Spastrim etnik i shqiptarëve në Luginë të Preshevës, diskutohet edhe në OKB

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të enjten është kërkuar që të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës. E pjesëtarë politikë dhe akterë të shoqërisë civile këtë e shohin si problem politik.

Mbi gjashtë mijë shqiptarë në tri komunat jugore të Serbisë me popullsi shqiptare, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, janë hequr në mënyrë të paligjshme dhe sistematike nga regjistri civil gjatë viteve të fundit. Komiteti i Helsinkit këtë veprim e ka quajtur “spastrim etnik administrativ”.

Teuta Fazliu, banore e Bujanocit, por që jeton me vite në Prishtinë, tregon për Radio Kosovën se si gjatë pandemisë derisa ishte duke qëndruar te familja e saj, e mori vesh se nuk ishte më banore e Bujanocit.

“Në maj të 2020, më vjen një vendim nga Policia lokale që adresa ime është shuar. Menjëherë kam bërë ankesë në MPB-të Serbisë, ku pa u bërë një muaj më kanë kthyer përgjigje, ku kanë shkruar në vendim se adresa ime është pasivizuar pasi që Teuta Fazliu, nuk jeton në Bujanoc, por jeton në Prishtinë, punon në Qeverinë e Kosovës dhe është e martuar me kosovar. Pas këtij vendimi, kam ngritur një padi në Gjykatën Administrative dhe nga ajo kohë nuk kam marrë asnjë përgjigje”, deklaroi ajo.

Çështja e pasivizimit të adresat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, u ngrit të enjten nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, të njëjtat duhet të zbatohen edhe për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Për fat të keq, mbetemi ende të shqetësuar për pasivizimin e adresave të tyre rezidenciale dhe mungesën e investimeve të rëndësishme dhe stimulimeve ekonomikë në atë rajon”, tha Begaj.Shaip Kamberi, përfaqësues politik i shqiptarëve të Luginës se Preshevës, thotë për RTK-në se kjo është çështje politike.

“Në vazhdimësi qeveritë që nga viti 2012 po tentojnë të ndryshojnë strukturën etnike të popullsisë në Luginë të Preshevës, e që në mënyrën më drastike kjo është bërë në Medvegjë. Një spastrim etnik me masa administrative të cilin po e bënë Qeveria e Serbisë, para syve në BE-së”, deklaroi ai.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thotë për Radio Kosovën se rastet e shuarjes së adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, janë mohim i të gjitha të drejtave të njeriut.

“Me vite të tëra serbët dhe shqiptarët kanë shkuar në diasporë për të punuar dhe ndërkohë Serbia ka miratuar një ligj që shfuqizon individët që nuk janë të regjistruar në adresat e paraqitura. Por kjo, aplikohet vetëm për shqiptarët. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur për ndonjë serb”, deklaroi Biserko.

Ditë më parë sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i është dërguar një letër nga dy senatorë amerikanë lidhur me situatën për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës, ku studiuesit dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dhënë alarmin për “spastrimin etnik administrativ” të tyre nga regjistri civil.

Më herët edhe Parlamenti Evropian kishte miratuar rezoluta për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, një hulumtim është kryer nga akademikja Flora Ferati Sachesenmaier. Raporti përfundimtar i punës së saj, i publikuar kohët e fundit, zbuloi se mbi 6,000 shqiptarëve u janë pasivizuar adresat e tyre nga rajonet jugore serbe, duke i bërë ata pa shtetësi dhe të paaftë për të blerë ose shitur prona, për të pasur qasje në arsim ose kujdes shëndetësor, për të votuar ose për të ushtruar të drejta të tjera themelore.

Hulumtimi i Feratit zbuloi se popullsia e shqiptarëve etnikë në disa rajone është ulur me mbi 70 për qind, në disa zona, edhe pse ata ende jetojnë fizikisht atje.

Qytetarët e Luginës së Preshevës, nga tash e tutje do të kenë platformën digjitale mbi çështjet e pasivizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Serbi, raportojnë mediet. Në këtë platformë online, ata mund të informohen, të raportojnë, të ankohen dhe të sigurojnë ndihmë juridike falas, mbi çështjet e pasivizimit. / KultPlus.com

Begaj uron Pavarësinë e Amerikës: Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë me SHBA-të

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Begaj shprehet krenar dhe mirënjohës për historinë që lidh Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar SHBA-në si partnerë strategjikë në ndërtimin e të ardhmes së demokracisë.

“Gëzuar 4 Korrikun SHBA!

Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë”- shkruan Begaj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 4 korrik 1776, 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Britania e Madhe, duke nënshkruar një dokument që u quajt “Deklarata e Pavarësisë”.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ishte produkt i mbledhjes së Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani./ KultPlus.com

Begaj i uron mirëseardhje Clintonit: Shqipëria dhe shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për kombin tonë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i uroi mirëseardhje ish-presidentit amerikan, Bill Clinton në Tiranë, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Begaj u shpreh se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë përjetë mirënjohës që ai ka bërë e në veçanti për Kosovën.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Mirësevjen në Tiranë Presidenti Clinton!

Shqipëria dhe shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën.

Vendimmarrja dhe lidershipi juaj në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës ju kanë vendosur në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë.

Ju faleminderit nga zemra!./ KultPlus.com

Presidenti Begaj në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Projektoi krjimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.

Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me praninë e autoriteteve më të larta të Kosovës, Begaj u shpreh se patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.

“Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krjimin e një shteti shqiptar — të lirë dhe të pavarur. Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar”, tha Begaj.

Por, vuri në dukje Presidenti, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë.

“Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim. Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkarisht. Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë”, theksoi ai.

“Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë: nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”, vuri në dukje ai./atsh/KultPlus.com

‘Gruaja-shpirti i thesareve tona etnografike’, Begaj: Të pasurojmë kurrikulat shkollore

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj dhe Zonjës së Parë, Armanda Begaj u zhvillua sot në Presidencë aktiviteti “Gruaja – shpirti i thesareve tona etnografike”.

Aktiviteti kishte në qendër kontributin e gruas shqiptare në trashëgiminë kulturore dhe etnografike shqiptare. Në këtë kuadër, u shfaq ekspozita fotografike e mbështetur nga institucioni i Presidentit me titull “Xhubleta, shqiptare, universale, e përjetshme” e fotografit të mirënjohur Ergys Zhabjaku.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u shpreh se “thesaret materiale dhe jomateriale të trashëgimisë kombëtare shqiptare janë rrënja jonë, janë identiteti pa të cilin ne nuk do të kishim këtë vitalitet që na ka mbrojtur shpirtërisht edhe në kohërat e errëta të historisë”.

Kreu i Shtetit theksoi se “parësore në rrugën e zhvillimit të qytetërimit mbetet gjithmonë trashëgimi i sistemit të vlerave tona kulturore nëpërmjet edukimit të fëmijëve tanë, gjeneratës së re”.

“Të pasurojmë kurrikulat shkollore dhe të nxisim e rrisim ndërveprimin me fëmijët që në klasat e para mbi trashëgiminë tonë kulturore,” tha Presidenti Begaj.

Zonja e Parë, Armanda Begaj, gjithashtu përshëndeti të pranishmit në event, duke theksuar se “duhet të mbështesim të gjithë pasurinë tonë etnografike dhe rolin e qenësishëm të gruas shqiptare në krijimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie”.

“Është detyrim i ne të gjithëve që trashëgiminë tonë etnografike ta ruajmë, studiojmë dhe përcjellim ashtu siç e meriton. Vetëm kështu, do të mund të jemi të sigurtë që kemi ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe i kemi kthyer vlerat e traditat shqiptare në vlera universale. Duhet ta bëjmë këtë për gruan shqiptare, ta bëjmë këtë për kombin shqiptar”, u shpreh ajo.

Në fund të ceremonisë, Presidenti i dha sot titullin “Mjeshtër i Madh” etnografes së njohur, prof. dr. Afërdita Onuzi.

Në motivacionin për titullin e zonjës Onuzi thuhet: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në studimin e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar; për punën e paçmuar në terren, në studimin, mbledhjen dhe dokumentimin e pasurisë etnografike shqiptare, duke kontribuar në njohjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të identitetit kombëtar shqiptar.”

Begaj vlerësoi kontributin e Onuzit, ndërsa u shpreh se “nëse sot e njohim më mirë identitetin tonë, nëse sot jemi edhe më të vetëdijshëm për pasurinë etnografike të Shqipërisë, është edhe falë kontributit të paçmuar të Onuzit në etnografinë shqiptare.

Nga ana e saj, Onuzi falenderoi Presidentin Begaj për vlerësimin e punës 52-vjeçare. “E shoh këtë vlerësim, edhe si nderim e respekt për trashëgiminë kulturore të popullit tonë,” tha në fjalën e saj falënderuese Onuzi./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Begaj ka uruar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.

Ndërkaq Presidentja Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik.

“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga të dy presidentët u vlerësuan jo vetëm miqësore, por vëllazërore, ndaj u zotuan se do të angazhohen për intensifikim të tyre.

Në këtë funksion, Presidentja Osmani vuri në dukje nevojën për një koordinim dhe harmonizim të mëtejmë, posaçërisht në sferën e politikës së jashtme, me ç`rast potencoi nevojën që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet ku aktualisht Kosova nuk ka përfaqësim.

Të dy presidentët theksuan se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë dhe se stabiliteti i rajonit është jetik në mënyrë që të dy shtetet të vazhdojnë rrugëtimin evropian./KultPlus.com

Begaj: Ismail Kadare, ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i uroi sot ditëlindjen shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Presidenti Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj takuan shkrimtarin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Helena Kadare.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj vlerëson shkrimtarin Ismail Kadare dhe e konsideron atë ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare.

“Patëm kënaqësinë që së bashku me Armandën, t’i uronim sot ditëlindjen mjeshtrit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. I përkthyer në mbi 45 gjuhë, ai është ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare, historisë dhe identitetit tonë, shkrimtari dhe intelektuali që e ka rritur dhe nderuar emrin e Shqipërisë në botë”, shkruan Presidenti Begaj.

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, feston sot 87-vjetorin. Ai u lind më 28 janar të vitit 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës së gurtë.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. /atsh /KultPlus.com

Begaj: Shqipëria krah Kosovës, vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të saj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se qëndrojnë krah Kosovës dhe vlerësojnë ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të shtetit. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Begaj ka thënë se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje përfundimtare që do të çojë në njohje të ndërsjellë.

Kreu i shtetit shqiptar ka përmendur zhvillimet e dhjetorit në veri në të Kosovës, ku grupe kriminale të Serbisë kishin vendosur barrikada, për çka Begaj ka thënë se ishte situatë delikate e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATO-s në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjellë”, ka thënë Begaj.

Begaj gjithashtu ka thënë se viti 2022, ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë kombëtare në Shqipëri.

Ai ka përmendur sulmet kibernetike, përmbytjet gjatë dimrit, si dhe zjarret e krijuara gjatë periudhës së verës.

“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet. Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu, ka patur cenim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit e të tjera. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, ka shtuar Begaj.

Ai shtoi se shtete me interesa jomiqësore, përmes instrumenteve të ndryshme, janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të pengojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit.

Begaj ka përmendur edhe agresionin e paprovokuar rus në Ukrainë, për çka ka thënë se ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euroatlantike.

Efektet e tij në fushën e ekonomisë, ka shtuar Begaj, janë shoqëruar me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë duke vështirësuar kështu jetën e qytetarëve.

Në këtë takim të thirrur nga vet ai, Begaj ka thënë se do të bëjnë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe sipas tij është e rëndësishme të diskutohen prioritetet për vitin në vijim. /Express /KultPlus.com

Begaj i kërkon Papa Françeskut që Vatikani ta njohë Kosovën si shtet të pavarur

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij zyrtare atje i ka kërkuar Papa Françeskut që Vatikani ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Një hap i tillë do t’i jepte shtysë të fortë për të çuar para procesin e ngadaltë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur kreu i shtetit shqiptar gjatë një intervistë për të përditshmen italiane “Il Tempo”.

“Roli i Papës dhe i Selisë së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit. Në këtë pikëvështrim sigurisht i kërkova Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet, pasi kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Presidenti Bajram Begaj, raporton “Shqiptarja”.

Më 2 dhjetor, presidenti Begaj vizitoi Selinë e Shenjtë në Vatikan ku së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku. /KultPlus.com

Dua Lipa pasi mori nënshtetësinë shqiptare: Faleminderit, po ndihem shumë krenare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka dhuruar nënshtetësinë shqiptare këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, përcjell KultPlus.

Këtë veprim, presidenti i Shqipërisë e bëri një ditë para performancës së Lipës në Tiranë për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

E në anën tjetër, Dua Lipa ëstë ndjerë shumë  mirënjohëse për këtë nderim.

“Faleminderit presidentit Bajram Begaj dhe kryetarit Erion Veliaj për këtë nderim që më dhanë shtetësinë time shqiptare!! Faleminderit, po ndihem shume krenare’, ka shkruar Lipa në Instagram./ KultPlus.com

Joe Biden mbërrin në Londër për funeralin e Mbretëreshës

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II të hënën, transmeton KultPlus.

Presidenti Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që vijnë në Londër për një mbledhje të liderëve botërorë që nuk janë parë për dekada.

Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në mesin e të ftuarve është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa. /KultPlus.com

Begaj së bashku me Zonjën e Parë do të marrin pjesë në varrimin e Mbretëreshës Elizabeth II

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj nisen sot për të marrë pjesë në funeralin shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.

Me ftesë të Mbretit Charles III, të Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth-it, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, niset sot drejt Londrës për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.

I shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës Elizabeth II.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.

Në kuadër të programit ceremonial, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, do të marrin pjesë dhe në pritjen e organizuar nga ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Në ceremonitë e organizuara me këtë rast, do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore të vendeve të ndryshme të botës. /KultPlus.com

Policia e Kosovës njofton për ndërprerje të përkohshme në disa pjesë më 15 dhe 16 gusht

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 15 dhe 16 gusht, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në Kosovë, nga data 14 deri më 16 gusht, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare.

Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet mes tjerash në njoftimin e PK-së. /KultPlus.com

Begaj me vizitë zyrtare në Kosovë, zbardhet axhenda e takimeve dy ditore (FOTO)

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 15 dhe 16 gusht, shkruan KultPlus.

Begaj do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në Prishtinë.

Në axhendën e vizitës së presidentit shqiptar janë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, takim me komandantin e KFOR-it dhe me ushtarët e FA të Shqipërisë në Kosovë.

Ndërkohë, kjo është edhe axhenda e plotë:

E hënë, 15 gusht 2022
10:00-10:10 Ceremonia pritëse nga Sh. S. Dr. Vjosa Osmani – Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës
10:10-10:15 Fotografimi i dy Presidentëve (para hyrjes kryesore të ndërtesës së presidencës) Nënshkrimi në librin e miqësisë nga Presidenti i Shqipërisë
10:15-10:30 Takimi Tête-à-tête mes: Sh. S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës
10:30-11:30 Takim me Presidenten e Republikës së Kosovës Sh. S. Dr. Vjosa Osmani-Sadriu dhe delegacionin
11:45 Nderime para memorialit për Personat e Zhdukur
11:50-12:10 Deklaratë e përbashkët e dy Presidentëve
12:15-12:55 Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Glauk Konjufca
13:00-13:10 Takimi Tête-à-tête me Albin Kurtin, Kryeministër i Republikës së Kosovës
13:00-13:45 Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Albin Kurti dhe delegacionin
15:45 Homazhe tek varri i Presidentit Rugova dhe vendosje e Kurorës
16:35 – 17:00 Homazhe tek varrezat e Familjes Jashari dhe vendosje e Kurorës
Vizitë në shtëpinë muze të Familjes Jashari

E martë, 16 gusht 2022
09:00-09:30 Takim me Kryetarin e PDK-së, Z. Memli Krasniqi
09:35-10:05 Takim me Kryetarin e LDK-së, Z. Lumir Abdixhiku
10:10-10:40 Takim me Kryetarin e AAK-së, Z. Ramush Haradinaj
10:45-11:00 Takim me partitë minoritare
11:15-11:45 Takim me Komandantin e KFOR-it
12:20-12:50 Takim me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë)
13:35–14:15 Takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit
14:25-14:45 Vizitë në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit /KultPlus.com

Begaj: Partneriteti Shqipëri – SHBA, shumë i çmuar

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka filluar detyrën e tij të re, shkruan KultPlus.

Begaj, është takuar me ambasadoren e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ku është diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Partneriteti mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë i çmuar në forcimin e demokracisë dhe prosperitetin. Takimi i sotëm me Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, i pari për mua si President i Republikës së Shqipërisë, i hap rrugë angazhimit të mëtejshëm në zhvillimin e miqësisë mes dy vendeve”, ka shkruar Begaj në llogarinë e vet në “Facebook”. /KultPlus.com

Osmani uron Begajn: Do të thellojmë bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë dhe rrugën e përbashkët euro-atlantike

Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër  dhe një abstenim në Kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani uron Begajn dhe thotë se bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike

“Në inaugurimin e Presidentit Bajram Begaj, i përcolla urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike”, thuhet në postimin e presidentes. /KultPlus.com

Bajram Begaj betohet si president i ri i Shqipërisë

Edhe zyrtarisht, Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë.

Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër  dhe një abstenim në Kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.

Zgjedhjen e Begajt si president i Shqipërisë e ka kundërshtuar opozita atje, ku sipas tyre, kryeministri Edi Rama, tashmë e ka kapur edhe institucionin e fundit në vend.

Se ishin kundër Begajt u pa edhe në seancën solemne ku disa deputetë të opozitës nuk ishin të pranishëm. /KultPlus.com

Osmani udhëton në Shqipëri, merr pjesë në inagurimin e presidentit të ri

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.

Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com

Osmani uron presidentin Bajram Begaj: Bashkë do t’i thellojmë raportet vëllazërore Kosovë-Shqipëri

Bajram Begaj është zgjedhur sot president i ri i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas zgjedhjes së tij si president ai është përgëzuar për postin e ri nga figura të njohura politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes rrjeteve sociale ka uruar presidentin e ri të Shqipërisë, duke shkruar se do të punojnë për thellimin edhe më tej të marrëdhënieve vëllazërore.

“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, ka shkruar Osmani. /KultPlus.com