptare sa që është vështirë të kalohen, apo pse jo, ata janë edhe të pakalueshëm. Prandaj, poeti ka mall për doket e martesave tona kur nuset merreshin me kuaj dhe rrugëtimi zgjaste shumë. Ai mallëngjehet për këtë sepse dëshiron që vello e nuses së nipit të mbushet me pluhur dhe ai t’ia shkundi pluhurin nga duvaku afër oxhakut, në vatrën e vjetër sa përralla. Dhe për të gjitha këto, poeti Dritëro Agolli shkruan:

Ku s’merr dot një nuse për nip e për djalë,
Se fisin e ndan kufiri me dy pasaporta:
Këto pasaporta s’të lënë
të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena
dhe as me avionë ndofta…

Poezia “Nusja nga Kosova” ka datën e shkrimit, mars 1996. Është kjo koha kur në Kosovë kishte filluar dalja në skenë e djemve luftëtarë, që më nuk mund ta duronin sundimin e egër të Serbisë dhe errësirën shekullore të robërisë. Mbase, pas dy-tri vjetësh njërit kufi “do t’i thyhen dhëmbët” dhe nuset e Kosovës nuk kanë nevojë më për pasaporta, sepse ato do të parakalojnë për ta shfaqur bukurinë e tyre nëpër plazhet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës. Por, nuk përfundon çdo gjë këtu, sepse plumbi i shkrepur në Idriz Seferin, që qëlloi tespihet e tij, kokrrat e shkapërderdhura ende janë korijeve. Ato duhet mbledhur, duhet bashkuar dhe duhet bërë një. Mbase, kjo nuk është stinë e qëlluar mu për këtë gjë, por duhet gjetur stinën dhe motin e saj të përshtatshëm. Atëherë i dalim borxhi Atdheut, Kosovës, Çamërisë dhe të gjitha copave të tjera të shkapërderdhura nga plumbi mbi tespihet e historisë sonë.

Dritëro Agolli e njeh mirë dhe di shumë për Kosovën dhe e do shumë sepse është pjesë e çarë e atdheut. Por, Dritëroi nuk e do Kosovën vetëm pse është poet. Ai atë e do si njeri e si humanist, e mbi të gjitha si shqiptar, sepse ai i di të gjitha dhe nuk ka kush çka i thotë e as çka i shpjegon për të:

Unë i di të gjitha dhe s’ka kush më thotë
Se gjoja Kosovën nga larg si poet e dashuroj,
Mes Kosovës jam brenda me kokën e ftoftë,
Ndaj Kosovën, si bukën,
nga mitet vërtet çmitizoj …

Imazhi i Kosovës në vargjet poetike të Dritëro Agollit[1], jo vetëm që del i demitizuar, por është bashkëkohor, human, i realizuar mirë poetikisht dhe i skalitur artistikisht. /KultPlus.com

‘Ishim aq mirë kur qemë të vegjël, nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë’

Frederik Rreshpja

***
Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet. / KultPlus.com

Frederik Rreshpja, poeti lirik që vuajti burgun e diktaturës

Nga Albert Vataj

Gjithçka në jetën e poetit lirik, Frederik Rreshpja, nisi si një psherëtimë e zëshme përkoreje në qytetin e Shkodrës 74-vite më parë, më 19 korrik 1940. Erdhi në jetë si një amanet dhe përfundoi si një anatemë.

I ngjizur me dashuri dhe forcë besimi katolik, kurmi i këtij njeriu do të ecte në të zakonshmen, deri kur një shkreptimë fatkeqe dashurie e goditi në zemër duke i thyer shpirtin.

Gjithçka në jetën e tij do të ndryshonte kur ai do të ishte ende i ri. Një zjarr dashurie që shpërtheu si një vullkan do të bëhej për këto vullnete të stuhishme ndjenjash të hyjshme, një ferr, ndoshta pikërisht ai për të cilin Dante mëton në “Komedinë Hyjnore”. Pati një trashëgimtar, të cilit nuk i’a ktheu asnjë Odiese. Lënda tragjike e jetësores që mëtoi, e ngjeshi këtë magmë, duke e ngurtësuar në humusin e fateve tragjike, në dëshmimin e ngjizur me dhimbje dhe trishtim.

Frederik Rreshpja erdhi për të mbetur një zë kushtrues në lirikë, një përjashtim në lëndën e ngjizjes, një vetvete e tallazuar trazimesh në jetë. Nuk kishte më fatkeq ndër ata që kanë rendur në kujtesën e kohës dhe në mirënjohjen e gjeneratave, se sa ai. Jetoi gjithnjë në tehun e rrezikut dhe kumtoi në poezi thelbin tragjik. Jetoi me dhimbjen dhe absurdin, gjithëçmosin, si në një marrëdhënie të vetme ekzistimi, deri në atëkohjen që nuk kishte gëzim që ta gazmonte atë shpirt të shterrur nga dritat dhe ngjyrat, e atë kurm të drobitur nga hekat dhe vetmia.

Në këtë botë të rrethuar me mure, ngado me mure, të lartë e të trashë, Frederiku ndërtoi atë liri heroike si një titan nën peshën e fatit tragjik. Gufimi i zemëratës dhe trazimit, është tashmë fjala, poezia, vargu, është gjithçka përbën përpjekjen e tij prej një spartani. Si pakkush tjetër u lëshua potershëm në honin e vetmisë si në një përballje, e nuk e ndali luftën përkundër asgjëje. Përmes çdo akti të ndeshjes ai hyn e del me një solemnitet sfidues.

Me kohën kundër dhe fatin thundër, në këtë kurm tragjik asgjë nuk reshti së provuari, së jetuari. Kësisoj, ngaherë nën qiellin kërcënues të fatit dhe vetmisë që e cytin si një zë nimfash, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë për të mbërritur gjithnjë në një tokë të pashkelur. Ikën nga një detyresë Sizifi, për të përmbushur një tjetër. Gjithnjë mbi supet i rëndon një gurë i stërmadh që vetëm rritet. Në tokën që gjithnjë rrëshqet për nën këmbë ai është një Ante.

Vitet e një stine të ndëshkimi, mohimi, harrimi dhe mospërfillje do ta përndjekin këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë, si të vetmin armik që duke i thyer zemrën, ai i theu enën e fatit, copëzat e së cilës i shpojnë këmbët e çjerrin qiellin. Gjithqysh ai ishte këtu. Është ende këtu në mungim.

Pavarësisht nëse ai deshi, apo dikush u përpoq ta anatemonte duke e martirizuar, ai u bë ndër zërat më dëshmues të kohës. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force, që mëson të ndërtojë vetveten, duke u përleshur gjithmonë dhe me gjithçka.

Në tehun e vetëtimava ai e ka mprehur mendimin, në tharmin e zemërimit të tokës, në llavën e vullkanit, ai ka ngjyrë penën, për të dëshmuar atë që i duhej brezit për të bërë atë që bënte më mirë, për të qenë poet. Ai është në zërin dhe zemrën e secilit prej nesh që jeton në vetminë e tij, që ndjen pulsin e e betejave të tij që janë edhe tonat. Ai la një testament dhe një shpirt. La një fat tragjik dhe një vetmi të përkorë, la tek ne të gjithë pak Frederik. / KultPlus.com

“Esmeralda” e kompozitorit Çezare Punji së shpejti në skenën e Operës dhe Baletit Nacional

Një nga perlat e artit klasik të baletit, “Esmeralda” e kompozitorit italian Çezare Punji, do të shfaqet në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 19 shkurt, me fillim nga ora 20:00.

Historia e bukuroshes Esmeralda, e frymëzuar nga romani “Katedralja e Parisit” nga Viktor Hygo, do të interpretohet nën dirigjimin e të ftuarit nga Armenia, Eduard Ambarcumjan, me koreografi të koreografit të njohur rus, Mihaill Krapivin, skenografia dhe kostumet luksoze janë vepër e Zhivojin Trajanoviqit dhe Lupka Ristovskës. Mjeshtër koncerti është Jane Bakevski.

Rolin kryesor do ta luaj balerina e parë, Maria Kiçevska Shokarovska, në rolin e Febit do të luajë Francisco Himenez Ruiz (Spanjë), rolin e Fler de Lisit do ta luajë Simona Kolishtrkoska, kurse rolin e Gudulës do ta luajë Sasha Evtimova, e cila këtë vit shënon 25 vjetorin e veprimtarisë artistike si balerinë e shquar, pedagoge dhe koreografe.

Interpretojnë solistët, ansambli i baletit dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.

Baleti “Esmeralda”, i njohur për kompleksitetin e tij teknik, hulumton thellësitë e emocioneve njerëzore, duke ofruar në të njëjtën kohë shfaqje spektakolare kërcimi që tërheqin vëmendjen e publikut. Kjo shfaqje krijon përvojë të paharrueshme baleti duke i nxitur shikuesit të reflektojnë mbi fatin, dashurinë dhe sakrificat që sjell jeta./KultPlus.com

Ç’do të thotë patriot

Poezi nga Ali Asllani

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!/ KultPlus.com

Si shkohet në Kosovë

Poezi nga Visar Zhiti

Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qenë kurrë.

Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë
nëpër luginë.

Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar
nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama
të gjuhës time!

-Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
-Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,
që gjithmonë arrin para meje
dhe më pret atje – gurgullimë jete.

Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
i ngjyej në gjakun tim
dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,
flakët bëhen flatra,
unë bëhem shqiponjë prej dheu
dhe ndiej ciklonet e stepave
si duan të ma brejnë emrin prej guri.

Tiranë, 18.1.1995

Disa fakte rreth ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Sot shënohet 17 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.

-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë

-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com

Historia e Pavarësisë së Kosovës, rruga e vështirë deri tek kjo ditë

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.

Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.

Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.

“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.

Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.

Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.

“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.

Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.

Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.

Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.

Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.

“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.

Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.

Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.

Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.

Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.

Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.

Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.

Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.

I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.

Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja me interpretim të veçantë në koncertin solemn të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Shqipëri

Sopranoja Adelina Paloja ka performuar në koncertin solemn në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë.

“Në sallën e mbushur plot, nën praninë e presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, si dhe të ambasadorëve, diplomatëve, personaliteteve të kulturës dhe artit, rektor e profesor nga bota akademike, “Salla e madhe e Universitetit të Arteve”, në koncertin recital qe në një atmosferë të ngrohtë duke krijuar një përjetim që do të mbetet gjatë në kujtesen time”, ka shkruar Paloja.

Ajo u shpreh se ishte nder të interpretonte në këtë ngjarje të veçantë, duke sjellë vepra të kompozitorëve të njohur, të shoqëruara mjeshtërisht nga pianistja, Merita Rexha Tershana dhe Ansambli vokal i mrekullueshëm Okteti “Plus”.

“Publiku i pranishëm, me vëmendjen dhe emocionin e tij, e bëri këtë natë edhe më të paharrueshme, duke dëshmuar edhe një herë se arti dhe kultura janë shtylla themelore të identitetit tonë kombëtar. Merita kryesore për këtë realizim shembullor ishte e Ambasadorit tonë që na bënë krenar z.Skënder F. Durmishi, qe tash e sa vite plot dinjitet ngrit emrin Kosovës me vlerat me te larta njerezore dhe profesionale”, ka shkruar tutje sopranoja.

Rama uron Kosovën: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë

Kryeministri Edi Rama ka ururar Kosovën në 17-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.

“Mirëmëngjes Kosovë. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë./atsh/KultPlus.com

Begaj uron pavarësinë e Kosovës: Nderim burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar sot Kosovën në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në një mesazh urimi në rrjetet sociale, Begaj shprehu nderimin për mijëra burra dhe gra që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij./KultPlus.com

Kjo është deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur para 17 vitesh

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. / KultPlus.com

Kështu duket “Newborn” sot, i dedikohet inteligjencës artificiale

Ideatori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismaili, ka publikuar fotografi të obeliskut në mëngjesin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovë.

Këtë vit, ky monument i është dedikuar inteligjencës artificiale.

“E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona”, ishte shprehur Ismaili.

Çdo vit, pa përjashtim, NEWBORN ka dhënë një mesazh të fortë, duke shënuar çdo vit zhvillimin e Kosovës në rrugën e saj drejt shndërrimit në një vend që çdo kosovar e ëndërron./KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bëjnë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë. 

Krerët e shtetit po ashtu ngritën flamurin e Kosovës, si dhe bënë homazhe te Memoriali i të Zhdukurve.

Ata pritet të bëjnë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi./KultPlus.com

Kurti në mbledhjen solemne: Republika jonë është më e fortë se kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të qeverisë në nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, është shprehur se ky vit e zë Kosovën me arritje dhe suksese që janë punuar mbi amanetin e dëshmorëve.

Kurti për nder të përvjetorit të pavarësisë u ka uruar gjithë qytetarëve të Kosovës 17-vjetorin e shtetësisë.

“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të drejtat e tyre”, tha Kurti.

Ai tha se tani kemi institucione që garantojnë të drejtat e njeriut dhe pakicat.

“Republika jonë është më e fortë se kurrë. Ekonomia po rritet shpejt dhe  qëndrueshëm, kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarë. Po lëvizim në 38 shtete pa viza. Kurse jemi indeksuar më lartë për rend dhe ligj”, tha Kurti duke theksuar se prinë Kosova sot prinë dhe për të drejtat politike dhe civile./KultPlus.com